Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Nga pezullimi te kthimi, ja çfarë kërkon SHBA nga Kosova për dialogun strategjik

PRISHTINË, 21 korrik/ATSH/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës po presin hapa konkretë nga Kosova për të çpezulluar dhe nisur sërish, më pastaj, dialogun strategjik me njëra-tjetrën.

Sipas përfaqësisë së SHBA-së në Prishtinë, gjithçka do të varet nga krijimi i kushteve të përshtatshme dhe nga funksionalizimi i plotë i institucioneve në vend, ndërsa që potencohet, po ashtu, edhe përmbushja e zotimeve të Kosovës ndaj komunitetit serb.

Në një përgjigje për KosovaPress, një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë thotë se ekziston potencial i madh për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha si energjia, siguria kibernetike, mbrojtja, infrastruktura dhe teknologjia.

Megjithatë, ai rikujton se dialogu strategjik SHBA–Kosovë u pezullua në mënyrë të pacaktuar në shtator të vitit 2025 për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e qeverisë në detyrë.

“Ne presim që të zhvillojmë një dialog strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura. Ekziston një mundësi e madhe për zgjerimin e marrëdhënieve tona dypalëshe në shumë fusha që do të përfitonin nga kuadri i një dialogu strategjik, nga energjia dhe siguria kibernetike te bashkëpunimi në mbrojtje, zhvillimi i infrastrukturës dhe sektori i teknologjisë. Një bashkëpunim i tillë i thelluar kërkon që të gjitha institucionet qeverisëse të jenë plotësisht të konstituuara dhe funksionale”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë. ” Shtetet e Bashkuara pezulluan në mënyrë të pacaktuar dialogun strategjik SHBA–Kosovë në shtator të vitit 2025, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet që kishte ndërmarrë qeveria në detyrë. Për të rifilluar planifikimin për një dialog strategjik, duam të shohim hapa konkretë nga qeveria në detyrë për të çuar përpara qëllimin tonë të përbashkët për forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”.

KosovaPress ka dërguar pyetje te qeveria në detyrë, në lidhje me atë se çfarë hapa konkretë ka bërë Kosova për të kthyer diskutimet për dialogun strategjik me SHBA-në. Përgjigje nuk mori, që nga e hëna.

/Kosovapress/

The post Nga pezullimi te kthimi, ja çfarë kërkon SHBA nga Kosova për dialogun strategjik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ylli pret koordinatorin e TİKA-s në Tiranë, diskutohet bashkëpunimi për zhvillimin e sportit dhe infrastrukturës sportive

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli, priti në një takim në zyrën e tij Koordinatorin e Programit të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) në Tiranë, Murat Ölçenoğlu, ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në projekte që mbështesin zhvillimin e sportit dhe infrastrukturës sportive në Shqipëri.

Sipas njoftimit të KOKSH-it, takimi kishte si qëllim njohjen reciproke dhe shqyrtimin e mundësive për realizimin e projekteve të përbashkëta në shërbim të sportit shqiptar.

Gjatë bisedës, Ylli prezantoi arritjet e viteve të fundit, projektet strategjike dhe vizionin për zhvillimin e sportit në vend.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua projektit “Tirana Olympic City”, i cilësuar si projekti më ambicioz për krijimin e një qendre moderne sportive me standarde ndërkombëtare, që synon të transformojë infrastrukturën sportive në Shqipëri dhe të krijojë kushte më të mira për sportistët dhe brezat e rinj.

Në njoftim theksohet se TİKA, e cila vepron në më shumë se 170 vende, është një nga agjencitë kryesore të bashkëpunimit për zhvillim të Turqisë, me përvojë në zbatimin e projekteve në fusha si arsimi, kultura, shëndetësia, infrastruktura dhe sporti.

Presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, e vlerësoi takimin si një hap të rëndësishëm drejt nismave konkrete të bashkëpunimit në të ardhmen në mbështetje të zhvillimit të sportit shqiptar.

/gj.m/j.p/

The post Ylli pret koordinatorin e TİKA-s në Tiranë, diskutohet bashkëpunimi për zhvillimin e sportit dhe infrastrukturës sportive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Smotrich: Izraeli nuk ka interes të përfshihet në konfliktin SHBA-Iran

21 July 2026 at 15:35

TEL AVIV, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, deklaroi sot se Izraeli nuk ka interes të përfshihet në konfliktet e tanishme mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.

“Situata aktuale është e favorshme për ne dhe nuk kemi interes të përfshihemi në të”, tha ministri i krahut të djathtë në një konferencë, sipas disa mediave izraelite.

Smotrich u shpreh se objektivi kryesor i Izraelit mbetet dobësimi i udhëheqjes iraniane dhe se mënyra më e mirë për ta arritur këtë është përmes masave ekonomike.

Konflikti mes SHBA-së dhe Iranit është përshkallëzuar sërish ditët e fundit, me SHBA-në që ka ndërmarrë sulme të përsëritura ajrore ndaj Republikës Islamike, ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur duke sulmuar vende të rajonit ku ndodhen baza ushtarake amerikane.

Sipas tekstit, SHBA-ja dhe Izraeli e nisën luftën kundër Iranit së bashku në fund të shkurtit, duke vrarë liderin suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Më pas, Teherani bllokoi Ngushticën e Hormuzit, duke shkaktuar rritje të inflacionit në mbarë botën.

