Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Gonxhja: Thesaret e ikonografisë shqiptare udhëtojnë drejt Francës

CHAMBÉRY, 5 qershor /ATSH/ – Mbi 45 ikona të përzgjedhura nga fondi i pasur i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar do të prezantohen për herë të parë në Francë, në ekspozitën “Ikonat e Shqipërisë – Thesaret e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës”, e cila do të çelet më 13 qershor në Musée des Beaux-Arts de Chambéry. Ministri Blendi Gonxhja e bëri të ditur lajmin në një postim në rrjetet sociale.

Ekspozita, që do të qëndrojë e hapur deri më 13 nëntor, përbën një ngjarje të rëndësishme kulturore dhe një hap domethënës në promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë shqiptare. Ajo realizohet në kuadër të bashkëpunimit mes Korçës dhe Chambéry-t, me mbështetjen e institucioneve kulturore shqiptare dhe franceze.

Publiku francez do të ketë mundësinë të zbulojë një pjesë të veçantë të artit ikonografik shqiptar përmes veprave që dëshmojnë mjeshtërinë artistike, historinë dhe dimensionin shpirtëror të traditës sonë shumë shekullore. Ekspozita vë në pah veçantinë e artit të krishterë mesdhetar dhe dialogun e tij me traditat artistike evropiane.  

Veprat e ekspozuara janë pjesë e koleksionit të jashtëzakonshëm të Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, i cili administron një nga fondet më të mëdha të ikonografisë bizantine dhe pasbizantine në botë, me mijëra ikona dhe objekte të trashëgimisë kulturore shqiptare.  

Kjo ekspozitë synon të afrojë publikun evropian me një trashëgimi artistike ende pak të njohur jashtë vendit dhe të forcojë më tej urat kulturore mes Shqipërisë dhe Francës.  

The post Gonxhja: Thesaret e ikonografisë shqiptare udhëtojnë drejt Francës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tarantino: Hollywood-i pas pandemisë është kthyer në një “fabrikë sallami pa shije”

LOS ANXHELOS, 4 qershor /ATSH/ Regjisori i njohur amerikan, Quentin Tarantino, ka kritikuar ashpër industrinë e filmit në Hollywood pas pandemisë, duke e cilësuar atë si një “fabrikë sallami pa shije” dhe duke pranuar se sot preferon më shumë të lexojë libra sesa të shohë filma.

Në një artikull të botuar për revistën e kinemasë Sight and Sound, autori i filmave kult si “Pulp Fiction” dhe “Kill Bill” shprehet se e ka gjithnjë e më të vështirë të gjejë filma të rinj që ta magjepsin.

“Më duket pothuajse e pamundur që të dalë një film i ri pa e analizuar deri në imtësi dhe pa i vënë re menjëherë dobësitë”, shkruan Tarantino.

Megjithatë, ai veçoi disa përjashtime, duke vlerësuar filmin “The Rip” të regjisorit Joe Carnahan, me protagonistë Matt Damon dhe Ben Affleck. Ai lavdëroi gjithashtu versionin e ri të “West Side Story” nga Steven Spielberg dhe dy kapitujt e parë të sagës “Horizon: An American Saga” të realizuar nga Kevin Costner.

Sipas Tarantinos, shumë pak filma të viteve të fundit kanë arritur ta “rrëmbejnë” dhe ta çojnë në atë “tokë magjike të kënaqësisë” që dikur e bënte të dashuronte kinemanë mbi çdo formë tjetër arti.

“Ditët e sotme do të preferoja të lexoja një libër”, u shpreh ai.

Regjisori shtoi se, edhe pse i konsideron vitet 1980 si një periudhë jo veçanërisht të fortë për kinemanë, ai i falte dobësitë e filmave të asaj kohe sepse e donte përvojën e të shkuarit në kinema. Sot, sipas tij, vetë koncepti i filmit shpesh i ngjall më shumë përbuzje sesa entuziazëm. 

