Reading view

Jo “Goca dhe Gra” por “Armike dhe Rivale”, Neda vs. Rozana dhe drama e shëmtuar që na u servir në ekran

Në vend që të shndërrohej në një tribunë ku femrat flasin për fuqizim, respekt dhe bashkëpunim, mbrëmja e djeshme në “Goca dhe Gra” u kthye në një spektakël të turpshëm të përplasjeve personale. Në ekran nuk pamë gra të pjekura që dinë të debatojnë me dinjitet, por dy figura që shpalosën një tension të vjetër, plagë të pambyllura, nën dritat e kamerave që mezi prisnin “show”-n. Dhe e morën: një “show” që nuk kishte asgjë të bukur, asgjë frymëzuese, asgjë që të linte mendim pozitiv në fund.

Neda Balluku vs. Rozana Radi. Një përplasje e ftohtë, e ngarkuar, që nisi nga statuset e dikurshme të rrjeteve sociale, nga hatërmbetje të vjetra që në vend të shuheshin me kalimin e viteve, u ringjallën në një emision që supozohej të ishte hapësirë solidariteti. Pyetje të nënqeshura, replika që fshihnin thumbime, mimika të ngrira dhe një atmosferë ku çdo teleshikues ndjente siklet. Të gjitha këto ndodhën përballë syve të një publiku që nuk meriton një dalje televizive të zhveshur nga çdo vlerë.

Për ironi, emisioni quhet “Goca dhe Gra”, por mbrëmë nuk pamë as goca, as gra. Pamë rivale, pamë armike, pamë gra që përpiqeshin të pickonin njëra-tjetrën me fjalë. Askush nga drejtueset e programit nuk ndali këtë rrjedhë, përveç Ema Andreas, e vetmja që mbajti qetësi dhe dinjitet, duke ndërhyrë për të rikthyer një minimum respekti në studio. Në mes të gjithë atij zhurmimi, Ema foli si një grua që e kupton se feminizmi nuk është as sharje, as thumbim, por respekt për tjetrën, edhe kur nuk e pëlqen.

Pjesë nga diskutimi i mbrëmshëm:

Rozana: Libri del kur divorci bëhet publik. Është një rastësi si fantazia e frikshme dhe kjo?

Neda: Shiko, nga ty e pres në fakt këtë pyetje. Po, sigurisht që është tërësisht rastësi, se nuk bëhet shaka me gjërat e jetës. Unë di ta ndaj shumë mirë punën time publike dhe situatat e mia familjare.

Rozana: Duke qenë se ju jeni autore në “Për’puthen”, me pak fjalë mësoni rininë “si të dashurohet”.

Neda: Ose si të ndahet…

Rozana: Ose si të ndahet. Dakord. Si e menaxhon dashurinë në ekran kur e juaja po përballet me dyert e gjykatës?

Neda: Në “Për’puthen” Rozi, nuk menaxhojmë ne dashurinë e të rinjve. Të rinjtë na tregojnë ne dita-ditës se si dashuron sot brezi i ri. Nuk mund të vendosësh në këtë jetë kë të dashurosh. Nuk i thua dot të rinjve: ‘ti duhet të duash këtë… dhe këtë jo”. Ai është një emision ku të rinjtë janë të lirë të dashurohen dhe ne si autorë jemi të detyruar për hir të punës, por edhe me dëshirë shumë të madhe, të shkojmë mbrapa gjithçkaje që ata na rrëfejnë, për t’ia ekspozuar publikut.

Dhe mendoj dhe këtë: T’i thuash një gruaje që sapo ka humbur një dashuri të vetën të madhe, ‘se si do shkosh t’ja mësosh të rinjve’, nuk është ok.

Rozana: Duke qenë se nuk është se sapo humbur, pasi thatë se keni disa vite që jeni ndarë, nuk qëndron kjo. Megjithatë… Martesa me një person i cili vjen nga një familje me peshë në opinionin publik, e ka frenuar apo kufizuar Nedën nga liria? Çfarë do të thotë për ty të jesh e lirë si grua?

Neda: Po çfarë do të thotë më ka frenuar nga liria?

Rozana: Ishte e qartë pyetja. Të ka frenuar, të ka kufizuar martesa me një person, i cili pak a shumë ka një peshë?

Neda: Po ça duhet të kisha bërë unë psh., që s’e kam bërë?

Rozana: Nuk e di, kjo është një pyetje që duhet të më përgjigjesh. Është ajo shprehja po s’mund ta them… Nuk ka pyetje të këqija, vetëm përgjigje.

Neda: Jo s’më ka frenuar.

Rozana: Kam një pytje të fundit. Pamë kopertinën e librit tuaj, ju mbanit mbiemrin e ish-bashkëshortit, apo ende nuk është një ish. Pse keni zgjedhur? Do vazhdoni ta mbani mbiemrin e ish-bashkëshortit?

Neda: Unë mendoj që është një linjë shumë e hollë ndërmjet të ndash biseda shumë të rëndësishme dhe llafe grash. Pyetja që sapo bëre është pak llafe grash. Ka mbaruar “Big-u” Rozana.

Rozana: Mbiemri nuk është llafe grash. Nëse nuk mund të përgjigjesh, thuaj thjesht ‘nuk di’ ose ‘nuk mund të përgjigjem’.

Ema Andrea: Me thënë të drejtën, e shoh që je në pozita… Po përgjigjesh te ky ‘muhabeti i grave’ që ne kemi, ai që është. Ti këtu erdhe. Gjëra me vlerë apo pa vlerë… interesat e njerëzve janë ato që janë. Do kisha preferuar, koleget, për atë që janë, me i dash dhe me i respektu, se ne të kemi respektu për kohën edhe tonën, edhe të televizionit. Besoj se u morëm vesh.

Neda: Po, unë i respektoj shumë koleget e mia.

Ky nuk është mesazhi që duam të shohim në vitin 2025. Nuk është kjo mënyra si duhet të paraqiten gratë në ekran: të ndara në kampe, të zëna mes egosh personale dhe kompleksesh të trashëguara nga reality show-t e viteve të shkuara. Nuk është ky modeli që u shërben vajzave të reja. Çfarë mësojnë ato nga një mbrëmje e tillë?

Në një vend ku gratë ende luftojnë për hapësirë, për zë dhe për respekt, ekrani nuk duhet të jetë pasqyrë e luftërave të vogla mes tyre. Duhet të jetë shembull i asaj që quhet bashkëjetesë femërore. Mbrëmja e djeshme në “Goca dhe Gra” ishte e kundërta: një betejë për ulje dinjiteti.

Nuk ishte as argëtim, as debat. Ishte një shfaqje e shëmtuar që s’kishte asnjë lidhje me fuqizimin e grave, por shumë me plagët e vogla të egove njerëzore. Fuqia e vërtetë nuk është të ulësh tjetrën, por ta ngresh bashkë me veten!

/Iconstyle

The post Jo “Goca dhe Gra” por “Armike dhe Rivale”, Neda vs. Rozana dhe drama e shëmtuar që na u servir në ekran appeared first on iconstyle.al.

  •  

Ndërron jetë në moshën 73-vjeçare, ish kryeministri dhe lideri historik i PS, Fatos Nano

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano është ndarë sot nga jeta në moshën 73 vjeçare.

Prej disa kohësh ai ndodhej në reanimacion në një prej spitale private të vendit ku po mbahej nën kujdesin e mjekëve, teksa gjendja shëndetësore u rëndua gjatë ditëve të fundit.

Nano ka pësuar një arrest kardiak, ndërkohë që më herët është kuruar edhe për probleme me frymëmarrjen.

I lindur në 16 shtator 1952 në Tiranë, ai u diplomua për ekonomi politike në vitin 1974 në kryeqytet dhe kulmin e karrierës së tij përpara se të rrëzohej regjimi komunist e pati 10 vjet më vonë kur u emërua si studiues i problemeve socio-ekonomike dhe reformave të ekonomive të tregut të vendeve të Bllokut Lindor në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste në Tiranë, nën varësinë e ish-gruas së diktatorit, Nexhimije Hoxha.

Ai ishte pjesë aktive e zhvillimeve të vrullshme politike që ndodhën në Shqipëri si edhe në çdo vend tjetër të bllokut të Lindjes.

E shpejtë ishte edhe ngritja e tij në detyrë. Në dhjetor 1990 u emërua sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, e një muaj më vonë zv.kryeministër në qeverinë e Adil Çarçanit. Në fund të shkurtit 1991, Ramiz Alia i besoi Nanos postin e kryeministrit, me një mandat të përcaktuar: përgatitjen e tranzicionit të vendit drejt demokracisë liberale dhe ekonomisë së tregut.

Pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991, Nano u mandatua kryeministër, detyrë të cilën e mbajti për disa javë, kur dha dorëheqjen për shkak të grevave që kishin nisur në gjithë vendin.

Meritë e padiskutueshme e Nanos në atë periudhë ishte transformimi i PS-së nga një parti e trashëguar nga regjimi komunist në një parti social-demokrate me orientim perëndimor.

Ardhja e demokratëve në pushtet në vitin 1992, solli një periudhë të vështirë për Fatos Nanon.

Më 30 korrik 1993, Nano u arrestua në zyrën e Prokurorit,[21] dhe u akuzua për “shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare në lidhje me ndihmën italiane” dhe 9 muaj më vonë u dënua me 12 vite burg.

Megjithatë trazirat e vitit 1997 sollën lirimin e tij nga burgu dhe rikthimin aty ku të gjithë socialistët e donin: në krye të PS-së. Tre muaj pasi kishte dalë nga burgu ai udhëhoqi socialistët drejt rikthimit në pushtet, të cilin socialistët e mbajtën për 8 vite, por Fatos Nano pati sërish ulje-ngritjet e tij politike.

