Reading view

Gonxhja: Mbrojtja e industrisë turistike, përgjegjësi e përbashkët dhe përtej çdo agjende politike momentale

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka publikuar sot shifra nga numri i vizitorëve në sitet kulturore duke theksuar se të dhënat e muajit qershor tregojnë një ngadalësim të ritmit të rritjes, e lidhur direkt me periudhën e protestave.

Gonxhja shprehet se “ashtu siç kemi paralajmëruar, ekonomia e turizmit është ndër të parat që ndien efektet e klimës së pasigurisë dhe destabiliteti”.

Ministri vë në dukje se Shqipëria mbetet në territor pozitiv sa i përket vizitorëve në sitet kulturore, me 617,907 vizitorë gjatë periudhës janar–qershor 2026, ose 89% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

“Megjithatë, të dhënat e muajit qershor tregojnë një ngadalësim të ritmit të rritjes, e lidhur direkt me periudhën e protestave. Ndërsa periudha janar–maj 2026 regjistroi një rritje prej 9.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, qershori 2026 shënoi një rritje prej 4.8% krahasuar me qershorin 2025, duke rënë me -52% krahasuar me trendin rritës të janar – maj 2025”, nënvizoi ai.

Gonxhja vë në dukje se “në një sektor si turizmi, besimi, stabiliteti dhe perceptimi i sigurisë janë faktorë vendimtarë në zgjedhjet e vizitorëve dhe të operatorëve turistikë”.

“Çdo klimë tensioni, frike apo përplasjeje publike rrezikon të dëmtojë imazhin e vendit dhe të ndikojë në ritmin e zhvillimit të turizmit. Për këtë arsye, mbrojtja e industrisë turistike dhe e brandit të Shqipërisë së qetë e mikpritëse duhet të mbetet një përgjegjësi e përbashkët, përtej çdo interesi apo agjende politike momentale”, shprehet ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja.

Nga janari në qershor të këtij viti, 617,907 turistë kanë vizituar sitet kulturorenë vendin tonë, ose +89% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Parqet Arkeologjike kryesojnë edhe me numrin më të lartë të vizitorëve 276,080, pasuar nga Muzetë me 192,567 vizitorë dhe 149,260 vizitorë në Kala dhe Monumente Kulture.

Pesë sitet kulturore më të vizituara janë Parku Kombëtar i Butrintit me 114,084 vizitorë, Kalaja e Gjirokastrës me 110,156 vizitorë, Parku Arkeologjik i Shkodrës me 84,472 vizitorë, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë me 66,116 vizitorë, Parku Arkeologjik i Apolonisë me 65,832 vizitorë.

Ritmi i rritjes së vizitorëve në site në qershor 2026 është 52% më i ulët se ritmi i rritjes së periudhës janar–maj 2026.

 

The post Gonxhja: Mbrojtja e industrisë turistike, përgjegjësi e përbashkët dhe përtej çdo agjende politike momentale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Miratohet plani kombëtar për eliminimin e hepatiteve virale, parandalim dhe diagnostikim i hershëm

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Në Ditën Botërore të Hepatiteve, Shqipëria ka miratuar për herë të parë Planin Kombëtar për Eliminimin e Hepatiteve Virale, duke iu bashkuar objektivit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për eliminimin e hepatiteve B dhe C si kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bën me dije se plani synon të forcojë masat parandaluese, të zgjerojë testimin dhe diagnostikimin e hershëm, si dhe të përmirësojë aksesin e pacientëve në trajtim, me objektiv uljen e infeksioneve të reja, rritjen e diagnozave në kohë dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

Mjekët infeksionistë dhe specialistët e shëndetit publik e cilësojnë hepatitin viral si një nga sfidat më të rëndësishme për shëndetin publik, pasi në shumicën e rasteve sëmundja zhvillohet pa simptoma dhe zbulohet vetëm kur ka shkaktuar dëmtime të avancuara në mëlçi.

Mjeku infeksionist në QSUT, Prof. Dr. Arjan Harxhi, tha se hepatiti viral mbetet një problem madhor si në nivel global, ashtu edhe në Shqipëri.

“Hepatiti viral konsiderohet një vrasës i heshtur, pasi në shumicën e rasteve pacientët nuk kanë simptoma dhe sëmundja diagnostikohet vonë”, u shpreh Harxhi.

Shefja e Shërbimit të Sëmundjeve Infektive në QSUT, Prof. Asoc. Najada Çomo, sqaroi se hepatiti, i njohur edhe si verdhëza, shkaktohet nga viruset A, B, C, D dhe E, por ndikimin më të madh në shëndetin publik e kanë hepatitet B dhe C.

Sipas saj, grupet më të rrezikuara janë foshnjat që nuk vaksinohen, personat që ekspozohen ndaj gjakut dhe nënprodukteve të tij, individët me partnerë të shumtë seksualë, përdoruesit e drogave intravenoze, si dhe personat me sëmundje kronike.

Mjeku Gazmend Bejtja theksoi se Shqipëria i është përgjigjur thirrjes së OBSH-së për eliminimin e hepatiteve virale si problem i shëndetit publik.

“Hepatiti B mund të parandalohet dhe hepatiti C mund të kurohet. Këtë e ka vërtetuar shkenca dhe përvoja e vendeve të tjera. Shqipëria tashmë ka nisur të ecë në këtë drejtim”, tha Bejtja.

Epidemiologia e Institutit të Shëndetit Publik, Prof. Dr. Silva Bino, vlerësoi se vendi ka bërë përparim të rëndësishëm, veçanërisht në kontrollin e hepatitit B te fëmijët.

Bino theksoi se eliminimi i hepatitit B në këtë grupmoshë është arritur falë programit kombëtar të vaksinimit, i cili nis brenda 24 orëve të para të jetës dhe vijon gjatë vitit të parë.

Ndërkohë, mjekja e shërbimit të Gastrohepatologjisë në QSUT, Prof. Asoc. Adriana Babameto, u bën thirrje qytetarëve të testohen dhe të mos neglizhojnë kontrollin e shëndetit të mëlçisë.

