Reading view

Kanye West i refuzuar në disa shtete të Europës, Shqipëria hap dyert për 60 mijë spektatorë: Shans historik për vendin, por a jemi gati për sfidën?

Ndërsa disa vende europiane kanë vendosur të anulojnë ose shtyjnë koncertet e Kanye West për arsye që lidhen me interesin publik dhe çështje ligjore, Shqipëria po përgatitet të presë një nga eventet më të mëdha muzikore që është tentuar ndonjëherë në vend.

Më 11 korrik, sipas planit, artisti amerikan pritet të performojë në Tiranë, në një koncert për të cilin do të ndërtohet enkas një stadium i përkohshëm, “Eagle Stadium”, në zonën e Kasharit, përgjatë aksit Tiranë-Durrës. Kapaciteti i tij parashikohet të jetë rreth 60 mijë spektatorë dhe vendndodhja është zgjedhur për shkak të aksesit të lehtë nga aeroporti dhe rrugët kryesore.

Ndërkohë, në disa vende situata ka marrë një drejtim tjetër.

Mbretërinë e Bashkuar, autoritetet i refuzuan Kanye West autorizimin elektronik të udhëtimit, duke argumentuar se prania e tij nuk ishte në përputhje me interesin publik.

Francë, koncerti i planifikuar në Marsejë u shty pa afat, pasi ministri i Brendshëm paralajmëroi se do të shqyrtonte mundësitë për anulim.

Poloni, një tjetër koncert u anulua për arsye formale dhe ligjore, ndërsa në Holandë, megjithëse eventi nuk është anuluar, qeveria ndodhet nën presion për të ndjekur të njëjtin shembull.

Në këtë kontekst, Shqipëria po hyn në një territor të panjohur, duke marrë përsipër një organizim me përmasa gjigante. Nëse ky koncert realizohet me sukses, përfitimet mund të jenë të shumëfishta dhe të prekshme në disa nivele.

Së pari, pritet një rritje e menjëhershme e turizmit. Dhjetëra mijëra vizitorë nga rajoni dhe më gjerë mund të mbërrijnë në Tiranë vetëm për këtë event, duke rritur ndjeshëm kërkesën për akomodim, transport dhe shërbime të tjera. Hotelet, apartamentet me qira ditore, restorantet, baret dhe bizneset lokale do të përfitonin drejtpërdrejt nga kjo lëvizje.

Së dyti, ndikimi ekonomik mund të jetë i konsiderueshëm. Përveç biletave, vizitorët shpenzojnë për udhëtime, ushqim, argëtim, transport dhe blerje, duke krijuar një qarkullim të madh parash në ekonomi dhe duke rritur të ardhurat për bizneset dhe shtetin.

Një tjetër përfitim është promovimi ndërkombëtar. Një koncert i Kanye West në Shqipëri do të tërhiqte vëmendjen e mediave dhe rrjeteve sociale globale, duke e vendosur vendin në fokus si një destinacion i ri për evente të mëdha dhe duke rritur profilin e tij turistik.

Gjithashtu, një organizim i suksesshëm do të ndihmonte në pozicionimin e Tiranës si një qytet që mund të presë evente ndërkombëtare të kësaj shkalle, duke hapur rrugën për koncerte, festivale dhe aktivitete të tjera të mëdha në të ardhmen.

Nuk mungon as efekti në punësim. Një event i tillë kërkon qindra, në mos mijëra punonjës të përkohshëm, nga siguria dhe logjistika, te shërbimet teknike, transporti, hoteleria dhe marketingu, duke krijuar mundësi të menjëhershme punësimi.

planin kulturor, ky koncert do t’i jepte publikut shqiptar mundësinë të përjetojë nga afër një artist global pa pasur nevojë të udhëtojë jashtë vendit, duke e afruar më shumë Shqipërinë me skenën ndërkombëtare të muzikës.

Por përtej këtyre përfitimeve, a është Shqipëria gati për një event të tillë?

Një stadium i përkohshëm për 60 mijë persona kërkon standarde të larta sigurie, menaxhim të saktë të turmës, dalje emergjence funksionale, plane evakuimi dhe koordinim të plotë mes institucioneve.

Historia ka treguar se kur këto elemente dështojnë, pasojat mund të jenë të rënda.

Në vitin 2021, në festivalin Astroworld në SHBA, 10 persona humbën jetën nga shtypja e turmës.

Në vitin 2010, në Love Parade në Gjermani, 21 persona humbën jetën në një kalim të mbingarkuar.

Në Danimarkë, në vitin 2000, 9 persona vdiqën gjatë një koncerti nga i njëjti fenomen.

Ndërsa në Indiana, në vitin 2011, një skenë e përkohshme u shemb, duke shkaktuar viktima.

Këto raste tregojnë se rreziku nuk është teorik, por real, sidomos kur bëhet fjalë për turma të mëdha dhe struktura të përkohshme.

Shqipëria ndodhet përballë një mundësie të madhe, por edhe një përgjegjësie po aq të madhe. Një koncert i këtij niveli mund të jetë një sukses historik për ekonominë, turizmin dhe imazhin e vendit. Por në të njëjtën kohë, nëse nuk organizohet me standardet e duhura, mund të kthehet në një problem serioz.

A do të arrijë Shqipëria ta përballojë këtë sfidë dhe ta kthejë në një histori suksesi, apo rreziku është më i madh sesa duket?

The post Kanye West i refuzuar në disa shtete të Europës, Shqipëria hap dyert për 60 mijë spektatorë: Shans historik për vendin, por a jemi gati për sfidën? appeared first on iconstyle.al.

  •  

Kanye West në Tiranë, stadiumi marramendës do të ndërtohet enkas për koncertin me 60 mijë spektatorë!

Tirana pritet të kthehet më 11 korrik në një nga qendrat më të mëdha të muzikës live në rajon, me koncertin e artistit amerikan Kanye West. Eventi është parashikuar të zhvillohet në një hapësirë të posaçme në aksin Tiranë-Durrës, ku do të ngrihet “Eagle Stadium”, një stadium i përkohshëm me kapacitet rreth 60 mijë spektatorë.

Vendndodhja e stadiumit është përcaktuar në zonën e Kasharit, për shkak të aksesit më të lehtë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës dhe lidhjes me Unazën e Madhe. Kjo zonë pritet të shërbejë si pika kryesore e hyrjes dhe daljes për mijëra pjesëmarrës që do të mbërrijnë nga Shqipëria, rajoni dhe vende të tjera.

Koncerti konsiderohet një ngjarje me përmasa të paprecedenta për vendin. Pritshmëritë janë që Tirana të presë rreth 100 mijë vizitorë, ndërsa ndikimi ekonomik i eventit llogaritet të arrijë të paktën 120 milionë euro.

Eventi në Shqipëri është pjesë e turit botëror të Kanye West për vitin 2026, i cili pritet të përfshijë disa prej stadiumeve më të mëdha në botë. Turneu do të nisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më pas do të vijojë në Azi dhe Europë, ku Tirana është përfshirë si një nga ndalesat.

Organizimi i koncertit do të bëhet nga “Streetlife”, kompani me bazë në Berlin, e njohur për bashkëpunime me artistë ndërkombëtarë si 50 Cent, Drake, Snoop Dogg, Kendrick Lamar dhe Nicki Minaj.

Kanye West mbetet një nga emrat më me ndikim në muzikën dhe kulturën bashkëkohore. Albumet “The College Dropout”, “Graduation”, “808s & Heartbreak” dhe “Donda” e kanë vendosur atë mes artistëve që kanë ndryshuar mënyrën se si prodhohet, promovohet dhe përjetohet muzika në skenën globale.

Për Shqipërinë, ky koncert pritet të jetë jo vetëm një event muzikor, por edhe një test i madh për turizmin, logjistikën dhe kapacitetin e vendit për të pritur ngjarje ndërkombëtare të kësaj përmase.

The post Kanye West në Tiranë, stadiumi marramendës do të ndërtohet enkas për koncertin me 60 mijë spektatorë! appeared first on iconstyle.al.

  •  

Mimoza Ahmeti thumbon Ramën me sarkazëm: Më gjej pak lepujt me satelit, a punon ai? Po e-Albania punon tani?

Një moment që dukej si humor në “Ferma VIP” ka rikthyer në vëmendje një prej premtimeve më të diskutueshme të qeverisë. Poetja dhe shkrimtarja Mimoza Ahmeti i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të përdorë satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” për t’i gjetur lepujt në fermë.

