Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 July 2026Gazeta Si

Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Veliajt për afatet e paraburgimit

21 July 2026 at 14:28

Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili kishte kundërshtuar vendimin për pezullimin e afateve të paraburgimit.

Me këtë vendim mbetet në fuqi qëndrimi i Apelit të GJKKO, i marrë më 29 prill, që konfirmoi pezullimin e afateve të paraburgimit për Veliajn.

Vendimi për pezullimin e afateve ishte marrë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pas mungesës së Veliajt në disa seanca gjyqësore. Kryebashkiaku kishte pretenduar se mungesa e tij lidhej me probleme të njoftimit nga Drejtoria e Burgut të Durrësit.

Veliaj e kishte cilësuar të padrejtë këtë vendim, duke argumentuar se ai ishte përfaqësuar rregullisht në proces përmes avokatit të tij dhe se nuk duhej të penalizohej për vonesat procedurale.

Çështja e pezullimit të afateve të paraburgimit ka shkaktuar debat edhe në radhët e profesionistëve të drejtësisë. Disa avokatë kanë kërkuar ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, duke argumentuar se pezullimi i afateve për të gjithë të pandehurit për shkak të mungesës së njërit prej tyre mund të cenojë të drejtat individuale.

Sipas legjislacionit në fuqi, koha e qëndrimit në paraburgim llogaritet me koeficient të ndryshëm në raport me dënimin përfundimtar, duke pasur ndikim në kohëzgjatjen e vuajtjes së dënimit në rast të një vendimi fajësie.

Më herët, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur shtyrjen e seancës së radhës të gjykimit në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe të pandehurve të tjerë në këtë proces.

The post Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Veliajt për afatet e paraburgimit appeared first on Gazeta Si.

85-vjeçarja që jeton në instalacionin e saj artistik

21 July 2026 at 13:04

Sue Kreitzman nuk ka qenë gjithmonë artiste.

Sipas rrëfimit të saj, 85-vjeçarja, me origjinë nga Nju Jorku, “dështoi” në çdo lëndë arti që ndoqi ndonjëherë, nga shkolla fillore në shkollën e mesme.

Ishte në moshën 58 vjeç, pas karrierave të suksesshme si mësuese, autore librash gatimi dhe shefe kuzhine televizive, që jeta e Kreitzman mori një rrugë tjetër.

Ndërsa po shqyrtonte provat për librin e saj të fundit të gatimit, ajo mori një laps dhe vizatoi një sirenë.

“E pashë sirenën dhe sirena më shikoi mua dhe i dhashë një peshk në vend të një kapele. Ajo ishte në krye, jo unë. Sirena mori kontrollin e jetës sime. Nuk kam shkruar kurrë një libër tjetër gatimi. U fiksova pas vizatimit.”

Shtëpia e Kreitzman është e mbushur nga maja deri poshtë me piktura dhe skulptura, në çdo mur shumëngjyrësh, në çdo tavolinë, në çdo dhomë dhe korridor.

Është një instalacion arti ku ajo jeton.

The post 85-vjeçarja që jeton në instalacionin e saj artistik appeared first on Gazeta Si.

Trump kërkon të dhënat telefonike të gazetarëve të NY Times për të zbuluar burimet e tyre

21 July 2026 at 12:56

Nga Gazeta ‘Si’- Administrata e presidentit Donald Trump është përballur me kritika pasi u zbulua se kishte kërkuar të dhënat telefonike të disa gazetarëve të The New York Times dhe të afërmve të tyre, në një përpjekje për të identifikuar burimet konfidenciale që kishin zbuluar informacione mbi avionin e ri presidencial Air Force One.

Sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara në SHBA, Departamenti i Drejtësisë u ka dërguar urdhra kompanive të telefonisë për të siguruar regjistrat e telefonatave dhe mesazheve të gazetarëve.

Mes personave të përfshirë në kërkesë janë edhe familjarë të tyre, përfshirë nënën e një reporteri dhe bashkëshortët e dy gazetarëve.

Veprimi erdhi pasi The New York Times publikoi një artikull ku zyrtarë federalë shpreheshin të shqetësuar për aftësitë e sigurisë së avionit të ri Air Force One, një dhuratë nga Katari për presidentin Trump.

Raportimi shkaktoi reagimin e ashpër të presidentit, ndërsa Shtëpia e Bardhë ngarkoi drejtorin e FBI-së, Kash Patel, të mbikëqyrte hetimin për rrjedhjen e informacionit.

Avokatët e The New York Times kanë kërkuar në gjykatë anulimin e urdhrave, duke argumentuar se Departamenti i Drejtësisë ka shkelur rregullat e veta për mbrojtjen e mediave. Sipas tyre, gazeta u njoftua për kërkesat ndaj kompanive telefonike vetëm një javë pasi ato ishin lëshuar, gjë që e cilësuan si një veprim “thellësisht shqetësues”.

Për momentin, të gjitha urdhrat janë pezulluar deri në vendimin e gjykatës federale. Seanca për shqyrtimin e çështjes pritet të zhvillohet këtë të enjte në Manhattan.

Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë, Kiersten Pels, deklaroi se çdo urdhër është lëshuar në përputhje të plotë me ligjin federal dhe politikat e brendshme të institucionit, ndërsa The New York Times nuk ka bërë komente të tjera përtej padisë së depozituar në gjykatë.

The post Trump kërkon të dhënat telefonike të gazetarëve të NY Times për të zbuluar burimet e tyre appeared first on Gazeta Si.

‘Kanye West’ përplas Zhupën me Gonxhen: Si e konceptoni ju urgjencën e një koncerti privat?

21 July 2026 at 12:45

Nga Gazeta ‘Si’- Financimi me 4.3 milionë euro nga qeveria për koncertin e Kanye West ka sjellë debate në Komisionin për Turizmin mes ministit Blendi Gonxhja dhe kryetares së komisionit, Ina Zhupa.

