Rafuna numëron tri veprimet që qeveria e re duhet t’i bëjë urgjentisht në ekonomi
Në “Përballje Podcast”, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka listuar tri fushat kryesore ku qeveria e re duhet të veprojë menjëherë për ta nxitur zhvillimin ekonomik të vendit e që sipas tij janë energjia, infrastruktura dhe reformat fiskale e arsimore.
Ky podcast përkrahet nga kompania e derivateve EXFIS.
“Duhet me urgjencë te pjesa e energjisë me ba një ndërtim të ri tani,” ka deklaruar Rafuna, duke theksuar se Kosova ka nevojë për një investim të madh për ta siguruar stabilitetin energjetik.
Ai shtoi se duhet të shtohen edhe kapacitetet alternative – me erë dhe panele solare.
Në infrastrukturë, Rafuna tha se hekurudha është urgjencë, duke e quajtur atë “projekt top strategjik për zhvillimin ekonomik dhe për çështje sigurie”.
“Nuk guxon Kosova me mbetë anashkur në proceset rajonale, duhet të lidhet me Shqipërinë, Kroacinë e Hungarinë përmes hekurudhës”, u shpreh ai, në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.
Foto: Pjetër Monreca
Në aspektin fiskal, Rafuna kërkoi reformë urgjente në TVSH dhe tatimin doganor.
“Nuk shkon ma që biznesi me kreditu shtetin. Tatimi doganor duhet të eliminohet – kështu hiqen shumë procedura burokratike që e pengojnë biznesin sot”, tha ai.
Ai foli edhe për lidhjen e arsimit me tregun e punës.
“Ende diplomojmë kuadra që nuk mund të gjejnë veten në treg. Sfida më e madhe për bizneset sot është mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar”, ka potencuar ai.
Në fund, Rafuna kërkoi një qasje të re në diplomacinë ekonomike.
“Diplomacia ekonomike duhet me u udhëheq prej sektorit privat. Biznesi është ai që sjell biznesin në Kosovë. Hajde të jemi partnerë, hajde të ulemi së bashku ta bëjmë një strategji dhe të ecim përpara,” përfundoi Rafuna./Telegrafi/.
Në “Përballje Podcast”, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se bizneset u detyruan të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike pa paralajmërim, duke u përballur me çmime shumëfish më të larta.
Ky podcast mbështetet nga kompania e derivateve EXFIS.
“Kishim njoftim nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike që më 1 qershor të gjitha bizneset e mëdha të dalin në tregun e hapur”, tha Rafuna, duke theksuar se kjo i zuri kompanitë në befasi.
“Bizneset nuk ishin të përgatitura. Disa kishin nisur investime në zgjerim, e u detyruan t’i ndalin dhe t’i orientojnë drejt paneleve solare e baterive”.
Sipas tij, mungesa e konkurrencës në tregun e lirë krijoi hapësirë për monopole.
“Në atë kohë, KEK-u s’furnizonte, NOA refuzoi, dhe vetëm KEDS përmes KESCO-s mbeti furnizues. Çmimi i energjisë u rrit 200 deri në 400 për qind krahasuar me më herët”, ka deklaruar ai në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.
Rafuna theksoi se Oda nuk është kundër tregut të lirë, por kundër mënyrës si u zbatua.
“Nuk jemi kundër daljes në treg të lirë, por kemi kërkuar shtyrje proces transparent dhe dialog publik-privat që të mos dëmtohen bizneset", ka thënë Rafuna në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu.
Ai shtoi se Oda Ekonomike e Kosovës nuk do të dorëzohet, duke kujtuar se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme për padinë e ngritur kundër Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Ai ka shtuar se çmimi i rrymës po e mbyt prodhimin vendor dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostos së prodhimit dhe në konkurrueshmërinë e bizneseve vendore.
Foto: Pjeter Monreca
“Çmim i energjisë elektrike është kosto operative për biznesin dhe ajo kalkulohet në çmimin final të produktit. Me automatizëm, produkti ynë del më i shtrenjtë se ai i importuar", tha Rafuna.
Ai paralajmëroi se kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt te qytetarët dhe konsumatorët.
“Qytetari ka mundësi me zgjedhë produkt më të lirë me kualitet të ngjashëm – dhe çka ndodh? Ai e merr produktin e importuar. Kjo e mbyt prodhimin vendor”.
Sipas Rafunës, pasojat janë të dukshme.
“Prodhuesit vendor janë shumë të shqetësuar, sepse jo vetëm që nuk mund ta rrisin prodhimin, por po e kanë të vështirë edhe ta mbajnë sasinë aktuale në treg”.
Në fund, ai theksoi se shpresa e bizneseve është në vendimin e Gjykatës Supreme dhe në dialogun institucional për përcaktimin e një periudhe të re për tranzicionin në tregun e lirë të energjisë.
Rafuna ka folur edhe për investimet e huaja, buxhetin etj. /Telegrafi/
Në episodin më të ri të “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Mehmet Musaj, Menaxher i Lartë në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT), ka folur për rolin e viktimave, shoqërisë civile dhe mediave në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale në Kosovë.
Sipas tij, drejtësia tranzicionale është proces njerëzor dhe shoqëror, që kërkon bashkëpunim ndërmjet institucioneve, OJQ-ve dhe qytetarëve, për të ndërtuar një të ardhme të bazuar në të vërtetën dhe dinjitetin e viktimave.
“Ne e kemi një strategji për ballafaqim me të kaluarën, një strategji për drejtësi tranzicionale, sepse viktimat – nëse asgjë tjetër – e meritojnë drejtësinë. Qofshin ato viktima civile, pa dallim feje apo përkatësie etnike. Kjo ka qenë një nga arsyet kryesore për hartimin e saj,” tha Musaj.
Ai shtoi se kjo strategji është rezultat i një procesi të gjatë dhe gjithëpërfshirës, por në zbatim ka ende boshllëqe.
“Strategjia e përmend shumë mirë në hyrjen e saj se ka qasje gjithëpërfshirëse, por në mendimin tonë kjo qasje nuk reflektohet plotësisht në tekstin e mëtejmë të dokumentit strategjik,” tha ai, duke shtuar se shoqëria civile ka ngritur këtë si shqetësim edhe përballë donatorëve dhe institucioneve ndërkombëtare që mbështesin procesin.
