Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 June 2026Gazeta Fjala

11:00 Zgjedhjet në Kosovë/ Kurti voton në Prishtinë: Qytetarët të vendosin për të ardhmen

By: Kesjana
7 June 2026 at 11:00

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, votoi sot në Fakultetin Juridik në Prishtinë, teksa sot mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Në një deklaratë para gazetarëve, Kurti tha se qytetarët e Kosovës vendosin përbërjen e ardhshme të legjislaturës së XI-të përmes votës që hedhin në kutitë e votimit këtë të diel.

“Sa më e lartë të jetë dalja e qytetarëve në zgjedhje, aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve dhe aq më solid stabiliteti i tyre. Sot vendosin ata që votojnë prandaj edhe iu bëjë thirrje qytetarëve që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike, ta përdorin të drejtën e tyre qytetare të përcaktohen për përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Republikës në legjislaturën e 11-të”,-deklaroi Kurti/kb

10:45 Rama në Podcastin “Flasim”: Protestat do dëmtojnë turizmin

By: Kesjana
7 June 2026 at 10:45

Kryeministri Edi Rama foli sot në 7 qershor në Podcastin e tij “Flasim”.

E nisi me faktin se Shqipëria do të drejtojë forumin “Forest Europe.

“Shqipërisë i është besuar që të drejtojë Forest Europe. I është besuar nga Gjermania dhe vende të rëndësishme europiane. Kjo, sepse ne kemi bërë shumë për ta mbrojtur natyrën. Marrim stafetën nga Suedia, me bekimin e të gjitha vendeve të BE-së. Liqeni i Shkodrës është përfshirë në biosferën e UNESCO-s. Në Shqipëri qeveris një forcë që e mbron natyrën”, tha kryeministri.
Më tej, komentoi takimin me banorët e Zvërnecit. Rama deklaroi se shumë vende nuk e duan projektin në Zvërnec, sepse janë konkurrentë. Vlerësoi se protesta do të dëmtojë turizmin.

“Takova banorët në Zvërnec dhe vlen shumë më shumë se manipulimi nga çorba e ditëve të fundit. Atje takova njerëz, që u masakruan nga flamengot, ndërkohë që ata janë njerëzit që jetojnë në atë zonë. Takova ata që e kanë interesin drejtpërdrejtë mbi vendin aty, për të drejtën e tyre që të zhvillohen. Dhe njëherë Izraeli është futur kot fare në këtë mes, ndërkohë që investitorët kryesorë janë nga Katari. Disa e kanë me presidentin amerikan, të cilin gjysmën e urrejnë dhe gjysmën e duan. Disa vende nuk e duan projektin, sepse janë konkurrentë. Ka lloj-lloj njerëzish në protestë, ka djem dhe vajza që duan të shfryjnë pakënaqësitë e tyre. Por kjo turma normale kthehet në mijëra njerëz, mund të dëmtojë turizmin. Mbase mund të humbasim shumë turistë këtë vit. Projekti do të bëhet sepse është një e mirë për ekonominë tonë”, u shpreh kreu i qeverisë./kb

10:30 Aksident tragjik, lojtari i Elbasanit ndërron jetën në moshën 22-vjeçare

By: Kesjana
7 June 2026 at 10:30

Futbollisti i Elbasanit, Fatjon Bunjaku, ka ndërruar jetë në moshën 22-vjeçare pas një aksidenti tragjik rrugor.

Lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të sulmuesit u bë i ditur nga komuniteti i vendlindjes së tij, fshatit Samadraxhë, përmes një njoftimi zyrtar.

Futbollisti i Elbasanit ndërroi jetë sot pas mesnate, ndërsa ishte duke ecur në aksin Prishtinë-Mitrovicë.

Bunjaku iu bashkua skuadrës së Elbasanit në korrik të vitit 2025, menjëherë pasi kishte mbyllur marrëveshjen me klubin e Malishevës./kb

10:15 Ermelinda Meksi nuk kursehet ndaj Ramës: Merret me numrin e protestuesve, por jo me pyetjet që ngrejnë qytetarët

By: Kesjana
7 June 2026 at 10:15

Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, ka komentuar protestat e qytetarëve në Bulevard, duke theksuar se fokusi i debatit nuk duhet të jetë te numri i pjesëmarrësve, por te shqetësimet që ata po ngrenë.

Në një reagim publik, Meksi vëren se kryeministri i ka kushtuar vëmendje të madhe madhësisë së protestës, mënyrës se si ajo pasqyrohet në media, si dhe rolit të dezinformimit dhe rrjeteve sociale në formësimin e perceptimeve publike.

Sipas saj, këto janë shqetësime legjitime për çdo demokraci moderne, por thekson se reagimi i kreut të qeverisë i kushton më pak vëmendje pyetjeve që qytetarët po ngrenë lidhur me korrupsionin, transparencën, konsultimin publik, pronësinë, ndikimin në mjedis dhe përfitimet konkrete publike të investimit.

Meksi shprehet se qeveria vazhdon ta trajtojë çështjen si një debat për një projekt që “ende nuk ekziston”, ndërsa protestuesit kërkojnë informacion dhe dialog pikërisht në fazën e hershme të procesit. Sipas ish-deputetes socialiste, kjo është periudha kur duhet të zhvillohet debati publik mbi dobinë e investimit, ndikimet afatgjata dhe modelin e zhvillimit që synon Shqipëria, duke përfshirë turizmin e qëndrueshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe përfitimin e drejtë të qytetarëve nga pasuritë natyrore.

Në përfundim, Meksi nënvizon se në demokraci rëndësi nuk ka vetëm numri i protestuesve, por mesazhi që ta përpiqen të përcjellin. Ajo shton se sa më gjatë të vazhdojnë protestat, aq më e madhe bëhet nevoja që shqetësimet e qytetarëve të adresohen përmes dialogut, transparencës dhe fakteve të verifikueshme.

REAGIMI I MEKSIT
A po dëgjohen nga qeveria protestuesit?
Reagimi i fundit i Kryeministrit në platformën X i kushton shumë vëmendje madhësisë së protestës, mënyrës se si ajo paraqitet në media, si dhe rolit që mund të luajnë dezinformimi, amplifikimi dixhital dhe rrjetet sociale në formësimin e perceptimeve publike.
Këto janë shqetësime legjitime për çdo demokraci moderne.
Por reagimi i tij i kushton shumë më pak vëmendje përmbajtjes së pyetjeve që qytetarët po ngrenë lidhur me korrupsionin, transparencën, konsultimin publik, pronësinë, ndikimin mjedisor dhe përfitimet konkrete publike të investimit.
Kryeministri vazhdon ta trajtojë çështjen si një debat mbi një projekt që “ende nuk ekziston”.
Ndërsa mesazhi që vjen nga protestat duket ndryshe:
“Pikërisht sepse jemi në fazën e hershme të procesit, kërkojmë transparencë, informacion dhe dialog tani, jo pasi gjithçka të jetë vendosur.”
Në fakt, është kjo fazë kur duhet të zhvillohet debati publik mbi dobinë e investimit, ndikimet e tij afatgjata dhe modelin e zhvillimit që duam për Shqipërinë. Jo vetëm për një projekt të caktuar, por edhe për mënyrën se si e kuptojmë turizmin e qëndrueshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe përfitimin e drejtë të qytetarëve nga pasuritë natyrore të vendit.
Në demokraci, më shumë se numri i protestuesve, rëndësi ka mesazhi që ata përpiqen të përcjellin.
Sa më gjatë të vazhdojnë protestat, aq më e madhe bëhet nevoja që ai të dëgjohet dhe të adresohet me dialog, transparencë dhe fakte të verifikueshme.
Sepse çështja nuk është numri i atyre që protestojnë, numër qē megjithatë nuk duhet neglizhuar,por sa institucionet janë të gatshme të dëgjojnë dhe t’u përgjigjen në kohë shqetësimeve që ata shprehin./kb

