Atletico Madridi thuhet se e ka pranuar ofertën e Arsenalit për sulmuesin Julian Alvarez.
Gjiganti londinez raportohet se ka ofruar 50 milionë euro dhe shërbimet e sulmuesit Viktor Gyokeres, gjë që ia ka plotësuar të gjitha kërkesat “Los Rijoblancos”.
“El Chiringuito” ndër të tjera raporton se tani ka mbetur vetëm që dy lojtarët të japin “dritën e gjelbër”, ngase aktualisht nuk kanë marrëveshje me klubet e përmendura.
🚨🚨| BREAKING: Atletico Madrid and Arsenal have reached 𝐀𝐆𝐑𝐄𝐄𝐌𝐄𝐍𝐓 over Julian Alvarez — €50m + Viktor Gyökeres. 🚨🔴
Alvarez is refusing personal terms as he wants Barcelona and is demanding Atletico honour a prior promise.
Alvarez ëndërronte kalimin te Barcelona, e cila ofroi 100 milionë euro por që Atletico e refuzoi menjëherë ofertën.
Në anën tjetër, ende është e paqartë qëndrimi i Gyokeres duke qenë se edicionin e kaluar ishte ndër lojtarët kryesorë te “Topçinjtë” me të cilët fitoi titullin e Ligës Premier si dhe arriti në finalen e Ligës së Kampionëve./Telegrafi/
Drita ka lëshuar një tjetër fitore nga “dora” në kohën shtesë – këtë herë në udhëtim te Floriana, në ndeshjen e parë të vlefshme për raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Sfida ishte tepër e hapur nga fillimi, me të dy rastet që kishin raste shënimi por që epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 1-1.
Drita dominoi në posedim për të krijuar disa aksione të bukura, por iu mungoi edhe fati. Igball Jashari kishte një mundësi të mirë shënimi megjithatë dështoi përballë portierit nikoqir.
Në pjesën e dytë, Drita ishte edhe më kërkuese për të rrezikuar disa herë me Arb Manaj dhe të inkuadruarin Liridon Balaj, mirëpo nuk ia doli t’i konkretizojë.
Vlen të ceket se disa herë gjatë ndeshjes u ndërpre loja shkaku i ndaljes së rrymës.
Kur askush s’e priste, Drita zhvilloi një kundërsulm, me Balajn që ishte i pagabueshëm (90+6’).
Amar Drina megjithatë e ndali festën e Dritës pesë minuta më vonë me një gol pas një tollovie në mbrojtje (90+12’).
Ndërkohë, Drita duhet ta ruajë këtë rezultat edhe në Prishtinë, në sfidën që zhvillohet javën tjetër në “Fadil Vokrri”./Telegrafi/
Leandro Paredes ishte një nga personazhet më të përfolur të finales së Kupës së Botës 2026, por jo për paraqitjen e tij në fushë.
Mesfushori argjentinas u aktivizua në pjesën e dytë, pasi në mënyrë befasuese e kishte humbur vendin në formacionin titullar të Lionel Scalonit. Vetëm gjashtë minuta pasi hyri në lojë, ai u ndëshkua me karton të verdhë, ndërsa në më shumë se një rast dukej me fat që nuk mori kartonin e dytë.
Situata u tensionua edhe më shumë pas përfundimit të ndeshjes. Paredes u përfshi në një nga incidentet më të shëmtuara të turneut, duke u përplasur fizikisht me Eric Garcian dhe Gavin gjatë një konfrontimi të ashpër mes futbollistëve.
Pas rikthimit në Argjentinë, mesfushori i Boca Juniors publikoi një mesazh emocional në Instagram, drejtuar tifozëve të kombëtares.
“Sot po shkruaj me shumë dhimbje në zemër, sepse nuk arritëm t'i dhuronim vendit tonë gëzimin që e meritonte”.
“Zemra ime është plot krenari, sepse dhamë gjithçka që kishim dhe edhe një herë e ngritëm flamurin tonë sa më lart që ishte e mundur”.
Paredes nuk harroi të falënderonte edhe bashkëlojtarët e tij për përkushtimin gjatë gjithë Kupës së Botës.
“Faleminderit secilit që ishte pjesë e kësaj kombëtareje, këtij grupi lojtarësh që dhanë gjithçka për ta përfaqësuar këtë fanellë deri në sekondën e fundit të çdo ndeshjeje”.
Në fund të mesazhit të tij, ai bëri një deklaratë të fortë, duke e cilësuar këtë grup si “kombëtaren më të mirë në historinë e Argjentinës”./Telegrafi/
Pas një sezoni zhgënjyes në fanellën e Chelseat, anësori Alejandro Garnacho raportohet se është në bisedime të avancuara me Aston Villan për një huazim njëvjeçar.
