Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Fjala e plotë e kryeministrit Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se protesta e zhvilluar gjatë muajit qershor duhet parë si një pasqyrë e pritshmërive të reja të qytetarëve gjatë mandatit të katërt.

Në mbledhjen e përbashkët të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar, Kryeministri u shpreh se protestuesit nuk janë mosmirënjohës ndaj arritjeve të vendit, por janë matësi i ri i standardeve tona.

“Bulevardi i flamingove duhet parë, jo si një protestë, por si një pasqyrë që shoqëria na e vuri përpara, duke na sfiduar të shohim vetveten dhe të verifikojmë seriozisht nëse e kemi mendjen dhe zemrën në vendin e duhur për ta qeverisur Shqipërinë e kësaj faze të re, të cilën në radhë të parë dhe medoemos duhet ta kuptojmë ne të parët në të gjithë përmasën e saj”, shtoi ai.

Por, Rama nënvizoi se faktet e arritjeve të qeverisë nuk mjaftojnë më dhe se duhet të merret parasysh përvoja e përditshme e qytetarit.

Gjatë mbledhjes, Rama prezantoi dokumentin strategjik “Besa”, i cili sipas tij synon që qytetarët të mos i përjetojnë më vendimet e qeverisë si “prerje në besë” dhe të mos ndihen të padëgjuar, të painformuar dhe të papërfillur.

“Ne nuk kemi asnjë luftë për të bërë me ‘flamingot’. Por kemi vetëm një aleancë, për të ndërtuar me shumë durim me ta”, tha ai.

Sipas kryeministrit Rama, tre mandatet e para iu përgjigjën pyetjes nëse Shqipëria mund të ndryshonte, ndërsa mandati i katërt duhet t’i përgjigjet pyetjes nëse ky ndryshim mund të bëhet “i qëndrueshëm, i besueshëm dhe i të gjithëve”.

“Kjo është kthesa, nga transformimi i vendit te besueshmëria e transformimit; nga autoriteti që mjaftohet me pushtetin, te autoriteti që mbështetet te besimi; nga fjala e dhënë politikisht, te fjala e kontrollueshme institucionalisht”, tha Rama.

Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste:

Sot dua t’ju flas për çfarë pamë dhe çfarë dëgjuam gjatë muajit qershor, kur Bulevardi u mbush me njerëz nga të gjitha rrugët e jetës, kategoritë shoqërore, moshat dhe kur një shpend i rrallë, i bukur dhe i brishtë u bë simbol i vëmendjes më të madhe globale që Shqipëria ka përjetuar ndonjëherë brenda vetëm një muaji.

Përveç videos që sapo patë, tek e cila do të kthehem më tutje, kam sjellë sot me vete edhe dy dokumente. Janë dy dokumente që mishërojnë reflektimin tim përpara pasqyrës së bulevardit të flamingove dhe janë të hapura për t’u lexuar, për tu analizuar, ndryshuar, në mënyrë që ta përmbushin sa më mirë qëllimin e tyre.

Ky i pari është një dokument strategjik për kthesën që duhet të garantojë mandati i katërt në procesin qeverisës. I dyti është një aneks për mënyrën se si Partia Socialiste duhet ta mbështesë kthesën e mandatit të katërt.

Po e nis me një episod që edhe mund ta keni dëgjuar. Qëlloi pikërisht në një nga ditët e qershorit që një kryetar bashkie, shok yni, njeri që i rri në kokë punës edhe komunitetit, më erdhi shumë i acaruar me një grup qytetarësh që kishin dalë në protestë për një problem në lagjen e tyre, diku në një periferi të asaj bashkie.
“I kam gjetur në llumë”, – tha. “Nuk kishin rrugë, nuk kishin trotuare. Për ndriçim s’bëhet fjalë. Vetëm gropa, ferra, plehra”, – tha. “Me trotuar, me drita, me pemë, u bëra kopsht, u vura dhe stola, por janë mosmirënjohës.”

Ai, shokë dhe kolegë, të dashur, miq, jemi “ne” të gjithë, se secili prej nesh e ka menduar, qoftë dhe njëherë atë fjalë të keqe, kur i ka ardhur shpirti majë të hundës në marrëdhëniet e punës me popullin, qoftë me dikë, qoftë me diçka, shpesh me disa, kam menduar që janë mosmirënjohës. Pikërisht kjo fjalë është pikënisja e perspektivës së re që na duhet sepse pikërisht në përmbajtjen e saj gjendet kuptimi më i gabuar i fazës së re ku ka hyrë Shqipëria.

Prandaj, dua që t’ua them unë që në fillim, duke shfrytëzuar këtë rast, drejt e në sy atyre që protestuan ndaj kryetarit të bashkisë, atyre që dolën në bulevard gjatë qershorit dhe atyre që kanë protestuar në heshtje apo me zë, vetëm apo me të tjerë, kudo nëpër Shqipëri apo jashtë Shqipërisë, jo vetëm gjatë qershorit, por qysh pas zgjedhjeve të qershorit të kaluar: Ju nuk jeni mosmirënjohës, ju jeni matës i ri i standardeve tona.

Ju, atje në periferinë e një bashkie, nuk protestuat kundër atyre që kryebashkiaku kishte bërë për ju, as kundër atij vetë. Ju që mbushët bulevardin dhe rrjetet sociale me protestën tuaj, nuk protestuat kundër Shqipërisë që ne ndërtuam gjatë tre mandateve të para. Dhe këtu po ndaj pak posaçërisht ata jo të paktë që ishin votues, mbështetës apo dhe anëtarë të Partisë Socialiste, por dhe ata që gjatë ditës ishin në punën e shtetit dhe mbrëmje shkonin në protestë.

Ata nuk dolën në bulevardin e flamingove për të mohuar transformimin e Shqipërisë, për të sulmuar qeverinë apo për t’ju bashkuar këngës “Rama, jepe dorëheqjen”.

Ata që votuan për ne në qershorin e shkuar dolën dhe u bashkuan me të tjerët, edhe kur protesta drejtohej kundër meje, sepse forca e saj përthithëse ishte më imponuese mbi ta sesa figura ime.

Ata të administratës, ku plot mund të mos kenë votuar për ne, dolën dhe ata me të tjerët, sepse Shqipëria e re që ne kemi ndërtuar nuk jeton me hijen e së vjetrës, kur njerëzit flakeshin nga puna e shtetit, me farë dhe me fis, pse shkonin në një takim tonin në opozitë, – se të shkonin në protestë kundër qeverisë, as që bëhej fjalë.Të gjithë bashkë, ata qytetarë u mblodhën aq të shumtë aty, kur sorrat dhe korbat nuk e kishin nxjerrë ende kokën, sepse i çoi një nevojë e thellë, një nevojë e brendshme për të përcjellë një mesazh më të fortë sesa përkatësia e tyre ndaj një partie apo sesa ngjyra e qeverisë për të cilën ata mund të kenë votuar.

Shija kontaminuese e lirisë së asaj proteste dhe nevoja për t’u bashkuar me atë rrjedhë të pazakonshme njerëzish për Tiranën, duke dalë nga rrugicat e rutinës së përditshme dhe duke ushqyer celularët me energji të rrallë instagramike, një energji e mahnitshme, besoj, ishin më të fuqishme sesa i gjithë arsenali ynë i fakteve kundër gënjeshtrave, shpifjeve dhe akuzave lidhur me projektin e Zvërnecit.

Prandaj, mësimi i parë që dua të ndaj me ju është: faktet tona nuk mjaftojnë më.
Sepse në Shqipërinë që ne transformuam rrënjësisht, njerëzit nuk jetojnë më as me kënaqësinë e ndryshimeve që ndodhin, as me inkurajimin nga gjërat që ndërtohen, siç ndodhte deri dje, kur prisnin me besim që, pas rrugës, shkollës, lulishtes që u ndërtuan në lagjen tjetër, t’i vinte radha rrugës, shkollës, lulishtes, lagjes së tyre.

Ata, sot jetojnë me pritshmëri që rriten më shpejt sesa mundësitë tona për t’iu përgjigjur. Dhe në një Shqipëri që zhvillohet me ritme të reja, ata e përjetojnë zhvillimin si një tension mes asaj që shohin dhe dëgjojnë dhe asaj që kanë, herë si burim pikëpyetjesh për çfarë po bëhet me vendin dhe shpeshherë, si ndjenjë pasigurie për pjesën e tyre në një ekonomi që rritet shpejt, por bashkë me koston e jetesës së tyre.

Me fjalë të tjera shokë dhe shoqe nuk mjafton më ta qeverisim të tashmen me investime, arritje, integrime duke treguar çfarë bëmë deri këtu, por duhet të qeverisim në harmoni me përvojën e përditshme të qytetarit të sotëm sepse zemrat dhe mendjet e shqiptarëve nuk janë më aty ku ishin deri dje, tek çfarë ndryshon në territor dhe nuk kanë fare më lidhje me statistikat ekonomike sado pozitive qofshin. Ato janë ankoruar mu te pritshmëritë tyre.

Prandaj dhe bulevardi i flamingove duhet parë, jo si një protestë, por si një pasqyrë që shoqëria na e vuri përpara, duke na sfiduar të shohim vetveten dhe të verifikojmë seriozisht nëse e kemi mendjen dhe zemrën në vendin e duhur për ta qeverisur Shqipërinë e kësaj faze të re, të cilën në radhë të parë dhe medoemos duhet ta kuptojmë ne të parët në të gjithë përmasën e saj.

Unë vetë, në pasqyrën e bulevardit të flamingove pashë mbylljen e një epoke dhe fillimin e një tjetre. Epoka e mbyllur është epoka e mungesave, kur një rrugë e re ishte fitore kolektive, ku një shkollë e re ishte festë e përbashkët, një lulishte e re pritej me duartrokitje dhe ndezja e dritave në lagje përcillej me bekime.

Në epokën e mungesave shoqëritë vuajnë përgjatë rrugëve pa rrugë të rrënimit dhe poshtërimit dhe i gëzohen çdo ndryshimi si fëmija një dhurate. Toleranca e tyre ndaj atyre gjerave që mungojnë është shumë e madhe, deviza e asaj epoke është “ka edhe më keq”.

Epoka e hapur është epoka e pritshmërive ku rruga e re është standard, jo fitore, shkolla e re është borxh që kthehet me vonesë, jo arsye për të festuar. Çdo shërbim i mirë merret i mirëqenë dhe asnjë mungese shërbimi nuk durohet më dot si deri në mbylljen e epokës së mëparshme. Shoqëria as nuk e çon më nëpër mend nëse ka dhe më keq. Toleranca e saj ndaj çka nuk shkon, vjen duke u zeruar sepse deviza e kësaj epoke është “ka edhe më mirë”.

Alexis de Tocqueville një ndër studiuesit më të mprehtë të demokracisë dhe ndryshimit shoqëror na ka lënë një paralajmërim me shkrim tamam për këtë fazë ku kemi hyrë. Çasti më i rrezikshëm për një qeveri vjen pikërisht, kur jo ka nisur t’i ndryshojë gjërat dhe shembujt e ndryshimit që ne kemi sjellë në këtë vend janë të panumërt në çdo drejtim, ndërkohë që rreziku për të cilin ai shkruan është tanimë fare i lexueshëm.

Për 100 e kusur vjet në Shqipëri nuk ishte hetuar dhe aq më pak gjykuar në mënyrë të pavarur një i vetëm zyrtar i lartë, një, 100 e ca vjet. As një! Ndërsa korrupsioni ishte pranuar nga të gjithë si të ishte fataliteti i një fatkeqësie kronike natyrore. Më kujtohet se kur njerëzit e mbështesnin edhe me dorën e djathtë dhe me dorën e majtë reformën në drejtësi, duke kërkuar vettingun si besimtarët që kërkojnë shpëtimtarin prapëseprapë pyetjes nëse besonin se ata do shihnin një ditë zyrtarë të lartë përpara drejtësisë i përgjigjeshin masivisht: jo.

