Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 June 2026Sinjali

RTK në krizë financiare, sindikatat paralajmërojnë protesta nga e marta

5 June 2026 at 17:01

Sindikata e Pavarur e RTK-së, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës kanë mbajtur sot një takim urgjent, ku është diskutuar gjendja e rëndë financiare në transmetuesin publik.

Tri sindikatat janë pajtuar unanimisht që të fillojnë protesta nga e marta, duke nisur nga ora 12:00, para ndërtesës së RTK-së.

“Sindikatat kërkojnë përgjegjësi nga Bordi dhe Menaxhmenti për neglizhimin e deri tashëm, të cilët kanë pasur kohë më shumë se dy javë për të zgjidhur këtë problem. Mosrealizimi i pagave ua pamundëson punëtorëve përmbushjen e nevojave bazike jetësore, përfshirë sigurimin e ushqimit, transportit dhe detyrimeve të përditshme familjare. Në këto rrethana, askush nuk mund të kërkojë përgjegjësi, performancë dhe përkushtim profesional nga punëtorët, ndërkohë që institucioni dështon të përmbushë obligimin e tij më themelor ndaj tyre”, thuhet në komunikatë.

SPRTK, SPERTK dhe ShSRK theksojnë se është e papranueshme që një institucion publik me rëndësi të veçantë për informimin e qytetarëve të përballet me pasiguri financiare që vë në pikëpyetje pagesën e punëtorëve të tij.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post RTK në krizë financiare, sindikatat paralajmërojnë protesta nga e marta appeared first on Sinjali.

Irani thotë se ka goditur me raketa paralajmëruese anijet luftarake të SHBA-së

5 June 2026 at 16:54

Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë rikthyer në qendër të vëmendjes pas pretendimeve të Teheranit se marina iraniane ka lëshuar raketa dhe dronë paralajmërues ndaj luftanijeve amerikane në Gjirin e Omanit.

Sipas mediave shtetërore iraniane, marina e Iranit ndërmori këtë veprim pasi akuzoi forcat amerikane për ngacmim të trafikut detar dhe sekuestrim të anijeve tregtare dhe cisternave të naftës në rajon.

Pretendimi vjen vetëm pak orë pasi Komanda Indo-Paqësore e Shteteve të Bashkuara njoftoi se kishte ndaluar gjatë natës anijen M/T DAVINA në Oqeanin Indian.

“Ne do të vazhdojmë zbatimin global të ligjit detar për të ndërprerë rrjetet e paligjshme dhe për të ndaluar anijet që ofrojnë mbështetje materiale për Iranin, kudo që ato operojnë”, deklaroi komanda amerikane në një reagim të publikuar në rrjetin social X.

Autoritetet amerikane nuk kanë konfirmuar raportimet iraniane për lëshimin e raketave apo dronëve ndaj luftanijeve të tyre.

Incidenti vjen në një periudhë tensionesh të shtuara për sigurinë detare në rajon, ndërsa Uashingtoni vijon zbatimin e sanksioneve ndaj eksporteve iraniane të naftës dhe Teherani ka paralajmëruar vazhdimisht për pasojat e veprimeve amerikane në dhe rreth Ngushticës së Hormuzit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Irani thotë se ka goditur me raketa paralajmëruese anijet luftarake të SHBA-së appeared first on Sinjali.

Taylor Swift shpallet nga Forbes muzikantja më e pasur ndonjëherë, kalon Rihanna-n

5 June 2026 at 16:48

Këngëtarja e njohur Taylor Swift është shpallur muzikantja më e pasur në histori, me një pasuri të vlerësuar në rreth 2 miliardë dollarë, sipas raportimeve të Forbes.

Sipas listës “Iconoclast 50”, ajo ka kaluar këngëtaren Rihanna në renditjen e artisteve më të pasura, ndërsa mbetet ende pas reperit dhe sipërmarrësit Jay-Z, i cili vlerësohet me një pasuri prej rreth 2.8 miliardë dollarësh.