E rrezikuar të humbiste sfidën për mbledhjen e lepujve, Ahmeti iu drejtua publikisht Ramës me një kërkesë që përziente humorin me sarkazmën:

“Ej, kryeministër, a punon sateliti me i gjet içik lepujt e mi? Se vdiqa, nuk po marr plus, jam minus. Lësho pak satelitin t’i kapin paf, zonën kuadratoje, fap, fap.

I them Edit unë, tani m’i gjen Edi në vend. Gjeji o vëlla gjeji, t’i çfarë nuk gjen. Te këto tokat e nxanuna kapi, fap, fap, izoloi aty se jam me minus”, u shpreh ajo.

Por kërkesa nuk u ndal me kaq. Ajo ironizoi edhe problematikat e sistemit shtetëror duke kërkuar certifikata identiteti për lepujt përmes e-Albania:

“Ej, po me e-Albania i gjej unë këto identitetet e këtyre? Me e-Albania do shoh unë, fap, fap, fap. Dua shtatë certifikata lepujsh me e-Albania, ju lutem punon sistemi? Punoka!

O sa mirë, se një ditë kur erdha nuk punonte. Shtatë certifikata lepujsh dua unë, t’i gjej identitetin se po kërkoj me identitet të panjohur”, tha ajo.

Satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” u premtuan nga Edi Rama në tetor 2023 si një mjet për monitorimin e territorit, ndërtimeve pa leje, zjarreve, përmbytjeve dhe aktiviteteve të paligjshme. Projekti u firmos me kompaninë Satellogic USA Inc me një kosto prej 6 milionë dollarësh për tre vite.

Por, deri më sot, të dhënat tregojnë se këta satelitë nuk kanë sjellë asnjë përfitim konkret: nuk kanë ndihmuar në ndalimin e ndërtimeve pa leje, nuk kanë zbuluar parcela droge dhe nuk janë përdorur realisht nga institucionet. Në praktikë, rezultojnë pothuajse të papërdorshëm, ndërsa investimi milionë dollarësh mbetet pa rezultat.

The post Mimoza Ahmeti thumbon Ramën me sarkazëm: Më gjej pak lepujt me satelit, a punon ai? Po e-Albania punon tani? appeared first on iconstyle.al.

  •  

Rinia po detyrohet të lërë Shqipërinë, Rizarta ua përplas të vërtetën në sy, tërbohen Albatros Rexhaj dhe Bledi Mane: “Kujdes çfarë flet! Nëse do me ik, ik”

Ka një arsye pse disa të vërteta nuk thuhen me zë të lartë në Shqipëri. Jo sepse nuk ekzistojnë. Por sepse shumë njerëz kanë zgjedhur të mos flasin. Disa nga frika. Disa nga interesi. Disa sepse janë bërë pjesë e një mekanizmi që i mban të lidhur, patronazhistë që nuk guxojnë as të mendojnë ndryshe, jo më të flasin apo të ngrihen.

Dhe kur dikush del nga kjo radhë dhe e thotë troç, reagimi është i menjëhershëm: sulm.

Kjo ndodhi në emisionin “Rrethi Katror” në “Top Channel”, kur influencuesja 23-vjeçare Rizarta Hoxha, pjesë e panelit ku përfaqëson rininë, nuk bëri asgjë tjetër veçse artikuloi atë që një brez i tërë po përjeton çdo ditë:

“Një pjesë e madhe e shoqërisë time po largohet nga Shqipëria, është edhe thirrja në fund: “Rizarta largohu edhe ti”. Shumë e trishtë që vendi ku kam lindur s’më meriton mua, apo unë nuk i përkas vendit ku kam lindur dhe nuk dua kthej në histori personale sepse ky është një fenomen kombëtar.

Shqipëria po vuan nga mungesa e profesionistëve. Degët e arsimit; matematika, fizika, gjuhë letërsia, kimia po boshatisen sepse dhe ata studentë që i zgjedhin dhe dalin me rezultate të larta, në fund të shkollimit largohen nga Shqipëria.

Ne prodhojmë më shumë diploma sesa profesionistë, sepse njerëzit largohen. Nuk largohen vetëm nga mungesa e parave, largohen nga mungesa e meritokracisë dhe nga mungesa e karrierës. Nqs unë do kisha një arsye për t’u larguar nga vendi im, do largohesha sepse nuk vlerësohem

Shqipëria nuk i vlerëson njerëzit e formuar, njerëzit me tru. Shqipëria është shumë herë më e varfër në tru, sesa në para. Albatrosi thotë që Shqipëria është zhvilluar, por ndërkohë ne kemi numrin më të vogël të mjekëve në Europë.

Nqs Europa ka 3.5 mjekë për 1000 banorë, Shqipëria ka 1.2 mjekë për 1000 banorë. Inxhinierët janë larguar. Cilësia e mësuesëve është për të dëshiruar. Ata që nuk e dinë historinë, janë të destinuar ta përsërisin dhe ne po përsërisim një diktaturë të heshtur.”

Këto janë fjali që nuk lënë shumë vend për interpretim. Ose i kundërshton me argument, ose i shmangesh. Në studio u zgjodh opsioni i dytë.

Albatros Rexhaj reagoi shkurt, prerë, pa hyrë në asnjë nga pikat që u ngritën:

 “Nëse do me ik, ik. Llafe të kota. ‘Shqipëria’ është e keqe. Ki kujdes moj çfarë flet. Zhvillimi në Shqipëri është i matshëm, i prekshëm. Shko në Maqedoni, koha është ndal. Shko në Ohër, nuk gjen një restorant me një tualet të hajrit. Në anën shqiptare edhe tualeti është ndryshe.”

Debati për boshatisjen e universiteteve dhe mungesën e mjekëve përfundoi tek tualetet.

Bledi Mane nuk u ndal shumë larg të njëjtit nivel:

 “Ti po flet si Jorida Tabaku para komisionit parlamentar. Je infektuar dhe ti nga mania që po lavdërove malin, detin, fushën në Shqipëri dhe një biznes të ndershëm, ti je patronazhist. Të duash atdheun është detyrë njerëzore. Po ik mi goc, pse nuk ikën ti personalisht?”

“E dëgjove çfarë logjike? Ky vend nuk ka trena. Po kush nga moshatarët e tu do hipte në tren? Si do dalësh ti në ‘Bllok’, me tren? Na çmendët! Këtej nxirrni sushi, këtej shani Shqipërinë. Këtej në plazhet e Dhërmiut, këtej shani Shqipërinë.”

Asnjë fjalë për meritokracinë. Asnjë fjalë për ikjen masive. Asnjë fjalë për faktet. Vetëm presion: nëse nuk të pëlqen, ik. Dhe kjo është pikërisht ajo që po ndodh.

Sepse një pjesë e shoqërisë është dorëzuar pa nisur. Një pjesë tjetër është futur në rresht, patronazhistë që nuk guxojnë as të flasin, jo më të veprojnë, të kundërshtojnë, të ngrihen. Dhe në mes është një brez që nuk pranon më të presë.

Kjo është arsyeja pse kjo e vërtetë, e shprehur nga një qytetar që s’i përket politikës, dhemb. Sepse është një realitet që po boshatis vendin çdo ditë. Sepse është më e lehtë të thuash “ik” sesa të pranosh arsyet pse po ikin të gjithë…

The post Rinia po detyrohet të lërë Shqipërinë, Rizarta ua përplas të vërtetën në sy, tërbohen Albatros Rexhaj dhe Bledi Mane: “Kujdes çfarë flet! Nëse do me ik, ik” appeared first on iconstyle.al.

  •  

Studimi tronditës: Të rinjtë që konsumojnë kanabis janë mbi 6 herë më të rrezikuar për atak në zemër

Një studim i publikuar në vitin 2025 në Journal of the American College of Cardiology po hedh dritë mbi një rrezik që shpesh nënvlerësohet: ndikimin e kanabisit në shëndetin e zemrës, sidomos tek të rinjtë.

Sipas këtij kërkimi, personat nën 50 vjeç që përdorin kanabis janë mbi 6 herë më të rrezikuar për të pësuar atak në zemër krahasuar me ata që nuk e përdorin. Dhe ajo që e bën edhe më shqetësuese këtë gjetje është se kanabisi rezulton një faktor i pavarur rreziku. Pra, edhe nëse një person nuk pi duhan dhe nuk ka probleme të tjera si tensioni i lartë apo diabeti, rreziku mbetet i lartë.

