Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 20 July 2026Gazeta Fjala

22:59 “PS do që të shuhet, PD ta shfrytëzojë”, Tela: Misioni i protestës është të drejtojë vendin drejt dorëheqjes së qeverisë

By: Monika
20 July 2026 at 22:59

Analisti Andi Tela, duke komentuar 51 ditët e protestës qytetare, u shpreh në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, protesta vazhdon dhe nuk është fikur edhe pse në numra më të vegjël. Ai u shpreh se protesta duke mos qenë forcë politike, ka për mision të drejtojë vendin drejt një qeverie teknike.

“Kjo protestë është pasqyrë e zhgënjimit 36-vjeçar. Nëse do të shohim numrat në 2-3 javët e para pati pika kulminante, por edhe sot ka në protestë nga gjithë konglomerati, në numra më të vegjël, nga arsye nga më të ndryshme, nga frika, nga organizatorët, por protesta vazhdon dhe nuk është fikur.

Ne duhet të kërkojmë që kjo të vazhdojë. Rama dhe maxhoranca është e interesuar që kjo të shuhet, opozita është e interesuar ta shfrytëzojë këtë si i shkon për shtat, por protesta është kundër të dyja palëve.

Janë zhgënjyer nga të dyja palët. Duke qenë konglomerat i madh me ide të ndryshme nuk mund të kërkojmë që kjo të krijojë një subjekt politik. Nuk janë as sindikatë as forcë politike dhe për këtë arsye misioni është të drejtojë vendin drejt dorëheqjes së qeverisë, ndryshimit të kodit zgjedhor dhe kushtetutës që të ketë mundësi përfaqësimi të barabartë dhe zgjedhje të ndershme, sepse jemi në një autokraci elektorale”- tha Tela./mxh

22:48 Flakët shkatërrojnë zonën pranë Palermos, autoritetet shpallin emergjencë

By: Monika
20 July 2026 at 22:48

Qindra banorë kanë mbetur pa furnizim me ujë në zonën e Castronovos, në provincën e Palermos, pasi një zjarr i fuqishëm përfshiu zonën pranë impiantit të trajtimit të ujit Fanaco në Siçili.

Flakët kanë shkaktuar dëme të mëdha, duke detyruar edhe evakuimin e disa banesave, ndërsa zjarri vijon të përhapet në zonat malore mbi qendrat e banuara.

“Kemi një emergjencë të plotë. Kemi nevojë për avionë Canadair, forca dhe mjete, pasi situata është serioze”, deklaroi kryebashkiaku i Castronovos, Vitale Gattuso.

Në zonë kanë ndërhyrë edhe ekipet e urgjencës, pasi disa persona kanë pësuar probleme shëndetësore për shkak të tymit.

Për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga zjarri, kompania Siciliacque ndërpreu furnizimin me ujë në disa bashki, mes tyre Aragona, Acquaviva Platani, Bompensiere, Canicattì, Campofranco, Casteltermini, Delia, Milena, Montedoro, Mussomeli, San Giovanni Gemini, Serradifalco, Sommatino, Sutera, si dhe disa zona të tjera të provincës së Palermos.

Ndërprerja e furnizimit iu komunikua edhe prefekturave dhe autoriteteve të mbrojtjes civile.

Ndërkohë, zyrtarët njoftuan se zjarri brenda impiantit të ujit është shuar. Teknikët e Siciliacque kanë nisur kontrollet për të vlerësuar rikthimin e funksionimit të impiantit dhe për të verifikuar cilësinë e ujit në rezervuarët e trajtimit./mxh

22:32 Franca miraton ligjin për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç

By: Monika
20 July 2026 at 22:32

Ligjvënësit francezë arritën sot një kompromis, që mund t’i hapë rrugën hyrjes në fuqi, që në fillim të vitit të ri shkollor në shtator, të një ligji që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 15 vjeç, sipas AP.

Për shkak se Parlamenti do të ndërpresë punimet për pushimet verore, ligji duhet të miratohet sa më shpejt

Pasi Komisioni Evropian vlerësoi se versioni i fundit i projektligjit, nuk ishte plotësisht në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian, deputetët e Asamblesë Kombëtare dhe senatorët zhvilluan sot bisedime përfundimtare dhe arritën një marrëveshje për një version të ndryshuar të projektligjit.

Ai do t’i nënshtrohet nesër votimit përfundimtar në të dy dhomat e Parlamentit.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka mbështetur fuqishëm këtë nismë, e cila mund të jetë një nga masat e fundit të rëndësishme të miratuara gjatë mandatit të tij, përpara ai se të largohet nga posti vitin e ardhshëm.

Projektligji parashikon gjithashtu ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në shkollat e mesme.

Pika kryesore e mosmarrëveshjes kishte të bënte me platformat që do të përfshiheshin në ndalim.

Asambleja Kombëtare votoi ndalimin e të gjitha rrjeteve sociale online, ndërsa Senati propozoi hartimin e një liste të veçantë platformash, që do t’i nënshtrohen këtij kufizimi.

Projektligji u hartua në përputhje me Aktin e Shërbimeve Digjitale, ligjin e BE-së që vendos rregulla të rrepta, për të garantuar sigurinë e përdoruesve në internet.

Megjithatë, edhe pse mbështeti synimin për mbrojtjen më të mirë të të miturve, Komisioni Evropian vlerësoi se disa dispozita të projektligjit, mbivendoseshin me rregulloren evropiane dhe kërkoi ndryshimin e tij.

Në fund, ligjvënësit ranë dakord për një ndalim të përgjithshëm, në përputhje me versionin e miratuar fillimisht, nga Asambleja Kombëtare, ndërsa përgjegjësia për të siguruar që platformat të zbatojnë kufirin e moshës, do t’i takojë autoriteteve të Bashkimit Evropian.

Ndalimi nuk do të zbatohet për enciklopeditë online, platformat arsimore ose shkencore, si edhe për platformat që përdoren për zhvillimin dhe shpërndarjen e programeve me kod të hapur (open-source)./mxh

22:28 “Topi i Artë”, sa shumë kandidatë për ta fituar

By: Monika
20 July 2026 at 22:28

Finalja e Botërorit mes Spanjës dhe Argjentinës ka rihapur garën për “Topin e Artë”, duke e bërë një nga edicionet më të luftuara të viteve të fundit.

