Reading view

Tronditet Kupa e Botës, sulmuesi 23-vjeçar arrestohet për trukim të ndeshjeve

Një skandal i rëndë ka tronditur Kupën e Botës 2026. Sulmuesi 23-vjeçar i Bregut të Fildishtë, Elye Wahi, është arrestuar nga policia franceze nën akuzat për mashtrim të organizuar dhe korrupsion sportiv.

Wahi (i cili luan për Nice në Francë) dyshohet se mori qëllimisht një karton të verdhë në ndeshjen e 17 majit kundër Metz, me qëllim që të favorizonte baste të paligjshme të vendosura paraprakisht. Ai u prangos nga autoritetet në Marsejë më 29 maj dhe u lirua pas marrjes në pyetje.

Pavarësisht se hetimi ndaj tij është ende i hapur, lojtari udhëtoi me kombëtaren dhe luajti si titullar në fitoren 1-0 të Bregut të Fildishtë kundër Ekuadorit. Megjithatë, e ardhmja e tij në turne është në rrezik: ndeshja e radhës luhet në Kanada dhe ky shtet mund t’i bllokojë hyrjen për shkak të rregullave të rrepta ndaj personave nën hetim penal.

  •  

Trump: Marrëveshja me Iranin synon shmangien e një katastrofe ekonomike

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gjatë një konference për shtyp në Francë, deklaroi se marrëveshja e pritshme me Iranin nuk është rezultat i negociatave të fundit, por një proces i ndërtuar prej vitesh.

Duke folur për samitin e G7 dhe bisedimet me aleatët, Trump tha se marrëveshja synon të shmangë një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit dhe pasojat e tij ekonomike.

“Nuk doja të shihja një ‘katastrofë ekonomike’ për shkak të luftës,” u shpreh ai, duke shtuar se një vazhdim i konfliktit mund të kishte çuar në pasoja të rënda globale.

Trump gjithashtu komentoi se udhëheqja aktuale e Iranit është “më e arsyeshme” dhe e aftë për të ndjekur një qasje të ndryshme krahasuar me të kaluarën.

Në deklaratat e tij, ai e lidhi zhvillimin e marrëveshjes edhe me ngjarjet e mandatit të tij të parë, duke përmendur operacionin amerikan që çoi në vrasjen e komandantit të Forcës Quds të Gardës Revolucionare iraniane, Qasem Soleimani, në janar 2020 në Bagdad.

  •  

Spektakël i vërtetë, Anglia dhe Kroacia “paqe” me katër gola në pjesën e parë

Anglia dhe Kroacia kanë mbyllur pjesën e parë në barazim spektakolar 2-2 në ndeshjen e Grupit L të Kupës së Botës 2026.

Harry Kane kaloi anglezët në avantazh në minutën e 12-të nga penalltia, ndërsa Martin Baturina barazoi për kroatët në minutën e 36-të.

Kane realizoi sërish në minutën e 42-të për 2-1, por në kohën shtesë të pjesës së parë Petar Musa shënoi pas asistimit të Ivan Perisic, duke vulosur rezultatin 2-2 para pushimit.

  •  

Sytë mund të zbulojnë rrezikun e Alzheimer/ Studimi: Retina si “pasqyrë” e shëndetit të trurit

Sytë, shpesh të quajtur “dritarja e shpirtit”, mund të shërbejnë gjithashtu si një tregues i rëndësishëm për shëndetin e trurit, sipas një studimi të botuar në “Journal of Alzheimer’s Disease”.

Studiuesit kanë zbuluar se imazhet e thjeshta të retinës, të njohura si fotografi të fundusit të syrit, mund të ndihmojnë në parashikimin e faktorëve të rrezikut të lidhur me zhvillimin e Alzheimer’s disease.

