Reading view

Zulfaj i përgjigjet Përparim Ramës: Nuk e njeh procesin e integrimeve, Qeveria nuk ka bllokuar asnjë proces



Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, i është përgjigjur kritikave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka akuzuar Qeverinë për izolim ndërkombëtar, humbje të fondeve të BE-së dhe dëmtim të ekonomisë.

Në një intervistë në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Zulfaj tha se Rama nuk e njeh procesin e integrimit evropian, procesin e ligjbërjes dhe as reformat që janë pjesë e Planit të Rritjes.

“Unë mendoj që kryetari i Prishtinës nuk e di çka po flet, sepse nuk e njeh as procesin e integrimeve, as procesin e ligjbërjes, e as reformat të cilat janë në Planin e Reformave”, deklaroi Zulfaj shkruan Telegrafi.



Ai shtoi se Rama do të duhej të merrej më shumë me problemet e kryeqytetit sesa me temat që, sipas tij, nuk i njeh mjaftueshëm.

“Mendoj që duhet të merret me bllokadën e Prishtinës, që është e bllokuar gjithandej”, tha Zulfaj.

Duke iu përgjigjur akuzave se Qeveria ka bllokuar proceset, Zulfaj tha se Qeveria nuk ka bllokuar asnjë prej tyre. Sipas tij, marrëveshja për instrumentin e Planit të Rritjes i ishte dërguar Kuvendit në nëntor të vitit 2024, por më pas procesi u bllokua në Kuvend.


“Qeveria nuk po e bllokon atë. Dhe në anën tjetër, Qeveria nuk i ka bllokuar asnjë prej proceseve. Qeveria ia ka dërguar marrëveshjen për instrumentin Kuvendit në nëntorin e vitit 2024”, u shpreh ai.

Zulfaj tha se bllokada në Kuvend ka ndikuar që Kosova të mos i përmbushë me kohë disa reforma të lidhura me Planin e Rritjes, duke rrezikuar humbjen e mbi 40 milionë eurove.

Ai e drejtoi përgjegjësinë te opozita, duke thënë se bllokimi i Kuvendit ka penguar miratimin e marrëveshjeve dhe ligjeve të nevojshme.

“Opozita e bllokoi gjatë gjithë vitit kalimin e dy marrëveshjeve për Planin e Rritjes, në mënyrë që ai të hynte në fuqi dhe reformat të fillonin sa më shpejt”, tha Zulfaj.

Sipas tij, nëse Kuvendi do të kishte funksionuar, ligjet që kanë qenë pjesë e reformave do të mund të miratoheshin me kohë.

“Sikur Kuvendi të funksiononte, shumë ligje, për mos thënë të gjitha ato që ishin pjesë e këtyre hapave, do të mund të kaloheshin”, deklaroi ai.

- YouTube www.youtube.com

Zulfaj tha se mjetet e humbura nuk janë dëm për një parti apo qeveri të caktuar, por për vetë Republikën e Kosovës.

“Mjetet që humbin nuk janë për mua, as për Qeverinë, janë për Republikën”, theksoi Zulfaj.

Ai shtoi se reformat do të përmbushen sapo të formohen institucionet e reja, por problemi është se ato nuk janë kryer brenda afateve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.


“Të gjitha këto pesë ligje dhe Strategjia kundër Krimit të Organizuar, në momentin që bëhet Qeveria dhe Kuvendi i ri, do të bëhen. Problemi është që nuk i kemi kryer në afatin e duhur, sipas agjendës, për të kërkuar lirimin e fondeve”, përfundoi Zulfaj./Telegrafi/.

  •  

Zulfaj: Kosova nuk po rri në vend pas aplikimit në BE, po përgatitet për pyetësorin e Komisionit Evropian



Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se Kosova nuk po qëndron në vend pas aplikimit për anëtarësim në BE, por po përgatitet për hapat e ardhshëm të procesit integrues.

Në një intervistë në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Zulfaj tha se aplikimi ka qenë hapi i parë i domosdoshëm, pavarësisht kritikave se Kosova mund të jetë ngutur.



“Kosova nuk po rri në vend. Në mandatin e parë ne e kemi bërë aplikimin. Kishte shumë zëra që thoshin se nuk duhet të aplikohej, se Kosova është ngutur, mirëpo nuk mund të pranohesh në Bashkimin Evropian pa aplikuar”, deklaroi Zulfaj.

Ai pranoi se Kosova ka sfidë shtesë për shkak të pesë vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, duke shtuar se për këtë nevojitet “përpjekje e dyfishtë”.

