Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

100 mijë vizitorë në Kalanë e Shkodrës

22 July 2026 at 15:38

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Kalaja e Rozafës ka kaluar tashmë shifrën e 100.000 vizitorëve për këtë vit, duke u konfirmuar si një nga monumentet e trashëgimisë kulturore më të vizituara në Shqipëri dhe si pika kryesore turistike e qytetit të Shkodrës.

Shifra u bë e ditur nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër. Ky numër i lartë vizitash dëshmon interesin në rritje të publikut vendas dhe të huaj për historinë, arkitekturën dhe vlerat kulturore që mbart kjo kala, e cila prej shekujsh qëndron si një simbol i identitetit të Shkodrës.

E ngritur mbi një kodër strategjike në hyrje të qytetit, rreth 130 metra mbi nivelin e detit, Kalaja e Rozafës ka një histori që shkon nga periudha ilire, duke kaluar më pas në faza të rëndësishme romake, bizantine, veneciane dhe osmane. Pozicioni i saj dominues mbi qytetin, Liqenin e Shkodrës dhe bashkimin e lumenjve Buna e Drin e ka bërë ndër shekuj një pikë të rëndësishme mbrojtjeje dhe administrimi.

Në ambientet e Rozafatit ndodhet edhe Muzeu i Kalasë, i cili prezanton historinë mijëravjeçare të këtij monumenti dhe zhvillimet kryesore që kanë shoqëruar qytetin e Shkodrës. Kalaja lidhet gjithashtu me një nga legjendat më të njohura të folklorit shqiptar, atë të Rozafës, një rrëfim që simbolizon sakrificën, qëndresën dhe besën, vlera të lidhura ngushtë me kujtesën kulturore shqiptare. /j.p/

The post 100 mijë vizitorë në Kalanë e Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aktivitet edukativ për të rinjtë në Kub France Shkodër mbi kinemanë dhe imazhin

22 July 2026 at 14:57

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” organizon aktivitetin edukativ “Kinoscope”, një përvojë interaktive në realitetin virtual (VR) që fton pjesëmarrësit të eksplorojnë marrëdhënien mes fotografisë, lëvizjes dhe perceptimit vizual.

Përmes kësaj eksperience, pjesëmarrësit do të zbulojnë se si imazhet statike krijojnë iluzionin e lëvizjes, duke kuptuar parimet që qëndrojnë në themel të lindjes së kinemasë dhe evolucionit të artit audiovizual. Aktiviteti, i cili zhvillohet nesër, synon të ndërthurë historinë e fotografisë me teknologjinë bashkëkohore, duke ofruar një mënyrë inovative për të përjetuar dhe interpretuar imazhin.

Programi përfshin gjithashtu lojëra digjitale nga platforma Micro-Folie, të cilat e bëjnë eksplorimin e artit dhe kulturës më interaktiv dhe argëtues për pjesëmarrësit.

Aktiviteti në Kub France Shkodra, do të udhëhiqet nga ekipi edukativ i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, i cili do të shoqërojë pjesëmarrësit gjatë gjithë kësaj eksperience. “Kinoscope” është i hapur për fëmijë mbi moshën 10 vjeç, ka një kapacitet prej 10 pjesëmarrësish dhe zhvillohet pa pagesë, dhe pa qenë e nevojshme përvoja e mëparshme. “Marubi” fton në këtë aktivitet ku mjaftojnë kurioziteti dhe dëshira për të zbuluar botën e imazhit përmes teknologjisë dhe krijimtarisë. /j.p/

The post Aktivitet edukativ për të rinjtë në Kub France Shkodër mbi kinemanë dhe imazhin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Projekt restaurimi për Kishën e Shën Kollit në Krutjen e Sipërme

22 July 2026 at 09:37

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Përfaqësues të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) zhvilluan një takim pune në bashkinë e Lushnjës, ku në fokus ishte mbrojtja dhe restaurimi i Kishës së Shën Kollit, Monument Kulture, Kategoria I, në Krutjen e Sipërme.

Gjatë takimit u prezantua projekti i restaurimit dhe ndërhyrjet e planifikuara për ruajtjen, konsolidimin dhe restaurimin e monumentit. Gjithashtu, u bë e ditur puna që po kryen IKTK për dokumentimin, studimin dhe ndjekjen e procedurave të nevojshme për zbatimin e projektit.

Përfaqësuesit e institucionit theksuan rëndësinë që Kisha e Shën Kollit ka për trashëgiminë kulturore dhe identitetin historik të zonës, duke vlerësuar se procesi i restaurimit kërkon bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve dhe komunitetit vendor.

Takimi rikonfirmoi angazhimin për ruajtjen dhe restaurimin e këtij monumenti, me synimin që kjo pasuri e vyer e trashëgimisë kulturore shqiptare të ruhet dhe t’u përcillet brezave të ardhshëm.

Kisha e Shën Kollit në Krutje është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në zonën e Myzeqesë. Ajo mendohet të jetë ndërtuar në shekullin XVIII mbi themele më të hershme dhe shquhet për vlerat e saj historike, arkitekturore dhe artistike. Objekti shquhet për arkitekturën e thjeshtë dhe ruan elementë karakteristikë të arkitekturës së kultit ortodoks, ndërsa afresket dhe ikonostasi përfaqësojnë dëshmi me rëndësi për historinë e artit kishtar shqiptar.

