Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, do të jetë së shpejti i ftuar në “Përballje Podcast” në Telegrafi, ku do të flasë për situatën e sigurisë në Kosovë, rolin e KFOR-it dhe çështje të tjera me interes publik.
Sa e brishtë mbetet situata në veri dhe çfarë masash konkrete po ndërmerr KFOR-i për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve pas sulmit në Banjskë?
Gjeneralmajori Ulutash flet gjithashtu për të ardhmen e KFOR-it në Kosovë, bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe me institucionet e tjera të vendit.
Së shpejti në Telegrafi dhe në RTV Dukagjini. /Telegrafi/.
Partitë e komuniteteve në Kosovë, pas zgjedhjeve të 7 qershorit, mund të presin ndarjen e ulëseve në Kuvendin e Kosovës, ndonëse votat nga diaspora dhe votat me kusht ende nuk janë numëruar plotësisht shkruan Telegrafi.
Te komuniteti serb prin Lista Serbe me 6.18% apo gjithsej 43,071 vota, që pritet t’i sigurojë 9 ulëse në Kuvend. Ndërkohë, Nenad Rashiq dhe partia e tij, pavarësisht presionit nga Serbia dhe zyrtarët e Listës Serbe, sipas rezultateve të deritanishme sigurojnë 1 ulëse në parlament. Partia e tij ka marrë 0.76% apo 5,285 vota.
Te komuniteti turk në Kosovë, KDTP ka marrë 0.77% apo 5,337 vota, duke siguruar 2 deputetë.
Siç shkruan Telegrafi, te komuniteti boshnjak, “Koalicioni Vakat” ka marrë 0.55% me 3,810 vota dhe siguron një ulëse, ndërsa SDU e Duda Baljes ka 0.38% apo 2,637 vota dhe siguron një deputet. Partia e Emilija Rexhepit, NDS, ka 0.36% apo 2,519 vota dhe po ashtu siguron një ulëse.
Ndërkohë, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK) ka 0.46% me 3,196 vota dhe siguron një deputet. Partia Liberale Egjiptiane (PLE) ka 0.25% me 1,751 vota, ndërsa Jedinstvena Goranska Partija e Adem Hoxhës ka 0.25% me 1,749 vota – të dyja sigurojnë nga një ulëse secila.
Sipas kësaj ndarjeje, shpërndarja e 20 vendeve të rezervuara për komunitetet në Kuvendin e Kosovës pritet të mbetet e ndarë mes disa subjekteve politike, ku Lista Serbe (SL) mbetet me 9 ulëse. Partia Demokratike Turke e Kosovës siguron 2 vende, ndërsa nga një ulëse pritet të kenë Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë (SPO), Koalicioni Vakat, Bashkimi Social Demokrat (SDU), Partia e Re Demokratike (NDS), Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Partia Liberale Egjiptiane, Partia Ashkali për Integrim (PSA), Partia e Rome e Bashkuar Kosovës si dhe Jedinstvena Goranska Partija./Telegrafi/.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, numri i votuesve në Listën e Votuesve ishte 1,959,962, ndërsa numri i qytetarëve që votuan ishte 722,842. Kjo përkthehet në një pjesëmarrje prej vetëm 36.88%, krahasuar me 44.99% sa ishte pjesëmarrja në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Pra, kemi një rënie të dukshme të daljes në zgjedhje dhe një mesazh të qartë, një pjesë e madhe e qytetarëve kanë zgjedhur të mos marrin pjesë në procesin zgjedhor.
Këto të dhëna janë nga vendvotimet e rregullta dhe nuk përfshijnë votat me kusht, votimin e personave me nevoja të veçanta dhe votimin jashtë Kosovës.
Si dolën partitë sipas të dhënave të KQZ-së?
LVV
2026: 42.91%
2025: 51.10%
PDK
2026: 21.08%
2025: 20.19 %
LDK
2026: 17.60%
2025: 13.24%
AAK
2026: 7.17%
2025: 5.50%
Çfarë tregojnë këto shifra?
Sipas rezultateve aktuale, LVV-ja nga 57 ulëse sa kishte bie në 48 ulëse; PDK-ja nga 22 ulëse shkon në 24 ulëse; LDK-ja nga 15 ulëse shkon në 20 ulëse, ndërsa AAK-ja nga 6 ulëse shkon në 8 ulëse.
Me numërimin e votave të diasporës dhe votave me kusht, kjo renditje mund të pësojë ndryshime në rezultatin përfundimtar. Megjithatë, tashmë është e qartë se formimi i qeverisë së ardhshme dhe zgjidhja e çështjes së presidentit do të kërkojnë bashkëpunim, dialog dhe kompromis mes partive politike.
Në anën tjetër, fituesit më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve janë qytetarët e Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Policia e Kosovës, Prokuroria dhe institucionet e tjera të përfshira në organizimin e procesit, i cili u zhvillua në mënyrë demokratike dhe pa incidente serioze.
Prandaj, pyetja që duhet shtruar nuk është vetëm kush fitoi e kush humbi, por pse kaq shumë qytetarë vendosën të mos votojnë?
A kemi të bëjmë me lodhje nga zgjedhjet e shpeshta, mungesë besimi në politikë, apo me mungesën e ofertave politike që arrijnë t'i bindin qytetarët se vota e tyre mund të sjellë ndryshim?
Kosova po mban zgjedhjet e reja parlamentare, ndërsa deri në orën 15:00 është shënuar dalje më e ulët e votuesve krahasuar me zgjedhjet e kaluara.
Sipas të dhënave të deritanishme, në zgjedhjet e 7 qershorit kanë votuar mbi 140 mijë qytetarë më pak se në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Kryeredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, në një paraqitje në Klan TV në Shqipëri, ka komentuar zhvillimet e fundit dhe procesin zgjedhor në Kosovë.
Sipas tij, Kosova gjatë vitit 2025 është përballur me bllokadë dhe ngërç institucional, ndërsa edhe ky vit po vazhdon të ndikohet nga pasojat e asaj situate.
