Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Rama sfidoi RSF me një raport AI nga njerëz pranë “investitorëve strategjikë”

Rënia e Shqipërisë me tre vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias të Reporterëve pa Kufij duket se ka zemëruar Kryeministrin Rama.

Në një përpjekje për të sulmuar besueshmërinë e Indeksit, Rama zgjodhi të mbështetej tek një raport i prodhuar me Inteligjencë Artificiale nga një start-up shqiptar, pronari i të cilit rezulton i lidhur me projekte strategjike në sektorin e turizmit dhe ndërtime në jug të vendit.

Shqipëria u rendit e 83-ta nga 180 vende në raportin e vitit 2026 të RSF-së, duke zbritur me tre vende nga një vit më parë. Organizata argumenton se liria e medias dhe pavarësia editoriale në vend mbeten të kërcënuara nga ndërthurja e interesave politike dhe ekonomike, mungesa e transparencës, presioni ndaj gazetarëve dhe vetëcensura në redaksi. Në raport thuhet gjithashtu se gazetarët përballen me intimidim nga politika dhe krimi i organizuar.

Reagimi i Ramës erdhi në profilin e tij në rrjetin social X, platformë që e përdor shpesh për të komunikuar në gjuhën angleze. Fillimisht ai solli në vëmendje një raport të programit SIGMA-OECD për Agjencinë për Media dhe Informim (MIA), institucion qeveritar përgjegjës për komunikimin publik të qeverisë.

“Por ja që e vërteta qenkësh ndryshe, shumë ndryshe, sepse kjo Agjencia për Media dhe Informim e qeverisë, e pagëzuar në lindjen e saj me bombat e me baltën e pushtetit të katërt, luaka një rol krejt tjetër”, shkroi Rama në X, duke argumentuar se komunikimi i qeverisë shqiptare ishte vlerësuar pozitivisht nga institucione ndërkombëtare.

RSF iu kundërpërgjigj se “ne masim lirinë e medias, jo komunikimin e qeverisë”, duke i qëndruar gjetjeve se situata e medias në Shqipëri reflekton sulme politike, transparencë të ulët dhe kërcënime ndaj gazetarëve.

“Nuk thashë kurrë që ju e matni komunikimin qeveritar, por tani që e përmendni, thjesht po mendoj: a nuk është ndoshta një ide e mirë që të lexoni raportet e atyre që e bëjnë vërtet?” reagoi sërish Rama, pa reflektuar në asnjë moment mbi problematikat e ngritura në raportin e RSF-së.

Në vazhdën e këtij komunikimi publik me RSF-në, kryeministri solli një tjetër “provë” për të mbështetur argumentin e tij: një raport të realizuar nga platforma shqiptare “Buletin Intelligence”.

Sipas gjetjeve të raportit, të bazuar në analizën e 4500 artikujve të publikuar në 43 media gjatë 66 ditëve monitorim, zëri i opozitës rezultonte 3.57 herë më i lartë se ai i qeverisë, ndërsa burimet kritike ndaj qeverisë 4.67 herë më dominuese se ato pro-qeveritare.

“Akuzat më të ashpra kundër qeverisë dhe meje qarkullojnë lirshëm në rreth 70 tituj kryesorë”, argumentoi Rama, duke shtuar se në një “mjedis vërtet mediatik të kapur”, një gjë e tillë nuk do të ekzistonte.

Megjithatë, një analizë sasiore e përmbajtjeve mediatike nuk reflekton domosdoshmërisht pluralizmin apo lirinë editoriale. Një numër i lartë kritikash ndaj qeverisë nuk përjashton ekzistencën e presionit politik, varësinë ekonomike të mediave apo vetëcensurën në redaksi, pikërisht elementët që ngre si shqetësim raporti i RSF-së.

Por përtej përmbajtjes së raportit, pyetje ngre edhe vetë burimi që Kryeministri përdor si referencë. Platforma “Buletin”, e krijuar në vitin 2020, ka publikuar vetëm një raport të tillë monitorimi, pikërisht atë të përdorur nga Rama në debat me RSF-në.

Shoqëria “Buletin shpk” zotërohet 80% nga Mandi Shënediela dhe 20% nga Ardit Dine.

Përveç platformës mediatike, Shënediela rezulton i përfshirë edhe në sektorin e turizmit dhe ndërtimit. Ai zotëron kompaninë “Bhospitality”, e cila operon në menaxhimin e “Kep Merli Resort and Villas”, një prej projekteve elitare turistike në jug të Shqipërisë që ka marrë nga qeveria statusin “Investitor Strategjik”.

Po ashtu, ai figuron si konsulent në kompaninë “Boiken Developments”, me emrin tregtar “Kep Merli”, kompani në pronësi të Agim Shënedielës dhe me aktivitet në fushën e ndërtimit.

Kështu, burimi që Kryeministri zgjodhi të përdorë për të treguar se qeveria nuk e ka kapur median, konfirmon një nga gjetjet kryesore të Reporterëve pa Kufij, se media është e lidhur me interesa ekonomike në sektorë që varen drejtpërdrejt nga vendimmarrja dhe politikat qeveritare.

Lexo gjithashtu

The post Rama sfidoi RSF me një raport AI nga njerëz pranë “investitorëve strategjikë” appeared first on Citizens.al.

“Jo më GoFund për jetën!”

Një grup qytetarësh po mbledhin firma për hartimin e një ligji të ri. Ata kërkojnë që shteti shqitar t’u japë fëmijëve mundësinë të trajtohen jashtë vendit në rast sëmundjeje.

Janë të shumta rastet që hasim në rrjetet tona sociale ku familjarët, nga pamundësia ekonomike, ndërmarrin fushata për të mbledhur të ardhura me qëllim kurimin e fëmijëve jashtë vendit, në rastet kur nuk ju jepet asnjë shpresë në sistemin shëndetësor shqiptar.

Sot fati i tyre varet nga zemërgjerësia e qytetarëve, të cilët rreken të dhurojnë sa munden.

Shkak për këtë nismë u bë rasti i një fëmije nga Korça, i cili arriti të kurohej jashtë shtetit falë një fushate mbledhjesh fondesh.

“Lindi ideja pikërisht nga një grup qytetarësh korçarë për propozimin e një projektligji në parlament, pikërisht me qëllimin e kurimit të këtyre fëmijëve jashtë shtetit, por me fonde të shtetit, pra me financim shtetëror”, u shpreh Evis Miço, avokate në profesion dhe pjesë e Nismës për Fëmijët.

Sipas Miços, grupi i juristëve që punoi mbi projektligjin analizoi legjislacionin aktual shqiptar dhe praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian për të ndërtuar një mekanizëm të shpejtë dhe më funksional.

“Ka një ligj ekzistues që është ai i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor, i cili trajton si të gjithë shtetasit e tjerë edhe fëmijët, por ky projektligj i trajton fëmijët si një target grup i posaçëm”, u shpreh Evis Miço.

Sipas saj, projektligji i propozuar do të ofrojë procedura më të shpejta, afate më të shkurtuara ku institucioni shëndetësor aktivizon menjëherë procedurën e trajtimit të sëmundjen jashtë vendit.

“Ky nuk mund të jetë standardi ynë”

Për Ardit Konomin, inxhinier në profesion dhe pjesë e Nismës për Fëmijët, Shqipëria ka vonuar prej kohësh krijimin e një mekanizmi të tillë.

“Ka pasur shumë raste Shqipëria, fëmijësh, familjesh, prindërish, gjyshërish që kanë kaluar peripeci të rënda, në tentativë për të siguruar alternativë mjekësore për këta fëmijë. Ky projektligj zgjidh ekzaktësisht këtë lloj krize, këtë lloj situate shumë të vështirë që krijohet”, u shpreh Konomi.

Sipas Konomit solidariteti ka ekzistuar gjithmonë, por nuk mund të mbetet zgjidhja e vetme.

“Të kërkuarit financim të fondacionet bamirëse, te njerëzit ka funksionuar deri diku sepse krijon ndjeshmëri shumë të lartë, janë njerëz të ndjeshëm, të dashur e pozitivë. Por në fund të fundit ky nuk mund të jetë standardi ynë”, u shpreh Ardit Konomi për Citizens.al.

Përballimi i kostove financiare nga shteti shqiptar, nënkupton llogaritje e këtij shpenzimi në buxhetin e shtetit. Mirëpo, sipas Konomit, ndërhyrja në buxhetin e shtetit është e papërfillshme.

“Nuk janë efekte financiare të rënda për buxhetin, bëhet fjalë për zero pikë-gjëra të vogla, shumë të vogla për buxhetin e shtetit”, u shpreh Konomi.

Ai argumenton se në një plan afatgjatë mund të sjellë edhe ulje të kostove sociale dhe shëndetësore.

“Duke llogaritur kostot që ka shteti me çdo lloj trajtimi që ofron në kushtet e sotme, duke llogaritur kushtet e paaftësisë e cila shtrihet gjatë gjithë jetës dhe çdo element tjetër të lidhur, qoftë në aspektin social, shëndetësor, normalisht që kostot do të zërohen”, argumenton Konomi.

Nga burokracia te roli proaktiv i shtetit

Organizata “Qëndresa Qytetare” i është bashkuar nismës, duke kontribuuar për mbledhjen e firmave në qytetin e Tiranës.

Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare, thotë se problemi nuk qëndron te mungesa e fondeve, por edhe të mënyra se si janë menaxhuar ato deri më sot. Ndërsa shton se dhe në rastet kur ka ekzistuar një kuadër ligjor, ka qenë i pa aksesueshmë për qytetarët e thjeshtë.

“Ne kemi parë që përgjatë gjithë këtyre dekadave ja kanë dalë ta përfitojnë si shërbim ata të cilët kanë qenë zyrtarë të lartë, që burokracia është thyer, por është bërë e pamundur për qytetarin e thjeshtë për ta aksesuar këtë kuadër”, u shpreh Qiraxhi për Citizens.al.

Sipas Qiraxhit, kur bëhet fjalë për qytetarët për ti ardhur në ndihmë fëmijëve me vështirësi shëndetësore, solidariteti i tyre është i jashtëzakonshëm. Por jo të gjithë, mund të ndërtojnë një fushatë mbledhjesh fondesh.

“Çfarë ndodh me ato familje dhe me ata fëmijë të cilët nuk e kuptojnë se çdo të thotë një fushatë ndërgjegjësuese, nuk e kuptojnë se çdo të thotë të bësh një “GoFundMe”. Nuk arrijnë dot të penetrojnë në ato që janë fondacione të cilat bëjnë një punë të jashtëzakonshme, por e kanë të limituar mundësinë e tyre për të ndihmuar”, tha Migen Qiraxhi.

Ndaj, sipas tij ky projektligj e bën institucionin shtetëror proaktiv pa pasur nevojën e ndërgjegjësimit.

“Shteti jep zgjidhje të menjëhershme. Nuk e diagnostikon dot, e çon në një institucion më të avancuar. Ka një diagnozë që nuk e kuron dot, menjëherë është ai vetë që merr mekanizmin dhe vihet në lëvizje për ta kuruar jashtë vendit”, sjell në vëmendje Qiraxhi se si do të funksionojë shteti në rast të miratimit të projektligjit.

20 mijë firmat që priten të mblidhen duhet të dërgohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) brenda qershorit.

KQZ-ja bën verifikimet e duhura dhe më pas shkon në parlament ku ndiqet në tre komisione, atë të ligjit, të financave dhe shëndetësisë. Në rastin më të mirë, për të kaluar më pas në votim në kuvend.

The post “Jo më GoFund për jetën!” appeared first on Citizens.al.

Fshirja e artikujve me urdhër gjykate; Organizatat: Rrezik për lirinë e medias

Vendimi i Gjykatës së Tiranës për të urdhëruar heqjen e disa artikujve që lidhen me biznesmenin Dionis Teqja ka nxitur reagime dhe shqetësime nga organizatat e medias në vend.

Ato paralajmërojnë për rrezikun e censurës paraprake dhe ndikimin që masa të tilla mund të kenë mbi lirinë e shprehjes.

Më 24 prill 2026, gjykata vendosi një masë “sigurimi padie” në kuadër të një procesi civil për “dëm jopasuror”, të ngritur nga Teqja kundër dhjetë mediave online dhe portaleve.

Sipas të dhënave të bëra publike nga organizatat e medias, padia parashikon një kërkesë për dëmshpërblim prej 500 mijë euro ndaj një prej mediave dhe 20 mijë euro ndaj secilës prej nëntë mediave të tjera, duke e çuar vlerën totale të kërkesës në rreth 680 mijë euro.

Çështja lidhet me raportime mediatike mbi një procedurë civile ku ishte përfshirë biznesmeni, ndërsa disa prej mediave e kanë paraqitur një njoftim procedural civil si “shpallje në kërkim”, term që në përdorimin publik në Shqipëri lidhet zakonisht me çështje penale dhe kërkim policor.

Në vendimin e siguruar nga gjykata, sipas organizatave, argumentohet se mediat kanë përdorur “tituj sensacionalë dhe të pavërtetë”, duke krijuar perceptimin se biznesmeni ishte shpallur në kërkim nga autoritetet e drejtësisë.

Gjykata ka urdhëruar heqjen e menjëhershme të artikujve nga portalet, rrjetet sociale dhe çdo mjedis tjetër digjital, si dhe bllokimin e aksesit publik ndaj tyre deri në përfundimin e shqyrtimit në themel të çështjes.

Shqetësimi për censurën paraprake

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt deklaroi se, megjithëse e drejta për mbrojtjen e reputacionit është legjitime dhe mediat duhet të raportojnë me saktësi e përgjegjësi, çdo kufizim ndaj përmbajtjes mediatike duhet të jetë proporcional dhe i arsyetuar me kujdes.

Rrjeti u shpreh se nuk paragjykon saktësinë e raportimeve të kundërshtuara dhe as themelin e padisë civile.

“Shqetësimi ynë lidhet me precedentin që mund të krijohet kur gjykatat urdhërojnë heqjen dhe bllokimin e përmbajtjes mediatike përpara një vendimi përfundimtar, sidomos kur masa është e gjerë, merret pa dëgjuar mediat e prekura dhe nuk kufizohet qartë në atë që është rreptësisht e nevojshme”, deklaroi Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt.

Rrjeti shprehu shqetësim për faktin se masa është marrë “në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve”, përpara se çështja të shqyrtohet në themel. Sipas tyre, urdhri është i gjerë dhe nuk bën dallim të qartë mes formulimeve fillestare të kundërshtuara, versioneve të korrigjuara apo ripublikimeve të tjera.


“Shqetësimi ynë lidhet me precedentin që mund të krijohet kur gjykatat urdhërojnë heqjen dhe bllokimin e përmbajtjes mediatike përpara një vendimi përfundimtar,” thuhet në reagimin e SafeJournalists, i cili i referohet gjithashtu standardeve të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për kufizimet paraprake ndaj medias.

Sipas rrjetit, masa më pak kufizuese si korrigjimi, sqarimi apo e drejta e përgjigjes duhet të konsiderohen përpara urdhrave për heqje përmbajtjeje.

Në të njëjtën linjë reagoi edhe Këshilli Shqiptar i Medias dhe Aleanca e Mediave Etike, të cilat e konsideruan problematik përdorimin e masave të përkohshme gjyqësore për bllokimin e publikimeve para shqyrtimit në themel.