Studimi analizoi të dhënat e rreth 4.6 milionë personave dhe zbuloi se përdoruesit e kanabisit kishin një incidencë 6.2 herë më të lartë të atakut në zemër. Përveç kësaj, përdorimi i tij lidhet edhe me një rritje 4.3 herë të rrezikut për goditje ishemike në tru dhe rreth 2.1 herë më shumë gjasa për insuficiencë kardiake.

Një tjetër element i fortë i studimit është efekti i menjëhershëm. Rreziku për atak në zemër mund të arrijë kulmin brenda një ore pas konsumimit të kanabisit, çka do të thotë se ndikimi nuk është vetëm afatgjatë, por mund të jetë edhe i menjëhershëm.

Ekspertët shpjegojnë se, njësoj si duhani, tymosja e kanabisit çliron substanca që dëmtojnë enët e gjakut dhe funksionin e tyre. Kjo shkakton disfunksion endotelial, kufizon qarkullimin e gjakut dhe rrit kërkesën e zemrës për oksigjen, duke e vendosur atë nën stres të vazhdueshëm.

Gjetjet mbështeten edhe nga një meta-analizë e 12 studimeve, e cila tregon se përdoruesit e kanabisit kanë rreth 50% më shumë rrezik për atak në zemër në përgjithësi.

Për këtë arsye, studiuesit rekomandojnë që mjekët të përfshijnë pyetje mbi përdorimin e kanabisit gjatë vlerësimit të rrezikut kardiovaskular, veçanërisht tek pacientët e rinj. Në një kohë kur kanabisi shpesh shihet si i padëmshëm, këto të dhëna tregojnë një realitet që nuk duhet anashkaluar.

The post Studimi tronditës: Të rinjtë që konsumojnë kanabis janë mbi 6 herë më të rrezikuar për atak në zemër appeared first on iconstyle.al.

  •  

Historike për boksin shqiptar: Prenga përballë Anthony Joshua, ish-kampionit të botës në peshat e rënda

Një nga momentet më të mëdha për boksin shqiptar po afron. Kristian Prenga do të ngjitet në ring përballë Anthony Joshua, ish-kampionit të botës në peshat e rënda dhe një prej emrave më të mëdhenj të këtij sporti.

Përballja është planifikuar më 25 korrik në Riad të Arabisë Saudite, në një event të madh ndërkombëtar që shënon rikthimin e Joshuas në ring dhe që do të transmetohet globalisht në DAZN. Për Prengën, kjo është skena më e madhe e karrierës dhe një moment që e vendos boksin shqiptar në vëmendjen botërore.

Boksieri shqiptar vjen në këtë duel me një rekord të fortë prej 20 fitoresh dhe vetëm 1 humbje, ku të gjitha fitoret i ka arritur me knockout, një statistikë që e bën një nga goditësit më të rrezikshëm në ring.

Përballë tij do të jetë Anthony Joshua, ish-kampion i dyfishtë bote, një figurë globale që ka dominuar peshat e rënda dhe është përballur me emrat më elitarë të boksit.

Por përtej diferencës së emrit dhe eksperiencës, Prenga ka dhënë një mesazh të fortë para kësaj përballjeje, duke paralajmëruar një surprizë të madhe:

“Anthony Joshua është një boksier i madh, por ka bërë një gabim të madh duke më zgjedhur si kundërshtar. Kjo është ndeshja që ndryshon gjithçka, për mua dhe për të. E di që kanë plane të mëdha pas kësaj ndeshjeje. E di që po më anashkalojnë dhe kjo më pëlqen. Do t’i prish planet e tyre dhe do të trondis botën këtë korrik në Arabinë Saudite.”

Kjo e kthen përballjen në shumë më tepër se një ndeshje të zakonshme. Nga njëra anë është Joshua, që synon rikthimin drejt majës dhe përballje të mëdha si ajo e mundshme me Tyson Fury. Nga ana tjetër është Prenga, që hyn në ring pa presion, por me mundësinë për të shkruar historinë.

Një fitore apo edhe një paraqitje e fortë ndaj një ish-kampioni bote do të kishte jehonë të jashtëzakonshme. Sepse më 25 korrik në Riad, është një provë e madhe për një shqiptar që ka shansin të ndryshojë gjithçka dhe të vendosë emrin e tij në hartën botërore të peshave të rënda.

The post Historike për boksin shqiptar: Prenga përballë Anthony Joshua, ish-kampionit të botës në peshat e rënda appeared first on iconstyle.al.

  •  

Kur kristalet flasin vetë: Swarovski prezantoi Wondercolor në një mbrëmje plot stil në TEG

Në një atmosferë të kuruar me finesë, Swarovski solli në TEG një transformim të përvojës. Koncepti i ri “Wondercolor” u prezantua si një mënyrë e re për ta jetuar brandin, më afër stilit, dritës dhe ndjesisë që krijon çdo detaj.

Swarovski këtë herë erdhi me një identitet të rifreskuar, më të gjallë dhe më tërheqës. Një hapësirë që ftonte për t’u ndalur, për të parë nga afër dhe për ta përjetuar kristalin në një dimension më personal.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by By Best Shop (@bybest.shop)

Mbrëmja mblodhi klientë besnikë, të ftuar të veçantë dhe qytetarë që u afruan spontanisht, të tërhequr nga shkëlqimi dhe atmosfera. Nuk munguan momentet e ngrohta, bisedat, fotot dhe ai entuziazëm i natyrshëm që krijohet kur diçka e bukur të kap syrin.

Vajzat shkëlqyen me bizhutë Swarovski, duke e kthyer çdo lëvizje në reflektim drite. Çdo aksesor dukej sikur ishte pjesë e historisë së mbrëmjes, duke i dhënë edhe më shumë jetë konceptit të ri.

Mes gotave të shampanjës dhe një catering-u të përzgjedhur, atmosfera u bë edhe më e plotë. Një mbrëmje që nuk ishte thjesht për të parë, por për të përjetuar.

Dhe për shumë prej të pranishmëve, kjo përvojë nuk mbeti vetëm vizuale. Disa zgjodhën të marrin me vete një pjesë të këtij shkëlqimi, duke përzgjedhur kristalet që i tërhoqën më shumë. Një moment i kthyer në kujtim, në stil personal.

Swarovski nuk është vetëm për t’u admiruar. Është për t’u jetuar. 💎

The post Kur kristalet flasin vetë: Swarovski prezantoi Wondercolor në një mbrëmje plot stil në TEG appeared first on iconstyle.al.

  •  

Ekskluzive/ Zbulohet gjinia e bebit, Endi Demneri dhe Krenar Çoçaj në pritje të një djali

Endi Demneri është në pritje të ëmbël dhe së shpejti pritet të bëhet nënë për herë të parë.

Burime ekskluzive për Iconstyle konfirmojnë se modelja ka organizuar së fundmi një “gender reveal” në Sarandë, ku është zbuluar edhe gjinia e bebit. Endi Demneri dhe Krenar Çoçaj janë në pritje të një djali.

Ky lajm i jep fund edhe pikëpyetjeve që kishin qarkulluar prej kohësh rreth identitetit të babait të fëmijës. Sipas informacioneve të siguruara nga Iconstyle, babai i bebit është Krenar Çoçaj.

Romanca mes tyre u përfol që verën e kaluar, pasi Iconstyle publikoi pamje ekskluzive të dyshes në Ibiza, ku afrimiteti mes tyre ishte i dukshëm dhe ngriti dyshime për një lidhje romantike.

Deri më tani, as Demneri dhe as Çoçaj nuk kanë bërë një konfirmim publik për këtë kapitull të ri në jetën e tyre private. Megjithatë, burime të sigurta pranë çiftit bëjnë me dije se ata janë në pritje të një djali.

Zbulimi i gjinisë në Sarandë duket se ka qenë një moment i mbajtur mes njerëzve më të afërt, larg ekspozimit publik, ndërsa vetë Demneri vijon të qëndrojë diskrete për këtë periudhë të rëndësishme në jetën e saj. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë një konfimim publik.

The post Ekskluzive/ Zbulohet gjinia e bebit, Endi Demneri dhe Krenar Çoçaj në pritje të një djali appeared first on iconstyle.al.