“Njerëzit janë lodhur nga zgjedhjet. Ka pasur pakënaqësi dhe papërgjegjësi nga ana e liderëve të partive politike për shkak të shkuarjes së shpeshtë në zgjedhje, dhe si rezultat i kësaj kemi deri tani numër më të vogël të votuesve”, ka deklaruar Hajrullahu.
Ai tha se pas këtyre zgjedhjeve pret më shumë bashkëpunim dhe konsensus politik për të dalë nga ngërçi institucional, përfshirë edhe çështjen e presidentit.
“Mendoj se pas rezultateve dhe vlerësimit të daljes së qytetarëve, partitë dhe liderët duhet të binden se vendit i duhet zgjidhje, e jo zgjedhje të reja”, u shpreh ai.
Hajrullahu ka komentuar edhe risitë e këtij procesi zgjedhor, përfshirë rikthimin e Vjosa Osmanit në garën zgjedhore./Telegrafi/.
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, duke komentuar në “Përballje Podcast” në Telegrafi për rolin e Beogradit në zhvillimet politike te komuniteti serb në Kosovë, ka përmendur edhe aspektin financiar që po përdoret për të intimiduar serbët në Kosovë që nuk e përkrahin Listën Serbe.
Ai ka folur edhe për raportin mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe Milan Radoiçiqit.
“Aty do të përdoren të gjitha mjetet zyrtare dhe jo zyrtare, dhe ju e dini kush e udhëheq krejt këtë proces dhe dhe nga vijnë krejt këto financa...”, ka shtuar Rashiq shkruan Telegrafi.
Ndryshe, Radoiçiq ishte ish nënkryetar i Listës Serbe dhe përgjegjësi kryesor për sulmin në Banjskë.
Gjatë diskutimit për presionin ndaj serbëve që nuk mbështesin Listën Serbe, Rashiq tha se heshtja dhe mungesa e reagimit nga Vuçiqi për situatën e largimeve dhe presioneve të serbëve në Kosovë tregon shumë për raportin mes tyre.
“Mosreagimi i Vuçiqit, çka tregon? Tregon se sa të ndërlidhur janë ata dy persona”, deklaroi Rashiq, shkruan Telegrafi.
Ai tha se në rrethana të tilla, mungesa e reagimit të qartë nga Beogradi, por edhe nga Bashkimi Evropian dhe shtete të ndryshme evropiane, e bën edhe më të vështirë situatën për serbët që mendojnë ndryshe në Kosovë.
“Kur nuk keni as reagim, as ndonjë formë të qartë nga Bashkimi Evropian apo shtetet e ndryshme të Bashkimit Evropian, as edhe një letër apo thirrje që procesi zgjedhor të jetë i lirë dhe të mos interferohet, atëherë ju e kuptoni me çfarë fuqie të madhe po ballafaqoheni”, tha ai.
“Tash vjen një radikal ekstrem, një diktator, i cili konsideron se kushdo që mendon ndryshe duhet të përfundojë”, tha Rashiq.
Rashiq tha se presioni ndaj tij dhe partisë së tij është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të ruajtur kontrollin politik mbi komunitetin serb në Kosovë dhe për të mos lejuar pluralizëm brenda këtij komuniteti. /Telegrafi/
Nenad Rashiq, politikan serb, partia e të cilin po merr pjesë në zgjedhjet parlamentare me 7 qershor ka deklaruar se qëllimi i partisë së tij është të sigurojë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës, por sipas tij, presioni ndaj serbëve që mendojnë ndryshe është shumë i madh.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi, Rashiq tha se çdo veprim politik i subjektit që ai drejton, sidomos gjatë periudhës zgjedhore, ka për synim pjesëmarrjen në legjislativin e Kosovës.
“Qëllimi është që të jemi pjesë e Parlamentit, sepse aty është caku kryesor për shumë arsye”, tha Rashiq në “Përballje Podcast” në Telegrafi, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.
Ai deklaroi se shumë serbë në Kosovë mendojnë njësoj si ai, por nuk e thonë publikisht për shkak të presionit dhe frikës nga pasojat.
“Besoni që shumë njerëz mendojnë sikur unë. Ju garantoj se shumica e serbëve mendojnë të njëjtën, por nuk e thonë publikisht”, deklaroi Rashiq.
Sipas tij, metodat e represionit janë të ashpra dhe të fuqishme, duke bërë që qytetarët serbë të mos ndihen të lirë të shprehin qëndrimet e tyre politike.
“Metodat e represionit janë kaq të vrazhda, kaq të fuqishme, sa definitivisht nuk mund t’i ikësh atij rrethi të veprimeve të ndërlidhura”, tha ai.
Rashiq shtoi se presioni shtohet veçanërisht gjatë zgjedhjeve, kur sipas tij, aktivizohet një mekanizëm i tërë për ta penguar përfaqësimin e partisë së tij në Kuvendin e Kosovës.
“Paramendoni, të gjitha institucionet në Serbi janë të angazhuara që Rashiqi të mos fitojë një deputet”, tha ai.
Ai theksoi se, pavarësisht presioneve, partia e tij do të vazhdojë të kërkojë përfaqësim politik brenda institucioneve të Kosovës, duke e paraqitur këtë si alternativë ndaj Listës Serbe. /Telegrafi/.
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se qytetarët në Kosovë janë lodhur nga zgjedhjet e shpeshta, por sipas tij, te komuniteti serb problemi është edhe më i thellë për shkak të presionit politik që po ushtrohet ndaj votuesve nga Beogradi zyrtar.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi, Rashiq tha se edhe shqiptarët, edhe serbët janë të lodhur nga proceset e shpeshta zgjedhore, por te komuniteti serb, siç u shpreh ai, fushatat gjithnjë e më shumë po ngjajnë me presion dhe frikësim sesa me garë të lirë demokratike.
“Normalisht që njerëzit, si shqiptarët ashtu edhe serbët, janë të lodhur me zgjedhje”, tha Rashiq.
Ai theksoi se në komunitetin serb kjo situatë përsëritet në çdo proces zgjedhor, ndërsa sipas tij, niveli i ashpërsisë dhe radikalizimit ndaj qytetarëve është rritur.