“Kushtetuta e ndalon censurën paraprake të mjeteve të komunikimit”, thuhet në deklaratën e tyre, ku theksohet se masa të tilla rrezikojnë të përdoren si instrument presioni ndaj medias dhe të nxisin vetë censurën.

Sipas Këshillit Shqiptar të Medias është shqetësuese kur masa të tilla formulohen në mënyrë të gjerë, duke përfshirë portale dhe rrjete sociale pa përcaktuar me saktësi përmbajtjen konkrete, shprehjet konkrete dhe arsyen pse çdo ndërhyrje është e domosdoshme.

“Një urdhër i përgjithshëm për heqje përmbajtjeje krijon pasiguri juridike, nxit vetë censurë dhe u jep palëve të fuqishme një instrument presioni ndaj medias”, shprehet Këshilli Shqiptar i Medias.

Dy organizatat argumentojnë se reputacioni duhet të mbrohet përmes mjeteve proporcionale, si e drejta e përgjigjes, korrigjimi, përgënjeshtrimi apo dëmshpërblimi pas një vendimi përfundimtar gjyqësor.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë reagoi ndaj vendimit, duke kërkuar ruajtjen e ekuilibrit mes mbrojtjes së reputacionit dhe lirisë së medias.

Asociacioni theksoi se masat për heqjen ose bllokimin e publikimeve duhet të trajtohen me kujdes të veçantë për shkak të ndikimit që mund të kenë mbi ushtrimin e profesionit të gazetarit dhe të drejtën e publikut për informim.

“Në çdo rast, shifrat marramendëse që kërkohen si dëmshpërblim ndaj gazetarëve dhe mediave, që arrijnë deri në 500 mijë euro ndaj gazetarit Arsen Rusta, janë tërësisht abuzive dhe formë presioni ndaj tij dhe të tjerëve”, thuhet në reagim.

Organizatat e medias kanë bërë thirrje që raste të tilla të trajtohen në përputhje me standardet evropiane për lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e gazetarisë, ndërsa kanë kërkuar forcimin e mekanizmave të vetërregullimit dhe përdorimin e mjeteve alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes qytetarëve dhe mediave.

Lexo gjithashtu:

The post Fshirja e artikujve me urdhër gjykate; Organizatat: Rrezik për lirinë e medias appeared first on Citizens.al.

“Seksualiteti pa tabu”, rrëfimi i Maximiliano Ulivierit për dinjitetin dhe pavarësinë

Në një nga sallat e Tiranës, ku Fondacioni “Së Bashku” prezantonte platformën e parë online mbi seksualitetin për personat me aftësi të kufizuara, prania e Maximiliano Ulivierit nuk ishte thjesht ajo e një folësi të ftuar.

Ishte prania e një njeriu që prej vitesh ka zgjedhur të flasë aty ku të tjerët kanë heshtur, dhe të prekë një temë që shoqëria shpesh e shmang: dëshirën, intimitetin dhe dinjitetin seksual të personave me aftësi të kufizuara.

Sot 56 vjeç, Maximiliano jeton në Bolonja të Italisë bashkë me gruan dhe vajzën e tij gjashtëvjeçare, Sofian. Të dyja e kanë shoqëruar edhe në Tiranë, ndërsa Sofia e ndërpret me përqafime ndërsa Maksimiliano jep intervistë për televizionet shqiptare.

Ulivieri është përdorues i karriges me rrota dhe aktualisht punon në bashkinë e Bolonjës si menaxher i diversitetit, ndërsa e vazhdon aktivitetin e tij si aktivist në promovimin e shëndetit dhe të drejtave seksuale dhe riprodhuese për personat me aftësi të kufizuara.

Por përtej titujve, historia e tij duket si një rrëfim i gjatë përballjeje me një heshtje që ai e quan më të rëndë se vetë diskriminimi.

“Tridhjetë vitet e para të jetës sime kanë qenë të varrosura në heshtjen ndaj dëshirave të mia dhe kështu kam dashur që askush të mos përjetojë kurrë eksperiencën që kam përjetuar unë”, thotë ai, duke e kthyer përvojën personale në pikënisje të aktivizmit.

Për të, nuk ka një moment të vetëm zgjimi që e shtyu të bëhej i zëshëm mbi historinë e tij personale, por një akumulim vitesh në të cilat mungesa e fjalës u bë barrë. Dhe pikërisht kjo heshtje, sipas tij, është ajo që e ka shtyrë të mos pranojë që të tjerët të kalojnë të njëjtën përvojë.

Në mënyrën si shoqëria i sheh personat me aftësi të kufizuara, Ulivieri gjen ende një plagë të hapur. Ai flet për situata të përditshme ku trajtimi ndryshon nga konteksti në kontekst.

“Në varësi të konteksteve ku ndodhem, vazhdoj ende të trajtohem si një person me një diversitet shumë të madh dhe në ato momente sinqerisht, pavarësisht se jam një person i fortë dhe jam bërë shumë i rritur dhe gjithashtu i pavarur në këtë aspekt, në ato momente ndihem ende pak ndryshe dhe kjo diferencë ende më trishton”, shprehet Maximiliano për Citizens.al.

Edhe pse e ka ndërtuar një forcë të brendshme dhe një pavarësi profesionale e personale, ai pranon se këto momente ende e trishtojnë.

“Ndjehem ende ndryshe kur shikimi i të tjerëve më vendos në një kategori tjetër,” thotë ai.

Jeta e tij personale, si bashkëshort dhe baba, është për të një tjetër dimension i jetës së tij.

Vajza e tij, Sofia nuk është vetëm një pjesë e jetës familjare, por edhe një dritare përmes së cilës ai shpreson të ndryshojë mënyrën se si brezat e rinj e shohin diversitetin.

“Do të doja që ajo të mësonte dhe t’u mësonte të gjithë personave të tjerë që do të njohë, sidomos të gjithë shokëve të saj të shkollës, aty ku në fillim ekziston më lehtësisht mundësia për të zgjeruar mendjen e njerëzve, dhe do të doja që ajo të sillte përvojën e saj te të gjithë personat e tjerë që ndoshta nuk kanë përvojë me persona me aftësi të kufizuara”, shprehet Maximiliano për vajzën e tij.

Por ky rrugëtim nuk ka qenë pa kosto. Në Itali, ai thotë se ka pasur një kohë kur është etiketuar si “miku i djallit”, për shkak të temave që ngrinte publikisht, të cilat nuk i fliste askush.

“Por prej shumë vitesh profesionalizmi im dhe mbi të gjitha të gjithë personat që punojnë me mua kanë një profesionalizëm aq të lartë saqë askush nuk më thotë më asgjë”, rrëfen ai.

Për Maximilianon, seksualiteti nuk është një çështje që prek vetëm personat me aftësi të kufizuar, por ju përket të gjithëve.

“Në Itali, kjo temë e seksualitetit nuk është një çështje shumë natyrale për ta folur. Më pas jetohet në shumë forma, edhe në forma të fshehta, në vende të fshehta, ku jetohen edhe fantazitë edhe drejtimet mbi seksologjinë. Pak e vështirë për tu folur lirshëm”, rrëfen Maximiliano.

Për të, shoqëria nuk është gjithëpërfshirëse sepse të gjithë bëhen njësoj, por sepse lejon që njerëzit të jetojnë ndryshe, pa u detyruar të përshtaten me një model të vetëm.

“Përfshirja e vërtetë është ajo kur ti më lejon të jetoj jetën time edhe në mënyrë ndryshe nga mënyra se si mendon ti. Kjo është përfshirja reale,” thotë ai, duke e zhvendosur debatin nga barazia formale te liria reale.

Megjithatë, beteja nuk është mbyllur. Përkundrazi, ai e sheh si një proces të vazhdueshëm, ku një nga sfidat më të mëdha mbetet autonomia.

“Unë jam gjithmonë i varur nga kushdo, fillimisht nga nëna ime, pastaj nga asistentet e mia, më pas nga gruaja ime. Beteja e vërtetë dhe më e vështirë është ajo e autonomisë së personave, për t’i bërë personat me aftësi të kufizuara sa më të pavarur të jetë e mundur”, rrëfen Maximiliano.

Në Tiranë, të folurit për aftësinë e kufizuar, tanimë nuk është tabu, veçse një nevojë për përditshme. Por, të folurit për seksualitetin për personat me aftësi të kufizuar, vijon ende të mbetet tabu edhe brenda vetë komunitetit.

Ndaj, Fondacioni “Së Bashku” ka hapur së fundmi një platformë online, të quajtur “PakTabu.org” ku advokohet me zë të lartë për të drejta seksuale dhe riprodhuese për personat me aftësi të kufizuar.

“Pak vende të tjera kanë një platformë të ngjashme ku personat me aftësi të kufizuar mund të marrin informacion, por edhe mund të ndajnë shqetësime, pyetje, kuriozitete në lidhje me këtë temë e cila është pak e diskutuar në mjedisin tonë dhe pak gjendet informacion, nëse kemi nevojë për një të tillë”, u shpreh Suela Lala, drejtuese e Fondacionit “Së Bashku” gjatë prezantimit të platformës.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin persona me aftësi të kufizuar, si dhe përfaqësues të institucioneve sikurse Zëvendës Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ina Majko, Letizia Fischioni, Drejtore e Përkohshme e Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim, AICS Tiranë, Mario de Rosa, Sekretar i Parë, Zyra Tregtare nga Ambasada e Italisë në Tiranë, si dhe Elsona Agolli, analiste programi mbi Çështjet Gjinore dhe Popullsinë, UNFPA Shqipëri.

Lexo gjthashtu:

The post “Seksualiteti pa tabu”, rrëfimi i Maximiliano Ulivierit për dinjitetin dhe pavarësinë appeared first on Citizens.al.

Dhjetë muaj roje te përroi: Kurdaria përballë hidrocentralit “Doma”

Prej dhjetë muajsh, banorët e fshatit Kurdari po i bëjnë roje përroit të Lusës. Njoftimi se makineritë apo ndokush nga firma është parë në fshat, është ankthi dhe më të cilin po jetojnë së fundmi, ndërsa prej kohësh nuk kanë lejuar nisjen e punimeve për hidrocentralin “Doma”.

“10 muajt e fundit me firmën Doma ne natë për natë e ditë për ditë jemi sikur me qenë në alarm. Vjen një informacion ‘erdhi Doma’ dhe ne njoftojmë të gjithë njerëzit dhe do shkojmë atje te ekskavatori”, shprehet Milazim Hystuna, kryetari i fshatit Kurdari.

Milazimi bashkë me Halimin, Luftimin, Ilirin, Rexhepin e dhjetëra banorë të tjerë, një pjesë e tyre edhe në moshë, na pritën në kafen e fshatit të quajtur “Kadiu”, një vendtakim i tyre i përditshëm për shqetësimet e fshatit.

Në sytë e tyre shihet mirënjohje sa herë shohin fytyra të reja që vijnë në ato anë, si një formë mbështetjeje për rezistencën e tyre disa vjeçare tanimë.

Për ta, uji nuk është thjesht burim natyror. Është toka, bagëtia, jeta dhe historia e fshatit.

“Para ca vitesh është dhënë një licencë për bërjen e tre hidrocentraleve, mos më mirë katër hidrocentraleve, por pas këtij fshihet edhe një firmë tjetër e cila do të ndërtojë, ka ardhur para tre-katër ditësh një jave dhe dy hidrocentrale të tjera mbi veprën e marrjes së ujit. Gjë të cilën populli e ka kundërshtuar”, shprehet Halim Kadiu, ndërsa rrëfen se nuk do të lejojnë asnjë hidrocentral mbi lumenjtë e tyre.

Një muaj më parë, banorët nxorën një ekskavator që ishte vendosur pranë përroit të Lusës, ndërsa kishte hapur një pjesë të rrugës.

“Në njëfarë mënyre ne i bëjmë roje atij ekskavatori dhe njoftojmë njëri tjetrin që ai të mos vijë të  fillojë punimet. Ne me këtë nuk dimë se çfarë të bëjmë më tjetër. Kemi treguar një maturi, një kulturë, jemi treguar shumë shumë të urtë, se ne jemi në shtëpinë tonë, jemi në vendin tonë. Ai do që të vijë këtu të na marrë ujin, nëse na merr ujin ai na ka marrë edhe jetën“, u shpreh Milazim Hystuna për Citizens.al.

Kjo situatë ka krijuar konflikt dhe përplasje mes banorëve dhe policisë, të cilët kanë shoqëruar në komisariat dhjetëra të rinj të zonës.

“Ju kam thënë bashkëmoshatarëve të mi, unë jam 83 vjeç, hajde 10 veta, nëse ai do të nxjerrë sherr me disa të rinj ne i kemi mbaruar hesapet, se jemi kaq vite. Le të na shkeli ne, atëherë të marri ujin”, tha Luftim Çeliku, një prej banorëve të pranishëm për shoqërimet e të rinjve në komisariatin e policisë.

“Ne kemi dy vjet që përballemi me firmën “Doma”. Normalisht, lemë punët tona dhe shkojmë atje. Firma ka rreth 10-15 çuna që I ka hedhur në gjyq për pengesë pune. Ne normalisht kërkojmë të drejtën tonë se kemi të drejtë se jemi në tokën tonë, në shtëpinë tonë”, tha Ilir Topalli për Citizens.al.

Sipas banorëve angazhimi i përditshëm për të bërë roje dhe vëzhguar makineritë ka bërë që të mos fokusohen të punët e tyre të përditshme në bujqësi e blegtori.

“Që më datën 24 korrik, punët e bujqësisë kanë mbetur mbrapa se përditë jemi këtu, ora shtatë e mëngjesit deri në orën tre. Po kjo nuk të lë as të bësh punën, as me bërë asgjë. Prodhimet duhet të dalin në treg se është pranverë tani. Është mbrapa shumë”, shprehet Halim Kadiu.

Në këtë zonë, një pjesë të rëndësishme zë edhe liqeni artificial, i cili ushqehet nga ujërat që vinë nga mali i Balgjajt dhe përrenjtë përreth. Liqen, i cili kontribuon në aktivitetin ditor bujqësor të zonës.

“Kur është bërë ky liqen, janë 20 familje këtu që kanë pasur tokat e veta. Kur këta i kanë dhuruar tokën e vet, vallë po ky njeri, jo që nuk dhuron, por vjen ta marri ujin e këtij fshati, moralisht ne jemi shumë të vrarë nga veprimi që është bërë me këto firmat përkatëse”, u shpreh Luftim Çeliku.

Ashtu sikurse janë shprehur prej fillimit, banorët vijojnë të theksojnë se projekti është miratuar pa dëgjesë publike dhe pa transparencë.

“Njëherë nuk është bërë dëgjesa publike. Ai të vijë këtu, në qoftë se do të marrë edhe pesë vota, ne ja kemi falur ujin. Pesë vota të marri, por ti marri këtu hapur, ti marrë në mes të burrave. Të mblidhet fshati dhe të thotë unë jam dakord. I gjithë fshati nuk është dakord t´ja japë ujin se është absurd”, tha mes të tjerash Milazim Hystuna, kryetari i fshatit Kurdari.

Sipas banorëve, i vetmi përfitues në këtë mes është kompania dhe jo ata.

