Reading view

​Agron Demi: Kosova rrezikon të humbë qindra miliona euro nga fondet e BE-së




Ekonomia e Kosovës, sipas analistit të politikave Agron Demi, nuk përballet vetëm me sfidën e miratimit të buxhetit, por edhe me bllokimin e marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Duke folur në “Përballje Podcast”, Demi theksoi se një nga rastet më domethënëse është Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

Sipas tij, Kosova nuk ka arritur të përfitojë asnjë euro nga fondet në vlerë prej 882 milionë eurosh, të garantuara nga Bashkimi Evropian për vendet e rajonit, me fokus fillestar zbatimin e agjendës së gjelbër dhe më pas projekte të tjera zhvillimore.

“Kosova është një ndër vendet e vetme në rajon, pas Bosnjës, që nuk ka arritur të marrë asnjë milion nga këto fonde”, u shpreh Demi shkruan Telegrafi.

Ai paralajmëroi se një pjesë e këtyre mjeteve tashmë mund të konsiderohen të humbura.

“Vetë kryeministri Kurti ka deklaruar se rreth dhjetë për qind e këtyre fondeve vetëm se janë humbur, ndërsa ato mjete shpërndahen më pas te vendet e tjera të rajonit”, tha Demi, duke theksuar se rikthimi i plotë i shumës prej 882 milionë eurosh tashmë është i vështirë.

- YouTube www.youtube.com

Demi shtoi se mbetet e paqartë nëse, edhe në rast të miratimit të buxhetit në fillim të vitit, Kosova do të arrijë t’i rikthejë këto mjete.

“Nuk dihet nëse në janar, edhe nëse aprovohet buxheti, do të ketë ende hapësirë që këto fonde të kthehen”, theksoi ai.

Sipas analistit, kjo situatë tregon se sfidat ekonomike të vitit 2026 nuk lidhen vetëm me politikat e brendshme fiskale, por edhe me aftësinë institucionale të Kosovës për të përmbushur obligimet dhe për të shfrytëzuar mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, të cilët mund të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe tranzicionin e gjelbër të vendit./Telegrafi/

  •  

Hamza pas përmbylljes së procesit zgjedhor: Besimin e qytetarëve e marrim me përgjegjësi të madhe




Numërimi i votave ka përfunduar, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është renditur e dyta me 192,407 vota.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas përmbylljes së procesit zgjedhor, duke theksuar se ky rezultat përfaqëson një përgjegjësi të madhe për partinë.

“Këtë besim e marrim me përgjegjësi të madhe”, ka shkruar Hamza, duke vlerësuar ruajtjen e votës së PDK-së si dëshmi të mbështetjes së qytetarëve për punën dhe vlerat që partia përfaqëson.

Ai ka theksuar se gara ka qenë e vështirë dhe e pabarabartë, ndërsa ka nënvizuar se rezultati i obligon strukturat e partisë për angazhim edhe më të madh.

“Ky besim na obligon më shumë se kurrë që të riorganizohemi, t’i konsolidojmë radhët tona dhe ta intensifikojmë veprimin politik”, ka shkruar ai transmeton Telegrafi.

Hamza ka bërë të ditur se PDK do të vazhdojë angazhimin për qytetarët pa dallim.

“PDK do të vazhdojë të punojë për çdo qytetar, pa dallim, në çdo platformë ku jemi të pranishëm, me këmbëngulje dhe me bindjen se Kosova meriton më shumë dhe më mirë”, ka përfunduar ai, duke falënderuar qytetarët për besimin e dhënë./Telegrafi/.

  •  

Demi paralajmëron: Nëse deri në shkurt nuk ka Qeveri, rrezikohet buxheti dhe ekonomia e Kosovës




Kosova hyn në vitin 2026 me pritje për institucione të reja dhe me pritshmëri të larta për stabilitet politik dhe zhvillim ekonomik.

Në “Përballje Podcast”, analisti i politikave Agron Demi ka folur për gjendjen ekonomike të vendit, prioritetet që e presin Qeverinë e re dhe rreziqet që mund ta shoqërojnë vitin 2026 nëse nuk ka ndryshim qasjeje.

Demi vlerëson se proceset zgjedhore tashmë kanë përfunduar, por sfida kryesore mbetet faza paszgjedhore dhe funksionalizimi i institucioneve.

- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, formimi i shpejtë i Kuvendit dhe Qeverisë është parakusht për stabilitet ekonomik.

“Nëse tejkalohet shkurti pa u konstituuar Kuvendi dhe Qeveria, mund të rrezikohen linjat buxhetore dhe të krijohen pengesa serioze financiare”, tha ai në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu.

Fokusi kryesor për vitin 2026, sipas Demit, duhet të jetë zhvillimi ekonomik.

Ai theksoi se vitet e fundit janë karakterizuar nga vendime të përkohshme dhe mungesë e projekteve zhvillimore afatgjata.

“Ka pasur shumë vendime ad-hoc dhe shpërndarje të mjeteve buxhetore, por investimet kapitale, që dikur ishin shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik, kanë rënë në plan të tretë”, u shpreh Demi shkruan Telegrafi.

Agron Demi dhe Muhamet Hajrullahu n\u00eb "P\u00ebrballje Podcast" Foto: Ridvan Slivova

Në këtë kontekst, ai vlerëson se buxheti i vitit 2026 duhet të ketë karakter më zhvillimor.

Sipas tij, rritja e shpenzimeve për paga dhe skema sociale nuk mjafton për të nxitur rritje ekonomike afatgjatë.

“Nëse nuk rikthehet fokusi te investimet kapitale dhe projektet infrastrukturore, do të jetë e vështirë të flasim për zhvillim real ekonomik”, theksoi ai.

Demi foli edhe për marrëveshjet dhe fondet ndërkombëtare, duke përmendur Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian.

“Kosova nuk ka arritur të përfitojë nga fondet e garantuara prej BE-së, ndërsa një pjesë e tyre rrezikon të humbet nëse nuk ka veprime të shpejta institucionale”, tha ai, duke e cilësuar këtë si një mundësi të rëndësishme për zhvillim ekonomik dhe për zbatimin e agjendës së gjelbër.

Sa i përket gjendjes sociale, Demi theksoi se inflacioni dhe rritja e çmimeve kanë ndikuar drejtpërdrejt në standardin e jetesës.

“Rritja e çmimeve, deficiti tregtar dhe varësia nga importet vazhdojnë të jenë sfida serioze për ekonominë e Kosovës”, u shpreh ai, duke shtuar se mungesa e matjeve të rregullta të varfërisë e bën më të vështirë adresimin e problemeve reale.

Foto: Ridvan Slivova

Në fund, Demi vlerësoi se viti 2026 duhet të shënojë një orientim më të qartë drejt reformave strukturore, digjitalizimit dhe tranzicionit të gjelbër.

“Dhjetëvjeçari i ardhshëm do të jetë periudhë e tranzicionit digjital dhe energjetik. Kosova nuk e ka luksin të vazhdojë me politika të vjetra në një realitet që po ndryshon shpejt”, përfundoi ai.

Sipas Demit, mënyra se si Qeveria e re do ta adresojë buxhetin, investimet kapitale dhe fondet ndërkombëtare do të përcaktojë në masë të madhe nëse viti 2026 do të jetë vit stabilizimi apo vit i humbur për zhvillimin ekonomik të Kosovës./Telegrafi/.

  •  
❌