Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Pro protestës pa Berishën, pro investimit në Zvërnec

Nga Adriatik Doçi

Teoritë konspirative janë të shumta. Thonë se era e protestave të ditëve të fundit fryn nga Athina, se ka dorë Soros, por ndoshta edhe linja anti-Soros, se organizohen nga vetë Edi Rama, se ka gisht Veliaj, se pas fshihen komunistë dhe marksistë, mjedisorë, grupime pro dhe kundra LGBT, linja antisemite; thonë se pas mund të fshihet Albin Kurti, Arlind Qori, Lulzim Basha, ndoshta qarqet ruse, qarqet serbe, lobe majtiste, segmente brenda PS etj.

Mund të jenë të gjithë bashkë. Mund të mos jetë asnjëra prej tyre. E qartë është se vektori i protestave masive dhe të veshura me spontanitet nuk është më projekti në Zvërnec, investimi i parë serioz, më i madhin në historinë e vendit, gjeopilitik dhe bashkim financiar, që do të vizatojë fytyrën turistike të Shqipërisë, i pangjashëm me çdo investim elitar dhe përfaqësues në Greqi dhe Malin e Zi. Kjo është sa e rëndësishme dhe pozitive aq edhe mençur.

Protestat e ditëve të fundit, me gjasë drejt përshkallëzimit, po konturojnë për herë të parë një opozitë reale, të vendosur dhe qytetare përtej opozitës false zyrtare me në krye Sali Berishë dhe Familjen e tij, një pseudoopozitë e shitur, e degraduar, super e pasur, mbetje komuniste, balliste dhe e ish Sigurimit të Shtetit, me dosje, anti-kombëtare dhe që pastron paratë u merr si haraç oligarkëve, përfitues të parave dhe pasurive publike falë pushtetit të Edi Ramës.

Nga ana tjetër, opozita e reale (në kontrast me opozitën false) që relflektojnë protestat e ditëve të fundit është një mundësi, horizont dhe shans për reflektim nga Edi Rama dhe pushtetin e tij të pamatë, me simptoma serioze arrogance, korrupsioni dhe keqadministrimi të pasurive publike, duke nisur që nga mishmashi me pronat, zhvillimin kaotik të bregdetit, rrugët e lëna rrugëve, kapjen e shëndetësisë nga një oligark që pastron para nga Holanda në Londër, zbrazjen e fshatrave dhe qyteteve, mungesën e sigurisë ushqimore, kompleksimin në raport me drejtësinë etj.

Persekutimi gjyqësor ndaj Veliajt, pse dhëndri i Berishës gjykohet në liri me të njëjtat akuza!

Nga Adriatik Doçi

Vijon persekutimi i çmendur politiko-gjyqësor ndaj Erion Veliajt, i arrestuar bazuar në një dosje letrare të shkruar nga filozofi në tentativë, ndërtuesi dhe noter-violina Ols Dado, i emëruar prokuror në thyerje flagrante të ligjit të kohës.

Edhe sikur akuzat e fantazistit Ols Dado (që i kërkonte Veliaj leje për pallat dhe më pas shtesë pallati në kundërshtim me ligjin dhe duke përdorur funksionin e magjistratit), të qëndrojnë, vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë për të lënë në burg Veliaj, kur ka mbaruar hetimi (mbledhja e provave), thellon kulturën e operimit me dy standarde, mosbesimin te drejtësia e re si dhe bie në kundërshtim me vetë vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, vendim i cili kërkon një arsyetim të thelluar për masën ekstreme të paraburgimit.

Për shembull, dhëndri zëhollë i Sali Berishës, Jamabër Malltezi, me të njëjtat akuza si të Veliajt, po gjykohet në liri, madje cicëron çdo ditë kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve të dosjes së tij penale. Monika Kryemadhi, me të njëjtat akuza si Veliaj, jo vetëm po gjykohet në liri, por përmes karagjozllëqeve po tenton t’a kthejë në skeç çështjen e saj penale. Erzen Breçani, me akuzë më të rëndë penale, atë të grupit të strukturuar kriminal, jo vetëm po gjykohet në liri, por përlan çdo javë para publike përmes tenderave të dyshimtë.

Në një kohë kur Erion Veliaj mbahet në burg pa firmosur asgjë, por për raftin e bashkëshortes, Sali Berisha, me të paktën 32 vrasje të provuara mbi kurriz, jo vetëm që është i lirë, por qahet çdo ditë për përkeqësimin e demokracisë dhe telendis magjistratët e dosjes së korrupsionit të tij dhe Familjes. Këto rrethana faktike tregojnë se disa janë ‘më barabartë’ se të tjerët para drejtësisë së re, e cila nuk po çlirohet nga fantazma e të vjetrës.

440 shtëpi/ Pse Berisha është politikani më i pasur dhe i korruptuar në Ballkan, në 2003 kishte vetëm 1 apartament 69 m2

Nga Adriatik Doçi

Në vitin 2003, kur ka deklaruar pasurinë për herë të parë, Sali Berisha deklaron si pasuri të paluajtshme vetëm një apartament me sipërfaqeb 69 m2, në pallat parafabrikat. Vitet e fundit, duke verifikuar në regjistrat hipotekor, rezultuan rreth 50 pasuri të paluajtshme, me vlerë dhjetëra milionë euro, kryesisht në emrin e dhëndrit zëhollë dhe të bijës.

Më pas këto pasuri të paluajtshme u reflektuan në dosjen penale të SPAK për aferën e tjetërsimit të ish Klubit Partizani, me të pamdehur Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin, të cilët akuzohen për korrupsion dhe pastrim parash. Një pjesë e pasurive të paluajtshme janë sekustruar nga SPAK si produkt i aferave korruptive të Sali Berishës, i cili rezulton se ka përdorur pushtetin për pasurimin e Familjes.

Krahas trojeve, fabrikave etj., Sali Berisha, jo rastësisht non grata në SHBA dhe Britaninë e Madhe, posedon të paktën 40 apartamente me sipërfaqe mijëra m2, në emrin e familjarëve të tij, produkt i aferave korruptive me pronat dhe paratë publike kur ishte kryeministër.

Bëhet fjalë vetëm pasurinë e deklaruar pjesërisht. Pasuria e padeklaruar, kamufluar në emra të tjerë, dyshohet se ka një vlerë qindra milionë euro, ku përfshihen vila, zyra, resorte, kulla dhe aksione në kompani koncensionare. Evidencat e vizatojnë Sali Berishën si jo vetëm si gjakatar (zhdukja e Remzi Hoxhës, vrasja e Kosta Trebickës, Gërdeci, 21 Janari etj.), por edhe si politikanin më të pasur, rrjedhimisht më të korruptuar në Ballkan.

Disa nga pasuritë e Berishës

–Apartament në Bruksel 395 mijë euro.
-Apartament në Roterdam 360 mijë $.
-Apartament 125 m2 në Tiranë.
-Vilë në Gjirin e Lalëzit.
-Ndërtesë banimi në Gjirin e Lalëzit.
-Apartament, Budapest 155 mijë euro. -Pronë në Mynih të Gjermanisë.
-Apartament 128.3 m2 në Tiranë.
-Apartament 195 mijë euro.
-Apartament 200 mijë euro.
-Apartament 179 mijë euro.
-Bodrum me vlerë 10 mijë $.
-Apartament 100 m2.
-Apartament 75 m2.
-Apartament 100 m2.
-Apartament 146 m2.
Apartament 100 m2.
-Apartament 73 m2.
-Apartament 100 m2.
-Apartament 100 m2.
-Apartament 156 m2 në Tiranë.
Apartament 100 m2.
-Apartament 100 m2.
-Njësi ndërtimore 167 m2 në Tiranë.
-Njësi ndërtimore 205 m2 në Tiranë.
Njësi ndërtimore 100 m2 në Tiranë.
-Njësi ndërtimore 214 m2 në Tiranë.
-Njësi ndërtimore 376 m2 në Tiranë.
-Njësi 113 m2, 160 mijë euro.
-Njësi 107 m2, tek ish Klubi Partizani.
-Apartament 100 m2.
-Apartament 100 m2.
-Apartament 100 m2.
-Apartament 75 m2.
-Apartament 100 m2.
-Apartament 100 m2.
-Apartament 100 m2.
-Apartament 201 m2 në Tiranë.
-Apartament 112 m2 në Tiranë.
-Apartament 208 m2 93 mijë euro.

Shënim: Nuk janë përfshirë troje, kulla, bodrume, garazhe dhe fabrika.

Pse humbja e Orban është një goditje për Berishën dhe mesazhi i gabuar i Tritan Shehut

Nga Adriatik Doçi

Humbja e Viktor Orban, kryeministrit më jetëgjatë të Hungarisë pas komunizmit, duket se ka zënë në befasi pronarin e opozitës shqiptare, Sali Berishën. Për një opozitë normale dhe të vërtetë në raport me qytetarët, disfata e Orban duhet të ishte një rreze shprese, por për Sali Berishën dhe Familjen e tij është në fakt një tjetër goditje para humbjes së pritshme të zgjedhjeve lokale.

Fillimisht, Berisha zgjodhi taktikën e injorimit të përmbysjes së pushtetit në Hungari, duke i kushtuar vëmendje memeve dhe monologjeve për dokrra hiri. Mandej hodhi në skenë budalla Mulin, i cili, në dilemë nëse duhej të dukej i gëzuar apo i hidhëruar, ndryshoi katër herë reagimin për fitoren e opozitarit Peter Magyarndaj kryeministrit Viktor Orban.

