Reading view

Demolli në “Përballje Podcast”: Dhuna online ndaj grave ka pasoja afatgjata, shpesh deri te prishja e familjes



Demolli në “Përballje Podcast”: Dhuna online ndaj grave ka pasoja afatgjata, shpesh deri te prishja e familjes

Dhuna dhe dezinformimi online po shndërrohen në pengesa serioze për gratë që angazhohen në politikë në Kosovë.

Në episodin e dytë të “Përballje Podcast” ( Integriteti medial dhe demokracia në Kosovë), Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, theksoi se etiketimet, shpifjet dhe sulmet personale lënë pasoja të rënda jo vetëm për karrierën politike të grave, por edhe për jetën e tyre private e familjare.


“Se çka i thuhet një gruaje në jetën publike përmes internetit, janë fjalë që kanë pasoja afatgjata, shpesh deri te prishja e familjes. Ndërsa për burrat, shpesh një koment i tillë shihet si krenari, për gratë ka ndikim shkatërrues në jetën private dhe shëndetin mendor,” tha Demolli.

Ajo kujtoi raste nga fushatat e kaluara zgjedhore, ku janë përdorur fotografi dhe materiale të fabrikuara për të njollosur gratë kandidate.

- YouTube www.youtube.com

“Mbledhen materiale të pista për t’i sulmuar, për t’i përjashtuar nga gara politike. Ka shumë shpifje që pastaj ngjiten dhe kthehen në dezinformata, me pasoja të gjata për gratë,” shtoi Demolli.

Sipas saj, partitë politike mbajnë një pjesë të madhe të përgjegjësisë për normalizimin e këtij fenomeni, duke mos e trajtuar dhunën online si problem serioz që pengon barazinë gjinore në politikë.

Ky episod i Përballje Podcast hedh dritë mbi dimensionin gjinor të dezinformimit dhe mbi nevojën urgjente që institucionet, partitë dhe mediat të marrin përgjegjësi në raportimin dhe adresimin e dhunës online ndaj grave./Telegrafi/.

  •  

Muçaj: Kandidatet gra për kryetare komunash numërohen në gishta, partitë shumicën i fusin vetëm sa për sy e faqe



Muçaj: Kandidatet gra për kryetare komunash numërohen në gishta, partitë shumicën i fusin vetëm sa për sy e faqe

Dhuna online, shpifjet dhe ngacmimet vazhdojnë të jenë pengesë serioze për gratë që angazhohen në politikë në Kosovë, duke ndikuar drejtpërdrejt në pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje dhe debatet publike, u tha në “Përballje Podcast”.



Mimoza Koprani-Muçaj, autore dhe producente në emisionin “Konfront” në Kohavision, tha se presioni dhe sulmet ndaj grave janë shpesh të organizuara, duke lënë pasoja të rënda.

Sipas saj kemi pjesëmarrje simbolike të grave në garat zgjedhore duke shtuar se partitë shpesh i vendosin gratë kandidate vetëm në komuna ku e kanë të sigurt humbjen, ndërsa në bastionet e tyre politike kurrë nuk propozojnë kandidate gra.

- YouTube www.youtube.com

“I numëron në gishta të njërës dorë kandidatet gra për kryetare komunash. Në ato komuna ku e kanë të sigurt njëqind për qind dështimin, ku e kanë të sigurt që nuk fitojnë zgjedhjet. Në asnjë komunë që ata e kanë bastion, nuk ka vendosur kandidate gra për kryetar komune”, tha ajo.

Sipas Muçajt, një pjesë e mediave dhe vetë partitë politike ushqejnë këtë diskurs, duke e bërë edhe më të vështirë për gratë rrugën drejt angazhimit publik dhe politik./Telegrafi/.

  •  

Pse gratë po tërhiqen nga politika? Demolli tregon për ngacmimet seksuale dhe barrierat patriarkale në parti



Pjesëmarrja e grave në jetën publike politike në Kosovë po tregon një rënie shqetësuese, duke nxjerrë në pah mungesën e politikave mbështetëse dhe atmosferën patriarkale brenda partive politike.

Luljeta Demolli, drejtore ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, tha në “Përballje Podcast” se kjo situatë është një indikator i dhimbshëm që partitë politike nuk i shohin gratë si potencial për të avancuar ose për të fituar poste në komuna dhe në nivel lokal.



“Faktikisht, pjesëmarrja e grave në jetën publike politike po degradohet. Partitë politike nuk i shohin gratë si potencial për të avancuar ose për të fituar komuna, nuk kanë politika mbështetëse, dhe shumë gra nuk ndihen të sigurta gjatë fushatave,” tha Demolli.

Ajo shtoi se gratë shpesh nuk i bashkohen lehtësisht partive politike sepse ato janë patriarkale dhe jo mikpritëse.

- YouTube www.youtube.com

“Një politikë e domosdoshme do të duhej të ishte ajo kundër ngacmimit seksual brenda partive. Shumë gra të reja, kur bashkohen me parti politike, përballen me diskriminim dhe ngacmim seksual gjatë fushatave. Tubimet shpesh zhvillohen në mbrëmje, në zona rurale, dhe mungesa e mjeteve apo kushteve të thjeshta i bën ato të pasigurta,” tha Demolli.

Sipas saj se sistemi nuk e konsideron gratë si kontribuese të barabarta në politikë. /Telegrafi/.

  •  

Gratë në politikë nën sulm online - si shpifjet ndryshojnë jetën e tyre? Flasin Demolli e Koprani Muçaj




Në episodin e dytë të serisë së re të “Përballje Podcast” në Telegrafit.com, kushtuar integritetit medial dhe zgjedhjeve në Kosovë, është trajtuar çështja e dhunës ndaj grave në politikë, përfaqësimi i tyre në fushata dhe gjuha e urrejtjes online.

Në diskutim morën pjesë Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, dhe Mimoza Koprani Muçaj, producente dhe autore e emisionit “Konfront” në KTV.

Demolli theksoi se gratë në politikë po përballen me barriera të dyfishta – mungesën e mbështetjes brenda partive dhe dhunën e vazhdueshme online.

