Reading view

Gazetari nga Bosnja e Hercegovina, Milaviq: Samiti i NATO-s në Ankara ndër më të rëndësishmit e viteve të fundit, Ballkani nuk pritet të jetë në fokus



Redaktori i politikës së jashtme në televizonin “N1 në Bosnje e Hercegovinë” Esmir Milaviq, ka deklaruar se Samiti i NATO-s në Ankara pritet të jetë një nga më rëndësishmit në historinë e fundit të Aleancës, për shkak të situatës së ndërlikuar globale dhe zhvillimeve politike brenda vetë NATO-s.

Sipas tij, një nga arsyet kryesore është se samiti po mbahet në një kohë kur bota po përballet me disa konflikte të mëdha, përfshirë luftën në Ukrainë dhe krizën në Lindjen e Mesme.

“Ky samit pritet të jetë një nga më interesantët në historinë e fundit, sepse aktualisht kemi disa konflikte në botë, si lufta në Ukrainë dhe situata në Lindjen e Mesme”, ka thënë Milaviq, shkruan Telegrafi.

Ai ka shtuar se një rol të rëndësishëm në këtë takim pritet ta ketë edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, jo vetëm për shkak të pozitës së tij, por edhe për raportet e ndërlikuara me disa liderë të NATO-s.


Sipas Milaviq, këto raporte mund të ndikojnë edhe në ecurinë dhe suksesin e samitit.

Një tjetër element i rëndësishëm, sipas tij, është Turqia si vend nikoqir, pasi Ankaraja synon të luajë një rol më të madh gjeopolitik.

Duke folur për Ballkanin, Milaviq ka vlerësuar se rajoni me shumë gjasë nuk do të jetë pjesë e agjendës zyrtare të samitit.

Ai ka theksuar se as vendet që aktualisht janë jashtë NATO-s, përfshirë Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Serbinë, nuk pritet të jenë temë qendrore.

Megjithatë, ai nuk e përjashton mundësinë që Ballkani të përmendet në diskutime, veçanërisht për shkak të pranisë së KFOR-it në Kosovë dhe reduktimit të numrit të trupave.

Sipas tij, pas vendimit të mëhershëm për rritjen e pranisë ushtarake, tani vlerësimi është se situata në Kosovë është përmirësuar, ndaj edhe numri i ushtarëve po zvogëlohet.

Sa i përket Bosnjës dhe Hercegovinës, Milaviq ka thënë se muajt e fundit nuk ka pasur zhvillime konkrete që do ta vendosnin këtë vend në qendër të agjendës së NATO-s.

Ai ka përfunduar se Ballkani, për momentin, nuk po trajtohet si çështje e “rëndësisë së parë”, por rajoni mbetet nën vëzhgim dhe mund të rikthehet në agjendën e Aleancës në të ardhmen./Telegrafi/.

  •  

Telegrafi në Ankara: Samiti i NATO-s nis me masa të shtuara sigurie, Kosova pa përfaqësues në takim



NATO hap samitin në Ankara nën masa të shtuara sigurie, ndërsa përfaqësues të mediave ndërkombëtare tashmë janë akredituar dhe kanë nisur raportimet e para nga një prej ngjarjeve më të rëndësishme të Aleancës Veriatlantike.

Samiti i NATO-s në kryeqytetin turk po mbahet në një atmosferë të kontrolluar sigurie, me masa të rrepta dhe ndalim të tubimeve publike në Ankara.


Siç ka raportuar Telegrafi ditë më parë, para nisjes së samitit janë shënuar arrestime të shumta. Sipas autoriteteve dhe raportimeve, gjithsej janë arrestuar 225 persona, prej të cilëve 178 aktualisht ndodhen në paraburgim.


Në mesin e të ndaluarve raportohet se ka aktivistë të të drejtave të njeriut, përfaqësues të shoqërisë civile, akademikë, aktivistë mjedisorë, gazetarë dhe studentë. Në Ankara është në fuqi edhe një ndalim dyjavor i tubimeve publike.

Në samit pritet të marrin pjesë liderë të vendeve anëtare të Aleancës, dhjetëra zyrtarë shtetërorë, ministra, diplomatë të lartë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.


Në fokus të diskutimeve do të jenë rritja e investimeve në mbrojtje, mbështetja për Ukrainën, teknologjitë e reja ushtarake dhe forcimi i bashkëpunimit mes aleatëve.


Sipas raportimit të Telegrafit nga Ankara, Ballkani Perëndimor nuk pritet të jetë në fokus të këtij samiti, ndërsa në punimet e sivjetme nuk ka përfaqësues nga Kosova, Bosnja dhe Hercegovina apo Serbia./Telegrafi/

  •  

NATO nesër në Ankara, në tryezë miliardat për mbrojtje dhe prodhimi ushtarak



Forumi i Industrisë së Mbrojtjes i Samitit të NATO-s do të mbahet më 7 korrik 2026 në Ankara të Turqisë, si pjesë e Samitit të NATO-s për këtë vit.

Ngjarja cilësohet nga Aleanca si forumi kryesor i nivelit të lartë për prodhimin, investimet dhe inovacionin në mbrojtjen transatlantike shkruan Telegrafi.

Sipas NATO-s, forumi do të mbledhë zyrtarë të lartë të Aleancës, përfaqësues të vendeve aleate dhe partnere, liderë të industrisë së mbrojtjes dhe komunitete të inovacionit, për të diskutuar sfidat më urgjente në këtë fushë.

Fokusi kryesor do të jetë progresi i aleatëve drejt planit historik të NATO-s për investime në mbrojtje prej 5 për qind, si dhe mënyra se si këto mjete po shndërrohen në rritje të prodhimit, bashkëpunim më të madh dhe prokurim të përbashkët.

Programi parasheh sesione të mbyllura gjatë paradites dhe seanca plenare gjatë pasdites, të cilat do të transmetohen drejtpërdrejt për publikun dhe do të jenë të hapura për mediat. Për herë të parë, në kuadër të forumit do të ketë edhe njoftime të nivelit të lartë për marrëveshje, iniciativa dhe rezultate konkrete në fushën e mbrojtjes.


Temat pritet të përfshijnë bashkëprodhimin transatlantik, inovacionin, bashkëpunimin praktik mes NATO-s dhe industrisë, hapësirën dhe mbikëqyrjen, mbrojtjen e integruar ajrore dhe raketore, si dhe kapacitetet goditëse.

Samiti mbahet në një moment të ndjeshëm gjeopolitik, me luftën në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe debatet për rolin e Evropës në sigurinë e saj si tema që po peshojnë mbi Aleancën.

Sipas mediave ndërkombëtare, takimi i Ankarasë shihet edhe si test për unitetin transatlantik, ndërsa pritet të rikonfirmohet mbështetja për Ukrainën dhe të theksohet nevoja për një NATO më të unifikuar dhe më të vendosur.

Telegrafi po e përcjell ngjarjen nga Ankaraja dhe do të sjellë informacione në kohë reale. /Telegrafi/.

  •  
❌