Reading view

Noizy, 39 vjeç, shembulli më i keq i një modeli: Shtyn rininë drejt kumarit, i fton publikisht në kazino

Ka një moment kur një artist nuk është më vetëm artist, por bëhet një figurë që formon mendësi. Dhe në Shqipëri, fatkeqësisht, Noizy është kthyer në simbolin më të dëmshëm të këtij realiteti. Një 39-vjeçar që prej vitesh ushqen me tekste të mbushura me lekë, sherre dhe “fuqi rrugësh” një brez të tërë adoleshentësh që e shohin si mit. Dhe tani, pasi ka lodhur tregun me glorifikimin e dhunës dhe arrogancës, ka kaluar në fazën tjetër: nxitjen e kumarit.

Në një seri postimesh në Snapchat, Noizy shihet duke ftuar publikisht ndjekësit e tij, shumica të rinj, që të vijnë në Grand Casino Tirana, për ta parë “live” duke luajtur.

“Mrom kena kap fuqishem. Fati fillestarit. @grandcasino_tirana”, shkruan ai, me emoji si për të bërë gjithçka të duket “fun”. Në postim fton edhe Varrosin të luajnë sërish.

Në postimin tjetër, ai vazhdon joshjen:

“A e din ça do bëj meqë kapa leke mrom? 50 vetat e pare qe do vijne me na pa sonte tu lujt ne¨Grand Casino Tirana ne Hotel Plaza, do ju jap leke nga ana ime per te lujt per qef. See you 20:30, 21:00. Lutuni të fitojmë, mos hajdeni me energji të keqe. Plus 50 personat e pare qe vini kam nje surprize te vogel per te gjithe ju, 21 vjec.”

Pra një burrë 39 vjeç, që e di shumë mirë fuqinë që ka mbi të rinjtë, i fton të shkojnë në kazino. U jep para që të luajnë. Dhe e paraqet këtë si një “loje”, si një “fun night out”. Dhe pikërisht këtu nis tmerri. Sepse kushdo që e njeh realitetin e lojërave të fatit, e di se ato nuk janë lojëra. Janë kurthe. Dhe kur një adoleshent hyn aty, i shtyrë nga idhulli i tij, rrallë del më jashtë.

Ky është shembull i pastër i degjenerimit të një modeli publik që s’ka më asnjë ndjenjë përgjegjësie. Nuk mjaftoi që për vite të tëra të ushqente një kulturë agresioni dhe maskilizmi, tani po e mbyll ciklin duke u bërë reklama ambulante të një kazinoje. Në një vend ku rreth çdo lagjeje ka një bastore dhe ku dhjetëra familje janë rrënuar nga varësia ndaj kumarit, Noizy po u tregon të rinjve që “fitorja” vjen nga tavolina e fatit, jo nga puna.

Nuk është çudi pse në vende serioze, për sjellje të tilla, artistët “cancelohen”. Sepse një figurë publike që ushqen varësi e prish mendje, është më e rrezikshme se çdo reklamë. Aty ku ne duhej të kishim njerëz që frymëzojnë, kemi një njeri që tallet me konceptin e edukimit, që shpërndan para për të joshur audiencën më të brishtë, që i mëson brezit të ri se suksesi matet me sa rrotullon, jo me sa krijon.

Noizy është 39 vjeç. Moshë ku një artist zakonisht kthehet në mentor, në njeri që reflekton, që jep diçka për të tjerët. Por ai ka zgjedhur rrugën e kundërt: të bëhet spot i gjallë për kumarin.

Ndoshta për Noizyn kjo ishte thjesht një marrëveshje reklame. Një ftesë e paguar, një postim për të promovuar një kazino dhe për të marrë fitimin e tij personal. Por ajo që për të është një “deal” i rradhës, për publikun e tij është helm. Sepse çdo fjalë e tij ndiqet, kopjohet dhe normalizohet nga një audiencë që ende nuk di të dallojë lojën nga varësia, shakanë nga realiteti. Ai mund të ketë fituar diçka për vete, por ka humbur çdo ndjenjë përgjegjësie ndaj mijëra të rinjve që po i mëson të kërkojnë “fatin” në tavolinë, jo në jetë. Dhe ky është dëmi më i madh që lë pas.