The post Tarantino: Hollywood-i pas pandemisë është kthyer në një “fabrikë sallami pa shije” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Temperatura rekord dhe reshje ekstreme, OKB paralajmëron për “Super El Niño”

ROMË, 4 qershor /ATSH/ Fenomeni klimatik “El Niño” mund të rikthehet në muajt e ardhshëm me një intensitet të pazakontë, duke rritur temperaturat globale dhe duke sjellë reshje ekstreme në shumë rajone të botës, paralajmëroi Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), agjenci e Kombeve të Bashkuara.

Sipas ekspertëve të WMO-së, ekziston një probabilitet prej rreth 80% që El Niño të formohet para muajit shtator, ndërsa disa modele klimatike sugjerojnë se ai mund të shndërrohet në “Super El Niño”, një nga episodet më të fuqishme të regjistruara ndonjëherë.

“El Niño0 është një fenomen natyror që karakterizohet nga ngrohja e pazakontë e ujërave sipërfaqësore në pjesën qendrore dhe lindore të Oqeanit Paqësor tropikal. Edhe pse ndodh periodikisht, ndikimet e tij ndihen në shkallë globale, duke ndryshuar modelet e reshjeve, temperaturave dhe stuhive.

Ekspertët paralajmërojnë se, i kombinuar me ngrohjen globale të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, “El Niño0 mund të çojë temperaturat mesatare botërore në nivele rekord. Në disa zona priten periudha të gjata thatësire, ndërsa rajone të tjera mund të përballen me reshje intensive, përmbytje dhe fenomene të tjera ekstreme të motit.

Ngjarjet e mëparshme të forta të El Niño-s kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi, furnizimin me ujë, ekosisteme dhe ekonomi në mbarë botën. Episodi i viteve 1997-1998, i konsideruar ndër më të fuqishmit e shekullit të kaluar, solli humbje miliarda dollarëshe dhe ndikoi në jetën e miliona njerëzve.

Organizata Botërore Meteorologjike thekson se monitorimi i vazhdueshëm dhe përgatitja e hershme janë thelbësore për të zbutur pasojat e mundshme të këtij fenomeni klimatik në muajt dhe vitet në vijim.

The post Temperatura rekord dhe reshje ekstreme, OKB paralajmëron për “Super El Niño” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

32 vjet pa Massimo Troisin, aktorin që e bëri napolitanen gjuhë universale

ROMË, 4 qershor /ATSH/ Në historinë e kinemasë italiane ka pak artistë që kanë lënë një gjurmë aq të veçantë sa Massimo Troisi. Tridhjetë e dy vjet pas vdekjes së tij, aktori, regjisori dhe skenaristi napolitan vazhdon të mbetet një pikë referimi për breza të tërë spektatorësh dhe artistësh.

Troisi u nda nga jeta më 4 qershor 1994, në moshën 41-vjeçare, vetëm pak orë pasi kishte përfunduar xhirimet e filmit të tij më të njohur, “Il Postino”, që më pas do të fitonte famë botërore dhe do të nominohej për disa çmime Oscar.

Me stilin e tij të veçantë, zërin e pasigurt dhe humorin e ndërtuar mbi situata të përditshme, Troisi arriti të revolucionarizonte komedinë italiane. Ai e solli dialektin napolitan në ekranin e madh duke e bërë të kuptueshëm dhe të dashur për publikun ndërkombëtar, jo përmes fjalëve, por përmes emocioneve dhe gjesteve që përcillte.

I lindur në San Giorgio a Cremano, pranë Napolit, Troisi u bë i njohur fillimisht në teatër dhe televizion, përpara se të afirmohej në kinema me filma si “Ricomincio da tre”, “Scusate il ritardo” dhe “Le vie del Signore sono finite”.