Më tragjikomik ishte qëndrimi i Tritan Shehut, i cili shkroi se reja do të trumfojë edhe në Shqipëri si analogji për fitoren e opozitës në Hungari. Mesazhi për të renë vjen pikërisht nga një personazh, i cili në rininë e tij shfaqej mes Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë gjatë fushatës së vitit 1967 për shembjen e kishave dhe xhamive!

Më në fund erdhi reagimi i Berishës, i cili vlerësoi fitoren opozitarit të ri Peter Magyar, por edhe kryeministrin Viktor Orban, i cili sipas tij, ndryshe nga Edi Rama, lejoi zgjedhje të lira. Në një linjë me Berishën ishte edhe gazetari i familjes së tij, ‘i famshmi’ Çim Peka, ndonëse nuk anoi nga gëzimi, por as nga hidhërimi.

Po pse humbja e Orban është një lajm i keq për opozitën shqiptare?

Së pari, zgjedhjet në Hungari u fituan nga një lider 45-vjeçar si Peter Magyar, pa të kaluar komuniste, korruptive dhe gjakatare. Ndërsa opozita shqiptare drejtohet nga një personazh si Sali Berisha, i cili ka dalë nga oxhaku i familjes së Enver Hoxhës, është nongrata nga SHBA dhe Britania e Madhe për korrupsion, kapje të drejtësisë dhe minim të demokracisë. Është i pandehur nga drejtësia e vendit të tij për korrupsion. Në vitet ’90, Peter Magyar që fitoi zgjedhjet ishte 9 vjeç, Sali Berisha vinte pas 25 viteve si sekretar partie, ndërsa Orban që humbi zgjedhjet shfaqej si liberal.

Së dyti, pavarësisht kontrollit mbi drejtësinë, mbi mediat dhe ekonominë, pavarësisht fuqisë së madhe financiare, instrumenteve të një pushteti të fortë, mbështetjes nga Trump dhe Putinit, Orban u rrëzua me votë popullore. Zgjedhjet në Hungari treguan se asnjë makineri pushteti nuk e ndalon dot ndryshimin. Dhe ndryshimi në Hungari rrëzon alibinë e përsëritur të Sali Berishës gjatë 13 viteve në opozitë për humbjet e njëpasnjëshme, duke delegjitimuar qëndrimin e tij në krye të PD-së.

Së treti, Viktor Orban kishte mbështetjen personale të Donald Trump, për të cilin kupola e opozitës shqiptare u ka mpirë trurin me retorikë mbështetësve të saj se do t’i heqë nongratën Sali Berishës dhe do të rrëzojë Edi Ramën nga pushteti. Nga ana tjetër, opozita e Peter Magyar Kishte mbështetjen e George Soros, të cilit Sali Berisha, për të përligjur mbajtjen peng të Partisë Demokratike si biznes të familjes, i ka faturuar shpalljen nongrata, ‘tradhtinë’ e Lulzim Bashës dhe shumë shkarje të tij dhe të Ilir Metës pas rënies nga pushteti.

Pse nuk duhet bërë më shaka me kauzën 13-vjeçare të PD-së për qeveri teknike?

Nga Adriatik Doçi

Partia Demokratike ka 13 vite, që kur ra nga pushteti, që kërkon qeveri teknike. Para dhjetëra protestave si mjet për të arritur këtë qëllim është paralajmëruar gjithnjë rrëzimi i qeverisë. Por, vetëm ditët e fundit, kjo kauzë, pra fundi i Ramës në pushtet, befas ka nisur të bëhet serioze për disa arsye;

Së pari, në lojën e paralajmërimeve dhe ultimatumeve ka hyrë vetë Çim Peka, i cili deri më tani ka qenë mbështetës disi pasiv i revolucionit paqësor.

Së dyti, ditët e fundit, dhëndri zëhollë është parë duke bërtitur rrugëve të Tiranës dhe duke bërë shenja të çuditshme me dorë.

Së treti, po ditët e fundit, në SHQUP ka hyrë një grua nga Fieri, e cila ka yshtur muret me ujë me sheqer.

Së katërti, rreth 80 % të anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD-së besohet se i kanë shkruar kryeministrit Edi Rama për t’u gjetur punë.

Së pesti, Berisha ka vendosur të fshijë nga statuti ‘Nenin Basha’, të vetmin zhvillim demokratik në PD gjatë 13 viteve të revulucionit.

Së gjashti, ‘Neni Basha’ pritet të zëvëndësohet me një nen që përjashton këdo që kandidon për kryetar të PD-së, përveç Doktorit.

Së shtati, tre të shkarkuar nga Vetingu janë kandidatë potencialë për ministër Drejtësie të qeverisë teknike të pretenduar.

Katër HEC-et/ Rama kërkoi hetime, por ja si e mbylli SPAK tre vite më parë dosjen

Nga Adriatik Doçi

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Kryesisë së PS-së, i kërkoi sot SPAK-ut të hetonte privatizimin e dyshuar korruptiv të katër hidrocentraleve nga Sali Berisha dhe Ridvan Bode para largimit nga pushteti në 2013. Meqenëse për 21 Janarin nuk po ngre ankuzë, Rama i kërkoi SPAK të hetonte shitjen si kthim TVSH-je të katër veprave të ndërtuara nga shqiptarët.

“E dyta, privatizimi kriminal i 4 hidrocentraleve Shkopet, Ulëza, Bistrica 1 dhe Bistrica 2 si kthim TVSH-je. Nëse duan korrupsion dhe duan të luftojnë korrupsionin se krimin mesa duket, nuk e kanë të lehtë ta luftojnë deri në fund përderisa nuk kanë fuqi të ngrenë akuzë për ‘21 janarin’, të shkojnë dhe të marrin dosjen e këtyre 4 veprave të ndërtuara nga populli dhe që i takonin vetëm popullit dhe iu dhanë një kompanie që nuk i kthehej TVSH-ja, thanë TVSH-s’jua kthejmë, por merrni këtë hidrocentralin. Këta janë sot ata që vijnë vërdallë si qentë e pazarit me flakë nëpër duar dhe me llapën jashtë”, u shpreh Rama.

Ndoshta kryeministri nuk është në dijeni, por SPAK ka vendosur që në vitin 2023 refuzimin për të nisur hetimet për çështjen e privatizimit abuziv të HEC-ve Ulëz, Shkopet, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, disa javë para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013, kur Sali Berisha u largua nga pushteti. Vendimi është marrë nga prokurori i SPAK-ut, Sotir Kllapi, me argumentin se disa fakte penale të pretenduara nuk ekzistojnë, ndërsa për disa fakte të tjera ka pasur një hetim nga Prokuroria e Tiranës në vitin 2016, e cila ka vendosur mosfillim të procedimit penal.

Pikërisht sepse prokuroria e vitit 2016 mbyllte dosjet grabitjes së pasurive publike dhe të korrupsionit në nivele të larta, u ngrit SPAK-u.

Drejtësia e vjetër ka mbyllur disa herë edhe dosjes e Gërdecit, 21 Janarit, CEZ etj., por SPAK ka gjetur mekanizma për rinisur hetimet, me qëllim për të identifikuar përgjegjësit e krimeve njerëzore dhe ekonomike.

Të kallëzuar për shitjen e hidrocentraleve ishin ish kryeministri Sali Berisha, ish ministri i Ekonomisë Ilir Meta, ish ministri i Financave, Ridvan Bode, ish ministri i Energjetikës, Edmond Haxhinasto, ish zëvendësministri i Energjetikës Sokol Dervishaj dhe ish drejtori i KESH Engjëll Zeqo.

Në kallëzimin penal të referuar në SPAK nga avokati Idajet Beqiri, pas një investigimi të publikuar në Shqiptarja.com, thuhej se ish zyrtarët në fjalë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kaluar në duart e privatit, kompanisë Kurum, pasurinë publike (4 hidrocentralet), në kundërshtim flagrant me ligjin dhe në mënyrë korruptive, duke shkaktuar një dëm me vlerë 232 milionë euro.

Me një manovër institucionale, për privatizimin u shmang ligjit nr.8306, datë 14.3.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”. Neni 4 i ligjit nr.8306, datë 14.3.1998 ka një paragraf ku shkruhet: “…Nuk do të konsiderohen pjesë të sektorëve me rëndësi të veçantë ndërmarrjet, shoqëritë tregtare ose pjesë të tyre, të cilat kanë ndërprerë veprimtarinë ekonomike dhe kanë rezultat financiar me humbje për mbi 3 vjet rresht”.

Kjo pikë nuk lejonte shkëputjen nga KESH për objektet rentabël siç ishin katër hidrocentralet dhe as privatizimin e tyre.

Për të realizuar qëllimin, institucionet dhe qeveria, ndryshe nga sa parashikohej në kuadrin ligjor, deformuan kriteret mbi cilësimin e investitorit strategjik. Fillimisht shpallen kriteret mbi cilësimin e investitorit strategjik (Neni 4.1), VKM nr. 152 dhe VKM 153 dt 29/02/2012. Mbasi iu dështoi tenderi, bënë vendime qeverie (VKM nr. 676 dhe 677 dt 03/10/2012) për të ndryshuar kriteret mbi cilësimin e investitorit strategjik, duke shkelur haptazi ligjin 8306 edhe pse për ironi vet vendimmarrësit i referoheshin këtij ligji.

