Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

“Ndërtimi dhe turizmi, sektorët me rëndësi në ekonomi”, Sefa: Duhet të shkojmë drejt turizmit cilësor

Eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa tha se ekonomia shqiptare po përballet me probleme strukturore, pavarësisht rritjes momentale të të ardhurave buxhetore.

Ai theksoi se eksportet janë në rënie, ndërsa eksportet e produkteve afatmesme dhe afatgjata që kanë ndikim më të qëndrueshëm në ekonomi po rriten me ritëm të ulët.

Sektorët që kanë ndikuar më fort në rritjen ekonomike, sipas Sefës, janë ndërtimi dhe turizmi. Megjithatë, ai paralajmëroi se nëse këta sektorë nuk kalojnë në një nivel më cilësor zhvillimi, ekonomia rrezikon të përballet me stagnacion.

“Kemi probleme strukturore në ekonomi, por kemi rritje të të ardhurave momentale. Të ardhurat që ka shteti nga taksat janë më të larta nga rritja e çmimeve.

Eksportet janë në rënie, por eksporti i produkteve afatmesme dhe afatgjata që japin impakt është në rritje të ulët.

Sektorët që kanë ndikuar fort në ekonomi janë ndërtimi dhe turizmi. Por janë sektorë që nëse nuk kalojnë në nivel cilësor, atëherë do kemi stagnacion edhe në këto sektorë. Duhet të shkojmë drejt turizmit cilësor.

Lajmi i mirë është se, me këto të ardhura shtesë, çfarë do të bëjë qeveria? A do të kemi rikthim te grupet sociale, investim në ato sektorë që promovojnë inovacionin, apo do të kemi një rishpërndarje në konsum të përgjithshëm?”  / abcnews.al /

“Më tregojnë mua këto honxhobonxho investimet strategjike”, Rama: Në 2030, jemi në Bashkimin Europian!

Në fjalimin e mbajtur në 35-vjetorin e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria synon të mbyllë negociatat me Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2027 dhe të bëhet anëtare e BE-së brenda vitit 2030.

Rama theksoi rolin e shtetit në investimet strategjike, duke thënë se në zhvillimet e mëdha shteti shqiptar do jetë ortak.

Ai u ndal edhe te kritikat për “investimet strategjike”, duke deklaruar se në disa zona si Vlora, këto investime nuk ekzistonin më parë dhe se procesi aktual në Zvërnec synon zhvillim ekonomik më të madh.

Sa i përket të ashtuquajturës “Paketa e Maleve”, Rama shpjegoi se ajo u jep mundësi trashëgimtarëve të tokave të zhvillojnë prona për agroturizëm, ferma dhe agropërpunim, përmes një procedure verifikimi dhe transparence në nivel bashkie.

“Shteti shqiptar në atë zhvillim do jetë ortak dhe nëse unë do isha tradhtari që do shisja Shqipërinë, nuk do kisha pse ti vendosja gjithë përfaqësuesit e shtetit që të bënin gjithë këto kohë negociata për ata të fuqishmit për se si do ndahet puna: sa do investoni ju, dhe sa % do merrnin shqiptarët, Shqipërinë 1 euro nuk e shpika unë, aty është akoma ligji.

Më tregojnë mua këto honxhobonxho investime strategjike dhe më thonë se po prishet Shqipëria nga investimet strategjike, Vlora nuk kishte investime strategjike kur erdhëm ne në pushtet.

Të Zvërneci ata nuk e kanë kërkuar statusin e investitorit strategjik, mund ta kërkojnë më vonë, por nuk e kanë kërkuar. Tjetra thonë se paketa e maleve duhet të anulohet: Po pse?  Ata që kanë trashëguara tokat, janë trashëgimtarë të tokave në veri, trashëgimtarë të tokave në jug.

Paketa e Maleve u thotë hajdeni te toka, që është e gjyshit, që s’keni letra, sillni planin e investimit, shkoni në këshillin bashkiak, afishoni  emrin për një muaj, po erdhën të tjerë të kërkojnë pronën që ju po kërkoni, ju nuk e merrni dot investimin, Po s’pati kontestime, prona është e  juaj, investoni, bëni agroturizëm, ferma, agropërpunim.

