Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Festivali i denoncimeve shpëton vetëm socializmin

Nga Ilir Yzeiri

Protesta që po vazhdon në sheshin para Kryeministrisë tani nuk mund të quhet më as manifestim, as revolucion, as kryengritje. Ajo ngjan me ato mbledhjet e zgjeruara të Frontit Demokratik Antifashist ku, ashtu si në filmat e kinostudios «Shqipëria e Re», çdo natë, bij të popullit, ngjiten në podium dhe shajnë e mallkojnë armikun e brendshëm e ndonjëherë edhe atë të jashtëm ; një protestues arriti deri aty sa tha që nuk ia kemi nevojën as Europës dhe as Amerikës.

Një tjetër u ankua se këta armiqtë që kanë qeverisur në gjithë këta vjet shkatërruan fabrikat, uzinat e gjithçka ishte ndërtuar para se të vinte kapitalizmi shqiptar. Si për ta përmbyllur këtë paradigmë, një protestues tjetër i bëri thirrje SPAK-ut të hetojë e të fusë në burg armiqte e shpallur nga populli antifashist.

Debati i madh që nisi para disa kohësh për sulmin me « review » ndaj biznesit, siç vinin re shumë analistë, të kujtonte shprenësimin e ish- kulakëve dhe tregtarëve të mëdhenj.

Mirepo paradoksi më i madh është se këtë narrativë e kanë bërë për vete një kategori që frymëzojnë protestuesit të cilët vijnë nga fusha e shoqërisë civile apo gazetarisë dhe që janë prej atyre familjeve të cilat, në të shkuarën, ose kanë qenë të lidhura me komunizmin, ose, në disa raste, kanë qenë të goditura nga reformat që ndërmorrën komunistët sapo erdhën në pushtet.

Këta nuk janë kundërshtarë apo pinjollë të kundërshtarëve politikë të komunistëve, janë diku në mes. Në pjesën më të madhe të parët e tyre janë akuzuar prej komunistëve se ishin indiferentë ndaj Luftës Nacionalçlirimtare. Këta ngjajnë më shumë me ata personazhet e Dantes te Ferri që ai i linte në oborr, pra që nuk ishin të denjë as për t’ia kallur në Ferr, por as për t’i lënë jashtë.

Është e çuditshme se si ripërsëriten në nënvetëdijen kolektive klishetë e mëdha dhe stereotipitë që janë përpunuar për një kohë të gjatë në socializëm dhe që shërbejnë si modele të gatshme për të kuptuar e shpjeguar botën. Vetëdija kolektive shqiptare u formësua nga narrativa 45-vjeçare e socializmit dhe nga fjalimet e Enver Hoxhës, nga teksti i madh i shkruar prej fitimtarëve të Luftës Nacionalçlirimtare dhe që kishte në themel të zhvillimit të shoqërisë luftën.

Sipas asaj narrative shoqëria zhvillohet përmes luftës dhe përmes asgjësimit të kundërshtarit. Ndaj edhe sot askush nuk e kupton se çfarë po ndodh në këtë vend. Shoqatat e ruajtjes dhe të mbrojtjes së natyrës apo ato të mbrojtjes së habitatit të shpendëve janë tretur dhe tani është bërë më e vështirë të kuptohet nëse protesta që nisi nga shqetësimi që ngritën ato për dëmtimin që po u bëhet zonave të mbrojtura, e zgjidhi apo nuk e zgjidhi atë problem.

Unë do të kisha dashur që miqtë të këtyre organizatave, që bëjnë një punë të shkëlqyer, si PPNEA dhe AOS, të distonacohen nga narrativa e prodhuar tani në fund dhe t’i dalin zot zemërmit qytetar të Flamengove. Zemërimi qytetar që nisi me metaforën e Zvërncit dhe që u rrëmbye nga inati politik i atyre subjekteve që duan të përfitojnë nga zhvillime të tilla, po e dëmton kauzën e natyrës.

Shqipëria ka shumë probleme, demokracia dhe kapitalizmi shqiptar ka sjellë edhe mjaft padrejtësi e krim, po ashtu, por kjo protestë dhe ky zemërim qytetar duhet të respektojë autorët dhe ata që i hapën sytë shoqërisë mbi një sjellje jo ligjore të qeverisë ndaj zonave të mbrojtura. Nga një pikëpamje tjetër gjithçka që ndodh është e ligjshme dhe e drejtë. Pra edhe ata që protestojnë përditë edhe pse janë rrudhur, edhe ata kanë të drejtën e tyre që të denoncojnë e të marrin fjalën në shesh.

Problemi është se si do të zgjidhet ky ngërç i krijuar atëherë kur të ketë dalë edhe qytetari i fundit që do të marrë fjalën në publik. Mirëpo, me qenë se protesta, për fat të keq është nën zgjedhën e klishesë dhe stereotipisë së narrativës socialiste që e shpjegonte zhvillimin me anë të luftës dhe të përmbysjes, dhe me qenë se protestuesit nuk zbritën nga mali me armë në dorë dhe të çlironin vendin nga pushtuesit e huaj e veglat e tyre, si ata që imitojne këta protestues, atëherë ata do të mbeten si personazhet që luajnë një film të njohur, pra do ta transferojnë përpjekjen e tyre nga realiteti në ligjërim. Ligjërimi apo gjuha janë gracka të rrezikshme për shoqëri të pazhvilluar si kjo e jona.
Protestuesit mendojnë se duke deonocuar, duke mallkuar, duke nxjerrë arkivole në shesh apo duke bërë thirrje për kryengritje, e kanë realizuar qëllimin e tyre dhe madje shkojnë edhe më tej dhe tregojnë edhe si do ta bëjnë këtë përmbysje – duke e tërhequr zvarrë Edi Ramën. Për fat të keq, e gjithë kjo betejë zhvillohet në ligjërim dhe protesta nis dalngadalë e kthehet në një roman, pra në një trillim.

Nëse pesha e narrativës socialiste nuk do të ishte aq e rëndë në nënvetëdijen e atyre që i dalin zot protestës, gjerat do të ishin më të thjeshta. Do të ishte krijuar një Lëvizjë me një grup drejtues, do të ishin regjistruar në Gjykatë si forcë politike dhe gjithë këto energji që i harxhojnë në shesh mund t’i kishin shpenzuar duke organizuar degët e kësaj Lëvizjeje në gjithë vendin, madje edhe në diasporë. Por kjo nuk bën pjesë në kulturën demokratike të shqiptarëve. Te ne udhëheqësi del nga lufta dhe jo nga paqja, nga përmbysja dhe jo nga dialogu.

Edi Rama – Paradoksi i një postmoderni të urryer

Nga Ilir Yzeiri

Ajo që po ndodh me protestat, por sidomos urrejtja që shfaqin në rrjetet sociale shumë adresa shqiptarësh kundër Edi Ramës, është joproporcionale, jo korrekte dhe, në një masë të madhe, shpreh një paradoks. Dhe ky paradoks është vetë kryeministri i Shqipërisë.

Edi Rama e feston ditëlindjen e tij më 4 korrik, ditën e Pavarësisë së Amerikës dhe, pikërisht me këtë fuqi të madhe ose për shkak të kësaj fuqie të madhe, është vënë dy herë përballë shqiptarëve në mënyrë masive. Ata ia kundërshtuan planin e tij për të marrë mbetjet e armëve kimike në nëntorin e largët të vitit 2013. Ai manifestim zgjoi te shqiptarët ndjenjën sublime të atdheut, madje në parrullat e atëhershme u arrit deri atje sa të shkruhej që «Shqipëria nuk do të bëhet Hiroshima e Europës» duke përzier narrativën e bombës atomike në Hiroshimë me antiamerikanizmin europeist majtist. E njëjta gjë po ndodh edhe sot. Protesta që nisi me kundërshtimin e drejtë të organizatave mjedisore ndaj projektit të zhvillimit të zonës Pishë-Poro -Nartë, u transformua në një lëvizje antiamerikane dhe antisioniste me qenë se në qendër të këtij projekti ishte dhëndrri dhe vajza e Presidentit Amerikan, Donald Trump. Ashtu si edhe në protestat për ndalimin e ardhjes së armëve kimike, edhe tani, një pjesë e frymëzimit vinte e vjen nga Kosova dhe nga shqiptarët e Maqedonisë të cilët kujtohen për Shqipërinë sa herë që vjen në pyetje Amerika. Edi Rama shenjon më mirë se cilido tjetër lider i këtij vendi tipin e drejtuesit liberal, postmodern dhe pa referenca historike. Modeli i zhvillimit që ai i ka imponuar këtij vendi me drejtimin afatgjatë, është paradoksi. Ata që kanë qeverisur para tij dhe, mes tyre Berisha, sidomos, mund të veçohen për principialitetin regresiv të shpallur e të mbrojtur. Berisha hyri në politikën shqiptare si aktori kryesor që krijoi kaosin me tokën dhe ligjin e saj. Siç dëshmonte tani në fund ish-Presidenti Bamir Topi, ligji famëkeq 7051 për ndarjen e tokës bujqësore është bërë me këmbënguljen e Berishës.

Socialists në atë kohë nuk donin që toka që do t’u shpërndahej fermerëve, të jepej me tituj pronësie, por në përdorim. Berisha është autori i masakrave dhe luftës civile të vitit 1997, por ai asnjëherë nuk ka qenë i urryer sa ç’është Edi Rama sot. Edhe Enver Hoxha, ai që aplikoi luftën famëkeqe të klasave, nuk është i urryer në rrjetet sociale sa Edi Rama sot.

Paradoksi është se edhe shqiptarët e Kosovës, në masë të madhe, e quajnë Edi Ramën tradhtar dhe Sali Berishën që i shiste naftë Milosheviçit apo që zhduku Remzi Hoxhën, e quajnë patriot. Edi Rama si postmodernist nuk i kushton vëmendje referencave. Ai pati kurajon që në vizitën e parë në Beograd dhe të dytën në historinë e marrëdhënieve mes Serbisë e Shqipërisë ta përmendte pavarësinë e Kosovës atje në krah të Vuçiçit, ashtu si, po me të njëjtën lehtësi, ta bënte Vuçiçin aleat për të demokratizuar Ballkanin, madje të botonte bashkë me të një artikull për promovimin e Ballkanit në BE.

Edi Rama ishte i pari që me lehtësinë më të madhe shpalli moratoriumin për gjuetinë, ndaloi projektin shkatërrues të ndërtimit në Kalivaç. Po ashtu, anuloi edhe dhjetëra e dhjetëra leje që Sali Berisha kishte dhënë për të shkatërruar Valbonën me ndërtime hecesh mbi ata lumë e të tjerë lumenj. Pastaj, me po atë lehtësi që anuloi ato leje, i hapi rrugë ndërtimit të një kompleksi në Manastir në parkun e Butrintit.

Duke qenë postmodern dhe idhtar i liberalizmit, ai i ndërpreu lidhjet me zhvillimin arkitektonik të Tiranës dhe me semantikën e sintaksën e saj. Në vend të tyre ndërtoi një sintaksë tjetër duke e bërë Tiranën laborator për eksperimentet e gjithë arkitektëve të Europës. Me këtë rast ai harroi një thënie të njohur që, nëse do ta shkatërrosh një vend, gjej një ekonomist të mirë që kërkon vetëm fitim dhe një arkitekt që kërkon vetëm ndërtim. Duke qenë nga natyra krenar dhe egocentrist në disa raste, Rama zgjodhi paradoksin dhe konfliktin si forma të qeverisjes.

Ai nuk u interesua kurrë që të ishte vetë në qendër të projekteve madhështore që do të konsolidonin shtetin demokratik. Rasti më flagrant ishte Reforma në Drejtësi, e cila u krye dhe u realizua larg vëmendjes strategjike kombëtare dhe në liri të plotë të atyre që shkatërruan një sistem për të ndërtuar një korporatë, e cila, sot, në shumicën e rasteve, është kthyer në dëm të lirisë së qytetarëve dhe në mbrojtje të padrejtësisë.

Ky paradoks lidhet gjithnjë me natyrën e Edi Ramës si postmodernist që ka në themel gjithnjë ndërtimin e diçkaje të re pa lidhje me të shkuarën, madje duke e shkatërruar atë. Vizioni i tij postmodern ka sjellë një ndryshim të dukshëm të Shqipërisë dhe këtë nuk mund ta mohojë askush, por paradoksi qëndron pikërisht te zhvillimi kontradiktor.

Njeriu që u dha gjithë pushtetin prokurorëve dhe gjytarëve, është masakruar prej tyre dhe ata ia arritën që në këta vjet të ndërtojnë, ku me të drejtë, ku pa të drejtë, narrativën e një vendi që ka një qeveri të kriminalizuar e të korruptuar. Dhe falë kësaj lehtësie, sot janë harruar Gërdeci dhe 21 janari.

Duke ndërtuar institucione të dobëta dhe në dukje demokratike, Edi Rama nuk arriti të ndalonte e të kontrollonte fluksin e parave të pista që ushqenin zhvillimin në këtë vend.

Në emër të lirisë dhe të ndarjes së institucioneve dhe mosndërhyrjes së pushtetit ekzekutiv, u krijuan paradokse të mëdha. Konsorciumi që do të ndërtojë në qendër të Tiranës kullën me emrin Mali i Tiranës, është në hetim për para të ardhura nga trafikimi i drogës. Mesa duket, zhvillimi i lirë dhe pa asnjë kontroll nuk sjell gjithnjë paqe dhe demokraci. Protesta e këtyre ditëve nisi vërtet nga Zvërneci dhe pati në fillim frymëzim ambientalist, por, përditë e më shumë, ajo po nxjerr në pah se modeli postmodernist dhe ai liberal nuk mund të jenë të suksesshëm në një vend që vjen nga shtypja e gjatë dhe nga barazitizmi.

Urrejtja që ka shpërthyer këto ditë ndaj Ramës, por edhe ndaj atyre që mbështesin projektin e tij, është ajo që thoshte filozofi Byung Chul Han se njeriu postmodern vjen një moment dhe kalon nga përtacia mendore në zemërim të thellë. Zemërimi i thellë është shenja që ajo shoqëri nuk ka vdekur.

Ndaj edhe Edi Rama i ka provokuar shqiptarët më shumë se Berisha që dogji Shqipërinë, por sot pretendon se protestat janë kundër Ramës dhe më shumë se Albin Kurti i cili dashurohet në Kosovë sepse është kundër Amerikës dhe Europës dhe se mbyll bizneset shqiptare të Kosovës në mëngjes dhe pasdite nis protestuesit në Tiranë.

Përse Veliaj e zotëroi tërësisht hapësirën publike për një javë

Nga Ilir Yzeiri
Që nga paraqitja e tij në Gjykatën Administrative më 8 maj e deri në fund të javës që pasoi, Erion Veliaj ishte tema e ditës në të gjithë median shqiptare. Ai u rendit i pari duke lënë pas të gjithë aktorët e tjerë politike, të gjitha ngjarjet sensitive që kishte kjo periudhë dhe, për herë të parë, vëmendja ndaj tij kaloi madje edhe kryeministrin Edi Rama. Nuk arritën ta largonin vëmendjen nga Veliaj as koncerti i madh në Sheshin « Italia » në nderim të Ennio Morikones, as protesta e PD-së që u mbajt në të njëtën ditë me paraqitjen e tij në Gjykatën Adnministrative. Jehona vijoi edhe në mediat ndërkombëtare dhe këto ditë një gazetë e njohur e Belgjikës, atje ku ndodhen institucionet e rëndësishme të BE-së, « MorningBrussels », me autor Martin Banks i kushtoi një reportazh të zgjeruar kësaj ngjarjeje duke e vendosur atë në një sfond të gjerë e duke vënë theksin te ndjeshmëria e lartë që ka zgjuar në Shqipëri e në botë rasti Veliaj.
Paralelisht me atë paraqitje të Veliajt ishte edhe fillimi i gjyqit ndaj ish-presidentit Ilir Meta apo vijimi i gjyqit për ish-kryeministrin Berisha dhe dhëndrrin e tij. Por, nëse paraqitja e Ilir Metës në gjykatë dy javë më parë, tronditi opinionin publik kur ai u shfaq i dërrmuar fizikisht në kafazin e qelqtë, këtë radhë, kur ai u paraqit në seancën e gjykimit në themel, vëmendja ishte normale.

Po përse Veliaj ka zënë kryet e vendit në hapësirën publike këto ditë ? Përse opinioni i gjerë po tregon interes për fatin e kryetarit të bashkisë në detyrë Erion Veliaj që mbahet në paraburgim prej gati 500 ditësh ? Arsyet janë të shumta, por ajo që tërhoqi vëmendjen këtë radhë ishte padia e tij ndaj prokurorit Olsi Dado, të cilin Veliaj e akuzon se është emëruar në detyrën e prokurorit jashtë normave dhe kritereve ligjore. Për këtë rast u shprehën më parë edhe ish-presidenti i Republikës Bamir Topi i cili tha se në dosjen e tij nuk ka asnjë dokument përveç shkresës përcjellëse nga ish-prokurorja e përgjithshme Ina Rama. Përfaqësuesja e presidencës aktuale tha në seancën paraprake se nëse një kërkesë e tillë do të kishte ardhur sot, Olsi Dado nuk do të ishte emëruar prokuror i Republikës.

