Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 15 June 2026Sinjali

Ekzekutohet pagesa prej 100 euro për punëtorët e sektorit privat

15 June 2026 at 15:56

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se është ekzekutuar pagesa prej 100 euro për punëtorët e sektorit privat.

Sipas tij, përfituesit që kanë plotësuar kriteret për mbështetjen e njëhershme në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0 tashmë i kanë marrë mjetet financiare, ashtu siç ishte paralajmëruar më herët.

Murati ka shtuar se sa i përket mbështetjes për studentët, komisioni vlerësues është ende duke punuar dhe se qytetarët do të njoftohen sapo listat të jenë përgatitur për ekzekutim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ekzekutohet pagesa prej 100 euro për punëtorët e sektorit privat appeared first on Sinjali.

Vrasja në Kobaj të Prizrenit: 1 muaj paraburgim ndaj të miturit

15 June 2026 at 15:52

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të miturit A.Osmanaj, i dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas vendimit të gjyqtares së procedurës paraprake, masa e paraburgimit do të zgjasë deri më 14.07.2026, pasi u vlerësua se ekzistojnë kushtet ligjore për sigurimin e prezencës së të miturit dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.

Gjykata ka theksuar se kërkesa e Prokurorisë është e bazuar dhe se paraburgimi është masa më e përshtatshme në këtë fazë të hetimeve.

Po ashtu, bëhet e ditur se në lidhje me rastin është pranuar edhe kërkesa për paraburgim ndaj dy të dyshuarve të tjerë, Shqipron Osmanaj. dhe Ajshe Osmanaj., e cila pritet të trajtohet në Departamentin për Krime të Rënda.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Vrasja në Kobaj të Prizrenit: 1 muaj paraburgim ndaj të miturit appeared first on Sinjali.

Dy anije mallrash kalojnë Ngushticën e Hormuzit mes uljes së trafikut detar

15 June 2026 at 15:44

Dy anije mallrash kanë arritur të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit dhe janë duke hyrë në Gjirin e Omanit, në një periudhë kur trafiku detar në këtë zonë mbetet i kufizuar.

Sipas të dhënave të gjurmimit nga MarineTraffic, njëra prej anijeve, “Blue Ocean 1” me flamur të Komoreve, ka kaluar pjesërisht e ngarkuar nëpër ngushticë. Ndërkohë, sistemi i saj i transmetimit të vendndodhjes ishte fikur për një periudhë gjatë tranzitit, por më pas është riaktivizuar pranë daljes nga ngushtica.

Anija e dytë, “Kaiser”, fillimisht kishte tentuar të kalonte më 12 qershor, por ishte detyruar të kthehej prapa. Sipas të dhënave të fundit, ajo po e kalon sërish ngushticën, këtë herë me ngarkesë.

Të dyja anijet raportohet se kanë destinacion portin e Soharit në Oman, ndërsa sipas kompanive të inteligjencës detare, numri i kalimeve në Ngushticën e Hormuzit ka rënë ndjeshëm në ditët e fundit krahasuar me periudhat e mëparshme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Dy anije mallrash kalojnë Ngushticën e Hormuzit mes uljes së trafikut detar appeared first on Sinjali.

IKShPK: 36 raste me fruth në Kosovë brenda dy muajve, apelohet vaksinimi

15 June 2026 at 15:38

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se gjatë periudhës 16 prill – 15 qershor 2026 janë konfirmuar gjithsej 36 raste me fruth në vend.

Sipas të dhënave zyrtare, rastet më të shumta janë regjistruar në Ferizaj me 10 raste, Prishtinë me 8 dhe Kaçanik me 6. Më pas pasojnë Fushë Kosova me 3 raste, si dhe Lipjani, Obiliqi dhe Vushtrria me nga 2 raste secila. Në Gjilan, Shtime dhe Deçan është raportuar nga një rast.

IKShPK ka apeluar te qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të paraqiten në institucionet shëndetësore në rast të simptomave si temperaturë e lartë, skuqje e lëkurës, kollë, rrufë apo konjuktivit.