“Kam qenë ndoshta pak naiv kur kam menduar se nuk do të veprojnë kaq vrazhdë, ashpër dhe në mënyrë radikale. Por çdo herë kur kemi zgjedhje të ardhshme, ata e ngrisin nivelin e ashpërsisë”, deklaroi Rashiq.
Sipas tij, kësaj radhe presioni ka arritur një nivel edhe më të lartë, pasi fushata e Listës Serbe dhe strukturave të lidhura me Beogradin ka nisur shumë herët.
Duke folur për largimet nga puna në Graçanicë të personave që kanë punuar në institucionet paralele të Serbisë në Kosovë, Rashiq tha se rreth 20 persona janë larguar nga puna, ndërsa shtoi se numri i saktë nuk dihet, pasi disa raste nuk janë raportuar nga frika e hakmarrjes ndaj familjarëve.
“Janë larguar rreth 20 persona nga puna. Numri i saktë nuk dihet, sepse disa nuk kanë raportuar fare nga frika se mund të ketë hakmarrje shtesë ndaj familjarëve të tyre”, tha ai.
Rashiq tha se qytetarët serbë që mbështesin alternativa të tjera politike po përballen me frikë, shantazh dhe pasiguri, duke shtuar se kjo e dëmton drejtpërdrejt të drejtën për zgjedhje të lira brenda komunitetit serb në Kosovë. /Telegrafi/.
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se e ka informuar korin diplomatik në Kosovë për presionin që, sipas tij, po ushtrohet ndaj serbëve që nuk e mbështesin Listën Serbe.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Rashiq tha se pas rasteve të largimeve nga puna dhe presioneve ndaj qytetarëve serbë edhe nga partia e tij, ka dërguar informacione te përfaqësitë diplomatike në Kosovë.
Ai tha se i ka njoftuar ambasadat për atë që po ndodh në terren, duke përfshirë, siç u shpreh, represionin ndaj qytetarëve, largimet nga puna dhe presionin politik gjatë fushatës zgjedhore.
“Krejt këto i informova te kori diplomatik. I shkrova dy faqe, që t’i informoj sa më saktë se çfarë po ndodh”, tha Rashiq shkruan Telegrafi.
Sipas tij, në komunikimin drejtuar diplomatëve ka kërkuar që të dënohet çdo formë e diskriminimit dhe presionit ndaj qytetarëve serbë.
“Ju kisha lutur që ta keni në mend se kjo është e papranueshme në botën moderne. Besoj që edhe ju, sikur ne, besoni në vlerat demokratike evropiane për votime të lira”, deklaroi ai.
Rashiq tha se, pavarësisht alarmimit, reagimi nga ambasadat ka munguar.
“Asnjë ambasadë nuk ma ka kthyer përgjigjen, përveç njërës, ambasadës së Malit të Zi, që ma kanë kthy konfirmimin e emailit. Asnjë nuk ka reaguar”, tha ai.
Ai shtoi se pas vazhdimit të presionit ka dërguar edhe një letër tjetër më të shkurtër, ku ka kërkuar ndaljen dhe dënimin e kësaj forme të diskriminimit.
“U luta që të ndalet kjo formë e diskriminimit, sepse me të vërtetë është tepër. Nuk kam pasur asnjë përgjigje”, tha Rashiq.
Sipas tij, mungesa e reagimit nga përfaqësitë diplomatike është zhgënjyese.
“Për mua është jo vetëm shqetësuese, por edhe zhgënjyese. Besoj në vlerat evropiane, njerëzore dhe demokratike, por të mos ketë asnjë përgjigje në këtë email është dëshpëruese”, deklaroi Rashiq. /Telegrafi/
Kosova do të votojë të dielën, më 7 qershor. Akuzat dhe kundërakuzat mes partive politike shqiptare kanë lënë disi në hije vëmendjen ndaj komunitetit serb në vend.
Në qendër të kësaj teme është roli i Listës Serbe, ndikimi i Beogradit në politikën e serbëve të Kosovës, presioni mbi votuesit dhe hapësira për alternativa të tjera politike brenda komunitetit serb.
Për këto çështje në “Përballje Podcast” në Telegrafi ka folur Nenad Rashiq, politikan serb, ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim, si dhe kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Rashiq ka dhënë detaje për fushatën, të cilën e ka cilësuar shqetësuese, intimiduesе dhe të rrezikshme për të gjithë ata që nuk janë me Listën Serbe dhe me institucionet e Serbisë, të udhëhequra nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Sipas Rashiqit, te serbët në veri dhe në jug të Kosovës ekziston frika për të votuar ndryshe nga Lista Serbe.
Ai tha se presioni po ushtrohet ndaj qytetarëve serbë që nuk e mbështesin Listën Serbe dhe që identifikohen si përkrahës të Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, të cilën ai e drejton.
Sipas tij, në këtë fushatë janë përdorur largimet nga puna, ndalimet në kufi, presioni ndaj familjarëve dhe forma të ndryshme të shantazhit politik.
“Po përjetojmë një veprim brutal. Një diktaturë që pa dyshim ekziston për momentin në Beograd, ndërsa ne jemi dëm kolateral”, ka deklaruar Rashiq.
Ai tha se disa persona janë larguar nga puna për shkak të përkatësisë politike, ndërsa, sipas tij, disa raste nuk janë raportuar fare nga frika e hakmarrjes ndaj familjarëve.
Rashiq përmendi edhe raste kur qytetarë serbë, të identifikuar si përkrahës të tij, janë ndalur në kufi dhe janë marrë në pyetje për disa orë.
“Secili prej njerëzve që është i identifikuar si votues i partisë sime ndalet në kufi për katër orë. Ose për një ‘like’ në Facebook dhe pse është ulur një herë në drekë me mua, kjo ka qenë arsyeja...Deri aty shkon”, tha ai.
Sipas Rashiqit, Lista Serbe dhe institucionet e Serbisë po veprojnë me qëllim që të mos lejojnë një zë tjetër politik brenda komunitetit serb në Kosovë.
