Reading view

Hajrizi tregon rrugëtimin e UBT-së: Nga Kosova e pasluftës në mesin e më të mirëve në botë



Kosova po shndërrohet gradualisht nga një vend që dikur merrte modele zhvillimi nga jashtë, në një vend që po kontribuon me inovacion, teknologji dhe modele të reja në arenën ndërkombëtare.

Në “Përballje Podcast”, themeluesi dhe rektori i UBT, Edmond Hajrizi, tha se sot Kosova po arrin të kontribuojë me talent, zhvillim dhe inovacion në projekte dhe iniciativa globale.

“Ne në UBT nuk jemi më vetëm marrës. Fatmirësisht, tash jemi dhënës me talent, me zhvillim, me prototipe dhe me inovacion”, deklaroi Hajrizi.


Ai theksoi se zhvillimi i UBT-së dhe pozicionimi në rangime ndërkombëtare dëshmojnë se edhe një institucion i ndërtuar në Kosovë mund të arrijë standarde globale në arsim, inovacion dhe teknologji.

“Jo rastësisht jemi të rankuar dhe të konfirmuar në nivele botërore, në vendet e para, të shtata apo të teta”, u shpreh ai.

Sipas Hajrizit, fakti që një institucion nga Kosova ka arritur të pozicionohet në nivel ndërkombëtar përbën një transformim të madh për vendin, sidomos duke pasur parasysh historinë e pasluftës dhe zhvillimin nga zeroja.

“Me dalë prej luftës, me zhvillu nga zeroja dhe për njëzet vjet me ardhë me u bo ma i miri në botë, është kënaqësi dhe me qenë model dhe partner”, deklaroi ai.

- YouTube www.youtube.com

Hajrizi tha se dikur institucionet dhe organizatat nga Kosova përballeshin me vështirësi për t’u konfirmuar dhe për t’u bërë pjesë e projekteve ndërkombëtare, ndërsa sot situata ka ndryshuar dukshëm.


“Derisa në rrethana tjera është dashur shumë me u konfirmu ose me u lidh, tash ti je pjesë përbërëse e zhvillimeve botërore”, tha ai.

Ai shtoi se bashkëpunimet me universitete, kompani dhe institucione ndërkombëtare po rriten vazhdimisht, ndërsa Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si një vend me potencial në teknologji, inovacion dhe zhvillim digjital./Telegrafi/.

  •  

Hajrizi: AI nuk do ta zëvendësojë profesorin, por do ta ndihmojë studentin




Edmond Hajrizi, rektor dhe themelues i UBT-sw, ka folur për rolin e inteligjencës artificiale në arsim dhe mënyrën si teknologjia po ndryshon universitetet dhe tregun e punës

Sipas tij inteligjenca artificiale po ndryshon me shpejtësi mënyrën si funksionon arsimi dhe universitetet, ndërsa institucionet arsimore po orientohen gjithnjë e më shumë drejt modeleve të reja digjitale dhe të personalizuara të mësimit.

Në “Përballje Podcast”, Hajrizi, foli për projektet dhe risitë që po zhvillohen në UBT në fushën e inteligjencës artificiale dhe arsimit digjital.



Sipas tij, UBT tashmë ka punuar në krijimin e një platforme të integruar me inteligjencë artificiale, ku studentët mund të kenë mbështetje të vazhdueshme përmes sistemeve të bazuara në AI.

“Ne kemi punu shumë në krijimin e gjithë platformës që ka mbështetje nga inteligjenca artificiale, domethënë studenti me pasë një profesor të bazuar në inteligjencë artificiale”, deklaroi Hajrizi.

Ai tha se ky “profesor virtual” do të jetë në dispozicion të studentëve në çdo kohë, duke ofruar përgjigje, shpjegime dhe mbështetje të personalizuar sipas nevojave të secilit student.

- YouTube www.youtube.com

“Është për ty në çdo moment, çdo kohë, njëzet e katër për shtatë. Të jep mbështetje, të jep përgjigje, të shpjegon, të ligjëron, mbi bazën që është e personalizuar për ty”, u shpreh ai.

Sipas Hajrizit, ky model i ri i mësimit mund të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e produktivitetit dhe cilësisë së arsimit, duke u mundësuar studentëve qasje më të lehtë dhe më të vazhdueshme në dije dhe mësim.

“Unë mendoj që kjo e rrit produktivitetin dhe e rrit mundësinë që studentët të kenë qasje në mësim dhe mbështetje shumë më të madhe”, tha ai.


Hajrizi theksoi se inteligjenca artificiale nuk duhet parë si zëvendësim i plotë i profesorëve, por si një vegël mbështetëse që ndihmon studentët dhe procesin mësimor në një epokë ku teknologjia po bëhet pjesë e pandashme e arsimit dhe tregut të punës.

  •  

UBT po zhvillon “Virtual Campus”, Hajrizi: Arsimi tradicional nuk mjafton vetëm



Inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital po ndryshojnë me shpejtësi mënyrën si funksionon arsimi, tregu i punës dhe vetë universitetet e kolegjet, ndërsa profesionet dhe aftësitë që kërkohen në të ardhmen po evoluojnë vazhdimisht.

Në këtë realitet të ri teknologjik, institucionet arsimore po përballen me nevojën për të krijuar modele më fleksibile, më inovative dhe më të lidhura me zhvillimet globale.

