Reading view

​E vërteta që u vonua, si po dokumentohen krimet e luftës në Kosovë? – flet Atdhe Hetemi nga IKKL



Episodi i radhës i “Përballje Podcast”, sjell një bisedë me drejtorin e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës (IKKL), Atdhe Hetemin, i cili shpalos mandatin, punën deri tani dhe sfidat e dokumentimit të krimeve të luftës në Kosovë.

Biseda nis me një nga kapitujt më të rëndësishëm të kujtesës kolektive, mënyrën si Kosova po e ndërton arkivin e vet historik për krimet e kryera nga forcat serbe.

Hetemi sqaroi se instituti ka një kornizë të qartë ligjore për dokumentimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve ekonomike, psiko-sociale, dëmeve në ambient dhe shkatërrimit të trashëgimisë kulturore.

Periudha prioritare mbetet 1 janar 1998 – qershor 1999, por ligji i jep hapësirë edhe për dokumentimin e krimeve që çuan drejt luftës – përfshirë helmimet e nxënësve në vitet ’90 dhe vrasjet e ushtarëve shqiptarë në ish-APJ.

Një pjesë e rëndësishme e episodit i kushtohet helmimeve të nxënësve në vitet 1990–1992, një temë që gjeneratat e reja pothuajse nuk e njohin.

IKKL ka nisur dokumentimin e këtij kapitulli tragjik, i cili deri më sot nuk ka qenë i institucionalizuar.

“Është e dhimbshme që si shoqëri nuk kemi arritur t’i dokumentojmë krimet në periudhat më të hershme”, thotë Hetemi në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu duke theksuar se mungesa e dokumentimit ka lënë boshllëqe të mëdha.

- YouTube www.youtube.com

Një pjesë me rëndësi e diskutimit shpjegon procesin e dorëzimit, arkivimit dhe verifikimit të materialeve.

IKKL sot funksionon me procesverbale, regjistra, fonde arkivore me emër të dorëzuesit dhe standarde të avancuara profesionale, duke e bërë institutin një qendër reference për studiues, gazetarë, producentë dhe institucione ndërkombëtare.

Në vetëm dy vite, IKKL ka grumbulluar materiale nga 650–700 burime të ndryshme, përfshirë dokumente nga fotoreporterë të luftës, media vendore e ndërkombëtare, viktima të mbijetuara, familjarë të tyre dhe institucione të huaja.

Arkiva përfshin materiale të ardhura nga 14 shtete dhe vihet në dispozicion për hulumtime akademike, punime shkencore, dokumentarë dhe projekte të ndryshme kulturore.

Sipas Hetemit, kjo e ka shndërruar institutin në një “nyje të grumbullimit dhe shpërndarjes së së vërtetës historike”.

Një temë tjetër e ndjeshme që prek episodi është përballja me propagandën serbe, përfshirë dokumentarët që synojnë të shtrembërojnë ngjarjet e luftës.

Atdhe Hetemi nga IKKL n\u00eb "P\u00ebrballje Podcast"me Muhamet Hajrullahu, kryredaktor i Telegrafi.com Foto: Ridvan Slivova

Sipas Hetemit, Kosova historikisht ka qenë në pozicion mbrojtës për shkak të mungesës së dokumentimit institucional, por këtë boshllëk po e mbush gradualisht IKKL me punë të qëndrueshme dhe të verifikueshme profesionalisht.

Hetemi tregon se kur u emërua drejtor në vitin 2023, institucioni kishte vetëm një staf – atë vetë.

“Sot janë mbi 40 punonjës, të shtrirë në të gjitha rajonet e Kosovës, me arkiv të standardeve ndërkombëtare dhe projekte të shumta kërkimore e kulturore”, ka deklaruar ai.

Episodi trajton rëndësinë e mbështetjes institucionale dhe financiare, rolin e shtetit, por edhe përgjegjësinë e shoqërisë për të mos e injoruar të kaluarën./Telegrafi/.

  •  

​Eksperti Hajredini: Kosova mund të nisë certifikimin e pyjeve – kusht kyç për eksportet drejt BE-së



Në kuadër të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga FAO me mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Suedia, është publikuar episodi i dytë i serisë së podcasteve “Duaj e Ruaj Pyjet”.

Eksperti i pylltarisë në programin e FAO-s, Ergin Hajredini, ka thënë se Kosova duhet të nisë procesin e certifikimit të pyjeve, nëse synon të eksportojë produkte të drurit drejt tregjeve të Bashkimit Evropian. Sipas tij, BE-ja ka kërkesa strikte dhe produktet që eksportohen duhet të kenë lëndë të parë të certifikuar, gjë që aktualisht pyjet e Kosovës nuk e përmbushin.

“Është kërkesë e Bashkimit Evropian që nuk mund të eksportosh produkte pa lëndë të parë të certifikuar. Druri është baza dhe pyjet tona ende nuk e kanë këtë status,” deklaroi Hajredini.

Për këtë arsye, shumë kompani vendore detyrohen të furnizohen me dru nga vende fqinje si Bosnja, e cila ka pothuajse të gjithë pyjet e certifikuar.

- YouTube www.youtube.com

Megjithatë, ai thekson se zhvillimi i metodologjisë së re të planeve të menaxhimit shumëqëllimor, e realizuar së fundi me mbështetjen e FAO-s, krijon për herë të parë bazën që Kosova ta nisë këtë proces.

“Metodologjia e re dhe qasja e re e menaxhimit ofrojnë mundësinë që Kosova të fillojë certifikimin. Certifikata garanton se pyjet menaxhohen si ekosistem i plotë, jo vetëm si burim druri,” tha ai.

Foto: Ridvan Slivova

Sipas Hajredinit, certifikimi siguron që pyjet nuk janë dëmtuar nga prerjet ilegale, respektohen vlerat e biodiversitetit dhe menaxhimi bëhet në harmoni me ekosistemin.

Ky podcast është realizuar në “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë. Zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO). Video është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Suedisë. Përmbajtja e saj nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe Suedisë./Telegrafi/

  •  
❌