Për seancën gjyqësore të datës 8 maj është folur gjatë. Ajo mori një vlerë të posaçme për shkak se atë ditë aty u paraqit edhe aktori më i madh shqiptar i ditëve tona Robert Ndrenika. Robert Ndrenika e përqafoi Veliajn, e puthi në ballë dhe i tha fjalët që tashmë janë bërë të njohura se çfarë të mbetet nga burgu vij e bëj unë. Reshtimi i hapur i Ndrenikës në krah të Veliajt nxiti urrejtjen dhe fyerjet te ato portale apo te ata individë të cilët prej kohësh e kanë dekonstruktuar edhe punën edhe personazhin e Veliajt, atë vetë e familjen e tij.

Ndërkohë, në anë tjetër, e morën fjalën personalitete të njohura dhe akademikë që jo vetëm mbrojtën Ndrenikën, por i treguan publikut për herë të parë me tone të forta se kultura shqiptare e ndëshkimit popullor komunist duhet të marrë fund. Veliaj është një i ndaluar i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë. Ndërkaq, nëse e sheh këtë ngjarje nga një anë tjetër do të vëresh se popullariteti i Veliajt që mbuloi gjithë aktorët e tjerë vjen nga një shkak i vetëm : për herë të parë publiku pa një shfaqje të drejtpërdrejtë të gjyqeve.

Deri tani në hapësirën publike ka mbizotëruar kultura e dhunës dhe e linçimit mbi të ndaluarit nga SPAK. Kontakti i parë i Veliajt me publikun dhe zhvillimi i një seance e cila, megjithëse u ndalua që të transmetohej live, u përcoll, megjithatë, përmes gazetarëve që ishin atje, krijoi më në fund përfytyrimin e pritur se e mira dhe e keqja tani kanë një emër. Veliaj ka gjetur një argument të thellë juridik dhe i kërkon instancave përkatëse që të shprehen nëse është apo jo i ligjshëm emërimi i porkurorit Olsi Dado. Ata që e kanë për detyrë të sqarojnë këtë pozicion, për fat të keq, duan ta fshehin këtë skandal.

Institucioni që duhet të shprehet për këtë çështje jo vetëm që bëri një paraqitje qesharake në atë seancë, por, tani në fund, ne pamë se çfarë debatesh dhe çfarë cilësie kanë mbledhjet e atij institucioni, në të cilat Kryetarja e KLP-së ulëret e shkel ligjin, ndërsa prokurori i njohur Sokol Stojani shfaqet i tronditur.

Por ngjarja e Veliajt ka edhe anën e vet politike. Erion Veliaj e ka shpallur veten të pafajshëm dhe ka akuzuar politikën, segmente të caktuara të superstrukturës që ndaj tij është ngritur një kurth. Mënyra e trajtimit të tij dhe të çështjes së tij tani i kanë bindur edhe mbështetësit e shumtë të Erion Veliajt se ai është një viktimë e një kombinacioni tipik shqiptar. Heshtja e Partisë Socialiste ndaj skandaleve që po vihen re përditë në çështjen Veliaj, trajtimi çnjerëzor i tij në burgjet shqiptare në kohën kur ministër i drejtësisë ishte socialisti i përkëdhelur nga Rama, Ulsi Manja të bën të dyshosh se brenda Partisë Socialiste diçka është thyer keq. Veliaj tani po fiton mbështetjen e gjerë të popullit socialist sepse të gjithë po binden se ai përfaqëson anën e drejtë të politikës shqiptare dhe se kundërshtarët e tij, ata që nuk e duan lidershipin e tij këtë radhë u gabuan.

Një ditë i mbështjellë me mjerimin e gjykatave shqiptare

Nga Ilir Yzeiri
Ditën e premte, më 8 maj, shkova të ndiqja seancën gjyqësore që do të mbahej në ngarkim të prokurorit Olsi Dado, ndaj të cilit, kryetari i Bashkisë në detyrë, zoti Erion Veliaj, që mbahet i izoluar prej gati 500 ditësh në ambientet e paraburgimit në Durrës, ka ngritur padinë në Gjykatën Administrative dhe i kërkon këtij institucioni që të shprehet nëse emërimi i Olsi Dados si prokuror në vitin 2008 është i ligjshëm apo jo ?

Nganjëherë nuk duhen shumë studime, nuk duhen investigime të holla apo raporte me shumë fletë. Mjafton një ditë që ti të kuptosh mjerimin tragjik të drejtësisë shqiptare. Godina e Gjykatës Administrative, ashtu si shumica e godinave të gjykatave apo të prokurorive, është një ambient që dikur ka shërbyer për një fushë tjetër dhe tani është përshtatur për Gjykatë. E futur thellë, diku afër spitalit ushtarak, ajo ngjan si ato godinat e dikurshme të drejtorive rajonale të barnave për brejtësit e foragjereve. Disa zyra tani janë përshtatur për salla gjykimi.

Pasi regjistrohemi, dëgjojmë në altoparlant spikeren që lajmëron se dikush duhet të futet në sallën 1. Ti mendon se ato janë salla gjyqesh. Në fakt janë zyra të ngushta që janë improvizuar për salla gjykimesh. Na vjen radha edhe neve për t’u futur në të vetmen sallë të madhe të Gjykatës Administrative të Tiranës. Është sa një dhomë shtëpie. Kamerat vendosen në fund dhe para tyre jane tre rreshta ulësesh me nga katër të tilla. Ngjishemi në një resht dhe falë koleges sime, Klodi Lala, arrij të gjej një cep sa pët t’u mbështetur. Hyn Veliaj i shoqëruar me dy policë trupmëdhenj dhe skenat e takimi të tij me Ndrenikën apo dhe me ne të tjerët i panë të gjithë. Në anën tjetër hyn edhe avokati që do të mbrojë prokurorin Olsi Dado dhe përfaqësuesja e presidencës. Hyn gjykatësi dhe të tjerat janë bërë publike. Ne që ishim në sallë, e kuptuam se vendimin për të mos transmetuar live seancën, gjykatësi e kishte marrë qysh më parë, sepse, kur ai tha që gjykata tërhiqet për të marrë vendim, ai u kthye vetëm pas dy minutash dhe lexoi dy faqe tekst të cilat nuk mund t’i kishte shkruar në ndërkohën që u tërhoq për të marrë vendimin.

Qysh këtu ti kupton se gjykatat tona jo vetëm që nuk janë serioze, por janë të parat që shkelin procedurat. Nis gjyqi. Erion Veliaj merr fjalën, por gjykatësi është i kujdesshmë që t’ia ndërpresë fjalën disa herë duke i kujtuar se duhet që në fjalën e tij t’i përmbahet logjikës juridike, pra « procedurës » dhe jo anës subjektiv që ka çdo diskurs juridik. Pra ai nuk duhet të tregojë se çfarë ka prodhuar veprimi i një prokurori i cili është paditur se është emëruar në mënyrë të paligjshme, por duhet që vetëm të paraqesë argumente juridike. Të gjithë e dimë që, kur fjalën e merr i pandehuri, dhe aq më tepër njeriu që është marrë me përdhunë nga zyra dhe mbahet në paraburgim pa asnjë të drejtë, nga një prokuror që, siç po del tani, është emëruar në mënyrë të paligjshme, gjykata, jo vetëm që duhet ta respektojë, por duhet t’i japë gjithë hapësirën e nevojshme.

Mirëpo këtu nis paradoksi. Për gjykatësin që drejtonte seancën, Erion Veliaj shihej si një fajtor, megjithëse ai është ende i pafajshëm. Ndaj tij dhe ndaj avokatit të tij gjykatësi bënte kujdes që të tregonte « procedurën » dhe ta « respektonte » atë. Sapo kthehej nga ana tjetër, ai squllej dhe tregohej gjithë edukatë. Kulmi arriti kur ai thërret përfaqësuesen e KLP-së, e cila tani ishte edhe ajo e paditur prej Veliajt si palë që e ka për detyrë të verifikojë ligjshmërinë e Olsi Dados si prokuror.

Ne po prisnim të shihnim një zonjë apo zotëri nga vendi ku ishte ulur pala e paditur, pra avokati i Olsi Dados, përfaqësuesin e Presidencës të veshur me një kostum serioz, siç e kërkonte serioziteti i asaj salle. Por, jo, nga reshti para meje, pra nga reshti i sallës u ngrit një zonjë apo zonjushë e veshur si për të dalë pasdite për kafe me shoqet e lagjes dhe me mëngë zhapone, e theksoj me mëngë zhapone dhe me një veshje që nuk ishte korrekte për atë sallë. Mirëpo gjykatësi, që i kujtoi një të ftuari në sallë që të hiqte syzet e zeza, jo vetëm që nuk u shqetësua nga veshja dhe paraqitja joserioze e përfaqësues se KLP-së, por sillej ndaj saj si të ishte vartës i KLP-së.

Që këtu serioziteti i asaj seance mori fund. Gjykatësi ka të drejtë të marrë vendimin që ai e gjykon të drejtë, sepse ai e ka tagrin në atë proces. Por, për ne që ishim në atë sallë dhe për seriozitetin e asaj seance, nuk mund të pranohet një përfaqësuese e palëve në gjykim me atë veshje.

Mendoni tani se çfarë është KLP-ja. Është po ky institucion ndaj të cilit një emision investigativ satirik në vend ka publikuar një video skandaloze dhe ndaj personit që shfaqet në atë video, nuk është marrë asnjë masë. Kujtoni se çfarë ka ndodhur në raste të tjera kur janë publikuar video të tilla skandaloze nga emisionet investigative satirike. Të nesërmen e publikimit të videove të tilla, ata persona ose janë larguar nga puna, ose janë arrestuar. Mirëpo gjykatësi i seancës, jo vetëm që e pranoi përfaqësuesen e KLP-së me atë veshje në sallë, por ia pranoi edhe arsyetimin e refuzimit të padisë së Veliajt. Situata u bë qesharake kur avokat Ndreca e pyeti atë nëse vendimi i paraqitur në dosje dhe i nënshkruar nga Zv/kryetari i KLP-së, është i tiji personal, apo është nënshkruar pasi është mbledhur KLP-ja ? Ajo, me naivitet, tha le të vijë nënkryetari ta sqarojë këtu në sallë. Të gjithë qeshëm. Ndërsa gjykatësi, që e kishte paracaktuar që më parë atë që do të bënte, ndërhyri dhe nisi të bëjë punën e zëdhënësit të KLP-së duke lexuar nenet e funksionit të kryetarit të KLP-së. Çfarë mjerimi !!! Si mund t’i besosh atij gjykatësi fatin tënd.

Tani e kuptoj se ç’heqin ata qindra qytetarë shqiptarë në dyert e gjykatave dhe me gjyqtarë të tillë që bëjnë kujdes të jenë me shkelësin e ligjit. M’u kujtua filmi i famshëm amerikan « Kushëriri Vini » me Xhoe Peshin. Ngjarja zhvillohet në një qytet periferik të Amerikës dhe dy djem të rinj janë ndaluar se akuzohen që kanë vrarë një tjetër në supermarket. Nuk kanë avokat dhe kujtohen që një kushëri i tyre, avokati që e luan mjeshtërisht Xhoe Peshi, vjen për t’i mbrojtur. I veshur si gjysmë hipi me zinxhirë në qafë, me këpucë kauboji ai paraqitet në sallë dhe situatat komike janë tjetër gjë. Ajo që më bëri përshtypje ishte se kryetari i gjykatës e thërret dhe i thotë dil jashtë, bli një kostum dhe eja në seancë. E mbyll seancën derisa ai hyri me kostum. Gjithë shtjellimi i filmit është tjetër gjë, por aty ti mund të shohësh një gjykatës që është vërtet ai që jep drejtësi.

Gjykatësi ynë bënte kujdes të justifikonte përfaqësuesen e KLP-së, atë që duhet ta kishte nxjerrë nga salla dhe ta urdhërionte të vinte e veshur me kostum serioz dhe, kur ajo tha që duhet të vijë Nënkryetari i KLP-së, menjëherë të ndërpriste seancën dhe ta sillte atë në sallë. Hyrja në kishë, xhami apo çdo vend të shenjtë, ashtu si edhe hyrja në Gjykatë kur mbahet një seancë gjyqësore, kanë diçka hijerëndë. Që këtu nis seriozitetit. Por, siç e thashë, ishte një ditë në mjerimin e gjykatave shqiptare. Nuk e di se si Parlamenti i Shqipërisë nuk reagon. Po jetojmë në kohën që balancat e pushteteve po tronditen. Shqiptarët kanë votuar deputetët dhe Parlamenti është pushteti real i popullit. Nuk mund të ndodhë në asnjë demokraci që një prokuror i paligjshëm dhe një gjyqtar i nënshtruar nga trysnia e antiligjit të shkatërrojnë demokracinë që nuk po e ndërtojmë dot.

Nga tragjedia harruam një detaj

Nga Ilir Yzeiri

Tragjedia e Durrësit është e rëndë dhe kur pasoja janë humbjet e jetëve të fëmijëve, tragjedia njerëzore i kalon edhe vetë caqet e dhimbjes. Përtej saj nuk ka as fjalë as edhe ndonjë formë tjetër që mund të të bëjë të harrosh atë që ka ndodhur. Tragjeditë, aksidentet janë pjesë e jetës njerëzore dhe asnjëherë nuk mund të shpëtojmë prej tyre. Kujt i shkonte ndërmend se natën e ndërrimit të viteve, në Zvicër, në vendin më të zhvilluar të Europës, do të humbnin jetën në një diskotekë në Kransmontana 40 të rinj. Natyrisht ka edhe plot raste të tjera në të cilat aksidentet kanë shkaktuar viktima të pafajshme, për të mos llogaritur luftërat e fundit dhe fëmijët që po vdesin përditë. Mirëpo, ngjarja e Durrësit, pra tragjedia jonë, ka një anë tjetër të rëndë.

Fëmijët nuk ishin në rrugë, nuk ishin as në diskotekë, nuk ishin as në luftë, ishin në trotuar duke luajtur. Po përse në trotuar ? Sepse ashtu i kemi katandisur ne. Sepse kapitalizmi ynë i egër nuk i ka llogaritur kurrë fëmijët. Ndërtimet mbytëse në çdo cep nuk i llogarisin kurrë ata. Këtu te ne ankthi dhe etja për të fituar mbi çdo gjë dhe mbi gjithçka po ua vret ëndrrat dhe lojërat fëmijëve. Kush mund të më thotë mua se ku duhet të luajnë fëmijët ? Në blloqet e pallateve që të marrin frymën të gjitha hapësirat i zënë makinat dhe gangsterët e fortë që parkojnë edhe brenda hyrjeve të pallateve. Rrugët e lagjeve janë kthyer si pista makinash sepse nga periferitë e Tiranës zbresin si të çmendur pilotët e vdekjes dhe marrin përpara çdo gjë.

Ndaj rasti i Durrësit tregoi një anë tragjike të kapitalizmit shqiptar, të cilën anë jo vetëm nuk po e korrigjojmë, por po e theksojmë dhe po e bëjmë më të ekspozuar për tragjedi të tjera. Fëmijëria e shqiptarëve është shenjuar në disa mënyra. Për ata që janë rritur në kohën e komunizmit, rruga ishte edhe fusha e sportit edhe këndi i lojërave, sepse makinat private nuk ekzistonin. Më kujtohet fëmijëria ime në qytetin e bukur të Peshkopisë, në mesin e viteve ’60. Kishim tre fusha për të luajtur- fushën e lagjes, atë të shkollës dhe fushën Rinia. Hapësira pa fund. Pas viteve ’90, gjithçka u bë truall, nuk kishte më tokë, por truall dhe ndërtim. Pa asnjë kriter. Kur planifikohet një kompleks apo kur jepet një lejë ndërtimi asnjëherë nuk mendohen fëmijët, hapësira që duhet për ta. Të mos flasim për shkollat të cilat janë përshtatur pa asnjë kriter dhe ato private që, në disa raste, ndërtohen edhe pa kriteret e ambientit. Fëmijët tanë janë të burgosurit e mëdhenj të makutërisë sonë që e ka kthyer gjithë këtë vend në një truall.