Në “Përballje Podcast”, themeluesi dhe rektori i UBT, Edmond Hajrizi, tha se ky institucion tashmë është duke zhvilluar modele të reja të arsimit digjital, të mbështetura në inteligjencën artificiale, teknologjitë virtuale dhe konceptet e së ardhmes.

- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, universitetet nuk mund të funksionojnë më vetëm në formatin tradicional, pasi tregu i punës po kërkon kompetenca të reja në fusha si inteligjenca artificiale, fintech, blockchain, cybersecurity, smart cities dhe transformimi digjital.

“Ne duhet t’i përgatisim studentët për kompetencat e së ardhmes dhe për profesionet që po krijohen nga zhvillimet e reja teknologjike”, deklaroi Hajrizi.

Ai tha se UBT ka punuar në krijimin e një platforme të integruar me inteligjencë artificiale, ku studentët mund të kenë mbështetje të vazhdueshme përmes sistemeve të bazuara në AI.

“Ne kemi punu shumë në krijimin e gjithë platformës së integruar me inteligjencë artificiale, ku studenti mund ta ketë një profesor të bazuar në AI, i cili është në dispozicion 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë”, u shpreh ai gjatë diskutimit me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Edmond Hajrizi nga UBT me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu në "Përballje Podcsat"Foto: Ridvan Slivova

Sipas Hajrizit, ky model u mundëson studentëve të marrin mbështetje të personalizuar, shpjegime dhe komunikim interaktiv në çdo kohë, duke rritur produktivitetin dhe cilësinë e mësimit.

Ai foli edhe për konceptin e “Virtual Campus”, që sipas tij përfaqëson një nga drejtimet kryesore të zhvillimit të UBT-së në vitet e ardhshme.

“Ne po ndërtojmë një institucion virtual me AI-based solutions, ku studenti hyn në klasë dhe e përjeton sikur është në amfiteatër fizik, por në format virtual”, deklaroi Hajrizi.

Ai shtoi se ky model do t’u mundësojë studentëve nga vende të ndryshme të botës të studiojnë në UBT pa qenë fizikisht në Kosovë, duke ruajtur interaktivitetin dhe përvojën universitare.

“Një student nga Afrika, Amerika apo Azia mund ta përjetojë të gjithë infrastrukturën dhe interaktivitetin e universitetit pa qenë fizikisht këtu”, tha ai.

Hajrizi theksoi se ky kolegj tashmë po investon në laboratorë modernë dhe programe të reja të lidhura me teknologjinë, ndërsa studentët po përgatiten praktikisht për tregun global të punës.

Ai përmendi gjithashtu zhvillimet në fushën e fintech, smart agriculture, e-health, digjitalizimit të shërbimeve dhe qyteteve të mençura, duke theksuar se universiteti po funksionon si një “Future Lab”, ku testohen dhe zhvillohen modele të reja për të ardhmen.

“UBT-ja është një laborator i së ardhmes, ku zhvillohen prototipe, modele dhe zgjidhje inovative që mund të përdoren jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende tjera të botës”, deklaroi ai.

Sipas Hajrizit, një nga sfidat kryesore mbetet digjitalizimi më i shpejtë i arsimit dhe institucioneve në Kosovë, ndërsa bashkëpunimi mes universiteteve, sektorit privat dhe shtetit është thelbësor për zhvillimin e vendit.

Ai shtoi se Kosova ka potencial të madh për inovacion dhe teknologji, veçanërisht për shkak të moshës së re të popullsisë dhe zhvillimit të sektorit të TIK-ut.

“Teknologjia dhe inteligjenca artificiale nuk janë më luks apo trend, por domosdoshmëri për të ardhmen”, përfundoi Hajrizi./Telegrafi/.

  •  

Lista Serbe dorëzon listën për deputetë, kandidate edhe ish-drejtoresha e OJQ-së Radosavleviq



Lista Serbe ka publikuar listën e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në listë gjenden 25 kandidatë, ndërsa i pari në listë është Zllatan Elek, kryetar i këtij subjekti. Në listë janë edhe Igor Simiq, Liljana Stevanoviq, Sllavko Simiq e të tjerë.

Ajo që është risi në këtë listë është Jovana Radosavleviq, e cila gjendet me numrin rendor gjashtë dhe pranë emrit të saj është shënuar se është “mastere e shkencave politike për çështje ndërkombëtare”.

Radosavleviq deri më tani ishte e njohur si aktiviste lokale në pjesën veriore të Kosovës dhe drejtoreshë ekzekutive e OJQ-së ( Iniciativa e Re Sociale) , një prej organizatave joqeveritare aktive të komunitetit serb në Kosovë.

Ajo gjithashtu, pothuajse në të njëjtën kohë me Listën Serbe, ka konfirmuar në rrjetet sociale se po largohet nga sektori civil dhe po hyn në politikë.

“Pas dhjetë vitesh përpjekjesh përmes sektorit civil, ndiej se ka ardhur momenti të vazhdoj më tej dhe ta vazhdoj atë luftë në një vend tjetër, përmes angazhimit politik, aty ku besoj se mund të kem ndikim më konkret dhe më të drejtpërdrejtë në proceset dhe vendimet që formësojnë jetën e njerëzve”, ka deklaruar ajo.