Raporti thekson se rritja e pasurisë së Swift ka qenë jashtëzakonisht e shpejtë. Ajo u bë miliardere në vitin 2024, ndërsa deri në mars 2026 pasuria e saj është dyfishuar.

Suksesi i saj financiar lidhet kryesisht me turneun historik “Eras Tour”, i cili ka gjeneruar mbi 2 miliardë dollarë nga shitja e biletave, mallrave dhe sponsorëve.

Sipas Forbes, rol të rëndësishëm ka luajtur edhe rikthimi i kontrollit mbi katalogun e saj muzikor, pas një mosmarrëveshjeje për të drejtat e incizimeve, si dhe ri-incizimi dhe rishpërndarja e albumeve të saj të vjetra.

Albumet dhe projektet e saj të fundit kanë vazhduar të gjenerojnë të ardhura të mëdha në platformat e transmetimit, duke e konsoliduar pozicionin e saj si një nga artistet më të suksesshme financiarisht në historinë e muzikës moderne.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Taylor Swift shpallet nga Forbes muzikantja më e pasur ndonjëherë, kalon Rihanna-n appeared first on Sinjali.

Bastisje në Gjakovë, katër persona përfundojnë në ndalim – iu gjenden kokainë, heroinë, armë e mijëra euro

5 June 2026 at 16:43

Katër persona janë ndaluar për 48 orë në Gjakovë nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të paligjshme që lidhen me narkotikët, pas një aksioni të realizuar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë në bashkëpunim me organet e rendit, raporton Sinjali.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë personat me inicialet M.K., V.K., Z.Z. dhe M.K., të dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Prokuroria ka bërë të ditur se paraprakisht ka ndërmarrë veprime hetimore ndaj të dyshuarve, përfshirë edhe zbatimin e masave të veçanta hetimore.

Me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjakovë, më 5 qershor 2026 janë realizuar bastisje në shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të disa personave të dyshuar në qytetin e Gjakovës.

Gjatë operacionit, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar:

Substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë në peshë rreth 293.96 gram;

Substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë në peshë rreth 124 gram;

Substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë në peshë rreth 13 gram;

Substancë e dyshuar narkotike (lloji i panjohur) në peshë rreth 116 gram;

Një armë zjarri e shkurtër me dy fishekë;

Një pushkë ajrore pa numër serik;

90 fishekë të kalibrave të ndryshëm;

Para të gatshme në vlerë prej 6,536.76 euro, 474 dollarë amerikanë dhe 60 franga zvicerane;

Pesë telefona mobil të llojeve të ndryshme.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve M.K., V.K., Z.Z. dhe M.K. në gjykatën kompetente.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë është e përkushtuar në luftimin e veprave penale që lidhen me narkotikët, mbrojtjen e shëndetit publik dhe sjelljen para drejtësisë të personave të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Bastisje në Gjakovë, katër persona përfundojnë në ndalim – iu gjenden kokainë, heroinë, armë e mijëra euro appeared first on Sinjali.

Kur do të anëtarësohet Shqipëria në BE?, Rama: Janë tri gjëra që nuk mund t’i parashikoni, Zotin, seksin dhe BE-në

5 June 2026 at 16:28

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili po qëndron në Tivat në kuadër të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, ka tërhequr vëmendjen e mediave për shkak të zhvillimeve politike në Shqipëri.

Ai ka ngjallur interes edhe me përgjigjen që dha kur u pyet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

I pyetur nga gazetarët se kur Shqipëria mund të bëhet pjesë e BE-së, Rama u përgjigj me humor dhe tone thumbuese.

“Janë tri gjëra që nuk mund t’i parashikoni: Zotin, seksin dhe BE-në”, iu përgjigj Rama gazetarëve.

