Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

“Turizmi, shtyllë kryesore e ekonomisë”, Tola: Duhet bërë analizë e hollësishme për qëndrueshmërinë e saj

Eksperti i ekonomisë, Igli Tola tha se zhvillimi i turizmit në Shqipëri mbetet kryesisht sezonal dhe shumë i ndjeshëm ndaj faktorëve të jashtëm, përfshirë edhe zhvillimet ndërkombëtare.

Sipas tij, pavarësisht përgatitjeve nga operatorët vendas, situatat e papritura globale mund të ndikojnë ndjeshëm në planifikimin dhe parashikimet e sektorit turistik.

Tola u shpreh se turizmi nuk mund të vlerësohet vetëm nga numri i vizitorëve, pasi një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave del sërish nga ekonomia vendase për shkak të varësisë nga importet për produktet bazë.

“Zhvillimi i turizmit është sezonal dhe është shumë i ndjeshëm, sepse është një situatë e ndërlikuar. Pavarësisht përgatitjes nga operatorët vendas, një situatë e caktuar ndërkombëtare mund ta nxjerrë jashtë planit dhe të bëjë që të dalin jashtë parashikimeve.

Sezoni rreth 40–60 ditë bën që flukset të jenë të përqendruara në një periudhë të caktuar. Po të shohim mënyrën e zhvillimit të turizmit, duhet të kuptojmë që turistët nuk vijnë vetëm për këtë.

Shumica e parave, siç futen dhe dalin, për produktet më bazike ne i drejtohemi tregut të huaj duke mos pasur prodhim vendas, dhe shumë flukse siç vijnë edhe shkojnë jashtë.

Nga kalkulimi total, ajo që ngelet është një pjesë shumë e vogël nga ai total që ne mendojmë se do arkëtojmë.

Gjykimi për turizmin është shumë specifik, duhet bërë një analizë shumë e hollësishme për ta pasur të qëndrueshëm. Problematika është mbivendosja e turizmit me sektorë të tjerë.”

“Ndërtimi dhe turizmi, sektorët me rëndësi në ekonomi”, Sefa: Duhet të shkojmë drejt turizmit cilësor

Eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa tha se ekonomia shqiptare po përballet me probleme strukturore, pavarësisht rritjes momentale të të ardhurave buxhetore.

Ai theksoi se eksportet janë në rënie, ndërsa eksportet e produkteve afatmesme dhe afatgjata që kanë ndikim më të qëndrueshëm në ekonomi po rriten me ritëm të ulët.

Sektorët që kanë ndikuar më fort në rritjen ekonomike, sipas Sefës, janë ndërtimi dhe turizmi. Megjithatë, ai paralajmëroi se nëse këta sektorë nuk kalojnë në një nivel më cilësor zhvillimi, ekonomia rrezikon të përballet me stagnacion.

“Kemi probleme strukturore në ekonomi, por kemi rritje të të ardhurave momentale. Të ardhurat që ka shteti nga taksat janë më të larta nga rritja e çmimeve.

Eksportet janë në rënie, por eksporti i produkteve afatmesme dhe afatgjata që japin impakt është në rritje të ulët.

Sektorët që kanë ndikuar fort në ekonomi janë ndërtimi dhe turizmi. Por janë sektorë që nëse nuk kalojnë në nivel cilësor, atëherë do kemi stagnacion edhe në këto sektorë. Duhet të shkojmë drejt turizmit cilësor.

Lajmi i mirë është se, me këto të ardhura shtesë, çfarë do të bëjë qeveria? A do të kemi rikthim te grupet sociale, investim në ato sektorë që promovojnë inovacionin, apo do të kemi një rishpërndarje në konsum të përgjithshëm?”  / abcnews.al /

“Nëse do shisnim Shqipërinë, Sazani do ishte i privatizuar”/ Rama: Nuk e bëmë! Vendi është përdhunuar…

Në fjalën e mbajtur gjatë aktivitetit për 35-vjetorin e Partia Socialiste e Shqipërisë në Vlorë, Rama tha se vendi nuk mund të ecë përpara duke u udhëhequr nga “deliret dhe sharlatanizmi”.

Kryeministri kundërshtoi sloganin “Shqipëria e shqiptarëve”, duke theksuar se vendi ka nevojë për respekt.

