Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Netanyahu: Izraeli do të mbetet në Liban për aq kohë sa të jetë e nevojshme

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se vendi i tij do të vazhdojë të mbajë praninë në “zonën mbrojtëse” në Liban për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Në një konferencë për shtyp, Netanyahu theksoi se Izraeli do të ruajë lirinë e veprimit për të parandaluar sulme që, sipas tij, vijnë nga territori libanez.

Ai shtoi gjithashtu se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara mbeten të forta, duke thënë se ai dhe presidenti amerikan Donald Trump “ndonjëherë nuk bien dakord, por janë partnerë dhe shpesh pajtohen”.

Deklaratat e tij vijnë në një moment tensionesh politike dhe diplomatike në rajon, pas raportimeve për një marrëveshje fillestare mes SHBA-së dhe Iranit, e cila ka shkaktuar reagime të forta në skenën politike izraelite.

Tafani: Përparime konkrete drejt paqes në Lindjen e Mesme/ Krisafi: Amerikanët duan të dalin si fitimtarë nga lufta!

Eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Endri Tafani, ka deklaruar se ka përparime konkrete drejt arritjes së paqes, bazuar në mënyrën se si kanë rrjedhur ngjarjet deri më tani.

Sipas Tafanit, është arritur një marrëveshje e përgjithshme në formën e një memorandumi mirëkuptimi, ku palët marrin përsipër disa angazhime që pritet të detajohen më tej.

Sipas ekspertit, programi bërthamor mbetet vija e kuqe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe, në këtë pikë, SHBA-ja ka arritur atë që ka kërkuar.

“Ka përparime konkrete në arritjen e paqes për gjithë mënyrën si kanë rrjedhur ngjarjet. Ka një marrëveshje të përgjithshme, memorandum miratimi, ku palët marrin përsipër disa angazhime që do të detajohen më tej. Arma bërthamore ka qenë e vetmja vijë e kuqe. Për kalimin në Ngushticën e Hormuzit, Trump ka vijuar më tej duke thënë ta përdorin ata dhe Omani. Vijë e kuqe për SHBA-në është programi bërthamor dhe në atë pikë kanë marrë atë që kanë dashur.”

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, vlerëson se Shtetet e Bashkuara synojnë të dalin fitimtare nga konflikti, por sipas tij, shpallja si fitore e hapjes së Ngushticës së Hormuzit nuk qëndron.

Sipas Krisafit, ajo që pritet të ndodhë është një kufizim i programit bërthamor iranian, ndërsa rimëkëmbja e tij do të kërkojë disa vite.

“Amerikanët duan të dalin si fitimtarë nga kjo luftë. Të shpallësh si fitore hapjen e Hormuzit nuk mund të jetë fitore, sepse Hormuzi i hapur ka qenë. Nëse shohim këtë marrëveshje mirëkuptimi, mendoj se Trump nuk ka arritur objektivin kryesor. Duket se do të ketë një kufizim të programit bërthamor dhe do të duhen disa vite që të rimëkëmbet programi bërthamor. Fitorja për Iranin është që ka arritur të mbijetojë.”

G7 me sytë nga Trump, çfarë fshihet në marrëveshjen me Iranin?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mbërritur sot në Evian të Francës për samitin e G7, ku pritet të diskutohet një sërë çështjesh globale, përfshirë Lindjen e Mesme, Ukrainën dhe tregtinë ndërkombëtare.

Trump deklaroi se është “i forcuar” nga marrëveshja e arritur me Iranin, e cila sipas tij do të çojë në “hapjen e plotë” të Ngushticës së Hormuzit duke filluar nga e premtja e ardhshme. Teksti i marrëveshjes ende nuk është bërë publik dhe liderët e G7 pritet të informohen mbi detajet gjatë takimeve në samit.

Presidenti amerikan mbërriti fillimisht në Gjenevë dhe më pas me helikopter në Evian, ku u prit nga protokolli i presidencës franceze në Royal Hotel Evian. Më vonë ai zhvilloi një takim privat me presidentin francez Emmanuel Macron.