Meritë e Nanos, e pranuar edhe nga kritikët, ishte rikthimi i normaltitet në vendin e shkatërruar ekonomikisht si pasojë e firmave piramidale.

E megjithatë postin e kryeministrit e mbajti për një vit, kur vendosi të jepte dorëheqjen në 28 shtator 1998, pak më shumë se dy javë pas vrasjes së Azem Hajdarit.

U largua nga Qeveria, por vijoi të mbante kontrollin e partisë, pavarësisht dallgëve që shoqëruan socialistët në 8 vite.

U rikthye edhe njëherë tjetër kryeministër në 31 korrik 2002 deri në humbjen e zgjedhjeve në qershor 2005, kur u detyrua t’i linte pushtetin kundërshtarit të tij që e kishte burgosur, Sali Berisha.

Prej atij viti ditët i jetonte mes Vjenës ku qëndronte me familjen dhe Tiranës ku vinte sa herë diskutohej se kush do të ishte Presidenti i ri i vendit.

Dëshira e tij për t’u bërë kreu i shtetit nuk iu plotësua as në vitin 2007 kur vendin ia mori Bamir Topi dhe as në vitin 2012 kur Berisha megjithëse e afroi, në fund zgjodhi të ndjerin Bujar Nishani.

Jeta e tij familjare ka qenë e trazuar po aq sa ajo politike. Fillimisht konsumoi një martesë 25 vjeçare me Rexhina Nanon, me të cilën ka dy fëmijë, Sokolin dhe Edlirën.

Në vitin 2002, pak muaj pas divorcit ai njoftoi martesën me Xhoanën.

I konsideruar si figurë liberale brenda të majtës shqiptare ai e shndërroi PS-në nga një parti bolshevike në një formacion të së majtës progresive.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja Fatos Nano ishte i vetmi nga politikanët e tranzicionit që ka dhënë dorëheqjen nga politika për të mos u kthyer më, pas humbjes së zgjedhjeve në 2005.

The post Ndërron jetë në moshën 73-vjeçare, ish kryeministri dhe lideri historik i PS, Fatos Nano appeared first on iconstyle.al.

  •  

Villeroy & Boch: Tradita 275-vjeçare që bashkon elegancën, mjeshtërinë dhe unitetin gjerman

Në mbrëmjen solemne që parapriu Ditën e Unitetit Gjerman, një prej kompanive më prestigjioze të Evropës, Villeroy & Boch, hapi dyert e selisë së saj historike në Mettlach, duke mirëpritur përfaqësues të institucioneve kushtetuese federale, kryeministra të landeve dhe figura të shquara të politikës dhe kulturës gjermane.

Ngjarja, pjesë e programit zyrtar të festimeve të “Tag der Deutschen Einheit 2025”, u organizua nën kujdesin e Anke Rehlinger, kryeministres së Saarland dhe presidente e Bundesrat për vitin 2025. Midis të ftuarve ishte edhe Alexander Schweitzer, kryeministri i Rheinland-Pfalz, i cili e nisi ditën e 2 tetorit pikërisht me një vizitë në ambientet e Villeroy & Boch. Mbrëmja përmblodhi në një frymë të vetme historinë, artin dhe simbolikën e bashkimit, në një vend që për më shumë se dy shekuj e gjysmë ka qenë sinonim i traditës gjermane.

Atmosfera elegante e “Alten Abtei”, godinës emblemë të kompanisë, u mbush me përfaqësues nga të gjitha anët e vendit, të cilët vlerësuan rolin e Villeroy & Boch si një pasuri kulturore dhe industriale që mishëron shpirtin e unitetit gjerman. Në darkën zyrtare, e kuruar nga Christian Bau, shef i njohur me tre yje Michelin i “Victor’s Fine Dining”, u bashkuan figura të larta të qeverisë federale dhe të landeve, në një mbrëmje që përfaqësonte elegancën dhe vlerat e përbashkëta që kanë ndërtuar identitetin e Gjermanisë moderne.

Kompania, e themeluar në vitin 1748, ka ruajtur për breza të tërë një standard të jashtëzakonshëm të mjeshtërisë, inovacionit dhe dizajnit. Nga porcelanet aristokratike e deri te koleksionet bashkëkohore për shtëpi dhe ambientet e mikpritjes, Villeroy & Boch mbetet një simbol i sofistikimit dhe qëndrueshmërisë. Me rrënjë të thella në Saarland, marka është bërë ambasadore e artizanatit gjerman në mbarë botën, duke bashkuar trashëgiminë dhe modernitetin në çdo produkt që krijon.

Në këtë frymë bashkimi dhe harmonie, Villeroy & Boch jo vetëm që feston historinë e vet, por edhe e ndan me të gjithë ata që e vlerësojnë cilësinë, stilin dhe elegancën e përjetshme.

Nëse dëshiron ta prekësh nga afër magjinë e Villeroy & Boch, vizito dyqanin fizik në Qendrën Metropol, Rruga Sami Frashëri, Tiranë, ose bëj blerjen tënde nga rehatia e shtëpisë në www.bybest.shop.

The post Villeroy & Boch: Tradita 275-vjeçare që bashkon elegancën, mjeshtërinë dhe unitetin gjerman appeared first on iconstyle.al.

  •  

Skandaloze! Përdhunoi të miturën, Suedia refuzon ta dëbojë sepse “përdhunimi nuk zgjati mjatueshëm”

“E urrej, më ka shkatërruar jetën. Mendova se ishte faji im që nuk bëra më shumë rezistencë, por isha shumë e frikësuar. Mendoja se mund të më vriste.”

Këto janë fjalët e viktimës së përdhunimit, Meya Aberg, por absurditetin e ngjarjes e shton ajo që do të lexoni më pas:

Gjykata e Apelit për rajonin e Epërm të Norrland-it ka vendosur që azilanti eritrean, i dënuar për përdhunimin e 16-vjeçares, të mos dëbohet nga Suedia pasi të përfundojë dënimin me tre vjet burg. Arsyeja e dhënë në vendim: “kohëzgjatja e aktit”.

Vendimi ka shkaktuar zemërim të madh ndërkombëtar, pasi gjykata argumenton se përdhunimi “nuk zgjati mjaftueshëm” për t’u konsideruar si një “krim jashtëzakonisht i rëndë”, ndaj nuk justifikon dëbimin e autorit, Yazied Mohamed, i cili është refugjat nga Eritrea.

Sipas vendimit, “përdhunimi, ndonëse i rëndë, nuk përbën një shkelje aq të rëndë sa të warrantojë dëbim nga vendi”. Gjykata shton se, në shumë raste, përdhunimi mund të konsiderohet krim jashtëzakonisht i rëndë që sjell dëbim, por “duhet bërë një vlerësim bazuar në të gjitha rrethanat e rastit”.

Ngjarja ndodhi më 1 shtator të vitit të kaluar në qytetin Skellefteå, kur Meya Åberg, 16 vjeç, po kthehej në shtëpi pasi kishte mbaruar turnin e saj në McDonald’s. Ajo kishte humbur autobusin dhe po ecte përmes një tuneli për këmbësorë kur u sulmua dhe u përdhunua nga 18-vjeçari Yazied Mohamed. Ai i mori telefonin, e tërhoqi me forcë në tunel dhe e sulmoi, derisa vajza arriti të shpëtonte dhe të vraponte drejt qytetit.

Fillimisht Mohamed u shpall i pafajshëm për “mungesë provash”, por pas apelimit, u dënua me 3 vjet burg dhe detyrim për të paguar 240,000 krona suedeze (rreth 22,000 euro) si dëmshpërblim. Megjithatë, gjykata refuzoi kërkesën për dëbim, duke thënë se krimi “nuk ishte mjaftueshëm i zgjatur për t’u klasifikuar si jashtëzakonisht i rëndë”.

Reagimet ishin të ashpra. Donald Trump Jr., në një postim në platformën X, shkroi:

“Çfarë po ndodh me këtë botë? Europa është në fazën ‘ishte vetëm një përdhunim i shkurtër’, prandaj nuk do ta dëbojmë këtë copë plehre nga vendi ynë. Zgjohuni, njerëz, po vetëshkatërrohemi me moralin tonë të rremë.”

Kritika të forta erdhën edhe nga politikanë evropianë, përfshirë eurodeputetin kroat Stephen Nikola Bartulica, i cili tha se gjyqtarët që morën këtë vendim duhet të mbajnë përgjegjësi.

Ndërkohë, Meya Åberg, tashmë 17 vjeç, ka folur publikisht për traumën që përjetoi atë natë. Në një intervistë për median suedeze Norran, ajo tregoi sesi është përballur me pasojat e rënda psikologjike të sulmit dhe sesi e ka parë disa herë agresorin në qytet, në shkollë dhe në vendin e saj të punës.

“Dua të them që e urrej dhe që ai më ka shkatërruar jetën,” – u shpreh ajo.
“Mendova se ishte faji im që nuk bëra më shumë rezistencë, por isha shumë e frikësuar. Mendoja se mund të më vriste.”

Ligji suedez lejon dëbimin vetëm nëse krimi konsiderohet “jashtëzakonisht i rëndë” dhe paraqet rrezik për sigurinë publike. Por ky rast ka hapur një debat të gjerë në vend dhe jashtë tij, ku shumë e shohin vendimin si një dështim moral dhe ligjor të sistemit gjyqësor suedez.