“Le të thyejmë barrierat. Njerëzit duhet të testohen duhet të njohin gjendjen e tyre shëndetësore, duhet të mbrojnë mëlçinë e tyre, të sigurojnë një të ardhme të shëndetshme, “, tha Babameto.

Dr. Babameto apeloi që qytetarët, grupet në rrezik dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor të informohen, të vaksinohen, të mbrojnë veten dhe të veprojnë në kohë, pasi diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi janë çelësi për eliminimin e hepatiteve virale deri në vitin 2030.

/e.i/j.p/

The post Miratohet plani kombëtar për eliminimin e hepatiteve virale, parandalim dhe diagnostikim i hershëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Policia: Kujdes ndaj tentativave për marrjen e aksesit në llogaritë WhatsApp

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit informoi sot qytetarët se janë konstatuar raste të qarkullimit të mesazheve dhe lidhjeve (linkeve) mashtruese, të cilat synojnë marrjen e kontrollit të llogarive WhatsApp.

Sipas policisë, mashtruesit dërgojnë linqe me pretendime të ndryshme, si p.sh. për të votuar në një konkurs ose për të konfirmuar një veprim.

Më pas, sipas policisë, i kërkohet përdoruesit të vendosë kodin 6-shifror të verifikimit të WhatsApp. Ky kod përdoret nga autorët për të regjistruar llogarinë në një pajisje tjetër dhe për të marrë kontrollin e saj.

Policia e Shtetit këshillon qytetarët: Mos klikoni në linke të dyshimta, edhe nëse dërgohen nga persona të njohur; Mos ndani kurrë kodin e verifikimit të WhatsApp me askënd;  Aktivizoni funksionin Two-Step Verification (Verifikimi me dy hapa) në aplikacionin WhatsApp;

“Nëse dyshoni se llogaria juaj është komprometuar, veproni menjëherë për ta rikuperuar atë dhe njoftoni personat e kontakteve tuaja. Mbroni të dhënat tuaja! Kujdesi juaj është mbrojtja më e mirë ndaj mashtrimeve kibernetike”, njoftoi policia.

/m.q/j.p/

The post Policia: Kujdes ndaj tentativave për marrjen e aksesit në llogaritë WhatsApp appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – Franca digjet: Zjarret arrijnë në afërsi të Bordosë, mbi 220 mijë të evakuuar

PARIS, 28 korrik /ATSH-DPA/- Zjarrfikësit francezë po vazhdojnë përpjekjet intensive për të vënë nën kontroll zjarret e mëdha, që kanë përfshirë zonat pranë Bordosë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se vala e re e të nxehtit, e parashikuar të nisë sot, mund ta përkeqësojë më tej situatën.

Gjatë një vizite në qendrën operative në Bordo, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se njëra prej dy vatrave kryesore të zjarrit, është vënë nën kontroll, ndërsa zjarri më i madh vijon të paraqesë sfida serioze për ekipet e emergjencës.

“Ne do ta fitojmë këtë betejë për të mbrojtur popullsinë”, u shpreh Macron, duke vlerësuar punën e zjarrfikësve dhe të forcave të angazhuara në terren.

Në operacion janë përfshirë rreth 2 500 zjarrfikës, 18 avionë zjarrfikës, 1 500 ushtarë, si edhe ekipe dhe mjete të specializuara nga rajone të tjera të Francës dhe nga vende partnere.

Gjatë ditës së djeshme, ekipet hapën gjithashtu korridore mbrojtëse në pyje për të penguar përhapjen e flakëve.

Sipas autoriteteve franceze, që nga e mërkura janë evakuuar më shumë se 220 mijë persona, përfshirë edhe një numër të madh turistësh.

Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, u bëri thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet drejt rajonit Gironde, duke theksuar se rreziku ende nuk ka kaluar.

Zjarret kanë mbërritur deri në një distance prej rreth 15 kilometra nga Bordoja dhe kanë shkatërruar rreth 42 mijë hektarë pyje, një sipërfaqe prej afro 420 kilometrash katrorë.

Megjithatë, autoritetet bëjnë të ditur se që nga mbrëmja e së dielës është ndalur përhapja e mëtejshme e flakëve dhe situata është stabilizuar.

Ndërkohë, zjarret kanë goditur rëndë edhe sektorin e turizmit në rajon. Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Gironde, Patrick Seguin, deklaroi se aktiviteti turistik është ndalur pothuajse plotësisht dhe se sezoni veror konsiderohet praktikisht i humbur për një pjesë të madhe të rajonit.

Edhe në Spanjë situata mbetet shqetësuese, megjithëse autoritetet raportojnë një ngadalësim të përhapjes së zjarreve.

Provinca Ávila, në perëndim të Madridit, si edhe rajonet e Madridit dhe Toledos, janë ndër më të prekurat, ku flakët kanë shkatërruar afro 80 mijë hektarë pyje dhe shkurresh.

Sipas Ministrisë së Brendshme spanjolle, rreth 90 mijë persona janë prekur nga evakuimet dhe kufizimet e lëvizjes, ndërsa në provincën Castellón rreth 16 mijë banorë janë detyruar të largohen nga banesat e tyre.

Franca dhe Spanja po mbështeten edhe nga partnerët evropianë, të cilët kanë dërguar avionë dhe helikopterë zjarrfikës përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.

Komisionerja evropiane për Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, deklaroi se asnjë vend nuk duhet të përballet i vetëm me fatkeqësi të kësaj përmase. //a.i/

The post FOKUS – Franca digjet: Zjarret arrijnë në afërsi të Bordosë, mbi 220 mijë të evakuuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

“PLOS One”: Nivelet e ulëta të vitaminës C shoqërohen me shenja të plakjes së trurit

TIRANË, 28 korrik /ATSH/- Niveli i ulët i vitaminës C në gjak, mund të lidhet me ndryshime në strukturën dhe funksionimin e trurit te të moshuarit, sipas një studimi të ri japonez, i publikuar në revistën shkencore “PLOS One”.

