Reading view

Arsenali prek ëndrrën, PSG i rrëmben trofeun nga duart

Paris Saint-Germain ka konfirmuar edhe një herë dominimin në futbollin europian, duke fituar UEFA Champions League për të dytin sezon radhazi pas triumfit ndaj Arsenalit në një finale dramatike të vendosur nga penalltitë.

Mbrëmja në “Puskas Arena” nisi në mënyrën më të mirë për londinezët. Vetëm gjashtë minuta nga starti i sfidës, Kai Havertz shfrytëzoi një rast të artë dhe mposhti portierin kundërshtar, duke i dhënë Arsenalit avantazhin e hershëm dhe duke ndezur shpresat për trofeun e shumëpritur.

PSG reagoi gradualisht dhe provoi të marrë kontrollin e lojës. Parisienët kërkuan edhe një penallti në pjesën e parë pas një prekjeje të dyshuar me dorë në zonë, por arbitri lejoi vazhdimin e lojës. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të skuadrës angleze.

Në fraksionin e dytë, skuadra e Luis Enrique u shfaq më agresive dhe arriti të rikthehej në lojë. Një ndërhyrje në zonë ndaj Khvicha Kvaratskhelias solli penallti për francezët, ndërsa Ousmane Dembele u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke barazuar rezultatin në 1-1.

As koha e rregullt dhe as shtesat nuk prodhuan fitues, duke bërë që finalja të vendosej nga penalltitë. Aty PSG tregoi më shumë qetësi dhe saktësi, duke realizuar pothuajse të gjitha goditjet e saj dhe duke siguruar triumfin e madh.

Me këtë sukses, PSG ngre për herë të dytë radhazi trofeun më prestigjioz të futbollit europian për klube, ndërsa Arsenali largohet me zhgënjim pas një finaleje të luftuar deri në sekondën e fundit.

The post Arsenali prek ëndrrën, PSG i rrëmben trofeun nga duart appeared first on iconstyle.al.

  •  

Nga aleatë të pandashëm në heshtje totale, çfarë po ndodh mes ish-banorëve të BBVK-së?

Një nga miqësitë që mori më shumë vëmendje gjatë edicionit të fundit të Big Brother VIP Kosova duket se po kalon një periudhë të vështirë.

Londrimi, Klodi dhe Elijona krijuan një raport të afërt gjatë qëndrimit në shtëpinë më të famshme në vend, duke fituar mbështetjen e publikut dhe duke u konsideruar si një nga grupet më të forta të formatit. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë ngritur pikëpyetje mbi marrëdhënien e tyre.

Prej disa javësh, ndjekësit kanë vënë re se tre ish-banorët nuk shfaqen më bashkë si më parë dhe mungesa e ndërveprimeve në rrjetet sociale ka nxitur diskutime të shumta. Edhe pse në disa raste ka pasur shenja mbështetjeje për projektet e njëri-tjetrit, duket se raportet nuk janë më në të njëjtin nivel.

Sipas burimeve të afërta me situatën, komunikimi mes tyre është reduktuar ndjeshëm, ndërsa thuhet se disa keqkuptime të krijuara pas përfundimit të spektaklit kanë ndikuar në ftohjen e marrëdhënieve.

Mësohet se Londrimi ka mbetur i zhgënjyer nga disa situata, veçanërisht në raport me Klodin, çka ka sjellë një distancim të dukshëm mes tyre.

Pavarësisht zërave që qarkullojnë, asnjëri prej protagonistëve nuk ka reaguar publikisht për të sqaruar situatën. Ndërkohë, Londrimi po vijon angazhimet në muzikë dhe është duke punuar për projekte të reja që pritet të publikohen së shpejti.

The post Nga aleatë të pandashëm në heshtje totale, çfarë po ndodh mes ish-banorëve të BBVK-së? appeared first on iconstyle.al.

  •  

Debati përshkallëzohet në Lushnjë, 17-vjeçari plagos me thikë 42-vjeçarin

Një konflikt i çastit është kthyer në një ngjarje të rëndë mbrëmjen e kësaj të shtune në fshatin Golem i Vogël, në Lushnjë, ku një 42-vjeçar ka mbetur i plagosur me thikë pas një debati me një të mitur.

Sipas informacionit paraprak të bërë publik nga policia, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:05. Gjatë një konflikti për motive të dobëta, një 17-vjeçar dyshohet se ka goditur me mjet prerës shtetasin L.S., 42 vjeç, duke i shkaktuar plagë në trup.

Menjëherë pas incidentit, i dëmtuari është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Lushnjës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Burime pranë bluzave të bardha bëjnë me dije se 42-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po mbahet nën vëzhgimin e mjekëve.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje, duke shoqëruar autorin e dyshuar në ambientet e Komisariatit të Policisë Lushnjë për kryerjen e veprimeve procedurale. Gjithashtu, është sekuestruar edhe arma e ftohtë e dyshuar e përdorur gjatë plagosjes.

Hetuesit po punojnë për të sqaruar dinamikën e plotë të konfliktit, si dhe për të dokumentuar të gjitha rrethanat që çuan në përshkallëzimin e tij. Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi shkaqet e debatit mes të miturit dhe 42-vjeçarit.

Policia pritet të japë informacione shtesë në vijim, ndërsa hetimet për ngjarjen vazhdojnë.

The post Debati përshkallëzohet në Lushnjë, 17-vjeçari plagos me thikë 42-vjeçarin appeared first on iconstyle.al.

  •  

Ndahet nga jeta aktorja Kelly Lee Curtis në moshën 69-vjeçare

Aktorja Kelly Lee Curtis, motra e madhe e fitueses së çmimit Oscar, Jamie Lee Curtis, ka ndërruar jetë në moshën 69-vjeçare. Lajmin e hidhur e bëri të ditur vetë Jamie Lee Curtis përmes një postimi prekës në rrjetet sociale.

Sipas aktores 67-vjeçare, Kelly u nda nga jeta paqësisht në shtëpinë e saj në Kaliforni, e rrethuar nga natyra që e donte aq shumë. Shkaku i vdekjes nuk është bërë ende publik.

Në mesazhin e saj, Jamie e përshkroi motrën si “miken e saj të parë dhe bashkëudhëtaren më të besuar të jetës”. Ajo kujtoi se Kelly ishte jashtëzakonisht e bukur, një aktore e talentuar dhe një grua me karakter të fortë, e njohur për bujarinë, kuriozitetin e pafund dhe dashurinë për familjen.

Kelly Lee Curtis ishte vajza e madhe e aktorëve legjendarë Tony Curtis dhe Janet Leigh. Ajo lindi në Santa Monica të Kalifornisë dhe u shfaq për herë të parë në ekran në filmin “The Vikings”. Më vonë, ajo luajti përkrah motrës së saj në filmin Trading Places dhe pati role në disa seriale të njohura televizive gjatë viteve 1980 dhe 1990.

Përveç karrierës si aktore, Kelly punoi edhe si asistente e Jamie Lee Curtis në disa projekte filmike. Ajo lë pas bashkëshortin e saj, Scott Morfee, si dhe një familje që e kujton me dashuri dhe respekt.

