Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 July 2026Main stream

GRAFIKËT: Rënia e Euros të paktën deri në 2024 shpjegohet më shumë nga lejet e ndërtimit se turistët

20 July 2026 at 06:03

Euro ka shënuar një rënie të fortë në vend, që ka nisur që nga fundi i vitit 2016. Në 2015-n, monedha e përbashkët këmbehej mesatarisht me gati 140 lekë.

Në 2016-n, zbriti në 137.4 lekë. Që prej asaj kohe, zhvlerësimi i euros nuk është ndalur, për të arritur në 119 lekë në vitin 2022 dhe 100.7 lekë në 2024-n.

Në 2025-n, euro ra për herë të parë poshtë kufirit të 100 lekëve, me një mesatare vjetore prej 97.8 lekë. Nënçmimi ka vijuar me ritme më të ngadalta dhe këtë vit, me një mesatare nga 1 janari deri në 17 korrik prej 95.6 lekësh.

Por, cilët janë faktorët që kanë bërë që euro të humbë 20 lekë nga 2015-a në 2022-n (nënçmim 15%), 40 lekë nga 2015-a deri në 2024-n (nënçmim 28%) dhe 42 lekë (-30%) në një dekadë (nga 2015-a në 2025-n).

Nga përpunimi i të dhënave zyrtare nga Monitor dhe bisedat me operatorët e tregut, rezulton se dy kanë qenë arsyet kryesore, që shpjegojnë këtë rënie të euros.

 

1. Lejet e ndërtimit dhe kursi

Së pari, të paktën deri në vitin 2024, shpjegimi kryesor lidhet me bumin e ndërtimit në vend. Ndërtimi mori përmasa më të mëdha gjatë viteve të fundit, e konstatuar kjo dhe nga niveli i lartë i sipërfaqes së lejeve që u dhanë për ndërtim në total, që arritën rekordin 2.1 – 2.7 milionë metra katror në 2021 – 2024.

Grafiku i parë tregon lidhjen e zhdrejtë mes rritjes së sipërfaqes së lejeve për ndërtim dhe zhvlerësimit të monedhës së përbashkët për periudhën 2015 – 2024.

Për vitin 2025, një krahasim i tillë është i pamundur teksa INSTAT nuk arrin të llogarisë të plotë sipërfaqen e lejeve të ndërtimit, pasi për ndërtesat mbi 7 kate, ato nuk jepen më nga Bashkitë, por nga Këshilli i Rregullimit të Territorit, që nuk i raporton fare të dhënat.

Por të dhëna indirekte nga të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë tregojnë se për 2025-n ka paur një rënie të lehtë të sipërfaqes së ndërtimit, por ajo është rritur dukshëm në 5 muajt e parë të vitit 2026.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, për 5 mujorin janë arkëtuar  15,3 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrkturë, ndërsa në vitin më të mirë, 2024, arkëtimet nga ky tatim ishin 18 miliardë lekë për të gjithë vitin, apo njësoj me vitin 2025 (në vitin 2025, të ardhurat nga ky zë ishin 16.3 miliardë lekë, me një rënie prej 11% nga 2024-a).

Nisur nga këto të dhëna llogariet indirekt që vetëm për 5 muajt e parë të 2026-s mund të jenë dhënë rreth 2 milionë metra katror ndërtim, që pritet të fillojnë të bëhen të dukshme në vitet në vijim. Nga një vëzhgim në Tiranë është e qartë se ato që po ndërtohen aktualisht janë leje të dhëna kryesisht në 2025-n.

Hetimet e SPAK zyrtarizuan faktin se sa lehtë ka hyrë paraja informale në ndërtim, edhe me skemat më elementare, siç është transporti i cash-it me kamion.

Kompania që SPAK vuri në hetim për lidhje me grupe kriminale dhe pastrimin e parave, Nova Constraction, i rrit të ardhurat nga 181 milionë lekë në 2017-n, në 4 miliardë lekë në 2024-n, duke u bërë brenda pak vitesh operatori më i madh për ndërtimet rezidenciale, sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit, që publikon bilancet.

Në vitin 2024, kompania kishte detyrime prej 6 miliardë lekë dhe një kapital prej 1 miliardë lekësh. Raporti i detyrimeve ndaj kapitalit ishte rreth 6 me 1, që do të thotë se për çdo 1 lek kapital të vet, kompania kishte rreth 6 lekë detyrime dhe se zgjerimi i aktivitetit ishte mbështetur kryesisht te financimet nga palët e treta, jo te fondet e aksionerëve.

Nova raportonte në detyrimet afatgjata 3.6 miliardë lekë detyrime ndaj palëve të treta dhe asnjë kredi afatgjatë dhe në detyrimet afatshkurtra 2.65 miliardë lekë të pagueshme për aktivitetin e shfrytëzimit dhe sërish asnjë kredi.

Këto të dhëna tregojnë se kompania nuk e kishte mbështetur zgjerimin e saj te financimi bankar klasik. Burimi kryesor i financimit rezulton të ketë qenë borxhi ndaj palëve të treta, furnitorëve, klientëve ose subjekteve të lidhura me aktivitetin, në varësi të përbërjes së detajuar të këtyre zërave.