“Ne jemi e vetmja parti politike që realisht garon kundër Listës Serbe. Institucionet e Serbisë janë të gjitha të angazhuara që Rashiqi të mos jetë deputet në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Ai e cilësoi qasjen e Listës Serbe si destruktive ndaj institucioneve të Kosovës, duke thënë se kjo bëhet drejtpërdrejt brenda institucioneve ose në mënyrë indirekte përmes institucioneve të Serbisë.
Rashiq tha se për këtë situatë e ka informuar edhe korin diplomatik në Kosovë, por sipas tij nuk ka pasur reagim të mjaftueshëm.
“Për mua është jo vetëm shqetësuese, por edhe zhgënjyese. Besoj në vlerat evropiane, njerëzore dhe demokratike, por të mos ketë asnjë përgjigje është dëshpëruese”, tha ai.
Sipas tij, Beogradi po tenton që përmes Listës Serbe ta mbajë nën kontroll përfaqësimin politik të serbëve të Kosovës dhe të mos lejojë pluralizëm real brenda këtij komuniteti.
“Janë të vendosur t’i përdorin të gjitha mjetet që kanë, qoftë zyrtare, qoftë jozyrtare”, deklaroi Rashiq.
Ai tha se, përkundër presioneve, qëllimi i partisë së tij është të fitojë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës dhe të ofrojë një qasje ndryshe nga ajo e Listës Serbe. /Telegrafi/
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në Konferencën e Nëntë të Shëndetit, Mirëqenies, Edukimit dhe të Drejtave të Fëmijëve.
Sipas saj, pavarësisht përparimeve, pavarësisht përmirësimeve, arritjeve që kemi pasur gjatë kësaj periudhe kohore, fëmijët ende përballen me shumë sfida.
“Prandaj, të drejtat e fëmijëve janë një nga fushat, ku dallimi ndërmjet asaj që shkruhet dhe asaj që zbatohet shihet shumë shpejt. Fëmijët nuk kërkojnë gjëra të pamundura. Ata kërkojnë të ndihen të sigurt. Të mos përbuzen. Të mos përjashtohen. Të mos stigmatizohen për varfërinë e familjes. Të mos mbeten pa ndihmë kur kanë vështirësi në të folur, në sjellje, në mësimnxënie apo në shëndet mendor. Të mos u thuhet “hajt se kalon” për diçka që kërkon kujdes profesional”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo tutje ka thënë se një nga gabimet tona më të mëdha si shoqëri është se ndonjëherë presim që fëmija ta tejkalojë vetë atë, që as të rriturit nuk do të mund ta kalonin.
“Presim që të jetë i fortë, i qetë, i dëgjueshëm, i suksesshëm, pra presim që të përshtatet. Por, fëmija ka të drejtë edhe të ketë frikë. Ka të drejtë të jetë i hutuar. Ka të drejtë të mos dijë si ta shpjegojë atë që ndien përbrenda. Dhe mbi të gjitha, ka të drejtë të marrë ndihmë me kohë. Këtu fillon përgjegjësia jonë. Te aftësia për ta dëgjuar fëmijën para se të na flasë me krizë. Te aftësia për ta mbështetur prindin pa e gjykuar. Te aftësia për t’i dhënë mësuesit mjete, për t’i kthyer ligjet në shërbime dhe shërbimet në qasje të barabartë për secilin fëmijë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, Kosova ka ndërtuar një bazë të rëndësishme ligjore për mbrojtjen e fëmijëve, por, sipas saj, sistemi nuk matet me numrin e dokumenteve që prodhon, sistemi matet me atë që ndodh kur një fëmijë ka nevojë për ndihmë.
“A e di familja ku duhet të drejtohet kur ka nevojë? A reagon shkolla me kohë? A ka psikologë të mjaftueshëm? A ka shërbime të qasshme në komunë? A dëgjohet mendimi i fëmijës? A trajtohet fëmija me dinjitet? A mbrohet nga dhuna në shtëpi, në shkollë, në rrugë apo në hapësirën digjitale? Këto janë pyetje shumë konkrete dhe pikërisht për këtë arsye, puna juaj ka rëndësi. Hulumtimi psiko-social, përvoja klinike, puna me familje, puna me fëmijë, puna në shkolla dhe në komunitet, të gjitha këto e ndihmojnë shtetin të shohë më qartë dhe po ashtu të veprojë më drejt”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo ka thënë se të dhënat, hulumtimi, vlerësimi profesional dhe përvoja në terren janë mjete pune për një shtet edhe më të përgjegjshëm.
“Shteti jonë shihet edhe aty ku një fëmijë mëson se fjala e tij dëgjohet. Aty ku dhuna nuk quhet edukim. Aty ku kërkimi i ndihmës nuk është turp. Aty ku shkolla është vend ku fëmija rritet, jo vend ku fëmija frikësohet. Aty ku shteti nuk i shfaqet si ndërtesë e largët, por si prani e afërt, e kujdesshme dhe e besueshme. Dhe për këtë ju garantoj që po punohet në vazhdimësi edhe me përgjegjësi të plotë”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se 1 Qershori duhet të jetë ditë gëzimi, por edhe ditë përgjegjësie, sidomos për institucionet e Republikës së Kosovës.
“Fëmijët kanë nevojë për 365 ditë vëmendje, mbrojtje por po ashtu edhe për kujdes”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo ka falënderuar Qendrën për Hulumtime Psiko-Sociale, Klinikën “Empatia”, për organizimin e kësaj konference dhe për punën e vazhdueshme në një fushë që sipas U.D. Presidentes Haxhiu kërkon profesionalizëm po ashtu kërkon ndjeshmëri por edhe këmbëngulje.