Edhe pas më shumë se tre dekadash, veprat e tij vazhdojnë të transmetohen dhe të zbulohen nga breza të rinj, ndërsa shumë kritikë e konsiderojnë Troisin një artist që arriti të fliste për ndjenjat njerëzore me një thjeshtësi dhe ndershmëri të rrallë.

Për shumë italianë, Massimo Troisi mbetet jo vetëm një aktor i madh, por një simbol i kulturës napolitane dhe i një mënyre të veçantë për të treguar historitë e jetës së përditshme.

The post 32 vjet pa Massimo Troisin, aktorin që e bëri napolitanen gjuhë universale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Historia e panjohur e vajzës në foton simbol të Republikës Italiane

ROMË, 2 qershor /ATSH/ Tetëdhjetë vjet më parë, fotografi italian Federico Patellani realizoi një nga imazhet më simbolike të lindjes së Republikës Italiane, një fotografi që për dekada mbeti e mbuluar nga misteri.

Në qendër të fotos ishte një vajzë e re, identiteti i së cilës mbeti i panjohur për shumë vite. Vetëm në vitin 2016, falë një hetimi gazetaresk, u zbulua se kush ishte gruaja e portretizuar në këtë imazh ikonik.

Sot, 80 vjet pas referendumit historik të vitit 1946, ekspozita fotografike “Donna Repubblica”, e organizuar nga Muzeu Kombëtar i fotografisë, sjell në vëmendje historinë e kësaj fotografie dhe atmosferën e viteve të pasluftës.

Ekspozita kujton entuziazmin e fushatës referendare dhe pjesëmarrjen historike të grave italiane, të cilat për herë të parë u thirrën të votonin, duke shënuar një moment kyç në historinë demokratike të Italisë. Muzeu ruan fondin e fotografit Patellani, me mbi 600 mijë vepra fotografike që dokumentojnë një periudhë vendimtare të historisë italiane.

The post Historia e panjohur e vajzës në foton simbol të Republikës Italiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohet Giuseppe Ungaretti, mjeshtri i vargut modern italian

MILANO, 2 qershor /ATSH/ Poezia italiane humbi 56 vjet më parë një prej emrave të saj më të shquar. Giuseppe Ungaretti, poet, kritik dhe përfaqësues i madh i Ermetizmit.

Ungaretti ndërroi jetë në Milano gjatë natës mes 1 dhe 2 qershorit 1970, në moshën 82-vjeçare, pas një bronkopneumonie. Pak muaj më parë ai kishte udhëtuar në Nju Jork për të marrë një çmim ndërkombëtar, një udhëtim që, sipas biografëve, ndikoi në përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore.

I lindur në Aleksandri të Egjiptit në vitin 1888, Ungaretti revolucionarizoi poezinë italiane me vargjet e tij të përqendruara, thelbësore dhe të ngarkuara me emocion. Veprat e tij më të njohura përfshijnë përmbledhjet poetike L’Allegria dhe Sentimento del Tempo, të cilat ushtruan ndikim të madh në breza të tërë poetësh.

Në vitin 1965 ai u intervistua nga regjisori dhe shkrimtari Pier Paolo Pasolini për dokumentarin Comizi d’amore. Gjatë bisedës, Ungaretti artikuloi një prej postulateve e tij më të njohura: “Të gjithë njerëzit, në mënyrën e tyre, janë të pazakontë”, duke nënvizuar natyrën komplekse të qenies njerëzore.

Pas vdekjes, ai u varros në Varrezat Verano të Romës pranë bashkëshortes së tij, Jeanne. Trashëgimia e tij vazhdon të mbetet një pikë referimi për poezinë moderne italiane dhe europiane.

The post Përkujtohet Giuseppe Ungaretti, mjeshtri i vargut modern italian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Macet mund të ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë kancerin tek njerëzit

UASHINGTON, 1 qershor /ATSH/ Macet mund të luajnë një rol të rëndësishëm në avancimin e kërkimeve mbi kancerin te njerëzit, sipas një studimi të ri shkencor që ka zbuluar ngjashmëri të konsiderueshme gjenetike mes dy specieve.