Bankat zakonisht preferojnë që detyrimet të mos jenë më shumë se dy deri në tri herë kapitali, megjithëse kufiri ndryshon sipas sektorit dhe flukseve të kompanisë. Raporti 6 me 1 i Nova Construction sinjalizon një nivel të lartë të levës financiare.

Në ndërtimin rezidencial, detyrimet ndaj palëve të treta përgjithësisht të përfshijnë edhe parapagimet e klientëve, financime nga ortakët, detyrime ndaj kompanive të lidhura, kontraktorëve dhe furnitorëve, që mundëson kanalizimin me lehtësi të parasë informale në ndërtim.

 

Maratona 10-vjeçare e betonit; Kronika e një pastrimi të paralajmëruar  

 

2.Të ashtuquajturat fondamente shpjegojnë pjesërisht forcimin e euros nga 2024-a

Faktori i dytë që ndikon kursin e këmbimit janë të ashtuquajturat fondamente, që zyrtarisht përmenden shpesh, që kanë ndikuar në forcimin e Lekut. Këto nënkutjnë një përmirësim të deficitit të llogarisë korente, që vjen si rrjedhojë e përmirësimit të ekonomisë reale.

Llogaria korrente mat diferencën mes valutës që hyn dhe asaj që del nga vendi përmes tregtisë së mallrave e shërbimeve, të ardhurave nga puna dhe investimet, bilancin e udhëtimeve, si dhe transfertave nga emigrantët.

Vendi ka qenë gjithmonë me deficit negativ të llogarisë korente, që nënkupton që më shumë valutë del nga Shqipëria, sesa hyn, në pjesën kryesore e lidhur me nivelin e lartë të importeve dhe eksportet e ulëta si dhe transferimin e fitimeve nga kompanitë e huaja. Në kahun tjetër, burimet e hyrjes së valutës janë remitancat, të ardhurat nga puna dhe bilanci nga udhëtimet, me turistët që sjellin valutë dhe shqiptarët që e nxjerrin jashtë.

Përmirësimi i këtij deficiti, teorikisht, duhet të çojë në forcimin e monedhës vendase. Por, nga 2016-a deri në vitin 2022 ndodhi e kundërta. Ndonëse deficiti i llogarisë korente u përkeqësua (në vitin 2022 dolën neto 1.1 miliardë euro nga vendi, ose 37% më shumë se në 2016-n), pra zyrtarisht doli më shumë valutë nga vendi, Euro u nënçmua me 13% për të njëjtën periudhë.

Nga viti 2023, deficiti i llogarisë korente filloi të përmirësohej, sidomos në tremujorin e tretë, për shkak të prurjeve të turistëve, duke u bërë faktor shtesë në rënien e Euros. Deficiti i llogatrisë korente zbriti në 374 milionë euro në 2023-n. Megjithatë, në vitin 2024 ai u përkeqësua sërish në 610 milionë euro, megjithatë zhvlerësimi i monedhës së përbashkët vazhdoi. Euro u nënçmua me 8 lekë në 2024-n, në raport me vitin e mëparshëm, më një rënie prej 8%.

Në 2025-n, kur dhe euro zbriti poshtë 100 lekëve, deficiti u përmirësua ndjeshëm, në 178 milionë euro, duke qenë një faktor i rëndësishëm që ndikoi në rënien e euros. Efektin kryesor në përmirësimin e deficitit e dhanë prurjet e turizmit, me bilancin neto të udhëtimeve që arriti në 2.7 miliardë euro dhe remitancat, në 1.1 miliardë euro, duke reflektuar ciklin e ri të emigracionit në vend.

Në kahun tjetër, kërkesa nga turizmi më shumë sesa nxiti prodhimin vendas çoi në financimin e importeve, me deficitin tregtar që arriti rekordin e 5.9 miliardë eurove! (shiko tabelën në fund)/ O.Liperi

 

 

Burimi: Banka e Shqipërisë, INSTAT

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Burimi: BSH, përpunime të Monitor

 

 

Lexoni edhe:

5-mujori, të ardhurat rekord nga taksa e infrastrukturës paralajmërojnë bum të ri ndërtimi

The post GRAFIKËT: Rënia e Euros të paktën deri në 2024 shpjegohet më shumë nga lejet e ndërtimit se turistët appeared first on Revista Monitor.