Një armëpushim u arrit fillimisht në fillim të prillit dhe në qershor Uashingtoni dhe Teherani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi.

Megjithatë, rifillimi i luftimeve tregon se një zgjidhje afatgjatë e konfliktit mbetet ende e largët./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post TEL AVIV – Smotrich: Izraeli nuk ka interes të përfshihet në konfliktin SHBA-Iran appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Masa parandaluese ndaj Murtajës Afrikane të Derrave, forcohen kontrollet në kufi

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) ka intensifikuar kontrollet dhe monitorimin në terren pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme veterinare në Republikën e Serbisë, për shkak të përhapjes së Murtajës Afrikane të Derrave (MAD).

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka urdhëruar ndalimin e importit të derrave të gjallë, produkteve dhe nënprodukteve me origjinë nga derri nga zonat e prekura në territorin e Republikës së Shqipërisë, si masë parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve.

Në kuadër të zbatimit të këtyre masave, Drejtori i Përgjithshëm i AKVMB-së, Rolandi Meçaj, zhvilloi një takim pune me strukturat e Shërbimit Veterinar Rajonal në Shkodër, ku u vlerësua situata epidemiologjike dhe u diskutuan masat për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Gjatë takimit u kërkua intensifikimi i monitorimit aktiv në të gjitha fermat e mbarështimit të derrave, si dhe raportimi i përditshëm pranë AKVMB-së mbi kontrollet e kryera dhe gjendjen shëndetësore të fermave.

Në vijim të vizitës, Meçaj inspektoi Pikën e Kalimit Kufitar “Hani i Hotit”, ku u zhvillua një takim me strukturat përgjegjëse të kontrollit kufitar. Në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional mes Shërbimit Veterinar dhe inspektorëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, për kryerjen e kontrolleve të plota fizike dhe dokumentare të çdo ngarkese me kafshë të gjalla.

Sipas AKVMB-së, kontrollet do të vijojnë për të garantuar zbatimin me rigorozitet të ndalimit të hyrjes së derrave dhe produkteve me origjinë nga vendet e prekura nga sëmundja.

Drejtori i Përgjithshëm i AKVMB-së kërkoi gjithashtu monitorimin e mjeteve të transportit të kafshëve në akset kryesore rrugore dhe verifikimin e pajisjes së tyre me Certifikatën e Lëvizjes së Kafshëve.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zonave kufitare me Malin e Zi dhe Kosovën, të cilat konsiderohen me rëndësi të veçantë për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Gjithashtu, AKVMB theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes veterinerëve zyrtarë dhe shoqatave të gjuetarëve për evidentimin dhe raportimin e menjëhershëm të çdo derri të egër të ngordhur apo me shenja klinike të dyshimta, pasi derrat e egër konsiderohen një nga rezervuarët kryesorë të virusit të Murtajës Afrikane të Derrave.

/e.xh/j.p/

The post Masa parandaluese ndaj Murtajës Afrikane të Derrave, forcohen kontrollet në kufi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcohet leku, valutat humbasin terren

TIRANË, 21 korrik  /ATSH/ Në tregun e brendshëm të këmbimit valutor, të martën leku forcoi pozitat në raport me monedhat e huaja.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan sot u zhvlerësua lehtë me 0,01 lekë, krahasuar me një ditë më parë, ndërsa monedha europiane zbriti me 0,05 lekë.

Dollari amerikan u këmbye me 81,96 lekë, ndërsa euroja u këmbye me 93,62 lekë.

Ndërkohë paundi britanik u këmbye me 110,05 lekë, ose 0,29 lekë më pak dhe franga zvicerane këmbehet me 101,19 lekë, ose 0,27 lekë më pak se ditën e hënë. /j.p/

Monedha Kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar Amerikan USD 81.96 -0.01
Euro EUR 93.62 -0.05
Poundi Britanik GBP 110.05 -0.29
Franga Zvicerane CHF 101.19 -0.27
Jeni Japonez (100) JPY 50.39 -0.08
Dollari Australian AUD 57.56 +0.20
Dollari Kanadez CAD 58.28 -0.15
Korona Suedeze SEK 8.48 -0.01
Korona Norvegjeze NOK 8.52 +0.03
Korona Daneze DKK 12.52 -0.01
SDR SDR 111.43 +0.04
Ari(OZ 1) XAU 333095.28 +3,561.13
Argjend(OZ 1) XAG 4847.52 +185.89
Juani Kinez (onshore) CNY 12.11 0.00
Juani Kinez (offshore) CNH 12.11 0.00
Lira Turke TRY 1.74 0.00

The post Forcohet leku, valutat humbasin terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPAK paraqet propozime për përmirësimin e zbatimit të ligjit antimafia

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodian Braho mori pjesë sot në tryezën e konsultimit të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, në kuadër të procesit të Kontrollit Post-Legjislativ (PLS).

Braho paraqiti të dhëna mbi zbatimin e ligjit antimafia, rezultatet e arritura, vështirësitë praktike të hasura gjatë hetimeve pasurore, si dhe propozime konkrete për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional.

Kreu i SPAK, u shpreh se nga ballafaqimi i kontributit të institucionit me draftraportin rezulton se 12 çështjet e ngritura nga Prokuroria e Posaçme janë reflektuar në dokument.

Sipas Brahos, ky është një rezultat pozitiv i procesit të konsultimit dhe tregon se përvoja e institucioneve që zbatojnë ligjin është marrë në konsideratë gjatë hartimit të raportit.