Megjithëse studimi nuk vërteton se vitamina C mbron drejtpërdrejt trurin, ai ofron prova se një dietë e pasur, mund të luajë një rol të rëndësishëm në plakjen e shëndetshme të tij. 

Studimi u krye nga një ekip studiuesish të udhëhequr nga Dr. Haruka Nagaya dhe Dr. Tomohiro Shintaku, nga Departamenti i Radiologjisë në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Hirosaki, në Japoni, në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë të Prefekturës së Kiotos dhe institucione të tjera kërkimore japoneze. 

Në studim morën pjesë 2 044 japonezë mbi moshën 64 vjeç (mosha mesatare 69 vjeç), të cilëve iu mat niveli i vitaminës C, në plazmën e gjakut dhe iu kryen skanime të trurit me rezonancë magnetike (MRI). 

Studiuesit morën gjithashtu në konsideratë faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në shëndetin e trurit, si mosha, gjinia, niveli i arsimimit, aktiviteti fizik, duhanpirja, hipertensioni, diabeti dhe hiperlipidemia. 

Analiza tregoi se personat me nivele më të ulëta të vitaminës C kishin vëllim më të vogël të lëndës gri të trurit, e cila është thelbësore për kujtesën, të menduarit dhe vendimmarrjen;

lidhje më të dobëta në rrjetin e modalitetit të parazgjedhur (default mode network – DMN), një rrjet i rëndësishëm i trurit që merr pjesë në kujtesë, vëmendje, përqendrim dhe përpunimin e informacionit që lidhet me vetveten. 

Sipas autorëve, dobësimi i këtij rrjeti është lidher me rënie të funksioneve njohëse, si dhe me sëmundje neurodegjenerative, përfshirë sëmundjen e Alzheimerit dhe Parkinsonit. 

Megjithatë, studiuesit theksojnë se rezultatet tregojnë vetëm një lidhje statistikore dhe jo një marrëdhënie shkak-pasojë. 

Ky ishte një studim vëzhgues, ku pjesëmarrësit u vlerësuan vetëm një herë. 

Për këtë arsye, nuk mund të thuhet se rritja e marrjes së vitaminës C do të parandalojë rënien e aftësive njohëse ose do të mbrojë trurin nga plakja. 

Për të vërtetuar këtë nevojiten studime afatgjata dhe prova klinike. 

Megjithatë, autorët thonë se gjetjet mbështesin rekomandimet ekzistuese për një dietë të pasur me fruta dhe perime, të cilat janë burime natyrore të vitaminës C. 

Përveç rolit të saj si antioksidant, vitamina C ndihmon edhe në mbrojtjen e qelizave nervore nga stresi oksidativ dhe merr pjesë në prodhimin e neurotransmetuesve, që janë të rëndësishëm për kujtesën dhe funksionet njohëse.  //a.i/

The post “PLOS One”: Nivelet e ulëta të vitaminës C shoqërohen me shenja të plakjes së trurit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

SHBA – Netanyahu dhe Zelensky në Uashington për bisedime me Trump

UASHINGTON, 28 korrik /ATSH-DPA/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të mbërrijnë sot në Uashington, për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të senatorit republikan Lindsey Graham, i cili ndërroi jetë së fundmi.

Vizitat e tyre do të shfrytëzohen gjithashtu për takime me presidentin amerikan, Donald Trump.

Graham ishte një nga mbështetësit më të rëndësishëm të Izraelit dhe Ukrainës në Uashington.

Netanyahu dhe Trump: Takimi i parë që nga nisja e luftës me Iranin

Trump e priti për herë të fundit Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë në shkurt. Në atë kohë, bisedimet u përqendruan te mënyra se si duhej trajtuar Irani.

Rreth dy javë e gjysmë më vonë, SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme të përbashkëta ndaj Republikës Islamike.

Pesë muaj më pas, janë bërë gjithnjë e më të dukshme dallimet mes Uashingtonit dhe Tel Avivit lidhur me luftën.

Sipas raportimeve, Izraeli dëshironte vazhdimin e konfliktit, ndërsa Trump për disa muaj ishte në kërkim të një zgjidhjeje diplomatike.

Megjithatë, pas përshkallëzimit të fundit të konfliktit, si armëpushimi ashtu edhe marrëveshja kuadër mes SHBA-së dhe Iranit nuk janë më në fuqi.

Kjo përbën një problem serioz për Trump, pasi zgjedhjet e rëndësishme afatmesme për Kongresin amerikan mbahen pas më pak se 100 ditësh.

Lufta është jopopullore në SHBA dhe një pjesë e opinionit publik e konsideron Netanyahun përgjegjës për bindjen e Trumpit që të përfshihej në të.

Zelensky dhe Trump: Disa takime javët e fundit

Trump dhe Zelensky janë takuar disa herë gjatë javëve të fundit, përfshirë samitin e NATO-s në Ankara ,në fillim të muajit dhe samitin e G7-ës në qytetin francez Évian, në mesin e qershorit.

Në të dyja samitet, SHBA-ja mbështeti qëndrimet e përbashkëta të aleatëve për luftën në Ukrainë.

Gjatë fushatës zgjedhore, Trump deklaroi se mund ta përfundonte luftën e Rusisë kundër Ukrainës brenda 24 orëve.

Megjithatë, përpjekjet e tij për ndërmjetësim nuk kanë sjellë deri tani ndonjë përparim.

Muajt e fundit, vëmendja e tij është përqendruar kryesisht te konflikti i SHBA-së me Iranin. //a.i/

The post SHBA – Netanyahu dhe Zelensky në Uashington për bisedime me Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

RUSI – Putin: Sanksionet perëndimore ndaj Rusisë “thyejnë rekord”

MOSKË, 28 korrik /ATSH – AA/ –  Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi se sanksionet perëndimore kundër Rusisë kishin dështuar në arritjen e qëllimeve të tyre, duke i përshkruar ato si “thyerje rekord” si në shkallë ashtu edhe në joefektivitet.

Duke folur në një takim me ligjvënësit e Dumës së Shtetit në Pallatin e Madh të Kremlinit, Putin tha se “Perëndimi” kishte intensifikuar presionin ndaj Rusisë që nga viti 2022, por nuk arriti të dobësonte vendin.