Edhe aty ku ka terrene sportive ato sakrifikohen për ndërtime. Sot fëmijët tanë që kur lindin mësohen me erën e tymit të duhanit dhe me zhurmat e kafenesë. Nënat e reja, heroinat e kohës sonë, nuk dinë se ku të shkojnë. Jeta e tyre është fëmija në krah dhe me vrap te bari i lagjes sepse vetëm aty ka pak hapësirë. Nëse del nga pallati aty në lagje duhet të hapësh sytë ku do hedhësh këmbën se tri katër makina janë parkuar para teje. Rruga e ngushtë është e zënë dhe për të kaluar aty duhet të matesh mirë derisa të shkosh në kafe.

Unë nuk i paragjykoj ato nëna të reja që bashkë me fëmijët e tyre kalojnë pjesën më të madhe të kohës së lirë në kafe. Më thoni ju ku të shkojnë ? Kur rriten e bëhen për në shkollë nis një izolim i dytë. Shkolla të vogla, të mbyllura, pa ambiente të mëdha. Aty si në një garnizon ushtarak rrijnë fëmijët derisa vijnë prondërit e i marrin dhe i plasin në shtëpi.

Për ta nuk ka kohë të lirë, nuk ka hapësira që të jenë të tyret. Kur janë në moshën e pubertit mund të rrinë vetëm në hyrje të pallatit, por edhe aty si në gjemba se do të jenë të rrethuar nga motorët, makinat dhe furgonët që kalojnë në çdo sekondë të ditës. Si zogj të trembur pastaj shohin nga bari i lagjes derisa të dalë ndonjë pjesëtar i familjes e t’i marrë edhe atë në kafe. Vogëlushët e Durrësit guxuan të kthejnë një hapësirë të vetme që ka mbetur e lirë -trotuarin- në një fushë loje. Por u gabuan. Ku ta dinin ata se edhe ajo hapësirë është e zënë nga të çmendurit që popullojnë këtë vend.

Ina Rama dhe Olsi Dado ose përdhosja e republikës

Nga Ilir Yzeiri

Ne kemi frikë ta përmendim fjalën «Republikë» në ligjërimin publik sepse shteti që kemi ndërtuar nuk ka asgjë të përbashkët me një sistem të tillë. Republika do të duhej të ishte shteti apo vendi i qytetarëve të cilët ndjehen të përfaqësuar në strukturat e shtetit të tyre.

Republika është një marrëdhënie, është një detyrim ligjor, është administrimi i hapësirës sonë publike, ligjore, ideore dhe emocionale. Më së pari Republika shënohet nga dhënia e drejtësisë dhe nga slogani i famshëm se përpara ligjit jemi të gjithë të barabartë. Mirëpo, ne, në këtë 30 vjet, kemi nderruar një shtet të padrejtë, të pabarabartë.

Qytetarët thirren një herë në katër vjet për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre dhe votojnë për ata kandidatë që ka vënë në listë kryetari i partisë. Pasi zgjidhen askush nuk do t’ia dijë më për zgjedhësit. Parlamenti kthehet në një maskaradë ku parakalojnë vetëm sharjet e fyerjet dhe ku ligjet miratohen pa asnjë debat dhe pa asnjë diskutim.

Mirëpo gjëja më e rëndë është se ky qytetar që voton, jo vetëm që shkelet me këmbë, por pushteti i tij nuk i hyn në punë askujt. Sot Shqipëria është pa gjykata, sepse një popullsi me 2 milion e 800 mijë banorë ka rreth 200 mijë çështje të cilat nuk shqyrtohen në të gjitha shkallët e drejtësisë. Ndërkaq, përfaqësuesit europianë, me cinizëm na thonë se ne kemi bërë reformë në drejtësi. Ata jo vetëm që nuk ia kanë idenë, por as që nuk duan që ky vend të quhet një Republikë normale. Shihni për këtë prononcimet e Gonzatos për deklasifikimin e shpifjes dhe do të bindeni se për europianët jo vetëm që jemi si ato vendet e botës së tretë, por pak më keq.

E ndoqa me vëmendje referendumin për disa ndryshime në sistemin e drejtësisë në Itali. Ajo që më bëri përshtypje ishte prania në media e prokurorit të njohur italian Nicola Gratteri. I famshmi magjistrat kalabrez jeton nën mbrojtje sepse është bërë i njohur sidomos për luftën ndaj Ndrangetës. Mirëpo ai nuk mungon asnjëherë në debate publike. E sheh vazhdimisht nëpër studio televizive dhe me rastin e referendumit u vu edhe në krye të një forumi për mbrojtjen e «JO»-së. Tani vijmë te këta prokurorët tanë. Ina Rama, përditë e më shumë, po akuzohet se ka shkelur ligjin dhe ka promovuar një noter si prokuror dhe ky është Olsi Dado.

Ky i fundit i ka bërë një atentat Republikës duke ndaluar në mënyrë çnjerëzore njeriun më të votuar në Shqipëri, Erion Veliajn. Ina Rama ishte prokurore e Përgjithshme kur ndodhi tragjedia e 21 janarit. Ajo u fye dhe u poshtërua nga Sali Berisha dhe pas atij poshtërimi mbylli gojën.

Kolegët e saj e akuzojnë rëndë se ajo ka prishur provat e asaj masakre. Mirëpo ajo nuk del në publik dhe të sqarojë pozicionin e saj. Nuk del siç del kolegu i saj në Itali që mbron Republikën nga ata politikanë që duan ta deformojnë atë. Përkundrazi ajo i bën atentat Republikës dhe fut në godinën e Prokurorisë një njeri që, siç po del tani, nuk ka asnjë lidhje me detyrën që kryen. E imagjinoni dot se në çfarë pozite jemi. E përfytyroni dot profilin e Nikola Gratterit dhe të Ina Ramës që u bën nder shokëve të gjimnazit, çunave nga Durrësi????

Është e paimagjinueshme heshtja e Partisë Socialiste dhe po ashtu jo e drejtë përpjekja për të inicuar një garë tjetër për Bashkinë e Tiranës. Cili mund të jetë ai kryetar bashkie që mund të kandidojë në vend të Erion Veliajt për sa kohë që Olsi Dado dhe soji i tij mund t’i bëjnë gjëmën në çdo moment. Sot Republika ka rënë sepse ajo është në dorën e atyre që mund ta shkatërrojnë sistemin me fuqinë e pakontrolluar që u ka dhënë kjo mazhorancë e paaftë dhe frikacake. Nëse Olsi Dado dhe Ina Rama nuk largohen nga sistemi i drejtësisë, ne duhet të përgatitemi që të tjera atentate do t’i bëhen Republikës.

Ambasadorët, Europa dhe komunizmi që nuk e pamë kurrë

Nga Ilir Yzeiri

Që nga viti 1990 kur studentët u derdhën rrugëve me parrullën « E duam Shqipërinë si gjithë Europa ! », kanë kaluar 36 vjet. Që nga viti 1944 deri në vitin 1990, kur komunistët erdhën në pushtet dhe na premtuan se do të na çonin në komunizëm, kaluan 46 vjet. Sipas një llogarie të thjeshtë shqiptarët po jetojnë në pritje të realizmit të ëndrrës për t’u bashkuar me familjen europiane po aq kohë sa, përafërsisht, jetuan ata që prisnin të shkomin në komunizëm- në një rend pa klasa, me barazi shoqërore e me mirëqënie për të gjithë.

Komunistët e kishin më të qartë vizionin e tyre utopik dhe punonin thuajse çdo ditë që ai realitet të mbetej një vizion, pra të mos realizohej kurrë. Tani që kemi fituar lirinë dhe, me qenë se të gjithë nuk kemi asnjë iluzion se utopia që na është premtuar është një realitet që ekziston, sepse Europa Perëndimore, Bashkimi Europian nuk janë utopi, janë topose realë, një dorë e fshehtë, që duket sikur mban një shkop magjik në dorë, na e largon këtë ëndërr dhe toposin real na e kthen në një utopi.

Gjithnjë, madje çdo ditë e çdo muaj që kalon, ne marrim mesazhe negative dhe sipas kumteve që lëshojnë ambasadorët e akredituar në vendin tonë, ne jemi përsëri fajtorë, kemi shumë punë për të bërë ende. Të krijohet përshtypja se ëndrra jonë për t’u futur në Europë nuk është një akt, një veprim, pra, nuk varet nga ajo që bëjmë ne, ajo është një gjendje e vazhdueshme, një përpjekje pa fund, ashtu si këshilla që u dha Jezusi ndjekësve të tij që ju duhet të synoni modelin, por të tillë nuk do bëheni kurrë.

Ambasadorët e huaj në Tiranë gjithnjë më kanë kujtuar atë Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit që administroi Shkodrën në vitet 1913-194, pas tërheqjes së Malit të Zi. Pra një asgjë- një agjenci të madhe burokratësh që mbledh informacione për hesap të vet, që shkruan raporte dhe mbledh fakte që nuk kanë lidhje me mënyrën se si do të zhvillohet Shqipëria, por që do t’i shërbejnë ndonjë plani strategjik nga ato që futen në sirtarët e burokracive europiane e dalin pas qindra vjetësh. Veçanërisht reagimet e ambasadorëve pas çdo veprimi që lidhet me SPAK janë jo vetëm të papranueshme, por edhe cinike. Përse?

Para dy ditësh qarkulloi një video e kryetarit të burgosur të Bashkisë së Stambollit, Imamoglu që hyn në një sallë të madhe gjykate, pa pranga, i rrethuar me policë dhe në prani të qindra mbështetësev të tij të pranishëm në atë sallë që brohorisnin emrin e tij si në stadium dhe ai që i përshëndeste duke buzëqeshur. Është gjykata turke. Pra, jemi në Turqi, në atë vend që BE-ja, pra shefat e këtyre ambasadorëve të Tiranës, e qortojnë si autoritar e me plot epitete të tjera.

Ndërsa në Shqipëri, ai SPAKU i Altin Dumanit dhe Olsi Dados ka një vit që e trajton në mënyrë çnjerëzore njeriun më të votuar në Tiranë, Erion Veliajn, i cili kur paraqitet në gjykatë futet në kafaz i izoluar, ndryshe nga kolegu i tij në Stamboll. Si ka mundësi që këta ambasadorë nuk bënë një deklaratë të vetme për këtë krim shtetëror?

Si ka mundësi që ambasadorët e vendeve Perëndimore që ne i kemi si model nxisin burgimin, linçimin publik dhe frymëzojnë SPAK-un që të bëjë arrestime dhe gjyqe popullore ? Ne kemi besuar se Europa është kampionia e lirisë dhe e prezumimit të pafajsisë. Po si ka mundësi që ambasadorët e Tiranës kërkojnë të imponojnë në Shqipëri modelin e Putinit me arrestime pa fund dhe nuk nxisin dhënien e drejtësisë. A jeni njohur me rezultatet e këtij spektakli politik që bën SPAKU në Tiranë, zotërinj ambasadorë?

Një ark peshk, Lefter Koka i tejkalon afatet e paraburgimit sepse nuk i ngrihet akuzë dhe pasi qëndron dy vjet në burg lirohet. Shqipëria e varfër sakrifikoi nga buxheti i saj për të ndërtuar një drejtësi të lirë e të pavarur, por dështoi.

Mali i dosjeve që nuk shqyrtohen nga gjykatat tona do të na zërë të gjithëve përfund, sepse Shqipëria u entuziazmua aq shumë nga fjala SPAK sa tani ka harruar se drejtësinë e jep gjykata dhe jo prokurori politik.

Është e paimagjinueshme të mendosh se në një kohë kur bota, siç shkruante me të drejtë Zhak Attali këto ditë, është në prag të një Luftë të re Botërore, kur Amerika ka lëkundur besimin te demokracia e vërtetë, kur Europa po paraqitet e përçarë, gati e sëmurë dhe në një krizë të thellë identiteti, ambasadorët e Shqipërisë merren me humorin e SPAK.

Si ka mundësi që këta ambasadorë nuk kanë përfillur opinionin e elitave shqiptare të cilët në hapësirën publike kanë vënë alarmin se Shqipëria po kthehet në një shtet e republikë prokurorësh të cilët nuk kanë asnjë motiv për të dhënë drejtësi, por vuajnë nga protagonizmi politik dhe nuk është çudi të jenë edhe nën frymëzimin e atyre që duan ta mbajnë këtë vend nën avujt e një mirazhi pafund.

Protagonizmi nacional-romantik i Edi Ramës

Nga Ilir Yzeiri

Vështruar nga perspektiva e sotme, miti i krijimit të shtetit shqiptar, ka nevojë të ridimensionohet. Pasi dështuan betejat me armë për pavarësinë, Ismail Qemali dhe një grup patriotësh shpallën mëvetësinë në Vlorë. Por u desh Konferenca e Ambasadorëve të Londrës që të përcaktonte kufijtë, më saktë, të copëtonte territorin e shqiptarëve duke shpërblyer fqinjët e Veriut e të Jugut me territore nga i yni.

Kosova sot është një shtet më vete dhe sapo festoi 18-vjetorin e Pavarësisë. Pas rënies së diktaturës dhe pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, në Ballkan është rritur pesha e shqiptarëve. Shqiptarët në Mal të Zi apo ata në Maqedoninë e Veriut sot kanë më shumë të drejta se më parë. Megjithatë dy shtetet me shqiptarë, Shqipëria e Kosova vijojnë të mbyten më së shumti nga grindjet e brendshme dhe nuk po arrijnë të krijojnë një model europian të qeverisjes që do t’u jepte atyre dinjitetin e duhur. Katër drejtues të njohur të UÇK-së mbahen prej 6 vjetësh në burg dhe Prokurori Special kërkoi për secilin prej tyre 45 vjet burgim.

Në Shqipëri, numri i të burogosrve pa gjyq në raport me popullsinë është gati i përafërt me atë të Rusisë. Por si të mos mjaftonte kjo, narrativa politike në të dyja shtetet me shqiptarë zien nga urrjetja ndaj-njëri tjetrit. Në Shqipëri, tranzicioni i gjatë dhe i lodhshëm është mbërthyer e ka ngecur në vend nga autori i vetëm i destruksionit politik, social e kulturor që është Sali Berisha. Pasi rrëmbeu me dhunë kreun e PD-së dhe pasi u shpall non grata nga amerikanët, britanikët dhe tani në fund, i izoluar edhe nga europianët, ai dhe ndjekësit e tij të paktë kanë shpallur si devizë molotovin mbi forcat e rendit dhe mbi kryeministrinë.

Në Kosovë ndarja politike nuk është aq e thellë dhe e vrazhdë sa në Shqipëri, por urrejtja dhe mospranimi i tjetrit janë njësoj. Në këto kushte, të gjithë harrojnë se Pavarësia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, janë në tërësinë e tyre vullnet politik i SHBA-ve dhe Europës. Sot, kur rendi i ri botëror është vënë në pikëpyetje, shqiptarët nuk mund të kenë luksin që të qeverisen sikur janë qendra e Ballkanit.

Konflikti që ka dalë hapur mes europianëve dhe amerikanëve risjell në vëmendje edhe njëherë përsëritjen e historisë. Nëse në shekullin e XX vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, por edhe të tjerat që pasuan projektuan dhe njohën Shqipërinë që kemi sot, ne nuk duhet të harrojmë se gjithçka që ndodhi më pas vendosej përsëri në tryezat e diplomacisë europiane dhe asaj amerikane në vitin 1920. Orientimi ynë i brendshëm politik gjithnjë ka qenë shkaku i konflikitit. Ahmet Zogu pati meritën e madhe të konsolidimit të shtetit deri në përplasjen me Nolin.

Për fat të keq, ne, në disa raste, e kemi ndarë fatin e brendshëm me fqinjët grabitqarë. Zogu erdhi nga Beogradi dhe u mbështet edhe nga europianët atëherë kur Noli nuk pranoi të bënte zgjedhje parlamentare pas asaj që njihet sie Revolucioni i Qershorit. Noli, njeriu dhe shqiptari më i famshëm, ai që luajti një rol vendimtar në pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, nuk pranoi që të dëgjonte europianët dhe kështu i hapi rrugën rikthimit të Zogut. Vitet e mbretërisë shqiptare mund të gjykohen në shumë rrafshe, por ato gjithsesi e konsoliduan shtetin shqiptar. Ajo që ndodhi me ardhjen e komunistëve dihet. Por ajo që harrohet shpesh është vetëdija që u krijua dhe u mbajt ndezur ndër shqiptarë se Kosova nuk është Serbi gjatë gjithë asaj periudhe që quhet si Lufta e Ftohtë. Dhe që nga viti 1998 ne kemi një realitet tjetër.

Ky realitet u shfaq edhe në takimin e fundit të Bordit të Paqes në Uashington, aty ku presidenti amerikan mbajti një fjalim sipas sitilit të tij, por pikërisht aty, Edi Rama u shfaq si një diplomat karriere dhe i dha një dimension tjetër çështjes shqiptare. Në anën tjetër presidentja Osmani u shfaq si një garanci më shumë për mbështetjen amerikane. Mirëpo e gjitha kjo vetëm sa e rriti personalitetin e Edi Ramës dhe e shfaqi atë si një lider nacional-romantik që në arenën ndërkombëtare ka si prioritet çështjen shqiptare.