Sipas Trump, marrëveshja me Teheranin do të publikohet pas së premtes, kur në Gjenevë pritet të zhvillohet ceremonia e nënshkrimit. Ai theksoi gjithashtu se Ngushtica e Hormuzit do të jetë “plotësisht e hapur” në atë moment.

Nga ana e tij, Macron ka deklaruar se një forcë shumëkombëshe mund të ndihmojë në pastrimin e minave dhe garantimin e sigurisë në zonë, ndërsa ka përmendur mundësinë e dislokimit të aeroplanmbajtëses franceze “Charles de Gaulle”, në varësi të zhvillimeve diplomatike.

Ndërkohë, vendet e G7 kanë theksuar dallimet e tyre mbi përfshirjen në konfliktin në Lindjen e Mesme, ndërsa në axhendën e samitit mbeten gjithashtu lufta në Ukrainë dhe tensionet tregtare mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.

Në këtë kontekst, Trump ka paralajmëruar edhe mundësi tarifash ndaj Francës lidhur me taksat mbi kompanitë teknologjike amerikane, ndërsa Macron ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga legjislacioni evropian.

Samiti i G7 pritet të vijojë në ditët në vijim me takime mes liderëve botërorë dhe diskutime mbi sigurinë globale dhe stabilitetin ekonomik.

Trump kërcënon me tarifë 100 për qind ndaj verërave franceze për shkak të taksës digjitale

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të vendosë një tarifë prej 100% ndaj verës dhe shampanjës franceze, nëse Parisi nuk heq taksën e tij mbi shërbimet digjitale që u aplikohet kompanive të teknologjisë.

Franca vendosi në vitin 2019 një taksë prej 3% mbi të ardhurat e realizuara brenda territorit të saj nga kompanitë e teknologjisë, përfshirë gjigantët amerikanë si Facebook, Amazon, Apple dhe Alphabet, kompania mëmë e Google.

Presidenti francez Emmanuel Macron pritet të presë Trump më 15 qershor, përpara nisjes së samitit të G7 në resortin e Evianit, pranë Liqenit të Gjenevës.

Sipas New York Post, Trump deklaroi se i kishte kërkuar Macronit “të mos taksojë kompanitë amerikane”.

“Nëse e bëjnë këtë, nuk kam zgjidhje tjetër veçse të vendos një tarifë 100% për të gjitha shampanjat dhe verërat që vijnë nga Franca”, citohet të ketë thënë ai. “Gjithçka që duhet të bëjë Macron është të heqë taksën mbi shitjet dhe nuk do të përballej me një presion të tillë.”

Gabriel Picard, president i Federatës Franceze të Eksportuesve të Verërave dhe Pijeve Alkoolike (FEVS), bëri thirrje për ruajtjen e një “marrëdhënieje tregtare të balancuar dhe konstruktive mes Francës dhe SHBA-ve, në interes të të dy ekonomive”.

Ai tha për AFP se mosmarrëveshja “lidhet me çështje që nuk janë në fushën tonë të veprimit, edhe pse kompanitë tona mund të vuajnë drejtpërdrejt pasojat. Ky kërcënim i ri është një lajm i keq për sektorin tonë, i cili mbështetet fuqishëm te eksportet”.

Sipas FEVS, Shtetet e Bashkuara janë tregu më i madh importues i verërave dhe pijeve alkoolike franceze, duke përfaqësuar 21% të eksporteve totale në vitin 2025.

Verërat franceze dhe evropiane që eksportohen në SHBA përballen tashmë me një tarifë prej 15%, nga 10% që ishte më parë.

Federata franceze e eksportuesve raportoi se eksportet e verërave dhe pijeve alkoolike franceze drejt SHBA-ve ranë me 21% gjatë vitit 2025.

Në janar, Trump kishte kërcënuar me tarifa prej 200% ndaj verës franceze, pasi Franca kishte sinjalizuar se mund të refuzonte ftesën për t’iu bashkuar iniciativës së tij të quajtur “Bordi i Paqes”, që synonte zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.

Ndërkohë, Kanadaja vendosi në vitin 2025 të heqë taksën mbi shërbimet digjitale për të shpëtuar negociatat tregtare me SHBA-të, pas presionit të ushtruar nga Trump.

