Protesta përballë “algoritmit” të Ramës, flasin zërat e angazhuar nga sheshi
Nga Jona Cenameri
“Sheshi është thjesht një studio televizive e algoritmit. Është vendi ku filmohet materiali për ta ushqyer algoritmin dhe për ta justifikuar atë”, deklaroi kryeministri Edi Rama më 20 qershor, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Rama argumentoi se algoritmi shpërblen konfliktin, indinjatën dhe frikësimin, ndërsa për protestën u shpreh:
“Një protestë nuk është më protestë, është skenë, është treg, një treg emocionesh, klikimesh, një treg morali, madje edhe një treg karrierash”
Më 11 korrik, gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë në Jalë, kryeministri e i dha nuanca këtij qëndrimi.
“Nuk kam thënë se algoritmi ishte arsyeja e protestës”, tha Rama. Ai pranoi se protesta kishte arsye që lidheshin me jetën e përditshme të qytetarëve, por argumentoi se algoritmi amplifikonte zhurmën, pakënaqësinë, videot e manipuluara dhe lajmet e rreme, të cilat, sipas tij, “i hedhin benzinë një zjarri që nuk është ndezur nga algoritmi, por nga njerëzit”
Rama shtoi se algoritmi nuk ishte organizatori i protestës dhe se duhej dalluar “ku mbaron motivi i sinqertë” i protestuesve dhe ku fillon manipulimi nga aktorë të tjerë.
Më 19 korrik, protestuesit u mblodhën në Tiranë për të 50-tën ditë radhazi për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama. Protesta e përnatshme në kryeqytet e nisur si reagim ndaj dhunës dhe për mbrojtjen e Zvërnecit, vazhdon nga 31 maji 2026 pa ndërprerje.

Çfare po ndodh?
Për të kuptuar se çfarë ndodh përtej përmbajtjes që qarkullon në rrjetet sociale, Faktoje intervistoi tetë persona të angazhuar në forma të ndryshme në protestë.
Dëshmitë e tyre nuk përfaqësojnë të gjithë protestën dhe nuk pretendojnë të përmbledhin qëndrimet e çdo pjesëmarrësi. Ato janë disa zëra mes shumë zërave, grupimeve dhe rrymave që bashkëjetojnë në shesh. Megjithatë, ndihmojnë për të kuptuar origjinën e pakënaqësisë, mënyrën e organizimit, rolin e platformave digjitale dhe debatet për vazhdimin e protestës.

Zvërneci
Për ekspertin e mjedisit Olsi Nika, ngjarja në Zvërnec ishte “pika që derdhi gotën”, por jo domosdoshmërisht e vetmja ngjarje, që mund të ndizte një reagim të tillë.
Sipas tij, shkëndija mund të kishte ardhur edhe nga tërheqja zvarrë e një gruaje në Rrjoll, nga protesta e prodhuesve të midhjeve në Butrint apo nga një problematikë si trajtimi i pacientëve me kancer, etj.
“Gota duhet të mbushet, pastaj të derdhet. Kjo ishte pika që derdhi gotën”, thotë Nika.
Ai e konsideron domethënës faktin që shkëndija këtë herë ishte mjedisore, pasi ndërhyrjet në territor dhe zonat e mbrojtura kishin prodhuar prej kohësh pakënaqësi, por nuk kishin sjellë më parë një reagim kaq të gjerë.
Për Nikën, Zvërneci nuk duhet parë vetëm si vendi ku ndodhi episodi që nxiti protestën. Ai e përshkruan atë si “një nga tablotë më përfaqësuese” të problemeve të krijuara gjatë tranzicionit.
Në leximin e tij, “në Zvërnec u ndërthurën konfliktet e pazgjidhura të pronësisë, epërsia e interesave private, roli i sigurisë private dhe mungesa e një reagimi të menjëhershëm institucional”. Ai e sheh gardhin dhe dhunën ndaj protestuesit si “simbole të një marrëdhënieje ku qytetari përballet jo me institucionet, por me interesin privat që vepron në territor”.
