Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Merz: Gjermania synon një vend në Këshillin e Sigurimit për mandatin 2035-2036

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, njoftoi sot se Gjermania do të kandidojë sërish për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara  për mandatin 2035-2036, vetëm dy ditë pasi Berlini dështoi të sigurojë një vend në votimin më të fundit.

Kancelari Merz e bëri njoftimin në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor të mbajtur në Tivat.

Në votimin e zhvilluar të mërkurën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Gjermania u mund qartë nga Austria dhe Portugalia në raundin e parë për vendet jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit për dy vitet e ardhshme.

Gjermania mori vetëm 104 vota, ndërsa për t’u zgjedhur nevojiteshin të paktën 127 vota, që përfaqësojnë dy të tretat e 193 shteteve anëtare të OKB-së. Portugalia siguroi 134 vota, ndërsa Austria 131.

Gjermania ka qenë gjashtë herë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit, herën e fundit gjatë periudhës 2019-2020. Kjo ishte hera e parë që Berlini dështoi në një përpjekje për të siguruar një vend në organin më të rëndësishëm të sigurisë së OKB-së.

Rama “Townhall” në Zvërnec/ Fluturon nga Samiti në Vlorë, përballet me banorët e fshatit

Nga Tivati në Zvërnec, kryeministri Rama u ul për herë të parë me banorët dhe pronarët që pretendojnë tokat në zonën e investimit. Ndryshe nga protesta në Tiranë, banorët në Zvërnec e mirëpresin investimin, por kërkojnë kthimin e pronave.

“Këtu është bërë batërdi, janë grabitur tokat, të kthehen pronat, pastaj investimi.”

“Ne jemi pro investimit, të bëhen sa më shumë madje. Ne duam investim, por ju lutem mos largoni investitorët e tjerë që jemi këtu.”, tha një qytetar.

Kryeministri Rama tha se qeveria e ka të ndaluar të merret me problemin e pronave dhe këtë ia ka lënë drejtësisë, por shtoi se derisa të zgjidhet ky problem, investimi nuk mund të ndalet.

“Unë s’erdha për të negociuar se s’kam çfarë të negocioj. Qeveria e ka të ndaluar këtë, se ju thoni shteti. Ka prokurori, ka gjykata që gjejnë fajtorët. Por derisa të gjenden fajtorët, s’mund të bllokohet ky investim. Nëse ju dilni pronarë, paratë që janë të ngrira i konfiskohen dhe bëhen para të shtetit, dhe shteti merret me pronarët. Urdhëro lekët dhe vazhdo punën. SPAK ka punën e vet, ne punën tonë.”, tha ai.

Kryeministri mbështeti moralisht pronarët që pretendojnë tokat, ndërsa solli edhe një rast edhe më flagrant të kësaj problematike.

“Ore, e dimë që këtu është batërdi, këtu kanë prona e gjyqtarë. Se unë ju mbështes, por mos më futni në sherr me BE-në. E dini ju që i ka dalë pronari teatrit në Butrint? Ka dalë ai, thotë unë dua pronën. Si t’i dalë pronari Akropolit e të ngrihet në protestë. Po ku i gjete kartat more, nga Greqia e Lashtë? I kam nga Turqia, thotë njeri.”, u shpreh ai.

Por kryeministri paralajmëroi se ka vetëm një kusht: nuk ka për t’u dalë krah pronarëve nëse ata dalin kundër investimit.

“Doni të bëni revolucion? Bëjeni. Kthejeni siç ishte. Po mua s’më keni në krah. Se ca nga ju ju thërret edhe partia, bjeri me plumb ballit.”

Në takimin me banorët e Zvërnecit, Rama zbuloi detaje të reja për luftën hibride nga Irani.

“E dini që prej kohësh jemi në sulm nga Irani. Evidentuam se kur plasi kjo, aktiviteti në rrjetet sociale u rrit pesëfish. Nxorën një foto gardhi me flamur të Izraelit mbi të. Është evidentuar se fushata kryhet nga njerëz të penetruar, në disa xhami. Ne kemi hyrë në një fushë tjetër, konkurrenca, dhe kjo s’ka lidhje fare me shtetin.”, shtoi ai.

