Reading view

​“Katër parimet kryesore”, Svirca dhe Musaj shpjegojnë strategjinë e Kosovës për drejtësi tranzicionale




Në episodin më të ri të "Përballje Podcast" në Telegrafi.com, është diskutuar Strategjia për Drejtësi Tranzicionale, dokumenti dhjetëvjeçar që synon të vendos themelet e drejtësisë dhe ballafaqimit me të kaluarën në Kosovë.

Të ftuar në këtë podcat ishin Baki Svirca, udhëheqës i Divizionit për Drejtësi Tranzicionale në Ministrinë e Drejtësisë, dhe Mehmet Musaj, Menaxher i Lartë në KRCT ( Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës).

Katër shtyllat e drejtësisë tranzicionale

Sipas Svircës, drejtësia tranzicionale është proces shoqëror që ndihmon një vend të përballet me të kaluarën dhe të ndërtojë të ardhmen mbi bazën e së vërtetës.

“Drejtësia tranzicionale nuk ka të bëjë me hakmarrje, por me reformim shoqëror. Katër shtyllat kryesore janë: e drejta për të vërtetën, qasja në drejtësi, reparacionet për viktimat dhe reformat institucionale për të parandaluar përsëritjen e së kaluarës,” tha ai.

Ai shtoi se kjo strategji është e ndërtuar përmes një procesi të gjerë konsultimesh me qytetarë, komunitete dhe organizata të shoqërisë civile.

- YouTube www.youtube.com

“Strategjia është dokument gjithëpërfshirës dhe dinamik – nuk është vetëm një letër politike, por proces që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes institucioneve, shoqërisë civile dhe qytetarëve,” theksoi Svirca.

Nga dokument në veprim, si po zbatohet strategjia?

Sipas tij, strategjia ka hyrë në fazën e zbatimit dhe përfshin një plan veprimi trevjeçar me mbi 100 aktivitete konkrete.

“Strategjia është dhjetëvjeçare, ndërsa plani i veprimit është trevjeçar. Ai rishikohet çdo tre vjet për t’u përshtatur me nevojat dhe zhvillimet e reja,” sqaroi Svirca, duke theksuar rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional.

Megjithatë, sfida më e madhe, sipas tij, mbetet mungesa e koordinimit efektiv mes institucioneve publike dhe nevoja për konsensus politik e shoqëror.

“Nëse secili institucion nuk e merr përgjegjësinë e vet, strategjia mbetet në letër. Drejtësia kërkon veprim të përbashkët, empati dhe qasje njerëzore ndaj viktimave,” shtoi ai në "Përballje Podcast" me kryredaktorin Muhamet Hajrullahu.

Roli i shoqërisë civile dhe viktimave në qendër

Nga ana tjetër, Mehmet Musaj nga KRCT theksoi se shoqëria civile ka qenë motori i parë i drejtësisë tranzicionale në Kosovë, shumë përpara miratimit të strategjisë.

“Shoqëria civile ka punuar në drejtësi tranzicionale që nga viti 1999. Ne kemi trajnuar gjyqtarë e prokurorë me qasje të ndjeshme ndaj traumës dhe kemi ndërtuar hapësira miqësore ku viktimat mund të dëshmojnë me siguri e dinjitet,” tha Musaj.

Ai theksoi se viktimat duhet të jenë qendra e procesit, jo thjesht subjekt dokumentesh.

“Nuk mjafton t’i vendosësh viktimat në qendër në letër. Duhet t’i pyesësh se çfarë kanë nevojë, si mund t’i ndihmojmë pa i ritraumatizuar. Kjo është drejtësia e vërtetë,” shtoi ai.

Sipas Musajt, Kosova është vendi i vetëm në rajon që ka hartuar një strategji të tillë, duke u bërë shembull për qasje institucionale ndaj drejtësisë pas konflikteve.

“Kjo strategji tregon vullnetin për ta pranuar të kaluarën dhe për ta shndërruar në bazë të pajtimit e zhvillimit demokratik,” deklaroi ai.

Në fund të bisedës, të dy të ftuarit theksuan se drejtësia tranzicionale është proces i gjatë, që kërkon durim dhe ndjeshmëri shoqërore.

Drejtësia nuk është vetëm formale, por shoqërore dhe pa përfshirjen e qytetarëve nuk ka pajtim të qëndrueshëm kanë shtuar ata.

“Ky podcast u realizua në bashkëpunim me Pro Peace. Pikëpamjet e shprehura në këtë podcast janë përgjegjësi e Telegrafi.com dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Pro Peace”.

  •  

"Përballje Podcast” sjell diskutimin për Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale




Në episodin më të ri të “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, do të trajtohet një nga proceset më të rëndësishme për shoqërinë kosovare, “Strategjia Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale”, dokumenti që vendos bazat për ballafaqim me të kaluarën.