5-mujori, të ardhurat rekord nga taksa e infrastrukturës paralajmërojnë bum të ri ndërtimi

20 July 2026 at 06:01

Për vite me radhë, të ardhurat e bashkive kanë krijuar varësi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, që vilet nga ndërtimet e reja dhe që ka zënë sistematikisht më shumë se gjysmën e tyre. Por këtë vit, kjo varësi është transferuar edhe në buxhetin qendror, duke ekspozuar ekonominë kombëtare ndaj zhvillimeve të paqëndrueshme në këtë sektor.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se, në pesë-mujorin e parë të vitit 2026, nga taksa e ndikimit në infrastrukturë u arkëtuan 15,3 miliardë lekë, me një rritje prej 240% krahasuar me vlerën prej 4,5 miliardë lekësh që u arkëtua në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Të ardhurat shtesë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë në pesë- mujor ishin 10,8 miliardë lekë, të cilat zunë 31% të të ardhurave shtesë në totalin e buxhetit gjatë së njëjtës periudhë. Në vend që rritja e të ardhurave buxhetore të nxitej nga TVSH-ja dhe zërat e tjerë të tatimeve, që vijnë nga sektori i prodhimit dhe i shërbimeve, ky vit tregoi një rritje të varësisë së buxhetit kombëtar nga ndërtimi. Gjithashtu, në të ardhurat shtesë të buxhetit vendor, të ardhurat nga ky tatim zunë 87%.

Të dhënat zyrtare tregojnë se të ardhurat nga taksa mbi ndërtimet e reja arritën një rekord historik këtë vit, pasi vetëm në pesë muaj janë grumbulluar 15,3 miliardë lekë, ndërsa në vitin më të mirë, 2024, arkëtimet nga ky tatim ishin 18 miliardë lekë për të gjithë vitin (shiko grafikun e mëposhtëm).

Taksa e ndikimit në infrastrukturë përbënte rreth 54% te të gjitha të ardhurave të veta të pushtetit vendor në pesë muajt e parë të vitit. Brenda grupit të taksave lokale, pesha e saj arrinte në rreth 64%.

Kjo do të thotë se më shumë se gjysma e të ardhurave që bashkitë sigurojnë vetë tashmë varen nga një taksë e lidhur drejtpërdrejt me tregun e ndërtimit.

Të ardhurat e larta nga taksa e ndikimit në infrastrukturë u krijojnë bashkive më shumë mundësi për të financuar investime dhe shërbime publike. Megjithatë, pesha e lartë e kësaj takse e bën situatën financiare të pushtetit vendor gjithnjë e më të lidhur me ecurinë e sektorit të ndërtimit.

Ndryshe nga taksa mbi pasurinë, e cila mund të krijojë të ardhura të përsëritshme çdo vit, taksa e ndikimit në infrastrukturë paguhet kur miratohen dhe zhvillohen ndërtime të reja. Për rrjedhojë, të ardhurat mund të bien ndjeshëm nëse ngadalësohet dhënia e lejeve, përfundojnë projektet e mëdha ose dobësohet kërkesa në tregun e pasurive të paluajtshme.

Mbledhjet e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit kanë marrë në shqyrtim disa qindra kërkesa për leje ndërtimi dhe zhvillimi, ku përfshihen projekte turistike dhe rezidenciale, infrastruktura publike, si dhe ndërhyrje në sektorët e energjisë dhe transportit. Ky është një tregues që paralajmëron ekspozimin e mëtejshëm të ekonomisë ndaj sektorit të ndërtimit./ B.Hoxha

 

Ndërtimi nuk do ndalet, sipërfaqja e re e lejeve llogaritet në 2 mln metra katror vetëm në janar-maj

Burimi: Ministria e financave

https://monitor.al/grafiket-renia-e-euros-te-pakten-deri-ne-2024-shpjegohet-me-shume-nga-lejet-e-ndertimit-se-turistet/

The post 5-mujori, të ardhurat rekord nga taksa e infrastrukturës paralajmërojnë bum të ri ndërtimi appeared first on Revista Monitor.

BB kërkon kthesë në financimin e shëndetësisë, spitalet të paguhen sipas rezultateve

20 July 2026 at 06:00

Banka Botërore rekomandon ndryshim të mënyrës se si financohen shërbimet shëndetësore në Shqipëri, duke propozuar që Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) të kalojë nga administrimi i buxheteve historike në një model ku pagesat lidhen me rezultatet, cilësinë dhe performancën e ofruesve të shërbimeve.

Sipas raportit, kjo reformë konsiderohet leva kryesore për rritjen e efikasitetit të sistemit shëndetësor dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.

Raporti vëren se Fondi administron rreth 67% të shpenzimeve publike për shëndetësinë, por funksionon kryesisht si administrator buxheti. Financimi i spitaleve publike bazohet në buxhete historike sipas zërave të shpenzimeve, ndërsa përdorimi i kontraktimit selektiv ose pagesave të lidhura me performancën mbetet i kufizuar. Si rezultat, financimi i spitaleve lidhet pak me aktivitetin ose rezultatet e arritura.

Banka Botërore thekson se modeli aktual u jep ofruesve pak stimuj për të rritur produktivitetin, për të racionalizuar ofrimin e shërbimeve ose për të zhvendosur trajtimet drejt formave me kosto më të ulët. Sipas raportit, problemi nuk lidhet me fragmentimin e fondeve, por me mungesën e kapaciteteve për blerje strategjike të shërbimeve.

Dokumenti rekomandon që, paralelisht me zgjerimin e autonomisë së spitaleve publike, Fondi të fillojë gradualisht zbatimin e blerjes së shërbimeve të bazuar në rezultate në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor.