Mesazhi i fundit i Jamie për motrën e saj përfundonte me bekimin hungarez: “Isten Veled” – “Zoti qoftë me ty”.

The post Ndahet nga jeta aktorja Kelly Lee Curtis në moshën 69-vjeçare appeared first on iconstyle.al.

  •  

A po fshihet e vërteta? Nora Malaj zbulon çfarë di për raportin mes Mozës dhe Zhakut

E ftuar në “Ferma Club”, Nora Malaj ka folur për eksperiencën e Moza Ahmeti në “Ferma VIP”, duke treguar se ka qenë një nga personat që e ka mbështetur për të hyrë në format.

“Kur më tha që do hyjë te Ferma, erdhi dhe më pyeti: ‘Nora, si thua të hyj te Ferma?’ I thashë: ‘Hyr’. Më tha: ‘Vjen dhe ti me mua?’ Më pas më tha se duhej të fliste në universitet. I thashë të mos mërzitej, sepse do ta mbështesnin. Unë dhe Arjan Curri dolëm vullnetarë dhe i dhamë bekimin për të hyrë”, rrëfeu Malaj.

Sipas saj, Moza përfaqëson një brez që ka kaluar sfida të shumta dhe ka qenë gjithmonë përpara kohës së vet. “Moza përfaqëson brezin tim të viteve ’60. Ka provuar sfidat e viteve para dhe pas ’90-ës. Ka qenë avangardë kur të tjerët nuk guxonin. Ka thyer tabu në atë kohë. Ka një shpirt të lirë që i pranon të gjithë. Moza thotë gjëra që të tjerët kanë frikë t’i thonë”, u shpreh ajo.

Malaj theksoi se në fermë, Moza po shfaqet në një dimension më njerëzor. “Moza shfaqet në dimensionin njerëzor, në dimensionin e asaj që i ka munguar dhe dëshirës për të sfiduar kohën. Është midis rolit dhe realitetit. Por kjo kërkon shumë kujdes, sepse nëse kalohet masa, efekti mund të jetë i kundërt”, tha ajo.

Duke komentuar kritikat se Moza herë pas here ka shfaqur sjellje dominuese, Malaj u përgjigj: “Moza nuk ka shkuar aty për të bërë leksione komunikimi. Kur të tjerët e kalojnë masën, ose hesht, ose ua kthen me të njëjtën gjuhë. Këta njerëz janë prej mishi dhe gjaku. Aty shihen në të gjitha dimensionet. Ajo e kupton edhe kur gabon”.

E pyetur për raportin mes Mozës dhe Zhaku dhe nëse Moza ka qenë e sinqertë kur tha se nuk njiheshin nga jashtë, Malaj u shpreh: “Këtë nuk di ta them. Ajo mund ta ketë në konceptin që nuk e ka mike. Nëse themi që e kemi të njohur është ndryshe. Mik është fjalë e madhe. Nëse Moza e ka thënë në kontekstin e miqësisë, nuk gënjen. Në kontekstin e njohjes, mund të ketë gënyer ”.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Vizion Plus (@vizionplustv)

The post A po fshihet e vërteta? Nora Malaj zbulon çfarë di për raportin mes Mozës dhe Zhakut appeared first on iconstyle.al.

  •  

Protesta kundër resortit në Zvërnec/ Kush janë personat me maska që përdorin spraj me piper?

Rrethimi me tela me gjemba i një sipërfaqeje të konsiderueshme pranë lagunës së Nartës, në kufi me fshatin Zvërnec ka ngritur alarmin për shkatërrim të zonës së mbrojtur. Organizatat mjedisore dhe disa banorë të zonës dolën sërish në protestë këtë të shtunë, duke kërkuar ndërprerjen e punimeve me argumentin se po shkatërrohet natyra.

Protestuesit tentuan të hyjnë në kantier dhe u përplasën me policinë private, të kontraktuar nga kompania që po kryen investimin “Zvërnec South Adriatic Development”. Protesta ka nxitur reagim publik sepse policët privatë që shfaqen të maskuar, hedhin spraj me piper ndaj protestuesve.

Një grua ka pësuar gjendje të fikëti. ‘Maskat’ në kantierin e ndërtimit nuk kursejnë as uniformat blu. Ajo që nuk dihet është se me çfarë autorizimi ata përdorin spraj kundër protestuesve dhe policëve?

Për situatën e tensionuar ka reaguar në rrjetet sociale edhe Adriatik Lapaj, kreu i Shqipëria Bëhet.

“Askush nuk mund të marrë zvarrë shqiptarët. Junta e Edi Ramës duhet rrezuar. Ligjet për investimet strategjike duhen shfuqizuar”, thotë ai.

Disa orë pas protestës, Policia e Vlorës reagoi për përplasjen në Zvërnec gjatë tubimit të banorëve që kundërshtojnë zbatimin e projektit ndërtimor. Policia thotë se mori masat e nevojshme si për garantimin e tubimit ashtu edhe për mbrojtjen e pronës private.

Në njoftimin zyrtar, Policia thotë se një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme. Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, është futur brenda rrethimit të kantierit dhe është tërhequr me forcë nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, dhe ka mbetur i dëmtuar.

Këtu policia thotë se ndërhyri, për të nxjerrë protestuesin nga vendi i rojës, ku e mbanin punonjësit e policisë private. Të dy janë vënë në hetim, bashkë me 15 protestues.

Ndërkohë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në një reagim tjetër hedh poshtë deklaratën e tyre, teksa raportohet Skënder Hita ka pezulluar Elidon Çelën, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.

“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin, që në fakt nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar.

Në këto rrethana dhe pavarësisht se në të gjithë pjesën tjetër komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast”, thuhet në njoftim

Paralelisht në Sheshin e Flamurit u zhvillua një tjetër protestë e thirrur në rrjetet sociale nga aktivistët Sazan Guri dhe Klajdi Kola, e cila pati pjesëmarrje të ulët dhe nuk u shënuan incidente./Reporttv

The post Protesta kundër resortit në Zvërnec/ Kush janë personat me maska që përdorin spraj me piper? appeared first on iconstyle.al.

  •  

“Është e vërteta e saj”/ Filmi i ri për Kate Moss që hedh dritë mbi jetën e saj enigmatike

Pas dekadash në qendër të vëmendjes, ku fama, pasarelat dhe jeta e saj private kanë qenë vazhdimisht objekt spekulimesh, Kate Moss duket se është gati të tregojë një pjesë të së vërtetës së saj.

Filmi i ri “Moss & Freud”, i shkruar dhe drejtuar nga regjisori fitues i çmimit Oscar, James Lucas, premton të zbulojë një anë krejt tjetër të supermodeles britanike, larg shkëlqimit të botës së modës dhe afër plagëve, sfidave dhe momenteve që e formësuan si njeri.

Në film, aktorja Ellie Bamber interpreton Kate Moss, ndërsa rolin e artistit të famshëm Lucian Freud e luan Derek Jacobi. Historia fokusohet në periudhën kur Moss pozoi nudo për Freud në fillim të viteve 2000, një bashkëpunim artistik që u shndërrua në një miqësi të veçantë dhe që, sipas filmit, ndikoi thellësisht në jetën e modeles.