Lionel Messi dhe Lamine Yamal nuk arritën të mbyllnin diskutimet në finalen e madhe, pavarësisht se Argjentina dhe Spanja u përballën mes tyre.

Në listën e kandidatëve vazhdojnë të përmenden Harry Kane, Khvicha Kvaratskhelia, Fabian Ruiz, Kylian Mbappe, Erling Haaland, Rodri dhe Pau Cubarsi. Haaland mbylli sezonin me 38 gola për Manchester Cityn dhe zhvilloi një Botëror të mirë me Norvegjinë.

Fabian Ruiz fitoi kampionatin dhe Ligën e Kampionëve me Paris Saint-Germain, ndërsa Rodri u shpall lojtari më i mirë i Botërorit. Harry Kane realizoi 61 gola në total me Bayern Munich dhe ndihmoi Anglinë të përfundonte në vendin e tretë.

Ndërkohë, Mbappe shënoi 10 gola në Botëror dhe u bë golashënuesi më i mirë në historinë e turneut, duke kaluar Messin në renditjen e përgjithshme./mxh

22:16 Trump: Netanyahu nuk do të arrestohet në asnjë rrethanë SHBA

By: Monika
20 July 2026 at 22:16

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu “nuk do të arrestohet, në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë, gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara”.

Deklarata u publikua në rrjetin social Truth Social, si reagim ndaj komenteve të kryebashkiakut të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili kishte lënë të hapur mundësinë e një arrestimi të Netanyahut nëse ai do të merrte pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Trump shtoi se, sipas tij, “të vetmit që duhet të arrestohen janë ata që e kanë tërhequr Iranin në këtë spirale të paprecedentë vdekjeje dhe shkatërrimi”, duke argumentuar se kjo çështje duhej të ishte trajtuar vite më parë nga administratat e mëparshme amerikane./mxh

22:10 Jennifer Lopez ikona e bukurisë, në pritje të ditëlindjes

By: Monika
20 July 2026 at 22:10

Diva e muzikës, Jennifer Lopez publikoi foto nga një festë e dyfishtë ditëlindjeje me motrën e saj, Lynda, në Evropë.

Imazhet përfshijnë një foto të saj nudo në vaskë dhe një shkrepje tjetër ku shfaqet me një veshje seksi me dantellë të zezë, të ndara në llogarinë e saj zyrtare në instagram.

Postimi i përbashkët shfaqi yllin duke u relaksuar në një vaskë luksoze, ndërsa motra e saj qëndronte ulur në dysheme duke shijuar ëmbëlsira së bashku.

Sipas The Sun motrat shihen duke fryrë disa qirinj në ëmbëlsirat e tyre përkatëse.

Për divën Jennifer Lopez, bukuria nuk ka moshë.

Super ylli i popit shkëlqeu me një kostum të zi transparent me dantella nga Dolce and Gabbana, teksa mbante një vello të zezë dhe të artë mbi kokë, me një kurorë të madhe dhe një gjerdan të artë që binte në sy.

Ajo shkroi në mbishkrimin e postimit: “Një udhëtim i dyfishtë me motrën për ditëlindje është gjithmonë një ide e mirë!! Të dua Lynnie!! Gëzuar ditëlindjen!!”

Vlen për tu përmendur fakti se Jennifer u quajt “gruaja më e bukur në botë” nga fansat, ndërsa pozoi me një fustan të shkurtër krah Erling Haaland./mxh

22:10 Deputetja socialiste nxjerr në pah skenarin e opozitës: Bllokimi ishte i planifikuar

By: Monika
20 July 2026 at 22:10

Last Updated on 20/07/2026 by Monika

Deputetja e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, reagoi pas tensioneve që shoqëruan seancën plenare të Kuvendit, duke akuzuar opozitën se kishte përgatitur një skenar për bllokimin e punimeve parlamentare.

Sipas saj, ndërprerja e seancës nuk ishte një reagim spontan, por një vendim i marrë që në fillim të saj. Çaushi u shpreh se raportimi i Avokatit të Popullit u përdor vetëm si pretekst për të nxitur përplasje dhe për të penguar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit.

Deputetja socialiste theksoi se Kuvendi duhet të jetë institucioni ku përballen idetë, argumentet dhe alternativat politike, dhe jo një hapësirë ku bllokimi zë vendin e debatit parlamentar.

Në reagimin e saj, Zegjine Çaushi nënvizoi se qytetarët presin përgjegjësi, dialog dhe punë konkrete nga përfaqësuesit e tyre, duke shtuar se tentativat për ta kthyer çdo seancë në një spektakël politik dëmtojnë funksionimin normal të institucioneve.

Postimi i plotë:

“Sot nuk pamë një opozitë që kërkonte të shprehte qëndrimet e saj përmes debatit parlamentar. Pamë një skenar të përgatitur për të bllokuar punimet e Kuvendit.

Prishja e seancës plenare nuk ishte spontane, por një vendim i marrë që në nisje të saj. Raportimi i Avokatit të Popullit ishte thjesht një pretekst për të krijuar përplasje dhe për të penguar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit.

Kuvendi është institucioni ku përballen idetë, argumentet dhe alternativat, jo një vend ku bllokimi zë vendin e debatit. Qytetarët presin përgjegjësi, dialog dhe punë konkrete, jo tentativa për ta kthyer çdo seancë në një spektakël politik që pengon punën e institucioneve.”/mxh

22:04 Mbiçmim i lekut?/ Zëvendësministri i Ekonomisë sqaron situatën

By: Monika
20 July 2026 at 22:04

Last Updated on 20/07/2026 by Monika

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, u ndal sot gjerësisht të situata me monedhën vendase.

I ftuar në një studio televizive, Musabelliu u shpreh se në fushën e politikës monetare, llogaritë nuk bëhen me laps e letër, por bazohen në kryqëzimin e një sërë faktorëve makroekonomikë.

Sipas Musabelliut, mbiçmimi më i madh i lekut ka qenë në periudhën 2023-2024, që përkon edhe me zhvillimin më të madh të turizmit. Ndërkohë që në vitin 2024 dhe në vazhdim, ka një forcim të lekut me vetëm 2,8%, shkaktuar nga të ardhurat nga tregtia e mallrave që dalin dhe që hyjnë në ekonominë shqiptare.