/abcnews.al/

SHBA i kërkon Evropës dhe Kanadasë të rrisin forcat ajrore dhe detare në NATO

Shtetet e Bashkuara të Amerikë su kanë kërkuar aleatëve evropianë të NATO-s dhe Kanadasë që të rrisin me shpejtësi numrin e avionëve me pilot, dronëve dhe anijeve luftarake që vënë në dispozicion të aleancës, ndërsa Uashingtoni po redukton gradualisht kontributin e tij në këto fusha, sipas Reuters.

Deklarata u bë nga gjenerali i Forcave Ajrore amerikane Alexus Grynkewich, komandanti më i lartë ushtarak i NATO-s në Evropë, pas një vendimi të administratës së presidentit Donald Trump për të zvogëluar kapacitetet ushtarake amerikane të disponueshme për aleancën në rast krize.

Presidenti Trump ka deklaruar vazhdimisht se vendet evropiane duhet të marrin përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen konvencionale të kontinentit dhe të mos varen në masë të madhe nga SHBA-ja.

Muajin e kaluar, Uashingtoni njoftoi aleatët për uljen e kontributit në të ashtuquajturin “Modeli i Forcave të NATO-s”, një strukturë që përfshin forca të gatshme për t’u aktivizuar gjatë krizave ose konflikteve.

Sipas burimeve ushtarake, reduktimet amerikane do të prekin një gamë të gjerë kapacitetesh, përfshirë avionët furnizues me karburant në ajër, avionët luftarakë, dronët dhe anijet e marinës.

Grynkewich tha se avionët me pilot, dronët dhe mjetet detare janë fusha ku vendet evropiane dhe Kanadaja mund të mbushin boshllëkun që po krijohet nga reduktimi i pranisë amerikane.

“Ka pasur një varësi jo të shëndetshme të Modelit të Forcave të NATO-s nga forcat amerikane. Presidenti Trump dhe sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e kanë bërë të qartë se kjo duhet të ndryshojë,” deklaroi ai.

Megjithatë, NATO këmbëngul se këto ndryshime nuk pritet të krijojnë boshllëqe në mbrojtjen e aleancës.

Zëdhënësi i komandës ushtarake të NATO-s, koloneli amerikan Martin O’Donnell, tha se aleatët tashmë kanë ose do të kenë së shpejti kapacitete të mjaftueshme për të zëvendësuar asetet amerikane.

Përfshihet nga flakët një automjet në Kaninë, dyshohet për shkëndijë elektrike

Një automjet tip “Benz” është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme në zonën e Kaninës, në Vlorë.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka shpërthyer teksa automjeti ishte në lëvizje, ndërsa dyshohet se shkak ka qenë një shkëndijë elektrike ne mjet. Flakët kanë përfshirë me shpejtësi mjetin, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve dhe shuarjen e zjarrit.

Fatmirësisht, sipas të dhënave paraprake, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa policia dhe grupi hetimor po punojnë për të përcaktuar shkaqet që çuan në përfshirjen e automjetit nga flakët.

VIDEO/ Aksident i rëndë në autostradën Vlorë-Fier, raportohet për një viktimë

Një aksident i rëndë rrugor është shënuar në autostradën Autostrada Vlorë–Fier, pranë fshatit Novoselë.

Sipas informacioneve paraprake, si pasojë e përplasjes ka humbur jetën një person, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura rrethanat e plota të ngjarjes.

Forcat e policisë dhe shërbimet emergjente kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, si dhe për normalizimin e trafikut në segmentin rrugor.

Ekstradohen 6 persona nga Dubai/ Pjesë e grupeve kriminale, ishin në kërkim ndërkombëtar

Policia e Shtetit ka finalizuar ekstradimin nga Emiratet e Bashkuara Arabe të 6 shtetasve të kapur në Dubai, pjesëtarë të grupeve kriminale.