  •  

Ekskluzive: Endi Demneri në pritje të ëmbël, “gender reveal” për bebin në Sarandë

Burime ekskluzive për Iconstyle zbulojnë se modelja Endi Demneri është në pritje të ëmbël dhe se shpejti do të bëhet nënë për herë të parë.

Sipas të njëjtave burime, ajo pritet të organizojë shume shpejt një “gender reveal” në Sarandë, ku do të zbulojë edhe gjininë e bebit të saj.

Lajmi ka ndezur menjëherë spekulimet në rrjet, edhe për shkak të mungesës së një konfirmimi mbi identitetin e babait të fëmijës. Deri më tani, nuk ka asnjë reagim zyrtar nga vetë Demneri.

Në këtë kontekst, rikthehet në vëmendje edhe romanca e përfolur verën e kaluar me Krenar Çoçaj. Kujtojmë se Iconstyle publikoi më herët pamje ekskluzive të dyshes në Ibiza, ku afrimiteti mes tyre ishte i dukshëm dhe nxiti dyshime për një lidhje romantike.

Megjithatë, edhe pse emri i Çoçajt është i vetmi që lidhet publikisht me Demnerin kohët e fundit, nuk është e konfirmuar nëse ai është babai i fëmijës. Ky mbetet nje informacion që pritet të mësohet në vijim.

Deri atëherë, vëmendja mbetet te eventi në Sarandë, që pritet të zbulojë gjininë e fëmijës që po vjen.

Mbetet për t’u parë nëse eventi i “gender reveal”-it në Sarandë do të jetë momenti që do të konfirmojë gjithçka publikisht.

The post Ekskluzive: Endi Demneri në pritje të ëmbël, “gender reveal” për bebin në Sarandë appeared first on iconstyle.al.

  •  

Turqia ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç

Turqia ka ndërmarrë një hap të fortë në rregullimin e botës digjitale për të miturit, duke miratuar një ligj që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç. Projektligji, i paraqitur fillimisht në mars 2026 dhe i miratuar në parlament në fund të prillit, vjen si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të vendosur kufij në një hapësirë që për shumë kohë ka qenë pothuajse pa kontroll.

Sipas ligjit të ri, të miturit nën 15 vjeç nuk do të lejohen të krijojnë llogari në platformat e mediave sociale. Ndërkohë, kompanitë teknologjike do të detyrohen të vendosin mekanizma të detyrueshëm për verifikimin e moshës, për të parandaluar aksesin e përdoruesve të mitur. Legjislacioni parashikon gjithashtu masa për reagim të shpejtë ndaj përmbajtjeve të dëmshme, duke i detyruar platformat që, në raste emergjente, të ndërhyjnë brenda një ore për të adresuar materialet problematike.

Ky vendim nuk vjen rastësisht. Autoritetet turke e kanë justifikuar me shqetësimet në rritje për ndikimin e rrjeteve sociale në shëndetin mendor të fëmijëve, në sigurinë e tyre dhe në mirëqenien e përgjithshme. Në një kohë kur të miturit kalojnë gjithnjë e më shumë orë online, rreziqe si ekspozimi ndaj përmbajtjeve të dhunshme, bullizmi digjital dhe presioni social janë bërë gjithnjë e më të dukshme.

Në të njëjtën linjë, edhe vende të tjera kanë nisur të lëvizin drejt kufizimeve të ngjashme. Australia, për shembull, ka propozuar kufizimin e aksesit në rrjetet sociale vetëm për moshat mbi 16 vjeç, duke reflektuar një trend global që synon të vendosë rregulla më të qarta në përdorimin e teknologjisë nga të rinjtë.

Përkrahësit e këtij ligji e shohin atë si një hap pozitiv dhe të domosdoshëm. Në thelb, ai synon të rikthejë një balancë mes botës reale dhe asaj virtuale, duke i mbrojtur fëmijët nga një ekspozim i parakohshëm dhe shpesh i pakontrolluar. Kufizimi i aksesit në një moshë të hershme mund të ndihmojë në zhvillimin më të shëndetshëm emocional dhe social, duke u dhënë fëmijëve kohë të ndërtojnë marrëdhënie reale dhe të formojnë identitetin e tyre pa presionin konstant të rrjeteve sociale.

Megjithëse debati mbi lirinë e përdorimit dhe kontrollin shtetëror pritet të vazhdojë, një gjë është e qartë: vendimi i Turqisë shënon një moment të rëndësishëm në mënyrën si shoqëritë po përpiqen të përballen me ndikimin e teknologjisë te brezi i ri.

The post Turqia ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç appeared first on iconstyle.al.

  •  

Stop “duck lips”: “platypus lips” është trendi i ri i buzëve që po dominon rrjetet sociale

Për vite me radhë, buzët e mbledhura dhe të shtyra përpara, si për puthje, ishin formula e sigurt për çdo foto. Sa më të fryra dhe të zgjatura, aq më “in” konsideroheshin. Por duket se kjo epokë po mbyllet. Tani, Gen Z ka zgjedhur një version më të ftohtë, më minimalist dhe pak më “attitude”: platypus lips.

Ky trend lidhet shumë me Lily-Rose Depp, e cila është ndër të parat që e solli këtë lloj mimike në foto dhe evente, dhe që prej atëherë është përhapur kudo, nga selfiet e përditshme te fotot më “aesthetic” në rrjete sociale.

Po çfarë janë saktësisht platypus lips?

Ndryshe nga duck lips, ku buzët shtyhen fort përpara dhe krijojnë efektin e “puthjes”, platypus lips janë shumë më të buta dhe më natyrale. Buza e poshtme shtyhet lehtë lart, ndërsa buza e sipërme duket më e theksuar dhe pak e dalë përpara. Ndërkohë, cepat e gojës nuk ngrihen, por qëndrojnë neutralë ose bien pak poshtë, duke krijuar një shprehje më serioze, paksa të ftohtë, që shpesh shoqërohet edhe me një vështrim të drejtë dhe pa shumë emocion.

Pra, nuk është më “po të puth”, por më shumë “jam cool dhe nuk po mundohem fare”.

Emri “platypus” nuk është rastësor. Platypusi është një kafshë e çuditshme australiane, me trup si kastor dhe me sqep të sheshtë si rosë. Pikërisht ky sqep i gjerë dhe i sheshtë është ajo që i jep emrin trendit. Forma që krijojnë buzët në këtë pozë i ngjan më shumë këtij sqepi të rrafshët, sesa sqepit të ngushtë dhe të zgjatur të rosës që frymëzoi “duck lips”.

Me pak fjalë:
duck lips = buzë të zgjatura përpara
platypus lips = buzë më të sheshta, me fokus te buza e sipërme

Pse po bëhet kaq viral?

Sepse është më i thjeshtë, më “clean” dhe më modern. Nuk duket i ekzagjeruar, nuk kërkon shumë përpjekje dhe jep atë vibe-in e “effortless beauty” që është super në trend tani. Plus, funksionon shumë mirë në foto, sidomos me makeup minimal ose “glowy”.

Si çdo trend, edhe ky është çështje stili. Por një gjë është e qartë: duck lips nuk janë më në krye. Dhe nëse do të jesh në të njëjtin ritëm me trendet e momentit, ndoshta është koha t’i japësh një shans platypus lips.

The post Stop “duck lips”: “platypus lips” është trendi i ri i buzëve që po dominon rrjetet sociale appeared first on iconstyle.al.

  •  

Banane me muskuj, luleshtrydhe me dramë dashurie… pse po na fiksojnë kaq shumë videot më të çuditshme të TikTok?

Nëse ke kaluar qoftë edhe pak kohë në TikTok kohët e fundit, me siguri i ke parë. Fruta me fytyra dhe trupa njerëzish, histori tradhtie, xhelozie, drama të ekzagjeruara dhe një ndjesi e çuditshme që të bën të mos e kalosh videon menjëherë.

Janë absurde. Janë pak qesharake. Ndonjëherë edhe pak shqetësuese. Dhe megjithatë… janë kudo.

Pyetja është: pse?

Sekreti i tyre qëndron pikërisht te fakti që nuk kanë kuptim. Ose më saktë, nuk përputhen me atë që truri ynë pret të shohë. Një banane me trup njeriu nuk është diçka normale, dhe pikërisht ky “gabim” vizual e detyron trurin të ndalet.