Reforma jonë në drejtësi e ngriti luftën ndaj korrupsionit në nivele që deri dje, as nuk imagjinoheshin. Monumenti i pandëshkueshmerisë ra, siç deri dje as mund të imagjinohej, por ky fakt nuk mjafton fare që njerëzit t’i gëzohen kësaj arritje historike, përkundrazi, ky fakt del dhe tepron që ata të jenë të pakënaqur pse nuk bëhet më shumë.

Për 30 vjet shqiptarët ndenjen në radha kilometrike për të marrë shërbimet më elementare duke pritur në shi, duke pritur në diell një dokument të rëndomtë, certifikatë lindjeje, duke u shtyrë për të paguar dritat që mezi vinin apo duke ardhur nga jashtë për të kaluar gjysmën e pushimeve nëpër sportele që ngjanin si ato dyert e urbanit që futet gjithë dynjaja në kohën kur akoma ishin turnet e kombinatit të tekstileve por e kishin pranuar atë realitet, sikur të ishte një trashëgimi e patundshme.

Sot 95% e shërbimeve publike në Shqipëri merren nga celulari, falas dhe merren dhe nga çdo pikë e botës, por ky fakt nuk mjafton fare, që njerëzit t’i tolerojnë më lehtë shërbimet që ende çalojnë. Përkundrazi, del dhe tepron që toleranca e tyre të jetë thuajse zero.

Nuk e di a e dëgjuat kur tregova një ditë rastin e së ëmës së një shokut tim. Gjyshe 80 e ca vjeçare. Edhe ajo doli në protestë. Jo për Zvërnecin, jo për ligjin e zonave të mbrojtura, as për bio diversitetin, doli ngaqë sa herë i duhej të vizitohej në poliklinikë për një sëmundje kronike, ngrihej pa zbardhur dita bashkë me të moshuar të tjerë për të zënë radhën pasi mjeku në atë poliklinikë shkonte vonë dhe rrinte dy, tre orë.

Ne, mund t’i tregojmë tani asaj gjysheje sa spitale kemi ndërtuar, sa pajisje kemi blerë, si ka ndryshuar si nata me ditën sistemi ynë shëndetësor krahasimisht me kohët kur morëm detyrën. Të gjitha këto dhe gjithçka mund t’i numërojmë asaj për punët e panumërta që ne kemi bërë për shëndetësinë, janë fakte si drita e diellit, por fakti i saj është përvoja e asaj radhës në poliklinikë kur dielli s’ka dalë akoma.

Dhe kur faktet tona përplasen me përvojën e gjyshes ne nuk mund t’i kërkojmë asaj të ndryshojë përvojën. Duhet të ndryshojmë ne, që zëri i saj të dëgjohet, halli i saj të qahet, përvoja e saj të ndryshojë dhe ajo të shohë që shteti nuk nis dhe nuk mbaron tek tabiati i mbrapshtë i një mjeku, përndryshe të gjitha ndryshimet që kemi bërë për shëndetësinë do të mbeten aty, fakt i pamohueshëm. Po ne nuk do të jemi më këtu, nëse vazhdojmë të besojmë se mjaftojnë investimet dhe faktet e përparimit që njerëzit të vazhdojnë ta investojnë besimin e tyre tek ne.

Pa ndryshuar diçka domethënëse në cilësisë e përvojës së tyre me shtetin. Përsëri, këtu na vjen në ndihmë Tocqueville, abuzimet që zhduken e bëjnë më të padurueshme peshën e abuzimeve që mbeten.

Kur fryma e përparimit bëhet e qëndrueshme dhe zhvillimi i pandalshëm, pritshmëritë e qytetarëve nuk ulen po rriten dhe rriten më shpejt se shpejtësia e ndryshimit. Asnjë sukses nuk e ul kërkesën, vetëm e rrit, me këtë sy duhet parë dhe video që ju shfaqa në hyrje të kësaj fjale.

Kur ne morëm detyrën, pyjet priteshin si të ishin nën agresionin e një ushtrie alienësh në formë sharrash elektrike dhe kafshët vriteshin për epshet shtazarake të gjahtarëve të huaj dhe shqiptar. 50 mijë “vrasës” që hynin me çifte pyll më pyll e lagunë më lagunë, sikur Shqipëria të ishte një rezervat jashtë hartës së qytetërimit, ndërsa për pirgjet me kufoma shpendësh lagunave, që pastaj shiteshin nëpër restorante, shkruante ndonjë revistë ndërkombëtare e natyrës. Po meazallah se ngrihej ndonjë zë që të dëgjohej përtej ndonjë kronike televizive, para lajmeve për motin.

Në një vend ku shoqëria vuante mungesat e veta të mëdha dhe ku vritej statistikisht, një njeri në tre ditë, nuk kishte se të kishte ndonjë pritshmëri optimiste për jetën e kafshëve.
Në një dekadë, ne kemi bërë për florën dhe faunën e Shqipërisë një përmbysje historike të vizionit, të qasjes, të administrimit, me rezultate të pamohueshme.

Bëmë ligjin e parë të integruar me standardet e Bashkimit Europian për zonat e mbrojtura dhe në këtë dekadë zgjeruam në mënyrë të ndjeshme, si asnjë vend tjetër në rajon, sipërfaqen e tyre, shtuam kategoritë e mbrojtjes dhe e kthyem ruajtjen e natyrës nga një thirrje sporadike, në një sistem administrimi.

Një parantezë këtu: ndryshimet e vitit 2024, le ta mbajë shënim kush e dëgjon. Në atë ligj u përdorën pa pushim dhe vazhdojnë, si benzinë për zjarrin e protestës nga individë me axhendat e tyre politike, përfshirë dhe disa eurodeputetë që, në rastin më të mirë, nuk e kanë lexuar fare çfarë kemi ndryshuar, ndërsa, në rastin më të keq, kanë dashur ta besojnë rolin e viktimave të imperializmit amerikan.

Por e vërteta është se ato ndryshime janë bërë në përputhje me direktivën europiane dhe fatmirësisht, nuk është këtu fjala ime kundër fjalës së atyre që mendojnë ndryshe, po ka një proces, në zbatim të kalendarit të negociatave, ku do skanohen një për një, me Komisionin Europian, për ta përputhur krejt atë ligj 100% me direktivën e BE-së, edhe ato ndryshime. Kështu që ky konflikt i stisur do zgjidhet për bukuri në rrugën e negociatave, ku nuk kalon asgjë pa miratimin e Komisionit.

Tani, le të ngrejë dorën një i vetëm këtu, në këtë sallë, jashtë mureve të kësaj salle, kudo në Shqipëri apo jashtë kufijve të Shqipërisë, dhe të thotë: “Po, unë e kisha imagjinuar, në kohën e koreve shurdhuese të sharrave elektrike dhe atyre shkulmuese të çifteve shfarosëse, se do vinte një ditë kur, po në të njëjtin bulevard ku, në atë kohë sharrash dhe çiftesh, protestuesit vriteshin si shpendët e lagunave, me plumba nga dritaret e Kryeministrisë, do vërshonte një protestë masive qytetare për fatin e biodiversitetit të një lagune të vendit.”

Por ja që, nëse do ta shtrëngonim me zor dikë që t’i thonim: “Po mirë, po dakord, parafytyroje, kur mund të vijë ajo ditë?”, nuk ka shans që të thoshte se ajo ditë do të vinte kaq shpejt dhe Shqipëria, ku, deri dje natyra dhe popullsia e specieve të saj ishte preja e pambrojtur e njeriut të lëshuar nga çdo zinxhir etik, moral dhe ligjor, në raport me nënën natyrë, u bë vendi i një proteste popullore që mori si shkak një zog dhe një lagunë. Jo vetëm kaq, por për ta mbrojtur zogun dhe lagunën nga unë dhe nga ju, që biodiversitetit i kemi kthyer përkushtimin e ekzekutivit dhe të legjislativit, me rezultate aspak modeste.

Mosmirënjohje? Në asnjë mënyrë, jo! Edhe këtu çelësin na e jep ai që e kuptoi shumë herët dhe shumë më qartë se shumë të tjerë. Tocqueville, prapë: pakënaqësia nuk rritet thjesht në një realitet ku njerëzit e kanë humbur shpresën, por rritet, mbi të gjitha, aty ku shpresa është rritur më shpejt se realiteti sepse, kur një shoqëri bindet nga vetë fakti se ndryshimi po ndodh, duke e prekur me sy që ndryshimi është i mundur, çdo gjë që ende nuk ka ndryshuar i duket e padurueshme.

Bulevardi i flamingove është prova më shembullore se shqiptarët nuk e krahasojnë më Shqipërinë me vendin e mungesave, nga ku ne të gjithë së bashku u nisëm me bekimin e tyre, po me vendin e mundësive ku ata mezi presin të mbërrijnë.

Prandaj, nuk na vlerësojnë më vetëm për çfarë kemi ndryshuar. Madje, sikur duan ta harrojnë edhe atë që e mbajnë mend akoma, sepse janë të përqendruar të na gjykojnë gjithnjë dhe me më pak mëshirë për gjithçka që, pikërisht sepse panë sa shumë mund të ndryshojë, nuk pranojnë dot të mbetet siç ishte.

Prandaj, shokë dhe shoqe, Udhëkryqi për të cilin kam folur edhe më parë, po as jam kuptuar si duhet, as kam qenë në gjendje ta perceptoj sa duhet përpara se ta shikoja veten tek pasqyra e bulevardit të flamingove, është ky: “Ne e nxorëm Shqipërinë nga epoka e mungesave, ne dhe askush tjetër. Prandaj sot përballemi me një popull që nuk e mat më Shqipërinë me mungesat e saj, po me pritshmëritë e veta.

Një popull që nuk na vlerëson më sa do të donim ne për gjithçka kemi bërë deri këtu, po na kërkon llogari më shumë sesa do donim ne për gjithçka që mbetet për t’u bërë. Një popull që bezdiset kur i tregojmë nga sa poshtë jemi nisur, për t’u ngjitur deri këtu dhe që na tregon se sa lart do të jetë, pa pritur kohën që duhet për t’u ngjitur me ne ose pa ne. Dhe ka të drejtë. Pikë. Ka të drejtë!

Kush përpiqet ta zvogëlojë apo ta relativizojë përmasën e kësaj të drejte që na e tregoi bulevardi i flamingove, do zvogëlohet dhe do relativizohet deri në irrelevancë. Madje, madje, sa më i madh dhe i fortë të jesh përballë kësaj të drejte, aq më në rrezik je, nëse nuk e kupton se kjo e drejtë është më e madhe dhe më e fortë se ti, qofsh dhe vetë Partia Socialiste apo u quajtsh edhe Edi Rama po deshe.

Tre mandate me radhë ne folëm me gjuhën e fakteve, sa rrugë, sa shkolla, sa spitale, sa investime sa turistë sa rritje ekonomike. Faktet janë dhe do të mbeten aty, kokëfortësisht dëshmitare për ne qe e transformuam këtë vend deri këtu fatkeqësisht nga një realitet që bënte lajm vetëm për keq në një shtet në gjunjë, që nuk kishe as drita se gjysma paguante për gjysmën tjetër nga një emër të përbuzur të shpërfillur ndërkombëtarisht në një destinacion të dëshiruar me një flamur ndërkombtarisht të respektuar. Por kjo është histori, ne jemi aktualitet, kjo është histori.

Në pasqyrën e bulevardit të flamingove unë pashë një të vërtetë tronditëse që asnjë statistike nuk e tregon, por që asnjë provën nuk e rrëzon.