Ne në fund të 2027 do mbyllim negociata me BE. Në brenda 2030 duhet të hyjmë në BE, Ne kemi bërë sa kemi mundur për Vlorën dhe Shqipërinë me ato që kemi mundu, tani është koha që këtu të vijë para shumë më e madhe që të kemi ca të shpërndajmë më shumë.

Jo nuk i duam të huajt ne, por me çfarë do t’i shtoni ju investimet? Apo duke i fryrë njëri tjetrit. Ata që kanë merakun e mjedisit, dhe që janë akoma të mjegullt, ata unë i respektoj, por deri në njëfarë kohe.”, tha ai./abcnews.al

Operacion në doganën e Durrësit, bllokohen 50 mijë euro të padeklaruara

Një operacion i përbashkët i Administratës Doganore dhe Policisë Kufitare në Portin e Durrësit ka çuar në bllokimin e rreth 50 mijë eurove të padeklaruara, të gjetura gjatë kontrolleve në hyrje të vijës së dytë të mjeteve të rënda.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë verifikimeve të ushtruara në një mjet tip bizarkë, autoritetet konstatuan një çantë me para cash në prerje të ndryshme, të cilat nuk ishin deklaruar në përputhje me detyrimet ligjore në fuqi.

Pas evidentimit të rastit, shuma monetare, drejtuesi i mjetit dhe vetë mjeti u bllokuan, ndërsa materialet procedurale iu referuan strukturave hetimore pranë Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës për veprime të mëtejshme.

Autoritetet doganore bëjnë me dije se kontrollet do të vijojnë me intensitet, në kuadër të forcimit të masave kundër shkeljeve doganore dhe financiare, si dhe për garantimin e zbatimit të legjislacionit në pikat kufitare.

Administrata Doganore theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional mbetet një element kyç në luftën kundër aktiviteteve të paligjshme dhe në rritjen e sigurisë në kufijtë e vendit.

“Nëse do shisnim Shqipërinë, Sazani do ishte i privatizuar”/ Rama: Nuk e bëmë! Vendi është përdhunuar…

Në fjalën e mbajtur gjatë aktivitetit për 35-vjetorin e Partia Socialiste e Shqipërisë në Vlorë, Rama tha se vendi nuk mund të ecë përpara duke u udhëhequr nga “deliret dhe sharlatanizmi”.

Kryeministri kundërshtoi sloganin “Shqipëria e shqiptarëve”, duke theksuar se vendi ka nevojë për respekt.

Sipas tij, sektori i turizmit përballet me mungesë të fuqisë punëtore, ndërsa pagat në hotelet dhe restorantet e bregdetit shqiptar janë të krahasueshme, madje në disa raste më të larta se ato në Greqi.

“ Nuk kanë bërë prokopi kurrë në asnjë rast popujt që janë udhëhequr nga delire dhe sharlatanizma.

Shqipëria ishte e shqiptarëve kur u bë bunker, kur mori detet dhe malet i reckosur. Shqiptarët për Shqipërinë, jo Shqipëria e shqiptarëve. Shqipëria e shqiptarëve është si të thuash “shtëpia ime është vetëm e imja”. Nuk është kjo ajo që ka nevojë Shqipëria.

Shqipëria ka nevojë për respekt dhe për zërin e hoxhës, të priftit, për ngjyrën e kujtdo që Zoti ka vendosur ta sjellë në Vlorë. Kjo është Shqipëria.

Po kur thonë se do na vijnë indianët, malajzezët, do na marrin punën në hotele dhe restorante, a thua se këta që i thonë këto mbeten në dyert e hoteleve dhe restoranteve të kërkojnë punë.

Këto broçkulla ua thonë dhe atyre që janë turrur në Shqipëri të përcjellin gjithfarë lajmesh. Jo se një pjesë janë armiq apo konkurrentë, por një pjesë ka një hall tjetër, se nuk e kanë me Vlorën dhe flamingot, por e kanë me babanë dhe vjehrrin e atyre që duan të bëjnë investime në Shqipëri.

Luftën që kanë atje e ushqejmë ne me këta sharlatanët tanë që lidhin një flamur, shajnë me libër shtëpie dhe thonë “Shqipëria është e shqiptarëve”. Thonë se këto resorte do të sjellin të huaj sepse duan t’i paguajnë për një copë bukë, ndërkohë që në hotelet e Vlorës dhe restorantet pagat janë njësoj apo pak më të larta se në Greqi.