Instituti ka theksuar se fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse dhe ka kërkuar nga prindërit që të kontrollojnë vaksinimin e fëmijëve, duke nënvizuar se imunizimi mbetet masa më efektive për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post IKShPK: 36 raste me fruth në Kosovë brenda dy muajve, apelohet vaksinimi appeared first on Sinjali.

Macron: Rihapja e Hormuzit mund të nisë brenda pak ditësh pas marrëveshjes SHBA-Iran

15 June 2026 at 15:36

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se një operacion për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit mund të nisë brenda dy ose tre ditësh pas konfirmimit të marrëveshjes kornizë mes SHBA-së dhe Iranit për përfundimin e konfliktit.

Duke folur në samitin e G7 në Francë, Macron tha se Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë të gatshme të veprojnë shpejt për të garantuar lirinë e lundrimit në këtë zonë strategjike.

Sipas tij, në operacion mund të përfshihen avionë ushtarakë, fregata dhe ekspertë për çminim, ndërsa aeroplanmbajtësja franceze “Charles de Gaulle” ndodhet në rajon dhe mund të angazhohet brenda pak ditësh.

Macron theksoi se veprimet do të koordinohen me SHBA-në dhe palë të tjera, me qëllim që rihapja e ngushticës të realizohet në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Macron: Rihapja e Hormuzit mund të nisë brenda pak ditësh pas marrëveshjes SHBA-Iran appeared first on Sinjali.

Arrestohet në Belgjikë shqiptari i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje dhe trafik droge

15 June 2026 at 15:24

Në Belgjikë është arrestuar një shtetas shqiptar gjatë një operacioni ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, i zhvilluar në bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe atyre belge.

Sipas Policisë së Shtetit, i arrestuari është Gerd Gjinarari, 52 vjeç, i cili dyshohet se qëndronte në Belgjikë me dokumente italiane të falsifikuara.

Arrestimi është kryer pas shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe Interpolit në Bruksel.

Sipas vendimeve të gjykatave shqiptare dhe italiane, Gjinarari është dënuar me burgim të përjetshëm për vepra të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim, trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Autoritetet kanë bërë të ditur se vijon bashkëpunimi për procedurat e ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Arrestohet në Belgjikë shqiptari i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje dhe trafik droge appeared first on Sinjali.

FSK dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë zhvillojnë trajnim të përbashkët për kërkim-shpëtim urban

15 June 2026 at 15:19

Në kuadër të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH) kanë marrë pjesë në një trajnim të përbashkët në fushën e kërkim-shpëtimit urban.

Trajnimi “Kërkim-Shpëtim Urban Bazik dhe i Avancuar” është mbajtur në Qendrën Ndërkombëtare Trajnuese për Kërkim-Shpëtim të Gardës Kombëtare të FSK-së dhe ka përfshirë ushtarakë nga të dyja forcat.

Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë trajnimit janë trajtuar tema që lidhen me reagimin në katastrofa natyrore dhe njerëzore, planifikimin operativ, punën ekipore në operacione shpëtimi, përdorimin e pajisjeve adekuate dhe dhënien e ndihmës së parë në situata emergjente.

Ky aktivitet, sipas FSK-së, synon rritjen e kapaciteteve dhe forcimin e ndërveprimit ndërmjet dy forcave ushtarake në situata emergjente.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post FSK dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë zhvillojnë trajnim të përbashkët për kërkim-shpëtim urban appeared first on Sinjali.

KQZ synon ta përmbyllë numërimin e votave me postë brenda kësaj jave

15 June 2026 at 15:11

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi i numërimit të votave të ardhura përmes postës nga diaspora pritet të përfundojë deri në mesjavë.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, nga 85,790 pako të pranuara, mbi 82 mijë zarfe janë aprovuar për numërim, ndërsa pjesa tjetër është refuzuar për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm.

Pas përfundimit të numërimit të votave me postë, KQZ do të nisë procesin e numërimit të votave me kusht dhe atyre të votuesve me nevoja të veçanta.