Ne, lart kishim fakte, njerëzit poshtë kishin përjetimin. Fakti ynë ishte se investimi i Zvërnecit është tokë private, përjetimi i tyre ishte se toka e shtetit po i shitej të huajve. Fakti ynë ishte se projekti është ende sot që flasim në duart e një skuadre arkitektësh, inxhinierësh mjedisorë, gjeologë dhe hidrologë ndër më të mirët në botë, përjetimi i tyre ishte se ndërtimi kishte nisur dhe duhej anuluar. Faktet tona thoshin se ne kishim me vete të vërtetën, por përjetimi i tyre ishte se e vërteta ishte e gjitha në anën e tyre, pa diskutim në atë protestë pati ndërhyrje të huaj brutale manipulime të panumërta, lajme të rreme, video të deformuara dhe plot aktorë të vënë me qëllime nga më të ndryshmet në funksion të shumëfishimit të zemërimit.

Edhe këto, janë fakte dhe ishin pjesë e rëndësishme e protestës.

Ekspozimi dhe analiza e tyre janë të domosdoshme për ta kuptuar atë protestë në çdo dimension, por asnjë prej tyre dhe as të gjitha bashkë nuk ishin zemra e atij manifestimi spektakolar që e ktheu bulevardin në hendek, në hendekun më të dukshëm të mundshëm mes fakteve tona dhe përjetimit të njerëzve. Përgjigja për themelin e atij hendeku nuk duhet kërkuar te ato pjesët e bashkëngjitura të protestës, por duhet gjetur te pritshmëritë e rritura të njerëzve dhe konflikti i tyre me përvojën e përditshme.

Duam ne, s’duam ne, njerëzit presin përditë dhe më shumë dhe bëhen gjithnjë e më pak tolerantë sidomos pastaj ndaj përvojave të tyre të hidhura me administratën që si mijëra e mijëra pika të mbledhura lart e poshtë derdhën kupën e durimit të tyre në bulevard.

Ai hendek nuk u hap për të qëndruar ashtu, por për t’u mbyllur dhe mbyllja e tij nuk bëhet dot as duke bërë sikur ai u mbyll vetë, meqë bulevardi u zbraz nga flamingot dhe aty mbetën vetëm puplat e ditëzinjve dhe vezët e punëzinjve, as duke u kapur thjesht e më fort pas fakteve dhe duke menduar ne, se përjetimi i popullit do të ndryshojë kur ne t’ia përsërisim faktet tona edhe 100 herë të tjera, as duke bërë thjesht ca lëvizje njerëzish dhe duke bindur veten se populli do të bindet kur të shijojë veprën aty, ku sot ai shikon “atdheun e nxjerrë ne shitje”.

Asnjë nga këto, as të tëra bashkë nuk mjaftojnë dot për ta mbyllur atë hendek dhe për ta kuptuar deri në fund atë hendek. Harrojini faktet tona dhe fokusohuni te përjetimi i njerëzve sepse kur midis faktit tonë dhe përjetimit të njeriut të zakonshëm hapet një hendek i atillë, atë e ka hapur rënia e besimit se pritshmëritë e tij do realizohen dhe kur besimi për këtë arsye ka rënë edhe fakti më kokëfortë fillon duket si gënjeshtër, por më keq, më zi edhe gënjeshtra më e madhe fillon duket si vërtetë.

Patjetër që, ajo protestë e thashë nuk mund të kuptohet pa renë e mbingarkuar të të dhënave digjitale mbi bulevardin e flamingove, e cila mblodhi dhe lëshoi një pafundësi sinjalesh në të gjitha anët e globit sepse Zvërneci nuk mbante vetëm peshën e një investimi të madh, të një lagune të ndjeshme, pikëpyetjeve mbi pronën, të një vendimmarrje të debatueshme, të cilat krijuan patjetër një forcë magnetike mbi planetin tokë pas viralitetit të një videoje, ku brishtësia e individit që proteston përplaset me gardhin e lartë me tela me gjemba, si të ishte një kufi i pakapërcyeshëm mes jetës së tij dhe një rruge të madhe zhvillimi që e ka flakur atë jashtë shtratit të saj.

Mbi Zvërnecin qëndronte dhe hija e emrit më polarizues të politikës dhe medias botërore përderisa në qendër të projektit ishte dhëndri dhe e bija e tij. Pa atë lidhje protestat do të ishte në rastin më të mirë një çështje shqiptare, jashtë vëmendjes së dynjasë, por falë asaj lidhjeje, ajo u bë menjëherë një legjendë globale, ku shumëkush ndër fansat e huaj të protestës përfshirë dhe një senator mitik të Shteteve të Bashkuara do ta shikonte Shqipërinë si shëmbëlltyrën guximtare të një Davidi të vogël që u ngrit dhe u rebelua ndaj Goliathit të plotfuqishëm duke bërë thirrje që bota mbarë ta merrte nga Shqipëria mësimin dhe të ngrihej në atë revolucionin e madh dhe të shumëpritur të ish proletareve. Ky është fakti i kohës së kanaleve sociale, ku noton sot bota.

Zvërneci dha videon revoltuese, flamingoja dha simbolin magjepsëses, hija e vjehrrit më të famshëm në botë dha magnetin global dhe algoritmi i yshtur dhe nga ustallarë të ndërhyrjes në punët e vendeve të tjera bëri pjesën tjetër. Me një shkrepëse të ndezur pranë pyllit me pisha në Nartë shpërndau brenda pak orësh si zjarr marramendës anembanë botës.

Zelli i kundërshtarëve të gjithandejshëm për të luftuar me vjehrrin e madh në çdo çast, për çdo gjë dhe kudo qoftë e ktheu në skenë identifikimi me qindra miliona njerëz në disa kontinente bulevardin e transformuar në hendek. Ama prapë shkaku i hendekut ishim ne dhe zemra e protestës ishin njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.

Prandaj, përgjigja për ta duhet të jetë e jona dhe jo e sharlatanëve, ekstremistëve apo çdo dështaku publik që në këto raste gjenden gjithmonë gati me receta çudibërëse për popullin të cilat shkruhen vetëm me një parim, “o burra të rrëzohet gjithçka, të rregullohet çdo gjë dhe unë të kap diçka”.

Ata kishin nevojë për plagën, por nuk e krijuan ata protestën, e rrëmbyen dhe vazhduan ta mishërojnë si llumi që dekanton pasi thahet prurja e ujit të rrjedhshëm. Tani vazhdojnë të kruajnë plagën me nervozizëm, duke u mbledhur si pupla të zeza mbi bulevard apo rrotull Parlamentit pasi zemra e protestës ka ikur ka shtegtuar bashkë me famingot.

Ata nuk janë armiqtë e Shqipërisë, por bij të verbër të saj që në shumicën e tyre ecin pa ditur ku shkojnë dhe as nuk e kanë haberin se janë njëkohësisht “mishi për top” i armiqve dhe dashakëqijve të huaj të Shqipërisë, në radhë të parë, atyre shtetërorë, që lëshuan përmes resë digjitale breshërinë masive avatarësh në profile false, të cilat tanimë, i kemi të dokumentuar.

Po çfarë interesi kanë ustallarët malinj në Shqipëri? Zero. As për qeverinë, as për opozitën, as për popullin, zero. Vetëm kaosin dhe rrënimin e besimit që shqiptarët të mos i besojnë më askujt, as shtetit, as medias, as drejtësisë, as parlamentit, as Europës, as njeri-tjetrit, sepse një vend pa besim është i pambrojtur dhe një demokraci pa besim është një “shesh për përshesh”.

Fakti që, për herë të parë, Shqipëria përjetoi shijen e keqe të ndasisë fetare dhe të urrejtjes etnike, të cilat u manifestuan për turpin e të gjithëve ne, në rrugën e protestës ishte drejtpërdrejtë objektivi i operacionit të tyre, shenjëstrimi i kombit hebre, me një antisemitizëm të panjohur për Shqipërinë deri në atë moment, që shkoi deri të shkulja e flamurit të ambasadës së Izraelit, edhe ajo e nxitur nga elementë të huaj që në atë rast ishin fizikisht rrotull dhe shfrytëzuan një tufë nga të verbrit vendor, ishte përdhunimi publik i kujtesës së shenjtë të atyre familjeve shqiptare me shumicë myslimane që i dhanë lavdi dhe nder përjetë Shqipërisë, duke marrë në mbrojtje hebrenjtë me jetën e tyre dhe duke i treguar Evropës së madhe të të pasurve dhe të fuqishmeve se një vend i vogël, i varfër dhe i dobët u bë busulla e mbetur morale e një kontinenti të tërë.

Por, dhe këtu prapë duhet ta përsëris dhe të jem shumë i qartë, as ndërhyrja e aktorëve të huaj shtetërore as sponsorizimi marramendës i breshërive digjitale nga lobet e konkurrencës së industrisë mesdhetare të turizmit nuk e shpikën sëkëlldinë që i nxorën flamingot në bulevard.

Ata pa diskutim e shfrytëzuan egërsisht atë sëkëlldi dhe u përpoqën shumë ta kthejnë në një zjarr të pakontrollueshëm. Pasojat mbi sezonin turistik dhe mbi ekonominë e familjeve që jetojnë me turizmin, i tregoi bilanci i fund qershorit, kur për herë të parë pas shumë vitesh dhe krejt në kundërtendencë me janar – majin që ishin zjarr në rritje, rritja stopoi, në shifrat e qershorit të kaluar aty-aty.

Ama, dua të jem po kaq i troçtë, se duke i treguar shqiptarëve që po ndodhte kjo, asnjëherë nuk më shkoi mendja të akuzoja protestuesit e sinqertë si bashkëpunëtorë të vrasësve të Teheranit apo kukulla të tjetërkujt, që bashkë me Iranin u fut në mendjen e miletit përmes lloj-lloj postimesh ndjellakëqija dhe komentesh me gjuhë urrejtje, të cilat nuk i lexuan vetëm shqiptarët, po u lexuan kudo.

Sepse përqindja më e madhe e përmbajtjes dixhitale u prodhua në këto vende, e dokumentuar. As më ka shkuar dhe as më shkon ndërmend se mund të jetë shpallja e protestuesve si armiq dhe e kritikëve si agjentë. Reagimi im ndaj kësaj risie negative që na i futi armiqtë brenda në shtëpi, jo përmes bombardimit kibernetik si disa vjet më parë, por përmes përmbytjes së kanaleve sociale të cilin deri në qershor e kishim dëgjuar si fenomen nga historitë e pabesueshme të vendeve të tjera demokratike dhe përtej rritjes së domosdoshme të kapaciteteve teknologjike mbrojtëse, ne duhet ta shtrijmë reagimin dhe për këtë tek adresimi i atij hendekut duke dëgjuar më herët, shpjeguar më qartë dhe mbi të gjitha duke e bërë këtë me empati për njerëzit.

Pas fitores së madhe që na dha 83 mandate, e kam thënë në disa takime të brendshme me ju, ajo fitore sa ç’është bekim është dhe mallkim. Bekim sepse na dha forcën për të vazhduar transformimin me besimin e madh të popullit. Mallkim, jo vetëm sepse pas atij besimi të madh që na dhanë shqiptarët e shohin tek ne shkakun e çdo gjëje që nuk shkon, por dhe sepse fitoret e mëdha si ajo e qershorit të shkuar e kthejnë në mbipeshë të përjetuar keq çdo përplasje mes realitetit dhe pritshmërisë së qytetarit.

Dhe kjo, sado e pamëshirshme t’ju duket është rrjedhojë e faktit që ne vetë e bëmë Shqipërinë një vend ku tanimë krahasimet nuk i bën më thuajse askush me dje, po të gjithë i bëjnë me Europën e zhvilluar.