Mbështetësit e taksave të posaçme për kompanitë e mëdha teknologjike argumentojnë se qëllimi është që këto kompani të paguajnë taksa në vendet ku zhvillojnë aktivitetin e tyre ekonomik, si dhe të kufizohen praktikat e optimizimit fiskal.

Edhe gjatë mandatit të tij të parë, Trump kishte kërcënuar me tarifa ndaj importeve amerikane të shampanjës dhe djathit francez, pasi Franca vendosi taksën për shërbimet digjitale në vitin 2019.

Analiza/ Memorandumi i mirëkuptimit SHBA-Iran dhe detajet kritike

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zëvendëspresidenti J. D. Vance dhe kryetari i Parlamentit iranian Mohammad Bagher Ghalibaf kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi mes SHBA-së dhe Iran, për të cilin tashmë janë bërë publike disa nga pikat kryesore.

Sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga Sky News, marrëveshja parashikon që SHBA të mbajë përkohësisht praninë e saj ushtarake në rajon, ndërsa monitorohet zbatimi i angazhimeve nga pala iraniane. Tërheqja e trupave amerikane, sipas tyre, do të shqyrtohet vetëm pas një marrëveshjeje përfundimtare.

Po ashtu, SHBA-të shprehen të gatshme të shqyrtojnë lehtësimin e sanksioneve dhe lirimin e fondeve të ngrira si pjesë e “gjesteve të vogla” reciproke, me kusht që Irani të përmbushë detyrimet e tij.

Burimet theksojnë se procesi i negociatave është udhëhequr drejtpërdrejt nga nivelet më të larta të administratës amerikane, ndërsa zëvendëspresidenti Vance ka luajtur rol aktiv në komunikimin me palën iraniane.

Gjithashtu raportohet se janë hapur kanale të reja komunikimi përmes Pakistan dhe Katar, pasi Shtetet e Bashkuara shprehën pakënaqësi ndaj rolit ndërmjetësues të Oman.

Zyrtarët amerikanë pretendojnë gjithashtu se Irani është në një pozicion ekonomik dhe ushtarak më të dobët se në dekadat e fundit, ndërsa programi i tij bërthamor është ndjeshëm i dëmtuar.

Nga ana e tij, presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se vendi i tij mbetet i gatshëm për çdo skenar dhe se prioriteti i qeverisë është shërbimi ndaj qytetarëve, pavarësisht zhvillimeve në negociata.

Sipas raportimeve, dokumenti nuk është një marrëveshje përfundimtare, por një kornizë paraprake që synon uljen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për një proces më të gjerë diplomatik mes dy vendeve.

Hetimi i BBC: Pas sulmit ndaj shtëpisë së Starmer qëndron një rrjet sabotazhi i lidhur me Rusinë

Një hetim i BBC ka zbuluar se sulmi me zjarr ndaj një prone të lidhur me kryeministrin britanik Keir Starmer ishte pjesë e një fushate më të gjerë sabotazhi dhe dezinformimi që, sipas gjetjeve të medias britanike, çon deri te operativë të lidhur me shtetin rus.

Në qendër të çështjes ndodhet 22-vjeçari ukrainas Roman Lavrynovych, i cili u shpall fajtor për komplot për zjarrvënie. Sipas hetimeve, ai u rekrutua përmes aplikacionit Telegram nga një person me inicialet “EL”, i cili i premtoi para dhe e udhëzoi për kryerjen e sulmeve.

BBC pretendon se ka identifikuar “EL” si Evgeny Lyukshin, një diplomat rus 23-vjeçar dhe djali i një zyrtari të lartë rus. Sipas medias britanike, Lyukshin ka promovuar mesazhe pro-ruse, ka lavdëruar presidentin Vladimir Putin dhe ka ofruar para e madje shtetësi ruse për persona të gatshëm të kryejnë akte vandalizmi dhe zjarrvënie.

Hetimi zbulon se operativë rusë kanë përdorur rrjete sociale dhe Telegram për të krijuar grupe të rreme të ekstremit të djathtë dhe organizata të tjera të rreme në Britani, me qëllim nxitjen e tensioneve sociale, përçarjes dhe frikës.