“Perëndimi e ka futur makinën rusofobike në shpejtësi të lartë, duke vendosur ‘rekord botëror’. Kjo është e vërtetë në dy mënyra: numri i të ashtuquajturave sanksione dhe kotësia e tyre,” tha ai.

Ai argumentoi se kufizimet kishin shkaktuar dëm më të madh për vendet që i vendosën ato sesa për Rusinë.

“Është gjithashtu e vërtetë për dëmin që këto sanksione shkaktojnë, para së gjithash, autorëve dhe nismëtarëve të tyre, si dhe popujve të disa vendeve evropiane dhe të tjera,” tha Putin.

Ai akuzoi vendet perëndimore se po përpiqen të gjymtojnë ekonominë e Rusisë dhe të minojnë potencialin e saj shkencor dhe industrial.

“Për më tepër, në pamundësi për të mposhtur Rusinë në fushën e betejës, ata tani po mbështeten në metoda të hapura terroriste për të bërë luftë kundër popullit tonë. Por askush nuk mund ta thyejë kurrë popullin rus”, tha ai.

Pavarësisht asaj që ai e përshkroi si një periudhë të vështirë, Putin tha se Rusia ishte përshtatur ndaj presionit të jashtëm ndërsa vazhdonte të ndiqte qëllimet ekonomike afatgjata.

Ai shtoi se qeveria do të vazhdojë të mbështesë sektorët kryesorë të ekonomisë, bizneset, punësimin dhe programet sociale duke ruajtur shpenzimet e mbrojtjes.

BE-ja miratoi paketën e saj të 21-të të sanksioneve kundër Rusisë të enjten, duke zgjeruar kufizimet në sektorët financiarë dhe energjetikë të vendit.

Masat zgjerojnë ndalimin e transaksioneve të bllokut në 33 institucione të tjera krediti dhe financiare ruse, synojnë platformat e kriptomonedhave dhe vendosin kufizime të mëtejshme që synojnë frenimin e të ardhurave ruse të naftës.

The post RUSI – Putin: Sanksionet perëndimore ndaj Rusisë “thyejnë rekord” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Kanioni i Holtës, udhëtim mes magjisë së natyrës shqiptare

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Kanioni i Holtës në Gramsh është një atraksionet turistike më të vizituara në vend.

Ky destinacion turistik përfaqëson një udhëtim në një botë misterioze të gërmimeve të shpatit dhe ujërave termale, duke e bërë atë një atraksion të mahnitshëm për të gjithë vizitorët.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kanioni i Holtës, ndërsa turistë të shumtë shijojnë bukuritë e këtij kanioni të mbushur me shpella karstike.

Kanioni i Holtës është një nga monumentet natyrore më të njohura të rrethit të Gramshit, i formuar nga erozioni i ujit mbi shkëmbinj gëlqerorë. Ky kanion karakterizohet nga mure të larta shkëmbore, ngushtica të thella dhe ujëra të kristalta që e përshkojnë në të gjithë gjatësinë e tij.

Krahas pamjeve mbresëlënëse, zona ofron mundësi të shkëlqyera për ecje, eksplorim dhe fotografi natyrore.

Por, për turistët vendas dhe ata të huaj, përveç natyrës spektakolare dhe klimës së favorshme, Gramshi ka edhe një kulturë të pasur dhe një popull mikpritës. Nëpër fshatrat malore të Gramshit, vizitorët mund të shijojnë kuzhinën tradicionale shqiptare dhe të njihen me traditat e saj.

/e.i/

The post Kanioni i Holtës, udhëtim mes magjisë së natyrës shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

“Wales Online”: Nga Tirana në Ksamil, media britanike zbulon pse Shqipëria është destinacioni i kësaj vere

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ – Për turistët që kërkojnë një destinacion të bukur dhe me kosto të përballueshme për pushimet verore, Shqipëria renditet këtë vit ndër zgjedhjet më të mira në Evropë.

Në një artikull të publikuar në median britanike “Wales Online”, gazetarja Amy Jones e cilëson vendin si një nga destinacionet më ekonomike të kontinentit, ndërsa veçon Ksamilin si një alternativë mbresëlënëse kundrejt Maldiveve, falë ujërave të kristalta dhe plazheve me rërë të bardhë.

Sipas artikullit, Ksamili është një nga destinacionet evropiane më të lira për t’u rezervuar këtë verë dhe konsiderohet nga shumë vizitorë si “Maldivet e Evropës”.

Edhe pse sezoni veror ka hyrë në kulmin e tij, ende nuk është vonë për të planifikuar pushime me diell jashtë vendit, ndërsa shumë destinacione tërheqëse ndodhen vetëm pak orë larg Britanisë së Madhe.

Natyrisht, udhëtimi gjatë një prej periudhave më të ngarkuara të vitit nuk është gjithmonë i lirë, por, fatmirësisht, janë identifikuar disa nga destinacionet më miqësore me buxhetin.

Tirana, kryeqyteti i gjallë shqiptar

Në krye të listës si qyteti më i lirë në Evropë për qëndrime në hotele, renditet kryeqyteti shqiptar, Tirana.

Një studim i kryer nga “Hoppa”, zbuloi se kostoja mesatare e një qëndrimi në një hotel me tre yje në këtë qytet të gjallë dhe të lehtë për t’u eksploruar më këmbë është vetëm 41,72 paund nata.

Në listën e 10 destinacioneve më të mira verore dhe më miqësore me buxhetin për vitin 2026, e cila u hartua pas analizimit të dhjetëra vendeve evropiane, kompania zbuloi gjithashtu se, çmimi mesatar i një birre në Tiranë është vetëm 2,41 paund, ndërsa një vakt mund të kushtojë duke filluar nga vetëm 7,27 paund.

Edhe fluturimet drejt Tiranës janë jashtëzakonisht të përballueshme, me çmime që nisin nga vetëm 17 paund për një fluturim vajtje me “Wizz Air” gjatë muajit gusht, me nisje nga aeroporte të ndryshme të Londrës. Sipas “Skyscanner”, udhëtimi zgjat më pak se tre orë.