Zhupa kërkoi shpjegime për arsyen e alokimit të fondeve publike për një ngjarje private, duke ngritur pyetjen se ku qëndronte urgjenca për një koncert të planifikuar.

“Ju keni dhënë 4.3 milionë euro për një koncert privat kur kishit premtuar që nuk do të jepnit asnjë lekë. Si e konceptoni ju urgjencën e një koncerti privat? Urgjencë ishte mos shitja e biletave? Cila ishte nevoja për t’u dhënë këto para?”, pyeti Zhupa.

Ajo kërkoi gjithashtu sqarime se çfarë do të ndodhte me fondet nëse Parlamenti nuk do ta miratonte financimin.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, deklaroi se procedura sipas tij ishte ndjekur sipas aktit normativ dhe se mbështetja ishte dhënë pasi ekzistonte rreziku që ngjarja të mos realizohej.

“Administrata ka vepruar sipas aktit normativ, menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Nëse do të kishte mosmbarëvajtje të koncertit dhe koncerti nuk do të ishte realizuar, atëherë do të hynim në pyetjen tuaj se si do t’i merrnim lekët”, tha Gonxhja.

Sipas ministrit, qeveria kishte qenë në dijeni për organizimin e koncertit prej rreth një viti dhe fillimisht kishte ofruar mbështetje për aspekte të tjera të ngjarjes, pasi promotorët kishin garantuar se shitja e biletave do të mbulonte një pjesë të rëndësishme të kostove.

“Nuk kemi qenë në dijeni, nuk ishim të përgatitur për financim pjesor të këtij eventi”, deklaroi Gonxhja.

Ai sqaroi se problemi lindi pasi ngjarja nuk garantonte më vetëfinancimin.

“Ishte në rrezik mos organizimi i eventit për arsye se eventi nuk kishte garantuar ecuri në vetëfinancim. Një event nuk financohet vetëm nga biletat, financohet edhe nga sponsorë etj. Ishte një situatë e paparashikuar”, u shpreh ministri.

Gonxhja shtoi se Shqipëria nuk mund të krahasohet me tregje më të mëdha ndërkombëtare ku evente të tilla mund të anulohen pa pasoja të mëdha.

“Nuk kemi luksin të krahasohemi me tregjet e huaja ku është anuluar koncerti. Nuk jemi as Italia, as Mbretëria e Bashkuar apo Polonia”, tha ai.

Gjatë debatit, ministri komentoi edhe çështjen e koncertit të Jennifer Lopez në Tiranë, duke deklaruar se ai ishte refuzuar për momentin, pasi artistja kishte kërkuar një garanci prej 2 milionë eurosh në rast protestash.

“Kjo është kostoja e destabilizimit të vendit. Për ata që e duan JLo në Tiranë, ta dinë që nuk e japim dot këtë garanci”, tha Gonxhja.

The post ‘Kanye West’ përplas Zhupën me Gonxhen: Si e konceptoni ju urgjencën e një koncerti privat? appeared first on Gazeta Si.

FIFA nis hetim ndaj Argjentinës pas përleshjeve në fund të finales së Botërorit

21 July 2026 at 12:29

Nga Gazeta ‘Si’- FIFA ka hapur një hetim disiplinor ndaj Argjentinës, pas skenave të tensionuara që shoqëruan përfundimin e finales së Kupës së Botës, ku lojtarë dhe pjesëtarë të stafit argjentinas u përfshinë në përplasje me futbollistët e Spanjës.

Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka caktuar një prokuror disiplinor dhe etik për të analizuar ngjarjet pas vërshëllimës së fundit në stadiumin MetLife, pas fitores 1-0 të Spanjës në finale.

Sipas FIFA-s, çdo lojtar apo trajner i përfshirë në incident mund të përballet me pezullime, ndërsa Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) mund të gjobitet.

Pas përfundimit të ndeshjes, disa futbollistë dhe pjesëtarë të stafit të Argjentinës u përfshinë në përplasje me lojtarët spanjollë, të cilët po festonin triumfin e tyre në Botëror. Mes emrave të përmendur janë Nahuel Molina, Leandro Paredes, Thiago Almada dhe ndihmësi i trajnerit Roberto Ayala.

Sipas pamjeve të publikuara, tensioni nisi pasi mesfushori spanjoll Rodri, i cili ishte zëvendësuar gjatë kohës shtesë, iu bashkua festimeve të skuadrës së tij dhe pati një përplasje me Molinën. Situata u përshkallëzua më tej me ndërhyrjen e Paredes dhe lojtarëve të tjerë.

Paredes u akuzua fillimisht se kishte goditur në fyt mbrojtësin spanjoll Eric Garcia dhe FIFA raportoi për një karton të kuq, por më pas vendimi u hoq nga regjistrat dhe organizmi konfirmoi se nuk kishte pasur masë disiplinore gjatë ndeshjes.

Argjentina kishte marrë ndërkohë një karton të kuq gjatë finales, pasi Enzo Fernandez u përjashtua pas dy kartonësh të verdhë në minutat shtesë.

Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, i cili u përpoq të qetësonte situatën në fushë, e minimizoi incidentin pas ndeshjes duke deklaruar se skuadra e tij di të pranojë humbjen.

Megjithatë, FIFA pritet të shqyrtojë nëse veprimet e lojtarëve dhe stafit kanë shkelur nenet që lidhen me sjelljen fyese, fair-play-in dhe dëmtimin e imazhit të futbollit.

Organi qeverisës i futbollit botëror ka mundësi të vendosë pezullime me efekt ndërkombëtar dhe gjoba. Në raste të mëparshme, FIFA ka marrë masa të ashpra ndaj sjelljeve që konsiderohen jashtë standardeve sportive.

Ky nuk është rasti i parë që Argjentina përballet me masa disiplinore. Federata argjentinase ishte gjobitur edhe pas Botërorit 2022 për sjelljen gjatë festimeve pas triumfit ndaj Francës, ndërsa më vonë portieri Emiliano Martinez u pezullua për sjellje të papërshtatshme në ndeshje kualifikuese.