Në bregdetin tonë, nga Dhërmiu deri në Ksamil, pagat janë njësoj ose pak më të larta se në Greqi.

Ndërkohë që ata flasin për pronat, se po shitet Shqipëria. Shqipëria është përdhunuar shumë kohë para se ju të më jepnit besimin të drejtoja. Është përdhunuar nga honxhobonxhot kur titujt e pronësisë i morën nga kutitë ku ruheshin. Shqiptarët e viteve 1991-1992 i morën dhe i bënë fije-fije letrat e pronës. E bënë aq të madh çorapin sa sot paguhen pasojat.

Ne nuk mund të themi se e ç’kollopsëm tërë atë çorap, por themi se kemi bërë shumë për të vënë rregull dhe të zeza si ato të zeza që dalin mbi ujë për pronat ne s’kemi bërë kurrë.

Po të ishim ne ata që shisnim Shqipërinë, do të ishte privatizuar Sazani.

Sazanin kanë dashur edhe të tjerë ta bëjnë destinacion turistik, por ne s’po bëjmë atë që bënë të tjerët, që e ofruan Sazanin për ta privatizuar.

Pavarësisht se ata që na erdhën janë shumë herë më të fuqishëm, u kemi thënë se Sazani është tokë dhe pronë e popullit shqiptar dhe se në Sazan janë të mirëpritur të investojnë.”

Vlorë, 35-vjetori i PS/ “Turizmi elitar rrit nivelin e të ardhurave”, Rama: Investimi është bekim jo vetëm i Vlorës, por i gjithë Shqipërisë

Partia Socialiste feston 35 vjetorin e themelimit. Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një takimin e me socialistët në Vlorë. Rama foli për investimin në Zvërnec duke thënë se investimi 4 mld euro është më i madhi në Shqipëri.

“Ishte hera e parë që shkoja në atë vend, njerëz të familjes time të afërm shokë miq, kanë shkuar më kanë ftuar. Refuzoja të shkoja sepse nuk doja të përjetoja atë që kam përjetuar dje e sot. Tivat është një vend i bukur, por si Tivati Vlora ka çdo gji të saj”, tha ai.

Gjithashtu kryeministri theksoi se Shqipëria ka ende shumë e më shumë për të ecur përpara.

Turqia ia doli të bëjë ndryshimin e madh kur filloi të fusë resorte luksoze, hotelet me pesë yje, marina e jahte. Natyrisht njerëzit e thjeshtë, nuk mund të hyjë në një hajt, por është jahti që hyn në ekonominë e qytetit dhe të vendit. Ai investim duke u realizuar do të bëhet bekim jo vetëm i Vlorës, por i të gjithë Shqipërisë”, tha Rama.

/abcnews.al/

OBSH: Ushqimi i pasigurt shkakton 866 milionë sëmundje dhe 1.5 milionë vdekje çdo vit

Ushqimi i pasigurt vazhdon të jetë një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin publik në botë.

Sipas vlerësimeve të reja të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), çdo vit regjistrohen rreth 866 milionë raste sëmundjesh dhe 1.5 milionë vdekje të lidhura me konsumimin e ushqimit të kontaminuar.

Fëmijët nën 5 vjeç, grupi më i rrezikuar

Sipas raportit, fëmijët nën moshën pesë vjeç kanë pothuajse tre herë më shumë gjasa të sëmuren nga ushqimi i pasigurt krahasuar me të rriturit dhe fëmijët më të mëdhenj.

Edhe pse përbëjnë vetëm rreth 9% të popullsisë globale, ata përbëjnë gati një të tretën e të gjitha rasteve të sëmundjeve që transmetohen nga ushqimi. Më të shpeshtat janë sëmundjet diarreike, të cilat mund të jenë fatale në këtë grupmoshë të brishtë.

Përveç infeksioneve, rreziku vjen edhe nga ekspozimi ndaj substancave kimike si merkuri dhe plumbi, të cilat mund të dëmtojnë zhvillimin e trurit dhe të shkaktojnë probleme afatgjata neurologjike dhe zhvillimore.