Të ekstraduarit ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, krimeve kompjuterike dhe pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale.

Policia e Shtetit ka marrë në dorëzim shtetasit Kristo Qirici, Shkëlzen Kraja, Aleks Pepaj, Fatmir Pepaj, Ilir Lazri dhe Merxhan Çeliku.

Papunësia në “rënie të lirë”/ Eksperti: Ecuri pozitive në mbledhjen e të ardhurave, shtohen bizneset e reja në shërbime

Eksperti i punësimit, Arbër Xhihani, në një intervistë në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, ka folur për zhvillimet në tregun e punës, sfidat e bizneseve dhe nivelin e të ardhurave në vend.

Sipas Xhihanit, fuqia punëtore në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më kërkuese, jo vetëm për rritjen e pagave, por edhe për përmirësimin e kushteve të punës. Ai theksoi se rritja e pagave nuk ka qenë e mjaftueshme për të garantuar kënaqësinë e punonjësve.

“Fuqia punëtore po bëhet gjithnjë e më kërkuese. Jo vetëm për rritje të pagave, por edhe për kushte. Referuar të dhënave, rritja e pagës duket se nuk ka qenë elementi i kënaqësisë”, u shpreh ai.

Duke analizuar modelin ekonomik të vendit, eksperti vuri në dukje se ekonomia shqiptare mbetet e lidhur ngushtë me ndërtimin dhe turizmin, ndërsa shtoi se performanca pozitive në mbledhjen e të ardhurave nga ana e qeverisë duhet të reflektohet edhe në mbështetjen e shtresave më në nevojë.

Xhihani kërkoi një rishikim të politikave të të ardhurave për të ndihmuar punonjësit që përballen me vështirësi ekonomike, si dhe kategoritë vulnerabël, përfshirë pensionistët.

Ai theksoi gjithashtu se vlerësimi i klimës së biznesit nuk duhet të bazohet vetëm te numri i regjistrimeve të reja, pasi sipas tij ka pasur edhe një numër të konsiderueshëm biznesesh që kanë ndërprerë aktivitetin.

“Nuk duhet të kënaqemi vetëm me hapjen e regjistrimeve të reja sa i përket bizneseve, sepse ka pasur edhe një numër shumë të madh të bizneseve të mbyllura”, deklaroi Xhihani.

Operacion në doganën e Durrësit, bllokohen 50 mijë euro të padeklaruara

Një operacion i përbashkët i Administratës Doganore dhe Policisë Kufitare në Portin e Durrësit ka çuar në bllokimin e rreth 50 mijë eurove të padeklaruara, të gjetura gjatë kontrolleve në hyrje të vijës së dytë të mjeteve të rënda.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë verifikimeve të ushtruara në një mjet tip bizarkë, autoritetet konstatuan një çantë me para cash në prerje të ndryshme, të cilat nuk ishin deklaruar në përputhje me detyrimet ligjore në fuqi.

Pas evidentimit të rastit, shuma monetare, drejtuesi i mjetit dhe vetë mjeti u bllokuan, ndërsa materialet procedurale iu referuan strukturave hetimore pranë Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës për veprime të mëtejshme.

Autoritetet doganore bëjnë me dije se kontrollet do të vijojnë me intensitet, në kuadër të forcimit të masave kundër shkeljeve doganore dhe financiare, si dhe për garantimin e zbatimit të legjislacionit në pikat kufitare.

Administrata Doganore theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional mbetet një element kyç në luftën kundër aktiviteteve të paligjshme dhe në rritjen e sigurisë në kufijtë e vendit.

Vlorë, 35-vjetori i PS/ “Turizmi elitar rrit nivelin e të ardhurave”, Rama: Investimi është bekim jo vetëm i Vlorës, por i gjithë Shqipërisë

Partia Socialiste feston 35 vjetorin e themelimit. Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një takimin e me socialistët në Vlorë. Rama foli për investimin në Zvërnec duke thënë se investimi 4 mld euro është më i madhi në Shqipëri.