“Kjo është prona ime, prona jote, pronë e të gjithëve. A e vë në dispozicion për komunitetin të paktën 20-40%? Unë ta marr çantën prapë në krah dhe të iki në Greqi, të iki në Gjermani apo në Angli? Këtu kanë investuar me qindra milionë lekë bëhet fjalë”, u shpreh i indinjiuar Halim Kadiu.

Sipas tij, banorët janë investuar në zonë duke venë 350 kokë bagëti, e përpos këtyre janë investuar edhe në vreshtari.

Në shtator të 2025-ës, banorët nisën procesin gjyqësor, duke ngritur padi kundër këshillit bashkiak Klos, Agjencisë Kombëtare të Zhvillimit të Territorit (AZHT) dhe shoqërisë “Global Interprise Group” që do të ndërtojë hidrocentralin.

“Ne kemi nisur një proces gjyqësor dhe në shkallën e parë, në gjykatën administrative, masën e sigurisë gjykata ka qenë pro firmës. Nuk dua të gjykoj gjyqtarët, mbase e kanë e dinë më mirë, por më duket krejt absurde. Ne kërkojmë të mbrojmë tokën tonë, ujin tonë siç e ka dhënë zoti i madh”, tha Milazim Hystuna.

Sipas avokates së banorëve, Dorina Prethi çështja tanimë është në apel. Prethi tha për Citizens.al se në gjykatë tanimë janë dorëzuar materiale të reja dhe është kërkuar përshpejtimi i seancës, pasi situata në terren rrezikohet të kthehet në konflikt social.

Një dekadë rezistencë

Pesë fshatrat e njësisë administrative Suç: Suç, Kurdari, Kurqelaj, Skënderaj dhe e Kujtim, kanë qenë shënjestër të veprave energjetike prej vitit 2006. Në atë kohë projekti për ndërtimin e një HEC-i në lumin e Lusës nuk u konkretizua.

Në vitin 2017-2018 dy shoqëri të ndryshme si “Indrolusa” dhe “Global Interprise Group” aplikuan për të ndërtuar hidrocentrale në këtë zonë.

Në vitin 2017, qeveria i dha leje firmës “Idrolusa” për ndërtimin e HEC-eve “Lusa 1 dhe Lusa 2”, por afatet ligjore përfunduan dhe këto vepra nuk u realizuan.

Paralelisht, në vitin 2018, shoqëria “Global Interprise Group” donte të ndërtonte në të njëjtin lum hidrocentralin “Doma”. Ndaj zhvilloi një dëgjesë publike, ku morën pjesë 19 banorë.

Në dokumentet nga Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, thuhet se ata shprehën dakordësinë për zhvillimin e hidrocentralit. Mirëpo, 12 prej tyre, janë shprehur me shkrim se firma e pjesëmarrjes së tyre u është manipuluar si deklaratë dakordësie.

“Deklarojmë se kemi marrë pjesë si dëgjues për projektin ‘Doma’, por nuk kemi shprehur dakordësi pasi bie ndesh me interesat jetikë”, thanë ata në deklaratë.

Më pas, një tjetër tentativë për të zhvilluar një dëgjesë me komunitetin për zhvillimin e projekteve hidrike u përsërit në vitin 2020, por u refuzua masivisht nga banorët dhe u mblodhën 631 firma kundër.

Kompania ia ka dalë të marrë lejen përmes një procesi konsultimi publik të pazbardhur ende, për të cilët banorët shprehen se nuk janë pyetur. Banorët janë organizuar sërish në protesta, duke mos lejuar asnjë mjet të rëndë pune të shkojë në terren. Ndërsa së fundi kanë nisur edhe procesin gjyqësor.

Në gusht 2025, banorët nënshkruan një memorandum ku kërkonin pezullim të menjëhershëm të çdo veprimi ndërtimor për hidrocentralet në përroin e Lusës si dhe shfuqizimin e lejve të dhëna për ndërtimin e HEC-eve. Ky memorandum u nënshkrua nga 503 banorë të Njësisë Administrative Suç.

Banorët iu drejtuan edhe institucioneve ndërkombëtare, sikurse Ambasadës Amerikane dhe Delegacionit Evropian në Shqipëri. Në shtator ata morën përgjigje vetëm nga Delegacioni Evropian, i cili shprehej se kanë ndjekur shqetesimet e banorëve dhe i shohin me prioritet të drejtat e qytetarëve, të drejtat e pronës dhe respektimin e mbrojtjes së mjedisit.

“Delegacioni i BE-së në Shqipëri nuk ka mandat ligjor për të ndërhyrë në çështje individuale, por do ta ndjekë këtë rast në kuadër të dialogut që zhvillohet me institucionet e qeverisë shqiptare gjatë procesit të negociatave të anëtarësimit”, thuhej në komunikimin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri.

Lexo gjithashtu:

The post Dhjetë muaj roje te përroi: Kurdaria përballë hidrocentralit “Doma” appeared first on Citizens.al.

Fadromat çajnë zonën e mbrojtur, Ministria i sheh si “punime brenda ligjit”

Fadroma dhe makineri të rënda të ngarkuara me zhavorr kanë shënjuar disa rrugë në Peizazhin e Mbrojtur Pishë-Poro-Nartë. Në terren nuk ka asnjë tabelë informuese apo logo të kompanive ndërtuese, përveç një autoboti të kompanisë Kastrati që sipas punëtorëve furnizon makineritë e rënda.

Të pyetur nga Citizens.al, punonjësit e pranishëm nuk pranuan të tregojnë kush i ka kontraktuar, ndërsa u shprehën se janë duke kryer punime provizore, rrethim të zonës “për të mbrojtur njerëzit që të mos hyjnë”.

“Kjo është një pronë private”, u shpreh një nga punonjësit me jelek pune fosforeshent, por pa logo. Pyetjes nëse këto punime janë për ndërtimin e një resorti, një prej punonjësve iu përgjigj me nënqeshje se po, por tanimë nuk jemi në këtë fazë.

Punimet në Peizazhin e Mbrojtur Pishë-Poro-Nartë/Citizens.al

Të pranishëm në këtë zonë ishin edhe aktivistë të organizatës mjedisore PPNEA si dhe përfaqësues dhe aktivistë të organizatës ndërkombëtare “BirdLife Europe and Central Asia”.

“Kamionët vazhdojnë operojnë me ritme të jashtëzakonshme dhe për ne ky është një shqetësim i madh, pasi kjo është pikërisht zona që është targetuar dhe reklamuar nga Jared Kushner këtu e dy vite të shkuara tashmë, si pjesë e një mega resorti që do të ndërtojë në të gjithë vijën bregdetare të Zvërnecit dhe të Pishë-Poros”, u shpreh për Citizens.al Aleksandër Trajçe nga PPNEA.

Sipas Trajçes, në një vend kandidat për në Bashkimin Evropian, veprime të tilla pa transparencë janë të paimagjinueshme.

“Sulmi i vazhdueshëm që i është bërë zonës duke filluar që me ndërtimin ilegal të aeroportit të Vlorës që filloi që në vitin 2021 dhe ja ku jemi sot në mes të ditës, ku praktikisht planet për resortet famëkeqe po fillojnë të konkretizohen në terren”, deklaroi Trajce.

Aktivistët shpalosën edhe një banderolë me mesazhin “Larg duart nga Narta”.

Banderola e shpalosur nga aktivistët mjedisorë/Citizens.al

Ariel Brunner, drejtues i organizatës ndërkombëtare “Birdlife Europe and Central Asia” tha për Citizens.al se po vëzhgojnë çfarë po ndodh në këtë zonë të mbrojtur të Deltës së Vjosës.

“Më duhet të them që jam i shokuar duke parë se çfarë po ndodh këtu. Po shohim një numër të madh buldozerësh që po hapin rrugë, me sa duket pa asnjë leje. Këtu nuk shohim asnjë tabelë që të tregojë kush janë këta njerëz dhe çfarë po bëjnë”, u shpreh Brunner.

Sipas tij, është kollaj të hamendësosh se bëhet fjalë për resortet luksoze turistike që janë planifikuar.

“Ajo që po shohim këtu është qartësisht e paligjshme sipas ligjit shqiptar dhe gjithashtu plotësisht e papajtueshme me legjislacionin e BE-së që Shqipëria pritet të zbatojë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh Ariel Brunner.

Ndërsa i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të ndërhyjë dhe ti japë fund kësaj situate.

“Trashëgimia e popullit shqiptar dhe, në një kuptim më të gjerë, edhe e popujve europianë, që po shkatërrohet para syve tanë pa asnjë lloj ligjshmërie, qeverisjeje apo logjike”, deklaroi Brunner.

Përfaqësuesit e organizatave patën një takim edhe me ministrin e mjedisit, ku i kërkuan të veprojë mbi situatën, ndërsa kanë kërkuar edhe një takim me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Sipas Aleksandër Trajces, kjo që po ndodh është vrull për të shkatërruar sa më shumë deri në mbylljen e negociatave për kapitullin e 27 (kapitulli i mjedisit për integrimin në BE).

“Mesazhi që investitorët kanë marrë me procesin e negociatave është që deri në fund të 2027, ju tashmë duhet të vazhdoni të ndërtoni, të operoni, të shkatërroni, pasi me mbylljen e kapitullit, këto gjëra nuk mund të ndodhin më”, deklaroi Trajçe.

Për Brunner, këto që po ndodhin nuk janë në përputhje me mbylljne e kapitullit 27.

“Shkatërrimi aktiv i këtyre zonave, në vend që të mbrohen, është një shkelje kaq flagrante saqë nuk e shoh si Komisioni Europian mund ta pranojë këtë”, deklaroi Areil Brunner për Citizens.al.

Ministri i Mjedisit: Pishë-Poro-Nartë kategori e pestë, lejohen aktivitetet turistike

Vija bregdetare e Pishë-Poro-Nartë/Citizens.al

Në një konferencë për shtyp, Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj i quajti ndërhyrjet në peizazhin e mbrojtur Pishë-Poro-Nartë brenda parametrave ligjorë.

“Nuk është duke u zhvilluar asnjë degradim i zonës së mbrojtur Pishë-Poro-nartë. Zona është peizazh i mbrojtur kategoria V sipas legjislacionit të zonave të mbrojtura”, u shpreh ministri Japupaj.

Sipas ministrit Jaupaj ky lloj aktiviteti në bazë të ligjit për ndikimin në mjedis nuk ka nevojë për atë që quhet standarde, vendim të ndikimit në mjedis.

“Nga ana tjetër subjektet përkatëse kanë bërë të gjitha njoftimet pranë agjencisë rajonale të zonave të mbrojtura ku bëhet monitorimi i përditshëm i aktivitetet të survejimit gjeologjik dhe ju siguroj që nga raportet e fundit që kanë ardhur nga agjencia e zonave të mbrojtura, mund ta them me gjuhë popullore që nuk është prerë asnjë pemë”, deklaroi Jaupaj.

Ministri e quajti konfuzion dashakeqës lidhjen e zonës së Pishë-Poro-Nartës me zonën e mbrojtur të lumit të Vjosës.

“Lumi Vjosa është Park Kombëtar kategoria II, ndërsa Pishë-Poro-Nartë është Peizazh i Mbrojtur kategoria V, ku kategoria V është në fakt edhe kategoria më e ulët e mbrojtjes së zonave të mbrojtura, ku normalisht një pjesë e mirë e investimeve sa i takon edhe investimeve infrastrukturore në turizëm janë të lejuara nga legjislacioni i zonave të mbrojtura”, u shpreh ministri Jaupaj duke justifikuar punimet në këtë zonë.

Sipas ministrit punimet aty janë me leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

“Është bërë vetëm rrethimi i një prone private për të bërë survejime gjeologjike”, deklaroi ministri Jaupaj. Deri më tani nuk ka asnjë leje të zbardhur për këto punime nga KKTU-ja dhe AZHT-ja.

Çfarë përfaqëson zona Pishë-Poro-Nartë

Makineritë në brendësi të Pishë-Poro-Nartë/Citizens.al

Zona Pishë-Poro-Nartë ndodhet në veri të Vlorës dhe është pjesë e kompleksit ligatinor të Nartës, pranë deltës së Vjosës. Ajo ka statusin “Peizazh i Mbrojtur”, që lejon vetëm ndërhyrje të kufizuara dhe kërkon procedura të rrepta ligjore dhe konsultim publik.

Zona është një nga habitatet më të rëndësishme për shpendët në Shqipëri, me rreth 200–300 specie të regjistruara, përfshirë shpendë migratorë me rëndësi ndërkombëtare. Megjithatë, ajo ka qenë prej vitesh nën presion zhvillimi, përfshirë projektin e debatueshëm të Aeroportit të Vlorës dhe plane të tjera turistike në zonat përreth.

Së fundmi, janë ngritur shqetësime edhe për projekte të tjera të mëdha në bregdet dhe ligatina, ndërsa organizatat mjedisore kanë reaguar ndaj ndryshimeve ligjore që prekin zonat e mbrojtura dhe rolit të “investitorëve strategjikë”.

Lexo gjithashtu:

The post Fadromat çajnë zonën e mbrojtur, Ministria i sheh si “punime brenda ligjit” appeared first on Citizens.al.

Keq-raportimi i aksidentit në Durrës ngre shqetësim për shkelje të etikës


Mënyra se si u raportua aksidenti tragjik i së dielës në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur, ka nxitur reagime të forta nga institucionet dhe organizatat e medias. Publikimi i pamjeve të ndjeshme nga vendngjarja dhe detajeve identifikuese ka rikthyer debatin mbi kufijtë etikë të raportimit.

Ngjarja ndodhi më 3 maj, në zonën e ish-kënetës, ku një makinë mori përpara një grup fëmijësh që po luanin në trotuar. Drejtuesi i automjetit, i cili më vonë rezultoi të ishte i dehur, u largua duke përshkallëzuar indinjatën e dëshmitarëve.

Rasti mori përmasa të mëdha mediatike, me shpërndarje të gjerë të pamjeve dhe detajeve nga vendngjarja, duke ngritur shqetësime për cenim të dinjitetit të viktimave dhe familjarëve të tyre.

Organizatat e medias dhe institucionet reaguan të hënën duke kërkuar respektimin e standardeve profesionale dhe etike në raportim.

Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM) theksoi sot se, ndonëse ngjarja përbën interes të lartë publik, kjo nuk justifikon publikimin e pamjeve të rënda.

“Në të gjitha kodet e etikës në botë, edhe në Kodin e Etikës së Gazetarit Shqiptar, një nga standardet e gjithëpranuara është se vdekja dhe makabriteti nuk duhen sensacionalizuar”, thuhet në reagimin e KSHM-së.

Sipas Këshillit, publikimi i pamjeve të tilla shkakton dëm emocional për familjet dhe krijon tronditje të panevojshme për publikun, veçanërisht kur viktimat janë fëmijë.

KMSH sugjeroi se raportimi i dinamikës së ngjarjes mund të realizohet përmes formave alternative, pa cenuar dinjitetin e viktimave.

“Me mjete të thjeshta, përfshirë ilustrime të krijuara me inteligjencë artificiale, mund të shpjegohet ngjarja pa shkelur mbi dhimbjen e familjarëve”, theksohet më tej.

KSHM ngriti gjithashtu shqetësim për publikimin e elementeve që mund të çojnë në identifikimin e fëmijëve.