Ky nuk është një rast i izoluar. Vetëm në korrik 2025, një tjetër shtetas eritrean me 196 akuza penale, përfshirë sulme ndaj policisë dhe të burgosurve, i shpëtoi dëbimit. Po ashtu, katër burra eritreanë të akuzuar për përdhunim në grup në vitin 2022 u lejuan të qëndrojnë në Suedi, duke nxitur debate të reja për sistemin suedez të drejtësisë dhe ligjin e kufizuar për dëbimin e azilantëve që kanë kryer krime.

The post Skandaloze! Përdhunoi të miturën, Suedia refuzon ta dëbojë sepse “përdhunimi nuk zgjati mjatueshëm” appeared first on iconstyle.al.

  •  

Kur zgjedhjet tona “ndryshojnë” të kaluarën: Fenomeni kuantik që po trondit shkencën

Një nga zbulimet më befasuese të dekadës së fundit vjen nga laboratorët e Kopenhagës, ku fizikanët kanë vërejtur diçka që duket si përmbysje e vetë logjikës së kohës. Një eksperiment i thjeshtë me grimca dritë, të quajtura fotone, ka treguar se mënyra se si ne i masim ato në të ardhmen mund të ndikojë në gjendjen e tyre të kaluar. Me fjalë të tjera, duket sikur universi reagon ndaj vendimeve tona… pasi i kemi marrë.

Ky fenomen, që në fizikë njihet si “retro-kauzalitet”, po sfidon një nga idetë më bazë që kemi për realitetin: që shkaku vjen përpara pasojës. Por në botën kuantike, rregullat duken krejt ndryshe. Grimcat nuk ndjekin një rend linear “nga e kaluara në të ardhmen”, por sillen sikur koha është një e tërë, ku çdo moment bashkëjeton me tjetrin. Për to, nuk ka “para” dhe “pas”, gjithçka ndodh njëkohësisht.

Eksperimenti që hapi këtë debat është, në pamje të parë, shumë i thjeshtë: një foton dërgohet nëpër disa detektorë, dhe vetëm më vonë studiuesit vendosin se si do ta masin. Megjithatë, kjo zgjedhje e mëvonshme rezulton se ndryshon mënyrën se si fotoni ishte sjellë që në fillim. Sikur realiteti “rishkruan” vetveten për t’u përputhur me vendimin që ne marrim më pas. Një nga studiuesit e përshkroi me humor dhe frikë: “Sikur universi e di çfarë do të bëjmë përpara se ta vendosim.”

Nëse kjo tingëllon si metafizikë, nuk është rastësi. Ky eksperiment e vendos njeriun përballë një pyetje të thellë: a është e kaluara vërtet e pandryshueshme, apo çdo vendim që marrim sot e “përkufizon” atë pas veprimit tonë? Në kuptimin kuantik, derisa të bëjmë një zgjedhje, realiteti qëndron në një gjendje të paqartë, me të gjitha mundësitë të hapura. Dhe në momentin që vendosim, duket sikur universi “plotëson boshllëqet” e së kaluarës për ta bërë koherente me të tashmen.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë çdo zgjedhje që bëjmë nuk ndikon vetëm në të ardhmen tonë, por edhe në mënyrën se si “shkruhet” e kaluara. Kjo ide, sa e guximshme aq edhe tronditëse, po hap një epokë të re në mendimin shkencor dhe filozofik. Shumë fizikantë janë ende skeptikë dhe kërkojnë shpjegime më konvencionale, por për momentin faktet janë kokëforta: grimcat sillen sikur koha nuk ecën, por rrotullohet.

Nëse e mendon në mënyrë njerëzore, kjo na vë përballë një pasqyre interesante: ndoshta nuk jetojmë nga e kaluara drejt së ardhmes, por nga zgjedhja drejt kuptimit. Çdo vendim që marrim krijon një vijë të re në hartën e realitetit dhe ndoshta, në mënyrë të padukshme, riformëson edhe atë që kemi lënë pas.

Ndoshta e kaluara nuk është një histori e mbyllur, por një skenar që po rishkruhet vazhdimisht nga zgjedhjet që bëjmë sot. Dhe nëse universi vërtet “reagon në prapavijë”, atëherë çdo mendim, çdo vendim dhe çdo hap i yni është shumë më i fuqishëm se sa kemi menduar ndonjëherë!

The post Kur zgjedhjet tona “ndryshojnë” të kaluarën: Fenomeni kuantik që po trondit shkencën appeared first on iconstyle.al.

  •  

AI po “pushon nga puna” influencerat: Fundi i epokës së famës dixhitale?

Nëse deri dje influencerat ishin zëri më i fuqishëm i rrjeteve sociale, sot po afrohet një moment i çuditshëm: epoka e tyre mund të përfundojë jo për shkak të mungesës së ndjekësve, por për shkak të inteligjencës artificiale. Teknologjia që deri pak kohë më parë dukej si një mjet ndihmues, po shndërrohet në zëvendësuesin e tyre më të frikshëm. Me një foto të vetme, një program mund të krijojë një video ku “influenceri” lëviz, flet, buzëqesh dhe komunikon me publikun, pa qenë as aty.

Në pak minuta, një imazh i gjeneruar nga AI mund të duket më i përsosur se çdo njeri real. Nuk lodhet, nuk ka kërkesa financiare, nuk bën pushime dhe nuk ka nevoja emocionale. Markat që dikur paguanin mijëra euro për një postim të sponsorizuar tani mund të krijojnë versionin e tyre të personalizuar të “influencerit ideal”: një figurë sintetike, e përsosur për çdo kulturë, gjuhë apo moshë target. Dhe këtu fillon revolucioni i heshtur që po trondit gjithë industrinë e influencimit.

Trupi dhe fytyra, që për vite kanë qenë kapitali kryesor i një influenceri, po bëhen prona publike të manipulueshme. Imazhi nuk është më i shenjtë, sepse mund të riprodhohet, përzihet dhe shitet pa leje. Çdo njeri me pak njohuri teknologjike mund të marrë një foto dhe të krijojë një “version të ri” të një personi, që duket aq real saqë edhe vetë ndjekësit mund të mos e dallojnë. Kur identiteti vizual humbet kontrollin, humbet edhe vlera ekonomike që e mbështet.

Në këtë lojë të re, ndikuesit nuk janë më të pazëvendësueshëm. AI po bëhet më i shpejtë, më i lirë dhe më bindës. Për markat, kjo është ëndrra e përkryer: asnjë rrezik skandali, asnjë krizë imazhi, asnjë negociatë kontratash. Por për mijëra njerëz që e kanë ndërtuar jetën dhe biznesin e tyre mbi vetë imazhin, kjo është një goditje ekzistenciale.

E ardhmja e këtij fenomeni është plot pasiguri. Çdo ditë po dalin mjete të reja që e bëjnë më të lehtë gjenerimin e videove, zërave dhe imazheve ultra-realiste. Debati sapo ka filluar, por askush nuk e di si mund të frenohet. Ligjet janë shumë prapa teknologjisë, rrjetet sociale nuk kanë mekanizma të qartë për verifikim dhe publiku po mësohet ngadalë me idenë që “asgjë nuk është më reale”. Influencerat, dikur burimi i autenticitetit dixhital, tani po bëhen viktimat e një realiteti të ri që nuk kërkon më njerëz për të qenë i besueshëm.

Kjo situatë po hap një epokë të re pasigurie, jo vetëm për ta, por për shumë profesione që varen nga imazhi, zëri apo prania online. Fotografët, aktorët, prezantuesit, madje edhe gazetarët, po e ndiejnë frymëmarrjen e ftohtë të një inteligjence që mund t’i zëvendësojë në çdo moment. Po shkojmë drejt një bote ku pak profesione do të mbeten të paprekshme, dhe as fama nuk të shpëton më.

Çfarë do mbetet e vërtetë në një realitet ku gjithçka mund të krijohet, imitohet dhe shitet? Influencerat ishin simboli i lidhjes midis njeriut dhe audiencës. Sot, ndoshta po bëhen shembulli i parë se si teknologjia mund të shkatërrojë pikërisht atë që e bëri internetin njerëzor.

The post AI po “pushon nga puna” influencerat: Fundi i epokës së famës dixhitale? appeared first on iconstyle.al.

  •  

“Radhët e pafund dhe nervat në limit”: Udhëtimet drejt Europës po kthehen në makth me sistemin e ri të regjistrimit në aeroporte

Një skenë që po përsëritet në çdo aeroport: udhëtarë që shtrihen në radhë të gjata, oficerë kufiri që shpjegojnë me zë të lodhur një sistem të ri digjital që “nuk është shumë i shpejtë”, dhe njerëz që humbasin fluturime pasi qëndruan me orë të tëra për t’u regjistruar.

Ky është realiteti i ditëve të para të Entry/Exit System (EES), sistemi i ri elektronik që Bashkimi Europian ka vënë në zbatim për të regjistruar hyrjet dhe daljet e qytetarëve nga vendet jo anëtare të BE-së.

Që nga 12 tetori 2025, çdo person që hyn në zonën Schengen për turizëm apo punë, duhet të japë gjurmët e gishtave dhe një foto biometrike, të cilat ruhen për tre vjet në një bazë të dhënash europiane. Në teori, është një sistem modern që do të rrisë sigurinë dhe do të zëvendësojë vulat në pasaportë.

Në praktikë… është kthyer në një kaos që po çmend udhëtarët dhe stafet aeroportuale.

✈ Radhë, vonesa, ankesa dhe fluturime të humbura

Lisbonë, mediat raportojnë se aeroporti është “shpërbërë në kaos” me dhjetëra pasagjerë që kanë humbur fluturimet për shkak të procedurave të reja.