Edhe pse Tirana, është një qytet kompakt, kjo e bën atë jashtëzakonisht të përshtatshëm për t’u eksploruar më këmbë, me një mori vendesh për t’u vizituar, duke filluar nga arkitektura e saj unike dhe fasadat shumëngjyrëshe, te arti urban, parqet e gjera të gjelbra, muzetë dhe galeritë.

Qyteti është i njohur për restorantet me çmime të përballueshme, kulturën e kafeneve dhe baret plot gjallëri, si edhe për ndërthurjen mbresëlënëse të arkitekturës moderne me historinë e lashtë.

Adam Hodge, anëtar i ekuipazhit të kabinës së “Wizz Air” prej tetë vitesh, e përshkroi Tiranën si një destinacion në zhvillim të shpejtë.

Ajo nuk ofron vetëm anën urbane të qytetit, por shumë pranë ndodhen edhe plazhe dhe zona bregdetare, kështu që ofron më të mirën e të dyja botëve.

Riviera Shqiptare

Pasi të keni eksploruar qytetin, mund të drejtoheni drejt bregdetit mahnitës shqiptar, i cili është krahasuar me peizazhet e Maldiveve, falë ujërave të tij të kristalta me ngjyrë bruz dhe plazheve të paprekura me rërë të bardhë.

Shqipëria ka një ngjashmëri me Maldivet, veçanërisht për atmosferën e saj bregdetare, shezlongët e bukur dhe ujërat e saj me ngjyrë akuamarinë.

Nëse dëshironi të bëni një pushim në qytet, është një zgjedhje e shkëlqyer, ose nëse preferoni një pushim në plazh përgjatë bregdetit, atëherë më në veri të tij do të gjeni alternativën evropiane të Maldiveve.

Bregdeti shqiptar shtrihet përgjatë deteve Adriatik dhe Jon, ndërsa disa nga plazhet më mahnitëse të Evropës ndodhen në Rivierën Shqiptare, në jug të vendit.

Ato janë cilësuar ndër më të bukurat në Evropë, ndërsa Ishujt e Ksamilit veçohen si një perlë e rrallë.

Dhërmiu dhe Plazhi i Jalës përfaqësojnë një tjetër destinacion të jashtëzakonshëm për adhuruesit e diellit, duke ofruar festa në plazh dhe bare plot gjallëri, krahas bukurisë së tyre natyrore.

Megjithatë, nuk është vetëm bregdeti jugor ai që lë mbresa; brigjet veriore ofrojnë një alternativë më të qetë, me plazhe madhështore të fshehura në gjire dhe limane të izoluara.

Shqipëria është padyshim, një nga destinacionet më të preferuara dhe një vend që meriton vëmendje.

Ajo ka gjithçka që nevojitet për një pushim të shkëlqyer dhe ofron një raport shumë të mirë cilësi-çmim. //a.i/

The post “Wales Online”: Nga Tirana në Ksamil, media britanike zbulon pse Shqipëria është destinacioni i kësaj vere appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Fluks i lartë turistësh në Ksamil, bukuritë e Jonit tërheqin vizitorë nga e gjithë bota

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Sezoni turistik veror ka sjellë një fluks të lartë pushuesish në këto ditë të fundit të korrikut në Ksamil, një nga destinacionet më të frekuentuara të bregdetit shqiptar.

Ujërat e kristalta të detit Jon, ishujt e vegjël përballë bregut dhe peizazhi natyror vijojnë të jenë ndër arsyet kryesore që turistët zgjedhin Ksamili për pushimet verore.

Që në orët e para të mëngjesit, plazhet mbushen me pushues, të cilët shijojnë detin, diellin dhe aktivitetet turistike që ofron zona.

Gjatë këtij sezoni, në Ksamil vërehet një prani e lartë e turistëve nga vende të ndryshme të Evropës, por edhe nga rajoni. Familje dhe grupe të rinjsh kanë zgjedhur këtë zonë për të kaluar pushimet, duke ndikuar edhe në rritjen e aktivitetit të strukturave akomoduese dhe bizneseve lokale.

Ksamil mbetet një destinacion që kombinon detin e pastër, natyrën dhe atmosferën karakteristike të një zone turistike mesdhetare.

Sipas operatorëve lokalë, rezervimet në strukturat akomoduese kanë qenë të konsiderueshme që në fillim të vitit, veçanërisht nga tregjet e Evropës Veriore, Evropës Qendrore dhe Ballkanit, por edhe vende te ndryshme të botës.

Vizitorët po zgjedhin Ksamilin jo vetëm gjatë muajve korrik dhe gusht, por gjithnjë e më shumë në periudhat maj-qershor dhe shtator-tetor.

Ksamil vijon të mbetet një nga pikat kryesore turistike të Shqipërisë, duke tërhequr çdo vit mijëra vizitorë nga vende të ndryshme dh duke luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit në jug të vendit.

/k.s/

The post Fluks i lartë turistësh në Ksamil, bukuritë e Jonit tërheqin vizitorë nga e gjithë bota appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 28.7.2026

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet nga Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet nga Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Funerali i senatorit amerikan Lindsey Graham.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Takimi i Komitetit të Politikës Monetare të Rezervës Federale.

KOMBET E BASHKUARA (Shtetet e Bashkuara) – Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Çështjen Izraelito-Palestineze.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Publikimi i listës së ngushtë të kandidatëve për çmimin ”Booker”.

IRLANDA – Vizita e kancelarit gjerman Friedrich Merz.

LIMA (Peru) – Keiko Fujimori betohet si presidente e Perusë.

PARIZ (Francë) – Futboll: Philippe Diallo prezanton trajnerin e ri të ekipit kombëtar francez para FFF-së./ a.jor.

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 28.7.2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Mot i kthjellët me vranësira të pakta, rriten temperaturat

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e martë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme.

Moti parashikohet me kthjellime ndërsa vranësirat të pakta deri mesatare kalimtare në orët e mesditës përgjatë relieveve malore.