Ajo njoftoi gjithashtu se ka lënë pozitën e drejtoreshës ekzekutive të kësaj organizate që e kishte udhëhequr që nga themelimi, duke vlerësuar se vendimi është rezultat i “viteve të përvojës, bisedave, dilemave dhe bindjes së thellë”.

Sipas mediumit në gjuhën serbe Kossev, ajo nuk ka konfirmuar drejtpërdrejt se po i bashkohet Listës Serbe. Mediumi shkruan se ajo nuk i është përgjigjur mesazhit për ta konfirmuar këtë dhe për të sqaruar motivin e kandidimit në këtë listë, ndërsa nuk i është përgjigjur as thirrjes telefonike.

Më herët, në zgjedhjet e kaluara, Listës Serbe i ishte bashkuar si kandidat edhe babai i saj, kirurgu Zvonko Radosavleviq, shkruan ky medium.

Ndryshe, zgjedhjet e reja parlamentare do të mbahen më 7 qershor, ndërsa partitë politike shqiptare kanë deklaruar se nuk duan të bashkëpunojnë me këtë subjekt pas sulmit terrorist në Banjskë ku përgjegjësinë kryesore e ka pranuar Millan Radoiçiq ish-nënkryetar i kësaj liste i cili vazhdon të mbetet i lirë në Serbi.

Po ashtu kjo listë mbështetet nga pushteti i Aleksandar Vuçiq i Serbisë. /Telegrafi/.

  •  

Mustafa i përgjigjet Molliqajt: Bashkimi i Abdixhikut me Osmanin nuk është për interesa personale



Lidhja Demokratike e Kosovës ka hedhur poshtë kritikat e Partisë Socialdemokrate dhe të Dardan Molliqajt lidhur me afrimin politik mes LDK-së dhe presidentes Vjosa Osmani.

Molliqaj javën e kaluar në “Përballje Podcast”, tha se bashkimi Abdixhiku -Osmani po bëhet të të shpëtuar njëri-tjetrin.

Në anën tjetër zyrtari i LDK-së, Mustafa, tha se pretendimet se bashkimi mes Lumir Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit bëhet për interesa personale apo për “shpëtim politik” të individëve, janë të pavërteta dhe e zhvendosin debatin larg problemeve reale të qytetarëve.

Sipas Mustafës, si Vjosa Osmani ashtu edhe Lumir Abdixhiku kanë karrierë dhe profil politik që nuk varen nga mbajtja e posteve partiake.

“Unë veç e shpjegova qëllimin dhe arsyen e bashkimit… është ideja përtej individëve, përtej partive politike. Edhe zonja Osmani edhe zoti Abdixhiku kanë një bagazh profesional e politik që edhe nëse nuk udhëheqin parti politike, do të vazhdonin të ishin të suksesshëm edhe në jetën private, edhe në jetën publike e politike”, tha ai shkruan Telegrafi.

- YouTube www.youtube.com

Mustafa theksoi se Osmani, pas përfundimit të mandatit presidencial, do të mund të kishte zgjedhur një jetë më të lehtë jashtë politikës aktive, por sipas tij, zgjedhja për të vazhduar angazhimin politik tregon vullnet për të kontribuar në Kosovë.

“Vjosa Osmani kish pas një jetë shumë më të lehtë… ka mujt me themelu një fondacion, me shëtit botën, me ligjëru në universitete prestigjioze… por fakti që dëshiron me vazhdu jetën politike e publike në Kosovë është plus e jo aspekt negativ”, deklaroi Mustafa.

Mustafa i bëri thirrje PSD-së dhe partive tjera që debati politik të fokusohet në programet dhe ofertat për qytetarët, e jo në sulme individuale.

“Unë e ftoj edhe PSD-në dhe çdo parti tjetër politike të Kosovës: hajde flasim çka kemi me i ofru qytetarëve të Kosovës, mos flasim për individë e mos të krijojmë beteja individuale”, deklaroi ai.


Sipas Mustafës, qytetarët nuk votojnë mbi bazën e figurave personale, por mbi programet dhe ofertat politike.

“Qytetarët e Kosovës nuk na votojnë se kush është më i bukur apo më i fortë. Na votojnë kush kemi programe më të mira dhe kush punojmë më shumë për qytetarët e Kosovës”, përfundoi ai./Telegrafi/.

  •  

“Po bashkohet e djathta” – Besian Mustafa tregon pse Vjosa Osmani do të garojë me LDK-në



Lidhja Demokratike e Kosovës po e sheh afrimin politik me ish presidenten Vjosa Osmani si pjesë të një projekti më të gjerë për ribashkimin e së djathtës në Kosovë dhe krijimin e një alternative të re politike për zgjedhjet e ardhshme.

Në “Përballje Podcast”, ish deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, deklaroi se bashkimi me Osmanin nuk lidhet me interesa individuale apo kalkulime personale, por me nevojën për ta konsoliduar spektrin e djathtë politik në vend.


- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, ideja e bashkimit ka si motiv kryesor tejkalimin e ndarjeve të së kaluarës dhe krijimin e një projekti të përbashkët politik.

“Përveç qëllimit fisnik-politik në vetvete, është edhe goxha praktike… për të mirën e qytetarëve të Kosovës po tentojmë, po punojmë me u bashku e djathta. Kjo përfshin Vjosa Osmanin dhe kjo përfshin çdo emër tjetër”, tha Mustafa në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Besian Mustafa nga LDKFoto: Ridvan Slivova

Ai shtoi se LDK-ja po u bën thirrje të gjithë figurave të djathta që në të kaluarën janë larguar nga partia, të rikthehen në një projekt të përbashkët politik.