Kjo është fytyra e një “idhulli” që ka humbur çdo sens realiteti. Një 39-vjeçar që i jep brezit të ri leksione për lekë, luks dhe tani edhe për kazino. Dhe ndërkohë që shumë prindër përpiqen t’u tregojnë fëmijëve rrugë të tjera, një “artist” po ua shkatërron me një story që zgjat 10 sekonda. Por efektin e këtij story, shoqëria do ta vuajë për vite!

/ICONSTYLE

The post Noizy, 39 vjeç, shembulli më i keq i një modeli: Shtyn rininë drejt kumarit, i fton publikisht në kazino appeared first on iconstyle.al.

  •  

“Nuk më trajtuan kështu as në Arabinë Saudite”/ Volejbollistja braziliane Nayara Ferreira e tronditur pas testit të gjinisë në Shqipëri

Një ngjarje e pazakontë në sportin shqiptar ka tronditur botën e volejbollit. Volejbollistja braziliane Nayara Ferreira, që luan për ekipin e Dinamos në kategorinë e parë të volejbollit për femra, është detyruar t’i nënshtrohet një testi për përcaktimin e gjinisë pas ankesave të dy ekipeve rivale. Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) vendosi gjithashtu ta pezullojë përkohësisht nga aktiviteti sportiv, gjë që, sipas sportistes, e ka lënë të “shkatërruar dhe pa fjalë”.

“Ndjej sikur jam shkatërruar, sikur po humbas mendjen, sepse mendoj shumë pse më ndodhi kjo, pse ma bënë këtë,” tha Ferreira për DW. “Çdo ditë në dhomën time e pyes veten për këtë dhe deri tani nuk e di përgjigjen. Nuk e kuptoj pse jam në këtë situatë.”

Ferreira tregon se as në vendet më konservatore ku ka luajtur, si Arabia Saudite, nuk është përballur me një trajtim të tillë.

“Më kërkuan të bëja një test gjinie. Kam luajtur në shtatë vende, përfshirë edhe Arabinë Saudite. Kurrë më parë nuk më është bërë një pyetje e tillë,” shprehet ajo.

Pezullimi i sportistes u vendos në tetor, pasi ekipet kundërshtare paraqitën dokumente dhe kërkuan verifikime të mëtejshme mbi gjininë e saj. Në kërkesën e Federatës thuhet se “analizat përkatëse do të kryhen për të verifikuar performancën fizike natyrore dhe për të përcaktuar gjininë e lojares së ekipit Dinamo, Estephanie Goulart Ferreira Nayara”.

Klubi Dinamo e ka konsideruar vendimin si absurd dhe thellësisht ofendues për një sportiste me përvojë ndërkombëtare dhe karrierë të gjatë. Ferreira ka qëndruar e pezulluar për tri javë, duke humbur tri ndeshje të rëndësishme, ndërsa thotë se gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka marrë asnjë shpjegim zyrtar nga FSHV.

“Nuk kam fjalë ta përshkruaj se si ndihem. Pse po ma bëni këtë [FSHV]? Vetëm sepse shikoni fytyrën time, vetëm sepse shikoni flokët e mi?”, tha ajo.

Ferreira pranon se e bëri testin me dëshirë, por vetëm për të ndihmuar klubin e saj.

“Nuk kam nevojë t’i dëshmoj askujt që jam grua, sepse jam grua. Kjo është 100%.”

Kapitenia e Dinamos, Elena Bego, tregoi se lajmi për pezullimin e shokës së ekipit i kishte lënë të gjitha vajzat të tronditura.

“Ishte pjesërisht detyra ime t’ua komunikoja vajzave të tjera. Të gjitha mbetëm të shokuara, ky rast është tepër skandaloz. Ne e kemi mbështetur Nayara-n gjatë gjithë kohës, sepse e dimë që ajo është vajzë,” tha Bego për DW.

