Reading view

Ekskluzive nga Ankaraja, NATO i përgjigjet Telegrafit: Nuk do të lejojmë vakum sigurie në Ballkanin Perëndimor



Një zyrtar i lartë i NATO-s ka deklaruar se situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor mbetet e brishtë dhe e ndjeshme, por stabile.

Këto komente zyrtari i bëri pas pyetjes së Telegrafit, duke folur në një panel në kuadër të Samitit të NATO-s në Ankara me një grup gazetarësh nga Ballkani, Ukraina, Bjellorusia dhe vende të tjera.

Zyrtari i lartë i NATO-s theksoi se Ballkani Perëndimor mund të mos jetë pjesë e drejtpërdrejtë e agjendës së samitit, por mbetet lart në agjendën e përgjithshme të Aleancës.

“Sa i përket Ballkanit Perëndimor, ne vazhdojmë ta shohim situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor si të brishtë dhe të ndjeshme, por stabile. Mendoj se kjo është mënyra se si do ta shohim, ose ka gjasa ta shohim, edhe për një kohë të konsiderueshme në vazhdim”, ka deklaruar zyrtari i lartë i NATO-s, shkruan Telegrafi.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor mbetet lart në agjendën e përgjithshme të NATO-s.

“Mund të mos jetë në mënyrë të drejtpërdrejtë në agjendën tonë këtu në samit, por Ballkani Perëndimor mbetet lart në agjendën e përgjithshme të NATO-s, si një nga çështjet që e përcjellim vazhdimisht”, shtoi ai në përgjigje të pyetjes së Telegrafit.

Sipas zyrtarit të lartë të NATO-s, Ballkani Perëndimor është rajon me rëndësi strategjike për Aleancën, ndërsa përkushtimi i NATO-s ndaj stabilitetit të rajonit mbetet i palëkundur.

“Është, natyrisht, një zonë, një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën dhe përkushtimi i NATO-s ndaj stabilitetit të rajonit është i palëkundur. Ne nuk do të lejojmë që atje të krijohet një vakum sigurie”, ka theksuar zyrtari i NATO-s.

Ai foli edhe për rolin e KFOR-it në Kosovë, duke e cilësuar atë si të rëndësishëm për sigurinë.

“KFOR-i vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm për sigurinë në Kosovë, ndërsa ne vazhdojmë të punojmë shumë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me Bashkimin Evropian...”, përfundoi zyrtari i lartë i NATO-s.

Telegrafi edhe në ditët në vazhdim do të sjellë materiale ekskluzive dhe speciale nga Ankaraja, ku po mbahet Samiti i NATO-s 2026. /Telegrafi/

  •  

Kroacia planifikon rritjen e trupave në KFOR, Anushiq: Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor mbetet kyç



Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, ka deklaruar në Ankara se Kroacia tashmë ka përmbushur një nga objektivat kryesore të NATO-s, të marrë në Samitin e vitit të kaluar në Hagë.

Duke folur në një konferencë për media gjatë Samitit të NATO-s në Ankara, Anushiq tha se Kroacia aktualisht ndan 2.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtje dhe tashmë ka tejkaluar edhe objektivin prej 1.5 për qind për investime në infrastrukturë të lidhur me sigurinë.

“Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se ne tashmë kemi ndarë më shumë se 1.5 për qind për projekte të lidhura me mbrojtjen në sektorin civil. Kroacia e ka përmbushur tashmë obligimin e marrë vitin e kaluar në Hagë”, ka deklaruar ai në konferencë për media.

Sipas tij, në këto investime përfshihen korridoret e transportit, spitalet, aeroportet, portet detare dhe infrastruktura tjetër që, në rast krize, mund të përdoret edhe për qëllime ushtarake.


Ministri kroat bëri të ditur se Kroacia po shqyrton rritjen e numrit të ushtarëve të saj në misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë.

“Planifikojmë ta rrisim numrin e ushtarëve kroatë deri në 200, aq sa na e lejon vendimi i Parlamentit kroat”, deklaroi Anushiq.

Ai shtoi se brenda NATO-s po shqyrtohet mundësia e zvogëlimit të numrit të përgjithshëm të ushtarëve në KFOR, por theksoi se Kroacia konsideron se stabiliteti në rajon mbetet një nga çështjet kryesore të sigurisë.

“Gjithmonë e theksoj rëndësinë e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe nevojën që NATO të mbetet fuqishëm e pranishme në këtë zonë”, tha Anushiq.


Ndryshe, sot zyrtarisht ka filluar Samiti i NATO-s në Ankara, ndërsa Telegrafi po e përcjell nga afër çdo zhvillim që po ndodh në kohë reale. /Telegrafi/

  •  

Gazetarja estoneze Kaldoja: Samiti i Ankarasë do të tregojë nëse NATO po i kthen premtimet në veprime



Udhëheqësja për Politikë të Jashtme në median “Postimees” të Estonisë, Evelyn Kaldoja, ka vlerësuar se Samiti i NATO-s në Ankara është i rëndësishëm për të parë nëse aleatët do të arrijnë të ruajnë unitetin dhe t’i kthejnë zotimet në veprime konkrete.