Hetimi i ri vjen gjithashtu në një kohë kur AFA po përballet me një proces tjetër disiplinor për një pankartë të shfaqur pas fitores ndaj Anglisë në gjysmëfinale, ku përsëritej pretendimi argjentinas mbi ishujt Falkland.

FIFA nuk ka përcaktuar ende një afat për përfundimin e hetimit dhe vendimin përfundimtar ndaj lojtarëve apo Federatës Argjentinase.

The post FIFA nis hetim ndaj Argjentinës pas përleshjeve në fund të finales së Botërorit appeared first on Gazeta Si.

Pse ‘Odisea’ e Nolanit ka zemëruar grekët

21 July 2026 at 12:22

Nga Gazeta ‘Si’- Nga kohët e lashta deri në ditët e sotme, grekët kanë qenë gjithmonë të gatshëm të debatojnë për gjithçka që lidhet me trashëgiminë e tyre- nga pronësia mbi figurën e Helenës së Trojës, te Sparta dhe simbolet e mitologjisë së tyre.

Publikimi i filmit të ri “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan, ka sjellë një sukses të menjëhershëm në kinematë ndërkombëtare, por në tokën e Homerit ka hapur edhe një valë polemikash.

Në një vend ku fëmijët njihen me epet e Homerit që në klasën e shtatë, çdo përshtatje e tyre bëhet objekt diskutimi të gjerë: Sa besnik është Nolan ndaj historisë origjinale? Pse në kast nuk ka aktorë grekë? Dhe pse Helenën, “fytyrën që nisi një mijë anije”, e interpreton një aktore me origjinë afrikane?

Filmi hollivudian, ku Matt Damon luan rolin e mbretit Odise, ndjek linjën e eposit të Homerit: udhëtimin dhjetëvjeçar të heroit pas Luftës së Trojës për t’u kthyer te gruaja e tij Penelopa, gjatë të cilit përballet me perëndi, përbindësha dhe sfida mitologjike, për të gjetur në fund pallatin e tij të pushtuar nga rivalët.

Pjesë të filmit janë xhiruar në Greqi, duke përfshirë disa prej vendeve më simbolike të vendit: Pallatin e Nestorit në Pilos, plazhin Voidokilia, Kalanë e Methonit dhe Akrokorinthin. Grekët prisnin që trashëgimia e tyre natyrore të merrte vëmendje globale, ndërsa shihnin edhe një mundësi për të treguar se një epope 3 mijëvjeçare vazhdon të jetojë.

Produksioni përfitoi rreth 6.5 milionë euro subvencione nga shteti grek, në kuadër të skemës së rimbursimit për prodhimet filmike që realizohen në vend. Buxheti total i filmit arrin rreth 250 milionë euro.

Por debati shpërtheu pas zgjedhjes së aktores Lupita Nyong’o për rolin e Helenës së Trojës- gruas, rrëmbimi i së cilës nga princi trojan Paris u bë shkak për nisjen e luftës legjendare.

Kritikat nuk vonuan. Elon Musk e akuzoi Nolanin se kishte “shkelur” trashëgiminë e Homerit për t’iu përshtatur rregullave moderne të industrisë së filmit.

Edhe mediat greke zhvilluan debate të gjera mes historianëve, regjisorëve dhe kritikëve të filmit. Mbështetësit e zgjedhjes argumentojnë se mitet greke janë pjesë e trashëgimisë botërore dhe se artistët kanë liri krijuese për t’i interpretuar ato.

Kundërshtarët, ndërkohë, theksojnë se Homeri e përshkruan Helenën me tipare që lidhen me bukurinë- flokë të bukur, fytyrë të bukur dhe veshje elegante- por përmend vetëm një detaj fizik: “krahët e bardhë” të saj, duke lënë hapësirë për interpretim.

Partia e vogël opozitare ultra-ortodokse greke Niki kundërshtoi si zgjedhjen e aktores, ashtu edhe financimin publik të filmit, duke pretenduar se taksapaguesit grekë po financojnë imponimin e një “ideologjie woke” mbi historinë dhe identitetin kulturor grek.

Ministrja greke e Kulturës, Lina Mendoni, e hodhi poshtë idenë e ndërhyrjes shtetërore në zgjedhjet artistike.

“Roli i shtetit nuk është t’i diktojë një krijuesi se si duhet të interpretojë një vepër apo një mit. A mund të diskutojmë seriozisht nëse shteti duhet të censurojë Christopher Nolan?” tha ajo.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, tha se nuk kundërshton financimin publik të filmit, por pranoi se e ka të vështirë të kuptojë disa prej zgjedhjeve të regjisorit.

“Nolan ka shkuar shumë larg; nuk e di nëse po e bën për të fituar një Oscar”, tha ai për televizionin grek ANT1.

Një tjetër pikë debati ka qenë mungesa e aktorëve grekë në një film që trajton një prej veprave më të rëndësishme të kulturës greke. Faqja e diasporës Greek City Times i drejtoi një letër të hapur kastit dhe ekipit krijues, duke argumentuar se “Greqia nuk është vetëm një skenë e antikitetit. Është një vend i gjallë. Grekët nuk janë figura historike, janë bashkëkohës”.

Edhe Endy Zemenides, drejtues i Hellenic American Leadership Council, e quajti mungesën e aktorëve grekë një “mundësi të humbur” për Nolanin.

“Homeri u përket të gjithëve, por pse grekët mungojnë në ‘Odisean’ e Nolanit?” pyet revista greke Lifo.

Pavarësisht polemikave, filmi pritet të jetë një sukses global edhe në Greqi. Premiera u zhvillua të enjten dhe biletat u shitën me shpejtësi, ndërsa adaptimi i ri ka sjellë edhe rritje të interesit për botimet origjinale të eposit të Homerit./ Politico

The post Pse ‘Odisea’ e Nolanit ka zemëruar grekët appeared first on Gazeta Si.