“I falënderoj të gjithë profesionistët që punojnë me fëmijët, shpesh larg vëmendjes publike, por shumë afër nevojave reale të shoqërisë! Uroj që nga kjo konferencë të dalin ide të dobishme, propozime konkrete dhe bashkëpunime që vazhdojnë edhe pas përfundimit të saj! Në fund, urimi më i mirë për fëmijët në 1 Qershor është që sot, nesër, por edhe çdo ditë pas saj, të jemi më të përgjegjshëm dhe të jemi gjithmonë pranë tyre”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Kosova ndodhet në proces të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, ndërsa javëve dhe muajve të fundit, siç ndodh shpesh në periudha zgjedhore, janë shfaqur faqe, rrjete dhe grupe të ndryshme në platforma digjitale, të cilat nuk kanë impresum dhe nuk dihet se kush qëndron prapa tyre.
Këto hapësira shpesh shpërndajnë narrativa të ndryshme, disa prej tyre kundër Kosovës, por edhe kundër liderëve partiakë dhe subjekteve politike në vend.
Drejtori i Përgjithshëm i Institutit “OCTOPUS”, Arben Fetoshi, ka deklaruar se Kosova duhet të krijojë mekanizma më të fuqishëm institucionalë për t’u përballur me dezinformimin, sidomos në kontekstin e proceseve zgjedhore dhe ndërhyrjeve të jashtme.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Fetoshi tha se Instituti OCTOPUS ka insistuar prej kohësh që Kosova të ndjekë shembullin e vendeve të NATO-s, duke krijuar një Qendër Nacionale Kundër Dezinformimit.
“Ne kemi insistu ka kohë që Kosova të lëvizë, ashtu siç kanë lëvizë vende të NATO-s, me një Qendër Nacionale Kundër Dezinformimit. Për fat të keq, institucionet nuk kanë lëvizur në këtë drejtim”, deklaroi Fetoshi.
Fetoshi theksoi se dezinformimi dhe narrativat manipuluese mund të përdoren për të minuar besimin e qytetarëve në institucionet e Kosovës, veçanërisht në periudha të ndjeshme politike dhe zgjedhore.
Ai tha se institucionet duhet të kenë kapacitete më të mëdha për të reaguar shpejt ndaj çdo inskenimi apo narrative që mund të prodhohet kundër Kosovës.
“Të rriten kapacitetet e institucioneve për t’iu përgjigjur sa më shpejt që është e mundshme çfarëdo inskenimi eventual që Serbia tenton të prodhojë”, u shpreh Fetoshi shkruan Telegrafi.
Sipas tij, reagimi i shpejtë institucional është i domosdoshëm për të mos lejuar që informacionet e pavërteta të shndërrohen në narrativë publike dhe të ndikojnë në perceptimin e qytetarëve.
Fetoshi tha se mbrojtja e hapësirës informative është e lidhur drejtpërdrejt me mbrojtjen e procesit zgjedhor dhe funksionimin demokratik të shtetit.
“Në qoftë se arrijmë me e mbrojtë hapësirën informative, ne e kemi mbrojtur edhe procesin zgjedhor”, deklaroi Fetoshi në “Përballje Podcast”.
Ai shtoi se Kosova duhet ta trajtojë dezinformimin si sfidë serioze për sigurinë dhe demokracinë, duke rritur koordinimin institucional dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë./Telegrafi/.
Drejtori i Përgjithshëm i Institutit “OCTOPUS”, Arben Fetoshi ka deklaruar se çdo përpjekje për cenimin e integritetit zgjedhor në Kosovë duhet të trajtohet dhe ndëshkohet sipas ligjit, pavarësisht se kush qëndron prapa saj.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Fetoshi tha se Beogradi zyrtar tenton ta paraqesë çdo veprim institucional dhe ligjor të Republikës së Kosovës si akt kundër serbëve.
“Çdo veprim institucional dhe ligjor i Republikës së Kosovës kornizohet në Beograd si akt kundërserb, si akt politik kundërserb”, tha Fetoshi shkruan Telegrafi.
Sipas tij, nëse ka implikime në cenimin e integritetit zgjedhor, ato duhet të ndëshkohen në bazë të legjislacionit në fuqi.
“Mos të harrojmë që implikimi në cenimin e integritetit zgjedhor duhet të ndëshkohet. Është zbatim i legjislacionit, kushdo që e bën”, u shpreh ai.
Duke folur për rastet që lidhen me procesin zgjedhor, Fetoshi tha se procedurat gjyqësore duhet të vazhdojnë me konsistencë edhe ndaj atyre që dyshohet se kanë abuzuar me zgjedhjet e kaluara.
“Proceset gjyqësore janë procese gjyqësore. Besoj që të njëjtat duhet të vazhdojnë me konsistencë edhe sa i përket abuzuesve me historinë e zgjedhjeve që sapo i kaluam”, deklaroi Fetoshi. /Telegrafi/
Drejtori i Përgjithshëm i Institutit “OCTOPUS”, Arben Fetoshi, ka deklaruar se ndërhyrjet më agresive ndaj Kosovës, sidomos në kontekstin e proceseve zgjedhore, vijnë nga Beogradi zyrtar dhe mbështeten në mënyrë strategjike nga Rusia.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Fetoshi tha se Instituti OCTOPUS së fundmi ka realizuar një hulumtim për mediat kineze në gjuhën shqipe, duke vlerësuar se ato kanë një qasje më të butë krahasuar me propagandën serbo-ruse, por megjithatë nuk e trajtojnë Kosovën si realitet politik.
“Ne, në kuadër të institutit, kemi realizuar kohëve të fundit një hulumtim për mediat kineze në gjuhën shqipe, por kanë një qasje pak më të butë, kanë qasje krejt tjetër, për shkak se edhe interesat i kanë tjera”, tha Fetoshi shkruan Telegrafi.
Sipas tij, ajo që bie në sy në përmbajtjet e këtyre mediave është mënyra se si i shmangen Kosovës si subjekt politik.
“Ajo çfarë është interesante te përmbajtjet që prodhojnë këto media është fakti që nuk i referohen Kosovës si realitet, për shkak të lidhjeve të ngushta që kanë me Serbinë në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ai.
Fetoshi tha se, në anën tjetër, Kina ka interesa me Shqipërinë dhe mban prani mediale në hapësirën shqiptare.
“Ka një radio në gjuhën shqipe që Kina e mban në hapësirën shqiptare”, u shpreh ai.