“Pjesëmarrja e grave në fushata lokale po degradon. Partitë politike nuk i shohin gratë si potencial për të fituar komuna dhe shpesh ua hedhin fajin pse nuk janë pjesë e garës. Një shpifje, një fjalë e pavërtetë, e ndjek një grua gjatë gjithë jetës. Kjo nuk është vetëm betejë politike, por edhe barrë personale dhe emocionale”, tha Demolli.

Ajo u ndal edhe te mungesa e politikave të brendshme që mbrojnë gratë nga ngacmimi apo diskriminimi, duke theksuar se “edhe kur kandidojnë, ato përballen me kushte të pasigurta dhe me narracione që nuk adresojnë problemet reale, si kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit”.

- YouTube www.youtube.com

Ndërkohë, Muçaj tha se sfida për gratë fillon që nga ftesat për debat publik.

“Është sfiduese t’i sjellësh gratë në studio, sepse shpesh portretizohen thjesht si feministe, e jo si zëra për drejtësi e barazi.”

Sipas saj, partitë shpesh i vendosin kandidate aty ku e dinë se nuk do të fitojnë.
“Kjo është një formë tjetër e dhunës politike – gratë futen në garë si dekor, jo si alternativa reale për pushtet. Ndërkohë, rrjetet sociale po shndërrohen në një hapësirë ku ato masakrohen me komente e fyerje,” tha ajo.

Sipas saj gara po shoqërohet me sulme e etiketime, duke treguar se gratë nuk përballen me garë të drejtë, por me një klimë të padrejtë e të dhunshme.

Luljeta Demolli e Mimoza Koprani Muçaj në "Përballje Podcast" në Telegrafi.comFoto: Ridvan Slivova

Të dyja bashkëbisedueset nënvizuan se dhuna online lë pasoja afatgjata, që shpesh ndikojnë në jetën private të grave dhe në shëndetin e tyre mendor.

Seria e dytë e “Përballje Podcast”, me autor Muhamet Hajrullahu, sjell tetë episode mbi integritetin medial, demokracinë dhe sfidat e dezinformimit gjatë zgjedhjeve në Kosovë./Telegrafi/.

  •  

Shpella e Gadimes, thesar i veçantë turistik dhe natyror i Kosovës - a mund të promovohet më shumë?




Vetëm 30 minuta larg Prishtinës, në fshatin Gadime e Ulët të Komunës së Lipjanit, ndodhet një nga mrekullitë më të veçanta të natyrës që kemi në Kosovë – Shpella e Gadimes.

Një monument i natyrës me rëndësi të veçantë, që prej dekadash është atraksion i njohur turistik, por që shpesh më duket sikur nuk e ka marrë ende vëmendjen dhe promovimin që meriton.

Shpella u zbulua rastësisht në vitin 1967 nga një banor lokal, Ahmet Asllani. Vetëm dy vite më pas, në vitin 1969, ajo u vu nën mbrojtje ligjore, ndërsa për vizitorë u hap në vitin 1976.

Sipas Agjencisë së Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit (AKMM), ajo ka një sipërfaqe prej 38.6 hektarësh dhe përveç madhështisë natyrore, është edhe një raritet shkencor me përmasa botërore.

Ajo që e bën Shpellën e Gadimes unike janë aragonitet – kristale të rralla që krijojnë forma të jashtëzakonshme në Galerinë e Aragoniteve.

Shpella nga brenda

Këto stoli shpellore, të cilat shfaqen me drejtime dhe ngjyresa të ndryshme, e bëjnë vendin jo vetëm tërheqës për vizitorë, por edhe një “laborator natyror” për studiuesit.

Shpella është e pasur me të gjitha llojet e ujërave nëntokësore: të kondensuar, pikues, rrjedhës dhe qëndrues sipas informatave zyrtare nga AKMM.

Për mua, kjo e bën Shpellën e Gadimes një fenomen karstik unik, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

Por përtej këtyre fakteve, mbetet një pyetje e thjeshtë: a po e shfrytëzojmë sa duhet këtë pasuri që kemi?

Shpella sot është e vetmja në Kosovë e përgatitur për vizitorë. Çmimi i hyrjes është simbolik – vetëm 2 euro për të rriturit (mosha mbi 6 vjeç). Është një destinacion i përsosur për nxënësit, studentët dhe familjet që duan një fundjavë ndryshe, por edhe për turistët ndërkombëtarë që vizitojnë Kosovën.

Shpella nga brenda

Megjithatë, ajo që mungon ende janë investimet në infrastrukturë dhe hapësirat përreth. Me pak më shumë kujdes e promovim, Gadimja mund të bëhet një nga atraksionet turistike të vendit. Ajo mund të hyjë në itineraret turistike rajonale dhe të vizitohet nga qindra mijëra vizitorë çdo vit – ashtu siç ndodh me shpella të ngjashme në vende tjera të Evropës.







Mendoj se është koha që Shpella e Gadimes të shihet jo vetëm si një destinacion lokal, por si një brand kombëtar i turizmit të Kosovës. Sepse në fund të fundit, ajo është një thesar i natyrës që kemi shumë afër nesh – dhe që ia vlen ta ruajmë, ta vizitojmë dhe ta promovojmë më shumë./Telegrafi/.

  •  

Berisha nga KPM: Tani qytetarët mund të ankohen për përmbajtjet në TikTok, përgjigja vjen brenda 24 orëve



Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka njoftuar një bashkëpunim të ri me zyrën e TikTok-ut në Evropë për të trajtuar ankesat mbi përmbajtjet që mund të ndikojnë në integritetin e zgjedhjeve lokale në Kosovë, por edhe për çështje të shkeljes së standardeve mediale jashtë periudhave zgjedhore.

Këtë e ka bërë të ditur Besnik Berisha, kryetar i Komisionit të Pavarur për Media, në "Përballje Podcast" në Telegrafi.com.

“Unë mund të përmend që kemi edhe një marrëveshje me drejtorin e TikTok-ut për Evropë. Si Komision i Pavarur për Media jemi pajtuar që ankesat që vijnë në raport me TikTok-un, ne mund t’i adresojmë direkt atje. Ata janë angazhuar vullnetarisht që brenda 24 orëve të trajtojnë çdo ankesë të dërguar nga KPM,” ka thënë ai.

- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, ky mekanizëm krijon një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me platformën, duke siguruar që çdo përmbajtje e dyshuar për shkelje të privatësisë, përmbajtje të papërshtatshme ose që mund të shkaktojë dëme të theksuara, të shqyrtohet dhe të marrë vendim brenda një periudhe shumë të shkurtër.

“Qytetarët tani kanë një adresë të qartë për të dërguar ankesat e tyre. Pas pranimit të ankesës nga KPM, TikTok shqyrton dhe vendos për përmbajtjen brenda 24 orëve,” ka shtuar Berisha.

Në periudha zgjedhore, roli i mediave dhe i KPM-së bëhet edhe më i rëndësishëm. /Telegrafi/

  •  

Zgjedhjet lokale dhe roli i KPM-së, Berisha: Integriteti i zgjedhjeve fillon edhe nga integriteti i mediave



Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka një rol kyç gjatë fushatave zgjedhore, tha kryetari i këtij institucioni, Besnik Berisha në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com

Ai theksoi se pa media të pavarura dhe të paanshme, edhe vetë integriteti i procesit zgjedhor mund të vihet në dyshim.

“Demokracia nuk mund të mendohet pa zgjedhje të lira dhe me integritet. Në këtë kuadër roli i mediave është i veçantë. Mund të themi se edhe procesi ose integriteti i vetë zgjedhjeve mund të kontestohet nëse nuk kemi integritet të mediave”, u shpreh Berisha në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.

Ai shpjegoi se mediat e licencuara që zgjedhin të mbulojnë fushatën kanë detyrime të qarta ligjore.

“Mediat janë të obliguara që të ofrojnë kohë të barabarta për subjektet politike, pa pagesë. Ato duhet të dërgojnë ditarë javore në KPM për mënyrën si kanë ndarë hapësirën pa pagesë dhe me pagesë. Po ashtu, çmimet për reklamat zgjedhore duhet të jenë transparente dhe nuk mund të jenë më të larta se ato të gjashtëmujorit të fundit”, tha ai.

- YouTube www.youtube.com

Berisha kujtoi se një rregullore e miratuar vitin e kaluar saktëson edhe më shumë detyrimet e mediave për mbulimin e fushatave.

“Nuk është qëllimi ynë të gjobisim mediat, por të krijojmë një mjedis të përgjegjshëm medial. Ne e kuptojmë rolin e tyre të jashtëzakonshëm dhe potencialin e madh që kanë për të ndikuar – për të mirë ose për të keq. Qëllimi është për të mirë”, tha ai.

Kryetari i KPM-së u ndal edhe tek tema e sondazheve online në media të ndryshme të cilat shpesh publikohen në media e pa kritere të besueshmërisë.

“Sondazhet online janë të ndaluara. Ligji kërkon që sondazhet të kenë metodologji të qartë, të tregojnë kush i ka porositur dhe të publikohen vetëm deri 24 orë para mbylljes së votimit. Ndryshe, ato kthehen në instrument dezinformimi”, paralajmëroi ai.

Një pjesë e rëndësishme e debatit lidhej edhe me dezinformimin dhe ndikimin e tij në zgjedhje. Berisha tha se KPM është në mobilizim të shtuar gjatë fushatave, duke përfshirë monitorim shtesë edhe gjatë fundjavave.

Besnik Berisha në "Përballje Podcast" me kryredaktorin Muhamet Hajrullahu, foto Ridvan Slivova.

Sipas tij, “lajmet e rreme dhe dezinformatat janë shumë të dëmshme për shoqërinë, demokracinë dhe deri në rrezikimin e sigurisë së vendit”.

Ai përmendi bashkëpunimin me organizata si Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) dhe faktin se shumë probleme lindin nga mediat online që nuk janë nën juridiksionin e KPM-së.

Berisha theksoi se rregullimi i mediave duhet të jetë gjithëpërfshirës.

“Unë mendoj se mediat duhet të rregullohen sipas parimit të neutralitetit teknologjik. Nuk ka logjikë që një kategori mediash të jetë nën rregullim, ndërsa një tjetër jo, kur ato konkurrojnë në të njëjtin treg informativ. Qëllimi nuk është censura, por ngritja e barrierave ndaj dezinformatave dhe krijimi i një mjedisi mediatik me standarde të larta etike”, u shpreh ai.

Ky episod i “Përballje Podcast”, pjesë e një cikli të dedikuar për integritetin zgjedhor dhe luftën kundër dezinformimit, u realizua me synimin për t’u ofruar qytetarëve një pasqyrë të qartë mbi rolin e mediave dhe institucionit rregullator gjatë procesit zgjedhor, në një qasje që njihet si gazetari konstruktive dhe me zgjidhje./Telegrafi/.

  •  

Besnik Berisha nga KPM në “Përballje Podcast”, si duhet të sillen mediat gjatë zgjedhjeve?



Në episodin e parë të sezonit të ri të “Përballje Podcast”, kushtuar integritetit medial, luftës kundër dezinformimit dhe sfidave që mediat përballen gjatë zgjedhjeve lokale dhe nacionale në Kosovë i ftuar është Besnik Berisha nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), një seri prej tetë episodesh.

Zgjedhjet lokale 2025 ndër çështjet më të rëndësishme është edhe mënyra se si mediat audiovizuale i mbulojnë këto zgjedhje.

Çfarë obligimesh kanë televizionet dhe radiot gjatë fushatës? Cilat janë rregullat që duhet të respektohen dhe si sigurohet një mbulim i drejtë dhe i balancuar për të gjitha partitë politike? Për të folur për këto, flet Besnik Berisha, kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM

Në këtë edicion do të marrin pjesë gazetarë, ekspertë të medias, akademikë, përfaqësues të institucioneve si KPM, Këshilli i Mediave të Shkruara, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, si dhe organizata të shoqërisë civile e ekspertë të rrjeteve sociale. /Telegrafi/.


  •  

“Përballje për Prishtinën”, premtime konkrete apo fjalë të mëdha?



Fushata për zgjedhjet lokale nis zyrtarisht të shtunën dhe do të zgjasë një muaj.