Musaj theksoi se drejtësia tranzicionale nuk mund të kuptohet pa përfshirjen e shoqërisë civile dhe mediave, të cilat kanë luajtur rol kyç në dokumentimin e rasteve dhe ndërtimin e një narrative njerëzore për të kaluarën.
“Roli i mediave dhe shoqërisë civile është thelbësor. Mënyra se si flasim për të kaluarën, gjuha që përdorim dhe hapësira që u japim viktimave ndikon drejtpërdrejt në mënyrën si qytetarët e kuptojnë drejtësinë,” tha Musaj në "Përballje Podcast" me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.
Ai kujtoi se KRCT ka qenë një nga organizatat e para që ka filluar punën pas luftës, duke ofruar mbështetje psikosociale, ligjore dhe mjekësore për viktimat e torturës dhe dhunës seksuale.
“Në atë kohë nuk njiheshin ende konceptet e drejtësisë tranzicionale, por ne tashmë punonim mbi parimin e reparacionit dhe rehabilitimit. E drejta për rehabilitim është një nga shtyllat kryesore të drejtësisë tranzicionale,” theksoi ai.
Musaj shtoi se Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që ka një strategji të tillë, çka tregon vullnetin institucional për ta trajtuar të kaluarën në mënyrë të organizuar.
“Kjo është rezultat i punës së përbashkët të institucioneve dhe OJQ-ve që, që nga viti 2010, kanë kërkuar ndërtimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe institucionale ndaj drejtësisë tranzicionale,” tha ai.
Musaj thotë se viktimat duhet të jenë qendra e procesit, jo vetëm në deklarata.
“Nuk mjafton t’i vendosësh viktimat në qendër në letër. Duhet t’i dëgjosh, t’u japësh zë dhe t’u mundësosh të jenë pjesë e vendimmarrjes. Vetëm kështu drejtësia ka kuptim,” tha ai.
Sipas tij, KRCT ka trajnuar ndër vite gjyqtarë, prokurorë dhe policë hetues me qasje të ndjeshme ndaj traumës, për të shmangur ritraumatizimin e viktimave gjatë procesit të drejtësisë.
“Ne kemi ndërtuar protokolle për intervistimin e viktimave dhe kemi krijuar hapësira miqësore për dëshmi. Në Gjykatën Themelore të Prishtinës kemi funksionalizuar një dhomë të sigurt, ku viktimat mund të dëshmojnë pa u ndjerë të ekspozuara apo të frikësuara,” tha Musaj.
Sfida në zbatim dhe nevoja për vullnet politik
Musaj vlerësoi se strategjia është hap i madh, por zbatimi mbetet sfidë, sepse kërkon vullnet të qartë institucional.
“Strategjitë nuk janë dokumente obliguese. Zbatimi i tyre varet nga vullneti politik dhe institucional. Pa bashkëpunim të vazhdueshëm, procesi mund të mbetet në letër,” tha ai.
Sipas tij, shoqëria civile ka kapacitetet dhe ekspertizën për të ndihmuar në zbatim dhe duhet të jetë pjesë e përhershme e këtij procesi.
“Ne kemi qenë pjesë e të gjitha nismave, edhe kur nuk kemi pasur projekte apo fonde. Roli ynë është të jemi aty ku duhet, jo vetëm kur ka mbështetje financiare,” shtoi Musaj.
Në fund, ai theksoi se drejtësia tranzicionale është për qytetarët dhe duhet të zbatohet me ta dhe për ta.
“Ky podcast u realizua në bashkëpunim me Pro Peace. Pikëpamjet e shprehura në këtë podcast janë përgjegjësi e Telegrafi.com dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Pro Peace”.
Në episodin më të ri të "Përballje Podcast" në Telegrafi.com, është diskutuar Strategjia për Drejtësi Tranzicionale, dokumenti dhjetëvjeçar që synon të vendos themelet e drejtësisë dhe ballafaqimit me të kaluarën në Kosovë.
Të ftuar në këtë podcat ishin Baki Svirca, udhëheqës i Divizionit për Drejtësi Tranzicionale në Ministrinë e Drejtësisë, dhe Mehmet Musaj, Menaxher i Lartë në KRCT ( Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës).
Katër shtyllat e drejtësisë tranzicionale
Sipas Svircës, drejtësia tranzicionale është proces shoqëror që ndihmon një vend të përballet me të kaluarën dhe të ndërtojë të ardhmen mbi bazën e së vërtetës.
“Drejtësia tranzicionale nuk ka të bëjë me hakmarrje, por me reformim shoqëror. Katër shtyllat kryesore janë: e drejta për të vërtetën, qasja në drejtësi, reparacionet për viktimat dhe reformat institucionale për të parandaluar përsëritjen e së kaluarës,” tha ai.
Ai shtoi se kjo strategji është e ndërtuar përmes një procesi të gjerë konsultimesh me qytetarë, komunitete dhe organizata të shoqërisë civile.
“Strategjia është dokument gjithëpërfshirës dhe dinamik – nuk është vetëm një letër politike, por proces që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes institucioneve, shoqërisë civile dhe qytetarëve,” theksoi Svirca.
Nga dokument në veprim, si po zbatohet strategjia?
Sipas tij, strategjia ka hyrë në fazën e zbatimit dhe përfshin një plan veprimi trevjeçar me mbi 100 aktivitete konkrete.
“Strategjia është dhjetëvjeçare, ndërsa plani i veprimit është trevjeçar. Ai rishikohet çdo tre vjet për t’u përshtatur me nevojat dhe zhvillimet e reja,” sqaroi Svirca, duke theksuar rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional.
Megjithatë, sfida më e madhe, sipas tij, mbetet mungesa e koordinimit efektiv mes institucioneve publike dhe nevoja për konsensus politik e shoqëror.
“Nëse secili institucion nuk e merr përgjegjësinë e vet, strategjia mbetet në letër. Drejtësia kërkon veprim të përbashkët, empati dhe qasje njerëzore ndaj viktimave,” shtoi ai në "Përballje Podcast" me kryredaktorin Muhamet Hajrullahu.