Megjithatë, Fetoshi theksoi se, për nga shkalla e ndërhyrjes ndaj Kosovës, nuk sheh aktorë të tjerë në përmasat e boshtit që lidhet me Serbinë dhe Rusinë.
“Mirëpo jo, nuk shohim ndërhyrje të tjera përveç këtij boshti që e përmendëm”, tha ai.
Duke folur për ndikimet e jashtme, Fetoshi tha se ndërhyrjet agresive të Serbisë kundër Kosovës, veçanërisht në proceset zgjedhore, kanë adresë të qartë politike.
“Ndërhyrjet agresive të Serbisë kundrejt Kosovës dhe në veçanti në proceset zgjedhore e kanë adresë Beogradin zyrtar dhe mbështeten në mënyrë strategjike nga mediat ruse dhe institucionet e Rusisë”, deklaroi Fetoshi shkruan Telegrafi.
Ai përmendi si shembull reagimet ndaj marrëveshjes ushtarake Kosovë–Shqipëri–Kroaci, duke thënë se në atë rast narrativat e Beogradit dhe Moskës kanë qenë të sinkronizuara.
“Në momente të caktuara, siç ka qenë narrativa për ta prezantuar Kosovën si kërcënim shumë të madh për Serbinë, referuar marrëveshjes ushtarake Kosovë–Shqipëri–Kroaci, kemi pasur reagime edhe nga zëdhënës të Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Mbrojtjes nga Rusia, që kanë qenë plotësisht në sinkron me reagimet e Beogradit zyrtar kundrejt këtyre zhvillimeve”, tha Fetoshi.
Sipas tij, kjo tregon se ekziston një bosht i koordinuar narrativ kundër Kosovës.
“Me këtë dua të them që ky është boshti i koordinuar narrativ kundër Kosovës dhe që përfshin pastaj edhe institucione të tjera, të cilat orkestrojnë ndërhyrje të natyrave edhe të sigurisë, edhe politike, edhe informative”, deklaroi Fetoshi në “Përballje Podcast”./Telegrafi/.
Drejtori i Përgjithshëm i Institutit “OCTOPUS”, Arben Fetoshi, ka paralajmëruar se procesi i ardhshëm zgjedhor në Kosovë mund të përballet me ndërhyrje të jashtme, dezinformim, presione politike dhe kërcënime hibride, duke theksuar se integriteti zgjedhor duhet të shihet si pjesë e sigurisë kombëtare.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Fetoshi tha se ndërhyrjet në proceset zgjedhore janë bërë gjithnjë e më shqetësuese, sidomos në kontekstin e luftës hibride dhe qëllimeve të akterëve që synojnë destabilizimin e demokracive.
“Proceset zgjedhore janë target i aktiviteteve ndërhyrëse malinje, për shkak se ato përfaqësojnë ndoshta dimensionin më vital të funksionalitetit të demokracisë”, deklaroi Fetoshi gjatë diskutimit me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.
Sipas tij, në rastin e Kosovës, rreziku është edhe më specifik për shkak të raportit me Serbinë dhe përpjekjeve të vazhdueshme të Beogradit për të ndikuar në zhvillimet politike dhe institucionale në vend.
“Ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë i përfshijnë të gjithë ekosistemin, edhe në nivelin politik, edhe në nivelin informativ, edhe në atë të sigurisë”, tha ai.
Fetoshi theksoi se një prej objektivave kryesore të Serbisë është kontrolli i përfaqësimit politik të komunitetit serb në Kosovë.
“Qëllimi strategjik i Serbisë kundër Kosovës është që të mos e lejojë pluralizmin demokratik te komuniteti serb. Të kontrollojë votën e qytetarëve serbë, e cila duhet të përqendrohet vetëm te Lista Serbe”, u shpreh ai.
Ai shtoi se, sipas tij, Lista Serbe përfaqëson politikat e Beogradit në Kosovë.
“Lista Serbe është subjekt përfaqësues i politikave të Beogradit kundrejt Kosovës”, tha Fetoshi.
Duke folur për format e presionit, Fetoshi përmendi shantazhin, kërcënimet, frikësimin, largimet nga puna dhe presionet fizike ndaj rivalëve politikë të Listës Serbe.
“Historia e ndërhyrjeve të Serbisë në zgjedhjet në Kosovë është e dhunshme”, deklaroi ai shkruan Telegrafi.
Fetoshi foli edhe për propagandën dhe narrativat që, sipas tij, përdoren nga Serbia kundër Kosovës, duke thënë se ato shpesh synojnë ta paraqesin Kosovën si kërcënim për serbët.
“Propaganda serbe është e stërmbushur me fabrikime kinse të incidenteve ndëretnike, në funksion të narrativës së tyre që regjimi në Prishtinë po angazhohet për ta bërë të padurueshme jetën për serbët në Kosovë”, tha Fetoshi.
Arben Fetoshi nga Instituti "Octopus" me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet HajrullahuFoto: Floriana Alija
Sipas tij, këto narrativa kanë për qëllim nxitjen emocionale të qytetarëve serbë dhe krijimin e mosbesimit ndaj institucioneve të Kosovës.
“Në kuptimin narrativ, ata vazhdimisht kanë përdorë edhe instrumentet e spiunazhit, edhe rrjetet që i kanë këtu”, shtoi ai.
Fetoshi tha se Kosova ka nevojë për mekanizma më të fuqishëm institucionalë kundër dezinformimit, duke përmendur nevojën për një qendër nacionale kundër dezinformimit.
“Ne kemi insistu ka kohë që Kosova të lëvizë, ashtu siç kanë lëvizë vende të NATO-s, me një Qendër Nacionale Kundër Dezinformimit. Për fat të keq, institucionet nuk kanë lëviz në këtë drejtim”, deklaroi ai.
Ai theksoi se institucionet duhet të kenë kapacitete më të mëdha për reagim të shpejtë ndaj dezinformatave dhe inskenimeve të mundshme.
“Të rriten kapacitetet e institucioneve për t’iu përgjigjur sa më shpejt që është e mundshme çfarëdo inskenimi eventual që Serbia tenton të prodhojë”, tha Fetoshi.