Sot, Kisha e Shën Kollit përbën një ndalesë me interes për vizitorët e turizmit kulturor dhe fetar, duke ofruar mundësinë për të njohur më nga afër trashëgiminë shpirtërore, historinë lokale dhe identitetin kulturor të Lushnjës. Ajo plotëson ofertën turistike të qytetit si një element i rëndësishëm i historisë dhe traditës së tij. /j.p/

The post Projekt restaurimi për Kishën e Shën Kollit në Krutjen e Sipërme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 21 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Martin Camaj, figurë e rëndësishme e albanologjisë dhe kulturës shqiptare

21 July 2026 at 12:03

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Më 21 korrik të vitit 1925, lindi në Temal të Dukagjinit, Martin Camaj, një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë, gjuhësisë dhe albanologjisë shqiptare.

Martin Camaj, me veprën dhe punën e tij shkencore, la një gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare dhe në studimet albanologjike. Pasi përfundoi studimet në Kolegjin Saverian të Shkodrës, punoi si mësues në Prekal të Dukagjinit, deri në vitin 1948. Për shkak të rrezikut të përndjekjes nga regjimi komunist, si dhe të formimit të tij në institucionet katolike, Martin Camaj u largua nga Shqipëria.
Fillimisht u vendos në Beograd dhe Romë, dhe më pas në Gjermani, ku zhvilloi veprimtarinë e tij akademike si studiues i albanologjisë dhe drejtues i Katedrës së Albanologjisë në Universitetin e Mynihut (1971–1990).

Camaj luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e albanologjisë jashtë Shqipërisë, duke bashkëpunuar ngushtë me studiues nga Kosova dhe diaspora. Kontributi i tij shkencor përfshiu studime mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, historinë e gjuhës dhe gramatikës shqipe.

Si shkrimtar, ai solli një frymë moderne në letërsinë shqipe, duke lëvruar me mjeshtëri gegërishten në poezi, prozë dhe dramë. Krijimtaria e tij, fillimisht e frymëzuar nga vendlindja, evoluoi drejt formave moderne të shprehjes, ndërsa poezia e tij u shqua për përdorimin e vargut të lirë. Vepra e tij u ribotua dhe u njoh gjerësisht në Shqipëri pas vitit 1990.

U nda nga jeta në Gjermani, më 1 mars 1992. /j.p/

The post Martin Camaj, figurë e rëndësishme e albanologjisë dhe kulturës shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Së paku 25 mijë të huaj erdhën në Tiranë për koncertin e Kanye West

21 July 2026 at 11:53

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Deputetja Ina Zhupa, njëkohësisht kryetare e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën kërkoi sot informacion lidhur me koncertin e Kanye West, për sqarimin e opinionit publik.

Në diskutimin e Aktit normativ “Për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare”, Ina Zhupa pyeti ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja,  nëse ishte bërë kalimi i shumës prej 4,3 milionë eurosh.

Ministri shpjegoi se, u futën në një marrëveshje sipas aktit normativ me subjektin e autorizuar zyrtarisht nga partneri gjerman, që është promotori kryesor eventit, me subjektin shqiptar.

“Ne nuk bëjmë pagesa të tjera për të tretë apo të katërt, apo nënkontraktor. Ne merremi vetëm me promotorin. Këtë na autorizon akti normativ, për arsyen se është parë e mundshme që në atë formë mund të garantonte mbështetjen e eventit”, shpjegoi kreu i MTKS-së, duke shtuar se, me botimin në Fletoren Zyrtare, shuma është alokuar.

Zhupa instistoi në faktin se një koncert nuk është nevojë urgjente dhe e paparashikueshme dhe nëse parlamenti do të votonte kundër dhënies së kësaj shume me pretendimin se shkelet neni 101 i Kushtetutës, si do të mund të merreshin lekët mbrapsht.

Ministri Gonxhja tha se, Kanye West është një nga figurat më me ndikim dhe promotorët kryesore globale të industrisë kreative dhe se interesimi i qeverisë shqiptare u shpreh përpara se të arrihej një marrëveshje për promovimin e këtij eventi nga ana e promotorëve.

“Të mirat, ndikimi dhe përfitimet direkte që aktiviteti sjell në komunitet, ekonomi etj, janë një element shumë i rëndësishëm i asaj që i ofrohet vendit dhe vendi në shkëmbim duhet të shprehet me mbështetje, gatishmëri, siguri etj. Kjo gjë u bë që në fillim të këtij viti dhe struktura shtetërore ishte në dijeni të kësaj mundësie. Dhe ne ua shprehëm mbështetjen tonë promotorëve që patjetër do të ishim të interesuar për një event të këtyre përmasave dhe me këtë artist”, tha ministri Gonxhja.

Ministri shpjegoi përpara komisionit parlamentar se, humbja e eventit ishte në rrezik për arsye se eventi nuk ishte në gjendje të garantonte, në 2-3 javët e fundit, një ecuri të caktuar në vetëfinancim.

Gjithashtu ministri përmendi faktet se në ditën e eventit në Tiranë erdhën 35 mijë jorezidentë, së paku 25 mijë të huaj, që kanë fluturuar në vendin tonë, me një mesatare nga 3-7 ditë qëndrimi dhe që kishin rezervuar hotele.

I pyetur nga Ina Zhupa nëse do i jepte edhe Jennifer Lopez 4,3 milionë euro, ministri Gonxhja tha se është refuzuar për momentin sepse kërkonte 2 milionë euro garanci nëse do të ketë protesta. “E kemi refuzuar se nuk ia japim dot garancinë, kjo është kosto e destabilizimit të vendit. Për ata që e duan Lopez në Tiranë, ta dinë që nuk e japim dot këtë garanci sepse na është dukur e pamundur për t’ia ofruar”, tha Gonxhja.

/j.p/

The post Gonxhja: Së paku 25 mijë të huaj erdhën në Tiranë për koncertin e Kanye West appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Restaurohet Kulla e Turanit, Gonxhja: U respektuan teknikat tradicionale të ndërtimit

21 July 2026 at 10:00


TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, dha sot lajmin se përfunduan me sukses punimet restauruese në Kullën e Turanit, në fshatin Turan të Korçës.