Roli i shoqërisë civile dhe viktimave në qendër
Nga ana tjetër, Mehmet Musaj nga KRCT theksoi se shoqëria civile ka qenë motori i parë i drejtësisë tranzicionale në Kosovë, shumë përpara miratimit të strategjisë.
“Shoqëria civile ka punuar në drejtësi tranzicionale që nga viti 1999. Ne kemi trajnuar gjyqtarë e prokurorë me qasje të ndjeshme ndaj traumës dhe kemi ndërtuar hapësira miqësore ku viktimat mund të dëshmojnë me siguri e dinjitet,” tha Musaj.
Ai theksoi se viktimat duhet të jenë qendra e procesit, jo thjesht subjekt dokumentesh.
“Nuk mjafton t’i vendosësh viktimat në qendër në letër. Duhet t’i pyesësh se çfarë kanë nevojë, si mund t’i ndihmojmë pa i ritraumatizuar. Kjo është drejtësia e vërtetë,” shtoi ai.
Sipas Musajt, Kosova është vendi i vetëm në rajon që ka hartuar një strategji të tillë, duke u bërë shembull për qasje institucionale ndaj drejtësisë pas konflikteve.
“Kjo strategji tregon vullnetin për ta pranuar të kaluarën dhe për ta shndërruar në bazë të pajtimit e zhvillimit demokratik,” deklaroi ai.
Në fund të bisedës, të dy të ftuarit theksuan se drejtësia tranzicionale është proces i gjatë, që kërkon durim dhe ndjeshmëri shoqërore.
Drejtësia nuk është vetëm formale, por shoqërore dhe pa përfshirjen e qytetarëve nuk ka pajtim të qëndrueshëm kanë shtuar ata.
“Ky podcast u realizua në bashkëpunim me Pro Peace. Pikëpamjet e shprehura në këtë podcast janë përgjegjësi e Telegrafi.com dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Pro Peace”.
Në episodin më të ri të “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, do të trajtohet një nga proceset më të rëndësishme për shoqërinë kosovare, “Strategjia Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale”, dokumenti që vendos bazat për ballafaqim me të kaluarën.
Të ftuar në këtë episod janë: Baki Svirca, Udhëheqës i Divizionit për Drejtësi Tranzicionale në Ministrinë e Drejtësisë e Mehmet Musaj, Menaxher i Lartë në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT).
Foto: Korab Basha
Ata diskutojnë se si është ndërtuar strategjia, cilat janë katër shtyllat kryesore të saj, rolin e shtetit dhe shoqërisë civile, si dhe sfidat që priten në zbatimin praktik të këtij dokumenti dhjetëvjeçar.
Ky podcast realizohet në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare “Pro Peace” dhe do të publikohet këtë javë në platformat e Telegrafit./Telegrafi/.
Republika e Moldavisë është ndër vendet në Evropë që nuk e njeh shtetin e Kosovës. Por, së fundi ka pasur një lëvizje ku kosovarët mund të udhëtojnë në këtë ish-republikë sovjetike duke aplikuar për vizë online dhe me pasaportë të Kosovës.
Kjo ndodh në një vend që po “lufton” për anëtarësim dhe integrim në Bashkimin Evropian, por që gjithashtu ndikohet nga Rusia në ekonomi, politikë, shoqëri dhe media.
E ardhmja mbetet për t’u parë, por në fund të tetorit në kryeqytetin Chisinau u mbajt një punëtori për media ” organizuar nga Deutsche Welle (DW, Departamenti i Distribuimit për Evropë) me temën “Strategjitë e mediave sociale për publikuesit dhe transmetuesit në situata krize”.
Telegrafi ishte pjesë e këtij aktiviteti, mes përfaqësuesve të mediave nga rreth dhjetë shtete evropiane, përfshirë Bashkimin Evropian, Ballkanin dhe Moldavinë për të ndarë përvoja mbi transformimin digjital, strategjitë e përmbajtjes online dhe rolin e mediave lokale në situata krize dhe dezinformimi.
Në fokus të punëtorisë ishin videot e shkurtra, përmbajtja vizuale, mënyrat për të rritur angazhimin në rrjete sociale dhe ndërtimin e strategjive efektive të komunikimit në kohë sfidash.
Në sesionet e ndarjes së përvojave, u theksua rëndësia e përshtatjes së redaksive tradicionale me platformat e reja, si dhe roli i mediave rajonale në ruajtjen e besueshmërisë dhe etikës profesionale përballë krizave të informacionit.
Programi i punëtorisë përfshiu sesione praktike dhe diskutime profesionale.
Adelheid Feilcke prezantoi strategjinë e DW-së për videot e shkurtra, ndërsa Johanna Rüdiger ndau qasjen e DW-së për ndërtimin e strategjive të mediave sociale në kohë krize.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit ishte sesioni “Newsfluencer, viral, trend & collabs” me ekipin e DW-së, i fokusuar në mënyrat kreative të bashkëpunimit dhe përfshirjes së audiencës në platformat digjitale.
Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësi të vizitonin redaksi lokale, të diskutonin për situatën politike dhe mediatike në Moldavi, si dhe për sfidat që lidhen me dezinformimin, presionin politik ndaj mediave dhe pavarësinë editoriale në vendet e rajonit lindor të Evropës.
Programi përfshiu vizita në redaksinë e “Ziarul de Garda”, një ndër gazetat e pakta hulumtuese javore që publikon artikuj kundër korrupsionit dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Gjithashtu, vizita në TV8, një kanal televiziv privat i njohur me qasje pro-evropiane si alternativë ndaj mediave të lidhura me Rusinë dhe pronarët oligarkë të ndikuar nga Moska.
U diskutua gjithashtu me përfaqësues të mediave dhe organizatave nga Moldavia për rregullimin dhe manipulimin mediatik, si dhe për aspektet ligjore të funksionimit të medias.
Ky aktivitet profesional u organizua nga "DW Distribution Europe" si pjesë e nismave për bashkëpunim rajonal në fushën e mediave dhe inovacionit digjital.
Përfaqësuesit e DW e vlerësuan pjesëmarrjen si një mundësi për “shkëmbim idesh dhe përvojash ndërmjet partnerëve kryesorë të Deutsche Welle nga rajoni, vendet e Ballkanit dhe BE-së".