Duke folur për rolin e mediave, ai tha se sistemi medial në Kosovë ka përgjegjësi të madhe në mbrojtjen e hapësirës informative.
“Sistemi i mediave në Kosovë e ka për detyrë që të jetë më i kujdesshëm në mbrojtjen e integritetit të hapësirës informative në Kosovë”, tha ai.
Fetoshi shtoi se mbrojtja e hapësirës informative lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e zgjedhjeve dhe funksionimin demokratik të vendit.
“Në qoftë se arrijmë me e mbrojtë hapësirën informative, ne e kemi mbrojtur edhe procesin zgjedhor. Në qoftë se e mbrojmë procesin zgjedhor, ne prodhojmë institucione të qëndrueshme”, u shpreh ai.
Arben Fetoshi nga OCTOPUSFoto: Floriana Alija
Në fund, Fetoshi dha edhe rekomandime për institucionet e Kosovës, duke kërkuar koordinim më të madh mes institucioneve të sigurisë, KQZ-së, institucioneve të sigurisë kibernetike dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Është e domosdoshme që institucionet e sigurisë të vazhdojnë me një koordinim të plotë e efikas për të reaguar sa më herët që është e mundshme ndaj çfarëdo shenje të formave të presionit mbi qytetarët serbë”, tha ai.
Ai kërkoi vëmendje të shtuar edhe në sigurinë kibernetike gjatë procesit zgjedhor.
“Vëmendja e institucioneve të sigurisë kibernetike duhet të jetë e shtuar, për shkak se e kaluara ka treguar për tendenca të vazhdueshme të ndërhyrjes minuese në infrastrukturën kritike të Republikës së Kosovës”, deklaroi Fetoshi.
Sipas tij, fokusi kryesor duhet të jetë në pjesën veriore të vendit, por pa u përjashtuar edhe pjesët tjera të Kosovës./Telegrafi/.
Informimi i qytetarëve në Kosovë po mbështetet gjithnjë e më shumë në mediat online dhe rrjetet sociale, ndërsa televizioni vazhdon të mbetet një burim i rëndësishëm i lajmeve, sidomos kur përdoret bashkë me platformat digjitale.
Këto janë disa nga gjetjet kryesore të “Hulumtimit të Tregut Medial në Kosovë”, i realizuar për të analizuar shprehitë e informimit, besueshmërinë ndaj mediave, tregun e reklamimit dhe qëndrueshmërinë financiare të mediave të licencuara në Kosovë, i publikuar ditë më parë nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).
Sipas raportit, mediat online dhe rrjetet sociale dalin si forma më e zakonshme e informimit për qytetarët. Ato përdoren jo vetëm si platformë e vetme nga një pjesë e respondentëve, por edhe si pjesë e kombinimeve më të shpeshta me forma të tjera të informimit.
Kjo tregon se një pjesë e madhe e qytetarëve e marrin informacionin e përditshëm kryesisht përmes internetit, ku qasja është më e shpejtë dhe përmbajtjet ndryshojnë vazhdimisht.
Megjithatë, rezultatet tregojnë se televizioni vazhdon të ketë rol të rëndësishëm në informim, veçanërisht kur përdoret paralelisht me mediat online. Kjo nënkupton se qytetarët nuk mbështeten gjithmonë vetëm në një burim, por shpesh përdorin disa platforma për t’u informuar.
“Gjetjet sugjerojnë se informimi po mbështetet gjithnjë e më shumë në burime digjitale, ndërsa televizioni vazhdon të mbetet një burim i rëndësishëm informimi. Qytetarët shpesh përdorin më shumë se një platformë; aktiviteti online raportohet më i theksuar në orët e mbrëmjes; ndërsa në orët kulmore ndjekja e televizionit dhe radios priret të orientohet drejt burimeve vendore”, thuhet në raport shkruan Telergafi.
Për tregun medial, këto të dhëna tregojnë se prania në më shumë se një platformë është bërë e domosdoshme për të arritur audiencën dhe për të ruajtur lidhjen me të, sidomos kur synohen grupe të ndryshme të qytetarëve.
Një pjesë e veçantë e hulumtimit trajton edhe mënyrën se si qytetarët i përdorin mediat online dhe rrjetet sociale gjatë ditës. Sipas të dhënave, përdorimi i këtyre platformave është pothuajse i ndarë në mënyrë të barabartë ndërmjet orëve të pasdites dhe përdorimit të kombinuar në paradite dhe pasdite.
“Më konkretisht, 49.2 për qind e respondentëve kanë deklaruar se mediat online dhe rrjetet sociale i përdorin kryesisht në orët e pasdites, ndërsa 47.8 për qind i përdorin si në paradite, ashtu edhe në pasdite. Vetëm 3 për qind kanë deklaruar se i përdorin këto platforma vetëm në orët e paradites”, shkruan raporti transmeton Telegrafi.
Sa u përket portaleve të përdorura gjatë orëve kulmore, të dhënat tregojnë se portalet vendore kanë përdorimin më të lartë dhe përfaqësojnë kategorinë kryesore të përgjigjeve.
Një pjesë e konsiderueshme e respondentëve kanë deklaruar se përdorin kombinim të portaleve vendore dhe të huaja, ndërsa përdorimi vetëm i portaleve të huaja paraqitet më rrallë.
Kjo shpërndarje sugjeron se, në periudhat kur aktiviteti online është më i lartë, audienca priret të mbështetet kryesisht në burime vendore të informimit. Ndërkaq, portalet e huaja përdoren më shumë si burim plotësues.
Raporti thekson se qytetarët kanë pasur mundësi të zgjedhin më shumë se një platformë mediatike, prandaj rezultatet pasqyrojnë modele të kombinuara të informimit. Kjo do të thotë se burimet mediatike përdoren si individualisht, ashtu edhe në kombinim me njëra-tjetrën.
Një nga gjetjet më të rëndësishme lidhet edhe me besueshmërinë.