Ndërhyrja emergjente u përqendrua në masa konsoliduese dhe restauruese, pasi Kulla e Turanit ishte e përfshirë në listën e objekteve në rrezik të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë.

Ministri Gonxhja tha se, çdo ndërhyrje është kryer duke respektuar autenticitetin e monumentit dhe teknikat tradicionale të ndërtimit, me synimin për të ruajtur vlerat e tij historike dhe kulturore.

Restaurimi u arrit falë investimit të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe zbatimit të projektit në bashkëpunim me DRTK Korçë.

Ky restaurim përfaqëson një hap të rëndësishëm në misionin e IKTK-së për mbrojtjen, restaurimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke garantuar që monumente me vlera të veçanta t’u përcillen të ruajtura brezave të ardhshëm.

E ndërtuar në shekullin XIX, Kulla e Turanit përfaqëson tipologjinë karakteristike të kullave fushore të juglindjes së vendit.

Ajo ka një planimetri katrore me përmasa të vogla dhe një mjedis në çdo kat, me funksion të përqendruar kryesisht në mbrojtje, gjë që vihet re edhe nga mungesa e dritareve dhe volumi i mbyllur. Ajo ka një lartësi prej 15 metrash dhe ndahet në katër kate. /j.p/

The post Restaurohet Kulla e Turanit, Gonxhja: U respektuan teknikat tradicionale të ndërtimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayAgjencia Telegrafike Shqiptare

Nisin punimet për konservimin e pesë monumenteve në Parkun Arkeologjik Bylis/Klos

20 July 2026 at 15:38

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Parku Arkeologjik Bylis/Klos njoftoi për nisjen e punimeve për konservimin e pesë prej monumenteve më të rëndësishme të këtij parku, në kuadër të një projekti që synon ruajtjen dhe mbrojtjen afatgjatë të trashëgimisë kulturore.

Ndërhyrjet do të përfshijnë Teatrin e Bylisit, Teatrin e Klosit (Nikaia antike), Cisternën dhe Termet e Justinianit, Prytaneionin dhe Arsenalin si dhe Bazilikën D.

Projekti synon stabilizimin dhe konservimin e këtyre monumenteve, duke garantuar ruajtjen e vlerave historike dhe arkeologjike të parkut. Njëkohësisht, ndërhyrjet pritet të përmirësojnë menaxhimin e Parkut Arkeologjik të Bylis/Klos dhe të ofrojnë një përvojë më cilësore për vizitorët.

Bylisi dhe Klosi janë ndër qendrat më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, që dëshmojnë historinë dhe zhvillimin e qytetërimeve antike në vend, ndërsa investimi i ri synon t’i mbrojë këto monumente si dhe t’i bëjë me te aksesueshme për publikun.

Projekti realizohet në kuadër të nismës “EU for Economic Development – Tourism-led Local Economic Development”, financuar nga Bashkimi Evropian në Shqipëri dhe AICS, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. /j.p/

The post Nisin punimet për konservimin e pesë monumenteve në Parkun Arkeologjik Bylis/Klos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Punishtja me mbështetjen e BE-së, gratë e Tropojës ruajnë trashëgiminë kulturore

20 July 2026 at 14:59

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Një punishte artizanale në qendër të Tropojës po kthehet në një shembull të ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe fuqizimit ekonomik të grave.

Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, përmes programit EU4Innovation, gratë artizane po mbajnë gjallë zanatet tradicionale, ndërsa krijojnë mundësi të reja punësimi dhe zhvillimi për komunitetin. Në këtë punishte, leshi dhe pambuku përpunohen në qilima, tapiceri, veshje tradicionale, pëlhura të qëndisura, mbulesa shtrati, çanta dhe produkte të tjera artizanale. Krahas punimeve tekstile, gratë prodhojnë edhe sapunë të punuar me dorë me përbërës natyralë si vaj ulliri, sherebelë dhe trumzë.

Përmes mbështetjes së Bashkimit Evropian, projekti ka siguruar tezgjahë, makina qepëse, pajisje digjitale dhe një platformë elektronike që u mundëson artizaneve të promovojnë dhe të shesin produktet e tyre edhe përtej Tropojës. Punimet dallohen për motivet tradicionale që pasqyrojnë identitetin kulturor të zonës. Figurat gjeometrike, shqiponjat, lulet shumëngjyrëshe dhe elementët e frymëzuar nga Alpet Shqiptare ruajnë simbolikën dhe historinë e trashëguar ndër breza.

Për shumë prej grave, kjo punishte është më shumë sesa një vend pune. Ajo u ofron një burim të qëndrueshëm të ardhurash, një hapësirë bashkëpunimi dhe një mundësi për t’ua transmetuar mjeshtërinë brezave të rinj.

Nisma synon të ndërthurë traditën me inovacionin, duke ruajtur zanatet shekullore dhe duke krijuar mundësi të reja zhvillimi ekonomik për gratë dhe komunitetin lokal. /j.p/

The post Punishtja me mbështetjen e BE-së, gratë e Tropojës ruajnë trashëgiminë kulturore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Revista “Flamuri i Arbërit”, 143 vjet histori

20 July 2026 at 12:40

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Më 20 korrik të vitit 1883, në Koriliano Kalabro doli në shtyp revista e përmuajshme politike, shoqërore, kulturore e letrare “Flamuri i Arbërit”.

Revista “Flamuri i Arbërit” u themelua nga Jeronim De Rada, një prej personaliteteve më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të XIX si dhe të botës arbëreshe. De Rada njihet si “babai” i gazetarisë shqiptare, pasi botoi gazetën e parë në gjuhën shqipe “Shqiptari i Italisë” (L’Albanese d’Italia) në Maq të Kozencës, në vitin 1887.