Të ftuar në këtë episod janë: Baki Svirca, Udhëheqës i Divizionit për Drejtësi Tranzicionale në Ministrinë e Drejtësisë e Mehmet Musaj, Menaxher i Lartë në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT).

Baki Svirca e Mehmet Musaj n\u00eb "P\u00ebrballje Podcast" Foto: Korab Basha

Ata diskutojnë se si është ndërtuar strategjia, cilat janë katër shtyllat kryesore të saj, rolin e shtetit dhe shoqërisë civile, si dhe sfidat që priten në zbatimin praktik të këtij dokumenti dhjetëvjeçar.

Ky podcast realizohet në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare “Pro Peace” dhe do të publikohet këtë javë në platformat e Telegrafit./Telegrafi/.

  •  

Nga video dhe përmbajtja te inovacioni dhe strategjitë për rrjetet sociale – çfarë na sjell e ardhmja?



Republika e Moldavisë është ndër vendet në Evropë që nuk e njeh shtetin e Kosovës. Por, së fundi ka pasur një lëvizje ku kosovarët mund të udhëtojnë në këtë ish-republikë sovjetike duke aplikuar për vizë online dhe me pasaportë të Kosovës.

Kjo ndodh në një vend që po “lufton” për anëtarësim dhe integrim në Bashkimin Evropian, por që gjithashtu ndikohet nga Rusia në ekonomi, politikë, shoqëri dhe media.

E ardhmja mbetet për t’u parë, por në fund të tetorit në kryeqytetin Chisinau u mbajt një punëtori për media ” organizuar nga Deutsche Welle (DW, Departamenti i Distribuimit për Evropë) me temën “Strategjitë e mediave sociale për publikuesit dhe transmetuesit në situata krize”.

Telegrafi ishte pjesë e këtij aktiviteti, mes përfaqësuesve të mediave nga rreth dhjetë shtete evropiane, përfshirë Bashkimin Evropian, Ballkanin dhe Moldavinë për të ndarë përvoja mbi transformimin digjital, strategjitë e përmbajtjes online dhe rolin e mediave lokale në situata krize dhe dezinformimi.

Në fokus të punëtorisë ishin videot e shkurtra, përmbajtja vizuale, mënyrat për të rritur angazhimin në rrjete sociale dhe ndërtimin e strategjive efektive të komunikimit në kohë sfidash.

Në sesionet e ndarjes së përvojave, u theksua rëndësia e përshtatjes së redaksive tradicionale me platformat e reja, si dhe roli i mediave rajonale në ruajtjen e besueshmërisë dhe etikës profesionale përballë krizave të informacionit.

Programi i punëtorisë përfshiu sesione praktike dhe diskutime profesionale.

Adelheid Feilcke prezantoi strategjinë e DW-së për videot e shkurtra, ndërsa Johanna Rüdiger ndau qasjen e DW-së për ndërtimin e strategjive të mediave sociale në kohë krize.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit ishte sesioni “Newsfluencer, viral, trend & collabs” me ekipin e DW-së, i fokusuar në mënyrat kreative të bashkëpunimit dhe përfshirjes së audiencës në platformat digjitale.

Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësi të vizitonin redaksi lokale, të diskutonin për situatën politike dhe mediatike në Moldavi, si dhe për sfidat që lidhen me dezinformimin, presionin politik ndaj mediave dhe pavarësinë editoriale në vendet e rajonit lindor të Evropës.

Programi përfshiu vizita në redaksinë e “Ziarul de Garda”, një ndër gazetat e pakta hulumtuese javore që publikon artikuj kundër korrupsionit dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Gjithashtu, vizita në TV8, një kanal televiziv privat i njohur me qasje pro-evropiane si alternativë ndaj mediave të lidhura me Rusinë dhe pronarët oligarkë të ndikuar nga Moska.

U diskutua gjithashtu me përfaqësues të mediave dhe organizatave nga Moldavia për rregullimin dhe manipulimin mediatik, si dhe për aspektet ligjore të funksionimit të medias.

Ky aktivitet profesional u organizua nga "DW Distribution Europe" si pjesë e nismave për bashkëpunim rajonal në fushën e mediave dhe inovacionit digjital.

Përfaqësuesit e DW e vlerësuan pjesëmarrjen si një mundësi për “shkëmbim idesh dhe përvojash ndërmjet partnerëve kryesorë të Deutsche Welle nga rajoni, vendet e Ballkanit dhe BE-së".

Kjo punëtori e DW dëshmoi se sfidat e mediave në epokën e krizave janë të përbashkëta, por zgjidhjet gjithashtu ekzistojnë – përmes bashkëpunimit, inovacionit dhe profesionalizmit që tejkalon kufijtë politikë dhe shtetërorë. /Telegrafi/.

  •  
❌