“Këtë mundësi po e shfrytëzoj me i ftu të gjithë ata që e ndjejnë veten të djathtë, që për çfarëdo arsye në rrugëtimin e tyre politik janë largu nga LDK-ja, me u kthy në LDK”, deklaroi Mustafa shkruan Telegrafi.


Duke folur për raportet e dikurshme mes Osmanit dhe LDK-së, Mustafa pranoi se kanë ekzistuar përplasje politike dhe hatërmbetje, por tha se ato duhet të tejkalohen në funksion të një projekti më të madh politik.

“Këto hidhërime e fërkime që i kemi janë puro politike… sot kemi gjet rrugë të përbashkët prapë. Rikthehemi, ribashkohemi dhe shtyjmë një projekt tash e një herë për të mirën e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai.

Besian Mustafa nga LDK ne "Përballje Podcast" me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.Foto: Ridvan Slivova

Mustafa tha se elektorati i LDK-së ka përvojë me procese të ngjashme ribashkimi, duke përmendur rikthimin e figurave nga LDD dhe shkrirjen e partisë Ora në LDK në të kaluarën.

“LDK-ja dhe elektorati i LDK-së kanë përvojë në këtë drejtim… kanë kapacitet dhe përvojë për t’i tejkalu hatërmbetjet momentale për një qëllim më të madh”, deklaroi ai.

Sipas Mustafës, bashkimi i Osmanit me LDK-në mund të ketë ndikim të rëndësishëm në zgjedhjet e ardhshme, sidomos tek votuesit e pavendosur dhe tek elektorati që nuk ka marrë pjesë në proceset e fundit zgjedhore.

Ai tha se LDK-ja do të fokusohet në ofertën programore dhe në zhvillimin ekonomik, duke tentuar të bindë qytetarët se “e djathta e bashkuar” është alternativa më e mirë për Kosovën.

Mustafa kritikoi edhe qasjen e qeverisë aktuale në raport me procesin e zgjedhjes së presidentit dhe zhvillimet politike që çuan vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke insistuar se përgjegjësia kryesore bie mbi Vetëvendosjen si partia më e madhe në Kuvend. /Telegrafi/

  •  

Kosova po shkon në zgjedhje, por për çfarë?



Zgjedhjet e reja do të mbahen më 7 qershor. Por, për çfarë?

Zgjedhje për ta mbrojtur Kushtetutën, zgjedhje për të mos e lënë Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje të kapë krejt pushtetin?

Zgjedhje për të fituar përsëri Albini, për t’u dobësuar Vetëvendosje, për të fituar PDK-ja ose LDK-ja me apo pa Vjosa Osmanin, apo zgjedhje për ta ndarë pushtetin?

Këto sot janë diskutimet kryesore se pse po shkojmë sërish në zgjedhje.

Por, a kanë mbetur zgjedhjet peng i riciklimeve me të njëjtët emra? A është kjo krizë apo ka diçka më shumë?

Sa herë që përmenden zgjedhjet e reja në Kosovë, pritshmëritë janë për ndryshim. Por, realiteti na kthen gjithmonë në të njëjtën pikë, te të njëjtët emra, të njëjtat premtime, të njëjtat përplasje.

Dhe, pyetja nuk është vetëm kush fiton, por çfarë ndryshon realisht.

Prej vitesh, Kuvendi i Kosovës funksionon si një cikël i mbyllur. Figurat riciklohen, herë në pushtet, herë në opozitë, por struktura politike mbetet e pandryshuar. Ndryshojnë deklaratat, jo mënyra e të bërit politikë. Ndryshojnë sloganet, jo qasja.

Në këtë kontekst, ajo që pengon më së shumti nuk është vota e barrikaduar, por alternativa.

Në vende të tjera të rajonit dhe Evropës, skena politike është transformuar prej figurave apo iniciativa të reja që kanë dalë jashtë kornizave tradicionale. Në Hungari, Péter Magyar ka sfiduar sistemin nga brenda. Në Shqipëri, Agron Shehaj, Adriatik Lapaj apo Arlind Qorri po përpiqen të krijojnë alternativa të reja politike. Në Mal të Zi, lëvizja “Evropa Tani” ka ndryshuar balancat politike brenda një kohe të shkurtër.

Kosova, ndërkohë, vazhdon të sillet rreth të njëjtave figura dhe të njëjtave narrativa.

Ky nuk është vetëm problem i partive politike. Është edhe reflektim i mungesës së presionit për ndryshim. Dhe, këtu lind dilema kryesore: a është shoqëria gati për një alternativë të re, apo jemi rehatuar me këtë cikël të pafund?

Në këto zgjedhje ne do të shohim vetëm akuza e kundër-akuza, jo alternativa. Akuza dhe kundër-akuza për “kapje” e “çkapje” të institucioneve. Akuza për tenderë, korrupsion e skandale ...

Zgjedhjet e reja nuk duhet të jenë vetëm një proces, ato duhet të jenë moment reflektimi për partitë, por edhe për votuesit.

Sepse, nëse gjithçka mbetet njësoj, atëherë problemi nuk është më vetëm te politika.

