Reading view

Emini: Kosova po pret nga BE-ja, por pa lobim nuk ka lëvizje



Analistja politike dhe aktivistja e shoqërisë civile, Donika Emini, vlerëson se Kosova nuk po e shfrytëzon një moment të rëndësishëm politik në Bashkimin Evropian, në një kohë kur zgjerimi është rikthyer në agjendën e Brukselit dhe ekziston një klimë më e favorshme për avancimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në “Përballje Podcast” në Telegrafi, Emini tha se aktualisht në krye të portofolit të zgjerimit ndodhet një komisionere që e mbështet fuqishëm procesin e integrimit të vendeve të rajonit, por sipas saj Kosova nuk po e shfrytëzon këtë momentum.

“Po humbet një moment tepër të rëndësishëm, sepse për momentin Marta Kos është një komisionere që e ka marrë zgjerimin seriozisht dhe po lobon për zgjerimin në Bruksel. Nuk është e lehtë të lobosh për zgjerim në Bashkimin Evropian, sepse ka shtete që e mbështesin, por ka edhe vende që vazhdojnë të jenë skeptike”, tha Emini gjatë diskutimit me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.

Ajo theksoi se brenda Bashkimit Evropian vazhdon debati nëse duhet të ketë zgjerim të mëtejmë apo fillimisht reformim të brendshëm të unionit, duke përmendur Francën si një nga shtetet që tradicionalisht ka favorizuar thellimin e integrimit para zgjerimit

Megjithatë, sipas saj, pikërisht në këtë periudhë Kosova ka pasur mundësi të kërkojë më fuqishëm avancimin e statusit të saj në raport me BE-në

- YouTube www.youtube.com

“Në këto momente Kosova ka mundur të shtyjë përpara kërkesën për statusin e vendit kandidat. E kemi një Serbi që po përballet me probleme të shumta dhe një Komision Evropian që është shumë më proaktiv sesa në të kaluarën”, deklaroi ajo.

Emini kritikoi qasjen e institucioneve kosovare, të cilat sipas saj po arsyetohen me mungesën e reagimit nga Brukseli, ndërkohë që problemi kryesor mbetet mungesa e lobimit dhe diplomacisë aktive.

“Nuk ka lëvizje sepse nuk ka lobim. Bashkimi Evropian sot ka në tavolinë Ukrainën, Moldavinë, Turqinë dhe shumë sfida të tjera gjeopolitike. Nuk mjafton të thuash se kemi aplikuar dhe të presësh përgjigje”, u shpreh ajo.

Sipas Eminit, Kosova duhet të ndjekë një qasje më të guximshme dhe të kërkojë avancim të marrëdhënieve kontraktuale me BE-në, pavarësisht faktit që pesë shtete anëtare ende nuk e njohin pavarësinë e saj.

“Kosova mund të argumentojë se, pavarësisht problemit me pesë vendet mosnjohëse, marrëveshjet ekzistuese me Bashkimin Evropian i lejojnë asaj të ndërtojë marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Duhej të kërkonte hapjen e negociatave dhe kapitujve, ndërsa çështjet e tjera të trajtoheshin gjatë procesit”, tha ajo.


Emini vlerësoi se me përbërjen aktuale të Komisionit Evropian ekziston një mundësi reale për hapa të rinj në raportet Kosovë-BE, por theksoi se kjo kërkon angazhim të vazhdueshëm politik dhe diplomatik nga institucionet kosovare.

“Kjo mund t’i jepej Kosovës. Me këtë Komision Evropian po. Por duhet angazhim, duhet vizion dhe duhet lobim i vazhdueshëm në Bruksel dhe në kryeqytetet evropiane”, përfundoi Emini./Telegrafi/.

  •  

Letra e Haxhiut për KGJK-në: Të trajtohen pa vonesa dorëheqjet e gjyqtarëve serbë të vitit 2022



Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka kërkuar kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaçi, që të trajtojë pa vonesa dorëheqjet e gjyqtarëve të komunitetit serb, të paraqitura në vitin 2022.

Në letrën e siguruar nga Telegrafi, Haxhiu shpreh shqetësimin për mosprocedimin e këtyre rasteve, duke theksuar se sipas legjislacionit në fuqi, pas dorëheqjes së gjyqtarit, KGJK-ja i propozon Presidentit lirimin e tij nga detyra.

“Përmes kësaj letre, më lejoni të shpreh shqetësimin tim për mosmiratimin e dorëheqjeve të gjyqtarëve të komunitetit serb, të paraqitura në vitin 2022”, thuhet në letrën e Haxhiut shkruan Telergafi.

Ajo vlerëson se shqyrtimi dhe vendimmarrja për këto dorëheqje janë përgjegjësi e KGJK-së, ndërsa shton se institucioni nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për përmbylljen e procedurave përkatëse.