Por ne, jo vetëm nuk kemi drejtë të ankohemi pse po gjykohemi kështu, po duhet pranojmë dhe atë që dhëmb edhe më shumë. Faktet tona shpesh nuk dëgjohen edhe sepse përjetohen si arrogancë. Jo se janë të rreme, as vetëm sepse vijnë pa dëgjim përpara, pa shpjegim të mjaftueshëm më pas, po sepse dhe kur jepen, jepen pa empati. Një e vërtetë e thënë me arrogancë mund të humbasë përballë një gënjeshtre të thënë me empati.

Dhe që të kuptohemi mirë se për çfarë po flas, dëgjoni një tjetër nga një duzinë historish që unë i kam ndarë veç, i kam shënuar duke parë pasqyrën e bulevardit të flamingove. Për bujqësinë ne kemi bërë sa nuk ishte bërë kurrë. E thonë statistikat e prodhimit, të eksporteve, të mbështetes për fermerët. Po një djalë që akoma sot unë nuk e njoh për fytyrë, po e quaj Arbër, pasi s’kam leje t’i përdor emrin, nuk e nxori bulevard mospajtimi me statistikat, as kundërshtia me faktet tona kokëforta në mbështetje të bujqësisë. E nxori përjetimi, përvoja e mungesës së empatisë në marrëdhënien e tij personale me shtetin.

Ai është një fermer nga një fshat i Lushnjës, ka tetë vjet që merret me bujqësi. E nisi me një hektar manaferra, krijoi një shoqëri bashkëpunimi bujqësor. Kaloi te kajsitë e një varieteti të patentuar dhe sot ka 12 hektarë me kajsi. Ka lidhur marrëveshje me një kompani të madhe italiane dhe ka përgatitur një plan biznesi prej 1.5 milion eurosh për të investuar në 80 hektar tokë publike në Vlorë, plan të cilin e ka çuar në Ministrinë e Bujqësisë. Tre vjet priti përgjigjen, Jo tokën, përgjigjen. As po, as jo. As bëhet, as nuk bëhet. Rri prit.

Në mesazhin e tij, Arbëri shkruajti, citoj: “Nuk e di nëse jam sorrë, flamingo apo korb. Jam një katunar që e dua sadopak këtë vend.”

Unë fola me të po në atë pasqyrën e bulevardit të flamingove ishin plot si ai . Unë pashë se sa e padurueshme është bërë për njerëzit mungesa e empatisë së njerëzve të shtetit, arroganca e zyrtarëve pa gjak, që u flasin sikur të kenë karrige në vend të fytyrës, ndërkohë që fytyrën e kanë parkuar në vend të prapanicës. Dhe këtu s’po flas fare, hiç, për ata që u kërkojnë dhe lekë, se pastaj është fjalim më vete ky.

Dua ta dëgjojnë të gjithë “Arbëri”-t e atij bulevardi se nuk janë as sorra, as korba, ata janë flamingo. Sepse flamingo nuk është kush na jep të drejtë gjithnjë, po kushdo që na kujton të drejtën që ka për të na kërkuar llogari.
Flamingot janë revolta e brendshme, paqësore e qytetarit, sorrat janë balta e pështirë e sharlatanit.

Flamingot janë kërkesa legjitime e llogarisë qytetare, korbat janë jargët e urrejtjes ekstremiste.

Flamingot janë njerëz e krijimtarisë, të punës, djersës, që kërkojnë më shumë nga ky vend dhe më shumë vend në zhvillimin e këtij vendi.

Sorrat dhe korbat janë dështakzemrakët politikë dhe mediatikë, kemi njohur nga këta, se kemi kontribuar dhe ne për atë tufë, njerëzit e mllefeve dhe hakmarrjeve, që nuk duan të ndërtojnë asgjë, po vetëm që gjithçka të rrëzohet.

Flamingot na treguan plagën që ta mbyllim ne, sorrat dhe korbat e kruajnë plagën që ta mbajnë sa më gjatë hapur.

Flamingot kërkojnë provën e empatisë sonë, korbat kërkojnë gjak nga çdo provë e punës dhe e mundit tonë.

Flamingot na treguan dhe unë po ju rikthej tek historitë e mia me një histori që besoj e keni parë të gjithë dje. Atë nënën, atë nënën me fëmijën me spektër autik, të cilën korbat e kishin marrë me vete te Parlamenti për ta kthyer në viktimën e policisë, që ishte aty për të mbrojtur deputetët nga të verbrit e dhunshëm të Shqipërisë.

Ne sapo e kemi dyfishuar mbështetjen për fëmijët autikë. E kemi rritur mbështetjen dhe për nënat e tyre, por ky është fakti ynë, thjesht. Ndërsa përjetimi i asaj nëne është krejt tjetër. Ajo mund të mos jetë fare e informuar ose dhe mund të jetë e informuar për dyfishimin e mbështetjes për djalin, por ajo nuk e ka ndjerë kurrë empatinë tonë, aty, në atë fundin e atij hendekut mes faktit tonë dhe përjetimit të vetmisë së saj dëshpëruese dhe pikërisht aty, në fund të hendekut, e futën sorrat dhe korbat dorën e solidaritetit të tyre hipokrit, për ta marrë me vete te Parlamenti dhe për ta abuzuar atë nënë, bashkë me fëmijën autik, me të njëjtin manual që përdorin edhe terroristët, kur abuzojnë gratë dhe fëmijët, duke i përdorur si mburojë, teksa sulmonin me maska Policinë e Shtetit.

Dhe pastaj e vunë dhe përpara kamerës. E përdhunuan dhe e nxorën në mexhelis për t’i qarë hallin dhe i kthyen lotët e saj në breshër përmes algoritmit. Pastaj e lanë në fatin e saj dhe u nisën për te mikrofoni në bulevard. Njësoj si skuthat e zinj që i kemi parë në përdorimin e këtij manuali, që çojnë të tjerët “mish për top” dhe pastaj kërkojnë solidaritet për të shkretët njerëz, duke mbajtur fjalime dhe duke kërkuar që Zoti të dënojë terroristët në pushtet, në emër të viktimave të shtetit policor.

Të dashur deputetë dhe ministra, flamingoja mund të dalë kundër nesh në protestë dhe të jetë aleati ynë natyral i kësaj epoke të re. Sorrat mund të vijnë edhe rrotull nesh, edhe rrotull flamingove, po në fund, tek plaga e hapur, bashkë me korbat e kanë shpirtin.

Prandaj, vija e re ndarëse e kësaj epoke të re nuk kalon mes atyre që dolën dhe atyre që s’dolën në protestë, po kalon mes atyre që duan ta bëjnë Shqipërinë më të mirë edhe me ta dhe që Shqipëria të jetë më e mirë edhe për ta dhe atyre për të cilët Shqipëria është më e mira kur është e mirë vetëm për ta dhe bëhet menjëherë më e keqja kur ajo bëhet më e mirë pavarësisht nga ata.

Për Arbërin, fermerin e kthyer në flamingo, Shqipëria po u jepte të huajve atë që administrata shqiptare nuk denjonte as t’ia thoshte qartë nëse mund t’ia jepte ose jo atij. Një djali Shqipërie që po kërkonte prej tre vjetësh tokë për ta bërë më të mirë këtë vend edhe me punën e tij, duke e bërë vendin më të mirë edhe për familjen e tij.

Ai nuk e mbante më veten. I kishte plasur shpirti dhe shkruante nga protesta në mesazhin e tij: “Lekë për ryshfet unë nuk kam dhe as e kam çuar ndërmend, sepse edhe këto vonesa e dimë se për çfarë bëhen.”

Kur fola me të, i shpjegova situatën me procedurën, ndalimin që ne ia kemi bërë dhënies me qira të tokave të papunuara publike në bujqësi, pasi në vitet e para të qeverisjes sonë u dhanë qindra e mijëra hektarë të atilla dhe u kthyen në letra për lloj-lloj pazarxhinjsh, duke krijuar dhe konflikte me bujqit, por ç’e do. Këto fakte ai i dëgjoi pas tre vjetësh dhe unë u ndjeva si ai që s’thuhet kur ia shpjegoja. As morëm mundimin t’ia shpjegojmë si dhe sa duhet tre vjet dhe e lanë në ajër, madje krijuan dhe idenë poshtëruese që mbase duhet të paguante lekë për një gjë që s’bëhej.

Dhe normal, përballë tre viteve me plan biznesi, një njeri që jeton me tokën, një njeri që numëron kajsitë në 12 hektarët e tij, një njeri që ka partner dhe ambicie, një njeri që mban mënjanë 1.5 milion euro, çdo shpjegim që ti mund t’i japësh pasi ai ka dalë në protestë nuk tingëllon si justifikim, tingëllon si një arrogancë përmes një përralle që ai e di, a e besoi, a s’e besoi në fund.

Po di që, pasi fola me të, kërkova me zë pak më të lartë se ky sot: “Pse nuk i i ke dhënë përgjigje atij djalit? Pse duhet ai të presë tre vjet vetëm për të mësuar që kjo kërkesa jote nuk bëhet, mor vëlla?”Sepse halli nuk bëhet më i vogël kur nuk zgjidhet me një “jo”, po bëhet më poshtërues kur mbetet as “po”, as “jo”.

Pas ca orësh, vjen një mesazh me “screenshot” nga postimet e Arbërit në protestë, si për të thënë që “mos mërzitet shefi se ky tipi është kundër qeverisë, nuk u bë qameti qenka mërzitur ky”, dhe ja ku del i gjithë cullak, jo problemi që kanë flamingot me ne, por problemi që kemi ne me veten si bartës të atij besimi të mishëruar në 83 mandate.

Arbri nga Lushnja nuk është problemi ynë. Arbri nga Lushnja, është prova dhe sprova që ne kemi me veten tonë. Ky është një tjetër mësim shumë i shtrenjtë i bulevardit të flamengove dhe nga këto mësime lindi edhe ky dokumenti i parë që kam sot.

E kam titulluar me një emër shumë të vjetër dhe shumë të madh: “Besa”. E di që ky emër do të hapë debat, por e zgjodha edhe sepse ha debat. Asnjë fjalë tjetër të gjuhës sonë nuk gjeta që ta thotë më qartë çfarë kthese i duhet mandatit të katërt, që njerëzit e këtij vendi të mos i përjetojnë më vendimet tona si prerje në besë. Të mos ndihen më të padëgjuar, të painformuar dhe përveçse të padëgjuar e të painformuar, të papërfillur.

Po nuk do shtjelloj këtu dokumentin, larg qoftë, se është më shumë faqe se fjalimi, që, siç e shihni, është karakteristikisht jo i shkurtër.

Do ta merrni të gjithë me vete për ta shkoqitur qetësisht gjatë pushimeve, sepse është i hapur për, siç thashë, kontribute. Megjithëse e di që, përpara se të filloni ta lexoni, do të jetë hedhur nëpër kanalet sociale i mbuluar me pupla sorrash. “C’est la vie!”

Bashkë me dokumentin strategjik “Besa”, kam shkruar edhe një aneks për mënyrën se si Partia Socialiste duhet ta mbështesë kthesën e domosdoshme. Atë nuk do ta merrni, sepse më parë dua ta diskutoj në një takim më të ngushtë me drejtuesit politikë dhe disa nga drejtuesit e komisioneve. Më pas do ta keni të gjithë në dispozicion, edhe atë.