🤣 Albanian PM Edi Rama on when Albania will join the EU:

“There are three things you can't predict: God, sex and the EU.”

Probably the most accurate description of EU enlargement ever. pic.twitter.com/a8tGvClpul

— NEXTA (@nexta_tv) June 5, 2026

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kur do të anëtarësohet Shqipëria në BE?, Rama: Janë tri gjëra që nuk mund t’i parashikoni, Zotin, seksin dhe BE-në appeared first on Sinjali.

Von der Leyen nga Samiti: Europa nuk do jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor

5 June 2026 at 16:18

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, ka deklaruar se Evropa nuk do të jetë e plotë pa vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ajo theksoi se rajoni zë një vend të rëndësishëm në historinë dhe të ardhmen e Bashkimit Evropian, duke nënvizuar se zgjerimi mbetet një nga prioritetet strategjike të bllokut.

Sipas saj, BE-ja synon ta përshpejtojë procesin e anëtarësimit, duke e bërë atë më të dukshëm dhe më efektiv për vendet aspirante.

“Tivati dhe Ballkani Perëndimor ndodhen në zemër të historisë së Bashkimit Europian dhe vendi juaj është në zemër të Europës. Sot po hedhim hapa të mëdhenj për të ndërtuar një Bashkim Europian më të pavarur, më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe më të plotë. Por Europa nuk do të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Pikërisht për këtë arsye ky samit është kaq i rëndësishëm. Ne do të diskutojmë se si ta bëjmë procesin e zgjerimit më të shpejtë, më të dukshëm dhe më strategjik. Dua t’i them Ballkanit Perëndimor dhe mikpritësve tanë se ekziston një momentum. Le ta shndërrojmë këtë momentum në lëvizje dhe më pas këtë lëvizje në anëtarësim”, tha ndër të tjera Von der Leyen.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Von der Leyen nga Samiti: Europa nuk do jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor appeared first on Sinjali.

Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë nga 185 të burgosur lufte

5 June 2026 at 16:00

Ukraina dhe Rusia kanë realizuar një tjetër shkëmbim të të burgosurve të luftës, ku secila palë ka liruar nga 185 pjesëtarë të forcave të saj, kanë bërë të ditur zyrtarët e të dy vendeve.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se shumica e ushtarëve ukrainas të kthyer kanë qenë në robëri ruse që nga viti 2022, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës bëri të ditur se personi më i moshuar i liruar në këtë shkëmbim është 62 vjeç.

Ky është shkëmbimi i dytë i të burgosurve në kuadër të marrëveshjes mes Ukrainës dhe Rusisë për lirimin e gjithsej 1.000 të burgosurve të luftës nga secila palë, si pjesë e armëpushimit treditor të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në fillim të muajit maj.

Në ndërmjetësimin e procesit kanë marrë pjesë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kanë ndihmuar edhe në shkëmbimet e mëparshme, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë përmes një postimi në Telegram.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë nga 185 të burgosur lufte appeared first on Sinjali.

Ambasada amerikane rikujton qershorin e vitit 1996: Fillimi i pranisë zyrtare të SHBA-së në Kosovë

5 June 2026 at 15:54

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka rikujtuar një moment historik në marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së, duke shënuar 30-vjetorin e hapjes së Zyrës së parë të Shërbimit Informativ Amerikan në Prishtinë.

Përmes një postimi publik, ambasada theksoi se në qershor të vitit 1996 u vendos prania e parë zyrtare amerikane në Kosovë, vite përpara luftës dhe zhvillimeve që pasuan në rajon.

Sipas ambasadës, ky ishte një hap i rëndësishëm që hodhi themelet e partneritetit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, një marrëdhënie që vazhdon të konsiderohet ndër më të rëndësishmet për vendin.

“Një hap i vogël që më vonë do të shndërrohej në një partneritet të fuqishëm”, thuhet në mesazhin përkujtues të ambasadës amerikane.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ambasada amerikane rikujton qershorin e vitit 1996: Fillimi i pranisë zyrtare të SHBA-së në Kosovë appeared first on Sinjali.