Kjo punëtori e DW dëshmoi se sfidat e mediave në epokën e krizave janë të përbashkëta, por zgjidhjet gjithashtu ekzistojnë – përmes bashkëpunimit, inovacionit dhe profesionalizmit që tejkalon kufijtë politikë dhe shtetërorë. /Telegrafi/.
Në “Përballje Podcast”, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Besnik Vasolli, ka krahasuar nivelin e bashkëpunimit ekonomik që ka Maqedonia e Veriut me Gjermaninë, me atë që ka Kosova — duke theksuar se dallimi është i madh dhe tregon nevojën për veprim konkret institucional.
“Maqedonia e Veriut ka pesë miliardë euro qarkullim ekonomik me Gjermaninë, ndërsa ne jemi diku te 700–800 milionë euro. Pesë miliardë me shtatëqind, tetëqind – është shumë pak,” tha Vasolli. Ky podasct përkrahet nga kompaniaEXFIS.
Ai shtoi se Maqedonia ka avancuar në mënyrë të qëndrueshme, veçanërisht në sektorët industrialë dhe të energjisë.
“Ata kanë avancuar shumë në auto-industri dhe energji të ripërtëritshme. Kanë investuar shumë dhe kanë krijuar kushte të qarta për investitorët,” theksoi Vasolli.
Ndërsa në Kosovë, sipas tij, shpesh mbesin vetëm deklaratat pa veprime konkrete.
“Ne shpesh e kemi përmend që investitorët e huaj duhet t’i trajtojmë ndryshe, por përtej këtyre fjalëve deklarative nuk kemi lëvizur shumë,” tha ai.
Një prej arsyeve kryesore pse Maqedonia po i tërheq më shumë investitorë, sipas Vasollit, është funksionimi i mekanizmit “one stop shop”, ku proceset për investitorët janë shumë më të shpejta dhe efikase.
“Në Maqedoni, kur vjen investitori, merren institucionet vetë me të – edhe jashtë shtetit, ai që e krijon mekanizmin, infrastrukturën, të gjitha ato. Nuk është vetëm fjalë, por implementim i plotë,” shpjegoi ai.
Ndërkohë, në Kosovë, pengesat burokratike mbeten një sfidë serioze.
“Ne kemi bërë ligje, kemi bërë strategji, por në implementim gjithmonë kemi çaluar. Nuk është se nuk e dimë çfarë duhet bërë – dimë, por nuk e kemi zbatuar,” tha Vasolli.
Ai shtoi se interesimi i Gjermanisë për Kosovën ekziston, por kërkohet më shumë efikasitet nga ana e institucioneve vendore.
“Çdo ambasador apo investitor që takojmë tregon interes për Kosovën, por na duhet ta kthejmë këtë interes në veprim. Na mungon përkthimi i ideve në rezultate,” përfundoi Vasolli.
Kosova dhe Gjermania ndajnë një lidhje të gjatë historike, ekonomike dhe njerëzore, e cila është përforcuar ndër vite nga mijëra biznese, profesionistë dhe familje të diasporës. Por, përkundër kësaj lidhjeje të fortë, bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve ende nuk po arrin potencialin e plotë të tij.
Në një intervistë për “Përballje Podcast në Telegrafi.com, Besnik Vasolli, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, foli për sfidat dhe mundësitë e këtij bashkëpunimi, duke theksuar se Kosova duhet ta shfrytëzojë në mënyrë shumë më strategjike përvojën dhe ndikimin gjerman në zhvillimin e saj ekonomik. Ky podcast përkrahet nga kompania e derivateveEXFIS.
“Gjermania është vëllai i madh i Kosovës. Që nga vitet ’70, gjermanët i kanë hapur dyert punëtorëve tanë, e më pas edhe refugjatëve gjatë luftës. Edhe sot, Gjermania mbetet ndër përkrahëset më të mëdha politike dhe ekonomike të Kosovës”, tha Vasolli.
Sektorët më të fuqishëm të bashkëpunimit
Sipas tij, sektorët me potencial më të madh rritjeje në bashkëpunimin Kosovë–Gjermani janë teknologjia informative (ICT), energjetika e ripërtëritshme, prodhimi i lehtë industrial dhe bujqësia.
Ai përmendi se Kosova tashmë eksporton një vlerë të konsiderueshme të shërbimeve në tregun gjerman, duke u bërë një vend atraktiv për “outsourcing”.
“Kemi kompani kosovare që 100 për qind të prodhimit e eksportojnë në Gjermani. Ka kërkesë të madhe për shërbime nga Kosova, sidomos në IT, ku rinia jonë po e dëshmon veten si e aftë dhe profesionale. Kjo është një arsye pse shumë kompani gjermane po i transferojnë proceset e tyre të punës këtu”, shtoi ai.
Megjithatë, Vasolli vuri në dukje se Kosova ende nuk ka arritur nivelin e konkurrencës rajonale. Si shembull, përmendi Maqedoninë e Veriut, e cila ka arritur mbi 5 miliardë euro qarkullim ekonomik me Gjermaninë, ndërsa Kosova ndodhet rreth 700–800 milionë euro.
“Maqedonia ka përparuar shumë, sidomos në autoindustri dhe energji të ripërtëritshme. Aty investitorët trajtohen me prioritet dhe kanë ‘one stop shop’ për leje e dokumente. Te ne, përtej fjalëve deklarative, ende nuk ka ndryshuar shumë në praktikë,” deklaroi Vasolli.
Foto: Pjetër Monreca
Burokracia dhe paqëndrueshmëria politike – pengesat kryesore
Një nga mesazhet kryesore të Vasollit ishte se burokracia e tepruar dhe mungesa e stabilitetit politik janë ndër faktorët që i dekurajojnë investitorët gjermanë.
“Një investitor gjerman më tha se në Maqedoni e përfundoj projektin për dy vjet, në Kosovë më duhen pesë. Jo për shkak të kostove, por për shkak të burokracisë dhe pengesave administrative. Kjo është e papranueshme nëse duam të jemi konkurrentë në rajon,” u shpreh ai.