Miqësia që ndryshoi gjithçka

Sipas regjisorit James Lucas, marrëdhënia mes Kate Moss dhe Lucian Freud ishte shumë më tepër sesa raporti klasik mes artistit dhe modeles së tij.

Për nëntë muaj me radhë, Moss pozoi për piktorin pothuajse çdo natë, nga ora 19:00 deri në 02:00 të mëngjesit. Ishin pikërisht ato orë të gjata në studio që, sipas filmit, e ndihmuan modelen të reflektonte mbi jetën e saj, të përballej me frikërat dhe pasiguritë e saj dhe të merrte disa nga vendimet më të rëndësishme personale.

Lucas beson se Freud e ndihmoi Kate Moss të shihte veten ndryshe dhe të gjente një kuptim më të thellë në jetën e saj, në një periudhë kur fama dhe presioni publik kishin filluar të linin gjurmë të forta.

Pse Kate Moss tha “po” pas kaq shumë vitesh?

Për vite me radhë, Kate Moss kishte refuzuar çdo ofertë për filma, dokumentarë apo projekte që synonin të tregonin historinë e saj.

Megjithatë, “Moss & Freud” arriti të marrë miratimin e saj të plotë. Jo vetëm kaq, por supermodelja është përfshirë edhe si producente ekzekutive e projektit.

Regjisori zbuloi se kontakti i parë me Moss nuk ndodhi përmes agjentëve apo rrjeteve sociale, por përmes një letre të shkruar me dorë. Në të, ai shpjegonte pse e konsideronte periudhën e pozimit për Freud si një moment vendimtar në jetën e saj dhe si e imagjinonte filmin.

Pikërisht kjo qasje e sinqertë duket se e bindi modelen të hapte për herë të parë dyert e historisë së saj personale.

Madje, Kate Moss ndihmoi edhe në përzgjedhjen e aktores që do ta interpretonte, duke kaluar kohë me të për ta ndihmuar të kuptonte karakterin dhe personalitetin e saj.

Trauma, pasiguri dhe plagë të së kaluarës

Megjithatë, filmi nuk ndalet vetëm te arti dhe miqësia.

“Moss & Freud” eksploron edhe disa nga momentet më të vështira të jetës së modeles. Një nga skenat më të forta tregon Moss duke kujtuar një eksperiencë traumatike nga rinia e saj, gjatë një prej sesioneve të para fotografike pa bluzë.

Sipas filmit, ajo përjetoi presion të madh psikologjik dhe u ndje e shfrytëzuar, aq sa qëndroi e mbyllur në shtrat për dy javë pas përfundimit të fotosesionit.

Në një moment prekës të filmit, personazhi i Kate Moss rrëfen se kjo eksperiencë ndikoi thellësisht në mënyrën se si ajo do të përballej më vonë me famën dhe kamerat.

“Premtova se nuk do të ndihesha më kurrë ashtu”, thotë ajo në një nga dialogët më emocionalë.

Dashuri, festa dhe jeta e çmendur e viteve 2000

Filmi prek gjithashtu jetën sentimentale të modeles, përfshirë lidhjen e saj me Jefferson Hack, themeluesin e revistës “Dazed & Confused” dhe babain e vajzës së saj, Lila Grace Moss.

Në të njëjtën kohë, publiku do të shohë edhe atmosferën e egër të Londrës së viteve 2000, me festa luksoze, pasarela mode, net të gjata dhe një botë artistike që dukej se nuk flinte kurrë.

Mes skenave më të komentuara pritet të jetë rikrijimi i festës legjendare të 30-vjetorit të Kate Moss, e njohur si “The Beautiful and the Damned”, një event që Vogue e kishte cilësuar dikur si simbol të ekzagjerimit dhe ekstravagancës së modës.

Skenat që mund të ndezin debat

Një nga momentet më të diskutueshme të filmit është një skenë ku Moss dhe Freud shfaqen duke konsumuar opium gjatë punës në studio.

Regjisori ka pranuar se filmi nuk synon të paraqesë një version të idealizuar të marrëdhënies së tyre, por një portret sa më realist të asaj që ata përjetuan.

Në film, marrëdhënia mes tyre përshkruhet si komplekse, me debate, tensione dhe periudha largimi, por edhe me një lidhje të fortë emocionale që la gjurmë te të dy.

Një film që premton të zbulojë të vërtetën

Ndryshe nga dokumentarët klasikë biografikë, “Moss & Freud” nuk synon të tregojë gjithë jetën e Kate Moss. Ai fokusohet vetëm në një periudhë të shkurtër, por vendimtare, kur modelja po përballej me ndryshime të mëdha personale, profesionale dhe emocionale.

Për fansat, filmi përfaqëson një mundësi të rrallë për të parë pas fasadës së supermodeles që për dekada ka ruajtur një mister të veçantë rreth jetës së saj private.

“Moss & Freud” ka nisur shfaqjet në kinematë e Mbretërisë së Bashkuar nga 29 maji dhe pritet të jetë një nga filmat më të komentuar të vitit, pikërisht sepse premton të tregojë jo mitin e Kate Moss, por gruan që fshihet pas tij.

The post “Është e vërteta e saj”/ Filmi i ri për Kate Moss që hedh dritë mbi jetën e saj enigmatike appeared first on iconstyle.al.

  •  

Çfarë erdhi nga hapësira? Sinjali misterioz që sfidoi shkencëtarët për vite me radhë

Një nga fenomenet kozmike më të çuditshme dhe më ekstreme të regjistruara ndonjëherë po shpjegohet nga shkencëtarët pasi u zbulua një sinjal misterioz “shpërthyes” nga hapësira e thellë që zgjati gati shtatë orë.

Fenomeni u regjistrua në vitin 2025 dhe është emëruar GRB 250702B . Sipas astronomëve , ka të ngjarë të jetë një shpërthim rrezesh gama (GRB) jashtëzakonisht i rrallë dhe jashtëzakonisht i gjatë, një nga çlirimet më të fuqishme të energjisë në Univers .

Shpërthimet e rrezeve gama i kanë intriguar shkencëtarët për dekada të tëra. Ato u regjistruan për herë të parë në vitet 1960, kur satelitët ushtarakë amerikanë, në mes të Luftës së Ftohtë, po kërkonin shenja të testeve bërthamore në Tokë . Në vend të kësaj, ata zbuluan shpërthime të fuqishme rrezatimi që vinin nga hapësira. Siç raportohet nga skyatnightmagazine.com , shkencëtarët në atë kohë nuk e dinin saktësisht se çfarë ishin këto fenomene dhe u dhanë atyre emrin shpërthime rrezesh gama për shkak të rrezatimit intensiv gama që emetonin.

Shpërthimi i ri u dallua menjëherë nga çdo gjë e regjistruar më parë. Sipas NASA-s , sinjali u zbulua nga teleskopi hapësinor Fermi , i cili monitoron zona të gjera të qiellit në të njëjtën kohë dhe zbulon shkëndija të papritura me energji të lartë.

Hulumtuesja e NASA-s, Eliza Knights , e cila është e përfshirë në analizimin e fenomeneve të tilla, shpjegoi se kjo ngjarje e veçantë paraqiti një model të paprecedentë.