Hulumtimi, i bazuar në analizën e të dhënave të dhjetëra mijëra pacientëve, është realizuar nga studiues të Universitetit të Floridës, të cilët përdorën teknologji të mësimit automatik për të analizuar mbi 40,000 imazhe të retinës nga një databazë mjekësore në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas rezultateve, inteligjenca artificiale arriti të identifikojë ndryshime delikate në enët e gjakut të retinës dhe nervin optik, të cilat lidhen me faktorë rreziku si presioni i gjakut, gjinia, si dhe zakone të jetesës si duhani dhe konsumimi i alkoolit.

Studiuesit theksojnë se këto të dhëna shpesh janë të paplota në kartelat mjekësore, ndërsa imazheria e retinës mund të ofrojë një metodë më objektive për vlerësimin e rrezikut shëndetësor.

E njëjta grup kërkimor kishte treguar më herët se ndryshimet në retinë mund të lidhen edhe me praninë aktive të Alzheimerit. Tani, ata besojnë se teknologjia mund të ndihmojë në identifikimin e rrezikut shumë vite përpara shfaqjes së simptomave të sëmundjes.

“Ne e dimë që Alzheimeri zhvillohet gjatë dekadave, por shumica e mjeteve diagnostikuese fokusohen në fazat e avancuara,” u shpreh profesoresha Ruogu Fang nga Universiteti i Floridës. “Duke analizuar biomarkerë të rinj si shëndeti i retinës, mund të identifikojmë më herët pacientët në rrezik dhe të ndërhyjmë me masa parandaluese,” shtoi ajo.

Sipas studiuesve, kjo qasje mund të hapë rrugën për diagnostikim më të hershëm dhe për strategji më efektive në uljen e rrezikut të zhvillimit të sëmundjeve neurodegjenerative.

/abcnews.al/

  •  

“Unitet në Samitin e G7 për Ukrainën”, Softa: Fokusi te mbrojtja dhe sanksionet ndaj Rusisë

Eksperti i sigurisë Fatjon Softa, i ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, deklaroi se Samiti i G7 ka sjellë një afrim të qëndrimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve anëtare të NATO-s lidhur me luftën në Ukrainë.

Sipas Softës, në përfundim të samitit u vu re një unitet më i madh mes aleatëve perëndimorë, ndërsa fokusi për Ukrainën u përqendrua te forcimi i mbrojtjes dhe furnizimi me pajisje të avancuara teknologjike, kryesisht nga vendet europiane.

Ai theksoi se një tjetër element i rëndësishëm ishte rritja e sanksioneve ndaj Rusisë, si pjesë e strategjisë së Perëndimit për të vijuar mbështetjen ndaj Kievit.

“Në fund patëm një unitet ku fokusi për Ukrainën u përqendrua te mbrojtja, pajisjet e tjera të teknologjisë europiane dhe rritja e sanksioneve”, u shpreh Softa.

Eksperti nënvizoi gjithashtu se Ukraina është përgëzuar për rezultatet e saj në raport me luftën, duke vlerësuar rezistencën dhe aftësinë e saj për t’u përballur me agresionin rus.

  •  

Eksperti: Lufta në Ukrainë po hyn në një “frymëmarrje të shkurtër”, por pa zgjidhje politike në horizont

“Një relaksim i qëndrimit të presidentit amerikan Donald Trump ndaj luftës në Ukrainë është vënë re së fundmi, kryesisht për shkak të zhvendosjes së fokusit drejt krizës me Iranin”, kështu u shpreh ekspert i sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Egon Loli gjatë një interviste në emisionin “War Report” në ABC News.

Sipas tij, pasi situata me Iranin ka marrë një drejtim më të qartë, Trump është shfaqur më i relaksuar edhe gjatë Samitit të G7, duke lënë të kuptohet për një qasje më pak të tensionuar ndaj konfliktit në Ukrainë.

Eksperti vlerësoi se mund të ketë hapësirë për zgjidhje të pjesshme politike, si nga vendet perëndimore ashtu edhe nga Ukraina, por theksoi se mbështetja ushtarake për Kievin mbetet thelbësore.