Reshje shiu me intensitet kryesisht të ulët përgjatë relieveve malore në lindje në orët e mesditës.

Era pritet të fryjë me drejtim kryesor verilindje – veriperëndim me shpejtësi 7m/s, përgjatë vijës bregdetare e kryesisht atë jugperëndimorë e zonave luginore pritet të fitojë shpejtësi deri 14m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 2-3 ballë.

1 nga 2

 

The post Mot i kthjellët me vranësira të pakta, rriten temperaturat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – Qindra dronë ukrainas godasin Moskën dhe rajonet përreth

MOSKË, 28 korrik /ATSH –ANSA/ –  Ukraina ka lëshuar qindra dronë kundër Moskës dhe disa rajoneve përreth.

Sipas burimeve të ndryshme, numri i përgjithshëm i dronëve të përdorur është mbi 390.

Disa prej tyre janë rrëzuar nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore, ndërsa të tjerë kanë arritur objektivat e tyre.

Kryebashkiaku i Moskës, Sergej Sobjanin, kishte deklaruar fillimisht se 12 dronë që po drejtoheshin drejt kryeqytetit ishin rrëzuar, por gjatë natës dhe orëve të mëngjesit sulmet u intensifikuan.

Ndër objektivat e goditura thuhet se ishte edhe një qendër logjistike e kompanisë Wildberries, operatori më i madh rus i tregtisë elektronike, i cili, sipas burimeve ukrainase, ishte vënë në shënjestër edhe në sulme të mëparshme.

Autoritetet ruse kanë njoftuar se kanë rrëzuar një numër të madh dronësh në rajone të ndryshme, si edhe kanë raportuar për ndërprerje të përkohshme, përfshirë ngadalësimin ose pezullimin e trafikut ajror në disa aeroporte të zonës së Moskës.  /os/

The post FOKUS – Qindra dronë ukrainas godasin Moskën dhe rajonet përreth appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FRANCË – Zjarret paralizojnë turizmin në rajonin e Bordosë

BORDO, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Zjarret e mëdha pyjore që kanë përfshirë rajonin e Bordosë në Francë po godasin rëndë edhe sektorin e turizmit, një nga shtyllat kryesore të ekonomisë lokale.

Autoritetet franceze u kanë bërë thirrje pushuesve të mos udhëtojnë drejt departamentit të Zhirondes, pasi flakët vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit dhe mund të përkeqësojnë situatën.

Qeveria thekson se kufizimi i lëvizjes është i nevojshëm për t’u dhënë përparësi shërbimeve të emergjencës.

Sipas Patrick Seguin, president i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Zhirondes, sezoni turistik është ndalur pothuajse plotësisht.

Ai paralajmëroi se kjo përbën një goditje të rëndë ekonomike për rajonin, ku mijëra biznese dhe punonjës varen nga vizitorët gjatë muajve të verës.

Prefektja e Bordosë, Sophie Brocas, u bëri thirrje turistëve që planifikonin të niseshin për pushime në këtë zonë të shtynin udhëtimin derisa situata të vihej nën kontroll.

Ajo u kërkoi edhe vizitorëve që ndodhen tashmë në rajon të marrin në konsideratë destinacione të tjera, pasi ekziston rreziku që evakuimet të zgjerohen nëse zjarret përhapen më tej.

Deri tani, rreth 220 mijë persona, përfshirë shumë turistë, janë evakuuar nga zonat e rrezikuara.

Autoritetet kanë ndaluar gjithashtu organizimin e kampeve verore për të rinjtë dhe aktiviteteve të pushimit për personat me aftësi të kufizuara, për të garantuar sigurinë e tyre.

Megjithatë, përfaqësuesit e sektorit të hotelerisë dhe restoranteve theksojnë se jo i gjithë rajoni është i prekur nga flakët.

Ata sqarojnë se thirrjet për të shmangur udhëtimet synojnë kryesisht të mbajnë të lira rrugët në zonat e prekura, në mënyrë që automjetet e emergjencës dhe ekipet e zjarrfikësve të mund të veprojnë sa më shpejt dhe pa pengesa.

Turizmi përbën rreth 7% të ekonomisë së rajonit të Zhirondes, duke mbështetur mbi 40 mijë vende pune dhe duke gjeneruar të ardhura vjetore prej rreth 3,2 miliardë eurosh.

Nëse zjarret vazhdojnë, humbjet ekonomike pritet të jenë të konsiderueshme, duke prekur jo vetëm industrinë e turizmit, por edhe bizneset lokale që varen nga sezoni veror./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FRANCË – Zjarret paralizojnë turizmin në rajonin e Bordosë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

METEO – Gjermania në pritje të 39 gradëve Celsius

BERLIN, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Gjermania pritet të përballet me një valë të fortë të nxehti gjatë ditëve në vijim, me temperatura që mund të arrijnë deri në 39 gradë Celsius, sipas Shërbimit Meteorologjik Gjerman (DWD).

Meteorologët parashikojnë se nesër pjesa jugperëndimore e vendit do të regjistrojë temperatura deri në 33 gradë Celsius, ndërsa veriu do të mbetet më i freskët, me rreth 22 gradë Celsius dhe më shumë vranësira.

Nga e mërkura, moti do të jetë kryesisht me diell në të gjithë vendin, ndërsa në jugperëndim temperaturat do të ngjiten deri në 37°C.

Kulmi i valës së të nxehtit pritet të jetë të enjten, kur në rajonin e Rinit të Sipërm dhe në Bavari termometri mund të shënojë 39 gradë Celsius.

Edhe zonat bregdetare do të përjetojnë temperatura të larta, deri në 31 gradë Celsius.

Megjithatë, moti i nxehtë do të shoqërohet edhe me rrezik për stuhi të forta.

Të premten priten reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të fuqishme, veçanërisht në jug të vendit, ndërsa Bavarisë mund t’i rikthehen sërish temperatura deri në 37 gradë Celsius.

Sipas meteorologëve, moti shumë i ngrohtë pritet të vazhdojë edhe pas fundjavës. /Ad.Ab./ a.jor.