Ndërkaq, ai e di se kur të vijë në Shqipëri do të gjejë të njëjtin vend që vuan nga dhuna e opozitës, që tani në fund po shfaq simptomat e shtetit që është kapur nga Republika e Prokurorëve dhe se të gjitha reformat që ndërmerren nuk frymëzojnë shqiptarët, për shkak se në perceptimin e tyre ky vend është në kaos e në luftë të përhershme politike. Në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje fitoi bindshëm zgjedhjet, por qeverisja e saj është përballë sfidash të vjetra.

Është e paimagjinueshme se si dy vende që aspiruan të rrëzojnë diktaturën, Shqipëria, dhe të fitojë lirinë e pavarësinë nga Serbia- Kosova- këto dy vende nuk po arrijnë të ndërtojnë një shtet që do të zhvillohej nga vetë shqiptarët. Për fat të keq, kjo nuk po ndodh sepse edhe nga Shqipëria edhe nga Kosova të rinjtë largohen e përsëri largohen…

Ne – lulet, ju- varret

Nga Ilir Yzeiri

Në mitologjinë popullore, para se ajo të zëvendësohej me arsyen e besueshme të dijes, populli kishte perfeksionuar një sistem shenjash në natyrë me anë të së cilave parashikonte deri edhe fatin e tij. Ndërsa në shoqëritë që drejtohen nga arsyeja e dijes, dukuritë që përsëriten me të njëjtin ritëm, bëhen bartëse të një shënjueshmërie të caktuar. Kështu, 21 janari është shenja që tregon falimentimin e shtetit demokratik dhe triumfin e krimit mbi drejtësinë. Sa herë që qeveria shqiptare del në Bulevard dhe, çdo 21 janar, vendos lule në Bulevard, ne, të gjithë duhet të kujtohemi se ato lule janë shkelur me këmbë nga një drejtësi e falimentuar dhe nga prokurorë si Altin Dumani apo Olsi Dado që, në këtë ritual përshpitjeje, nxjerrin gjuhën e tallen në heshtje me varret e atyre katër dëshmorëve. Në fjalimin e fundit që mbajti kryeministri kanadez në Davos, ndër të tjera, tha se « nostalgjia nuk është një strategji ». Kryeministri Rama, çdo vit, përsërit qortimin e druajtur ndaj prokurorisë që nuk po e zbardh këtë krim monstruoz. I mbërthyer nga nostalgjia e narrativës së drejtësisë së pavaruar që ai e mbështeti dhe të Reformës që ai e nxiti, Kryeministri Rama, tani, me gjysmë zëri po pohon se, në disa aspekte, ajo reformë nuk bëri gjë tjetër, por vetëm krijoi një klan porkurorësh politikë që po e shaktërrojnë drejtësinë në këtë vend. Faktet tronditëse që publikohen për ditë mbi shkeljet e të drejtave të njeriut, dosjet sa një mal që presin të gjykohen, qytetari i pambrojtur, i kanë bërë prokurorët e SPAK-ut edhe më arrogantë edhe më trima mbi të pafajshmit. Ajo që po ndodh me Erion Veliajn do të mjaftonte që Parlamenti Shqiptar të inicionte urgjentisht thirrjen e komisioneve të posaçme për të hetuar e pastaj për të dënuar ata prokurorë që po shkelin Kushtetutën e po torturojnë njerëzit duke i mbajtur pa asnjë vendim gjyqësor në burg. 21 janari duhet të na shërbejë për të rifreskuar edhe njëherë memorien e për të parë në dritë të syrit të vërtetën. Të vrarët e Gërdecit, të vrarët në Bulevard dhe zhdukja e Remzi Hoxhës janë krime që nuk janë bërë as në diktaturat e Amerikës Latine, por ato janë amnistuar nga prokuroria e Altin Dumanit dhe Olsi Dados. Nëse Reforma në Drejtësi paska qenë inicuar për të ndarë popullin në ata që hapin varre dhe në ata që hedhin lule në Bulevard, më mirë të mos e kishim bërë.

Sot ne po jetojmë në një epokë krejt tjetër. Po merr fund gjithçka e ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe rendi i ri botëror do të në sjellë sfida të paparashikuara. Në këtë kontekst, fati ynë politik duhet të kalojë në duart e shqiptarëve. Mjaft më me deklarata sterile të Gonzatos apo të ambasadorëve të tjerë për SPAK-un e për Reformën në Drejtësi. Vende si Rumania e Bullgaria, që janë edhe anëtare të BE-së, e bënë dhe e zhbënë atë reformë kur panë se prokurorët nisën të sillen si vrasës me pagesë. Ne vazhdojmë akoma t’i japim pushtet një prokurori si Olsi Dado që mban e torturon në qeli njeriun më të votuar të shqiptarëve, kryetarin e bashkisë së Tiranës, të njohur si të tillë edhe nga Gjykata Kuushtetuese, zotin Erion Veliaj. Si mund të besojnë familjet e të vrarëve që pas 15 vjetësh kjo drejtësi e ndërtuar keq do të vërë para përgjegjësisë vrasësit ? Kjo drejtësi u ka dhënë atyre statusin a prokurorit publik që nxin Shqipërinë dhe ata nga vrasës janë kthyer në heronj të së keqes, sepse prokuroria e Altin Dumanit dhe Olsi Dados e mbushi vendin me narrativën e hajdutëve, të korrupsionit dhe me telenovela brekësh e sutjenash.

Ndaj, ato lule në Bulevard dhe ajo nostalgji për kohën kur ndërtuam Reformën në Drejtësi, tani janë bërë një telenovelë e bezdisshme.

Po sikur ta mbyllim edhe parlamentin?

Nga Ilir Yzeiri

Nëse ka një institucion publik të pavlefshëm për shqiptarët, të dëmshëm, të dhunshëm, të neveritshëm, ai është Parlamenti i Shqipërisë. Para disa ditësh, Kryeministri Rama, në një takim të gjatë e të lodhshëm me deputetët socialistë, në fillim, e pastaj me kryetarët e bashkive më pas, mesa duket, duke parë të vetmin kameraman që e ndiqte dhe e regjistronte fjalimin e tij dhe takimin në tërësi deri në fund, ashtu si një fëmijë i urtë që dëgjon muhabetet që bëhën në një dhomë miqsh, ky kameraman i RTSH-së, u bë shkak, mesa duke,t që Kryeministri ynë të kalojë nga argumenti i përmbytjes, i punës së bashkive, i plastamasit dhe plastikës të RTSH-ja.

Unë jam i bindur që kjo ka ndodhur për shkak të bezdisë që i ka shkaktuar Kryeministrit ajo kamera e RTSH-së që e ka ndjekur deri në fund. Është njësoj si ajo historia e shtëpisë që po përmbytet dhe fëmijës që qan. Nuk ke ç’t’i bësh ujit që po të mbyt dhe i fut një pëllëmbë fëmijës që po qan. Pavarësisht se në dukje nuk kishte asnjë lidhje përmendja e RTSH-së në atë takim, në subkoshiencën e Kryministrit tonë zien një shqetësim tjetër: çfarë duhet të bëjmë me institucionet publike? Çfarë duhet të bëjmë me atë që është traditë, çfarë duhet të bëjmë me të shkuarën, si duhet të sillemi me ato institucione që shenjojnë anën e përbashkët tonën.

Historia e shtetit shqiptar është një dramë e dhimbshme dhe, për fat të keq, lindja e tij, pra e shtetit tonë, nuk u promovua si një histori e përbashkët, por si një luftë me dy të kundërta. Mbretëria e Zogut u shenjtërua mbi rrënojat e qeverisë së Nolit në mërgim. Pra, Noli, mërgata amerikane që pat krijuar dhe ndihmuar që të ndërtohej shteti shqiptar, u përzu nga Shqipëria. Mbreti Zog iku vetë dhe u arratis pas pushtimit italian. Erdhi komunizmi dhe pas fitores së tyre dhe pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ata që kishin bashkëpunuar me fashizmin patën të njëjtin fat. Pas viteve ’90, sa herë që Sali Berisha ikte nga pushteti, në atë çast shpartallohej edhe jeta parlamentare.

Zhak Atali, në një koment të fundit vinte re se edhe Parlamenti Francez ka nisur të ballkanizohej. Shqipëria nuk po arrin të bëhet një vend normal dhe të kuptojë se çdo të thotë të qeverisesh në demokraci. Ata që lindën në vitin 1990 sot janë 36 vjeç dhe të tjerët pas tyre edhe më të rinj, por të gjithë së bashku, në këta 30 vjet, kanë dëgjuar për vendin e tyre vetëm se shqiptarët janë banditë, se dikur komunistët vrisnin torturonin, masakronon, ndërsa tani pas viteve ’90, këtu njerëzit nuk bëjnë gjë tjetër po merren me drogë, bëjnë krime, shtet nuk ka sepse vendin e drejtojnë banditët, korrupsioni është bërë si përshëndetje. Tani edhe një parti e vogël nxjerr çupëlina e djelmth të rinj në rrugë dhe i pyet se a do të vini të dalim malit në luftë kundër korrupsionit? Shyqyr që na u pastruan sytë nga Altin Dumani sepse, sa ishte në krye të SPAK-ut, ai na kujtonte përditë se këtu të gjithë vjedhin, të gjithë janë hajdutë. E kini vënë re që korrupsioni ka «rënë» që kur u zhduk Altin Dumani nga ekrani?

Në këtë festival të marrësh institucionet publike vërtet janë një barrë dhe nuk i duhen askujt. Sipas kësaj narrative këtu secili duhet t’i dalë zot vetes. Të bëjmë nga një televizion për mëhallë (në fakt këtë e kemi arritur bashkë me portalet), nga një universitet për lagje dhe nga një spital për katër shtëpi. Yryshi që ka marrë privati këtu te ne është i frikshëm. Gjithçka që është publike jo vetëm që shihet si armiqësore, por ajo, në nënvetëdije, përjetohet edhe si e krijuar nga shqiptarët armiq. Ne kështu vepruam edhe me ushtrinë edhe me pasuritë e saj. Po përse kemi neveri nga ajo që është publike dhe e përbashkët?

Përse ende nuk po gjejmë një vijë të mesme dhe të pranojmë të shkuarën tonë ashtu siç ka ndodhur dhe ta tregojmë atë ashtu siç duhet. Përgjigjja është e thjeshtë. Në vetëdijen tonë kolektive ne nuk jemi shkpëutur ende nga mendësia e klanit, e grupit dhe fisit dhe në ndërtimin e jetës nuk e kemi pranuar forcën dhe imperativin e asaj që është e përbashkët. Të ndarë në tre ose katër besime, edhe fenë e kemi përdorur për të rritur narcizizimin dhe egoizmin tonë ose për ta përdorur si një mur ndarës me shqiptarin e ndryshëm. Ne asnjëherë nuk e kemi pranuar qyetetin si hapësirë të përbashkët. Krijimi i metropolove të mëdha sot, nuk shihet si një mundësi për të jetësuar anët e jetës së përbashkët, por si një shans për të triumfuar uni krahinor, klanor e kriminal nganjëherë.

Tirana është bërë vërtet e bukur, por shihni sa pak ambiente të përbashkëta ka, sa pak terrene sportive, vende që u takojnë të gjithëve. Deri edhe futbollin kombëtar ne e kemi privatizuar nga një njeri i vetëm që quhet Armando Duka. Nuk ka vend në botë që të ketë privatizuar deri edhe kombëtaren. Universitetet publike thuajse po shuhen, spitali publik megjithë investimet marramendëse që janë bërë është i privatizuar nga brenda. Ndaj edhe ai lapsusi frojdian i kryeministrit tonë që kur pa kameramanin e RTSH-së që rrinte e filmonte akoma kur gjithë të tjerët kishin ikur, ai e telendesi televizionin publik në një mjedis ku flitej për përmbytjen dhe bashkitë, tregon se drama është më e madhe. Ajo që është publike në këtë vend, për fat të keq ka mbetur jetime.

Përmbytja me llumin e gënjeshtrave dhe e vërteta jetime

Nga Ilir Yzeiri

Në të gjitha tekstet e komunikimit pranohet se media, e cila qëndron në mes të publikut që e ndjek, pra e lexon ose e sheh, dhe ngjarjeve, në asnjë rast nuk tregon me saktësi atë që ndodh, sepse për të rrëfyer, fjala vjen, se çfarë ndodhi me përmbytjen në Shqipëri do të duhej të përshkruhej me detaje çdo episod në çdo cep të Shqipërisë ku ishte vënë re kjo dukuri. Pra, do të duheshin mijëra faqe, dhjetëra orë transmetim, e kështu me radhë. Ndaj, raportimet serioze, për të dhënë një panoramë sa më pranë së vërtetës mbështeten te të dhënat dhe te shifrat, pra tregojnë edhe atë që nuk duket ose atë që publiku nuk mund ta shohë. Alarmizmi, spektakolarizimi i së keqes janë më afër natyrës perverse të njeriut i cili, përgjithësisht, tërhiqet më shumë nga shfaqja e së keqes sesa nga neutraliteti i rutinës. Gjatë përmbytjeve që ndodhën kohët e fundit, raportimet dhe foltoret e habereve të darkës zienin nga turbullira që shkaktonte vlimi i urrjetjes kundër atyre që kishin vjedhur hidrovoret, që kishin mbyllur kanalet, shkurt, të krijohej përshtypja se vendi ishte pranë një apokalipsi.

Në fakt, dekore dhe skena të tilla, gati hollivudiane, me përmbytje e me shtëpi nën ujë, një bari me një dele në krah që e shpëton nga uji janë sugjestionuese dhe e çojnë efektin konotativ të imazhit në shkallën më të lartë. Dhe, ashtu, në delir, publikut i përcillet ideja se në përmbytjen e radhës askush nuk do të shpëtojë gjallë. Ndërkaq, inxhinierë të zotë, profesionistë që kanë punuar një jetë të tërë në projektime e në zbatime veprash të mëdha, ndodhen diku në një cep të autostradës së madhe të informacionit dhe ata, herë pas herë, reagojnë duke treguar me fakte një realitet tjetër. Për çudi, postimet e tyre nuk kapen nga algoritmi dhe nuk shumëfishohen sepse në ato informacione është e vëreta neutrale, ajo që nuk prodhon efekte negative që të ndezin turmën. Një ndër ta është edhe inxhinieri Bardhyl Bejo. Ja si shkruan ai për këtë rast :

« Nuk e di, por shpesh të kap pezmatim nga mënyra se si media e ndjek situatën e përmbytjes të këtyre ditëve. Një disfatizëm i pajustifikuar e tepër “djallëzor” sipas mendjes sime. Për më tepër, kur edhe të ashtuquajtur profesionistë e shumëfishojnë këtë gjendje. Dje dëgjova apo lexova një që e mbante veten për inxhinier, për çudi … gjeodet (nga ata që rilevojnë terrenin) që merte përsipër të “sqaronte” situatën teknike të … tunelit të “famshëm” të Llogarasë. Diku ka rrjedhur një curril uji dhe ai pretendonte të jepte një panoramë inxhinierike përfundimtare. Uji ka mbuluar sipërfaqen e jashtme të tunelit thotë ky “inxhinier”, shpëlan apo gërryen betonin dhe e DOBËSON atë, ku përveçse dëmtohet hekuri, krijohen hapësira prej nga futet uji brenda. Çfarë batakçi “profesionist”! Për dijeni, në raste shiu, jo vetëm tuneli por gjithëçka nën sipërfaqe “noton” në ujë. Pa dyshim edhe tuneli. Por, së pari, uji nuk e dëmton betonin. Përkundrazi e ndihmon jo vetëm të ruajë markën e projektuar, por edhe (me kohë) ta rrisë atë. Së dyti, tuneli nuk është një strukturë që punon si një urë, ku dëmtimi i një seksioni influencon në krejt urën. Çdo metër tuneli, nga pikëpamja konstruktive, kryesisht, thuajse punon në mënyrë të pavarur. Pse ta zgjas?! Ta fiksojmë mirë.

Tunelet, pas realizimit të tyre, aq më tepër kur si në rastin e Llogarasë ka filluar ndërtimi para 4 vitesh dhe është venë në funksionim një vit më parë sipas projektit, është një konstruksion ndërtimor i padëmtueshëm (kërkon detyrimisht mirëmbajtje e vëzhgim të kujdesshëm) dhe i sigurtë, përveç në raste tërmeti me 10 e më tepër shkallë Rihter, katastrofë që mund të rrafshojë gjithëçka, së pari reliefin malor ku ai është ndërtuar. Edhe një fjalë për përmbytjen e fushave. Tashmë është e qartë pse ndodhin përmbytjet e fushave, aq më tepër ato të zonës bregdetare. Le të shpresojmë se dëmtimet e këtij viti, si dhe të atyre që kanë ndodhur më parë, e kanë nxjerë fare qartë mungesën “kriminale” të mirëmbajtjes të elementëve e veprave mbrojtëse. Por, nuk duhet që të na hutojë paniku. Dëmi i këtij viti nuk është i pallogaritshëm, katastrofik.