Studiuesit analizuan mostrat e tumoreve nga afro 500 mace shtëpiake për të identifikuar gjenet që lidhen me zhvillimin e kancerit. Sipas studimit, të publikuar në revistën shkencore Science, macet ndajnë një pjesë të madhe të kodit të tyre gjenetik me njerëzit, më shumë se disa gjitarë të tjerë si qentë, lopët apo minjtë.

Një nga ngjashmëritë më të rëndësishme u zbulua te gjeni FBXW7, i cili vepron si shtypës i tumoreve si te njerëzit ashtu edhe te macet. Shkencëtarët vunë re se ky gjen ishte shpesh i ndryshuar te tumoret e gjirit te macet, ndërsa mutacionet e tij te njerëzit lidhen me rezultate më të pafavorshme në rastet e kancerit të gjirit.

“Është një mundësi unike për të ndihmuar dy specie njëkohësisht”, tha studiuesja Louise van der Weyden.

Sipas autorëve të studimit, zbulimet mund të kontribuojnë në zhvillimin e trajtimeve më të mira për kancerin te macet, ndërsa njëkohësisht mund të ndihmojnë në kuptimin më të thellë të mekanizmave të sëmundjes te njerëzit dhe në krijimin e terapive të reja.

“Ka një përfitim të dyfishtë, një fitore si për macet ashtu edhe për njerëzit”, tha Geoffrey Wood, bashkautor i studimit.

The post Macet mund të ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë kancerin tek njerëzit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Clint Eastwood tërhiqet nga regjia në moshën 96-vjeçare

HOLLIVUD, 1 qershor /ATSH/ Djali i aktorit dhe regjisorit legjendar Clint Eastwood, Kyle Eastwood, ka konfirmuar se babai i tij është tërhequr zyrtarisht nga regjia e filmave, duke i dhënë fund një karriere të jashtëzakonshme që ka zgjatur më shumë se gjashtë dekada.

Lajmi u bë publik pak ditë pas 96-vjetorit të Eastwood, një prej figurave më të kompletuara të kinemasë amerikane. Në një intervistë për mediet, Kyle Eastwood, muzikant i njohur i xhazit dhe bashkëpunëtor në disa prej filmave të të atit, deklaroi se regjisori tashmë është pensionuar.

“Ai është në pension tani. Kam qenë me fat që kam punuar me të në kaq shumë filma. Ishte një përvojë e mrekullueshme për mua”, u shpreh Kyle.

Clint Eastwood konsiderohet një nga emrat më të rëndësishëm në historinë e Hollivudit, si para ashtu edhe pas kamerës. Ai u bë i famshëm fillimisht me rolet në filmat western. Më pas Eastwood ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme si regjisor, duke realizuar vepra të vlerësuara nga kritika dhe publiku.

Gjatë karrierës së tij si regjisor, Eastwood fitoi katër çmime Oscar, mes tyre dy për filmin dhe regjinë më të mirë tek “Unforgiven” dhe për dramën “Million Dollar Baby”. Ai ka sjellë realizime të shkëlqyera gjithashtu si regjizor me filma si “Mystic River”, “Gran Torino” dhe “American Sniper”.

Filmi i tij më i fundit si regjisor ishte Juror #2, i cili u konsiderua nga shumë kritikë si një përmbyllje dinjitoze e karrierës së tij pas kamerës.

Edhe pse Eastwood nuk do të rikthehet më në karrigen e regjisorit, trashëgimia e tij mbetet ndër më të rëndësishmet në historinë e kinemasë amerikane.