Trajneri i ri, Xabi Alonso, e ka bërë të qartë se argjentinasi nuk bën pjesë në planet e tij për sezonin 2026/27, duke i hapur rrugën largimit të tij gjatë kësaj vere. Raportimet e fundit pretendonin se Roma kishte paraqitur një ofertë zyrtare për 22-vjeçarin, por tani klubi italian përballet me konkurrencën e Aston Villas së drejtuar nga Unai Emery.
Sipas “The Athletic”, Aston Villa ka propozuar një marrëveshje për ta transferuar Garnachon në Villa Park në formë huazimi për një sezon, me detyrim blerjeje nëse plotësohen kushte të caktuara. Megjithatë, detajet dhe shifrat e marrëveshjes ende nuk janë dakorduar.
Ndërkohë, Fabrizio Romano raporton se negociatat mes palëve janë në vazhdim, ndërsa Emery e ka miratuar tashmë Garnachon si një nga objektivat e tij për merkaton. Trajneri spanjoll kishte tentuar ta transferonte edhe verën e kaluar, kur lojtari u largua nga Manchester United, por në atë kohë Chelsea fitoi garën për nënshkrimin e tij.
Chelsea, pas një sezoni të dobët 2025/26 që e la jashtë edhe Ligës së Konferencës, është përqendruar më shumë në largimin e lojtarëve sesa në afrime të reja. Xabi Alonso nuk dëshiron të mbajë futbollistë që nuk përshtaten me filozofinë e tij ose që kërkojnë një fillim të ri.
Nëse Garnacho largohet, huazimi i tij do ta ndihmonte Chelsean të balanconte financat, pasi klubi raportohet se ka arritur një marrëveshje rekord prej 157.3 milionë dollarësh për mesfushorin ofensiv të Aston Villas, Morgan Rogers.
Ndërkohë, Chelsea vazhdon të kërkojë përforcime edhe në mbrojtje. Së fundmi është lidhur me John Stones, i cili është lojtar i lirë pas skadimit të kontratës me Manchester Cityn, si dhe me qendërmbrojtësin e Crystal Palace, Maxence Lacroix.
Huazimi mund të mos duket skenari ideal për Garnachon, i cili firmosi një kontratë shtatëvjeçare me Chelsean vetëm verën e kaluar, por një ndryshim ambienti duket se është i nevojshëm për të.
Argjentinasi pati një sezon për t'u harruar në Stamford Bridge, duke shënuar vetëm tetë gola – gjashtë prej tyre në garat e kupës – dhe duke dhënë katër asistime në 43 paraqitje.
Paraqitjet e tij ishin tepër të paqëndrueshme, veçanërisht në 24 ndeshjet e Ligës Premier, për të bindur Xabi Alonson se meritonte një vend në projektin e tij. Tani, Garnacho ka mundësinë të rindërtojë karrierën nën drejtimin e një trajneri që e vlerëson prej kohësh dhe, njëkohësisht, të luajë në Ligën e Kampionëve me Aston Villan – diçka që Chelsea nuk mund t'ia ofrojë sezonin e ardhshëm./Telegrafi/
Boksieri shqiptar Kristian Prenga është mbështetur për të shkaktuar një nga befasitë më të mëdha në boks, duke mposhtur Anthony Joshuan, ashtu siç bëri Andy Ruiz në vitin 2019. Kështu ka deklaruar partneri i tij në stërvitje, pra ish-boksieri Brandon Moore, para duelit që do të zhvillohet të shtunën në Arabinë Saudite.
Humbja e parë si profesionist për Joshuan erdhi pikërisht ndaj Ruizit në vitin 2019, në një nga surprizat më të mëdha në historinë e peshave të rënda, kur britaniku humbi titujt IBF, WBA dhe WBO në Madison Square Garden.
Edhe pse Joshua konsiderohet favorit absolut ndaj Prengës (20 fitore, 1 humbje, 20 nokaut), në një duel që shërben si përgatitje për përballjen e shumëpritur me Tyson Furyn në dimër, Moore beson se shqiptari është në gjendje të shkaktojë një tjetër tronditje.
“Prenga po duket vërtet, vërtet shumë mirë në sparing. Mendoj se do të jetë një luftë shumë argëtuese”, tha Moore për Sky Sports.
“Mendoj se ai ka një shans shumë të mirë për ta mposhtur Joshuan. Besoj se është më i madh fizikisht se Joshua. Joshua ka një trup shumë muskuloz, por Prenga është njeri më i madh”.
“Do të jetë një meç i vështirë, por besoj se mund ta godasë Joshuan në të njëjtën mënyrë siç bëri Andy Ruiz”.
“Ky është meçi i parë i AJ pas rikthimit. Ai ka kaluar shumë gjëra në jetën e tij. Kam vetëm respekt për të, por kur rikthehesh në ring pas një kohe të gjatë pa luftuar, mungesa e ritmit ndihet”.
“Kjo nuk është një ndeshje e zakonshme – të gjithë do ta shikojnë”.