Sipas tij, sektori i turizmit përballet me mungesë të fuqisë punëtore, ndërsa pagat në hotelet dhe restorantet e bregdetit shqiptar janë të krahasueshme, madje në disa raste më të larta se ato në Greqi.

“ Nuk kanë bërë prokopi kurrë në asnjë rast popujt që janë udhëhequr nga delire dhe sharlatanizma.

Shqipëria ishte e shqiptarëve kur u bë bunker, kur mori detet dhe malet i reckosur. Shqiptarët për Shqipërinë, jo Shqipëria e shqiptarëve. Shqipëria e shqiptarëve është si të thuash “shtëpia ime është vetëm e imja”. Nuk është kjo ajo që ka nevojë Shqipëria.

Shqipëria ka nevojë për respekt dhe për zërin e hoxhës, të priftit, për ngjyrën e kujtdo që Zoti ka vendosur ta sjellë në Vlorë. Kjo është Shqipëria.

Po kur thonë se do na vijnë indianët, malajzezët, do na marrin punën në hotele dhe restorante, a thua se këta që i thonë këto mbeten në dyert e hoteleve dhe restoranteve të kërkojnë punë.

Këto broçkulla ua thonë dhe atyre që janë turrur në Shqipëri të përcjellin gjithfarë lajmesh. Jo se një pjesë janë armiq apo konkurrentë, por një pjesë ka një hall tjetër, se nuk e kanë me Vlorën dhe flamingot, por e kanë me babanë dhe vjehrrin e atyre që duan të bëjnë investime në Shqipëri.

Luftën që kanë atje e ushqejmë ne me këta sharlatanët tanë që lidhin një flamur, shajnë me libër shtëpie dhe thonë “Shqipëria është e shqiptarëve”. Thonë se këto resorte do të sjellin të huaj sepse duan t’i paguajnë për një copë bukë, ndërkohë që në hotelet e Vlorës dhe restorantet pagat janë njësoj apo pak më të larta se në Greqi.

Në bregdetin tonë, nga Dhërmiu deri në Ksamil, pagat janë njësoj ose pak më të larta se në Greqi.

Ndërkohë që ata flasin për pronat, se po shitet Shqipëria. Shqipëria është përdhunuar shumë kohë para se ju të më jepnit besimin të drejtoja. Është përdhunuar nga honxhobonxhot kur titujt e pronësisë i morën nga kutitë ku ruheshin. Shqiptarët e viteve 1991-1992 i morën dhe i bënë fije-fije letrat e pronës. E bënë aq të madh çorapin sa sot paguhen pasojat.

Ne nuk mund të themi se e ç’kollopsëm tërë atë çorap, por themi se kemi bërë shumë për të vënë rregull dhe të zeza si ato të zeza që dalin mbi ujë për pronat ne s’kemi bërë kurrë.

Po të ishim ne ata që shisnim Shqipërinë, do të ishte privatizuar Sazani.

Sazanin kanë dashur edhe të tjerë ta bëjnë destinacion turistik, por ne s’po bëjmë atë që bënë të tjerët, që e ofruan Sazanin për ta privatizuar.

Pavarësisht se ata që na erdhën janë shumë herë më të fuqishëm, u kemi thënë se Sazani është tokë dhe pronë e popullit shqiptar dhe se në Sazan janë të mirëpritur të investojnë.”

OBSH: Ushqimi i pasigurt shkakton 866 milionë sëmundje dhe 1.5 milionë vdekje çdo vit

Ushqimi i pasigurt vazhdon të jetë një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin publik në botë.

Sipas vlerësimeve të reja të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), çdo vit regjistrohen rreth 866 milionë raste sëmundjesh dhe 1.5 milionë vdekje të lidhura me konsumimin e ushqimit të kontaminuar.

Fëmijët nën 5 vjeç, grupi më i rrezikuar

Sipas raportit, fëmijët nën moshën pesë vjeç kanë pothuajse tre herë më shumë gjasa të sëmuren nga ushqimi i pasigurt krahasuar me të rriturit dhe fëmijët më të mëdhenj.

Edhe pse përbëjnë vetëm rreth 9% të popullsisë globale, ata përbëjnë gati një të tretën e të gjitha rasteve të sëmundjeve që transmetohen nga ushqimi. Më të shpeshtat janë sëmundjet diarreike, të cilat mund të jenë fatale në këtë grupmoshë të brishtë.