Tragjedi në Sahara: 49 të vdekur nga etja pas prishjes së kamionit në Niger

5 June 2026 at 15:50

Të paktën 49 persona kanë humbur jetën nga etja në shkretëtirën e Saharasë, në veri të Nigerit, pasi kamioni me të cilin po udhëtonin pësoi defekt gjatë rrugës dhe mbeti i bllokuar në kushte ekstreme.

Sipas autoriteteve lokale, udhëtarët po ktheheshin nga Mali pasi kishin marrë pjesë në një festival fetar mysliman, kur automjeti u prish në një zonë të izoluar rreth 80 kilometra në perëndim të pikës kufitare Assamakka, në kufirin mes Nigerit dhe Algjerisë.

Vetëm dy persona kanë arritur të mbijetojnë, pasi kanë ecur për ditë të tëra nëpër shkretëtirë deri në Assamakka për të njoftuar autoritetet.

Guvernatori i rajonit Agadez ka deklaruar se viktimat u përballën me temperatura ekstreme dhe mungesë totale të ujit, duke e bërë mbijetesën pothuajse të pamundur.

Autoritetet bëjnë të ditur se automjeti kishte devijuar nga rruga e planifikuar dhe përpjekjet për riparim në terren kishin dështuar, duke lënë pasagjerët të bllokuar në një zonë të paqasshme.

Trupat e pajetë janë gjetur pranë dhe nën kamion, ndërsa hetimet për rrethanat e plota të tragjedisë janë në vazhdim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Tragjedi në Sahara: 49 të vdekur nga etja pas prishjes së kamionit në Niger appeared first on Sinjali.

Nina Hoxhaj fitoi vendin e dytë në “Tirana Talent”, edicioni XVII

5 June 2026 at 15:43

Nxënësja e talentuar e pianos, Nina Hoxhaj, 10-vjeçare dhe nxënëse e klasës së tretë në piano në SHMM ‘Lorenc Antoni’, ka arritur një sukses të shkëlqyer duke fituar vendin e dytë në garën ndërkombëtare të muzikës “Tirana Talent”, edicioni XVII.

Nina u vlerësua për interpretimin e saj pianistiko-artistik, duke dëshmuar talent, përkushtim dhe dashuri të veçantë për muzikën. Ky rezultat është fryt i punës së vazhdueshme dhe angazhimit të saj në rrugëtimin muzikor.

Merita të veçanta për këtë sukses i takojnë edhe profesorit të saj, Ilir R. Ramadani, për udhëheqjen profesionale, durimin dhe mbështetjen e pandërprerë në zhvillimin e talenteve të reja.

Ky vlerësim përbën një motivim të madh për Ninën që të vazhdojë rrugën e saj artistike dhe të përfaqësojë me dinjitet shkollën dhe qytetin e Prizrenit në skena të tjera kombëtare e ndërkombëtare.

Urime Nina Hoxhaj për këtë arritje të merituar dhe suksese të reja në të ardhmen!

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Nina Hoxhaj fitoi vendin e dytë në “Tirana Talent”, edicioni XVII appeared first on Sinjali.

Aksident në Shtime mes kamionit dhe veturës, tre persona të lënduar

5 June 2026 at 15:38

Tre persona kanë mbetur të lënduar pas një aksidenti trafiku të ndodhur pasditen e sotme në magjistralen që kalon në fshatin Belincë të komunës së Shtimes.

Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur mes një kamioni dhe një veture me targa vendore, ndërsa të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, për Sinjalin ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore dhe kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit.

Autoritetet policore po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan në përplasjen mes dy automjeteve, ndërsa gjendja e të lënduarve ende nuk është bërë e ditur në detaje.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Aksident në Shtime mes kamionit dhe veturës, tre persona të lënduar appeared first on Sinjali.