10:00 Të shtëna me armë në një festival në SHBA, të paktën 12 viktima

By: Kesjana
7 June 2026 at 10:00

Të shtëna me armë zjarri shpërthyen në Ohio të SHBA-së në zonën ku po zhvillohej festivali Old West End.

Mediat amerikane raportojnë se të shtënat lanë të paktën 12 persona të plagosur. Dy nga viktimat ishin në gjendje kritike, ndërsa mosha e viktimave varionte nga 14 deri në 61 vjeç.

Zëvendësshefi i policisë së Toledos, Joe Heffernan, dhe zyrtarët u bënë thirrje njerëzve që ishin në festival të paraqiteshin me çdo foto ose video në telefonat e tyre për të gjetur pista të mundshme për autorin ose autorët e mundshëm të ngjarjes.

Video të shumta të postuara në mediat sociale tregonin njerëz që vraponin mes zhurmës së të shtënave dhe zyrtarë të emergjencës që kujdeseshin për të tjerët që dukeshin të plagosur/kb

09:45 Shqipëria, industria automotive/ Mes rritjes dhe humbjes së avantazhit të kostos së lirë

By: Kesjana
7 June 2026 at 09:45

ndustria automotive në Shqipëri ndodhet sot në një pikë kthese. Të dhënat e tregtisë së jashtme tregojnë se eksportet e grupit “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, ku përfshihen edhe komponentët e industrisë automotive, arritën në rreth 39.7 miliardë lekë në vitin 2025.

Kjo është një rritje prej afërsisht 6% krahasuar me vitin 2024, pas dy viteve tkurrjeje.

Në një horizont më të gjatë, sektori ka ndryshuar shkallë, vlera e eksporteve është rreth 3.7 herë më e lartë se në vitin 2015, me një rritje mesatare vjetore rreth 14%. Gjithsesi, fakti që 2025-a mbeti thuajse në të njëjtin nivel me pikun e vitit 2022 tregon se periudha e rritjeve të qëndrueshme ka mbaruar. Industria po rritet, por më ngadalë, me kosto më të larta dhe me më shumë pasiguri.

Në terren, kjo pasiguri lexohet ndryshe nga kompani të ndryshme. Forschner Albania, një nga aktorët e mëdhenj të sektorit, e sheh kërkesën ende pozitive. Kompania ka zgjeruar bazën e klientëve dhe volumin e punës, duke rritur numrin e punonjësve nga rreth 900-1000 në rreth 1150.

Për vitin 2026, pritshmëria e saj është një rritje deri në 5% përpara vjeshtës, kur zakonisht aktiviteti intensifikohet pas ngadalësimit të verës.

Faktorët që rrisin presionin mbi industrinë

Dy faktorë po e shtypin industrinë nga brenda: kursi i këmbimit dhe kostoja e punës. Euro e dobët është paradoksi më i madh për eksportuesit shqiptarë. Kompanitë shesin në Euro, por një pjesë të madhe të shpenzimeve e kanë në Lek. Kur Euro bie, të ardhurat e konvertuara tkurren, ndërsa pagat, energjia, shërbimet vendase dhe kostot administrative nuk ndjekin të njëjtin kah.

Në një industri globale ku çdo cent llogaritet në zinxhirin e furnizimit, rishikimi i çmimeve nuk është një negociatë e thjeshtë. Klientët kërkojnë stabilitet, ndërsa furnitorët shqiptarë po përballen me transport më të shtrenjtë, lëndë të para më të kushtueshme dhe një kurs këmbimi që ul vlerën reale të të ardhurave.

Tensionet në Lindjen e Mesme e kanë shtuar këtë pasiguri. Rritja e kostove të transportit dhe çmimeve të naftës dhe arsye të tjera të brendshme kanë bërë që buxhetet e miratuara në fund të vitit të rishikohen brenda pak muajsh.

Për një sektor që furnizon prodhues europianë dhe globalë të automjeteve, logjistika nuk është thjesht shpenzim shtesë. Është pjesë e premtimit ndaj klientit. Nearshoring-u, pra afrimi i zinxhirëve të furnizimit pranë Europës, mund të favorizojë Shqipërinë, vetëm nëse vendi arrin të garantojë shpejtësi, stabilitet dhe fuqi punëtore të trajnuar.

Këtu shfaqet sfida e dytë strukturore që lakohet prej vitesh dhe janë pikërisht njerëzit. Në nivel krahu të thjeshtë pune, situata duket më e stabilizuar se dy ose tre vite më parë, kur largimet e menjëhershme nga puna ishin fenomen i përhapur.

Tkurrja e industrisë tradicionale fason të veshjeve dhe të këpucëve ka liruar një pjesë të fuqisë punëtore dhe e ka ndihmuar rekrutimin në automotive. Disa operatorë e shohin këtë si një nga arsyet që kur kanë dashur zgjerim e kanë arritur pa shumë vështirësi.

Për investime që kërkojnë 1000 punonjës të rinj, tregu vendas duket i kufizuar. Potenciali mbetet më realist për fabrika të mesme, me deri në 200 punonjës, ose për zgjerime graduale të operatorëve ekzistues që tashmë kanë kulturë prodhimi, staf të trajnuar dhe lidhje me klientë ndërkombëtarë.

Kina, a është një mundësi?

Prania e sfidave nuk do të thotë se dritarja e mundësive për Shqipërinë është mbyllur. Përkundrazi, zhvillimet globale në industrinë e automjeteve mund të hapin një cikël të ri. Prodhuesit kinezë të makinave elektrike po kërkojnë gjithmonë e më shumë baza prodhimi në Europë për t’iu afruar tregut dhe për të gjetur zgjidhje mbi barrierat tregtare.

Nëse më shumë automjete elektrike montohen në Europë, rritet edhe nevoja për komponentë të prodhuar brenda rajonit. Delmon tashmë ka nisur prodhimin e disa komponentëve për modelin BMW iX3 përmes një bashkëpunimi me një kompani franceze që furnizon sisteme elektrike për BMW. Nëse shitjet ecin sipas pritshmërive, porositë mund të rriten dhe të shtrihen drejt Kinës e më pas Meksikës, duke e futur prodhimin shqiptar në një arkitekturë më globale.