Sulmet përfshinin djegien e një makine që më parë kishte qenë në pronësi të Starmer, si dhe sulme ndaj hyrjeve të banesave të lidhura me kryeministrin britanik. Dy persona, Roman Lavrynovych dhe Stanislav Carpiuc, u shpallën fajtorë për komplot për zjarrvënie, ndërsa një i tretë, Petro Pochynok, u shpall i pafajshëm.

Ambasada ruse në Londër ka mohuar çdo lidhje me ngjarjen, duke deklaruar se Rusia nuk përbën kërcënim për Mbretërinë e Bashkuar dhe se nuk ka qëllime agresive ndaj saj.

Sipas BBC-së, rasti konsiderohet një shembull i asaj që ekspertët e sigurisë e quajnë “luftë hibride”, ku operacionet e ndikimit, propaganda dhe sabotazhi përdoren për të destabilizuar shoqëritë perëndimore pa përfshirje të drejtpërdrejtë ushtarake.

 

Grabisnin makina në Greqi dhe u falsifikonin të dhënat, arrestohen 11 shqiptarë

Oficerët e policisë nga Departamenti i Ndjekjes dhe Hetimit të Krimeve të Spatës – Artemis në Athinë, shpërbënë një organizatë kriminale që kryente vjedhje automjetesh në zona të ndryshme të Athinës, të cilat i falsifikonte dhe i shiste.

Me qëllim shpërbërjen e organizatës kriminale, një operacion i koordinuar policor u krye në orët e mëngjesit të sotëm nga Departamenti i Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimit Spata – Artemis, me ndihmën e oficerëve të policisë nga Nëndrejtoria e Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Athines Verilindore dhe OPKE, në zona të Athinës, gjatë të cilit u arrestuan 13 anëtarë të organizatës, të moshës midis 22 dhe 38 vjeç, në bazë të urdhër-arresteve. Ata janë 11 shqiptarë dhe 2 grekë.

Një padi u ngrit kundër tyre për formimin dhe anëtarësimin në një organizatë kriminale që kryente vjedhje të dallueshme automjetesh në bashkëpunim, në seri dhe profesionalisht, falsifikim, mashtrim dhe pastrim parash.

Siç doli nga hetimi i oficerëve të policisë të Departamentit të Hetimit të Krimeve Spata – Artemis, anëtarët e organizatës, që nga marsi i vitit 2023, kishin krijuar dhe ishin bashkuar me një organizatë kriminale me qëllim vjedhjen profesionale dhe të përsëritur të automjeteve nga zonat e Athinës dhe më pas falsifikimin e të dhënave të regjistrimit të automjeteve të vjedhura, me qëllim shitjen e tyre.

Konkretisht, anëtarët e grupit kriminal vidhnin automjete nga zonat e Athinës dhe më pas hiqnin pjesët origjinale që mbanin numrin e shasisë së automjetit dhe njëkohësisht falsifikonin numrin e shasisë me qëllim shitjen e tyre.

Në këtë mënyrë, të dyshuarit i “legalizuan” automjetet në fjalë dhe i bënë gati për shitje.

Në të njëjtën kohë, u zbulua se anëtarët e organizatës kriminale bënë deklarata të rreme në lidhje me vjedhjen e automjeteve, me qëllim mbledhjen e kompensimit të sigurimit, duke përfituar kështu përfitim financiar të paligjshëm.

Gjatë hetimit disamujor të policisë, u gjetën dhe u sekuestruan gjithsej 36 automjete, 19 prej të cilave, pas një inspektimi teknik të specializuar, u përcaktuan si të vjedhura me dokumente rregjistrimi të falsifikuara dhe të cilat iu kthyen pronarëve të tyre ligjorë.

Gjatë operacionit policor, në shtëpitë e të arrestuarve u gjetën dhe u sekuestruan 6 automjete, pajisje për kopjimin e çelësave të makinave, pajisje diagnostikuese ECU të automjeteve, mjete speciale për hapjen e bravave, sisteme gjeolokacioni, një numër i madh telefonash celularë dhe kompjuterësh, 2 pistoleta imituese, thikë palosëse, 30,000 euro etj.