Moore, i cili shpreson edhe vetë të sigurojë një duel të madh ndaj një boksieri britanik të peshave të rënda, theksoi rëndësinë që kjo përballje ka për Prengën.
“I thashë Prengës se kjo është mundësia e jetës së tij. Është një mundësi që unë do të dëshiroja ta kisha”.
“Joshua është një boksier i madh dhe ka arritur gjëra të jashtëzakonshme në këtë sport”.
“Por Prenga ka mundësinë të futet në listën e njerëzve që kanë mposhtur një boksier që në të ardhmen do të jetë në Hall of Fame”.
“Gjithçka duhet të shkojë në mënyrë perfekte. Ai duhet ta bëjë çdo gjë siç duhet”./Telegrafi/
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka kërkuar nga klubet të bëjnë kërkesë për t’u inkuadruar në elitë për ta zëvendësuar KB Dritën.
Drita u largua nga garat shkaku që nuk arriti të gjejë palestër për t’i zhvilluar ndeshjet si vendas.
Kësisoj, FBK ka bërë një konkurs për “Wildcard”, ku klubet mund të bëjnë kërkesë, por duhet të plotësojnë disa kritere.
“Konkurs për Wildcard – ProCredit Superliga 2026/27
Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës shpall konkurs për plotësimin e një (1) vendi vakant në ProCredit Superligën e Kosovës për edicionin 2026/27 përmes mekanizmit Wildcard.
Klubet e interesuara duhet të plotësojnë kriteret për Licencën A dhe të dëshmojnë kapacitetet:
Infrastrukturore
Organizative
Financiare
Sportive
Ligjore dhe administrative”, thuhet në komunikatë./Telegrafi/
Tirana e ka mbyllur marrëveshjen me Rapid Bukureshti për sulmuesin Drilon Hazrollaj, megjithatë lojtari ende nuk ka dhënë “dritën e gjelbër” pasi në tavolinë ka disa opsione, kështu ka njoftuar menaxheri Kastriot Telaku për Telegrafin.
Që disa javë u raportua vazhdimisht se Tirana ishte i interesuar për ta huazuar Hazrollajn nga Rapidi, kurse “ProSport” të martën njoftoi se problemi kryesor është paga e lojtarit, duke pretenduar se talenti i Kosovës po kërkon rreth 9 mijë euro në muaj, vlerë që klubi shqiptar nuk është në gjendje të paguajë.
Megjithatë, menaxheri i lojtarit, Telaku për Telegrafin ka bërë të qartë se lojtari ende nuk ka vendosur për lëvizjen e radhës.
“Jo, marrëveshja ende nuk ka dështuar. Jemi në negociata. Klubet faktikisht janë pajtuar, por ne kemi edhe disa alternativa tjera që po i shohim”, konfirmoi ai.
Hazrollaj ka qenë i pafat që prej kalimit në ligën e futbollit rumun ngase ka pasur lëndime të njëpasnjëshme, gjë që ia pamundësuan të zhvillojë shumë minuta.
Megjithatë, anësori i ka lënë prapa tërë këto lëndime dhe tani është gati për ta dëshmuar kualitetin, qoftë në fanellën e Rapidit apo ndonjë tjetër.
22-vjeçari ishte në stol në ndeshjen e parë të Rapidit në Ligën e Rumanisë kundër Sepsi (1-0)./Telegrafi/
Drita është mysafir i Floriana në kuadër të raundit të dytë kualifikues për Ligën e Konferencës.
Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, “Intelektualët” do të provojnë të kualifikohen sërish në fazën e grupeve të kompeticionit të tretë më të rëndësishëm.
Formacionet e zgjedhura tashmë janë bërë publike, me trajnerin Zekirija Ramadani që ka vendosur të luajë pak më ofensiv.
Barcelona vazhdon të jetë e vendosur për të transferuar Julian Alvarez gjatë kësaj vere, por marrëveshja mbetet shumë e ndërlikuar, pasi Atletico Madridi vazhdon të këmbëngulë se sulmuesi argjentinas nuk është në shitje, raporton AS.
Sipas mediumit spanjoll, Atletico nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj që para Kupës së Botës dhe refuzon të hyjë në negociata me Barcelonën në çfarëdo rrethane.
Klubi madrilen pret që Alvarez t'i bashkohet fazës përgatitore më 10 gusht dhe planifikon ta ketë pjesë të skuadrës së Diego Simeones edhe për sezonin e ardhshëm.
Megjithatë, Barcelona nuk ka hequr dorë nga transferimi i 26-vjeçarit, por ka vendosur fundin e muajit korrik si afatin për ta mbyllur operacionin. Drejtuesit katalunas nuk janë të gatshëm të presin pafundësisht dhe do ta vazhdojnë ndjekjen e sulmuesit vetëm nëse ka lëvizje konkrete nga ana e lojtarit.