Për kujdesin parësor, raporti propozon përdorimin e pagesave të bazuara në kapitacion, të përshtatura sipas moshës dhe rrezikut të pacientëve, të shoqëruara me fonde të dedikuara për diagnostikën laboratorike dhe instrumentale, si edhe me tregues performance aty ku është e mundur.

Për shërbimet ambulatore të specializuara, Banka Botërore rekomandon që ofruesit publikë të kontraktohen në mënyrë strategjike për të garantuar ofrimin e shërbimeve të caktuara, ndërsa pagesat të rregullohen në mënyrë të ngjashme me ato që aplikohen për PPP-të dhe ofruesit privatë, por duke u kufizuar me kuota dhe tavane buxhetore për të shmangur zgjerimin e panevojshëm të shërbimeve.

Në nivel spitalor, raporti propozon kontraktim selektiv dhe financim të bazuar në volum ose kritere të caktuara, në përputhje me Planin Kombëtar të Spitaleve 2023–2030. Gjithashtu rekomandohet kalimi gradual nga buxhetimi sipas zërave të shpenzimeve drejt financimit sipas rasteve ose paketave të shërbimeve, duke përdorur kombinime të ndryshme metodash pagese.

Sipas Bankës Botërore, një sistem më fleksibël i blerjes së shërbimeve, i kombinuar me autonomi menaxheriale dhe financiare për ofruesit, do t’u krijonte institucioneve më shumë mundësi për planifikimin e personelit dhe për përdorimin e stimujve të lidhur me performancën.

Në përmbledhjen e rekomandimeve, raporti e cilëson kalimin e Fondit nga një administrator pasiv buxheti në një blerës aktiv për të përmirësuar performancën e sistemit shëndetësor shqiptar./ N.Maho

 

The post BB kërkon kthesë në financimin e shëndetësisë, spitalet të paguhen sipas rezultateve appeared first on Revista Monitor.

07:00 Nga Leonard Veizi/ 20 korriku 1944 – “Operacioni Valkyrie”, atentati ndaj Hitlerit që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e Luftës sëDytë Botërore

By: Leonard
20 July 2026 at 07:00

Nga Leonard Veizi

Ai kishte humbur syrin e majtë, dorën e djathtë dhe dy gishta të dorës së majtë në luftë, por me dorën që i kishte mbetur shtrëngonte një valixhe të vogël ku kishte vendosur një bombë me sahat. Ishte kolonel i Vermahtit (Wehrmacht) dhe shef i Shtabit të Ushtrisë Rezervë. Për shkak të pozitës dhe besimit që gëzonte në hierarkinë ushtarake, ai mundi t’i afrohej Adolf Hitlerit në një distancë prej vetëm dy metrash…

…Gjithçka do të kishte përfunduar sipas planit, nëse një nga oficerët në sallë nuk do të kishte lëvizur padashur valixhen ku ndodhej bomba. Një veprim i vogël, pothuajse i parëndësishëm, ndryshoi rrjedhën e historisë.

Ishte 20 korriku i vitit 1944. Koloneli Klaus Shenk Graf fon Shtaufenberg (Claus Schenk Graf von Stauffenberg) kishte marrë përsipër një nga përpjekjet më të guximshme për të eliminuar udhëheqësin nazist dhe për t’i dhënë fund luftës.

Një grup oficerësh të lartë gjermanë kishte vendosur të vriste Hitlerin, duke besuar se kjo ishte rruga e vetme për të shpëtuar Gjermaninë nga shkatërrimi total. Plani mori emrin “Operacioni Valkyrie” (Unternehmen Walküre) dhe parashikonte që, pas vdekjes së Hitlerit, Ushtria Rezervë të merrte kontrollin e vendit, duke neutralizuar udhëheqjen naziste, Gestapon dhe trupat SS.

Por atentati dështoi. Dështimi solli një valë të madhe arrestimesh, ekzekutimesh dhe hakmarrjeje nga regjimi nazist. Për dekada më pas, historia e komplotit u shoqërua me interpretime të ndryshme, mite dhe versione të shtrembëruara, derisa dokumentet arkivore dhe dëshmitë e të mbijetuarve ndihmuan në rindërtimin e së vërtetës.

Autori amerikan Blejn Tejlor (Blaine Taylor) i ka kushtuar kësaj ngjarjeje librin “Komploti më i madh për të vrarë Hitlerin? – Operacioni Valkyrie”, ndërsa historiani francez Pier Galante (Pierre Galante) botoi në vitin 1981 librin “Operacioni Valkyrie: Komploti i gjeneralëve gjermanë kundër Hitlerit”.

Mbi këtë histori janë realizuar edhe filma, ndër të cilët më të njohurit janë “Shtaufenberg” (2004) dhe “Valkyrie” (2008).

“Shtaufenberg”

“Shtaufenberg” është një film televiziv gjermano-austriak i vitit 2004, prodhuar nga televizioni gjerman ARD (Das Erste). Filmi përqendrohet te figura e kolonelit Klaus fon Shtaufenberg dhe te komploti i 20 korrikut 1944 për vrasjen e Adolf Hitlerit.