“Ukrainës i duhen ende armatime dhe mbështetje e vazhdueshme. Megjithatë, vijojmë të mbetemi përballë ndarjeve të mëdha të hemisferave të influencës”, deklaroi ai.

Në përfundim, eksperti e cilësoi situatën aktuale si “një frymëmarrje të shkurtër”, por paralajmëroi se palët janë ende larg ndërtimit të një platforme të qëndrueshme politike për zgjidhjen e konfliktit që vazhdon prej më shumë se tre vitesh.

  •  

SHBA publikon draftin e marrëveshjes me 14 pika me Iranin

Zyrtarë amerikanë publikuan draftin e memorandumit të mirëkuptimit (MOU) me 14 pika ndërmjet Washingtonit dhe Teheranit, i cili synon t’u japë fund operacioneve ushtarake, të lehtësojë sanksionet ndaj Iranit dhe të nisë negociatat për një marrëveshje përfundimtare që do të arrihet brenda 60 ditëve

Dokumenti përcakton angazhime për sigurinë, lundrimin detar, lehtësimin e sanksioneve, çështjet bërthamore dhe bashkëpunimin ekonomik.

Sipas draftit, marrëveshja përfshin këto pika:

1. Përfundimi i operacioneve ushtarake: SHBA-ja, Irani dhe aleatët e tyre do t’u japin fund menjëherë dhe përgjithmonë operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, dhe do të shmangin kërcënimet ose përdorimin e forcës në të ardhmen.

2. Respektimi i sovranitetit: Të dyja palët do të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës dhe nuk do të ndërhyjnë në punët e brendshme.

3. Afati për marrëveshjen përfundimtare: Washingtoni dhe Teherani do të synojnë të arrijnë marrëveshjen përfundimtare brenda 60 ditëve, me mundësi zgjatjeje me pëlqim të ndërsjellë.

4.Përfundimi i bllokadës detare: SHBA-ja do të nisë heqjen e bllokadës detare dhe kufizimeve të tjera ndaj Iranit menjëherë dhe do ta përfundojë procesin brenda 30 ditëve. Forcat amerikane do të tërhiqen gjithashtu nga zonat pranë Iranit pas marrëveshjes përfundimtare.

5. Ngushtica e Hormuzit: Irani do të lehtësojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit, si dhe do të ndërmarrë përpjekje për pastrimin e minave dhe rikthimin e lundrimit normal.

6. Paketa e rindërtimit: SHBA-ja, në koordinim me partnerët rajonalë, do të zhvillojë një plan rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik për Iranin me vlerë minimale prej 300 miliardë dollarësh.

7. Heqja e sanksioneve: SHBA-ja do të heqë sanksionet ndaj Iranit, përfshirë masat e lidhura me OKB-në, rezolutat e bordit të IAEA-së dhe sanksionet amerikane.

8. Angazhimet bërthamore: Irani do të riafirmojë se nuk do të zhvillojë armë bërthamore dhe do të negociojë për rezervat e uraniumit të pasuruar dhe aktivitetet e tjera bërthamore.

9. Ruajtja e status quo-së gjatë bisedimeve: Deri në marrëveshjen përfundimtare, Irani do të ruajë gjendjen aktuale të programit bërthamor, ndërsa SHBA-ja nuk do të vendosë sanksione të reja ose forca shtesë.

10. Leje për eksportin e naftës: Departamenti amerikan i Thesarit do të japë menjëherë leje për eksportin e naftës iraniane dhe shërbimet përkatëse.

11. Lirimi i aseteve të ngrira: Washingtoni do të lirojë fondet dhe asetet e ngrira të Iranit, sipas procedurave që do të përcaktohen gjatë negociatave.