- YouTube www.youtube.com

Zulfaj bëri të ditur se institucionet do të fillojnë përgatitjen e përgjigjeve për pyetësorin e Komisionit Evropian edhe para se ai të dërgohet zyrtarisht nga Brukseli.

“Ne do të fillojmë shumë shpejt përgjigjet ndaj pyetësorit, ende pa na ardhur nga Komisioni Evropian. Pse duhet t’i vonojmë pastaj katër muaj përgjigjet?”, tha ai.

Sipas tij, pyetësori është proces voluminoz, me mijëra faqe përgjigje që duhet të përgatiten nga institucionet e Kosovës.

Zulfaj tha se Kosova synon të kursejë kohë edhe në procesin e “screening”, duke u përgatitur paraprakisht dhe duke marrë përvojë nga Shqipëria.

“Gjatë përgjigjes së pyetësorit do ta kemi këtë në mendje, ashtu që të kursejmë dy-tri vite kohë në procesin e screening”, u shpreh ai.

Ai tregoi se ka zhvilluar takime në Tiranë me kryenegociatoren e Shqipërisë, Majlinda Dhuka, për të marrë përvojat e Shqipërisë në procesin negociues me BE-në.

Kryenegociatori tha se Kosova po punon edhe me pesë vendet mosnjohëse, ndërsa theksoi se ka aleatë të mjaftueshëm brenda BE-së.

“Mendoj që kemi aleatë të mjaftueshëm. Vendet e mëdha, sikurse Franca, Gjermania dhe Italia, kanë mbështetje, sepse e kanë shfaqur zgjerimin si prioritet strategjik”, deklaroi Zulfaj.


Ai shtoi se Kosova ka kërkuar të vlerësohet në bazë të meritave të saj dhe të mos mbahet peng nga mungesa e vullnetit të Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.

“Ne kemi kërkuar që të vlerësohemi në meritën tonë dhe të mos na mbajë prapa mungesa e vullnetit të Serbisë për normalizim”, tha ai.

Në fund, Zulfaj theksoi se anëtarësimi në BE nuk është vetëm proces politik, por lidhet drejtpërdrejt me përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian për ne kuptohet si përmirësim i mirëqenies, i kualitetit të jetës, përmirësim i kualitetit të ajrit, ujë i pastër, energji e qëndrueshme, transport publik funksional, paga të mira dhe mirëqenie në Kosovë”, përfundoi Zulfaj./Telegrafi/

  •  

Zulfaj për humbjen e mbi 40 milionë eurove nga BE-ja: Shkak është bllokada në Kuvend



Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se Kosova pritet të humbë mbi 40 milionë euro nga Plani i Rritjes, për shkak të moszbatimit me kohë të disa reformave që ishin të lidhura me afatet e Bashkimit Evropian.

Në një intervistë në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Zulfaj tha se problemi kryesor nuk ka qenë mungesa e gatishmërisë së institucioneve për t’i zbatuar reformat, por bllokada në Kuvend, pasi shumica e hapave të papërmbushur kërkonin miratimin e ligjeve.

“Janë trembëdhjetë hapa të cilët ishin me afat deri më 30 qershor. Gjashtë prej këtyre hapave, siç thashë, ne megjithatë do t’i shtyjmë përpara”, tha Zulfaj shkruan Telegrafi.

- YouTube www.youtube.com

Ai theksoi se nga hapat që nuk u përmbushën, pesë kanë të bëjnë me ligje që duhet të kalohen në Kuvend, ndërsa një tjetër lidhet me Strategjinë kundër Krimit të Organizuar, e cila, sipas tij, nuk mund të miratohet nga një qeveri në detyrë.

“Në këta gjashtë hapa, pesë prej tyre janë ligje që duhet të miratohen nga Kuvendi. Është edhe një strategji, Strategjia kundër Krimit të Organizuar, e cila sipas ligjit duhet të aprovohet nga qeveria në funksion të plotë dhe jo si qeveri në detyrë”, deklaroi ai.


Zulfaj tha se sikur Kuvendi të funksiononte, shumë prej reformave do të mund të kalonin në kohë.

“Sikur Kuvendi të funksiononte, shumë ligje, për mos thënë të gjitha ato që ishin pjesë e këtyre hapave, do të mund të kaloheshin”, u shpreh ai.

Sipas tij, ngadalësimi në zbatimin e reformave duhet t’i adresohet bllokadës në Kuvend.

“Mendoj që ngadalësimi në kryerjen e reformave duhet t’i adresohet shumë Kuvendit, bllokadës që ka ndodhur në Kuvend”, tha Zulfaj.