Braho bëri të ditur se propozimet dhe gjetjet e SPAK janë përqendruar në tre drejtime kryesore, duke nisur nga qartësimi i kuadrit ligjor, përfshirë çështje që lidhen me fushën e zbatimit të ligjit dhe rregullimin e veprimit të tij në kohë.

Një tjetër drejtim, sipas Brahos, lidhet me forcimin e garancive procedurale, veçanërisht për të drejtat e palëve të treta, të cilat sipas dispozitave ligjore mund t’u konfiskohet pasuria pa pasur dijeni dhe pa qenë të pranishme në seancë.

Braho theksoi se SPAK ka adresuar edhe pengesat praktike të hetimit pasuror, ku një prej problematikave është heqja e pagesave për marrjen e dokumentacionit.

“Kjo nuk ka të bëjë thjesht me një pagesë, por me mënyrën se si është konceptuar marrja e informacionit nga prokuroria, e cila është trajtuar përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave sikur të ishte një aplikim për kryerjen e ndryshimeve në statusin e pasurisë”, tha ai.

Braho vlerësoi se raporti ka integruar në mënyrë të gjerë kontributin e Prokurorisë së Posaçme, duke marrë në konsideratë çështjet e ngritura dhe, në disa raste, duke i zhvilluar më tej ato.

“Sfida mbetet që këto përcaktime të raportit të kthehen në dispozita ligjore të qarta dhe të zbatueshme. SPAK është i gatshëm që në vijim të këtij procesi të kontribuojë në konsultimin e drafteve të tjera ligjore që ne mendojmë se duhet të ndryshohen në këtë ligj”, deklaroi Braho.

/e.i/j.p/

The post SPAK paraqet propozime për përmirësimin e zbatimit të ligjit antimafia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj: Garancia sovrane rritet në 5 miliardë lekë, mbi 100 milionë euro për bujqësinë

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Fondi i garancisë sovrane është rritur nga 3 në 5 miliardë lekë, me synim rritjen e aksesit në financim për sektorin e bujqësisë dhe sektorët e tjerë të ekonomisë.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha sot në komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat se rritja e këtij instrumenti financiar do t’u mundësojë bizneseve të përfitojnë kredi me interesa më të favorshme, ndërsa shteti do të garantojë deri në 70% të vlerës së kredisë.

“Përmes Aktit Normativ për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për Buxhetin e vitit 2026”  rritëm fondin e garancisë sovrane nga 3 në 5 miliardë lekë. Kjo është bërë për të rritur mbështetjen për sektorin e bujqësisë, por edhe për të gjithë sektorët e ekonomisë, në mënyrë që të përfitojnë kredi me interesa më të buta dhe t’u garantohet kredia në masën 70%”, u shpreh Malaj.

Sipas ministrit, rreth 82% e ndërmarrjeve që punësojnë fuqinë punëtore në vend kanë nevojë për financim dhe kjo mbështetje synon të rrisë konkurrueshmërinë e tyre në raport me tregun europian.

“Është një mbështetje sot dhe një investim për të nesërmen, për përballjen me tregun europian”, tha Malaj.

Ai theksoi se viti 2026 do të sjellë një paketë të zgjeruar mbështetjeje për fermerët, përmes disa instrumenteve financiare.

“Në vitin 2026 kemi mbështetje si asnjëherë më parë për fermerët: garancia nga 3 në 5 miliardë lekë, mbështetje me grante prej 2 miliardë lekësh, skema e subvencioneve prej 3,2 miliardë lekësh dhe për herë të parë kemi skemën e kompensimit të TVSH-së. Të gjitha bashkë janë mbi 100 milionë euro në dispozicion të bujqësisë”, deklaroi ministri.

Malaj bëri të ditur gjithashtu se po vlerësohet mundësia e krijimit të një skeme kompensimi për fermerët e prekur nga fatkeqësitë natyrore.

“Po vlerësohet skema e kompensimit ndaj fatkeqësive natyrore. Po punohet dhe synimi është t’u vijmë në ndihmë atyre që përballen me këto situata”, përfundoi ministri i Financave.

/e.xh/j.p/

The post Malaj: Garancia sovrane rritet në 5 miliardë lekë, mbi 100 milionë euro për bujqësinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE ndalon financimin e Bienales së Venecias për shkak të pjesëmarrjes së Rusisë

21 July 2026 at 14:54

BRUKSEL, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian ka vendosur të ndërpresë financimin për Bienalen e Venecias pasi Rusia është përfshirë në edicionin e këtij viti, njoftoi sot një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Sipas tij, pas një vlerësimi ligjor dhe rekomandimit të Komisionit Evropian, Agjencia Ekzekutive Evropiane për Arsimin dhe Kulturën (EACEA) vendosi të ndërpresë grantin prej 2,0 milionë eurosh (rreth 2,3 milionë dollarë) të akorduar për fondacionin ”La Biennale di Venezia”.

Zëdhënësi theksoi se projektet kulturore të financuara me fondet e taksapaguesve evropianë duhet të mbrojnë vlerat demokratike, të nxisin dialogun e hapur, diversitetin dhe lirinë e shprehjes.

Sipas tij, këto janë vlera që “nuk respektohen në Rusinë e sotme”.

Rusia merr pjesë në Bienalen e Venecias për herë të parë që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës në fillim të vitit 2022.