Ne nuk kemi, miqtë e mi, asnjë luftë për të bërë me flamingot. Po kemi vetëm një aleancë, për të ndërtuar me shumë durim me ta. Beteja sot nuk është mes qeverisë dhe qytetarit që kërkon më shumë. Është mes atyre që duan një Shqipëri më të drejtë, më të besueshme, më europiane në përvojën, në përjetimin, në eksperiencën e individit të zakonshëm në raport me shtetin dhe atyre që e kanë të domosdoshme një Shqipëri të zemëruar, të përçarë dhe pa besim tek shteti, tek institucionet, tek rregullat e bashkëjetesës demokratike. Atyre që i patë edhe dje të grumbulluar si një grup i vogël sorrash te foltorja e Parlamentit edhe pse tani bulevardi i flamengove por edhe i sorrave bashkë i ka lënë si zogj korbi të kategorisë së dytë

Aleanca që na duhet nuk është një aleancë që ne të heshtim kritikën. Është një aleancë për ta mbrojtur kritikën nga përvetësimi i ekstremistëve për ta kthyer zemërimin në ndryshim, për ta kthyer pyetjen në provë dhe për ta kthyer protestën nga një çast përplasje në një test pjekurie të demokracisë tonë.

Ne nuk kemi, po Shqipërisë as nuk i duhen qytetarë që të na besojnë ne me sy mbyllur. Ne kemi nevojë për qytetarë që na masin me sy hapur dhe më lejoni ta mbyll me dy pyetjet që i pashë të shkruara në fund mbi pasqyrën e bulevardit të flamengove.
Ku po shkon Shqipëria me këtë zhvillim dhe ku jam unë njeriu i zakonshëm në rrugën e këtij zhvillimi?

Përgjigjen e pyetjes së parë do ta jap hap pas hapi. Puna e pandalshme për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, e cila, “Shqipëria 2030” në Bashkimin Europian pra nuk është një pikë e shtuar në hartën e Europës së Bashkuar, por është një mënyrë e re jetese që sapo ka nisur të marrë formë, me paga që afrohen me ato europiane, shërbime që maten me standarde europiane, drejtësi që funksionon njësoj për të gjithë, mundsi që mbajnë më shumë fëmijët tanë këtu dhe që kthejnë gjithmonë e më shumë ata që kanë ikur.

Ndërsa përgjigjen e pyetjes së dytë, pra ku jam unë njeriu i zakonshëm në rrugën e këtij zhvillimi, do ta kërkojmë bashkë me njerëzit duke nisur pikërisht nga kjo metodë: Besa. Ku qytetari nuk është spektator i zhvillimit, as pengesë e tij, por është bashkudhëtar dhe gjykatës njëkohësisht.

Kur një investim pretendohet që i shërben interesit publik, ne duhet të provojmë çfarë pune krijon, për kë? Çfarë të ardhurash sjell, për kë? çfarë garanton për natyrën, për pronën dhe të drejtat dhe në fund si ndahet fitimi dhe jo vetëm duhet ta bëjmë këtë, por duhet ta bëjmë me empati. Zhvillimi që nuk provohet dot pa ndodhur, se i shërben njeriut, sado i rëndësishëm dhe i dobishëm të jetë, prodhon atë që pamë në bulevard, të huajësimin e njeriut në raport me zhvillimin. Zhvillimi nuk bëhet mbi apo rreth qytetarit, por bëhet bashkë me të dhe për të. Kjo është ajo që përsëri na nxjerr, jo vetëm tek faktet, por tek empatia në radhë të parë.

Dhe në mbyllje, tre mandatet e para ju përgjigjën pa diskutim dhe këtë e kemi me certifikatë ne, se e kanë vulosur shqiptarët pyetjes nëse Shqipëria mund të ndryshonte. Përgjigja është dhënë dhe është e pakthyeshme. Mandati i katërt do t’i përgjigjet një pyetje më të vështirë. A mund të bëhet ky ndryshim i qëndrueshëm, i besueshëm dhe i të gjithëve? Dhe duhet t’i përgjigjet kësaj pyetje me empati. Kjo është kthesa, nga transformimi i vendit te besueshmëria e transformimit; nga autoriteti që mjaftohet me pushtetin, te autoriteti që mbështetet te besimi; nga fjala e dhënë politikisht, te fjala e kontrollueshme institucionalisht.

Atyre njerëzve të zakonshëm që mbushën bulevardin dua t’i them një fjalë të fundit. Ju kam dëgjuar! Flamingot nuk i mban në lagunë as gardhi as dekreti. I mban vetëm uji i qetë. Kur uji trazohet, ngrihen, ikin dhe kthehen vetëm kur e gjejnë ujin ashtu siç e duan. Kështu është dhe besimi i një populli. Nuk vritet me një krisëm, largohet kur trazohet uji dhe nuk kthehet me thirrje, por vetëm kur gjen ujin miqësor.

Puna e mandatit të katërt është një dhe e vetme, të mbledhim ngado, nga të gjitha burimet, ujin e trazuar të besimit dhe ta bëjmë këtë me empati dhe flamingot do kthehen.

Rilindja 2.0 është emri që ne i vumë ciklit të ri politik.
“Besa” është metoda për ta kthyer atë cikël në një përvojë të re për qytetarët e Shqipërisë.
Faleminderit”!

/m.m/

The post Fjala e plotë e kryeministrit Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Mandati i katërt do ta bëjë ndryshimin e Shqipërisë të qëndrueshëm dhe të besueshëm

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se “Shqipëria 2030” në Bashkimin Europian përfaqëson një mënyrë të re jetese, ndërsa theksoi se mandati i katërt synon që ndryshimi i vendit të bëhet i qëndrueshëm dhe i besueshëm për të gjithë.

Sipas Ramës, “Shqipëria 2030” në Bashkimin Europian nuk është një pikë e shtuar në hartën e Europës së Bashkuar, por është një mënyrë e re jetese që sapo ka nisur të marrë formë.

“‘Shqipëria 2030’ është vendi me paga që afrohen me ato europiane, shërbime që maten me standarde europiane, drejtësi që funksionon njësoj për të gjithë, mundësi që mbajnë më shumë fëmijët tanë këtu dhe që kthejnë gjithmonë e më shumë ata që kanë ikur”, shtoi Rama.

Rama theksoi se tre mandatet e para iu përgjigjën pyetjes nëse Shqipëria mund të ndryshonte.

Ndërsa mandati i katërt, sipas tij, “do t’i përgjigjet një pyetje më të vështirë, a mund të bëhet ky ndryshim i qëndrueshëm, i besueshëm dhe i të gjithëve”.

“Dhe duhet t’i përgjigjet kësaj pyetje me empati. Kjo është kthesa, nga transformimi i vendit te besueshmëria e transformimit; nga autoriteti që mjaftohet me pushtetin, te autoriteti që mbështetet te besimi; nga fjala e dhënë politikisht, te fjala e kontrollueshme institucionalisht”, shtoi ai.

Duke iu drejtuar njerëzve të zakonshëm që mbushën bulevardin, Rama i siguroi se i ka dëgjuar.

“Flamingot nuk i mban në lagunë as gardhi as dekreti. I mban vetëm uji i qetë. Kur uji trazohet, ngrihen, ikin dhe kthehen vetëm kur e gjejnë ujin ashtu siç e duan. Kështu është dhe besimi i një populli. Nuk vritet me një krisëm, largohet kur trazohet uji dhe nuk kthehet me thirrje, por vetëm kur gjen ujin miqësor”, tha Rama.

Ndaj, sipas tij, “puna e mandatit të katërt është një dhe e vetme, të mbledhim ngado, nga të gjitha burimet, ujin e trazuar të besimit dhe ta bëjmë këtë me empati dhe flamingot do kthehen”.

“Rilindja 2.0 është emri që ne i vumë ciklit të ri politik. “Besa” është metoda për ta kthyer atë cikël në një përvojë të re për qytetarët e Shqipërisë”, tha në përfundim kryeministri. /j.p/

The post Rama: Mandati i katërt do ta bëjë ndryshimin e Shqipërisë të qëndrueshëm dhe të besueshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Reforma jonë në drejtësi e ngriti luftën ndaj korrupsionit në nivele që as nuk imagjinoheshin

TIRANË, 24 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste komentoi sot disa prej kërkesave të qytetarëve në protestë, ndërsa u shpreh se “asnjë sukses nuk e ul kërkesën, vetëm e rrit”.

Në mbledhjen e përbashkët të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar, Rama iu referua  Alexis de Tocqueville, një ndër studiuesit më të mprehtë të demokracisë dhe ndryshimit shoqëror, i cili sipas tij ka lënë një paralajmërim me shkrim tamam për këtë fazë ku kemi hyrë.

“Çasti më i rrezikshëm për një qeveri vjen pikërisht, kur jo ka nisur t’i ndryshojë gjërat dhe shembujt e ndryshimit që ne kemi sjellë në këtë vend janë të panumërt në çdo drejtim, ndërkohë që rreziku për të cilin ai shkruan është tanimë fare i lexueshëm”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se për mbi 100 vjet në Shqipëri nuk ishte hetuar dhe aq më pak gjykuar në mënyrë të pavarur asnjë zyrtar i lartë.

“Ndërsa korrupsioni ishte pranuar nga të gjithë si të ishte fataliteti i një fatkeqësie kronike natyrore. Më kujtohet se kur njerëzit e mbështesnin edhe me dorën e djathtë dhe me dorën e majtë reformën në drejtësi, duke kërkuar vetingun si besimtarët që kërkojnë shpëtimtarin prapëseprapë pyetjes nëse besonin se ata do shihnin një ditë zyrtarë të lartë përpara drejtësisë i përgjigjeshin masivisht: jo. Reforma jonë në drejtësi e ngriti luftën ndaj korrupsionit në nivele që deri dje, as nuk imagjinoheshin”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se edhe pse monumenti i  pandëshkueshmerisë ra, ky fakt nuk mjafton fare që njerëzit t’i gëzohen kësaj arritje historike, përkundrazi, ky fakt del dhe tepron që ata të jenë të pakënaqur pse nuk bëhet më shumë.

Po ashtu, Rama kujtoi se për 30 vjet shqiptarët ndenjën në radha kilometrike për të marrë shërbimet më elementare duke pritur në shi dhe në diell një dokument të rëndomtë, apo duke ardhur nga jashtë për të kaluar gjysmën e pushimeve nëpër sportele.

“Sot 95% e shërbimeve publike në Shqipëri merren nga celulari, falas dhe merren dhe nga çdo pikë e botës, por ky fakt nuk mjafton fare, që njerëzit t’i tolerojnë më lehtë shërbimet që ende çalojnë. Përkundrazi, del dhe tepron që toleranca e tyre të jetë thuajse zero”, shtoi ai.

Rama përmendi edhe rastin e së ëmës së një shoku, mbi 80 vjeçe që u bë pjesë e protestës.

“Ajo doli në protestë, jo për Zvërnecin, jo për ligjin e zonave të mbrojtura, as për biodiversitetin, doli ngaqë sa herë i duhej të vizitohej në poliklinikë për një sëmundje kronike, ngrihej pa zbardhur dita bashkë me të moshuar të tjerë për të zënë radhën pasi mjeku në atë poliklinikë shkonte vonë dhe rrinte dy, tre orë”, shtoi Rama.

“Ne, mund t’i tregojmë tani asaj gjysheje sa spitale kemi ndërtuar, sa pajisje kemi blerë, si ka ndryshuar si nata me ditën sistemi ynë shëndetësor krahasimisht me kohët kur morëm detyrën. Të gjitha këto dhe gjithçka mund t’i numërojmë asaj për punët e panumërta që ne kemi bërë për shëndetësinë, janë fakte si drita e diellit, por fakti i saj është përvoja e asaj radhës në poliklinikë kur dielli s’ka dalë akoma. Dhe kur faktet tona përplasen me përvojën e gjyshes ne nuk mund t’i kërkojmë asaj të ndryshojë përvojën. Duhet të ndryshojmë ne”, tha Rama.