Përveç infeksioneve, rreziku vjen edhe nga ekspozimi ndaj substancave kimike si merkuri dhe plumbi, të cilat mund të dëmtojnë zhvillimin e trurit dhe të shkaktojnë probleme afatgjata neurologjike dhe zhvillimore.

Shkaqet dhe ndikimi global

OBSH vlerëson se shumica e sëmundjeve vijnë nga baktere, viruse dhe parazitë të transmetuar përmes ushqimit (rreth 860 milionë raste në vitin 2021). Ndërkohë, ndotjet kimike janë përgjegjëse për një pjesë disproporcionale të vdekjeve.

Në vitin 2021, rreth 73% e vdekjeve nga ushqimi i kontaminuar lidhen me substanca kimike. Ndër to, arseniku inorganik dhe plumbi përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve fatale, pasi rrisin rrezikun për sëmundje të zemrës dhe kancer.

Pabarazitë globale

Raporti thekson se barra më e madhe e sëmundjeve nga ushqimi i pasigurt bie mbi Afrikën dhe Azinë Juglindore, të cilat së bashku përbëjnë rreth 75% të rasteve globale dhe 60% të vdekjeve.

Fëmijët dhe komunitetet me të ardhura të ulëta janë më të prekurit, për shkak të kushteve më të dobëta të higjienës, ujit të pastër dhe sistemit shëndetësor.

Kostoja ekonomike dhe thirrja e OBSH-së

Përveç ndikimit në shëndet, ushqimi i pasigurt ka edhe pasoja të mëdha ekonomike. Në vitin 2021, humbjet nga produktiviteti arritën rreth 310 miliardë dollarë, ndërsa duke marrë parasysh ndryshimet në koston e jetesës në vende të ndryshme, kjo shifër shkon deri në 647 miliardë dollarë.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, theksoi se siguria ushqimore prek çdo familje dhe çdo vakt ushqimor.

Ai tha se vendet tani kanë të dhëna më të sakta për të kuptuar se ku është barra më e madhe dhe për të ndërmarrë masa konkrete për mbrojtjen e shëndetit publik.

Ekspertët theksojnë se përmirësimi i ujit të pijshëm, higjienës, praktikave të përpunimit të ushqimit dhe aksesit në kujdes shëndetësor janë thelbësore për uljen e rrezikut.

Raporti i ri i OBSH-së analizon 42 rreziqe kryesore të transmetuara nga ushqimi në 194 vende gjatë periudhës 2000-2021. Ai paralajmëron se ndryshimet klimatike, globalizimi dhe rezistenca ndaj antibiotikëve po e përkeqësojnë më tej situatën.

Ekspertët kërkojnë një qasje të integruar “One Health”, që lidh shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit, për të parandaluar ndotjen në burim dhe për të ulur ndikimin e këtij problemi global.

“Zvërneci, pronë private, nuk kam takuar asnjë pronar”/ Rama nga Vlora: Investitorët janë pronarë, fondi u bllokua…

Kryeministri Rama nga Vlora, tha se nuk ka pasur asnjë kontakt me pronarët e përfolur në lidhje me projektet e investimit në zonën e Sazanit dhe Zvërnecit, duke theksuar se marrëveshjet mes investitorëve dhe pronarëve janë çështje private.

Rama sqaroi se procedurat për miratimin e projekteve kërkojnë verifikimin e dokumentacionit të pronësisë nga institucionet përgjegjëse, ndërsa statusi i marrëveshjeve mes investitorëve dhe pronarëve pasqyrohet në dokumentacionin hipotekor.

Sipas tij, fondet e paguara nga investitorët janë bllokuar për shkak të një hetimi në zhvillim ndaj një individi apo subjekti të caktuar, megjithëse transaksioni i shitblerjes ka ndodhur.

“ Nuk e kam takuar kurrë asnjë nga pronarët që përfliten. Nuk kam idenë për çfarë marrëveshjeje kanë bërë investitorët me pronarët, është çështje private.

Nëse ktheheni në kohë, kur ka dalë shprehja e interesit nga familja Trump për Shqipërinë dhe kur është folur për Sazanin dhe Zvërnecin, e kam thënë që në atë kohë që Sazani është çështje e qeverisë shqiptare, ndërsa pjesa përballë Sazanit është çështje e pronarëve privatë.