Filmi u transmetua për herë të parë më 25 shkurt 2004 në televizionin gjerman ARD.

Në qendër të historisë është transformimi i Shtaufenbergut nga një oficer besnik i betuar ndaj Hitlerit në një kundërshtar të vendosur të regjimit nazist. Ai informohet nga gjenerali Henin fon Treskou (Henning von Tresckow) për krimet e luftës të kryera nga gjermanët në Frontin Lindor dhe fillon të bindet se rrëzimi i Hitlerit është një detyrim moral.

Më 20 korrik 1944, ai udhëton me bombën e vendosur në çantë drejt selisë së Hitlerit, “Strofkës së Ujkut” (Wolfsschanze), pranë Rastenburgut në Prusinë Lindore. Bomba shpërthen, por Hitleri mbijeton.

Nga shpërthimi vdesin katër persona, ndërsa Hitleri pëson vetëm plagë të lehta.

Filmi u vlerësua me çmimin për filmin më të mirë në “Deutscher Fernsehpreis” (Çmimet e Televizionit Gjerman).

Në rolet kryesore interpretojnë:

-Sebastian Koh (Sebastian Koch) – Klaus fon Shtaufenberg;

-Remo Xhirone (Remo Girone) – Ludvig Bek;

-Ulrih Tukur (Ulrich Tukur) – Henin fon Treskou;

-David C. Baners (David C. Bunners) – Albreht Mertz fon Kvirnhajm.

“Valkyrie”

“Valkyrie” është një film thriller historik i vitit 2008, me regji të Brajën Singër (Bryan Singer), skenar nga Kristofer MekKueri (Christopher McQuarrie) dhe Nejthan Aleksandër (Nathan Alexander), me protagonist Tom Kruz (Tom Cruise).

Filmi paraqet komplotin e 20 korrikut 1944 nga këndvështrimi i kolonelit Klaus fon Shtaufenberg dhe përshkruan përpjekjen për të vrarë Hitlerin dhe për të përdorur planin “Valkyrie” për të marrë kontrollin e Gjermanisë.

Filmi u shpërnda nga United Artists dhe në rolin kryesor luan Tom Kruz si koloneli Shtaufenberg.

Në kast interpretojnë gjithashtu:

-Kenet Branah (Kenneth Branagh);

-Bill Naj (Bill Nighy);

-Edi Izard (Eddie Izzard);

-Terens Stamp (Terence Stamp);

-Tom Uilkinson (Tom Wilkinson).

Filmi shkaktoi fillimisht debate në Gjermani për shkak të lidhjes së Tom Kruz me lëvizjen Scientology, e cila shihej me rezerva nga një pjesë e opinionit publik gjerman. Megjithatë, produksioni mori leje për të xhiruar në vende historike, përfshirë Bendlerblock-un në Berlin, ku ndodhej qendra e rezistencës ushtarake kundër Hitlerit.

Filmi mori vlerësime përgjithësisht pozitive dhe realizoi rreth 201 milionë dollarë të ardhura në mbarë botën.

Koloneli

Në jetëshkrimin e tij, Klaus fon Shtaufenberg (Claus von Stauffenberg) paraqitet si një nga figurat më të rëndësishme të rezistencës ushtarake gjermane kundër Hitlerit. Ashtu si shumë oficerë të tjerë të lartë të ushtrisë gjermane, ai e pa me shqetësim ngritjen e nazizmit dhe përqendrimin e pushtetit në duart e Adolf Hitlerit. Megjithatë, kur Hitleri erdhi në pushtet në vitin 1933, Shtaufenbergu bëri betimin tradicional të ushtarakut gjerman për besnikëri ndaj Fyhrerit.

Në fillim ai nuk ishte kundërshtar i hapur i regjimit. Ai mori pjesë në pushtimin e Polonisë në vitin 1939 dhe, si shumë ushtarakë të tjerë të kohës, besonte se Gjermania kishte të drejtë të zgjeronte hapësirën e saj politike dhe ushtarake. Më pas mori pjesë edhe në fushatën kundër Francës në vitin 1940.

Ai fillimisht admironte aftësitë strategjike të Hitlerit si komandant ushtarak, por gradualisht filloi të shqetësohej nga ambiciet e pakufizuara të diktatorit dhe nga mënyra brutale e zhvillimit të luftës.

Vendimi i tij për t’iu bashkuar rezistencës nuk erdhi menjëherë. Ai u formua gradualisht nga përvoja e luftës, sidomos pas pushtimit të Bashkimit Sovjetik në vitin 1941, ku ushtria gjermane u përfshi në një luftë shkatërruese të shoqëruar me krime masive ndaj popullsisë civile, hebrenjve, rusëve dhe ukrainasve.

Nga viti 1942, bindja se Hitleri po e çonte Gjermaninë drejt katastrofës u bë gjithnjë e më e fortë.

Në vitin 1943, gjatë fushatës në Afrikën e Veriut, Shtaufenbergu u plagos rëndë nga një sulm ajror aleat. Ai humbi syrin e majtë, dorën e djathtë dhe dy gishta të dorës së majtë. Pavarësisht plagëve të rënda, ai u kthye në shërbim dhe kjo gjendje e re fizike nuk e pengoi të merrte një rol aktiv në përpjekjen për të rrëzuar Hitlerin.