Duke folur për rëndësinë e këtij takimi, Kaldoja tha se për Evropën është thelbësore që të mos ketë luhatje në unitetin e aleatëve, sidomos në një kohë kur siguria e kontinentit vazhdon të sfidohet nga lufta në Ukrainë dhe kërcënimi rus.

“Mendoj se për Evropën është e rëndësishme që të mos ketë luhatje në unitetin e aleatëve, si dhe të ndërmerren hapa konkretë, të jepen premtime konkrete dhe ato premtime edhe të mbahen”, ka deklaruar Kaldoja shkruan Telegrafi.


Sipas saj, një nga çështjet kryesore të samitit do të jetë vlerësimi nëse vendet anëtare kanë nisur realisht të lëvizin drejt objektivit për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 për qind.

“Siç e kuptoj unë, do të matet nëse aleatët realisht kanë nisur të lëvizin drejt objektivit prej 5 për qind. Pra, mendoj se thelbësore janë uniteti dhe përmbushja e zotimeve”, u shpreh ajo.

Kaldoja theksoi se tashmë ka sinjale se proceset kanë filluar të lëvizin, veçanërisht në drejtim të fuqizimit të industrisë së mbrojtjes. Ajo tha se vëmendja e madhe ndaj kësaj industrie mund të sjellë më shumë prodhim, por kjo kërkon edhe porosi konkrete nga shtetet.

“Tani gjërat kanë filluar të lëvizin dhe shpresoj që po lëvizin në drejtimin e duhur. Duke qenë se ka kaq shumë vëmendje ndaj industrisë, ndoshta industria do të fillojë të funksionojë më fuqishëm, ndërsa vendet mund të nisin porositjen e armëve dhe pajisjeve, në mënyrë që industria të ketë realisht fonde për të punuar”, tha Kaldoja.


Ajo shtoi se industria e mbrojtjes nuk mund të prodhojë pa mbështetje financiare dhe pa kërkesa të qarta nga vendet anëtare.

“Sepse ajo nuk mund të prodhojë nga asgjëja dhe pa asnjë qëllim konkret”, deklaroi ajo.

Duke folur për luftën në Ukrainë, Kaldoja tha se NATO mbetet një shtyllë e fuqishme në mbështetje të mbrojtjes ukrainase, edhe pse Aleanca si organizatë nuk dërgon drejtpërdrejt armë në Ukrainë.

“NATO-ja është një shtyllë e fuqishme në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës. Në fakt, NATO-ja po organizon furnizimet dhe po ndihmon në pajisjen e ushtrisë ukrainase, edhe nëse nuk i dërgon drejtpërdrejt armë Ukrainës”, tha ajo.

Sipas saj, roli i NATO-s nuk lidhet vetëm me Ukrainën, por edhe me frenimin e ambicieve të Rusisë për të lëvizur më tej drejt Perëndimit.

“Mendoj se NATO-ja është elementi kyç që po e ndal Rusinë të lëvizë më tej drejt Perëndimit. Prandaj, të shpresojmë që parandalimi i NATO-s të funksionojë”, përfundoi Kaldoja./Telegrafi/

  •  

NATO mbledh industrinë e mbrojtjes në Ankara, çfarë pritet nga forumi i 7 korrikut?



Forumi i Industrisë së Mbrojtjes i Samitit të NATO-s po mbahet sot në Ankara të Turqisë.

Sipas NATO-s, kjo është ngjarja kryesore e nivelit të lartë e Aleancës për prodhimin, investimet dhe inovacionin në mbrojtjen transatlantike.

Forumi është pjesë e Samitit të NATO-s 2026 dhe do të mbledhë zyrtarë të lartë të NATO-s, përfaqësues të vendeve aleate dhe partnere, liderë të industrisë së mbrojtjes dhe inovacionit shkruan Telegrafi.

Në fokus do të jetë progresi i aleatëve drejt planit historik të NATO-s për investime në mbrojtje prej 5 për qind, si dhe mënyra se si këto mjete po kthehen në rritje të prodhimit ushtarak, bashkëpunim më të madh dhe prokurim të përbashkët.



Forumi njëditor do të përfshijë gjashtë sesione të mbyllura gjatë paradites dhe seanca plenare të transmetuara drejtpërdrejt gjatë pasdites.

Për herë të parë, në këtë forum do të ketë edhe njoftime të nivelit të lartë për marrëveshje, iniciativa dhe rezultate konkrete nga shtetet, industria dhe bashkëpunimet shumëpalëshe.

Sipas programit, temat do të përfshijnë hapësirën dhe mbikëqyrjen, mbrojtjen e integruar ajrore dhe raketore, kapacitetet goditëse, bashkëprodhimin transatlantik, inovacionin, bashkëpunimin NATO-industri dhe garantimin e investimeve konkrete në mbrojtje.


Telegrafi po e përcjell nga afër këtë ngjarje të rëndësishme në Ankara dhe po raporton nga vendi i ngjarjes, duke sjellë zhvillimet kryesore, deklaratat dhe vendimet që pritet të dalin nga Forumi i Industrisë së Mbrojtjes dhe Samiti i NATO-s. /Telegrafi/

  •  
❌