Julian Alvarez e ka bërë tashmë publik dëshirën për t'u larguar nga Atletico Madridi, por kjo nuk e ka ndryshuar qëndrimin e klubit. Barcelona beson se sulmuesi mund të detyrohet të bëjë një tjetër deklaratë publike ose të rrisë presionin ndaj klubit, nëse dëshiron që transferimi të realizohet.
Alvarez ka kontratë me Atletico Madridin deri në vitin 2031. Oferta e parë e Barcelonës është refuzuar tashmë, ndërsa drejtuesit e klubit madrilen vazhdojnë të insistojnë se nuk kanë asnjë synim ta shesin sulmuesin argjentinas./Telegrafi/
Gjyqtari i njohur i Ligës Premier, Anthony Taylor ka njoftuar pensionimin pas përfundimit të Kupës së Botës.
Taylor, 47 vjeç, i ka dhënë fund karrierës së tij pas më shumë se dy dekadash dhe plot 831 ndeshjesh të gjykuara.
Ndeshja e tij e fundit ishte ajo e fazës së 1/8 së finales së Kupës së Botës mes Spanjës dhe Portugalisë këtë verë, të cilën kampionët e botës, e fituan 1-0 falë golit të Mikel Merinos në minutat shtesë.
Gjatë 16 sezoneve në Ligën Premier, Taylor drejtoi 432 ndeshje të elitës angleze, ndërsa në karrierën e tij arbitroi edhe finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2024 mes Borussia Dortmundit dhe Real Madridit.
“Të gjykosh në nivelin më të lartë ka qenë një privilegj i jashtëzakonshëm, por presioni është i madh dhe vëmendja ndaj çdo vendimi është e vazhdueshme. Tani është momenti i duhur për t'u tërhequr dhe për të nisur kapitullin e ri të karrierës sime”.
“Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për dy asistentët e mi, Gary dhe Adam, kolegët e arbitrazhit dhe të gjithë ata që janë pjesë e futbollit për mbështetjen gjatë gjithë këtyre viteve. Mbi të gjitha, dua të falënderoj familjen dhe miqtë e mi për mbështetjen e palëkundur gjatë sakrificave të mëdha që kjo karrierë ka kërkuar”, deklaroi ai.
🚨 BREAKING: Anthony Taylor announces retirement from refereeing. Englishman officiated 831 games across 2 decades (including every domestic cup final) & bows out aged 47 after taking charge of #Portugal vs #Spain in last-16 of #FIFAWorldCup@TheAthleticFChttps://t.co/EW75W55pAy — David Ornstein (@David_Ornstein) July 21, 2026
Taylor mori pjesë si arbitër në dy Kupa Bote, atë të Katarit në vitin 2022 dhe atë të vitit 2026, si edhe në Kampionatin Evropian të viteve 2020 dhe 2024.
Në karrierën e tij ai drejtoi gjithashtu finalet e FA Cup në vitet 2017 dhe 2020, finalen e Carabao Cup në vitin 2015, si dhe finalen e play-offit të Championship në vitin 2018./Telegrafi/
Sulmuesi Edon Zhegrova do të ketë edhe një tjetër mundësi për ta dëshmuar kualitetin te Juventusi.
Pas një sezoni zhgënjyes që e ndoqi me lëndime të shumta dhe pak minuta në fushë, “Zonja e Vjetër” më saktësisht trajneri Luciano Spalletti ka vendosur t’i jep edhe një mundësi yllit të Kosovës për ta dëshmuar kualitetin.
Sipas asaj që raporton gazeta e madhe italiane “Gazzetta dello Sport”, Juventusi ka vendosur t’ia plotësojë dëshirën Zhegrovës për të qëndruar edhe një tjetër vit.
E tërë kjo u mundësua përmes Nico Gonzalez, pra mesfushorit argjentinas i cili ia ka bërë të qartë klubit italian se nuk e konsideron fare qëndrimin në Torino.
“Nico Gonzalez e ka bërë tashmë të qartë se nuk është i interesuar për të qëndruar në Torino. Ka mundësi reale që argjentinasi t’i bashkohet një ekipi të ri. Ai dëshiron të qëndrojë te Atletico, por negociatat nevojiten për ta kompletuar marrëveshjen”.
“Dëshira e Nicos për t’u larguar, i jep një tjetër shans Edon Zhegrovën për ta kapërcyer nivelin e dobët që tregoi në sezonin e tij të parë”, raporton gazeta italiane.
🚨 | Luciano Spalletti veut donner une chance à Edon Zhegrova cette saison. ✅🇽🇰⚪️⚫️
Ylli i Kosovës gjatë tërë verës e ka bërë të qartë se dëshiron të mbetet në Torino, ngase përpos që refuzoi të negociojë me klubet e interesuara edhe shkoi në parapërgatitje më herët.