Ai ngriti zërin për mbështetjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878) duke frymëzuar të tjerë atdhetarë për ruajtjen e trojeve të pacenuara shqiptare. Kjo e frymëzoi të botonte të përmuajshmen “Flamuri i Arbërit” ose “La Bandiera Albanese” e cila u botua në vendlindjen e tij, Kozenca. Revista luajti rol të rëndësishëm për njohjen e Shqipërisë në Evropë si vendi i një populli të lashtë e me tradita, demaskoi synimet e fuqive të huaja për copëtimin e Shqipërisë, dhe shërbeu si një thirrje e përbashkët patriotike për arbëreshët dhe shqiptarët, që t’i shërbente misionit të pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkimit Kombëtar.

De Rada mbajti letërkëmbim me Thimi Mitkon, Zef Jubanin, Sami Frashërin, Elena Gjikën dhe Dora d’Istrian si dhe me studiues e shkrimtarë të huaj, të interesuar për Shqipërinë, si albanologu francez Ogyst Dozon, me baroneshën Jozefin fon Knorr dhe gjuhëtarin austriak Gustav Majer, në shërbim të njohjes së Shqipërisë dhe çështjes kombëtare. /j.p/

The post Revista “Flamuri i Arbërit”, 143 vjet histori appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Qyteti i dehur” i Tasos, 45 punime pasteli që rrëfejnë shpirtin e Pogradecit

20 July 2026 at 12:08

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Në fundjave, në Galerinë e Artit të Pogradecit u çel ekspozita e piktorit të mirënjohur, Anastas Kostandini, titulluar “Qyteti i Dehur”.

Ekspozita e Tasos, siç njihet piktori në qytetin e tij, i paraqiti publikut 45 punime në pastel, duke përcjellë përmes artit identitetin dhe shpirtin e Pogradecit. Ekspozita do të mirëpresë artdashësit deri në fund të muajit korrik.

Anastas Kostandini është një nga personalitetet më përfaqësuese të artit bashkëkohor shqiptar. I lindur dhe i formuar shpirtërisht në Pogradec, ai e ka shndërruar qytetin e tij në një univers artistik unik, ku realja dhe imagjinarja bashkëjetojnë në një ekuilibër të rrallë poetik.

Cikli “Poradeci e pi verën dhe rakinë” përfaqëson një nga kulmet e këtij rrëfimi. Ai nuk është thjesht një dokumentim artistik i një tradite lokale, por një reflektim poetik mbi jetën komunitare, mikpritjen, kujtesën familjare dhe ritualet që ndërtojnë shpirtin e një qyteti. Në këto kompozime, qilarët e vjetër të verës kthehen në skena ku ndërthuren realiteti dhe fantazia, historia dhe miti, e përditshmja dhe e përjetshmja.

Historiani dhe kuratori i artit, Ylli Drishti, në shkrimin kuratorial të ekspozitës është shprehur se, 45 pastelet e përzgjedhur për këtë ekspozitë vijnë si një homazh për Pogradecin, por edhe një dëshmi e fuqisë së artit për ta shndërruar kujtesën lokale në një përvojë universale

“Në fund, ajo që mbetet është ndjesia se kemi përballë jo vetëm kronikanin poetik të qytetit të tij, por një artist që ka ditur të ngrejë përvojën e provincës në rangun e një gjuhe universale. Pikërisht për këtë arsye, vepra e Anastas Kostandinit zë një vend të veçantë në historinë e artit shqiptar bashkëkohor”, shprehet Drishti. /j.p/

The post “Qyteti i dehur” i Tasos, 45 punime pasteli që rrëfejnë shpirtin e Pogradecit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Grante për komunitetin e Butrintit, mbështetje deri në 20 mijë dollarë

17 July 2026 at 14:11

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në bashkëpunim me Fondacionin per Menaxhimin e Butrintit (BMF), ka hapur thirrjen e parë për aplikime në kuadër të Skemës së Granteve për Komunitetin Butrint.

Kjo skemë synon të mbështesë individë, biznese lokale dhe organizata jofitimprurëse që kanë ide, iniciativa apo projekte që lidhen me zhvillimin ekonomik, kulturor, social dhe turistik të zonës së Parkut Kombëtar të Butrintit dhe komuniteteve përreth tij.

Aplikimet do të jenë të hapura deri më 15 tetor 2026. Përfituesit mund të marrin financim në formën e granteve deri në 20 mijë dollarë.

Zonat që përfshihen në thirrje janë: Vrinë, Shëndëlli, Xarrë, Çiflik, Mursi, si edhe zona të tjera rurale të kufizuara me Parkun Kombëtar të Butrintit, të identifikuara si prioritare për zhvillim ekonomik, social dhe turistik në Planin e Menaxhimit të Integruar.

Skema është krijuar me synimin për të vendosur komunitetin lokal në qendër të zhvillimit të ardhshëm të Butrintit. Banorët e zonës, artizanët, fermerët, guidat turistike, operatorët e turizmit, bizneset dhe organizatat lokale konsiderohen aktorë të rëndësishëm në ruajtjen e vlerave të zonës dhe në krijimin e një ekonomie më të qëndrueshme.

Përmes kësaj mbështetjeje synohet zhvillimi i produkteve, shërbimeve dhe eksperiencave të reja që rrisin vlerën turistike të zonës, përmirësojnë aktivitetet ekzistuese dhe krijojnë mundësi të reja për komunitetin.

AADF, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, krijoi Butrint Management Foundation si strukturën zbatuese të një modeli të integruar menaxhimi për Butrintin, i cili synon ndërthurjen e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe natyrore me zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit lokal.