Gjatë hetimit paraprak nga oficerët e policisë të Departamentit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve Spatë – Artemidë, u hetuan 33 raste të vjedhjes së automjeteve dhe 9 raste të deklarimeve të rreme të vjedhjes.

Përfitimi total financiar i organizatës kriminale vlerësohet të arrijë në 1.000.000 euro.

Të arrestuarit u shoqëruan në organin kompetent të prokurorisë, ndërsa hetimet për përcaktimin e plotë të aktivitetit të tyre kriminal vazhdojnë.

Hetime për bllokimin e rrugës së Rinasit/ Policia e Tiranës pyet disa persona, procedohen 19 persona

Policia e Tiranës ka nisur hetimet pas bllokimit të autostradës Tiranë-Durrës dhe rrugës për në aeroportin e Rinasit nga protestuesit të dielën. Policia ka marrë në pyetje disa persona mes tyre edhe Gent Prognin, i dyshuar si organizator.

Në pamjet filmike të sekuestruara nga Policia dyshohet se të gjithë orientimin për bllokimin e rrugës për në aeroportin e Rinasit e ka bërë Progni.

Sipas infromacioneve personat e shoqëruar janë lënë të lirë pasi janë marrë në pyetje, ndërsa janë proceduar penalisht 19 persona.

” Në përfundim të veprimeve hetimore, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit:

G. P., 36 vjeç; A. Ll., 29 vjeçe; A. Ll., 27 vjeçe; I. F., 32 vjeç; E. H., 33 vjeç; A. K., 46 vjeç; F. Rr., 28 vjeç; V. D., 29 vjeç; O. B., 21 vjeç; D. L., 57 vjeç; L. N., 20 vjeç; A. K., 29 vjeç; A. M., 23 vjeç; T. M., 24 vjeç; K. Z., 22 vjeç; B. P., 34 vjeç; Gj. N., 39 vjeç; L. K., 33 vjeçe; I. M., 24 vjeçe, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Si dhe janë sekuestruar dy automjete.

Nga veprimet hetimore rezulton se më datë 14.06.2026, rreth orës 18:00, ishte njoftuar zhvillimi i një tubimi në sheshin “Skënderbej” dhe më pas përpara godinës së Kryeministrisë, në Tiranë. Tubimi ishte parashikuar të zhvillohej nga ora 18:00 deri në orën 22:00.

Gjatë zhvillimit të tij, sipas veprimeve hetimore të kryera, drejtues dhe organizatorë të tubimit kanë bërë thirrje për vazhdimin e lëvizjes së pjesëmarrësve nga zona përpara Kryeministrisë në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen e qytetarëve në këtë aks rrugor.”  / abcnews.al /

Bie nga mjeti lundrues në Liqenin e Ulzës/ Mat, zhduket 37 vjeçari, polumbarët në kërkim të trupit të tij

Rreth orës 18:20, Salla Operative e Komisariatit të Policisë Mat ka marrë njoftim se shtetasi A. Z.,  37 vjeç, banues në Laç, dyshohet se, duke drejtuar një mjet lundrues në liqenin e Ulzës, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe ka rënë në ujë. Më pas, në tentativë për të kapur sërish mjetin lundrues, dyshohet se është mbytur.

Janë njoftuar polumbarët e RENEA-s, për gjetjen e 37-vjeçarit, ndërsa shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, së bashku me grupin hetimor, ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Marta Kos: Kemi marrë garanci nga Shqipëria, Zvërneci do respektohen parametrat europianë të mjedisit

Komisionerja e Zgjerimit e Bashkimit Evropian, Marta Kos deklaroi sot se Shqipëria ka garantuar se projekti turistik prej më shumë se 1,4 miliardë eurosh, i lidhur me Jared Kushner, do të përmbushë standardet mjedisore të BE-së, sipas “Euronews”.

Sipas Kos, qeveria shqiptare e ka siguruar Komisionin Evropian se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se do të respektohen të gjitha rregullat evropiane për mbrojtjen e natyrës.

Shqipëria konsiderohet aktualisht një nga vendet më të avancuara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, e renditur menjëherë pas Malit të Zi sa i përket progresit të negociatave.

