Reading view

Kosova mungon në Samitin në Ankara, NATO jep sqarimin zyrtar



NATO është deklaruar për interesimin që po ndodh në Kosovë lidhur me mospjesëmarrjen e vendit në Samitin e NATO-s që do të mbahet në Ankara më 7 dhe 8 korrik, duke bërë të ditur se programi i samitit është i përqendruar te 32 shtetet aleate dhe një numër i kufizuar partnerësh.

Në një përgjigje për Telegrafin, një zyrtar i NATO-s tha se temat kryesore të samitit do të jenë investimet në mbrojtje, rritja e kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes dhe mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën.

“Temat kryesore të Samitit të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s në Ankara këtë korrik janë investimet në mbrojtje, prodhimi industrial i mbrojtjes dhe mbështetja për Ukrainën”, thuhet në përgjigje shkruan Telegrafi.

Zyrtari i NATO-s rikujtoi edhe deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, sipas të cilit fokusi i aleancës mbetet zbatimi i angazhimeve të marra nga shtetet anëtare.

“Detyra përpara është e qartë: të shndërrohen angazhimet e Aleatëve në rezultate konkrete. Rritja e investimeve, prodhimi industrial dhe mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën. E gjithë kjo kontribuon në një NATO më të fortë dhe siguri më të madhe për të gjithë ne”, kishte deklaruar Rutte.

Sipas NATO-s, programi i samitit do të përfshijë takimin e 32 krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare, si dhe angazhime me disa partnerë të Aleancës.

“Programi do të përfshijë një takim të 32 Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s, si dhe angazhime me disa nga partnerët tanë, përfshirë Ukrainën, Bashkimin Evropian, Indo-Paqësorin dhe Iniciativën e Bashkëpunimit të Stambollit”, thuhet në përgjigje për Telegrafin.

Ndonëse Kosova nuk është pjesë e listës së pjesëmarrësve në samit, NATO thekson se Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën dhe se angazhimi për sigurinë në rajon vazhdon të jetë i pandryshuar.

“Ballkani Perëndimor mbetet lart në axhendën e NATO-s. Është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Angazhimi ynë për stabilitetin e rajonit është i palëkundur dhe nuk do të lejojmë të krijohet një boshllëk sigurie”, thuhet në përgjigje.

Në të njëjtën përgjigje, NATO nënvizon se misioni i KFOR-it vazhdon të ketë një rol kyç në garantimin e sigurisë në Kosovë.

“KFOR-i vazhdon të luajë një rol kritik sigurie në Kosovë, nën një mandat afatgjatë të OKB-së, ndërsa ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me Bashkimin Evropian. Siguria e Ballkanit Perëndimor është jetike edhe për ne dhe nuk do të lejojmë që ajo të rrezikohet”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s.

Përgjigjja e NATO-s vjen pas diskutimeve dhe reagimeve të shumta në Kosovë lidhur me faktin se vendi nuk figuron në mesin e pjesëmarrësve të Samitit të NATO-s në Ankara.


Ndryshe Telegrafi do të përcjellë samitin e NATO-s që do të mbahet në Ankara. /Telegrafi/.

  •  

Nga ushqimi te metali – Ajvazi zbulon cilët sektorë po e mbajnë gjallë ekonominë e Kosovës



Industria ushqimore vazhdon të jetë shtylla kryesore e prodhimit në Kosovë, ndërsa përpunimi i drurit, plastika, shërbimet dhe industria metalpërpunuese janë ndër sektorët me potencialin më të madh për zhvillim dhe eksport.

Kështu deklaroi kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës (OEK), Kushtrim Ajvazi, në "Përballje Podcast", ku foli për sektorët që aktualisht po e mbajnë industrinë prodhuese të vendit.

Sipas tij, industria ushqimore vazhdon të shënojë rritje të qëndrueshme dhe po konkurron gjithnjë e më shumë produktet e importuara.

"Industria ushqimore vazhdon të ketë një zhvillim të mirë dhe po e zëvendëson importin, duke konkurruar si në cilësi ashtu edhe në çmim", tha Ajvazi shkruan Telegrafi.