Granti i Bashkimit Evropian ishte destinuar për mbështetjen e producentëve të filmit dhe projekteve që lidhen me teknologjitë immersive (zhytëse)./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post BRUKSEL – BE ndalon financimin e Bienales së Venecias për shkak të pjesëmarrjes së Rusisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis shembja e 11 shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit

PRISHTINË, 21 korrik/ATSH/ Autoritetet e Kosovës nisën të martën aksionin për shembjen e 11 shtëpive të ndërtuara në pronën e Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, në zonën e Liqenit të Ujmanit.

Kryeshefi ekzekutiv i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se objektet ndodheshin ilegalisht në pronë të ndërmarrjes.

Ai tha se pronarëve u ishte kërkuar t’i lironin ato më 3 korrik, por pas moszbatimit të kërkesës, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, nisën zbatimin e vendimit për rrënimin e tyre.

“Ne po e kthejmë pronën tonë. Po rrënohen 11 shtëpitë e ndërtuara ilegalisht në pronën e ndërmarrjes”, tha Mujka.

“Sipas informacioneve që kemi mbledhur, këto shtëpi, përveç njërës, janë ndërtuar gjatë viteve 2019/2020”, shtoi ai.

Policia e Kosovës bëri të ditur se aksioni për asistimin e institucioneve në rrënimin e 11 shtëpive të pushimit pranë Liqenit të Ujmanit është duke u zhvilluar pa probleme.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se policia po i ofron mbështetje “Ibër-Lepencit” dhe Ministrisë së Mjedisit në zbatimin e vendimit.

Sipas tij, aksioni ka nisur rreth orës 07:00 në zonën e njohur si “Plazhi i Shqiptarëve”, në komunën veriore të Zubin Potokut.

“Deri më tani nuk kemi hasur në ndonjë problem për t’u theksuar”, deklaroi Elshani për Radion Evropa e Lirë.

Ai konfirmoi se, bazuar në informacionet që posedon policia, është paraparë rrënimi i 11 pushimoreve në këtë lokacion.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, në një reagim të publikuar më 21 korrik, e përshkroi aksionin si një “akt të paligjshëm dhe terrori të [kryeministrit në detyrë të Kosovës] Albin Kurtit”, duke pretenduar se ai është duke u kryer “pa asnjë vendim gjyqësor” dhe “me qëllim hakmarrjen ndaj nesh, serbëve”.

Sipas saj, pronarët e shtëpive kishin mësuar për rrënimin e tyre vetëm përmes njoftimeve të vendosura në objekte.

Liqeni i Ujmanit konsiderohet infrastrukturë strategjike për Kosovën, pasi shërben për furnizim me ujë, prodhim të energjisë elektrike dhe ujitje. /rel/

The post Nis shembja e 11 shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjykata e Lartë shpall kandidatët zyrtarë për anëtarë të KLGJ-së

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Gjykata e Lartë shpalli sot zyrtarisht listën përfundimtare të kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore për t’u zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Shpallja vjen në vijim të procedurës së shpallur nga Gjykata e Lartë më 26 qershor për zgjedhjen e një gjyqtari nga radhët e gjyqtarëve të gjykatës së shkallës së parë,  një gjyqtari nga radhët e gjyqtarëve të apelit dhe një gjyqtari nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Pas përfundimit të procesit të verifikimit të plotësimit të kushteve ligjore, kandidatët janë:

▪ Arbena Ahmeti – Gjykata e Lartë
▪ Sandër Simoni – Gjykata e Lartë
▪ Igerta Hysi – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
▪ Fatri Islamaj – Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
▪ Matilda Llangozi – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
▪ Brunilda Kadi – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
▪ Manjola Xhaxho – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë

Njëkohësisht, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, shpalli datën e zhvillimit të Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor më 25 shtator të këtij viti.

 

The post Gjykata e Lartë shpall kandidatët zyrtarë për anëtarë të KLGJ-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Durrësit, kontrolle për nivelin e zhurmave në zonat turistike gjatë sezonit veror

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Policia e Durrësit ka vijuar kontrollet në zonat turistike të qytetit për monitorimin e nivelit të zhurmave dhe garantimin e qetësisë publike gjatë sezonit turistik veror.

Në kuadër të masave sensibilizuese, strukturat e Policisë së Durrësit kanë zhvilluar takime informuese me administratorë dhe pronarë subjektesh, kryesisht në zonat turistike, aktivitetet e të cilëve gjenerojnë zhurma nga transmetimi i muzikës.

Sipas Policisë, krahas masave sensibilizuese ka nisur edhe zbatimi i detyrave të parashikuara në planin e masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit veror.

Strukturat e sigurisë publike të Komisariatit të Policisë Durrës kanë ngritur grupe kontrolli në terren, bazuar në hartëzimin e zonave me ndotje akustike. Gjatë kontrolleve janë testuar me matës të posaçëm zhurmash ambiente dhe subjekte të hapura e të mbyllura në zona turistike, me qëllim verifikimin e respektimit të niveleve të lejuara.

Nga matjet e kryera, sipas procedurave standarde të përcaktuara për këtë qëllim, rezultoi se nivelet e zhurmës ishin brenda kufijve të lejuar.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve është verifikuar edhe respektimi i orarit të lejuar për transmetimin e muzikës në ambiente të hapura, në zona apo qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.

Policia e Durrësit bën të ditur se do të vijojë kontrollet dhe masat për garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për banorët dhe vizitorët gjatë gjithë sezonit turistik.