  •  

“S’është lodhje, është zhgënjim” – Molliqaj për zgjedhjet në Kosovë




Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se perceptimi se qytetarët janë lodhur nga zgjedhjet e shpeshta nuk është i saktë, duke theksuar se problemi real është mungesa e besimit dhe frymëzimit politik.

Në “Përballje Podcast”, Molliqaj tha se pjesëmarrja në zgjedhje nuk lidhet me lodhjen fizike, por me zhgënjimin ndaj skenës politike.


Sipas tij, ajo që shpesh interpretohet si lodhje nga zgjedhjet është në fakt një formë e tërheqjes politike nga qytetarët.

“Njerëzit nuk lodhen fizikisht… nëse s’ka frymëzim politik, njerëzit thonë s’po du me marrë pjesë. Kjo nuk është lodhje… është abstenim për shkak të zhgënjimit me proceset politike,” deklaroi ai shkruan Telegrafi.

- YouTube www.youtube.com

Ai shtoi se kjo gjendje reflekton mungesën e ofertave bindëse nga partitë politike.

Molliqaj theksoi se zgjedhjet mbeten një mekanizëm i domosdoshëm për zgjidhjen e krizave politike.

“Vendimi i qytetarëve është i rëndësishëm, sidomos kur nuk ka pajtueshmëri mes klasës politike. Nëse nuk ka ide dhe frymëzim, qytetarët tërhiqen,” tha ai.


Në fund, ai nënvizoi se pjesëmarrja e qytetarëve në proceset zgjedhore lidhet drejtpërdrejt me ofertën politike që u prezantohet./Telegrafi/.

  •  

“Vjosa Osmani do ta rrezikojë LDK-në”, Molliqaj: Rikthimi i saj mund të sjellë përçarje brenda partisë



Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se rikthimi i mundshëm i ish-presidentes Vjosa Osmani në Lidhjen Demokratike të Kosovës mund të sjellë përçarje të reja brenda partisë.

Në “Përballje Podcast”, ai tha se një lëvizje e tillë nuk lidhet me ndonjë projekt politik, por me kalkulime për pushtet brenda LDK-së.

“Vjosa Osmani do ta rrezikojë LDK-në…, mas këtyre zgjedhjeve, nëse jo para, LDK-ja do të përçahet rishtazi,” deklaroi Molliqaj shkruan Telegrafi.

Sipas tij, nëse ndodh një rikthim i tillë, ai ka për qëllim ruajtjen e lidershipit aktual të partisë.

“LDK-ja është tu e marrë Vjosa Osmanin për me shpëtu Lumir Abdixhikun dhe karrigen e vet...Nuk është projekt politik, por interes pushteti”, deklaroi ai.


Molliqaj kritikoi lëvizjet politike të Osmanit, duke thënë se ato nuk bazohen në një vijë të qartë programore.

“Nuk është tu kriju parti politike, është tu u kthyer për me marrë ma shumë pushtet,” tha ai.

- YouTube www.youtube.com

Ai rikujtoi edhe mënyrën se si Osmani ka vepruar në të kaluarën politike, duke sugjeruar se vendimet e saj janë të lidhura me pozicionet e pushtetit.

Duke komentuar diskutimet për një bashkim të mundshëm të spektrit të djathtë, Molliqaj vuri në pikëpyetje seriozitetin e këtij procesi.

“Po qe një muaj nuk është Presidente gati.... pse s’u bashku me LDK-në? Çka ndodh… a është bashkimi i djathtë?” tha ai.

Sipas tij, zhvillimet e fundit tregojnë se bashkimet politike nuk po ndodhin mbi baza ideologjike, por në varësi të situatës zgjedhore./Telegrafi/.

  •  

“PDK-ja nuk ekziston politikisht” – Molliqaj pyet: Ku është Abdixhiku që dy ditë?



Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka hedhur kritika të forta ndaj opozitës parlamentare, duke vënë në pikëpyetje rolin e saj në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Në “Përballje Podcast”, ai ngriti dyshime për mungesën e veprimit nga liderët opozitarë, duke përmendur edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Nëse për një muaj s’janë marrë vesh… tash po e dinë që po shkojmë në zgjedhje… ku është Lumir Abdixhiku që dy ditë?”, u shpreh Molliqaj shkruan Telegrafi.

Molliqaj ishte kritik edhe ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, për të cilën tha se nuk luan më rol real në skenën politike.

Sipas tij, kjo parti nuk ka më peshë politike dhe nuk përfiton nga zhvillimet aktuale në skenën politike.

“PDK-ja është jashtë loje… PDK-ja nuk ekziston. Edhe me fitu Vjosa e me ra Albini nuk rritet PDK-ja, por PDK-ja edhe zvogëlohet", tha Molliqaj shkruan Telegrafi.

Ai shtoi se PDK-ja sot ekziston më shumë si një trashëgimi e së kaluarës sesa si një forcë aktive politike.

- YouTube www.youtube.com

“Në kuptimin ideor e politik sot PDK-ja është trashëgimi… mbahet për shkak të dy njerëzve që janë në Hagë. Ditën kur ata njerëz lirohen, PDK-ja ose do të riformohet ose do të dekompozohet… aty janë më shumë se dhjetë grupe”, u shpreh ai.