Nika kritikon gjithashtu mënyrën se si një pjesë e mediave e pasqyroi ngjarjen dhe protestën. Sipas tij, fillimisht incidenti në Zvërnec nuk mori vëmendjen që meritonte, ndërsa më pas transmetimet u përqendruan kryesisht te mikrofoni dhe folësit para Kryeministrisë, duke lënë jashtë zëra të tjerë të sheshit.
“Zvërneci është një pasqyrë që tregoi se si bëhen gjërat në Shqipëri”, thotë ai.
Sipas Nikës, protesta e kapërceu shpejt kauzën fillestare mjedisore.

Drejtuesi
Të intervistuarit përgjithësisht bien dakord se protesta nuk drejtohet nga një dorë e vetme.
“A ka një organizator qendror? Jo. A ka grupe që koordinohen për të dhënë kontribut? Po, dhe janë disa”, thotë Migen Qiraxhiu, aktivist dhe bashkëthemelues i Qëndresës Qytetare.
Sipas tij, një nga arsyet pse protesta ka ruajtur pjesëmarrjen është bindja e qytetarëve se nuk po përdoren për t’i shërbyer një individi apo një force të vetme politike.
Brenda protestës, thotë Qiraxhiu, veprojnë të rinj që kujdesen për hapësirën e fëmijëve, studentë që krijojnë instalacione dhe pankarta, grupi i tupanëve dhe flamingove, personat që administrojnë qendrën e zërit dhe të rinjtë që kujdesen për marshimin pas përfundimit të pjesës formale para Kryeministrisë.
“Protesta ka shumë zëra, shumë grupe dhe shumë forma kontributi, dhe pikërisht kjo është një nga pikat e saj më të forta”, thotë Qiraxhiu.
Natasha Paja, dizajnere dhe pjesë e grupit Trivet Art, e përshkruan organizimin përmes ndarjes konkrete të punëve.
“Dikush merret me mbarëvajtjen e mikrofonit, dikush me këndin kreativ të fëmijëve, dikush me ritmin e rezistencës, dikush me thirrjet. Ka persona që kontribuojnë në komunikimin me diasporën dhe një grup që merret me marshimin e mbrëmjes”, thotë ajo.
Sipas Pajës, organizimi është horizontal: njerëzit përfshihen aty ku kanë mundësi të kontribuojnë, pa pasur një drejtues me legjitimitetin për të marrë vendime në emër të të gjithë protestës.
Edhe Entela Ndrevataj, aktiviste feministe dhe pjesë e Kolektivit Feminist (bashkesi vullnetare dhe autonome), thotë se protesta nuk ka një strukturë klasike, por se pikërisht kjo ka krijuar hapësirë për grupime të ndryshme.
“Sheshi është hapësirë e përbashkët dhe si i tillë nuk është imponuar një grupim mbi një tjetër”, thotë ajo.
Për Ndrevatajn, korrupsioni “ndërthuret edhe me një mënyrë autoritare e patriarkale të ushtrimit të pushtetit, ku vendimet merren nga lart dhe pasuria publike trajtohet si pronë private”.

Flamingot
Sokol Çunga, aktivist, historian dhe përkthyes, merr pjesë si individ dhe jo si pjesë e një strukture organizative. Ai e përshkruan protestën si të sinqertë dhe të artikuluar jo vetëm përmes mikrofonit, por edhe përmes pankartave dhe flamingos.
Për nivelin e koordinimit, Çunga është më skeptik.
“I vetmi koordinim që shoh unë është ora dhe vendi, si dhe ‘kush do t’i transportojë flamingot?”, thotë ai.
Sipas tij, turma ndryshon çdo ditë në formë, përmasa dhe përbërje dhe nuk vjen në shesh me dirigjim apo me një synim tërësisht të unifikuar. Për këtë arsye, Çunga nuk mendon se protesta, si një trup i vetëm, mund të hartojë plane të hollësishme politike apo institucionale.
“Hapat pasardhës mbeten më të thjeshtë dhe më të prekshëm: përditë në bulevard!”