The post Clint Eastwood tërhiqet nga regjia në moshën 96-vjeçare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Elbasani në vëmendjen e mediave italiane me projektin gastronomik Krohn

ELBASAN, 1 qershor /ATSH/ – Në zemër të zonës rurale pranë Elbasanit, rreth 30 minuta larg Tiranës, po tërheq vëmendjen projekti gastronomik Krohn, i fokusuar te mishi i gjahut, produktet e egra dhe kuzhina e lidhur ngushtë me territorin.

Në krye të kuzhinës është shefi italo-shqiptar Bleri Dervishi, i cili emigroi në Itali në vitet ’90 dhe ndërtoi atje formimin e tij profesional përpara se të rikthehej në Shqipëri. Dervishi njihet edhe si themelues i restorantit gastronomik Gzona në Tiranë dhe për angazhimin e tij në promovimin e produkteve vendase dhe të kuzhinës shqiptare bashkëkohore.

Sipas medias italiane CiboToday, Krohn është konceptuar si një destinacion gastronomik ku natyra, produktet e territorit dhe teknikat moderne të gatimit ndërthuren për të krijuar një përvojë autentike, të lidhur ngushtë me peizazhin dhe traditat e zonës së Elbasanit.

Projekti synon të vlerësojë biodiversitetin dhe trashëgiminë kulinare shqiptare, duke i dhënë rëndësi përdorimit të lëndëve të para vendase dhe interpretimit bashkëkohor të tyre. Në këtë mënyrë, Krohn do të shndërrohet në një pikë referimi për gastronominë e territorit dhe një shembull të promovimit të Shqipërisë përmes kulinarisë.

The post Elbasani në vëmendjen e mediave italiane me projektin gastronomik Krohn appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vizatimet minimaliste të maceve bëhen virale në rrjet

TIRANE, 30 maj /ATSH/  Artisti kinez Shou Xin ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale me vizatimet e tij minimaliste të maceve, të realizuara me vetëm disa vija të thjeshta.

Duke punuar kryesisht me laps, ai redukton çdo skicë në elementet më thelbësore, duke u fokusuar te detaje të vogla si qëndrimi, lëvizja dhe veçanërisht shprehja e syve. Megjithëse tepër të thjeshta në pamje, vizatimet arrijnë të përcjellin karakterin, humorin dhe zakonet që e bëjnë çdo mace unike.

Krijimet e Shou Xin janë vlerësuar për aftësinë për të kombinuar minimalizmin artistik me një ndjeshmëri të hollë vëzhgimi, duke dëshmuar se ndonjëherë mjaftojnë vetëm pak vija për të treguar një histori të tërë.

The post Vizatimet minimaliste të maceve bëhen virale në rrjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kate Moss në qendër të filmit të ri “Moss & Freud”

LONDËR, 30 maj /ATSH/ Një prodhim i ri biografik mbi supermodelen britanike Kate Moss hedh dritë mbi një nga periudhat më intriguese të jetës së saj, duke eksploruar marrëdhënien e veçantë me piktorin e njohur britanik Lucian Freud.

Sipas një artikulli të publikuar nga BBC Culture, “Moss & Freud” rrëfen bashkëpunimin mes Moss dhe Freud në vitin 2002, kur modelja pranoi të pozonte për një portret nudo të realizuar nga artisti. Vepra kinematografike fokusohet te miqësia e pazakontë që u krijua mes dy figurave ikonike të botës së artit dhe modës.

Në rolin e Kate Moss interpreton aktorja Ellie Bamber, ndërsa Derek Jacobi luan Lucian Freud. Vetë Moss ka marrë pjesë në projekt si producente ekzekutive, duke kontribuar edhe me kujtime dhe detaje personale nga ajo periudhë e jetës së saj.

Në qendër të rrëfimit është Moss në kulmin e famës ndërkombëtare, por edhe në një moment reflektimi personal, teksa seancat e gjata të pozimit për Freud-in shndërrohen në një proces introspektiv që zbulon anë më pak të njohura të supermodeles.