Mourinho propozon talentin portugez për Real Madridin, Fernandes në radar të “Los Blancos”

5 June 2026 at 15:36

Trajneri portugez Jose Mourinho ka sugjeruar transferimin e mesfushorit të ri Mateus Fernandes te Real Madrid, duke e vlerësuar si një përforcim të mundshëm për mesfushën e ekipit spanjoll.

Sipas mediave në Spanjë, emri i 21-vjeçarit është diskutuar në takime të mundshme mes Mourinhos dhe drejtuesve të klubit madrilen, përfshirë presidentin Florentino Perez.

Mourinho besohet se e sheh Fernandes si një lojtar me potencial të madh dhe aftësi teknike që do të përshtateshin me stilin e lojës së Real Madridit.

Mesfushori portugez aktualisht vlerësohet si një nga talentet më premtues në pozicionin e tij, ndërsa interesimi për të vjen edhe në një kohë kur disa emra të tjerë të njohur janë përmendur si objektiva të klubit.

Sipas raportimeve, klubi anglez West Ham United nuk pritet ta lejojë largimin e tij me çmim të ulët dhe mund të kërkojë rreth 80 milionë euro për kartonin e lojtarit.

Fernandes ka dalë nga akademia e Sportingut dhe ka zhvilluar karrierën e tij në disa klube evropiane, ndërsa paraqitjet e tij të fundit kanë rritur interesimin e klubeve të mëdha në Europë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Mourinho propozon talentin portugez për Real Madridin, Fernandes në radar të “Los Blancos” appeared first on Sinjali.

Dogana e Kosovës kap mall të padeklaruar në Vërmicë, nis procedurat ligjore

5 June 2026 at 15:33

Dogana e Kosovës ka zbuluar një sasi malli të padeklaruar gjatë një kontrolli të detajuar në Zyrën e Brendshme Doganore në Vërmicë, në kuadër të procedurave të rregullta të zhdoganimit.

Sipas njoftimit zyrtar, rasti është identifikuar më 3 qershor 2026, pasi një ngarkesë e paraqitur për zhdoganim ishte përzgjedhur për kontroll të detajuar në bazë të analizës së riskut të autoriteteve doganore.

Gjatë verifikimit të dokumentacionit dhe krahasimit me gjendjen faktike të mallit, zyrtarët doganorë kanë konstatuar se në ngarkesë ndodheshin edhe radarë për sisteme kundër vjedhjes, të cilët nuk ishin deklaruar.

Autoritetet doganore vlerësojnë se vlera e përafërt e mallit të padeklaruar arrin rreth 2,050 euro, bazuar në të dhëna krahasuese nga importe të ngjashme të mëhershme.

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se mosdeklarimi i mallit përbën kundërvajtje doganore sipas Kodit Doganor dhe të Akcizave, dhe mund të sjellë masa ligjore ndaj importuesit.

Institucioni ka ritheksuar se mbetet i përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e tregtisë së ligjshme në vend.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Dogana e Kosovës kap mall të padeklaruar në Vërmicë, nis procedurat ligjore appeared first on Sinjali.

Përçarje e madhe në SHBA: Republikanët sfidojnë Trumpin dhe miratojnë miliarda për Ukrainën

5 June 2026 at 15:27

Një grup ligjvënësish republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së kanë votuar së bashku me demokratët për miratimin e një pakete të madhe ndihme për Ukrainën, në një vendim që po shihet si sinjal i përçarjeve të thella brenda Partisë Republikane dhe sfidë për qëndrimet e ish-presidentit Donald Trump.

Projektligji, i miratuar me 226 vota pro dhe 195 kundër, parashikon miliarda dollarë ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, si dhe masa të ashpra sanksionuese ndaj Rusisë, përfshirë goditjen e sektorit të naftës dhe gazit.