Pragë, pritja për verifikim ka zgjatur deri në 90 minuta, ndërsa në disa pika kufitare franceze dhe holandeze, pasagjerët janë paralajmëruar të mbërrijnë katër orë më herët se zakonisht.

Komentet e qytetarëve janë të njëjta kudo: lodhje, frustrim dhe një ndjenjë se teknologjia e re nuk ka ardhur për t’ua lehtësuar jetën, por për ta vështirësuar më shumë.

Shumë ekspertë dhe punonjës aeroportesh e quajnë këtë fazë të EES-it “eksperiment të rrezikshëm në kohë reale”.

Në shumë pika, skanerët biometrikë nuk funksionojnë njësoj, oficerët nuk kanë trajnim të mjaftueshëm dhe për udhëtarët që kanë probleme me pasaportat e huaja apo me qëndrimet e mëparshme, sistemi nuk i njeh menjëherë.

Në komente në rrjete sociale, disa qytetarë kanë hedhur idenë që të krijohen zyra në qytete ku njerëzit të mund të bëjnë paraprakisht regjistrimin biometrik, përpara se të shkojnë në aeroport.

Të tjerë, me sarkazëm, shkruajnë se “sistemi do të dështojë më shpejt se ç’u ndez” dhe se do të kthehemi shumë shpejt te kontrolli manual dhe vula në pasaportë.

Ky sistem, që synon të forcojë kontrollin dhe sigurinë, po teston durimin e njerëzve. Udhëtarët ndihen më të ekspozuar ndaj rrezikut për të humbur fluturimet, për të humbur takime, apo për të humbur durimin në radhë që nuk mbarojnë.

EES u mendua si një mënyrë për të ndaluar qëndrimet e paligjshme dhe për të mbledhur të dhëna më të sakta për hyrje-daljet në BE.

Por mënyra si po zbatohet po ngre momentalisht pikëpyetje të mëdha dhe pasiguri tek qytetarët.

🗣 Po ti si po e përjeton këtë?

Në rrjetet sociale po qarkullojnë qindra reagime, nga irritimi e deri te humori i zi.

Disa njerëz po postojnë foto të radhëve gjigante me përshkrime si “Mirë se vini në Evropën dixhitale!”, ndërsa të tjerë thonë se “ky është shekulli i inovacionit që nuk funksionon”.

Nëse ke udhëtuar këto ditë dhe ke përjetuar vonesa apo kaos në aeroport për shkak të sistemit të ri, ndaje përvojën tënde me ne në komente.

A mendon se kjo është një mënyrë moderne për të udhëtuar apo një dështim që do na kthejë pas në kohë?

The post “Radhët e pafund dhe nervat në limit”: Udhëtimet drejt Europës po kthehen në makth me sistemin e ri të regjistrimit në aeroporte appeared first on iconstyle.al.

  •  

Princi Leka II i propozoi Blertës me unazë rreth 140 mijë euro, mediat e huaja zbulojnë detajet

Fejesa e Princ Leka II me Blerta Celibashin ka vënë sërish në qendër të vëmendjes familjen mbretërore shqiptare. Por këtë herë, gjithë dritat nuk janë te historia e dashurisë, janë te unaza.

Sipas revistës britanike Hello Magazine, princi shqiptar ka propozuar me një unazë fejese vlerësuar në 120 mijë paund, ose rreth 140 mijë euro, një shifër që po qarkullon gjerësisht në mediat ndërkombëtare.

“Unazë mbretërore, por pa zhurmë”

Eksperti i bizhuterive Nilesh Rakholia, i cituar nga Hello Magazine, përshkruan unazën si “të qetë, elegante dhe pa teprime”, një diamant me prerje ovale ose cushion, i vendosur mbi një shirit të hollë të zbukuruar me gurë pavé.

Sipas tij, nëse diamanti qendror është 2 deri në 3 karatë, çmimi i vlerësuar prej 140 mijë eurosh është plotësisht i justifikuar. Ai e quan këtë stil “regal, por bashkëkohor”, një mënyrë për të treguar status dhe ndjenjë, pa pasur nevojë të bësh shumë zhurmë.

Rakholia shton se prerjet oval dhe cushion simbolizojnë “harmoni dhe dashuri që zgjat”, duke e bërë dizajnin jo vetëm estetikisht të përkryer, por edhe emocionalisht kuptimplotë.

Ksamil, skena e propozimit

Propozimi ndodhi më 11 tetor 2025, në Ksamil, një nga vendet më të dashura të rivierës shqiptare. Çifti ndau lajmin me ndjekësit në Instagram, me një seri fotosh romantike nën diellin e vjeshtës, ku unaza shkëlqente në dorën e Blertës, në një kornizë që kombinonte qetësinë, detin dhe dritën, në një ceremoni që bëri jo pak zhurmë në rrjet.

Vetë Oborri Mbretëror publikoi një njoftim zyrtar, duke e quajtur ditën “fillimin e një kapitulli të ri”.

Një vit pas divorcit dhe një fillim i ri

Fejesa e Lekës vjen një vit pas ndarjes nga Elia Zaharia, me të cilën ka një vajzë, Princeshën Geraldinë. Çifti kishte shpallur ndarjen në janar 2024, pas tetë vitesh martesë.

Lidhja me Blertën u bë publike në shtator 2024 dhe, që nga ajo kohë, ata janë parë shpesh në evente kulturore dhe bamirësie, përfshirë aktivitetet e Fondacionit Queen Géraldine.

Boom mediash ndërkombëtare

Artikulli i Hello Magazine i hapi rrugën një vale publikimesh në media të tjera të njohura si People, 9Honey (Australia), Tatler, Sky News dhe Geo News, të cilat kanë ndarë të njëjtat detaje për unazën, vendin e fejesës dhe dinamikën e çiftit.

People thekson postimin romantik në Instagram ku shfaqet unaza.

9Honey nënvizon kontrastin mes divorcit të shpejtë dhe fillimit të ri.

Tatler e quan Blertën “debutimin më të qetë mbretëror të vitit”.

Sky News përmend Ksamilin si “perlë  bregdetare ku ndodhi propozimi”.

Hello Magazine, megjithatë, mbetet më e detajuar për aspektin që i intereson më shumë publikut: çmimin dhe dizajnin e unazës.

140 mijë euro për një simbol dashurie

Në një epokë ku shumë fejesa të njohura shndërrohen në spektakël, zgjedhja e Princ Lekës për një unazë të sofistikuar por jo ekstravagante është parë si shenjë e një estetike të re: luks i heshtur, me domethënie dhe klas.

Në fotot që kanë pushtuar rrjetet, unaza duket si reflektim i kësaj filozofie, një diamant që flet më shumë për ndjenjën sesa për shifrën, edhe pse kjo e fundit (rreth 140 mijë euro) nuk ka kaluar pa u vënë re.

The post Princi Leka II i propozoi Blertës me unazë rreth 140 mijë euro, mediat e huaja zbulojnë detajet appeared first on iconstyle.al.

  •  

Trendi i momentit: Vajzat aziatike konsumojnë “pështymën e zogjve” për lëkurë perfekte

Nëse po kërkonit një sekret bukurie të çuditshëm, por me traditë të lashtë, ja ku vjen: gratë në Azi prej shekujsh konsumojnë “bird’s nest” që, po, është në thelb pështyma e një zogu të vogël të quajtur swiftlet. Por qëndroni me ne… sepse kjo nuk është aq e çuditshme sa duket kur sheh benefitet.

“Bird’s nest” krijohet nga këto zogj që e thurin tërësisht me pështymën e tyre. Ajo që i bën kaq të veçantë është se janë të ngrënshëm dhe përdoren gjerësisht në Mjekësinë Tradicionale Kineze si një nga tonikët më të njohur. Kur tretet në ujë të nxehtë, “bird’s nest” merr një teksturë xhelatinoze dhe përdoret për të bërë supa të ëmbla (tong sui) ose tonikë ushqyes për trupin dhe lëkurën.

Përveç përdorimit tradicional, “bird’s nest” njihet sot në të gjithë botën si një superushqim për bukurinë. Përdorimi i rregullt i tij besohet se ndihmon në ruajtjen e rinisë, përmirëson elasticitetin e lëkurës dhe zbut rrudhat. Studime të reja kanë treguar se është e pasur me faktorë rritjeje epidermale, substanca që nxisin rigjenerimin e qelizave të lëkurës dhe indeve.

Por benefitet nuk ndalen te lëkura. Konsumimi i “bird’s nest” besohet të ndihmojë edhe në rikuperimin nga sëmundje kronike, falë formës së saj të paratretur të proteinave dhe lëndëve ushqyese. Në mjekësinë tradicionale thuhet se ndihmon në balancimin e energjisë, hidraton mushkëritë dhe lehtëson simptomat si djersitjet e natës, kollat kronike, bronkitin, temperaturat dhe dobësinë.

Përtej të gjitha këtyre, “bird’s nest” është i pasur me minerale të rëndësishme si kalciumi, magnezi dhe kaliumi, ndihmon në tretje dhe stimulon lëvizjen e zorrëve, duke forcuar sistemin imunitar.

Nëse po mendoni si mund të jetë shija… është delikate dhe e butë, zakonisht shërbehet me fruta ose ëmbëlsues natyralë si hurmat dhe goji berries. Shumë marka e shesin sot si produkt luksi, të gatshëm për konsum apo të konservuar në forma të ndryshme, gjithmonë me etiketa që tregojnë origjinën dhe cilësinë.

Dhe për të qenë të sinqertë, po, “bird’s nest” mund të duket i çuditshëm në fillim. Por kur mendon se po merr një koktejl kolagjeni natyral me shekuj eksperiencë pas vetes, ndoshta është një trend që ia vlen të provohet, sidomos për ata që ndjekin çmenduritë e fundit të wellness-it.