Elezi ka bërë të ditur gjithashtu se, pas kompletimit të të gjitha votave të mbetura, KQZ-ja do të shqyrtojë edhe rinumërimin e deri në 10 për qind të vendvotimeve të rregullta.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post KQZ synon ta përmbyllë numërimin e votave me postë brenda kësaj jave appeared first on Sinjali.

Karabinierët italianë të KFOR-it intensifikojnë patrullimet në veri të Kosovës

15 June 2026 at 15:08

Pjesëtarët italianë të Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe të misionit të KFOR-it kanë zhvilluar patrullime të rregullta në Mitrovicën e Veriut, në kuadër të angazhimeve për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në zonë.

Sipas njoftimit të KFOR-it, këto aktivitete synojnë forcimin e pranisë në terren, rritjen e ndërgjegjësimit situativ dhe mbështetjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët.

KFOR thekson se patrullimet janë pjesë e misionit të tij për të garantuar siguri dhe liri të lëvizjes në Kosovë, duke vepruar në mënyrë të paanshme dhe transparente në të gjithë territorin.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Karabinierët italianë të KFOR-it intensifikojnë patrullimet në veri të Kosovës appeared first on Sinjali.

“Endrit Shala është i pafajshëm, Gjykata gaboi rëndë” – Avokati BERISHA me reagim të ashpër pas aktgjykimit të Departamentit Special

15 June 2026 at 14:49

Avokati Besnik R. BERISHA ka reaguar ashpër pas aktgjykimit të Departamentit Special, me të cilin ish-ministri Endrit Shala është shpallur fajtor, duke e cilësuar vendimin si një devijim serioz nga parimet themelore të së drejtës penale dhe një precedent shqetësues për sigurinë juridike në vend.

“Ka aktgjykime me të cilat nuk pajtohesh për shkak të mënyrës se si janë vlerësuar provat. Ka aktgjykime që, ndonëse mund të jenë të pafavorshme, i respekton, sepse në to gjen një arsyetim juridik të mbështetur në ligj dhe një përpjekje serioze për të ruajtur ekuilibrin ndërmjet interesit publik dhe lirive individuale. Por, ka edhe aktgjykime që zgjojnë një shqetësim më të thellë, jo vetëm për fatin juridik të të gjykuarit, por për standardin e drejtësisë që po ndërtohet. Ky është një prej tyre”, ka shkruar Berisha.

Sipas tij, rasti i Endrit Shalës nuk ngre dilema të ndërlikuara faktike, por paraqet një problem të pastër juridik.

Berisha ka theksuar se neni 417 paragrafi 6 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës përcakton në mënyrë të qartë dhe shteruese rrethin e personave që konsiderohen anëtarë të familjes për qëllime të veprës penale të konfliktit të interesit.

“Në atë dispozitë nuk përfshihet baxhanaku, nuk përfshihet kunati dhe nuk përfshihen personat në gjini krushqie. Ligjvënësi ka zgjedhur me vetëdije se kë do të përfshijë dhe kë do të përjashtojë nga kjo normë penale. Kjo zgjedhje mund të pëlqehet ose jo, por ajo nuk mund të korrigjohet nga gjykata”, ka deklaruar ai.

Avokati Berisha ka rikujtuar se parimi nullum crimen, nulla poena sine lege ndalon zgjerimin e përgjegjësisë penale përmes analogjisë dhe se askush nuk mund të shpallet fajtor për një sjellje që ligji nuk e ka përcaktuar shprehimisht si vepër penale.

Ai ka përmendur edhe Opinionin nr. prot. 01-3393/14 të Agjencisë Kundër Korrupsionit, sipas të cilit burri i motrës së gruas, përkatësisht baxhanaku, nuk cilësohet si person i afërt me zyrtarin dhe nuk hyn në kategorinë e personave që mund të shkaktojnë konflikt interesi penal sipas Kodit Penal.