“Teleskopi regjistroi tre shpërthime të njëpasnjëshme rrezesh gama që dukeshin se vinin nga e njëjta pikë në qiell”, tha ajo.

Duke kombinuar të dhënat nga pesë teleskopë të ndryshëm me energji të lartë, shkencëtarët arritën në përfundimin se fenomeni zgjati rreth 25,000 sekonda , ose pothuajse shtatë orë.

Për astronomët, kjo kohëzgjatje konsiderohet ekstreme. Shumica e shpërthimeve të rrezeve gama zgjasin nga disa sekonda deri në disa minuta, ndërsa rekordi i mëparshëm ishte rreth 15,000 sekonda .

Studiuesit theksojnë se GRB 250702B nuk mund të shpjegohet nga modelet e njohura se si krijohen shpërthime të tilla dhe ka të ngjarë të kërkojë një interpretim krejtësisht të ri fizik.

Deri më sot, shkencëtarët njohin dy mekanizma kryesorë që shkaktojnë shpërthime rrezesh gama. I pari përfshin rënien e një ylli masiv që rrotullohet me shpejtësi . Kur ylli shembet, ka të ngjarë të formohet një vrimë e zezë, e cila krijon rryma të fuqishme energjie që zbulohen nga Toka si shpërthime rrezesh gama.

Mekanizmi i dytë përfshin përplasjen e dy yjeve neutron , të cilët janë mbetje jashtëzakonisht të dendura të yjeve.

Megjithatë, në rastin e sinjalit të ri, shkencëtarët besojnë se një skenar shumë më i rrallë , i njohur si një ” bashkim heliumi “, është më i mundshëm.

Sipas këtij modeli, një vrimë e zezë me masën e një ylli rrotullohet rreth një ylli heliumi, një yll që ka humbur shtresat e jashtme të hidrogjenit dhe ka mbetur me një bërthamë të mbushur me helium.

Ndërsa ylli zgjerohet, vrima e zezë hyn në brendësi të tij dhe fillon ta “konsumojë” yllin . Sasia e madhe e materies dhe impulsit këndor që më pas transferohet në vrimën e zezë mund të krijojë rryma energjie që zgjasin shumë më tepër sesa shpërthimet e zakonshme të rrezeve gama .

Shkencëtarët besojnë se fenomene të tilla mund të jenë më të zakonshme nga sa mendohej më parë, por ato janë të vështira për t’u zbuluar sepse kanë sinjal më të dobët dhe zgjasin më shumë sesa teleskopët zakonisht kërkojnë.

NASA tashmë po përgatit teleskopin e ri COSI , i cili pritet të lançohet në vitin 2027 dhe do të jetë i projektuar posaçërisht për të zbuluar fenomene të tilla ekstreme kozmike.

Shkencëtarët shpresojnë që vëzhgimet e ardhshme do të ndihmojnë në zbulimin e më shumë rreth këtyre sinjaleve misterioze dhe mekanizmave ekstremë që veprojnë në pjesët më të errëta dhe më të dhunshme të Universit.

The post Çfarë erdhi nga hapësira? Sinjali misterioz që sfidoi shkencëtarët për vite me radhë appeared first on iconstyle.al.

  •  

Të vërteta interesante që mund të mos i keni ditur për balenat

Balena është një nga krijesat më mbresëlënëse që jetojnë në planetin tonë. Gjigantët e oqeaneve kanë magjepsur njerëzit për shekuj me madhësinë, inteligjencën dhe sjelljet e tyre të veçanta. Megjithëse njihen gjerësisht, ka shumë fakte interesante për balenat që vazhdojnë të surprizojnë edhe shkencëtarët.

Balena blu është kafsha më e madhe që ka jetuar ndonjëherë në Tokë

Balena blu nuk është vetëm kafsha më e madhe e gjallë sot, por konsiderohet edhe kafsha më e madhe që ka ekzistuar ndonjëherë në historinë e planetit. Ajo mund të arrijë deri në 30 metra gjatësi dhe të peshojë mbi 180 tonë. Vetëm zemra e saj mund të peshojë sa një makinë e vogël.

Balenat janë gjitarë, jo peshq

Edhe pse kalojnë gjithë jetën në ujë, balenat nuk janë peshq. Ato janë gjitarë, që do të thotë se marrin frymë me mushkëri, lindin të vegjlit e tyre dhe i ushqejnë me qumësht. Për këtë arsye, ato duhet të dalin rregullisht në sipërfaqe për të marrë frymë.

Këndojnë për të komunikuar

Disa specie balenash, veçanërisht balenat me gunga, janë të famshme për “këngët” e tyre. Këto tinguj mund të udhëtojnë qindra kilometra nën ujë dhe përdoren për komunikim, orientim dhe tërheqje të partnerëve gjatë sezonit të çiftëzimit.

Kanë kujtesë dhe inteligjencë të jashtëzakonshme

Studimet kanë treguar se balenat janë ndër kafshët më inteligjente në botë. Ato kanë struktura komplekse sociale, njohin anëtarët e grupit të tyre dhe mund të kujtojnë rrugët migratore për vite me radhë.

Kryejnë udhëtimet më të gjata në botën shtazore

Disa lloje balenash përshkojnë mijëra kilometra çdo vit. Balena gri, për shembull, kryen një nga migrimet më të gjata në botën e kafshëve, duke udhëtuar nga zonat e ftohta të Arktikut drejt ujërave më të ngrohta për t’u riprodhuar.

Flenë në një mënyrë të veçantë

Ndryshe nga shumica e gjitarëve, balenat nuk mund të flenë plotësisht, sepse duhet të dalin në sipërfaqe për të marrë frymë. Për këtë arsye, ato “fikin” vetëm një pjesë të trurit në të njëjtën kohë, ndërsa pjesa tjetër mbetet aktive për të kontrolluar frymëmarrjen.

Luajnë rol kyç në ekosistemin detar

Përveçse janë krijesa mahnitëse, balenat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në ruajtjen e ekuilibrit të oqeaneve. Prania e tyre ndihmon në qarkullimin e lëndëve ushqyese dhe kontribuon në shëndetin e ekosistemeve detare.

Janë të mbrojtura, por ende të rrezikuara

Megjithëse gjuetia masive e balenave është reduktuar ndjeshëm krahasuar me shekullin e kaluar, shumë specie vazhdojnë të përballen me kërcënime si ndotja, ndryshimet klimatike, përplasjet me anije dhe kapja aksidentale në rrjeta peshkimi.

Balena mbetet një nga mrekullitë më të mëdha të natyrës. Sa më shumë mësojmë për këto krijesa gjigante, aq më shumë kuptojmë se sa të rëndësishme janë për shëndetin e oqeaneve dhe për ekuilibrin e jetës në Tokë.

The post Të vërteta interesante që mund të mos i keni ditur për balenat appeared first on iconstyle.al.

  •  

A janë vërtet më të fituar ata që zgjohen në 5 të mëngjesit? Shkenca jep përgjigjen

Zgjimi në orën 5 të mëngjesit është kthyer vitet e fundit në një “trend suksesi”. Në rrjete sociale, shumë e lidhin këtë zakon me produktivitetin, disiplinën dhe një jetë më të organizuar. Por a do të thotë kjo se kush zgjohet më herët është domosdoshmërisht më i suksesshëm?