“Moss & Freud” u shfaq fillimisht në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Londër dhe ka nisur të shfaqet në kinematë britanike këtë javë.

The post Kate Moss në qendër të filmit të ri “Moss & Freud” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Greqi, stacione ushqimi për kafshët endacake në parqe dhe sheshe publike

ATHINË, 29 maj /ATSH/ Disa bashki në Greqi kanë nisur vendosjen e stacioneve të ushqimit për qentë dhe macet endacake në hapësira publike, si pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e mirëqenies së kafshëve dhe menaxhimin e popullatës së tyre në zonat urbane.  

Sipas organizatave për mbrojtjen e kafshëve, këto pika ushqimi po përdoren në disa qytete dhe ishuj grekë, ku vullnetarë, shoqata lokale dhe autoritete bashkiake kujdesen për furnizimin me ushqim dhe ujë, veçanërisht gjatë muajve të nxehtë të verës. Disa prej tyre përfshijnë sisteme të automatizuara dhe funksionojnë me energji diellore.  

Nisma synon të ndihmojë mijëra kafshë endacake që jetojnë në rrugët e vendit, ndërsa njëkohësisht kontribuon në mbajtjen më të pastër dhe më të organizuar të hapësirave publike.  

Megjithatë, deri tani nuk ka njoftime zyrtare që tregojnë se instalimi i këtyre stacioneve po zbatohet si një program kombëtar i qeverisë greke në të gjitha parqet publike. Sipas informacioneve të disponueshme, bëhet fjalë kryesisht për iniciativa lokale të bashkive dhe organizatave të mbrojtjes së kafshëve në zona të ndryshme të vendit.  

Greqia përballet prej vitesh me një numër të lartë qensh dhe macesh endacake, ndërsa ligji i vitit 2021 për mirëqenien e kafshëve u ka dhënë bashkive përgjegjësi më të madhe për sterilizimin, kujdesin dhe menaxhimin e tyre.  

The post Greqi, stacione ushqimi për kafshët endacake në parqe dhe sheshe publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Robert De Niro zbulon filmat e tij të preferuar në “Criterion Closet”

TIRANË, 29 maj /ATSH/ Aktori legjendar Robert De Niro ka zbuluar disa nga filmat e tij të preferuar gjatë një vizite në “Criterion Closet”, hapësira e famshme e koleksionit filmik të The Criterion Collection.

Gjatë zgjedhjeve të tij, De Niro veçoi komedinë italiane të vitit 1958 “Big Deal on Madonna Streets” për të cilën u shpreh se ishte një film “i mrekullueshëm”, si dhe klasikët italianë “Mafioso” dhe “Divorce Italian Style”. Ai zbuloi gjithashtu se kishte diskutuar me regjisorin Martin Scorsese mundësinë e një ribërjeje të “Mafioso”.  

Mes përzgjedhjeve të tij ishte edhe “Blow-Up” i regjisorit Michelangelo Antonioni, të cilin De Niro e cilësoi si një film artistik që arriti të tërhiqte një publik më të gjerë se zakonisht.  

Aktori kujtoi gjithashtu pjesëmarrjen e tij në filmin “One Hundred and One Nights” të regjisores Agnès Varda, ku pati një rol të shkurtër si vetvetja. Ai tregoi se një nga sfidat më të mëdha gjatë xhirimeve ishte të fliste frëngjisht me aktoren Catherine Deneuve.  

Në fund, De Niro përmendi se filmi i tij i preferuar i mjeshtrit italian Federico Fellini është “La Dolce Vita”, duke kujtuar emocionin kur e pa Fellinin në premierën e filmit në Nju Jork.  

“Criterion Closet” është kthyer në një fenomen mes adhuruesve të kinemasë, ku figura të njohura të industrisë zgjedhin dhe komentojnë filmat që kanë ndikuar më shumë në jetën dhe karrierën e tyre.  