Shkaqet dhe ndikimi global

OBSH vlerëson se shumica e sëmundjeve vijnë nga baktere, viruse dhe parazitë të transmetuar përmes ushqimit (rreth 860 milionë raste në vitin 2021). Ndërkohë, ndotjet kimike janë përgjegjëse për një pjesë disproporcionale të vdekjeve.

Në vitin 2021, rreth 73% e vdekjeve nga ushqimi i kontaminuar lidhen me substanca kimike. Ndër to, arseniku inorganik dhe plumbi përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve fatale, pasi rrisin rrezikun për sëmundje të zemrës dhe kancer.

Pabarazitë globale

Raporti thekson se barra më e madhe e sëmundjeve nga ushqimi i pasigurt bie mbi Afrikën dhe Azinë Juglindore, të cilat së bashku përbëjnë rreth 75% të rasteve globale dhe 60% të vdekjeve.

Fëmijët dhe komunitetet me të ardhura të ulëta janë më të prekurit, për shkak të kushteve më të dobëta të higjienës, ujit të pastër dhe sistemit shëndetësor.

Kostoja ekonomike dhe thirrja e OBSH-së

Përveç ndikimit në shëndet, ushqimi i pasigurt ka edhe pasoja të mëdha ekonomike. Në vitin 2021, humbjet nga produktiviteti arritën rreth 310 miliardë dollarë, ndërsa duke marrë parasysh ndryshimet në koston e jetesës në vende të ndryshme, kjo shifër shkon deri në 647 miliardë dollarë.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, theksoi se siguria ushqimore prek çdo familje dhe çdo vakt ushqimor.

Ai tha se vendet tani kanë të dhëna më të sakta për të kuptuar se ku është barra më e madhe dhe për të ndërmarrë masa konkrete për mbrojtjen e shëndetit publik.

Ekspertët theksojnë se përmirësimi i ujit të pijshëm, higjienës, praktikave të përpunimit të ushqimit dhe aksesit në kujdes shëndetësor janë thelbësore për uljen e rrezikut.

Raporti i ri i OBSH-së analizon 42 rreziqe kryesore të transmetuara nga ushqimi në 194 vende gjatë periudhës 2000-2021. Ai paralajmëron se ndryshimet klimatike, globalizimi dhe rezistenca ndaj antibiotikëve po e përkeqësojnë më tej situatën.

Ekspertët kërkojnë një qasje të integruar “One Health”, që lidh shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit, për të parandaluar ndotjen në burim dhe për të ulur ndikimin e këtij problemi global.

“Tërheqja zvarrë, ngjarje e neveritshme”, Rama në Vlorë: Projekti në Zvërnec do të bëhet

VLORË– Kryeministri Edi Rama u shpreh i bindur se investimi në Zvërnec do të sjellë transformim të madh ekonomik dhe turistik për qytetin. Sipas tij, projekti pritet të ketë efekt zinxhir në ekonomi, duke nxitur investime të reja në pasuri të paluajtshme, turizëm dhe shërbime të tjera.

Ai u shpreh i vendosur se projekti në Zvërnec do të vijojë.

“Patjetër që ajo që ndodhi me atë që u tërhoq zvarrë, është një gjë e neveritshme patjetër dhe nuk bën vaki, që nëse qeveria, se këtu e ka qeveria pjesën, nëse institucionet e pushtetit ekzekutiv janë të përziera me këto gjëra të shkarkojnë menjëherë drejtorin e Policisë, se po të ishte se Policia do ishte e  vënë në funksion të kësaj gjësë, sepse këtu ka interesa që i mbulon pushteti i lartë, nuk do ndodhni këto gjëra, nuk do i hiqej licenca kompanisë etj.

Jini të bindur për një gjë: Ne do ta bëjmë këtë projekt se s’bën dhe më këtë projekt Vlora nuk është më qyteti i Shqipërisë, Vlora është një destinacion i botës. Kjo është e sigurt. Ky investim që do të bëhet në atë zonë do të sjellë shumë investime të tjera për të blerë pasuri të patundshme , shtëpi, apartamente, për të hapur biznes, për të bërë restorante etj etj. Është efekt zinxhir i jashtëzakonshëm.”, theksoi Rama./abcnews.al

“Vendimi i takon gjykatës”, Rama në Vlorë: Procesi i shtetit nuk mund të bllokohet nga çështjet e caktuara të pronësisë

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me banorët e Zvërnecit, u ndal te problematikat e pronësisë, duke theksuar se qeveria nuk ka kompetencë të ndërhyjë në vendimet që lidhen me titujt e pronësisë dhe se zgjidhja e këtyre çështjeve i takon vetëm gjykatave.