U transportua në gjendje të rëndë në spital pas zhytjes në Radhimë, humb jetën turistja 30-vjeçare

21 July 2026 at 12:14

Një turiste rreth 30 vjeçe nga Finlanda u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, pasi ka shfaqur probleme të rënda shëndetësore gjatë një zhytjeje të zhvilluar paraditen e sotme, por edhe pse mjekët i dhanë ndihmën, nuk e mbajtën dot në jetë.

Sipas informacioneve paraprake, ajo ishte pjesë e një grupi zhytësish në zonën e Radhimës ku ndodhet dhe anija e mbytur Spitaliers, ku gjatë zhytjes dyshohet se ka pësuar mungesë oksigjeni, apo problem tjetër shëndetësor.

Turistja nuk është ndier mirë dhe është ndihmuar menjëherë nga zhytësit e tjerë, të cilët e kanë nxjerrë në sipërfaqe dhe më pas e kanë transportuar drejt Spitalit Rajonal të Vlorës.

The post U transportua në gjendje të rëndë në spital pas zhytjes në Radhimë, humb jetën turistja 30-vjeçare appeared first on Gazeta Si.

Protestat/ Rama: Sorrat dhe korbat kanë marrë peng bulevardin

21 July 2026 at 11:47

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka vijuar sulmet ndaj protestave të fundit, duke deklaruar se ato, sipas tij, janë “marrë peng” nga individë që i kanë dhënë një tjetër drejtim dhe i kanë kthyer në një pasqyrim të opozitës.

Gjatë një deklarate publike, Rama tha se protesta sipas tij është larguar nga qëllimi fillestar dhe është shndërruar në atë që ai e cilësoi si një “shëmbëlltyrë simetrike” me opozitën.

“Ai bulevard është i ndarë për histori. Historia e flamingove është historia e Shqipërisë së re. Historia e sorrave dhe korbave që e kanë marrë peng dhe e kanë kthyer në një shëmbëlltyrë simetrike me jashtënxjerrjen e asaj opozite që tani nuk dihet më ku është”, deklaroi Rama.

Kryeministri pretendoi se protestat përfaqësojnë, sipas tij, rikthimin e fenomeneve të së shkuarës dhe paralajmëroi për rrezikun që, sipas tij, vjen nga ekstremet politike.

“Është vetëm e shkuara që vjen në forma shumë të rrezikshme dhe shumë shqetësuese”, u shpreh ai, duke kritikuar mbështetësit e protestave si persona që, sipas tij, nxiten nga qëndrime ekstreme.

Rama tha gjithashtu se në ditët në vijim do të bëjë publike reflektimet e tij pas protestës, të cilën ai e përmendi si “protesta e flamingove”.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një periudhë kur protestat kundër qeverisë kanë vijuar prej javësh, me kërkesa për dorëheqjen e Ramës dhe kundërshtime ndaj disa nismave ligjore të mazhorancës.

The post Protestat/ Rama: Sorrat dhe korbat kanë marrë peng bulevardin appeared first on Gazeta Si.

Rama mbron Paketën e Maleve: Do ta kthejmë Shqipërinë në ‘Zvicrën e Vogël’

21 July 2026 at 11:40

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestave që prej javësh kanë përfshirë vendin, duke mbrojtur “Paketën e Maleve” dhe duke kundërshtuar kritikat ndaj kësaj nisme.

Në një komunikim në media sociale, gjatë një vizite në Theth, Rama tha se kundërshtarët e ligjit shpesh nuk e njohin përmbajtjen e tij dhe e gjykojnë situatën nga larg.

“Malet i shohin nga qyteti, politikën e gjykojnë nga kafeneja”, u shpreh kryeministri, duke argumentuar se paketa ka lindur për të zgjidhur probleme të hershme të pronësisë në disa zona malore të vendit.

Sipas Ramës, në disa territore, veçanërisht në veri të Shqipërisë, komunitetet nuk e kanë njohur apo zbatuar plotësisht ndarjen ligjore të tokës, duke krijuar ndër vite ndarje faktike mes banorëve.

Ai deklaroi se ligji synon të trajtojë këto problematika dhe të sjellë një zgjidhje për zonat ku konfliktet mbi pronësinë kanë vazhduar prej dekadash.

Reagimi i kryeministrit vjen në një kohë kur protestat kundër qeverisë kanë vijuar prej më shumë se 50 ditësh. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës dhe anulimin e disa nismave ligjore, përfshirë “Paketën e Maleve” dhe ligjin për Investimet Strategjike.

Kundërshtarët e këtyre nismave kanë ngritur shqetësime mbi mënyrën e trajtimit të pronës, transparencën dhe ndikimin e mundshëm ndaj komuniteteve lokale, ndërsa qeveria argumenton se masat synojnë zhvillimin ekonomik dhe rregullimin e çështjeve të pazgjidhura të pronësisë.

Rama ka reaguar gjithashtu ndaj kritikave të një qytetari gjatë një komunikimi live në media sociale, duke mbrojtur punën e qeverisë dhe veçanërisht “Paketën e Maleve”.

Gjatë transmetimit, një komentues e akuzoi Ramën se “mashtron dhe gënjen”, ndërsa kryeministri iu përgjigj duke thënë se vlerësimi për punën e tij duhet të bazohet te rezultatet dhe jo te akuzat.

“Për mua flet puna, faktet, për më tepër nuk flasin sharjet”, u shpreh Rama, duke shtuar se qeveria e tij punon për qytetarët dhe familjet shqiptare.

Duke iu referuar kritikave ndaj “Paketës së Maleve”, kryeministri deklaroi se kjo nismë synon t’u japë banorëve të zonave malore mundësinë për të përdorur pronat e tyre si burim zhvillimi dhe mirëqenieje.

Sipas Ramës, kundërshtimet ndaj kësaj pakete janë të nxitura nga keqkuptime dhe akuza, ndërsa ai e cilësoi atë si një projekt me rëndësi afatgjatë për vendin.