12. Mekanizëm monitorimi: Do të krijohet një mekanizëm i përbashkët ekzekutiv për të mbikëqyrur zbatimin e memorandumit.

13. Negociatat përfundimtare: Bisedimet për çështjet e mbetura do të nisin pas zbatimit të pikave kyç që lidhen me armëpushimin, sigurinë detare, eksportet e naftës dhe asetet e ngrira.

14. Miratimi nga OKB-ja: Marrëveshja përfundimtare do të miratohet përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Drafti synon të shërbejë si kornizë për një zgjidhje më të gjerë mes dy vendeve pas muajsh konfliktesh dhe tensionesh në rajon.

  •  

Zgjedhjet në Kosovë/ Brenda 10 ditëve përfundon numërimi i votave, VV siguron 53 mandate

Ka përfunduar brenda dhjetë ditësh numërimi i të gjitha votave të zgjedhjeve të 7 qershorit, përfshirë votat me postë, votat me kusht dhe ato nga Programi i Votuesve me aftësi të Veçanta.

Sipas rezultateve përfundimtare, Lëvizja Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i parë me 382 mijë e 865 vota, ose 47.13 për qind të totalit, duke siguruar 53 ulëse në Kuvend.

Partia Demokratike e Kosovës Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 157 mijë e 893 vota, ose 19.44 për qind, që i japin 22 mandate.

Lidhja Demokratike e Kosovës Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 135 mijë e 559 vota, ose 16.69 për qind, duke marrë 18 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 54 mijë e 731 vota, ose 6.74 për qind, që përkthehen në 7 mandate.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e numërimit më herët se afati i parashikuar, ndërsa hapi i radhës pritet të jetë rinumërimi i rreth 8 për qind të kutive të votimit.

Me këtë shpërndarje mandatesh, Vetëvendosje ka mundësi teorike për formimin e qeverisë pa koalicion me partitë e tjera shqiptare, por për zgjedhjen e presidentit nevojitet marrëveshje politike ndërmjet subjekteve.

Sipas skenarëve të mundshëm, një marrëveshje me PDK-në do të siguronte 85 vota në Kuvend, ndërsa një bashkëpunim me LDK-në do të sillte 81 vota, pak mbi pragun minimal kushtetues prej 80 deputetësh.

Ndërkohë, formimi i qeverisë pa Vetëvendosje mbetet i vështirë, pasi blloku i përbërë nga PDK, LDK dhe AAK nuk arrin shumicën prej 61 deputetësh pa mbështetjen e partive të komuniteteve joshqiptare.

Procesi zgjedhor pritet të finalizohet me shpalljen e rezultateve përfundimtare dhe certifikimin e tyre, që mund të ndodhë në fillim të korrikut nëse nuk paraqiten ankesa.

  •  

“Çdo ditë do të tregoj pse jeni e keqja e vendit”/ Përparim Rama sulmon VV dhe Kurtin, paralajmëron padi ndaj Mihalit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, me një postim në Facebook alarmon se vendi po shkon drejt autokracisë, “dhe kjo nuk duhet t’i ndodhë këtij shteti”, deklaron Rama.

Përparim Rama thotë se “synimi është i qartë. Të heshtet çdo zë kritik, derisa në fund të mbetet vetëm një e “vërtetë”, ajo që e thotë Albin Kurti”.

“Prandaj, ka nisur linçimi i gazetarëve. Prandaj tentohet diskreditimi i tyre, që të mos u besojë kur raportojnë skandalet e qeverisë dhe të partisë!”, vijon ai.

Tutje Rama thotë, “dhe pasi ta kapin gjyqësorin dhe mediat, Albin Kurti ka me dalë me na kallxu edhe çka me bo në shtëpitë tona. Kur u kritikua për rritjen e çmimit të rrymës, na tha: “Mos u nxeni shumë, mlohnu me qebe”. Nesër ka me na kallxu edhe nxemjen a me lshu në 1-sh, 2-sh apo 3-sh!!”.

Ai pyet, “a ka ofendim më të madh për këtë popull sesa të përfaqësohet nga çifti i Dejona Mihajlit?”. Duke shtuar se është duke përgatitur padi për shpifje ndaj Mihalit.