Përkundrazi në krahasim me ndërtimet dhe mirëmbajtjen “mizerabël” që kemi realizuar, dëmi është minimal, i përballueshëm. Nga 750 mijë ha tokë bujqësore, nga të cilat afro 250 mijë në zonën fushore e bregdetare, janë përmbytur rreth 13 apo14 mijë ha, dmth rreth 5 përqind e zonës fushore dhe 2 përqind e totalit. Le të shpresojmë se dëmi është i këtij rendi dhe moti do të përmirësohet.”, përfundon inxhinier Bardhyl Bejo. Çfarë të shtosh më shumë? Është e vërtetë se media nuk i raporton publikut, por e krijon atë, pra, me mënyrën si e zgjedh lajmin, si e tregon dhe çfarë kërkon të arrijë, ajo ndërton një publik që mendon ashtu si autori i lajmit. Kjo krijon atë pasqyrimin binar, pra dypalësh të realitetit, kur mediat janë nën trysninë politike. Në mes gjithnjë gjëndet një informacion neutral. Por ai, në kushtet e rrjeteve sociale dhe në kohën kur agjenti digjital përcakton edhe dendësinë e përhapjes dhe pëlqimet për atë lajm, deformimi, e keqja si virtyt i viktimave imagjinare dhe përhapje e fake news-it janë më tërheqëse dhe qarkullojnë më me lehtësi. Ndaj edhe postimet e inxhinier Bardhyl Bejos nuk e tërheqin agjentin digjital dhe gazetarët që raportojnë për ditët e kiametit.

 

Atreiu, Mikele Plaçido dhe heroizmi pa ide

Nga Ilir Yzeiri

Atreiu është një personazh i romanit « La storia infinita » ( Historia e pafund) e Majkëll Ende. Ky roman dhe personazhi i tij ishin moda dhe frymëzimi i të rinjve sidomos në vitet ’80 e më pas. Ka shumë interpretime të mundshme të këtij romani, i cili përqendrohet në tema të rëndësishme si fantazia, kujtesa dhe ëndrrat. Vetë Ende nuk është përpjekur kurrë të propozojë një interpretim zyrtar, duke besuar se ato që dalin në mendjet e secilit prej lexuesve të tij janë po aq të vlefshme. Sigurisht, një karakteristikë që i ka tërhequr dashamirësit e librave drejt kësaj historie, për më shumë se dyzet vjet, është një nga metaforat e saj më të dukshme, e cila i sheh librat si një arratisje nga realiteti dhe një mënyrë për të përjetuar aventura të pabesueshme në mendje. Pikërisht këtë personazh kanë zgjedhur të rinjtë e Aleancës Nacionale në manifestimin politik që mbahet çdo vit qysh nga 1998 në Romë dhe që njihet si takimet me Atreiun.

Këtë radhë më bëri pështypje pjesëmarrja e Mikele Placçidos atje. Nëse të tjerë pjesëmarrës u parodizuan nga emisionet satirike italiane, të cilët, siç thoshin disa prej tyre, shkuan atje për të siguruar « bukën e gojës »,  e për t’i rënë në sy kryeministres, veçanërisht personazhe nga bota e spektaklit apo e RAI-t, për Mikele Plaçidon nuk u tha një gjë e tillë dhe ai vetë, në këtë manifestim tregoi një histori tjetër. Herën e parë e kam dëgjuar Xhorxhia Melonin dhe partinë e saj, kur ajo fitoi 3.5 %, tha ai. U bëra kurioz dhe pastaj në zjgedhjet e tjera ajo fitoi 7.8%. Atë ditë ishim në një drekë në shtëpinë time me shumë vetë dhe unë sapo dëgjova këtë rezultat thashë : Këtej e tutje do të votoj për këtë vajzë sepse ka arritur vetë të rritet e të bëhet e besueshme për mua. Një miku im u ngrit e më ulëriti : « Fashist ! Fashist ! Fashist !… » Unë qesha dhe i thashë se nuk më bën përshtypje kjo që thua ti e përfundoi rrëfimin Plaçido.

Ndërsa mua më bën përshtypje kjo që ndodh te ne. Krijohen parti të reja dhe drejtuesit e tyre, menjëherë duan të paraqiten si Mesia, si shpëtimtarë. Mirëpo nëse i shohim gjërat në këtë vështrim, ato nuk kanë një model për të na treguar si Atreiu, por janë bërë ca zëdhënës të neveritshëm të narrativës së Berishës dhe shfaqen në publik si prokurorët e gjyqeve speciale dhe e dyta nuk kanë durim të punojnë pa u ndier në të gjithë Shqipërinë që nga 60 mijë të bëhen 120 mijë e më pas edhe më shumë. Në anën tjetër, opozita tradicionale e ka shpallur me kohë se qëllimi i saj nuk është ndërrimi i pushtetit, por ruajtja e Sali Berishës.

Kjo që po ndodh me partitë e vogla dhe me opozitën në tërësi është ajo që quhet heroizmi pa ide. Ato formacione politike që vrasin shpresën dhe nuk ngjallin optimizëm u ngjajnë për fat të keq grupeve radikale ektremistë të cilat e mbështesin aksionin e tyre vetëm lufta. Në rastin tonë te lufta me fjalë, duke e ndotur kështu ambientin dhe në raste të tjera edhe në luftëra me armë siç ndodh me ISIS apo ndonjë organizatë tjetër terroriste. Askujt prej këtyre opozitarëve tanë që duan pushtetin me çdo kusht nuk ju bën përshtypje se Perëndimi tani po bëhet gati të festojë Krishtlindjet dhe pastaj Vitin e Ri. Vetëm në Tiranë ndodh që para kryeministrisë 200 veta, që thonë se janë opozita e këtij vendi, hedhin molotovë dhe gjithë Tirana e Shqipëria vrapon në markete e në koncerte për të pritur siç duhet këto festa.

Përse shqiptarët duan Europën, por jo Shqipërinë

Nga Ilir Yzeiri 

Të dhënat e fundit të Barometrit të Ballkanit që organizohet nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal të BE-së, janë kontradiktore, sepse, nga njëra anë, paraqesin ëndrrën dhe dëshirën e gjithë vendeve të rajonit që të anëtarësohen në BE e, nga ana tjetër, në shumicë, duan të ndërtojnë jetën jashtë vendeve të tyre. Shqiptarët kanë numrin më të madh të të anketuarve që duan të largohen për një jetë më të mirë në Europë dhe, ashtu si gjithë vendet e rajonit, edhe ata e mbështesin integrimin në Bashkimin Europian dhe kanë besim se kjo do të ndodhë deri në vitin 2030. Ndryshe nga retorikat ballkanase të folklorit nacionalist, popujt e këtyre vendeve e mirëpresin bashkëpunimin rajonal.

Të dhënat janë këto : 64% e të anketuarve mbështesin bashkëpunimin rajonal, por këtu barometri vlerëson se sa më i ngritur të jetë niveli i edukimit dhe formimit të këtyre anëtarëve aq më i madh është bashkëpunimi. 71% e të rinjve besojnë se anëtarësimi në BE është i mirë për ekonominë. 64 % mbështesin anëtarësimin në Europë, pra 10% më shumë se vitin e kaluar. 66% thonë se inflacioni dhe çmimet e larta e rrisin koston e jetesës dhe janë një problem i madh për to. 64% besojnë se bashkëpunimi rajonal mund ta përmirësojë jetesën në rajon, 26% nuk janë të kënaqur me punësimin në vendin e tyre. 68 % e tyre thonë se duan të punojnë dhe jetojnë jashtë. 77% nuk ju besojnë partive politike. 60 % kanë besim të fortë në Bashkimin Europian dhe 44% e shqiptarëve duan të emigrojnë përgjithmonë, duke qëndruar në vend të parë për numrin e atyre që kanë dëshirë emigrimin.

Kjo tablo dhe këto shifra paraqesin një pamje reale të jetës në Ballkan dhe, vështruar nga një pikëpamje tjetër, nuk ndryshojnë shumë nga ato shifra që publikojnë edhe vende të tjera europiane të Lindjes, por edhe të Perëndimit. Kriza që ka mbërthyer Europën është një shenjë e sëmundjes në të cilën lëngon planeti. Luftëra që po zgjasin e nuk dinë të përfundojnë. Krisja dhe çarja e Aleancës euro-amerikane, për të mos harruar edhe aktin terrorist të Hamasit dhe fëmijët e vrarë në Gaza që e rindezën edhe njëherë zjarrin e luftërave edhe ashtu të pashuar në Lindjen e Mesme dhe, nga ana tjetër, Ukraina e shkatërruar dhe kriza e mjedisit. Harta e zymtë e planetit nuk ka si të mos reflektohet edhe në Ballkan e aq më tepër në Shqipëri. Mirëpo, te ne, duket se asnjë lloj progresi nuk na çliron nga sindroma e braktisjes së atdheut. Është një gjë tjetër lëvizja e lirë, hapja, dëshira për të udhëtuar e shkolluar jashtë dhe është tjetër gjë dëshira për ta ndërtuar jetën jo në vendin tënd.

Këtë krizë të thellë identitare ne nuk po dimë të adresojmë dhe, për fat të keq, as porgresi, zhvillimi apo luksi nuk po e korrigjon atë. Çfarë ka që nuk shkon ? Mund të ketë shumë arsye, por unë mendoj se kryesorja është mungesa antropologjike e kulturës së ndarjes së hapësirës, e mirëkuptimit hapësinor. Bota u vu në rregull sipas kuptimit biblik kur u shkëput nga kaosi. Të jetosh në rrëmujë totale, në mungesë të rregullit e të drejpeshimit hapësinor është një nga shenjat që tregon se kultura jote e jetës nuk është e harmonizuar me dëshirat e të gjithë bashkështetasve të tu. Pa hyrë thellë në histori, jeta jonë dhe kuptimi i saj është ndërtuar mbi parimin e egoizmit dhe krenarisë individuale. Fshatrat tona, si në mal ashtu edhe në fushë, kishin dhe kanë shumë pak hapësira të përbashkëta. Shenja e tyre më e lakmuar ishin e janë kufijtë me njëri-tjetrin dhe kodi i komunikimit ndërkomunitar mbështetej mbi parimin e kufirit, ndarjes.

Qytetet u zhvilluan vonë dhe socializmi u dha një identitet tjetër. Ai e rrafshoi me dhunë krenarinë dhe egoizmin individual dhe ndërtoi hapësira sociale të mbështetura mbi ideologji që nuk rezistuan gjatë. Pas rënies së komunizmit, shqiptarët u derdhën nëpër qytete dhe riaktivizuan kultin e egoizmit vrastar dhe nisën të ndërtojnë përsëri kufijtë. Vini re ndërtimet që bëhen kudo. Banesa makabre ngjitur me njëra-tjetrën pa asnjë hapësirë të përbashkët që mund të shërbejë si kënd lojërash për fëmijë apo për terrene sportive apo thejsht edhe si një oaz i qetë pa beton. Ky kaos urban që vjen nga rrëmuja jonë mentale ka nxjerrë në reliev vetëm një parim për jetën-pasurimin. Në Shqipëri jeta ka kuptim vetëm nëse pasurohesh dhe ia hedh tjetrit. Në këtë vend arsimi, edukimi, shkenca kërkimi shkencor, punërat e rëndomta që nxisin jetën normale nuk kanë peshë. Por hapësira e përbashkët nuk janë vetëm bota materiale. Siç thoshte Hegeli bota jashtë është refleks i ideve tona. Në çdo vend që të shkosh, ti, përmes arkitekturës dhe mënyrës se si është ndarë hapësira, kupton edhe mentalitetin e atij vendi.

Objektet e kultit, Akademitë, Universitetet, Bibliotekat, gjithë historia e ideve gjenden në ato hapësira perëndimore. Ndërsa te ne ato objektet që reflektojnë ide janë të rrënuara dhe më së shumti zotërojnë mbeturina historike që tregojnë më shumë portretin tonë si viktima të historisë. Jashtë nesh nuk ka hapësira të përbashkëta idesh apo mendimesh. Ajo thënia e famshme e Pashko Vasës « feja e shqiptarit është shqiptaria » ka mbetur pa shënjueshmëri, sepse ne nuk e kemi ushqyer këtë koncept me virtytet e qytetërimit Perëndimor. Secili nga ne nënkupton vetëm mburrjen me këtë term dhe shfaqjen banale të folklorit heroik me fantazma luftërash. Ndaj, shqiptarët, qysh në kohë të vjetra shquheshin për dy gjëra : emigracion dhe mercenarizëm. Për fat të keq, ende nuk po e kuptojmë se këto dy plagë po na dëmtojnë dhe po e bëjnë këtë vend si një stacion të përkohshëm për të marrë trenin për një vend tjetër.

The post Përse shqiptarët duan Europën, por jo Shqipërinë first appeared on JavaNews.al.

Tri gjërat që do të ndryshojnë botën sipas Zheremi Rifkin

Nga Ilir Yzeiri

Para disa ditësh, ekonomisti amerikan me famë botërore Zheremi Rifkin ishte në Itali për të promovuar librin e tij të fundit “PLANETI UJË” (PLANET WATER). Në  vitin 2008, ai ishte i pari që hodhi idenë e Green Deal apo të marrëveshjes së gjelbër, një ide që u përqafua nga Bashkimi Europian dhe gjithë bota e cila kërkonte që të zëvendësohej sa më shpejt energjia e fosileve me atë të rinovueshmen në mënyrë që të shmangej efekti i gazit serrë.

Tani ai ka ngritur një alarm tjetër. Sipas tij, në qoftë se nuk do të mësojmë të sillemi ndryshe me ujin, jeta e planetit do të jetë në rrezik. Mendimet e tij ai i dha edhe në një intervistë në gazetën italiane. Është uji, jo toka, që na bën unikë në univers. Hidrosfera, për shkak të ngrohjes globale, po rebelohet, siç tregohet nga frekuenca gjithnjë  në rritje e ngjarjeve ekstreme të motit që dëmtojnë ekosistemet dhe infrastrukturën dhe shpesh çojnë në vdekje. Epoka e karburanteve fosile duhet të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur, përndryshe speciet tona do të rrezikohen të zhduken. E vetmja gjë që duhet bërë është të ridimensionojmë qasjen tonë për ujin si një burim jete dhe jo si një burim për t’u shfrytëzuar; të mësojmë të përshtatemi me hidrosferën në vend që ta përshtatim hidrosferën me ne, siç kemi bërë për gjashtë mijë vjet me radhë. Për ta bërë këtë, do të duhet të miratojmë një Marrëveshje Blu së bashku me Marrëveshjen e Gjelbër që Bashkimi Evropian e ka lançuar tashmë. Ky është shansi ynë i fundit për të kaluar nga një Epokë Progresi që po vdes në një Epokë Rezistence në zhvillim e sipër.

Koha është tani; çdo gjë tjetër është një shpërqendrim. Po përse UJI DUHET VËNË NË QENDËR TË GJITHCKAJE Arsyeja është e thjeshtë, vijon ai: jemi në krizë dhe nëse nuk bëjmë asgjë, ngrohja globale do të shkaktojë zhdukjen tonë. Problemi është se për t’iu përgjigjur krizës, po përdorim të njëjtin manual udhëzimesh që na solli deri këtu, kur duhet të rimendojmë gjithçka. Pika e fillimit është uji: pa të, nuk do të kishte jetë në Tokë; është hidrosfera që përcakton litosferën , me tokën, pemët dhe bimët. Gjashtë mijë vjetët e qytetërimit tonë kanë qenë vite të qytetërimit hidraulik: ne jemi përpjekur në mënyrë progresive të kontrollojmë ujin dhe ta vëmë atë në shërbimin tonë: digat, argjinaturat, ujësjellësit, rezervuarët janë fazat e kësaj historie që shtrihet nga Mesopotamia deri në ditët e sotme, duke kaluar nëpër Romën e Lashtë.” Po çfarë është rebelimi i hidrosferës?”

Ajo që po ndodh, vijon ai, është kulmi i dy revolucioneve industriale të nxitura nga lëndët djegëse fosile. Sistemi filloi të shembet në korrik 2008. Tani loja e fundit ka filluar, çmimet rriten dhe bien, dhe të gjithë flasin për tarifat.