Sipas tij, mungesa e institucioneve funksionale dhe krizat politike të zgjatura po ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë reale të vendit.
“Nëse nuk ke qeveri të plotfuqishme, nuk ke investime të reja. Kjo ndikon në likuiditetin në treg, në qarkullimin e parasë, në aftësinë e bizneseve për të zhvilluar projekte. Dhe kur investitori sheh pasiguri, ai ose e shtyn vendimin për investim, ose shkon diku tjetër,” shtoi ai.
Diaspora – aseti më i madh i Kosovës
Një pjesë e madhe e diskutimit iu kushtua diasporës kosovare në Gjermani, të cilën Vasolli e përshkroi si “forcën më të madhe të butë” të vendit.
“Në Gjermani jetojnë rreth 600 mijë kosovarë. Kjo është një fuqi e jashtëzakonshme. Shumica e investimeve që ndodhin në Kosovë kanë një lidhje me diasporën – qoftë si ndërmjetësim, qoftë si partneritet,” tha ai.
Foto: Korab Basha
Ai solli disa shembuj konkretë investimesh të realizuara përmes lidhjeve të diasporës: një qendër për kujdes ndaj të moshuarve me standarde gjermane, një fabrikë për prodhimin e kabllove elektrike dhe një shkollë pilotimi që tashmë ka licencë për operim në Kosovë.
“Këto janë histori suksesi që tregojnë se diaspora nuk është vetëm dërguese remitencash, por edhe bartëse e dijes, përvojës dhe kapitalit. Kjo energji duhet të kanalizohet drejt investimeve produktive, jo vetëm drejt tregut të pasurive të paluajtshme,” theksoi ai.
Vasolli shtoi se remitencat, ndonëse mbeten të rëndësishme për ekonominë, nuk janë formë e qëndrueshme zhvillimi.
“Remitencat ndihmojnë familjet, por nuk krijojnë vende pune. Kosova ka nevojë për strategji që diasporën ta trajtojë si investitor, me mekanizma të qartë institucionalë për ta tërhequr kapitalin e saj,” tha ai.
E ardhmja dhe Forumi Ekonomik Kosovë–Gjermani
Në fund, Vasolli paralajmëroi se gjatë nëntorit Oda do të organizojë tri vizita promovuese në Gjermani – në Stuttgart, Frankfurt dhe Hamburg, për të prezantuar mundësitë që ofron Kosova për investime, me fokus në sektorin e ICT-së, energjisë së gjelbër dhe industrisë kreative.
Gjithashtu, në vitin 2025 do të mbahet Forumi Ekonomik Kosovë–Gjermani në Prishtinë, ku pritet të marrin pjesë qindra kompani nga të dy vendet.
“E ardhmja ekonomike e Kosovës është e ndritur. Ne kemi rini të talentuar, ndërmarrësi të fortë dhe energji pozitive. Nëse arrijmë ta kthejmë këtë potencial në politika të mençura ekonomike, mund të përparojmë më shpejt se shumë vende të rajonit,” përfundoi Vasolli./Telegrafi/.
Në “Përballje Podcast” të Telegrafit, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lider i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, ka folur për pjesëmarrjen e partisë së tij në zgjedhjet lokale dhe për ndryshimet që, sipas tij, kanë nisur të ndodhin edhe në veriun e Kosovës.
Rashiq tha se për herë të parë partia e tij ka garuar në të gjitha zonat ku jeton komuniteti serb, përfshirë edhe veriun e vendit, duke e cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme për pluralizmin politik.
“Ne kemi marrë pjesë në gjashtë komuna dhe në gjashtë komuna kemi pasur kandidatë për kryetarë. Tre në veri dhe tre në jug – si një balanc i mundësive dhe përfaqësimit. Kjo është hera e parë që po dalim në këtë formë në veri”, tha Rashiq.
Ai tregoi se fushata e tyre është zhvilluar kryesisht përmes kontakteve personale dhe rrjeteve sociale, pasi, siç tha, organizimi i tubimeve publike shpesh është i pamundur për shkak të presioneve politike.
“Kemi bërë një fushatë personale, përmes kontakteve të drejtpërdrejta me qytetarët dhe rrjeteve sociale. Është e vështirë të organizosh tubime, sepse oponenti ynë kryesor, Lista Serbe, i përdor ato informacione për të identifikuar simpatizuesit tanë dhe për t’i frikësuar ata me kërcënime, shantazhe dhe largime nga puna”, deklaroi ai.
Sipas Rashiqit, pavarësisht sfidave, qytetarët kanë treguar gatishmëri për ndryshim dhe kanë përkrahur alternativa të reja politike.
“Kemi pasur reagim pozitiv nga qytetarët. Ata janë lodhur nga frika dhe nga kontrolli i një partie të vetme. Kemi arritur që për herë të parë të kemi përfaqësues në asambletë komunale në veri, gjë që është arritje e madhe për pluralizmin politik”, theksoi ai.
Duke folur për situatën e përgjithshme politike në veri, Rashiq tha se vetëm vite më parë një gjë e tillë do të ishte e paimagjinueshme.
“Në veri, ndoshta para tri-katër vjetësh ose më shumë, nuk ka qenë e mundshme të kesh një zë tjetër. Tani kemi filluar të shohim një përmirësim sa i përket përfaqësimit të komuniteteve, sidomos në veri. Por, ende na duhet shumë punë që njerëzit të mos kenë frikë të mendojnë ndryshe”, përfundoi Rashiq./Telegrafi/.
Në “Përballje Podcast”, ligjëruesi i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Dren Gërguri, ka folur për mënyrën se si teknologjia e deepfake po përdoret tashmë në kohë reale, duke krijuar mashtrime të sofistikuara edhe në takime online.
Sipas Gërgurit, niveli i zhvillimit të kësaj teknologjie ka arritur në një pikë ku manipulimet nuk janë më vetëm video të montuara, por transmetime “live” të rreme që mund të mashtrojnë edhe profesionistë apo institucione të mëdha.
“Ka vende në Azi dhe në Amerikë ku tashmë ka deepfake live – që është mashtrim, por ndodh aty për aty. Deri këtu ka arritur teknologjia.”