“Unë jam këtu dhe çdo ditë kam me tregu pse ju jeni e keqja ma e madhe qe i ka ndodh këtij vendi. Unë jam këtu, ku i kam varret e të parëve të mi dhe ku rriten fëmijët e mi”, shprehet Rama.

Postimi i plotë i Përparim Ramës:

A ka ofendim më të madh për këtë popull sesa të përfaqësohet nga çifti i Dejona Mihajlit? A ka fatkeqësi më të madhe sesa partnerit tonë më të madh strategjik, SHBA-së, t’i përgjigjet në emër të popullit të Kosovës, çifti i Dejona Mihajlit? A ka ofendim më të madh për këtë popull sesa për luftën e UÇK-së, të flas çifti i Dejona Mihajlit?

Per gjuhën e saj që e shpërfaq nivelin e saj jam duke përgatitur padi. Padi për shpifje. Është mësu ajo me u fsheh pas brigadave të Facebook-ut dhe mijëra profileve false, duke përçarë shqiptarët, duke i ofendu nënat tona, gratë, fëmijët, luftën, kontributin, atdheun dhe gjithçka që është e shenjtë.

Tash ka me u përballë me Prokurorinë, atë institucion që ende nuk keni arritë me e kapë!

Ju rikujtoj se nëse mendoni se me kërcënime e shantazhe keni me m’ndalë, harrojeni!

Unë jam këtu dhe çdo ditë kam me tregu pse ju jeni e keqja ma e madhe qe i ka ndodh këtij vendi. Unë jam këtu, ku i kam varret e të parëve të mi dhe ku rriten fëmijët e mi.

Kush jeni ju, kujt i shërbeni dhe pse jeni këtu, këtë ka me e kuptu shumë shpejt populli i Kosovës!

Të dashur qytetarë,

Po hyjmë në fazën më të rrezikshme si shoqëri: normalizimin e një mentaliteti totalitar, ku çdo zë kritik duhet të heshtet, të diskreditohet dhe, në fund, të burgoset.

Vetëvendosje, prej vitesh dhe në mënyrë të orkestruar, ka punuar për ta zhvlerësuar çdo vlerë të luftës çlirimtare, çdo hero dhe çdo familje dëshmori. Çdo njeri që ka dhënë për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës është sulmuar në mënyrën më të ulët. Janë fyer nënat e dëshmorëve, janë fyer heronjtë dhe qytetarët. Sepse për ta ky popull duhet të zhvishet nga çdo vlerë, që në fund në skenë të mbetet vetëm një emër, Albin Kurti.

Historia e njerëzimit na mëson se autokratët fillimisht i zhvlerësojnë kundërshtarët, pastaj i përndjekin dhe në fund i burgosin. Gjyqësori i lirë është pengesa e fundit mes qytetarit dhe pushtetit absolut, prandaj është institucioni që me ngulm po tentojnë ta nënshtrojnë.

Me një strategji të orkestruar mirë, i janë vërsulur edhe medieve. Skandali në Komisionin e Pavarur të Medieve, nuk është rastësi, por pasqyrë e mendësisë dhe e nivelit të njerëzve që VV delegon në institucione. Synimi është i qartë. Të heshtet çdo zë kritik, derisa në fund të mbetet vetëm një e “vërtetë”, ajo që e thotë Albin Kurti.

Prandaj, ka nisur linçimi i gazetarëve. Prandaj tentohet diskreditimi i tyre, që të mos u besojë kur raportojnë skandalet e qeverisë dhe të partisë!

Me të njëjtën metodë sulmohen edhe analistët, shumë prej tyre dikur miq e bashkëpunëtorë të tij, të cilët besuan se bashkimin kombëtar me Shqipnin e ka pas pernime! Ata e dinë më së miri kush është Albin Kurti dhe në fatkeqësinë e kujt ka kalkuluar ai?!