Sipas ekspertëve të gjumit, përgjigjja nuk është kaq e thjeshtë. Ajo që ka më shumë rëndësi nuk është ora fikse e zgjimit, por cilësia e gjumit, numri i orëve të fjetura dhe ritmi biologjik i secilit person. Studimet tregojnë se njerëzit kanë kronotipe të ndryshme: disa funksionojnë më mirë në mëngjes, ndërsa të tjerë janë më aktivë në orët e vona të ditës.

Zgjimi herët mund të ketë përfitime për ata që flenë mjaftueshëm dhe arrijnë të ruajnë një rutinë të qëndrueshme. Mëngjesi i qetë mund të ndihmojë në planifikim, aktivitet fizik, përqendrim dhe më pak stres gjatë ditës. Megjithatë, nëse zgjimi në 5 vjen me mungesë gjumi, efekti mund të jetë i kundërt: lodhje, nervozizëm, përqendrim i dobët dhe rënie produktiviteti.

Ekspertët theksojnë se të rriturit zakonisht kanë nevojë për 7 deri në 9 orë gjumë në natë. Pra, për t’u zgjuar në 5 të mëngjesit, duhet të flesh herët. Në të kundërt, zgjimi i hershëm nuk është shenjë disipline, por një mënyrë për të lodhur trupin.

Nga ana tjetër, edhe personat që janë më aktivë në mbrëmje nuk janë domosdoshmërisht “më pak produktivë”. Problemi shpesh lind kur ritmi i tyre natyral bie ndesh me oraret e punës apo shkollës. Studimet sugjerojnë se produktiviteti lidhet më shumë me përputhjen mes ritmit personal dhe rutinës ditore sesa me një orë të caktuar zgjimi.

Pra, përfundimi i shkencës është i qartë: zgjimi në 5 të mëngjesit mund të jetë i dobishëm për disa, por nuk është formulë magjike për sukses. Më e rëndësishme është të flini mjaftueshëm, të zgjoheni të çlodhur dhe të krijoni një rutinë që i përshtatet trupit tuaj.

The post A janë vërtet më të fituar ata që zgjohen në 5 të mëngjesit? Shkenca jep përgjigjen appeared first on iconstyle.al.

  •  

Indri thyen heshtjen pas daljes nga Ferma: Pendesë për Klevisën, por jo rikthim te Vanesa

Rrugëtimi i Indri Shirokës në “Ferma VIP 3” ka përfunduar, pasi aktori nuk arriti të sigurojë mbështetjen e publikut për të vazhduar më tej në garë. Menjëherë pas largimit, ai ka folur për eksperiencën e tij në reality show, duke bërë edhe disa reflektime për momentet më të komentuara të qëndrimit në fermë.

Indri u shpreh se eliminimin e ka pritur me qetësi, duke lënë të kuptohet se kishte arritur në një pikë lodhjeje. “U ezaurova komplet”, tha ai, duke shtuar se nuk e përjetoi me keqardhje fundin e aventurës së tij në program.

Aktori komentoi edhe raportin me Klevisën, duke pranuar se ka reflektuar mbi disa prej veprimeve dhe deklaratave të tij. “Jam penduar, i kam kërkuar falje Klevisës”, u shpreh ai, ndërsa shtoi se gjithçka kishte ardhur si pasojë e një “momenti dobësie”.

Një tjetër temë që ngjalli interes ishte raporti me Vanesën. I pyetur nëse do të kishte mundësi për një rikthim mes tyre pas përfundimit të formatit, Indri u tregua i prerë në përgjigje. “Jo, nuk ka gjasa”, deklaroi ai.

Gjatë intervistës, ai hodhi poshtë edhe pretendimet se marrëdhëniet e krijuara në fermë kanë qenë pjesë e një strategjie loje. “Nuk di të bëj lojë, e kam paguar naivitetin tim”, tha aktori, duke theksuar se ka vepruar gjithmonë sipas ndjenjave dhe jo sipas kalkulimeve për të avancuar në garë.

Pavarësisht mënyrës si përfundoi eksperienca e tij në “Ferma VIP 3”, Indri tha se largohet me “ndërgjegje të pastër”, duke mbetur i bindur se ka qenë vetvetja gjatë gjithë rrugëtimit.

The post Indri thyen heshtjen pas daljes nga Ferma: Pendesë për Klevisën, por jo rikthim te Vanesa appeared first on iconstyle.al.

  •  

Vajza e Jennifer Lopez prezantohet me emër të ri dhe identitet tjetër gjinor

Fëmija i artistes së njohur Jennifer Lopez dhe këngëtarit Marc Anthony është bërë pjesë e diskutimeve në mediat ndërkombëtare pas ndryshimeve të vërejtura së fundmi në rrjetet sociale.

Sipas raportimeve që po qarkullojnë online, Emme Muniz, një nga binjakët e ish-çiftit të famshëm, tashmë prezantohet me emrin Oskar Muniz dhe përdor përemra mashkullorë në profilet e lidhura me aktivitetet e tij akademike dhe personale.

Ndryshimi është vënë re në publikimet që lidhen me maturantët e shkollës ku ka studiuar, ku emri Oskar është përdorur në vend të emrit me të cilin njihej më parë. Gjithashtu, në përshkrimet e profileve janë përdorur simbole që lidhen me komunitetin LGBTQ+ dhe identitetin transgjinor.

Ndërkohë, raportohet se Oskar do të vazhdojë studimet e larta në kolegjin Sarah Lawrence, ku pritet të ndjekë programin e Arteve Teatrore. Lajmi ka ngjallur reagime të shumta në rrjet, me shumë ndjekës që kanë shprehur mbështetje për zgjedhjet personale dhe rrugëtimin e tij.

Deri më tani, Jennifer Lopez dhe Marc Anthony nuk kanë bërë deklarata publike lidhur me këto raportime. Megjithatë, në një intervistë të dhënë së fundmi, Lopez foli për emocionet që po përjeton teksa fëmijët e saj po përgatiten të nisin jetën universitare.

Artistja tregoi se kjo periudhë ka qenë e mbushur me emocione për familjen, duke theksuar se dëshira e saj më e madhe është që fëmijët të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të jenë të lumtur me zgjedhjet që bëjnë në jetë.

The post Vajza e Jennifer Lopez prezantohet me emër të ri dhe identitet tjetër gjinor appeared first on iconstyle.al.

  •  

Tre ditë festë në Itali? Çfarë po thuhet për dasmën e Dua Lipës

Dua Lipa dhe partneri i saj, aktori britanik Callum Turner, janë sërish në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare, pas raportimeve që flasin për një martesë të afërt mes tyre.

Sipas zërave që po qarkullojnë në mediat rozë, çifti mund të kurorëzojë dashurinë në një ceremoni të organizuar në Itali, e cila pritet të zgjasë disa ditë dhe të mbledhë pranë tyre familjarë, miq të afërt dhe emra të njohur të industrisë së argëtimit.

Megjithëse as Dua Lipa dhe as Callum Turner nuk kanë bërë një njoftim zyrtar lidhur me datën apo vendin e ceremonisë, raportimet sugjerojnë se përgatitjet janë në fazën finale. Për shkak të interesit të madh mediatik, detajet e organizimit po mbahen larg syrit të publikut.