The post Robert De Niro zbulon filmat e tij të preferuar në “Criterion Closet” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moda pariziene e verës 2026 rikthen elegancën minimaliste

PARIS, 28 maj /ATSH/ Stili parizien i verës 2026 po rikthen në qendër elegancën minimaliste, kombinimet komode dhe siluetat e rafinuara, sipas një udhëzuesi të publikuar nga  Harper’s Bazaar.

Revista thekson se sekreti i stilit parisien nuk qëndron te ndjekja e verbër e trendeve, por te zgjedhja e veshjeve që i përshtaten personalitetit dhe siluetës së secilit. Këmishat e lirshme, fundet slip, pantallonat e gjera dhe fustanet e lehta mbeten bazat kryesore të garderobës së verës.  

Ndër kombinimet më të spikatura të sezonit janë kostumet me ngjyra neutrale të kombinuara me aksesorë burgundy, xhaketat bomber mbi materiale delikate si mëndafshi apo dantella, si dhe përdorimi i shallit si element stilistik modern.  

Sipas Harper’s Bazaar, parizienet këtë verë po i japin prioritet edhe këpucëve praktike, si balerinat dhe sandalet e sheshta, të kombinuara me çanta të thurura apo shallë mëndafshi për një pamje elegante, por të relaksuar.  

Ngjyrat pastel, tonalitetet chartreuse dhe kombinimet monokromatike po dominojnë gjithashtu stilin e rrugës gjatë Javës së Modës në Paris, duke sjellë një estetikë të sofistikuar dhe moderne.  

The post Moda pariziene e verës 2026 rikthen elegancën minimaliste appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BE gjobit Temu-n me 200 milionë euro për shitjen e produkteve të paligjshme

BRUKSEL, 28 maj /ATSH/ Platforma kineze e shitjeve online Temu është gjobitur me 200 milionë euro nga Bashkimi Europian për shkelje të Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA), pasi nuk mori masa të mjaftueshme për të ndaluar shitjen e produkteve të paligjshme dhe të pasigurta në platformën e saj.  

Sipas rregullatorëve europianë të teknologjisë, hetimi zbuloi se Temu nuk kishte identifikuar dhe vlerësuar siç duhet rreziqet që lidhen me shitjen e mallrave të paligjshme, ndërsa sistemi i rekomandimeve dhe promovimeve në platformë kontribuonte në përhapjen e tyre.  

Komisioni Europian i ka kërkuar kompanisë të paraqesë deri më 28 gusht një plan veprimi për përmbushjen e detyrimeve sipas DSA-së, në të kundërt mund të përballet me penalitete të tjera.  

Temu e cilësoi gjobën “joproporcionale”, duke deklaruar se ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar sistemet e sigurisë dhe mbrojtjes së konsumatorit.  

Hetimi ndaj Temu nisi pas ankesave të organizatave europiane të konsumatorëve dhe është një nga rastet më të mëdha të zbatimit të Aktit të Shërbimeve Digjitale ndaj platformave të mëdha online në BE.  

The post BE gjobit Temu-n me 200 milionë euro për shitjen e produkteve të paligjshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Smart City”, qeveria nis programin për qytetet inteligjente

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo prezantoi sot objektivin për zhvillimin e qyteteve inteligjente përmes programit “Smart City”.

Demo tha se programi do të synojë ndërthurjen e sistemeve të ndryshme që përdoren aktualisht nga bashkitë, në funksion të përmirësimit të menaxhimit urban.

“Kjo do të kërkojë një ndërthurje të sistemeve të ndryshme që sot bashkitë kanë në përdorim”, deklaroi ai.

Sipas ministrit, integrimi i këtyre sistemeve me programin kombëtar “Smart City” do të krijojë instrumente më efikase për administrimin e qyteteve dhe ofrimin e shërbimeve vendore.