The post Trendi i momentit: Vajzat aziatike konsumojnë “pështymën e zogjve” për lëkurë perfekte appeared first on iconstyle.al.

  •  

Çfarë po ndodh tani: Një flotilë me ndihma humanitare sfidon bllokadën e Gazës, Izraeli ndalon rreptësisht anijet

Një nga ngjarjet më të mëdha me ngarkesë humanitare dhe politike të këtij viti po zhvillohet në Mesdhe, ku Flotila Globale “Sumud” ka marrë guximin të sfidojë bllokadën e vendosur nga Izraeli mbi Gazën. Ky mision, i nisur nga dhjetëra aktivistë ndërkombëtarë, përfshin dhjetëra anije të vogla që transportojnë ndihma thelbësore për popullsinë civile palestineze, mes tyre qumësht pluhur për foshnja, ushqime bazike dhe barna të domosdoshme.

Qëllimi i flotilës është i qartë: të arrijë drejtpërdrejt në brigjet e Gazës, duke shmangur ndërmjetësimin e autoriteteve izraelite, të cilat prej vitesh kontrollojnë çdo furnizim që hyn në këtë territor të izoluar. Emri “Sumud”, që në arabisht do të thotë “qëndresë”, është simbolik për vendosmërinë e aktivistëve nga më shumë se 40 vende të botës, ku mes tyre ka deputetë, figura publike dhe aktivistë të njohur për të drejtat e njeriut.

Përplasja nuk ka munguar. Marina izraelite ka ndërhyrë duke ndaluar shumicën e anijeve, në disa raste duke i izoluar dhe në disa të tjera duke ndërprerë komunikimin e tyre me botën e jashtme. Nga rreth 40 mjete lundruese që u nisën, organizatorët thonë se vetëm njëra arriti të depërtojë më pranë ujërave të Gazës, ndërsa pjesa tjetër është “interceptuar”. Raportime të ndryshme flasin për anijen “Mikeno”, e cila arriti të afrohej shumë pranë destinacionit, por edhe ajo humbi kontaktin më pas.

Situata është bërë edhe më dramatike nga fakti që në terren, njerëzit që presin ndihmat nuk kanë vetëm mungesa, por edhe rrezikojnë jetën. Ka dëshmi se civilët që afrohen për të marrë ushqimet dhe formulat për foshnja shpesh qëllohen dhe vriten nga forcat izraelite, duke e shndërruar këtë përpjekje humanitare në një skenë lufte të hapur. Kjo ka ngritur alarmin për një krizë të thellë morale dhe ligjore, pasi ndihmat bazike po kthehen mbrapsht dhe ata që guxojnë të shkojnë për t’i marrë po humbin jetën.

Izraeli e justifikon bllokadën duke thënë se është një masë sigurie për të parandaluar armët të hyjnë në Gaza, por organizatat ndërkombëtare e quajnë këtë një shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe një formë të urisë së qëllimshme të popullsisë civile. Amnesty International ka deklaruar se këto ndërhyrje janë dëshmi se Izraeli po vazhdon me qëllim të mbajë palestinezët në kushte të padurueshme, duke e përdorur ushqimin si armë.

Reagimet ndërkombëtare kanë qenë të menjëhershme. Turqia, Kolumbia, Malajzia dhe vende të tjera kanë protestuar hapur, duke akuzuar Izraelin për shkelje të të drejtave të njeriut dhe për pengimin e ndihmave humanitare. Kolumbia madje ka paralajmëruar masa diplomatike konkrete, përfshirë dëbimin e diplomatëve izraelitë. Organizatat humanitare kanë bërë thirrje të fuqishme që komuniteti ndërkombëtar të reagojë dhe të garantojë hyrjen e ndihmave, ndërsa në rrjetet sociale kjo flotilë është kthyer në simbol të solidaritetit global me Gazën.

Kjo përballje nuk është e para e këtij lloji. Flotilat humanitare janë përpjekur edhe më parë të thyejnë bllokadën, por pothuajse gjithmonë janë ndaluar ose janë sulmuar para se të mbërrijnë në Gaza. Ajo që ndodh sot është vazhdim i një historie të gjatë dhune, ku aktivistë të paarmatosur përballen me një fuqi ushtarake të mirëorganizuar. E megjithatë, simbolika e këtij veprimi është e madhe: edhe nëse ndihmat nuk arrijnë kurrë të shkelin tokën e Gazës, mesazhi i tyre është shpërndarë në mbarë botën.

Çfarë ndodh më tej mbetet e paqartë. Disa prej aktivistëve pritet të deportohen nga Izraeli në vendet e tyre, të tjerët janë ende të izoluar pa mundësi komunikimi. Ndihmat e mbetura në anije rrezikojnë të kthehen mbrapsht, ndërkohë që foshnjat dhe familjet në Gaza presin për qumësht, ushqime dhe ilaçe që ndoshta nuk do të arrijnë kurrë. Në çdo rast, kjo flotilë ka arritur të trazojë ndërgjegjen ndërkombëtare dhe të rikthejë në qendër të vëmendjes një popullsi që jeton mes urisë dhe frikës.

Ky është një moment ku çështja nuk është vetëm për anijet që lundrojnë në Mesdhe, por për të drejtën elementare të një populli për të mbijetuar. Dhe teksa një flotilë tenton të sjellë jetë, bllokada vazhdon t’i sjellë vdekje.

The post Çfarë po ndodh tani: Një flotilë me ndihma humanitare sfidon bllokadën e Gazës, Izraeli ndalon rreptësisht anijet appeared first on iconstyle.al.

  •  

Sërish thyerje rregullash? Pas rrëmujës me Loredanën, Keijsi në krahët e një tjetër vajze, kësaj here konkurrente e “Për’puthen”

Zhurmë të madhe bëri në rrjet takimi gjysmë ‘i fshehtë’ i konkurrentit të “Për’puthen”, Keijsi Hysenit, me kupid-in e emisionit, Loredana Brati.

Mes vrulit të ngjarjes, Loredana njoftoi largimin nga emisioni duke e justifikuar me arsye personale, por më shumë u duk si ndëshkim për thyerjen e rregullores së programit. Asaj s’i lanë kohë të shpjegohej. Megjithëse kërkoi fjalën për herë të fundit në studio, prezantuesja Megi Pojani nxitoi të shfaqte klipin ku Loredana i jepte nga një mesazh të shkurtër djemve, si këshillat e fundit para se të largohej.

Keijsin e “kryqëzuan” në studio. Megi dhe opinionistët i kërkuan shpjegime për arsyet e takimit kundër rregullores, ndërsa konkurrenti shpjegohej se kishin ngrënë drekë-darkë vetëm me njëri-tjetrin, për respekt. Këtë respekt e vuri në pikëpyetje e gjithë studio, ndërsa pati edhe një përplasje të fortë mes Keijsit dhe Stelinës, vajzës me të cilën ai po njihet këto tre javë.

Pas toneve të larta të zërit dhe ndërhyrjes së opinionistit Laert Vasili, “çifti në tentativë” u pajtua dhe duket se prej tyre kemi zhvillime.

Sot, në InstaStory, Keijsi ka ndarë një foto pikërisht me Stelinën. Pasi i kishte premtuar xhiron me motorr, duket se më në fund e ka mbajtur fjalën. S’e dimë nëse po thyejnë rregullat e emisionit, apo është takimi i radhës i xhiruar mes tyre. Mirëpo, çfarë na tërhoqi vëmendjen është gjesti romantik i Keijsit: kënga që shoqëron story-n është Jay-Z ft Beyonce – 03 Bonnie & Clyde”, ndërsa ka mbuluar me trëndafil fytyrës e saj megjithëse dallohet qartë që është Stelina.

Çift apo ende jo? Mbetet për t’u parë…

The post Sërish thyerje rregullash? Pas rrëmujës me Loredanën, Keijsi në krahët e një tjetër vajze, kësaj here konkurrente e “Për’puthen” appeared first on iconstyle.al.

  •  

Kur shkëlqimi botëror ka emër: Swarovski

Ka disa emra që nuk kanë nevojë për hyrje. Vetëm përmendja e tyre sjell në mendje dritë, finesë dhe një ndjesi që nuk blihet, por përjetohet. Swarovski është pikërisht një prej tyre. Jo thjesht një markë kristalesh, por një simbol global i luksit modern, i artit që shndrit dhe i skenës që kërkon më të bukurën. Nëse ke nevojë për prova, mjafton të shohësh se kush e zgjedh atë.

Lisa e BLACKPINK performon në një jumpsuit me mbi 800 mijë kristale Swarovski. Çdo lëvizje e saj, çdo rrotullim mbi skenë, është një shpërthim drite që nuk lë vend për pyetje: ka vetëm shkëlqim të vërtetë.

 

Dhe kur flasim për Shakirën, e cila ngjit skenën në një veshje me mbi 100 mijë kristale, çdo lëvizje e saj në “Las Mujeres Ya No Lloran Tour” bëhet një reflektim i zjarrit që ajo sjell me vete.

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by SWAROVSKI (@swarovski)

Jo më pak ikonike është edhe Beyoncé, e cila e çoi glamurin amerikan në një tjetër nivel gjatë turit “Cowboy Carter”, me një veshje sportive e të personalizuar me kristale Swarovski, që e bënte të dukej si një yll i ndritshëm në një stadium të tejmbushur.