Lidhja e këngëtares me famë botërore dhe aktorit britanik u bë publike në fillim të vitit 2024. Që prej asaj kohe, dyshja është parë shpesh së bashku në evente të ndryshme publike, duke tërhequr vëmendjen e fansave dhe mediave.

Më herët është raportuar gjithashtu se çifti është fejuar, ndërsa vetë Dua ka folur në intervista për lumturinë që ka gjetur në këtë marrëdhënie dhe për planet që dëshiron të realizojë në të ardhmen.

Nëse raportimet rezultojnë të sakta, martesa e tyre pritet të jetë një nga ngjarjet më të komentuara të showbiz-it ndërkombëtar gjatë këtij viti, duke tërhequr vëmendjen e fansave nga e gjithë bota.

 

The post Tre ditë festë në Itali? Çfarë po thuhet për dasmën e Dua Lipës appeared first on iconstyle.al.

  •  

“Hëna Blu” vjen në fund të majit: Shpjegimi pas hënës së plotë më të veçantë të vitit

Shfaqja e radhës e të ashtuquajturës “Hëna Blu” po afron, pasi fenomeni pritet të shfaqet në orët e para të 1 qershorit. Megjithatë, pavarësisht emrit të saj, Hëna nuk do të bëhet blu, pasi termi nuk lidhet me pamjen e saj, por me mënyrën se si regjistrohen ciklet hënore brenda vitit kalendarik.

Ekzistojnë dy përkufizime të ndryshme të Hënës Blu. Më i vjetri i referohet hënës së tretë të plotë të një sezoni që përfshin gjithsej katër hëna të plota dhe njihet si Hënë Blu sezonale . Më vonë, mbizotëroi një përkufizim i dytë, i cili lindi nga një interpretim i pasaktë i origjinalit dhe përshkruan hënën e dytë të plotë brenda të njëjtit muaj. Hëna e plotë e 31 majit bie pikërisht në këtë kategori.

Në të njëjtën kohë, kjo hënë e veçantë do të karakterizohet edhe si një ” mikrohënë “, sepse Hëna do të jetë në pikën më të largët të orbitës së saj në krahasim me Tokën. Kjo do të thotë se do të duket pak më e vogël në qiell krahasuar me një hënë të plotë të rregullt, ndërsa ndryshimi bëhet edhe më i dukshëm kur krahasohet me një super hënë të plotë.

Sipas të dhënave astronomike, një mikrohënë duket rreth 7% më e vogël se një hënë e plotë mesatare dhe deri në 14% më e vogël se një superhënë . Hëna Blu sezonale e ardhshme vlerësohet të shfaqet më 21 gusht 2032.

Shpjegimi për fenomenin lidhet me kohëzgjatjen e ciklit hënor, i cili përfundon afërsisht çdo 29.5 ditë . Kështu, zakonisht ka 12 hëna të plota në një vit kalendarik. Megjithatë, për shkak se 12 ciklet hënore korrespondojnë me afërsisht 354 ditë dhe jo 365 të vitit, një hënë e plotë shtesë, e 13-të, shfaqet periodikisht, e cila karakterizohet si Hënë Blu.

Edhe pse në anglisht shprehja ” once in a blue moon ” përdoret për diçka jashtëzakonisht të rrallë, fenomeni nuk është aq i pazakontë nga pikëpamja astronomike. Në fakt, shkurti nuk mund të ketë kurrë një Hënë Blu mujore, për shkak të kohëzgjatjes së saj më të shkurtër. Në disa vite, mund të mos ketë fare hënë të plotë , e cila quhet “Hëna e Zezë”.

Hëna Blu do të jetë e dukshme në orët e para të së hënës, 1 qershor, afërsisht në orën 4:06 të mëngjesit. Në qiell, ajo do të shfaqet pranë yllit të kuq Antares, në konstelacionin e Akrepit, përpara se të kalojë në Ofiukus.

Megjithatë, ekziston edhe Hëna Blu, megjithëse ky është një fenomen natyror jashtëzakonisht i rrallë. Një shembull tipik u regjistrua në vitin 1883, pas shpërthimit të madh të vullkanit Krakatoa në Indonezi. Në atë kohë, sasi të mëdha hiri u nxorën në atmosferë dhe vepruan si një filtër drite, duke i dhënë Hënës një nuancë blu ose kaltërosh-jeshile. Imazhe të ngjashme janë vërejtur pas shpërthimeve të tjera të mëdha vullkanike, të tilla si El Chichón në Meksikë, Mali St. Helens dhe Mali Pinatubo.

The post “Hëna Blu” vjen në fund të majit: Shpjegimi pas hënës së plotë më të veçantë të vitit appeared first on iconstyle.al.

  •  

Pas ndarjes nga Pique, Shakira flet pa filtra: “Mendova se gjithçka po shembej”

Shakira ka bërë një nga rrëfimet më personale të viteve të fundit, duke folur hapur për periudhën e vështirë që përjetoi pas ndarjes nga ish-futbollisti Gerard Pique.

Këngëtarja kolumbiane pranoi se fundi i marrëdhënies së tyre nuk ishte thjesht një ndarje, por një goditje e fortë emocionale që ndryshoi rrjedhën e jetës së saj. Ajo e përshkroi atë periudhë si një nga momentet më të errëta dhe më të dhimbshme që ka kaluar ndonjëherë.

Sipas artistes, ajo kishte ndërtuar ëndrra të mëdha për familjen e saj dhe besonte se lidhja me Pique do të zgjaste përgjithmonë. Pikërisht për këtë arsye, shpërbërja e familjes që kishin krijuar së bashku ishte një realitet i vështirë për t’u pranuar.

“Familja ime ishte ëndrra ime më e madhe. Mendoja se do të qëndronim bashkë përgjithmonë”, ka lënë të kuptohet Shakira në rrëfimin e saj, duke treguar se humbja e këtij vizioni e preku thellë.

Por sikur kjo të mos mjaftonte, artistja u përball edhe me një tjetër sfidë të rëndë në të njëjtën periudhë. Babai i saj kaloi probleme serioze shëndetësore, çka e rëndoi edhe më shumë gjendjen emocionale të këngëtares. Mes shqetësimeve familjare dhe dhimbjes së ndarjes, Shakira u detyrua të gjente forcë për të vazhduar përpara.

Megjithatë, ajo thotë se koha dhe përvojat e vështira e kanë transformuar. Sot ndihet më e fortë, më e pjekur dhe më e vetëdijshme për aftësinë që ka njeriu për t’u ringritur edhe pas goditjeve më të forta.

“Kur kalon momente të tilla, kupton sa e fortë mund të jesh në të vërtetë”, u shpreh ajo.

Shakira dhe Gerard Pique i dhanë fund lidhjes së tyre në vitin 2022, pas më shumë se dhjetë vitesh së bashku. Nga historia e tyre e dashurisë kanë ardhur në jetë dy djemtë e tyre, Milan dhe Sasha, të cilët vazhdojnë të jenë qendra e botës së artistes.