Ne, vijoi ai, “nuk do të jemi më këtu, nëse vazhdojmë të besojmë se mjaftojnë investimet dhe faktet e përparimit që njerëzit të vazhdojnë ta investojnë besimin e tyre tek ne.

“Pa ndryshuar diçka domethënëse në cilësisë e përvojës së tyre me shtetin. Përsëri, këtu na vjen në ndihmë Tocqueville, abuzimet që zhduken e bëjnë më të padurueshme peshën e abuzimeve që mbeten. Kur fryma e përparimit bëhet e qëndrueshme dhe zhvillimi i pandalshëm, pritshmëritë e qytetarëve nuk ulen po rriten dhe rriten më shpejt se shpejtësia e ndryshimit. Asnjë sukses nuk e ul kërkesën, vetëm e rrit”, tha Rama. /j.p/

The post Rama: Reforma jonë në drejtësi e ngriti luftën ndaj korrupsionit në nivele që as nuk imagjinoheshin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama prezanton dokumentin “Besa”: Aleancë për të kthyer protestën e flamingove në test pjekurie të demokracisë

TIRANË, 24 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama siguroi sot se vendimet e qeverisë nuk do të përjetohen si prerje në besë, ku qytetarët të ndihen të painformuar dhe të papërfillur.

Për këtë arsye Rama prezantoi dokumentin e titulluar “Besa”, një aleancë sipas tij, për të kthyer protestën e flamingove në test pjekurie të demokracisë.

“E kam titulluar me emër të vjetër dhe shumë të madh: Besa. E di që do të hapë debat, por e zgjodha edhe pse do të hapë debat. Nuk gjeta asnjë fjalë që ta thotë më qartë që vendimet të mos përjetohen më si prerje në besë, të mos ndihen si të padëgjuar e të painformuar, të papërfillur”, tha Rama.

Rama theksoi se ka shkruar po ashtu një ankes për mënyrën si PS do ta mbështesë kthesën

“E di që para se ta lexoni do të jetë hedhur në kanale sociale, i mbuluar me pupla sorrash. Beteja sot nuk është mes qeverisë dhe qytetarëve. Është mes atyre që duan një Shqipëri më të drejtë e të besueshme dhe atyre që e kanë të domosdoshme një Shqipëri të përçarë dhe pa besim te shteti. Atyre, që i patë edhe dje, të grumbulluar si një grup i vogël sorrash te foltorja e parlamentit. Edhe pse tani, bulevardi i ka lënë si zogj korbi të kategorisë së dytë”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se aleanca që na duhet është për ta mbrojtur kritikën, për ta kthyer zemërimin në ndryshim, pyetjen në provë dhe protestën nga një çast përplasjeje në një test pjekurie të demokracisë. /j.p/

The post Rama prezanton dokumentin “Besa”: Aleancë për të kthyer protestën e flamingove në test pjekurie të demokracisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Protestuesit nuk janë mosmirënjohës, janë matësi i ri i standardeve tona

TIRANË, 24 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot  ata që protestuan në Bulevard gjatë muajit qershor nuk janë mosmirënjohës, por janë matësi i ri i standardeve tona.

Në mbledhjen e grupin parlamentar dhe kabinetit qeveritar, Rama u ndal te protesta e zhvilluar gjatë muajit qershor kundër investimit në Zvërnec.

Rama theksoi se gjatë muajit qershor bulevardi u mbush me njerëz nga të gjitha rrugët e jetës, nga të gjitha kategoritë shoqërore, moshat dhe një shpend i rrallë, i bukur dhe i brishtë u bë simbol i vëmendjes më të madhe globale që Shqipëria ka përjetuar ndonjëherë brenda 1 muaji.

“Kam sjellë me vete edhe dy dokumente që mishërojnë reflektimin tim përpara pasqyrës së bulevardit të flamingove dhe janë të hapura për t’u lexuar, analizuar dhe ndryshuar që ta përmbushin sa më mirë qëllimin e tyre: dokumenti strategjik për kthesën që duhet të garantojë mandati i katërt në procesin qeverisës dhe i dyti është një aneks për mënyrën se si PS duhet ta mbështesë kthesën e mandatit të 4-t”, tha Rama.

Kryeministri solli në vëmendje episodin e një kryebashkiaku, i cili u indinjua nga protesta e një grupi qytetarësh.

“Qëlloi pikërisht në një nga ditët e qershorit që një kryetar bashkie, shok i yni, njeri që i rri në kokë punës dhe komunitetit më erdhi shumë i acaruar me një grup qytetarësh që i kishin dalë në protestë për një problem në lagjen e tyre në periferi të asaj bashkie. ‘I kam gjetur në llum, nuk kishin rrugë, trotuare, për ndriçim nuk bëhej fjalë. I bëra me rrugë, trotuare, me drita, me pemë, u bëra kopsht dhe u vura dhe stola, por janë mosmirënjohës'”, solli Rama në vëmendje bisedën.

Por, sipas kryeministrit “pikërisht kjo fjalë, mosmirënjohës, është pikënisja e perspektivës së re që na duhet, sepse në përmbajtjen e saj gjendet kuptimi më i gabuar i fazës së re ku ka hyrë Shqipëria”.

“Prandaj dua që t’ua them unë atyre që dolën në bulevard gjatë qershorit dhe atyre që kanë protestuar në heshtje, pa zë, vetëm apo me të tjerë kudo në Shqipëri apo jashtë, jo vetëm gjatë qershorit por qysh pas zgjedhjeve të qershorit të kaluar: Ju nuk jeni mosmirënjohës, jeni matësi i ri i standardeve tona. Ju që mbushët bulevardin nuk protestuat kundër Shqipërisë që ne ndërtuam gjatë 3 mandate të para. Edhe ata që gjatë ditës ishin në punën e shtetit dhe në mbrëmje shkonin në protestë nuk dolën në bulevardin e flamingove për të sulmuar qeverinë apo për t’ju bashkuar këngës ‘Rama jepe dorëheqjen'”, tha Rama. /j.p/

The post Rama: Protestuesit nuk janë mosmirënjohës, janë matësi i ri i standardeve tona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 23 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Lamallari: Relativizimi i dhunës, një nga format më të shëmtuara të nxitjes së saj

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari u shpreh sot se relativizimi i dhunës është një nga format më të shëmtuara të nxitjes së saj.

Lamallari replikoi pas një postimi në rrjetet sociale të gazetarit Mentor Kikia, i cili dënon ndalimin e një aktivisti të protestës sipas tij, “nga dy civilë të paidentifikuar”.

Ministri Lamallari e konsideroi këtë koment si minimizim i një akti flagrant dhune ndaj një punonjësi policie, dukshëm i gjakosur pas goditjes në kokë nga individë të dhunshëm të cilët nuk mund të justifikohen kurrsesi në emër të kostove të një proteste.

“Aq më keq pastaj, kur vëmendja dhe përgjegjësia spostohet aty për aty tek mungesa e pajimeve mbrojtëse apo përgjegjësia e eprorëve. Kjo nuk është as më shumë dhe as më pak se fajësimi i ‘viktimës’”, tha Lamallari.

Duke sqaruar opinionin publik lidhur me tymnajën e ‘terrorit’, Lamallari u shpreh se “personat që shoqërojnë qytetarin e shfaqur në videon e publikuar janë punonjës të Policisë së Shtetit, me detyrë agjentë të Policisë Kriminale në një nga Komisariatet në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë”.

“Nga analizimi i pamjeve filmike të administruara, janë identifikuar persona të cilët, gjatë protestës, kanë goditur me sende të forta punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin në krye të detyrës. Si pasojë e këtyre sulmeve janë dëmtuar 6 punonjës policie, 3 prej të cilëve kanë pësuar dëmtime më të rënda fizike”, tha Lamallari.

Në përmbushje të detyrave funksionale dhe në zbatim të ligjit, Lamallari theksoi se “punonjësit e Policisë Kriminale kanë të drejtë të mbajnë në vëzhgim persona të dyshuar për përfshirje apo mbështetje të akteve të dhunshme gjatë tubimeve, si dhe, në momentet e përshtatshme operative, të kryejnë shoqërimin e tyre për veprime të mëtejshme procedurale”.

Sipas tij, punonjësit e Policisë, në momentet e para të ndërhyrjes, i janë prezantuar personit të shoqëruar si agjentë të Policisë Kriminale.

“Policia e Shtetit është e angazhuar në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe ushtron veprimtarinë e saj vetëm brenda kuadrit të përcaktuar nga ligji. Pretendimet për ushtrim “terrori”, të paraqitura në videon e publikuar, nuk qëndrojnë. Punonjësit e Policisë kanë vepruar në përputhje me procedurat standarde të punës dhe protokollet për menaxhimin dhe garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimeve”, tha Lamallari.

Gazetari Mentor Kikia paraqiti sot në rrjetet sociale një video nga ndalimi i një protestuesi, ndërsa e cilësoi aktin e ndalimit “terror nëpër rrugë”.

“Si mundet, që dy civilë të pa identifikuar, të marrin me dhunë një njeri në rrugë, në mes të qytetarëve që shastisen. Sepse ky ishte një aktivist proteste. Edhe pse të protestosh nuk është vepër kriminale! Përplasja në protestë është tjetër gjë. Ndalimi, edhe pa shkak madhor, nga policë me uniformë mund të quhet i pranueshëm. Por, civilë pa asnjë shenjë dalluese, që nuk prezantohen dhe marrin ‘peng’ njerëz në rrugë është e frikshme”, shprehet ndër të tjera Kikia.

/m.m/a.f/

The post Lamallari: Relativizimi i dhunës, një nga format më të shëmtuara të nxitjes së saj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama mbledh nesër grupin parlamentar dhe qeverinë: Ndaj reflektimin tim mbi pasqyrën e bulevardit të flamingos

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama njëherësh kryetar i Partisë Socialiste do të zhvillojë nesër një mbledhje të zgjeruar me grupin parlamentar dhe qeverinë.

Kryeministri Rama ndau në rrjetet sociale momente nga përgatitja e fjalës që do të mbajë në këtëmbledhje, ndërsa jashtë zyrës së tij në kryeministri dëgjohen thirrjet e protestuesve për dorëheqje, të cilën e cilësoi si “këngën e tij të perefruar”.

“Mirmroma ka Tirona e kontradiktave. Zhurm, zhurm, shum, shum zhurm. Përgatitje me audio live nga bulevardi. Kush ka interes nesër paradite do jem live”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri informoi se në këtë mbledhje do të ndajë të gjithë reflektimin e tij mbi pasqyrën e bulevardit të flamingos.

“Jam duke shkruar fjalën për nesër në mbledhjen e grupit parlamentar edhe të qeverisë dhe desha të ndaj me ju këtë moment, sepse ky kor ‘Rama pjepe dorëheqjen’, më ekzalton. Shihemi nesër paradite, nuk e di orën e saktë. Mbledhja fillon në 9:30, por do ishte kënaqësi të ndaja me ju të gjithë reflektimin tim mbi pasqyrën e bulevardit të flamingos. Ai që ishte se ky që ka mbetur është i sorrave dhe i korbave”, tha Rama.

/m.m/a.f/

 

The post Rama mbledh nesër grupin parlamentar dhe qeverinë: Ndaj reflektimin tim mbi pasqyrën e bulevardit të flamingos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: 11 567 biznese të reja në 6 muaj, rritje me 7.5%

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Në Shqipëri janë regjistruar 11 567 biznese të reja gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ose 806 më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur sot se kjo përfaqëson një rritje prej 7.5%, duke e cilësuar si një tregues të interesit në rritje për zhvillimin e aktivitetit ekonomik në Shqipëri.