Jeton Zulfaj - Krynegociator i Kosovës për BE dhe Muhamet Hajrullahu, kryedaktor i Telegrafit.Foto: Ridvan Slivova

Ai bëri të ditur se Kosova do të dërgojë më 15 korrik kërkesë për lirimin e fondeve nga BE-ja, mbi bazën e hapave që institucionet konsiderojnë se janë përmbushur.

“Ne do ta dërgojmë një kërkesë për lirimin e fondeve mbi bazën e vlerësimit për hapat që i kemi përfunduar. Janë 18 hapa të cilët konsiderojmë që janë përfunduar dhe mbi këtë bazë do të kërkojmë lirimin e fondeve më 15 korrik”, tha Zulfaj.

Ai shtoi se kërkesa e Kosovës për lirimin e fondeve pritet të jetë mbi 100 milionë euro.

“Llogaria që ne do ta kërkojmë për lirimin e fondeve do të jetë mbi 100 milionë euro, mbi bazën e asaj që ne vlerësojmë se kemi përfunduar”, deklaroi ai.

Zulfaj sqaroi se Komisioni Evropian do të ketë 90 ditë afat për ta vlerësuar kërkesën e Kosovës dhe për të vendosur se cilat mjete mund të lirohen.

Zulfaj tha se fondet e Planit të Rritjes nuk janë mjete për qeverinë, por për Republikën e Kosovës.

“Mjetet që humbin nuk janë për mua, as për Qeverinë, janë për Republikën”, u shpreh ai.

Foto: Ridvan Slivova

Ai theksoi se reformat e papërmbushura do të kryhen sapo të krijohen institucionet e reja, por problemi është se ato nuk janë përfunduar brenda afateve të BE-së.

“Të gjitha këto pesë ligje dhe Strategjia kundër Krimit të Organizuar, në momentin që bëhet qeveria dhe Kuvendi i ri, do të bëhen. Problemi është që nuk i kemi kryer në afatin e duhur, sipas agjendës, për të kërkuar lirimin e fondeve”, tha Zulfaj.

Duke folur për procesin e integrimit evropian, Zulfaj tha se Kosova nuk po qëndron në vend pas aplikimit për anëtarësim në BE. Ai bëri të ditur se institucionet do të fillojnë përgatitjen e përgjigjeve për pyetësorin e Komisionit Evropian ende pa ardhur zyrtarisht.

Në fund, ai tha se integrimi evropian është proces gjithëshoqëror dhe se përgjegjësia për zbatimin e reformave nuk bie vetëm mbi një institucion/Telegrafi/.

  •  

Paga minimale 500 euro: Kush fiton, kush humb?



Paga minimale në Kosovë është rritur në 500 euro bruto në muaj, duke prekur, sipas zyrtarëve, rreth 150.000 punëtorë të sektorit privat. Derisa Qeveria e ka paraqitur vendimin si mbështetje për punëtorët, ekspertët vënë në pikëpyetje ndikimin e tij në mirëqenien e qytetarëve dhe ekonominë. Çfarë, realisht, pritet të sjellë kjo rritje?

Mijëra punëtorë në Kosovë pritet të përfitojnë nga rritja e pagës minimale në 500 euro bruto në muaj, e cila hyri në fuqi më 1 korrik.

Por, mbetet e paqartë nëse kjo rritje do të përkthehet në një përmirësim të mirëfilltë të standardit të jetesës së tyre, përballë inflacionit dhe rritjes së vazhdueshme të çmimeve

Deri më tani, nuk është publikuar ndonjë analizë e hollësishme zyrtare mbi ndikimin e kësaj rritjeje apo në fuqinë blerëse të familjeve.

Ekspertë, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, vlerësojnë se paga e re minimale nuk mjafton për të mbuluar shpenzimet mujore të një familjeje në Kosovë.

Qeveria e Albin Kurtit, tani kryeministër në detyrë, e mori këtë vendim në tetorin e 2025-tës, në prag të zgjedhjeve lokale, ndërsa ai hyri në fuqi në dy faza, në janar dhe në korrik 2026.

Vendimi prek rreth 150.000 punëtorë të sektorit privat, sipas zyrtarëve.

Mungesa e një studimi paraprak

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, kishte thënë pas vendimit për rritjen e pagës minimale se ai erdhi pas “analizave dhe diskutimeve që kemi pasur, si dhe propozimeve dhe sugjerimeve që kemi marrë nga përfaqësues të sindikatave dhe bizneseve”.