/a.f/

The post Grante për komunitetin e Butrintit, mbështetje deri në 20 mijë dollarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dënon aktin e dhunës në Poliklinikën e Shkodrës

17 July 2026 at 10:45

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Në një reagim në rrjetet sociale, Genta Tafa, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi shprehu shqetësim të thellë për ngjarjen e ndodhur në ambientet e Poliklinikës së Shkodrës, ku një person mbeti i plagosur si pasojë e një akti të rëndë dhune.

Komisioneri dënon me forcë çdo formë dhune dhe thekson se siguria, jeta dhe dinjiteti i çdo individi janë vlera themelore që duhet të mbrohen në çdo rrethanë. Ushtrimi i dhunës në ambiente publike cenon jo vetëm viktimën, por edhe ndjenjën e sigurisë së qytetarëve dhe besimin tek institucionet.

Komisioneri vlerëson se çdo akt dhune duhet të trajtohet me seriozitet të plotë nga organet kompetente, nëpërmjet një hetimi të shpejtë, të plotë dhe të paanshëm, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe vendosjen përpara përgjegjësisë të autorëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Njëkohësisht, Komisioneri u bën thirrje qytetarëve, institucioneve dhe komunitetit të promovojnë dialogun, respektin reciprok dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve, duke refuzuar çdo formë dhune dhe sjelljeje që cenon dinjitetin njerëzor.

“Dhuna nuk është zgjidhje. Ndërtimi i një shoqërie të sigurt, gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në respektin për dinjitetin e njeriut është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në reagimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

/a.f/

The post Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dënon aktin e dhunës në Poliklinikën e Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Filmi “Guximtarët” i regjisorit Erebara, shfaqet i restauruar në Kinema “Drita”

17 July 2026 at 09:14

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Filmi “Guximtarët”, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re” i vitit 1970 është shfaqur premierë mbrëmjen e djeshme në variantit e restauruar në kuadër të nismës “Adopto një film për restaurim”.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit mblodhi në Kinemanë “Drita” artistë dhe adhuruesit e kinematografisë shqiptare me rivënien në ekranin e madh të një prej veprave më të dashura për publikun në një cilësi të re pamore dhe teknike.

Para shfaqjes së filmit “Guximtarët”, kanë mbajtur një fjalë përshëndetëse kreu i AQSHF, Eljan Tanini si dhe skenaristi i këtij filmi, Flamur Topi.

Tanini është shprehur se restaurimi i filmit është një hap i rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kinematografike.

Restaurimi u jep jetë të re veprave që kanë formësuar kujtesën kulturore të vendit, duke ua përcjellë ato brezave të rinj në cilësi të lartë dhe duke garantuar ruajtjen e tyre për brezat që do të vijnë.

Filmi “Guximtarët” i rikthyer me cilësi të re falë procesit të restaurimit digjitalë është vepër e regjisorit Gëzim Erebara. Filmi u xhirua në 1970-ën sipas skenarit të Flamur Topit dhe me muzikë të Robert Radojës. Restaurimi u punua nga Augustus Color.

Aktorët që kanë luajtur në këtë film janë: Artan Santo, Mevlan Shanaj, Edmond Gëzdari, Agim Mujo, Zana Turku, Kujtime Disha, Adrian Devolli, Leonard Dalliu, Bajram Matjani, Niko Hobdari, Tinka Kurti, Demir Hyskja, Sandër Prosi, Skënder Çeka, Lazarin Mazreku, Serxho Pistuli, Myzejen Njala, Xhoxhi Busho.

FOTOREPORTER: Florian Abazaj

The post Filmi “Guximtarët” i regjisorit Erebara, shfaqet i restauruar në Kinema “Drita” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Projektligji i ri për librin, Gonxhja: Fokusi te nxitja e leximit dhe përshtatja me zhvillimet digjitale

16 July 2026 at 15:15

 

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, në fjalën e tij në Kuvend, lidhur me projektligji i ri të ndryshuar “Për librin në Republikën e Shqipërisë”, tha se synohet një qasje të re ndaj sektorit të librit, duke vendosur në fokus nxitjen e leximit, forcimin e bibliotekave dhe përshtatjen me zhvillimet digjitale.

Nisma synon të ndërtojë një ekosistem më të fortë për autorët, botuesit, përkthyesit dhe lexuesit, duke e parë librin si një investim kulturor dhe shoqëror për të ardhmen. Ministri tha se, leximi nuk është vetëm një veprim individual, por një një vlerë shoqërore.

“Një shoqëri që lexon është më e aftë të mendojë në mënyrë kritike, të dallojë informacionin nga dezinformimi dhe të ndërtojë qytetarë më të lirë e më të përgjegjshëm. Pikërisht për këtë arsye, politikat për librin nuk mund të kufizohen vetëm te mbështetja e botimit. Ato duhet të synojnë krijimin e lexuesve, zgjerimin e aksesit në dije dhe ndërtimin e një kulture të qëndrueshme leximi”, tha kreu i MTKS-së

Projektligji vjen në një moment kur sektori i librit ka ndryshuar ndjeshëm, ndërkohë që ligji aktual është miratuar gati njëzet vjet më parë, në një realitet tjetër teknologjik, institucional dhe kulturor.

Projektligjin e ri, ministri nuk e vlerësoi si vetëm përditësim teknik por si një qasje që e sheh librin në tërësinë e tij, si pjesë të zhvillimit kulturor, arsimor dhe shoqëror të vendit.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme është nxitja e leximit si një objektiv i drejtpërdrejtë i ligjit. Në këtë kuadër, projektligji forcon rolin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, duke i dhënë një rol më të qartë në promovimin e kulturës së leximit, mbështetjen e aktorëve të sektorit dhe zhvillimin e politikave kombëtare për librin.