Dhe pasi ta kapin gjyqësorin dhe mediat, Albin Kurti ka me dalë me na kallxu edhe çka me bo në shtëpitë tona. Kur u kritikua për rritjen e çmimit të rrymës, na tha: “Mos u nxeni shumë, mlohnu me qebe”. Nesër ka me na kallxu edhe nxemjen a me lshu në 1-sh, 2-sh apo 3-sh!!

Në cilin sistem ndodh kjo? Është koha e fundit që secili ta kuptojë se po ecim drejt AUTOKRACISË. Dhe kjo nuk duhet ti ndodh këtij shteti!

  •  

G7 mbyllet me fokus Ukrainën, Zelensky: Premtimet duhet të kthehen në veprime

Samiti i G7, i cili u mbyll sot, 17 qershor, u dominua nga diskutimet për Ukrainën, Lindjen e Mesme dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në zhvillimet globale. Në përfundim të takimeve, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dha një mesazh të qartë për aleatët perëndimorë: Është thelbësore që gjithçka për të cilën u diskutua të vihet në praktikë.

Presidenti amerikan Donald Trump ishte në qendër të vëmendjes gjatë samitit, ndërsa liderët evropianë u përpoqën të ruanin një klimë bashkëpunimi me Uashingtonin, pavarësisht mosmarrëveshjeve të mëparshme. Në këtë atmosferë, Trump deklaroi se pas përfundimit të konfliktit me Iranin, vëmendja ndërkombëtare duhet të përqendrohet te lufta në Ukrainë.

Ndërkohë, vendet evropiane po përgatiten për një rol më aktiv në Lindjen e Mesme. Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Holanda kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në operacionet e pastrimit të minave në Ngushticën e Hormuzit, pas marrëveshjes së arritur mes SHBA-ve dhe Iranit.

Dita e djeshme e samitit iu kushtua kryesisht Ukrainës. Zelensky zhvilloi takime me liderët e G7, përfshirë edhe Trumpin, duke kërkuar më shumë mbështetje ushtarake për vendin e tij.

Sipas të dhënave të Institutit Kiel, SHBA nuk ka dërguar ndihmë të re ushtarake për Ukrainën që nga shkurti i vitit 2025. Për këtë arsye, Zelensky kërkoi jo vetëm vazhdimin e mbështetjes, por edhe mundësinë që Ukraina të prodhojë vetë një pjesë të sistemeve mbrojtëse Patriot.

Presidenti ukrainas paralajmëroi se Rusia vazhdon të rrisë kapacitetet ushtarake, duke prodhuar rreth 60 raketa balistike në muaj, ndërsa kapacitetet perëndimore për t’i neutralizuar ato mbeten të kufizuara.

Një tjetër temë kyçe ishte fondi “Purl”, mekanizmi i NATO-s për financimin e blerjes së armëve amerikane për Ukrainën. Deri më tani janë mbledhur rreth 6 miliardë dollarë, ndërsa objektivi për vitin 2026 është 15 miliardë dollarë.

Zelensky u bëri thirrje vendeve që ende nuk kontribuojnë në këtë fond, përfshirë Italinë, që të rrisin angazhimin e tyre. Megjithatë, ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, konfirmoi se Roma vijon të kundërshtojë pjesëmarrjen në program.

Në fund të samitit, lideri ukrainas përsëriti se mbështetja ndaj Kievit duhet të shkojë përtej deklaratave politike, duke kërkuar më shumë armë, sanksione më të forta ndaj Rusisë dhe presion diplomatik të koordinuar për të detyruar Moskën të rikthehet në tryezën e negociatave.

  •  

Njehsim falas i diplomave/ Mali i Zi, hiqet tarifa 3500 euro për konvertimin e diplomave të studimit në Shqipëri

Studentët nga Mali i Zi që kanë kryer studimet në gjuhën shqipe në universitetet e Shqipërisë nuk do të paguajnë më tarifën prej 3,500 eurosh për njëhsimin e diplomave të tyre, falë një bashkëpunimi mes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi dhe institucioneve përkatëse.