Trajneri i Dinamos, Orlando Koja, nënvizoi se pezullimi i Ferreira-s ka ndikuar edhe në performancën sportive të ekipit, pasi mungesa e saj në fushë ka qenë një humbje e ndjeshme.

Përtej aspektit personal, Ferreira e sheh këtë ngjarje si një problem më të gjerë që prek respektin dhe dinjitetin e grave në sport. “Mendoj se pas kësaj situate duhet të reflektojmë se çfarë do të thotë respekti. Sepse me gjëra të tilla ata i shkatërrojnë gratë në sport,” u shpreh ajo.

Debati për identitetin gjinor në sportin e femrave është bërë gjithnjë e më i mprehtë në arenën ndërkombëtare, veçanërisht pas polemikave rreth boksieres algjeriane Iman Khelif, që fitoi medalje të artë në Lojërat Olimpike të Parisit. Në këtë linjë, Federata Botërore e Atletikës ka vendosur që testet e gjinisë të jenë të detyrueshme për të gjitha sportistet që marrin pjesë në garat ndërkombëtare.

Rasti i Nayara Ferreira-s ka hapur një debat të ri mbi kufirin mes kontrollit institucional dhe respektit ndaj integritetit personal të sportisteve, duke ngritur pyetje të forta për mënyrën se si trajtohen gratë në sportin shqiptar.

The post “Nuk më trajtuan kështu as në Arabinë Saudite”/ Volejbollistja braziliane Nayara Ferreira e tronditur pas testit të gjinisë në Shqipëri appeared first on iconstyle.al.

  •  

Në kërkim të Zotit jashtë dogmave: Teologia Merjem Lumi heq shaminë, lë fenë dhe rrëfen zhgënjimin e madh nga Islami

Teologia që dikur fliste për Zotin me pasion, sot thotë se “Zoti e ka braktisur”. Merjem Lumi, një prej grave të pakta shqiptare që mori guximin të flasë publikisht për Islamin në rrjetet sociale, është rikthyer me një rrëfim që përmbys çdo gjë që ajo ka predikuar për gati çerek shekulli. Ajo shfaqet pa shami, me tatuazh në trup dhe me një identitet të ri: Maria, emri që i kishte dhënë gjyshja para se të hynte në Islam. Pas 24 vitesh përkushtim fetar, ajo del përpara publikut jo si një “ish-teologe”, por si një njeri që po kërkon Zotin jashtë çdo dogme. “Nuk jam kthyer e krishterë,” thotë ajo, “por nuk jam më as ajo që kam qenë.” Dhe në këtë “askund” mes besimit dhe boshllëkut, fillon historia e saj.

Merjem Lumi ishte një ndër figurat më të njohura të predikimit islam në rrjete sociale. Një grua që vinte nga Korça, ishte rritur në Durrës dhe në moshën trembëdhjetëvjeçare kishte vendosur të konvertohej në Islam. Në atë moshë, kur shumë vajza shqiptare mendojnë për shkollën apo modën, ajo vendosi hixhabin dhe udhëtoi drejt Damaskut, për të ndjekur studimet teologjike. E diplomuar në qytetin ku çdo rrugicë mban aromë historie fetare, ajo u kthye në Shqipëri me bindjen se kishte një mision: të përhapte fjalën e Zotit, të sillte dashuri, paqe dhe moral. Por rrjeti që dikur e duartrokiti, ishte i njëjti që më pas do ta linçonte.

Në kulmin e karrierës së saj publike, Merjemi u përfshi në përplasje të hapura me imamë të tjerë, mes tyre edhe me Ahmed Kalanë. Ajo kritikonte përsëritjen mekanike të predikimeve, mungesën e thellësisë dhe shpesh i kundërvihej atyre që përpiqeshin ta “disiplinonin” si grua.