Panorama është më komplekse se një cikël i zakonshëm rritjeje ose krize. Industria automotive ka baza që nxisin pritshmëritë pozitive ku së pari eksportet u rimëkëmbën në 2025 dhe së dyti, kompanitë kryesore vijojnë të marrin klientë të rinj. Por industria nuk është më në fazën ku mjaftonte puna e lirë për të bindur porositësit. Sot, ajo duhet të konkurrojë me produktivitet, cilësi, afate dorëzimi dhe aftësi për të përballuar goditje të jashtme, pa prishur kontratat.

Një situatë si kjo duhet të lexohet me kujdes për të zhvendosur debatin nga incentivat e përgjithshme te mbështetja e posaçme për këtë industri, në kushtet ku i vetmi nxitës fiskal është tatimfitimi 5%. Nëse Shqipëria kërkon të tërheqë industri me vlerë më të lartë të shtuar, duhet të marrë masa që e bëjnë këtë industri konkurruese.

Për momentin, sektori ndodhet në një ekuilibër të brishtë. Nga njëra anë ka porosi të reja dhe mundësi që zinxhirët europianë të furnizimit të kërkojnë më shumë kapacitete afër. Nga ana tjetër ka Euro të dobët, transport më të shtrenjtë, treg pune me probleme komplekse dhe luftëra që e bëjnë çdo buxhet të përkohshëm dhe çdo horizont të paqartë.

Shqipëria është ende në hartën automotive, por jo më si destinacioni i lirë në afërsi të Europës. Që të mbijetojë e të rritet, duhet të provojë se mund të jetë një nyje e shpejtë, fleksibël dhe e besueshme në një industri që po riorganizohet me ritëm më të shpejtë se kurrë globalisht.

Ecuria e eksporteve të industrisë automotive

Të dhënat e tregtisë së jashtme tregojnë se industria automotive dhe segmenti i makinerive, i pajisjeve dhe i pjesëve të këmbimit kanë pasur një rritje të ngadaltë, por të qëndrueshme.

Nga viti 2015 kur kjo industri ishte modeste dhe periferike në totalin e eksporteve, ajo u kthye brenda një dekade, në një nga shtyllat dinamike të prodhimit për tregjet e huaja, me një cikël të fortë luhatjesh, sidomos gjatë katër viteve të fundit.

Pas rritjes së shpejtë në 2021 dhe arritjes së një niveli rekord në 2022, eksportet ranë në 2023 dhe 2024 nën ndikimin e dobësimit të kërkesës nga tregjet europiane, kostove më të larta, zhvlerësimit të Euros dhe pasigurive në tregun global.

Në vitin 2025, sektori u rikthye në rritje, duke arritur rreth 39.7 miliardë lekë eksporte dhe duke iu afruar sërish niveleve historike. Megjithatë, industria mbetet e ekspozuar ndaj luhatjeve të Euros, kostove të transportit dhe tensioneve gjeopolitike që po ndikojnë prodhimin industrial në Europë./Monitor /kb

09:30 Kosova voton/ Çfarë është realisht në lojë?

By: Kesjana
7 June 2026 at 09:30

Qytetarët e Kosovës do të përpiqen sot t’i japin drejtim një krize që, sipas vëzhguesve, buron nga ambicia për kontroll të plotë të pushtetit dhe mungesa e gatishmërisë për kompromis. Dalja prej saj tani është e kufizuar në vetëm pak skenarë.

Zgjedhjet e sotme janë të tretat brenda më pak se një viti e gjysmë, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një tjetër palë të parakohshme më 28 dhjetor.

Të parat dështuan të prodhojnë qeveri, ndërsa të dytat, ndonëse i dhanë Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51% të votave – shumicën më të madhe në Kosovën shtet – nuk sollën marrëveshje për presidentin, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo çoi automatikisht në shpërndarjen e Kuvendit mesnatën e 28 prillit – vetëm dy muaj e gjysmë pas konstituimit të tij – dhe dy ditë më vonë ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, shpalli zgjedhjet e reja.

“Pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbahen më 7 qershor”, deklaroi Haxhiu më 30 prill.
Për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, shpërndarja e legjislaturës së dhjetë ishte “mjerim politik”, i shkaktuar nga partitë deri atëherë në opozitë, të cilat i akuzoi për mungesë bashkëpunimi dhe bojkotim të qëllimshëm të seancave për zgjedhjen e presidentit.

“Kjo opozitë mund të sjellë ndonjë fytyrë të re, por zanatin dhe karakterin e ka të vjetër, prandaj edhe është në rënie të lirë, është duke rënë vazhdimisht nëpër ciklet elektorale”, tha Kurti.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Partia Demokratike e Kosovës doli e dyta me 22 mandate deputetësh, 35 më pak se Lëvizja Vetëvendosje me 57, Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 15, pesë më pak se në zgjedhjet e shkurtit, dhe të tjerat më pak.

Këto parti e mirëpritën shkuarjen në zgjedhje të reja, edhe pse kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se ato u imponuan nga pushteti, i cili, me shumicën prej 51%, kërkoi “nënshtrim” politik.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se në garën e 7 qershorit marrin pjesë 22 parti politike dhe tri koalicione parazgjedhore.

Lëvizja Vetëvendosje hyn në zgjedhje në koalicion me tri subjekte të vogla – Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane – ndërsa tri partitë kryesore opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, garojnë të vetme.

Njësoj e vetme garon edhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar.

Pjesë e kësaj gare është edhe ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila i prin listës për deputetë të LDK-së, partisë ku ishte pjesë përpara mandatit presidencial.

Të drejtë vote, sipas listës së votuesve të miratuar nga KQZ-ja, kanë rreth dy milionë qytetarë, përfshirë diasporën. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit votuan rreth 900 mijë prej tyre, ose rreth 45 për qind e elektoratit.

Për organizimin e këtij procesi, Qeveria në detyrë e Kosovës miratoi kërkesën e KQZ-së për ndarjen e rreth 10.9 milionë eurove. Për krahasim, zgjedhjet e dhjetorit kishin një buxhet të planifikuar prej 11.5 milionë eurosh, ndërsa shpenzimet reale, sipas raporteve të KQZ-së, arritën në rreth 7.4 milionë./rel /kb

09:15 Statistikat: 51% e europianëve po shmangin pushimet në destinacionet e njohura

By: Kesjana
7 June 2026 at 09:15

Udhëtari modern eurropian kërkon një lidhje kuptimplotë me destinacionin, të udhëhequr nga qëndrueshmëria dhe cilësia e përvojës, sipas një studimi të ri nga Komisioni Evropian i Udhëtimeve (ETC), në bashkëpunim me MINDHAUS.