Pas ndarjes, ish-mbrojtësi i Barcelonës vazhdoi jetën e tij me një lidhje të re, ndërsa Shakira zgjodhi të fokusohej te familja dhe muzika. Këngëtarja tha se aktualisht nuk mendon për një marrëdhënie të re sentimentale, pasi prioritetet e saj janë krejt të tjera.

“Fëmijët e mi janë prioriteti im absolut dhe jam më e dashuruar se kurrë me karrierën time”, deklaroi ajo.

Artistja shtoi se po shijon një fazë të re të jetës, ku energjinë e saj e investon te projektet muzikore, sukseset profesionale dhe koha me familjen.

Pavarësisht gjithçkaje që ka ndodhur mes tyre, Shakira theksoi se ruan respekt dhe mirënjohje për Gerard Pique. Ajo e konsideron atë një pjesë të rëndësishme të historisë së saj dhe, mbi të gjitha, babain e dy fëmijëve të saj.

Edhe pse plagët e së shkuarës nuk janë harruar plotësisht, këngëtarja duket se ka gjetur qetësinë dhe forcën për të ecur përpara, duke e kthyer një nga periudhat më të vështira të jetës së saj në një kapitull që e bëri më të fortë se kurrë.

The post Pas ndarjes nga Pique, Shakira flet pa filtra: “Mendova se gjithçka po shembej” appeared first on iconstyle.al.

  •  

Vanesa flet për herë të parë pas letrës së Indrit: Unë e dija përmbajtjen e saj

Vanesa ishte e ftuar mbremjen e kaluar në “Uëtëfë Show”, ku ka folur për raportin e krijuar brenda “Ferma VIP” me Indrin. Ajo u shpreh se, pavarësisht mënyrës si ndodhi gjithçka, e respekton vendimin e tij, edhe pse ende nuk i ka të qarta arsyet që e çuan drejt këtij hapi.

“Vendimin që ai ka marrë unë e respektoj. Arsyet i di ai. Nuk është e bukur normalisht, është diçka që askush s’do ndihej mirë, por është vendimi i tij dhe është në rregull (për mua). Indrin unë e besoj që ka pasur pëlqim, siç e kam thënë edhe brenda. Besoj se ka pasur edhe probleme, që s’mundem as unë, asnjë njeri t’i kuptojë përderisa nuk e di historinë e tij. Por unë jam një njeri që jepem 100%”, u shpreh ajo.

Vanesa pranoi gjithashtu se ka qenë plotësisht e përfshirë emocionalisht në këtë histori dhe nuk e ka problem ta pranojë publikisht.

“Po, isha e dhënë. Nuk e kam fare kompleks ta pranoj këtë!”

Duke folur për momentin kur u vu në dijeni për letrën e Indrit, ajo tregoi se nuk ishte surprizuar, pasi kishte dijeni për përmbajtjen e saj.

“Unë e dija përmbajtjen e letrës, ndaj nuk më erdhi si shok. Nuk më pëlqeu normalisht. Ishin gjëra të thëna në atë letër që nuk e di sa prej tyre ishin me vend. Ajo që kam thënë në statusin tim, unë e kam thënë përciptas, por po e sqaroj. Unë jam thirrur ditën e enjte për të qenë pjesë e programit ditën e premte, por jo për Indrin. Jam thirrur për të pasur një ballafaqim me dy vajza, por unë e kam refuzuar;

Më vonë më është thënë për ekzistencën e letrës. E marr vesh ekzistencën e letrës ditën e premte. Nuk kam shkuar ditën e premte, normalisht, sepse s’kisha arsye pse, nuk e ndieja;

Ditën e hënë vendosa të mos shkoja, sepse disa hije të mia të dyshimit u vërtetuan. E para, e gjithë situata, të shkruarit e një letre në një mënyrë të nxituar, mënyra si po organizohej… Fillimisht mu tha t’i bëja një surprizë Indrit ditën e premte, të kisha ballafaqimin me vajzat dhe një surprizë për Indrin.

Unë, si Vanesa, e kam ndier si një lloj gjëje jo të sinqertë; Nuk doja të gjendesha para një situate që dukej si kurth, të gjendesha e papërgatitur.”

Në fund, ajo la të kuptohej se mënyra si i sheh gjërat tani ka ndryshuar ndjeshëm pas daljes nga formati.

“Kam parë një Indri atje brenda me mua dhe shoh një tjetër person tani që kam dalë jashtë.”

The post Vanesa flet për herë të parë pas letrës së Indrit: Unë e dija përmbajtjen e saj appeared first on iconstyle.al.

  •  

Alarm për bombë pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë, një send i lënë mes të rrugës alarmon zonën

Një alarm për praninë e një lënde të dyshuar shpërthyese ka vënë në lëvizje këtë paradite forcat e sigurisë në kryeqytet, duke shkaktuar tension dhe masa të shtuara sigurie në zonën e Rrugës së Elbasanit, pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Sipas informacioneve paraprake të raportuara nga gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, sinjalizimi për një objekt të dyshimtë ka bërë që në vendngjarje të mbërrijnë menjëherë efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët kanë ndërmarrë masa të menjëhershme për izolimin e zonës dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Për shkak të situatës, autoritetet kanë rrethuar perimetrin ku është konstatuar objekti i dyshimtë dhe kanë bllokuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve në segmentin përkatës të rrugës. Kalimtarëve dhe drejtuesve të mjeteve u është kërkuar të shmangin lëvizjet në zonë deri në përfundim të verifikimeve.

Në terren ndodhen specialistët e forcave xheniere, ekspertët e njësisë antieksploziv si dhe patrulla të tjera të sigurisë, të cilët po kryejnë kontrolle të detajuara për të përcaktuar nëse objekti paraqet rrezik real. Gjithashtu, në operacion janë përfshirë edhe qentë e specializuar të gardës antieksploziv, të trajnuar për zbulimin e lëndëve shpërthyese.

Prania e forcave të shumta të sigurisë ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve që ndodheshin në zonë, ndërsa veprimet po zhvillohen me kujdes maksimal për shkak të afërsisë me një nga objektet diplomatike më të rëndësishme në vend.

The post Alarm për bombë pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë, një send i lënë mes të rrugës alarmon zonën appeared first on iconstyle.al.

  •  

“Ambienti në BBVIP ishte toksik”, Miri flet hapur për eksperiencën: Kisha shume plane por…

I ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, ish-banori i Big Brother VIP, Miri, ka folur për eksperiencën e tij në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, raportet me ish-banorët pas përfundimit të spektaklit dhe mënyrën se si publiku e ka njohur jashtë kamerave.

Ai u shpreh se Big Brother i dha mundësinë të tregonte Mirin e vërtetë, ndërsa nuk i kurseu komentet edhe për atmosferën brenda shtëpisë, të cilën e cilësoi si toksike në shumë momente. Gjithashtu, Miri tregoi se me cilët ish-banorë vazhdon të ruajë miqësi dhe zbuloi se hyrja në reality show ishte krejt ndryshe nga ajo që kishte imagjinuar.

Miri: “Publiku me këtë rrugëtim më njohu siç jam në jetën reale. Jo shumë njerëz më njohin në jetën reale.”

“Kush të njeh ty flet vetëm fjalët më të mira. Pse mungoi humori në Big Brother?”