“Paketa e Maleve do të jetë histori e madhe e shqiptarëve, për të bërë Zvicrën e vogël”, tha kryeministri.

Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur “Paketa e Maleve” është bërë një nga çështjet kryesore të debatit publik dhe protestave të fundit, ku kundërshtarët e saj kanë ngritur shqetësime për çështjet e pronësisë dhe transparencën e zbatimit të saj.

The post Rama mbron Paketën e Maleve: Do ta kthejmë Shqipërinë në ‘Zvicrën e Vogël’ appeared first on Gazeta Si.

ECDC paralajmëron: Po rriten rastet e gonorresë rezistente ndaj antibiotikëve në Evropë

21 July 2026 at 11:12

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka paralajmëruar për rritjen e rasteve të gonorresë rezistente ndaj antibiotikëve në Evropë.

Sipas agjencisë, infeksionet nuk janë më vetëm të importuara nga jashtë kontinentit, por po përhapen gjithnjë e më shumë edhe në nivel lokal, veçanërisht në Francë, Gjermani, Suedi dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Ekspertët theksojnë se rezistenca në rritje ndaj antibiotikëve, si ceftriaksoni dhe azitromicina, mund të kufizojë ndjeshëm mundësitë e trajtimit në të ardhmen.

ECDC e cilëson këtë zhvillim si një sinjal serioz paralajmërues, duke bërë thirrje për forcimin e mbikëqyrjes dhe masave parandaluese.

Gonorrea është një nga infeksionet bakteriale seksualisht të transmetueshme më të zakonshme dhe, nëse nuk trajtohet, mund të shkaktojë komplikacione të rënda, përfshirë infertilitetin.

Në vitin 2024 u regjistruan mbi 106 mijë raste në Evropë, niveli më i lartë që nga fillimi i monitorimit në vitin 2009.

ECDC vlerëson se rreziku për popullatën e përgjithshme mbetet i ulët, por është më i lartë për personat me partnerë të shumtë seksualë, ata që kryejnë marrëdhënie pa mbrojtje dhe udhëtarët drejt zonave ku qarkullojnë variante rezistente të bakterit.

The post ECDC paralajmëron: Po rriten rastet e gonorresë rezistente ndaj antibiotikëve në Evropë appeared first on Gazeta Si.

Futbollistët me aftësi të kufizuara në Gaza rikrijojnë finalen e Kupës së Botës

21 July 2026 at 10:58

Futbollistët me aftësi të kufizuara të Gazës që humbën gjymtyrët gjatë luftës rikrijuan finalen e Kupës së Botës në një stadium të dëmtuar në Gaza City.

Videoja tregon lojtarët që veshin fanellat e Argjentinës dhe Spanjës duke u bërë gati për ndeshje, duke qëndruar pranë gjyqtarëve dhe një trofeu replikë përpara se të merrnin pjesë në një ndeshje simbolike në stadiumin Palestina në lagjen Tel al-Hawa.

Loja mblodhi së bashku atletët për të krijuar një moment gare dhe lidhjeje pavarësisht shkatërrimit përreth tyre. Lojtarët rikrijuan finalen e Kupës së Botës midis Spanjës dhe Argjentinës, me ekipin spanjoll që fitoi 3-1.

Eventi u organizua nën mesazhin ‘Gol për Gazën’.

The post Futbollistët me aftësi të kufizuara në Gaza rikrijojnë finalen e Kupës së Botës appeared first on Gazeta Si.

Pavarësisht shqetësimit të BSH-së, rritet kredia për banesa

21 July 2026 at 10:50

Kërkesa për kredi nga bizneset dhe individët vijoi të rritet edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, ndërsa bankat mbajtën politika kreditimi përgjithësisht të favorshme. Vrojtimi i Aktivitetit Kreditues i Bankës së Shqipërisë tregon se, edhe pse standardet për bizneset mbetën kryesisht të pandryshuara, individët përfituan nga lehtësimi i mëtejshëm i kushteve të financimit, ndërsa për bizneset e vogla dhe të mesme bankat u shfaqën më fleksibël.

Individët përfitojnë nga politika më lehtësuese

Në segmentin e individëve, tabloja rezulton edhe më pozitive. Bankat raportojnë se kanë lehtësuar standardet e kreditimit si për kreditë konsumatore, ashtu edhe për kreditë për blerjen e banesave.

Ndryshe nga bizneset, për individët është rritur edhe shkalla e miratimit të kredive, falë vlerësimeve më të mira për klientët ekzistues dhe historikut të marrëdhënieve me bankat. Kushtet e përgjithshme të kreditimit mbetën të pandryshuara, por konkurrenca në sektor vazhdon të ushtrojë presion për oferta më të favorshme.

Bankat raportojnë se kërkesa e individëve për kredi është rritur si për blerjen e banesave, ashtu edhe për financimin e konsumit.

Normat e interesit, besimi i konsumatorëve dhe pritshmëritë për tregun e pasurive të paluajtshme kanë qenë faktorët kryesorë që kanë nxitur këtë tendencë. Gjithashtu, edhe ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme është konsideruar si një element që ka mbështetur kërkesën për kredi në këtë periudhë.

Për individët, pritshmëritë janë për vijimin e politikave favorizuese si për kreditë konsumatore, ashtu edhe për kreditë hipotekore. Ndërkohë, kërkesa për kredi nga bizneset pritet të stabilizohet, ndërsa ajo nga individët të mbetet në rritje, duke reflektuar interesin e vazhdueshëm për financimin e konsumit dhe investimeve në banesa.

Bizneset kërkojnë më shumë kredi për investime dhe likuiditet

Sipas bankave, kërkesa për financim nga bizneset u rrit në të gjitha segmentet, si për ndërmarrjet e mëdha ashtu edhe për ato të vogla e të mesme. Interesi më i lartë lidhet me financimin e investimeve të reja, por edhe me nevojat për kapital qarkullues dhe likuiditet.