Por një sistem i ri ekonomik është mbi ne: inteligjenca artificiale, printerët 3D dhe energjia e rinovueshme do të jenë shtyllat kyçe të një bote të re, të decentralizuar. Mirëpo- “Në realitet, sistemi ekonomik duket gjithnjë e më i centralizuar çdo ditë: disa kompani të Silicon Valley kanë një përqendrim të tillë pushteti sa duket se janë në gjendje të drejtojnë botën. Është vërtet kështu ? Ja si përgjigjet Rifkin : Kompanitë e mëdha të Silicon Valley nuk do të jenë më këtu pas tridhjetë vjetësh. Bota reale po ndryshon, teknologjitë mundësojnë një ekonomi gjithnjë e më të shpërndarë dhe ndryshimi i klimës po riformëson gjeografinë sepse dëmi që shkakton nuk njeh kufij. E ardhmja nuk u përket shteteve, por bio-rajoneve, domethënë rajoneve që ndajnë ekosistemet dhe kujdesen për to. Dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është të vendosim ujin përsëri në qendër. Asnjë nga ato që them nuk është teorike: po ndodh tashmë kudo, thjesht nuk jemi në gjendje t’i lexojmë shenjat.”Pasi frymëzuat Marrëveshjen e Gjelbër të Bashkimit Evropian, tani po bëni thirrje për një Marrëveshje Blu. Ku jemi aktualisht? – e pyet gazetari i Corriere della Serës. Kjo ndodhi pavarësisht nga unë, përgjigjet Rifkin. Po mbaroja librin Planet Aqua dhe Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian tha: na duhet një Marrëveshje Blu sepse nuk kemi ujë. Ndonjëherë kemi shumë, ndonjëherë nuk kemi mjaftueshëm; nuk mund ta menaxhojmë industrinë në këtë mënyrë. Pastaj ndërhyri Komiteti i Rajoneve.

Dhe në atë pikë filluam të shkonim në Parlamentin Evropian: tani po punojmë me të gjitha palët dhe duhet ta falënderoj Kryeministren Giorgia Meloni sepse, kur ishte presidente e G7, ajo institucionalizoi Koalicionin e Ujit G7 . Ishte një gjë e shkëlqyer.”Megjithatë, Shtetet e Bashkuara po shkojnë në drejtim të kundërt. Një president fitoi me sloganin. Nafta e para e provokon gazetari. Do të them diçka që do të habisë shumë, vijon Rifkin. 87% e infrastrukturës energjetike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është në pronësi të shteteve, jo të qeverisë federale. Dhe kjo ndryshon gjithçka. Merrni San Antonion: është qyteti ynë i gjashtë më i madh. Në vitin 2010, më telefonuan për të kuptuar se ku duhet të investonin nga ana e energjisë; ata hezitonin midis energjisë bërthamore dhe asaj të erës.

Unë i binda ata, dhe sot Teksasi është prodhuesi më i madh i energjisë së erës në Shtetet e Bashkuara. Dhe shumica e shteteve të tjera me mazhorancë republikane prodhojnë gjithashtu energji të erës dhe diellore; nuk është politika që vendos fatin tonë, por ekonomia. Produkti i dytë më i shitur i konsumit në Amerikë tani është një kamionçinë, një kamion macho, Ford F150, dhe është elektrik. Në Uashington DC ata do të duhet të pajtohen me atë që ndodh në botën reale dhe me idetë e reja që vijnë nga universitetet ku programet e diplomimit mbi ujin janë shumëfishuar dhe ku printerët 3D janë në shtëpi. Sistemi akademik në Shtetet e Bashkuara është vërtet i tronditur sepse po humbet fondet publike dhe shumë studiues po planifikojnë të shpërngulen në Evropë, vazhdon gazetari. “Kjo është e vërtetë, – vijon Rifkin, por nëse përqendrohemi vetëm këtu, do ta humbasim thelbin: idetë e reja që vijnë nga universitetet po e ndryshojnë ekonominë dhe për rrjedhojë edhe botën.”A është demokracia në Amerikë në rrezik?

Sigurisht, është në rrezik, por po ndodh diçka më e rëndësishme: botëkuptimi perëndimor po hyn në krizë dhe ideja thellësisht amerikane që njerëzit duhet të mendojnë vetëm për pasurimin e tyre me çdo kusht, madje edhe duke shkatërruar natyrën, sepse kjo në fund të fundit do t’u sjellë dobi të gjithëve, kjo ide është tronditur. Kultura jonë është një kulturë e bazuar në shfrytëzimin e tokës, dhe kjo është qesharake sepse uji është burimi ynë i jetës. Fetë dhe filozofitë lindore flasin për jetesën në një planet me ujë, dhe për to, të kuptuarit e transformimit për të cilin po flas do të jetë më i lehtë. Evropa dhe Azia kanë shumë të përbashkëta dhe ndajnë një kontinent, Eurazinë, i shkëputur vetëm nga katër ura me Turqinë.

Amerika mund të ketë sukses vetëm nëse më të rinjtë, Gjenerata Z, Alfat dhe Betat, e kuptojnë këtë. Unë jam i moshuar, por kam shpresën time tek të rinjtë, vijon ai. Do të doja që ata të mbanin mend tre gjëra: së pari, secili prej nesh është një ekosistem i lidhur me natyrën; së dyti, neuronet pasqyrë na lejojnë të ndiejmë empati dhe të mendojmë kolektivisht, dhe kjo na jep forcë të jashtëzakonshme; dhe së treti, duhet ta riemërtojmë planetin tonë në mënyrë që kur një fëmijë të pyesë mamin dhe babin: Si quhet ky vend?, ata t’i thonë: – Zemër, ti jeton në një planet me ujë. Kjo do ta ndryshojë të gjithë paradigmën për pjesën tjetër të historisë.

The post Tri gjërat që do të ndryshojnë botën sipas Zheremi Rifkin first appeared on JavaNews.al.

Veliaj fiton lirinë, në ditën kur u shua Fatos Nano

Nga Ilir Yzeiri

Ka një përkim që ngjan si një rastësi fatale dita kur Erion Veliaj u paraqit në Gjykatën Kushtetuese me ditën kur Fatos Nano, u nda nga jeta. Në Festivalin e pasioneve dhe ideve për liderin socialist që u nda nga jeta, të gjithë sillnin në mend burgosjen e tij nga Berisha dhe imazhi i Nanos me pranga në duar, në vitin e largët 1993, përqasej me imazhin e Erion Veliajt, po ashtu në pranga, duke u ngjitur në shkallët e Gjykatës Kushtetuese, po nën masa të ashpra sigurie si dikur Fatos Nano që shoqërohej nga policia e Berishës. Duket se në këta 30 vjet nuk ka ndryshuar asgjë. Frocat e errëta të së keqes luajnë ende me fatet e njeriut dhe me liritë e tij ashtu si atëherë kur morën dhe futën në burg Fatos Nanon.

Ish-kryetari i Partisë Socialiste u shua në një spital të Tiranës pikërisht atëherë kur sapo ishte mbyllur seanca gjyqsore në Gjykatën Kushtetuese në të cilën Erion Veliaj kishte ankimuar vendimin e këshillit bashkiak dhe të qeverisë për shkarkimin e tij, si dhe dekretin e presidentit Begaj për të shpallur zgjedhjet në Tiranë ende pa u shprehur Gjykata Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese duket se ka mbetur i vetmi institucion i drejtësisë në këtë vend që nuk frikësohet nga metodat militariste të SPAK-ut dhe as nga ndonjë presion tjetër. Me vendimin në favor të Erion Veliajt, kjo trupë jo vetëm që legjitimoi autoritetin e saj të merituar, jo vetëm që na dha të gjithëve një fije shpresë, por na tregoi gjithashtu se, përveç saj, gjithë të tjerat, duke filluar nga Gjykata e Lartë dhe gjithë hallkat e tjera të gjyqësorit që janë vënë në thundrën e metodave të ashpra të SPAK-ut, e kanë humbur legjitimitetin moral e profesional dhe se vendi është në një gjendje anormale.

Përkimi fatal i dy pamjeve i asaj të Erion Veliajt që ngjitet me pranga në duar në shkallët e Gjykatës Kushtetuese dhe i asaj të Fatos Nanos me pranga në duar në vitin e largët 1993 që na rierdhi në kujtesë këto ditë, na shtyn të bëjmë edhe një paralelizëm tjetër dhe të shohim historinë e këtij tranzicioni me një vështrim dramatik. Në vitin e largët 1993 u burgos Fatos Nano nga regjimi i Sali Berishës. Fatos Nano doli nga burgu pas revolucionit popullor që shpërtheu pas rënies së firmave piramidale. Paradoksi është se arkitekti i asaj masakre nuk u gjykua kurrë dhe socialistët, me naivitet, jo vetëm që nuk bënë drejtësi për mbi 2000 të vrarë, por u tërhoqën në meskinitete pa fund dhe Berisha në opozitë nisi të ndërtojë një narrativë tjetër e cila u kthye në klishe. Korrupsioni iu faturua socialistëve dhe me aurelon e njeriut të « ndershëm » Berisha u kthye përsëri në pushtet në vitin 2005. Si të mos mjaftonte hedhja në erë e pasurive të shqiptarëve dhe mbi 2000 të vrarë, ky njeri kreu dy masakra të tjera, Gërdecin dhe 11 janarin. Ndërsa aferat kouurptive të tij dhe të familjes së tij u bënë shkak që Departamenti i Shtetit ta shpallë « non grata ».

Reforma në drejtësi e shpallur si një revolucion i madh në shoqërinë shqiptare tani po rezulton një dështim spektakolar. Pas Fatos Nanos me pranga në duar, Ilir Beqja arrestohet pa akuzë dhe kulmin e arrin rrëmbimi i Erion Veliajt pas një letre anonime. Nuk ka tallje më të madhe se kjo. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta njohur Erion Veliajn si kryetar të Bashkisë së Tiranës është një kambanë alarmi për Parlamentin e Shqipërisë që drejtohet në shumicë nga socialistët. Ata duhet të ndërhyjnë urgjentisht në procedurat penale dhe të ndalin dorën e SPAK që vazhdon të mbajë në qeli Lefter Kokën për një çështje që nuk e kanë hetuar ende, Ilir Beqjan dhe sidomos Erion Veliajn.

Nëse Partia Socialiste nuk e lexon me qetësi dhe me gjakftohtësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nëse ajo nuk mobilizon forcat demokratike për t’i shkurtuar duart SPAK-ut, atëherë ky vend jo vetëm që nuk do të gjejë drejtësinë kurrë, por do të futet në një spirale edhe më të rrezikshme të shkeljes së të drejtave të njeriut. Vetëm tani unë i jap të drejtë zonjë Zaçe që kërkonte transparencë dhe drejtësi në përzgjedhjen e emrave për në Gjykatën Kushtetuese. Dhe vetëm tani nuk arrij të kuptoj se si një anëtar i Gjykatës së Lartë, në votimin për një anëtar të Gjykatës Kushtetuese bën një shenjë në fletën e votimit.

Vetëm tani e kuptoj se si parada e fjalimeve të institucioneve të ashtuquajtura të reja të drejtësisë në Parlamentin shqiptar ngjante si një mbledhje e mërzitshme e plenumeve të PPSH-së. Socialistët duhet të kuptojnë më në fund se të jesh me SPAK nuk je me drejtësinë, por je me njërën palë dhe në rastin e SPAK-ut tonë me palën më të keqe, me atë që shkel ligjet dhe ka mbushur burgjet me të dyshuar. Ndërsa arkitektët e së keqes janë jashtë dhe tallen me ta.

The post Veliaj fiton lirinë, në ditën kur u shua Fatos Nano first appeared on JavaNews.al.

Mbrojtja e natyrës, shkenca dhe qeveria shqiptare

Nga Ilir Yzeiri

Shqipëria po hap grupkapitujt e fundit me Bashkimin Europian në mënyrë që të përshpejtojë plotësimin e dokumentit ligjor me këtë familje të madhe, në mënyrë që ëndrra e shqiptarëve për të qenë pjesë e saj të bëhet realitet. Për këtë temë thuajse nuk flitet fare në shtypin shqiptar e në debate publike. Është e paimagjinueshme se si shqiptarët të cilët ankohen se kaluan diktaturën më të egër në Europë, që shpallin me të madhe se janë vendi më i lashtë i kontinentit, tani që mundësia për t’u integruar edhe formalisht në familjen e madhe europiane, po bëhet realitet, nuk flasin e nuk diskutojnë për temat e mëdha që kanë në tryezë dhe që janë përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.

Për fat të keq edhe këtë radhë ne po dëshmojmë më së shumti që jemi popull folklorik dhe që identitetin tonë kombëtar e shpallim vetëm si shenjë të luftërave butaforike. Kur vjen puna që të ballafaqohemi me Europën dhe me shpirtin e saj, nuk shqetësohemi shumë që të bëhëmi europianë edhe me mënyrën e sjelljes, të respektimit të ligjit, të ndërtimit të jetës shoqërore sipas atij modeli që e ëndërrojmë.

Në takimin e fundit në Vienë, më 23 shtator, Kryeministri Rama, duke folur për grupkapitujt e fundit, deklaroi se Mjedisi është më sfiduesi dhe se për këtë kapitull kemi rënë dakord që të shtyhet pas anëtarësimit. Po pse?

Çfarë problemesh ka qeveria shqiptare me mjedisin? Për hir të së vërtetës, duhet thënë se në fillim të mandatiti të tij të parë, kryeministri Rama u tregua i vendosur që të impononte një qasje tjetër ndaj ruajtjes së mjedisit dhe habitatit të tij. Moratoriumi i gjuetisë ishte një nga këto masa.

Ndërsa shmangia e katastrofave mbi lumin Vjosë ishte vërtetë një meritë e qeverisë së tij, por edhe e presionit të lartë qytetar nga brenda e jashtë. Mirëpo, fill pas kësaj, shoqatat e ruajtjes dhe mbrojtjes së peizazhit natyror vunë alarmin se qeveria po e prishte korntratën me natyrën.

Ndërtimi i aeroportiti të Vlorës në një zonë të mbrojtur ku ekosistemi është i tillë që nuk ta mundëson atë sepse shkatërrohet hapësira Karavasta -Nartë që është habitati apo shtëpia e Flamengove, pelikanëve dhe zogjve të tjerë migratorë, i detyroi këto shoqata që të ngrinin zërin, të protestonin dhe ta ndërkombëtarizonin këtë çështje.

Po ashtu, ndërhyrja në Ligjin për zonat e mbrojtura në mënyrë që të hiqen nga ky inventar zona që mund të kthehen në ndërtime turistike, siç është planifikimi për resortin gjigand në zonën e Nartës dhe Sazanit, i dha një goditje tjetër vizionit që kishte shfaqur në fillim qeveria e zotit Rama për ruajtjen e mjedisit natyror. Organizma të ndryshme ndërkombëtare e kishin paralajmëruar qeverinë shqiptare se kur të vijë puna për çeljen e grupkapitujve për mjedisin, qeveria nuk do ta kalonte lehtë provimin. Dhe ja dita erdhi.

Siç e pohoi edhe vetë kryeministri Rama, mjedisi është më sfiduesi dhe këtë kapitull kemi rënë dakord që ta shqyrtojmë pas anëtarësimit. A do ta lejojë Komisioni Europian këtë? Të presim. Për të katërtin apo të pestin vit me radhë, në Tiranë mbahet Kongresi ndërkombëtar i nanoteknologjisë dhe nanoshkencës.

Kjo inisiativë e prof. Arben Merkoçit, një prej shkencëtarëve të shquar botërorë në këtë fushë po bëhet realitet dhe ideja e tij që në Shqipëri të ngrihet Institutit Ndërkombëar Ballkanik i Nanoteknologjisë ishte një ide joshëse, por vetëm sa u deklarua dhe mbeti në heshtje.

Qeveria shqiptare dhe vetë Kryeministri Rama, para disa vjetësh morën pjesë vetë në dorëzimin e një godine në kompleksin universitar të Bujqësisë në Kamëz këtij projekti. Mirëpio kaluan tre vjet dhe megjithëse Arben Merkoçi vijonte të sillte në Shqipëri edhe nobelistë në takimin e përvitshëm të nanoteknologjisë, qeveria dukej se e kishte braktisur këtë nismë.

Sivjet, në çelje të këtij kongresi, ishte kryeministri Rama i cili foli jo vetëm për inteligjincien artificiale por edhe për nanteknologjinë dhe nanshkencën duke premtuar që ta shtyjë më tej ngritjen e një Instituti Ndërkombëtar të nantekonlogjisë në Tiranë.

Ditë më parë në Tiranë u mbajt edhe sesioni i radhës i konferencës së një organizmi tjetër shkencor që ka në përbërje një nga shkencëtarët po ashtu të njohur në botë. Ai është Niko Qafokui që para disa vjetësh është shpallur si shkencëtari që bën pjesë në 3% të atyre që kanë ndikim në botë. Edhe ai ka marrë inisiativën që të sjellë një Laborator të madh shkencor në Tiranë në mënyrë që ky Laborator të bëhet një vatër tërheqëse për kërkuesit shkencorë në mënyrë që të ringjallet shpresa për dijen e shkencën. A do të ndodhë kjo? Të presim.

