Reading view

Mos kërkoni protestë perfekte, kërkoni protestë të madhe!

Një protestë e madhe nuk është kurrë e pastër, e rregullt, e filtruar dhe e kuruar sipas shijes së secilit. Aty do ketë njerëz që nuk mendojnë njësoj, që nuk votojnë njësoj, që nuk flasin njësoj, që nuk mbajnë të njëjtat pankarta dhe nuk kanë të njëjtën histori politike.

Do ketë qytetarë pa parti, demokratë, socialistë të zhgënjyer, njerëz të majtë, të djathtë, aktivistë, emigrantë, të rinj, të moshuar, figura publike, ata që këndojnë e hedhin valle, njerëz që kanë qenë aty prej muajsh dhe njerëz që sapo janë zgjuar. Kjo është pikërisht arsyeja pse protesta bëhet e rrezikshme për pushtetin.

Nëse fillojmë të themi “këta jo”, “ata të ikin”, “ky grup nuk na duhet”, “ai fjalim nuk më pëlqeu”, “ajo pankartë më bezdisi”, në fund do mbetemi pak. Dhe pushteti nuk ka frikë nga një protestë perfekte me pak veta. Ka frikë nga një protestë e madhe, e gjerë dhe e pamundur për t’u kontrolluar.

Duhet të ketë vend për të gjithë ata që duan të njëjtën gjë: fundin e një sistemi që ka marrë peng vendin.

Mos e zvogëloni protestën duke kërkuar që të gjithë t’ju ngjajnë. Numrat kanë rëndësi. Bashkimi ka rëndësi. Perfeksioni nuk rrëzon pushtete. Masa po.

The post Mos kërkoni protestë perfekte, kërkoni protestë të madhe! appeared first on iconstyle.al.

  •  

Bashkohuni në protestë! Punonjësit e shtetit nuk janë mburojë e pushtetit

Asnjë pushtet nuk mbahet vetëm nga ata që dalin në ekrane, firmosin tendera, japin urdhra apo bëjnë propagandë. Një sistem mbahet në këmbë edhe nga hallkat e vogla që e mbajnë çdo ditë në lëvizje: zyrat, administrata, bashkitë, institucionet, policia, njerëzit që e dinë çfarë ndodh, por janë mësuar të heshtin.

Shumë prej tyre nuk janë pjesë e abuzimit. Janë njerëz që kanë familje, paga, kredi, frikë, presion. Janë njerëz që ndoshta e shohin më qartë se kushdo tjetër se si funksionon ky mekanizëm. E dinë kur një urdhër është politik. E dinë kur një vendim është i padrejtë. E dinë kur institucioni kthehet në vegël partie.

Por një sistem fillon të bjerë jo vetëm kur qytetarët mbushin sheshet. Fillon të bjerë kur ata që janë brenda tij nuk pranojnë më të jenë hallka të bindura. Kur nuk pranojnë më të përdoren kundër qytetarëve. Kur nuk pranojnë më të mbajnë në këmbë një pushtet që i ka kthyer institucionet në pronë private.

Nuk kërkohet heroizëm. Kërkohet ndërgjegje. Kërkohet që secili, aty ku është, të kuptojë se shteti nuk është partia, rroga nuk është zinxhir dhe frika nuk mund të jetë arsye për të mbajtur në këmbë padrejtësinë.

Nëse hallkat nuk këputen nga brenda, sistemi do vazhdojë të shtypë nga jashtë. Dhe sot, më shumë se kurrë, kush punon në shtet ka një zgjedhje përpara: të jetë pjesë e heshtjes që e mban këtë sistem, apo pjesë e guximit që mund ta ndryshojë.

The post Bashkohuni në protestë! Punonjësit e shtetit nuk janë mburojë e pushtetit appeared first on iconstyle.al.

  •  

“U kurova falë rrjeteve sociale, jo falë sistemit”/ Dajana Kalo i përgjigjet Ramës: Po qytetarët e zakonshëm që nuk kanë zë, kush i dëgjon dhe kush i shpëton?

Reagimi i influenceres dhe modeles Dajana Kalo ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama për blogerët dhe influencerët ka ndezur debat në rrjetet sociale.

Por ndryshe nga shumë reagime të tjera, fjala e saj vjen nga një histori personale që pak muaj më parë tronditi opinionin publik.