Në prag të saj, Telegrafi ka zhvilluar një seri diskutimesh me kandidatët për kryetar të Prishtinës në “Përballje Podcast”, shkaku i rëndësisë si kryeqytet dhe rregullimit me ligj të veçantë.

Ky format është realizuar për t’u ofruar qytetarëve mundësinë të njihen nga afër me projektet, planet dhe vizionet e secilit kandidat, duke ofruar një qasje që njihet si gazetari konstruktive dhe e orientuar kah zgjidhjet.

Në qendër të këtyre bisedave kanë qenë temat që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve: trafiku urban, mbeturinat, qentë endacakë, blerja e autobusëve të rinj, ndriçimi dhe çështja e banimit.

Çka deklaruan kandidatët?

Përparim Rama (LDK)

Kryetari aktual e sheh besimin e qytetarëve si indikator të suksesit të mandatit të tij të parë. Ai përmendi projektet që sipas tij janë realizuar, duke theksuar se Prishtina është shndërruar në qytet me energji pozitive dhe atmosferë shprese.

Rama kritikoi gjithashtu "bllokadat" që sipas tij po bëhen nga niveli qendror, veçanërisht për projektin në sheshin “Xhorxh Bush”, që sipas tij vonojnë zhvillimin e kryeqytetit.

- YouTube www.youtube.com

Hajrulla Çeku (LVV)

E vendosi theksin tek vizioni “Prishtina 2035” si një qytet funksional, me fokus në trafikun urban, pastërtinë, menaxhimin e mbeturinave dhe zgjidhjen e problemit të qenve endacakë.

Çeku përmendi zhvillimin ekonomik përmes turizmit, teknologjisë së informacionit dhe lidhjes së arsimit me tregun e punës, si dhe politika sociale për barazi dhe përfshirje.

- YouTube www.youtube.com

Uran Ismaili (PDK)

Tha se motivimi për rikthimin në garë lidhet me nevojën për qeverisje në shërbim të qytetarëve. Prioriteti kryesor i tij është trafiku, me plan për autobusë të rinj, lëvizje çdo 7 minuta, pastrim, ndriçim dhe parkingje.

Ismaili kritikoi premtimet boshe dhe konfliktet politike, duke ofruar qeverisje konkrete dhe të përkushtuar.

- YouTube www.youtube.com

Bekë Berisha (AAK)

Ishte kundër “premtimeve fantastiko-shkencore”, duke thënë se qytetarët kërkojnë shërbime bazike dhe rezultate të prekshme: nga pastrimi e mbeturinat te siguria me policë në pension. Premtoi ndërhyrje praktike si tuneli për trafikun, identitet kulturor për qytetin dhe siguri për fëmijët në shkolla.

- YouTube www.youtube.com

Besa Shahini (PSD)

Kandidatja e vetme grua në këtë garë prezantoi tri prioritete: arsim publik cilësor, korridore të gjelbërta që lidhin lagjet dhe banim të përballueshëm. Ajo ngriti si shqetësim çmimin e lartë të qirasë dhe shitjes së banesave në Prishtinë, duke paralajmëruar politika të dedikuara për këtë fushë.

- YouTube www.youtube.com

Çdo kandidat paraqet një vizion të ndryshëm për Prishtinën:

Përparim Rama kërkon vazhdimësi të projekteve dhe ruajtje të atmosferës pozitive.

Hajrulla Çeku ofron strategjinë afatgjate Prishtina 2035 dhe klimë bashkëpunimi

Uran Ismaili propozon qeverisje konkrete me menaxhim trafiku dhe shërbime efikase.

Besa Shahini ofron politikë për cilësi jete, lidhje urbane dhe banim të përballueshëm.

Bekë Berisha premton zgjidhje praktike për shërbime bazike dhe siguri publike.

Në garë janë për Prishtinën janë edhe Merkur Beqiri nga Alternativa e Fatmir Selimi si kandidat i pavarur, programet e të cilëve do të prezantohen gjatë fushatës. /Telegrafi/.

  •  

Bekë Berisha në “Përballje Podcast” tregon pse po  kandidon për Prishtinën, planet e tij dhe si i sheh kundërkandidatët

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha, do të jetë mysafir në episodin e radhës të Përballje Podcast” në Telegrafi.com.

Në këtë intervistë me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, Berisha flet për arsyet pse ka vendosur të kandidojë për kryeqytetin, programin e tij për zhvillimin e Prishtinës dhe problemet kryesore që, sipas tij, duhet të zgjidhen urgjentisht.

Bekë Berisha nga AAK në “Përballje Podcast” me kryredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu. Foto Korob Basha.

Ai gjithashtu jep qëndrimet e tij për kundërkandidatët në këtë garë – Përparim Ramën (LDK), Hajrulla Çekun (LVV), Uran Ismailin (PDK) dhe Besa Shahinin (PSD).

Çfarë ofron Bekë Berisha për Prishtinën dhe pse mendon se qytetarët duhet t’i japin votën e tyre, mund ta ndiqni në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com dhe në platformat sociale.

The post Bekë Berisha në “Përballje Podcast” tregon pse po  kandidon për Prishtinën, planet e tij dhe si i sheh kundërkandidatët appeared first on Telegrafi.

  •  

Hajrulla Çeku: Prishtina ka nevojë për një vizion dhjetëvjeçar, jo për improvizime

Në ciklin e intervistave me kandidatët për kryetar të Prishtinës në “Përballje Podcast”, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka shpalosur vizionin e tij për kryeqytetin.

Ai tha se kandidimi ishte rezultat i një diskutimi të gjatë brenda partisë, duke theksuar se Prishtina ka nevojë për “ndryshim të thellë dhe qeverisje serioze”.

Çeku përmendi tri shtyllat kryesore të programit të tij.

“Qytet funksional  me fokus në trafikun urban, pastërtinë, menaxhimin e mbeturinave dhe zgjidhjen e problemit të qenve endacakë. Zhvillim ekonomik përmes mbështetjes së turizmit, teknologjisë së informacionit dhe lidhjes së arsimit me tregun e punës. Barazi sociale me politika për fëmijët, personat me aftësi të kufizuara dhe zvogëlimin e pabarazive mes lagjeve”, tha ai.