Pastaj vjen pjesa tjetër: edhe pse janë fruta, ne i lexojmë si njerëz. U japim emocione, qëllime, karakter. Fillojmë të ndjekim historinë si të ishte një serial i vogël dramatik, edhe pse në thelb është komplet absurd.

Dhe këtu hyn formula perfekte e TikTok: video të shkurtra, histori të thjeshta, emocione të forta. Tradhti, refuzim, “sad story”, hakmarrje. Gjëra që kuptohen menjëherë, pa shumë mendim, por që të mbajnë të lidhur deri në fund.

Sa më shumë ndalesh, aq më shumë algoritmi e shtyn videon. Sa më shumë njerëz komentojnë “çfarë ishte kjo?”, aq më shumë ajo shpërndahet. Edhe reagimi negativ është reagim, dhe për TikTok kjo mjafton.

Nuk është se këto video janë “të mira” në kuptimin klasik. Por janë perfekte për mënyrën si funksionon vëmendja jonë sot: të shpejta, të çuditshme, pak kaotike dhe emocionalisht të lehta për t’u ndjekur.

Ndoshta kjo është arsyeja pse nuk na hiqen nga mendja. Jo sepse kanë shumë kuptim… por sepse nuk kanë fare.

/Iconstyle

The post Banane me muskuj, luleshtrydhe me dramë dashurie… pse po na fiksojnë kaq shumë videot më të çuditshme të TikTok? appeared first on iconstyle.al.

  •  

Horoskopi: 21 mars 2026

🌸 E shtuna vjen me një energji të fortë fillimesh dhe emocionesh që nuk rrinë dot brenda. Është një ditë që nuk të lë të rrish indiferent. Disa do ndiejnë nevojën të lëvizin, të ndryshojnë diçka, të flasin hapur, ndërsa të tjerë do përballen me mendime që i kanë shtyrë prej kohësh. Sot nuk është për justifikime, por për ndjesi të vërteta dhe zgjedhje që vijnë nga brenda.

♈ Dashi

Kjo e shtunë ju gjen në një shpërthim energjie. Nuk doni të prisni, doni të veproni, të dilni, të bëni diçka që ju ndez. Kujdes vetëm të mos digjni ura nga nxitimi.

🔥 Motivim: Jo çdo zjarr duhet të shpërthejë menjëherë.

♉ Demi

Sot kërkoni qetësi, por diçka brenda jush po ju shtyn të dilni nga zona e rehatisë. Mund të jetë një mendim, një ndjenjë apo një person. Mos e injoroni.

🌿 Motivim: Rritja fillon aty ku mbaron rehatia.

♊ Binjakët

Një bisedë e papritur mund t’ju trazojë mendimet më shumë seç prisnit. Dikush mund të thotë diçka që ju bën të shihni realitetin ndryshe.

💬 Motivim: Një fjali mund të ndryshojë një drejtim.

♋ Gaforrja

Emocionet janë më të forta sot. Mund të ndjeni nevojë për afërsi, por edhe për sqarime. Mos mbani brenda atë që ju rëndon.

🤍 Motivim: Zemra nuk është për t’u mbajtur peng.

♌ Luani

Sot mund të ndiheni në qendër të vëmendjes, por jo gjithçka është si duket. Dikush po ju vëzhgon më shumë sesa mendoni.

👑 Motivim: Mos u përpiq të bindësh, thjesht jeto veten.

♍ Virgjëresha

Një mendim që e keni shtyrë prej kohësh rikthehet. Nuk mund ta shmangni më. Është momenti për të marrë një vendim, sado i vogël të jetë.

🧩 Motivim: Zvarritja lodh më shumë se vendimi.

♎ Peshorja

Dikush pret një reagim nga ju. Heshtja nuk funksionon më. Sot është ditë për të thënë gjërat siç janë.

⚖ Motivim: E vërteta mund të tronditë, por pastron.

♏ Akrepi

Intuita juaj është shumë e fortë dhe mund të ndjeni se diçka nuk është siç duket. Mos e injoroni atë ndjesi.

🦂 Motivim: Ajo që ndjen shpesh është më e fortë se ajo që sheh.

♐ Shigjetari

Sot doni liri, por edhe përgjigje. Një situatë ju mban mes dy mendimesh. Mos kërkoni përgjigje jashtë, kur i keni brenda.

🏹 Motivim: Liria fillon nga qartësia.

♑ Bricjapi

Edhe pse është fundjavë, mendja juaj nuk ndalet. Po analizoni diçka që ka rëndësi. Mos e lodhni veten me kontrollin e çdo detaji.

⛰ Motivim: Jo çdo gjë ka nevojë për zgjidhje të menjëhershme.

♒ Ujori

Një ide, një ndjenjë ose një dëshirë që e keni shtypur, sot del në sipërfaqe. Nuk mund ta injoroni më.

💡 Motivim: Ajo që shtyp, një ditë shpërthen.

♓ Peshqit

Sot jeni shumë të ndjeshëm dhe intuitivë. Mund të ndjeni energjitë e të tjerëve më shumë se zakonisht. Zgjidhni mirë me kë e kaloni ditën.

🌊 Motivim: Mbrojtja e shpirtit është prioritet.

The post Horoskopi: 21 mars 2026 appeared first on iconstyle.al.

  •  

Ikona e papërsëritshme e “Dior” dhe “Margiela”, John Galliano, po vjen të ndryshojë ZARA-n

Një nga emrat më të mëdhenj dhe më të papërsëritshëm të modës botërore po bën një lëvizje që askush nuk e priste. John Galliano, njeriu që dikur dominonte pasarelat e luksit me teatrin e tij ekstravagant dhe vizionin e guximshëm, po hyn në një partneritet dyvjeçar me ZARA-n. Një bashkëpunim jo “collab” i zakonshëm, por një eksperiment i madh mes artit të haute couture dhe fuqisë së tregut masiv.

Ky bashkëpunim nuk e vendos Galliano-n si drejtor kreativ të ZARA-s në mënyrën klasike. Përkundrazi, ai do të punojë mbi koleksione sezonale, duke marrë si bazë pjesë nga arkivat dhe koleksionet e mëparshme të ZARA-s.

Ideja është dekonstruktimi dhe rindërtimi i tyre në krijime të reja, një proces shumë i lidhur me ADN-në e tij artistike. Pra, nuk bëhet fjalë për një “koleksion Galliano” të pastër, por për një reinterpretim të ZARA-s përmes syrit të tij.

Pikërisht kjo e bën lajmin kaq të bujshëm. Sepse për herë të parë në këtë nivel, një figurë që ka ndërtuar identitetin e saj mbi luksin ekstrem dhe pasarelën spektakolare, po hyn në një nga markat më të mëdha të modës masive në botë. Është një përplasje mes dy botëve: njëra e rrallë, elitare dhe teatrale, tjetra e shpejtë, globale dhe e aksesueshme.

Për të kuptuar peshën e këtij momenti, duhet të kuptosh kush është John Galliano.

Ai është një nga mendjet më kreative që ka njohur moda në dekadat e fundit. U bë i njohur që në fillim me koleksionin e diplomës në Central Saint Martins, një punë aq e fortë sa u ble menjëherë dhe e vendosi në hartën e modës.

Kulmi i parë i madh erdhi në Paris. Fillimisht në Givenchy, si stilisti i parë britanik që drejtoi një shtëpi franceze të këtij niveli, dhe më pas në Dior, ku shkroi historinë.

Në Dior, Galliano krijoi spektakël, narrativë dhe imazhe që mbetën në kulturën pop. Koleksionet e tij ishin si teatro të gjalla, të mbushura me referenca historike, dramë dhe një sens të fortë identiteti.

Në atë periudhë lindën edhe disa nga ikonat më të njohura të modës. Dior Saddle Bag, printet e famshme si ai i gazetës, apo momentet e tapetit të kuq që ndryshuan mënyrën si moda lidhet me Hollywood-in. Ai e ktheu Dior në një makineri jo vetëm kreative, por edhe kulturore.

Pas një rënieje të fortë në 2011 që e largoi nga Dior dhe e la jashtë industrisë për një periudhë, Galliano bëri një rikthim që pak kush e besonte.

Në Maison Margiela, ai u shfaq ndryshe. Më i përmbajtur, më teknik, por po aq brilant. Koleksionet e tij të fundit në Margiela u vlerësuan si ndër më të fortat e karrierës së tij, një dëshmi se ai nuk ishte vetëm një yll i së kaluarës, por ende një forcë kreative në kulm.