“Duhet të theksojmë që kur flasim për politikën monetare, flasim për një nga gjërat më të komplikuara të ekonomisë, llogaritë për të cilën nuk bëhen as me laps me letër, as me gishta, po bëhen me modele makroekonomike, ku kryqëzohen një sërë faktorësh të ekonomisë dhe ku shkencëtarë të ekonomisë punojnë për të bërë projeksione nga njëra anë, por edhe për të llogaritur efektet nga ana tjetër. Tani, për të shpjeguar pse është mbiçmuar leku. Mbiçmimi më i madh i lekut ka qenë në periudhën 2023-2024, që përkon edhe me zhvillimin më të madh të turizmit. Ndërkohë që në 2024 dhe në vazhdim ne kemi një rënie ose një forcim të lekut me vetëm 2,8%. Çfarë ka shkaktuar kjo? Ka shkaktuar që nga njëra anë defiçiti tregtar, të ardhurat nga tregtia e mallrave që dalin dhe që hyjnë në ekonominë tonë të reduktohet nga 2021 në 2025 nga 7,7% e produktit të brendshëm bruto, në 0.7% të produktit të brendshëm bruto. Ndërkohë që defiçiti i llogarive korrente, pra të paratë që hyjnë dhe paratë që dalin, është reduktuar nga 13.4% në 5.5%. Kjo është kombinuar edhe me një rënie të rriskut sa i përket investimeve financiare në Shqipëri. Besueshmëria e ekonomisë shqiptare është rritur. “Rating” i Standard and Poors dhe i gjithë të tjerëve, të cilët e kanë rejtuar le të themi borxhin e Shqipërisë më lart krahasimisht me pesë apo 10 milionë dhe kjo ka bërë që të shtohen edhe depozitat në lekë, edhe kursimet në lekë, edhe investimet në lekë, duke rritur kërkesën për lekun, çka ka shkaktuar dhe mbiçmimin e tij”,-tha Musabelliu./Mxh

22:02 Legjenda e shahut Judit Polgar refuzon ofertën për t’u bërë presidente e Hungarisë

By: Monika
20 July 2026 at 22:02

Last Updated on 20/07/2026 by Monika

Legjenda e shahut, Judit Polgar, ka refuzuar ofertën e kryeministrit hungarez Peter Magyar për të marrë postin e presidentes së ardhshme të Hungarisë.
“Nuk mendoj se kam forcën për të marrë mbi supe përgjegjësinë historike të bashkimit të një kombi të ndarë, ndaj nuk mund ta pranoj këtë ftesë”, shkroi Polgar në rrjetet sociale.
Ajo shtoi se do të bëjë gjithçka që ka në dorë për të mbështetur zgjedhjen e një presidenti të ri, të pavarur dhe të respektuar, i cili do të mund të përmbushë këtë mision.
Reagimi i saj erdhi pasi grupi parlamentar i partisë Tisza kishte shpallur publikisht mbështetjen për kandidaturën e saj. Megjithatë, kritikët vunë në dukje se, ndryshe nga premtimet e mëparshme, emërimi i saj nuk ishte paraprirë nga një konsultim i gjerë publik.
Kryeministri Peter Magyar e falënderoi Polgar përmes një komenti në rrjetet sociale.
“E dashur Judit, faleminderit për gjithçka që ke bërë për Hungarinë. Besoj se mund të flas në emër të miliona hungarezëve kur them se, edhe në një rol tjetër, do të vazhdojmë të mbështetemi tek ti edhe në të ardhmen”, shkroi ai.
Magyar e kishte propozuar Polgar një ditë më parë si një presidente “për të cilën të gjithë hungarezët mund të jenë krenarë”, pasi mandati i presidentit Tamás Sulyok përfundoi të hënën si rezultat i një amendamenti kushtetues të miratuar javën e kaluar.
Sipas Kushtetutës, deri në zgjedhjen e presidentit të ri, detyrën e kreut të shtetit e ushtron përkohësisht kryetarja e Parlamentit, Agnes Forsthoffer. Parlamenti duhet të zgjedhë presidentin e ri brenda 30 ditëve.

Drejtuesit e partisë në pushtet Tisza kanë deklaruar vazhdimisht se synojnë që në të ardhmen presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo nga Parlamenti. Për këtë arsye, presidenti që do të zgjidhet tani mund të ketë vetëm një mandat të përkohshëm, deri në miratimin e një kushtetute të re.

21:58 Shëndeti i trurit, sfida e re globale: Mbi 3.4 miliardë njerëz jetojnë me një sëmundje neurologjike

By: Monika
20 July 2026 at 21:58

Sëmundjet që prekin trurin dhe sistemin nervor janë kthyer në shkakun kryesor të humbjes së shëndetit dhe aftësisë së kufizuar në mbarë botën, duke tejkaluar barrën e shumë sëmundjeve të tjera kronike.

Kjo është panorama që paraqesin studimi Global Burden of Disease 2021, i publikuar në revistën shkencore The Lancet Neurology, dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Me rastin e Ditës Botërore të Trurit, që shënohet më 22 korrik me temën “Shëndeti i trurit: Qasje për të gjithë”, ekspertët bëjnë thirrje për garantimin e aksesit të barabartë në parandalim, diagnostikim të hershëm, trajtim dhe rehabilitim për të gjitha sëmundjet neurologjike.

Studimi, i cili analizoi të dhëna nga 204 vende, tregon se në vitin 2021, rreth 3.4 miliardë njerëz, ose më shumë se 40% e popullsisë së botës, jetonin me të paktën një çrregullim të sistemit nervor.

Në total, këto sëmundje shkaktuan rreth 443 milionë vite jete të humbura për shkak të vdekjes së parakohshme ose jetesës me aftësi të kufizuara, duke u bërë shkaku kryesor i barrës globale të sëmundjeve.

Krahasuar me vitin 1990, numri i përgjithshëm i rasteve është rritur me 18%, kryesisht për shkak të rritjes dhe plakjes së popullsisë.

Megjithatë, rreziku individual i standardizuar sipas moshës ka rënë me rreth 27%, çka tregon për përmirësime në parandalim dhe trajtim.

Ndër sëmundjet që kontribuojnë më shumë në këtë barrë janë goditja në tru (iktusi), migrena, neuropatia diabetike, encefalopatia neonatale, epilepsia, demenca dhe sëmundja e Alzheimerit. Iktusi mbetet shkaku kryesor i humbjes së shëndetit, ndërsa plakja e popullsisë po sjell një rritje të vazhdueshme të rasteve me demencë dhe Alzheimer.