Situata

“Operacioni Valkyrie” u bë një nga episodet më të njohura të rezistencës gjermane kundër nazizmit dhe, pas luftës, mori një rëndësi të veçantë në kujtesën historike të Gjermanisë.

Vrasja e Hitlerit nuk synonte vetëm eliminimin e një diktatori, por edhe t’i tregonte botës se brenda vetë Gjermanisë kishte njerëz që kundërshtonin regjimin nazist.

Gjatë vitit 1943 dhe fillimit të vitit 1944, pakënaqësia në radhët e elitës ushtarake gjermane u rrit ndjeshëm. Humbjet në Frontin Lindor, katastrofa e Stalingradit dhe përparimi i pandalshëm i aleatëve e bënë të qartë se lufta po shkonte drejt humbjes.

Planet për një grusht shteti u koduan me emrin “Walküre”, por vrasja e Hitlerit ishte jashtëzakonisht e vështirë. Ai ndryshonte shpesh oraret e takimeve, kufizonte aksesin dhe kishte forcuar masat e sigurisë pas disa përpjekjeve të mëparshme për ta eliminuar.

Në qendër të komplotit ishin:

-Ludvig Bek (Ludwig Beck) – ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë;

-Henin fon Treskou (Henning von Tresckow) – një nga organizatorët kryesorë të rezistencës;

-Fridrih Olbriht (Friedrich Olbricht) – drejtues i strukturave të Ushtrisë Rezervë;

-Klaus fon Shtaufenberg – oficeri që do të vendoste bombën.

Edhe feldmareshali Ervin Romel (Erwin Rommel), një nga komandantët më të famshëm gjermanë të Luftës së Dytë Botërore, kishte arritur në përfundimin se Hitleri duhej të largohej nga pushteti. Megjithatë, roli i tij në komplot mbetet objekt debati historik.

Ngjarja

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, koloneli Klaus fon Shtaufenberg shërbente në Afrikën e Veriut, ku u plagos rëndë nga një sulm ajror i aleatëve. Pas kthimit në Gjermani, zhgënjimi i tij ndaj drejtimit të luftës dhe ndaj Hitlerit u thellua.

Ndërkohë, një tjetër përpjekje për vrasjen e Hitlerit ishte organizuar nga gjenerali Henin fon Treskou. Ai kishte tentuar të vendoste një bombë në avionin e Hitlerit, të fshehur në një kuti që paraqitej sikur përmbante shishe alkooli. Pajisja nuk funksionoi dhe avioni u ul i sigurt.

Pas kësaj, Gestapoja arrestoi disa anëtarë të rezistencës, përfshirë gjeneralin Hans Oster.

Shtaufenbergu u përfshi më drejtpërdrejt në plan dhe u caktua në një pozitë që i jepte mundësi të takohej personalisht me Hitlerin. Ai propozoi përdorimin e planit “Valkyrie”, i cili fillimisht ishte hartuar si një masë emergjente për të ruajtur rendin e brendshëm, por që komplotistët e ndryshuan për ta përdorur si mjet për rrëzimin e regjimit nazist.

Për ta vënë në zbatim planin, ata kishin nevojë për mbështetjen e gjeneralit Fridrih From (Friedrich Fromm), komandantit të Ushtrisë Rezervë. Frommi nuk pranoi të përfshihej drejtpërdrejt, por premtoi të mos ndërhynte.

20 korrik 1944 – Shpërthimi në “Strofkën e Ujkut”

Më 20 korrik 1944, Shtaufenbergu udhëtoi drejt selisë së Hitlerit në “Strofkën e Ujkut” (Wolfsschanze), pranë Rastenburgut në Prusinë Lindore.

Për shkak të temperaturave të larta të verës, mbledhja nuk u zhvillua në bunkerin e zakonshëm prej betoni, por në një barakë me dritare të hapura. Ky ndryshim do të ishte vendimtar, sepse zvogëloi fuqinë shkatërruese të shpërthimit.

Në sallë ndodheshin Hitleri, 21 oficerë dhe dy stenografë. Shtaufenbergu vendosi valixhen me eksploziv pranë këmbës së tavolinës ku qëndronte Hitleri. Më pas ai doli nga dhoma me pretekstin e një telefonate urgjente. Pak çaste para shpërthimit, oficeri Hajnc Brandt (Heinz Brandt) lëvizi valixhen pa e ditur se çfarë përmbante ajo. Ajo u vendos pas një këmbë të trashë të tavolinës, e cila e mbrojti pjesërisht Hitlerin nga vala e shpërthimit.

Bomba shpërtheu pas pak minutash. Katër persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën. Hitleri mbijetoi me plagë relativisht të lehta.

Rënia e komplotit

I bindur se Hitleri kishte vdekur, Shtaufenbergu u largua nga “Strofka e Ujkut” dhe fluturoi drejt Berlinit për të nisur fazën tjetër të planit. Në selinë e Ushtrisë Rezervë në Bendlerblock, situata u bë e paqartë. Disa komplotistë këmbëngulnin se Hitleri kishte vdekur, ndërsa të tjerë kërkonin prova.