Por, prokurori i SPAK-ut nuk mendoi kështu. Sipas tij, në procesin e privatizimit të hidrocentraleve, një pasuri publike e shitur nga Berisha dhe Bode pak ditë para largimit nga pushteti me votë, nuk ka vepër penale. Disa prokurorë të SPAK-ut kanë parë gjurmë të veprave penale që nga rafti i rrobave të bashkëshortes së Erion Veliajt, kanalet e Lushnjes, në arka peshku, fatura restoranti etj., por në shitjen dukshën korruptive të një prej pasurive më të rëndësishme publike, siç janë katër hidrocentralet, SPAK nuk ka parë vepêr penale!

Si po e bjerr Elda Hoti “narkoshtetin” e PD dhe misteri i dorëheqjes së Mark Markut

Nga Adriatik Doçi

Si demi që turfullon para bezes së kuqe, Partia Demokratike iu turr Fatmir Xhafajt, madje sajoi edhe Babalen, për të cilën bëri burg Salianji, për përfshirjen e të vëllait në trafikun e drogës. Ndonëse Xhafaj nuk mbart përgjegjësi ligjore për aktivitetin e paligjshëm të të vëllait, lodrat e SHQUP-it nuk pushuan për dy vite me radhë. Krahas dosjes, Xhafajt i tundnin edhe një fotografi me Enver Hoxhën, në një kohë kur më shumë fotografi me diktatorin kishin vetë Kumbari i SHQUP, Sali Berisha bashkë me Tritan Shehun, ish pionerin kundër kishave dhe xhamive.

Një ditë më parë, mediat italiane raportuan se vëllai i deputetes së Partisë Demokratike Elda Hoti, Markelian Hoti, 27 vjeç, është arrestuar në Romë në zbatim të një urdhër-arresti europian të lëshuar nga autoritetet gjyqësore belge për trafik të lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut drejt Europës. Në vitin 2016, Ladi Ndoja, bashkëshorti i deputetes së PD, Elda Hoti, u arrestuar në flagrancë në Venecia të Italisë, pasi e kishte kthyer shtëpinë në bazë droge.

Para zgjedhjeve të 11 majit 2025, bashkëshorti dhe vëllai i deputetes së PD-së u arrestuan për kanosje ndaj votuesve. Ndërkaq, në vitin 2021, Llesh Nikolli iu drejtuar KQZ-së me ankesë, duke akuzuar deputeten Elda Hoti se ka fshehur ndryshimin e emrit të babai të saj nga David në Artan Hoti, për shkak të të shkuarës së tij kriminale.

Në gusht të vitit 2021, Mark Marku dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, të cilin ia besuan qytetarët e Qarkut të Lezhës në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Vetëm disa ditë para se të konstituohej Kuvendi ri, deputeti i PD-së hoqi dorë nga mandati për motive jo edhe aq bindëse. Vendin e tij e zuri pikërisht Elda Hoti. PD mori katër mandate në Lezhë. Elda Hoti renditej e pesta në listë me 2733 vota.

Zonja Hoti kishte qenë më parë kandidate e LSI-së. Mandej kaloi me Partinë Republikane të Fatmir Mediut, ku edhe mori madatin e Mark Markut, duke u zhvendosur përfundimisht tek PD-ja. Ka dyshime të forta dhe zëra që madati i zonjës Hoti është blerë me para produkt i aktivitetit kriminal. Rasti Elda Hotit tregon se kauza e narkoshtetit të opozitës është thjeshtë një beze e kuqe në arenën politike dhe se Sali Berisha operon dhe zbaton vetë çdo marifet, për të cilin akuzon kundërshtarin politik.

Përgjigje dhëndrit zëhollë të ‘Kontributit Patriotik’

Nga Adriatik Doçi

Nuk e kam mohuar kurrë kontributin që kam dhënë, në bashkëpunim me gazetarin Carlo Bollino, në dokumentimin dhe ekspozimin e aferës korruptive me ish Klubin Partizani, me protagonist Sali Berishën në hije dhe përfitues dhëndrin e tij zëhollë, mjedisorin Jamarbër Malltezin, investigim i cili u kthye në akuzë penale nga SPAK, duke njerrë në pah edhe ‘Kontributin Patriotik’, një kod zhvatje, korrupsioni, pastrimi parash dhe përdorimi të pushtetit për pasurimin e Familjes, elemente këto që reflektohen edhe në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen non grata të Sali Berishës dhe familjes së tij.

Duke ndihmuar drejtësinë për zbulimin dhe zbërthimin e kodit mafioz ‘Kontribut Patriotik’ të pasurimit përmes përdorimit të pushtetit, besoj se kemi dhënë një kontribut publik. Ndërkaq, publikimi i dokumenteve për dhjetëra apartamente dhe vila brenda dhe jashtë Shqipërisë (në emrin e fëmijëve) ka zhbërë mitin e ngritur nga Sali Berisha si një politikan me një apartament dhe i pakorruptueshëm.

Në këtë kontekst, çdo padi për shpifje të pretenduara nga dhëndri zëhollë i Nongratës (i pandehur për korrupsion dhe pastrim parash), me qëllim kufizimin e informimit të publikut mbi aferat e Familjes Berisha, padi nga sëkëlldisja, nga ankthi i rikthimit në burg apo për të shpëlarë fytyrën e korrupsionit, e konsideroj si medalje profesionale, e cila më motivon më tej në misionin denoncues, gjithnjë bazuar mbi evidenca, fakte dhe prova.

Ditën e sotme, dhëndri i Nongratës, i pandehur për korrupsion dhe pastrim parash, ka marrë rolin e postierit të gjykatës, ku më fton në gjyqin e hapur për shpifje të pretenduar.

Së pari, padia drejtuar gjykatës dhe padurimi për të shqyrtuar akuzat në gjyq është një tregues se dhëndri zëhollë ka besim tek drejtësia e re, se fajin nuk ia ka Irena sado mbiemra t’i gjejë, por ‘Kontributi Patriotik’, shkathtësia për të ndërtuar 19 kulla në 113 m2 tokë, pazaret me Fazlliçin dhe ‘taksa’ ndaj biznesmenëve që trokistin në derën e qeverisë së vjehrrit.

Së dyti, jo vetëm që nuk i fshihem përballjes në gjykatë, jo vetëm nuk tërheq asnjë nga akuzat në adresë të Jamarbër Malltezit, i pandehur për korrupsion dhe pastrim parash, por e ftoj dhëndrin zëhollë që të paraqitet në seancën gjyqësore të datës 17 mars 2026, si për ironi dy ditë pas përvjetorit të Gërdecit, që t’i provoj një nga një akuzat si i korruptuar dhe lavatriçe pastrimi parash nën hyqmin e vjehrrit.

Së treti, zonjën Linda Rama e kam parë vetëm në televizor. Nuk dua të merrem me trillime shqupiste dhe çimpekase, por nëse ka qoftë edhe një provë për takime apo instruktime le t’a publikojë.

Ka edhe një të vërtetë tjetër;

Fatmir Bektashi, i cili sipas dosjes së SPAK ka shërbyer si bankomat i dhëndrit zëhollë, është pronar me 100 % të aksioneve të kompanisë Kontakt. Kompania Kontakt ka në pronësi bashkimin e kompanive Kontakt shpk & Magnet Imo shpk. Jamarbër Malltezi, nën akuzë nga SPAK bashkë me Bektashin për korrupsion dhe pastrim parash, është pronar me 50 % të aksioneve të kompanisë Kontakt shpk & Magnet Imo shpk. Kompania Kontakt shpk vijon të marrë leje për kulla nga Edi Rama nga Farka deri në Drilon. Më pas, për thithjen dhe qarkullimin e parave shfaqet kompania Homeplan, në të cilën dhëndri zëhollë ka 45 % të aksioneve.

Marrë nga profili në Facebook

Pse qeveria duhet t’i drejtohet Komisionit të Venecias për çështjen Balluku dhe rreziku i njësimit të GJKKO me SPAK-un

Nga Adriatik Doçi

Gjykata Kushtetuese doli me një qëndrim (pa vendim unifikues) sa i takon padisë së kryeministrit Edi Rama për rrëzimin e vendimit të GJKKO, e cila me kërkesë të SPAK pezulloi nga detyra zv/kryeministren Belinda Balluku, duke shmangur autorizimin nga Kuvendi.

Anëtarët e Kushtetueses u ndanë në dy kampe, katër me katër. Njëri kamp (Marjana Semini, Gent Ibrahimi, Sonila Bejtja dhe Fjona Papajorgji) mendon se GJKKO nuk kishte në kompetencë dhe rrjedhimisht nuk kishte të drejtë për të pezulluar zonjën Balluku, pasi një vendim i tillë atakon imunitetin e saj si ligjvënëse/ministre, dhe imuniteti është në tagrin e Kuvendit.

Kampi tjetër (Marsida Xhaferllari, Ilir Toska, Sandër Beci dhe Asim Vokshi) arsyeton se GJKKO ishte brenda kompetencave për pezullimin e zv/kryeministres, se ky pezullim nuk mbrohej me imunitet, se imuniteti është kufizuar në 2012 dhe se vendimi i pezullimit duhej lënë në fuqi.

Trupa gjykuese nuk arriti shumicën e nevojshme për një vendimmarrje unifikuese mbi thelbin e çështjes. Pamundësia e vendimarrjes rrëzoi automatikisht kërkesën e kryeministrit për rrëzimin e vendimit të GJKKO për pezullimin e zonjës Balluku. Është një fitore me procedurë e SPAK-GJKKO ndaj Ramës dhe Ballukut për shkak se Gjykata Kushtetuese po fuksionon me 8 nga 9 anëtarë që duhet të kishte.