Sipas studiuesve, një pjesë e konsiderueshme e këtyre sëmundjeve mund të parandalohet duke reduktuar faktorët e rrezikut të modifikueshëm, si hipertensioni arterial, diabeti, obeziteti, mungesa e aktivitetit fizik, duhanpirja dhe ndotja e ajrit. Kjo do të thotë se kujdesi për shëndetin e zemrës është njëkohësisht edhe kujdes për shëndetin e trurit.

Një tjetër sfidë e madhe mbetet qasja në kujdesin shëndetësor. Në shumë vende të botës, miliona njerëz nuk kanë mundësi të marrin në kohë shërbime neurologjike, ekzaminime diagnostikuese, rehabilitim apo trajtime të specializuara.

Për këtë arsye, OBSH u bën thirrje vendeve të forcojnë shërbimet neurologjike, të investojnë në trajnimin e personelit shëndetësor, të zhvillojnë rrjete të integruara të kujdesit dhe të përmirësojnë diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve neurologjike, shkruan mondosanità.it./mxh

20:56 Zjarret masive djegin 26 mijë hektarë tokë

By: Monika
20 July 2026 at 20:56

Një zjarr në provincën qendrore të Spanjës Guadalajara ka djegur rreth 26 mijë hektarë dhe ka detyruar evakuimin e 28 qyteteve, duke zhvendosur rreth 1.200 persona, raportoi sot e përditshmja spanjolle “El Pais”.

“Zjarri, i cili shpërtheu të enjten në zonën e Sierra Norte të Castilla-La Mancha, është bërë zjarri më i madh i regjistruar ndonjëherë në rajon për sa i përket zonës së djegur”, tha presidenti rajonal Castilla-La Mancha, Emiliano Garcia-Page, pasi kryesoi një takim koordinues emergjent.

Perimetri i zjarrit është zgjeruar në rreth 120 kilometra ndërsa autoritetet paralajmëruan se kushtet e motit pritet të përkeqësohen sërish më vonë sot, duke rritur rrezikun e përhapjes së mëtejshme.

Autoritetet e Gardës Civile thanë se gjashtë fshatra të tjerë u evakuuan sot në mëngjes për shkak të “evolucionit të pafavorshëm” të zjarrit, duke prekur 265 banorë të tjerë. Autoritetet rajonale thanë se mbrojtja e jetëve mbetet prioritet pasi zjarrfikësit punojnë për të parandaluar që flakët të arrijnë në zonat e populluara.

Rreth 30 komunitete janë aktualisht të rrethuara nga zjarri.

Ministrja e zhvillimit të qëndrueshëm të rajonit, Mercedes Gomez tha se zjarri po trajtohej kryesisht përmes operacioneve ajrore në zonat ku ekuipazhet tokësore nuk mund të hynin drejtpërdrejt te flakët.

Pjesa më e madhe e zonës së djegur shtrihet brenda parkut natyror “Sierra Norte de Guadalajara”, një zonë e njohur për pyjet, blegtorinë dhe turizmin e saj. Bizneset lokale kanë raportuar tashmë anulime nga vizitorët që planifikojnë të udhëtojnë në rajon për eklipsin diellor që pritet në gusht.

Autoritetet rajonale thanë se planifikojnë të nisin një program rikuperimi dhe restaurimi pasi zjarri të vihet nën kontroll./mxh

20:38 Ndërmjetësit propozojnë armëpushim 10-ditor për të rikthyer marrëveshjen e përkohshme mes Iranit dhe SHBA-së

By: Monika
20 July 2026 at 20:38

Ndërmjetësit ndërkombëtarë i kanë paraqitur Iranit një propozim për uljen e tensioneve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili parashikon një armëpushim 10-ditor – me synimin për të krijuar hapësirë për rifillimin e negociatave – dhe rikthimin e një marrëveshjeje të përkohshme të arritur muajin e kaluar, sipas “Reuters”.

Sipas burimit, propozimi synon të ndalojë përkohësisht përshkallëzimin e konfliktit dhe t’u japë palëve mundësinë, të rikthehen në tryezën e bisedimeve për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes së përkohshme, e cila kishte mbetur pezull për shkak të tensioneve ushtarake.

Burimi nuk dha detaje nëse Teherani e ka pranuar apo refuzuar propozimin, por tha se ndërmjetësit po vazhdojnë kontaktet intensive me të dyja palët, për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm.

Marrëveshja e përkohshme, e negociuar muajin e kaluar, synonte të krijonte një bazë për rifillimin e dialogut mbi programin bërthamor iranian dhe çështje të tjera të sigurisë rajonale.

Megjithatë, përplasjet e fundit ushtarake dhe sulmet reciproke mes Iranit dhe SHBA-së e vunë atë në rrezik.

Një armëpushim 10-ditor do të shërbente si një periudhë “qetësimi”, gjatë së cilës diplomatët do të përpiqeshin të gjenin një formulë kompromisi, për të rikthyer procesin diplomatik dhe për të parandaluar zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme./mxh

20:27 Trump paralajmëron Teheranin: Sa herë që Irani vret një ushtar amerikan, do të paguajë një çmim shumëfish!

By: Monika
20 July 2026 at 20:27

Presidenti amerikan Donald Trump i dërgoi një mesazh të ri të ashpër Iranit, duke paralajmëruar se çdo sulm që i merr jetën një ushtari amerikan do të përballet me hakmarrje të shumëfishtë.

Në një postim në rrjetin e tij social Truth, presidenti amerikan tha se ai tashmë i ka dhënë një udhëzim përkatës Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, kryetarit të Shtabit të Përbashkët Dan Kaine, si dhe të gjithë udhëheqësve të ushtrisë amerikane.

“Sa herë që Irani vret një ushtar amerikan, ata do ta paguajnë këtë veprim shumëfish. Udhëzimi përkatës i është dhënë tashmë Sekretarit të Mbrojtjes, kryetarit të Shtabit të Përbashkët dhe çdo udhëheqësi të Forcave të Armatosura”, shkroi presidenti amerikan.

Ai ka përsëritur qëndrimin e ashpër të administratës së tij ndaj Teheranit./mxh

20:13 Grupi rebel “Houthi” vendos bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite, duke hapur një front të ri në luftën SHBA–Iran

By: Monika
20 July 2026 at 20:13

Grupi i armatosur i Jemenit, Houthi, të mbështetur nga Irani, njoftuan sot se po vendosin një bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite, raportoi “Reuters”.