Lidhur me trafikun, Çeku tha se zgjidhja qëndron te një trafik urban i fuqizuar dhe i qëndrueshëm, me flotë të re autobusësh, korsi të dedikuara dhe sisteme të mençura semaforësh.

Ai paralajmëroi gjithashtu zbatimin e modelit “park and ride” në hyrjet e qytetit për të reduktuar numrin e veturave.

Sa i përket problemit të mbeturinave, kandidati i LVV-së premtoi reformim të ndërmarrjeve publike, duke u mbështetur në modele gjermane për menaxhimin e tyre, si dhe decentralizim të shërbimeve në nivel lagjesh.

Çeku tha se vizioni i tij është i përmbledhur në planin dhjetëvjeçar “Prishtina 2035”, duke theksuar se kërkon dy mandate për ta realizuar plotësisht.

“Unë nuk premtoj mrekulli, por punë të përditshme dhe zgjidhje të qëndrueshme. Prishtina nuk ka kohë për improvizime”, deklaroi ai në “Përballje Podcast”.

Në këtë podcast, ai foli edhe për problemet kryesore të kryeqytetit dhe për kundërkandidatët e tij. /Telegrafi/

The post Hajrulla Çeku: Prishtina ka nevojë për një vizion dhjetëvjeçar, jo për improvizime appeared first on Telegrafi.

  •  

Hajrulla Çeku në “Përballje Podcast”, çfarë ofron për Prishtinën dhe gara me rivalët politikë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, do të jetë mysafir në episodin e radhës të “Përballje Podcast” në Telegrafi.com.

Çeku, i cili garon për ta marrë drejtimin e kryeqytetit në këtë intervistë flet për vizionin e tij për Prishtinën, projektet që premton dhe sfidat që ai thotë se qyteti i ka kaluar nën qeverisjen aktuale.

Në këtë podcast, të udhëhequr nga Muhamet Hajrullahu, kryeredaktor i Telegrafi.com, ai ndalet tek problemet kyçe të kryeqytetit – trafiku, transporti publik, menaxhimi i mbeturinave dhe zhvillimi urban – duke treguar zgjidhjet që ofron Lëvizja Vetëvendosje për katër vitet e ardhshme.

Hajrulla Çeku nga LVV në “Përballje Podcast”  me kryredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu – foto: Korab Basha

Në fund, Çeku jep edhe qëndrimet e tij për kundërkandidatët kryesorë në garë – Përparim Ramën, Uran Ismailin, Besa Shahinin dhe Bekë Berishën dhe tregon pse beson se qytetarët duhet t’i japin besimin atij në tetor.

Intervistën e plotë me Hajrulla Çekun mund ta ndiqni pas pak në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com dhe platformat sociale. /Telegrafi/

The post Hajrulla Çeku në “Përballje Podcast”, çfarë ofron për Prishtinën dhe gara me rivalët politikë appeared first on Telegrafi.

  •  

Komuna e Gjilanit, rrënon objektin e ish-policisë serbe në Zhegër

Komuna e Gjilanit, ka rrënuar objektin e ish-policisë serbe në fshatin Zhegër.

Nga komuna tregojnë kanë deklaruar “se sot e rrënuam një kujtim jo të mirë (ose kujtim të keq), për banorët e fshatit Zhegër”.

Zyrtarë nga Drejtoria e Inspekcionit, së bashku me drejtorin e Shërbineve Publike, me kërkesë të Këshillit të fshatitit, ndëmorrën iniciativën për rrënimin e ish-objektit të ish-milicisë serbe. ku kujtimet për këta objekte ishin kujtim traume për banorët e këtij lokaliteti.

“Ky objekt jashtë përdorimit, ishte edhe rrezik pēr qytetarët”, thuhet në komunikatë për media.

Inspeksioni kërkon nga qytetarët tē denoncojnë dukuritë negative dhe lagjet e qytetit dhe fshatrave të jenë më të pastërta. /Telergafi/

The post Komuna e Gjilanit, rrënon objektin e ish-policisë serbe në Zhegër appeared first on Telegrafi.

  •  

Protestë dhe bojkot mësimi në shkollën “Ismail Qemali”

Disa nxënës të shkollës fillore “Ismail Qemali” dhe prindërit e tyre, kanë protestuar para objektit shkollor duke kërkuar kushte për zhvillimin e mësimit, pas shpërthimit të “një gypi të kanalizimit”. Por nga drejtoria e shkollës kanë deklaruar se problemi ishte tek një pusetë.

“S’ka kushte, s’ka mësim”, “Shkolla pa kushte, e ardhme pa shpresë”, ishin disa nga mbishkrimet që nxënës të kësaj shkolle mbanin në duar. Derisa ndërrimi i pasdites zhvilloi të martën mësimin, klasat e pesta e bojkotuan tërësisht.

Të pakënaqur me gjendjen higjienike në shkollë për shkak të këtij problemi u shprehën prindërit që kishin dal të protestonin.

Derisa prindërit ankoheshin për kushte jo të mira higjienike drejtoresha e shkollës Ismail Qemali në Prishtinë, Mimoza Krasniqi.

“Problemi i pusetës ka shkaktuar probleme brenda në objekt. Dezinfektimi ëhstë bërë dje komplet. Klasat janë pastruar dhe janë dezinfektuar. Por, prindërit kanë kërkuar që të bëhet edhe një inspektim sanitar ditën e nesërme”, ka thë ajo për media./KP/.

 

The post Protestë dhe bojkot mësimi në shkollën “Ismail Qemali” appeared first on Telegrafi.

  •  

Dogana e Kosovës zbulon substancë narkotike në një dërgesë postare

Dogana e Kosovës ka njoftuar se me sot në Qendrën Doganore të Postës, gjatë kryerjes së kontrollit rutinë të dërgesave postare me prejardhje nga jashtë vendit, u zbulua dhe konfiskua një sasi e konsiderueshme substancë narkotike.

