Reading view

“Radhët e pafund dhe nervat në limit”: Udhëtimet drejt Europës po kthehen në makth me sistemin e ri të regjistrimit në aeroporte

Një skenë që po përsëritet në çdo aeroport: udhëtarë që shtrihen në radhë të gjata, oficerë kufiri që shpjegojnë me zë të lodhur një sistem të ri digjital që “nuk është shumë i shpejtë”, dhe njerëz që humbasin fluturime pasi qëndruan me orë të tëra për t’u regjistruar.

Ky është realiteti i ditëve të para të Entry/Exit System (EES), sistemi i ri elektronik që Bashkimi Europian ka vënë në zbatim për të regjistruar hyrjet dhe daljet e qytetarëve nga vendet jo anëtare të BE-së.

Që nga 12 tetori 2025, çdo person që hyn në zonën Schengen për turizëm apo punë, duhet të japë gjurmët e gishtave dhe një foto biometrike, të cilat ruhen për tre vjet në një bazë të dhënash europiane. Në teori, është një sistem modern që do të rrisë sigurinë dhe do të zëvendësojë vulat në pasaportë.

Në praktikë… është kthyer në një kaos që po çmend udhëtarët dhe stafet aeroportuale.

✈ Radhë, vonesa, ankesa dhe fluturime të humbura

Lisbonë, mediat raportojnë se aeroporti është “shpërbërë në kaos” me dhjetëra pasagjerë që kanë humbur fluturimet për shkak të procedurave të reja.

Pragë, pritja për verifikim ka zgjatur deri në 90 minuta, ndërsa në disa pika kufitare franceze dhe holandeze, pasagjerët janë paralajmëruar të mbërrijnë katër orë më herët se zakonisht.

Komentet e qytetarëve janë të njëjta kudo: lodhje, frustrim dhe një ndjenjë se teknologjia e re nuk ka ardhur për t’ua lehtësuar jetën, por për ta vështirësuar më shumë.

Shumë ekspertë dhe punonjës aeroportesh e quajnë këtë fazë të EES-it “eksperiment të rrezikshëm në kohë reale”.

Në shumë pika, skanerët biometrikë nuk funksionojnë njësoj, oficerët nuk kanë trajnim të mjaftueshëm dhe për udhëtarët që kanë probleme me pasaportat e huaja apo me qëndrimet e mëparshme, sistemi nuk i njeh menjëherë.

Në komente në rrjete sociale, disa qytetarë kanë hedhur idenë që të krijohen zyra në qytete ku njerëzit të mund të bëjnë paraprakisht regjistrimin biometrik, përpara se të shkojnë në aeroport.

Të tjerë, me sarkazëm, shkruajnë se “sistemi do të dështojë më shpejt se ç’u ndez” dhe se do të kthehemi shumë shpejt te kontrolli manual dhe vula në pasaportë.

Ky sistem, që synon të forcojë kontrollin dhe sigurinë, po teston durimin e njerëzve. Udhëtarët ndihen më të ekspozuar ndaj rrezikut për të humbur fluturimet, për të humbur takime, apo për të humbur durimin në radhë që nuk mbarojnë.

EES u mendua si një mënyrë për të ndaluar qëndrimet e paligjshme dhe për të mbledhur të dhëna më të sakta për hyrje-daljet në BE.

Por mënyra si po zbatohet po ngre momentalisht pikëpyetje të mëdha dhe pasiguri tek qytetarët.

🗣 Po ti si po e përjeton këtë?

Në rrjetet sociale po qarkullojnë qindra reagime, nga irritimi e deri te humori i zi.

Disa njerëz po postojnë foto të radhëve gjigante me përshkrime si “Mirë se vini në Evropën dixhitale!”, ndërsa të tjerë thonë se “ky është shekulli i inovacionit që nuk funksionon”.

Nëse ke udhëtuar këto ditë dhe ke përjetuar vonesa apo kaos në aeroport për shkak të sistemit të ri, ndaje përvojën tënde me ne në komente.

A mendon se kjo është një mënyrë moderne për të udhëtuar apo një dështim që do na kthejë pas në kohë?

The post “Radhët e pafund dhe nervat në limit”: Udhëtimet drejt Europës po kthehen në makth me sistemin e ri të regjistrimit në aeroporte appeared first on iconstyle.al.