Molliqaj paralajmëroi se e ardhmja e kësaj partie do të varet nga zhvillimet që lidhen me figurat kryesore të saj./Telegrafi./

  •  

Mikroplastikat në trupin tonë? Salihu: Shumë studime tregojnë se plastika është e dëmshme, madje kancerogjene



Mungesa e ujit dhe rritja e përdorimit të ujit të ambalazhuar në plastikë po krijojnë një zinxhir të ri problemesh për shëndetin dhe mjedisin në Kosovë. Kështu ka paralajmëruar Krenare Salihu në “Përballje Podcast”.

Ajo theksoi se vendi ka burime ujore, por menaxhimi dhe cilësia e tyre mbeten sfidë.

“I kemi lumenjtë, i kemi liqenjtë dhe akumuluesit e ujit që furnizojnë edhe kryeqytetin dhe komunat tjera, por në anën tjetër kemi mungesë të ujit”, u shpreh Salihu.

Sipas saj, kjo situatë po i shtyn qytetarët drejt përdorimit të ujit të ambalazhuar, i cili sjell rreziqe të reja.

“Shumë studime tregojnë se plastika është e dëmshme, madje kancerogjene. Janë mikroplastikat që në disa raste janë gjetur edhe brenda në organizmin e njeriut”, tha ajo.

Salihu theksoi se këto probleme nuk janë të izoluara, por të ndërlidhura me mënyrën se si trajtohet mjedisi dhe burimet natyrore.

“Krejt këto janë të lidhura në zinxhir – nga uji, te toka, te ushqimi dhe shëndeti ynë”, deklaroi ajo.

- YouTube www.youtube.com

Ajo shtoi se përdorimi i pakontrolluar i pesticideve dhe shfrytëzimi intensiv i tokës po ndikojnë gjithashtu në cilësinë e përgjithshme të jetës dhe mjedisit.

Në këtë kontekst, Salihu ngriti shqetësimin edhe për mënyrën e përdorimit të shisheve plastike nga qytetarët.

“Kemi raste kur uji në shishe plastike ripërdoret disa herë, gjë që është rreptësisht e ndalume për shëndet”, paralajmëroi ajo.


Sipas saj, pa rritje të vetëdijes dhe menaxhim më të mirë të burimeve ujore, rreziqet për shëndetin dhe mjedisin do të vazhdojnë të rriten./Telegrafi/.

  •  

Salihu: 90% e dëmeve në mjedis nga njeriu – ja pse Kosova po përballet me mungesë uji




Kosova është përballur me mungesë të ujit që prej disa vitesh, ndërsa situata po përkeqësohet gradualisht për shkak të kombinimit të ndryshimeve klimatike dhe ndërhyrjeve njerëzore. Kështu ka deklaruar Krenare Salihu në “Përballje Podcast”.

Ajo theksoi se vendi është identifikuar si zonë me “stres uji” që më herët, bazuar në raportet ndërkombëtare.

“Kosova ka qenë krizë edhe para shtatë ose tetë viteve… kur është rangu në listën e shteteve me stres uji apo mungesë uji”, u shpreh Salihu shkruan Telegrafi.


Sipas saj, mungesa e ujit po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Salihu shpjegoi se një ndër faktorët kryesorë mbeten ndryshimet klimatike, të cilat kanë ndikuar në uljen e reshjeve dhe në ndryshimin e shpërndarjes së tyre.

“Çdo ditë e më shumë po vërehet mungesa. Kemi shumë më pak reshje, ose reshje përnjëherë në kohën kur toka nuk e thith ujin”, deklaroi ajo.

Megjithatë, ajo nënvizoi se përgjegjësia kryesore bie mbi faktorët njerëzorë.

- YouTube www.youtube.com

“Krejt dëmet që ia bëjnë mjedisit… nëntëdhjetë për qind është faktori njeri”, tha Salihu.

Sipas saj, ndërhyrjet në mjedis – përfshirë pyjet, lumenjtë dhe ajrin – po ndikojnë drejtpërdrejt në përkeqësimin e situatës me ujë.

Ajo shtoi se kjo situatë është paradoksale, duke pasur parasysh rolin që duhet të ketë njeriu në mbrojtjen e mjedisit.


“Faktori njeri është ai që duhet me mbrojtë, por shpesh po veprojmë në të kundërtën”, theksoi Salihu.


Në fund, ajo paralajmëroi se pa ndërhyrje konkrete dhe rritje të vetëdijes, problemet me furnizimin me ujë në Kosovë mund të bëhen edhe më të theksuara në të ardhmen./Telegrafi/.

  •  

Salihu: Mungesa e reshjeve dhe rritja e temperaturave po e çojnë Kosovën drejt varësisë nga shishet plastike



Ndryshimet klimatike dhe menaxhimi i dobët i burimeve ujore po e shtyjnë Kosovën drejt një situate gjithnjë e më të vështirë sa i përket furnizimit me ujë. Kështu ka paralajmëruar Krenare Salihu nga organizata mjedisore ‘Ecopana” në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Ajo theksoi se ndryshimet klimatike tashmë janë të dukshme në Kosovë, duke përmendur mungesën e reshjeve dhe rritjen e temperaturave.

“Brenda tre-katër viteve s’kemi pasur borë të madhe në Prishtinë që ka pasë ma herët. Kemi shumë pak reshje… në vjeshtë ndodh thatësira, në verë kemi temperatura shumë më të larta”, tha Salihu.