Konkretisht, 8 nga 10 europianë po planifikojnë një udhëtim brenda Europës dhe 4 nga 10 po parashikojnë një shpenzim prej më shumë se 1,500 eurosh. Këta janë udhëtarë që zgjedhin destinacione alternative, qëndrime më të gjata dhe udhëtime më të shpeshta jashtë orarit të pikut.

Në mënyrë treguese, 51% drejtohen në destinacione më pak të njohura dhe 10% në zona më të largëta, ndërsa udhëtimet e tyre planifikohen më me kujdes, me 50% që zgjedhin qëndrime më shumë se shtatë netë dhe 67% që udhëtojnë gjatë sezonit të ndërmjetëm ose të ulët, duke kontribuar kështu në një shpërndarje më të mirë të flukseve turistike.

Ky trend shtrihet në lloje të ndryshme udhëtimesh: 22% zgjedhin pushime në diell dhe det, ndërsa 15% zgjedhin përkatësisht udhëtime në qytet, përvoja kulturore dhe aktivitete afër natyrës, dhe 10% udhëtime mirëqenieje. Në të njëjtën kohë, kriteret kryesore për zgjedhjen e një destinacioni mbeten siguria (45%), kushtet e besueshme të motit (35%), ofertat tërheqëse (30%) dhe mikpritja e vendasve (28%).

Në të njëjtën kohë, theksohet çështja e mbipopullimit, me 25% që deklarojnë se janë të shqetësuar për numrin e madh të vizitorëve dhe 26% që preferojnë me vetëdije destinacione më pak të mbushura me njerëz. Është interesante se vetëm 15% raportojnë se janë të shqetësuar për gjurmën personale mjedisore të udhëtimeve të tyre/kb

09:00 Sekretari amerikan i Mbrojtjes sulmon politikat europiane të emigracionit: Brigjet e Europës po përballen me një “pushtim”

By: Kesjana
7 June 2026 at 09:00

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka lëshuar kritika të forta ndaj mënyrës se si vendet europiane po menaxhojnë flukset migratore, duke paralajmëruar se disa shtete po përballen me një situatë që ai e cilësoi si “pushtim”. Deklaratat u bënë gjatë ceremonive përkujtimore në Normandi, me rastin e 82-vjetorit të Ditës D, operacionit ushtarak të vitit 1944 që hapi rrugën për çlirimin e Europës Perëndimore nga pushtimi nazist.

Në fjalën e tij, Hegseth bëri një krahasim mes sfidave historike të Europës dhe situatës aktuale të migracionit, duke argumentuar se brigjet e disa vendeve europiane po përballen me presion të vazhdueshëm nga mbërritjet e emigrantëve.

“Fatkeqësisht, sot brigje të tjera europiane po përballen me kërcënime të ndryshme. Brigjet e Spanjës, Italisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Varka me emigrantë vazhdojnë të mbërrijnë. Pyetja është: kur do të reagojnë kryeqytetet europiane?”, u shpreh ai.

Këto komente janë pjesë e një serie qëndrimesh kritike të administratës së presidentit amerikan Donald Trump ndaj politikave të emigracionit në Europë.

Vetëm një ditë më parë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance lidhi vrasjen e 18-vjeçarit britanik Henry Nowak me atë që ai e quajti “emigracion masiv”, duke kërkuar reagim më të ashpër ndaj fenomenit.

Deklaratat e dy zyrtarëve të lartë amerikanë pritet të nxisin reagime në kryeqytetet europiane, në një kohë kur çështja e migracionit mbetet një nga temat më të debatueshme në Bashkimin Europian./kb

08:30 Protesta në Nartë/ Rama ironizon qytetarët: Makinat afër bregut, i bënë për të qarë flamingot

By: Kesjana
7 June 2026 at 08:30

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mëngjesin e sotëm lidhur me një protestë që u zhvillua gjatë së shtunës në Nartë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan me nota ironizuese se parkimi i automjeteve të tyre pranë bregut ka ‘trembur’ flamingot, bashkë me papastëritë që kishin lënë mbrapa.

“MIRËMËNGJES
dhe me një lutje të përulur revolucionarëve, që kur të shkojnë herë tjetër në atë breg për t’u qarë hallin flamingove, të mos i bëjnë për të qarë duke ua zhvirgjëruar plazhin me makinat e tyre, se do kujtojnë të shkretët zogj se filloi ndërtimi i parkimit aty, e do marrin arratinë siç e kishin marrë përpara moratoriumit 10 vjeçar të gjuetisë, po t’i lënë rrotat tek rruga automobilistike e të ecin si flamingo deri tek buza e detit pa u trembur nga papastërtitë, por mundësisht pa i shtuar ato si dje që i kishin lënë mbrapa kanoçet e birrës, ju uroj të gjithëve një të diel të qetë”,-shkruan Rama./kb

08:15 Horoskopi ditor, 7 Qershor 2026

By: Kesjana
7 June 2026 at 08:15

Dashi

Dite shume e trazuar dhe e mbushur me debate te mëdha kjo e sotmja për te dashuruarit. Shume persona do ndërhyjnë ne jetën tuaj dhe do ua prishin atmosferën. Beqaret nuk do jene te qarte për hapat qe duhet te hedhin dhe nuk do i pranojnë te gjitha ftesat qe do iu bëhen. Ne planin financiar do jeni shume te kujdesshëm dhe do arrini t’i zgjidhni shpejt problemet.

Demi

Sot do i jepni me shume prioritet se kurrë jetës suaj ne çift dhe do bëni gjithçka qe atmosfera te mbetet e ngrohte ne çdo moment. Beqaret do jene te paparashikueshëm. E sigurte është qe asgjë nuk do jete ashtu si me pare dhe do përjetoni kënaqësi te mëdha. Financat do varen nga mënyra sesi ju do i menaxhoni ato para qe keni. Matuni disa here para se te veproni.

Binjaket

Te dashuruarit do merren vesh mire me njeri-tjetrin dhe atmosfera do ngrohet me shume se kurrë me pare. Ne orët e mesditës mund te ndodhin edhe emocione me te mëdha. Beqaret do joshin çdo person qe do ju vije rreth e rrotull dhe do e ndryshojnë statusin me shpejt nga sa kishin menduar. Gjendja e te ardhurave do lere shume për te dëshiruar. Beni kujdes!

Gaforrja

Priten shume përmirësime sot ne jetën tuaj ne çift. Partneri do jete gati te beje edhe sakrifica vetëm për t’iu lumturuar sa me shume. Beqaret do ja kalojnë mire me miqtë e tyre te ngushte dhe nuk do e ndiejnë aspak nevojën për te ndryshuar statusin. Gjendja e financave do jete e mire dhe aspak problematike. Do mund te kryeni edhe ndonjë shpenzim me tepër nga zakonisht.

Luani

Çiftet do bëjnë mire te mos rrezikojnë shume gjate kësaj dite sepse mund te gabojnë rende. Merrini gjerat shtruar dhe për çdo gjë bëni parashikime. Beqaret do ëndërrojnë me shume nga sa duhet dhe realiteti do jete paksa zhgënjyes. Gjendja financiare do jete e paparashikuar dhe do varet tërësisht nga mënyra sesi ju do veproni. Nëse kryeni shpenzime te konsiderueshme do keni edhe tronditje.