Shqipëria shitet apo nuk shitet, këtë e vendosin pronarët, jo qeveritë apo protestuesit.

Kur agjencia përkatëse që merret me lejen ose masterplanet, kur shprehet interesi, kërkon hipotekën. Ke apo s’ke marrëveshjen me pronarët, në hipotekë rezulton.

Për sa kohë ajo tokë është tokë e blerë nga investitorët, është tokë e investitorëve.

Për një subjekt, nga disa që kanë bërë shitje prone, ka rezultuar se ka një hetim prej disa kohësh dhe për këtë arsye është bllokuar fondi që kanë paguar investitorët. Por transaksioni ka ndodhur, fondi është bllokuar.

Fakti që ka pasur një hetim mund të jetë pozitiv për këdo që mund ta fitojë me gjykatë pronën.

Hetimi nuk zhvillohet për kompaninë, investimin apo projektin. Hetimi është në proces për një individ, për një subjekt.”

“Rojtari i marrëveshjes së Dejtonit”/ SHBA-BE nuk dakordësohen për përfaqësuesin ndërkombëtar në Bosnje

Përfaqësuesi i ri ndërkombëtar në Bosnje Hercegovinë ka shkaktuar tension mes SHBA-ve dhe Europës.

Në një reagim të ambasadës amerikane në Sarajeve thuhet se Uashingtoni po detyrohen ta rishqyrtojnë rolin e vet në Bosnje si pasojë e pavendosmërisë evropiane dhe dështimit të Këshillit për Zbatimin e Paqes për t’i përmbushur përgjegjësitë e veta, pasi ata nuk arritën ta emëronin një përfaqësues të ri ndërkombëtar për vendin e Ballkanit të enjten.

Ambasada thotë se delegacioni amerikan u përpoq të arrinte një dakordësi rreth një kandidati shumë të kualifikuar, ambasadorin italian Antonio Zanardi Landi.

Ishte sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio që e përshkroi kandidatin italian para Kongresit si ‘një zotëri për të cilin ne mendojmë se do të bënte një punë të mire.

Ndërsa vetë Schimd, përfaqësuesi ndërkombëtar në Bosnje që e ka dorëzuar tashmë dorëheqjen, tha se konsultimet për një përfaqësues të ri ndërkombëtarë do të vazhdojnë gjatë gjithë muajit me shpresën se dorëzimi i detyrës do të bëhet deri në 30 qershor.

Ndër kandidatët më të përmendur është Antonio Zanardi, diplomat italian 76-vjeçar, i cili ka qenë ambasador i Italisë në Rusi, si dhe në Serbi dhe Mal të Zi.

Një tjetër kandidat është Rene Troccaz, aktualisht i dërguar special i Francës për Ballkanin Perëndimor, i cili gëzon mbështetjen e Francës dhe disa vendeve të tjera.

Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania dëshirojnë të ruajnë modelin e tanishëm, i cili i jep përfaqësuesit të lartë kompetenca për të imponuar ligje dhe për të shkarkuar zyrtarë në rast të bllokadave politike ose institucionale apo shkeljes së Marrëveshjes së Dejtonit.

Nga ana tjetër, administrata në Uashington mbështet zvogëlimin gradual të rolit  të përfaqësuesit dhe mbështetjen më të madhe te institucionet dhe politikanët vendas.

“Gjuha shqipe nuk negociohet”/ Studentët në Prishtinë mbështesin kolegët e Shkupit

Me flamuj të UÇK-së dhe pankarta me mbishkrime “Arsimi në shqip është e drejtë, jo privilegj”, “Gjuha shqipe nuk negociohet” dhe “Nga Prishtina në Shkup, shqipja nuk shuhet kurrë”, studentë të Universitetit të Prishtinës dhe qytetarë të tjerë kanë mbajtur protestë paqësore para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë.

Përmes kësaj proteste, ata kanë shprehur kundërshtimin ndaj mohimit të së drejtës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për t’iu nënshtruar provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Studentët thanë se janë mbledhur për të mbështetur një të drejtë që buron nga ligji dhe jo nga vullneti politik.

Javën e kaluar në Maqedoninë e Veriut janë mbajtur protesta masive të studentëve shqiptarë për mbrojtjen e gjuhës shqipe. Protestuesit kanë kërkuar të drejtën për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në të gjitha nivelet shtetërore.