“Sipërmarrja në Shqipëri vijon të rritet! Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 janë regjistruar 11,567 biznese të reja, ose 806 më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, u shpreh ministrja.

Kjo, sipas saj, përfaqëson një rritje prej 7.5%, duke reflektuar një interes në rritje për zhvillimin e aktivitetit ekonomik në Shqipëri.

“Pas çdo biznesi të ri qëndron një ide, një iniciativë dhe një hap drejt zhvillimit ekonomik të vendit”, u shpreh ministrja.

Sipas Ibrahimajt, Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) mbetet partneri i çdo sipërmarrësi, duke ofruar shërbime të thjeshta, të shpejta dhe të aksesueshme për nisjen e një biznesi.

/m.m/a.f/

The post Ibrahimaj: 11 567 biznese të reja në 6 muaj, rritje me 7.5% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, mundësi për bizneset që synojnë të rriten

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj zhvilloi sot një vizitë në një biznes në njësinë numër 2 në Tiranë, ku u ndal te përfitimet e programit “Dyfisho Sipërmarrjen tënde”.

Ibrahimaj theksoi se programi mundëson financim për biznese që mund të investojnë deri në 2 milionë euro, me afat maturiteti deri në 10 vjet.

“Në biznesin “Europtik”, pata kënaqësinë të bisedoj me Jonidën për rrugëtimin e saj si sipërmarrëse, sfidat që ka kapërcyer ndër vite dhe planet për zgjerimin e mëtejshëm të aktivitetit. Nga një dyqan i vogël i hapur në vitin 2012, Europtik është shndërruar në një biznes të konsoliduar që përfaqëson disa nga markat më të njohura ndërkombëtare të syzeve dhe synon të zgjerohet edhe jashtë Tiranës”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja theksoi se histori të tilla tregojnë se sipërmarrja shqiptare ka potencial të vazhdojë të rritet kur ka akses në financim dhe mbështetje për investime.

Sipas saj, “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” është një mundësi për të marrë një financim me kosto të ulët, deri në 3% normë interesi.

“Me programin ‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’ synojmë t’u japim bizneseve këtë mundësi, duke ofruar financim me normë interesi preferenciale, Garanci Sovrane dhe mbështetje për hartimin e biznesplanit”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja siguroi se qeveria do të vazhdojë të jetë pranë bizneseve në të gjithë Shqipërinë, për t’i informuar dhe mbështetur në realizimin e investimeve të tyre.

/m.m/a.f/

The post Ibrahimaj: Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, mundësi për bizneset që synojnë të rriten appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkeqësohen kushtet e motit, Policia e Shtetit apel për kujdes

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Policia e Shtetit apeloi sot për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve lundruese, drejtuesit e automjeteve dhe qytetarët, për shkak të parashikimeve për përkeqësimin e kushteve hidrometeorologjike detare dhe atmosferike.

Sipas Policisë së Shtetit, duke filluar nga mesdita e datës 24 korrik 2026 deri në paraditen e datës 25 korrik 2026, mjetet e vogla lundruese dhe mjetet e peshkimit që synojnë të operojnë jashtë Gjirit të Vlorës dhe Gjirit të Sarandës, në det të hapur dhe përgjatë vijës bregdetare Dhërmi–Himarë–Sarandë, duhet të shmangin daljet në det për shkak të kushteve të pafavorshme hidrometeorologjike gjatë këtij harku kohor.

Drejtuesit e këtyre mjeteve lundruese duhet të tregojnë kujdes të shtuar, të marrin në konsideratë përkeqësimin e kushteve të motit dhe të shmangin çdo dalje në det që mund të rrezikojë sigurinë e tyre dhe të personave në bord.

Policia e Shtetit apelon gjithashtu për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor, kufijtë e shpejtësisë dhe distancën e sigurisë, si dhe duke shmangur manovrat e rrezikshme.

Këmbësorët po ashtu këshillohen të tregojnë vëmendje dhe kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në kushtet e reshjeve apo lagështirës në rrugë.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve të vogla lundruese, mjeteve të peshkimit dhe të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes maksimal, jo vetëm gjatë këtij harku kohor, por në vijimësi, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së jetës.

/m.m/a.f/

The post Përkeqësohen kushtet e motit, Policia e Shtetit apel për kujdes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qytetarët në ditën e 54-t të protestës kundër investimit në Zvërnec

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Protesta e 54-t kundër investimit në Zvërnec ka vijuar këtë të enjte në Tiranë, ndërsa protestuesit kanë nisur pasdite marshimin nga sheshi “Skënderbej” në drejtim të godinës së Kryeministrisë.

Aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë janë mbledhur fillimisht në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet, ndërsa mbajnë në duar pankarta dhe thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe kastës së vjetër politike.

Kërkesat e tyre vijojnë të mbeten të njëjta, duke kërkuar ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe shfuqizimin e igjit për investitorët strategjikë, Paketës së Maleve, si dhe ndryshimeve për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, protestuesit u mblodhën fillimisht sot rreth orën 08:30 para Kuvendit, ku situata u përshkallëzua teksa u shënuan përplasje të përsëritura me Policinë. Pas hedhjes së vezëve, domateve dhe sendeve të tjera në drejtim të efektivëve, policia ndërhyri për shpërndarjen e turmës duke përdorur ujë me presion dhe spraj me piper.

(vijon)

/a.f/

The post Qytetarët në ditën e 54-t të protestës kundër investimit në Zvërnec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Blushi kërkon informacion për përdorimin e forcës gjatë protestës

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i është drejtuar sot me një kërkesë për informacion Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, lidhur me përdorimin e forcës ndaj protestuesve gjatë protestës së sotme para Kuvendit.

Në kërkesën e tij, Blushi ngre shqetësimin lidhur me mënyrën e ushtrimit të kompetencave nga Policia e Shtetit gjatë protestës.

Sipas tij, “pamjet e transmetuara gjerësisht në media dhe dëshmitë e shumta të qytetarëve pasqyrojnë skena të një dhune krejtësisht të pajustifikuar ndaj protestuesve paqësorë”.

“Ndaj kërkoj që brenda afateve ligjore të më vihet në dispozicion informacioni mbi planin operacional të Policisë së Shtetit për garantimin e mbarëvajtjes së protestës së 23 korrikut dhe drejtuesin përgjegjës të operacionit. Kush dha urdhrin për përdorimin e forcës fizike ndaj protestuesve dhe mbi çfarë vlerësimi operacional u mbështet ky vendim?”, shpreht ndër të tjera Blushi.

Po ashtu, Blushi kërkon informacion mbi numrin e punonjësve të policisë që morën pjesë në operacion dhe strukturat e angazhuara, si dhe numrin e qytetarëve të shoqëruar, ndaluar ose arrestuar gjatë dhe pas protestës dhe bazën ligjore të ndalimit.

Blushi kërkoi specifikisht informacion mbi “llojin dhe emërtimin e secilit agjent kimik të përdorur dhe bazën ligjore dhe procedurale mbi të cilën është autorizuar përdorimi i tyre”.

“A është urdhëruar nisja e një hetimi administrativ për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe, nëse po, cili organ po e zhvillon atë?”, pyet ai.

Në kërkesën drejtuar institucioneve, Blushi kërkon të bëhet e ditur nëse “janë sekuestruar dhe ruajtur të gjitha pamjet filmike të kamerave trupore, kamerave operative dhe sistemeve të monitorimit të përdorura gjatë operacionit dhe a do të bëhen ato pjesë e një verifikimi të pavarur institucional?”.

“Ngjarjet e sotme nuk mund të relativizohen dhe as të mbulohen me heshtje institucionale. Përdorimi i forcës nga Policia e Shtetit ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtën kushtetuese të protestës kërkon transparencë të plotë, përgjegjësi individuale dhe institucionale, si dhe një hetim të menjëhershëm e të paanshëm mbi çdo akt të mundshëm të tejkalimit të kompetencave apo përdorimit arbitrar të forcës”, u shpreh Blushi.

Ai kërkoi që të merren menjëherë të gjitha masat për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin e zinxhirit komandues që urdhëroi dhe drejtoi ndërhyrjen policore, evidentimin e çdo shkeljeje të ligjit dhe vënien përpara përgjegjësisë administrative, disiplinore dhe penale të çdo punonjësi apo drejtuesi të Policisë së Shtetit që ka tejkaluar kompetencat e tij.

/m.m/a.f/

The post Blushi kërkon informacion për përdorimin e forcës gjatë protestës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD dënon ndalimin e gazetares së Citizens Channel: Përpjekje politike për të ndikuar informimin e publikut

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Partia Demokratike dënoi ndalimin e gazetares së Citizen Channel, Vjolanda Peca, nga policia gjatë ditës së sotme.

Në një deklaratë të zyrës së Shtypit në PD, thuhet se, ndalimi i gazetares është përpjekje politike për të ndikuar informimin e publikuar duke trembur reporterët në terren.

“PD dënon ndalimin e gazetares së Citizens Channel, Vjolanda Peca, si mospërmbajtje dashakeqe dhe përpjekje politike e policisë së Ramës për të frikësuar gazetarët dhe mediat e lira. Në një rast të paprecedent në Europë, por familjar në Bjellorusinë e Lukashenkos, Policia e Shtetit pengon një gazetare të kryejë detyrën dhe e ndalon atë pa shkak, pa arsye, pa të drejtë”, thuhet në reagimin e PD-së.

PD thekson se ky nuk është vetëm cënim i së drejtës për raportim dhe informim publik, por edhe përpjekja për t’i mbajtur gazetarët larg vatrave të ngjarjeve, me qëllimin e vetëm që ato të manipulohen më lehtë, siç ka bërë kaq herë Policia e Shtetit.

Partia Demokratike shprehu mbështetjen për gazetaren dhe median Citizens Channel, të cilën e cilësoi si “një prej burimeve të informacionit ende të pandotur”.

/m.m/a.f/

The post PD dënon ndalimin e gazetares së Citizens Channel: Përpjekje politike për të ndikuar informimin e publikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkeqësohen kushtet e motit, ndalohet lundrimi në Vlorë dhe Sarandë

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Kapiteneritë e Porteve Vlorë dhe Sarandë njoftuan sot se, për shkak të përkeqësimit të kushteve hidrometeorologjike detare përgjatë bregdetit shqiptar, ndalohet lundrimi i mjeteve të vogla, anijeve turistike dhe anijeve të peshkimit në zonat lundrimore të Vlorës dhe Sarandës.

Sipas njoftimit, masat do të jenë në fuqi deri në orën 06:00 të datës 25 korrik 2026.

Drejtoria e Përgjithshme Detare informoi se parashikohet erë nga drejtimi veri–veriperëndim, me forcë 6–7 bft (15–25 m/s), si dhe lartësi dallgësh nga 1.50 deri në 3.50 metra.

Pronarët, operatorët dhe kapitenët e mjeteve lundruese duhet të sigurojnë mjetet në port dhe të respektojnë udhëzimet e Kapitenerisë së Portit.

Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar do të vijojnë operimin normalisht.

Sipas njoftimit, situata pritet të përmirësohet pas orës 06:00 të datës 25 korrik 2026.

/a.f/

The post Përkeqësohen kushtet e motit, ndalohet lundrimi në Vlorë dhe Sarandë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, mundësi të reja financimi për NVM me normë interesi preferenciale


TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” është një iniciativë e qeverisë, në partneritet me sistemin bankar, që u krijon ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, si edhe fermerëve, mundësi të reja financimi për të investuar, modernizuar dhe zgjeruar aktivitetin e tyre.

Kryeministri Edi Rama ndau sot të dhëna mbi këtë program, i cili sipas tij krijon mundësi të reja financimi për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, me normë interesi preferenciale dhe Garanci Sovrane.