Kur u përhap lajmi se Fyhreri kishte mbijetuar, plani filloi të shembej.

Majori Oto Ernst Remer (Otto Ernst Remer), i cili fillimisht po zbatonte urdhrat e komplotistëve, foli me Hitlerin në telefon përmes ministrit të Propagandës Jozef Gebels (Joseph Goebbels). Duke njohur zërin e Hitlerit, ai kuptoi se ishte mashtruar dhe u kthye kundër puçistëve.

Komplotistët u rrethuan në Bendlerblock.Gjenerali From mori kontrollin e situatës dhe, në   për të shpëtuar veten, organizoi një gjyq të improvizuar ushtarak. Ai dënoi me vdekje Shtaufenbergun, Olbrihtin, Albreht Mertz fon Kvirnhajm (Albrecht Mertz von Quirnheim) dhe Verner fon Heften (Werner von Haeften). Në orët e para të mëngjesit të 21 korrikut 1944, ata u ekzekutuan në oborrin e Bendlerblock. Sipas dëshmive historike, fjalët e fundit të Shtaufenbergut ishin: “Rroftë Gjermania jonë e shenjtë!”

Pse quhej “Valkyrie”?

Emri i operacionit vinte nga mitologjia nordike.

Në mitologjinë gjermano-skandinave, Valkyriet (Valkyries) ishin figura femërore që shërbenin zotin Odin dhe zgjidhnin luftëtarët e vrarë në betejë për t’i çuar në sallën madhështore të Valhallës (Valhalla). Valhalla ishte “salla e të rënëve”, vendi ku, sipas legjendave, shkonin heronjtë dhe mbretërit luftëtarë.

Nazistët e përdorën këtë emërtim për një plan ushtarak, por pas luftës ai u bë simbol i një prej përpjekjeve më të mëdha të brendshme për t’i dhënë fund diktaturës së Hitlerit.

“Operacioni Valkyrie” mbeti një nga momentet më dramatike të historisë së Luftës së Dytë Botërore: një bombë që shpërtheu, por nuk ndryshoi dot rrjedhën e luftës.

Putin takohet në Kremlinin e Moskës me ministren e jashtme të Koresë së Veriut

20 July 2026 at 06:43
Presidenti rus Vladimir Putin u takua në Kremlinin e Moskës me ministren e jashtme të Koresë së Veriut, Choe Son Hui, në një vizitë që vjen pa ndonjë rast të dukshëm diplomatik ose përvjetor shtetëror. Takimi, i cili përfshiu falënderime të Putinit për mbështetjen e Pyongyangut ndaj operacioneve të Moskës në Ukrainë, ka nxitur spekulime […]

Zlatan Ibrahimović njofton lamtumirën e tij nga stoli i Fox për Kupën e Botës

20 July 2026 at 06:32
Zlatan Ibrahimović deklaroi se nuk do të rikthehet më në stolin e Fox për transmetimet e Kupës së Botës, duke e konsideruar paraqitjen e fundit si lamtumirën e tij. Ai përfundoi pjesëmarrjen në program pas finales së diel dhe u drejtua me falënderime ndaj prezantueses Rebecca Lowe dhe audiencës. Sipas sports.yahoo, personaliteti i tij bombastik, […]

Vëllezërit Andrew dhe Tristan Tate para një magistrati federal në Miami pas akuza të reja britanike

20 July 2026 at 06:15
Vëllezërit influencerë Andrew dhe Tristan Tate pritet të paraqiten para një magistrati federal në Miami të hënën, pas arrestimit për t’u përballur me akuza për përdhunim dhe trafikim seksual nga autoritetet britanike. Të dy mbahen në paraburgim federal, ndërsa në javët e ardhshme një gjykatë e distriktit federal në SHBA do të vendosë nëse plotësohen […]

Andy Burnham emërohet kryeministër i Britanisë së Madhe pasi takohet me Mbretin Charles III

20 July 2026 at 06:13
Andy Burnham do të marrë detyrën e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar të hënën, duke zëvendësuar Keir Starmerin, i cili dha dorëheqjen muajin e kaluar. Ky ndryshim e bën Burnham-in kryeministrin e shtatë që nga viti 2016, një periudhë që ka pasur ndryshime të shpeshta udhëheqjeje. Sipas Associated Press, Burnham u zgjodh lider i Partisë […]

Rreziku më i madh për protestën quhet Sali Berisha

20 July 2026 at 05:29
Protesta ka dy armiq kryesorë. Njëri është pushteti. Betejën me këtë e ka më të lehtë, sepse e ka përballë. Tjetri është ai që përpiqet ta përdorë për interesat e tij politike. Në rastin e kësaj proteste, ky armik i protestës eshte  përpjekja e Sali Berishës për ta kanalizuar revoltën drejt objektivave të opozitës së […]

Horoskopi i datës 20 korrik, e hënë

20 July 2026 at 06:55

Dashi

Kjo ditë do të kalojë kryesisht me angazhime të zakonshme dhe detyra të përditshme. Do të jetë e rëndësishme t’i kushtoni më shumë vëmendje vetes dhe të mos lini pas dore idetë apo projektet që dëshironi të zhvilloni. Në mbrëmje do të ndiheni më të çliruar nga rutina dhe do të keni dëshirë për diçka ndryshe nga zakonisht.