Sipas njoftimit të doganës gjatë inspektimit të një pakoje të dyshimtë, zyrtarët doganorë hasën në dy qese plastike të mbushura me një substancë të blertë, e cila dyshohej të ishte kanabis. Pesha neto e substancës ishte afërsisht 1 kilogram.

 

“Në vijim të protokoleve standarde, rasti u raportua menjëherë autoriteteve të sigurisë. Në vend është ftuar Njësia Anti-Drogë e Policisë së Kosovës, e cila, pas verifikimit paraprak, konfirmoi se substanca në fjalë është narkotik i llojit marihuanë. I gjithë rasti, së bashku me provat materiale, i është dorëzuar zyrtarisht Policisë së Kosovës për procedimet e mëtejshme penale”, thuhet në njoftim

 

Dogana e Kosovës e thekson përsëri angazhimin e saj të palodhur për të mbrojtur sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve duke parandaluar hyrjen e paligjshme të substancave të ndaluara në territorin e Republikës së Kosovës. Kjo është një tregues i qartë i efektivitetit të kontrollit doganor dhe i bashkëpunimit të ngushtë dhe efektiv me të gjitha institucionet e sigurisë në vend./Telegrafi/.

The post Dogana e Kosovës zbulon substancë narkotike në një dërgesë postare appeared first on Telegrafi.

  •  

Seanca gjyqësore ndaj Faton Klinakut, ​Kurti arrin në Gjykatën Themelore

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka arritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku pritet të mbahet seanca për shqyrtimin fillestar lidhur me akuzën për kanosje ndaj tij.

I akuzuar është Faton Klinaku nga OVL e UÇK-së dhe Nuredin Selmani, te dy këta po marrin pjesë në seancë.

Klinaku, së bashku me Nuredin Selmanin, akuzohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës se më 30 gusht 2023 kanë kanosur Kurtin përmes postimeve në rrjete social

Në aktakuzë, Klinaku përmendet për ripostimin e një mesazhi me përmbajtje kërcënuese, ku thuhej: “…Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova.”

The post Seanca gjyqësore ndaj Faton Klinakut, ​Kurti arrin në Gjykatën Themelore appeared first on Telegrafi.

  •  

Reagimi i shpejtë i policisë shpëton jetën e një 21-vjeçareje në Ferizaj

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 04:30, ka pranuar një informacion nga qytetarët se në një kompleks banesor, në katin e katërt, një vajzë 21-vjeçare po tentonte të hidhej nga ballkoni.

Sipas komunikatës policia thotë se menjëherë pas pranimit të informatës, patrullat policore kanë dalë në vendngjarje, ku fillimisht kanë kontaktuar me dëshmitarët dhe më pas kanë vërejtur vajzën në anën e jashtme të ballkonit.

“Policia ka tentuar ta qetësojë përmes komunikimit, ndërkohë që njëri prej policëve është ngjitur në banesën ku ndodhej ajo. Për shkak të urgjencës dhe rrezikut të lartë, polici është detyruar të hapë derën me forcë dhe ka ndërhyrë me shpejtësi në ballkon, duke arritur ta kapë dhe ta tërheqë viktimën brenda rrethojave, me ndihmën edhe të një kolegu tjetër”, thuhet në komunikatë.

Sipas informatës zyrtare në vendngjarje ka dalë edhe ekipi i emergjencës, i cili i ka dhënë ndihmën e parë vajzës, e cila ndodhej në gjendje të rënduar psikike dhe emocionale.

“Ajo është shoqëruar nga policia dhe stafi mjekësor për trajtim të mëtejmë në emergjencë. Familjarët e saj janë njoftuar menjëherë pas ngjarjes. Pas trajtimit fillestar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ajo është transferuar në Klinikën Universitare të QKUK-së në Prishtinë për kujdes dhe trajtim të mëtejmë”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe apelon tek të gjithë që të raportojnë raste të ngjashme, në mënyrë që të parandalohen situatat tragjike. Për procedurat e tjera ligjore, do të njoftoheni me kohë./Telegrafi/

 

The post Reagimi i shpejtë i policisë shpëton jetën e një 21-vjeçareje në Ferizaj appeared first on Telegrafi.

  •  

Apeli i Speciales lë në paraburgim Isni Kilajn

Dhoma e Apelit në Gjykatën Speciale në Hagë ka rrëzuar kërkesën e fundit të Isni Kilajt kundër masës së paraburgimit.
Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, vendimi është marrë më 1 shtator.
Dhoma e Apelit në Gjykatën Speciale në Hagë ka rrëzuar kërkesën e fundit të Isni Kilajt kundër masës së paraburgimit. Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, vendimi është marrë më 1 shtator.

“Më 1 shtator 2025, Paneli i Gjykatës së Apelit rrëzoi apelin e Isni Kilajt kundër vendimit të Gjykatëses së Procedurës Paraprake ku urdhëronte vazhdimin e paraburgimit të tij, të lëshuar më 5 qershor të këtij viti”, thuhet në faqën zyrtare të gjykatës.

Ky është apeli i katërt i Kilajt kundër vazhdimit të paraburgimit që rrëzohet, dhe sikurse tri vendimet paraprake, edhe kësaj radhe kërkesa e tij u refuzua tërësisht.

Sipas Apelit, vendimi i gjyqtares së procedurës paraprake, Marjorie Masselot, për rrezikun e pengimit të procedurave, është i bazuar në prova të mjaftueshme.

Apeli është pajtuar me gjyqtaren e procedurës paraprake, që “masa e paraburgimit mbetet e nevojshme”.

Nën akuzat për tentim pengim të drejtësisë, Kilaj u arrestua më 5 dhjetor të vitit të kaluar, bashkë me Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun, të cilët më pas u transferuan në qendrën e paraburgimit në Hagë./KP/.

The post Apeli i Speciales lë në paraburgim Isni Kilajn appeared first on Telegrafi.

  •  

Tentoi të hynte në Shqipëri teksa ishte në kërkim, ndalohet 55-vjeçari serb

Një shtetas serb është ndaluar në Pikën Kufitare të Morinës, ndërsa tentonte të hynte në Shqipëri, pavarësisht se ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane për vepra penale në fushën e krimeve ekonomike.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara në hyrje/dalje dhe verifikimeve të detajuara për parandalimin e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në bashkëpunim me strukturat e DVP Kukës, bënë të mundur ndalimin e shtetasit serb G. S., 55 vjeç.