The post METEO – Gjermania në pritje të 39 gradëve Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

QIPRO – Guterres në vizitën e parë që nga viti 2010

ATHINË, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, pritet të mbërrijë sonte në Qipro për një vizitë treditore, e para e një kreu të OKB-së në ishull që nga viti 2010.

Vizita synon t’i japë një shtysë të re përpjekjeve për rifillimin e bisedimeve mes komunitetit grekoqipriot dhe atij turkoqipriot, të cilat prej vitesh kanë mbetur në ngërç.

Kjo mund të jetë përpjekja e fundit e Guterres për të ndërmjetësuar një zgjidhje, pasi mandati i tij si Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së përfundon në fund të këtij viti.

Ai pritet të zhvillojë takime me udhëheqësit e të dyja palëve dhe të nxisë dialogun për të gjetur një rrugëdalje nga konflikti i gjatë.

Qiproja mbetet e ndarë që nga viti 1974, kur një grusht shteti i nacionalistëve grekoqipriotë u pasua nga ndërhyrja ushtarake e Turqisë.

Ndarja çoi në krijimin e Republikës Turke të Qipros Veriore në vitin 1983, e cila njihet zyrtarisht vetëm nga Turqia.

Edhe pse Bashkimi Evropian e pranoi të gjithë ishullin si shtet anëtar në vitin 2004, legjislacioni i BE-së zbatohet vetëm në pjesën jugore të kontrolluar nga Republika e Qipros. Kryeqyteti Nikozia vazhdon të jetë i vetmi kryeqytet i ndarë në Evropë, me një zonë tampon të mbikëqyrur nga paqeruajtësit e OKB-së. /Ad.Ab./ a.jor.

The post QIPRO – Guterres në vizitën e parë që nga viti 2010 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Tabaku: Përdorimi i fondeve për mbrojtjen të shoqërohet me transparencë

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, përshëndeti marrëveshjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe të sigurisë në rajon, duke e cilësuar një hap të rëndësishëm në kushtet e sfidave të reja globale.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se Shqipëria përballet me një realitet të ri sigurie, ku kërcënimet hibride, sulmet kibernetike, teknologjitë e reja ushtarake dhe cenueshmëria e infrastrukturës kritike kërkojnë rritje të kapaciteteve kombëtare dhe një NATO më të aftë për të vepruar.

Ajo theksoi rëndësinë e anëtarësimit në NATO si një garanci për sigurinë e vendit, por nënvizoi se Shqipëria duhet të marrë më shumë përgjegjësi si aleate dhe të investojë në kapacitete reale mbrojtëse.

“Anëtarësimi në NATO ka qenë dhe mbetet një nga objektivat jetikë të Shqipërisë dhe një garanci e pazëvendësueshme për sigurinë e shqiptarëve. Por Aleanca po ndryshon dhe bashkë me të duhet të ndryshojë edhe mënyra se si ne i kuptojmë dhe i përmbushim përgjegjësitë tona”, tha ajo.

“Çdo hap që forcon partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe kapacitetet tona brenda NATO-s meriton mbështetje. Detyra e opozitës është të mbështesë drejtimin strategjik, por njëkohësisht të kërkojë seriozitet, përgjegjësi, transparencë dhe rezultate në zbatimin e tij. Shqipëria nuk duhet ta shohë NATO-n vetëm si një garanci që të tjerët i japin vendit tonë. Ne duhet të jemi një aleat që kontribuon, përmbush detyrimet dhe ndërton kapacitete që i shërbejnë sigurisë së përbashkët”, shkruan ajo.

Sipas saj, investimet në mbrojtje duhet të përqendrohen në fusha strategjike si siguria kibernetike, mbrojtja ajrore, kapacitetet detare, sistemet pa pilot, inteligjenca dhe infrastruktura strategjike.

Tabaku kërkoi që përdorimi i fondeve për mbrojtjen të shoqërohet me transparencë dhe kontroll institucional, duke theksuar se konfidencialiteti për çështjet operacionale nuk duhet të kthehet në mungesë llogaridhënieje për përdorimin e parave publike.

Tabaku kërkoi që fondet të drejtohen te partnerë të besueshëm dhe investime që lidhen me nevojat reale të Forcave të Armatosura dhe standardet e NATO-s.

“Parlamenti dhe institucionet përgjegjëse duhet të kenë mundësi të ushtrojnë kontroll real mbi zbatimin financiar dhe institucional të marrëveshjes. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë se cilat janë objektivat e përgjithshme, çfarë kapacitetesh synohen të ndërtohen dhe si ndikojnë këto angazhime në sigurinë e vendit.

“Fondet për mbrojtjen duhet të shkojnë te partnerë seriozë, të besueshëm dhe me standarde të provuara. Në këtë sektor nuk ka vend për improvizim, klientelizëm apo interesa të ngushta. Çdo kontratë dhe çdo investim duhet të udhëhiqet nga nevojat reale të Forcave të Armatosura, ndërveprueshmëria me NATO-n dhe interesi kombëtar”, theksoi Tabaku.

Tabaku u ndal edhe te sfidat e reja të Aleancës, duke theksuar se Shqipëria duhet të përshtatet me një NATO më kërkuese dhe të ndërtojë projekte konkrete me rezultate të matshme.

“Në këtë realitet të ri, Shqipëria duhet të përshtatet dhe të forcohet për një NATO të re, me projekte konkrete dhe rezultate të matshme. Asambleja e NATO-s në Ankara dëshmoi se sfidat e Aleancës janë bërë më të vështira. Për Shqipërinë, ato janë dyfishuar nga mungesa e investimeve serioze dhe nga keqmenaxhimi i sektorit të mbrojtjes. Kjo nis nga modernizimi i Forcave të Armatosura dhe mbrojtja kibernetike, por përfshin edhe infrastrukturën strategjike rrugore, hekurudhore, portuale dhe detare, e cila është lënë pas dore ose është dëmtuar nga projekte korruptive”, tha ajo.

Sipas saj, një Shqipëri më e fortë brenda NATO-s është edhe një garanci më e madhe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, për sigurinë e Kosovës dhe për orientimin euroatlantik të rajonit.