“Sipas kodeve të etikës, media nuk duhet të publikojë identitetin e fëmijëve apo detaje që mund t’i identifikojnë ata. Argumenti se ‘dikush tjetër e publikoi më parë’ nuk është justifikim”, thuhet në deklaratë.

Në të njëjtën linjë reagoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), duke kërkuar ndalimin e publikimit të pamjeve nga aksidenti.

“Publikimi i këtyre materialeve nuk i shërben informimit publik dhe cenon dinjitetin e viktimave, duke rënduar më tej dhimbjen e familjeve”, deklaroi AGSH.

Edhe Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) u bëri thirrje mediave të shmangin sensacionalizmin dhe garën për klikime.

“Të ‘vrasësh’ dhe rivrasësh përmes imazheve, duke ekspozuar dhimbjen njerëzore, është shkelje e rëndë e etikës dhe standardeve profesionale”, u shpreh kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi.

Reagimet e institucioneve nxjerrin në pah një problem të përsëritur në raportimin e ngjarjeve të rënda në Shqipëri: balancën mes të drejtës për informim dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor.

Rasti i Durrësit rikthen nevojën për vetërregullim më të fortë dhe përgjegjësi editoriale, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijë dhe përmbajtje me ndjeshmëri të lartë.

The post Keq-raportimi i aksidentit në Durrës ngre shqetësim për shkelje të etikës appeared first on Citizens.al.

1 Maj: 48 jetë të humbura në 2025, siguria në punë mbetet emergjencë

Siguria në punë ishte kryefjala e tubimit publik këtë 1 Maj, që bëri bashkë dhjetëra punëtorë, sindikata dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Gjatë vitit të shkuar, 48 punonjës humbën jetën në vendin e punës, ndër të cilat edhe 2 gra dhe qindra të tjerë u plagosën.

Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë parashtroi në Sheshin Miqësia vështirësitë me të cilat përballen punëtorët në të gjithë sektorët. Ndërsa siguria në punë ishte çfarë mbizotëroi në fjalime, për shkak të numrit të lartë të humbjes së jetëve.

Esmeralda Hoxha, nga Qendra Aleanca për Zhvillim Gjinor (GADC), u shpreh se këto nuk mund të jenë vetëm statistika.

“48 jetë humbën në vendin e punës në 2025-ën. 48 familje, prindërit nuk u kthyen në shtëpi. 48 familje po rrisin jetimë. 48 gra kryefamiljare tashmë vuajnë për të përmbyllur muajin. Pse? Sepse mbështetja sociale më mbrapa mungon”, deklaroi Hoxha.

Në një deklaratë të përbashkët, të lexuar nga Dritan Shahu, i Sindikatës së Sektorit të Hidrokarbureve nënvizoi se kërkohet veprim i menjëhershëm nga qeveria dhe institucionet përgjegjëse.

“Të rrisin urgjentisht numrin dhe efektivitetin e inspektimeve në punë, veçanërisht në sektorët me risk të lartë; Të vendosin masa ndëshkuese reale dhe të zbatueshme ndaj punëdhënësve që shkelin rregullat e sigurisë”, tha Shahu.

Mes të tjerash ai ndaloi edhe te sektori hidrokarbur, të cilin përfaqëson, ndërsa kërkoi që naftëtarët të trajtohen me dinjitet.

“Duhet që statusi të ndryshojë, duhet që përfitimi për statusin nga 0.6% që është sot në vit pune mbi pension, të shkojë në 1% siç ka qenë parashikuar në vitin 2017”, deklaroi përfaqësuesi i Sindikatës së Sektorit të Hidrokarbureve.

Njëkohësisht, para Ministrisë së Ekonomisë një tjetër bashkim sindikatash, nën emërtimin Unioni i Sindikatave bëri bashkë punëtorë dhe pensionistë, ndërsa në thirrjet e tyre kërkoheshin të drejta dhe dinjitet në punë.

Edison Hoxha nga Qendra për të Drejtat në Punë, tha për Citizens.al se thirrjet e sotme janë për adresim të menjëhershëm të sigurisë dhe të shëndetit në punë, të punonjësve, veçanërisht në sektorët më të vështirë të ekonomisë.

“Veçanërisht sektori i ndërtimit që është nga sektorët më problematikë dhe ku numri më i madh i personave dhe punonjësve që kanë humbur jetën vjen pikërisht nga ky sektor”, deklaroi Hoxha.

Sipas tij, përpos numrit të lartë të humbjes së jetëve në vitin 2025, të larta janë edhe aksidentet në punë.

“Janë 275 aksidente që kanë ndodhur vetëm gjatë vitit 2025 dhe kjo është një shifër alarmante për tregun e punës që ne kemi këtu. Po ta krahasojmë me vitin 2024 është gati një dyfishim, nga 177 në vitin 2024”, deklaroi Hoxha.

Të pranishëm në tubimin e mbajtur në Sheshin Miqësia ishin edhe punëtorë të pastrim-gjelbërimit dhe të fasonerive, por dhe pse morën pjesë në këtë tubim, shumica e tyre qëndruan me maskë dhe kapele për të mbuluar identitetin, me frikën nga dallimi i tyre prej punëdhënësve.

“Gjatë punës që ne bëjmë, hasim vështirësi, punojmë në shi, në vapë, në pluhur, mes zhurmës së përditshme të Tiranës dhe mbetjeve të rrezikshme”, u shpreh njëri prej tyre.

Ervis Çota nga Lëvizja Rinore Egjyptiane dhe Rome paraqiti të njëjtën situatë për këtë sektor.

“Ka sektorët ku rreziku është i dukshëm, por ka edhe nga ata sektorë që mbeten në hije, janë njerëz të padukshëm. Dhe në fakt punëtorët e pastrimit janë një prej tyre”, u shpreh Çota.

Valentin Macaj nga  Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërisë tha se paga e punonjësve të policisë edhe pse më e lartë se ajo minimale, nuk plotëson standardet e jetesës dinjitoze.

“80% e punonjësve nuk bëjnë pushime vjetore, janë në kredi”, shtoi Macaj.

Përfaqësues të Sindikatës së Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor, të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shqiptar, të Universiteteve, të Psikologëve po ashtu sollën në shesh shqetësimet e tyre të përditshme dhe bënë thirrje për përfshirje të punonjësve të këtyre sektorëve në vendimmarrje.

Mes të tjerash, Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë kërkoi transparencë dhe raportim publik për çdo aksident me vdekje në punë; institucionalizimin e mjekësisë së punës së pjesë e sistemit publik; bërjen efektive këshillat e sigurisë dhe shëndetit në punë; forcimin e dialogut social dhe mbrojtje për punëtorët që denoncojnë shkeljet.

The post 1 Maj: 48 jetë të humbura në 2025, siguria në punë mbetet emergjencë appeared first on Citizens.al.

Shqipëria bie në indeksin e lirisë së medias: Presione nga politika dhe krimi

Shqipëria ka humbur tre vende në raportin vjetor të lirisë së medias të Reporterëve pa Kufij (RSF), duke u renditur e 83-ta nga 180 vende të përfshira në indeks.

Një vit më parë, vendi ynë u rendit i 80-ti, ndërsa në vitin 2024 ishte i 99-ti.

Sipas indeksit, në Shqipëri liria e shtypit dhe pavarësia e medias kërcënohen nga konfliktet e interesit midis botës së biznesit dhe asaj politike, si dhe nga një kuadër ligjor i mangët dhe një sistem rregullator i politizuar.

“Gazetarët janë viktima të akteve të intimidimit nga politikanët dhe krimi i organizuar”, thuhet në raport teksa theksohet se mediat më me ndikim në sektorin privat janë në pronësi të një numri të vogël kompanish me lidhje politike, veçanërisht në sektorë si ndërtimi.

“Ndërkohë që në vend ekzistojnë qindra media online, vetëm një numër i vogël prej tyre kanë një model të qëndrueshëm biznesi me financim transparent”, thekson raporti.

Sa i takon kontekstit politik, raporti nënvizon se gazetarët përballen me presion politik, veçanërisht gjatë zgjedhjeve.

“Politikanët kufizojnë pavarësinë editoriale duke politizuar organet rregullatore të medias dhe duke emëruar drejtuesit e mediave publike”, thuhet në raport.

Ndërkohë, vihet në dukje se gazetarët kritikë ndaj autoriteteve shpesh i nënshtrohen sulmeve që synojnë t’i diskreditojnë, si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita.

Raporti përmend edhe vendimin e qeverisë për të bllokuar TikTok-un në vitin 2025, si dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë akt. Po ashtu, sipas tij, gazetarët që hetojnë krimin dhe korrupsionin janë veçanërisht objekt kërcënimesh.

“Krimi i organizuar përbën një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë e gazetarëve”, thekson raporti.

Ndërsa vihet në dukje se, edhe pse policia ka ndërmarrë së fundmi hapa për të hetuar sulmet ndaj gazetarëve, pandëshkueshmëria për këto krime, e kombinuar me përpjekjet politike për t’i diskredituar gazetarët, ka krijuar një klimë që mund të nxisë sulme të mëtejshme.

“Gazetaret, të cilat përbëjnë shumicën e profesionit, përballen me ngacmime online dhe, në disa raste, me diskriminim me bazë gjinore brenda redaksive, ndonëse ka pasur përparim në këtë drejtim”, thekson më tej raporti.

Sipas raportit, vetë-censura është e përhapur. Megjithatë, mediat kanë krijuar një platformë për vetërregullim etik, “e para e këtij lloji në Shqipëri”.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë përcolli gjetjet e raportit dhe u shpreh përmes një deklarate se siguria e gazetarëve dhe kërcënimet nga krimi i organizuar mbeten shqetësuese.

“Klima e pandëshkueshmërisë për sulmet ndaj gazetarëve është e papranueshme dhe kërkon reagim të menjëhershëm institucional”, tha AGSH.

Blerjana Bino, nga Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt në Shqipëri, u shpreh se renditja e vendit pasqyron një mjedis mediatik të formësuar nga faktorë të njohur, por gjithnjë e më të konsoliduar.

“Ndryshimi nuk mund të vijë nga ndërhyrje të izoluara apo formale, por nga thyerja e këtij normalizimi përmes zbatimit real të standardeve, rritjes së llogaridhënies dhe krijimit të kushteve ku gazetaria në interes publik mund të funksionojë pa presion të vazhdueshëm”, u shpreh Bino.

Lexoni gjithashtu:

The post Shqipëria bie në indeksin e lirisë së medias: Presione nga politika dhe krimi appeared first on Citizens.al.

“O gjysh, po na marrin ujin!” – Një histori nga Kurdaria për rezistencën

Në Kurdari, konflikti për hidrocentralin “Doma” nuk është më thjesht një çështje projekti energjetik, por një përplasje e hapur mes komunitetit, institucioneve dhe vetë kompanisë.

Pas protestave para Kuvendit, padisë në gjykatë dhe tensioneve të përsëritura në terren, Rexhep Kuleni, një prej banorëve më të zëshëm, thotë se përballja ka hyrë në një fazë të re, rezistencës së përditshme për të mbrojtur ujin.

Në këtë realitet, zëri i tij nuk është thjesht një rrëfim personal, por një dritare për të kuptuar sesi një konflikt administrativ është shndërruar në një krizë të thellë të besimit ndaj shtetit.

“Erdhën ata, por ne s’i kemi lejuar të nisin punimet”, thotë në telefon Rexhep Kuleni nga fshati Kurdari i Klosit.

Aty ku lumi Lusa gjarpëron prej malit dhe zhurma e ujit është pjesë e përditshmërisë, Rexhepi, bashkë me banorët e tjerë, e kanë kthyer mbrojtjen e tij në një mision jete.

Rexhepi nuk është një figurë publike në kuptimin klasik, por për banorët e zonës ai është zëri që i mbledh, i organizon dhe i mban të bashkuar përballë një kërcënimi që e ndiejnë si personal: futjen e lumit në tuba.

“Kemi vetëm një aktmarrëveshje, me Zotin,” thotë me bindje ai duke theksuar se nuk ka vend për negociata.

Në fjalët e tij nuk ka retorikë politike, por një ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj tokës dhe njerëzve me të cilët ka ndarë jetën.

Rexhepi është një burrë i thjeshtë në dukje, me një histori pune që e ka lidhur fort me zonën. Gjatë periudhës së diktaturës ai ishte mekanik në Stacionin e Mekanikë-Traktorëve (SMT) të Kurdarisë e më tej ekonomist e llogaritar.

SMT-të ishin strukturat kryesore që shtynin përpara ekonominë bujqësore në fshatra gjatë asaj periudhe. Pikërisht falë përvojës së tillë, qoftë të punës në terren, por edhe të administratës në lidhje me procedurat dhe mënyrës sesi funksionon shteti, ai ka gëzuar respekt në zonë.  

Por sot, roli i tij ka ndryshuar, ai është organizator, ndërmjetës dhe, bashkë me komunitetin, kujdestar i publikes së përbashkët: ujit.

Përgjithësisht zgjohet herët, shpesh para orës gjashtë. Telefoni nuk i pushon, edhe ndërsa na shoqëron për në zonën ku parashikohet të ndërtohet hidrocentrali.

“Më merr dikush në telefon për këto probleme [të hidrocentraleve] dhe unë u jap rrugëzgjidhjet e mia”, shprehet Rexhepi.

Nisja e projektit në befasi, pa dakordësinë e banorëve, i ka lënë prej kohësh në gjendje alarmi.

Rexhepi tregon se si kompania erdhi fshehurazi, për ditë me radhë, pa lajmëruar banorët. Lajmi për projektin u përhap vetëm kur puna kishte nisur, ndërsa reagimi ishte i menjëhershëm.

“U detyruam të mobilizojmë kryetarët e fshatrave, popullin dhe arritëm që [kompaninë me makineritë] e nxorëm, e përzumë,” kujton ai në një rrëfim që duket se nuk ka triumf të tepruar, por një ndjesi të qartë se beteja vijon.

Edhe natën, thotë ai, njerëzit zgjohen nga shqetësimi se mos makineritë rikthehen teksa emri i kompanisë është bërë një lloj simboli frike.

“Na u bë ky ‘Doma’ sikur të jetë Hitleri,” shprehet ai, duke pasqyruar tensionin dhe ndjesinë e kërcënimit që përjetojnë banorët.

Për Rexhepin, kjo nuk është një çështje kompromisi: “Nuk ka kompromis… kundër jetës sime, kundër fëmijëve.”

Ai flet për borxhin ndaj brezave, për përgjegjësinë që kanë sot ndaj atyre që do të vijnë nesër.

“Do të na mallkojnë,” thotë ai, si një reflektim i sinqertë mbi pasojat.

Në bisedë e sipër, Rexhepi na tregon edhe ndikimin që ky projekt hidroenergjetik ka lënë te fëmijët.

“O gjysh, po na merr ujin ‘Doma’,” citon ai fjalët e nipërve dhe mbesave, fjali që sipas tij, duhet të dëgjohen jo vetëm nga kompania, por edhe nga institucionet, të cilat deri më tani nuk e kanë dëgjuar komunitetin.

“Uji është jeta, është frymëmarrja për ne,” thekson Rexhepi.

Sipas tij, ky rast tregoi se sa i bashkuar është komuniteti i Kurdarisë, përtej besimeve dhe përkatësive politike.