Programi ofron Garanci Sovrane deri në 70%, normë interesi preferenciale 2–3%, financim deri në 200 milionë lekë për çdo përfitues, si dhe mbështetje nga ekspertë për hartimin e planit të biznesit.

Kushdo që aplikon mund të investojë në teknologji, pajisje, prodhim, bujqësi, turizëm dhe të zhvillojë më tej biznesin.

Çdo biznes mund të financohet për më shumë pajisje, zgjerim të kapaciteteve, teknologji të reja apo automatizim.

Me normë interesi preferenciale 2 deri në 3%, afat shlyerje deri në 10 vite, programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” është i hapur deri më 20 nëntor 2027.

/m.m/a.f/

The post Rama: “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, mundësi të reja financimi për NVM me normë interesi preferenciale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Ndryshimet në ligj forcojnë Policinë e Shtetit, fund vakancave të zgjatura

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari vlerësoi ndryshimet e miratuara sot në ligjin për Policinë e Shtetit, një reformë që sipas tij, e forcon institucionin, pa prekur parimet mbi të cilat është ndërtuar.

Sipas Lamallarit me ndryshimet e miratuara sot nga Kuvendi Policia e Shtetit ka kapacitet drejtues më të fortë, organizim më të thjeshtë dhe funksional, me zinxhir komandimi të qartë e vendimmarrje të shpejtë.

Po ashtu, për sa i përket sistemit të karrierës, Lamallari theksoi se rikthehet lidhja mes gradës dhe funksionit drejtues, mbi bazën e meritës dhe eksperiencës.

“I jepet fund vakancave të zgjatura, institucion me drejtues të përgjegjshëm, pa procese burokratike që zgjasin dhe krijojnë vakum”, tha ai.

Po ashtu, Lamallari theksoi se garantohet administrim më modern i burimeve njerëzore, rregulla më të drejta për transferimet dhe një sistem disiplinor më proporcional.

“Ruajtja e kujtesës institucionale, përvoja e fituar ndër vite trajtohet si kapital shtetëror, jo privilegj. Në kushtet e sfidave të reja të sigurisë dhe krimit transnacional, Shqipëria ka nevojë për një Polici Shteti më të fortë, më profesionale dhe më afër qytetarëve”, tha Lamallari.

/m.m/

The post Lamallari: Ndryshimet në ligj forcojnë Policinë e Shtetit, fund vakancave të zgjatura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Rama po përdor reformën territoriale për interesa elektorale

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se kryeministri Edi Rama po përdor reformën territoriale për interesa elektorale dhe për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme.

Në një prononcim për mediet jashtë sallës së Kuvendit, Berisha deklaroi se mazhoranca ka vendosur të ndërpresë procesin e reformës territoriale, pavarësisht një pune njëvjeçare për hartimin e një modeli të ri, që sipas tij duhet të ishte në interes të qytetarëve.

Sipas kreut të PD-së, ndryshimet e propozuara nga socialistët janë të orientuara drejt përfitimit elektoral.

“Edi Rama, për shkak të projektit të tij krejtësisht elektoral, po bashkon disa bashki me shpresë se do të ndryshojë përbërjen elektorale. Bashkon Rrogozhinën me Kavajën, Prrenjasin me Librazhdin, Memaliajn me Tepelenën, Këlcyrën me Përmetin dhe një seri bashkish të tjera”, tha Berisha.

Sipas tij, Rama erdhi në seancë plenare sepse donte që të urdhëronte ndërprerjen e menjëhershme të debatit.

Berisha theksoi se raporti i mazhorancës për reformën territoriale është absolutisht i paligjshëm.

“Ai raport nuk është paraqitur dhe nuk është diskutuar në komisionin e reformës. Dënoj me forcën më të madhe këtë akt, me pasoja shumë të rënda për vendin”, tha ai.

Berisha theksoi se ka të dhëna nga burime shumë të besueshme se do të shkrihen 20 bashki.

“Janë burime të sigurtajanë burime të besueshme. Janë ruajtur, dhe më vjen shumë mirë që janë ruajtur, të gjitha bashkitë e minoriteteve. Por kjo nuk do të thotë që të injorohen interesat e qytetarëve jo-minoritarë. Jam plotësisht dakord për përfilljen e sensibiliteteve të tyre, por jam dakord dhe insistoj që komuna të reja duhet të jenë krijuar patjetër”, tha ai.

Kreu i PD-së theksoi se bashkimet elektorale janë absolutisht të dënueshme dhe të gjitha këto po ndodhin.

/m.m/a.f/

The post Berisha: Rama po përdor reformën territoriale për interesa elektorale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi voton projektligjet në rendin e ditës, Ismail Shehu emërohet kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Kuvendi votoi sot projektligjet në rendin e ditës në një situatë të tensionuar, ndërsa deputetët e opozitës bllokuan foltoren duke kontestuar procesin e votimit.

Me 84 vota pro dhe 1 kundër, Kuvendi miratoi projektligjin për disa ndryshime në ligjin “Për pagesat e vonuara dhe detyrimet kontraktore dhe tregtare”.

Po ashtu, projektligji për ndryshime në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë u miratua me 85 vota pro dhe 2 kundër.

Një tjetër projektligj i miratuar sot ishte ai për ndryshime në ligjin “Për turizmin”, i cili mori 84 vota pro dhe 2 kundër.

Kuvendi miratoi po ashtu edhe ndryshimet në Kodin Detar të Republikës së Shqipërisë me  84 pro dhe 5 kundër, si dhe ndryshimet në ligjin “Për Avokaturën e Shtetit” me 82 pro dhe 2 kundër.

Projektligji për ndryshime në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile” u miratua me 82 pro dhe 1 kundër, ndërsa projektligji për ndryshime në ligjin “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” me 83 vota pro dhe 1 kundër.

Po ashtu, Kuvendi miratoi projektligjin për ndryshime në ligjin “Për pronësinë industriale” me 83 vota pro dhe 2 kundër.

Me 83 vota pro dhe 2 vota kundër u miratuan po ashtu edhe ndryshimet në ligjin “Për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” si dhe ndryshimet në ligjin “Për Policinë e Shtetit”.

Kuvendi votoi po ashtu me projektvendime të veçanta edhe 18 kandidatura për anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik nga të cilat u miratua emërimi i tre kandidaturave.

Konkretisht Kuvendi miratoi me 73 vota pro emërimin e Edvin Simos; Donika Dacit dhe  Nertil Kaninës.

Ndërkohë u rrëzuan kandidiaturat e Florent Zguros, Enkeleon Topullit, Lulzim Matas, Ergys Strezas, Julian Dhimës, Najada Merollit, Florian Sahatçiut, Erald Mihalit, Bledar Cengut, Xhovan Gjinit, Hipokrat Bibës, Lorena Beqirit, Endri Dafës, Hektor Mucajt dhe Gjergji Kostës.

Po ashtu Kuvendi miratoi me 78 vota pro emërimin e Ismail Shehut për kryetar të Komisionit të Prokurimit Publik, ndërsa rrëzoi kandidaturën e Behar Zenelit.

/m.m/

The post Kuvendi voton projektligjet në rendin e ditës, Ismail Shehu emërohet kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayAgjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Kemi gati statusin e ushtarakëve

TIRANË, 22 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se statusi i ushtarakëve është gati dhe shumë shpejt do të jepet edhe lajmi i shumëpritur për Forcat e Armatosura.

Kryeministri Rama ishte mbrëmjen e sotme i pranishëm në cermoninë e diplomimit të 67 oficerëve të rinj të Kursit të Përgatitjes së Oficerit në Akademinë e Forcave të Armatosura.

Rama siguroi se përkujdesja e qeverisë për ushtarakët shkon përtej thjesht dhe vetëm shpërblimit me paga dhe përtej motivimit të tyre profesional me investime.

“Më në fund mund të themi se ne jemi fare pranë realizimit edhe të një zotimi tjetër për statusin e tyre. Gjithçka është gati. Është raundi i fundit i ‘boksit’ mes Ministrit të Mbrojtjes dhe Ministrit të Financave, por në këtë rast unë që më detyrojnë të bëj arbitrin jam me Ministrin e Mbrojtjes. Kështu që edhe këtë së shpejti do ta japim si një lajm të shumëpritur nga ushtarakët”, theksoi Rama.

Kryeministri theksoi se ushtarakët kanë qenë për një kohë të gjatë shumë të nënvlerësuar.

Kjo, sipas tij, “edhe për shkak të një faze të historisë kur gjërat ndryshuan në mënyrë të rrëmbyeshme edhe gjithçka mungonte dhe dukej sikur ushtria nuk ishte më e nevojshme sepse do na mbronin të tjerët”.

“Ndërkohë që ushtarakët, pavarësisht të gjithave, vazhdonin çdo ditë t’i shërbenin detyrës edhe t’i shërbenin atdheut”, tha Rama, ndërsa vlerësoi edhe sakrificën e familjarëve të tyre.

Po ashtu, kryeministri vlerësoi rritjen e numrit të vajzave dhe djemve që aplikojnë për t’u bërë pjesë e FA-së.

“Kjo është shenja më e sigurtë e një transformimi që nuk ndalet më. Nga ana tjetër kam shumë besim që të gjithë ushtarakët sot që janë në fund të karrierës së tyre kanë diçka shumë të çmuar për të përcjellë tek më të rinjtë. Atë shpirt sakrifice që shumë të rinjve sot ju duket abstrakt ose nuk arrijnë ta perceptojnë dot. Ndërkohë që ushtarakët që janë në fund të karrierës e kanë të jetuar me vite dhe me dekada të tëra si një sakrificë e përditshme nën një uniformë që duhet të ishte gjithmonë e admiruar, por që për një periudhë jo të shkurtër kohe ishte e nënvlerësuar”, tha Kryeministri.

/a.f/

The post Rama: Kemi gati statusin e ushtarakëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: FA më e mirëpaguara në rajon, arrijmë mesataren e forcave të NATO-s në 2030

TIRANË, 22 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka Forcat e Armatosura më të mirëpaguara të rajonit, ndërsa siguroi se “ambicia është që në Shqipërinë 2030 Forcat e Armatosura të jenë të paguara sa mesatarja e forcave të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në cermoninë e diplomimit të 67 oficerëve të rinj të Kursit të Përgatitjes së Oficerit në Akademinë e Forcave të Armatosura.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se FA është futur tashmë në rrugën e transformimit bashkëkohor sipas praktikave më të mira ndërkombëtare dhe vlerave euroatlantike.

Ndërkohë, Rama kujtoi kohën kur FA mbaheshin në këmbë vetëm nga pasioni, nga përkushtimi, nga këmbëngulja dhe nga edukata ushtarake e atyre që ishin përfaqësues të këtyre forcave.

“Ishin më të keqpaguarit në rajonin tonë dhe kishin në dispozicion një buxhet qesharak për atë që duhet të ishte buxheti i një force të NATO-s dhe nuk kishin asnjë perspektivë përpara për se si gjërat do ndryshoheshin”, tha Rama.

Duke iu referuar ceremonisë së diplomimit të 67 oficerëve të rinj, Rama tha se “sot është një ditë krenarie për Forcat e Armatosura”.

“Është një ditë krenarie pa diskutim për trupën pedagogjike të Akademisë dhe është një ditë krenarie edhe për Shtabin e Përgjithshëm. E kam të pamundur që të mos kujtoj se nga çfarë situate dramatike ka nisur ringritja dhe konsolidimi i Forcave tona të Armatosura”, tha Rama.

Ndërkohë kryeministri theksoi se sot Forcat e Armatosura janë të mbështetura dhe të motivuara nga vëmendja dhe respekti.

The post Rama: FA më e mirëpaguara në rajon, arrijmë mesataren e forcave të NATO-s në 2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