Një protestë e tillë u mbajt edhe në Tiranë.

Vaksina e parë nga AI, inteligjenca artificiale gjen zgjidhjen që synon koronaviruset

Një ekip studiuesish nga Universiteti i Kembrixhit kane krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale një lloj të ri vaksine, e cila mund të ofrojë mbrojtje kundër një game të gjerë virusesh dhe potencialisht të parandalojë pandemitë e ardhshme.

Sipas shkencëtarëve, për herë të parë përbërësi kryesor i një vaksine është projektuar tërësisht nga AI dhe më pas është testuar te njerëzit. Vaksina është krijuar për të mbrojtur kundër të gjithë familjes së koronaviruseve, duke përfshirë variantet e Covid-19 dhe viruset që qarkullojnë te kafshët, por që mund të shkaktojnë epidemi te njerëzit.

Ndryshe nga vaksinat tradicionale, të cilat bazohen në një variant ekzistues të virusit, studiuesit përdorën kode gjenetike nga koronaviruse të ndryshme. Inteligjenca artificiale analizoi këto të dhëna dhe krijoi një “super-antigen” që synon të trajnojë sistemin imunitar për t’u mbrojtur edhe ndaj varianteve të reja ose viruseve që mund të kalojnë nga kafshët te njerëzit.

Edhe pse rezultatet fillestare tregojnë një reagim imunitar modest, ekspertët e konsiderojnë teknologjinë shumë premtuese. Ekipi i Kembrixhit po zhvillon gjithashtu vaksina universale kundër gripit sezonal, gripit të shpendëve H5N1 dhe etheve hemorragjike virale, përfshirë Ebolën.

Testimet e kryera te 39 persona, kishin per qellim te vleresonin nëse këto vaksina janë të sigurta. Një studim i dytë – me rreth 200 pjesëmarrës- do të japë një kuptim më të qartë se sa arrin te trajnojne vertet sistemin imuntar te njeriut.

Franca dhe Gjermania propozojnë integrim gradual të Ballkanit Perëndimor në BE

ë prag të samitit BE–Ballkani Perëndimor, Gjermania dhe Franca kanë paraqitur një të ashtuquajtur non-paper, përmes të cilit propozojnë integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë në programet dhe politikat e Bashkimit Evropian.

Qëllimi i kësaj nisme është përshpejtimi i integrimit të vendeve kandidate dhe dhënia e një shtyse të re për reforma.

Non-paper është dokument joformal që përdoret në qarqet diplomatike evropiane për paraqitjen e ideve të reja, testimin e qëndrimeve ose propozimin e zgjidhjeve, pa e detyruar palën që e paraqet atë të marrë qëndrim formal.

Dokumenti franko-gjerman, i përgatitur nga kabinetet e kancelarit gjerman, Friedrich Merz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, niset nga vlerësimi se politika e zgjerimit ka nevojë për një impuls të ri politik.

Vetë Macron dhe Merz konfirmuan se në samitin BE–Ballkani Perëndimor, që zhvillohet sot në Tivat të Malit të Zi, do të diskutohet propozimi i përbashkët franko-gjerman.

Tani do të zhvillojmë bisedime me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për këtë çështje. Kjo është qartazi një nga lidhjet tona kryesore, së bashku me perspektivën e zgjerimit, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme edhe nga këndvështrimi gjeopolitik, tha Macron gjatë mbërritjes në ambientet ku do t’i zhvillojë punimet samiti.

Propozimi i përbashkët përbën nismën e dytë të kancelarit gjerman Merz lidhur me politikën e zgjerimit, pasi në maj ai doli me propozimin për “zgjidhje kreative” për vendet e përfshira në procesin e anëtarësimit në BE.

Merz bëri të ditur se para samitit kishte zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të vendeve të rajonit. Ai shfaqi shpresën se pjesëmarrësit do të arrijnë një pajtim të përbashkët, në mënyrë që idetë e reja të mund të nisin më pas të zbatohen në Bruksel.