Po ashtu, Berisha i është referuar praktikës gjyqësore në çështjen PKR.nr.16/24, duke theksuar se Gjykata Themelore në Pejë kishte nxjerrë aktgjykim lirues në një rast të ngjashëm, vendim ky i vërtetuar më pas edhe nga Gjykata e Apelit me aktgjykimin PAKR.nr.457/24. Sipas tij, edhe Apeli kishte konstatuar se personat në gjini krushqie nuk hyjnë në rrethin e personave të përcaktuar nga neni 417.6 i KPRK-së dhe se kjo dispozitë nuk mund të plotësohet përmes ligjeve të tjera.

Megjithatë, sipas avokatit Berisha, elementi më shqetësues i këtij rasti mbetet fakti se vetë Prokuroria kishte pushuar hetimet për veprën penale të konfliktit të interesit.

“Paradoksi qëndron në faktin se ajo që nuk qëndroi si konflikt interesi në vlerësimin e Prokurorisë, në fund shërbeu si themel për shpalljen e fajësisë nga Departamenti Special. Kjo nuk është thjesht një kundërthënie procedurale; kjo prek vetë koherencën e arsyetimit penal”, ka shkruar ai.

Në fund të reagimit të tij, Berisha ka deklaruar se rasti i Endrit Shalës tejkalon fatin juridik të një individi dhe prek besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit.

“Për këtë arsye, sot e them me bindje të plotë profesionale dhe morale: Endrit Shala është i pafajshëm. Gjykata gaboi rëndë. Aktgjykimet janë të detyrueshme për t’u respektuar, por ato nuk janë të pagabueshme. Historia e së drejtës ka dëshmuar se mbrojtja e sundimit të ligjit fillon pikërisht aty ku lind guximi për t’i thënë gjykatës se ka gabuar”, përfundon reagimi i avokatit Besnik R. Berisha.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post “Endrit Shala është i pafajshëm, Gjykata gaboi rëndë” – Avokati BERISHA me reagim të ashpër pas aktgjykimit të Departamentit Special appeared first on Sinjali.

Britania ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç, Starmer: Mbrojtje për shëndetin mendor

15 June 2026 at 12:52

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar masa të reja që synojnë ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për personat nën moshën 16 vjeç.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se vendimi vjen si pjesë e përpjekjeve për të mbrojtur fëmijët nga ndikimet negative të internetit dhe për të përmirësuar shëndetin e tyre mendor.

Sipas tij, përdorimi i rrjeteve sociale po rrit rastet e ngacmimeve online dhe po ndikon në mirëqenien psikologjike të të rinjve.

Plani parashikon kufizime të reja në përdorimin e platformave kryesore sociale, si dhe rregulla më të ashpra për komunikimin me persona të panjohur në internet.

Qeveria britanike thekson se ligji i ri do të jetë pjesë e një reforme më të gjerë për sigurinë e fëmijëve në hapësirën digjitale dhe forcimin e rolit të prindërve në kontrollin e përdorimit të teknologjisë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Britania ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç, Starmer: Mbrojtje për shëndetin mendor appeared first on Sinjali.

Rrahje në stadiumin e Pejës, përfshihen një polic dhe një ish-polic – nis hetimi

15 June 2026 at 12:45

Një incident fizik dyshohet se ka ndodhur në një stadium në Pejë, ku janë përfshirë një zyrtar policor dhe një ish-polic.

Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur se lidhur me ngjarjen janë njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe Policia e Kosovës.

Sipas tij, është iniciuar rast dhe po ndërmerren veprime hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.

Hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar motivet dhe përgjegjësitë e të përfshirëve në rast.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Rrahje në stadiumin e Pejës, përfshihen një polic dhe një ish-polic – nis hetimi appeared first on Sinjali.

Dy viktima nga aksidentet në 24 orët e fundit në Kosovë, mbi 1,700 gjoba trafiku

15 June 2026 at 12:32

Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të trafikut në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa janë regjistruar edhe dhjetëra aksidente të tjera me të lënduar dhe dëme materiale.

Sipas Policisë së Kosovës, një aksident me fatalitet ka ndodhur në Autostradën “Ibrahim Rugova”, ku si pasojë e humbjes së kontrollit mbi automjet, një pasagjere ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Shoferi i lënduar po trajtohet në QKUK, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

Një tjetër rast me fatalitet është raportuar në Gjilan, ku ka ndërruar jetë një person i cili po trajtohej nga lëndimet e marra në një aksident të ndodhur më 2 maj.

Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar gjithsej 39 aksidente trafiku, prej të cilave 23 me persona të lënduar dhe 14 me dëme materiale.

Policia ka bërë të ditur gjithashtu se janë shqiptuar 1,737 tiketa trafiku për shkelje të rregullave në komunikacion.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Dy viktima nga aksidentet në 24 orët e fundit në Kosovë, mbi 1,700 gjoba trafiku appeared first on Sinjali.

Sulme të rënda në Ukrainë: 9 të vdekur dhe dëmtime në katedrale historike në Kiev

15 June 2026 at 12:31

Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën pas një vale sulmesh ruse në Ukrainë, të cilat kanë shkaktuar edhe dëmtime të mëdha në një katedrale historike në Kiev.

Sipas autoriteteve ukrainase, katër persona u vranë në kryeqytet, ndërsa pesë pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit humbën jetën gjatë përpjekjeve për të shuar një zjarr të shkaktuar nga sulmet në qytetin Kharkiv.

Sulmet kanë dëmtuar rëndë Katedralen e Fjetjes së Krishtit, një monument fetar i shekullit të 11-të, të cilin presidenti Volodymyr Zelensky e cilësoi si një nga goditjet më të rënda ndaj trashëgimisë kulturore dhe fetare në vend.

Ndërkohë, zyrtarët rusë kanë mohuar se katedralja është shënjestruar qëllimisht.

Autoritetet ukrainase raportojnë gjithashtu për dhjetëra të plagosur dhe ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike në Kiev, si pasojë e sulmeve me dronë dhe raketa në disa zona të vendit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Sulme të rënda në Ukrainë: 9 të vdekur dhe dëmtime në katedrale historike në Kiev appeared first on Sinjali.

Niset Kontingjenti KFOR 8 nga Shqipëria drejt Kosovës

15 June 2026 at 12:30

Në ambientet e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut në Poshnjë është zhvilluar ceremonia e nisjes së Kontingjentit KFOR 8, i cili do të shërbejë në misionin paqeruajtës në Pejë të Kosovës.

Forcat Tokësore të Shqipërisë kanë bërë të ditur se efektivët shqiptarë nisen drejt këtij misioni me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi të lartë, në mbështetje të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Në njoftim theksohet se pjesëtarët e kontingjentit do të kontribuojnë përkrah aleatëve të NATO-s në operacionet ndërkombëtare, duke dëshmuar gatishmëri dhe standarde të larta ushtarake.

Forcat Tokësore i kanë uruar suksese kontingjentit KFOR 8 në detyrën e tyre në Kosovë, si dhe një kthim të sigurt në atdhe pas përfundimit të misionit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Niset Kontingjenti KFOR 8 nga Shqipëria drejt Kosovës appeared first on Sinjali.

Sherr brenda gjykatës për rastin e Renis Dobrës, përplasen të akuzuarit gjatë seancës

15 June 2026 at 12:12

Një incident i dhunshëm është regjistruar në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjatë një seance paraprake për rastin e Renis Dobrës.

Sipas raportimeve, gjatë seancës janë përplasur fizikisht disa prej të pandehurve që po gjykohen për rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës në Mat.

Në këtë çështje penale po akuzohen Petrit Çakraj dhe Fation, Aleksandër e Kristi Bushgjokaj.

Për shkak të situatës së krijuar, në vendngjarje janë thirrur edhe forca të Policisë së Shtetit, por ndërhyrja e tyre nuk ka qenë e nevojshme pasi situata është vënë nën kontroll brenda sallës së gjyqit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Sherr brenda gjykatës për rastin e Renis Dobrës, përplasen të akuzuarit gjatë seancës appeared first on Sinjali.

Vazhdon numërimi i votave me postë, KQZ përditëson të dhënat e fundit

15 June 2026 at 12:10

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i numërimit të votave të ardhura nga diaspora përmes postës, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 7 qershor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se deri më tani janë përditësuar të dhënat nga 82 kuti, që përbëjnë rreth 36.77 për qind të procesit të përgjithshëm të numërimit.