“Ishte hera e parë që shkoja në atë vend, njerëz të familjes time të afërm shokë miq, kanë shkuar më kanë ftuar. Refuzoja të shkoja sepse nuk doja të përjetoja atë që kam përjetuar dje e sot. Tivat është një vend i bukur, por si Tivati Vlora ka çdo gji të saj”, tha ai.

Gjithashtu kryeministri theksoi se Shqipëria ka ende shumë e më shumë për të ecur përpara.

Turqia ia doli të bëjë ndryshimin e madh kur filloi të fusë resorte luksoze, hotelet me pesë yje, marina e jahte. Natyrisht njerëzit e thjeshtë, nuk mund të hyjë në një hajt, por është jahti që hyn në ekonominë e qytetit dhe të vendit. Ai investim duke u realizuar do të bëhet bekim jo vetëm i Vlorës, por i të gjithë Shqipërisë”, tha Rama.

/abcnews.al/

“Investitorët me dokumentacion për pronën”/ Rama: Prona është shitur dhe e kanë pronarë të tjerë

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me banorët e Zvërnecit në Vlorë, ka folur për çështjen e pronave dhe investimeve në zonë, duke theksuar se pronat në fjalë janë në zotërim të pronarëve të rinj dhe se investitorët disponojnë dokumentacionin e nevojshëm ligjor.

Në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga banorët, Rama deklaroi se nuk ka asgjë për të negociuar mbi çështje që sipas tij janë të përcaktuara ligjërisht.

“Nuk kam çfarë të negocioj me askënd. Por për të folur po, nuk kam frikë të përballem me asnjë sa kohë jemi kështu. Këta që duan të më heqin do duan të presin shumë më tepër”, u shpreh kryeministri.

Rama theksoi se investitorët që operojnë në zonë kanë dokumentacion përkatës për pronat dhe se proceset që lidhen me pronësinë duhet të trajtohen në përputhje me ligjin dhe institucionet përgjegjëse.

Kryeministri takim me banorët e Zvërnecit/ “Dua të bëj transparencë për çështjen”, Rama: Hetim për pronësinë e tokës

Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me banorët në Zvërnec, ka komentuar çështjet që lidhen me pronat dhe proceset ligjore përkatëse.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se nuk ka rol në certifikimin e pronave, duke nënvizuar se këto procese rregullohen nga institucionet dhe ligji.

“Unë nuk jam certifikues i asnjë prone. Për ligjin, për shtetin, për marrëdhëniet, marrëdhëniet nuk mund të rrinë në ajër. Për sa kohë ka tituj pronësie, jeta vazhdon, gjykata vazhdon”, deklaroi kryeministri.

Rama theksoi rëndësinë e respektimit të procedurave ligjore dhe funksionimit të institucioneve në trajtimin e çështjeve të pronësisë, duke shtuar se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes mekanizmave që parashikon ligji.

Presidenti i Libanit kritikon Iranin: Po e përdorni vendin tim si mjet në negociatat me SHBA-në

Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, ka kritikuar ashpër Iranin, duke e akuzuar se po e përdor Libanin si një “kartë negociuese” në bisedimet me SHBA.

Në një intervistë për CNN, Aoun deklaroi se sovraniteti dhe siguria e Libanit janë përgjegjësi ekskluzive e shtetit libanez dhe nuk duhet të shërbejnë për interesa të fuqive të huaja.

Sipas raportimeve të The Times of Israel, presidenti libanez akuzoi drejtpërdrejt Iran se po e përdor Libanin si mjet presioni dhe leverage në negociatat e tij me Shtetet e Bashkuara.

Aoun dërgoi gjithashtu një mesazh të fortë ndaj Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, duke deklaruar: “Nuk është vendi juaj, është vendi ynë”.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tivat/ Rama publikon foton me Merz: Ai për Berlin, unë për Vlorë

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një fotografi me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, pas takimit të zhvilluar në Tivat.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka dhënë një përshkrim të shkurtër të momentit, duke theksuar bisedën e zhvilluar pas mbledhjes.