Në kushtet kur Gjykata Kushtetuese është në pamundësi për të vendosur se në cilin krah anon e drejta, qeveria duhet t’i drejtohet Komisionin e Venecias për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar me GJKKO.

Mosmarrëveshja e kompetencës së GJKKO në raport me imunitetin nuk mund të shihet edhe aq e ndarë nga kërkesa e SPAK drejtuar Kuvendit për t’i hequr imunitetin zonjës Balluku, me qëllim për të marrë një masë ekstreme sigurie ndaj saj. Ndryshe nga GJKKO, Kuvendi nuk duhet të shndërrohet në noter i SPAK-ut duke pranuar kërkesën për heqjen e imunitetit të zonjës Balluku.

Nuk ka kuptim që Kuvendi të presë të shprehet Komisioni i Venecias për mosmarrëveshjen e kompetencës së GJKKO, pasi koha është e pamjaftueshme, por Kuvendi mund të shqyrtojë brenda tre muajve kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit, duke analizuar nëse kërkesa është e bazuar apo reflekton zellin për statistika me fate njerëzore.

Në Perëndim gjykata është mbi të gjithë në tokë. Prokuroria, avokati etj., janë palë. Madje, duke qenë palë para gjyjatës së pavarur, prokuroria është në varësi të qeverisë, si në SHBA, për shembull. Në vendin tonë prokuroria dhe gjykata janë bërë palë kundër qeverisë. Madje GJKKO është kthyer në zgjatim e SPAK-ut. Janë ndërthurur brenda një godine. Funksionojnë si një trupë e unifikuar. Kjo është më e rrezikshme se sa drejtësia që rrëzoi Vetingu.

A po e shantazhon Meta përsëri Berishën me videon e Shkëlzenit dhe çfarë fshihet pas nxitimit të çunit të Fahriut për t’a vizituar në qeli?

Nga Adriatik Doçi

Duke pasur kohë të lirë në burg dhe disi i harruar nga aleati i tij Sali Berisha, Ilir Meta befas i është rikthyer pas 15 vitesh videos ku shfaqej me zë dhe figurë duke bërë pazar me pasuritë publike në zyrën e Dritan Prifit. Të vërtetën e videos me bllokun e zi të pazareve në dorë, që shënjoi fundin e tij moral si politikan, Meta e veshi me një mjegull konspirative, në përpjekje për t’ia mbivendosur historisë degraduese të ekspertimit të Ermal Beqirit, i cili e shpalli videon montazh (ndryshe nga eskpertiza e FBI), ekzpozimin e darkës me Berishën një natë para vendimit të Gjykatës së Lartë, ndikimit të Berishës tek kolegji penal që u tret nga Vetingu etj.

I vetmi mister, konspiracion dhe më konkretisht të vetmet video që nuk ka parë publiku, janë ato të Fahri Balliut dhe Shkëlzen Berishës duke bërë pazare, ashtu si Meta, në zyrën e Dritan Priftit, asokohe ministër ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Videon në të cilën Fahri Balliu shfaqet duke kërkuar dhe finalizuar favore në zyrën e Priftit, ndonëse e papublikuar, nuk është edhe aq sekret. Vidoja është parë nga një rreth i ngushtë gazetarësh dhe politikanësh.

Videoja komromentuese e Shkëlzenit është pretenduar nga Ilir Meta, i cili e përdor herë pas here si shantazh ndaj Sali Berishës, herë me kërcënime të drejtëpërdrejta dhe herë me mesazhe të koduara, si rrëfimi i ditëve të fundit nga burgu.

Në mars të vitit 2015, Sali Berisha pranoi publikisht në Kuvend se videoja Meta-Prifti ishte e vërtetë. Më shumë se sa një pendesë për ndërhyrjen për të shpëtuar Metën përmes Gjyjatës së Lartë në janar 2012, ishte pranimi i një të vërtete nga Berisha në shenjë hakmarrje ndaj Metës, dy vjet pasi ky i fundit braktisi koalicionin me PD-në, duke u bashkuar me Edi Ramën pas darkës së ngjalave, qê solli edhe rotacionin politik në 2013.

Është epike përplasja e ashpër mes Sali Berishës dhe Ilir Metës në seancën parlamentare të datës 5 mars 2015, ku akuzonin njëri-tjetrin për vrasje dhe korrupsion. Berisha i kërkonte Metës të jepte dorëheqjen si kryetar i Kuvendi, pasi akuzohej se kishte porositur vrasjen e deputetëve Tom Doshi dhe Mhill Futi.

Nga ana tjetër, Meta i tha se e kishte dhënë një herë dorëheqjen në janar 2011 për Shkëlzenin, duke aluduar se i biri i Berishës ishte në videot e Dritan Priftit në mënyrë komprometuese.

“Herën e parë, dorëheqjen e dhashë prej Shkëlzenit, se ai ishte në videon e Dritan Priftit, dhe ti e di shumë mirë…”, tha Meta.

Ky është momenti që Sali Berisha për herë të parë pranon se videoja e Meta-Prifti ishte autentike. Duke iu përgjigjur Metës, Berisha thotë se “Kjo alibi që kërkon, është e turpshme. Dorëheqjen e parë e dhe për bllokun e Monikës! Tani jep dorëheqjen e dytë! Për 700 mijë euro dhe dorëheqjen herën e parë”.

Ilir Meta vijoi shantazhin teksa autorizoi Spartak Brahon të publikonte videon me Shkëlzenin, seancën e ardhshme në Kuvendit, përmes një monitori. Dhe shantazhi funksionoi. Gazetarëve u shkoi kot përgatitja për seancën e ardhshme kur Braho, i njohur si ‘Çanta e zezë’, do të shfaqte videon në seancë plenare sipas porosisë së Metës.

Pas asaj seance, ‘akujt’ mes Berishës dhe Metës nisën të zbuteshin. Në verën e vitit 2016, ata e panë reformën në drejtësi si një rrezik të përbashkët, ku Berisha i kishe shpallur luftë publikisht, ndërsa Meta e kundërshtonte në prapaskenë.

A po e shantazhon Meta përsëri Berishën me videon e

Përplasja e fundit u shënua në maj 2017, ku Lulzim Basha ndërmori një fushatë akuzash ndaj LSI-së. Megjithatë, raportet mes Berishës dhe Metës mbetën të konsoliduara dhe vetëm disa muaj më pas, PD dhe LSI u bashkuan kundër qeverisë, duke zyrtarizuar edhe një aleancë më pas.

Nga vitit 2017, Berisha dhe Meta ka vijuar luftën në një front kundër qeverisë, zhvillimeve në drejtësi dhe sidomos ndaj ambasadorëve të Perëndimit në Tiranë. Në dy mars të 2020, Berisha mori pjesë në mitingun e organizuar nga Ilir Meta në oborrin e Presidencës, për rrëzimin e qeverisë, ndërsa në 2021 PD-LSI u kërkuan votën shqiptarëve për t’u besuar qeverisjen e vendit pas 25 prillit.

Pesë vjet më pas LSI-ja si një mutacion politik mes PS-PD nuk eksizton më. Ilir Meta duket se do të qëndrojë edhe disa vite në burg. Sali Berisha jo vetëm po natyralizohet me këtë realitet politik, por duket se ndihet edhe komod. Ndërkaq, Ilir Meta duket se nuk ka ndërmend të dorëzohet dhe të shkruajë librin me kujtime në qeli.

Dy ditë më parë, si për t’i zgjuar makthin e marsit 2015 Sali Berishës, Ilir Meta riktheu në vëmendje arsenalin e videove të papublikuara të Dritan Priftit, ku spikasin videot e Fahri Balliut dhe Shkëlzenit.

“Pra, rastësisht eksperti amerikan, gjatë kërkimit të tij në orën e dorëzuar nga “denoncuesi i korrupsionit”, gjeti plot video të tjera të tij, të cilat ai i kishte bërë “delete” duke menduar se ishin zhdukur përgjithmonë. Rekuperimi i tyre, përveç se ekspozonte plot politikanë, biznesmenë dhe gazetarë të përgjuar, jo vetëm në zyra, por edhe në shtëpi, evidentoi edhe një video ku dukeshin vërtet me sy 80 mijë euro që zotëria i merrte nga Zv/Ministri i tij në shtëpi”, rrëfen Meta.

Rastësi apo jo, dy ditë më vonë, çuni Fahri Balliut, Klevis Balliu, denoncoi (sot) ndalimin sipas tij arbitrar të ushtrimit të të drejtës së tij Kushtetuese për të inspektuar kushtet e Ilir Metës në burgun “Jordan Misja-313” në Tiranë.

Shtatë betejat e fituara nga Berisha gjatë 13 viteve të revolucionit paqësor

Nga Adriatik Doçi

Ç’është e vërteta, gjatë 13 viteve të revolucionit paqësor, karakterizuar nga vistër gënjeshtrash, protestash-synetlliqe, lobime, blofe dhe alibi, Sali Berisha ka fituar të paktën shtatë beteja të rëndësishme.

Së pari, ka fituar betejën kundër Lulzim Bashës, të cilin e emëroi vetë si administrator të partisë në korrik të vitit 2013, e rimandatoi në 2017 dhe mandej në 2021, gjithnjë duke vjedhur votat e rivalëve të tij, siç edhe ka deklaruar Edi Paloka.

Së dyti, ka fituar betejën me pasurinë. Kur doli në opozitë në 2013, kishte 10 pasuri të paluajtshme, me vlerë disa milionë euro, gjithnjë në emrin e familjarëve. Sot ka rreth 60 pasuri të paluajtshme, përfshirë 40 apartamente dhe vila, me vlerë dhjetëra milionë euro, pjesërisht e sekustruar nga SPAK si produkt i aferave korruptive.