Megjithatë, për t’u bërë pjesë e bllokut evropian, vendi duhet të harmonizojë legjislacionin e tij  me atë të  BE-së përfshirë fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Projekti luksoz turistik me vlerë mbi 1,4 miliardë euro ka shkaktuar protesta në Shqipëri gjatë javëve të fundit, pasi parashikohet të prekë një zonë të mbrojtur ekologjike në bregdetin e Adriatikut.

Javën e kaluar, zëdhënësi i Komisionit Evropian për zgjerimin, Guillaume Mercier, paralajmëroi se autoritetet shqiptare duhet të veprojnë pa vonesë për të shmangur çdo rrezik për procesin e anëtarësimit në BE.

Këto komente shkaktuan reagime në Tiranë, pasi u interpretuan si një paragjykim i rezultatit të vlerësimit mjedisor që ende nuk ka përfunduar.

Në deklaratën e saj, Kos mbajti një ton më pajtues, duke theksuar se e drejta për të protestuar është një liri themelore si për vendet anëtare të BE-së ashtu edhe për ato që synojnë anëtarësimin.

Ajo shtoi se procesi i anëtarësimit është ligjërisht dhe politikisht detyrues dhe i nënshtrohet monitorimit të vazhdueshëm, duke ofruar garanci të forta se natyra dhe mjedisi në Shqipëri do të mbrohen në përputhje me standardet evropiane.

Komisioni Evropian kishte ngritur më herët shqetësime për ndryshimet ligjore të miratuara në shkurt 2025, të cilat parashikojnë përjashtime të veçanta për investimet me vlerë mbi 50 milionë euro. Në këtë kategori përfshihet edhe projekti i mbështetur nga kompania “Affinity Partners”, e cila ka marrë akses të veçantë nga autoritetet shqiptare.

Sipas Kos, investimet e huaja janë të rëndësishme si për vendet kandidate ashtu edhe për shtetet anëtare të BE-së, por ajo nënvizoi se për Brukselin ka rëndësi që ato të realizohen në përputhje të plotë me legjislacionin evropian

Sulme në Ukrainë, 10 të vrarë/ Dronët ruse godasin Kishën e shekullit të 11-të, pasuri e UNESCO

Të paktën nëntë persona u vranë nga sulmet ruse në Ukrainë, ndërsa një objekt I rëndësishëm I trashëgimisë kulturore u përfshi nga flakët.

Katër persona humbën jetën në Kryeqytet, ndërsa u dëmtua manastiri i Lavrës së Kievit Peçersk, një simbol i historisë shpirtërore dhe kulturore ukrainase.

Manastiri, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO i ndërtuar në vitin 1051, u dëmtua rëndë, me flakët gjigante që ngriheshin në ndërtesë.

Dronët dhe raketat goditën gjithashtu disa ndërtesa të larta apartamentesh dhe dëmtuan linjat e energjisë elektrike, duke lënë rreth 140 mijë banorë të kryeqytetit pa energji elektrike.

Ndërkohë katër shpëtimtarë të shërbimit të emergjencës dhe një zyrtar bashkiak u vranë dhe të paktën pesë të tjerë u plagosën pasi një sulm rus goditi Kharkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.

Sulmet e reja erdhën pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se kishte folur me Presidentin amerikan Donald Trump dhe kishte diskutuar përpjekjet për të arritur një fund të konfliktit më shumë se katërvjeçar.

Nga ana tjetër ushtria e Ukrainës tha se Rusia kishte lëshuar 70 raketa dhe 611 dronë në Ukrainë gjatë natës dhe një pjesë e të cilave u rrëzuan nga mbrojtja ajrore.

Një cep i Beratit në Vlorë-Lokali që ruan stilin klasik

Mes bareve moderne, arredime luksoze që dominojnë sot qytetin e Vlorës, ekziston një ambient që të kthen pas në kohë.

Tapete klasike, perde me detaje tradicionale, filxhanë që kujtojnë shtëpitë e dikurshme dhe një atmosferë që të jep ndjesinë e një shtëpie, jo të një lokali

Pas këtij koncepti qëndron Majlinda Opingari, 49 vjeç, me origjinë nga Berati dhe prej vitesh e vendosur në Vlore

Majlinda tregon se ideja lindi vite më parë, si një mënyrë për t’u treguar klientëve se një bar-kafe mund të ketë identitet.