Ai tregoi se janë raportuar raste ku punonjës janë mashtruar në takime virtuale, duke menduar se po flisnin me eprorin e tyre, ndërsa në fakt ai ishte një imazh i krijuar nga inteligjenca artificiale.
“Ti ke një takim në Zoom brenda një kompanie dhe eprori është deepfake. Ai thotë që për këtë kompaninë X do të bëjmë këtë shumë parash, dhe ti – sepse po flet me ‘shefin’ – veç e çon tutje porosinë. Ka raporte që tregojnë se mijëra dollarë vidhen duke u përdorur kjo teknologji”, ka deklaruar ai.
Gërguri theksoi se kjo tregon sesa i avancuar është bërë manipulimi digjital dhe se kujdesi në komunikimin online duhet të jetë më i madh se kurrë.
“Nëse më herët deepfake ishin video të montuara me programe, tash kemi arritur në nivelin ku manipulimi ndodh ‘live’. Kjo duhet të na bëjë shumë më të kujdesshëm në çdo komunikim virtual.”
Diskutimi u zhvillua në kuadër të serisë “Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë” të “Përballje Podcast”, që trajton ndikimin e teknologjisë, dezinformimit dhe sigurisë kibernetike në shoqërinë moderne. /Telegrafi/
Në “Përballje Podcast”, profesori i sigurisë kibernetike në UBT, Blerton Abazi, ka folur për ndikimin që teknologjia dhe dezinformimi po e kanë mbi proceset demokratike, duke theksuar se siguria kibernetike sot nuk është më vetëm çështje teknike, por edhe çështje besueshmërie dhe demokracie.
“Nëse deri tani kemi folur për sigurinë kibernetike, për pjesën e dezinformimit dhe deepfake vetëm në aspektin teknik, tash kjo nuk ka të bëjë vetëm me pjesë teknike, por ka të bëjë edhe me besueshmëri,” tha Abazi.
Në “Përballje Podcast”, profesori i sigurisë kibernetike në UBT, Blerton Abazi, ka folur për ndikimin që teknologjia dhe dezinformimi po e kanë mbi proceset demokratike, duke theksuar se siguria kibernetike sot nuk është më vetëm çështje teknike, por edhe çështje besueshmërie dhe demokracie.“Nëse de...
Ai paralajmëroi se në momentin kur qytetarët fillojnë të dyshojnë në integritetin e votës, rrezikohet vetë baza e demokracisë.
“Nëse zëri i qytetarëve, ose qytetarët vetë, dyshojnë që vota e tyre është manipuluar përmes formave të ndryshme, atëherë ne kemi të bëjmë me një rrezik për vetë demokracinë”, ka deklaruar ai.
Abazi foli edhe për përhapjen e shpejtë të videove të manipuluara (deepfake) dhe vështirësitë që kanë institucionet dhe mediat për t’i ndaluar ato në kohë.
“Modelet e tilla në siguri kibernetike, por edhe në deepfake, janë rritur aq shumë sa që shpejtësia e publikimit të atyre videove është shumë më e shpejtë sesa përgjigja e verifikuesve të fakteve për t’i ndaluar ato.”
Edhe kur videot arrijnë të ndalen, shtoi ai, pasojat mbeten.
“Gjurmët dhe pasojat po mbesin mbrapa derisa po verifikohen.”
Profesori theksoi se tashmë nuk është e mundur të ndalohen plotësisht manipulimet digjitale, por mund të menaxhohen dhe kufizohen pasojat e tyre përmes vetëdijesimit publik dhe përgjegjësisë institucionale.
“Ka teknologji që mund t’i identifikojnë, por zhvillimi i tyre është shumë i shpejtë. Prandaj qytetarët dhe kompanitë duhet të mendojnë më shumë si t’i menaxhojnë këto video, sesa t’i ndalojnë ato, sepse tashmë është e pamundur të ndalohen plotësisht”, ka shtuar ai.
Ky diskutim u zhvillua në kuadër të serisë “Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë” të “Përballje Podcast”, që trajton ndikimin e dezinformimit dhe temat tjera. /Telegrafi/
Në episodin e “Përballje Podcast”, gazetari dhe ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, Dren Gërguri, ka folur për rrezikun që po sjell teknologjia e inteligjencës artificiale përmes videove të njohura si deepfake, të cilat po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë dallimin mes realitetit dhe manipulimit digjital.
Sipas Gërgurit, deepfake përfaqëson një nivel të ri të manipulimit të përmbajtjeve audio dhe video.
“Deepfake është çdo audio-video e gjeneruar me inteligjencë artificiale, ku në shumicën e rasteve mund të paraqitet dikush që thotë diçka që në fakt nuk e ka thënë. Ose edhe mund të jetë komplet fiktive, e gjeneruar nga mjetet e inteligjencës artificiale", tha ai.
Ai theksoi se përparimet teknologjike e kanë bërë këtë fenomen edhe më të rrezikshëm se më parë.
“Përsosmëria që ka mbërritur sot deepfake është shumë më e lartë se sa vite më përpara, dhe kjo e bën pikërisht të vështirë që syri i njeriut të vërejë diçka nëse është mirë e punuar.”
Gërguri kujtoi se dikur gazetaria dhe publiku mund të mbështeteshin në disa shenja për të identifikuar manipulimet në video, por sot kjo është shumë më e vështirë.
“Më herët ne diskutonim mënyrat se si gazetarët, në përgjithësi edhe në shoqëri, mund të kemi fokusin te disa elemente brenda videos, në mënyrë që ta vërejmë nëse është një sjellje jo natyrshme apo një veprim i jo natyrshëm. Por sot kjo është shumë më e vështirë”, ka thënë ai.
Sipas tij, këto zhvillime kërkojnë që mediat dhe publiku të jenë shumë më të kujdesshëm me informacionet që konsumojnë e shpërndajnë. Videot e gjeneruara me inteligjencë artificiale, tha ai, “kanë potencialin të manipulojnë perceptimin e opinionit publik dhe të dëmtojnë besimin në media”.