Rama deklaroi se marrëdhëniet juridike dhe ato të pronësisë bazohen mbi dokumentacionin ligjor dhe se çdo pretendim për ndryshimin e një titulli pronësie duhet të mbështetet në një vendim gjykate të formës së prerë.

Ai pranoi se problematika e pronave në Shqipëri është e trashëguar prej dekadash, duke e cilësuar situatën si një “çorbë të madhe” të krijuar sidomos pas viteve ’90.

Sipas Ramës, veprimtaria e shtetit dhe projektet e zhvillimit nuk mund të bllokohen deri në zgjidhjen e çdo konflikti pronësie. Ai theksoi se identifikimi i përgjegjësive për shkeljet e mundshme është detyrë e prokurorisë dhe gjykatave, ndërsa qeveria nuk ka të drejtë të ndërhyjë në regjistrat kadastralë.

“Marrëdhëniet juridike dhe marrëdhënien e pronësisë bazohen mbi letra. Unë nuk kam fuqi të ndryshoj atë të 2006, por këtë fuqi e ka vetëm gjykata dhe për sa kohë nuk ke një vendim gjykate të formës së prerë që gjithë ky tregimi reflektohet në një titull pronësie që e ka vulosur gjykata, për aq kohë pronari është ai tjetri që e ka me hipotekë. Shumë shqiptarë e kanë këtë hall. Është bërë çorbë shumë e madhe me pronën në 1990 sidomos dhe më pas, dhe këtë e dimë të tërë.

Tani nuk mund dot gjithsesi që të bllokohet veprimtaria e shtetit dërsi të gjendet e vërteta për çdo pronë. Fajtorin e gjen prokuroria dhe gjykata, qeveria e ka të ndaluar këtë punë. Nuk kemi mundësi ne të fshijmë prona në kadastër dhe të vëmë prona. Fuqia ime si kryeministër mbaron aty ku fillon aty ku fillon fuqia e gjykatës.”, tha ai.

 

“Investitorët me dokumentacion për pronën”/ Rama: Prona është shitur dhe e kanë pronarë të tjerë

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me banorët e Zvërnecit në Vlorë, ka folur për çështjen e pronave dhe investimeve në zonë, duke theksuar se pronat në fjalë janë në zotërim të pronarëve të rinj dhe se investitorët disponojnë dokumentacionin e nevojshëm ligjor.

Në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga banorët, Rama deklaroi se nuk ka asgjë për të negociuar mbi çështje që sipas tij janë të përcaktuara ligjërisht.

“Nuk kam çfarë të negocioj me askënd. Por për të folur po, nuk kam frikë të përballem me asnjë sa kohë jemi kështu. Këta që duan të më heqin do duan të presin shumë më tepër”, u shpreh kryeministri.

Rama theksoi se investitorët që operojnë në zonë kanë dokumentacion përkatës për pronat dhe se proceset që lidhen me pronësinë duhet të trajtohen në përputhje me ligjin dhe institucionet përgjegjëse.

Kryeministri takim me banorët e Zvërnecit/ “Dua të bëj transparencë për çështjen”, Rama: Hetim për pronësinë e tokës

Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me banorët në Zvërnec, ka komentuar çështjet që lidhen me pronat dhe proceset ligjore përkatëse.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se nuk ka rol në certifikimin e pronave, duke nënvizuar se këto procese rregullohen nga institucionet dhe ligji.

“Unë nuk jam certifikues i asnjë prone. Për ligjin, për shtetin, për marrëdhëniet, marrëdhëniet nuk mund të rrinë në ajër. Për sa kohë ka tituj pronësie, jeta vazhdon, gjykata vazhdon”, deklaroi kryeministri.