Një tjetër element i rëndësishëm është mbështetja e bibliotekave publike duke garantuar mbrojtjen e fondeve të dedikuara për blerjen e librave për bibliotekat publike të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Për herë të parë, libri në format digjital njihet në kuadrin ligjor shqiptar dhe gjithashtu parashikohet mbështetja e botimeve në formate të përshtatura për personat me aftësi të kufizuara.

Ministri Gonxhja tha se, suksesi i një politike për librin nuk matet vetëm me numrin e librave që botohen, por me numrin e qytetarëve që lexojnë dhe ftoi kuvendin ta mbështesë këtë projektligj. /e.r/ /a.g/

The post Projektligji i ri për librin, Gonxhja: Fokusi te nxitja e leximit dhe përshtatja me zhvillimet digjitale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbrojtja e trashëgimisë kulturore, përgjegjësi e përbashkët e institucioneve dhe komuniteteve

16 July 2026 at 12:59

 

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Ruajtja e trashëgimisë sonë kulturore kërkon angazhim të vazhdueshëm, bashkëpunim dhe ndërgjegjësim të të gjithë shoqërisë.

Në një video të realizuar në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve lokale dhe bashkëpunimi në zbatimin e ligjit për të luftuar trafikimin e paligjshëm të trashëgimisë kulturore shqiptare”, Kat Slocum, specialiste fulbright, sjell një mesazh për rëndësinë e mbrojtjes së pasurive kulturore.

Përmes kësaj nisme, Slocum u përgjigjet pyetjeve mbi sfidat e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe thekson se ruajtja e saj nuk është vetëm detyrë e institucioneve përgjegjëse, por edhe e komuniteteve lokale dhe çdo qytetari.

Ajo sjell si shembuj parqet arkeologjike të Apolonisë, Bylisit dhe Antigonesë të cilat përfaqësojnë vlera të pazëvendësueshme historike dhe kulturore por që kërkojnë kujdes dhe mbrojtje të vazhdueshme. Ndërgjegjësimi i publikut dhe raportimi i rasteve të shkeljeve janë hapa të rëndësishëm për garantimin e ruajtjes së këtyre pasurive për brezat e ardhshëm.

“Mbrojtja e siteve si Apolonia është e rëndësishme. Gërmimet ilegale, vjedhjet dhe largimi i objekteve nga sitet arkeologjike shkaktojnë humbje të pakthyeshme të trashëgimisë kulturore. Është e rëndësishme që ne t’i mbrojmë këto vende në mënyrë që të jenë të disponueshme për brezat e ardhshëm”, thotë Kat Slocum.

Aktiviteti i mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, zhvillohet në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve lokale dhe bashkëpunimi në zbatimin e ligjit për të luftuar trafikimin e paligjshëm të trashëgimisë kulturore shqiptare”, zbatohet nga organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri (CHwB Albania).

/e.r/ /a.g/

The post Mbrojtja e trashëgimisë kulturore, përgjegjësi e përbashkët e institucioneve dhe komuniteteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ujësjellësi qindravjeçar i Domgjonit, vepër e rrallë hidroteknike

16 July 2026 at 08:37

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Një vepër e rrallë hidroteknike, e ndërtuar shekuj më parë dhe ende në funksion, ruhet në fshatin Domgjon të Bashkisë Mirditë. Ujësjellësi i Domgjonit, i njohur edhe si Gurra e Domgjonit, përfaqëson një nga dëshmitë më të rëndësishme të inxhinierisë së lashtë në vend.

I shpallur Monument Kulture, Kategoria I, që në vitin 1984, ujësjellësi shquhet për teknikën e ndërtimit me tunele dhe puse nëntokësore, një sistem që dëshmon njohuri të avancuara inxhinierike për kohën. Mendohet se është ndërtuar në shekullin e gjashtë.

Së bashku me fortifikimin e njohur nga banorët si “Qyteza”, që ngrihet mbi fshat, kjo vepër flet për ekzistencën e një vendbanimi të rëndësishëm dhe të organizuar që në lashtësi.

Tuneli është ndërtuar në formën e një galerie horizontale, me mure anësore të punuara me kujdes dhe i mbuluar me qemer. Me një gjerësi rreth një metër dhe një lartësi që varion nga 80 centimetra deri në 1.3 metra, ai lejonte kalimin e njeriut të përkulur për mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit.

Rreth 100 metra larg daljes së tunelit, aty ku buron uji i ftohtë dhe i kristaltë, ndodhet pusi i kontrollit.

Hyrja e tij, e kamufluar në sipërfaqen e tokës, të çon përmes 23 shkallëve prej guri të vendosura në formë spiraleje në një thellësi prej tetë metrash. Në fund ndodhet puseta e kontrollit, një element që dëshmon funksionalitetin dhe sofistikimin teknik të kësaj vepre të rrallë.

Ujësjellësi i Domgjonit mbetet një dëshmi e çmuar e mjeshtërisë ndërtimore dhe inxhinierisë së lashtë shqiptare.

I ndërthurur në mënyrë harmonike me peizazhin natyror, ai përfaqëson një nga pasuritë më të veçanta të trashëgimisë kulturore dhe një destinacion me vlera të spikatura për turizmin kulturor e natyror në Mirditë.

/e.r/ /a.g/

The post Ujësjellësi qindravjeçar i Domgjonit, vepër e rrallë hidroteknike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çerçiz Topulli, atdhetari që luftoi për trojet dhe shkollat shqipe

15 July 2026 at 09:41

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Më 15 korrik 1915, u ekzekutua në Shkodër, nga forcat malazeze, atdhetari Çerçiz Topulli.