Jam i inkurajuar nga bisedimet që zhvilluam këtë mëngjes. Megjithatë, përpara nesh mbetet ende një rrugë e gjatë. Por ky proces është i realizueshëm. Disa vende, e veçanërisht vendi mikpritës, Mali i Zi, tashmë kanë arritur në një nivel ku mund të sigurojmë rezultate të përbashkëta shumë shpejt. Shpresoj që kjo të ndodhë.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi po e kërkojnë anëtarësimin në BE prej shumë vitesh, por ende nuk arritur t’i përmbushin kushtet e nevojshme, sipas bllokut.

Çdo shtet ndodhet në fazë të ndryshme të procesit të anëtarësimit, por Mali i Zi dhe Shqipëria janë shumë më përpara në këtë rrugëtim.

Neziri: Nëse Irani i bindet SHBA, regjimi do dështojë!/ Veliu: Një prej opsioneve, ruajtja e uraniumit në Rusi

Kolonel Sami Neziri e cilësoi si simbolike rezolutën e diskutuar në SHBA, duke vlerësuar se ajo nuk ka gjasa të hyjë në fuqi dhe lidhet kryesisht me përplasjet e brendshme politike në prag të zgjedhjeve të mesmandatit.

Sipas Nezirit, iniciativa përbën pjesë të një lufte politike të brendshme, ku po tentohet të krijohet një paralelizëm me Luftën e Vietnamit.

Koloneli vlerësoi se negociatat nuk arritën rezultatet e pritshme dhe, sipas tij, vetëm sa i krijuan mundësi Teheranit të vazhdonte programin e vet.

Neziri komentoi edhe çështjen e Ngushticës së Hormuzit, duke thënë se përdorimi i saj si instrument presioni nga Irani bie ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare detare.

“Është luftë e brendshme, duke marrë parasysh edhe zgjedhjet e mesmandatit.

Kjo rezolutë është simbolike, nuk ka ndonjë shans të hyjë në fuqi. Është luftë politike dhe duan të bëjnë një paralelizëm me luftën në Vietnam.

SHBA nuk ka humbur në njerëz dhe në Vietnam një prej problemeve ishte humbja në njerëz.

Negociatat dështuan, thjesht bënë që Irani të vazhdonte programin. Hormuzi është diçka që ka lindur më pas dhe e përdor Irani, është në kundërshtim me Konventën për Detin.

Irani do të vijojë me të njëjtën logjikë. Nëse do të arrijë një marrëveshje me kushtet e SHBA-së, regjimi i brendshëm në Iran do të jetë i dështuar.”

Eksperti i zhvillimeve ndërkombëtare, Lulzim Veliu, tha se SHBA dhe Trump nuk do të tërhiqen nga objektivat e tyre strategjikë pa arritur realizimin e aspiratave që lidhen me çështjen e uraniumit dhe kontrollin e aspekteve kyçe të programit bërthamor.

Eksperti theksoi se një nga skenarët e diskutuar më herët në qarqet diplomatike dhe të sigurisë është transferimi i uraniumit për ruajtje në Rusi.

“SHBA dhe Trump nuk do të kenë një tërheqje pa realizimin e aspiratave të tyre, uraniumin apo marrjen në tërësi të asaj pjese.

Një nga opsionet e mundshme që është folur më parë është që uraniumi të kalojë dhe të ruhet në Rusi. Kjo mund të ishte një nga mundësitë në negociatat e ardhshme që lufta të përfundojë.”

A duhet të vijojë ndërtimi i resortit turistik në Zvërnec?/ Sondazhi: Ja si përgjigjen shqiptarët

Sondazhisti Eduart Zaloshnja, i ftuar në Real Story, zbuloi përgjigjen e sondazhit sa i takon ndërtimit të resortit turistik në Zvërnec. Mbi 1900 të anketuar, janë pyetur nëse duhet të vazhdojë ndërtimi i resortit turistik në Vlorë.

55 për qind e shqiptarëve kanë pohuar se resorti turistik në Zvërnec duhet të ndërtohet. Mbi 39 për qind shprehen skeptik për ndërtimin e projektit të shumëfolur ditët e fundit, ndërsa të dyjzuarit janë në masën afro 6 për qind.

“Fushatë kundër Shqipërisë me video AI”, Albatros Rexhaj: Plagosje ekonomike, sidomos për turizmin

Analisti Albatros Rexhaj tha se debati rreth projekteve të mëdha të investimeve nuk lidhet me faktin se çfarë po ndërtohet, por me aktorët që po hyjnë në tregun shqiptar.