Sipas saj, të dhënat tregojnë se temperatura është rritur ndjeshëm.

“Temperatura është ngritë sipas statistikave një pikë pesë gradë më sot sesa më herët”, u shpreh ajo.

Salihu theksoi se këto zhvillime janë tregues të qartë se vendi po përballet me mungesë të ujit.

“Krejt këto e tregojnë që për fat të keq Kosova ka mungesë uji, Kosova ka stres uji”, deklaroi ajo.

- YouTube www.youtube.com

Ajo shtoi se situata rëndohet edhe më shumë për shkak të mënyrës se si menaxhohen lumenjtë dhe burimet ujore.

“Nëse ne nuk kujdesemi për ata lumenj… dhe nuk kemi menaxhim të mirë të resurseve ujore, ne kemi me mbetë pa ujë”, paralajmëroi Salihu.


Sipas saj, në mungesë të ujit të pijshëm nga çezma, qytetarët mund të detyrohen të varen nga uji i ambalazhuar.

“Po frikoj që kemi me u varë prej shisheve të plastikës… dhe kjo sjell shumë probleme tjera, shëndetësore dhe mjedisore”, tha ajo.

Në fund, Salihu theksoi se nëse nuk ndërmerren masa konkrete, kriza e ujit mund të bëhet e përhershme dhe të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve./Telegrafi/.

  •  

Kosova përballet me rrezik për ujë të pijshëm, Salihu: Vetëm në pellgun e Drinit janë identifikuar 142 pengesa artificiale



Kosova po përballet me një situatë serioze sa i përket burimeve ujore, ndërsa rreziku për mungesë të ujit në të ardhmen është gjithnjë e më i dukshëm.

Kështu ka paralajmëruar Krenare Salihu, drejtoreshë ekzekutive e organizatës mjedisore ECOPANA, në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Ajo theksoi se vendi është identifikuar prej vitesh si zonë me “stres uji” dhe se situata po përkeqësohet gradualisht.

“Kosova ka qenë në krizë edhe para shtatë apo tetë viteve… kur është rangu në listën e shteteve me stres uji apo mungesë uji. Po çdo ditë e më shumë po vërehet mungesa”, deklaroi Salihu shkruan Telegrafi.

Sipas saj, problemi nuk lidhet vetëm me ndryshimet klimatike, por kryesisht me ndërhyrjet njerëzore në mjedis.

“Krejt dëmet që ia bëjnë mjedisit… nëntëdhjetë për qind është faktori njeri”, theksoi ajo.

Një ndër shqetësimet kryesore mbetet ndërhyrja në lumenj, ku vetëm në pellgun e Drinit të Bardhë janë identifikuar 142 pengesa artificiale.

“Na kanë dalë njëqind e katërdhjetë e dy pengesa.. për Kosovën është numër shumë i madh, sidomos kur 80 për qind prej tyre janë të pashfrytëzume dhe të dëmtume”, u shpreh Salihu.

Ajo paralajmëroi se këto ndërhyrje po ndikojnë drejtpërdrejt në rrjedhën natyrore të ujit, në biodiversitet dhe në furnizimin e ardhshëm me ujë të pijshëm.

- YouTube www.youtube.com

“Ne kemi me mbetë pa ujë… po frikoj që kemi me u varë prej shisheve të plastikës”, tha ajo.

Salihu shtoi se ndërprerja e rrjedhës natyrore të lumenjve ka pasoja zinxhirore në ekosistem.

“Peshku nuk mundet me kalu… mandej është problemi i shumimit të tyre”, theksoi ajo, duke shtuar se ndërhyrjet e tilla dëmtojnë të gjithë zinxhirin biologjik.

Në fund, ajo bëri thirrje për reagim urgjent institucional dhe vetëdijesim qytetar, duke theksuar se uji duhet të trajtohet si çështje strategjike.

“Na duhet me mbrojtë resurset tona natyrore… sepse njeriu s’mundet me jetu pa ujë”, përfundoi Salihu./Telegrafi/.

  •  

Haxholli: Ish presidentja Osmani krijoi kaos me 20 ambasadorë me mandate të tejkaluara, një devijim serioz në diplomaci



Kosova vazhdon të ketë ambasadorë me mandat të kaluar në shumë shtete të botës.

Fatmir Haxholli, kryetar i Sindikatës në MPJD, ka theksuar se çështja e mandateve në shërbimin e jashtëm duhet trajtuar në mënyrë të strukturuar dhe me përgjegjësi institucionale, duke paralajmëruar për pasoja konkrete në funksionimin e diplomacisë së Kosovës.

“Së pari, tejzgjatja e mandateve të shefave të misioneve diplomatike dhe konsullore përbën një devijim serioz nga funksionimi i rregullt, efikas dhe me integritet i shërbimit të jashtëm”, ka deklaruar ai për Telegrafin.

Sipas Haxhollit, një numër i madh i ambasadorëve, si politikë ashtu edhe të karrierës, e kanë tejkaluar mandatin katërvjeçar që nga viti 2021, duke përfshirë mbi 20 misione diplomatike dhe rreth pesë konsullore.

“Si rezultat i kësaj situate është krijuar një gjendje e sforcuar institucionale, me implikime ligjore, financiare dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai, shkruan Telegrafi.

Ai shton se kjo gjendje ka ndikuar edhe në funksionimin e përgjithshëm të diplomacisë.