Sipas raportimeve, 18 republikanë dhe një deputet i pavarur iu bashkuan demokratëve në mbështetje të masës, duke anashkaluar thirrjet e udhëheqjes republikane për ta kundërshtuar projektin.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, kishte kërkuar më herët që ligjvënësit republikanë të mos e mbështesnin projektligjin, duke argumentuar se duhet t’i lihej hapësirë negociatave me Rusinë.

Paketa e re përfshin gjithashtu masa të forta ekonomike ndaj institucioneve ruse dhe një zgjerim të programeve të mbështetjes ushtarake për Ukrainën, ndërsa vendos edhe tarifa të larta ndaj mallrave ruse.

Fati i projektligjit tani mbetet në duart e Senatit amerikan, ku pritet një debat i ashpër politik mbi nivelin e përfshirjes së SHBA-së në luftën në Ukrainë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Përçarje e madhe në SHBA: Republikanët sfidojnë Trumpin dhe miratojnë miliarda për Ukrainën appeared first on Sinjali.

Lirohen zyrtarët e Komunës së Mitrovicës së Veriut pas shoqërimit për vandalizëm

5 June 2026 at 15:24

Policia e Kosovës ka liruar sot kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, si dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal, Nemanja Bishevac, pas një shoqërimi në stacion policor gjatë ditës së sotme.

Të dy zyrtarët ishin shoqëruar nën dyshimin për prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe për tentativë vandalizimi të obeliskut “E dua Mitrovicën”.

Pas intervistimit në polici, ata janë liruar dhe procedurat e mëtejme do të vazhdojnë në përputhje me hetimet.

Autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje shtesë mbi rrethanat e ngjarjes, ndërsa rasti mbetet nën hetim.

Në lidhje me rastin është përmendur edhe emri i zyrtarit komunal Ivan Zaporzhac, i cili po ashtu është shoqëruar dhe më pas liruar nga policia.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Lirohen zyrtarët e Komunës së Mitrovicës së Veriut pas shoqërimit për vandalizëm appeared first on Sinjali.

KQZ: Mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote në zgjedhjet e 7 qershorit

5 June 2026 at 15:21

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës) ka bërë të ditur se në zgjedhjet e 7 qershorit 2026, të drejtë vote kanë gjithsej 2,092,174 shtetas të Kosovës.

Sipas të dhënave zyrtare, 1,959,962 votues ndodhen brenda vendit, ndërsa 132,212 janë regjistruar për votim nga jashtë Kosovës. Prej tyre, 27,724 do të votojnë fizikisht në përfaqësi diplomatike, ndërsa pjesa tjetër përmes postës.

KQZ thekson se lista e votuesve është rritur me 15,884 persona krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare të 28 dhjetorit 2025.

Po ashtu, 22,685 qytetarë do të votojnë për herë të parë, përfshirë të rinjtë që kanë mbushur 18 vjeç dhe shtetasit që kanë fituar apo rikthyer shtetësinë mes dy proceseve zgjedhore.

Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 949 qendra votimi brenda Kosovës, me gjithsej 2,550 vendvotime, ndërsa votimi jashtë vendit do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike në 18 shtete.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post KQZ: Mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote në zgjedhjet e 7 qershorit appeared first on Sinjali.

Fillon protesta e studentëve në Prishtinë në mbështetje të gjuhës shqipe në RMV

5 June 2026 at 14:40

Studentët kanë dalë në protestë para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, në kuadër të një aksioni solidarizues me kërkesat për përdorimin e gjuhës shqipe.

Tubimi, i organizuar nga Unioni i Studentëve në bashkëpunim me parlamentet studentore, ka nisur në orën 14:00 dhe po mbahet në kryeqytet.

Sipas organizatorëve, protesta synon të shprehë mbështetje për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe kërkesat e tyre që gjuha shqipe të përdoret pa kufizime në proceset arsimore dhe provimet shtetërore.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Fillon protesta e studentëve në Prishtinë në mbështetje të gjuhës shqipe në RMV appeared first on Sinjali.