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by SWAROVSKI (@swarovski)

Pastaj është Dua Lipa, e cila ka shndërruar çdo performancë të saj në një moment kristalor. Në koncertin në Wembley, në videoklipet e fundit, në evente madhështore, ajo mbështillet me kristale që lëkunden në çdo hap. Truporet e punuara me mijëra kristale, rripat me dizajn të personalizuar, veshjet që marrin orë të tëra pune, janë të gjitha pjesë e një magjie që vetëm Swarovski di ta sjellë kaq afër, kaq bukur.

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by SWAROVSKI (@swarovski)

Edhe FKA Twigs, një tjetër ikonë e performancës artistike, zgjedh të mbulohet me kristale në një stil krejt të sajin: xhinse të grisura, por të punuara me kujdes, apo një fustan lëkure i shoqëruar me një varëse Swarovski që ndriçon si një gur i çmuar në errësirë.

Dhe së fundmi, Cardi B, në videoklipin e saj më të ri, shfaqet me veshje të stiluar nga Swarovski, duke e bërë të qartë se ky emër është jo vetëm në pasarela, por edhe në beat-in e çdo skene moderne. Ajo që i bashkon të gjitha këto gra, të ndryshme në stil, në zë, në skenë, është pikërisht zgjedhja për të shndritur me Swarovski.

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Cardi B (@iamcardib)

Swarovski është mënyra se si performon. Është ai luks i pastër që s’ka nevojë të bërtasë për të rënë në sy, sepse thjesht shkëlqen.

Nëse skena më e madhe e botës e zgjedh, nuk është rastësi. Është cilësi. Është besim. Është art i bërë me dorë, që kalon përtej modës dhe mbetet aty ku e ka vendin: në kujtesë!

Dëshiron ta prekësh elegancën nga afër? Swarovski të pret në Qendrën Metropol, Rruga Sami Frashëri, Tiranë, ose në Tirana East Gate (TEG).

Për detaje të çdo produkti apo blerje online nga rehatia e shtëpisë, kliko gjithmonë www.bybest.shop

The post Kur shkëlqimi botëror ka emër: Swarovski appeared first on iconstyle.al.

  •  

Psikiatri nga Kosova përfundon në pranga pasi përndoqi moderatoren sportive Albana Bejko

Një ngjarje shqetësuese ka tronditur opinionin publik në Tiranë. Behar Kamberi, një psikiatër 42-vjeçar nga Kosova, është arrestuar nga policia shqiptare, pasi akuzohet se ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme moderatoren sportive, Albana Bejko.

Sipas të dhënave të bëra publike nga specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin Nr. 2, Kamberi dyshohet se kishte kthyer në makth jetën e 28-vjeçares, duke u shfaqur herë pas here pranë banesës së saj dhe duke e vendosur nën presion të vazhdueshëm psikologjik. Kjo sjellje e përsëritur e çoi moderatoren drejt një vendimi të fortë: të bashkëpunonte me policinë për ta ndaluar.

Me një plan të menduar në detaje, moderatorja pranoi të takohej me mjekun në një zonë të Tiranës, duke e përdorur këtë si mundësi për të kurdisur momentin e arrestimit. Sapo Kamberi u shfaq në vendin e takimit, efektivët e Komisariatit Nr. 2 ndërhynë menjëherë, duke i vënë prangat në duar.

Aktualisht, psikiatri ndodhet në qelinë e burgut “Mine Peza”, ndërsa mbi të rëndon akuza për veprën penale të përndjekjes, një krim që parashikon pasoja të rënda ligjore. Hetuesit po thellojnë hetimet për të kuptuar nëse ky ishte një veprim i izoluar apo pjesë e një sjelljeje të përsëritur problematike.

Ky episod rikthen në vëmendje debatin për përndjekjen si fenomen shqetësues dhe nevojën për mbrojtje më të fortë ligjore ndaj grave dhe vajzave që përballen me raste të tilla.

Deri në përfundim të hetimeve, Kamberi do të mbetet nën masë sigurie, ndërsa pritet që gjykata të vendosë për fatin e tij në ditët në vijim.

The post Psikiatri nga Kosova përfundon në pranga pasi përndoqi moderatoren sportive Albana Bejko appeared first on iconstyle.al.

  •  

Trafikonte foshnje dhe shfrytëzonte barbarisht gra shtatzëna; arrestohet e tmerrshmja “La Diabla”

Nëse dikush mendonte se bota i kishte parë të gjitha, arrestimi i fundit në Ciudad Juárez është prova më e qartë se makthi njerëzor mund të marrë forma edhe më të errëta. Një grua me nofkën “La Diabla”, e njohur me emrin e vërtetë Martha Alicia Méndez Aguilar, është arrestuar nga autoritetet meksikane, në një operacion të ndihmuar nga inteligjenca amerikane. Ajo akuzohet se drejtonte një rrjet të organizuar që merrej me trafik foshnjash dhe shfrytëzonte gra shtatzëna në mënyrën më çnjerëzore të mundshme.

Sipas deklaratave zyrtare të publikuara nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së (NCTC), ky grup kriminal përdorte metoda të frikshme: La Diabla dhe bashkëpunëtorët e saj mashtronin gra shtatzëna, i çonin në zona të izoluara, ku më pas i nënshtroheshin operacioneve të paligjshme, kryesisht prerje cezariane. Në disa raste, autoritetet thonë se u janë marrë organet nënave, duke i shtuar një dimension të ri, makabër, këtij rrjeti trafikimi.

Foshnjat e sapolindura përfundonin në tregun e paligjshëm të adoptimeve në Shtetet e Bashkuara, për çifte të gatshme të paguanin deri në 250 mijë peso për një fëmijë. Rrjeti, sipas informacioneve paraprake, kishte lidhje të forta me kartelin famëkeq CJNG (Cartel Jalisco Nueva Generación), çka e përforcon frikën se kemi të bëjmë me një strukturë shumë më të madhe dhe më të rrezikshme se një operacion i izoluar kriminal.

Mediat amerikane dhe ato meksikane raportojnë se hetimet janë në vijim, ndërsa zyra e prokurorit të shtetit të Chihuahua ka konfirmuar ekzistencën e disa rasteve të dokumentuara, të cilat tashmë janë nën shqyrtim penal. La Diabla ndodhet në paraburgim dhe është proceduar zyrtarisht për feminicid të rënduar dhe tentativë vrasjeje. Janë të paktën pesë rastet e njohura deri tani, por hetuesit nuk përjashtojnë që numri real të jetë shumë më i madh.

Një treg i errët, që lulëzon në hijet e dhimbjes dhe shfrytëzon pikërisht ata që janë më të pambrojtur: gratë e varfra dhe fëmijët e palindur.

Autoritetet amerikane dhe meksikane po vazhdojnë hetimet. Por për gratë që nuk mund të flasin më dhe për fëmijët që nuk do të dinë kurrë kush janë prindërit e tyre të vërtetë, drejtësia do të vijë shumë vonë, nëse do të vijë ndonjëherë.

The post Trafikonte foshnje dhe shfrytëzonte barbarisht gra shtatzëna; arrestohet e tmerrshmja “La Diabla” appeared first on iconstyle.al.

  •  

Fëmija i përdhunimit u prezantua si vëlla/ Sekreti ‘i turpshëm’ i kinemasë italiane që Claudia Cardinale e mbajti të fshehur për 9 vite

Në historinë e kinemasë europiane ka yje që shkëlqejnë në ekran dhe pastaj zhduken sapo fiket projektori. Claudia Cardinale nuk ishte e tillë. Ajo me zë të ngrohtë e sy shprehës, jo vetëm u bë ikonë e filmave të viteve gjashtëdhjetë, por mbajti për vite një të vërtetë të rëndë familjare, që sot e lexojmë si fenomen shoqëror: një shtatzëni nga përdhunimi, një djalë i lindur në fshehtësi, një sistem kinemaje e morali publik që e detyroi ta prezantonte si vëlla. Si shumë gra të kohës, ajo zgjodhi të mbijetonte brenda rregullave mizore të famës, por jo të heshtte përgjithmonë.

Sekreti që e përndoqi

Cardinale u lind në Tunis më 1938 në një familje me prejardhje siciliane. Pasi fitoi konkursin “Vajza më e bukur italiane në Tunizi”, u pikas nga producenti italian Franco Cristaldi dhe nënshkroi kontratat e para që do ta dërgonin në Romë.

Por përpara se të niste ngjitja, jeta e saj u thye: sipas rrëfimit të vetë aktores, ajo u dhunua nga një burrë më i madh në Tunizi. Shtatzëninë e fshehën dhe me organizimin e Cristaldit, Cardinale udhëtoi në Londër ku solli në jetë djalin, Patrick, në vitin 1958. Për të mbrojtur karrierën, djalin e paraqitën për vite me radhë si “vëlla i vogël”, ndërsa u rrit nga prindërit e aktores, të cilët u zhvendosën në Romë. Kjo ishte një marrëveshje e heshtur mes industrisë dhe familjes, tipike për Italinë e kohës, kur një lindje jashtë martese i kushtonte fundin një aktoreje të re.

Në 1967 sekreti u zbulua. Mediat italiane nisën të shkruanin për “vëllanë” që në të vërtetë ishte djali i saj dhe Cardinale pranoi publikisht të vërtetën në intervista të bujshme të atyre viteve. Një foto e njohur e agjencive tregon yllin në vilën pranë Romës me Patrick-un tetëvjeçar, moment kur ajo shprehet se duhet t’i shpjegojë djalit kush ishte në të vërtetë. Kjo pamje u bë simbol i një rrëfimi që po dilte në dritë.