Ky veprim hap një front të ri përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në konfliktin e tyre me Iranin dhe zgjeron rrezikun për furnizimet globale me energji dhe tregtinë ndërkombëtare, përtej rajonit të Gjirit.

Grupi “Houthi” deklaroi se masat synojnë anijet dhe interesat saudite në Detin e Kuq dhe në ujërat përreth Jemenit.

Ky zhvillim rikthen tensionet në një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë, ku kalon një pjesë e konsiderueshme e transportit global të naftës dhe mallrave.

Lëvizja vjen në një periudhë përshkallëzimi të tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa “Houthi” është bërë një nga grupet aleate kryesorë rajonalë të Teheranit.

Grupi jemenas ka kryer më herët sulme ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq, duke shkaktuar devijime të trafikut detar dhe rritje të kostove të transportit.

Arabia Saudite, e cila ndodhet në konflikt të gjatë me “Houthi” dhe ka mbështetur qeverinë rivale të Jemenit, mund të përballet me presion të ri ndaj eksporteve të saj energjetike dhe rrugëve tregtare.

Ekspertët paralajmërojnë se një përshkallëzim i mëtejshëm në Detin e Kuq, mund të ndikojë në tregjet globale të naftës, megjithëse ndikimi real do të varet nga kohëzgjatja dhe përmasat e bllokadës./mxh

18:56 Fillon zbatimi i zonave pilot në Liban

By: Monika
20 July 2026 at 18:56

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar fillimin e “operacioneve të zonës pilot” në Libanin jugor, ku Forcat e Armatosura Libaneze do të vendosen teksa tërhiqen trupat izraelite.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se operacionet filluan në tre fshatra në përputhje me Kornizën Trilaterale që tre vendet kanë arritur në negociata dhe nën kujdesin e Grupit të Koordinimit Ushtarak për Libanin.

Megjithatë, dy nga tre fshatrat e përmendura në deklaratën e Departamentit të Shtetit nuk kanë forca izraelite të vendosura atje.

Dy prej tyre ndodhen në të parën nga dy zonat pilot të caktuara për vendosjen e forcave libaneze, si pjesë e marrëveshjes kornizë që Izraeli dhe Libani arritën muajin e kaluar. Kjo zonë pilot ndodhet jashtë zonës tampon rreth 6 km të forcave të mbrojtjes izraelite në Libanin jugor.

Zona e dytë pilot shtrihet në të dyja anët e zonës tampon të IDF. Fshati tjetër është brenda zonës tampon të Izraelit. Forcat izraelite të vendosura aktualisht atje do të duhet të tërhiqen.

Departamenti i Shtetit nuk e specifikoi se çfarë nënkupton me fillimin e operacioneve në zonën pilot, por me sa duket i referohet vendosjes së forcave te ushtrise libaneze në ato tre fshatra.

“Ky moment historik është një rezultat i drejtpërdrejtë i diskutimeve të javës së kaluar midis Izraelit dhe Libanit në Romë.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me të dyja palët për të zbatuar Kornizën deri në një përfundim të suksesshëm”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Ndërsa Izraeli pranoi të tërheqë trupat e tij nga zona e dytë pilot si pjesë e marrëveshjes kornizë që nënshkroi me Libanin muajin e kaluar, ai ende nuk e ka bërë këtë.

Zyrtarët ushtarakë që thonë se nuk kanë marrë një direktivë nga udhëheqësit e zgjedhur për t’u tërhequr nga zona.

Kjo situatë ka dëmtuar negociatat me Libanin, i cili kërcënoi shkurtimisht të bojkotonte bisedimet e javës së kaluar në Romë, përpara se SHBA të arrinin ta bindnin Bejrutin me siguri se do të bëhej përparim në këtë çështje.

Megjithatë, mbetet e paqartë se kur forcat izraelite do të fillojnë të tërhiqen nga zona e dytë, pasi nuk është dhënë asnjë afat kohor./mxh

18:46 “Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa“: Marjana Koçeku, nga “Neomalsore” te deputete e pavarur

By: Monika
20 July 2026 at 18:46

Last Updated on 20/07/2026 by Monika

Marjana Koçeku ka lindur në Shkodër në vitin 2000 dhe ka studiuar Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shqipëri dhe jashtë saj. Në vitin 2021 u kthye në atdhe për t’u angazhuar në biznesin familjar, një agroturizëm në zonën malore të Liqenit të Komanit, në veri të Shqipërisë, pranë kufirit me Malin e Zi.

E bërë e njohur në internet me emrin Neomalsore (fjalë për fjalë “neo-malësore”), ajo u propozua nga vetë kryeministri Edi Rama si kandidate e Partisë Socialiste (PS) në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, në të cilat u zgjodh deputete. Më 14 qershor 2026 ajo u largua nga PS-ja në shenjë kundërshtimi ndaj projekteve të qeverisë në Gjirin e Pishë Poro-Nartës dhe në ishullin e Sazanit.

Le të nisim nga viti 2021. Pse vendosët të ktheheshit në Shqipëri?

Sinqerisht, kur u largova nga Shqipëria në vitin 2020, nuk kisha ndërmend të kthehesha. Ishte kulmi i emigrimit të të rinjve, një periudhë kur largohej pothuajse kushdo jashtë vendit, pa shumë shpresë se vendi ynë mund të ndryshonte për mirë.

Jetesa jashtë vendit më ndihmoi ta vlerësoj më shumë vendin tim dhe fshatin tim, si edhe të shoh mundësitë për t’i zhvilluar, në vend që t’i lija pas.

Jam rritur mes qytetit të Shkodrës dhe një fshati malor pranë liqenit. Jam më e vogla nga katër fëmijët dhe, si në pothuajse të gjitha familjet shqiptare, edhe motrat e vëllezërit e mi kanë jetuar jashtë vendit. Unë u largova si studente me bursë, por vëllai im i madh ndoqi rrugën më të vështirë: kaloi malet në këmbë drejt Greqisë, duke ecur ditë e natë.

Kam studiuar në Gjenovë dhe kam kaluar një periudhë në Suedi, ku motra ime jeton prej më shumë se pesëmbëdhjetë vitesh. Jetesa jashtë vendit më ndihmoi ta vlerësoj më shumë vendin dhe fshatin tim, si edhe të kuptoj mundësitë për zhvillimin e tyre. Udhëtimet më bënë të kuptoj se sa unike është kjo luginë dhe sa potencial do të kishte komuniteti ynë nëse turizmi do të zhvillohej duke ruajtur fort atë që jemi.