Rritja e kërkesës është mbështetur nga normat relativisht të favorshme të interesit dhe përmirësimi i besimit të biznesit, ndërsa shumë kompani po shfrytëzojnë kushtet aktuale të tregut për të zgjeruar aktivitetin ose për të financuar planet e investimeve. Nga ana tjetër, përdorimi i burimeve të brendshme të financimit dhe pasiguritë mbi ecurinë ekonomike kanë frenuar pjesërisht kërkesën për kredi.

Edhe pse kërkesa është rritur, bankat nuk kanë ndryshuar standardet e kreditimit për bizneset. Për bizneset e mëdha, kriteret mbetën të pandryshuara, ndërsa për bizneset e vogla dhe të mesme u vu re një lehtësim i moderuar.

Sipas vrojtimit, konkurrenca mes bankave vijon të jetë një nga faktorët kryesorë që i shtyn institucionet financiare të tregohen më tolerante ndaj rrezikut dhe të ofrojnë kushte më konkurruese për klientët. Po ashtu, raporti i kredive të miratuara ndaj aplikimeve mbeti pothuajse i pandryshuar, duke treguar se bankat nuk kanë rritur refuzimet për bizneset.

Për tremujorin e tretë, bankat presin që politikat e kreditimit për bizneset e mëdha të mbeten të pandryshuara, ndërsa për bizneset e vogla dhe të mesme standardet mund të lehtësohen edhe më tej.

The post Pavarësisht shqetësimit të BSH-së, rritet kredia për banesa appeared first on Gazeta Si.

Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë nuk ndalin rënien e euros

21 July 2026 at 10:34

Nga Gazeta ‘Si’- Banka e Shqipërisë ka blerë 139.6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor gjatë tremujorit të parë të vitit, në përpjekje për të rritur rezervën valutore dhe për të zbutur luhatjet e kursit të këmbimit. Megjithatë, zhvlerësimi i euros ndaj lekut ka vijuar. Tendenca rënëse nuk është ndalur gjatë muajve të fundit, ndërsa në fillim të korrikut kursi i këmbimit zbriti në rreth 93 lekë për euro, niveli më i ulët i viteve të fundit.

Përmes tre ankandeve, Banka bleu 44.1 milionë euro, ose mesatarisht 14.7 milionë euro për ankand, një nivel më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Paralelisht, gjatë tremujorit të parë Banka e Shqipërisë ndërhyri edhe në tregun valutor për realizimin e objektivave të politikës monetare dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Në katër ndërhyrje të veçanta u blenë gjithsej 95.5 milionë euro.

Në total, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë gjatë tremujorit të parë arritën në 139.6 milionë euro.

Për të gjithë vitin, Banka planifikon të blejë nga bankat tregtare 330 deri në 450 milionë euro, rreth 100 milionë euro më shumë se programi i ndërhyrjeve i vitit 2025. Sipas institucionit, flukset valutore rriten ndjeshëm gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë të vitit, kryesisht për shkak të të ardhurave nga turizmi. Për këtë arsye, edhe pjesa më e madhe e ankandeve zhvillohet gjatë kësaj periudhe.

Rezerva valutore që ndërton Banka e Shqipërisë shërben për të garantuar përmbushjen e nevojave të qeverisë për pagesat e borxhit të jashtëm, për të mbështetur tregtinë ndërkombëtare duke siguruar likuiditet në valutë për importuesit, si edhe për t’i dhënë mundësi Bankës Qendrore të ndërhyjë në treg në rast të luhatjeve të forta të kursit të këmbimit, me synim ruajtjen e stabilitetit financiar.

The post Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë nuk ndalin rënien e euros appeared first on Gazeta Si.

’900 thirrje në ditë’/ The Telegraph: Shqiptarët arrijnë numrin më të lartë të telefonatave ndërkombëtare

21 July 2026 at 10:31

Nga Gazeta Si- Shqiptarët dyshohen se po i drejtojnë aktivitetet e tyre kriminale nga burgu, pasi të dhënat zyrtare tregojnë se ata kanë bërë më shumë se dyfishin e telefonatave nga burgjet krahasuar me çdo kombësi tjetër, raporton The Telegraph.

Të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë kanë zbuluar se të burgosurit shqiptarë kanë kryer 157,962 telefonata nga burgu gjatë gjashtë muajve të fundit, që është e barabartë me gati 900 telefonata në ditë.

The Telegraph shkruan se Shqiptarët janë kombësia e huaj më e madhe për nga numri i të burgosurve në burgjet e Anglisë dhe Uellsit, me më shumë se 1,200 të burgosur, të ndjekur nga polakët dhe rumunët. Sipas të dhënave të shërbimit të burgjeve, numri i telefonatave të bëra nga të dënuarit shqiptarë ishte katër herë më i madh se numri i telefonatave të bëra përkatësisht nga polakët dhe rumunët.

Polakët, të cilët përbëjnë 740 të burgosur, bënë 209 telefonata në ditë (gjithsej 37,691), ndërsa rumunët, me 708 të burgosur, bënë 207 telefonata në ditë (gjithsej 37,307).

Numri i dytë më i lartë në total ishte ai i 73,541 telefonatave të bëra nga 678 të burgosur nga Irlanda, të ndjekur nga 57,867 telefonata të bëra nga 68 amerikanë.

Prof. Ian Acheson, ish-guvernator burgu dhe ish-këshilltar i qeverisë për ekstremizmin në burgje, tha se numri i telefonatave nga të burgosurit shqiptarë dukej “jashtëzakonisht joproporcional”.

“Ne e dimë se krimi i organizuar shqiptar dominon shpërndarjen e drogës brenda burgjeve. Sa shtrirje kanë ata jashtë burgut është më pak e qartë, por nuk do të ishte e habitshme nëse ata janë vazhdimisht në telefonat e tyre duke organizuar marrëveshje. Nuk është e paarsyeshme të sugjerohet se ekziston një lidhje mes këtyre gjërave”, tha ai.