/e.i/j.p/

The post Policia e Durrësit, kontrolle për nivelin e zhurmave në zonat turistike gjatë sezonit veror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MV – Epidemi nga uji i pijshëm për shkak të një ndotje të rëndë bakteriale

21 July 2026 at 14:14

GOSTIVAR, 21 korrik /ATSH-AFP/- Një ndotje e rëndë bakteriale është identifikuar si shkaku i një epidemie të lidhur me ujin e pijshëm në qytetin e Gostivarit.

Deri tani, mbi 3 100 persona kanë marrë trajtim mjekësor për helmim, ndërsa katër pacientë vazhdojnë të jenë të shtruar në spital.

Autoritetet ndaluan të premten përdorimin e ujit të rubinetit për rreth 32 000 banorë të Gostivarit, rreth 50 kilometra në jugperëndim të Shkupit, pasi u shfaqën rastet e para të helmimit.

Sipas Prokurorisë, shkaku ishte vendimi i kompanisë publike të ujësjellësit për të devijuar ujë nga një kanal komunal, ku derdheshin ujëra të ndotura, drejt rrjetit të ujit të pijshëm. Masa ishte marrë për të rritur presionin e ujit gjatë periudhës së konsumit të lartë dhe temperaturave të larta.

Tre persona, drejtoresha e kompanisë dhe dy punonjës, janë arrestuar dhe hetohen për ndotje të rëndë të ujit të pijshëm dhe dëmtim të mjedisit.

Sipas hetimeve, më 25 qershor ata urdhëruan instalimin e tre pompave në një kanal me ujëra sipërfaqësore të ndotura, duke pompuar ujë në rrjetin e furnizimit për rreth 20 ditë.

Analizat treguan një nivel prej 39 njësi formuese kolonish (CFU) bakteresh koliforme për 100 mililitra ujë, ndërkohë që në një sistem të mbyllur të ujit të pijshëm nuk lejohet asnjë prani e këtyre baktereve, të cilat janë tregues të ndotjes me origjinë fekale.

Derisa situata të normalizohet, autoritetet po shpërndajnë çdo ditë rreth 50 000 litra ujë të ambalazhuar për banorët, në një periudhë kur temperaturat kalojnë 35°C./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post MV – Epidemi nga uji i pijshëm për shkak të një ndotje të rëndë bakteriale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KAYO nis në shtator prodhimin e dronëve, Veliu: Fabrika përfundoi, po trajnohet personeli

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kompania shtetërore e prodhimit të armëve KAYO do të nisë në muajin shtator procesin e prodhimit të dronëve në Shqipëri.

Lajmin e bëri të ditur administratori i kompanisë KAYO, Ardi Veliu, gjatë një konference për mediat, ku u shpreh se prodhimi në fushën ushtarake është një proces kompleks që kërkon përmbushjen e standardeve të larta të sigurisë dhe licencimit.

“Procesi i prodhimit në fushën ushtarake është një proces i komplikuar, jo vetëm sepse produkti duhet të jetë i licencuar, por edhe mjedisi ku prodhohet duhet të jetë i licencuar”, deklaroi Veliu.

Ai bëri të ditur se ambientet e fabrikës së prodhimit janë përfunduar në partneritet me kompanitë bashkëpunuese, ndërsa aktualisht po vijon faza e trajnimit të personelit që do të angazhohet në këtë strukturë.

“Ambientet kanë përfunduar në partneritet me partnerët tanë. Kemi bërë thirrjen për të gjithë ata që donin të bëheshin pjesë e kësaj fabrike dhe tani jemi në fazën e trajnimit të personelit që do të punësohet aty”, tha Veliu.

Sipas tij, procesi i rekrutimit ka përfshirë të gjithë personat e interesuar për t’u bërë pjesë e fabrikës, ndërsa puna aktualisht është përqendruar në përgatitjen profesionale dhe trajnimin e stafit.

Administratori i KAYO u ndal edhe te ndikimi i zhvillimeve ndërkombëtare në ecurinë e projektit, duke theksuar se konflikti në Lindjen e Mesme ka sjellë vonesa në furnizimin me lëndë të para.

“Konflikti në Lindjen e Mesme na ka vonuar sjelljen e lëndëve të para, por besoj që në fillim të shtatorit ne do të fillojmë procesin ku do të prodhohen dronët”, u shpreh Veliu.

Ai foli gjithashtu për shkollën e fluturimit, e cila është pjesë e bashkëpunimit të lidhur me kompaninë KAYO dhe shoqërinë Elbit, duke e cilësuar atë një qendër që do të rrisë kapacitetet e Shqipërisë në fushën e aviacionit.

“Shkolla e fluturimit është një kontratë e lidhur me KAYO dhe me shoqërinë Elbit. Ajo që ne po marrim nga ky partneritet është eksperienca në fushën e pilotimit përmes shkollës së aviacionit. Trajnimi i tyre do të bëhet në Shqipëri”, tha Veliu.

Sipas tij, shkolla do të funksionojë me kurrikula të hartuara sipas standardeve më të mira ndërkombëtare dhe pilotët që do të diplomohen aty do të kenë nivel të krahasueshëm me standardet e diplomave të huaja.

“Kjo është një qendër unike dhe hapja e saj shton kapacitetet tona. Shkolla do të ketë të gjitha kurrikulat sipas standardeve më të mira dhe pilotët që do të diplomohen aty do të jenë me standardet e diplomave të huaja”, theksoi ai.