Masa prek veçanërisht pjesëtarët e pakicës shqiptare në Mal të Zi, të cilët ndjekin arsimin në gjuhën shqipe dhe përballeshin me procedura më të ndërlikuara administrative dhe financiare për njohjen e diplomave të fituara në Shqipëri.

Heqja e kësaj tarife konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt lehtësimit të procedurave të njohjes së diplomave, duke ulur kostot për studentët dhe familjet e tyre dhe duke e bërë procesin më të aksesueshëm dhe më të drejtë.

Që prej vitit 1991, pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Mal të Zi kanë përfituar kuota të lira studimi në universitetet shqiptare, në kuadër të mbështetjes për arsimin në gjuhën shqipe.

Në këtë proces është vlerësuar edhe angazhimi i Ministres së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit të Malit të Zi, Anđela Jakšić-Stojanović, e cila ka mbështetur nisma që lidhen me arsimin në gjuhën shqipe, përfshirë edhe përdorimin e Abetares Mbarëkombëtare në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.

Lehtësimi i procedurave për njohjen e diplomave pritet të krijojë kushte më të favorshme për vijimin e karrierës akademike dhe profesionale të të rinjve nga Mali i Zi që zgjedhin të studiojnë në Shqipëri, duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin arsimor mes dy vendeve.

  •  

Ronaldo nuk bëhet “Messi”/ Portugalia zhgënjen, barazim me Kongon

Në një ndeshje me ritëm të lartë dhe plot raste, Portugalia dhe Republika Demokratike e Kongos ndanë pikët pas një barazimi 1-1 në kuadër të Grupit K të Kampionatit Botëror 2026.

Portugalia e nisi ndeshjen më mirë dhe kaloi në epërsi shumë herët. Në minutën e gjashtë, Joao Neves finalizoi një aksion të bukur, duke shënuar me kokë pas një pasimi të zgjuar të Pedro Neto, për 1-0.

Kongo reagoi me një rast të artë në minutën e 11-të me Yoane Wissa, por sulmuesi humbi mundësinë duke e çuar topin ngjitur me shtyllën.

Pjesa e parë u mbyll me tension të madh dhe në kohën shtesë erdhi edhe barazimi. Në minutat shtesë, Kongo përfitoi nga një krosim i saktë i Arthur Masuaku, të cilin Yoane Wissa e shfrytëzoi në mënyrë perfekte duke shënuar me goditje të fuqishme për 1-1.

Në minutat e fundit, Bruno Fernandes pati rastin më të mirë për fitoren, por goditja e tij në minutën e 91-të përfundoi  jashtë shtyllës së djathtë, duke i mohuar Portugalisë tre pikët.

  •  

Kopliku: Koçekun e mbronin bandat, unë nuk futesha dot në zonat ku ajo kandidonte

Deputetja Marjana Koçeku e cila iku nga grupi parlamentar i PS-së, sot la të kuptohet se është kërcënuar nga fisi Bajri dhe u kundërpërgjigj po me një kërcënim. Duke komentuar rastin, drejtuesi i programit Brain Gain në PD, Ted Kopliku, tha se Koçeku mbrohej prej bandave, në zonat e Shkodrës ku ai kërkonte votë. ”Në ato zona ku unë kërkoja votë znj.Koçeku ishte e mbrojtur prej atyre bandave.