Kjo temë u trajtua në kuadër të serisë “Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë” të “Përballje Podcast”, që zhvillohet me synimin për të analizuar ndikimin dezinformimit në proceset demokratike të vendit. /Telegrafi/
Kosova ka përfunduar raundin e parë të zgjedhjeve lokale, dhe në “Përballje Podcast” është diskutuar për një temë që lidhet drejtpërdrejt me proceset demokratike të vendit, deepfake dhe siguria kibernetike gjatë zgjedhjeve.
Të ftuar në episod ishin Dren Gërguri, ligjërues në Gazetari në Universitetin e Prishtinës, dhe Blerton Abazi, profesor i Sigurisë Kibernetike në UBT.
Rreziku i manipulimit digjital
Në hapje të bisedës, Dren Gërguri sqaroi se “deepfake është çdo audio apo video e gjeneruar me inteligjencë artificiale, ku mund të paraqitet dikush që thotë diçka që në fakt nuk e ka thënë”.
Ai theksoi se niveli i përsosmërisë së këtyre materialeve ka arritur në atë pikë sa “është shumë e vështirë për syrin e njeriut të dallojë nëse një video është reale apo e ndërtuar artificialisht”.
Sipas tij, ky zhvillim po e sfidon ndjeshëm gazetarinë profesionale dhe publikun në ndarjen e informacionit të saktë nga mashtrimet.
Gërguri paralajmëroi se përdorimi i videove të manipuluara mund të ketë pasoja të rënda për perceptimin publik dhe për besimin në institucione:
“Në momentin që qytetarët nuk janë të sigurt çka është e vërtetë, krijohet një mjegull ku askush nuk di çka të besojë më. Dhe kjo është e mjaftueshme për ta cenuar procesin zgjedhor”, tha Gërguri në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.
Ai solli edhe shembuj konkretë të përdorimit të narrativave të rreme që vijnë nga Serbia dhe Rusia, të cilat sipas tij “përdorin të njëjtat taktika propagandistike prej vitesh, duke e paraqitur Kosovën si vend në krizë, dhe përmes përsëritjes e kthejnë të pavërtetën në diçka që duket e besueshme”.
Siguria kibernetike, një çështje e demokracisë
Nga ana tjetër, profesori Blerton Abazi nënvizoi se siguria kibernetike sot nuk kufizohet vetëm në aspektin teknik.
“Kjo nuk është më vetëm çështje e rrjeteve apo e serverëve. Nëse qytetarët dyshojnë që vota e tyre mund të manipulohet përmes formave digjitale, atëherë kemi rrezik për vetë demokracinë,” tha ai.
Abazi rikujtoi rastet kur vonesat teknike në publikimin e rezultateve zgjedhore kishin krijuar terren për përhapjen e dezinformimit, duke theksuar se “mungesa e komunikimit të shpejtë institucional krijon hapësirë për panik dhe për narrativa të rreme që dëmtojnë besimin e qytetarëve”.
Ai tregoi gjithashtu se në shumë raste, problemet që paraqiten si “sulme kibernetike” janë thjesht dështime teknike apo abuzime të brendshme, por mungesa e sqarimit publik i kthen në kriza besimi.
“Një platformë e pa testuar mirë mund të dështojë dhe qytetarët e përjetojnë si manipulim. Në këto raste, transparenca është mbrojtja më e mirë.”
Foto: Pjetër Monreca
Inteligjenca artificiale – mundësi dhe rrezik
Të dy ekspertët u ndalën edhe te ndikimi global i inteligjencës artificiale.
Gërguri theksoi se tashmë janë shënuar raste ku “në takime online, një drejtues kompanie është zëvendësuar nga një deepfake që në kohë reale jepte urdhra dhe kryente transaksione financiare”, duke vjedhur mijëra dollarë.
“Kjo tregon se kemi hyrë në një epokë ku manipulimi nuk është vetëm çështje montazhi, por edhe i komunikimit të drejtpërdrejtë. Prandaj vetëdija dhe edukimi janë më të rëndësishme se kurrë”, theksoi ai.
Abazi shtoi se kjo “është një luftë e pafund mes ofensivës dhe mbrojtjes”:
“Sa herë që zhvillohet një mekanizëm i ri për t’i detektuar manipulimet, zhvillohet menjëherë një tjetër për t’i shmangur ato. Është një betejë e pandalshme teknologjike që kërkon reagim të vazhdueshëm institucional.”
Çfarë duhet bërë?
Në përmbyllje, të ftuarit theksuan se Kosova ka nevojë për një bashkërendim të qëndrueshëm mes institucioneve, mediave dhe sektorit privat për të ndërtuar një sistem funksional të mbrojtjes digjitale.
Abazi theksoi: “Ende nuk kemi një Agjenci të funksionalizuar të Sigurisë Kibernetike. Infrastruktura ekziston, por mungon koordinimi dhe ndërgjegjësimi. Siguria kibernetike nuk mund të jetë vetëm përgjegjësi e institucioneve – është detyrë e të gjithëve, përfshirë sektorin privat dhe vetë qytetarët.”
Ndërsa Gërguri e mbylli me rëndësinë e edukimit medial dhe të mendimit kritik:
“Sikurse mjeku që është i rëndësishëm për shëndetin, gazetari është thelbësor për shëndetin informativ të shoqërisë. Duhet të mësojmë ta verifikojmë çdo informacion përpara se ta besojmë, sidomos në kohën e inteligjencës artificiale.”
Ky është episodi i tretë i “Përballje Podcast” (Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë), një seri prej tetë episodesh që synon të nxisë debat për rolin e mediave, dezinformimin dhe sfidat e besueshmërisë gjatë zgjedhjeve në Kosovë. /Telegrafi/.
Kosova sapo ka përfunduar raundin e parë të zgjedhjeve lokale, dhe në “Përballje Podcast” u diskutua për deepfake dhe sigurinë kibernetike gjatë zgjedhjeve me Dren Gërguri, ligjërues në Gazetari në UP, dhe Blerton Abazi, profesor i Sigurisë Kibernetike në UBT.
Temat e trajtuara në këtë episod ishin deepfake dhe manipulimi digjital e si po ndryshon perceptimi publik dhe si mund të ndikojë në besueshmërinë e mediave?
Gjithashtu u diskutua rëndësia e sigurisë kibernetike gjatë zgjedhjeve, rreziqet online dhe mënyrat për t’u mbrojtur institucionet dhe qytetarët.
