E rëndë: Ndërron jetë fëmija i goditur nga vetura në Zhur pas 11 ditësh luftë për jetën
Ka ndërruar jetë fëmija që ishte goditur nga një veturë më 27 maj në fshatin Zhur të Prizrenit, pas 11 ditësh betejë për jetën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sipas informacioneve, aksidenti kishte ndodhur rreth orës 15:20 në rrugën “Sali Zhuri”, kur një veturë e tipit Citroen C2, që drejtohej nga një grua, kishte goditur fëmijën sapo ai kishte dalë në rrugë nga oborri i shtëpisë së familjes së tij.
Burimet bëjnë të ditur se pas goditjes, fëmija ishte tërhequr zvarrë nga automjeti deri në ndalimin e tij përfundimtar, duke pësuar lëndime të rënda, veçanërisht në pjesën e kokës.
Fillimisht ai ishte trajtuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, por për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore ishte transferuar në QKUK për trajtim të specializuar.
Sot, më 7 qershor, autoritetet janë njoftuar nga QKUK se fëmija nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra në aksident.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërsa rasti tashmë pritet të trajtohet si aksident trafiku me pasojë vdekjen.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post E rëndë: Ndërron jetë fëmija i goditur nga vetura në Zhur pas 11 ditësh luftë për jetën appeared first on Sinjali.



