Rreth një milion euro të padeklaruara janë zbuluar sot në pikëkalimin kufitar "Merdar", gjatë një kontrolli të detajuar të kryer nga zyrtarët e Doganës së Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, automjeti është selektuar për kontroll në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde operative.
Dogana bëri të ditur se automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X (X-Ray), ku janë identifikuar indikacione për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij.
“Pas indikacioneve të para nga skaneri, është kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit të përbashkët, dyshimet janë konfirmuar me zbulimin e mjeteve monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit.
Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e mjeteve monetare dyshohet të jetë rreth 1,000,000 (një milion) euro.
Njësitë hetimore të Doganës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa prokurori kompetent është njoftuar dhe, në koordinim me të, po ndërmerren veprime të mëtejme hetimore në përputhje me autorizimet ligjore.
Dogana e Kosovës theksoi se përdorimi i teknologjisë së avancuar të kontrollit, si skanerët X-Ray, mbetet një nga mjetet kyçe për zbulimin e rasteve të kontrabandës dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme financiare. /Telegrafi/
Në episodin e tetë të “Përballje Podcast”, ish-kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, ka folur për madhësinë reale të tregut të reklamave në Kosovë dhe ndikimin e tij në stabilitetin financiar të mediave.
Sipas Mehmetit, i cili është edhe njohës i fushës së mediave, tregu i reklamave në Kosovë sillet rreth 15 milionë euro në vit shumë që duhet të ndahet mes një numri të madh mediash.
“Se si operojnë në një treg që supozohet të ketë rreth pesëmbëdhjetë milionë euro reklama në vit, është pak e vështirë të kenë qëndrueshmëri financiare të gjitha këto.”
Mehmeti përmendi se në Kosovë operojnë dhjetëra televizione, mbi njëqind televizione përmes operatorëve kabllorë, dhjetëra radio dhe operatorë të shpërndarjes, çka e bën konkurrencën shumë të madhe për një treg relativisht të vogël reklamash.
Sipas tij, më të prekura nga kjo situatë janë sidomos mediat lokale, të cilat varen pothuajse tërësisht nga reklamat komunale ose nga bizneset lokale.
“Mediat lokale, sidomos radio dhe televizionet lokale, kanë një buxhet tepër modest.”
Ai paralajmëroi se varësia nga kontratat me komuna për përcjelljen e aktiviteteve zyrtare mund të ndikojë në pavarësinë editoriale të këtyre mediave.
Mehmeti theksoi se një industri mediale e dobët financiarisht e ka të vështirë të përmbushë rolin e saj në demokraci.
“Një industri mediale e fuqishme dhe e qëndrueshme financiarisht është një industri që ndihmon në nivelin e demokracisë në vendin tonë", ka deklaruar ai.
Sipas tij, përballë një tregu të kufizuar reklamash dhe konkurrencës në rritje, nevojiten politika publike dhe mekanizma mbështetës që do të ndihmonin në ruajtjen e pluralizmit dhe pavarësisë së mediave në Kosovë. /Telegrafi/.
Në rrjetet sociale kanë nisur të qarkullojnë disa fotografi që paraqesin figura publike vendore dhe ndërkombëtare në situata apo takime që nuk janë të konfirmuara nga burime zyrtare.
Së fundi, ka pasur edhe reagime nga disa deputetë të Kosovës, të cilët kanë deklaruar se qëndrimet apo deklaratat e tyre janë paraqitur në konotacion të gabuar.
Së fundmi është publikuar një postim me fotografi në rrjete sociale që pretendon se miliarderi i teknologjisë, Elon Musk, ka zhvilluar një takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku thuhet se ai ka premtuar investime “qindra milionëshe” në Kosovë. Postimi shoqërohet me një fotografi që paraqet dy figurat në një ambient zyrtar.
Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Presidenca e Kosovës apo nga vetë Musk për një takim apo për ndonjë investim të tillë. Lajmi nuk është raportuar nga media kredibile ndërkombëtare apo vendore.
Në një tjetër rast është shpërndarë një imazh ku deputetja Janina Ymeri nga LDK paraqitet me një bluzë me mbishkrim politik. Edhe ky imazh dyshohet se është manipuluar apo krijuar me inteligjencë artificiale, pasi nuk ekziston asnjë konfirmim apo pamje autentike nga aktivitetet publike të saj që dëshmon se ajo është shfaqur me një mesazh të tillë.
Për këtë ka reaguar edhe vetë deputetja Ymeri në një postim në Facebook duke e quajtur këtë të manipuluar dhe jo real.