Grupi organizator
Ndryshe nga pjesëmarrësit që shohin vetëm koordinim të shpërndarë, Ilir Xhemalaj, aktivist dhe themelues i Sindikatës Kombëtare të Operatorëve Telefonikë, thotë se që prej ditës së parë ka ekzistuar një grup aktivistësh që kujdeset për mbarëvajtjen e pjesës formale të protestës.
Grupi përbëhet, sipas tij, nga aktivistë mjedisorë, sindikalistë, naftëtarë dhe persona nga fusha të tjera. Ata kujdesen për foninë, folësit dhe zhvillimin e tubimit para Kryeministrisë.
“Fonia ka një pagesë që ne të gjithë si aktivistë e kemi paguar nga xhepi ynë”, thotë Xhemalaj.
Ai shpjegon se, përveç disa intelektualëve të ftuar në fillim, folësit e tjerë presin radhën për të marrë mikrofonin.
“Kriteri për folësit është thjesht të mbash radhën. Del një, futet një dhe secili flet për mendimet dhe problematikat e tij”, thotë ai.
Përgjegjësia e grupit, sipas Xhemalajt, përfundon me mbylljen e fjalimeve. Marshimi që pason dhe aksione të tjera mund të organizohen nga persona të ndryshëm dhe nuk janë automatikisht vendime të të njëjtit grup.
Për Xhemalajn, rëndësia e platformave digjitale ka qenë e pamohueshme.
“Janë pikërisht rrjetet sociale që kanë bërë të mundur mbarëvajtjen, zhvillimin dhe masivitetin e kësaj proteste. Gen Z ka arritur t’i shfrytëzojë shumë mirë rrjetet sociale për t’i bërë thirrje popullit që të dilte në shesh”, thotë ai.
Algoritmi
Migen Qiraxhiu e kthen argumentin e kryeministrit për algoritmin në drejtim të kundërt.
Sipas tij, Rama nuk kishte pasur problem me algoritmin kur komunikimi digjital e mbante vëmendjen të përqendruar te qeveria dhe figura e tij.
“Problemi lind kur algoritmi nuk është më në anën e tij. Algoritmi nuk krijon vetë ngjarje; ai ndjek interesin, reagimin dhe vëmendjen që prodhon një ngjarje reale”, thotë Qiraxhiu.
Për të, protesta “i ka marrë jo vetëm sheshin dhe debatin publik, por edhe algoritmin”.
Arnen Sula sqaron se organizata që drejton nuk është pjesë e strukturës organizative të protestës dhe se ai merr pjesë si qytetar dhe aktivist.
“Çdo protestë matet nga njerëzit që marrin pjesë në të, jo nga algoritmet”, thotë Sula. “Platformat digjitale mund të ndihmojnë në organizim dhe komunikim, por ato nuk mund të zëvendësojnë praninë fizike të qytetarëve”
Sipas tij, kur qytetarët dalin në shesh për javë me radhë, kjo tregon se ekziston një shqetësim që nuk mund të reduktohet në një fenomen të rrjeteve sociale.
Olsi Nika e interpreton përqendrimin e Ramës te algoritmi si përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për arsyet që kanë prodhuar protestën.
“Të mohosh që ka një protestë kur njerëzit janë në shesh, kur protesta bën xhiron e mediave dhe kur ka një fluks të jashtëzakonshëm të shfaqjes së zemërimit edhe në rrjet, dhe ta quash këtë thjesht algoritëm, është taktikë e një strategjie të dështuar”, thotë ai.

Mikrofoni
Pikërisht elementi që Xhemalaj e paraqet si punë organizative, fonia dhe radha e folësve, shihet me skepticizëm nga Olsi Nika.
Nika thotë se personat pranë mikrofonit përfaqësojnë vetëm një pjesë të protestës.
“Edhe teknikisht, edhe fizikisht ka një protestë tjetër aty ku mbaron të dëgjuarit e mikrofonit”, thotë ai.
Sipas tij, përqendrimi i kamerave te podiumi i improvizuar krijon përshtypjen se folësit përfaqësojnë të gjithë sheshin, ndërsa lë jashtë pjesëmarrësit që ndodhen më larg dhe arsyet e tyre për të protestuar.