Sipas Rexhajt, pas investitorëve të mëdhenj vijnë edhe institucione financiare me reputacion ndërkombëtar, gjë që, sipas tij, përbën shqetësim për rivalët.

Rexhaj shtoi se ka nisur një fushatë negative kundër Shqipërisë, e cila po zhvillohet edhe përmes përdorimit të inteligjencës artificiale. Sipas tij, një situatë e tillë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta ekonomike, veçanërisht në sektorin e turizmit, i cili përbën një nga burimet kryesore të të ardhurave për vendin.

“Problemi nuk është pse po ndërtohet, por kush po vjen. Pas tyre vijnë institucione financiare me emër. Ky është problemi që kanë rivalët në Shqipëri.

Kundër Shqipërisë ka nisur një fushatë me AI, që nëse je një turist që mendon të vizitosh Shqipërinë dhe sheh një video protestash, thua ta anuloj biletën e të shkoj në Mal të Zi.

Kjo është plagosje ekonomike. Nëse vjet ka marrë 5 miliardë euro të ardhura, mund të mos i marrim këto këtë vit. E fusin Shqipërinë në algoritmin negativ.”

A rrezikohet ekosistemi nga projekti?/ Delina Ibrahimaj: Laguna nuk do preket! Do bëhen studime ambientale

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e ftuar në Real Story tha se çdo zhvillim i mundshëm në zonën e projektit do të respektojë ekosistemin ekzistues dhe nuk do të cenojë lagunën.

Sipas Brahimajt, pelikanët jetojnë në lagunë dhe kjo zonë nuk do preket, duke garantuar se ekosistemet nuk do të ndryshojnë.

“ Pelikani jeton në lagunë. Ne kemi vendosur që të mos preket laguna dhe nuk do të ndryshojnë ekosistemet.

Nuk mund të them sot çfarë supozohet, sepse ne nuk kemi një projekt. Do të bëhen studime ambientale për të parë si të mos dëmtohet ekosistemi.”  / abcnews.al /

A ka projekt për Zvërnecin?/ Albatros Rexhaj: Investimet të tilla, njësoj si të kesh bazë ushtarake amerikane

Analisti Albatros Rexhaj tha se Shqipëria, si vend kandidat për anëtarësim në BE, operon brenda një prej kuadrove më të rrepta rregullatore për mbrojtjen e natyrës.

Sipas tij, debati publik duhet të fokusohet te interesi strategjik i Shqipërisë dhe jo vetëm te emrat e investitorëve të veçantë.

Analisti theksoi se të kesh investime të tilla është si të kesh një bazë ushtarake amerikane.

“Shqipëria është në Evropë, vend kandidat në BE. Nuk di a ka vend në planet rregullative më të komplikuara se BE-ja për mbrojtjen e natyrës.

Mua më shqetëson fakti që njerëzit refuzojnë të shohin “the bigger picture”, ku është interesi politik i Shqipërisë. Njerëzit thonë se është familja Trump. Po flasim për investitorë amerikanë; administratat mund të ndryshojnë, por ndikimi i tyre ngel.

Dhe në forume serioze thuhet se të kesh investime të tilla është si të kesh një bazë ushtarake amerikane. Sot nuk po flitet që SHBA-të të projektojnë baza me raketa, por me baza ekonomike.

Nëse shikojmë në gjenezë, kur flitet për investime amerikane, flasim për kompani që janë të lidhura me Partinë Republikane; pak janë me Partinë Demokratike.”

Elvis Rroshi kthehet në SPAK/ GJKKO kthen dosjen: Prokurori të shpjegojë ndryshimin e akuzës

Dosja në ngarkim të ish kryebashkiakut të Kavajës Elvis Rroshi është rikthyer sërish në SPAK nga Gjykata e Posaccme, me kërkesën që prokurori Elvin Gokaj të qartësojë akuzën që ka ngritur ndaj tij.

Vendimi u dha këtë të enjte nga gjyqtare Rudina Palloj, e cila i la afat kohorë 2 javë organit të akuzës të shpjegojë pse e ndryshoi veprën penale të Rroshit nga “shkelje e barazisë në tendera” në “shpërdorim detyre”.