Virgjeresha

Nëse jeni ne një lidhje, sot duhet te përgatiteni për emocione te njëpasnjëshme. Partneri do ju surprizoje ne momentet qe me pak e prisni dhe do ndiheni me te dashuruar se kurrë. Beqaret do kenë një dite delikate dhe pa ndonjë mundësi reale për takime. Kujdes! Financat do jene goxha me te mira. Do i shlyeni borxhet dhe do kryeni investimet e dëshiruara.

Peshorja

Do ndani çdo mendim dhe ide me partnerin tuaj gjate gjithë kësaj dite prandaj dhe marrëdhënia mes jush do jete me fantastike. Beqaret do jene pasionante dhe gati te bëjnë çdo lloj sakrifice vetëm për ta bere për vete atë qe pëlqejnë. Me financat duhet te tregoheni shume here me te kujdesshëm. Gabimi me i vogël do ju kushtoje shume me shtrenjte nga sa e keni menduar.

Akrepi

Dite shume e zakonshme dhe pa te papritura kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Do Benit mire t’i merrnit gjera si t’iu vinin dhe te mos nguteshit për asgjë. Beqaret do fillojnë një marrëdhënie te ngrohte me një person qe kane pëlqyer prej kohesh dhe do ndihen te plotësuar. Ne planin financiar do përballeni me goxha probleme delikate.

Shigjetari

Do keni konflikte te njëpasnjëshme sot ju qe jeni ne një lidhje dhe asgjë nuk ka për t’iu ecur ashtu si e kishit menduar. Beqaret do jene shume te shpërqendruar dhe as qe do e kenë mendjen për te filluar një lidhje. Do ju bien me shkelm mundësive qe do iu jepen. Gjendja e financave do jete e mire dhe aspak problematike. Kryeni shpenzimet e dëshiruara.

Bricjapi

Do e konsolidoni jetën tuaj ne çift gjate kësaj dite dhe do ndiheni shume me te qete. Gjerat do ju ecin ashtu si i kishit ëndërruar. Beqaret do jene te përqendruar tek një çështje qe ka lidhje me punën dhe nuk do dëshirojnë te dalin neper takime. Ne planin financiar do keni fat me shumice. Do ndiheni te qete kur te shpenzoni për gjerat me te nevojshme.

Ujori

Do jeni shume te përqendruar sot ne jetën tuaj ne çift dhe do bëni çdo gjë qe marrëdhënia juaj te jete e ngrohte. Beqaret do jene gjithë kohës ne kërkim dhe do e gjejnë shume shpejt princin tyre te kaltër. Shume gjera kane për te ndryshuar rrënjësisht ne jetën e tyre. Financat do mbeten delikate edhe për disa kohe. Mundohuni te shpenzoni me kursim.

Peshqit

Do jeni shume te përkushtuar ndaj partnerit tuaj sot dhe do e bëni atë te ndihet me se miri. edhe ai nga ana e tij do ju dashuroje pa fund dhe do ju mbaje ne pëllëmbe te dorës. Beqaret do ndihen aq mire me miqtë e tyre saqë nuk do e ndiejnë mungesën e dikujt ne krah. Çështjet e financave do jene te mira sepse do dini si te kujdeseni sa me shume./kb

Yesterday — 6 June 2026Gazeta Fjala

12:50 I arrestuar për vrasje/ Ekstradohet nga Italia anëtari i grupit kriminal

By: Kesjana
6 June 2026 at 12:50

Në vijim të bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, në kuadër të operacionit “The Wanted”, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Italia, të shtetasit:

-S. K., 44 vjeç.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 25.09.2025, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të kryera në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe ”Kryerja e veprave penale nga organizatë kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet dyshohet se në vitin 2020, shtetasi S. K. ka bashkëpunuar me pjesëtarë të grupit, për vrasjen e shtetasit K. Ll., dhe më pas për transportimin dhe varrosjen e kufomës, në fshatin Shpërdhet, Mamurras./kb

12:35 Përshkallëzohet tensioni në Gjirin Persik, Irani sulmon bazat amerikane me raketa balistike

By: Kesjana
6 June 2026 at 12:35

Irani ka lëshuar raketa balistike drejt bazave ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrejn, pasi Shtetet e Bashkuara sulmuan dy stacione radarike bregdetare iraniane.

Deri më tani nuk ka raportime për viktima. Sipas Komandës Qendrore të Ushtrisë Amerikane (CENTCOM), gjashtë nga shtatë raketat e lëshuara janë interceptuar, ndërsa e shtata nuk arriti objektivin e saj.

Sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve IRNA, objektivat e sulmit ishin baza ajrore Ali Al Salem në Kuvajt dhe Flota e Pestë e Marinës Amerikane në Bahrein.

Megjithatë, CENTCOM mohoi pretendimet se selia e Flotës së Pestë kishte pësuar dëme, raporton skynews.Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) deklaroi se sulmet ishin një kundërpërgjigje ndaj goditjeve amerikane të kryera më herët.

Nga ana tjetër, ushtria amerikane njoftoi se kishte sulmuar objektet radarike në ishujt Goruk dhe Qeshm, si dhe kishte rrëzuar katër dronë iranianë që, sipas saj, përbënin një “kërcënim të menjëhershëm” për anijet që lundronin në Ngushticën e Hormuzit.

Në deklaratën e saj, Garda Revolucionare pretendoi se katër cisterna nafte ishin vënë në shënjestër pasi po përpiqeshin të kalonin ngushticën pa leje.

IRGC paralajmëroi Shtetet e Bashkuara se çdo “provokim” i mëtejshëm mund të çojë në mbylljen e plotë të Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës, ku trafiku tashmë është reduktuar ndjeshëm krahasuar me periudhën para luftës.

Kujtojmë se SHBA-ja dhe Irani teorikisht ndodhen nën një armëpushim, ndërsa përpjekjet për ta zgjatur atë dhe për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme paqeje janë ende në vazhdim./kb

12:20 Programi britanik zgjedh Drimadhen për xhirime, Rama: Dëshmi e vëmendjes që po fiton Shqipëria në arenën ndërkombëtare të turizmit

By: Kesjana
6 June 2026 at 12:20

Kryeministri Edi Rama, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se Drimadha është përzgjedhur si destinacion për xhirimet e sezonit të ri të emisionit britanik The Only Way Is Essex (TOWIE), një nga programet më të ndjekura në Mbretërinë e Bashkuar.

Duke publikuar pamje gjatë xhirimeve nga bregdeti i jugut të vendit, Rama e cilësoi këtë si një tjetër dëshmi të vëmendjes në rritje që Shqipëria po tërheq në arenën ndërkombëtare të turizmit dhe medias.