Roli i Cristaldit ishte vendimtar: ai këshilloi fshehjen, organizoi lindjen në Londër dhe për vite, menaxhoi rreptë imazhin e saj. Biografitë dhe burime të shumta europiane shtojnë se më pas ai birësoi zyrtarisht Patrick-un, duke i dhënë mbiemrin e vet, çka e mbylli ligjërisht rrethin familjar të “sekretit”.

Nga trauma te triumfi: jeta, dashuritë, suksesi

Edhe pse zëri i saj në filmat e parë u dublua, sepse fliste frëngjisht e dialekt sicilian, karriera shpërtheu në 1963 me dy tituj që e bënë të pavdekshme: “” i Fellinit dhe “Il Gattopardo” i Viscontit, ku partnerët ishin Marcello Mastroianni, Burt Lancaster dhe Alain Delon. Pak vite më vonë erdhi “Once Upon a Time in the West” e Sergio Leone-s, ku Cardinale mbajti mbi supe një nga rolet femërore më të fuqishme të kinemasë italiane dhe botërore.

Marrëdhënia me Cristaldin, njëkohësisht producent dhe bashkëjetues, ishte kontrolluese dhe e vështirë. Pas ndarjes në mesin e viteve ’70, ai ndikoi që industria ta linte mënjanë, por Claudia u rimëkëmb me teatër dhe filma europianë, falë edhe mbështetjes së regjisorëve si Franco Zeffirelli. Ky itinerar, sa profesional aq edhe personal, tregon sa e brishtë dhe e ashpër ishte jeta e një dive në një sistem që i kërkonte të ishte e përsosur dhe e heshtur.

Në planin privat, Cardinale krijoi një lidhje të qëndrueshme me regjisorin Pasquale Squitieri. Prej kësaj dashurie lindi vajza e saj, Claudia, në vitin 1979. Edhe ky kapitull e gjeti aktoren më të lirë dhe më vendimtare për fatin e vet, larg hijes së vjetër të Cristaldit.

Më vonë, ylli e përdori famën për kauza. Në vitin 2000 ajo u bë Ambasadore e Vullnetit të Mirë e UNESCO-s për të drejtat e grave, një kthesë domethënëse për dikë që kishte mbartur në heshtje pasojat e dhunës dhe stigmës. Ky rol i dha Cardinales një dimension publik më të gjerë se kinemaja, me një zë të artikuluar për dinjitetin dhe lirinë e grave.

Claudia Cardinale u nda nga jeta në 23 shtator 2025, në Nemours të Francës, e rrethuar nga fëmijët. Lajmi u shoqërua me homazhe të shumta, por mbi të gjitha me një rikthim te rrëfimi që ajo pati kurajo të bëjë publik: se suksesi nuk e shlyen dhunën, por mund ta shndërrojë dëshminë në forcë.

Rasti i Cardinales është pasqyrë e një epoke ku industria e argëtimit, shtypi dhe morali publik i kërkonin një gruaje të sakrifikonte identitetin e saj si nënë për t’u pranuar si yll. Fshehja e fëmijës, rritja e tij nga gjyshërit, adoptimi i mëvonshëm, rrëfimi publik vetëm kur sistemi nuk mund të mbante më peshën e sekretit. Të gjitha këto elemente përbëjnë një fenomen shoqëror që sot e lexojmë me një fjalë të vetme: stigma. Dhe fakti që Cardinale e ktheu atë plagë në gumëzhimë të fuqishme arti e aktivizmi, është arsyeja pse e quajmë ikonë deri më sot.

The post Fëmija i përdhunimit u prezantua si vëlla/ Sekreti ‘i turpshëm’ i kinemasë italiane që Claudia Cardinale e mbajti të fshehur për 9 vite appeared first on iconstyle.al.

  •  

Trump dhe “vaksina kundër autizmit”: Çfarë dimë vërtet për këtë çrregullim?

Një deklaratë e fundit e Donald Trump-it bëri bujë në rrjet: gjatë një eventi për autizmin, ish-presidenti amerikan u shpreh se “SHBA po zbulon trajtime që mund të shërojnë autizmin”, madje la të kuptohej se “Tylenol-i (paracetamoli) i përdorur gjatë shtatzënisë mund të jetë një nga arsyet pse fëmijët zhvillojnë autizëm”. Ai përmendi edhe mundësinë e një “vaksine që trajton autizmin”, duke shtuar se “duhet të luftoni me çdo kusht që të mos merrni më Tylenol”.

Deklarata e tij ndezi rrjetin dhe opinionin publik. Një pjesë e njerëzve e panë si shpresë, të tjerë si një rrezik të madh për përhapjen e dezinformimit. Por çfarë është në të vërtetë autizmi, çfarë e shkakton dhe a ka apo jo një kurë? Për t’u orientuar mes deklaratave politike dhe të dhënave shkencore, ia vlen të ndalemi më thellë.

Autizmi nuk është një sëmundje, është një mënyrë e ndryshme zhvillimi

Autizmi ose, me termin e plotë, Çrregullimi i Spektrit të Autizmit (TSA), nuk është një sëmundje ngjitëse apo një “defekt” që shfaqet papritur. Është një çrregullim neurozhvillimor që ndikon mënyrën se si një person komunikon, ndërvepron dhe percepton botën përreth. Mund të jetë i lehtë, i moderuar ose më i thellë, por në të gjitha rastet nuk bëhet fjalë për “një problem që kërkon kurë”, por për një mënyrë tjetër të qenies.

Fëmijët me autizëm mund të kenë ndjeshmëri të lartë ndaj zhurmave, dritës, prekjeve; disa flasin me vonesë, disa përdorin më shumë gjuhë jo-verbale; të tjerë zhvillojnë aftësi të jashtëzakonshme në fusha të caktuara. Është një spekter, jo një “etiketë”.

Sa persona preken dhe pse ndodh?

Sipas të dhënave zyrtare të CDC-së në SHBA, rreth 1 në 31 fëmijë 8-vjeçarë diagnostikohen me autizëm; djemtë tre herë më shumë se vajzat. Në nivel global, Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton një prevalencë mesatare rreth 1 në 127 persona, por shifrat ndryshojnë sipas vendit dhe mënyrës së diagnostikimit.

Shkencërisht, nuk ka një shkak të vetëm për autizmin. Roli më i madh i atribuohet gjenetikës, pra trashëgueshmërisë. Mutacione të ndryshme gjenetike, ndonjëherë të trashëguara, ndonjëherë të reja (de novo), kanë rezultuar të lidhura me zhvillimin e TSA. Përveç kësaj, disa faktorë mjedisorë të hershëm, si mosha e madhe e prindërve, komplikacionet gjatë shtatzënisë, lindja parakohe, ekspozimi ndaj disa medikamenteve si valproati gjatë shtatzënisë, mund të rrisin rrezikun. Por ato nuk janë shkaqe të drejtëpërdrejta.

Dhe jo, vaksinat nuk shkaktojnë autizëm. Ky mit është rrëzuar me dhjetëra studime, rishikime shkencore dhe deklarata të organizatave ndërkombëtare shëndetësore. Vetë ideja që një “vaksinë” mund ta shërojë autizmin bie ndesh me këtë fakt: autizmi nuk është sëmundje infektive për të cilën bëhet vaksinë.

Po a shërohet autizmi?

TSA është një mënyrë ndryshe e funksionimit të trurit dhe shfaqet zakonisht gjatë fëmijërisë, duke vazhduar për gjithë jetën.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk ka shpresë. Ndërhyrjet e hershme, terapitë e komunikimit, edukimi i strukturuar dhe përkrahja sociale mund të bëjnë diferencën mes izolimit dhe përfshirjes. Në shumë raste, fëmijët me autizëm, sidomos kur kanë ndihmë që në vitet e para, arrijnë të zhvillojnë aftësi të fuqishme funksionale, akademike dhe sociale.

Në disa studime, është vënë re se një përqindje e vogël e fëmijëve që më parë janë diagnostikuar me autizëm (rreth 3% deri në 25%, sipas rasteve) nuk plotësojnë më kriteret diagnostike pas viteve terapi, por kjo nuk do të thotë se janë “shëruar”, por se janë zhvilluar ndryshe dhe kanë mësuar të përshtaten. Megjithatë, shkenca po ecën me ritme të frikshme në kuptimin pozitiv të fjalës, ndaj çdo studim i ri është një hap drejt “shërimit” të këtij çrregullimi.

Çfarë ka të re në trajtime?

Së fundmi, ka interes të madh për përdorimin e disa substancave si leucovorin (një formë aktive e acidit folik) për fëmijë që kanë mungesë të folatit cerebral, një nën-grup shumë specifik brenda spektit. Po ashtu, po testohen terapi gjenike për raste shumë të rralla të autizmit me shkak të qartë gjenetik. Por këto nuk janë kura universale për TSA dhe kërkojnë analiza të thella biologjike.

FDA ka miratuar përdorimin e barnave si risperidona dhe aripiprazola për të ndihmuar me simptomat si irritabiliteti i lartë apo sjelljet agresive te fëmijët me TSA, por jo për të trajtuar autizmin në vetvete.

Kërkimi shkencor po ecën përpara dhe po zbulohen trajtime më të personalizuara. Po, çdo ditë mësojmë më shumë për trurin, gjenet dhe zhvillimin njerëzor.

Por ajo që ka më shumë rëndësi sot për sot është që fëmijët dhe të rriturit me autizëm të mos përjashtohen, të mos paragjykohen dhe të mos etiketohen si “të sëmurë”, por të pranohen dhe të mbështeten në mënyrën e tyre të të kuptuarit të botës.

/Iconstyle

The post Trump dhe “vaksina kundër autizmit”: Çfarë dimë vërtet për këtë çrregullim? appeared first on iconstyle.al.