Frymëzimi, sipas saj, lidhet me fëmijërinë në Berat  Ajo thotë se në fillim nuk ishte e lehte për të.

“Nuk ishte e lehtë, por klinetët u mësuan”, shprehet ajo.

Sipas Majlindës, njerëzit janë lodhur disi nga  stilit modern dhe kërkojnë ambiente që krijojnë ndjesi më të ngrohta

Madje, ajo ka edhe një cep të preferuar brenda lokalit.

Përplasen në det një mjet lundrues dhe skafi i Policisë Kufitare në Ksamil, një viktimë

Një aksident i rëndë detar është regjistruar në Gjiri i Ksamilit, ku një mjet lundrues është përplasur me skafin e Policia Kufitare e Sarandës.

Sipas informacioneve paraprake, si pasojë e përplasjes një person ka humbur jetën, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se ambulancat kanë transportuar deri më tani dy persona në urgjencën e Spitali i Sarandës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Forcat e policisë dhe ekipet e emergjencës ndodhen në zonë, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe verifikimin e bilancit të saktë të personave të përfshirë.

/abcnews.al/

 

Magyar bllokon rikthimin e Orban/ Parlamenti hungarez miraton kufizimin: Vetëm 8 vjet kryeministër

Ligjvënësit në Hungari votuan të hënën një ndryshim të rëndësishëm kushtetues që kufizon pushtetin e Kryeministrit duke e lene ate te jete ne pushtet vetem 8 vite ose e thene ndryshe dy mandate, nje mase kjo e cila do te pengoje rikthimin ne pushtet te ish kryeministrit nacionalist Viktor Orban.

Amendamenti u miratua me shumicë të madhe në parlament, me 135 vota pro, 50 kundër dhe 6 abstenime. Sipas ligjit hungarez, ndryshime të tilla mund të kalojnë me shumicë të cilësuar prej dy të tretash, pa nevojën e një referendumi.

Reforma ishte një nga premtimet kryesore të fushatës së pro-evropianit konservator Péter Magyar, i cili në zgjedhjet e prillit e largoi Orbánin nga pushteti dhe premtoi reforma të thella institucionale si pjesë e asaj që e quajti “ndryshim regjimi”. Sipas Magyar, mungesa e kufizimeve në mandate mund të çojë në përqendrim të pushtetit në duart e një figure të vetme politike.

Nga ana tjetër, partia e Orbánit e kundërshtoi ndryshimin, duke argumentuar se kufizimet e mandatit mund të cenojnë vullnetin e zgjedhësve dhe të kufizojnë zgjedhjen demokratike. Amendamenti nuk e përjashton plotësisht mundësinë e rikthimit të Orbánit në pushtet në të ardhmen, pasi Kushtetuta mund të ndryshohet sërish nga një shumicë e kualifikuar parlamentare.

Ndryshimi i fundit shënon herën e 16-të që Kushtetuta bazë e Hungarisë ndryshohet që nga miratimi i saj në vitin 2011.

Dy netë magjike me Yll Limanin në Tiranë/ Fansat ndanë emocionet e urimet e tyre për artistin falë “One Albania”

Yll Limani rikthehet para publikut shqiptar me turneun “Thirrem Sot ose Nesër”, një projekt që ka thyer rekorde shitjesh dhe ka ngjallur interes të jashtëzakonshëm në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë.

Përveç muzikës dhe atmosferës së koncertit në Tiranë, fansat patën mundësinë të përjetojnë edhe një eksperiencë të veçantë falë One Albania. Admiruesit e artistit i përcollën mesazhet dhe urimet e tyre Ylli Limanit, përmes një telefoni të vendosur në hapësirën e krijuar nga lideri i telekomunikacionit.

Dy koncertet e mbajtura në kryeqytet kanë sjellë në skenë disa prej hiteve më të dashura të artistit, por edhe krijimet e tij më të reja muzikore.