“Angazhimi ynë ndaj NATO-s nuk është një detyrim formal. Por është në interesin jetik të Shqipërisë, të shqiptarëve dhe të gjithë rajonit”, shkruan Tabaku.

/m.q/

The post Tabaku: Përdorimi i fondeve për mbrojtjen të shoqërohet me transparencë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

BERLIN – Gjermania ashpërson ligjet e sigurisë pas sulmit terrorist

BERLIN, 27 korrik /ATSH-AFP/ – Qeveria gjermane ka premtuar masa më të ashpra sigurie pas sulmit vdekjeprurës të së shtunës pranë Paradës së Krenarisë në Berlin, ku një 21-vjeçar i njohur nga autoritetet për lidhje me ekstremizmin islamik vrau një grua 65-vjeçare dhe plagosi 29 persona.

Sipas hetimeve, autori, Abdul Ballout, fillimisht përplasi një minibus me turmën dhe më pas sulmoi kalimtarët me një hanxhar.

Ai u vra nga policia një ditë më vonë gjatë një operacioni në Berlin, pasi iu afrua efektivëve i armatosur me një armë të ftohtë.

Ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt njoftoi se qeveria do të forcojë legjislacionin, duke zgjeruar përdorimin e byzylykëve elektronikë dhe paraburgimin parandalues për personat që konsiderohen kërcënim për sigurinë.

Ai kërkoi gjithashtu  ndryshime në ligjin për të miturit, duke argumentuar se nuk duhet të zbatohet për persona të rritur që paraqesin rrezik të lartë.

Rasti ka shkaktuar debat të fortë në Gjermani, pasi Ballout kishte qenë i dënuar më parë për dhunë, grabitje dhe përpjekje për t’iu bashkuar grupit terrorist Shteti Islamik (ISIS), por ishte liruar me kusht.

Ekspertët e sigurisë dhe sindikatat e policisë e kanë cilësuar lirimin e tij si një gabim të rëndë, duke kërkuar mbikëqyrje shumë më të rreptë për individët e radikalizuar.

Sulmi ka rritur edhe tensionet politike në prag të zgjedhjeve në Berlin, me partitë opozitare që kërkojnë masa më të forta kundër ekstremizmit dhe dhunës.

Kancelari Friedrich Merz deklaroi se autoritetet duhet të shpjegojnë se si një person me një profil të tillë arriti të afrohej pa pengesa pranë një aktiviteti me pjesëmarrje masive. /Ad.Ab./  a.jor.

The post BERLIN – Gjermania ashpërson ligjet e sigurisë pas sulmit terrorist appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

SHBA – Trump: Veprime ushtarake nëse dështojnë bisedimet me Iranin

UASHINGTON, 27 korrik /ATSH/ Presidenti amerikan Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni është në “bisedime shumë të thella” me Iranin, por paralajmëroi se është i gatshëm të ndërmarrë veprime të forta ushtarake nëse përpjekjet diplomatike nuk japin rezultat, sipas Reuters.

Në një intervistë për “Axios”, Trump tha se koha për arritjen e një marrëveshjeje është e kufizuar.

“Nuk ka shumë kohë. Ose ecën shpejt, ose nuk ecën fare”, u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se administrata amerikane nuk është e gatshme për negociata të zgjatura.

Deklaratat vijnë në një moment tensionesh të larta mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa përpjekjet diplomatike për të zbutur krizën vazhdojnë.

Presidenti Trump nuk dha detaje mbi afatin e bisedimeve apo mbi natyrën e mundshme të veprimit ushtarak, por theksoi se të gjitha opsionet mbeten në tryezë. /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Trump: Veprime ushtarake nëse dështojnë bisedimet me Iranin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Malaj: Marrëveshja me SHBA-në, me kushte që garantojnë administrim të kujdesshëm të financave publike

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Kuvendi ratifikoi sot marrëveshjen e huasë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të programit Foreign Military Financing (FMF), duke i hapur rrugë një investimi prej 302 milionë dollarësh për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare.

Kështu bëri të ditur ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili theksoi se marrëveshja përbën një hap të rëndësishëm për sigurinë kombëtare dhe forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së.

Malaj tha se procedura e përshpejtuar ishte e lidhur me natyrën e ndjeshme të dokumentit dhe detyrimet që burojnë nga bashkëpunimi me SHBA-në dhe NATO-n. Ai deklaroi se dokumentacioni i plotë i marrëveshjes ishte i aksesueshëm vetëm për deputetët që pranuan të respektonin rregullat e konfidencialitetit.

“Edhe pse gjatë seancës pati debate mbi procedurën e shqyrtimit, askush nuk e vuri në diskutim rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për sigurinë kombëtare. Procedura e përshpejtuar u diktua nga natyra e ndjeshme e marrëveshjes dhe detyrimet që burojnë nga partneriteti ynë strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe Aleanca e NATO-s. Për këtë arsye, dokumentacioni i plotë ishte i aksesueshëm vetëm për deputetët që pranuan të respektonin rregullat e konfidencialitetit”, tha ai.

Sipas tij, marrëveshja është negociuar me kushte që synojnë një administrim të kontrolluar të financave publike.

“Si Ministri e Financave, kemi negociuar një marrëveshje me kushte që garantojnë administrim të kujdesshëm të financave publike: disbursim vetëm sipas nevojave konkrete të Ministrisë së Mbrojtjes, fleksibilitet në administrimin e huasë dhe monitorim të plotë nga autoritetet amerikane”, shkruan Malaj.

Malaj shtoi se “siguria nuk është çështje retorike. Është përgjegjësi. Sot Shqipëria hodhi një tjetër hap të rëndësishëm që forcon partneritetin strategjik me aleatin tonë më të madh, SHBA-në, dhe konfirmon besimin që partnerët tanë kanë tek Shqipëria si një faktor stabiliteti dhe një aleate e denjë në NATO”.

/m.q/

The post Malaj: Marrëveshja me SHBA-në, me kushte që garantojnë administrim të kujdesshëm të financave publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  
❌