Kështu u kthyet dhe iu bashkuat biznesit familjar në veri të Shqipërisë.

Po. Familja ime ishte e para që u mor me turizëm në të gjithë rajonin. Ne prisnim turistë që prej vitit 2010, por aktiviteti lidhej kryesisht me lundrimet në liqen: babai im ishte kapiten, ndërsa vëllezërit e mi shoqëronin turistë gjermanë, italianë, francezë e të tjerë.

Në vitin 2021 mora hua rreth 2 mijë euro nga shoqja ime më e ngushtë për të bërë disa ndërhyrje të vogla – shtretër të rinj dhe riparimin e dritareve të thyera të shtëpisë sonë të vjetër – dhe nisa një agroturizëm. Është një vend shumë i thjeshtë dhe i qetë: nëna ime gatuan në zjarr dhe ne u shërbejmë vizitorëve ushqimet me të cilat jemi rritur. Sot mund të presim deri në 28 persona.Në atë moment u bëtë e njohur në internet me emrin “Neomalsore”, “neo-malësorja”, dhe tërhoqët vëmendjen e Edi Ramës. Pse vendosët të angazhoheshit në politikë – dhe pse me Partinë Socialiste?

Sinqerisht, nuk e mendoja se do të hyja në politikë. Kisha studiuar Shkenca Politike dhe kisha një lloj idealizmi, por e shihja si diçka për një të ardhme të largët.

Përmes punës sime u bëra mjaft e njohur dhe me ndikim te brezi i ri. Media ndërkombëtare, si Financial Times, realizuan një dokumentar për mua dhe merrja qindra mesazhe nga të rinj që më tregonin se kishin gjetur guximin të ktheheshin në fshatrat e tyre, të shihnin një jetë përtej kryeqytetit, të riktheheshin nga emigracioni dhe të investonin në vendin e tyre.

Kështu, në mars të vitit 2025, ftesa erdhi drejtpërdrejt nga Kryeministri dhe, sinqerisht, Partia Socialiste ishte e vetmja që më bëri një propozim serioz.

Nuk doja ta pranoja, sepse kjo do të thoshte të rrezikoja gjithçka që kisha ndërtuar. Por dy arsye më shtynë të thosha “po”: fakti që isha një grua e re nga një zonë me mundësi jashtëzakonisht të kufizuara, sidomos për vajzat; dhe fakti që vija nga këto male, të lëna pas dore nga çdo qeveri – me rrugë të amortizuara, pa investime publike, një zonë e njohur për gjakmarrjen dhe me politikanë që nuk kishin asnjë ide se çfarë ndodhte atje.

Pak më shumë se një vit më vonë, më 14 qershor, vendosët të largoheshit nga Partia Socialiste. Çfarë ju zhgënjeu?

Besoja vërtet te hyrja e brezit të ri në politikë; njerëzit e vlerësonin mënyrën time të sinqertë të të vepruarit dhe donin që këtë frymë ta sillja edhe në politikë.

E konsideroj mjedisin thelbin e qenies sime politike.

U përpoqa ta bëja këtë përmes disa nismave për mbrojtjen e mjedisit, por pashë se ato nuk ishin aspak të mirëpritura. Vura re se politikat që çojnë në shkatërrimin e mjedisit po bëheshin gjithnjë e më të shpeshta dhe më agresive, dhe kuptova se po i shërbeja të kundërtës së asaj në të cilën besoja, të kundërtës së asaj për të cilën kisha punuar dhe mbi të cilën kisha ndërtuar figurën time publike dhe karrierën.

Vendosa se nuk mund t’i përkas një grupi që harton ligje dhe politika për interesat e një rrethi shumë të ngushtë, duke shkatërruar mjedisin. Gjithashtu kuptova se kjo nuk ka të bëjë vetëm me veriun e Shqipërisë: është një plan i mirëmenduar për të gjithë vendin.

E konsideroj mjedisin thelbin e qenies sime politike. Kjo është e vetmja Shqipëri që kemi dhe nuk mund të lejojmë gabime të rënda, pasojat e të cilave nuk mund të zhbëhen.

Kështu u larguat nga partia, por nuk hoqët dorë nga mandati i deputetes.

Kushtetuta më lejon ta mbaj mandatin si deputete e pavarur.

E njoftova gjithçka publikisht, vetëm përmes rrjeteve sociale, pa pasur asnjë kontakt paraprak me drejtuesit e partisë. Nuk doja të lejoja asnjë komunikim privat që mund të përpiqej të më ndryshonte mendjen ose të më bindte të hiqja dorë nga mandati.

Ditët që pasuan ishin të mbushura me presion dhe tension. E fika telefonin sepse nuk pushonte së rëni. Ishte edhe disi qesharake, sepse atë javë shumica e titujve në media ishin: “E ka telefonin të fikur, ku është Marjana?”. Thjesht kisha nevojë për pak kohë për veten.

Pati presione nga partia dhe nga deputetë që të hiqja dorë nga mandati, si edhe qindra profile anonime në internet që më fyenin dhe më ngacmonin.

Megjithatë, vendimi im ishte i menduar mirë. Jam plotësisht e vendosur që tre vitet e ardhshme t’i kaloj si deputete e pavarur. Aktualisht po punoj për një platformë publike të angazhimit tim, me mjedisin në qendër, për ta bërë Shqipërinë një vend më të jetueshëm.u vetë punoni në turizëm: Çfarë lloj turizmi i uroni Shqipërisë?

Mendoj se Shqipëria është një shembull i përkryer se si mund të zhvillohet një turizëm i qëndrueshëm, pa dëmtuar natyrën dhe duke respektuar thellësisht komunitetet. Është një vend i vogël, por me një larmi të jashtëzakonshme – kulturë, etnografi, folklor, bukurinë e natyrës dhe të maleve – dhe të gjitha këto potenciale mund të krijojnë një rrjet për të mbrojtur dhe promovuar identitetin tonë, për t’u ofruar të tjerëve atë që jemi.

Në vend të kësaj, po shkatërrojmë atë që jemi, duke realizuar projekte që mund të gjenden kudo, nga Maldivet deri në Xhamajka. Nuk kemi nevojë të jemi një kopje e çfarëdo vendi tjetër. Kemi nevojë për një Shqipëri të zhvilluar, para së gjithash, për njerëzit e saj.