Demi

Pjesa më e madhe e ditës do të jetë e mbushur me plane dhe organizime. Më vonë do ta shihni situatën më qartë dhe do të fokusoheni tek ajo që është me të vërtetë e rëndësishme. Një zhvillim i papritur mund t’ju ndryshojë ritmin e ditës dhe t’ju hapë rrugë për përvoja më interesante.

Binjakët

Paraditja do t’ju sjellë rezultate të vogla, por të vlefshme, ndaj mos kërkoni menjëherë arritje të mëdha. Disa prej jush mund të ndihen të lodhur nga sjellja e njerëzve përreth. Do të jetë moment i mirë për të përfunduar disa punë shtëpie ose detyra që i keni shtyrë prej kohësh.

Gaforrja

Niseni ditën me angazhime të lehta, në mënyrë që të ruani energjinë për orët në vijim. Në mbrëmje ju pret një surprizë e këndshme që mund t’ju ndryshojë planet. Mbani një qëndrim fleksibël, pasi situatat mund të marrin drejtim tjetër nga ai që prisnit.

Luani

Në orët e para të ditës do të tregoni profesionalizëm dhe kujdes në çdo veprim, veçanërisht në çështjet financiare apo të biznesit. Më vonë mund të humbni kohë me detaje të vogla që nuk kanë shumë rëndësi, duke lënë për pak çaste në plan të dytë prioritetet kryesore.

Virgjëresha

Natyrshmëria dhe spontaniteti do të jenë pikat tuaja më të forta gjatë kësaj dite. Nëse ndiheni të tensionuar ose të lodhur, përpiquni të mos reagoni me nervozizëm. Kushtojini më shumë kohë vetes dhe gjërave që ju bëjnë të ndiheni mirë.

Peshorja

Paraditja nuk është koha më e favorshme për të nisur projekte të rëndësishme, pasi mund t’ju mungojë motivimi ose të shpërqendroheni lehtësisht. Në mbrëmje do të rifitoni energjinë dhe do të ndiheni të gatshëm për vendime apo veprime spontane.

Akrepi

Kjo është një ditë e mirë për t’u marrë seriozisht me detyrat dhe për të vendosur rregull në punët e përfunduara. Organizimi, pastrimi dhe korrigjimi i gabimeve të vogla do t’ju japin ndjesinë se gjithçka është nën kontroll.

Shigjetari

Gjatë kësaj dite do të ndikoheni më shumë nga rrethanat dhe njerëzit që ju rrethojnë. Fillimisht do t’ju duhet të përqendroheni tek përgjegjësitë profesionale dhe të respektoni rendin e tyre. Nëse dikush mbikëqyr punën tuaj, tregohuni të kujdesshëm në çdo hap.

Bricjapi

Mëngjesi do të kalojë qetë dhe do t’ju japë siguri për situatën ku ndodheni. Megjithatë, jo gjithçka do të jetë në dorën tuaj. Mbrëmja mund të sjellë zhvillime të papritura që do t’ju detyrojnë të përshtateni dhe ndoshta të rishikoni disa nga prioritetet apo planet tuaja.

Ujori

Mund të ndiheni të kufizuar dhe me pak hapësirë për të vepruar sipas dëshirës. Edhe pse do të përpiqeni të zgjidhni problemet e vogla, rezultatet mund të vonohen. Në fund të ditës do të ndiheni më të lirë dhe do të shpërbleheni për durimin tuaj, veçanërisht meshkujt e kësaj shenje.

Peshqit

Ka ardhur momenti të mos udhëhiqeni më nga mendimet kalimtare apo pasiguritë. Në mbrëmje do të vlerësoni shumë praninë e një personi të besueshëm pranë jush. Kjo periudhë do t’ju nxisë të mendoni më seriozisht për zhvillimin personal dhe për ndjenjat që mbani brenda.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Horoskopi i datës 20 korrik, e hënë appeared first on Sinjali.

Moti sot i ndryshueshëm: Me diell, vranësira dhe reshje lokale shiu

20 July 2026 at 06:49

Moti gjatë ditës së sotme pritet të jetë i ndryshueshëm, paradite moti do të jetë kryesisht me diell, ndërsa pasdite pritet shtim i vranësirave, me reshje lokale shiu dhe shkarkime rrufesh në disa zona të vendit.

Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga jugperëndimi dhe perëndimi (2–8 m/s), me përforcime të përkohshme gjatë zhvillimit të vranësirave.

Temperaturat minimale: 13°C deri 18°C

Temperaturat maksimale: 29°C deri 33°C

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Moti sot i ndryshueshëm: Me diell, vranësira dhe reshje lokale shiu appeared first on Sinjali.

❌
❌