Nika sheh te mikrofoni edhe rrezikun e protagonizmit personal dhe të shfryrjes së kontrolluar të revoltës.
“Unë mikrofonin e konsideroj si mjetin që vret protestën dhe vret revoltën”, thotë ai.
Për Xhemalajn, fonia është një infrastrukturë e nevojshme për t’u dhënë fjalën grupeve dhe qytetarëve të ndryshëm. Për Nikën, përqendrimi te mikrofoni mund të krijojë një hierarki dukshmërie brenda një proteste që paraqitet si horizontale.
Politika
Në shesh ka edhe aktivistë dhe përfaqësues me përkatësi politike.
Emiljando Kita, aktivist i Lëvizjes Bashkë, thotë se mbështet kërkesat që janë artikuluar nga protestuesit, nga anulimi i ligjeve të kundërshtuara deri te dorëheqja e kryeministrit.
“Kur populli del në rrugë, koordinimi ndodh natyrshëm, pasi qëllimi është i përbashkët”, thotë ai.
Protesta ka mbledhur në shesh edhe përfaqësues dhe aktivistë të forcave të tjera politike, mes tyre Partia “Mundësia”, Partia Lëvizja Shqipëria Bëhet dhe Partia Demokratike, kjo e fundit kryesisht përmes të rinjve të saj.
Migen Qiraxhiu argumenton se një nga arsyet pse protesta nuk është identifikuar plotësisht me një forcë të vetme është se mesazhet e saj kanë qenë kritike ndaj dy figurave kryesore politike të tranzicionit, Edi Ramës dhe Sali Berishës.
“Kuvendi Kombëtar”
Përplasja më e qartë për të ardhmen e protestës lidhet me idenë e krijimit të një “Kuvendi Kombëtar” ose asambleje qytetare.
Ilir Xhemalaj thotë se nisma nuk synon të flasë në emër të protestës dhe as të ngrejë institucione paralele. Ajo duhet të shërbejë si hapësirë ku qytetarët dhe intelektualët japin ide për vazhdimin e protestës. Xhemalaj sqaron se Kuvendi nuk është krijuar, janë zhvilluar vetëm pak takime të grupit të punës për formimin e tij.
“Ne po përgatitemi për një maratonë, po përgatitemi për një betejë të gjatë dhe normalisht na duhen idetë e çdo personi”, thotë ai.
Të tjerë protestues e shohin nismën me rezerva.
Migen Qiraxhiu thotë se ishte përfshirë në një grup në ëhatsApp ku prezantohej ideja, por ishte larguar pasi kishte lexuar materialet. Ai e konsideron legjitime krijimin e nismave të reja, përfshirë organizata apo parti politike, por kundërshton çdo pretendim për të folur në emër të gjithë protestës pa mandat të qartë.
“Çdo nismë ka të drejtë të organizohet dhe të propozojë ide, por duhet të jetë e qartë se përfaqëson vetëm themeluesit dhe mbështetësit e saj, jo automatikisht të gjithë protestuesit”, thotë ai.
Edhe Arnen Sula mendon se një Kuvend Kombëtar mund të krijojë perceptimin se një grup po merr përsipër përfaqësimin e një sheshi që nuk ka strukturë të centralizuar.
Natasha Paja e quan nismën “një metodë të vjetër për një koncept të vjetër”, ndërsa Entela Ndrevataj thotë se, në këtë fazë, sheshi duhet të mbetet hapësira kryesore dhe se një grup nuk duhet t’i mbivendoset shumicës.
Për Sokol Çungën, informacioni i shpërndarë për nismën ishte i paqartë dhe krijonte përshtypjen e një procesi kaotik. Ai nuk beson se një kuvend i tillë mund të përballet me forcat politike ekzistuese dhe e sheh protestën masive e paqësore si mjetin kryesor.