Kriminelët shqiptarë kryesisht janë burgosur për vepra penale që lidhen me drogën ose vjedhjet. Ata janë specializuar në kultivimin e kanabisit, gjë që u ka mundësuar të zëvendësojnë vietnamezët si furnizuesit kryesorë vendas të kësaj droge në Britani, sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA).

Bandat shqiptare, të cilat më parë ishin specializuar në kokainë, kaluan te kanabisi sepse ai ishte “me rrezik shumë, shumë të ulët”.

Telefonatat lejohen nga telefonat e burgut, por numrat duhet të miratohen paraprakisht. Telefonatat mund të monitorohen kur zyrtarët e burgut besojnë se mund të ekzistojë rrezik për veprimtari kriminale.

The post ’900 thirrje në ditë’/ The Telegraph: Shqiptarët arrijnë numrin më të lartë të telefonatave ndërkombëtare appeared first on Gazeta Si.

BE ndalon asgjësimin e rrobave të pashitura, kompanitë detyrohen t’i shesin ose t’i dhurojnë

21 July 2026 at 10:16

Sipas rregullave të reja për reduktimin e mbetjeve, kompanitë e mëdha në të gjithë Bashkimin Evropian nuk mund të asgjësojnë më rroba, aksesorë dhe këpucë të pashitura.

Një ndalim për asgjësimin e veshjeve dhe këpucëve të pashitura hyri në fuqi të dielën (19.07.2026) në të gjithë Bashkimin Evropian, si pjesë e përpjekjeve më të fundit të BE për të reduktuar mbetjet.

Qindra mijëra tonë veshje mode asgjësohen çdo vit në 27 vendet anëtare të BE-së për shkak të dëmtimeve, stokut të vjetër dhe kthimeve të porosive online.

Rregulli i ri pritet të ndikojë te tregtarët e pakicës të modës, tregtarët me shumicë dhe prodhuesit e veshjeve, nga të cilët vetëm 20% prodhohen brenda BE-së.

Cilat janë rregullat e reja?

Sipas Rregullores së BE-së për Ekodizajnin e Produkteve të Qëndrueshme, kompanive të mëdha me më shumë se 250 punonjës dhe mbi 50 milionë euro xhiro neto vjetore u ndalohet të asgjësojnë stoqet e rrobave, aksesorëve dhe këpucëve të pashitura.

Kompanitë duhet tani të gjejnë mënyra për t’i shitur këto produkte, përfshirë përmes zbritjeve, tregjeve alternative dhe donacioneve për bamirësi.

Rrobat e pashitura mund të asgjësohen vetëm kur artikujt janë të pasigurt, të dëmtuar, të falsifikuar ose janë refuzuar nga organizatat bamirëse, sipas një njoftimi në faqen e Komisionit Evropian. Kompanive u kërkohet tashmë të publikojnë raporte vjetore mbi mallrat që kanë hedhur poshtë dhe të ruajnë dokumentacionin për pesë vjet. Rregullorja, e miratuar nga Brukseli më shumë se dy vjet më parë, do të zgjerohet edhe për kompanitë e mesme në vitin 2030. BE-ja shpreson që ky ndalim i asgjësimit të ndihmojë në uljen e emetimeve të CO₂.

Sa i madh është problemi i mbetjeve në industrinë e modës?

Shqetësimet për të ashtuquajturën “modë e shpejtë”(fast fashion), pra veshje të prodhuara masivisht, me kosto të ulët dhe cilësi më të dobët, janë rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit.

Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), rreth 4% deri në 9% e produkteve tekstile të pashitura asgjësohen çdo vit. Problemi është përkeqësuar nga rritja e shpejtë e blerjeve online dhe e produkteve të kthyera nga blerësit online.

Në BE, një në pesë artikuj mode të porositur online kthehet më pas te shitësi dhe nuk rishitet.

Në total, kjo përkthehet në qindra mijëra tonë rroba, aksesorë dhe këpucë.

Ndalimi i ri synon të zvogëlojë ndikimin në mjedis, pasi djegia e miliona veshjeve dëmton përpjekjet për uljen e emetimeve të gazeve serrë.

Shtetet e BE-së janë gjithashtu nën presion për të marrë në konsideratë mbetjet që krijohen nga lëndët e para, uji, energjia dhe transporti në sektorin e veshjeve, si dhe për të nxitur më shumë riciklimin dhe ripërdorimin e produkteve.

Në një postim të fundit në LinkedIn, Agjencia Evropiane e Mjedisit deklaroi se BE-ja dëshiron që industria e tekstileve të bëhet më e qëndrueshme. “Një ekonomi qarkulluese, ku produktet projektohen për të rezistuar më gjatë dhe ripërdoren, riparohen dhe riciklohen, nuk është më vetëm një vizion, por po përfshihet në legjislacion përmes këtyre masave të reja,” shkroi EEA.

Industria e modës ka mbrojtur vazhdimisht praktikat e saj, duke theksuar se asgjësimi i produkteve është shpesh më i lirë sesa ruajtja, riparimi ose shitja e tyre me zbritje.

Grupet mjedisore shpresojnë se ndalimi do të reduktojë mbetjet dhe mbiprodhimin.

Cili është reagimi ndaj ndalimit?

Federata Gjermane e Tregtisë me Pakicë (HDE) deklaroi se konsumatorët do të përfitojnë nga ky ndalim, pasi më shumë veshje me çmime të ulura do të dalin në shitje përmes outlet-eve, tregjeve të likuidimit dhe kanaleve të dorës së dytë.

Megjithatë, drejtori menaxhues i HDE-së, Stefan Genth, paralajmëroi se ndryshimi i rregullave do të jetë sfidues për shumë dyqane. “Jo të gjitha mallrat e pashitura mund të rishiten ose të dhurohen lehtësisht,” tha ai, duke përmendur si arsye paketimin e dëmtuar, kostot e larta logjistike, mungesën e kërkesës ose vlerën e ulët të produkteve. /DW/

The post BE ndalon asgjësimin e rrobave të pashitura, kompanitë detyrohen t’i shesin ose t’i dhurojnë appeared first on Gazeta Si.

