Reading view

Ligji i ri absurd në Afganistan! Talebanët lejojnë të rrahësh gruan, por jo t’i thyesh kockat

Një ligj i ri penal i miratuar nga talebanët në Afganistan po shkakton tronditje dhe reagime të forta, pasi në praktikë lejon rrahjen e grave dhe fëmijëve, duke e konsideruar krim vetëm në rastet kur u thyhen kockat ose u shkaktohen plagë të rënda. Kodi i ri, tashmë në fuqi, ndryshon rrënjësisht mënyrën se si trajtohet dhuna në familje.

Sipas raportimeve mediatike, bashkëshortët, vëllezërit dhe familjarë të tjerë mund të ushtrojnë dhunë ndaj grave, për sa kohë që nuk shkaktojnë fraktura apo dëmtime të rënda. Në çdo rast tjetër, ndëshkimi trupor ndaj bashkëshortes apo fëmijëve nga burri ose kryefamiljari nuk konsiderohet vepër penale.

Kodi përcakton se nëse përdoret “forcë e padëshirueshme” dhe shkaktohen dëmtime të dukshme si fraktura, dënimi maksimal arrin vetëm deri në 15 ditë burg. Edhe në këto raste, ndjekja penale varet nga fakti nëse gruaja arrin të provojë dhunën në gjykatë, një kusht që e bën pothuajse të pamundur ndëshkimin real të autorëve.

Ligji vendos gjithashtu kufizime të ashpra ndaj lirisë së grave. Atyre u ndalohet të dalin nga shtëpia pa lejen e burrit ose babait dhe mund të dënohen nëse zbulojnë pjesë të trupit në publik. Një grua e martuar që viziton familjen e saj pa lejen e shprehur të bashkëshortit përballet me deri në tre muaj burg, një dispozitë që ka shkaktuar reagime të gjera.

Talebanët zbatojnë sheriatin si bazë të sistemit ligjor që nga rikthimi i tyre në pushtet. Që prej marrjes së kontrollit, kufizimet ndaj grave janë përshkallëzuar, ndërsa atyre u është ndaluar edhe e drejta për arsimim në çdo nivel, duke i lënë të përjashtuara nga jeta publike dhe institucionale e vendit.

The post Ligji i ri absurd në Afganistan! Talebanët lejojnë të rrahësh gruan, por jo t’i thyesh kockat appeared first on iconstyle.al.

  •  

BE heton Shein për kukulla seksi që duken si fëmijë

Shein, gjiganti i modës online me çmime të ulëta, është vënë nën hetim nga Komisioni Evropian pas një skandali që ka tronditur opinionin publik. Bëhet fjalë për dyshime mbi shitjen e produkteve të paligjshme, përfshirë kukulla seksi që ngjajnë me fëmijë.

Komisioni Evropian njoftoi se ka hapur procedura zyrtare ndaj kompanisë sipas Aktit për Shërbimet Dixhitale. Hetimi do të shqyrtojë nëse platforma ka lejuar në faqen e saj produkte që mund të përbëjnë materiale abuzimi seksual me fëmijë, si dhe nëse ka dështuar të vendosë filtra të mjaftueshëm për t’i ndaluar ato.

Autoritetet evropiane do të analizojnë gjithashtu mënyrën se si funksionon platforma. Në fokus janë sistemet e rekomandimit që sugjerojnë produkte për përdoruesit, si dhe elementë të dizajnit që mund të nxisin varësi apo konsum të pakontrolluar. Sipas rregullave të reja të BE-së, Shein duhet të jetë transparente për mënyrën se si funksionojnë këto algoritme dhe të ofrojë alternativa që nuk bazohen në profilizimin e përdoruesve.

Skandali shpërtheu në nëntor, pas hapjes së një dyqani fizik të Shein në Paris. Protestat në Francë çuan në reagimin e qeverisë franceze, e cila i kërkoi Bashkimit Evropian të ndërhyjë. Përveç kukullave seksi që ngjajnë me fëmijë, platforma u kritikua edhe për praninë në shitje të produkteve të tjera të paligjshme si armë zjarri, thika dhe hanxharë.

Qeveria franceze kërkoi pezullimin e aksesit në faqen e Shein në Francë, por një gjykatë e ndaloi këtë vendim dhe i kërkoi Komisionit Evropian të nisë hetim të plotë sipas ligjit evropian për shërbimet dixhitale.

Komisioni theksoi se aktualisht bëhet fjalë për një hetim dhe jo për një vendim përfundimtar. Nëse konstatohet shkelje, Shein mund të detyrohet të ndryshojë praktikat e saj ose të përballet me gjoba të rënda.

Shein ka bazën e saj brenda BE-së në Irlandë, vend ku janë regjistruar shumë kompani të mëdha teknologjike për shkak të taksave të favorshme. Për vitin 2024, xhiroja globale e kompanisë është llogaritur rreth 38 miliardë dollarë. Kompania ka zhvendosur më herët selinë nga Kina në Singapor për arsye rregullatore dhe financiare, duke përshpejtuar zgjerimin e saj ndërkombëtar.

Rasti i fundit e vendos Shein në qendër të një debati më të gjerë mbi kontrollin e platformave online dhe përgjegjësinë e tyre për produktet që shesin.

The post BE heton Shein për kukulla seksi që duken si fëmijë appeared first on iconstyle.al.

  •  
❌