Foto: Pjetër Monreca
Ky është episodi i tretë i “Përballje Podcast” (Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë), një seri prej tetë episodesh kushtuar integritetit medial, luftës kundër dezinformimit dhe sfidave që mediat përballen gjatë zgjedhjeve në Kosovë.
Episodi do të publikohet së shpejti në Telegrafi.com dhe rrjetet sociale./Telegrafi/.
Në episodin e fundit të “Përballje Podcast” të përkrahur nga kompania e derivateve EXFIS, ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë një analizë të detajuar të rezultateve të zgjedhjeve lokale në kryeqytet, duke theksuar se garën e vërtetë nuk e përcaktojnë strukturat partiake, por “vota neutrale” – elektorati i heshtur që vendos në momentin e fundit.
“Nuk jam befasu nga rezultati, sepse e kam parë që do të jetë një garë e ngushtë mes tre kandidatëve. Por ajo që shumëkush s’e përmend është se një pjesë e madhe e qytetarëve e marrin vendimin vonë, njerëzit që nuk janë aktivë as nëpër media, as në rrjete sociale. Janë ata që i quaj masë anonime, e cila në fund vendos”, ka thënë Ahmeti.
Sipas tij, këta votues të qetë janë njerëzit që nuk shihen në tubime politike apo debate publike, por që me qetësi krijojnë bindjen e tyre dhe dalin të votojnë pa u varur nga ndikimet e strukturave partiake.
“Ata nuk janë të zhurmshëm nëpër Facebook, nuk dalin në media, por e përcjellin fushatën me vëmendje dhe vendosin në heshtje. Janë pjesë e madhe e votës në Prishtinë”, theksoi ai.
Strukturat partiake, por edhe votuesit e lirë
Ahmeti vlerëson se kandidati që arrin të balancojë mbështetjen e strukturës partiake me votën neutrale, fiton garën në Prishtinë.
Ai përmendi se Uran Ismaili arriti të marrë një pjesë të konsiderueshme të kësaj vote, por jo aq sa të mposhtë strukturat e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
“Uran Ismaili e ka pasë një pjesë të madhe të votës neutrale, por nuk ka qenë e mjaftueshme për të mposhtur strukturat më të fuqishme të LDK-së dhe Vetëvendosjes”, deklaroi ai.
Sipas Ahmetit, rezultatet tregojnë se listat për Asamblenë Komunale kanë ndikuar shumë në shpërndarjen e votës, ku kandidatët me profil më publik dhe rreth më të gjerë kanë marrë mbështetje më të madhe.
Lidhja për Prishtinën dhe surprizat lokale
Një prej befasive pozitive, sipas tij, ka qenë subjekti “Lidhja për Prishtinën”, i udhëhequr nga Fehmi Kupina, i cili ka arritur mbi 7 për qind të votave, ndonëse pa kandidat për kryetar komune.
“Befasia e këndshme për mua ka qenë ‘Lidhja për Prishtinën’. Kanë arritur një rezultat të suksesshëm për dikë që nuk kishte kandidat për kryetar. Janë njerëz të rinj me energji dhe rreth të fortë qytetar”, ka thënë Ahmeti.
Ridvan Slivova
Balotazhi- gara më e ngushtë që ka parë Prishtina
Duke folur për balotazhin mes Përparim Ramës dhe Hajrullah Çekut, Ahmeti paralajmëroi një garë shumë të ngushtë, ku çdo votë mund të bëjë diferencën.
“Kjo do të jetë një garë interesante dhe shumë e ngushtë. Nuk mendoj që ndonjëri prej kandidatëve e ka të sigurt fitoren. Shumë njerëz që nuk janë as me LDK-në, as me VV-në, do të përcaktojnë rezultatin përfundimtar”, tha ai.
Ahmeti theksoi se votuesit e Uran Ismailit mund të jenë faktor kyç në raundin e dytë, pasi përfaqësojnë pikërisht atë elektorat të lirë që shpesh e vendos balancën.
“Uran Ismaili s’e fitoi Prishtinën, por votuesit e tij mund ta vendosin se kush do ta udhëheqë. Janë njerëz që kërkojnë ndryshim, pa lidhje me partitë tradicionale”, shtoi ai.
Në këtë episod të “Përballje Podcast”, Shpend Ahmeti flet edhe për tema tjera politike e ekonimike./Telegrafi/.
Në episodin më të ri të “Përballje Podcast”, drejtori i “Plug and Play Tech Center” për Evropën Juglindore, Uranik Begu, theksoi rëndësinë e ndërtimit të një ekonomie të bazuar në inovacion dhe dije në Kosovë. Ky podcast përkrahet nga kompania e derivateve Exfis.
Begu nënvizoi potencialin e të rinjve dhe bashkëpunimin rajonal si çelës për zhvillimin e mëtejshëm. “Ky është një sfidë, por edhe një mundësi – për të rinjtë dhe të rejat, por edhe për ata që jetojnë jashtë vendit e duan të kontribuojnë me dijen e tyre. Ne duhet t’ju krijojmë hapësira dhe kushte për ta bërë këtë,” tha ai.
Ai shtoi se Kosova duhet të investojë në infrastrukturë, në dijeni dhe të mbështesë bizneset, jo vetëm përmes granteve, por edhe përmes politikave që lehtësojnë investimet private, stimujve tatimorë dhe krijimit të një mjedisi tërheqës për kompani të mëdha teknologjike.
“Kosova duhet të krijojë një ambient ku kompani si Google apo Plug and Play e shohin vendin si destinacion me potencial për investim, jo vetëm për tregun lokal, por edhe për rajonin,” shtoi ai.
Begu gjithashtu vuri në dukje se pozicionimi i Kosovës kah blloku perëndimor dhe kompanitë amerikane të teknologjisë është një avantazh strategjik që duhet shfrytëzuar me vizion afatgjatë.
“Bota është e ndarë, e fragmentuar. Fatmirësisht, ne jemi pozicionuar kah pjesa e kompanive të mëdha amerikane si Google dhe të tjerë – dhe kjo duhet të shërbejë si bazë për ndërtimin e një ekonomie inovative në Kosovë,” përfundoi ai./Telegrafi./