“Në kundërshtim me natyrën dinamike që kërkon diplomacia, është krijuar stagnim dhe dobësim i funksionimit të saj”, ka theksuar Haxholli.

Duke folur për arsyet e kësaj situate, ai ka kritikuar qasjen e ndjekur më herët nga Vjosa Osmani, ish presidente e Kosovës.

“Kjo situatë lidhet drejtpërdrejt me qasjen e gabuar të ndjekur nga ish-presidentja, e cila nuk e adresoi tejkalimin e mandateve përtej afateve ligjore, me arsyetimin e shmangies së vakancave në misionet diplomatike”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, një qasje e tillë nuk qëndron as juridikisht dhe as në praktikën ndërkombëtare.

“Korniza ligjore ndërkombëtare dhe vendore ka paraparë mekanizma të qartë tranzitorë përmes të ngarkuarve me punë, që garantojnë vazhdimësi pa cenuar ligjshmërinë”, është shprehur Haxholli.

Në anën tjetër, ai ka vlerësuar si të domosdoshëm veprimet e fundit të Qeverisë për hapjen e procesit të rotacionit.

“Veprimi aktual i Qeverisë për hapjen e procesit të shprehjes së interesit për rotacion përfaqëson një hap të domosdoshëm dhe proaktiv në drejtimin e duhur”, ka deklaruar ai.

Sipas Haxhollit, ky proces synon rifreskimin e shërbimit diplomatik dhe forcimin e ligjshmërisë dhe meritokracisë.

“Përfshirja e diplomatëve të karrierës dhe përbërja e komisionit të rotacionit, e dominuar nga profesionistë të shërbimit diplomatik, janë garanci për një proces të drejtë, kredibil dhe të bazuar në nevojat reale të diplomacisë”, ka shtuar ai.

Ai thekson se bëhet fjalë për më shumë se një procedurë teknike.

“Ky nuk është thjesht një hap procedural, por një përpjekje serioze për të vendosur standard dhe besim institucional në shërbimin e jashtëm”, ka thënë Haxholli.

Në fund, ai ka nënvizuar se aktualisht nuk ekzistojnë pengesa kushtetuese për avancimin e emërimeve të reja.

“Institucionet janë funksionale dhe kompetencat për dekretim janë të plota, duke i dhënë Qeverisë hapësirë të qartë për veprim”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, procesi i rotacionit duhet të trajtohet si prioritet strategjik për shtetin.

“Ky proces duhet të shihet jo vetëm si zëvendësim, por si rikthim i ligjshmërisë, funksionalitetit dhe kredibilitetit të përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës”, ka përfunduar Haxholli./Telegrafi/

  •  

Mushkolaj: Zgjedhjet mund t’i konvenojnë vetëm LDK-së, do të ishin shpëtim për Abdixhikun dhe Osmanin




Zgjedhjet e mundshme të jashtëzakonshme në Kosovë, në mungesë të një marrëveshjeje për presidentin, po shihen gjithnjë e më shumë si një skenar i pashmangshëm.

Në “Përballje Podcast”, analisti politik Imer Mushkolaj vlerësoi se, nga konfigurimi aktual politik, zgjedhjet mund t’i përshtaten më së shumti Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Sipas tij, një skenar i tillë lidhet edhe me zhvillimet brenda LDK-së dhe mundësinë e një konfigurimi të ri politik, ku përmendet edhe përfshirja e ish-presidentes Vjosa Osmani në një listë të përbashkët, përkrah liderit të partisë, Lumir Abdixhiku.

“Unë mendoj që aktualisht, me idenë që mbase zonja Osmani do t’i bashkohet LDK-së, përkatësisht do të mund t’i printe ndonjë liste të përbashkët me ndonjë parti tjetër më të vogël, zgjedhjet mund t’i konvenojnë vetëm z. Abdixhiku, aktualisht po flas nëse po krijohet një momentum. Po të mos ishte Vjosa Osmani, as LDK-së nuk do t’i përshtateshin zgjedhjet,” u shpreh Mushkolaj gjatë diskutimit me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

- YouTube youtu.be

Sipas tij, Abdixhiku kishte problem të mbetej në krye të LDK-së dhe tash kjo po shihet edhe me listën e re në kryesi.

“Zgjedhjet e reja do të ishin një shpëtim edhe për z. Abdixhiku dhe zonjën Osmani. Z. Abdixhiku mezi u zgjodh në krye të LDK-së dhe pamë kryesinë e re, pamë kush është, njerëz të afërt me të. Në anën tjetër, çka bën zonja Osmani nëse s’ka zgjedhje? Harrohet politikisht edhe si mundësi politike nëse s’ka zgjedhje… pra për z. Abdixhiku dhe Osmanin është me rëndësi të ketë zgjedhje”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, ai vlerësoi se edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka probleme por edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ndërsa Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila sipas tij thotë se nuk dëshiron me shku në zgjedhje e pavarësisht se është subjekti më i madh, rrezikon të mos arrijë një rezultat që do ta zhbllokonte situatën.


Mushkolaj shtoi se edhe në rast të ndryshimeve të vogla në përqindje apo mandate, problemi kryesor mbetet mungesa e kompromisit politik dhe përgjegjësia kryesore bie mbi LVV-në. /Telegrafi/.

  •  
❌