Në një video që u bë virale, ajo deklaronte: “Një grua e la burrin se ishte më pak i bukur se shokët e tij.” Deklaratë që u keqinterpretua, u mor si provokim dhe brenda pak ditësh e ktheu në objekt talljeje dhe sulmesh. Pasuan akuzat: se kishte përfituar para nga besimtarët, se kishte blerë shtëpi me to, se kishte dalë nga rregulli fetar. Ajo e mohoi çdo gjë, por vala e mllefit publik ishte më e madhe se çdo fjalë mbrojtjeje. Kur vendosi të largohej nga rrjetet, tha se e bënte për paqe, për të mos u bërë shkak për përçarje, por as atëherë nuk gjeti qetësi. “Mendoja se Islami ishte feja e paqes, por për mua rezultoi feja e dhunës dhe e luftës karshi meje si individ.

Në rrëfimin e saj të fundit, Maria tregon se si, pas tërheqjes, ka kaluar një vit të mbushur me kriza identiteti dhe emocionale të rënda, depresion, vetmi dhe pyetje të dhimbshme që çdo besimtar mund t’i ketë menduar, por pak kanë guxim t’i thonë. “Kam menduar se Zoti më do, kam menduar se jam në shërbim të Tij, por pse Zoti nuk më mbrojti nga gjithë kjo dhimbje? Pse Zoti më la të shkatërrohem?

Një pyetje që tingëllon blasfemuese për dogmën, por thellësisht njerëzore për psikikën e një besimtareje që sheh se as devotshmëria nuk të shpëton nga vuajtja. Kjo është pika ku feja ndalon dhe fillon drama njerëzore: përplasja midis besimit të mësuar dhe përvojës së jetuar.

Ajo përshkruan veten si njeri që ka bërë çdo gjë “siç duhet”: është falur më shumë se kushdo, ka bërë dhikr, ka përmendur emrin e Zotit pa pushim, ka edukuar fëmijët e saj në besim, e megjithatë Zoti nuk e ka mbrojtur. Për psikologjinë e besimit, ky moment është thyerja. Kur besimtari i devotshëm përballet me dhimbje që nuk përputhen me premtimet e fesë, ndodh kriza e parë e vërtetë shpirtërore. Aty ku racionaliteti i fesë dështon, lind pyetja ekzistenciale: a është Zoti drejtësia që më kanë mësuar, apo është diçka tjetër që nuk e kuptoj? Dhe për shumë si Merjemi, përgjigjja është boshësi. “E ndjej që Zoti nuk më do. Jo vetëm që nuk më do, por më ka braktisur.”

Në thelb, ajo po përjeton atë që psikologjia moderne e quan traumë fetare, një gjendje ku individi ndjen se është tradhtuar nga vetë sistemi i besimit që ka ushqyer. Ajo nuk po e mohon Zotin, por ndjen se Zoti që i mësuan, ai i rregullave dhe premtimeve, nuk ekziston më. Kjo është ajo që ajo e quan “vdekja e Merjemit”. Personazhi publik, gruaja me hixhab, predikuesja që dikur kishte miliona dëgjues, për të “ka vdekur”. Ajo që ka mbetur është Maria, një njeri që nuk beson më në asnjë formë të ndërtuar, por kërkon Zotin “si Ibrahimi”, përmes dyshimit, përmes vetes.

Në shoqërinë shqiptare, ku feja është shpesh një dekor moral më shumë sesa një përvojë e jetuar, rrëfimi i saj është i fortë. Ai zhvesh hipokrizinë e komuniteteve që flasin për mëshirë, por e shkatërrojnë një njeri kur ai del nga rreshti. Ai tregon se sa shumë është i ndërlidhur besimi me përkatësinë, me identitetin, me frikën e të tjerëve nga ndryshimi.

Një krizë moderne e besimit. Një brez që është rritur me parimet e fesë, por jeton në një botë ku ndodhin padrejtësi, dhimbje, zhgënjim dhe Zoti nuk duket askund. Maria nuk i mohon doktrinat, por ndjen se ato nuk e mbrojnë më. Në psikologjinë fetare, ky quhet “sublimim i dëshpërimit”: kur Zoti nuk është më një mbrojtës, individi fillon ta kërkojë në një mënyrë të re, më të sinqertë, më të zhveshur nga rituali. Për herë të parë, Zoti bëhet pyetje, jo përgjigje.