OKB ngre alarmin: Lufta në Iran po shtyn miliona njerëz drejt urisë

5 June 2026 at 14:28

Programi Botëror i Ushqimit i Kombet e Bashkuara ka paralajmëruar se pasojat e luftës në Iran po përkeqësojnë krizën ushqimore globale, duke shtyrë miliona njerëz në vende të ndryshme drejt urisë dhe pasigurisë së thellë ushqimore.

Sipas raportit të fundit, miliona persona në vende si Somalia, Afganistani dhe Sri Lanka po hasin vështirësi serioze për të siguruar ushqimin bazë, si pasojë e rritjes së çmimeve dhe ndikimit ekonomik të konfliktit.

Zyrtarët e OKB-së paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet edhe më tej në muajt e ardhshëm, duke bërë thirrje për veprim urgjent ndërkombëtar për të shmangur një krizë humanitare edhe më të madhe.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post OKB ngre alarmin: Lufta në Iran po shtyn miliona njerëz drejt urisë appeared first on Sinjali.

Von der Leyen: Mali i Zi pranë anëtarësimit në BE, reformat mbeten kyçe

5 June 2026 at 14:05

Presidentja e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Mali i Zi është shumë afër realizimit të objektivit për t’u bërë anëtar i Bashkimi Evropian.

Në prag të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, ajo vlerësoi progresin e Malit të Zi, duke theksuar se vendi po arrin rezultate të shkëlqyera në rrugën evropiane.

Von der Leyen nënvizoi se procesi i anëtarësimit bazohet në meritë dhe se përmbushja e reformave mbetet kushti kryesor për integrimin në BE.

“Vazhdoni në këtë rrugë, ne jemi këtu për t’ju mbështetur. Mendoj se jeni afër qëllimit”, deklaroi ajo, duke shtuar se reformat sjellin investime dhe përfitime konkrete për qytetarët.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Von der Leyen: Mali i Zi pranë anëtarësimit në BE, reformat mbeten kyçe appeared first on Sinjali.

OEAK: Gazi natyror amerikan, prioritet strategjik për Kosovën – kërkohet transformim i sistemit energjetik

5 June 2026 at 13:47

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë) ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të vendosë qasjen në gazin natyror të lëngshëm (LNG) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si prioritet strategjik kombëtar.

Sipas OEAK, zhvillimi i infrastrukturës së gazit do të ndikonte jo vetëm në sigurinë energjetike dhe ekonominë e vendit, por edhe në forcimin e bashkëpunimit strategjik me SHBA-në, partnerin kryesor të Kosovës.

Organizata thekson se sistemi energjetik i Kosovës vazhdon të mbështetet në termocentrale të vjetruara me linjit, ndërsa importet e energjisë po rëndojnë ekonominë dhe po rrisin ekspozimin ndaj luhatjeve të tregut.

Në deklaratë thuhet se vendet e rajonit po pozicionohen në korridoret e reja energjetike, ndërsa Kosova rrezikon të mbetet jashtë zhvillimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë dhe sigurinë afatgjatë energjetike.

OEAK vlerëson se investimi në LNG do të ndihmonte në uljen e varësisë nga importet e shtrenjta të energjisë elektrike, do të lehtësonte integrimin e burimeve të ripërtëritshme dhe do të forconte industrinë vendore në kushtet e rregullave më të ashpra të Bashkimit Evropian për emetimet e karbonit.

Sipas tyre, veprimi i shpejtë institucional është kyç për të shmangur rritjen e cenueshmërisë energjetike dhe për të garantuar një të ardhme më të qëndrueshme ekonomike për Kosovën.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post OEAK: Gazi natyror amerikan, prioritet strategjik për Kosovën – kërkohet transformim i sistemit energjetik appeared first on Sinjali.

❌
❌