“Me kënaqësinë që një nga programet më të ndjekura në Britaninë e Madhe, TOWIE nga ITV, prodhuesi më i madh në Europë për Reality Shows, ka zgjedhur Drimadhën për xhirimet e sezonit të ri, si një tjetër dëshmi e vëmendjes që po fiton Shqipëria në arenën ndërkombëtare të turizmit dhe medias, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama në postimin e tij./kb

12:05 “S’kanë zgjidhje tjetër veç marrëveshjes,” Trump: Irani ka vetëm 21-22% të raketave!

By: Kesjana
6 June 2026 at 12:05

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Irani tani mban vetëm 21%-22% të arsenalit të tij raketor dhe pretendoi se sulmet e SHBA-së kanë dëmtuar rëndë aftësitë ushtarake të Teheranit.

Në një intervistë me NBC News, Donald Trump tha se operacionet e SHBA-së kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën ushtarake të Iranit.

Siç tha ai, “shumica e objekteve të prodhimit të dronëve janë shkatërruar, shumica e vendeve të lëshimit janë shkatërruar dhe shumica e zonave të prodhimit të raketave janë bërë shkrumb e hi”.

Pavarësisht sulmeve, presidenti i SHBA-së vlerësoi se Teherani ende ruan aftësi operacionale. “Ata ende kanë aftësi. Ata kanë disa raketa, kanë disa dronë. Do të thoja, në përqindje, se ata kanë ndoshta 21%-22% të raketave të tyre. Janë shumë raketa, por nuk janë ato që kishin kur sulmuam për herë të parë”, tha ai.

I pyetur pse Irani ende nuk ka rënë dakord për një marrëveshje, pavarësisht pretendimeve të tij se Teherani është i etur për një zgjidhje, Trump tha se ishte një vendim i vështirë politik dhe strategjik për udhëheqjen iraniane.

“Është shumë e vështirë për ta. Ata janë të fortë, janë krenarë. Ka gjëra që nuk mendonin kurrë se do të duhej t’i bënin, dhe tani do të duhet t’i bëjnë. Ata nuk kanë zgjidhje tjetër”, tha ai.

Presidenti amerikan madje e krahasoi situatën me konfliktet ushtarake afatgjata të së kaluarës, duke thënë: “Lufta e Vietnamit zgjati 19 vjet. Unë jam vetëm në muajin tim të tretë.”/kb

11:50 Balla tallet me Agron Shehajn, mesazh protestuesve: Ky tradhtoi Lulin, Mulin, Saliun, e jo më ju

By: Kesjana
6 June 2026 at 11:50

Last Updated on 06/06/2026 by Kesjana

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka publikuar në rrjetet e tij sociale një foto të Agron Shehajt në aeroport.

Me ironi, Balla shkruan se pas mbarimit të protestës Shehaj po fluturon të shijojë fundjavën në Itali.

Balla u ka përcjellë mesazh protestuesve që të mos e qasin Agron Shehajn në protestë, duke u thënë se ai tradhtoi Lulzim Bashën, Flamur Nokën, Sali Berishën që s’e zë me gojë, e jo më ata.

“Mbaroi protesta, tani i vetëshpalluri lider i saj, ikën për weekend në Itali. Ju thashë çunave dhe gocave të flamingove, mos e qasni aty. Ky tradhtoi Lulin, Mulin (Saliun s’e zë me gojë) jo më ju”, shkruan Balla.

Të shumtë kanë qenë komentuesit që më pas e kanë kritikuar, por Balla u është përgjigjur duke pretenduar se janë njerëzit e “call center”-ave të Agron Shehajt.

“Ore ju punonjesit e call center dhe sonte ju ka fut ne pune Gonja”, shkruan Balla./ kb

11:35 Transparenca e pagave/ Cilat vende të BE-së janë gati për rregullat e reja?

By: Kesjana
6 June 2026 at 11:35

Miliona evropianë ende aplikojnë për punë pa e ditur se sa paguhen. Rregullat e reja të BE-së që synojnë rritjen e transparencës së pagave dhe trajtimin e hendekut gjinor në paga duhej të hynin në fuqi më 7 qershor, por shumica e shteteve anëtare pritet ta humbasin afatin.

Si e dini nëse po paguheni drejt?

Në pjesën më të madhe të Evropës, punëtorët ende kanë informacion të kufizuar në lidhje me punët që paguhen dhe si krahasohen pagat e tyre me të tjerët që bëjnë punë të ngjashme.

Direktiva e BE-së për Transparencën e Pagave synon ta ndryshojë këtë duke u kërkuar punëdhënësve të bëhen më transparentë në lidhje me pagat dhe duke ndihmuar në forcimin e parimit të pagës së barabartë për punë të barabartë.

Direktiva synon të ndihmojë në uljen e hendekut gjinor në paga në BE, i cili është 11%, që do të thotë se të ardhurat bruto orare të grave janë, mesatarisht, 11% më të ulëta se ato të burrave, sipas Eurostat.

Për shumë gra, moszbatimi i direktivës mund të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhurat e tyre çdo vit.

Konfederata Evropiane e Sindikatave (ETUC) vlerëson se moszbatimi i transparencës së pagave do t’u kushtonte grave të paktën 4.8 miliardë euro në vit në BE, duke arritur potencialisht në 7.2 miliardë euro – ekuivalente me midis 465 dhe 700 euro për grua në vit.

Vendet e BE-së duhet t’i zbatojnë rregullat deri më 7 qershor 2026, por shumica prej tyre pritet të humbasin afatin pas një periudhe zbatimi tre-vjeçare.

Pra, cilat vende të BE-së e kanë zbatuar Direktivën për Transparencën e Pagave? Cila është situata më e fundit për ata që kanë mbetur prapa? Dhe në të gjithë Evropën, cilat vende kanë normat më të larta të transparencës së pagave në njoftimet e punës?

Gjashtë vende të BE-së nuk kanë ndërmarrë ende asnjë veprim

Sipas monitoruesit të zbatimit të firmës ndërkombëtare ligjore Addleshaë Goddard, që nga maji 2026, gjashtë nga 27 vendet e BE-së ende nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim për zbatimin e direktivës. Ato janë Austria, Bullgaria, Kroacia, Hungaria, Luksemburgu dhe Portugalia.

Në shtator të vitit 2025, kjo shifër ishte në 10 vende.

Ndërsa Suedia publikoi një propozim, qeveria e pezulloi atë për një kohë të pacaktuar në mars 2026, duke përmendur barrën e rëndë administrative të direktivës mbi punëdhënësit.

Gjermania pritet të përditësojë legjislacionin e saj në vitin 2026. Në Çeki, Finlandë, Greqi, Slloveni dhe Spanjë, pritet të miratohen projektligje.

Dhjetë vende kanë publikuar drafte legjislacioni

Dhjetë vende të BE-së kanë publikuar drafte legjislacioni, megjithëse janë në faza të ndryshme të procesit. Ato janë Qiproja, Danimarka, Estonia, Franca, Irlanda, Italia, Letonia, Lituania, Holanda dhe Rumania.

Tre vende, Belgjika, Malta dhe Polonia, e kanë zbatuar pjesërisht direktivën.