Në këtë kuptim, ajo nuk ka braktisur Zotin. Ka braktisur përkufizimin e Zotit që i dhanë njerëzit. Dhe kjo e bën rastin e saj unik. Sepse ajo nuk po kërkon lirinë nga feja, por po kërkon Zotin e vërtetë, pa ndërmjetës, pa frikë, pa shpjegime të gatshme. “Jam duke e kërkuar rrugën për tek Zoti njëjtë siç e ka kërkuar Ibrahimi alejhi selam, duke e gjetur vetë, pa e mësuar nga askush dhe nga asgjë.

Historia e një gruaje që ka dashur Zotin deri në shkatërrim dhe që tani, pasi nuk e gjeti në ritual, po e kërkon në heshtje. Një shpirt që pyet jo sepse ka humbur besimin, por sepse kërkon një Zot që nuk të braktis kur të gjithë të tjerët e bëjnë. Dhe në këtë pyetje të saj, ka më shumë besim se në çdo predikim.

Më poshtë, gjeni citimin e plotë të Marias:

“Përshëndetje njerëz. Unë jam Maria. Emri Maria është emri që më ka vendosur gjyshja ime dhe emri Merjem Lumi ka qenë emri pasi unë u futa në Islam. A do të thotë kjo që unë jam kthyer e krishterë? Jo! Nuk jam kthyer e krishterë.

Unë nuk jam këtu për të kritikuar kënd, për gjërat që kanë ndodhur vjet. Nëse dikush e ka ndjerë veten që është mbrojtësi i fesë apo e ka për detyrë, i lumtë! Por për mua si person, situata që ka ndodhur vjet ka qenë gjëja më e vështirë që kam kaluar ndonjëherë në jetën time.

Gjë e cila mua më ka bërë që jo vetëm të rrënohet realiteti rreth e rrotull meje, por të rrënohen ato 24 vite investim nga ana ime në fenë islame.

Kam menduar se jam njeri i mirë, kam menduar se kam bërë mirë. Kam menduar se jam në shërbim të fesë dhe të Zotit dhe kam menduar se unë kam një pozitë tek Zoti, pra që Zoti më do. Ju jeni dëshmitarë që nëse ka pasur njeri që ka folur me aq shumë pasion për Zotin, për fenë, me aq shumë ndjenja të thella dhe që ka depërtuar në zemrën tuaj, besoj që kam qenë unë, sepse e kam ndjerë realisht atë gjë.

Pasi unë vjet u tërhoqa, pas gjithë atij sulmi, lufte, e cila për mua ka qenë jo fetare, as njerëzore. Pavarësisht se çfarë mund të kisha thënë apo të kisha bërë, mendoj që Islami është feja e paqes. Kurse për mua rezultoi feja e dhunës dhe e luftës karshi meje si individ.

Në momentin që u tërhoqa, kam kaluar në kriza emocionale shumë të thella. Kam ndjerë shumë zhgënjim, shumë tradhti, shumë poshtërim. Kam ndjerë atë poshtërimin që ka folur për mua çdo i mençur dhe budalla. Çdo i madh dhe i vogël. Nuk ka mbetur njeri pa më shajtur, pa më mallkuar, pa më akuzuar, pa nxjerrë histori të cilat edhe unë kur i dëgjoja, habitesha.

Pas gjithë kësaj, nisa t’i bëj pyetje vetes: “Përse ndodhi e gjithë kjo? A ka qenë dënim nga Zoti? Edhe nëse ka qenë dënim nga Zoti, çfarë kam gabuar? Edhe nëse kam gabuar, a kam merituar një dënim kaq të ashpër? Dhe nëse kam merituar një dënim kaq të ashpër, a është kjo mënyra se si mua Zoti më tregon që kam qenë e keqe?”

Edhe nëse unë deri në atë kohë kam qenë ‘shumë e keqe’ për ta merituar gjithë atë dënim, si është të jesh e mirë? Çfarë duhet të bëj unë që Zoti të kënaqet? Që Zoti të më dojë?