Ndërkohë, një ditë më parë është përmbyllur procesi i vlerësimit të 85,790 pakove me fletëvotime, prej të cilave janë aprovuar 82,809, ndërsa 2,981 janë refuzuar.

KQZ ka theksuar se procesi i numërimit po vazhdon në mënyrë të rregullt dhe transparente deri në përfundimin e plotë të tij.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Vazhdon numërimi i votave me postë, KQZ përditëson të dhënat e fundit appeared first on Sinjali.

Sot varroset futbollisti 24-vjeçar nga Gjakova, Bajram Rragamaj

15 June 2026 at 11:49

Sot në varrezat e fshatit Skijanë do të varroset futbollisti 24-vjeçar i KF Dukagjinit të Gjakovës, Bajram Rragamaj, i cili ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të rëndë.

Sipas njoftimit të familjes, ceremonia e varrimit do të nisë në orën 17:00.

I riu ishte pjesë e KF Dukagjinit dhe njihej si sportist premtues, ndërsa prej kohësh kishte qenë duke u përballur me një sëmundje të rëndë.

Familjarët dhe të afërmit kanë njoftuar se ai ishte duke luftuar me një tumor agresiv, të cilit nuk ka arritur t’i mbijetojë.

Ngushëllime për ndarjen e tij nga jeta janë shprehur nga familjarë, miq dhe figura publike, të cilët e kanë përshkruar atë si një të ri me ëndrra dhe potencial të madh.

Ceremonia e varrimit pritet të mbahet në prani të familjarëve, bashkëlojtarëve dhe qytetarëve që duan t’i japin lamtumirën e fundit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Sot varroset futbollisti 24-vjeçar nga Gjakova, Bajram Rragamaj appeared first on Sinjali.

Djali i princeshës norvegjeze dënohet me 4 vjet burg për dhunim

15 June 2026 at 11:20

Marius Borg Høiby, djali 29-vjeçar i Princeshës së Kurorës së Norvegjisë, Mette-Marit, është dënuar me katër vjet burgim pasi është shpallur fajtor për dy akuza për dhunim, ka raportuar BBC.

Gjykata e Qarkut të Oslos e liroi atë nga dy akuza të tjera të ngjashme, por e shpalli fajtor për një sërë veprash penale që lidhen me rastin. Høiby nuk ishte i pranishëm fizikisht në shpalljen e vendimit, por mori pjesë përmes videolidhjes.

Prokuroria kishte kërkuar dënim prej mbi shtatë vitesh burg, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar një dënim më të lehtë dhe ka paralajmëruar mundësinë e apelimit të vendimit.

Sipas vendimit të gjykatës, rastet përfshijnë disa gra në periudha të ndryshme, ndërsa Høiby është liruar nga disa akuza të tjera për mungesë provash.

Gjykata gjithashtu ka vendosur që ai të paguajë kompensim për disa nga viktimat.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Djali i princeshës norvegjeze dënohet me 4 vjet burg për dhunim appeared first on Sinjali.

E rëndë në Rrugën e Kombit: Vdes këmbësori nga Kosova

15 June 2026 at 11:08

Një aksident tragjik ka ndodhur paraditen e së hënës në “Rrugën e Kombit”, në segmentin Rrëshen–Reps, ku një shtetas nga Kosova ka humbur jetën pasi është goditur nga një automjet.

Viktima, Kujtim Aliu, dyshohet se sapo kishte zbritur nga autobusi dhe po tentonte të kalonte në anën tjetër të autostradës kur është përplasur nga një veturë.

Sipas Policisë së Shqipërisë, drejtuesja e automjetit, shtetasja kosovare N. R., është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.

“Rreth orës 08:45, në Rrugën e Kombit, automjeti me drejtuese shtetasen kosovare N. R. ka përplasur këmbësorin K. A., i cili ka humbur jetën gjatë transportimit në spital”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post E rëndë në Rrugën e Kombit: Vdes këmbësori nga Kosova appeared first on Sinjali.

❌
❌