Në Sllovaki, Parlamenti miratoi Aktin për Paga të Barabarta më 15 prill 2026, i cili do të hyjë në fuqi më 7 qershor 2026.

Pasiguri e vërtetë në Francë

“Në Francë, ka shumë të ngjarë që afati i 7 qershorit të mos respektohet. Kjo krijon pasiguri të vërtetë, edhe pasi të miratohet ligji, elementët kryesorë do të duhet të përcaktohen me dekrete të veçanta zbatuese, pa një afat kohor të qartë”, tha për Euronews Business Jérémie Paubel, Partner i Punësimit në Francë në Addleshaw Goddard.

Ai theksoi se parashikimi është vendimtar, kompanitë duhet të ndërmarrin tashmë hapa të tillë si hartëzimi i kategorive të tyre të punës, auditimi i sistemeve dhe strukturave të tyre të pagave dhe identifikimi i çdo boshllëku ekzistues, por më e rëndësishmja, monitorimi nga afër i procesit legjislativ.

Çfarë do të ndodhë në Gjermani?

“Afatet e humbura të zbatimit nuk krijojnë një pauzë të qartë ligjore. Ato krijojnë një periudhë të ndërmjetme në të cilën kompanitë mund të mos kenë ende rregulla të qarta vendase, por gjykatat, punonjësit dhe këshillat e punës tashmë po shqyrtojnë drejtimin e përcaktuar nga Direktiva”, tha për Euroneës Business Marijke Van der Most, Partnere e Punësimit në Gjermani në Addleshaë Goddard.

Ajo theksoi se pika e vështirë për punëdhënësit nuk është thjesht vonesa e ligjit gjerman. Është se ata mund të duhet të marrin vendime për pagat, t’u përgjigjen pyetjeve të punonjësve dhe të përgatiten për padi në një periudhë kur standardi i ardhshëm është i dukshëm, por rregullorja vendase nuk është ende e plotë.

Transparenca e pagave në njoftimet e punës

Sipas platformës globale të punësimit Indeed, transparenca e pagave në njoftimet e punës është rritur vazhdimisht në shumë vende evropiane.

Që nga marsi i vitit 2026, Mbretëria e Bashkuar kishte normën më të lartë prej 56%, megjithëse kjo ishte 65% në maj të vitit 2025.

Holanda (48%) dhe Franca (43%) e kalojnë këtë shifër. Irlanda (39%) dhe Italia (36%) janë shumë afër, me Italinë që shënon përmirësim të ndjeshëm nga 23% në maj 2025.

Megjithatë, Spanja dhe Gjermania renditen në fund të listës, me informacionin mbi pagat të përfshirë në vetëm 17% dhe 12% të njoftimeve për punë, përkatësisht.

Të dhënat e Indeed tregojnë gjithashtu se shumica e vendeve të BE-së janë të destinuara të humbasin afatin e transparencës së pagave. Të dhënat nga Indeed Hiring Lab përshkruajnë pasojat reale për punëtorët dhe ekonomitë, duke përfshirë vazhdimësinë e hendekut gjinor në paga.

Punëtorët po aplikojnë të verbër

Indeed nënvizon se vonesat bëjnë që shumica e punëtorëve evropianë të vazhdojnë të aplikojnë për punë pa e ditur se sa paguhen.

“Paga është faktori më i rëndësishëm pse njerëzit kërkojnë një punë të re. Megjithatë, në të gjithë Evropën, kjo është ajo që shumica e njoftimeve të punës nuk e marrin në konsideratë. Punëtorët po aplikojnë verbërisht dhe hulumtimi ynë zbuloi se pasojat e kësaj janë më të thella dhe më të larmishme nga sa mendonim”, tha Lisa Feist, Ekonomiste e Tregut të Punës të BE-së në Indeed Hiring Lab.

“Pavarësisht këtyre implikimeve negative, ekziston një mundësi për punëdhënësit që zgjedhin të jenë transparentë. Ata që veprojnë tani mund të forcojnë besimin me kandidatët, të përmirësojnë cilësinë e aplikimit dhe të përgatisin strategjitë e tyre të punësimit për të ardhmen.”/kb

11:20 Shqiptarët më të lodhur në punë/ 43 orë në javë, më shumë stres dhe izolim social

By: Kesjana
6 June 2026 at 11:20

Shqiptarët janë zyrtarisht populli që punon më shumë në Evropë, por kjo sasi orësh nuk po përkthehet në pasuri, por në një lodhje masive sociale. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Eurostat, qytetarët e Shqipërisë kalojnë mesatarisht mbi 43 orë në javë në vendin e punës.

Kjo është shifra më e lartë në kontinent, duke lënë pas me një diferencë të thellë mesataren e Bashkimit Evropian, e cila luhatet tek 36 orët në javë. Zgjohen herët, kthehen vonë dhe shpesh, e diela nuk është ditë pushimi.

Por përtej statistikave ekonomike, fatura më e rëndë po paguhet në aspektin social dhe psikologjik. Sociologët dhe ekspertët e shëndetit mendor raportojnë një rritje shqetësuese të asaj që njihet si sindroma e burnout-it, apo djegies profesionale.

Kjo lodhje kronike vjen si pasojë jo vetëm e orarit të zgjatur, por edhe e pasigurisë në punë, presioneve për të mbajtur pozicionin dhe pagave që shpesh nuk mbulojnë kostot bazë të jetesës, duke i detyruar shumë individë të bëjnë dy punë.

Ndikimi në strukturën familjare është i drejtpërdrejtë. Të dhënat nga studimet e ndryshme sociale në vend tregojnë se koha cilësore që prindërit kalojnë me fëmijët është reduktuar në mënyrë drastike.

Rraskapitja fizike dhe mendore i lë individët pa energji për socializim, për aktivitete kulturore apo rekreative. Kjo mungesë e balancës mes jetës dhe punës po krijon një shoqëri më të izoluar, më pak tolerante dhe me një nivel të lartë stresi të përditshëm.

Institucionet ndërkombëtare, si Organizata Ndërkombëtare e Punës, kanë theksuar vazhdimisht se orët e gjata nuk sjellin domosdoshmërisht produktivitet më të lartë, por shtojnë rrezikun e aksidenteve në punë dhe rënies së performancës.

Sfida e vërtetë për shoqërinë tonë nuk është thjesht gjetja e një vendi pune, por ndërtimi i një tregu që respekton kohën dhe mirëqenien e individit. Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm kur motori i tij është një shoqëri e stërmunduar.

Nëse nuk ndryshojmë qasje, do të vazhdojmë të thyejmë rekorde evropiane për orët e punës, por duke faturuar kosto të parikuperueshme në shëndetin dhe në familjet tona./ Kb

11:05 Gara për drejtuesit e policisë në qarqe, përfundon renditja e kandidatëve/ Tre emrat që kryesojnë listën

By: Kesjana
6 June 2026 at 11:05

Është mbyllur procesi i vlerësimit për kandidatët që synojnë të marrin drejtimin e drejtorive vendore të Policisë së Shtetit në disa qarqe, Tiranë, Durrës, Fier, Kukës, Lezhë. Ndërkohë është shkarkuar nga detyra dhe drejtori i Policisë së Vlorës.