Dhe pikërisht pas këtij kapitulli të suksesshëm, ai zgjedh të shkojë te ZARA. Një vend ku audienca është shumë më e gjerë, ritmi është më i shpejtë dhe loja është krejt tjetër. Kjo është ajo që e bën këtë bashkëpunim kaq intrigues. Është një artist që po hyn në një sistem krejt tjetër dhe po përpiqet ta rishkruajë nga brenda.

Koleksioni i parë pritet në shtator 2026 dhe tashmë industria po pret me kuriozitet. A do të shohim një ZARA më artistike, më të guximshme, më “Galliano”? Apo do të jetë një version i filtruar i tij për publikun e gjerë?

Një gjë është e sigurt. Kur një emër si John Galliano lëviz, moda nuk qëndron e njëjtë!

The post Ikona e papërsëritshme e “Dior” dhe “Margiela”, John Galliano, po vjen të ndryshojë ZARA-n appeared first on iconstyle.al.

  •  

Një javë në rrugë, korrierët e Wolt në protestë për pagën, mesazh paralajmërues për largim nga puna/ Mes ligjit, moralit dhe një tregu pa rregulla të qarta

Prej një jave, korrierët që shpërndajnë porositë e Wolt në Tiranë janë në protestë. Çdo ditë në rrugë, mes trafikut dhe orëve të gjata, ata po kërkojnë pagesë më të drejtë dhe më shumë siguri për punën që bëjnë.

Pakënaqësia shpërtheu pasi vetë korrierët nisën të flasin hapur për mënyrën si paguhen. Sipas tyre, nuk ka rrogë bazë, por vetëm pagesë me përqindje, në varësi të dërgesave. Kjo do të thotë se një ditë mund të dalësh mirë, një tjetër mund të punosh po aq dhe të marrësh shumë më pak, ndërkohë që kostot mbeten po aty: karburanti, amortizimi i mjetit, koha në rrugë.

Situata u tensionua më shumë kur në qarkullim doli një mesazh i brendshëm, ku korrierëve u thuhej se nuk janë punonjës të drejtpërdrejtë të Wolt, por të një kompanie partnere, GMS. Në të njëjtin komunikim theksohej se pagesa është vetëm me përqindje dhe jepej një paralajmërim i qartë: kush merr pjesë në protestë do të konsiderohet i larguar automatikisht nga puna.

Nga ky moment, çështja nuk mbeti më vetëm te paga, por kthye në një përplasje të hapur për mënyrën se si funksionon ky sektor.

Çdo kompani private ka të drejtën e saj të organizimit të punës dhe modelit të pagesës. Por kur lind një konflikt i tillë, ai duhet parë në dy plane: ligjor dhe moral. Çfarë parashikon ligji dhe çfarë u është premtuar realisht punonjësve? Si janë informuar ata në fillim dhe a ka pasur ndryshim të rregullave gjatë rrugës?

Në planin ligjor, Kodi i Punës e lejon pagesën me përqindje (neni 110), por vetëm nëse ajo nuk e çon punëmarrësin nën pagën minimale (neni 111), e cila sot është 50 mijë lekë bruto në muaj. Mënyra e pagesës duhet të jetë e shkruar qartë në kontratë (neni 21), ndërsa shpenzimet e punës, përfshirë përdorimin e mjetit personal, nuk mund t’i kalohen punëmarrësit (nenet 126 dhe 127).

Edhe në rast se marrëdhënia kalon përmes një kompanie partnere, siç pretendohet në këtë rast, ligji kërkon që kushtet e punës të jenë të njëjta si për punonjësit e drejtpërdrejtë.

Ndërsa paralajmërimi për largim nga puna hap një çështje tjetër. Kodi nuk njeh “largime automatike”. Largimi kërkon procedurë të detyrueshme, ndërsa konsiderohet i pajustifikuar kur punëmarrësi ushtron të drejtat e tij. Po ashtu, ndalohet çdo presion apo ndëshkim për pjesëmarrje në protestë apo grevë, për sa kohë nuk ka një vendim gjykate që e shpall atë të paligjshme.

Por përtej ligjit, mbetet edhe një dimension tjetër: besimi. Nëse një punonjësi i është premtuar një model i caktuar pune dhe ai përballet me një realitet tjetër, atëherë kemi një problem që nuk zgjidhet vetëm me kontrata, por me transparencë.

Ky nuk është një treg pa probleme vetëm për punonjësit. Edhe vetë kompanitë e këtij sektori shpesh përballen me sfida të tjera: abuzime nga punonjës, mosrespektim i porosive, vonesa, apo probleme në zinxhirin me restorantet. Në shumë raste, tensioni nuk është njëkahësh.

Kemi të bëjmë me një treg që është rritur shpejt, por që ende nuk është formalizuar dhe rregulluar plotësisht. Kemi një sektor ku mungon balanca mes fleksibilitetit dhe mbrojtjes së punonjësit.

Korrierët thonë se nuk do të tërhiqen pa marrë përgjigje. Nga ana tjetër, deri tani mungon një sqarim i plotë publik për mënyrën e pagesës, kontratat dhe mesazhin që ka ndezur reagimin.

Ky rast është treguesi se  tregu ka nevojë për organizim, rregulla më të qarta, mbikëqyrje reale nga shteti dhe një balancë më të drejtë mes interesit të biznesit dhe dinjitetit të punës.

The post Një javë në rrugë, korrierët e Wolt në protestë për pagën, mesazh paralajmërues për largim nga puna/ Mes ligjit, moralit dhe një tregu pa rregulla të qarta appeared first on iconstyle.al.

  •  

E jashtëzakonshme! Një njeri i thjeshtë shpiku vaksinë kundër kancerit, për të shpëtuar qenin e tij

Kur një mjek të thotë se nuk ka më shumë për të bërë, shumica e njerëzve përpiqen ta pranojnë realitetin. Jo gjithmonë me qetësi, por me atë ndjesinë e rëndë që vjen kur e kupton se nuk e ke më situatën në dorë. Për Paul Conyngham, kjo nuk ishte një përgjigje që mund ta pranonte lehtë.

Qeni i tij, Rosie, një stafordshire i përzier me shar pei që ai e kishte adoptuar nga një strehë kafshësh në vitin 2019, ishte diagnostikuar me një formë agresive kanceri. Veterinerët e trajtuan, u bë kirurgjia, u provua edhe kimioterapia. Tumoret u ngadalësuan për pak kohë, por nuk u zhdukën. Dhe ndërkohë, koha vazhdonte të rridhte.

Rosie nuk ishte thjesht një kafshë shtëpiake për të. Ishte qeni që kishte ardhur në jetën e tij në një moment të vështirë, pak para pandemisë, dhe që u kthye në shoqërinë e përditshme gjatë gjithë atyre muajve izolimi. Kur u përball me diagnozën, Paul bëri atë që bëjnë shumë njerëz kur janë të dëshpëruar: nisi të kërkonte vetë përgjigje.

Por në vend që të mbetej vetëm te kërkimet në internet, ai vendosi të shkojë një hap më tej. Me rreth 3000 dollarë nga xhepi i tij, pagoi për të bërë diçka që zakonisht bëhet në laboratorë kërkimorë: sekuencimin e ADN-së së Rosie dhe të tumorit të saj në Universitetin e New South Wales në Australi. Ideja ishte të krahasohej ADN-ja e shëndetshme me ADN-në e tumorit, për të parë saktësisht se ku kishin ndodhur mutacionet që po ushqenin kancerin.

Paul nuk është biolog. Është inxhinier dhe analist të dhënash. Ka vite që merret me inteligjencë artificiale dhe machine learning. Pikërisht këtu filloi pjesa më e pazakontë e historisë.

Pasi mori të dhënat gjenetike nga universiteti, ai nisi t’i analizonte vetë. Përdori ChatGPT për të ndërtuar një plan pune dhe për të kuptuar se si mund të përpunoheshin ato të dhëna. Pastaj i kaloi nëpër programe dhe algoritme të ndryshme për të identifikuar mutacionet kryesore të tumorit. Më pas përdori edhe AlphaFold, një sistem i inteligjencës artificiale që ndihmon në parashikimin e strukturës së proteinave, për të parë cilat proteina të ndryshuara mund të bëheshin objektiv për sistemin imunitar.