Miri: “Ambienti ishte toksik në atë shtëpi. Shumë banorë nuk njiheshin dhe e shihnin njëri-tjetrin si rivalë, jam paragjykuar atje. Më kanë thënë që po fiton sepse je ‘West Side Family’. Jam takuar me Edisën, e kam motër, me Alesionin, Markon, Juelën, Livian. Me Rogertin s’jam takuar. Ai po shijon jetën, jemi përshëndetur rastësisht në rrugë dhe kemi folur vetëm kaq.

Kam hyrë në Big Brother me 8 milion plane, por kur u hap ajo derë, gjithçka u zerua.

The post “Ambienti në BBVIP ishte toksik”, Miri flet hapur për eksperiencën: Kisha shume plane por… appeared first on iconstyle.al.

  •  

Në televotim me Klevisën, Indri largohet përfundimisht nga Ferma Vip

Aktori Indri Shiroka është larguar përfundimisht nga Ferma Vip 3. Aktori doli më pak i preferuar nga publiku, së bashku me Klevisën dhe Kostanën. Ata u përballën në një sfidë, ku Kostana arriti ta fitonte, duke i shpëtuar televotimit.

Për rrjedhojë, Klevisa dhe Indri u përballën për disa minuta kokë më kokë, ku publiku vendosi të largojë Indrin. Aktori, pas humbjes së sfidës kërkoi të largohej, por këmbëngulja e moderatores Arbana Osmani bëri që ai të pranonte sfidën e televotimit.

Një debat i ashpër ndodhi gjate mbremjes mes Indrit dhe Sarës dhe shkak për këtë u bë letra që aktori i bëri Vanesës, ku i kërkoj ndarjen. Për Sarën, e cila krijoi një shoqëri shumë të afërt me Vanesën, një veprim i tillë është i papranueshëm. Sipas saj, ndarjen Indri ta bënte kur të dilte jashtë, jo nga televizori.

Por teksa dëgjoi edhe komentet që Sara kishte bërë gjatë javës me fermerët e tjerë, Indri i tha: “Je komplet falso. Të njoh shumë mirë. Nuk kam më energji oj Sara se kam gjithë javën që të duroj ty dhe gjithë të tjerët”.

Sara iu përgjigj me ironi akuzave të Indrit.

“Je naiv, i vogël, ne të kemi bullizuar. Të kërkojmë falje. Ti sapo ke kaluar publertetin dhe nuk i di këto gjëra.Ti lëndon njerëzit, vetëm për të qëndruar këtu”, tha Sara.

Por çfarë mendojnë fermerët e tjerë?

“Unë e çmoj sinqeritetin, kurdo që ndodh”, tha Kostana.

“Nuk besoj se Indri e bën për lojë. Nuk e prisja që ditët që ne kemi fol, ky ka shkrojtur letrën. Është zgjidhja e vet, nuk e gjykoj”, u shpreh Visi.

The post Në televotim me Klevisën, Indri largohet përfundimisht nga Ferma Vip appeared first on iconstyle.al.

  •  

Horoskopi për ditën e sotme, 30 Maj 2026

Dashi
Sot mund të merrni një vendim të thellë, që mund të revolucionarizojë jetën tuaj dashurore. Nëse keni qenë plotësisht të vetëdijshëm se po shkoni në rrugën e gabuar, por deri më tani ju ka munguar vullneti për të bërë diçka në lidhje me këtë, atëherë mund të zbuloni se duket se mbështeteni në burime të fshehura që papritmas ju bëjnë shumë të vendosur.
Demi
Jeta është për t’u jetuar, dhe ju mund të bëni shumë nga kjo. Nëse e keni gjetur veten duke i rezistuar dëshirës për t’i treguar një të dashuri saktësisht se si ndiheni, atëherë do të zbuloni se sot, në kontrast të plotë, doni ta bërtisni dhe t’ia bëni të ditur të gjithëve.
Binjakët
Natyra juaj e mirë dhe qasja e sinqertë do t’ju sjellin shumë pikë në punë sot. Një qëndrim pozitiv – më shumë sesa njohuritë ose aftësitë – do të jetë ajo që do t’ju japë avantazhin që shpresoni në karrierën tuaj.
Gaforrja
Përpjekja për të bindur njerëzit për idetë tuaja do të dështojë sot, nëse nuk keni ndjenja dhe pasion pas fjalëve tuaja. Të tjerët do të jenë në gjendje të kuptojnë qartë një ide të dobët që nuk ka mbështetje të fortë. Jini të përgatitur përpara se t’ua paraqisni idetë tuaja të tjerëve.
Luani
Gjërat kanë ndryshuar dhe papritmas jeni në një pozicion shumë të mirë me shefin tuaj dhe njerëzit përreth jush. Ngjarjet që lidhen me punën do të shkojnë mirë për ju dhe vetëbesimi juaj i përgjithshëm do të jetë më i fortë se zakonisht. Kërkoni favore tani, mos prisni.
Virgjëresha
Mos ia hidh qëllimisht fajin dikujt tjetër sot, me qëllim që të dukesh mirë para shefit. E vërteta e veprimeve të tua përfundimisht do të dalë në pah dhe do të jesh në një pozicion aspak të mirë. Tegohu I sinqertë.
Peshorja
Besnikëria ndaj punës suaj është një pjesë kyçe e suksesit, veçanërisht sot. Demonstroni këtë besnikëri duke shkuar një hap përtej asaj që pritet prej jush. Nëse nuk ndjeni dëshirën për t’iu përkushtuar kësaj, atëherë gjeni një punë të re.
Akrepi
Është e vështirë për ju të përballeni me njerëz të tjerë sot. Kolegët po jua vështirësojnë komunikimin efektiv sot. Është më mirë të lini çdo çështje të rëndësishme për një ditë tjetër.
Shigjetari
Niveli juaj i produktivitetit në punë është jashtëzakonisht i lartë sot, prandaj shfrytëzojeni këtë kohë. Sa më shumë të arrini, aq më shumë do të frymëzoheni për të arritur qëllime të tjera. Ky cikël pozitiv në rritje do të çojë në sukses të madh në fund të ditës.
Bricjapi
Puna juaj duket e lodhshme sot edhe më shumë se zakonisht. Do të ndiheni të lidhur në mënyrë të parehatshme me një situatë që thjesht nuk ju përshtatet. Mos u nxitoni dhe mos vendosni papritur të hiqni dorë. Kjo është vetëm një fazë kalimtare që do të përfundojë së shpejti.
Ujori
Mos u bëj shumë kritik ndaj punës së dikujt tjetër sot. Ndjenjat e këtij personi janë më të dobëta nga ç’mund ta kuptosh në fillim. Një kritikë shumë e ashpër mund t’i sjellë lot në sy këtij personi. Ji i butë me të kur ia shpreh pikëpamjen tënde.
Peshqit
“Bëju të tjerëve atë që do të doje të të bënin ty” vlen edhe për punën tënde, veçanërisht sot. Ki kujdes me fjalët ndaj të tjerëve sot. Mund të komunikosh diçka për të cilën do të pendohesh sot

The post Horoskopi për ditën e sotme, 30 Maj 2026 appeared first on iconstyle.al.

  •  
❌