Reading view

A duhet t’i vendosim fëmijëve emrat e gjyshërve?

Në shumë familje shqiptare, edhe sot e kësaj dite, një fëmijë i porsalindur merr emrin e gjyshit ose të gjyshes. Është një zakon i vjetër, që vjen nga kohë kur familja shihej si një trung i pandarë dhe çdo brez ishte një degë e re që duhej të mbante me vete kujtimin e të kaluarës. Emri ishte një formë nderimi, një shenjë respekti për ata që e kishin mbajtur familjen gjallë. T’i vendosje një fëmije emrin e gjyshit ishte si të lije një pjesë të përjetshme të tij të vazhdonte të jetonte.

Ky zakon ka një bukuri të veçantë. Emri i gjyshit apo gjyshes i jep fëmijës një histori para se ai vetë të ketë shkruar të vetën. Është si një fill i padukshëm që lidh brezat, një kujtesë e heshtur që askush nuk jeton më kot. Shpesh këta emra janë të ngarkuar me kuptime të forta: lidhen me ngjarje historike, me besime popullore, me virtyte që familja i vlerëson. Kur dikush rritet me një emër të tillë, mund të ndjejë krenari, sepse mban mbi vete kujtimin e një njeriu që ka qenë i dashur, i respektuar, ndoshta edhe një figurë që la gjurmë.

Megjithatë, kjo traditë ka edhe anën e saj më të vështirë. Në shoqërinë e sotme, ku prindërit e rinj kërkojnë origjinalitet, dëshirojnë që fëmija i tyre të ketë një emër modern, unik, që lidhet me shijet dhe ëndrrat e tyre, shpesh emri i gjyshërve shihet si kufizim. Ka raste ku emrat e vjetër, të rëndë në tingull apo të huaj për kohën, u ngjajnë fëmijëve si barrë.

A duhet ruajtur kjo traditë, apo duhet lënë të shuhet me kohën?

Ndoshta përgjigjja nuk është bardhë e zi. Ka prindër që zgjedhin të vendosin emrin e gjyshit sepse duan të mbajnë të gjallë kujtimin e tij dhe kjo është një zgjedhje me dashuri. Ka të tjerë që zgjedhin emra krejt të rinj, sepse duan t’i japin fëmijës një identitet të pavarur, të lidhur me botën ku ai do të rritet. Ka edhe raste kur prindërit bëjnë kompromis: përdorin emrin e gjyshit si emër të dytë, duke e mbajtur në dokumente, ndërsa përditë përdorin një emër tjetër më të thjeshtë ose më modern. Zbukurimet gjithashtu nuk janë një ide për t’u neglizhuar.

E rëndësishme është që emri të mos bëhet kurrë peshë. Një emër duhet të jetë dhuratë, jo barrë. Ai duhet t’i japë fëmijës ndjesinë e përkatësisë, por jo të ndalë fluturimin e tij. Në fund të fundit, emri është gjëja e parë që mbajmë nga lindja dhe e fundit që mbetet kur largohemi. Ta zgjedhësh me kujdes është një akt dashurie, qoftë duke respektuar gjyshërit, qoftë duke u bërë kreativ me një emër të ri.

Traditat nuk janë pengesë kur i ruajmë me zemër të hapur, por ato kthehen në barrë kur ndihen si detyrim i verbër. Ndoshta thelbi nuk është tek emri vetë, por tek arsyeja pse e vendosim atë. A e bëjmë për dashuri, apo vetëm për të mos thyer një zakon? Sepse, në fund, fëmijët nuk janë trashëgimi emrash, ata janë histori të reja që presin të shkruhen!

The post A duhet t’i vendosim fëmijëve emrat e gjyshërve? appeared first on iconstyle.al.

  •  

Përdorimi i fëmijëve për klikime: Një traumë që nuk fshihet me “like”

Videoja e fundit që qarkulloi në TikTok, ku influencuesja Hatixhe Brika “shtyn dhe godet” një fëmijë 2-3 vjeç si pjesë e një sfide, ndezi zemërimin e publikut. Pamja mund të duket si një shaka e thjeshtë, një moment argëtues për ndjekësit, por në të vërtetë është pasqyrë e një realiteti të dhimbshëm: fëmijët po kthehen në mjete për klikime, pa asnjë ndjeshmëri për pasojat që kjo sjell tek ata.

Nuk janë të pakëta blogeret që kanë kthyer në “biznes” vetë fëmijët e tyre dhe i ekspozojnë ata edhe në situatat më delikate e private të përditshmërisë, pa menduar gjatë për pasojat që lë ky ekspozim në psikologjinë dhe rritjen e tyre.

Në këtë moshë, fëmijët janë në fazën më të brishtë të zhvillimit. Çdo përvojë e tyre, e mirë apo e keqe, lë gjurmë. Një shtyrje, një goditje, një përdorim i imazhit të tyre për “humor” ose për spektakël nuk është “lojë” për ta. Është një eksperiencë reale që trupi dhe kujtesa emocionale e regjistrojnë. Dhe kur kjo ndodh përpara një kamere, duke u shndërruar në argëtim publik, përjetimi bëhet edhe më i rëndë: fëmija nuk po trajtohet si qenie me ndjenja, por si “material për ndjekës”.

Sociologia Entela Binjaku e ka përkufizuar qartë këtë fenomen:

“Një pjesë e madhe e të miturve janë mjaft të tërhequr nga platformat sociale, sepse ato janë të pamundura për t’u shmangur. Ndër pasojat negative që përjetojnë të miturit janë shpërqendrimi, humbja e vëmendjes, rënia e disiplinës… Ndodh që edhe ata vetë tentojnë të imitojnë modelet që shohin, por kjo njohje në rrjet iu kthehet në boomerang.”