A më ka dashur Zoti në të vërtetë? A kam qenë unë në iluzion? Kam menduar që njerëzit më duan, më respektojnë për këtë që jam. Por doli që njerëzit jo vetëm që nuk më kanë dashur, por më kanë urryer me shpirt.

Më kanë ardhur mallkime: “T’u shoftë jeta, t’u bëftë shkrumb e hi. I lënsh fëmijët jetimë. Mos paç një ditë të bardhë.” Çfarë kam mbjellë unë tek zemrat e njerëzve, që të meritoj gjithë këtë urrejtje dhe mllef dhe bullizim masiv?

Nisa të mendoj thellë për raportin që kam pasur unë me veten, me njerëzit, me besimin. A kam qenë unë në rrugë të drejtë? A kam qenë unë e devijuar? I hodha në tavolinë të gjitha akuzat që më janë bërë. A jam vërtet qafire?

Nëse kam qenë qafire, si të jem besimtare? Nëse jam shumë e poshtër, çfarë duhet të bëj tjetër për të qenë e mirë? Nëse kam qenë mashtruese, si të jem e sinqertë? Si të jem e vërtetë? Çfarë duhet të bëj ekstra?

Unë kam menduar që duke sakrifikuar kohën time, mundin tim, duke bërë djalin e madh hafiz dhe vajzën me shami… e gjithë familja… Unë duke qenë një myslimane praktikante, mendoj e devotshme. S’besoj të ketë pasur njeri që ka falur më shumë namaze sesa unë, të ketë bërë dhikr më shumë sesa unë, të ketë bërë salavate, të ketë bërë adhurime, të cilat, secila prej tyre kishte nga një premtim.

Pra kush e bën “këtë”, është i mbrojtur. Kush e bën “këtë”, Zoti kënaqet. Dhe mendova: përse Zoti nuk më ka mbrojtur mua nga gjithë këto dhimbje? Përse Zoti nuk më mbrojti mua nga shkatërrimi, nga vuajtja, nga vdekja ime? Sepse përgjatë këtij viti, Merjeme nuk pati mundësi t’ia dalë. Vdiq.

Vdiq nga dhimbjet e mëdha që i janë shkaktuar. Ajo që mbeti ishte vetëm pyetjet dhe kriza e identitetit. Kam kaluar një krizë identiteti që nuk e dija më çfarë jam, kush jam, për çfarë kam ardhur, çfarë duhet të bëj me jetën time? A kam qenë me të vërtetë në iluzion? Ku jam? Çfarë jam? A kam qenë gjithë jetën në të gabuar? A kam qenë gjithë jetën duke punuar kot?

Kështu vendosa që, ashtu siç u shkatërrua jeta ime në realitetin që patë, shkatërrova të gjitha bindjet e mia, gjërat që unë i besoja dhe vija dorën në zjarr për to. Për ta gjetur edhe një herë rrugën për tek Zoti, mënyrën se si unë duhet të jem në lidhje me Zotin, që Ai të kënaqet me mua dhe të më dojë… Sepse gjëja që më ka dhimbur më tepër ishte kur unë e kam pyetur veten “A më do Zoti?” dhe e ndjej që Zoti nuk më do. Jo vetëm që nuk më do, por më ka braktisur, po më dënon.

Kështu që, ja ku jam tani para jush. Nuk jam më në asnjë lloj bindje dhe besim që unë kisha ndërtuar për gjithë këto vite. Sepse u shemb çdo gjë, si jashtë, si brenda meje. Nëse keni kërkuar sqarim pse unë e kam hequr shaminë, kjo është. Sepse jam duke e kërkuar rrugën për tek Zoti njëjtë siç e ka kërkuar Ibrahimi alejhi selam, duke e gjetur vetë, pa e mësuar nga askush dhe nga asgjë.”

/ICONSTYLE

The post Në kërkim të Zotit jashtë dogmave: Teologia Merjem Lumi heq shaminë, lë fenë dhe rrëfen zhgënjimin e madh nga Islami appeared first on iconstyle.al.

  •  
❌