Reading view

Muçaj: Kandidatet gra për kryetare komunash numërohen në gishta, partitë shumicën i fusin vetëm sa për sy e faqe



Muçaj: Kandidatet gra për kryetare komunash numërohen në gishta, partitë shumicën i fusin vetëm sa për sy e faqe

Dhuna online, shpifjet dhe ngacmimet vazhdojnë të jenë pengesë serioze për gratë që angazhohen në politikë në Kosovë, duke ndikuar drejtpërdrejt në pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje dhe debatet publike, u tha në “Përballje Podcast”.



Mimoza Koprani-Muçaj, autore dhe producente në emisionin “Konfront” në Kohavision, tha se presioni dhe sulmet ndaj grave janë shpesh të organizuara, duke lënë pasoja të rënda.

Sipas saj kemi pjesëmarrje simbolike të grave në garat zgjedhore duke shtuar se partitë shpesh i vendosin gratë kandidate vetëm në komuna ku e kanë të sigurt humbjen, ndërsa në bastionet e tyre politike kurrë nuk propozojnë kandidate gra.

- YouTube www.youtube.com

“I numëron në gishta të njërës dorë kandidatet gra për kryetare komunash. Në ato komuna ku e kanë të sigurt njëqind për qind dështimin, ku e kanë të sigurt që nuk fitojnë zgjedhjet. Në asnjë komunë që ata e kanë bastion, nuk ka vendosur kandidate gra për kryetar komune”, tha ajo.

Sipas Muçajt, një pjesë e mediave dhe vetë partitë politike ushqejnë këtë diskurs, duke e bërë edhe më të vështirë për gratë rrugën drejt angazhimit publik dhe politik./Telegrafi/.

  •  

Pse gratë po tërhiqen nga politika? Demolli tregon për ngacmimet seksuale dhe barrierat patriarkale në parti



Pjesëmarrja e grave në jetën publike politike në Kosovë po tregon një rënie shqetësuese, duke nxjerrë në pah mungesën e politikave mbështetëse dhe atmosferën patriarkale brenda partive politike.

Luljeta Demolli, drejtore ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, tha në “Përballje Podcast” se kjo situatë është një indikator i dhimbshëm që partitë politike nuk i shohin gratë si potencial për të avancuar ose për të fituar poste në komuna dhe në nivel lokal.



“Faktikisht, pjesëmarrja e grave në jetën publike politike po degradohet. Partitë politike nuk i shohin gratë si potencial për të avancuar ose për të fituar komuna, nuk kanë politika mbështetëse, dhe shumë gra nuk ndihen të sigurta gjatë fushatave,” tha Demolli.

Ajo shtoi se gratë shpesh nuk i bashkohen lehtësisht partive politike sepse ato janë patriarkale dhe jo mikpritëse.

- YouTube www.youtube.com

“Një politikë e domosdoshme do të duhej të ishte ajo kundër ngacmimit seksual brenda partive. Shumë gra të reja, kur bashkohen me parti politike, përballen me diskriminim dhe ngacmim seksual gjatë fushatave. Tubimet shpesh zhvillohen në mbrëmje, në zona rurale, dhe mungesa e mjeteve apo kushteve të thjeshta i bën ato të pasigurta,” tha Demolli.

Sipas saj se sistemi nuk e konsideron gratë si kontribuese të barabarta në politikë. /Telegrafi/.

  •  

Gratë në politikë nën sulm online - si shpifjet ndryshojnë jetën e tyre? Flasin Demolli e Koprani Muçaj




Në episodin e dytë të serisë së re të “Përballje Podcast” në Telegrafit.com, kushtuar integritetit medial dhe zgjedhjeve në Kosovë, është trajtuar çështja e dhunës ndaj grave në politikë, përfaqësimi i tyre në fushata dhe gjuha e urrejtjes online.

Në diskutim morën pjesë Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, dhe Mimoza Koprani Muçaj, producente dhe autore e emisionit “Konfront” në KTV.

Demolli theksoi se gratë në politikë po përballen me barriera të dyfishta – mungesën e mbështetjes brenda partive dhe dhunën e vazhdueshme online.

“Pjesëmarrja e grave në fushata lokale po degradon. Partitë politike nuk i shohin gratë si potencial për të fituar komuna dhe shpesh ua hedhin fajin pse nuk janë pjesë e garës. Një shpifje, një fjalë e pavërtetë, e ndjek një grua gjatë gjithë jetës. Kjo nuk është vetëm betejë politike, por edhe barrë personale dhe emocionale”, tha Demolli.

Ajo u ndal edhe te mungesa e politikave të brendshme që mbrojnë gratë nga ngacmimi apo diskriminimi, duke theksuar se “edhe kur kandidojnë, ato përballen me kushte të pasigurta dhe me narracione që nuk adresojnë problemet reale, si kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit”.

- YouTube www.youtube.com

Ndërkohë, Muçaj tha se sfida për gratë fillon që nga ftesat për debat publik.

“Është sfiduese t’i sjellësh gratë në studio, sepse shpesh portretizohen thjesht si feministe, e jo si zëra për drejtësi e barazi.”

Sipas saj, partitë shpesh i vendosin kandidate aty ku e dinë se nuk do të fitojnë.
“Kjo është një formë tjetër e dhunës politike – gratë futen në garë si dekor, jo si alternativa reale për pushtet. Ndërkohë, rrjetet sociale po shndërrohen në një hapësirë ku ato masakrohen me komente e fyerje,” tha ajo.

Sipas saj gara po shoqërohet me sulme e etiketime, duke treguar se gratë nuk përballen me garë të drejtë, por me një klimë të padrejtë e të dhunshme.

Luljeta Demolli e Mimoza Koprani Muçaj në "Përballje Podcast" në Telegrafi.comFoto: Ridvan Slivova

Të dyja bashkëbisedueset nënvizuan se dhuna online lë pasoja afatgjata, që shpesh ndikojnë në jetën private të grave dhe në shëndetin e tyre mendor.

Seria e dytë e “Përballje Podcast”, me autor Muhamet Hajrullahu, sjell tetë episode mbi integritetin medial, demokracinë dhe sfidat e dezinformimit gjatë zgjedhjeve në Kosovë./Telegrafi/.

  •  
❌