Së treti, ka fituar betejën me paratë e pista. Për gjashtë milionë euro për të hequr damkën nongrata, 2-3 milionë euro për Latifin, miliona euro për foltoret I dhe II, protesta, fushata etj., nuk ka asnjë dokument justifikues dhe nuk i ka hyrë gjemb në këmbë.

Së katërti, ka fituar betejën me oligarkët. Të ashtuquajturit oligarkë, të cilët deri në dhjetor 2021 paguanin kuotat mujore tek kunati i Bashës, tashmë prej tre vitesh paguaj haraç një nga një tek Shkëlzeni, disa prej të cilëve edhe në rrugë banakre, pra me fatura.

Së pesti, po fiton betejën me Tik Lapajn dhe Ervin Salianjin, ndaj të parit me protesta si ajo e 24 janarit, ndërsa ndaj të dytit duke zbatuar nene që nuk ekzistojnë në statutin e partisë, por që mund të shtohen rrugës sipas rrethanave.

Së gjashti, ka fituar betejën për rreshtimin e grupit parlamentar të partisë. Në zgjedhjet e 11 majit 2025 bëri një listë humbëse, por me besnikë. Të bindurit i futi në listë të mbyllur. Të dyshimtët në det të hapur. Dhe kjo strategji po jept frytet e pritshme. Asnjë deputet i PD-së ‘nuk e luan bishtin’ dhe me sa duket as nuk kanë ndërmend t’a luajnë.

Së shtati, po fiton imunitet ndaj humbjeve. Për sa kohë Lulzim Basha ishte kryetar formal i partisë, barra humbjeve binte mbi të. Madje Lulit, duke i veshur fuqi që nuk e kishte, i faturoi edhe djegien e madateve dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale të 2019. Pas dëbimit të Bashës, ka humbur tre palë zgjedhje me të njëjtën alibi; zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 dhe zgjedhjet e pjeshme lokale të 9 nëntorit 2025. Justifikimi i vjedhjes së zgjedhjeve duket efektiv edhe në 2027, 2029, 2031…sa herë të ketë zgjedhje!

7 arsye se pse Kuvendi duhet të rrëzojë kërkesën e SPAK për imunitetin e Belinda Ballukut

Nga Adriatik Doçi

1. Kërkesa e SPAK drejtuar Kuvendit për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut është një akt inatçor me natyrë personale i Altin Dumanit në muzgun e mandatit si drejtues i SPAK, një veprim i nxituar me një shkresë të arnuar në kuadër të përleshjes me qeverinë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi paraprakisht SPAK-un dhe GJKKO duke pezulluar pezullimin e zonjës Balluku.
2. SPAK nuk mund të veprojë si gjel që i kërcen kundërshtarit, por si institucioni kryesor i reformës në drejtësi duhet të priste me durim dhe maturi vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese në 22 janar 2026 për shqyrtimin e masës së parë të kërkuar nga SPAK për Belinda Ballukun, ashtu siç ka pritur shumë vendime në favor të SPAK, përfshirë edhe legjitimimin e komunikimeve në SkyEcc.
3. Në njoftimin e SPAK për kërkesën drejtuar Kuvendit për t’i hequr imunitetin Belina Ballukut, për t’i hapur rrugë arrestimit të saj, nuk ka një çështje të re, por një zgjerim artificial dhe në inerci të çështjes së parë me disa lote të shtuara të Unazës së Madhe, me qëllim për të përligjur kërkesën dhe kamufluar kacafytjen me qeverinë.
4. Kërkesa e SPAK për imunitetin e Ballukut nuk ka lidhje me shtetin ligjor, ndërtimin e një akuze serioze dhe proces të drejtë ligjor, por me një luftë gjelash. “Nuk more vesh me masën e parë, po hedh vickla dhe më sfidove në Kushtetuese, unë mund t’a rëndoj dorën; t’a gëzosh masën e arrestit”! Jemi në korrniza dhe shina ligjor. Nuk jemi duke shqyer tortën e pavarësisë.
5. Masat e sigurisë për një subjekt dhe për të njëjtën çështje vijnë duke u zbutur, ndërsa SPAK kalon nga një masë e lehtë siç është ‘detyrim paraqitje’ tek masa më ekstreme ‘arrest me burg’, një veprim që relekton mllef, nervozizëm, mungesë të thellë profesionalizmi, maturie dhe respekti për funksionin që të kanë besuar.
6. Kuvendi përfaqëson drejtëpërdrejt vullnetin e popullit. Çdo institucion tjetër, i pavarur apo i varur, është derivat i Kuvendit. Si i tillë, Kuvendi nuk mund të jetë noter i SPAK-ut, por duhet t’a shqyrtojë me eksepertët e tij të fushës së ligjit bazueshmërinë dhe rrethanat e kërkesës së SPAK për imunitetin e Ballukut.
7. Rrëzimi i kërkesës së SPAK për imunitetin e Ballukut nuk e zhbën çështjen penale ndaj saj, por i vendos fre yryshit statistikor të SPAK me numra frymorësh në burg dhe praktikës së mbledhjes së provave rrugës pas arrestimit të subjekteve, duke e kthyer institucionin në normalitet.

The post 7 arsye se pse Kuvendi duhet të rrëzojë kërkesën e SPAK për imunitetin e Belinda Ballukut first appeared on JavaNews.al.

Si Berisha mund t’i fshihet SPAK-ut për 21 Janarit, por jo fantazmës dhe 7 pyetjeve

Nga Adriatik Doçi

Kur ishim të vegjël fshiheshim për të mos bërë vaksinën. Sapo shfaqej infermierja me atë çantën e frikshme, dikush futej nën krevat, dikush hipte mbi çati, dikush fshihej pas ndonjë peme. I vetmi që shpëtonte më gjatë nga vaksina ishte një qerrata, i cili hipte në majë të plepit.

Lulzim Basha theu çdo rekord, tre vite me temperaturë dhe diarre, kur Prokuroria e thërriste për dosjen Durrës-Kukës. Fatmir Mediu, ka evituar disa seanca për Gërdecin, për shkak të angazhimeve në SHBA, pasi radhën e kaluar i kishin mbetur disa amerikanë në një metro pa bërë fotografi me ta.

Sali Berisha ka disa variante për t’u turpëruar në pleqëri, duke iu fshehur SPAK-u për të dhënë llogari për 21 Janarin, një nga krimet e tij njerëzore të pandëshkuara. Mund të bëjë letrat sikur është me diarre deri vitin tjetër. Mund të gjejë një thanë në Tiranë apo në periferi, duke hipur majë saj. Mund të hajë letrën e SPAK-ut. Por, nuk mund t’i shpëtojë kurrë fantazmës së 21 Janarit dhe disa pyetjeve;

-Kush e dha urdhërin për të hapur zjarr pasi protestuesit po shpërndaheshin?

-Kush urdhëroi fshirjen e pamjeve filmike mesnatën e 21 Janarit nga serveri i Kryeministrisë?

-Kush urdhëroi që të mos zbatoheshin urdhër-arrestet për kupolën e Gardës?

-Kush e dërgoi Lulzim Bashën tek Bamir Topi për të ndërhyrë tek Ina Rama për të tërhequr urdhër-arrestet?

-Kush urdhëroi ngritjen e komisionit hetimor për të dubluar dhe sabotuar hetimin?

-Kush çoi njerëz natën tek familja Deda për të blerë gjakun e Hekuran Dedës dhe për t’a nxitur familjen e tij të akuzonte Edi Ramën?

-Kush urdhëroi të fshihej gazetari i plagosur dhe kush sajoi 30 alibi për vrasjet në bulevard?

The post Si Berisha mund t’i fshihet SPAK-ut për 21 Janarit, por jo fantazmës dhe 7 pyetjeve first appeared on JavaNews.al.

Si e futi Berisha në burg Fatos Nanon, ‘ushtarët’ që përdori nga Blerim Çela tek Alush Dragoshi

Nga Adriatik Doçi

Disa muaj pasi u zgjodh President, në fund të vitit 1992 dhe në fillim të vitit 1993, Sali Berisha nisi të shihte dy kundërshtarë si rrezik serioz për pushtetin e tij. Ata ishin kryetari i opozitës Fatos Nano dhe Azem Hajdari, i pari pretendent për kryeministër, siç edhe ndodhi më vonë, ndërsa i dyti gëzonte një mbështetje të ‘frikshme’ në radhët e demokratëve dhe ishte pa diskutim pretendent në hije për të marrë një ditë drejtimin e PD-së. Për të mbajtur nën kontroll Azem Hajdarin, Berisha angazhoi posaçërisht kreun e SHIK-ut famëkeq Bashkim Gazideden, për ta përgjuar dhe survejuar këmba-këmbas. Më 22 shtator 1992, Azem Hajdari, u ankua publikisht në Parlament se Bashkim Gazidede, ushtari i punëve të zeza të Berishës, e përgjonte.

Më vonë, Berisha e përjashtoi Azemin nga Partia Demokratike dhe grupi parlamentar demokrat, ndërsa e akuzoi si spiun. Nga ana tjetër, gazeta e PD-së, për rrjedhojë e Berishës, e quan Azem Hajdarin klloun mjeran të politikës shqiptare që udhëheq një tufë ordinerësh, përçarës, të dështuar si dhe e krahason me një kumarxhi. Berisha do të merrte frymë lirisht vetëm kur Azem Hajdari u ekzekutua në oborrin e Partisë Demokratike, në 12 shtator 1998. Që nga ajo ditë, Berisha e quan Azemin tribun të demokracisë, ndërsa vdekjen e tij, e përdori për të marrë pushtetin, përmes gushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998.