“Të gjithë banorët janë heronj sepse janë për një qëllim,” vijon ai duke shmangur protagonizmin, ndërsa sjell në vëmendje se aktmarrëveshja e vetme që kanë është ajo me Zotin.

Një marrëveshje e pashkruar për të mbrojtur ujin, tokën, ajrin dhe diellin.

Në një kohë kur vendimet shpesh merren larg komuniteteve, zëri i Rexhepit vjen si një kujtesë se për disa njerëz, lidhja me vendin nuk është thjesht çështje prone, por identitet.

Lexoni gjithashtu:

The post “O gjysh, po na marrin ujin!” – Një histori nga Kurdaria për rezistencën appeared first on Citizens.al.

Digjet makina e gazetarit Sami Curri në Bulqizë, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

Digjet makina e gazetarit Sami Curri në Bulqizë. Incidenti dyshohet të jetë i qëllimshëm dhe i lidhur me punën si gazetar lokal.

Ngjarja vjen në një klimë të brishtë për gazetarët në terren, veçanërisht në zonat ku raportimet prekin interesa ekonomike dhe të pushtetit, duke ngritur shqetësime për sigurinë dhe presionet ndaj medias.

Rasti dhe dyshimet e para

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës. Curri e kishte parkuar makinën pranë pallatit ku banon në lagjen e re të Bulqizës.

Zjarri dyshohet të jetë vendosur qëllimisht dhe të ketë lidhje me aktivitetin e tij si gazetar.

“Jam njoftuar rreth orës 02:45 se makinës i ishte vënë zjarr. Më lajmëroi një komshi i katit të tretë. Automjeti ishte i parkuar rreth 30 metra larg pallatit ku banoj me nënën,” tha Curri pas ngjarjes.

Sipas tij, bëhet fjalë për një akt të qëllimshëm që synon ta intimidojë për shkak të punës që kryen.

“Ata që e kanë bërë këtë nuk do të më frikësojnë dot, pasi për mua gazetaria është një mision që i shërben interesit publik dhe do të vazhdoj me çdo çmim,” u shpreh ai duke theksuar se ngjarja e së dielës ishte një prej çmimeve.

Curri shtoi se në javët e fundit ka qenë në kontakt me persona të prekur nga temat që ka trajtuar. Ai shpreson që organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre, megjithatë, ai u shpreh skeptik për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“Kjo ndjenjë vjen nga përvoja ime e përditshme, por shpresoj që hetimet të jenë korrekte”, tha Curri.

Curri është gazetar lokal nga Bulqiza dhe themelues i medias “Bulqiza Ime”. Ai ka një eksperiencë prej rreth 10 vitesh në raportimin nga terreni në qarkun e Dibrës.

Puna e tij është përqendruar kryesisht në çështjet lokale, duke u bërë një prej gazetarëve kryesor të qarkut për raportime në lidhje me tema të mjedisit si dëmet nga projektet e hidrocentraleve, shpyllëzimit, por edhe raportime për kushtet e minatorëve, të drejtat dhe protestat e tyre, banorëve të zonave përreth etj.

Curri njihet për raportime të drejtpërdrejta nga komuniteti, aspektet sociale dhe për trajtimin e temave të ndjeshme që lidhen me monitorimin e bashkive të qarkut Dibër dhe prokurimet publike të tyre.

Organizatat e medias kërkojnë hetim i plotë

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) e cilësoi ngjarjen si alarm serioz për sigurinë e gazetarëve dhe klimën në të cilën ata ushtrojnë profesionin.

“Deklaratat publike të gazetarit Curri, i cili e konsideron ngjarjen si mesazh kërcënues për shkak të punës së tij, e bëjnë edhe më urgjent një reagim institucional të shpejtë dhe të plotë”, thuhet në reagimin e AGSH-së.

Nga ana tjetër, Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt bëri thirrje për hetim të shpejtë, të plotë dhe të pavarur.

“Një reagim i qartë dhe efektiv institucional është thelbësor për të parandaluar pandëshkueshmërinë dhe për të mbrojtur lirinë e medias”, deklaroi rrjeti.

Një reagim të ngjashëm pati edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, që kërkoi zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes dhe ndëshkimin ligjor të autorëve.

Qendra SCiDEV theksoi ndër të tjera se incidente të tilla ngjallin shqetësime serioze për median lokale.

“Mediat lokale operojnë në mjedise sfiduese dhe luajnë rol thelbësor në informimin e komuniteteve dhe mbajtjen e institucioneve përgjegjëse. Çdo formë intimidimi është veçanërisht shqetësuese”, u tha në deklaratën e saj.

The post Digjet makina e gazetarit Sami Curri në Bulqizë, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme appeared first on Citizens.al.

“Furtunë në gotë”: Lajmi i rremë për sëmundjen e kryebashkiakut të Gjirokastrës

Deklarata në rrjetet sociale se kryebashkiaku i një bashkie të jugut ishte i prekur me HIV/AIDS dhe kishte infektuar edhe disa punonjës të tjerë (faksemile: link) u përhap masivisht gjatë fundjavës, madje duke u përcjellë edhe në media (faksemile: link; link).

Madje, redaksi online “identifikuan” edhe “personin e dyshuar,” duke përmendur kryebashkiakun e Gjirokastrës, Flamur Golemi, si vatër të infeksionit, ndërsa artikujt që e shoqëronin “këtë zbulim” flisnin për një qytet në panik.

Disa media raportuan edhe më tej, duke aluduar me tituj “bombastikë” për “orgji brenda institucionit” si një formë e përhapjes së virusit HIV/AIDS. Ndërsa Emin Kokalari, një aktivist lokal, pretendoi se ngjarja ishte më e rëndë nga sa raportohej duke theksuar se “tashmë të infektuar janë rreth 150 qytetarë” (faksemile: link).

Kjo bëri që vetë Bashkia Gjirokastër të dilte me një deklaratë publike, duke përgënjeshtruar raportimet dhe duke e konsideruar si pretendim të rremë dhe alarmues, që synonte të krijonte pasiguri dhe panik te qytetarët.

Ajo i bëri thirrje policisë dhe prokurorisë të nisin verifikimet dhe hetimet përkatëse.

“Përhapja e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit, përbën vepër penale…”, citoi ndër të tjera zyra për shtyp e bashkisë.

“Epidemia e dezinformimit”

Lajmi, i ribotuar në disa platforma online gjatë fundjavës, mori vëmendjen e mediave kryesore të hënën, duke u diskutuar edhe në studiot televizive.

Në rrjetet sociale u botuan njëkohësisht faksimile të analizave shëndetësore që pretendohej se i përkiste kryebashkiakut Golemi, e cila tregonte se ai nuk ishte i prekur nga HIV/AIDS. Dokumenti u pranua si i vërtetë nga avokati i tij, i cili më pas ngriti padi ndaj njërit prej personave që dyshohet se ka kontribuuar në përhapjen dhe përshkallëzimin e informacionit të rremë.

Sipas Koloreto Çukalit, drejtues i Këshillit Shqiptar të Medias, problemi qëndron në mënyrën se si mediat i prodhojnë dhe i shpërndajnë këto lajme.

“Fakti që një media e publikon dhe të tjerat e ripublikojnë, edhe kur dyshojnë se lajmi është i pabazë, për shkak të klikimeve apo linjave editoriale, krijon kushte ideale për përhapjen e dezinformimit”, analizon ai.

Sipas tij, verifikimi i lajmit është i thjeshtë dhe mund të realizohet përmes kontakteve direkte, madje edhe me një telefonatë, qoftë dhe një mjek, apo institucion i shëndeti publik, por që sipas tij, shmangia e kësaj praktike e bën të qartë se synimi është “për të mos humbur klikime.”

Një tjetër problem, sipas Çukalit, është publikimi i të dhënave personale.

“Elementë si shëndeti apo kartela mjekësore e një personi nuk duhet të publikohen, pavarësisht interesit publik, për shkak të etikës dhe të drejtës për privatësi”, thekson ai.

Një “skup” pa bazë shkencore

Mjeku infeksionist Gentian Stroni tha për Citizens.al se lajmi nuk ka bazë reale në aspektin e shëndetit publik.

“Edhe sikur të jenë të vërteta 18 rastet, kjo nuk do të thotë se ata do të infektojnë automatikisht 128 të tjerë. HIV-i transmetohet kryesisht përmes gjakut ose marrëdhënieve seksuale”, shpjegoi ai.

Sipas Stronit, edhe skenarët e përhapur në media nuk qëndrojnë nga pikëpamja mjekësore. Sipas tij, që një person të infektojë 18 të tjerë, duhet të ketë pasur kontakte të shtrira për një kohë të gjatë me këta persona, dhe këta të fundit të kenë kaluar gjithashtu një kohë të konsiderueshme përpara se të shfaqin indikacione si për shembull predispozita të imunitetit të ulët.

“Që të mund t’jua japë këtë gjë 18 vetave duhet që të ketë kryer marrëdhënie në kohë të ndryshme dhe po ashtu, që këta persona të dalin pozitivë, do të duhet të kenë kaluar edhe stadin e periudhës dritare që është 3-6 muaj”, argumenton mjeku Stroni.

Nga ndryshon HIV nga AIDS?

HIV është virusi i imuno-deficencës humane, i cili sulmon sistemin imunitar. Me kalimin e kohës, ai dobëson mbrojtjen e trupit. Sipas mjekut Stroni, mund të duhen vite që efektet të bëhen të dukshme, ndërsa faza e avancuar e sëmundjes njihet si AIDS.

“Rrjedhimisht qelizat CD4 që janë qeliza limfocitare që shkatërrohet prej këtij virusi, pas një periudhe kohore, nga 750 që supozohet që të jenë në trupin e njeriut, fillojnë që të bien në numër, dhe rrjedhimisht kur shkojnë nga dritarja 300-500 fillojnë që të shfaqen simptomat”, tregon mjeku Stroni.

“Kur sistemi imunitar ka rënë ndjeshëm dhe shfaqen infeksionte oportuniste, atëherë flasim për AIDS”, thekson ai.

Sipas Stronit nëse një person i infektuar dhe që gjendet në stadin e AIDS-it, ka risk më të madh që ta transmetojë seksualisht këtë sëmundje sesa kur ai e ka në gjendjen e HIV-it. Kjo lidhet kryesisht me gjendjen e virulencës.

Megjithatë, ai thekson se trajtimi me terapi antiretrovirale e kontrollon virusin dhe ul ndjeshëm rrezikun e transmetimit.

“Pra virusi nuk replikohet më si më përpara dhe rrjedhimisht ky person mund të ndodhë që pavarësisht se është në stadin e AIDS, të mundet që të kryejë marrëdhënie dhe me gjasa të konsiderueshme të mund të mos e transmetojë, duke qenë se është në terapi”, argumenton Stroni, sipas së cilit për të kaluar nga stadi HIV në AIDS duhen nga 3-6 vite, në varësi të imunitetit të secilit.

Stroni solli në vëmendje dy raste konkrete, ku çifte bashkëshortësh, prej të cilëve njëri pozitiv, tjetri negativ, kanë kryer nën trajtime marrëdhënie me koshiencë dhe sot kanë fëmijë të lindur pa viruse, dhe partnerët gjithashtu të painfektuar.

E drejta për privatësi dhe “imunitet” nga stigma

Sipas ligjit shqiptar për parandalimin e HIV/AIDS, çdo person gëzon të drejtën e konfidencialitetit dhe të sekretit mjekësor. Nxjerrja e këtyre të dhënave pa pëlqimin e individit dënohet me ligj.

Sipas mjekut Gentian Stroni, anonimati është thelbësor për shkak të stigmatizimit që ende ekziston në shoqëri për këtë sëmundje.

“Edhe brenda sistemit shëndetësor ruhet anonimiteti. Publikimi i identitetit është shkelje ligjore”, thekson ai, teksa shton se kjo vlen edhe për persona publikë, pasi statusi shëndetësor nuk përbën interes publik në vetvete.

Por, përtej debatit mediatik, pasoja të tilla janë konkrete: përhapja e panikut, stigmatizimi i personave që jetojnë me HIV/AIDS dhe dëmtimi i reputacionit.

Mjeku Stroni paralelizon se stigmatizimi për këtë sëmundje është i njëjtë si ndaj personave të komunitetit gay.

“A mundet që të jetë gay një kryeministër apo kryetar bashkie? Po. Do që ta deklarojë?! E deklaron! S’do që ta deklarojë?! S’e deklaron!” sjell në vëmendje mjeku, duke nënvizuar faktin se kjo sëmundje mbahet nën kontroll dhe përmes terapive jetesa normale në shoqëri tanimë është e mundur.

“U quajt si sëmundje e shekullit të kaluar sepse ishte diçka e re, por sot që flasim është totalisht nën kontroll. Njerëzit, nëse më përpara e jetonin jo më shumë se 10 vjet, flas në vitet ’80, sot që flasim nuk bëhet fjalë jetëgjatësia”, argumenton Stroni, ndërsa shton se e gjithë kjo që po flitet tanimë është një furtunë në gotë.

“Kur përdoret shëndeti si armë për klikime, zullumi bëhet me majë”, shprehet Koloreto Çukali.

Në fund, ajo që u paraqit si “skup” rezulton të jetë një tjetër rast i një dezinformimi që prodhon më shumë dëm sesa informim, një “furtunë në gotë” me pasoja reale.

The post “Furtunë në gotë”: Lajmi i rremë për sëmundjen e kryebashkiakut të Gjirokastrës appeared first on Citizens.al.

Sondazhi: Ndotja e ujit dhe ajrit, shqetësimet kryesore mjedisore në Shqipëri

Ndotja e ujit, ajrit dhe zhurmat konsiderohen ndër çështjet më shqetësuese mjedisore në Shqipëri. Më shumë se gjysma (66%) e qytetarëve e konsiderojnë ndotjen e ujit problem serioz dhe thuajse po aq ndotjen nga mbetjet (63%) dhe plastika (64%).

Një sondazh kombëtar i zhvilluar gjatë muajit shkurt për mjedisin, në kuadër të projektit EU4GreenGen nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, ka nxjerrë në pah se shumica e qytetarëve e shohin ndotjen si mjaft shqetësuese për komunitetin ku jetojnë.

Ata shfaqen të gatshëm për të ndryshuar qasje në raport me mjedisin, por shprehen se nuk ka infrastrukturë të përshtatshme.

Sondazhi ka mbledhur përshtypjet mbi nivelin e informimit të qytetarëve për biodiversitetin dhe mjedisin në tërësi, si dhe për problematikat kryesore me të cilat përballet vendi në aspektin mjedisor.

Sipas sondazhit, vetëm një në çdo katër qytetarë (24%) janë të njohur me konceptin e biodiversitetit. Po ashtu, një në çdo tre qytetarë (33%) thanë se kanë dëgjuar për ekonominë qarkulluese, çka sipas raportit shpjegues tregon boshllëqe në kuptimin e koncepteve mjedisore të lidhura me politikat publike.

Mbledhja e mbetjeve vlerësohet më pozitivisht (43%) sesa pastërtia e përgjithshme (31%).

“Megjithëse shërbimet e menaxhimit performojnë më mirë, perceptimet për pastërtinë mbeten mesatare dhe shpesh negative”, thuhet në prezantimin e gjetjeve.