Zhegrova ka për synim sa më parë të zërë vend te Juventusi, si dhe të rifitojë vendin e titullarit edhe te Kombëtarja e Kosovës në muajin shtator./Telegrafi/
Juventusi thuhet se ka nisur të shqyrtojë mundësinë e transferimit të sulmuesit të Manchester United, Joshua Zirkzee, teksa vazhdon të kërkojë alternativa në repartin ofensiv për shkak të negociatave të gjata me Paris Saint-Germain për Randal Kolo Muani.
Sipas raportimeve, drejtuesit e Juventusit kanë kontaktuar përfaqësuesit e Zirkzee për të mësuar më shumë rreth disponueshmërisë së tij dhe kushteve të një transferimi të mundshëm.
Manchester United besohet se e vlerëson sulmuesin holandez mes 35 dhe 40 milionë eurove dhe është i gatshëm të diskutojë forma të ndryshme të marrëveshjes.
Megjithëse Randal Kolo Muani mbetet objektivi kryesor i Juventusit, klubi torinez nuk dëshiron që bisedimet të zgjasin pafundësisht dhe ka përgatitur një listë alternativash ku përfshihen Joshua Zirkzee, sulmuesi i Tottenhamit, Richarlison, si dhe talenti i Parmës, Mateo Pellegrino.
Zirkzee, i cili shkëlqeu më parë në Serie A me fanellën e Bolognës, raportohet se është i hapur për një rikthim në futbollin italian pas një periudhe të vështirë te Manchester United./Telegrafi/
Anësori i Spanjës, Nico Williams, ka reflektuar mbi triumfin e kombëtares së tij në Kupën e Botës 2026, pas fitores në finalen e madhe.
Spanja mposhti Argjentinën me rezultat 1-0 pas vazhdimeve në finalen e Kupës së Botës. Williams u aktivizua nga stoli në minutën e 75-të dhe ishte vendimtar, pasi dha asistimin për golin e fitores të realizuar nga Ferran Torres në minutën e 106-të.
“Jam shumë i lumtur, për mua kjo është gjëja më e bukur. E kam idol Neymarin dhe shpresoj që po na shikon. Kjo është edhe për të”, deklaroi Williams.
Nico Williams exaltou Neymar Jr. e ainda surpreendeu ao mandar uma frase em português! 🇧🇷❤️🇪🇸
O jogador da Espanha fez questão de demonstrar toda a admiração pelo craque brasileiro, reforçando a influência que Neymar exerce sobre uma geração inteira de jogadores.
Ndërkohë, Brazili e mbylli aventurën në Kupën e Botës që në fazën e 1/8 së finales, pasi u eliminua nga Norvegjia me humbjen 2-1.
Përndryshe, Williams pritet të qëndrojë në Bilbao pasi deri më tani nuk ka pasur ndonjë negociatë me gjigant evropian, pavarësisht që shumë klube e vlerësojnë lartë nivelin e spanjollit./Telegrafi/
Alvaro Arbeloa ka nisur menjëherë punën për ndërtimin e Fulhamit të ri dhe objektivat e tij të parë vijnë nga Real Madridi.
Sipas raportimit të “The Sun”, trajneri i ri i Fulhamit dëshiron të ribashkohet me dy futbollistët e rinj që i ka drejtuar te Real Madrid Castilla, Franco Mastantuono dhe Gonzalo Garcia. Arbeloa mori drejtimin e klubit londinez me një kontratë trevjeçare pas largimit të Marco Silvas dhe synon të përforcojë repartin ofensiv.
Gonzalo Garcia zhvilloi një sezon të mirë nën drejtimin e Arbeloas te Castilla, duke realizuar 10 gola në 32 paraqitje. Sulmuesi 22-vjeçar kishte shënuar edhe tetë gola nën drejtimin e Xabi Alonsos përpara ndryshimit në pankinë, duke konfirmuar potencialin e tij si një nga talentet më premtues të akademisë madrilene.
Ndërkohë, Franco Mastantuono, i cili iu bashkua Real Madridit nga River Plate verën e kaluar për rreth 38 milionë funte, gjithashtu ka qenë pjesë e ekipit të drejtuar nga Arbeloa. Mesfushori ofensiv 18-vjeçar zhvilloi 18 ndeshje dhe shënoi dy gola, ndërsa besohet se mund të largohet vetëm në formë huazimi nëse arrihet një marrëveshje.
Fulhami është në kërkim të alternativave në sulm pas largimit të Harry Wilson, i cili iu bashkua Leeds Unitedit, si dhe rikthimit të Raul Jimenez te Wolverhamptoni pas përfundimit të kontratës së tij.
Klubi londinez po monitoron gjithashtu situatën e mesfushorit të Southamptonit, Shea Charles, megjithëse "Shenjtorët" kanë refuzuar tashmë dy oferta nga Leeds Unitedi dhe e vlerësojnë kartonin e tij rreth 25 milionë funtesh.