The post “Smart City”, qeveria nis programin për qytetet inteligjente appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Demo: 140 hapësira të reja sportive dhe rekreative në nivel kombëtar

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo deklaroi sot se janë identifikuar 140 hapësira në nivel kombëtar për zhvillimin e poleve të reja sportive dhe rekreative.

Demo tha se kjo nismë është pjesë e objektivit për nxitjen e jetesës së shëndetshme dhe përmirësimin e hapësirave publike në komunitet.

“Janë evidentuar tashmë 140 spote në nivel kombëtar për të krijuar këto pole të reja”, u shpreh ai.

Sipas ministrit, projektet do të mbështeten jo vetëm nga programet e qeverisë qendrore, por edhe në bashkëpunim me partnerë të tjerë, përfshirë Federatën Shqiptare të Futbollit. 

The post Demo: 140 hapësira të reja sportive dhe rekreative në nivel kombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qeveria synon autobusë elektrikë në transportin urban vendor

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo bëri të ditur sot se qeveria po përgatit një program pilot për transportin urban publik të bazuar në autobusë elektrikë.

Pas mbledhjes së qeverisë, Demo tha se një numër bashkish do të përfshihen në këtë nismë, ndërsa bashkia e parë pilot do të përzgjidhet brenda tremujorit të fundit të këtij viti.

“Transporti do të jetë i bazuar në autobusë elektrikë. Bashkia e parë e cila do të pilotohet do të jetë brenda tremujorit të fundit të këtij viti”, deklaroi Demo.

Sipas tij, qeveria qendrore do të mbështesë financiarisht bashkitë për të përballuar investimet fillestare të nevojshme për ngritjen e këtij sistemi transporti. 

The post Qeveria synon autobusë elektrikë në transportin urban vendor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Demo: 160 mijë m² hapësira për parkime të reja në 12 bashki

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo deklaroi sot se qeveria ka evidentuar 160 mijë m² sipërfaqe në 12 bashki për ndërtimin e parkimeve të reja urbane.

Gjatë konferencës për shtyp pas mbledhjes së qeverisë, Demo tha se këto hapësira kanë potencial për krijimin e deri në 15 mijë posteve të parkimit.

Sipas tij, projekti fokusohet kryesisht në bashkitë me intensitet të lartë urban dhe me flukse të konsiderueshme turistike.

“Kemi evidentuar plot 160.000 m² sipërfaqe në 12 bashki, të cilat kanë një potencial deri në 15.000 poste parkimi”, tha Demo.

Ai shtoi se ndërhyrja synon krijimin e aksesit më të qëndrueshëm në zonat urbane dhe përmirësimin e funksionalitetit të qyteteve në kushtet e rritjes së turizmit.

The post Demo: 160 mijë m² hapësira për parkime të reja në 12 bashki appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Programi “Rilindja 2.0”, 11 objektiva për zhvillimin rajonal

TIRANË, 28 maj /ATSH/ – Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo prezantoi sot programin “Rilindja 2.0”, një paketë me 11 objektiva strategjikë që synojnë ndërhyrje në territor dhe zhvillim të qëndrueshëm rajonal.

Në konferencën për shtyp pas mbledhjes së qeverisë, Demo tha se programi synon krijimin e një modeli të ri zhvillimi lokal, duke kombinuar identitetin kulturor, inovacionin dhe teknologjinë moderne me nevojat e komuniteteve.

Sipas tij, programi do të fokusohet në forcimin e identitetit lokal përmes ndërtimit të muzeve lokalë, rigjenerimit të hapësirave industriale, përmirësimit të infrastrukturës publike dhe nxitjes së startup-eve në nivel vendor.

Demo theksoi se “Rilindja 2.0” synon gjithashtu zhvillimin e qyteteve inteligjente, transportin urban elektrik dhe përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve në të gjithë territorin.

The post Programi “Rilindja 2.0”, 11 objektiva për zhvillimin rajonal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