/e.xh/j.p/

The post KAYO nis në shtator prodhimin e dronëve, Veliu: Fabrika përfundoi, po trajnohet personeli appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nufi: Kapacitetet për përballimin e zjarreve janë rritur ndjeshëm, jemi në monitorim të plotë

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi sot se kapacitetet e vendit për përballimin e situatave të zjarreve janë rritur ndjeshëm, si në nivel vendor, ashtu edhe në strukturat qendrore të angazhuara për menaxhimin e emergjencave civile.

I pyetur në një konferencë për shtyp për situatën e zjarreve në vend, Nufi u shpreh se investimet në kapacitete njerëzore dhe teknike kanë sjellë një përmirësim të ndjeshëm të gatishmërisë për ndërhyrje.

“Sa i përket situatës së zjarreve, kapacitetet janë shtuar ndjeshëm. Ka një investim jo vetëm në nivel vendor, por edhe te Forcat e Armatosura, te kapacitetet që kemi në BMEC (Baza e Mbështetjes për Emergjencat Civile), apo edhe te të gjitha strukturat e tjera që merren me menaxhimin e emergjencave civile”, tha Nufi.

Ministri theksoi se Shqipëria ka sot kapacitete të konsoliduara për ndërhyrje si nga toka, ashtu edhe nga ajri.

“Kemi një situatë jashtëzakonisht shumë të mirë sa i përket kapaciteteve konkrete që kemi në Republikën e Shqipërisë, si fizike në ndërhyrjet nga toka, por edhe ndërhyrjet nga ajri”, u shpreh ai.

Sipas Nufit, ky vit mund të konsiderohet ndër më të mirët për sa i përket gatishmërisë së kapaciteteve ajrore për shuarjen e zjarreve.

“Besoj që mund të konsiderohet viti më i mirë për gatishmërinë e Forcave Ajrore për shuarjen e zjarreve. Shumë shpejt do të kemi në Republikën e Shqipërisë avionët që qeveria shqiptare ka kontraktuar, në mënyrë që të jenë operacionalë”, deklaroi ministri.

Ai bëri të ditur se kapacitetet e angazhuara deri tani kanë dhënë rezultat dhe se situata e zjarreve është menaxhuar me sukses.

“Besoj që të gjitha këto kapacitete deri tani kanë dhënë rezultat dhe janë menaxhuar të gjitha zjarret. Deri dje në darkë nuk kemi pasur asnjë zjarr aktiv”, tha Nufi.

Ministri bëri të ditur se ndjekja e situatës bëhet në mënyrë të vazhdueshme përmes raporteve ditore të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), si dhe në koordinim me strukturat përgjegjëse.

“Unë marr çdo ditë informacion nga AKMC, raport ditor, raport konkret për çdo situatë zjarri në ndjekje, si me drejtorin, ashtu edhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm në momentin kur aktivizohen forcat tona”, u shpreh ai.

Nufi garantoi se angazhimi i strukturave shtetërore është maksimal, duke nisur nga njësitë e qeverisjes vendore, deri te strukturat qendrore dhe Forcat e Armatosura.

“Ju garantoj që qeveria shqiptare, qoftë në nivel vendor, për anën që ka të bëjë me përgjigjen e parë që vjen nga bashkitë, por edhe pjesën që na takon ne në qeverinë qendrore për angazhimin e trupave tona, është maksimale në kohë reale”, deklaroi ministri.

Ai shtoi se koordinimi me prefektët dhe aktivizimi i AKMC-së dhe Forcave të Armatosura bëhet sipas nevojës, me synim menaxhimin dhe shuarjen e plotë të çdo vatre zjarri.

“Vëmendja është 100% deri në mitigimin e plotë të situatës së zjarrit, shuarjes së tij. Raportohet që zjarri u shua dhe cilat janë pasojat apo masat e marra. Jemi në ndjekje të plotë. Deri dje kemi pasur një rezultat shumë të mirë”, përfundoi Nufi.

/gj.m/j.p/

The post Nufi: Kapacitetet për përballimin e zjarreve janë rritur ndjeshëm, jemi në monitorim të plotë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nufi: Marrëveshja me Fincantierin do të gjenerojë 500 vende pune në Pashaliman

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi u shpreh sot se “bashkëpunimi mes shoqërisë KAYO dhe kompanisë italiane Fincantieri, një prej kompanive më të mëdha në botë në ndërtimin e anijeve, përbën një hap të rëndësishëm në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe kapaciteteve detare në Shqipëri”.

Ministri Nufi, deklaroi se marrëveshja me Fincantierin do të gjenerojë rreth 500 vende pune në kantierin e Pashalimanit, duke krijuar mundësi të reja punësimi dhe zhvillimi për zonën.

Sipas tij, marrëveshja e fundit e nënshkruar mes KAYO-s, Fincantierit dhe shkollës së mesme “Pavarësia” në Vlorë do të garantojë përgatitjen profesionale të të rinjve dhe të rejave, në mënyrë që ata të jenë burimi i parë njerëzor për nevojat e ardhshme të kantierit të Pashalimanit.

“Ky bashkëpunim është një mundësi për të krijuar një brez të ri profesionistësh, të trajnuar sipas kërkesave dhe standardeve të industrisë moderne të ndërtimit të anijeve”, u shpreh Nufi gjatë konferencës për shtyp me gazetarët.