“Me Kancelarin Merz në Tivat, gjatë bisedës pas mbledhjes së gjatë dhe para largimit, ai për Berlin e unë për Vlorë”, shkroi Rama krahas fotografisë së publikuar në rrjetet sociale.

Takimi mes dy liderëve u zhvillua në kuadër të aktiviteteve dhe diskutimeve rajonale në Tivat, ku në fokus ishin çështje që lidhen me bashkëpunimin rajonal, integrimin evropian dhe zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor.

Lufta hibride për Zvërnecin/ Nura: Nëse humb ky projekt, humbim të gjithë

Analisti Artur Nura ka deklaruar se debatet dhe kundërshtimet që po shoqërojnë projektin e mundshëm turistik në Zvërnec mund të jenë pjesë e një lufte hibride që synon të dëmtojë interesat ekonomike dhe turistike të Shqipërisë.

Gjatë një interviste në “Ora e Fundit” në ABC News, Nura u shpreh se projektet e mëdha strategjike shpesh paragjykohen dhe përballen me reagime që, sipas tij, nuk lidhen gjithmonë me interesa të drejtpërdrejta apo të qarta.

“Janë projekte të mëdha, gjigande dhe paragjykohen nga njerëz që nuk kanë interes të drejtpërdrejtë të kuptueshëm”, tha ai.

Sipas analistit, përhapja e videove dhe materialeve virale në rrjetet sociale mund të përdoret si instrument për të ndikuar opinionin publik dhe për të krijuar kundërshti ndaj investimeve të rëndësishme.

“Për planin e luftës hibride mjafton të shohësh videot virale. Një video mund të sensibilizojë një shoqëri që ndoshta nuk ka dijeni për çështjen. Kjo është qartazi një dorë nga pas që ka dëshiruar të sensibilizojë një grup të caktuar me qëllim sabotimin e një projekti turistik që mund të sjellë të ardhura për vendin”, deklaroi Nura.

Ai shtoi se nuk mund të përjashtohet mundësia që pas këtyre përpjekjeve të qëndrojnë interesa konkurruese nga vende të tjera të rajonit, duke përmendur si shembull Greqi, Mali i Zi, Kroaci apo Turqi.

“Është përmendur Greqia, por mund të jetë Mali i Zi, Kroacia apo Turqia, mund të jetë kushdo. Megjithatë, me këtë çështje duhet të merren institucionet”, u shpreh ai.

Eric Wendt merr miratimin/ Kandidatura për ambasador të SHBA në Shqipëri merr 19 vota pro dhe 3 kundër

Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit Amerikan ka miratuar me 19 vota pro dhe 3 vota kundër emërimin e Eric Wendt si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i SHBA-ve në Republikën e Shqipërisë.

Emërimi i Wendt u mbështet nga shumica e anëtarëve të komisionit, përfshirë senatorë nga të dyja partitë kryesore, në një votim që e çon kandidaturën një hap më afër konfirmimit final në Senat.

Sipas të dhënave të votimit, pro kandidaturës votuan 19 senatorë, ndërsa 3 senatorë votuan kundër. Pas këtij miratimi në komision, kandidatura pritet të kalojë për votim në seancë plenare të Senatit, ku do të vendoset përfundimisht konfirmimi i tij si ambasador i ri i SHBA-ve në Tiranë.

Konfirmimi final duket tashmë vetëm një çështje formaliteti dhe, nëse gjithçka shkon siç duhet, Eric Wendt do të marrë drejtimin e Ambasadës Amerikane në një periudhë me rëndësi të madhe për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri, veçanërisht në fushat e sigurisë, investimeve dhe bashkëpunimit euroatlantik.