Me pak fjalë, ai po përpiqej të gjente vendin ku mund të goditej kanceri.

Kur u kthye te studiuesit me analizat që kishte bërë, reagimi i parë ishte më shumë habi sesa skepticizëm. Nuk është e zakonshme që një person jashtë laboratorëve të shfaqet me një analizë kaq të detajuar mbi mutacionet e tumorit të qenit të tij. Por pikërisht kjo këmbëngulje i bindi shkencëtarët ta dëgjonin seriozisht.

Në Universitetin e New South Wales, profesorë të gjenomikës dhe biologjisë kompjuterike filluan të punonin me të. Ideja që doli nga ky bashkëpunim ishte krijimi i një vaksine të personalizuar mRNA, e projektuar posaçërisht për mutacionet e tumorit të Rosie.

Vaksinat mRNA u bënë të njohura gjatë pandemisë Covid, por në onkologji kjo teknologji është ende në zhvillim. Vaksina i jep trupit udhëzime për të prodhuar proteina të caktuara, në mënyrë që sistemi imunitar të mësojë të njohë dhe të sulmojë qelizat e kancerit.

Në rastin e Rosie, receta e vaksinës u ndërtua mbi mutacionet specifike të tumorit të saj. Ishte një trajtim i krijuar vetëm për të.

Sigurisht, para se të përdorej, duhej kaluar edhe një pengesë tjetër: miratimi etik. Paul kaloi muaj duke përgatitur dokumentacionin dhe duke kërkuar mënyrën ligjore për ta testuar trajtimin. Në fund, gjeti mbështetje në Universitetin e Queensland, ku studiuesit kishin programet e duhura për trajtime eksperimentale te qentë.

Në dhjetor ai udhëtoi rreth 10 orë me makinë për ta çuar Rosie për injeksionin e parë. Pas tij erdhi edhe një dozë përforcuese.

Rezultatet erdhën më shpejt se sa e prisnin edhe vetë studiuesit. Një nga tumoret e mëdha të Rosie, me madhësinë e një topi tenisi, u tkurr pothuajse në gjysmë. Edhe gjendja e saj fizike ndryshoi. Filloi të kishte më shumë energji, të lëvizte më lirshëm dhe të dukej më e gjallë.

Paul nuk e quan këtë një mrekulli dhe as pretendon se ka gjetur një kurë përfundimtare. Por fakti që një njeri i vetëm, nga nevoja dhe dashuria për qenin e tij, arriti të përdorë inteligjencën artificiale për të ndihmuar në krijimin e një trajtimi të personalizuar kundër kancerit, ka bërë që shumë shkencëtarë të shohin më seriozisht potencialin e kësaj teknologjie.

Sepse nëse analiza e të dhënave, inteligjenca artificiale dhe mjekësia e personalizuar mund të bashkohen për të krijuar trajtime të tilla edhe jashtë laboratorëve tradicionalë, atëherë është e mundur që në vitet e ardhshme pikërisht kjo qasje të hapë rrugë për mënyra të reja për të luftuar kancerin. Dhe ndoshta një ditë, ajo që sot duket si një histori e jashtëzakonshme për një qen, mund të kthehet në një shpresë reale për shumë njerëz.

The post E jashtëzakonshme! Një njeri i thjeshtë shpiku vaksinë kundër kancerit, për të shpëtuar qenin e tij appeared first on iconstyle.al.

  •  

Homazhe sonte në Lezhë për Xhuana Nikollajn, 25-vjeçarja nuk donte t’u bëhej barrë familjarëve; po niste jetën nga zero në Tiranë

Sonte qytetarë të shumtë janë mbledhur në zonën e quajtur “Obelisku” për të bërë homazhe në kujtim të 25-vjeçares Xhuana Nikollaj. Historia e saj, e mbushur me dhunë, përpjekje për të nisur nga e para dhe një fund të dhimbshëm, ka prekur thellë komunitetin.

Sipas të afërmve, Xhuana kishte vendosur të largohej nga e kaluara dhe të ndërtonte një jetë të re në Tiranë. Madje, vetëm një ditë pas ngjarjes së rëndë ajo pritej të niste një punë të re. Një e afërme e saj tregoi për mediat se e reja kishte zgjedhur të largohej në heshtje nga dhimbja dhe të mos u bëhej barrë familjarëve të saj.

“Xhuana është një nga viktimat që ndodhin shpesh herë këtu. Na ka rënë si bombë. Nuk ka shprehur shqetësime. Menduam se ajo mos kishte kaluar në depresion meqë kishte 3 muaj që ishte ndarë prej tij, menduam shumë gjëra. Por nuk ishte asnjë nga ato. Kjo na vjen keq. Nga i ka ardhur rrethana, si i ka ardhur. Ajo ka jetuar me shoqe atje. Kur ka shprehur shqetësime te familja e vet ajo, familja ka shkuar në famijen e tyre dhe e kanë marrë vajzën. I kanë thënë ‘për këto arsye do ta marrim vajzën’ dhe ata nuk kanë kundërshtuar. Pastaj më mbrapa shkoi në Tiranë për të jetuar aty. Një ditë më pas do të fillonte punë. Po e shikonte me një këndvështrim tjetër jetën. Kam 1 mijë mesazhe për gratë dhe vajzat, që të mos heshtin, por të flasin. Ka ndryshuar ajo kohë, tani janë të lira”, tha ajo.

Sipas dëshmive dhe informacioneve të bëra publike, historia mes Xhuana Nikollajt dhe ish-bashkëshortit të saj Eraldo Fizi kishte nisur si një histori e gjatë dashurie që u kurorëzua në martesë verën e vitit të kaluar. Por martesa zgjati vetëm tre muaj dhe, sipas raportimeve, gjatë kësaj kohe 25-vjeçarja përjetoi dhunë të vazhdueshme psikologjike dhe fizike.

Pas ndarjes, Xhuana kishte tentuar të rindërtonte jetën e saj. Ajo jetonte në Tiranë me një shoqe dhe punonte, ndërsa përpiqej të shkëputej përfundimisht nga e kaluara. Megjithatë, një takim i fundit me ish-bashkëshortin, i cili ishte kthyer nga Italia më 9 mars, dyshohet se përfundoi në një episod të rëndë dhune.

Sipas dëshmisë së shoqes me të cilën jetonte, Xhuana ishte kthyer në banesë rreth orës 3 të mëngjesit me shenja të dukshme dhune, deri në nofull të thyer. Në gjendje të rënduar fizike dhe psikologjike, e reja më pas konsumoi fostoksinë.

Edhe në momentet e fundit të jetës, 25-vjeçarja arriti të flasë për atë që kishte përjetuar. Ajo u transportua drejt Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku, sipas raportimeve, mundi të rezistojë për rreth dy orë dhe të deklarojë se personi që i kishte shkaktuar dhunën ishte ish-bashkëshorti i saj.

Një tjetër element që po hetohet është edhe një letër që Xhuana kishte lënë pas. Në të ajo shkruante: “Nuk mund të lejoj të më dëmtojnë më shumë, prandaj ju kërkoj falje”, një mesazh që, sipas raportimeve, përdor formën në shumës dhe ka ngritur dyshime se presioni mund të ketë ardhur edhe nga persona të tjerë.

Ndërkohë, ekspertiza mjeko-ligjore ka përjashtuar pistën e një shtatzënie të mundshme, ndërsa autoritetet kanë konfirmuar se nuk kishte pasur një denoncim të mëparshëm për dhunë në polici nga ana e familjarëve apo e vetë 25-vjeçares.

Policia ka shpallur në kërkim Eraldo Fizin, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Ndërsa sonte qytetarë të shumtë ndezin qirinj në Lezhë për Xhuana Nikollajn, historia e saj mbetet një plagë e hapur dhe një thirrje e fortë për reflektim mbi dhunën që shumë gra përjetojnë në heshtje. Ajo ishte vetëm 25 vjeç, studente e Drejtësisë, një vajzë me ëndrra dhe plane për një fillim të ri, që kishte vendosur të niste jetën nga zeroja në Tiranë.

The post Homazhe sonte në Lezhë për Xhuana Nikollajn, 25-vjeçarja nuk donte t’u bëhej barrë familjarëve; po niste jetën nga zero në Tiranë appeared first on iconstyle.al.