Source

  •  

Protestuesit duan dorëheqjen e kryeministrit, Klosi: Ne qeverisim, kemi marrë votën e 855 mijë njerëzve

A do ta japë Edi Rama dorëheqjen e kërkuar prej 18-të ditësh nga qytetarët protestues? Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi thotë u shpreh se nuk ekziston asnjë arsye që kryeministri të japë dorëheqjen, duke theksuar se mazhoranca aktuale ka marrë votat e qytetarëve për të qeverisur vendin. ”Nëse është kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit, mendoj se mazhoranca dhe kryeministri nuk…

Source

  •  

Protestuesit thirrje qytetarëve të ngrihen nga lokalet: Bashkohuni me ne në këtë REVOLUCION

Protestuesit këtë mbrëmje në marshimin e tyre kanë kaluar edhe në zonën e ”Shallvareve”, me thirrjet drejtuar qytetarëve për t’u bashkuar në protestën e tyre, të cilën e kanë cilësuar si një “revolucion” dhe është në ditën e 18-të. Ata kanë kërkuar që qytetarët që ndodheshin nëpër ambiente publike dhe lokale përreth zonës të lënë aktivitetet e tyre dhe t’i bashkohen grumbullimit masiv.

Source

  •  

Rama: Kështu vepruan lëvizjet ekstremiste në Europën e paraluftës…

Nga Edi Rama- NJË NGA MËSIMET E VYERA TË HISTORISË është se ekstremizmi e kërkon pushtetin duke filluar me rrugën. Një grup vendos se ka të drejtë të frikësojë të tjerët për hir të atdheut. Britma zë vendin e argumentit. Lukunizmi zë vendin e dialogut. Intimidimi paraqitet si aktivizëm dhe linçimi publik i tradhëtarëve si drejtësi e Zotit në emër të popullit.

Source

  •  

KUPA E BOTËS – Pas lotëve të Messit: Pse pas tripletës foli për “ditë të vështira”

Lionel Messi shpjegoi lotët e derdhur pas golit të parë kundër Algjerisë, duke folur për “ditë të vështira, për çështje shumë larg futbollit” dhe duke falënderuar ekipin për mbështetjen. Kjo ndodhi para se të shënonte tripletën e tij të parë në Kupën e Botës dhe të thyente rekordin e Klose. Problemi i tij më i thellë, i mbajtur sekret deri tani, lidhet me ankthin për diçka të keqe që mund t’i…

Source

  •  

Botërori: Anglia-Kroacia, formacionet zyrtare dhe dueli Kane-Modric

Në orën 22:00, Anglia dhe Kroacia do të përballen në një sfidë të shumëpritur, e cila shënon hapjen e Botërorit për britanikët. Kjo ndeshje, e cilësuar si një duel mes “fenomenëve” si Harry Kane dhe Luka Modric, ka ndezur atmosferën. Në Londër, zona e Kirby Estate është zbukuruar me flamuj anglezë, ndërsa tifozët britanikë shfaqin veshjet e tyre “kryqtarësh”. Nga ana tjetër, tifozët kroatë…

Source

  •  

Pas fjalimeve nis marshimi, qytetarët: Do të jemi këtu derisa klasa politike të shkojë në burg

Sonte në Tiranë po mbahet protesta e 18-të e qytetarëve që dolën fillimisht kundër projektit në Zvërnec, e tashmë kundër keqqeverisjes së vendit. Qytetarët u grumbulluan në sheshin ”Skënderbej”, për të marshuar më pas në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe për t’u stacionuar para Kryeministrisë, aty ku mbajtën fjalimet. “Dhe kjo nuk është një fitore e vogël, nuk është rastësi, as dhuratë që na…

Source

  •  

Balliu u bën thirrje protestuesve të mblidhen nesër te Parlamenti: Ejani t’i nxjerrim socialistët jashtë

Deputeti i PD-së, Klevis Balliu ftoi qytetarët protestues që të shkojnë te Parlamenti dhe së bashku t’i nxjerrin jashtë socialistët. Ai vuri në dukje nevojën për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe mbështetjen për protestat. “Hajde t’i nxjerrim nga Parlamenti! Nesër është protesta, të vijnë aty në Parlament, t’i qisin përjashta dhe ne i ndihmojmë t’i nxjerrin përjashta, dhe le ta vendosin këta…

Source

  •  
❌