Pas intervistave dhe shqyrtimit të kandidaturave, Komisioni i Posaçëm në Policinë e Shtetit, ka hartuar renditjen përfundimtare të konkurrentëve sipas pikëve të grumbulluara.

Në vendin e parë është pozicionuar Adriatik Tafçiu me 86 pikë, duke rezultuar kandidati më i vlerësuar në këtë proces. Pas tij renditet Ervin Hodaj me 85 pikë, ndërsa vendi i tretë i takon Edvin Ndreut me 84 pikë.

Diferenca mes tre kandidatëve të parë dhe pjesës tjetër të listës është e ndjeshme, pasi nga vendi i katërt e në vijim pikët zbresin në nivelin 74.32 dhe më poshtë.

Në garë morën pjesë gjithsej 21 drejtues dhe funksionarë policie, të cilët iu nënshtruan procesit të intervistimit dhe vlerësimit profesional.

Renditja vijon si më poshtë

1. Adriatik Tafçiu 86

2. Ervin Hodaj 85

3. Edvin Ndreu 84

4. Artion Duka 74.32

5. Erion Ahmeti 74.32

6. Arben Nasufi 74

7. Ylli Doda 74

8. Alket Shatro 74

9. Ermal Muçaj 73.32

10. Ardrit Elmazi 73.32

11. Ndue Doçi 73.32

12. Gjovalin Loka 73.32

13. Xhevahir Karaj 73

14. Dashamir Spaho 73

15. Hergis Jica 72.32

16. Lorenc Shehu 72

17. Lorenc Meta 72

18. Alfred Elezi 72

19. Arjanit Arapi 72

20. Erzen Cera 71

21. Alfred Nomani 71./kb

10:55 Dua Lipa dhe Callum Turner nisin në Palermo festimet për martesën, muzikë deri në orët e para të mëngjesit

By: Kesjana
6 June 2026 at 10:55

Një fustan i bardhë sirenë, një çantë e njëjtë (Bottega Veneta), bizhuteri Bulgari për të, një kostum bezhë dhe një këmishë të bardhë për të. Dje, ylli i popit Dua Lipa dhe aktori Callum Turner nisën festimet e dasmës së tyre në qendrën historike të Palermos me një festë deri vonë në Piazza Croce dei Vespri. Sheshi ishte dekoruar gjithashtu si një shesh filmi: disa makina klasike, një tezgë frutash dhe disa tavolina (jo pa protesta nga banorët).

Të sapomartuarit ishin të buzëqeshur teksa të ftuarit që kishin mbërritur tashmë në qytet – jo të gjithë, pasi Elton John me sa duket pritet vetëm sot për eventin kryesor në Bagheria – ylli i popit Charli Xcx dhe bashkëshorti i saj George Daniel, producenti muzikor Mark Ronson dhe gruaja e tij Grace Gummer, aktorja dhe vajza e Meryl Streep, DJ Peggy Gou dhe familjet e çiftit.

Donatella Versace ishte gjithashtu në festë, e fotografuar duke përqafuar Duan. Nga ora 21:00, pati muzikë live dhe vallëzim deri në orët e para të mëngjesit.

Zona kishte qenë nën izolim për pjesën më të madhe të ditës.

“Zotërinj, ne jemi këtu për të punuar dhe nuk mund të themi asgjë”, na tha një nga punëtorët që kaluam pranë ndërsa hynin në ambientet e ku do bëhej festa. Festimet e para u zhvilluan në Palazzo Gangi, ndërsa festimi i vërtetë është sot në Villa Valguarnera në Bagheria, një xhevahir i shekullit të 18-të që shërbeu gjithashtu si vend xhirimi për serialin e Netflix-it The Leopard .
Mbërritja e të ftuarve, zona u mbyll për të gjithë (përfshirë shtypin)

Të ftuarit e parë mbërritën në Palazzo Gangi pak para orës 6:00 pasdite, në furgonë të mëdhenj të zinj me xhama të errët. Disa prej tyre i pamë nga larg, pasi zbritën nga makinat e tyre për t’u drejtuar tek të sapomartuarit. Një orë më parë, rruga ishte zbrazur plotësisht nga (pak) fansat që kishin pritur me orë të tëra dhe nga gazetarët. Programi i mbrëmjes përfshinte një turne të bukurive të GAM, i ndjekur nga një festë e parë. Për këtë arsye, perimetri i muzeut dhe Palazzo Gangi ishte rrethuar plotësisht. Perde të zeza ishin vendosur në disa zona që nga fillimi i pasdites për të fshehur pamjen për fansat që prisnin jashtë, pas barrierave.

Vetëm një zonë vëzhgimi ishte e hapur për kuriozët, në Piazza Sant’Anna, por u mbyll rreth orës 5:00 pasdite për të lejuar mysafirët të kalonin. Bizneseve në zonën më të afërt me festimet iu kërkua të qëndronin të mbyllura dhe thuhet se iu ofrua kompensim prej 1,000 eurosh, një pretendim i pakonfirmuar nga pronarët e bizneseve.
Nuk munguan protestat dhe pakënaqësitë për ngjarjen në qytet . Festimet e Dua Lipës dhe bashkëshortit të saj, Callum Turner, në fakt e kanë përçarë komunitetin e Palermos. Përveç fletushkave që u shfaqën rreth perimetrit të festës, me fjalët “Palermo nuk është me qira” dhe “Sheshi ynë nuk është dhoma juaj e ndenjes”, një fletë me të njëjtat fraza u shfaq në një ballkon dhe kishte edhe rreth tridhjetë protestues, të cilët megjithatë nuk këmbëngulën shumë. “I kuptoj shqetësimet e atyre që kanë frikë nga kufizimet”, tha kryebashkiaku Roberto Lagalla për Corriere , “por Palermo nuk i është ‘dorëzuar’ askujt”.

Çfarë dimë për festivalin në Bagheria

Detajet rreth festës madhështore që do të mbahet në Villa Valguarnera ende nuk dihen. Bagheria është mbyllur për trafikun. Një urdhëresë bashkiake ka ndaluar parkimin në zonat përreth vilës, në fuqi deri të hënën, më 8 qershor, për të siguruar privatësi maksimale për çiftin e porsamartuar dhe mysafirët e tyre. Nuk është çudi që për ta arritur këtë, organizimi i kësaj fundjave festimesh i është besuar Alessandra Grillos , organizatores së dasmave të Chiara Ferragni-t dhe Fedez në vitin 2018 në Noto. Grillo ka një sy të mprehtë për detajet dhe privatësinë e atyre që mbështeten në agjencinë e saj. Ndër të ftuarit më të pritur janë Elton John dhe Katy Perry, si dhe Robbie Williams./Corriere della Sera/kb

❌
❌