Në këtë drejtim, vërehen dallime mes qyteteve. Vlerësim qytetar më i lartë për menaxhimin e mbetjeve rezultoi në qytete si Berati dhe Kukësi, ndërsa më i ulëti në Gjirokastër, Korçë dhe Elbasan.

Ndërkohë, sa i përket perceptimit për zonat e gjelbra, ai mbetet mesatar ose negativ.

“Vetëm 25% i vlerësojnë pozitivisht, ndërsa 46% negativisht”, theksohet ndër gjetjet.

Sipas sondazhit, ka dallime të forta rajonale, me vlerësime më të larta në Berat, Dibër dhe Kukës, dhe më të ulëta në Durrës, Gjirokastër dhe Lezhë.

“Tirana mbetet nën mesataren, me nivel të lartë pakënaqësie”, theksohet më tej.

Edhe pse vetëm 5% e familjeve ndajnë mbetjet në burim, pjesa dërrmuese (92%) thonë se do të ishin të gatshëm ta bënin këtë nëse do të ekzistonin sisteme të përshtatshme.

“Kjo tregon se është infrastruktura, dhe jo qëndrimet e qytetarëve, pengesa kryesore”, thuhet nga gjetjet e sondazhit.

Qytetarët, thuhet në raportin e sondazhit, se kanë nivel të lartë ndërgjegjësimi për koncepte si riciklimi (92%) dhe menaxhimi i mbetjeve (85%), por ky ndërgjegjësim bie për terma më teknikë.

“Kompostimi (65%) dhe zhvillimi i gjelbër (63%) shfaqin një nivel mesatar njohjeje, ndërsa ekonomia qarkulluese (33%) mbetet kryesisht e panjohur”, thuhet ndër gjetjet.

Rreth 81% e qytetarëve të anketuar thonë se janë vetë përgjegjës për ndotjen e mjedisit, ndërsa 45% rendisin bashkitë dhe 41% bizneset.

“Sa i përket besimit, bashkitë shihen si aktorët më të besueshëm për mbrojtjen e mjedisit (65%), të ndjekura nga kompanitë e pastrimit dhe mbledhjes së mbetjeve (50%) dhe qeveria (47%),” thuhet në raport.

46% e të anketuarve janë të gatshëm të paguajnë një tarifë shtesë për një mjedis më të pastër, ndërsa 27% janë të pavendosur dhe 28% kundër.

Gatishmëria më e lartë vërehet në rajonet e Dibrës, Kukësit, Gjirokastrës dhe Lezhës. Ndërsa Elbasani dhe Korça shfaqin rezistencë më të fortë, me vetëm 33% gatishmëri dhe rreth gjysma kundër pagesës shtesë.

Shqipëria është në negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ku Kapitulli 27 për Mjedisin mbetet ndër më sfiduesit. Gjatë dekadës së fundit, BE ka investuar mbi 280 milionë euro në sektorët e mjedisit, ujit dhe klimës në Shqipëri.

Sipas sondazhit, mbështetja publike për përafrimin me standardet mjedisore të BE-së është e fortë, me 81% që e perceptojnë me përfitime.

“Megjithatë, ndërgjegjësimi për projektet mjedisore të financuara nga BE mbetet i ulët, vetëm 22%”, përfundon raporti.

Lexoni gjithashtu:

The post Sondazhi: Ndotja e ujit dhe ajrit, shqetësimet kryesore mjedisore në Shqipëri appeared first on Citizens.al.

Samiti i Diasporës, një simbolikë pa angazhim konkret

Prej së hënës, Pallati i Kongreseve në Tiranë ka bërë bashkë shqiptarë që jetojnë dhe kontribuojnë jashtë vendit në Samitin e Diasporës.

Kjo ngjarje, e cila mbahet për herë të katërt, synon të forcojë lidhjet mes Shqipërisë dhe shqiptarëve që jetojnë jashtë, duke i ftuar të kontribuojnë për vendin e tyre.

Shqiponja dykrenore, ngjyrat kuqezi, shfaqjet artistike, nderimet e personaliteteve të njohura shqiptare jashtë kufijve, si dhe narrativa ftuese për të kontribuar dhe për t’u bërë pjesë e rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, ishin elementët dominues përgjatë këtyre dy ditëve.

Samit për diasporën, por pa diasporën

Megjithatë, ajo që spikati këtë samit – ndryshe nga organizimet e mëparshme – ishin zërat kundër, kryesisht nga pjesëmarrës nga diaspora, të cilët nuk e gjetën veten të përfaqësuar në panelet e mbajtura.

Eva Baçi, juriste që punon në Itali, mori mikrofonin nga salla, ndërsa në podium ishin përfaqësues të qeverisë, të cilët flisnin për diasporën, dhe u shpreh se mungon hapësira për përfshirje.

“Dëgjojmë narrativa, por mungojnë aktorët kryesorë që është diaspora. Ky është Samiti i Diasporës. Mendoj se, përveç hapjes, ku fjala duhet t’u jepet ministrit, kryeministrit dhe presidentit, por aktorët kryesorë jemi ne”, tha Baçi.

Ajo shtoi se nuk mund të vinte në Shqipëri vetëm për të qenë “një numër” në organizimin në fjalë. Baçi iu drejtua më pas panelit, konkretisht me kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, duke i thënë se ai është larg realitetit dhe se dyert u janë mbyllur personave të përgatitur që duan të kontribuojnë në vend.

“Jemi pa përkrahje dhe kur nuk të përkrah shteti yt, nuk mund të japësh kontribut në të. Unë për Italinë jam e përgatitur, por jam thjesht e huaj”, vijoi ajo.

Një tjetër pjesëmarrës nga diaspora, ish-minator, ngriti shqetësimin për mosmiratimin e ligjit për statusin e minatorit, si dhe çështje të tjera në lidhje me kthimin dhe zhvillimin e pronave.

Në disa raste, moderatorët e samitit u përpoqën t’u ndërprisnin mikrofonin, duke mos i lejuar të përfundonin fjalën. Por nga ana tjetër, pati edhe organizata të diasporës që deklaruan hapur bojkotin ndaj këtij organizimi.

Komuniteti Shqiptar i Selanikut deklaroi publikisht se nuk do të merrte pjesë, duke e cilësuar samitin si fasadë që nuk adreson shqetësimet reale të diasporës.

“Diaspora shqiptare nuk ka më shumë nevojë për samite ceremoniale sesa për përfaqësim të vërtetë, dëgjim dhe zgjidhje konkrete,” u tha në reagimin e tyre.

Ata shtuan se është provokuese që përjashtohen zërat aktivë të komunitetit, ndërsa në samit flasin persona pa lidhje direkte me diasporën.

Ftesën nuk e pranoi as lëvizja “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, e cila u bë e njohur për faktin se udhëhoqi fushatën për votën e diasporës.

“[…] ky samit nuk është një hap real drejt përfshirjes, por skenografi për promovimin e imazhit të qeverisë,” u shpreh ndër të tjera kjo lëvizje në një reagim publik.

Florian Haçkaj nga kjo lëvizje, tha për Citizens.al se samiti nuk është platformë reale, por thjesht propagandë.

“Është një propagandë ku i flitet diasporës, por nuk flitet me të. Panelet dominohen nga përfaqësues politikë, jo nga diaspora,” theksoi ai.

Mes simbolikës dhe mungesës së politikave reale

Gazetari dhe studiuesi i medias, Lutfi Dervishi, tha për Citizens.al se organizimi për herë të katërt i samitit tregon institucionalizim, por që vlera reale e saj matet me rezultate konkrete dhe jo me numrin e samiteve.

“Deri tani kemi më shumë simbolikë dhe komunikim sesa politika të matshme për diasporën,” argumentoi Dervishi, që sipas tij, që nga thirrjet për kthim në vitin 2013, realiteti ka ndryshuar.

“Tani është koha për bilanc. Vendi sot ka ndryshuar por është më i plakur – më shumë njerëz kanë ikur dhe diaspora po vjen për samite por jo për gjë tjetër”, theksoi ai.

Sipas Eurostat, nga viti 2008 deri në 2024, rreth 1 milion shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi në BE. Shifra është edhe më e lartë nëse përfshihen SHBA, Kanada dhe vende të tjera.

Florian Haçkaj shton se zëri i diasporës nuk përfaqësohet dhe nuk po bëhet mjaftueshëm për të mbajtur njerëzit në vend.

“Ka kapluar korrupsioni në çdo cep dhe si asnjëherë më parë sot i ke dhe akuzat konkrete. Marrim rastin e Ballukut dhe parlamenti e mbron, pra nuk shkon fare që në këto kushte ti të mendosh që në këtë qeveri ka ndonjë gjë të planifikuar për mirë”, argumentoi Haçkaj.

Për Dervishin, në kushtet kur kemi emigrim të lartë, ka një paradoks të qartë.

“Sa më shumë rritet emigrimi, aq më e madhe bëhet diaspora numerikisht. Potenciali rritet, por angazhimi mbetet i valëve të para të emigrantëve. Fillimisht duhet ndalur zbrazja e vendit. Më pas mund të mendojmë që kemi shans më diasporën”, argumentoi ai.

“Investime emocionale”

Sipas Haçkajt, diaspora shihet kryesisht si burim për blerje pronash dhe turizëm, pra për të kaluar pushimet.

“Shqipëria ofron kushte për blerje, por jo për shërbime bazë si shëndetësia apo siguria ushqimore,” u shpreh ai.

Edhe Dervishi thekson se investimet kryesore janë emocionale, si blerja e një shtëpie të dytë në Shqipëri për t’u kthyer përkohësisht për pushime apo për familjarët.

“Ky kapital nuk prodhon zhvillim të qëndrueshëm,” theksoi ai.

Sipas tij, investitorët kërkojnë siguri ligjore, drejtësi funksionale dhe administratë profesionale. Megjithëse diaspora votoi për herë të parë në zgjedhjet e fundit, përfaqësimi politik mungon.

“Nuk ka përfaqësues realë të diasporës në parlament,” theksoi Haçkaj.

Dervishi shton se narrativa zyrtare e paraqet diasporën si aset strategjik, por realiteti është më kompleks.

“Shumë emigrantë nuk janë ende të stabilizuar, ndaj nuk mund të priten investime të menjëhershme,” tha ai.

Sipas të dhënave, remitancat përbëjnë rreth 4.5% të PBB-së dhe janë burim jetese për shumë familje.

Në mungesë të remitancave, niveli i varfërisë do të ishte rreth 30 pikë përqindje më i lartë, ndërsa remitancat kanë qenë burim i vetëm i të ardhurave për një në katër familje përfituese.

Ky samit i katërt zhvillohet 3 vite pas atij të mbajtur në vitin 2023 që pati në fokus përfshirjen e emigrantëve në jetën shoqërore dhe ekonomike të vendit, si dhe të drejtën e votës, e cila u realizua në zgjedhjet e majit 2025.

Samiti i dytë u mbajt në pranverë të vitit 2019, kur Shqipëria kishte një ministër të posaçëm për diasporën, Pandeli Majkon.

Lexo gjithashtu:

The post Samiti i Diasporës, një simbolikë pa angazhim konkret appeared first on Citizens.al.

“O me Ballukun, o me BE-në”; Lëvizja Bashkë mesazh Ramës gjatë Samitit të Diasporës

Një protestë e Lëvizjes Bashkë para Pallatit të Kongreseve kur po mbahej Samiti i Diasporës në Tiranë u shoqërua me tensione dhe ndërhyrje të policisë. Aktivistët akuzuan qeverinë se po promovon integrimin për në Bashkimin Evropian duke toleruar korrupsionin në nivelet e larta.

Me banderolën “O me Belinda Ballukun, o me BE-në”, ata vunë në pikëpyetje sinqeritetin e reformave dhe narrativën evropiane të qeverisë, por u përballën me një reagim të ashpër të forcave të policisë.

Ata i ndaluan aktivistët me dhunë pa mundur ta hapnin plotësisht dhe banderolën dhe më tej shoqëruan 5 prej tyre në komisariat. Një ndërhyrje që vuri sërish në dukje kufizimet që qeveria Rama po u bën të drejtës për të protestuar, sidomos partive të reja opozitare.

Rasti ekspozon hendekun mes diskursit zyrtar për integrimin dhe realitetit të përplasjes dhe përpjekjes së vazhdueshme për të heshtur zërat kritikë.

Motoja e samitit lidhet me “Shqipërinë 2030” dhe aspiratën e propaganduar edhe gjatë fushatës së fundit elektorale nga Partia Socialiste për t’u integruar në BE brenda këtij viti. Aktivistët e përdorën pikërisht këtë moto dhe organizim t’i dërguar një mesazh politik kryeministrit Rama.

“Ajo që ne nuk e kuptojmë është se si mund të ketë aspiratë për BE, ndërkohë që nuk i hiqet imuniteti një ish-ministreje, e cila akuzohet për abuzim me detyrën dhe korrupsion”, u shpreh për Citizens.al Mirela Ruko, përfaqësuese e Lëvizjes Bashkë, duke theksuar se këto dy qëndrime nuk mund të bashkëjetojnë.

Ruko tha se dhuna e policisë ishte e pajustifikuar pasi nisi sapo aktivistët iu afruan Pallatit të Kongreseve.

“Në asnjë moment nuk kemi tentuar të hyjmë brenda në takim; thjesht kemi qëndruar në shesh për të shprehur publikisht qëndrimin tonë”, vijoi ajo.

Emiljando Kita, një prej pesë aktivistëve të shoqëruar dhunshëm nga policia, tha për Citizens.al se rasti tregoi për funksionimin problematik që ka shteti shqiptar.

“Pa e hapur ende banderolën, erdhi policia dhe na u sulën! Na morën zvarrë, pa asnjë arsye. Ndërkohë, ligji për tubimet dhe Kushtetuta na garantojnë të drejtën për t’u shprehur publikisht dhe politikisht”, tha Kita.

Sipas tij, kjo situatë reflekton një zgjedhje politike të bërë nga kryeministri.

“Duket se zgjedhja është bërë: me Belinda Ballukun, me të korruptuarit dhe oligarkët, dhe jo me BE-në”, përfundoi ai.

Sipas Lëvizjes Bashkë, çdo vit Shqipëria humbet dhjetëra mijëra qytetarë për shkak të korrupsionit, padrejtësisë dhe varfërisë. Sipas tyre, një sistem që mbyll mundësitë i shtyn qytetarët drejt emigrimit, ndërsa organizimi i samitit në këto kushte është propagandistik.

Samiti i Diasporës ka nisur prej së hënës dhe është i katërti i organizuar deri më tani. Ky format u nis në vitin 2016, gjatë mandatit të parë të Partisë Socialiste.

Samiti i dytë u mbajt në pranverë të vitit 2019, kur Shqipëria kishte një ministër të posaçëm për diasporën, Pandeli Majkon. Organizimi i tretë u zhvillua në vitin 2023, me fokus përfshirjen e emigrantëve në jetën shoqërore dhe ekonomike të vendit, si dhe të drejtën e votës, e cila u realizua në zgjedhjet e majit 2025.

The post “O me Ballukun, o me BE-në”; Lëvizja Bashkë mesazh Ramës gjatë Samitit të Diasporës appeared first on Citizens.al.