Gjithashtu, ministri Nufi u ndal edhe te hapja e shkollës ndërkombëtare të fluturimit në Shqipëri, e cila sipas tij përbën një tjetër investim strategjik për të ardhmen dhe një hap të rëndësishëm në transformimin dhe modernizimin e Forcës Ajrore.

Nufi tha se kjo nismë do të krijojë mundësinë që pilotët të trajnohen në Shqipëri dhe të pajisen me njohuritë e nevojshme për zhvillimin e operacioneve komplekse ajrore.

“Qasja e Qeverisë shqiptare është e qartë. Shqipëria nuk synon vetëm të investojë në pajisje dhe teknologji, por synon të ndërtojë dije, ekspertizë dhe kapacitete sipas standardeve më të larta bashkëkohore”, theksoi Nufi.

/e.i/j.p/

The post Nufi: Marrëveshja me Fincantierin do të gjenerojë 500 vende pune në Pashaliman appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nufi: Deklaratat e ministres serbe për Kosovën, të papranueshme

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi sot se deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviç në lidhje me spastrimin etnik në Kosovë, janë skandaloze dhe të papranueshme.

I pyetur në një konferencë për shtyp për këtë deklaratë, Nufi u shpreh se nuk ka nevojë për shumë komente për natyrën e kësaj deklarate, pasi ajo është e skandaloze dhe e papranueshme.

“Besoj që çdo koment mbi natyrën e asaj deklarate, përveç këtyre dy fjalëve, është i pavend. Është e papranueshme sot që të ketë një deklaratë të tillë. Këtë qëndrim e ka shprehur kryeministri, e ka shprehur edhe Ministria e Punëve të Jashtme. Unë, si ministër i Mbrojtjes, bashkohem plotësisht me qëndrimin e kryeministrit”, tha Nufi.

Ministri theksoi se deklarata të tilla nuk kanë vend në një shoqëri që synon të ecë drejt vlerave evropiane dhe vlerësoi reagimet e atyre qytetarëve serbë që distancohen nga retorika nacionaliste.

“Është e papranueshme që sot ne të kemi një deklaratë të tillë. Besoj që edhe vetë reagimi në Serbi ka treguar se edhe atje njerëzit e arsyes dhe ata që nuk bëjnë pjesë te ultranacionalistët vazhdojnë të kenë atë qëndrim evropian që ne duam të shohim nga pala serbe”, u shpreh ai.

Nufi nënvizoi se çdo deklaratë që lidhet me spastrim etnik apo nxitje të urrejtjes rikthen kujtime të dhimbshme nga e kaluara e rajonit.

“Është e papranueshme çdo lloj deklarate që lidhet me kombin, me spastrime etnike apo me ngjarje që i bëjnë referencë një të shkuare shumë të hidhur dhe një periudhe shumë të errët, sidomos asaj ku ne jemi vetë dëshmitarë: vitit 1999, asaj që ka ndodhur në Kosovë, por edhe asaj që ka ndodhur në Bosnjë-Hercegovinë dhe në ish-Jugosllavi”, tha ministri.

Sipas tij, çdo retorikë e kësaj natyre është e papranueshme dhe duhet dënuar nga të gjithë.

“Çdo retorikë e kësaj natyre është e papranueshme, është e dënueshme dhe është në nderin e gjithë atyre që e kanë pasur në kurriz ta denoncojnë dhe të distancohen prej saj. Ky është qëndrimi ynë i prerë. Çdo lloj përkrahjeje apo çdo lloj heshtjeje përballë një deklarate të tillë është po aq vrastare”, përfundoi Nufi.

/gj.m/j.p/

The post Nufi: Deklaratat e ministres serbe për Kosovën, të papranueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Akulli detar dimëror në Arktik po tkurret sërish me ritëm të shpejtë

21 July 2026 at 12:51

LONDËR, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Akulli detar dimëror në Arktik ka rifilluar të tkurret me ritëm të shpejtë pas një ngadalësimi të përkohshëm në fillim të viteve 2020, sipas një studimi të ri të udhëhequr nga studiues të “University of Southampton” dhe “National Oceanography Centre”.

Sipas shkencëtarëve, ngrohja globale e shkaktuar nga aktiviteti njerëzor ka qenë përgjegjëse për zvogëlimin e akullit dimëror në Arktik gjatë dekadave të fundit. Edhe pse të dhënat e viteve të para të dekadës 2020 sugjeronin një ngadalësim të këtij procesi, vëzhgimet më të fundit satelitore tregojnë se dimrat e viteve 2025 dhe 2026 kanë regjistruar nivele jashtëzakonisht të ulëta të akullit detar.

Kur këto të dhëna kombinohen me prirjet afatgjata, ato tregojnë se humbja e akullit dimëror është rikthyer në një fazë të rënies së ndjeshme. Autori kryesor i studimit, Duo Chan, tha se ajo që dukej si një ndalesë e procesit në fillim të viteve 2020 ishte në fakt vetëm një ngadalësim i përkohshëm brenda një tendence afatgjatë të lidhur me ngrohjen globale.

Akulli detar i Arktikut luan një rol jetik në sistemin klimatik, pasi vepron si një pengesë midis oqeanit relativisht të ngrohtë dhe atmosferës shumë më të ftohtë gjatë dimrit. Humbja e tij lejon që më shumë nxehtësi dhe lagështi nga oqeani të kalojnë në atmosferë, duke ndikuar në modelet e presionit, zhvillimin e stuhive dhe qarkullimin atmosferik në shkallë të gjerë, me pasoja që mund të ndikojnë edhe motin në rajone më jugore.