Keni marrë pjesë në protestat që nisën në fund të majit, së bashku me shumë bashkëmoshatarë tuaj. Çfarë duan të rinjtë shqiptarë për të ardhmen e vendit të tyre?

Kjo protestë është manifesti më i bukur qytetar që kam parë ndonjëherë – dhe besoj se edhe Europa ka parë kohët e fundit. Më bën krenare që i përkas këtij brezi të ri.

Ne i shohim gjërat krejt ndryshe nga brezi i prindërve tanë. Për mua është një revolucion energjie – i bukur, krijues dhe shumë i vetëdijshëm për atë që jemi dhe për atë që duam të jetë vendi dhe shoqëria jonë. Ai tashmë ka arritur disa fitore të vogla dhe nuk besoj se do të ndalet, sepse ambiciet e tij janë të mëdha.

Ajo që kërkon brezi i ri është një Shqipëri ku mund të jetohet me dinjitet, ku energjia dhe aftësitë e tij të vihen në funksion të vendit, pa pasur nevojë të largohet diku tjetër. Shumica e shqiptarëve që jetojnë jashtë e kanë mendjen te shtëpia, te prindërit që kanë mbetur vetëm dhe te vëllezërit e motrat më të vegjël. Ky brez më në fund po vepron që Shqipëria të jetë një vend ku jetohet me të vërtetë, dhe jo vetëm një vend nga i cili përfitohet.

Shqipëria po negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian, ndaj në këtë moment Brukseli ka njëfarë ndikimi. A jeni e kënaqur me reagimin e institucioneve europiane deri tani?

Pas dorëheqjes kalova një javë në Bruksel, e ftuar nga disa eurodeputetë për të folur për protestën, dhe zhvillova takime mjaft intensive me deputetë të Parlamentit Europian nga familje të ndryshme politike.

Ajo ku insistova më shumë ishte se procesi i integrimit europian nuk duhet të reduktohet në një lëvizje gjeopolitike apo në një ushtrim burokratik ku thjesht plotësohen disa pika: ai duhet të jetë më gjithëpërfshirës. Shoqëria shqiptare ndan vlerat e Bashkimit Europian – por kjo nuk do të thotë se mbështet qeverinë tonë, elitën tonë politike apo kryeministrin tonë.

Nëse 92% e shqiptarëve janë fuqimisht proeuropianë, kjo ndodh sepse për ne integrimi në BE është garancia më e fortë për një demokraci më të mirë, transparencë, përgjegjshmëri dhe shtet ligjor. Është e rëndësishme që BE-ja të krijojë lidhje të drejtpërdrejta me shoqërinë tonë dhe shoqërinë civile, për të pasur një pasqyrë reale mbi mënyrën se si reformat po zbatohen në praktikë – përmes njerëzve dhe jo vetëm përmes atyre që janë në pushtet, të cilët e përdorin procesin europian pikërisht për të qëndruar në pushtet. Çdo kapitull duhet të monitorohet nga afër në zbatimin konkret, jo vetëm përmes raporteve të administratave ministrore.

Keni përmendur nisjen e një platforme të re publike. Cilat janë planet tuaja politike nga tani deri vitin e ardhshëm?

Jam e vetmja deputete e pavarur dhe deputetja më e re në parlament. Të qenit e pavarur të kufizon në disa drejtime, por të jep një horizont pothuajse të pafund për sa i përket mënyrës se si mund ta bësh zërin tënd të dëgjohet.

Do të jem një opozitë kritike dhe shumë e vendosur, në shërbim të së mirës publike dhe interesave të qytetarëve – e lirë të votoj ose të mos votoj, dhe të ngre zërin në parlament dhe në të gjitha institucionet tona.

Kjo nuk do të thotë se jam vetëm: në politikë nuk je kurrë vetëm. Unë jam shumë njerëz dhe gjatë rrugës do të bëhemi më shumë – njerëz që mendojnë si unë, që do t’i gjykojnë të drejta veprimet e mia, që do t’i afrohen dhe do t’i bashkohen platformës dhe ideve të mia. Koha do ta tregojë dhe koha do të gjykojë nëse ajo që po bëj është e drejtë – dhe nëse jam e bërë për politikë.

Më shumë se kurrë jam e vendosur të vazhdoj rrugëtimin tim politik, sepse duhen zëra kritikë, brenda ose jashtë partive, veçanërisht nga brezi i ri: ne kemi një ide ndryshe për mënyrën se si funksionon vërtet demokracia dhe për mënyrën se si shoqëria jonë mund të përmirësohet.

Prandaj jam shumë entuziaste dhe optimiste për të ardhmen time politike – pa parti, e vetme për sa i përket përkatësisë politike, por me ide dhe besime shumë të frytshme për mënyrën se si ta bëjmë vendin tonë më të jetueshëm për të gjitha brezat, veçanërisht për brezin e ri./mxh

18:32 Argjentina rrezikon, FIFA nis hetimet për përplasjet e dhunshme

By: Monika
20 July 2026 at 18:32

Ngjarjet e ndodhura pas finales së Botërorit mes Spanjës dhe Argjentinës kanë vënë në lëvizje FIFA-n.

Pas përfundimit të ndeshjes, e fituar nga Spanja, në fushë u regjistruan incidente mes futbollistëve dhe pjesëtarëve të stafeve të dy skuadrave.

Në qendër të përplasjeve është Leandro Paredes, i cili pas një sherri me Gavi u ndëshkua me karton të kuq. Gjithashtu, Nahuel Molina akuzohet se goditi Rodrin gjatë festimeve të futbollistëve spanjollë.

Pas këtij episodi u krijua një grumbullim lojtarësh nga të dy ekipet. Po ashtu përmendet edhe emri i Roberto Ayala, pjesë e stafit të Lionel Scalonit, i cili dyshohet se pati një përplasje me Dani Olmo.

Argjentinasit “të tërbuar”, sjellje të turpshme pas finales. Shkelma dhe grushte mes lojtarëve
Sipas raportimeve, FIFA ka nisur verifikimet për incidentet dhe po shqyrton mundësinë e dënimeve për personat e përfshirë.