Nga shkëmbimi i informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe partnerëve gjermanë, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane. Ai ishte dënuar me masën e sigurisë “Arrest në burg” nga Gjykata e Mainz, për veprat penale “Evazion fiskal” dhe “Përfitim i kundërligjshëm i pagave apo shpërblimeve të personave të tjerë”.

Interpol Tirana po vijon procedurat për ekstradimin e 55-vjeçarit drejt Gjermanisë, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë gjermane./EuronewsAlbania/.

The post Tentoi të hynte në Shqipëri teksa ishte në kërkim, ndalohet 55-vjeçari serb appeared first on Telegrafi.

  •  

Nga historia deri te ekonomia e siguria, intervistë ekskluzive me ambasadorin turk – flet për projektet e marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë

Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë janë ndërtuar mbi lidhje historike, kulturore dhe njerëzore, të cilat sot përkthehen në bashkëpunim politik, ekonomik dhe të sigurisë. Turqia ka qenë ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon të mbetet një partner i rëndësishëm strategjik.

Kështu ka deklaruar në një intervistë ekskluzive për Telegrafi.com, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Tunç Angili, i cili flet për marrëdhëniet mes dy vendeve, investimet turke në Kosovë, projektet në fushën e sigurisë dhe mbështetjen e vazhdueshme për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ai ndalet edhe te bashkëpunimi kulturor, roli i diasporës dhe nismat e reja rajonale që synojnë stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të Ballkanit.

Telegrafi: Ambasador, kanë kaluar dy vite nga ardhja juaj në Kosovë. Si i vlerësoni sot marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë?

Tunç Angili: Mund t’i përkufizoj marrëdhëniet Kosovë–Turqi si marrëdhënie shumë të ngushta, sepse nuk janë vetëm marrëdhënie qeveri me qeveri, por edhe marrëdhënie mes njerëzve. Ajo që dua të them është se kemi një diasporë të madhe të qytetarëve turq me origjinë shqiptare në Turqi. Shumica prej tyre e kanë prejardhjen nga Kosova. Pra, kur ndodh diçka në Kosovë, ata e ndjekin me shumë vëmendje, sepse ende kanë të afërm këtu ose, edhe nëse nuk kanë më, e ndjejnë se rrënjët e tyre janë këtu. Kjo krijon një simpati të madhe të opinionit publik turk ndaj Kosovës. Dhe, si rrjedhojë, mund të them se Kosova ka edhe një lobi të fortë në Turqi. Në Ballkan, shqiptarët gjithmonë i shohim si vëllezër, sepse nga këndvështrimi ynë kemi një histori të përbashkët. Ka shumë shqiptarë që kanë ndikuar shumë në zhvillimin e identitetit modern turk.

Ndoshta më i rëndësishmi është, për shembull, Sami Frashri, i cili edhe sot mësohet në shkollat turke si autor i romanit të parë turk, fjalorit të parë turk dhe fjalorit të parë turqisht–frëngjisht. Varrin e tij e kemi ende në Stamboll. Djali i tij ka themeluar njërin prej klubeve më të mëdha të futbollit në Turqi. Po ashtu, autori i himnit kombëtar turk, Mehmet Akif Ersoy, është me origjinë nga Kosova – babai i tij ka lindur në një fshat afër Pejës. Për këtë arsye mendoj se dy kombet kanë ndikuar shumë njëra-tjetrën, sidomos gjatë procesit të pavarësimit të shqiptarëve. Për Turqinë, për Anadollin, shumica e figurave shqiptare të asaj kohe kanë qenë nga Kosova. Edhe pse Sami Frashëri nuk është nga Kosova, Lidhja e Prizrenit u drejtua nga tre vëllezërit e tij, që ishin figura kyçe. Kjo është arsyeja pse shqiptarët kanë një vend të veçantë në zemrën dhe mendjen e Turqisë.

Duke ardhur tek e sotmja, ne mendojmë se pavarësia e Kosovës është një gjë e mirë për stabilitetin në Ballkan. Nuk është kërcënim, përkundrazi është diçka pozitive. Prandaj e mbështesim ndërtimin e shtetit të Kosovës. Besojmë se një Kosovë e pavarur dhe sovrane është e mirë jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për stabilitetin e tërë Ballkanit. Në nivel qeveritar, dialogu politik dhe marrëdhëniet vazhdojnë. Kemi shumë vizita të nivelit të lartë, takime edhe në margjina të forumeve ndërkombëtare si Asambleja e Përgjithshme e OKB-së apo Forumi i Diplomacisë në Antalya që e organizojmë çdo vit. Presidenti Erdoğan dhe Presidentja Osmani janë takuar atje. Kryeministri Kurti ka vizituar Turqinë dy herë në dy vitet e fundit. Po ashtu, ministri ynë i jashtëm, Hakan Fidan, vizitoi Kosovën vitin e kaluar. Pra, kemi një nivel të shkëlqyer dialogu politik dhe nuk kemi nevojë për ndërmjetës për të përcjellë mesazhet tona.

Telegrafi: Kosova dhe Turqia bashkëpunojnë ngushtë në ekonomi dhe siguri. Cilat projekte të përbashkëta po realizohen aktualisht?