Çerçiz Topulli lindi në qytetin e Gjirokastrës, ku mori mësimet e para dhe vazhdoi më tej shkollimin në Janinë. Mori pjesë në veprimtarinë e Komitetit të Fshehtë ‘‘Për lirinë e Shqipërisë’’.

Në prill të vitit 1907 komandoi çetën e armatosur që vepronte në Shqipërinë e Jugut dhe më 1908 anëtarë të çetës së tij vranë komandantin e xhandarmërisë.

Në janar 1907 gazeta ‘‘Shpresa e Shqipërisë’’, boton thirrjen e tij ‘‘Nga malet e Shqipërisë’’, ku dënonte grabitjen e administratës osmane dhe bënte thirrje për shkëputje nga Perandoria me anë të kryengritjes së armatosur.

Lufta e Mashkullorës konsiderohet si një faqe e lavdishme e lëvizjes kombëtare shqiptare, ku Çerçiz Topulli shpalosi zotësitë e tij ushtarake. Në 1907 ai komandoi çetën që vepronte në Shqipërinë e Jugut e kryesisht në krahinat e Gjirokastrës dhe Korçës.

Pas fitores së revolucionit xhonturk të 1908 punoi për formimin e klubeve shqiptare dhe për hapjen e shkollave shqipe në vise të ndryshme të vendit. Pas Shpalljes së Pavarësisë u vu në shërbim të qeverisë së Vlorës ku luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit. U pushkatua më 15 korrik në Shkodër nga forcat malazeze. /e.r/ /a.g/

The post Çerçiz Topulli, atdhetari që luftoi për trojet dhe shkollat shqipe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

15 Korriku, Dita Botërore e Aftësive të të Rinjve

15 July 2026 at 08:38

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Më 15 korrik shënohet Dita Botërore e Aftësive të të Rinjve, e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2014, me synimin për të theksuar rëndësinë e pajisjes së të rinjve me aftësi për punësim, punë të denjë dhe sipërmarrje.

Tema e këtij viti është “Aftësi për një të ardhme të përbashkët” dhe përqendrohet në nevojën për programe inovative që u mundësojnë të rinjve të zhvillojnë jo vetëm aftësi teknike dhe digjitale, por edhe njohuri mbi inteligjencën artificiale, tranzicionin e gjelbër, si dhe kompetenca sociale, emocionale dhe qytetare.

Sipas OKB-së, në një botë ku tregu i punës po ndryshon me shpejtësi, fuqizimi i të rinjve me aftësi të gjithanshme është thelbësor për ndërtimin e një shoqërie më të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të përgatitur për sfidat e së ardhmes.

Sipas të dhënave të OKB-së, 273 milionë fëmijë dhe të rinj nuk ndjekin shkollën. 1 në 5 individë të moshës 15-24 janë të papunë, të paarsimuar dhe të patrajnuar, (përqindja më e madhe vajza e gra të reja). Ndërkohë që 40% e aftësive të të rinjve nuk përshtaten më me kërkesat e tregut të punës.

Sipas OKB-së, 22% e vendeve të punës do të transformohen deri në vitin 2030 për shkak të teknologjisë, ndërkohë që 86% e studentëve nuk janë ende të përgatitur për një vend pune të mundësuar nga inteligjenca artificiale.

/r.e/

The post 15 Korriku, Dita Botërore e Aftësive të të Rinjve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FSHF: Aktivitetet e mëdha sportive, mundësi për promovimin ndërkombëtar të vendit

14 July 2026 at 13:52

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit vlerëson se organizimi i eventeve ndërkombëtare sportive ka ndikim të drejtpërdrejtë në promovimin e Shqipërisë, zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë, duke sjellë si shembull finalen e UEFA Europa Conference League 2022 në Tiranë.

Sipas FSHF-së, vendi synon të mirëpresë aktivitete të tjera të rëndësishme sportive, përfshirë Kampionatin Europian U-21 në vitin 2027 dhe ka vënë kandidaturën për finalen e UEFA Super Cup 2028.

FSHF thotë se, sporti sot është shumë më tepër se garë dhe rezultat. Aktivitetet e mëdha sportive krijojnë mundësi për promovimin ndërkombëtar të një vendi, zhvillimin e turizmit, rritjen e aktivitetit ekonomik dhe forcimin e imazhit të tij. Futbolli, si sporti me ndjekjen dhe ndikimin më të madh publik, ka një potencial të veçantë për të krijuar vlerë edhe përtej fushës së lojës.

Diskutimet e fundit në opinionin publik mbi ndikimin e aktiviteteve të mëdha sportive në promovimin e Shqipërisë dhe zhvillimin e turizmit kanë rikthyer në vëmendje një realitet tashmë të dëshmuar: investimi në futboll dhe në organizimin e eventeve ndërkombëtare nuk është vetëm investim në sport, por edhe një mundësi konkrete zhvillimi për vendin.

Finalja e UEFA Europa Conference League 2022 në Tiranë ishte një nga dëshmitë më konkrete të këtij realiteti. Ajo ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive ndërkombëtare të organizuara në Shqipëri dhe tregoi se ndikimi i futbollit shkon përtej fushës së lojës.

Organizimi i finales solli vëmendje të konsiderueshme ndërkombëtare për Shqipërinë, tërhoqi vizitorë, kontribuoi në promovimin e turizmit dhe forcoi besimin se vendi ka kapacitetet për të mirëpritur dhe organizuar me sukses aktivitete të niveleve më të larta europiane.

Për Federatën Shqiptare të Futbollit, finalja e vitit 2022 nuk ishte një sukses i rastësishëm dhe as një arritje e izoluar. Ajo ishte rezultat i një strategjie afatgjatë, që synon zhvillimin e futbollit shqiptar, forcimin e pozicionit të Shqipërisë në strukturat ndërkombëtare të futbollit dhe shfrytëzimin e sportit si një mundësi konkrete për promovimin dhe zhvillimin e vendit.