Sipas Haxhiut, mbajtja pezull e këtyre pozitave për një periudhë të gjatë po ndikon në funksionimin e sistemit të drejtësisë.

“Mbajtja pezull e këtyre pozitave për një periudhë kaq të gjatë cenon sigurinë juridike, pengon funksionimin e plotë të sistemit të drejtësisë dhe ndikon në efikasitetin e institucioneve përgjegjëse”, theksohet në letër.

Në fund, Haxhiu kërkon nga KGJK-ja që, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore për të siguruar funksionimin e rregullt, efektiv dhe gjithëpërfshirës të sistemit të drejtësisë në Kosovë./Telegrafi/.

  •  

Emini: Kosova humbi një vit në krizë politike, tani po rrezikon edhe shansin evropian



Analistja politike dhe aktivistja e shoqërisë civile, Donika Emini, ka vlerësuar se Kosova po përballet me rrezikun e vazhdimit të krizës politike edhe pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ndërsa paralajmëroi se vendi mund të humbasë një moment të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian nëse institucionet nuk formohen shpejt.

Në “Përballje Podcast” në Telegrafi, Emini tha se zgjedhjet nuk e kanë zgjidhur problemin politik, por vetëm e kanë zhvendosur atë në një fazë tjetër.

“Gjithmonë ekziston frika që do të vazhdojë kriza politike. Për mua, kriza politike nuk ka përfunduar më 7 qershor. Ajo vetëm i ka hapur rrugë një situate tjetër po aq të paqartë”, deklaroi Emini shkruan Telegrafi.

- YouTube www.youtube.com

Sipas saj, Kosova është rikthyer pothuajse në të njëjtën pikë ku ndodhej para një viti, ndërsa zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk sollën zgjidhje për ngërçin institucional

“Ne jemi kthyer pothuajse te rezultatet e mëparshme. Praktikisht kemi humbur një vit për pothuajse asgjë të rëndësishme. Këto zgjedhje u organizuan më shumë për aritmetikë parlamentare sesa për të zgjidhur problemet reale”, u shpreh ajo.

Emini kritikoi klasën politike për mungesën e kompromisit, duke theksuar se sistemi kushtetues i Kosovës është ndërtuar mbi nevojën për marrëveshje politike dhe jo për përjashtim të kundërshtarit.

“Problemi më i madh është se Kosova është ndërtuar si një sistem që funksionon përmes kompromisit. Ne e kemi degraduar diskutimin politik në një betejë ku secila palë synon ta eliminojë tjetrën, ndërkohë që Kushtetuta kërkon marrëveshje”, tha ajo.

Duke folur për procesin e integrimit evropian, Emini tha se Kosova po rrezikon të humbasë fonde dhe mundësi politike të rëndësishme për shkak të mungesës së institucioneve funksionale dhe moszbatimit të reformave të dakorduara me Bashkimin Evropian.

Donika Emini, analiste politike dhe Muhamet Hajrullahu, kryredaktor i Telegrafit

“Kosova nuk po humb vetëm financiarisht. Ka humbje politike, sepse për vite me radhë ishte nën masa të BE-së dhe tani po humb mundësinë për të avancuar në raport me Brukselin. Është për të ardhur keq që një mundësi e tillë po shpërdorohet”, deklaroi ajo.

Emini theksoi se aktualisht ekziston një momentum i favorshëm në Bruksel, me një Komision Evropian që po e trajton zgjerimin si prioritet, por sipas saj Kosova nuk po e shfrytëzon këtë mundësi.

“Për momentin ekziston një dritare e rëndësishme. Kosova ka mundur të shtyjë më fort kërkesën për statusin e vendit kandidat, por kjo kërkon lobim aktiv dhe angazhim diplomatik. Nuk mjafton të presësh lëvizje nga Brukseli”, tha Emini.

Ajo paralajmëroi gjithashtu se Kosova duhet të lexojë më mirë zhvillimet ndërkombëtare, veçanërisht rritjen e forcave të djathta në Evropë, të cilat sipas saj mund të jenë më pak fleksibile ndaj Kosovës në të ardhmen.

“Mosleximi i situatës ndërkombëtare është tepër alarmues. Ne po fokusohemi në tensione të brendshme mes liderëve politikë, ndërkohë që po ndryshon krejt peizazhi politik në Evropë”, theksoi ajo.

Donika Emini- Analiste politikeFoto: Ridvan Slivova

Në fund, Emini vlerësoi se Kosova duhet të ndërtojë sa më shumë aleanca strategjike me vendet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, duke e vendosur sigurinë në qendër të politikës së saj të jashtme.

“Aleanca, aleanca dhe aleanca. Nëse nuk mund të ecim me ritmin që dëshirojmë drejt NATO-s apo BE-së, atëherë duhet të forcojmë sa më shumë partneritetet strategjike me vendet që mbështesin Kosovën”, përfundoi ajo./Telegrafi/.

  •  
❌