Ky “boomerang” është thelbi i problemit. Shkenca ka treguar se fëmijët që ekspozohen ndaj dhunës së hershme, edhe në forma të lehta, rriten me më shumë pasiguri, ankth dhe vështirësi në ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme.

Në të njëjtën kohë, ky normalizim i dhunës nuk prek vetëm fëmijët që përdoren në video, por edhe ata që i shohin ato. Një fëmijë që sheh bashkëmoshatarin e tij të shtyhet dhe të qeshet për këtë, mëson se sjellja e dhunshme është e pranueshme. Dhe kështu nis një cikël ku bullizmi dhe agresioni nuk duken më të papranueshme, por si pjesë e lojës së përditshme.

Ndërkohë, platformat e rrjeteve sociale e shpërblejnë këtë sjellje: një video e tillë bëhet virale, merr mijëra klikime dhe komente. Por çfarë mbetet pas? Për influencuesin, një moment famë që do të shuhet kur trendi i radhës të vijë. Për fëmijën, një kujtim i hidhur që nuk fshihet dot me “like”. Një ndjesi e hershme se nuk ishte i mbrojtur, se u përdor për të qeshur të tjerët. Dhe kjo është traumë që mund ta ndjekë gjatë gjithë jetës.

Përdorimi i fëmijëve për klikime është problem shëndeti publik. Studimet ndërkombëtare tregojnë se ekspozimi i hershëm në rrjete sociale, sidomos në përmbajtje tallëse apo dhunuese, lidhet me rritje të ndjeshme të rasteve të ankthit, depresionit dhe madje edhe mendimeve vetëvrasëse tek adoleshentët. Nuk është më çështje “sa ndjekës keni”, por “sa plagë lini pas”.

Fëmijëria duhet të jetë hapësira e sigurisë, ku një fëmijë mëson dashurinë, ndjeshmërinë dhe besimin. Kur kjo hapësirë prishet dhe kthehet në skenë për spektakël publik, atëherë jo vetëm fëmija dëmtohet, por e gjithë shoqëria humbet. Sepse rrit një brez që mëson se vlera e tyre matet me klikime dhe jo me kujdesin e dhënë.

Prandaj, çdo video ku një fëmijë përdoret për argëtim është një akt dhune të cilin nuk duhet ta normalizojmë.

A do të vazhdojmë të qeshim me trauma të vogla që kthehen në plagë të mëdha, apo do të zgjedhim të mbrojmë fëmijët tanë nga etja e pashpirt për famë?

The post Përdorimi i fëmijëve për klikime: Një traumë që nuk fshihet me “like” appeared first on iconstyle.al.

  •  

“E përdhunonte dhe e linte shtatzënë që të mos divorcohej” – motra e Marjola Nakolecit rrëfen vitet e tmerrit që përjetoi 36-vjeçarja para se të vritej në Volos

Ngjarja makabre në Volos, ku 40-vjeçari shqiptar vrau bashkëshorten e tij, Marjola Nakolecin, po zbardh gjithnjë e më shumë detaje tronditëse. Motra e viktimës ka dëshmuar për mediat greke se 36-vjeçarja kishte duruar prej vitesh dhunë fizike dhe seksuale nga bashkëshorti i saj.

Sipas saj, burri e përdhunonte dhe e linte qëllimisht shtatzënë për ta mbajtur të lidhur dhe për ta penguar të divorcohej. “Ajo shkonte dhe bënte aborte shpesh. Ai e kërcënonte se nëse divorcohej, do të bënte më keq”, tha motra e viktimës.

Ajo tregoi se marrëdhënia e çiftit nisi në moshë të re, por gjithçka ndryshoi sapo ata patën fëmijë. “Kur ai pati fëmijë, ai ndryshoi. U bë abuziv, e rrihte”, u shpreh ajo, duke shtuar se dhuna ndodhte edhe para syve të fëmijëve. “Ai u thoshte fëmijëve ‘qëndroni larg, mbyllni gojën’ dhe e rrihte para tyre”, deklaroi motra.

Familja e dinte situatën, por asnjëherë nuk kishte bërë denoncim zyrtar. “Për shumë vite nuk folëm dhe është faji ynë. I thoja motrës sime të divorcohej, por ajo kishte frikë. Bëra gjithçka që munda për ta ndihmuar, edhe financiarisht, por ajo nuk mundi të përballonte”, rrëfeu ajo me dhimbje.

Pas vrasjes së 36-vjeçares, autori u arratis dhe u fsheh për më shumë se 24 orë. Ai u gjet nga policia në një parcelë pranë shtëpisë, duke mbajtur rroba të tjera që dyshohet se i kishte marrë nga kazanët e plehrave. Gjatë arrestimit, dëshmitarët thonë se ai bërtiste: “I bëra mirë. Ajo e meritonte këtë. Nuk pendohem për asgjë”.

Në trupin e tij nuk u gjetën as telefoni celular dhe as arma e krimit. Ndërkohë, trupi i Marjolës është dërguar në Selanik, ku pritet t’i nënshtrohet autopsisë nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore.

Një histori e mbushur me vite dhune, frikë dhe abuzim, që përfundoi në mënyrën më tragjike.

The post “E përdhunonte dhe e linte shtatzënë që të mos divorcohej” – motra e Marjola Nakolecit rrëfen vitet e tmerrit që përjetoi 36-vjeçarja para se të vritej në Volos appeared first on iconstyle.al.

  •  
❌