Trump vendos tarifa prej 50% për Kanadanë, Carney zotohet të ‘intensifikojë’ bisedimet tregtare

21 July 2026 at 10:10

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur një tarifë prej 50% mbi një gamë të gjerë produktesh të importuara nga Kanadaja, si kundërpërgjigje ndaj asaj që ai e quajti trajtim të pabarabartë të makinave, produkteve të bulmetit dhe pijeve alkoolike amerikane.

Tarifat prekin produkte të konsumit të përditshëm, si vera dhe shkopinjtë e hokejit, si edhe mallra industriale, si çimentoja. Megjithatë, disa eksporte të rëndësishme kanadeze, si energjia, mineralet kritike dhe peshku, do të përjashtohen.

Kryeministri kanadez Mark Carney deklaroi se Kanadaja është e gatshme të intensifikojë bisedimet tregtare me SHBA-në gjatë javëve në vijim. Shtëpia e Bardhë njoftoi se tarifat do të hyjnë në fuqi pas 30 ditësh, duke shënuar një përshkallëzim të madh të tensioneve tregtare mes dy vendeve.

Kanadaja kishte vendosur më parë tarifa prej 25% ndaj disa mallrave amerikane si kundërpërgjigje ndaj masave të Trumpit. Më vonë, qeveria kanadeze hoqi disa prej tyre, por mbajti tarifat për makinat, çelikun dhe aluminin amerikan.

Trump argumenton se Kanadaja diskriminon SHBA-në përmes taksave mbi automjetet dhe pjesët e tyre, kufizimeve të importit të produkteve të bulmetit dhe bojkotit të pijeve alkoolike amerikane. Nga ana tjetër, autoritetet kanadeze thonë se këto masa janë përgjigje ndaj tarifave amerikane.

Më herët gjatë vitit, Gjykata Supreme e SHBA-së kishte vendosur se shumë prej tarifave të Trumpit të vendosura në bazë të kompetencave emergjente ishin të paligjshme. Tarifat e reja, megjithatë, bazohen në një ligj tjetër të vitit 1930, i cili trajton diskriminimin tregtar.

Zyrtarë dhe përfaqësues të biznesit në të dy vendet kanë bërë thirrje për vazhdimin e negociatave dhe arritjen e një marrëveshjeje përpara se tarifat e reja të hyjnë në fuqi.

The post Trump vendos tarifa prej 50% për Kanadanë, Carney zotohet të ‘intensifikojë’ bisedimet tregtare appeared first on Gazeta Si.

Korçë/ Përfshihet nga flakët automjeti, gjendet pa jetë 66-vjeçari, dyshohet se është vetëdjegur

21 July 2026 at 09:54

Një 66-vjeçar është gjetur i pajetë brenda një automjeti që u përfshi nga flakët mëngjesin e kësaj të hëne në lagjen nr. 10 të Korçës.

Sipas informacioneve paraprake të Policisë, viktima ndodhej në sediljen e parë të pasagjerit, ndërsa dyshohet se mund të jetë vetëdjegur brenda mjetit.

The post Korçë/ Përfshihet nga flakët automjeti, gjendet pa jetë 66-vjeçari, dyshohet se është vetëdjegur appeared first on Gazeta Si.

Atentati në Elbasan, reagon policia: Autori qëlloi me armë tre persona

21 July 2026 at 09:22

Tre persona kanë mbetur të plagosur pas një atentati me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të hëne në lagjen “Vullnetari” në Elbasan.

Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 20:30, një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me pistoletë në drejtim të dy personave.

Të plagosur kanë mbetur B. H. 19 vjeç, A. T. 32 vjeç, R. M. 31 vjeç. 19 vjeçari dyshohet se është kamarier në lokalin ku ka ndodhur ngjarja

Në momentin e ngjarjes, brenda lokalit ndodhej një oficer policie jashtë shërbimit. Sapo ka dëgjuar të shtënat, ai ka dalë dhe është vënë në ndjekje të autorit.

Gjatë largimit, autori ka hedhur armën e zjarrit dhe ka mundur të arratiset në thellësi të lagjes.

The post Atentati në Elbasan, reagon policia: Autori qëlloi me armë tre persona appeared first on Gazeta Si.

Tepelenë/ Kishte mbjellë vazo me kanabis, pranga 57-vjeçarit

21 July 2026 at 09:15

Një 57-vjeçar në Progonat të Tepelenës është vënë në pranga për kultivim kanabisi.

Policia zbuloi se në thellësi të kanioneve, ai kishte mbjellë në vazo 175 bimë të cilat u asgjësuan.

“I dyshuari, I. M., 57 vjeç, banues në Tepelenë, u arrestua në flagrancë, në thellësi të kanioneve në fshatin Progonat, në mes të të cilave kishte kultivuar në vazo, 175 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa”, thuhet në njoftimin e policisë.

The post Tepelenë/ Kishte mbjellë vazo me kanabis, pranga 57-vjeçarit appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 20 July 2026Gazeta Si

Elbasan/ Të shtëna me armë zjarri, dyshohet për 3 të plagosur

20 July 2026 at 21:11

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin e Elbasanit, në lagjen ‘Vullnetari’.

Një konflikt mes disa adoleshentëve ka përfunduar me një të plagosur dhe dy të tjerë të lënduar.

Ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali dhe sipas të dhënave paraprake, njëri prej adoleshentëve ka marrë plagë, ndërsa dy të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta, njëri i gërvishtur në këmbë dhe tjetri në krah.

Ndërkohë policia ka blinduar zonën.

The post Elbasan/ Të shtëna me armë zjarri, dyshohet për 3 të plagosur appeared first on Gazeta Si.

❌
❌