Mbyllja e “Lol Albania” ngre diskutime për politikat e platformës Meta

Mbyllja e faqes satirike “Lol Albania,” njohur rëndom si “Lolita” në rrjetet sociale ka kthyer në diskutim mekanizmat që platformat përdorin për të moderuar përmbajtjen dhe rrezikun që ato të keqpërdoren si censurë në hapësirën digjitale.

Administratorët e faqes pretendojnë se janë raportuar në mënyrë të qëllimshme nga një fushatë e orkestruar për t’iu kufizuar përmbajtjen kritike. Ata e argumentojnë këtë me faktin se raportimet në Meta janë bërë për shkelje të së drejtës së autorit.

Ekspertë të sigurisë digjitale ndanë me Cizitens.al shqetësimet e tyre për mënyrën sesi funksionon ky mekanizëm dhe rreziqet për abuzime.

Sipas administratorëve të “Lolita”-s, gjithçka nisi me publikimin e një fotografie ku shfaqej Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe imami Ahmed Kalaja në një iftar gjatë muajit të Ramazanit. Ata thanë për Citizens.al se fotografia qarkullonte gjerësisht edhe në faqe dhe portale të tjera.

“Na e hoqën [postimin] me pretekstin e copyright-it,” tha për Citizens.al një prej administratorëve të faqes, e cila mban qasje anonime dhe i prezantohet publikut vetëm me nofkën popullore “Lolita”.

“Kur filluam të themi se po na censuronte Ahmed Kalaja, [prirja] vazhdoi me raportime të tjera, po për copyright”, shpjegoi më tej një prej administratorëve duke shtuar se në të tillë mënyrë ishin fshirë edhe postime të tjera.

“Ndër to edhe një postim i kryeministrit, i cili ishte i njëjtë me atë të Ahmed Kalasë dhe thamë me ironi: ‘Pse po kopjon hoxhën e Surrelit’.”

Administratorët thonë se kanë marrë njoftime zyrtare nga platforma Meta për çdo përmbajtje të hequr, ku, sipas tyre, rezulton se raportimet janë bërë nga i njëjti person. Ata shtojnë se edhe përmbajtje sarkastike dhe pa kritikë direkte janë fshirë, ndërsa dyshojnë për raportime të organizuara nga ndjekës.

“Po mundohemi përmes një kompanie [të rikuperojnë faqen]; jemi ende në pritje të përgjigjes”, thanë ata.

Nisur nga ky rast, pati një reagim nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), i cili theksoi se liria e shprehjes është një nga shtyllat themelore dhe nuk kufizohet vetëm te informacioni “i pranueshëm”, por përfshin edhe forma si ironia dhe satira.

“Në këtë kontekst, përdorimi i mekanizmave të raportimit masiv për të mbyllur faqe apo për të heshtur zëra kritikë përbën një formë të rrezikshme presioni ndaj lirisë së shprehjes dhe krijon një precedent shqetësues për censurë indirekte në hapësirën digjitale”, deklaroi AGSH.

Imami Kalaja, i kontaktuar nga Citizens.al nuk iu përgjigj kërkesës për një koment deri në publikimin e këtij artikulli.

Si funksionon raportimi për copyright?

Sipas hulumtueses së të drejtave digjitale, Megi Reçi, sistemi i raportimit për të drejtën e autorit në platforma si Facebook dhe Instagram është formal dhe i bazuar kryesisht në vetëdeklarim.

“Raportimi mund të bëhet vetëm nga pronari i së drejtës ose një përfaqësues i autorizuar ligjërisht. Procesi realizohet përmes një formulari online, ku kërkohet identifikimi i veprës origjinale, linku i përmbajtjes që pretendohet si shkelje dhe një deklaratë mirëbesimi nga ankuesi që pretendimi është i saktë”, shpjegoi Reçi.

Në praktikë, sipas saj, verifikimi nga platforma është i kufizuar dhe shpesh i automatizuar.

“Ai nuk përbën një hetim të thelluar mbi pronësinë reale të përmbajtjes. Për këtë arsye, platforma është kritikuar vazhdimisht për heqje përmbajtjesh apo mbyllje llogarish të automatizuara dhe të paverifikuara”, argumenton Reçi.

Sipas saj, në rastin e Lolitës transparenca është e kufizuar.

“Përdoruesit zakonisht marrin vetëm një njoftim standard për shkelje të copyright-it dhe disa të dhëna bazë mbi palën ankuese. Nuk ka një arsyetim të detajuar mbi vendimin”, theksoi Reçi.

Kjo bëhet problematike sidomos për përmbajtje me interes publik, si satira apo materialet gazetareske, të cilat mund të fshihen në mënyrë të përsëritur pa një vlerësim transparent dhe kontekstual.

“Në Shqipëri, ky shqetësim është manifestuar shpesh në praktikë, duke rezultuar në abuzim me mekanizmat e raportimit për të targetuar gazetarë, aktivistë apo grupe të ndryshme. Platformat kanë dështuar në disa raste të identifikojnë raportimet abuzive dhe, si pasojë, kanë censuruar përmbajtje legjitime”, shtoi ajo.

Mungesa e kuadrit ligjor

Një tjetër problem lidhet me mungesën e një kuadri të qartë ligjor për përgjegjësinë e platformave online në Shqipëri.

Meta nuk ka përfaqësi ligjore në vendin tonë dhe operon përmes politikave të saj globale, përfshirë mundësinë e kontaktimit të një agjenti të angazhuar për çështje të së drejtave të autorit, i cili zakonisht operon në nivel ndërkombëtar.

Sipas hulumtueses së të drejtave digjitale, Megi Reçi, vendimmarrja e platformave të Metës mbështetet në sisteme algoritmike që mund të jenë, jo vetëm të gabueshme, por dhe të manipulueshme.

“Platforma nuk ka detyrim të drejtpërdrejtë ligjor për të dhënë llogari mbi vendimet e saj në Shqipëri, as për të garantuar moderim nga staf që njeh gjuhën dhe kontekstin lokal”, shpjegoi Reçi.

Nëse një përmbajtje nuk rikthehet pas ankimit brenda platformës, opsionet për mjete të tjera ligjore mbeten të kufizuara, një situatë që, sipas saj, ngre shqetësime serioze për transparencën dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes në mjedisin digjital.

“Veçanërisht në vende si Shqipëria, ku mungon rregullimi ligjor për platformat online”, përfundoi Reçi.

Lexo gjithashtu:

The post Mbyllja e “Lol Albania” ngre diskutime për politikat e platformës Meta appeared first on Citizens.al.

“Rruga që ecën ngadalë”: 6 km i parë i Tiranë–Durrës hapet në maj

Rruga që lidh Tiranën me Durrësin është një nga segmentet më të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri. Me një gjatësi prej rreth 30 kilometrash dhe me një fluks të lartë të qarkullimit ditor, ajo konsiderohet si “arteria” ekonomike që lidh kryeqytetin me portin kryesor të vendit dhe bregdetin.

Por, prej vitesh, kjo autostradë është kthyer në simbolin e një tjetër realiteti, premtime të përsëritura për zgjerim, shtyrje afatesh dhe punime që nuk mbarojnë.

Hapje e segmentit brenda javës së parë të majit

Në një nga shëtitjet e zakonshme të ndjekura me kamera, më 9 prill, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi u shpreh se zgjerimi i rrugës ka pasur operacione të vështira gjatë zbatimit, pasi janë përpjekur të mos pengojnë qarkullimin e mjeteve.

“Dëshira jonë ka qenë që ta kishim përfunduar brenda muajit dhjetor këtë vepër dhe më pas deri në vjeshtë punimet të kishin ecur në ritme shumë të mira”, u shpreh ministri Karakaçi, por sipas tij për shkak të dimrit të lagësht është shtyrë afati.

Sipas kreut të ARRSH-së, Ami Kozeli, në këtë aks kalojnë 90-120 mijë mjete në një ditë normale dhe aksi është përmirësuar në kategori.

“Ne tani do të bëjmë një përmirësim të kategorisë rrugore duke e kaluar edhe në kategorinë A. Ç’ka nënkupton që edhe aksesi do të fillojë të limitohet, për të gjithë subjektet dhe kjo na ka kërkuar një vështirësi të madhe sepse jemi të detyruar të bëjmë menaxhimin e trafikut”, u shpreh Kozeli.

Sipas Kozelit, rruga do të ketë 3+1 korsi, 3 korsi me nga 3.75 metër dhe një korsi emergjente me gjerësi 3 metër. Ndërsa në muajt në vijim do të ketë edhe arredim urban, që sipas ministrit Enea Karakaci, është merak i veçantë i kryeministrit Rama.

“I kemi krijuar vëmendje të veçantë edhe porosisë së kryeministrit për korridoret e gjelbra”, u shpreh ministri, e pohuar edhe nga kreu i ARRSH-së, i cili u shpreh se përveç gjelbërimit do të ketë edhe barriera akustike dhe ndriçim.

Superstrada Tiranë – Durrës fillon nga mbikalimi i Kamzës deri tek Ura e Dajlanit.

Me mbarimin e punimeve, limiti i shpejtësisë për makinat që do të përshkojnë këtë segment do të jetë 130 km në orë. Volumi i trafikut në këtë aks përgjatë muajve të verës shkon nga 90’000 deri 120’000 makina në 24 orë.


Premtime të pambajtura

Mirëpo, edhe pse u cilësua si brenda parashikimeve të kontratës, ka pasur premtime për ta mbyllur këtë segment më herët. Në tetor 2025, ish-ministrja e Insfrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një inspektim që kreu në këtë segment u shpreh se loti i parë do të jetë I hapur për qarkullimin e makinave deri në fund të dhjetorit 2025.

Ecuria e projektit është shumë e mirë. Pra, faza e parë është 65% ecuria dhe në fazën e dytë 85%. Domethënë ne shpresojmë që për festat e fundvitit ta kemi dorëzuar, pavarësisht se afati kontraktual është shtatori i vitit 2026“, -u shpreh asokohe Balluku.

Sipas kontratës, faza e dytë pritet të mbyllet në shtator të 2026, ndërsa duke parë shtyrjen e afatit për 6 kilometrat e parë, nuk dihet se kur do të mbyllet e gjithë superstrada.

Punimet për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës nisën gjatë vitit 2024. Punimet janë ndarë në tre faza. Për fazën e parë u vunë në dispozicion nga buxheti i shtetit 1.7 miliardë lekë, tender i fituar nga “Bami Holding” në bashkëpunim me “Curri shpk”.

Edhe faza e dytë kishte të njëjtin fond limit, rreth 1.7 miliardë lekë. Fitues në këtë fazë ishin “Elmazaj Konstruksion”, “Nderimi shpk” dhe “Ndregjoni”.

Për fazën e tretë, ky financim rritet duke shkuar në 2.5 miliardë lekë, pasi parashikon edhe një nyje lidhëse në Laknas. Shqetësimit të qytetarëve për heqjen e dy mbikalimeve gjatë punimeve nga 5 në total, kreu i ARRSH-së iu përgjigj se do të rivendoseshin sërish në vendin ku ishin më herët.

Lexo gjithashtu:

The post “Rruga që ecën ngadalë”: 6 km i parë i Tiranë–Durrës hapet në maj appeared first on Citizens.al.

Pas 28 vitesh refuzime, vjen “versioni socialist” i ligjit për referendumet

Në Shqipëri e drejta për referendum rrjedh nga Kushtetuta, por ende mbetet një mekanizëm i papërdorur nga qytetarët. Ishte viti 1998, kur shqiptarët votuan për herë të fundit në një referendum dhe ky rast ishte për miratimin e Kushtetutës, ligjit më të lartë të Republikës.

Shkak për këtë boshllëk është bërë mungesa e rregullimeve ligjore që qartëson procedurat që do të mundësonin mbajtjen e referendumeve në nivelin qendror edhe lokal.

Në vitin 2015 Kuvendi miratoi ligjin 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, ku adresohet edhe mbajtja e referendumeve. Mirëpo, as ky ligj nuk detajon procedurat e mbajtjes dhe organizimit të referendumeve.

Ndër vite, mungesa e vullnetit politik ka vrarë një sërë nismash për ligjin mbi referendumet. Në 2013, Aleanca Kundër Importit të Plehrave, një grup aktivistësh e qytetarësh fituan të drejtën në Gjykatën Kushtetuese për të mbajtur referendum. Mirëpo, një valë protestash masive e detyruan qeverinë e re të socialistëve në atë kohë, të hiqte dorë nga importi i plehrave, duke e bërë të pakuptimtë mbajtjen e referendumit.

Projektligji dështoi 3 herë:

  1. Në vitin 2018 një projektligj “Për Referendumet” u krijua nga INFOCIP (Qendra për Çështjet e Informimit Publik) u depozitua në Kuvend nga deputetja Rudina Hajdari, por Kuvendi nuk e kaloi në fazë diskutimi.
  2. Në janar të vitit 2021, një grup qytetarësh dhe aktivistësh ndërmorën nismën për mbledhjen e 20 mijë firmave për të propozuar një ligj të ri për referendumet, por nuk rezultoi e suksesshme pasi nuk u arrit që të mblidheshin firmat brenda afatit të parashikuar.
  3. Në vitin 2023, pati sërish tentativa, ku juristi Ilir Aliaj bashkë me të tjerë kolegë hartuan një tjetër draft-ligj dhe e depozituan në Kuvend përmes deputetit Dashamir Shehi. Por, sërish kjo nismë nuk shkoi më tej.

“Rikthehet ligji për Referendumet, në versionin e Socialistëve”

Mazhoranca socialiste ka nxjerrë për konsultim një projektligj të ri për rregullimin e procedurave të referendumeve, pas refuzimit të njëpasnjëshëm të iniciativave të tjera.

Gjatë prezantimit, Taulant Balla theksoi se Kushtetuta parashikon referendum për ligje dhe për çështje të veçanta, ndërsa projektligji i ri i ndan ato në kushtetuese, të përgjithshme dhe vendore. Referendumet për çështje specifike do jenë konsultative dhe jo detyruese.

Ai shtoi se për ndryshimet kushtetuese kërkohet fillimisht një shumicë prej 2/3 në Kuvend, përpara votimit qytetar, ndërsa synohet edhe kufizimi i afateve të procedurave në maksimum 3 muaj.

Reagimet për projektligjin e referendumeve

Ndërsa projektligji pritet ti nënshtrohet konsultimit publik, shoqëria civile dhe partitë opozitare e kanë pritur me kritika.

Rigels Xhemollari nga organizata “Qëndresa Qytetare”, që ka ndërrmarrë ndër vite me dhjetëra peticione, shprehet për Citizens.al se ky projektligj e zhvesh në fakt qytetarin nga e drejta për të vendosur.

“Projekti i PS-së parashikon që nismën për referendum kushtetues mund ta marrë vetëm 2/3 e deputetëve dhe jo vetë populli”, argumenton Xhemollari.

Sipas tij, është e padrejtë që referendumet e përgjithshme dhe ato vendore të quhen të tilla.

“Në artikulimin e projekt-aktit ngjajnë më shumë si sondazhe qytetare të organizuara me para publike, pasi fuqia e qytetarëve do te jetë vetëm konsultative, pra jo vendimmarrëse”, u shpreh Xhemollari.

Të njëjtin mendim ndan edhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, duke shtuar se vullneti i popullit përmes këtij mekanizmi mund të injorohet nga maxhoranca qeverisëse.