Për të hequr qafet rrezikun tjetër, Fatos Nanon, Berisha gjeti një tjetër zgjidhje. Vendosi ta fuste në burg. Fillimisht, sapo mori pushtetin, Berisha tentoi ta izolonte Fatos Nanon, duke e goditur me polici dhe SHIK, duke i ndaluar mitingjet, të drejtën e fjalës në Kuvend dhe pjesëmarrjen në delegacione parlamentare. Në fillim të vitit 1993, nisi zbatimin e skenarit për ta futur në burg.

Lëvizjet e para

Në 14 prill 1993, grupi parlamentar i PD-së, nën kontrollin e Berishës, thërrasin për interpelancë kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Blerim Çela, për të dhënë sqarime mbi një çështje të publikuar në media “për veprime abuzive dhe spekulime nga ana e shoqërive “Levante Co” dhe “Iliria Hollding” lidhur me sjelljen e ndihmave të qeverisë italiane për Shqipërinë”.

Në 27 prill 1993 Blerim Çela paraqitet në Parlament. Sipas Blerim Çelës, në nëntor 1990, Farudin Hoxha, në emër të Komitetit të Bashkëpunimit Ekonomik, lidh një marrëveshje me Ajdin Sejdinë, i paraqitur si president i firmës “Iliria Hollding”, për ushtrim aktiviteti në Shqipëri. “Farudin Hoxha i krijoi kushtet Ajdin Sejdisë për të sjellë në Shqipëri Xhuzepe Perniolën, presidentin e firmës italiane “Levante Co”, firmë italo-jugosllave, që u mor me livrimin dhe grabitjen e ndihmave italiane të akorduara për emergjencën”.

Akuzat për Nanon

Fatos Nano akuzohej se kishte autorizuar Ajdin Sejdinë të përgatiste bisedimet me kompani të ndryshme për përpunimin e naftës. “Veç sa më sipër, Fatos Nano, me cilësinë e kryetarit të Këshillit të Ministrave, dhe Shkëlqim Cani, si zëvendëskryeministër, kanë kryer shkelje të tjera për të favorizuar firmën “Iliria Hollding””. Nano, me gjithë sinjalizimet që ka marrë për personalitetin e Ajdin Sejdisë, nuk ka marrë asnjë masë për sqarimin e tij, po përkundrazi, ka vazhduar ta mbështesë”, thotë Blerim Çela.

Sa i takon ndihmave, Blerim Çela tha se “Listat e mallrave sipas fondeve të akorduara nga qeveria italiane detyrimisht duhet të specifikoheshin nga Komisioni i Planit të Shtetit, Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe Ministria e Tregtisë së Brendshme, të ngarkuara me këtë detyrë, që e njihnin dhe përgjigjeshin ligjërisht për plotësimin e nevojave të popullit me mallra ushqimore, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shtetit. Ish-presidenti Ramiz Alia dhe ish-kryeministri Fatos Nano, jashtë funksioneve të tyre dhe duke shkelur ligjet e kompetencat e organizmave të ngarkuara për tregtinë e jashtme, caktuan dhe diktuan firmën nga e cila do të bliheshin mallrat. Pushtetarët, me dashje, kanë pranuar çmime tepër të larta, të diktuara nga firma shitëse, mbi ato të tregut, si shtegu dhe burimi për të krijuar fitime spekulative…”.

Qëndrimi i Nanos

Fatos Nano deklaronte në Kuvend, se “Që në fillim dua të deklaroj përpara Parlamentit Shqiptar dhe përmes tij gjithë popullit,me përgjegjësi të plotë personale, civile, qytetare dhe politike, se pseudoakuzat dhe shpifjet e paraqitura nga materialin e Blerim Çelës e kompani nuk janë gjë tjetër vetëm se një montazh i inskenuar politiko-elektoral, me synime të mbrapshta dhe të ulëta për të likuiduar dhe kufizuar lirinë politike, madje dhe fizike të Partisë Socialiste, të Kryetarit të saj dhe opozitën e vërtetë në Shqipërinë e sotme. Prandaj, bëj thirrje që autorët e këtij skenari t’i bëjnë llogaritë saktë. Kjo çorbë e gatuar në kuzhinë antishqiptare dhe të lobeve të lidhura me to dhe që përdorin si mashë Blerim Çelën dhe njerëzit që qërohen nga kjo sallë, si ushtarë “Shvejk”, nuk mund të bjerë veçse erë të qelbur por që, për fat të keq, nuk e ka gëlltitur vetëm z. Blerim Çela. Me paturpësi dhe deficiensë politike dhe profesionale, Blerimi dhe ekipi i tij, lëshuan bombën tymuese të korrupsionit të Fatos Nano dhe të qeverisë të tij”.

Shfaqet sërish Blerim Çela

Deputetët e PD sjellin sërish Blerim Çelën në Kuvend në 30 qershor 1993, për të shtjelluar më tej akuzat ndaj Nanos. “Më jepni kompetenca të tjera, t’i ushtrojë kompetencat. Kaq sa më keni dhënë, po i bëj. Prandaj, të mos kërkohet ajo që nuk bëhet. Më kapin njerëzit: fute Fatos Nanon në burg! Nuk e fut Fatos Nanon Kontrolli i Shtetit në burg, Kontrolli i Shtetit e ka denoncuar, hetuesia ta futë në burg tani, në qoftë se vërtetohen ato që thotë kontrolli i shtetit. Por të gjitha janë të dokumentuara katërçipërisht”, thotë ndër të tjera Çela.

Në lojë futet kryeprokurori Alush Dragoshi

Pas Blerim Çelës, në lojë futet kryeprokurori i atëhershëm Alush Dragoshi, një besnik që Berisha e përdorte si kamxhik jo vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, por edhe ndaj figurave të PD-së, të cilët për t’i mbajtur në rresht, u hapte herë pas here dosje penale. Me shkresën nr. 1117, datë 26.07.1993, Alush Dragoshi i kërkon Kuvendit që t’i heqë imunitetin deputetit Fatos Nano, me argumentin se “mbi bazën e materialit kallëzues të dërguar nga Shërbimi i Kontrollit të Shtetit në datën 06.05.1993, Prokuroria e Rrethit Tiranë ka filluar çështjen penale për krimin e shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 106 i Kodit Penal”.

Në kërkesën e tij, Alush Dragoshi thotë se “Si nga materiali kallëzues dhe hetimet e zhvilluara del se nga livrimi i ndihmave të dhëna për vendin tonë nga qeveria italiane për periudhën që ka qenë në detyrën e Kryeministrit Fatos Nano, është shkaktuar një dëm i rëndësishëm ekonomik në shumën 8 miliardë e 433 milionë e 064 mijë e 836 lekë. Në ardhjen e kësaj pasoje, krahas përgjegjësisë që kanë edhe personat e tjerë, del se ka përgjegjësi penale edhe deputeti Fatos Nano, i cili, me veprimet e mosveprimet e kundërligjshme, ka shpërdoruar detyrën, duke kryer veprën penale të parashikuar nga neni 106 i Kodit Penal, si dhe ka falsifikuar dokumente zyrtare, vepër penale kjo e parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal”.

Kuvendi mblidhet menjëherë

Po atë ditë, pra në 26 korrik 1993, Kuvendi i kontrolluar nga Sali Berisha mblidhet për të diskutuar për kërkesën e kryeprokurorit Alush Dragoshi për t’i hequr imunitetin Nanos. Deputeti Arben Imami kërkon kohë pasi Komisioni i Mandateve sapo ishte njohur me materialin. Kuvendi u mblodh sërish të nesërmen, me datë 27 korrik 1993. Në këtë seancë, deputeti socialist Namik Dokle mban një qëndrim të fortë.

Dokle shprehet se “Në datën 26 korrik, pas një fushate të paskrupullt politike kundër Partisë së opozitës dhe liderit të saj Fatos Nano, të organizuara nga një klan revanshist partiako-qeveritar i PD-së, pas një presioni antiligjor dhe antidemokratik mbi drejtësinë, u arrit që të formulohej kërkesa për heqjen e imunitetit të deputeti Fatos Nano. Makinacioni politik duket qartë edhe në veprimtarinë e ngutshme të komisionit, pa i dhënë aspak kohë atij që të procedojë sipas rregullores së Kuvendit Popullor.

Pas Idajet Beqirit, ky është rasti i dytë që një kryetar partie përndiqet me mjetet politiko-policore dhe gjyqësore të një shteti me karakteristika të hapura totalitariste dhe neodiktatoriale, ndërkohë që shtypi zyrtar i PD-së ka nisur të formulojë kërcënimet për kundërshtarë të tjerë politikë….. Presidenti Berisha, në krye të PD-së blu, dirigjon dhe vëzhgon se si po shkatërrohet shteti i së drejtës dhe demokracia, duke marrë përgëzimet dhe shpërblimet e tallave të fshehta, të cilave u shërben me besnikëri…”.

Kuvendi i kontrolluar nga Berisha i heq imunitetin Nanos

Në emër të komisionit të mandateve foli Arben Imami, i cili u shpreh kundra heqjes së imunitetit të Nanos, duke hedhur poshtë akuzat si të pambështetura në prova. Megjithatë, shumica e deputetëve votuan për t’i hequr imunitetin Fatos Nanos. Me këtë vendim, Kuvendi i hapi rrugë arrestimit. Data ishte 27 korrik 1993.