Vendimet përfundimtare dhe masat e mundshme disiplinore pritet të bëhen të ditura në ditët në vijim./mxh

16:59 Hamasi emëron Khalil Al-Hayyan në krye të organizatës

By: Monika
20 July 2026 at 16:59

Lëvizja palestineze Hamas ka emëruar Khalil Al-Hayyan si udhëheqësin e saj të përgjithshëm, pas vdekjes së Yahya Sinwar, i cili u vra gjatë luftimeve me forcat izraelite në vitin 2024. Lajmi u bë i ditur nga vetë organizata përmes një deklarate të publikuar të hënën.

Al-Hayya, i cili drejton strukturat e Hamasit jashtë Gazës dhe ka qenë negociatori kryesor i grupit në bisedimet për armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve, ka marrë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në drejtimin e organizatës pas humbjes së figurave kryesore të saj.

Ai zëvendëson Yahya Sinwar, i cili u vra gjatë konfliktit të armatosur mes Hamasit dhe Izraelit. Lufta, e cila zgjati dy vjet në Rripin e Gazës, shkaktoi mijëra viktima dhe një krizë të rëndë humanitare.

Rritja e ndikimit të Al-Hayyas erdhi edhe pas vrasjes së ish-kreut politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, i cili humbi jetën në Iran në korrik të vitit 2024.

Sipas burimeve izraelite të cituara nga Reuters, Al-Hayya ishte gjithashtu ndër zyrtarët e lartë të Hamasit që u shënjestruan në një sulm izraelit në Doha gjatë vitit 2025, por ai i mbijetoi atentatit.

Emërimi i tij në krye të Hamasit vjen në një periudhë tensionesh të vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe ndërsa përpjekjet ndërkombëtare për një armëpushim të qëndrueshëm në Gaza vijojnë./mxh

16:42 Banorët e një lagjeje në Kiev që jetojnë nën hijen e raketave ruse

By: Monika
20 July 2026 at 16:42

Banorët e lagjes historike Lukianivka në Kiev jetojnë prej vitesh nën kërcënimin e vazhdueshëm të sulmeve ruse. Goditjet janë bërë aq të shpeshta, sa banorët bëjnë një shaka të hidhur, duke thënë se duhet të pajisen me dokumente shërbimi ushtarak, sikur të jetonin në vijën e parë të frontit.

Edhe agjenti i pasurive të paluajtshme, Dmytro Zhekov, nuk e fsheh realitetin përpara klientëve që kërkojnë të marrin një banesë me qira në zonë. Ai u tregon fillimisht avantazhet e lagjes, qira më të përballueshme, afërsi me qendrën e Kievit, lidhje të mira me metronë dhe ndërtesa historike, por nuk harron t’i paralajmërojë për rrezikun.

“Që në fillim u them se kjo është një zonë e rrezikshme dhe goditet rregullisht. Nëse janë dakord me këtë, atëherë vazhdojmë të shohim apartamentin”, thotë ai.

Lukianivka është një nga zonat më të goditura të kryeqytetit ukrainas, pasi aty ndodhet një uzinë armësh e periudhës sovjetike, e cila konsiderohet një nga objektivat kryesore të ushtrisë ruse. Përballë saj ndodhet stacioni i metrosë Lukianivka, i cili është goditur të paktën tetë herë gjatë luftës dhe shërben gjithashtu si strehë për banorët gjatë alarmit ajror.

Gjurmët e luftës janë të dukshme kudo. Krateret e shpërthimeve janë bërë pjesë e përditshmërisë, ndërsa bizneset vazhdojnë të funksionojnë pranë ndërtesave të shkatërruara. Parukeritë presin klientë në godina të dëmtuara nga predhat, teatrot kanë zhvendosur shfaqjet në ambiente nëntokësore dhe banorët zgjedhin të rindërtojnë shtëpitë e tyre në vend që të largohen.

Pas çdo sulmi, rutina përsëritet: xhamat e thyer pastrohen, dritaret e shkatërruara mbulohen dhe njerëzit përpiqen t’i rikthehen jetës normale. Edhe pas sulmeve të fundit me raketa ruse të dielën, banorët nisën sërish të riparonin dëmet.

“Pas çdo sulmi ec përgjatë rrugës kryesore dhe më duket sikur po shoh një plagë që zmadhohet gjithnjë e më shumë”, shprehet banori Vladyslav Darmohrai, duke përshkruar jetën në një lagje ku frika është bërë pjesë e përditshmërisë./mxh

16:36 Kryeministri i Hungarisë propozon kampionen e shahut për presidente

By: Monika
20 July 2026 at 16:36

Kryeministri i Hungarisë, Peter Magyar, ka propozuar mjeshtren e madhe të shahut, Judit Polgar, për postin e presidentes së vendit, pas largimit nga detyra të presidentit aktual për shkak të një ndryshimi kushtetues.

“Vendi ynë ka nevojë për unitet, paqe dhe një presidente për të cilën të gjithë hungarezët të jenë krenarë”, shkroi Magyar në një postim në Facebook. Ai tha se do të takohet me Polgar për ta pyetur nëse ajo është e gatshme të marrë këtë detyrë.

Judit Polgar konsiderohet si lojtarja më e madhe femër e shahut në histori. Ajo ka qenë për 25 vite radhazi femra me renditjen më të lartë në botë në shah dhe u tërhoq nga garat në vitin 2014.

Polgar fitoi famë duke konkurruar në turne kundër lojtarëve meshkuj dhe u bë një nga shahistet më të mira në një sport të dominuar tradicionalisht nga burrat. Ajo është e vetmja grua që ka kaluar nivelin e vlerësimit 2700 pikë, një kufi që konsiderohet si niveli i “Super Grandmaster”.

Propozimi vjen pasi parlamenti hungarez miratoi javën e kaluar një ndryshim kushtetues që largoi nga detyra presidentin Tamas Sulyok, i cili ishte aleat i ish-kryeministrit Viktor Orban.

Magyar, i cili fitoi zgjedhjet e prillit me premtimin për një “ndryshim regjimi” pas 16 viteve të qeverisjes së Orbanit, ka akuzuar presidentin e mëparshëm dhe zyrtarë të tjerë të lartë se kanë qenë të afërt me ish-kryeministrin.

Presidenti i përkohshëm i vendit është kryetarja e parlamentit, Agnes Forsthoffer, e cila do të mbajë këtë detyrë deri në zgjedhjen e presidentit të ri brenda 30 ditësh.

Ndryshimi kushtetues është kritikuar nga disa organizata për të drejtat e njeriut, të cilat kanë ngritur shqetësime për ndikimin e tij mbi institucionet e vendit./mxh

❌
❌