Por, pretendimet e Muratit hidhen poshtë nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, i cili akuzon Qeverinë për mospërfshirjen e Odës dhe të bizneseve në analizimin e ndikimit të pagës së re minimale.

“Nuk jemi konsultuar. Nuk e kemi parë asnjë raport, asnjë studim. Kjo është pikërisht kërkesa jonë”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.

Ekonomisti Safet Gërxhaliu vlerëson se Qeveria e “politizoi” pagën minimale, duke anashkaluar aktorët e tjerë nga diskutimet rreth ndikimit para marrjes së vendimit.

“Asnjë pagë, qoftë minimale, qoftë mesatare, nuk duhet të politizohet, sepse kjo vetëm e dëmton aspektin ekonomik dhe social. Dhe, në këtë drejtim, definitivisht, paga minimale duhet të jetë e diskutuar dhe e kalkuluar në trendët e rritjes së inflacionit”, shpjegon ai për Radion Evropa e Lirë.

A mjafton kjo rritje?

Paga minimale, tani 500 euro, u rrit fillimisht në 425 euro në janar, nga 350 sa ishte paraprakisht.

Me një inflacion të rritur në rreth 6.8 për qind, dhe një ekonomi të ngadalësuar, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, paga e re minimale në Kosovë nuk do të ndihmojë në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, thonë ekspertët.

“Në rrethana reale, në një ekonomi të qëndrueshme, është dashur të fitojë qytetari, por duke pasur parasysh faktin që jemi një shtet i varur nga importi dhe afër 90% e të hyrave familjare shkojnë në konsum, atëherë shumë më tepër do të fitojnë tregtia dhe importi, sesa qytetarët dhe shteti”, vlerëson Gërxhaliu

Një hulumtim, i publikuar më 2024 nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, në Prishtinë, ka gjetur se një familje 4-anëtarëshe në Kosovë shpenzon mesatarisht mbi 1.100 euro në muaj për ushqim, strehim, arsim, shëndetësi dhe transport.

Në zonat urbane, shpenzimet arrijnë mbi 1.200 euro, ndërsa në ato rurale rreth 1.090 euro.

Rafuna thotë se paga minimale prej 500 eurosh “nuk i mbulon” nevojat e kostot reale jetësore të familjes në Kosovë.

Ai shton se Qeveria ka mundur të vinte me një vendim më të mirë për pagën minimale, sikur t’i jepte mundësi OEK-ut për të sjellë propozime pas bisedimeve me përfaqësuesit e tij, me anëtarët e Odës, por edhe me joanëtarët e saj.

Ndikimi tek bizneset dhe informaliteti

Ekspertët e ekonomisë parashikojnë ndikim negativ tek bizneset, që, sipas Gërxhalut, “nuk kanë qenë të përgatitura që do të ndodhë diçka e tillë”, pasi nuk janë konsultuar nga Qeveria.

“E tërë kjo do të ndikojë në radhë të parë në tkurrje apo në zvogëlim të vendeve të punës, në rendin e kërkesës për punëtorë dhe, kuptohet, si efekt i tretë do të jetë edhe tentativa për informalitet”, vlerëson ai.

Rafuna, në anën tjetër, pajtohet se bizneset mund të preken, por nuk mendon se do të ketë rritje të informalitetit.

“Sipas të dhënave tona, nuk do të ketë informalitet, për shkak se [...] sektori privat ka lëvizur goxha mirë me paga si rezultat edhe i kohës, por edhe si rezultat i kërkesës për të pasur fuqi punëtore të mirë dhe kualitative brenda ndërmarrjes”, tregon ai

Ai shpjegon ndikimin tek bizneset e mesme dhe ato të reja, apo start-up.

“Te bizneset e mesme, sfiduese është ngarkesa, se edhe është rritur pragu i pagës minimale, por edhe nuk është liruar nga tatimi i të ardhurave personale”, thotë ai.

Për shembull, fqinja e Kosovës, Shqipëria, në janar e rriti pagën minimale në 50.000 lekë, apo 500 euro, dhe vendosi se ajo nuk do të tatohet

Ministria në detyrë e Financave në Kosovë nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse do të tatohet apo jo paga minimale.

Rafuna thotë se situata e re do të jetë “shumë sfiduese” edhe për bizneset e vogla, për shkak se “ato janë në hapat e parë, në ditët e para, dhe paga minimale prej 500 eurove padyshim që do t’i shtyjë ose ta kufizojnë numrin e stafit, ose të riorganizohen”.

  •  
❌