  •  

Princi Leka II i propozoi Blertës me unazë rreth 140 mijë euro, mediat e huaja zbulojnë detajet

Fejesa e Princ Leka II me Blerta Celibashin ka vënë sërish në qendër të vëmendjes familjen mbretërore shqiptare. Por këtë herë, gjithë dritat nuk janë te historia e dashurisë, janë te unaza.

Sipas revistës britanike Hello Magazine, princi shqiptar ka propozuar me një unazë fejese vlerësuar në 120 mijë paund, ose rreth 140 mijë euro, një shifër që po qarkullon gjerësisht në mediat ndërkombëtare.

“Unazë mbretërore, por pa zhurmë”

Eksperti i bizhuterive Nilesh Rakholia, i cituar nga Hello Magazine, përshkruan unazën si “të qetë, elegante dhe pa teprime”, një diamant me prerje ovale ose cushion, i vendosur mbi një shirit të hollë të zbukuruar me gurë pavé.

Sipas tij, nëse diamanti qendror është 2 deri në 3 karatë, çmimi i vlerësuar prej 140 mijë eurosh është plotësisht i justifikuar. Ai e quan këtë stil “regal, por bashkëkohor”, një mënyrë për të treguar status dhe ndjenjë, pa pasur nevojë të bësh shumë zhurmë.

Rakholia shton se prerjet oval dhe cushion simbolizojnë “harmoni dhe dashuri që zgjat”, duke e bërë dizajnin jo vetëm estetikisht të përkryer, por edhe emocionalisht kuptimplotë.

Ksamil, skena e propozimit

Propozimi ndodhi më 11 tetor 2025, në Ksamil, një nga vendet më të dashura të rivierës shqiptare. Çifti ndau lajmin me ndjekësit në Instagram, me një seri fotosh romantike nën diellin e vjeshtës, ku unaza shkëlqente në dorën e Blertës, në një kornizë që kombinonte qetësinë, detin dhe dritën, në një ceremoni që bëri jo pak zhurmë në rrjet.

Vetë Oborri Mbretëror publikoi një njoftim zyrtar, duke e quajtur ditën “fillimin e një kapitulli të ri”.

Një vit pas divorcit dhe një fillim i ri

Fejesa e Lekës vjen një vit pas ndarjes nga Elia Zaharia, me të cilën ka një vajzë, Princeshën Geraldinë. Çifti kishte shpallur ndarjen në janar 2024, pas tetë vitesh martesë.

Lidhja me Blertën u bë publike në shtator 2024 dhe, që nga ajo kohë, ata janë parë shpesh në evente kulturore dhe bamirësie, përfshirë aktivitetet e Fondacionit Queen Géraldine.

Boom mediash ndërkombëtare

Artikulli i Hello Magazine i hapi rrugën një vale publikimesh në media të tjera të njohura si People, 9Honey (Australia), Tatler, Sky News dhe Geo News, të cilat kanë ndarë të njëjtat detaje për unazën, vendin e fejesës dhe dinamikën e çiftit.

People thekson postimin romantik në Instagram ku shfaqet unaza.

9Honey nënvizon kontrastin mes divorcit të shpejtë dhe fillimit të ri.

Tatler e quan Blertën “debutimin më të qetë mbretëror të vitit”.

Sky News përmend Ksamilin si “perlë  bregdetare ku ndodhi propozimi”.

Hello Magazine, megjithatë, mbetet më e detajuar për aspektin që i intereson më shumë publikut: çmimin dhe dizajnin e unazës.

140 mijë euro për një simbol dashurie

Në një epokë ku shumë fejesa të njohura shndërrohen në spektakël, zgjedhja e Princ Lekës për një unazë të sofistikuar por jo ekstravagante është parë si shenjë e një estetike të re: luks i heshtur, me domethënie dhe klas.

Në fotot që kanë pushtuar rrjetet, unaza duket si reflektim i kësaj filozofie, një diamant që flet më shumë për ndjenjën sesa për shifrën, edhe pse kjo e fundit (rreth 140 mijë euro) nuk ka kaluar pa u vënë re.

The post Princi Leka II i propozoi Blertës me unazë rreth 140 mijë euro, mediat e huaja zbulojnë detajet appeared first on iconstyle.al.

  •  
❌