Në anën tjetër, ish-mesfushori i Tottenhamit, Yves Bissouma, është duke u stërvitur në qendrën stërvitore të Fulhamit në Motspur Park pasi u largua nga Spurs, por drejtuesit e klubit nuk janë duke shqyrtuar aktualisht mundësinë e transferimit të reprezentuesit të Malit./Telegrafi/
Festimet e Spanjës pas triumfit në Kupën e Botës morën një kthesë të papritur pas fitores ndaj Argjentinës në finalen e Botërorit 2026, të zhvilluar të dielën në stadiumin MetLife.
Teksa kapiteni Rodri po përgatitej të ngrinte trofeun e Kupës së Botës, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbeti në podium pranë presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
Pamjet e ceremonisë u përhapën menjëherë në rrjetet sociale, duke bërë që shumë tifozë të pyesnin nëse Rodri i kishte kërkuar Trumpit të largohej.
Momenti i sikletshëm përfundoi vetëm pasi Infantino ndërhyri dhe e udhëhoqi Trumpin larg podiumit, duke u dhënë mundësi futbollistëve të Spanjës ta festonin trofeun së bashku.
Rodri, Donald Trump dhe momenti me trofeun
Spanja mposhti Argjentinën për t'u shpallur kampione e botës, përpara se të zhvillohej ceremonia tradicionale e ndarjes së trofeut. Siç ishte njoftuar edhe më herët nga FIFA, Trump dhe Infantino ia dorëzuan trofeun kapitenit Rodri.
No surprise Trump didn’t want to leave the stage. Love how Rodri trying to shoo him off. Even Infantino couldn’t get him off 😂 pic.twitter.com/HnKsY5WoqI — Rohit Vadher (@RohitVadher_) July 19, 2026
Më herët, Infantino kishte shpjeguar planin për ceremoninë.
“Do të jemi së bashku me presidentin duke shijuar finalen dhe, sigurisht, duke ia dorëzuar trofeun fituesit së bashku”.
Ai shtoi gjithashtu: “Jemi bashkë gjatë gjithë kohës”./Telegrafi/
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka konfirmuar se SHBA-ja do të aplikojë "menjëherë" për të organizuar Kupën e Botës së ardhshme që do të jetë në dispozicion, pas suksesit të organizimit të turneut të vitit 2026 së bashku me Kanadanë dhe Meksikën.
Finalja e së dielës, ku Spanja mposhti Argjentinën për të fituar titullin e saj të dytë botëror, shënoi fundin e Kupës së Botës 2026. Trump ishte i pranishëm në stadium së bashku me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, duke marrë pjesë edhe në ceremoninë e ndarjes së trofeut.
“E kisha një ide për Giannin. Ai e nisi gjithë këtë dhe unë i thashë: 'Ne do ta organizojmë'. Dikush mund të mendonte se stadiumet do të mbeteshin bosh, por ndodhi e kundërta”.
“Mendoj se pjesëmarrja ishte 99.9 për qind, por ndoshta edhe kjo shifër është e gabuar, sepse stadiumet ishin të tejmbushura”.
Trump zbuloi gjithashtu se i kishte sugjeruar Infantinos që në të ardhmen të shpalleshin dy organizatorë njëherësh.
“I thashë: 'Shpalleni përsëri SHBA-në për herën tjetër dhe menjëherë edhe organizatorin pasardhës. Kjo do të ulte reagimet dhe befasinë'”.
“Pas shifrave që kemi parë, ne do të kërkojmë menjëherë ta organizojmë sërish Kupën e Botës. Duhet ta bëjmë përsëri dhe duhet të ndodhë sa jam ende unë këtu. A e dëgjove këtë, Gianni?”, shtoi Trump.
Pak ditë më parë, ai kishte deklaruar gjithashtu se do të dëshironte që FIFA ta rikthente Botërorin në SHBA, duke shtuar me shaka: “Këtë herë do ta lëmë jashtë Kanadanë dhe Meksikën”.
Kupa e Botës 2030 do të organizohet nga Maroku, Portugalia dhe Spanja, ndërsa tre ndeshje do të zhvillohen në Argjentinë, Paraguai dhe Uruguai për të shënuar 100-vjetorin e turneut.
Sipas rregullave të FIFA-s, konfederatat që organizojnë një Botëror nuk mund të kandidojnë për dy edicionet e ardhshme. Për këtë arsye, pas Botërorit 2026 në zonën CONCACAF dhe atij të vitit 2030 në Afrikë, Evropë dhe Amerikën e Jugut, turneu i vitit 2034 iu rezervua vendeve të Azisë ose Oqeanisë dhe organizimi iu besua Arabisë Saudite.
Kjo do t'i hapë rrugë Shteteve të Bashkuara të kandidojnë për organizimin e Kupës së Botës 2038, megjithëse deri më tani asnjë shtet nuk ka organizuar dy Botërorë brenda një periudhe prej vetëm 12 vitesh./Telegrafi/
Trajneri Pep Guardiola nuk është më vetëm një ëndërr për Kombëtaren e Italisë.