  •  

Vetëm 4 javë Pilates mund të bëjnë mrekulli për shpinën tënde

Studimet më të fundit tregojnë se vetëm 4 javë praktikë me Pilates mund të reduktojnë ndjeshëm dhimbjen kronike të shpinës, me disa kërkime që raportojnë një ulje deri në 58%.

Sekreti qëndron te muskujt e thellë të trungut: Pilates i forcon ata në tërësi, duke përfshirë diafragmën, muskujt abdominalë dhe dyshemenë e legenit. Një trung i fortë është mburoja më e mirë për shtyllën kurrizore, sepse ul presionin mbi nyjet dhe disqet vertebrale.

Por prit, përfitimet nuk ndalen këtu. Pilates ndihmon të korrigjoni qëndrimin trupor, duke aktivizuar muskujt që mbështesin shpinën dhe duke balancuar efektet e orëve të gjata ulur. Lëvizjet e kontrolluara shtojnë fleksibilitetin, përmirësojnë lëvizjen dhe japin ndjesi më të lehtë në trup.

Frymëmarrja e ndërgjegjshme dhe ritmi i qetë i ushtrimeve ulin stresin e përditshëm, pakësojnë ankthin dhe rrisin ndjeshëm besimin në menaxhimin e dhimbjes. Për më tepër, Pilates sjell harmoni mes pjesës së sipërme dhe të poshtme të trupit, duke rritur ndërgjegjësimin trupor dhe duke mbrojtur shpinën nga ngarkesat e tepërta.

Në vetëm një muaj, mund të zbulosh një trup më të fortë, një shpinë më të shëndetshme dhe një ekuilibër të ri mes trupit dhe mendjes!

Si mendon pasi lexove këtë? Do t’i jepje një shans pilates?

The post Vetëm 4 javë Pilates mund të bëjnë mrekulli për shpinën tënde appeared first on iconstyle.al.

  •  

Kur tryeza ngroh shpirtin: Refleksione të vjeshtës me elegancën e Villeroy & Boch

Ka një moment të butë kur vera shkon e vjeshta troket në dritare. Ajri mbushet me aromë gjethesh të njomura, mëngjeset bëhen më të heshtura dhe ngjyrat e ngrohta fillojnë të ftojnë në përqafimin e tyre. Është stina kur shtëpia nis të bëhet një strehë, një ritual, një prehje.

Në këtë atmosferë, çdo vakt është një mundësi për të ngadalësuar ritmin. Një filxhan çaji me mjaltë dhe kanellë, një supë e ngrohtë në një enë të bukur qeramike, një darkë intime me të dashurit. Nuk ka më ngut. Tryeza bëhet epiqendra e ditës. Dhe kur kjo tryezë vishet me finesë, si me krijimet elegante të Villeroy & Boch, çdo gjë përreth merr një tjetër kuptim.

Nuk bëhet fjalë për lukse të mëdha. Është thjesht ndjesia kur mbush një tas të bardhë, të pastër, me mollë të pjekura e kanellë, dhe të duket sikur po e përkëdhel vjeshtën vetë. Ose kur shërben verë të kuqe në një gotë që nuk flet fort, por ndriçon butë si drita e pasdites që futet nga dritarja. Janë këto momente që të kujtojnë se bukuria e jetës fshihet në detaje. Kur ato detaje janë të përpunuara me kujdes, me mjeshtëri dhe me dashuri për estetikën, atëherë gjithçka bëhet më e lehtë për t’u ndarë, për t’u jetuar, për t’u kujtuar.

Vjeshta është stina që të fton të rikrijosh shtëpinë tënde, jo me mobilje të reja, por me ndjesi të reja. Me ngrohtësinë që vjen nga një enë e bërë për të qëndruar gjatë. Me gotat që mbajnë kujtime, jo thjesht pije. Me tryeza që nuk janë për të impresionuar, por për të bashkuar.

Nëse ke nevojë për një arsye për të ndalur dhe për të rregulluar pak tryezën e shpirtit tënd, mjafton një copë vjeshtë dhe një prekje e elegancës klasike që nuk del kurrë nga moda. Sepse ndonjëherë, ajo që të mungon më shumë nuk është as koha, as pushimi, por një çast i vogël që ndriçon ditën dhe që fillon ndoshta nga një pjatë e bardhë mbi një tavolinë të ngrohtë.

Zgjidh tani Villeroy&Boch, fizikisht në Qendrën Metropol, Rruga Sami Frashëri, Tiranë, ose online në www.bybest.shop

The post Kur tryeza ngroh shpirtin: Refleksione të vjeshtës me elegancën e Villeroy & Boch appeared first on iconstyle.al.

  •  

Beteja me leuçeminë/ Përmirësohet gjendja e 7-vjeçarit Isli Dhimaku që humbi dy motrat në aksident, mesazhi prekës i prindërve: “Nuk e fal shpirti”

Isli Dhimaku, vetëm 7 vjeç, po përballet me sëmundjen e rëndë të leuçemisë. Ai nuk është i vetëdijshëm se dy motrat e tij, Elvisa dhe Rozina, me të cilat kishte lidhje të fortë shpirtërore, nuk jetojnë më. Vajzat humbën jetën muajin e kaluar në një aksident tragjik rrugor, duke lënë pas një boshllëk të madh në familje.

Aktualisht, Isli ndodhet për trajtim në spitalin “Bambino Gesu” në Romë, me mbështetjen e Fondacionit Firdes. Nga dhoma e spitalit, ai përshëndeti ndjekësit e emisionit “Për shqiptarët”, ndërsa nëna e tij përcolli një mesazh falënderues.

“Deri tani, kurimi ka ecur mirë. Faleminderit shumë shqiptarëve”, u shpreh ajo, duke vlerësuar ndihmën dhe solidaritetin e bashkëkombësve.

Ndërkohë, babai i tij, Riza Dhimaku, i shkatërruar nga humbja e dy vajzave, dha një apel të fortë.

“Të gjithë jemi me makina, të gjithë jemi shoferë. Pas atij aksidenti kanë ndodhur të tjera në zonën tonë. Ju lutem, ikni me mend në kokë, nuk ju ka borxh askush. Çdo gjë vjen nga shpejtësia dhe alkooli. Nuk ka gjë që mund ta falë, e gjykon Zoti. Unë mund ta fal, por nuk fal zemra, nuk fal shpirti… Sot më ndodhi mua, nesër mund t’i ndodhë një tjetri. Mos dëgjofshim më, mos ndodhshim më ngjarje të tilla”, tha ai me lot në sy.

Historia e familjes Dhimaku është kthyer në një thirrje të fortë për kujdes dhe përgjegjësi në drejtimin e automjeteve, duke treguar se pas çdo pakujdesie mund të fshihet një tragjedi e pariparueshme.

The post Beteja me leuçeminë/ Përmirësohet gjendja e 7-vjeçarit Isli Dhimaku që humbi dy motrat në aksident, mesazhi prekës i prindërve: “Nuk e fal shpirti” appeared first on iconstyle.al.

  •  

Nuk të duket vetëm ty: Parfumi yt s’mban gjithmonë të njëjtën aromë gjatë muajit, ja pse!

A të ka ndodhur ndonjëherë që parfumi yt i preferuar të duket i mrekullueshëm një ditë dhe krejtësisht ndryshe një ditë tjetër? Nuk është imagjinatë. Shkenca tregon se ndryshimet hormonale gjatë ciklit menstrual ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si parfumi reagon me lëkurën tonë.

Kimia e trupit ndryshon në çdo fazë të ciklit dhe bashkë me të, ndryshon edhe mënyra si ndihen aromat. Kur nivelet e estrogjenit rriten gjatë ovulacionit, ndjeshmëria jonë ndaj aromave forcohet dhe disa nota të parfumeve bëhen më të ëmbla, më të gjalla dhe më të këndshme.

Është koha kur një parfum lulesh apo frutash mund të duket më i fortë dhe të të bëjë të ndihesh e magjepsur. Por sapo afrohen ditët para menstruacioneve, progesteroni merr fjalën. Ky hormon ka prirjen t’i zbusë ose t’i zbehë notat e parfumit, duke i bërë aromat të duken më të rënda, më pak tërheqëse ose të zhduken shpejt.

Sekreti qëndron tek pH i lëkurës dhe vajrat natyralë, të cilët ndryshojnë gjatë muajit. Nëse lëkura bëhet më acidike, disa aroma kthehen më të mprehta, madje edhe pak të hidhura. Është po ai parfum që ke përdorur gjithmonë, por trupi yt e kthen në një eksperiencë krejt tjetër.

Prandaj ekspertët e parfumeve këshillojnë që para se të zgjedhësh një “signature scent”, të testosh disa herë gjatë muajit. Aroma që duket perfekte në javën e dytë të ciklit mund të jetë krejt tjetër në javën e katërt. Ndaj nëse ke ndjerë ndonjëherë që parfumi yt nuk është gjithmonë i njëjtë, është thjesht një dëshmi se trupi yt është gjallë dhe reagon në mënyra magjike.

Ky fenomen është kaq interesant sa edhe studimet shkencore e kanë konfirmuar. Revista Chemical Senses dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit në SHBA kanë treguar se nuhatja, ndjeshmëria dhe përjetimi i aromave ndikohet fuqishëm nga hormonet. Dhe kjo e bën lidhjen tonë me parfumet edhe një reflektim të trupit dhe gjendjes sonë të brendshme.

The post Nuk të duket vetëm ty: Parfumi yt s’mban gjithmonë të njëjtën aromë gjatë muajit, ja pse! appeared first on iconstyle.al.

  •  
❌