Në fund të mbrëmjes çdo këngë, mesazh, emocion dhe duartrokitje kthehet në një kujtim që mbetet edhe pasi dritat e skenës shuhen.

Sulm ndaj një cisterne pranë Jemenit, autoritetet detare britanike nisin hetimet

Një incident i sigurisë detare është raportuar në ujërat pranë Jemen, pasi një varkë e vogël iu afrua një cisterne dhe hapi zjarr ndaj saj.

Sipas UKMTO, ngjarja ndodhi rreth 111 milje detare në juglindje të Aden, një zonë me rëndësi strategjike për trafikun ndërkombëtar detar.

Agjencia britanike e sigurisë detare bëri të ditur se autoritetet kompetente janë duke hetuar rrethanat e incidentit, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi dëmet e mundshme apo identitetin e autorëve.

Ngjarja vjen në një periudhë tensionesh të vazhdueshme në rrugët detare të rajonit, ku siguria e anijeve tregtare mbetet një shqetësim i rëndësishëm për komunitetin ndërkombëtar dhe operatorët e transportit detar.

Tenderat, njësoj si në BE / Integrimi, ligji për prokurimet publike sipas standardeve të BE-së

Tenderat njëjtë si në BE. Drejtoresha e Prokurimeve Publike, deklaroi para komisionit për europën dhe punët e jashtme se ligji i prokurimeve do të  ketë sërish ndryshime të cilat do e përafrojnë 100% me legjislacionin europian.

“Ligj tjetër, një ligj për prokurimin publik. I përfaruar në masë të madhe me KE, po përpiqemi të përafrojmë plotësisht. Jemi duke përafruar, nene që i drejtohen vetëm vendeve anëtare. Por duhet të dakordësohemi edhe me këto nene, me një klauzolë referuese kur Shqipëria të futet në BE.”

Në negociatat me BE, drejtoresha e prokurimeve publike tha se janë vetëm 3 piketa larg mbylljes së grupkapitullit 5.

Janë vendosur vetëm 3 kushte mbyllëse. Kryesisht ligjore. Përafrim legjislacioni Zbatim i duhur legjislacioni Të dhënat, histori të qëndrueshme, të drejtë e transparentë për të cilën ne kemi një historic të mirë. Ne kemi nisur punën për këto para se të hapej grupkapitulli.

Përballë opozitës e cila akuzoi për favorizim të kompanive në tendera, Kashta i tregoi direktivën e BE.

“Disa nga elementët që do të përdoren, për të matur nivelin e riskut janë, në nivel makro është, përdorimi i mënyrës së vlerësimit, pra do jetë ccmimi më i ulët, apo oferta ekonomike më e favorshme? BE thotë oferta ekonomike më e favorshme. Ajo që kërkon BE është të përdorim këtë, ku ccmimi ka zë por nuk është i vetmi. Ka zë, por duhet të ketë cilësi. “

Sa i përket tenderave me një operator në garë, Kashta e konsideroi si një problem në gjithë vendet e tjera, por që po bëhen përpjekje të zgjidhen pasi nuk varen nga transparenca apo konkurrueshmëria.

“Është problem në shumë vende. Hapet procedura, njoftimi është publik, kushdo ka të drejtë të aplikojë, janë prokurime shumë konkurruese, dhe sërish përfundon me një operator ekonomik. Po përpiqemi ta zgjidhim këtë. Mestarja e operatorë ekonomikë për vitin 2025 ishte 3.7. Mund të them 5.9 në punët publike dhe 2.2 në mallrat”

Ndërsa zbuloi edhe se ccfarë roli mund të ketë ministrja e inteligjences artificiale, Diella në prokurimet publike. Me një sistem të ri.

“Prokurimet zhvillohen nga autoritetet kontraktore. Jemi duke punuar për të hartuar një sistem të ri prokurimi. Duhet të përmirësohet, ka momente që mund të aplikohet me AI. Në market research, në hartim të specifikimeve teknike, menaxhim konktratash. Sistemi do jetë funksional, atëherë autoritetet kontraktore përsëri do kenë mundësinë, por në fund i ngelet individit. Sistemi do të lehtësojë procesin.”

❌