Sipas gazetarit Peppe Di Stefano nga Sky Sport, konfirmuar prej Gianluca di Marzios, drejtuesit e Federatës Italiane si Paolo Maldini dhe Leonardo kanë kaluar fundjavën e kaluar në Barcelonë, ku janë takuar me trajnerin spanjoll.
Sipas raportimit, takimi mes palëve ka vazhduar përgjatë fundjavës. Dyshimet nisën pasi në rrjetet sociale u publikuan disa fotografi të Maldinit dhe Leonardos në Barcelonë, ndërsa hetimet e mëvonshme konfirmuan se ata kishin zhvilluar një takim me Guardiolën.
Nazionale, Paolo Maldini e Leonardo hanno incontrato Guardiola: proposto il ruolo da CThttps://t.co/9vJWegpgqG — Gianluca Di Marzio (@DiMarzio) July 20, 2026
Për momentin nuk ka asnjë garanci se Guardiola do të bëhet përzgjedhësi i ri i Italisë. Megjithatë, raporti thekson se emri i tij tashmë përfaqëson një opsion konkret në planet e drejtuesve të rinj të sektorit teknik të "Azzurrëve".
Mbetet të shihet se si do të zhvillohen ngjarjet në ditët dhe javët në vijim, pasi asnjë mundësi nuk përjashtohet.
Përveç Pep Guardiolës, në listën e kandidatëve për stolin e Italisë vazhdojnë të jenë edhe Roberto Mancini dhe Andrea Pirlo./Telegrafi/
Spanja është kampione e botës për vitin 2026, pasi mposhti Argjentinën në finale dhe ngriti për herë të dytë në histori trofeun më prestigjioz të futbollit.
Ferran Torres ishte heroi i finales me golin e fitores në vazhdime, por suksesi ishte fryt i një pune kolektive ku secili lojtar dha kontributin e tij, përfshirë edhe Lamine Yamal.
Edhe pse shumë prisnin që talenti 19-vjeçar të kishte statistika më mbresëlënëse, ai e mbylli turneun me një gol dhe një penallti të fituar. Megjithatë, roli i tij në skuadrën e Luis de la Fuentes ishte shumë më tepër sesa numrat.
Yamal zgjodhi të luante për ekipin, duke kontribuar në suksesin e Spanjës, në vend që të kërkonte statistika personale. Në fund, ai u shpërblye duke u bërë kampion bote në moshën vetëm 19-vjeçare.
Pavarësisht moshës së re, ylli i Barcelonës tashmë ka ndërtuar një koleksion mbresëlënës trofesh, të cilin shumë legjenda të futbollit nuk kanë arritur ta kompletojnë gjatë gjithë karrierës.
Megjithatë, disa trofe ende mungojnë në kabinetin e tij.
Liga e Kombeve mbetet një prej tyre. Spanja ishte pranë triumfit në vitin 2025, por u mposht nga Portugalia në finale pas ekzekutimit të penalltive.
Një tjetër objektiv i madh është Liga e Kampionëve. Deri më tani, rezultati më i mirë i Yamalit në këtë garë është gjysmëfinalja e vitit 2025, kur Barcelona u eliminua nga Interi. Duke qenë se kjo garë zhvillohet çdo sezon, ai pritet të ketë shumë mundësi për ta fituar.
Nëse triumfon në Ligën e Kampionëve, Yamal do të ketë mundësinë të fitojë edhe Superkupën e Evropës.
Në listën e trofeve që ende nuk i ka fituar janë gjithashtu Kupa Interkontinentale e FIFA-s dhe Kupa e Botës për Klube, ku pjesëmarrja varet nga kualifikimi i klubit të tij.
Megjithatë, në moshën vetëm 19-vjeçare, Lamine Yamal tashmë ka fituar trofetë më të rëndësishëm që çdo futbollist ëndërron: Kampionatin Evropian dhe Kupën e Botës, duke u konfirmuar si një nga talentet më të jashtëzakonshme të brezit të tij./Telegrafi/
Ekipi që po garon në Ligën e Parë të Turqisë, Kayserispor ka shprehur interesim për yllin e Llapit, Elvir Gashijan.
Anësori i krahut të djathtë edhe më parë ishte i kërkuar në Turqi, me Llapin që para pak viteve refuzoi një ofertë qindra mijëra euro.
Kayserispor e ka bërë prioritet inkuadrimin për në elitë sezonin tjetër, andaj edhe po duan ta afrojnë Gashijanin, që e shohin si pasuesin adekuat për Miguel Cardoso.
Letra zyrtare që konfirmon interesimin e klubit turk tashmë ka mbërritur në zyret e klubit nga Podujeva, gjë që e konfirmoi edhe trajneri Tahir Batatina në një bisedë për Telegrafin.