Ai veçoi edhe industrinë e përpunimit të drurit si një nga sektorët me potencialin më të madh eksportues, ndërsa tha se edhe industria e plastikës po shënon rritje të vazhdueshme.

Një sektor që, sipas tij, po jep rezultate të mira është edhe industria e shërbimeve.

- YouTube www.youtube.com

"Industria e shërbimeve është e vetmja që ka suficit në eksport. Edhe pse nuk është prodhim fizik, ajo është një nga historitë më të suksesshme të ekonomisë sonë", u shpreh Ajvazi.

Ai përmendi edhe industrinë metal-përpunuese si një sektor me potencial, por paralajmëroi se kompanitë do të përballen me sfida të reja për shkak të taksës së karbonit që po zbatohet në tregun evropian.

"Industria metalpërpunuese ka potencial të madh, por po përballet me sfida, sidomos në tregun evropian për shkak të taksës së karbonit. Si shtet duhet të ndërhyjmë me politika që e bëjnë industrinë më të gjelbër, sepse së shpejti të gjitha kompanitë prodhuese do të ngarkohen me këtë taksë", deklaroi Ajvazi.

Sipas tij, mbështetja e këtyre sektorëve është thelbësore për rritjen e prodhimit vendor, zgjerimin e eksporteve dhe uljen e varësisë së Kosovës nga importi./Telegrafi/.

  •  

Ajvazi: "Na lodhën me fjalë boshe" – prodhuesit kërkojnë të jenë pjesë e vendimmarrjes



Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës (OEK), Kushtrim Ajvazi, ka kritikuar mënyrën se si institucionet po marrin vendime që ndikojnë drejtpërdrejt sektorin prodhues, duke thënë se bizneset shpesh nuk konsultohen gjatë hartimit të ligjeve dhe politikave ekonomike.

Në një diskutim në "Përballje Podcast", Ajvazi tha se prodhuesit nuk kërkojnë trajtim të privilegjuar apo subvencione, por kërkojnë të jenë pjesë e procesit të vendimmarrjes.

“Ne realisht nuk po kërkojmë që qeveria të vijë te ne. Ne shkojmë te ata. Ajo çfarë po kërkojmë është bashkëpunim. Kur merren vendime dhe hartohen ligje që prekin sektorin prodhues, të na thërrasin në konsultim dhe ta japim edhe kontributin tonë”, deklaroi Ajvazi shkruan Telegrafi.


Ai tha se përvoja e prodhuesve me daljen në tregun e lirë të energjisë elektrike është shembulli më i mirë se si vendimet janë marrë pa koordinim me sektorin privat.

Sipas tij, përfaqësuesit e prodhuesve kishin paralajmëruar për pasojat financiare që mund të sillte ky proces, por kërkesat e tyre nuk u morën parasysh.

“Ne kemi thënë: mos na nxirrni në tregun e lirë në këtë formë. Pastaj u tha se do të na ndihmonin. A na ndihmoi dikush? Jo. Na lodhën me fjalë boshe. Ne kërkojmë gjëra konkrete, kërkojmë veprime”, u shpreh Ajvazi

Ai theksoi se bizneset nuk kundërshtojnë reformat apo ndryshimet ligjore, por kërkojnë që ato të planifikohen në bashkëpunim me sektorin privat dhe të mos vendosen pa konsultim.

- YouTube www.youtube.com

“Shpesh na kanë thirrur në takime, por vendimet janë marrë ndryshe. Nuk mjafton të ftohemi në diskutime, rëndësi ka që vendimet të merren në koordinim me sektorin prodhues”, tha Ajvazi.

Sipas tij, prodhuesit vendorë janë të gatshëm të japin kontributin e tyre në hartimin e politikave publike, pasi qëllimi i përbashkët duhet të jetë zhvillimi ekonomik i vendit dhe krijimi i kushteve më të favorshme për industrinë.


“Nuk po kërkojmë që shteti vetëm të japë. Edhe ne duam ta japim kontributin tonë. Por ligjet duhet të ndërtohen bashkë me ata që preken drejtpërdrejt nga to”, përfundoi Ajvazi

  •  
❌