Po ashtu, në qarkullim janë edhe imazhe të tjera me përmbajtje politike, të cilat dyshohet se janë krijuar ose manipuluar përmes inteligjencës artificiale. Ekspertët e komunikimit digjital paralajmërojnë se teknologjitë gjeneruese kanë bërë të mundur krijimin e fotografive realiste, të cilat mund të përdoren për të keqinformuar opinionin publik.
As kjo fotografi e as deklaratat e zyrtarëve të LDK-së nuk janë të vërteta dhe reale.
Rritja e përmbajtjeve të tilla në rrjetet sociale ka shtuar nevojën për verifikim të informacionit përmes burimeve zyrtare dhe mediave të besueshme. Qytetarëve u rekomandohet që të tregojnë kujdes para se të shpërndajnë përmbajtje që nuk ka konfirmim institucional apo burim të qartë.
Institucionet dhe organizatat që merren me monitorimin e dezinformimit vazhdojnë të bëjnë thirrje për rritjen e edukimit medial dhe digjital, në mënyrë që të parandalohet përhapja e lajmeve të rreme dhe përmbajtjeve të manipuluara./Telegrafi/.
Në episodin e tetë të serisë “Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë”, në "Përballje Podcast" i ftuar ishte ish-kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, i cili foli për transparencën e pronësisë, qëndrueshmërinë financiare dhe sfidat e mediave në Kosovë në raport me standardet evropiane.
Mehmeti theksoi se transparenca e pronësisë nuk është vetëm çështje teknike, por kriter thelbësor i demokracisë.
“Nuk është vetëm çështje teknike pronësia apo transparenca e pronësisë së mediave, por realisht ndikon edhe në vetë cilësinë e demokracisë, sepse qytetarët kanë të drejtë të dinë se kush qëndron mbrapa mediave, kush janë pronarët dhe si financohen", tha Mehmeti.
Ai bëri të ditur se gjatë mandatit të tij në KPM janë evidentuar rreth 35 raste ku pronësia e mediave të licencuara nuk përputhej me të dhënat në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, çka ka çuar në ndërmarrjen e masave konkrete, përfshirë hartimin e rregullores për transparencën e pronësisë dhe ndalimin e koncentrimit medial, si dhe krijimin e një databaze publike për mediat e licencuara.
Jeton Mehmeti dhe kryedaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.Foto: Ridvan Slivova
Në kontekstin evropian, Mehmeti përmendi kërkesat e European Media Freedom Act, duke theksuar se në të ardhmen pritet të kërkohet deklarimi edhe i “pronarëve përfitues” dhe metodave tjera.
“Bashkimi Evropian i kushton shumë rëndësi jo vetëm pronarëve legjitimë, por edhe pronarëve përfitues, në mënyrë që të dihet rrethi më i gjerë që mund të ketë ndikim në vendimet redaksionale.”
Sa i përket stabilitetit financiar, Mehmeti tha se tregu medial në Kosovë është i fragmentuar dhe me të hyra të kufizuara.
“Kemi një situatë jo shumë të mirë të qëndrueshmërisë së mediave në vendin tonë… mediat lokale, sidomos radio dhe televizionet lokale, kanë një buxhet tepër modest”, ka deklaruar ai në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.
Ai shtoi se varësia nga reklamat lokale (komunale) apo nga burime të kufizuara financimi mund të ndikojë në pavarësinë editoriale, ndërsa konkurrenca me rrjetet sociale e ka ngushtuar edhe më shumë tregun tradicional të reklamave.
Një nga propozimet kryesore të tij ishte krijimi i një fondi për pluralizëm medial.
“Të hyrat që KPM-ja i inkason në baza vjetore t’u kthehen përsëri mediave, por në formë projektesh, përmes garës dhe konkurrimit.”
Sipas tij, ky fond do të mund të mbështeste mediat lokale, ato nacionale dhe mediat e reja, duke forcuar pluralizmin dhe pavarësinë.
Në fund, Mehmeti theksoi rolin thelbësor të mediave në demokraci.
“Një industri mediale e fuqishme dhe e qëndrueshme financiarisht është një industri që ndihmon në nivelin e demokracisë në vendin tonë… mediat janë zë i qytetarëve dhe duhet të jenë nën vëzhgim të gjitha institucionet publike.”
Episodi trajton gjithashtu ndikimin e inteligjencës artificiale, nevojën për përafrim me direktivat e BE-së dhe domosdoshmërinë e vullnetit politik për të krijuar politika të qëndrueshme që mbështesin median si shtyllë të demokracisë.
Ky është episodi i tetë i serisë “Përballje Podcast” (“Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë”), që synon të nxisë debat për rolin e mediave, sfidat e besueshmërisë dhe ndikimin e dezinformimit gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë. /Telegrafi/.