Prokuroria e Posaccme më herët kërkoi pushimin e 6 episodeve të shpërdorimit të detyrës për ish-kryebashkiakun për shkak të parashkrimit të veprës penale. Megjithatë Rroshi nuk do t’i shpëtojë ndjekjes penale, pasi ai akuzohet se ka shpërdorur detyrën edhe në 5 episode të tjera.

Bëhet fjale për një dosje të vjetër pas një auditi te KLSH që u krye në periudhën janar 2013-dhjetor 2014, lidhur me abuzimet me tenderat në Bashkinë Kavajë, ccështje e cila kishte shkuar për pushim në gjykatën e Durrësit, por kjo e fundit shpalli moskompetencë duke ia deleguar materialet GJKKO.

Botërori 2026/ Qyteti Meksiko paralizohet nga protesta, 1 javë para ndeshjes hapëse

Shpërthen sërish kaosi në Qytetin e Meksikos, pikërisht një javë nga fillimi i kampionatit botëror të futbollit.

Në vend kanë nisur protestat e mësuesve dhe gjykatësve në pension të cilët mbyllën rrugët dhe kantieret ndërkohë që një ditë më parë shkaktuan edhe shqetësime te miliona rezidentë të cilët patën vonesa të shumta, ndërkohë që pati devijime të trafikut të përditshëm.

Pikërisht në kryeqytetin meksikan, në 11 qershor do të luhet ndeshja hapëse e Kupës së Botës mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut. Duke shfrytëzuar vëmendjen që ka marrë ky kompeticion, sindikatat e mësuesve dhe sektorëve të tjerë organizuan marshime dhe bllokuan rrugët kryesore të qarkullimit.

Manifestuesit bënë të ditur se veprimet e tyre që nuk kanë të bëjnë me turnein mund të intensifikohen nëse presidentja Claudia Sheinbaum nuk do të marrë në konsideratë kërkesat e tyre. Në mënyrë të veçantë, sindikata e mësuesve i kërkon ekzekutivit të mbajë premtimin elektoral për shfuqizimin e një ligji të 2007 që reformoi sistemin e pensioneve për nëpunësit e sektorit publik si dhe për rritjen e pagave. Në rast të kundërt nuk përjashtohen mundësitë e manifestimeve të tjera edhe me rastin e ndeshjes hapëse të Botërorit.

Siguria në samitin e Tivatit/ Shala: BIA serbe paralajmëroi Vuçiçin të mos udhëtonte drejt Malit të Zi

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, vlerëson se incidenti i raportuar në prag të samitit në Tivat ngre disa elemente të rëndësishme që duhen analizuar në aspektin e sigurisë dhe të marrëdhënieve rajonale.

Shala bëri të ditur se në samitin që do të zhvillohet në Tivat do të angazhohen rreth 2 mijë efektivë dhe pjesëtarë të strukturave të sigurisë, të cilët do të jenë përgjegjës për garantimin e rendit dhe mbrojtjen e delegacioneve pjesëmarrëse.

Shala tha se Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë e Serbisë (BIA) kishte paralajmëruar presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, që të mos udhëtonte drejt Tivatit.

“BIA serbe në deklaratën e saj saktësoi disa elemente. Elementi i parë duke cilësuar Malin e Zi si një vend që kryen veprime armiqësore ndaj Serbisë. Së dyti, janë veprime që i kanë nxitur personat të shkojnë dhe lidhet me klane kriminale. Dhe e treta ka të bëjë me mosdhënien e raporteve të sigurisë në Tivat.

BIA serbe kishte lajmëruar Vuçiç që të mos shkonte në Tivat. Është një operacion i BIA-s që dha informacione se lëvizja e presidentit drejt samitit do të ishte rrezik për të dhe inskenoi një rast të tillë.

Ballafaqimi i Vuçiç me përfaqësues të BE-së, avancimi i Serbisë ndërlidhet me çështjen me Kosovën dhe fqinjët e saj, dhe këtë presion e kanë ditur ta krijojnë përmes një operacioni inteligjent që Vuçiç të mos shkonte.

Do të jenë 2000 efektivë në samitin e Tivatit nesër, të strukturave udhëheqëse të Malit të Zi dhe delegacioneve të tjera. Do të jenë rreth 2000 pjesëtarë që do të garantojnë sigurinë.

Ky incident jep një alarm për strukturat përgjegjëse të Malit të Zi.”

❌