Rama theksoi rëndësinë e respektimit të procedurave ligjore dhe funksionimit të institucioneve në trajtimin e çështjeve të pronësisë, duke shtuar se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes mekanizmave që parashikon ligji.

Presidenti i Libanit kritikon Iranin: Po e përdorni vendin tim si mjet në negociatat me SHBA-në

Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, ka kritikuar ashpër Iranin, duke e akuzuar se po e përdor Libanin si një “kartë negociuese” në bisedimet me SHBA.

Në një intervistë për CNN, Aoun deklaroi se sovraniteti dhe siguria e Libanit janë përgjegjësi ekskluzive e shtetit libanez dhe nuk duhet të shërbejnë për interesa të fuqive të huaja.

Sipas raportimeve të The Times of Israel, presidenti libanez akuzoi drejtpërdrejt Iran se po e përdor Libanin si mjet presioni dhe leverage në negociatat e tij me Shtetet e Bashkuara.

Aoun dërgoi gjithashtu një mesazh të fortë ndaj Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, duke deklaruar: “Nuk është vendi juaj, është vendi ynë”.

“Zvërneci, pronë private, nuk kam takuar asnjë pronar”/ Rama nga Vlora: Investitorët janë pronarë, fondi u bllokua…

Kryeministri Rama nga Vlora, tha se nuk ka pasur asnjë kontakt me pronarët e përfolur në lidhje me projektet e investimit në zonën e Sazanit dhe Zvërnecit, duke theksuar se marrëveshjet mes investitorëve dhe pronarëve janë çështje private.

Rama sqaroi se procedurat për miratimin e projekteve kërkojnë verifikimin e dokumentacionit të pronësisë nga institucionet përgjegjëse, ndërsa statusi i marrëveshjeve mes investitorëve dhe pronarëve pasqyrohet në dokumentacionin hipotekor.

Sipas tij, fondet e paguara nga investitorët janë bllokuar për shkak të një hetimi në zhvillim ndaj një individi apo subjekti të caktuar, megjithëse transaksioni i shitblerjes ka ndodhur.

“ Nuk e kam takuar kurrë asnjë nga pronarët që përfliten. Nuk kam idenë për çfarë marrëveshjeje kanë bërë investitorët me pronarët, është çështje private.

Nëse ktheheni në kohë, kur ka dalë shprehja e interesit nga familja Trump për Shqipërinë dhe kur është folur për Sazanin dhe Zvërnecin, e kam thënë që në atë kohë që Sazani është çështje e qeverisë shqiptare, ndërsa pjesa përballë Sazanit është çështje e pronarëve privatë.

Shqipëria shitet apo nuk shitet, këtë e vendosin pronarët, jo qeveritë apo protestuesit.

Kur agjencia përkatëse që merret me lejen ose masterplanet, kur shprehet interesi, kërkon hipotekën. Ke apo s’ke marrëveshjen me pronarët, në hipotekë rezulton.

Për sa kohë ajo tokë është tokë e blerë nga investitorët, është tokë e investitorëve.

Për një subjekt, nga disa që kanë bërë shitje prone, ka rezultuar se ka një hetim prej disa kohësh dhe për këtë arsye është bllokuar fondi që kanë paguar investitorët. Por transaksioni ka ndodhur, fondi është bllokuar.

Fakti që ka pasur një hetim mund të jetë pozitiv për këdo që mund ta fitojë me gjykatë pronën.

Hetimi nuk zhvillohet për kompaninë, investimin apo projektin. Hetimi është në proces për një individ, për një subjekt.”

Pas Samitit në Tivat, Rama mbërrin në Vlorë/ Takime me banorët e Zvernecit, Nartës dhe me socialistët te “Sheshi i Flamurit”

Kryeministri i vendit, Edi Rama, pas përfundimit të takimeve në Samitin BE-Ballkan Perëndimor, që u mbajt në Tivat të Malit të Zi, ka mbërritur në qytetin e Vlorës.

Pritet që fillimisht të zhvillojë një takim në “Pallatin e Kulturës” me banorë të Zvernecit dhe Nartës.

Ndërsa rreth orës 18 :30 do të zhvillojë takimin në “Sheshin e Flamurit” në kuadër të takimeve që po zhvillon në të gjithë vendin për 35 vjetorin e Partisë Socialiste.