Nano arrestohet pas tre ditës

Në 30 korrik 1993, tre ditë pas vendimit të Parlamentit për t’i hequr imunitetin, prokuroria arreston Fatos Nanon. Më 2 gusht 1993 grupi parlamentar i PS-së, duke e konsideruar si burgosje politike arrestimin e Nanos, nisi nënshkrimin e një peticioni në të gjithë vendin për lirimin e Nanos. Peticionin ua dërgoi përfaqësive diplomatike në Shqipëri. Ndërsa më gusht 1993, Fatos Nano shkroi një letër nga burgu, ku e shpallte veten të burgosur politik.

Nano dënohet me 12 vjet

Berisha kërkonte me çdo kusht të mbante Nanon në burg. Pasi deputetët e PD-së, kreu i KLSH Blerim Çela dhe Alush Dragoshi e kishin bërë punën e tyre, tashmë radha ishte e gjyqtarëve. Më 3 prill 1994, Fatos Nano u dënuar me 12 vite burg. Apeli nuk e rrëzoi vendimin, por vetëm uli dënimin nga 12 në 11 vjet. Në vitin 1995, Nano kërkoi lirim të parakohshëm në Gjykatën e Kasacionit. Kërkesa e tij u rrëzua nga gjyqtarja Vitore Tusha, sot kryetare e Gjykatës Kushtetuese.

Fatos Nano la qelinë në vitin 1997, pas një amnistie. Më vonë, Nano rrëzoi të gjitha vendimin dhe procesin si të paligjshëm dhe politik, u konsiderua si i burgosur politik dhe mori dëmshpërblim për vitet e burgut.

The post Si e futi Berisha në burg Fatos Nanon, ‘ushtarët’ që përdori nga Blerim Çela tek Alush Dragoshi first appeared on JavaNews.al.

7 pyetjet që socialistët nuk i bënë Altin Dumanit në Kuvend

Nga Adriatik Doçi

Ashtu si në Komisionin e Ligjeve, edhe raportimi i kreut të SPAK-ut Altin Dumani për veprimtarinë vjetore në Kuvend, u kthye në një seancë paradoksi ku ‘baba’ i pandehur për korrupsion dhe çunat i tij politikë mësynë prokurorin duke e sharë dhe i kërkuar llogari se pse i kishte i kishte marrë nën hetim për korrupsion dhe pastrim parash.

Çdo pyetje e pakicës parlamentare reflektonte hallin që ka me drejtësinë Kumbari i SHQUP-it, familja e tij dhe pjesërisht hallin e Ilir Metës, për të cilin kujtojet vetëm Tedi Blushi.

Teksa pakica e shndërroi seancën raportuese në gjyq popullor ndaj përfaqësuesit të organit të akuzës, befasia qëndron tek socialistët, të cilët jo për të sëkëlldisur kundërshtarin, por për interesin më të lartë publik dhe në respekt të mandatit të përfaqësimit, duhet t’i drejtorin disa pyetje kreut të SPAK-ut Altin Dumani, madje t’ja shënonin si detyre shtëpi edhe në rezolutën që do të miratojë Kuvendi, bashkë me rekomendimet për vitin tjetër.

Pyetjet që socilialistët nuk i bënë Altin Dumanit;

-Në çfarë faze janë hetimet për 21 Janarin, ngjarje e pandëshkuar dhe e cila është konsideruar nga Gjykata e Strasburgut si krim shtetëror?

-Cili është fati i fraksionit hetimor për Gërdecin, për rolin e Shkëlzen Berishës si pronar i faktuar i biznesit të vdekjes?

-Ç’po ndodh me hetimin e kontratës 6 milionë USD dollarë të PD për heqjen e damkës nongrata Sali Berishës?

-Është i fakt i njohur që Nuel Kalaj ishte sekseri mes CEZ dhe qeverisë Berisha për privatizimin e 75 % të aksioneve të OSSH nga çekët. Për këtë shërbim Kalaj mori 6.8 milionë euro me çanta. Është konfirmuar që pas Nuel Kalajt qëndronte Shkëlzen Berisha si sekser në hije, por kryesor. Pse SPAK nuk regjistron procedim penal për këto fakte penale? Pse SPAK nuk heton se kush i pagoi 6.8 milionë euro dhe për çfarë shërbimi?

-Në çfarë faze janë hetimet për koncensionet e hemodializës dhe laboratorëve? A kanë arritur hetuesit të identifikojnë se ku kanë përfunduar paratë publike?

-A ka ndonjë plan SPAK-u për hapur dosjet e krimeve të pandëshkuara si zhdukja e Remi Hoxhës, urdhërat për bombardimin e disa qyteteve në Jug të vendit në 1997, përndjekjen e Hashim Thaçit dhe Adem Jasharit, vrasjen e Ilir Konushevcit dhe Hazir Gashit, grushti i shtetit në 14 shtator 1998?

-A do nisë një hetim SPAK për kompanitë që shfrytëzojnë prej dekadash pasuritë e Shqipërisë (naftë, krom, bakër, hekur, uji, pyje etj.), të cilat dalin çdo vit me humbje për të mos paguar taksa ose me fitime modeste, duke krijuar gropa korrupsioni miliarda euro dhe krime mjedisore të parikthyeshme?

The post 7 pyetjet që socialistët nuk i bënë Altin Dumanit në Kuvend first appeared on JavaNews.al.

Pse PD-së i janë kthyer zgjedhjet në fobi dhe a do kërkojë të bëhen një herë në 10 vjet?

Nga Adriatik Doçi

Shkencat psikologjike njohin rreth tre mijë frikëra të njeriut. Disa nga frikërat më të pazakonta janë; ablutofobia, frika për t’u larë, antrofobia, frika ndaj luleve, spectrofobia, frika për t’u parë në pasqyrë, genufobia, frika ndaj gjunjëve, heliofobia, frika nga dielli, korofobia, frika nga kërcimi etj.

Partia Demokratike, e cila personifikohet me Familjen Berisha, ka zhvilluar një frikë ndaj zgjedhjeve. Nuk është frikë irracionale, por pasojë e traumave elektorale. Ka 16 vite që humbet çdo palë zgjedhje; lokale, qëndrore dhe të pjesshme.

Si një rrokullisje në inerci, çdo humbje është pasuar me një disfatë më dramatike, sa që vitet e fundit, pronari i PD-së, Sali Berisha, përton të modifikojë edhe alibinë e humbjes, por i bie shkurt duke përdorur të njëjtën, me të cilën ka justifikuar humbjen paraardhëse.

Ashtu si një qerrata provokon dikë duke i hedhur një gjarpër fals pranë këmbëve duke e ditur që tjetri që po shpotit ka fobi ndaj gjarpërinjve, edhe Edi Rama provokon herë pas herë Sali Berishën, duke sajuar zgjedhje të pjesshme mes zgjedhjeve vendore dhe të përgjithshme. Është një prishje rehatie deri në sëkëlldisje e kumbarit të SHQUP-it që ndoshta Ramës i shkakton kënaqësi.

Ende pa u fashitur turpërimi i 11 majit, Edi Rama nxitoi duke sajuar zgjedhje në gjashtë bashki, me qëllim për t’i dhënë një tjetër goditje kundërshtarit të lodhur, por të pasur, i cili ende nuk është ngritur në këmbë nga rënia e fundit.

Për shkak të paligjshmërisë së shpalljes së zgjedhjeve në Tiranë, Sali Berisha kishte arsye politike dhe juridike t’i bojkontonte këto zgjedhje, siç edhe sinjalizoi i keqpërdoruri i tij Belo Këlliçi tre ditë më parë. Por, për të mos i dhënë të drejtë Lulzim Bashës për bojkotin e zgjedhjeve të 2019 dhe për t’ia faruruar atij dorëzimin e 61 bashkive në tavolinë nga fobia e humbjes, Sali Berisha zgjodhi një tjetër bojkot të zgjedhjeve të 9 nëntorit; Mbështetje ndaj kandidatëve të pavarur.

Përmes këtij bojkoti laraman, duke qëndruar si tifoz në betejën elektorale, realizon tre qëllime; Nuk e trazon rehatinë e pushtetit të tij në opozitë pavarësisht humbjes, shmang diskretitimin e përsëritjes së alibisë së humbjes dhe vijon të mbajnë ngarkuar në kurriz të Lulzim Bashës pasojat e vendimit të tij bashkë me Ilir Metën për të bojkotuar zgjedhjet e 2019 dhe djegien e madateve.

Por, si një datë që të ka caktuar nga doktori për t’u bërë operacion, zgjedhjet e ardhshme lokale do të mbahen në 2027, pas një viti e gjysmë. Përballja me fobinë ndaj zgjedhje është e pashmangshme, vetëm nëse do të kërkojë që zgjedhjet të mbahen një herë në 10 vite! Dhe kjo ndoshta nuk do të ishte një ide e keqe për Edi Ramën!

The post Pse PD-së i janë kthyer zgjedhjet në fobi dhe a do kërkojë të bëhen një herë në 10 vjet? first appeared on JavaNews.al.

Sa më gjatë qëndrojnë në opozitë aq më luksoze i bëjnë dasmat

Nga Adriatik Doçi

Duket disi paradoksale, por sekuenca të pamjeve filmike dhe dëshmi tregojnë se ‘ajka demokratike’ sa më gjatë qëndron në opozitë aq më luksoze dhe me salltanete i organizon dasmat.

Për të ekslipsuar dasmën e parë në Suedi, i biri i Berishës organizoi në 2022 një dasëm të zhurmshme dhe luksoze, e cila nisi në Shijak dhe mbaroi në Como të Italisë, me salltanete që diktojnë shpenzime dhjetëra mijëra euro.