Eric Wendt konsiderohet një figurë me profil të lartë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Ai ka mbajtur gradën gjeneral me tre yje dhe ka drejtuar forcat speciale amerikane dhe operacionet speciale të NATO-s në Europë. Përgjatë karrierës së tij ka bashkëpunuar edhe me strukturat shqiptare të sigurisë, si në kuadër të NATO-s, ashtu edhe gjatë operacioneve ndërkombëtare në Afganistan.

Në paraqitjen e tij në Senat, Wendt theksoi se prioritetet kryesore të mandatit të tij në Tiranë do të jenë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimi i partneritetit ushtarak mes dy vendeve, mbështetja për sigurinë kibernetike dhe krijimi i një klime më të favorshme për investimet amerikane në Shqipëri.

Rama: Zvërneci po refuzohet si Porto Montenegro/ Resorti luksoz nuk u ndërtua në Shqipëri nga bllokimi i qeverisë Berisha

Në pritje të mbajtjes së Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat të premten, kryeministri Rama vizitoi për herë të parë Porto Montenegron, investimin që ishte parashikuar të bëhej në Durrës, duke e paralelizuar me kundërshtimet e sotme për Zvërnecin.

“Di mirë historinë sesi u ndërtua ky vend, nga dikush, një burrë i vjetër dhe pasionant nga Kanadaja, që trokiti më parë në Shqipëri dhe donte të bënte një port turistik në Durrës. E keqtrajtuan dhe e detyruan të largohej, duke mos i hapur fare dyert. Në Mal të Zi iu hapën dyert, por jo çdo gjë shkoi ashtu siç duhej që në fillim.”, tha Rama.

Porto Durazzo nuk u realizua kurrë për shkak të zvarritjeve ndaj investitorit kanadez nga ish-qeveria e Sali Berishës, ndaj i njëjti investitor u largua për në Mal të Zi, ku qeveria e asaj kohe e mirëpriti investimin.

Rama nuk e fshehu zhgënjimin, ndërsa u informua nga menaxheri i resortit Porto Montenegro se investimi në fillim pati kundërshtime edhe në Mal të Zi, por sot është ylli polar i turizmit dhe zhvillimit të vendit.

“Ju e kuptoni mentalitetin. Malazezët janë mikpritës tani, por në fillim nuk na prisnin as në aeroport. Shumica e njerëzve në Tivat as donin të kalonin në fillim nga Porto Montenegro. Nuk e donin. Tani kanë parë se përfitimet janë shumë të mëdha për komunitetin dhe vendin. Këtu kemi gjetur 10 mijë banorë, këtu nuk kishte turizëm, ishte ish-zonë ushtarake. Veç të ardhurave, kemi punësuar mijëra njerëz ndër vite.”

Por ndërkohë që në Tiranë mbahej një protestë kundër investimit në Zvërnec, kryeministri Rama nga Mali i Zi paralajmëroi se nuk ka më vend për qëndrime të tipit “s’e duam” apo “s’na duhet” dhe se ky shans investimi nuk do t’i shpëtojë më Shqipërisë.

VIDEO-EMRI/ 37-vjeçari në gjendje të rëndë në spital! U paraqit me plagë në këmbë, dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri

Një person është transportuar në spital në Korçë për të marrë trajtim mjekësor, pasi ka marrë plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit.

I plagosuri është identifikuar si Shpati Kamberaj 37 vjeç. Mësohet se ka marrë plagë në këmbë. 37-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë dhe është në sallë operacioni. Ndërsa dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri.

Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta.

 

VIDEO/ Rama ndan pamje nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tivat

Kryeministri Edi Rama, ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga pjesëmarrja e tij në Samitin BE–Ballkan Perëndimor që po zhvillohet në Tivat.

Përmes një postimi në Facebook, Rama shoqëroi fotografitë nga aktiviteti me mesazhin e shkurtër: “Tivat, Mal i Zi – Samiti BE–Ballkan Perëndimor”.

Samiti mbledh liderë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të lartë të Bashkimi Evropian për të diskutuar mbi bashkëpunimin rajonal, procesin e integrimit europian, zhvillimin ekonomik dhe sfidat e përbashkëta të rajonit.

 

❌