The post Mbrojtja e natyrës, shkenca dhe qeveria shqiptare first appeared on JavaNews.al.

Erion Veliaj – Vetmia e pamerituar dhe demokracia e frikës

Nga Ilir Yzeiri 

Nuk e di pse kisha një shpresë të vagullt që Gjykata e Lartë do ta kthente në shtëpi Erion Veliajn. Por dje u binda se edhe ky institucion është nën pushtetin e frikës që ka ngjallur terrori i prokurorëve të SPAK-ut mbi këdo që nuk i nënshtrohet pasionit të tyre të mbrapshtë për të goditur ata që disa grupe të errëta, të lidhura me politikën apo me qarqe kriminale të biznesit apo edhe më shumë se aq, i kanë vënë në shënjestër për t’i linçuar. Erion Veliaj tani është vetëm sepse Partia Socialiste e braktisi dhe e la në dorë të atyre që i bënë atentat demokracisë shqiptare duke sfiduar në mes të ditës dhe në sy të të gjithëve, të gjitha institucionet e këtij vendi. Rrëmbimi dhe mbajtja në burg e Erion Veliajt pa asnjë akuzë bindëse, nisur vetëm nga një copë letër anonime ishte një goditje e rëndë për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Në fillim u duk se Edi Rama do të lëvizte të gjitha fijet që ka si pushtetmbajtësi absolut i këtij vendi për ta zhbërë këtë inkursion kriminal të SPAK-ut. Dhe ashtu u duk në fillim. Mirëpo, pastaj, gjithçka u venit. 

Tërheqja e Ramës dhe porosia që ai u dha të tijve që të mos prononcoheshin për rastin Veliaj, në emër të parimit se PS-ja nuk ndërhyn në drejtësinë shqiptare, në rastin e Veliajt, ishte jo bindëse. Njëjtësimi i PS-së me prokurorë si Olsi Dado dhe lënia e fatit të Veliajt në dorë të një trupe që po shkelte ligjet dhe po përdhoste në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut në këtë vend, nuk mund të quhej dhe të shpallej parim. Partitë politike janë organizime vullnetare që bazohen mbi respektin dhe solidaritetin. Në të gjithë botën, solidariteti si parim human nënkupton jo vetminë, por përkrahjen, ndihmën. Si mund të lihet vetëm Erion Veliaj përballë hijenave që duan ta shqyejnë vetëm sepse ai nuk miratoi një kat shtesë për prokurorin Olsi Dado ? Si mund të lihet vetëm Erion Veliaj përballë një sistemi gjykatash të kalbura, të trembura dhe të mbushura me të paaftë të cilat nuk kanë kurajon të tregojnë se drejtësinë e jep gjykata, prokurori akuzon. 

Erion Veliaj nuk shpalli dhe as nuk krijoi ndonjë fraksion që mund të rrezikonet ndarjen e PS-së. Përkundrazi ai ishte frymëzimi i saj për shumë e shumë qytetarë që shihnin te ai njeriun e punës dhe të shpresës. Pikërisht për këtë ai u vu në shënjestër të një grupi halucinant të PD-së, të cilët, për muaj me radhë, si të ndërkryer ulërinin para zyrës së tij duke i përmendur një aferë të sajuar, një shpifje të ndyrë të një italiani që tani u provua se ishte gënjeshtër. As atëherë unë nuk pashë solidaritet të familjes së PS-së me Veliajn. I vetmi që përgjonte prapa ferrave të urrejtjes dhe lëshonte jargë triumfi ishte Olsi Dado, prokurori-noter e ndërtues beniamini i Ina Ramës që Berisha e quajti « lavire bulevardi », i cili më 10 shkurt, me bekimin edhe të Altin Dumanit, i hodhi prangat Veliajt. Të gjithë këta ishin siguruar më parë që Ulsi Manja do ta trajtonte Veliajn në qeli si një kriminel të rrezikshëm dhe do të mbanin ndaj tij një qëndrim çnjerëzor. Po në këtë rast ku ishte solidariteti i PS-së. Unë e kuptoj Edi Ramën kur thotë se ne nuk marrim në mbrojtje askënd dhe nuk do të jemi në krah të askujt kur ai bie në dorë të Olsi Dados apo Altin Dumanit. Por e kam të vështirë të kuptoj se si mund të mos ndërhyjë për një trajtim dinjitoz apo si nuk u shpreh të paktën njëherë për trajtimin çnjerëzor që Ulsi Manja i bënte Veliajt në burg. 

Vetmia e Erion Veliajt pa asnjë shkak dhe braktisja që po i bën PS-ja është një sinjal i keq për demokracionë e brendshme të asaj partie. Aty askush nuk mund ta ndiejë vetën të sigurtë. Frika nga linçimi, nga zilia, nga hakmarrja dhe braktisja e trishtë të kujton kohët e errëta të nënës së kësaj partie – Partisë së Punës – e cila luftën e brendshme e shpallte si parim të ruajtjes së partisë nga shkelësit. Sot është e vështirë të kuptohet se përse PS-ja nuk shprehet dhe nuk mbron apo nuk është në krah të Ilir Beqajt fjala vjen i cili edhe trajtohet në mënyrë çnjerëzore në qeli dhe ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, dhe sidomos të Erion Veliajt i cili jo vetëm ka hedhur poshtë çdo akuzë, edhe opinioni i juristëve më të shquar të këtij thotë se ndaj tij po ushtrohet dhunë ligjore dhe se arrestimi dhe mbajtja në burg e tij është bërë në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe kodin penal të këtij vendi. Nuk dua të merrem me vendimin e fundit të Ramës për ta pushuar nga puna Veliajn dhe për të shpallur zgjedhjet në Tiranë. Kjo është jo vetëm e padrejtë por të shtyn në arsyetime që unë nuk dua t’i bëj. 

 

 

The post Erion Veliaj – Vetmia e pamerituar dhe demokracia e frikës first appeared on JavaNews.al.

Virgjëreshat shqiptare dhe orientimi i tyre seksual

Nga Ilir Yzeri

Këto ditë ka pasur një debat sipas stilit shqiptar për orientimin seksual të një kategorie unike antropologjike shqiptare që njihen me emrin « virgjëresha » ose « burrnesha ». Aty nga viti 2014, për nevojat e mia akademike, përgatita një kumtesë që e mbajta në një aktivitet ndërkombëtar në Bukuresht, me titullin « Virgjëreshat shqiptare në kërkim të një vendi antropologjik » (Partages, genrés de l’espace, Universiteti « Spiru Haret », Bucarest, 2014, Ilir Yzeiri- Les vierges albanais à la recherche d’un lieu antropologique, June 5-6, 2014 ». Nga ai studim po sjell disa konsiderata pwr kwtw argument. Virgjëreshat shqiptare janë femra që zgjedhin të jetojnë si burra. Për këtë, ato betohen para një jurie prej dymbëdhjetë vetësh që nuk do të shkelin virgjërinë. Disa prej tyre ndërrojnë edhe pamjen, duke prerë flokët dhe duke u veshur me rrobe meshkujsh. Ato fitojnë statusin e mashkullit dhe kanë të drejtë të bëjnë një jetë më të lirë ; mund të mbajnë armë, mund të dalin në mal të kullosin bagëtinë, të sillen si meshkujt, madje duke gëzuar edhe disa nga kënaqësitë e tyre, si pirjen e duhanit apo alkoolin.

Është një dukuri relativisht e vjetër që, sipas albanologëve të huaj, shfaqet diku nga shekulli XVII dhe prek zonat e Veriut të Shqipërisë, Malësinë e Madhe, Malin e Zi dhe Bosnjen. Ajo është vënë re nga albanologë të huaj, si Hahn apo udhëtarë të ndryshëm, si Durheim, dhe është përshkruar edhe nga misionarë katolikë që shërbenin në këto zona, dhe kishin interesa për studime etnologjike e antropologjike[1]. Pas rënies së komunizmit, në Shqipëri numëroheshin dhjetëra virgjëresha të cilat, shumë shpejt, u gjendën të rrethuara nga kureshtja e pothuajse të gjitha mediave të globit. Gazetarë, fotografë, e lloj-lloj kuriozësh, vërshuan në Shqipëri për t’i parë nga afër dhe për të gjurmuar jetën e tyre. U botuan artikuj, pothuajse, në të gjitha të përditshmet e mëdha të globit si « New York Times », « Daily Mail », u prodhuan dokumentarë, filma, u botuan libra artistikë dhe në vitin 2000, një antropologe angleze, Antonia Yuong » boton librin « Women Who Become Men »[2].

Qoftë kjo autore, qoftë edhe gazetarë apo dijetarë të ndryshëm që janë marrë apo që merreshin me këtë dukuri, në fillim, u joshën nga ideja se pas këtyre virgjëreshave, mund të fshihej një formë e fshehtë e homoseksualitetit, e lashtë, dhe e panjohur më parë. Mirëpo, shumë shpejt, ata vunë re se kjo dukuri, në rastin shqiptar, homoseksualiteti, pra, nuk ekzistonte. Për ta shpjeguar fenomenin, më parë, duhet të dimë se cili ishte vendi i femrës në Kanun. Aty raporti mashkull/femër paraqitet në një formë brenda së cilës shtresëzohen disa kuptime, dhe, në raportin femër/ mashkull, Kanuni shqiptar reflekton një gjendje të lashtë të jetës shoqërore që gjendet, fjala vjen, edhe te popujt gjermanikë. Aty, vendi i femrës, disa herë, plotësohet me figurën e mashkullit. Virgjëreshat janë një ilustrim i qartë i këtij sistemi. Mallkimi më i madh për një femër, sipas Kanunit, është shterpësia, paaftësia e saj për t’u bërë nënë, për t’u riprodhuar. E virgjër quhesh derisa nuk je martuar ose në qoftë se refuzon të martohesh. Këtë vullnet ato ia deklarojnë familjes së tyre.

Në qoftë se ajo ka qenë e fejuar, atëhere ajo do të betohet para një jurie prej 12 vetësh që do të rrijë përjetë e virgjër dhe familja është e shtrënguar që të kthejë dhuratat që ka marrë nga familja e djalit. Femrat në malësitë e Veriut të Shqipërisë e zgjedhin këtë status jo vetëm për të kundërshtuar fejesën, por edhe për motive të tjera. Një nga arsyet më të shpeshta është e drejta e trashëgimisë e cila, disa here, u jepet atyre që kanë statusin e « virgjëreshave ». Sipas Kanunit, femra është e zhveshur nga e drejta e pronësisë. Ajo as nuk merr dhe as nuk trashëgon asgjë prej pasurisë familjare. Studiuesit e lidhin këtë me një reminishencë të shmangies së matriarkatit, sepse, në qoftë se femrës do i njihej ky status, atëhere në familjen e burrit do të vërshonin anëtarët e e familjes nga vija e nënës.[3] Po ashtu, sipas një ligji tjetër të pashkruar, në qoftë se dy vajza mbeteshin jetime, atëhere sipas besimit që “dy vajza bëjnë një djalë”, këto të dyja, në qoftë se deklaroheshin “virgjëresha”, mund të gëzonin një jetë të natyrshme, duke shfrytëzuar gjithë pasurinë e babait, megjithëse ai, babai, mund të kishte trashëgimtarë meshkuj nga ana e tij, si djemtë e vëllait, fjala vjen.

Ndërkaq, nëse mbetet jetime vetëm një vajzë, pa pasur të tjerë meshkuj në familjen e vëllezërve të babait, ajo, me kushtin që të deklarohet virgjëreshë, mund të gëzojë trashëgiminë e të atit. Por, në qoftë se ajo ka dhe të tjerë të afërm meshkuj, këta duhet të llogarisin edhe pjesën e saj e cila është e barabartë me të tyren. Virgjëresha e administron atë deri në vdekjen e saj. Kur ajo vdes, pasuria e saj i kalon trashëgimtarëve meshkuj. Po ashtu, nëse prindërit vdesin dhe lënë një fëmijë të madhe “virgjëreshë” dhe disa të tjerë më të vegjël, ajo merr përgjegjësinë e menaxhimit të familjes. Madje edhe kur fëmijët meshkuj rriten, asaj i mbeten përgjegjësitë, të cilat mund t’i hiqen vetëm nëse ajo i refuzon vetë. Në të tilla raste shefi i familjes duhet të veprojë dhe të marrë vendime vetëm në bashkëpunim me të. Një tjetër motiv për të mbetur virgjëreshë mund të jetë edhe dashuria për familjen ose egocentrizmi familjar. Kjo ndodh atëhere kur prindërit nuk janë të aftë të menaxhojnë familjen, qoftë për shkaqe të moshës, qoftë për shkaqe të tjera. Në këtë rast, duke mos pasur fëmijë të tjerë që të marrin këto përgjegjësi, vajza heq dorë nga martesa dhe betohet se do të rrijë virgjëreshë.

Por këto janë raste të rralla sepse, sipas besimit të malësorëve, është turp i madh të mos martosh vajzën, të mos e shkëmbesh këtë mall. Në shumë raste, vajza që është betuar si virgjëreshë merr rrobat e mashkullit, vishet si burrë dhe, ashtu si djali, shfaq formën sublime të mashkullit – mbajtjen e armës. Virgjëreshat dallohen nga vajzat e tjera sepse ato kolliten si burrat dhe ashtu si ata mbajnë shallin, kësulën, dhe xhoken, një lloj xhakete e shkurtër e zezë. Ato kërkojnë gjithnjë e më shumë që të bëjnë jetën e mashkullit; zgjedhin të punojnë tokën, të pinë duhan. Disa studiues, sidomos etnologët e shkollës romantike të Vienës, mendojnë se “virgjëreshat nuk përbëjnë një kastë”. Studiuesit janë të ndarë sa i takon vlerësimit të tyre. Injac Zamputi, një studiues i njohur shqiptar, mendon se kur një vajzë është e rrëmbyer nga çështjet që i përkasin fisit dhe ndien në veten e saj energji të mjafta për t’i shërbyer vendit si të ishte djalë (sidomos kur shtëpia e prindit nuk ka djalë), ajo mund ta bëjë këtë që të mos konsiderohet tepricë në shtëpi apo në fis të vet, por me një kusht që është dhe një sakrificë: ajo duhet të heqë dorë nga funksioni kryesor që ka gruaja në atë shoqëri, domethëne duhet të qëndrojë përgjithmonë e virgjër, pa shkuar te burri dhe të heqë dorë nga mëmësia.

Ajo duhet të heqë dorë nga jeta e saj seksuale. Duhet të mendojë, të veprojë e të vishet si burrë. Po Kanuni nuk ia njeh tërësisht këtë status. Ajo ka vetëm “lirinë me ndejë me burra”[4]. Sipas Zamputit, këto virgjëresha janë identifikuar më pas me figurat e grave luftëtare, heroina, që nga roli i mashkullit kanë marrë vetëm guximin, trimërinë dhe sakrificën për nevoja të ruajtjes së territorit të fisit, apo dhe të kombit. Studiuesit kanë vënë re se virgjëreshat shqiptare janë krejtësisht të ndryshme nga zakoni i heterisë joniane. Në fakt, heteret joniane dhe virgjëreshat shqiptare janë dy shenja të kundërta, sepse të parat ndërrojnë kuptim dhe përafrohen me burrin, por pa marrë prej tij utopinë e kënaqësisë seksuale, kurse ato joniane refuzojnë jetesën me burrin, por nuk heqin dorë nga kënaqësia seksuale. Studiuesit bien në një mendje se është e vështirë të përcaktohet vjetërsia e këtij zakoni që i kalon kufijtë e Malësisë. Ata kanë hetuar se në një krahinë tjetër, në atë të Matit, pra më në verilindje, ky zakon ndeshet ende edhe në periudhën e kalimit në islamizëm.