“Rojtari i marrëveshjes së Dejtonit”/ SHBA-BE nuk dakordësohen për përfaqësuesin ndërkombëtar në Bosnje

Përfaqësuesi i ri ndërkombëtar në Bosnje Hercegovinë ka shkaktuar tension mes SHBA-ve dhe Europës.

Në një reagim të ambasadës amerikane në Sarajeve thuhet se Uashingtoni po detyrohen ta rishqyrtojnë rolin e vet në Bosnje si pasojë e pavendosmërisë evropiane dhe dështimit të Këshillit për Zbatimin e Paqes për t’i përmbushur përgjegjësitë e veta, pasi ata nuk arritën ta emëronin një përfaqësues të ri ndërkombëtar për vendin e Ballkanit të enjten.

Ambasada thotë se delegacioni amerikan u përpoq të arrinte një dakordësi rreth një kandidati shumë të kualifikuar, ambasadorin italian Antonio Zanardi Landi.

Ishte sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio që e përshkroi kandidatin italian para Kongresit si ‘një zotëri për të cilin ne mendojmë se do të bënte një punë të mire.

Ndërsa vetë Schimd, përfaqësuesi ndërkombëtar në Bosnje që e ka dorëzuar tashmë dorëheqjen, tha se konsultimet për një përfaqësues të ri ndërkombëtarë do të vazhdojnë gjatë gjithë muajit me shpresën se dorëzimi i detyrës do të bëhet deri në 30 qershor.

Ndër kandidatët më të përmendur është Antonio Zanardi, diplomat italian 76-vjeçar, i cili ka qenë ambasador i Italisë në Rusi, si dhe në Serbi dhe Mal të Zi.

Një tjetër kandidat është Rene Troccaz, aktualisht i dërguar special i Francës për Ballkanin Perëndimor, i cili gëzon mbështetjen e Francës dhe disa vendeve të tjera.

Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania dëshirojnë të ruajnë modelin e tanishëm, i cili i jep përfaqësuesit të lartë kompetenca për të imponuar ligje dhe për të shkarkuar zyrtarë në rast të bllokadave politike ose institucionale apo shkeljes së Marrëveshjes së Dejtonit.

Nga ana tjetër, administrata në Uashington mbështet zvogëlimin gradual të rolit  të përfaqësuesit dhe mbështetjen më të madhe te institucionet dhe politikanët vendas.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tivat/ Rama publikon foton me Merz: Ai për Berlin, unë për Vlorë

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një fotografi me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, pas takimit të zhvilluar në Tivat.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka dhënë një përshkrim të shkurtër të momentit, duke theksuar bisedën e zhvilluar pas mbledhjes.

“Me Kancelarin Merz në Tivat, gjatë bisedës pas mbledhjes së gjatë dhe para largimit, ai për Berlin e unë për Vlorë”, shkroi Rama krahas fotografisë së publikuar në rrjetet sociale.

Takimi mes dy liderëve u zhvillua në kuadër të aktiviteteve dhe diskutimeve rajonale në Tivat, ku në fokus ishin çështje që lidhen me bashkëpunimin rajonal, integrimin evropian dhe zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor.

“Gjuha shqipe nuk negociohet”/ Studentët në Prishtinë mbështesin kolegët e Shkupit

Me flamuj të UÇK-së dhe pankarta me mbishkrime “Arsimi në shqip është e drejtë, jo privilegj”, “Gjuha shqipe nuk negociohet” dhe “Nga Prishtina në Shkup, shqipja nuk shuhet kurrë”, studentë të Universitetit të Prishtinës dhe qytetarë të tjerë kanë mbajtur protestë paqësore para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë.

Përmes kësaj proteste, ata kanë shprehur kundërshtimin ndaj mohimit të së drejtës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për t’iu nënshtruar provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Studentët thanë se janë mbledhur për të mbështetur një të drejtë që buron nga ligji dhe jo nga vullneti politik.

Javën e kaluar në Maqedoninë e Veriut janë mbajtur protesta masive të studentëve shqiptarë për mbrojtjen e gjuhës shqipe. Protestuesit kanë kërkuar të drejtën për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në të gjitha nivelet shtetërore.

Një protestë e tillë u mbajt edhe në Tiranë.

❌