Studimi tregon se, nga dimri 2024 në atë të 2025, shtrirja maksimale e akullit detar në Arktik gjatë periudhës shkurt–mars u zvogëlua me 5,8%. Ky është reduktimi më i madh nga një vit në tjetrin i regjistruar ndonjëherë gjatë dimrit, që prej fillimit të matjeve satelitore në vitin 1978. /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Akulli detar dimëror në Arktik po tkurret sërish me ritëm të shpejtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INSTAT: Mbi 1 milion mjete rrugore të regjistruara në 2025, rriten me 91% autoveturat elektrike

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Numri i mjeteve rrugore të regjistruara në Shqipëri arriti në 1 048 092 mjete në fund të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 9, 3% krahasuar me vitin 2024, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT në rubrikën “Statistikat e karakteristikave të mjeteve rrugore 2025”.

Sipas raportit, autoveturat vijojnë të dominojnë strukturën e mjeteve rrugore, duke përbërë 80,8% të totalit. Numri i autoveturave për 1 mijë banorë është rritur në 361, nga 326 që ishte në vitin 2024.

Qarku i Tiranës ka numrin më të lartë të mjeteve rrugore në vend, me 34,7% të totalit, i ndjekur nga Durrësi me 13, 6% dhe Fieri me 9,1%.

Ndërkohë, qarku i Durrësit regjistron nivelin më të lartë të motorizimit, me 535 autovetura për 1 mijë banorë.

Për sa i përket karakteristikave teknike, mjetet me kambio manuale përbëjnë 55, 9% të totalit të mjeteve rrugore, ndërsa automjetet e prodhuara gjatë periudhës 2000–2010 përbëjnë 55, 3% të flotës së mjeteve.

INSTAT bën të ditur se autoveturat me moshë 11–20 vjet përbëjnë 45,7% të numrit total të autoveturave në vend.

Sa i takon markave më të përhapura, Volkswagen renditet marka më e përdorur ndër autoveturat në Shqipëri, me 19, 7% të totalit, e ndjekur nga Mercedes-Benz me 18, 1%.

Nafta mbetet lënda djegëse kryesore për autoveturat, duke zënë 72, 1% të totalit në vitin 2025.

Ndërkohë, vijon rritja e mjeteve elektrike. Numri i autoveturave elektrike është rritur me 91, 2% krahasuar me vitin 2024, duke reflektuar zgjerimin gradual të përdorimit të automjeteve me energji alternative.

Të dhënat e INSTAT bazohen në inventarin e mjeteve rrugore sipas gjendjes më 31 dhjetor të çdo viti dhe burimi kryesor është Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.

/e.xh/j.p/

The post INSTAT: Mbi 1 milion mjete rrugore të regjistruara në 2025, rriten me 91% autoveturat elektrike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla prezanton ndryshimet ligjore: Rritja e turizmit kërkon standarde më të larta për strukturat akomoduese dhe shërbimet

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla prezantoi sot në mbledhjen e Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm projektligjin për disa ndryshime në ligjin “Për Turizmin”, të cilin e cilësoi një hap të rëndësishëm për rritjen e standardeve të sektorit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Balla e vuri theksin te transformimi i vendit.

“Së bashku do ta bëjmë Shqipërinë evropiane princeshë të turizmit mesdhetar dhe do t’u tregojmë edhe të gjithë atyre që e përgojuan si s’ka më keq shtetin tonë, se Shqipëria e ka shumë seriozisht transformimin e saj epokal”, tha Balla.

Më tej gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh se Shqipëria ndodhet në një moment historik të zhvillimit të turizmit, duke theksuar se numri i turistëve është rritur gjashtë herë krahasuar me 13 vite më parë. Sipas tij, kjo rritje kërkon standarde më të larta për strukturat akomoduese, shërbimet dhe administrimin e sektorit.

Projektligji parashikon përmirësimin e procesit të kategorizimit dhe klasifikimit të strukturave akomoduese, regjistrimin elektronik të klientëve, krijimin e Regjistrit Qendror të Turizmit, forcimin e administrimit të mbetjeve nga hotelet, si dhe masa për pezullimin e punimeve të ndërtimit gjatë sezonit turistik në zonat turistike.

“Nuk mund të fillojë ndërtimi i një objekti si pallat dhe të përfundojë si hotel. Nëse ndërtohet hotel, ai duhet të projektohet dhe të ndërtohet si i tillë që në fillim”, u shpreh Balla, duke theksuar se Shqipëria duhet të ecë me standardet më të mira evropiane.

/gj.m/j.p/

The post Balla prezanton ndryshimet ligjore: Rritja e turizmit kërkon standarde më të larta për strukturat akomoduese dhe shërbimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj pranon letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Meksikës: Shtysë bashkëpunimit ekonomik

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, pranoi sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Meksikës, rezident në Romë, Genaro Fausto Lozano Valencia.

Gjatë takimit, Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet miqësore mes Shqipërisë dhe Meksikës.

Kreu i Shtetit shprehu bindjen se mandati i ambasadorit të ri do t’i japë një shtysë të re forcimit të dialogut politik, si edhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, tregtar, kulturor dhe turistik mes dy vendeve.

/gj.m/j.p/

 

The post Begaj pranon letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Meksikës: Shtysë bashkëpunimit ekonomik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