Në janar të këtij viti, Dajana Kalo u përball me një nga betejat më të vështira të jetës së saj, pasi pësoi një hemorragji cerebrale si pasojë e një Malformacioni Arteriovenoz (MAV), një gjendje e rëndë që kërkonte ndërhyrje të specializuar urgjente. Në atë kohë, familjarët e saj denoncuan publikisht vonesat dhe mungesën e shërbimit në QSUT, ndërsa rasti i saj u kthye në simbol të debatit mbi gjendjen e sistemit shëndetësor shqiptar. Sipas denoncimeve të bëra atëherë, 25-vjeçarja qëndroi për javë të tëra në pritje të procedurave të nevojshme, ndërsa familja u detyrua të kërkonte ndihmë publike për trajtimin e saj.  

Historia e saj preku mijëra shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Përmes një fushate GoFundMe dhe ndihmës së mbledhur në rrjetet sociale, u siguruan qindra mijëra euro për trajtimin dhe operacionin e saj jashtë vendit. Më vonë, vetë Dajana njoftoi se ndërhyrja kishte rezultuar me sukses dhe se kishte nisur rrugën e rikuperimit.  

Pikërisht për këtë arsye, deklarata e Ramës duket se e ka prekur drejtpërdrejt.

Pas fjalëve të kryeministrit, i cili ironizoi blogerët duke deklaruar se “ata na tregojnë korrupsionin, ndërsa unë e kam treguar trupin para tyre”, Dajana reagoi me një seri postimesh të gjata në Instagram.

“Po, unë u kurova falë rrjeteve sociale, falë shqiptarëve që dhanë nga zemra, falë njerëzve që nuk më njihnin fare. Sepse po të prisja nga sistemi, kush e di si do kisha përfunduar. Dhe ky është turpi më i madh i një shteti: që një i sëmurë të detyrohet të kërkojë ndihmë në Instagram për të shpëtuar jetën.”

Ajo theksoi se problemi më i madh nuk është fakti që një person publik arrin të sensibilizojë opinionin, por fakti që mijëra qytetarë të zakonshëm nuk kanë këtë mundësi.

“Po ai që nuk ka rrjete sociale? Po ai që nuk është influencer, nuk është person publik dhe nuk ka mijëra njerëz që t’i dëgjojnë zërin? Po ai që nuk ka mundësi të shkojë jashtë vendit për t’u kuruar? Si ia bën ai? Kujt i drejtohet? Kush e dëgjon? Kush e shpëton?”

Në reagimin e saj, Kalo solli edhe historinë personale të familjes së saj, duke kujtuar prindërit e ndjerë.

“Prindërit e mi që ndërruan jetë nuk ishin as influencer, as bloger. Ata nuk kishin mijëra ndjekës, nuk kishin mundësinë që historia e tyre të bëhej virale. Shpresa që kishin te mjekësia këtu në Shqipëri u shua bashkë me ta. Ja pra zoti Kryeministër, për këto dalim dhe protestojmë. Për ata që nuk kanë zë. Për ata që nuk kanë mundësi.”

Më tej, ajo doli në mbrojtje të influencerëve, blogerëve dhe krijuesve shqiptarë të përmbajtjes, duke argumentuar se shpeshherë ata kanë qenë ndër të parët që kanë sensibilizuar publikun dhe kanë ndihmuar njerëz në nevojë.

“Dhe po, duhet të jeni falënderues për influencerat, blogerët, modelet dhe krijuesit shqiptarë. Sepse nuk janë vetëm fytyra të bukura në rrjetet sociale. Janë njerëz me zemër të madhe që kanë treguar se kur vjen puna të ndihmojnë, të sensibilizojnë dhe të shpëtojnë jetë, janë të parët që ngrihen.”

Reagimi i Dajanës ka marrë mbështetje të gjerë në rrjetet sociale, jo vetëm si një përgjigje ndaj deklaratës së kryeministrit, por edhe si rikthim i debatit mbi një pyetje që historia e saj ngriti muaj më parë: çfarë ndodh me qytetarët që nuk kanë famë, nuk kanë ndjekës dhe nuk kanë mundësi të mbledhin para në internet për të shpëtuar jetën?

The post “U kurova falë rrjeteve sociale, jo falë sistemit”/ Dajana Kalo i përgjigjet Ramës: Po qytetarët e zakonshëm që nuk kanë zë, kush i dëgjon dhe kush i shpëton? appeared first on iconstyle.al.

  •  
❌