Tre vite më vonë, dasma e djalit të zonjës Topalli në Romë është një niveli tjetër, para të cilës dasma e Shkëlzenit duket si dasmat e zakonshme të Shijakut.

Cili është burimi i parave? E rëndësishme është të hapet ndonjë fraksion i ri hetimor për Erion Veliajn dhe të procedohet Fatos Tushe për herë të katërt ose të pestë!

The post Sa më gjatë qëndrojnë në opozitë aq më luksoze i bëjnë dasmat first appeared on JavaNews.al.

‘Zbulohet’ Këshilli i të Urtëve në PD që do shpëtojë opozitën dhe kombin

Nga Adriatik Doçi

Pas propozimit të Enno Bozdos (me dy ‘n’) për ngritjen e një Këshilli të Urtësh në PD si një mekanizëm reflektimi të thellë dhe riorganizimi, besoj se këto figura të opozitës meritojnë të jenë pjesë e kompozimit të Udhëheqësisë të të Mençurve, që do t’i shkurtojë ditët në pushtet Edi Ramës, duke shpëtuar opozitën dhe kombin. Personazhet me kapele, në vlerësimin tim ajka e opozitarizimit në Shqipëri, duhet të kryesojnë Këshillin e të Urtëve.

Më e urta e të gjithë të urtëve, madje edhe mbi Latifin që erdhi, pa dhe mori paratë, ka qenë, është dhe do mbetet Familja Berisha, e cila pas çdo palë zgjedhjesh të humbura sajon një armik të ri për t’a gjuajtur me gurë deri në humbjen e radhës, kohë gjatë të cilës shumfishon pasurinë me një normë më të lartë se kur ishte në pushtet. Urtësia e Familjes Berisha është e parrokshme nga mendjet normale; Ka vendosur të shkojë në Parlamentin e ri, duke e ligjitimuar atë, sa për t’i thënë Edi Ramës në sy se nuk do t’i njohë zgjedhjet e 11 majit dhe Kuvendin produkt të këtyre zgjedhjeve! Që pas humbjes së fundit, perandoria financiare e saj është pasuruar me të paktën tre leje për resorte dhe kulla.

Jo pa qëllim, në Këshillin e të Urtëve kam përfshirë edhe ish Sekretarin Organizativ të PD-së, Sait Dollapin, i cili pas përplasjeve me policinë në 11 maj 2019, tregoi një urtësi të rrallë, shpërfaqur në tenderat e zhbllokimit të pusetave.

Këshilli i të Urtëve nuk ka kuptim pa dy Ballinjtë, të cilët pa punuar asnjë ditë në jetën e tyre (këtu nuk e kam fjalën për spiunazh, sekserllëqe dhe paçe/pilaf), kanë një pasuri me vlerë miliona euro.

Vendi i Belo Ezmerit në Këshillin e të Urtëve nuk vihet në diskutim, qoftë për parashikimet optimiste për ditën kur do t’i hiqet nongrata Berishës, qoftë për sulmet ndaj prokurorëve të SPAK që hetojnë linjat qeveritare nga të cilat financohet.

Ndonëse Shkëlzeni e ka futur tashmë në rreth të kuq për paratë që ka bërë pas kurrizit të tij duke prerë interevista dhe ‘krehur’ oligarkë, Çim Peka meriton gjithsesi të jetë pjesë e Këshillit të të Urtëve.

The post ‘Zbulohet’ Këshilli i të Urtëve në PD që do shpëtojë opozitën dhe kombin first appeared on JavaNews.al.

Pse qëndrimi i Berishës në krye të PD duhet mbrojtur me pushkë dhe fitorja që fshihet pas humbjes turpëruese

Nga Adriatik Doçi

Pas ngritjes dhe veprimit të SPAK-ut është më i rëndësishëm, komod dhe pa rreziqe pushteti në opozitë se sa pushteti në qeverisje. Faktet tregojnë se kupola shqupiste është pasuruar më shumë gjatë 12 viteve në opozitë se sa gjatë 8 viteve në pushtetin që i dhuroi PS-ja. Pa firmosur asnjë letër oborri berishist ka shtuar pasurinë me vila, pallate, fabrika, apartamente, fotovoltaike, HEC-e, makina luksoze etj., pa llogaritur paratë cash, ku me një dorë u hodhën 6 milionë euro për ‘pastrim fytyre’, me lehtësinë e hedhjes së një monedhe në dorën e dikujt në rrugë.

Ndaj Sali Berisha ngazëllente kur pas humbjes së zgjedhjeve të radhës, duke ruajtur me mundim seriozitetin, shpalli farsën elektorale dhe ‘beteja sapo ka filluar’, ndërsa tha se fituesi ‘nxinte nga triumfi’. Sigurisht që fituesi nxin pasi duhet të firmosë leje kullash, para dhe pasuri publike, të cilat pasi futen në tubacionin e të ashtuquajturve oligarkë, një pjesë rrjedhin te rubineti i Shkëlzenit, ndryshe uniteti i opozitës mund të lëkundet dhe të prodhojë lëvizje të pakontrolluara.

Me zgjedhjet e 11 majit, Sali Berisha arriti të gjitha objektivat realë;
-Rimori plotësisht nën kontroll partinë.

-Edhe pse më të vogël në numër, grupin parlamentar e ka blinduar me mulë besnikë, të gatshëm për të përsëritur çdo trapllëk, për t’u depersonalizuar dhe flijuar për Familjen e tij.

-Skarcoi politikisht Lulzim Bashën.

-Pothuajse zeroi mundësitë për të lëshuar vulën e partisë.

-Duke fituar opozitën, mund të kërcënojë drejtësinë në emër të saj.

-Ka autoritetin e plotë për të hyrë në pazare si kryetar i opozitës, për të shtuar përfitimet për Familjen, për të politizuar procesin e tij penal dhe për t’a marrë partinë me vete sa herë t’a thërrasin në SPAK.

Në këtë kontekst duhet lexuar dhe kuptuar deklarata sotme e avokatit të tij, Genc Gjokutaj, për t’a mbrojtur me pushkë Sali Berishën në krye të PD-së nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, edhe pse i vetmi kërcënim për pozitat e tij do të ishte nëse Edi Rama do të pranontë kërkesën për qeveri teknike, të cilën e ka lëshuar si balonë deri në shtator.

/Marrë nga profili në Facebook

The post Pse qëndrimi i Berishës në krye të PD duhet mbrojtur me pushkë dhe fitorja që fshihet pas humbjes turpëruese first appeared on JavaNews.al.

Pse berishistët i pandehin votuesit si thes me arra?

Nga Adriatik Doçi

Partitë e Shehajt, Lapajt dhe Shabanit morën rreth 100 mijë vota në zgjedhjet e 11 majit, duke u kthyer në faktor politik në vend të ish LSI-së. Pas zgjedhjeve, kryesisht kampi humbës PD-së, po artikulohet një tezë tejet naive, e cekët dhe fyese, sipas të cilës nëse Shqipëria Bëhet dhe Mundësia do të bashkoheshin me PD-në në një koalicion parazgjedhor, dy subjektet e reja politike do të merrnin 6-7 mandate dhe fitorja e Ramës nuk do të ishte kaq e thellë.

Për të mjegulluar përmasat e humbjes, Sali Berisha rikthesoi mbrëmë se Lapajn-Shehaj refuzuan ofertën e tij për koalicion me PD-në dhe se ata nuk janë fëmijë. Madje, duke i konsideruar votuesit si thes me arra, Klevis Balliu ka shkuar më tej, duke akuzuar Lapajn, Shehajn dhe Shabanin se janë përgjegjës që Rama mori mandatin e katërt, duke lënë PD-në në opozitë.

Pyetjet që shtrohen janë;

-A do t’i votoheshin Shqipëria Bëhet dhe Mundësia nga 100 mijë zgjedhës po të bashkoheshin me PD-në në zgjedhjet e 11 majit?

-Pse duhet të votoheshin Lapaj, Shabani dhe Shehaj si pjesë e shportës së PD-së me Fatmir Mediun, Shpëtim Idrizin, Vangjel Dulen dhe Ilir Metën?

-Nëse këta votues do kishin qëllim parësor vetëm për rrëzuar Ramën nga pushteti dhe jo për të refuzuar në bllok klasën e vjetër politike, pse duhet të votonin partitë e reja kur mund t’i binin shkurt, duke votuar PD-në?

Shqipëria Bëhet dhe Mundësia janë votuar pikërisht si një alternativë opozitare nga ajo fashë e elektoratit që është kundër qeverisë Rama, por në të njëjtën kohë, kundër monopolit opozitar të Partisë Demokratike, e cila tashmë është kthyer në një biznes i mirfilltë i Familjes Berisha. Nëse ata do të ishin bashkuar me PD-në, ka gjasa që Edi Rama mund të merrte mbi 90 mandate, pasi 100 mijë zgjedhës, votë kundër klasës së vjetër politike, mund të mos merrnin pjesë në zgjedhje, duke thelluar fitoren e PS-së.

Lapaj, Shabani dhe Shehaj duhet t’a kenë lexuar mesazhin e zgjedhjeve të 2025. Nëse kanë dyshime, ata e kanë një mundësi për të rrezikuar dhe ekperimentuar me tezën berishiste. Le të bashkohen me PD-në në zgjedhjet lokale të 2029.

The post Pse berishistët i pandehin votuesit si thes me arra? first appeared on JavaNews.al.

❌