“Shtohet propozimi i referendumit konsultativ (këshillimor) i cili shërben vetëm si mjet për të matur opinionin publik, si një lloj sondazhi, përpara marrjes së vendimeve politike nga Kuvendi”, tha Muçi për Citizens.al.

Ndërsa për referendumin kushtetues, Xhemollari thotë se PS propozon si kriter votën e më shumë se 50% të qytetarëve me të drejtë vote.

“Ky parashikim bie ndesh me të dhënat faktike të pjesëmarrjes në zgjedhje, pasi sipas te gjitha analizave rreth 50% e zgjedhësve tashme jetojnë jashtë vendit”, argumenton ai.

Dorina Prethi, zëvendës kryetare e “Shqipëria Bëhet” tha për Citizens.al se çdo nismë për rregullimin e ligjit për referendumet është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të demokracisë direkte në vend, por thelbi duhet të jetë garantimi i vullnetit të qytetarëve.

“Nëse projektligji i propozuar nga mazhoranca nuk adreson sfidat si: pragjet e larta, procedurat burokratike dhe mungesa e garancive për administrim të paanshëm, atëherë ligji për referendumet rrezikon të mbetet një instrument thjeshtë formal”, u shpreh Dorina Prethi për Citizens.al.

Për deputetin e Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ky projektligj nuk përbën ndonjë risi dhe as e zgjeron ligjin për referendumet si mekanizëm të ushtrimi të demokracisë së drejtpërdrejtë.

“Sipas këtij projektligji, iniciativa qytetare kufizohet vetëm te shfuqizimi i një ligji të caktuar, çka është një e drejtë që e njeh edhe Kushtetuta dhe nuk shtrihet te mundësia për të propozuar një ligji të ri”, argumenton Muçi.

Sipas tij, edhe për referendumin që kërkon shfuqizimin e një ligji është vendosur kusht që të marrin pjesë të paktën 40% e zgjedhësve të regjistruar.

“… çka është një shifër mjaft e lartë, e ngjashme me pjesëmarrjen e zakonshme në zgjedhjet e përgjithshme”, shprehet deputeti Muçi.

Erald Kapri, deputet i Partisë Mundësia tha për Citizens.al se deri më tani referendumi ka munguar pasi kushdo që ka qenë në pushtet ka dashur të mbajë sa më larg qytetarët nga vendimmarrja e rëndësishme.

“Referendumet janë forma më e lartë e demokracisë siç funksionon në shumë vende në Perëndim, por në Shqipëri është zvarritur pasi udhëheqësit politikë nuk kanë dashur kokëçarje në vendimmarrjet e tyre”, u shpreh deputeti Kapri.

Për të, pas kësaj nisme ka një prapavijë politike krejt tjetër.

“Hapja e kësaj teme nga maxhoranca lidhet tërësisht me betejën që ajo më drejtësinë. Ndaj çdo iniciativë ligjore që është propozuar nga ata lidhet vetëm me faktin se si të krijojnë barriera për të shpëtuar nga llogaridhënia për korrupsionin e gjithë këtyre viteve”, argumentoi Erald Kapri.

Sipas tij, ndryshimi i Kodit të Procedurës penale ku ministrat nuk mund të pezullohen nga gjykata, ulja e numrit të deputetëve, kanë si synim që Rama dhe të vetët të jenë të paprekshëm nga drejtësia.

“Të ndryshosh Kushtetutën me referendum është mision pothuaj i pamundur, por në fund, maxhoranca synon vetëm garanci ekstra ligjore për të mbijetuar politikisht”, deklaroi Kapri.

Për Dorina Prethin, shqetësim serioz është presioni mbi zgjedhësit në Shqipëri.

“Kur zgjedhjet shpesh shoqërohen me patronazhim politik apo presion administrativ, ekziston rreziku që i njëjti fenomen të transferohet edhe tek referendumet. Pa garanci të forta për votë të lirë dhe të fshehtë, edhe referendumi mund ta deformojë vullnetin e qytetarëve”, deklaroi Prethi.

Ndërsa nuk ngurron të përmendë faktin që ky projektligj është një nga shtyllat e programit të “Shqipëria Bëhet”.

“Një “falënderim” shkon për mazhorancën që po kujdeset të marrë në konsideratë idetë tona, ndoshta jo nga bindja, por nga nevoja për të ruajtur pushtetin me çdo kusht”, përfundoi Dorina Prethi.

Lexo gjithashtu:

The post Pas 28 vitesh refuzime, vjen “versioni socialist” i ligjit për referendumet appeared first on Citizens.al.

Krimet mjedisore në Shqipëri: Shumë shkelje, pak ndëshkime

Krimet mjedisore në Shqipëri po shtrihen në përmasa të gjera, ndërsa ndëshkimi i tyre mbetet sporadik dhe i dobët. Raportet tregojnë një zinxhir institucionesh të fragmentuara, me mungesë koordinimi dhe kapacitete të kufizuara për hetim dhe ndjekje penale.

Në praktikë, shkeljet evidentohen, por rrallë përkthehen në dënime efektive apo rikuperim të dëmit. Kjo krijon një klimë pandëshkueshmërie që po nxit vazhdimësinë e dëmtimit të mjedisit.

Sipas një serie raportesh të publikuara nga Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri (REC Albania), mbi rolin e organeve administrative në drejtësinë mjedisore dhe të Policisë së Shtetit, në kuadër të projektit EJA (Environmental Justice Albania), financuar nga BE-ja, problemet përfshijnë ndotjen nga mbetjet urbane dhe industriale, derdhjen e ujërave të zeza, degradimin e tokës dhe erozionin e lartë që prek deri në 36% të territorit.

Pyjet janë ndër sektorët më të goditur. Në dy dekadat e fundit, vendi ka humbur rreth 300 mijë hektarë pyje, ndërsa prerjet tejkalojnë disa herë ritmin e rigjenerimit natyror.

Zjarret, ndërkohë, kanë shkaktuar dëme masive, me mbi 456 hektarë të djegur dhe humbje ekonomike prej 2.6 milionë eurosh.

Sipas Mihallaq Qirjos, drejtues i REC Albania, mungesa e drejtësisë mjedisore është një problem strukturor në të gjithë zinxhirin institucional, nga agjencitë ligjzbatuese te policia dhe deri te gjykatat.

“[…] problematika lidhet me kapacitetet tejet të kufizuara njerëzore, mungesën e specializimit për çështjet mjedisore brenda institucioneve të drejtësisë dhe fragmentarizimin e roleve dhe përgjegjësive institucionale”, tha Qirjo.

Reforma me konfuzion dhe ndëshkimet e kufizuara

Një nga problemet kryesore që evidenton raporti është mënyra si janë organizuar institucionet.

Deri në vitin 2019, Inspektorati Shtetëror për Mjedisin, Pyjet, Ujin dhe Turizmin (ISHMPUT) kishte kompetenca të qarta dhe raportim të rregullt. Pas reformës, ky institucion u shpërbë dhe kompetencat u ndanë mes 5 agjencive dhe inspektorate:

Agjencia Kombëtare për Zonat e Mbrojtura (AKZM), Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), Agjencia Kombëtare e Pyjeve (AKP), Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB) dhe Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT).

Sipas raportit, kjo solli mbivendosje kompetencash, paqartësi përgjegjësish dhe mungesë koordinimi institucional.

Përgjatë viteve 2014-2019, Inspektorati i Mjedisit dhe Pyjeve dhe ISHMPUT vendosën 1,329 gjoba me vlerë rreth 6.2 milionë euro, dhanë 104 paralajmërime dhe pezulluan aktivitetin në 277 raste.

Por, sipas raportit, inspektimet kanë qenë sipërfaqësore dhe në shumicën e rasteve nuk janë plotësuar procesverbalet.

“Referuar të dhënave për arkëtimin e gjobave nga shoqëritë përmbarimore (rreth 11.4%), konstatojmë se sistemi nuk ka funksionuar, pasi është humbur përgjegjësia dhe interesi nga të dy palët”, theksohet në raport.

Për gjobat e vendosura nga AKM nuk ka statistika të sakta mbi vjeljen, pasi proceset janë zgjatur dhe shumë pak gjoba janë arkëtuar.

“Referuar edhe raporteve të KLSH, vetë raportet nuk i referohen gjobave të trashëguara nga ISHMPUT deri në vitin 2019”, thuhet më tej në raport.

Për vitet 2014-2024, vlera e pa-arkëtuar e dëmeve nga kundërvajtjet administrative në pyje dhe zona të mbrojtura arrin në 12,025,748,000 lekë (rreth 122 milionë euro).

Qirjo thekson për Citizens.al se vonesat shumëvjeçare në ndëshkim dhe vjeljen e gjobave japin një mesazh të gabuar dhe nuk ndihmojnë në parandalimin e dëmeve.

“Veprat penale kundër mjedisit kërkojnë reagim të shpejtë për mbledhjen e provave dhe ndalimin e dëmeve për kundërvajtje të tjerë, si në rastet e zjarrvënieve, gërmimeve në lumenj, vrasjes së kafshëve, apo hedhjes së mbetjeve”, tha ai.

Raporti evidenton gjithashtu se 61 subjekte që operojnë në fondin pyjor dhe kullosor (si hidrocentrale, miniera gurore etj) kishin detyrimin të pyllëzonin 1,880 ha dhe të përmirësonin 360 ha kullota. Por që institucionet nuk i kanë kontrolluar këto subjekte dhe nuk kanë informacion nëse detyrimet e tyre janë përmbushur.

Krimet mjedisore jashtë radarit të policisë

Kodi Penal përfshin 19 vepra penale kundër mjedisit, por numri i rasteve të trajtuara dhe i dënimeve mbetet i ulët.

Këto përfshijnë ndotjen e ajrit, ujërave dhe tokës, prerjen e paligjshme të pyjeve, transportin e mbetjeve dhe trajtimin e lëndëve radioaktive.

Sipas raportit, gjatë viteve 2019-2023 janë regjistruar 30-90 raste në qarqe si Elbasani, Korça dhe Tirana.

Megjithatë, edhe pse zbulueshmëria ka qenë relativisht e lartë, arrestimet kanë qenë të pakta dhe shumica e rasteve janë trajtuar me procedim në gjendje të lirë.

Në Korçë, sipas raportit, për vitin 2023 pati 92 raste dhe vetëm një arrestim çka tregon “për një sistem që funksionon në letër, por jo në praktikë”.

Ndërkohë, prerja e paligjshme e pyjeve mbetet vepra më e shpeshtë: 68% në Elbasan, 82% në Korçë dhe 53% në Tiranë.

Pas saj renditen ndotja (17%), prerja e drurëve dekorativë e frutorë (6%) dhe zjarrvëniet (2%).

Nga tre qarqet e analizuara (Tiranë, Elbasan, Korçë), Korça rezulton se ka pasur përqendrimin më të lartë të veprave penale në raport me popullsinë.

Nga ana tjetër raporti thekson se krimet mjedisore nuk trajtohen si prioritet strategjik në politikat e sigurisë. Ai vë në dukje se në strategjitë 2019-2024 të Policisë së Shtetit mungojnë objektiva dhe burime për këtë fushë.

Sipas Qirjos, reagimi i ulët qytetar lidhet me mungesën e besimit te institucionet. Ai mori si shembull përvojën e shkuar me “Komisariatin Digjital”, ku sipas tij qytetarët reagonin kur kanali i komunikimit ekzistonte.

“Njohja me veprat penale për mjedisin është detyrë në vijimësi për të ngritur ndërgjegjësimin dhe nxituar reagimin qytetar, ndonëse vetë dhënia e drejtësisë mjedisore përmes ndëshkimit dhe rikuperimit të dëmit janë mjetet më të mirë ndërgjegjësues”, përfundon Qirjo.

Ajo çfarë vihet re në radhët e policisë është edhe mungesa e një personeli të trajnuar për hetimet e krimeve mjedisore.

“Oficerët veprojnë me njohuri të përgjithshme dhe pa mjete teknike për provë. Mungojnë laboratorë, mjete matëse dhe trajnime të vazhdueshme, çka bën që edhe kur ka vullnet, hetimi të mos mund të çojë në rezultat penal”, theksohet në raport.

Lexoni gjithashtu:

The post Krimet mjedisore në Shqipëri: Shumë shkelje, pak ndëshkime appeared first on Citizens.al.

Institucione dhe organizata dënojnë gjuhën diskriminuese në Ferma VIP

Gjuha përçmuese ndaj komuniteti egjiptian, përmes një shprehjeje frazeologjike të përdorur nga moderatorja e emisionit “Ferma VIP”, Arbana Osmani, në televizionin kombëtar “Vizion Plus”, u përcoll me shqetësim nga organizatat e të drejtave të njeriut.

“Edhe kur përdoren pa qëllim të drejtpërdrejtë për të ofenduar, shprehje të tilla vazhdojnë të ushqejnë stereotipe dhe paragjykime që prekin dinjitetin e njerëzve”, u shpreh përmes një deklarater publike, Lëvizja Rinore Egjyptiane dhe Rome.

Sipas kësaj organizate, pjesëtarë të komunitetit egjiptian janë ndjerë të ofenduar dhe kanë kërkuar që moderatorja Osmani të kërkojë ndjesë publike.

“Shfajësimi që u përpoq të bëjë më pas Arbana Osmani duke thënë se ka përdorur një ‘shprehje popullore që tingëllon raciste, për të cilën nuk ishte, nuk ka qenë dhe s’do të jetë kurrë e tillë’, nuk është një kërkesë ndjesë e vërtetë”, thuhet më tej në deklarata.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Qendra për Advokim Social, që lobon për të drejta të barabarta mes pakicave kombëtare.

Njëjtë ka reaguar edhe organizata Drejtësi Sociale, e cila e ka konsideruar shprehjen e përdorur “ke marrë si pushka e jevgut”, si relativizim të një gjuhe që fyen, normalizon, përjashton dhe ul dinjitetin e një komuniteti të tërë.

“Pas çdo ‘shprehjeje të zakonshme’ fshihet një histori paragjykimi që ne nuk duhet ta trashëgojmë më. Komuniteti egjiptian nuk është metaforë, nuk është batutë, është pjesë e shoqërisë sonë, me dinjitet të plotë”, thuhet në reagimin e organizatës Drejtësi Sociale.

Përmes një reagimi publik, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dënoi gjuhën e përdorur.

“Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi shpreh keqardhjen për përdorimin e gjuhës së papërshtatshme dhe steriotipeve racore, e cila nuk parandalohet në kohë reale dhe kanë mundësi të përhapet në rrjetet sociale duke dëmtuar personat e përfshirë dhe më gjerë”, thuhet në deklaratën e Komisionerit.

Sipas Komisionerit, platformat televizive kombëtare kanë përgjegjësi publike për mesazhe gjithëpërfshirëse “që luftojnë diskriminimin, promovojnë Barazinë, si dhe respektojnë dinjitetin e çdokujt”.

Mes të tjerash, Komisioneri bëri thirrje ndaj produksionit të emisionit dhe televizionit “Vizion Plus” të krijojë mekanizma parandalues dhe trajtimin e gjuhës së papërshtatshme në transmetimet e tyre.

Lexoni gjithashtu:

The post Institucione dhe organizata dënojnë gjuhën diskriminuese në Ferma VIP appeared first on Citizens.al.

❌