Olsi Nika është më kritik. Ai i konsideron struktura të tilla paralele dhe argumenton se ndryshimet duhet të kalojnë përmes mekanizmave ekzistues: votës, parlamentit, drejtësisë dhe medias. Sipas tij, energjia e sheshit duhet të ushtrojë presion që këto mekanizma të funksionojnë dhe jo të zëvendësohen nga një strukturë që nuk ka mandat nga të gjithë protestuesit.

Vazhdimi
Pas 51 ditëve protestë, të intervistuarit nuk paraqesin një strategji të vetme. Qëndrimet e tyre mund të ndahen mes vazhdimit të presionit në shesh, kalimit drejt veprimit institucional dhe nevojës për një organizim më të strukturuar.
Sokol Çunga kërkon vazhdim të përditshëm të pranisë në bulevard. Natasha Paja e sheh gjithashtu sheshin si përparësi, por thotë se paralelisht duhet të punohet me aspektet ligjore, komunikimin me institucionet europiane dhe aksionet në zona të tjera të vendit.
Entela Ndrevataj mendon se është ende herët për krijimin e një lëvizjeje me kryesi dhe përfaqësi. Ajo propozon bashkëpunim më të ngushtë mes ekspertëve ligjorë, mediatikë dhe mjedisorë, duke ruajtur transparencën dhe karakterin horizontal të protestës.
Arnen Sula vendos theksin te qëndrueshmëria dhe lidhja e presionit publik me institucionet e drejtësisë.
“Protesta nuk mund ta zëvendësojë drejtësinë, por mund ta mbështesë atë duke kërkuar llogaridhënie dhe duke mos lejuar që çështjet të harrohen”, thotë ai, duke përmendur SPAK-un dhe organet e tjera përgjegjëse.
Migen Qiraxhiu propozon iniciativa ligjore, kërkesa institucionale, monitorime, denoncime të dokumentuara dhe forcim të mekanizmave të kontrollit qytetar.
“Plagët e 36 viteve tranzicion nuk mund të shërohen brenda 43 ditësh”, thotë ai.
Për Qiraxhiun, një nga rezultatet më të rëndësishme të protestës mund të jetë ndryshimi i marrëdhënies mes qytetarit dhe pushtetit: nga qytetarë që u kërkojnë fotografi politikanëve, te qytetarë që i filmojnë dhe u kërkojnë llogari.
Ilir Xhemalaj kërkon një organizim më të gjerë, lidhje me rrethet dhe diasporën dhe përgatitje për vazhdimin gjatë verës.
“Protesta do të vazhdojë pa ndalim deri në shtator”, deklaroi ai gjatë intervistës, duke e përshkruar verën si sfidën kryesore për ruajtjen e pjesëmarrjes.
Emiljando Kita e sheh vazhdimin përmes ndërthurjes së presionit në shesh me aksione politike dhe denoncime ligjore.
Olsi Nika jep vlerësimin më kritik për fazën ku ka mbërritur lëvizja.
Sipas tij, protesta e di qartë se çfarë nuk do, qeverinë dhe mënyrën aktuale të ushtrimit të pushtetit, por ende nuk ka arritur të artikulojë me të njëjtën qartësi modelin politik dhe institucional që kërkon të ndërtojë.
“Protesta ka mbaruar dhe rroftë protesta”, thotë Nika.
Ai kërkon një riorganizim të juristëve, ekonomistëve, gazetarëve, analistëve dhe ekspertëve, në mënyrë që energjia e protestës të kthehet në argument, presion institucional dhe veprim konkret.
Sipas tij, protesta mund të hyjë në një fazë ku është “më e pakët në numra, por shumë e fortë në argument”, proces që ai mendon se mund të marrë formë në shtator.
Rrjetet sociale
Rrjetet sociale kanë pasur një rol të rëndësishëm në mobilizimin, zgjerimin dhe dukshmërinë e protestës. Këtë nuk e mohojnë as zërat e intervistuar. Por pas përmbajtjes online qëndron edhe një organizim real, megjithëse i shpërndarë dhe pa një drejtim të vetëm.
The post Protesta përballë “algoritmit” të Ramës, flasin zërat e angazhuar nga sheshi appeared first on Faktoje.al.