“Mediat tradicionale perceptohen si më të besueshme krahasuar me platformat digjitale, ndërsa temat që lidhen me integritetin e informacionit dhe inteligjencën artificiale po shfaqen si çështje me interes të lartë për publikun”, shkruan raporti.
Raporti po ashtu thekson se një pjesë e respondentëve mbështesin përfshirjen e edukimit medial në sistemin arsimor, si mënyrë për të rritur aftësinë e qytetarëve për të dalluar informacionin e saktë nga dezinformimi.
Nga perspektiva e bizneseve, reklamimi shihet si i rëndësishëm për komunikimin me konsumatorët, por efektiviteti i tij përshkruhet si i ndryshueshëm. Sfidat kryesore që përmenden janë çmimet e reklamave, mungesa e qartësisë për audiencën dhe matja e efektit të reklamimit.
“Hulumtimi i Tregut Medial në Kosovë” është realizuar përmes pyetësorëve me qytetarë, biznese dhe media të licencuara gjatë periudhës janar-shkurt 2026./Telegrafi/.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka kritikuar qeverinë në detyrë për mungesë projektesh zhvillimore dhe fokusim në kriza politike, duke thënë se qytetarët po përballen çdo ditë me rritje të kostos së jetesës.
Në “Përballje Podcast”, Tahiri tha se gjatë viteve të fundit Kosova është përfshirë në debate politike, ndërsa problemet ekonomike dhe sociale kanë mbetur anash.
Ai tha se qytetarët sot përballen me çmime të larta dhe vështirësi ekonomike.
“Një projekt kapital të rëndësishëm nuk është në gjendje me e përmend. Një investim të huaj nuk është në gjendje me e përmend...Dy vjet po merremi veç me presidentin… qytetarët duhet me u marrë me mirëqenie, me zhvillim dhe me kushte më të mira jetese”, u shpreh ai.
Ish-deputeti i Partia Demokratike e Kosovës, Arian Tahiri, ka deklaruar se PDK pret rritje në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa ka vlerësuar se Bedri Hamza është kandidati më i mirë për kryeministër dhe për drejtimin e Kosovës.
Në “Përballje Podcast”, Tahiri tha se PDK beson se qytetarët do të reflektojnë në zgjedhjet e 7 qershorit dhe do t’i japin mbështetje partisë së tij.
“Unë e pres që Partia Demokratike e Kosovës do të rritet. Do të rritet edhe me numrin e votave, njëherit edhe me numrin e deputetëve”, deklaroi Tahiri.
Sipas tij, PDK do të forcojë pozitën e saj në Kuvendin e Kosovës dhe do të ketë rol të rëndësishëm në skenën politike pas zgjedhjeve. Tahiri u shpreh i bindur se Bedri Hamza është alternativa më e mirë për udhëheqjen e vendit, duke thënë se PDK ka vazhduar ta mbështesë kandidaturën e tij që nga zgjedhjet e kaluara.
“Do ta forcojë pozicionin tonë në Kuvendin e Kosovës… do të jetë forcë e rëndësishme politike në kuptim që me e përfaqësu interesin e votuesve dhe interesat e vendit. Ne kemi besu dhe kemi qëndru pas Bedri Hamzës si kandidati i duhur për kryeministër”, deklaroi Tahiri shkruan Telegrafi.
Ai tha se me Hamzën kryeministër, qytetarët do të kishin përfituar më shumë mbështetje ekonomike dhe sociale.
“Po të kishte qenë Bedri Hamza kryeministër i Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të vitit 2025, secili mësimdhënës, secili mjek, secili fermer, secili polic… pagën do ta kishte parë 50 për qind në rritje”, u shpreh Tahiri.
Sipas tij, PDK ofron një qasje tjetër qeverisëse, të fokusuar në zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe mbështetje për sektorin privat.
“Me qeverisjen e Partisë Demokratike të Kosovës do të kthehet koha e zhvillimit, mirëqenies dhe përgjegjshmërisë. Jam i bindur që qytetari i Republikës së Kosovës ka me reflektu”, tha Tahiri./Telegrafi/.
Ish-deputeti i Partia Demokratike e Kosovës, Arian Tahiri, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe eksponentë të Lëvizja Vetëvendosje për përdorim të gjuhës përçarëse dhe ofenduese ndaj figurave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke komentuar përplasjet e fundit politike me Sami Lushtakun.
Në “Përballje Podcast”, Tahiri tha se sipas tij, Kurti dhe njerëzit e tij politikë kanë krijuar një klimë të tensionuar në shoqëri përmes gjuhës fyese ndaj kundërshtarëve politikë dhe figurave të UÇK-së.
“Albin Kurti dhe eksponentët e tij në vazhdimësi kanë përdorë gjuhë ofenduese ndaj kundërshtarëve politikë”, deklaroi Tahiri shkruan Telegrafi.
Ai tha se kjo frymë po ndikon negativisht në diskursin publik dhe po prodhon përçarje të vazhdueshme në shoqëri
“Kjo logjikë, kjo klimë, që është e sponsorizume, e shtyme prej tyne… është duke e kontaminu këtë vend”, u shpreh ai.
Duke folur për debatet dhe tensionet e fundit që përfshinë Sami Lushtakun, Tahiri mbrojti figurën e tij, duke e cilësuar si një nga komandantët e rëndësishëm të luftës në Drenicë.
“Sami Lushtaku ka qenë komandant i suksesshëm i Zonës Operative të Drenicës, një burrë që me krejt qenien e vet ka bërë maksimum për lirinë”, deklaroi Tahiri.
Sipas tij, sulmet dhe gjuha denigruese ndaj figurave të luftës nuk duhet të normalizohen në politikën kosovare.
“Duhet me u krenu me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duhet me u krenu me dëshmorët e kombit, duhet me u krenu me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.
Tahiri tha se klima aktuale politike ka sjellë degradim të debatit publik, me ofendime dhe linçime të vazhdueshme
“Ka ofendime, ka sharje, ka linçime pa baza, akuza e kundërakuza… është një frymë që s’ka qenë në traditën tonë politike”, deklaroi ai shkruan Telegrafi.