Tunç Angili: Mendoj se në Kosovë, për shkak se është komb i vjetër, por shtet i ri, siguria shpesh shihet vetëm në dimensionin e mbrojtjes ushtarake. Por siguria është një koncept shumë më i gjerë. Për shembull, sot siguria energjetike është më e rëndësishme për shumë shtete sesa armët. Edhe për Kosovën, siguria energjetike është kritike. Po ashtu, siguria ushqimore është bërë çështje kombëtare në shumë vende, sidomos pas pandemisë COVID, kur të gjitha shtetet mbyllën kufijtë dhe nuk shisnin grurë. Por për shkak të lidhjeve tona të ngushta, Turqia bëri një përjashtim vetëm për Kosovën dhe lejoi eksportin e grurit. Pra, siguria duhet parë në mënyrë gjithëpërfshirëse. Nëse e sheh vetëm si çështje mbrojtjeje, është sikur të provosh të ecësh me një këmbë ose të boksosh me një dorë të lidhur. Në aspektin e mbrojtjes, siç e tregon vetë fjala, është diçka mbrojtëse. Ne duam që problemet në Ballkan të zgjidhen përmes dialogut dhe diplomacisë. Për këtë arsye, më 26 korrik, ministri ynë i jashtëm ftoi në Stamboll gjashtë ministrat e jashtëm të Ballkanit – nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Mali i Zi – për një takim joformal të quajtur “Platforma e Paqes së Ballkanit”, pa deklarata zyrtare, vetëm për të biseduar hapur. Pse? Sepse nëse ka destabilitet në Ballkan, kjo prek drejtpërdrejt edhe Turqinë, për shkak të lidhjeve të ngushta historike dhe të diasporës. Plus, Bashkimi Evropian është partneri ynë kryesor tregtar dhe të gjitha lidhjet ekonomike dhe sociale me Evropën kalojnë përmes Ballkanit.

Sa i përket mbrojtjes, nga fillimi ne kemi mbështetur Forcën e Sigurisë së Kosovës, në përputhje me kornizën e NATO-s, njësoj si SHBA, Britania e Madhe, Shqipëria dhe Kroacia. Po ashtu mbështesim KFOR-in, sepse mendojmë që është vendimtar për stabilitetin e Kosovës dhe të Ballkanit. Nga 3 tetori i këtij viti, komandanti i KFOR-it do të jetë sërish nga Turqia – hera e dytë që e marrim këtë detyrë. Pra, bashkëpunimi ynë në mbrojtje nuk është kundër ndonjë vendi të tretë, por synon stabilitetin rajonal.

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Tunç Angili me kryredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu, foto: Ridvan Slivova

Telegrafi: Kur flasim për stabilitetin e rajonit dhe sigurinë, nuk mund të anashkalohet dialogu Kosovë–Serbi. Si e sheh Turqia një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve?

Tunç Angili: Sigurisht që duam normalizim të vërtetë mes Kosovës dhe Serbisë. Mendojmë se dialogu dhe diplomacia janë e vetmja rrugë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Roli i KFOR-it është të garantojë siguri, në mënyrë që të ketë hapësirë për dialog. Por mendojmë se duhet edhe një diskutim më i hapur e i sinqertë mes vendimmarrësve politikë në rajon, jo vetëm biseda formale diplomatike. Për këtë e krijuam “Platformën e Paqes së Ballkanit”. Procesi i dialogut i lehtësuar nga BE-ja është në ngërç. Ne mbështesim qasjen e përfaqësuesit të ri të posaçëm të BE-së, z. Sorensen, që të mos synojë menjëherë objektiva të mëdha, por të fillojë me hapa të vegjël, të arritshëm, për të ndërtuar besim. Sepse çdo shtet ka politikën e vet të brendshme, vijat e kuqe dhe prioritetet e sigurisë kombëtare. Nëse synon shumë lart dhe dështon, krijohet zhgënjim. Prandaj, kjo qasje pragmatike është e duhura. Dhe mos harroni, edhe Turqia është vend ballkanik. Pra, nuk jemi një aktor i jashtëm, por pjesë e rajonit. Kemi përgjegjësi të kontribuojmë në paqe dhe stabilitet. Pa pronësi rajonale është e vështirë të arrihen zgjidhje të qëndrueshme.

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Tunç Angili, foto: Ridvan Slivova

Telegrafi: Përmendëm bashkëpunimin ekonomik. Turqia ka edhe investime në Kosovë. Si e shihni këtë bashkëpunim dhe a mund të bëhet më shumë dhe në cilat fusha?

Tunç Angili: Patjetër që mund të bëhet më shumë. Duhet të shtypim më fort “pedalin e gazit”. Aktualisht kemi mbi 500 milionë euro investime turke në Kosovë, të cilat gjenerojnë mbi 10 mijë vende pune. Tregtia dypalëshe arrin rreth 1 miliard euro. Por duam ta bëjmë më të balancuar përmes projekteve të përbashkëta investive. Vitin e kaluar u mbajt forumi i parë ekonomik Kosovë–Turqi në Stamboll, me pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti dhe ministrit tonë të tregtisë. Duam që edicioni i dytë të mbahet këtë herë në Prishtinë, për të krijuar një kornizë institucionale të bashkëpunimit mes bizneseve. Gjithashtu, vitin e kaluar Turqia dhe Kosova nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim ekonomik. Një tjetër ide shumë e rëndësishme është krijimi i një zone të lirë ekonomike të përbashkët në Kosovë, ku investitorët turq mund të prodhojnë për eksport në BE, në Ballkan dhe madje edhe në SHBA. Mendoj se ekonomia e Kosovës është e fortë në shërbime, sektori bankar funksionon mirë, përdoret euroja, ka stabilitet financiar. Por prodhimi dhe industria janë ende të ulëta. Aktualisht ekonomia mbahet gjallë kryesisht nga remitancat e diasporës. Por kur të vijë gjenerata e tretë apo e katërt në Zvicër e Gjermani, ato remitanca do të pakësohen – siç ndodhi me Turqinë në vitet ’80. Pra, duhet shfrytëzuar kjo periudhë për të investuar në prodhim, jo vetëm në ndërtim. Dhe Turqia mund të jetë partnere e shkëlqyer, sepse kemi përvojë dhe dije në industri.

Telegrafi: Pra, ju po e shtyni përpara këtë ide?

Tunç Angili: Po, por për këtë na duhet një qeveri funksionale në Kosovë.

Telegrafi: Shpresojmë që qeveria të formohet ose të shkohet në zgjedhje të reja.

Tunç Angili: Si ambasador, jam i lumtur që Kuvendi i Kosovës arriti të zgjedhë kryetarin. Është diçka e mirë për Kosovën dhe për miqtë e saj. /Telegrafi/

The post Nga historia deri te ekonomia e siguria, intervistë ekskluzive me ambasadorin turk – flet për projektet e marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë appeared first on Telegrafi.

  •  
❌