“Po, kemi marrë njoftimin nga klubi turk dhe tashmë po presim ofertën zyrtare për t’i nisur negociatat”, konfirmoi ai.
I pyetur se sa vlerësohet anësori këmbëshpejtë nga Llapi, Batatina bëri të qartë se prioriteti kryesor është projekti dhe jo çmimi.
“Nuk ka të bëjë me çmimin. Ne na intereson vetëm projekti sportiv, ne duam që lojtari të ketë minuta të garantuar, të përshtatet në klub ngase kur të bën një hap tjetër në të ardhmen, të përfitojmë përmes përqindjes së kartonit”.
“Duam që lojtari të ketë garanci për sukses dhe jo të bëhet si me lojtarët e tjerë, që po bëjnë një hap të madh në disa klube, por pas pak muajve po rikthehen sërish në Kosovë”, shtoi ai.
Gashijani ndër të tjera sezonin e kaluar zhvilloi 29 paraqitje për Llapin, për të kontribuar me dy asistime në proces./Telegrafi/
“Sports Illustrated” ka publikuar renditjen e 10 kombëtareve më të mira në historinë e Kupës së Botës, duke përfshirë skuadra legjendare që kanë lënë gjurmë me dominimin, stilin e lojës ose sukseset e tyre në turneun më të madh të futbollit.
Në listë bën pjesë edhe Spanja e vitit 2026, e cila renditet në vendin e nëntë pas triumfit në Botërorin e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.
Renditja është kjo:
10. Argjentina (1986)
E udhëhequr nga Diego Maradona, Argjentina fitoi Kupën e Botës në Meksikë. Megjithatë, Sports Illustrated thekson se suksesi nuk ishte vetëm meritë e Maradonës, pasi Jorge Burruchaga, Oscar Ruggeri dhe Jorge Valdano kishin role vendimtare në skuadrën e Carlos Bilardos.
9. Spanja (2026)
Spanja mbërriti në turne si kampione në fuqi e Evropës, por shumë e konsideronin Francën, Anglinë dhe Argjentinën favorite. Pas barazimit surprizues ndaj Kepit të Gjelbër në ndeshjen hapëse, "La Roja" dominoi turneun dhe u bë kombëtarja e parë në histori që fitoi Kupën e Botës duke pësuar vetëm një gol.
Rodri dhe Pedri dominuan mesfushën, Marc Cucurella shkëlqeu në krahun e majtë, ndërsa Pau Cubarsi dhe Aymeric Laporte formuan një dyshe të hekurt në mbrojtje. Në portë, Unai Simon e mbylli turneun me shtatë ndeshje pa pësuar gol.
8. Holanda (1974)
Edhe pse nuk fitoi trofeun, Holanda e Johan Cruyff dhe Rinus Michels revolucionarizoi futbollin me filozofinë "Total Football", duke ndikuar brezat që pasuan.
7. Brazili (2002)
Me emra si Ronaldo Nazario, Rivaldo, Ronaldinho, Cafu, Roberto Carlos dhe Lucio, Brazili dominoi turneun dhe fitoi titullin falë një kombinimi të talentit individual dhe lojës kolektive.
6. Brazili (1958)
Botërori që prezantoi në skenën botërore Pelen 17-vjeçar. Brazili fitoi titullin e parë falë një gjenerate të artë me Garrincha, Didi, Vava dhe Nilton Santos.
5. Hungaria (1954)
E konsideruar si kombëtarja më e mirë që nuk e fitoi kurrë Kupën e Botës. Me Ferenc Puskas në krye, Hungaria dominoi turneun, por u mposht nga Gjermania Perëndimore në finalen e famshme "Mrekullia e Bernës".
4. Spanja (2010)
Një nga skuadrat më dominuese të epokës moderne. Me Sergio Busquets, Xavi dhe Andres Iniesta në mesfushë, Spanja fitoi Kupën e Botës duke imponuar stilin e saj të famshëm tiki-taka.
3. Franca (1998)
Si vend organizator, Franca fitoi titullin e parë botëror falë një mbrojtjeje të jashtëzakonshme dhe një Zinedine Zidane të shkëlqyer, i cili shënoi dy gola në finalen ndaj Brazilit.
2. Gjermania Perëndimore (1974)
Me Franz Beckenbauer si lider, Gjermania Perëndimore fitoi trofeun duke mposhtur Holandën revolucionare të Johan Cruyff në finale.
1. Brazili (1970)
Në krye të renditjes qëndron Brazili legjendar i vitit 1970. Me Pele, Jairzinho, Rivelino, Tostao, Gerson dhe Carlos Alberto, "Seleçao" fitoi të gjitha ndeshjet dhe mbylli turneun me fitoren 4-1 ndaj Italisë në finale, duke krijuar atë që shumë e konsiderojnë skuadrën më të mirë në historinë e futbollit./Telegrafi/