  •  

“Edhe kur nuk bëj dush, unë mbaj erë të mirë!”/ Benny Blanco tallet me thashethemet për higjienën, pasi videoja me këmbët e pista u bë virale

Producenti i njohur i muzikës Benny Blanco ka reaguar me humor ndaj komenteve dhe talljeve që pushtuan rrjetin, pasi një video ku shfaqeshin këmbët e tij të pista u bë virale. Episodi ndezi menjëherë një valë reagimesh në internet, ku shumë përdorues nisën të vinin në dyshim edhe higjienën personale të producentit.

Në podcastin e tij “Benny’s Friends Keep Secrets”, Benny vendosi t’u përgjigjej drejtpërdrejt thashethemeve. Në bisedë u përfshi edhe miku i tij i vjetër, këngëtari Ed Sheeran, i cili nuk hezitoi të bënte shaka me situatën.

“Edhe unë jam si ty. Duket sikur nuk mbaj erë të mirë,” tha Ed me humor, duke shtuar menjëherë: “Por ti je njeriu që mban erën më të mirë nga të gjithë që njoh.”

Benny u përgjigj pa hezitim:

“E di! Unë mbaj erë të mirë, edhe kur nuk bëj dush.”

Biseda mori një kthesë edhe më komike kur të dy vendosën të “ngacmonin” bashkëprezantuesin e podcastit, reperin Lil Dicky. Pas një momenti kur Ed ndjeu erën e kërthizës së tij, ai shpërtheu në batutë:

“Kjo është si vrima e të pasmeve. A mund të më japë dikush diçka që ta largojë këtë erë?”

Benny shtoi duke qeshur:

“Imja nuk mban erë fare.”

Sa i përket videos që bëri xhiron e rrjetit, ku shputat e këmbëve të tij dukeshin të mbuluara me papastërti, producenti ka një shpjegim të thjeshtë. Gjatë një paraqitjeje në emisionin “Jimmy Kimmel Live!”, ai tha se përgjegjësia nuk ishte e tij.

“Është faji i ambientit ku xhirojmë. Nuk është faji im,” u shpreh Benny.

Madje ai mbrojti edhe pamjen e këmbëve të tij:

“Kam këmbë shumë të mira. Dikush të bëjë zoom te këmba ime. Shikojeni. Këmbë e pastër!”

Megjithatë, pavarësisht gjithë zhurmës në internet, Benny e di se ka një person që e vlerëson nga koka te këmbët: bashkëshorten e tij, Selena Gomez. Aktorja e “Only Murders in the Building” bëri një paraqitje në podcastin e tij dhe në një moment, për habinë e të gjithëve, i puthi gishtin e këmbës.

“Të pëlqeu kjo?” e ngacmoi Benny, ndërsa Selena e goditi lehtë me shaka dhe iu përgjigj: “Mos e bëj këtë një moment!”

Duke folur për marrëdhënien e tyre, Benny tha se e sheh 33-vjeçaren si një grua të fortë dhe të pavarur.

“Përdor çdo qelizë të trupit tim që të mos e shikoj gjithë kohës me sy të dashuruar dhe të mos dua ta puth apo ta përqafoj vazhdimisht,” tha ai.

Dhe për producentin, momenti kur Selena i puthi gishtin e këmbës ishte më shumë se një shaka.

“Kur e pashë që më puthi gishtin e këmbës, ma bëri ditën më të bukur.”

The post “Edhe kur nuk bëj dush, unë mbaj erë të mirë!”/ Benny Blanco tallet me thashethemet për higjienën, pasi videoja me këmbët e pista u bë virale appeared first on iconstyle.al.

  •  

6 muaj pas vdekjes së Charlie Kirk, Trump i beson Erika Kirk të njëjtin post të partnerit në Akademinë e Forcave Ajrore

Vetëm gjashtë muaj pas vrasjes së bashkëshortit të saj, Charlie Kirk, Erika Kirk po del gjithnjë e më shumë në plan të parë në jetën publike amerikane. Presidenti Donald Trump e ka emëruar atë në bordin mbikëqyrës të Akademisë së Forcave Ajrore të SHBA-së, një rol këshillimor që lidhet me funksionimin, disiplinën, moralin dhe drejtimin institucional të akademisë.

Një detyrë me peshë simbolike dhe politike, sidomos pasi ky është i njëjti rol që më parë mbahej nga Charlie Kirk.

Erika Kirk nuk është një emër i panjohur në qarqet konservatore amerikane. Pas vdekjes së bashkëshortit të saj më 10 shtator 2025, ajo mori një profil edhe më të dukshëm publik, duke u lidhur drejtpërdrejt me trashëgiminë politike dhe organizative që ai la pas.

Sot kanë kaluar saktësisht rreth gjashtë muaj nga ajo ngjarje që tronditi kampin konservator në SHBA. Emërimi i saj po shihet si një sinjal i qartë se Erika nuk do të mbetet më vetëm figura në hijen e Charlie Kirk, por po hyn vetë në një fazë të re ndikimi dhe ekspozimi publik.

Në muajt e fundit, emri i saj është përfolur edhe për jetën private, pasi vetëm 4 muaj pas vdekjes së Charlie-t, ajo nisi një lidhje të re me trajnerin e njohur të futbollit amerikan, Lane Kiffin, gjë që ndezi reagime dhe polemika të forta online për faktin se gjithçka kishte ndodhur në një hark të shkurtër kohor.

Erika dhe Charlie kishin dy fëmijë bashkë, një vajzë 4 vjeç dhe një djalë 2 vjeç, çka e ka bërë edhe më të ndjeshme mënyrën si publiku e ka ndjekur jetën e saj pas tragjedisë.

The post 6 muaj pas vdekjes së Charlie Kirk, Trump i beson Erika Kirk të njëjtin post të partnerit në Akademinë e Forcave Ajrore appeared first on iconstyle.al.

  •  

Ikonë e gjallë! Ye njofton papritur një koncert në LA, thyen rekord me 1 milion njerëz që përpiqen të blejnë bileta

Ye nuk ka nevojë për një turne të tërë për të tronditur industrinë. Mjaftoi një njoftim i vetëm për një natë në Los Angeles dhe interneti shpërtheu. Koncerti “YE – LIVE IN LOS ANGELES” është planifikuar për 3 prill 2026, në SoFi Stadium, Inglewood, me nisje në orën 19:00, ndërsa eventi është prezantuar si performanca e tij e vetme në Los Angeles.

SoFi Stadium mban rreth 70 mijë spektatorë, por zhurma që ka krijuar ky koncert është shumë më e madhe se kapaciteti i sallës. Pikërisht këtu nis miti Ye: jo thjesht një artist që shet bileta, por një fenomen që e kthen një koncert në ngjarje globale. Në rrjet po qarkullon fuqishëm pretendimi se mbi 1 milion njerëz janë futur në radhë për të siguruar bileta. Kjo shifër tregon qartë përmasën e etjes që vazhdon të prodhojë emri i tij.

Nëse llogaritjet që po qarkullojnë në rrjet merren si pikë referimi, flitet për një kërkesë potenciale që shkon deri në 430 milionë dollarë për një koncert të vetëm. Kjo nuk është e njëjta gjë me fitimin real nga nata e koncertit, sepse të ardhurat reale varen nga numri i vendeve, çmimet përfundimtare, paketat VIP dhe shitjet e tjera.

Por edhe si kërkesë potenciale, shifra është marramendëse. Kjo shifër tregon pushtet kulturor, magnetizëm publik dhe një emër që vazhdon të mbajë njerëzit të fiksuar pas vetes, edhe pas gjithë stuhive.

Dhe pikërisht kjo e bën Ye një rast më vete. Pas vitesh polemikash, krizash publike, projekteve të shtyra dhe një marrëdhënieje të tensionuar me industrinë, ai vazhdon të ketë një tërheqje që shumë artistë më të rregullt, më të pranueshëm dhe më “safe” nuk e arrijnë dot as në kulmin e karrierës.

Media e ka trajtuar këtë koncert si një rikthim të madh në Los Angeles, në një moment kur vëmendja është ndezur sërish edhe nga albumi i ri “Bully”. Ndikimi i Ye mbetet i pamohueshëm. Ndoshta ai është artisti më i madh i gjallë në çdo fushë.

The post Ikonë e gjallë! Ye njofton papritur një koncert në LA, thyen rekord me 1 milion njerëz që përpiqen të blejnë bileta appeared first on iconstyle.al.

  •  
❌