Por si duhet pajtuar koncepti kanunor se gruaja është caktuar, në radhë të pare, për të shkuar te burri që t’i sigurojë atij shtimin e konakut me këtë praktikë virgjërimi? Studiuesit mendojnë se ky është një përjashtim[5], sepse po të kishte rrezikuar riprodhimin, Kanuni nuk do ta kishte lejuar. Ai mund të lidhet edhe me një zakon tjetër të jetës së fiseve të Malësisë, gjurmët e të cilit sipas Zamputit i gjejmë në një dokument të vitit 1617: “Burrat nuk martohen derisa të bahen tridhjetë vjeç dhe vajzat njëzetë e pesë. Vajzat nuk dallohen prej meshkujve sepse janë të rrueme flokësh dhe veshin rroba burrash dhe kur martohen i lënë flokët të rriten”[6].  Në hapësirën utopike të përkushtimit për punët e fisit, femra e malësisë projektohej si e ngjashme me burrin, dhe, gjithmonë, për të kryer këtë mision, ajo heq dorë nga feminiliteti dhe transferohet në hapësirën e mashkullit. Por, ka dhe raste kur, edhe pasi e ka mbaruar këtë mision, ajo nuk arrin të rikthehet në hapësirën e utopisë së femrës, sepse një pasion tjetër, ai për vëllain që është më i madh se të gjitha pasionet e tjera, e tërheq deri në vetëflijim. Në legjendat shqiptare, në atë të Gjergj Elez Alisë, fjala vjen, motra, pasi ka ndënjtur nëntë vjet duke mjekuar të vëllain e plagosur me ujët e burimit nëntëvjeçar, kur vëllai, pasi është ngritur nga shtrati ku rrinte për nëntë vjet, dhe pasi ka vrarë në dylyftim bajlozin, vdes, po ashtu edhe motra shuhet në të njëjtën ditë me të:

Te dy zemrat po pr’i herë janë ndalun[7]

Një shembull tjetër i virgjërisë së përkohshme është edhe ai i motrës së Skënderbeut, e cila, pas vdekjes së Vojsavës qëndroi virgjëreshë dersia u kthye i vëllai që e martoi dhe i vuri nderin në vend. Sepse nderi suprem i vajzës në malësi është të bëhet gruaja e burrit. Te virgjëreshat e betuara disa studiues kanë parë edhe një aspekt të virgjërisë asketike kristiane. Sipas tyre, për ta kristalizuar në Kanun konceptin e virgjërisë mund të ketë ndikuar virgjëria asketike kristiane. Të nxitur nga këta misionarë, disa nga vajzat malësore dhe fushore, atëhere kur nisi të praktikohej virgjëria kristiane, i prishën fejesat e detyruara dhe, për të shmangur hakmarrjen dhe gjakderdhjen që mund të shkaktonte një vendim i tillë, përqafuan këtë lloj virgjërie.

*Komenti i ADN-së 129

(1)Dr. Ernesto Cozzi, La donna albanese,  ANTHROPOS, Revue internationale d’ethnologie et de linguistique, Sonderabdruck, band VII, 1912, Ëien, Osterreich, p.309-335.

[2] Antonia Yuong, Oxford[u.a.] Berg 2000

[3] Shih Cozzi E. vep e cit., f.318.

[4] Kanuni § 1228

[5] Cozzi, E. , Zamputi, I.

[6] Nga një letër e datës 23 tetor 1617 e të quejtunit sulltan Jahja në „ Sultan Jahja drll imperial casa ottomana, etc, publicati da Vittorio Catuldi, Trieste 1889, fq.506, cituar sipas I. Zamputi, f. 119

[7] Po aty, Gjerjg Elez alia,

The post Virgjëreshat shqiptare dhe orientimi i tyre seksual first appeared on JavaNews.al.

Rasti bullgar dhe Erion Veliaj

Nga Ilir Yzeiri

EUalive.net është një media e pavarur, e regjistruar në Belgjikë, me qendra editoriale në Bruksel dhe Sofje, dhe me një rrjet partnerësh që shtrihet nga Ukraina në Serbi. E krijuar nga Georgi Gotev, një gazetar veteran nga Euractiv.com, EUalive i është përkushtuar ofrimit të raportimeve me cilësi të lartë, analizave të thella dhe opinioneve të larmishme, me fokus në rajonet e nënraportuara të Evropës. Misioni ynë është të thellojmë kuptimin publik të çështjeve të BE-së për një audiencë të gjerë globale, thuhet në hyrje të kësaj platforme. Më datën 25 shtator ajo boton shkrimin

Në Bullgari, antikorrupsioni shndërrohet në represion

Rasti i kryetarit të bashkisë Blagomir Kotsev ka një ndikim të madh mbi qytetin e Varnës, ku ndikimi rus kërkon të depërtojë, me autorw Georgi Gotev dhe Emilia Milcheva

(EUalive 23 shtator 2025). Wshtw interesant se rasti qw pwrshkruhet aty wshtw i njwjtw me atw tw Erion Veliajt. Ja çfarw shkruajnw autorwt e kwtij investigimi :

Programi i Rimëkëmbjes dhe Rezistencës (RRF) i Bashkimit Evropian nuk kishte për qëllim kurrë të financonte represionin. Ai u krijua për të rindërtuar ekonomitë dhe për të përforcuar reformat demokratike. Megjithatë, në Bullgari, historia e kryetarit të bashkisë së Varnës, Blagomir Kotsev, zbulon se si një moment historik reformash – krijimi i një komisioni të pavarur antikorrupsion – jo vetëm që ka dështuar, por është shndërruar në një instrument kontrolli politik.

Një kryetar bashkie pas hekurave

Blagomir Kotsev, kryetari i zgjedhur i bashkisë së Varnës, që përfaqëson një forcë opozitare, është sot një i burgosur politik i mbajtur nën masa të sigurisë së lartë pa një vendim fajësie. I kufizuar në një orë qëndrim jashtë në ditë, i nënshtruar kufizimeve të rënda në kontaktin me komunitetin e tij dhe i privuar nga procesi i rregullt ligjor, Kotsev është bërë simboli i mënyrës se si komisioni antikorrupsion, një moment i domosdoshëm i RRF-së, po përdoret si armë.

Mbrojtja e tij është dokumentuar me dosje të mbajtura çështjesh, zbulime të vonuara të fakteve dhe abuzime procedurale që i heqin prezumimin e pafajësisë.

Kotsev nuk është i vetëm. Të paktën tre zyrtarë të tjerë të opozitës mbeten të burgosur pa vendime. Pikërisht organi që synon të sigurojë pavarësinë dhe transparencën në qeverisje po i hesht zërat e opozitës. Për Varnën, një qendër strategjike në Detin e Zi, kjo nuk është vetëm një tragjedi lokale – është një dobësi gjeopolitike.

Pse Varna ka rëndësi

Varna është më shumë sesa kryeqyteti detar i Bullgarisë. Është qendra logjistike e NATO-s në Detin e Zi dhe një qytet ku ndikimi rus historikisht është përpjekur të depërtojë. Nëse një kryetar bashkie opozitar mund të burgoset nën maskën e ‘antikorrupsionit’, precedenti është i rrezikshëm: Moska fiton kur qeverisja demokratike në Varna lëkundet. Erozioni i lirive politike në një qytet kaq strategjikisht të rëndësishëm minon jo vetëm demokracinë bullgare, por edhe sigurinë kolektive të Evropës.

Nga reforma në regres

Plani i Rimëkëmbjes dhe Rezistencës i Bullgarisë kërkonte në mënyrë të qartë krijimin e një organi anti-korrupsion të pavarur politikisht dhe financiarisht, të emëruar përmes proceseve transparente dhe të rishikuar nga kolegët nga GRECO. Në vend të kësaj, ajo që ekziston është një komision i karakterizuar nga politizimi dhe instrumentalizimi. Dosjet parlamentare dhe parashtrimet e mbrojtjes tregojnë për pengimin e çështjeve të Zyrës së Prokurorit Publik Evropian, fshehjen e provave dhe vonesat në kërkime. Paraburgimi i Kotsev nuk është përjashtim – është prova më e qartë e kapjes sistemike.

Dilema e Evropës

FRF është një instrument i bazuar në performancë: reformat së pari, fondet së dyti. Komisioni tani përballet me një zgjedhje. A do ta shpërndajë këstin e dytë prej 653 milionë eurosh nga paratë e taksapaguesve evropianë, ndërsa reforma historike e Bullgarisë prodhon të burgosur politikë, apo do të këmbëngulë që paratë evropiane të mos subvencionojnë të kundërtën e asaj që synohej të arrihej? Besueshmëria e FRF-së dhe qëndrimi i BE-së ndaj sundimit të ligjit janë në dyshim.

Një pauzë e nevojshme

Historia e Blagomirit Kotsev nuk ka të bëjë vetëm me burgosjen e padrejtë të një kryetari bashkie – ka të bëjë me faktin nëse taksapaguesit evropianë do të financojnë institucionet që e përforcojnë demokracinë apo ato që e çmontojnë atë. Fati i Varnës ka një rëndësi të jashtëzakonshme, si një qytet në vijën e parë të sigurisë në Detin e Zi, ashtu edhe si një provë e vendosmërisë së BE-së. Për të ecur përpara me përgjegjësi, Brukseli duhet të reflektojë nëse lirimi i pagesës së ardhshme të RRF-së në kushtet aktuale do të shpërblente reformën apo represionin.

Përfundimi nuk lind nga ideologjia, por nga logjika: derisa Bullgaria të tregojë se kuadri i saj antikorrupsion është vërtet i pavarur, se respektohet procesi i rregullt ligjor dhe se të burgosurit politikë si Kotsev janë të lirë t’u shërbejnë zgjedhësve të tyre, Komisioni duhet të japë një sinjal. Një pauzë nuk është ndëshkim; është ndoshta e vetmja mënyrë për të ruajtur integritetin si të RRF-së ashtu edhe të premtimit demokratik të Evropës.

Kur lexon këto reshta vëren se forcat regresive si ato që kanë krijuar Komisionin Antikorrupsion në Bullgari, si SPAK në Shqipëri godasin njerëzit më të afrimuar politikisht dhe trajtimi ndaj tyre në paraburgim është çnjerëzor. Nuk po përmend këtu rastin e kryetarit të bashkisë së Stambollit. Vetëm se në këtë rast duhet të bëjmë një dallim. Në Shqipëri, mazhoranca ia ka shitur të drejtën për të luftuar korrupsionin një trupe gjyqtarësh e prokurorësh pa identitet dhe pa moral juridik e qytetar. Në emër të pavarësisë së drejtësisë, qeveria shqiptare ia ka deleguar këtë pushtet një trupe që tani ka dalë jashtë kontrollit dhe ka vënë në pikëpyetje demokracinë. Në Bullgari e në Turqi qeveria ka kapur drejtësinë dhe e përdor atë politikisht. Për fat të keq në të trija rastet, rezultati është i njëjtë.

The post Rasti bullgar dhe Erion Veliaj first appeared on JavaNews.al.

Erion Veliaj, fati i një lideri në rritje

Nga Ilir Yzeiri

Rasti i Erion Veliajt është një nga dëmet më të rënda që mund t’i bëhet demokracisë së brishtë të një vendi si yni dhe tregon se sa të rënda mund të jenë shkeljet e tjera të të drejtave të njeriut në këtë vend. Që nga koha e rrëmbimit të dhunshëm të tij nga BKH-ja, me urdhër të një prokurori që nuk ka punuar asnjë ditë si rojtar i ligjit, e deri më sot, janë botuar me dhjetëra e më shumë opinione nga profesionistë të të gjitha kategorive të cilët kanë argumentuar se ajo që po ndodh me Veliajn është vetëm maja e ajsbergut e një sistemi represiv që është instaluar në Shqipëri pas miratimit të Reformës në Drejtësi. Fataliteti nuk qëndron te ajo që po ndodh, por te mazhoranca e cila, me arsyetime jo bindëse dhe të trishta, përpiqet ta mbrojë reformën me argumentin e foshnjes me pelenat, duke krijuar përshtypjen se ashtu si në socializëm, Kodi Penal dhe sistemi i drejtësisë nuk mund të preken.

Pikërisht atëherë kur të gjithë prisnin që mazhoranca të ndërhynte e të korrigjonte Kodin Penal, në publik u hodh një draft i një kodi tjetër penal i cili, jo vetëm që nuk adresonte asnjë nga shqetësimet që kishte ngritur opinioni në këta vjet sa i takon pushtetit represiv të prokurorëve, por e kishte forcuar atë. Pastaj me të dy ata që e paraqisnin në opinion u bë edhe qesharak. Shoqëria shqiptare po mbahet në terr informativ dhe askush nuk flet qartë e drejt e të thotë se ne jemi Republikë Parlamentare dhe të gjitha pushtetet e tjera rrjedhin prej këtij Pushteti solemn. Mazhoranca e ka për detyrë që të gjejë mekanizma në mënyrë që në të gjitha institucionet e drejtësisë që ndërtohen nga Parlamenti, të shpallet vullneti i popullit dhe jo ai i një grushti prokurorësh që spekulojnë me drejtësinë.

Në Asamblenë e PS-së, kryeministri Rama, me të drejtë, adresoi edhe aty disa shqetësime që ka sjellë pushteti i pakontrolluar i prokurorëve dhe përmendi me emër edhe rastin Veliaj. Ai tha se GJKKO-ja nuk po del dot nga varësia e SPAK-ut. Ndonëse të drojtura e të përmbajtura, vërejtjet e kryeministrit Rama të krijojnë përshtypjen se nuk do të mbeten vetëm aty, por mund të shtyhen më tej. Të presim. Personalisht nuk dua të bie në konspiracionizëm, por e kam të vështirë ta shpjegoj lëvizjen e fundit të Ramës në lidhje me Veliajn. Jam i bindur që ai jo vetëm e vlerëson Veliajn, por e ka treguar në shumë raste, madje edhe në mbledhjen e fundit të Asamblesë, më dt. 11 shtator, se Veliaj është marrë peng nga një prokuror që ka konflikt të hapur interesi, intrigant dhe i paaftë, i cili vetë ka shkruar një letër anonime me akuza qesharake.

Mirëpo, më duket çudi se si kryeministri pati durimin dhe nuk i dekretoi zgjedhjet për Bashkinë e Himarës derisa Gjykata, në të trija shkallët, u shpreh për fatin e Belerit dhe tani ndërpreu mandatin e Valiajt. Gjithnjë në historinë e re të demokracisë shqiptare ka diçka nga konspiracioni helen. Edhe në rastin e Veliajt, një pistë e besueshme ishte dhe është hakmarrja greke ndaj Ramës. Mirëpo, gjithnjë brenda konspiracionit, disa të tjerë nxituan të thonë se Veliaj, pas këtij qëndrimi të Ramës, u eleminua nga lidershipi i PS-së dhe dikush tjetër u projektua në vend të tij. Nëse do të analizonim antropologjinë e PS-së, ajo është një forcë politike me organizim vertikal dhe aty fati i liderit të ardhshëm përcaktohet nga vullneti i atij që drejton në atë çast PS-në. Ishte vullneti i Ramiz Alisë për t’ia lënë partinë Nanos dhe vullneti i Nanos për ta dorëzuar partinë.

Në atë rast partia ishte në duart e Ruçit dhe ai e mandatoi te Rama. Sot është herët të flitet për pasardhësin e Ramës, por një gjë është e sigurtë. Edi Rama vjen nga shkolla moderne e politikës dhe e di mirë se drejtimi i PS-së nesër duhet të kalojë përmes një lideri me vizion e pasion, gjithashtu. Asnjëherë më parë PS-ja, pas Edi Ramës, nuk ka pasur një lider tjetër më të aftë e më energjik sesa Erion Veliaj. Sot ai është i mbyllur në mënyrë të dhunshme në qelitë e Durrësit, por ky nuk është fatalitet.

Absurdi me drejtësinë shqiptare mund të zgjasë edhe pak, por Erion Veliaj do të kthehet edhe më i fuqishëm pas kësaj që i ndodhi, sepse ky linçim publik e ndihmoi atë që të kuptonin të gjithë se në karrierën e tij politike ai jo vetëm që nuk ka abuzuar, por ka zgjuar zilinë e të gjithë atyre që kanë dashur t’i shkatërrojnë karrierën. Ne nuk kemi drejtësi dhe gjykata të lira e të pavarura.

Unë do të doja të besoja se Gjykata e Lartë, së cilës Veliaj i është drejtuar për rekurs, do të gjejë forcën dhe dinjitetin e ligjit që ta ktheje në shtëpi Erion Veliajn sepse tani dosja ka shkuar në Gjykatë dhe ai nuk rrezikon asnjë provë. Nuk dua të përmend këtu rastin e kryebashkiakut të New Yorkut që pati dyfishin e akuzave të Veliajt dhe vazhdoi i qetë punën derisa gjykata e liroi nga të gjitha akuzat, por dua të mendoj se Veliajt i ra barra të provonte marrëzinë, ligësinë dhe urrejtjen e një prokurori dhe të drejtuesit të tij. Ndoshta këtë llogari ai nuk e kishte bërë kur u përfshi nga Lëvizja « Mjaft » në PS. Veliaj e ka të gjithë fatin me vete. Është i ri, i pafajshëm dhe viktimë e një koalicioni të egër keqdashës. Në anën tjetër, ai shihet nga PS-ja si e vetmja mundësi e trashëgimit të përvojës së Edi Ramës në këtë vend. Gjithë problemi tani është durimi dhe koha.

The post Erion Veliaj, fati i një lideri në rritje first appeared on JavaNews.al.

❌