Kur FSHF-ja aplikoi pranë UEFA-s për organizimin e finales së parë historike të UEFA Europa Conference League, objektivi nuk ishte vetëm sjellja e një ndeshjeje të madhe në Tiranë. Synimi ishte që Shqipëria të prezantohej para një audience të gjerë ndërkombëtare, të tërhiqte vizitorë, të promovonte turizmin dhe të dëshmonte se është e aftë të organizojë evente sportive të përmasave europiane. Dhe kjo u arrit. Por finalja e vitit 2022 nuk ishte fundi i këtij procesi. Ajo krijoi një standard të ri dhe hapi mundësi të tjera për futbollin shqiptar dhe për Shqipërinë.

Në të njëjtën frymë, FSHF-ja ka punuar për organizimin e Kampionatit Europian U-17, mbledhjes historike të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë, si dhe të një numri konferencash, turnesh dhe aktivitetesh të tjera ndërkombëtare.

Këto aktivitete kanë kontribuar në forcimin e pozicionit të futbollit shqiptar në arenën europiane, në rritjen e kapaciteteve organizative dhe profesionale, në promovimin e Shqipërisë, si dhe në krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e futbollit në vend.

Sot, rezultatet mbështeten edhe nga të dhëna konkrete. Studimi i fundit i realizuar nga UEFA dhe Nielsen tregon se interesi i shqiptarëve për futbollin është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit. Perceptimi për ekipet kombëtare është përmirësuar, ndërsa interesi dhe lidhja e publikut me futbollin janë forcuar.

Këto zhvillime nuk janë të rastit. Ato janë rezultat i një pune dhe strategjie të vazhdueshme, që përfshin investimet në infrastrukturë, zhvillimin e ekipeve kombëtare, futbollin e fëmijëve dhe të rinjve, futbollin e vajzave, rritjen e standardeve organizative dhe forcimin e bashkëpunimit me UEFA-n dhe partnerët ndërkombëtarë.

Për këtë arsye, FSHF-ja vazhdon të punojë për të sjellë në Shqipëri aktivitete të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.

Në vitin 2027, Shqipëria do të bashkëorganizojë Kampionatin Europian U-21. FSHF-ja ka paraqitur gjithashtu kandidaturën për organizimin e finales së UEFA Super Cup 2028 dhe po punon për organizimin e Samitit Botëror të Futbollit dhe aktiviteteve të tjera që mund të krijojnë vlerë të shtuar për futbollin dhe për vendin.

Organizimi i eventeve të tilla kërkon angazhim, kapacitete profesionale dhe investime të konsiderueshme. Por përfitimi nuk kufizohet vetëm te futbolli dhe as vetëm te Federata.

Nga këto evente përfitojnë qytetet pritëse, turizmi, hoteleria, bizneset lokale, shërbimet dhe ekonomia. Ato rrisin ekspozimin ndërkombëtar, promovojnë Shqipërinë dhe forcojnë imazhin e vendit si një destinacion i aftë për të mirëpritur dhe organizuar aktivitete të rëndësishme.

Për këtë arsye, organizimi i eventeve sportive ndërkombëtare duhet të shihet si një investim strategjik dhe si një mundësi zhvillimi, jo thjesht si një shpenzim apo si një përgjegjësi vetëm e Federatës.

FSHF-ja do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj: të investojë në zhvillimin e futbollit shqiptar, të rrisë standardet dhe të punojë për sjelljen e aktiviteteve të rëndësishme ndërkombëtare në Shqipëri.

Megjithatë, projektet e këtij niveli nuk mund dhe nuk duhet të mbeten vetëm përgjegjësi e Federatës. Realizimi i tyre kërkon një bashkëpunim më të strukturuar ndërmjet FSHF-së, institucioneve qendrore, pushtetit vendor dhe aktorëve të tjerë publikë e privatë. Sepse një aktivitet i madh sportiv nuk është vetëm një projekt i futbollit.

Është një mundësi për turizmin, biznesin, ekonominë dhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë. Është një mundësi për vendin. Dhe kur futbolli zhvillohet, promovon Shqipërinë dhe krijon mundësi të reja, nuk fiton vetëm sporti. Fiton i gjithë vendi.

/r.e/

The post FSHF: Aktivitetet e mëdha sportive, mundësi për promovimin ndërkombëtar të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis restaurimi i godinës së Mitropolisë në Gjirokastër

14 July 2026 at 12:54

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Në qytetin e Gjirokastrës nisi ndërhyrja për restaurimin e godinës së Mitropolisë (ish-Poliklinika), e vendosur në lagjen historike “Hasmurat”.

Objekti mban statusin Monument Kulture i Kategorisë I dhe përbën një nga ndërtesat me vlera të veçanta të trashëgimisë kulturore të qytetit. Projekti po realizohet në bashkëpunim mes Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër dhe komunitetit fetar, me synimin për të garantuar ruajtjen dhe jetëgjatësinë e kësaj ndërtese historike.

Punimet kanë nisur nga restaurimi i çatisë karakteristike me rrasa guri, një nga elementët më të spikatur të arkitekturës tradicionale gjirokastrite. Sipas DRTK Gjirokastër, ndërhyrja po kryhet duke respektuar teknikat tradicionale të restaurimit, me qëllim ruajtjen e autenticitetit dhe vlerave origjinale të monumentit.

Restaurimi i godinës së Mitropolisë pritet të kontribuojë në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Gjirokastrës, qytet i mbrojtur nga UNESCO për arkitekturën e tij karakteristike.

1 nga 3

/r.e/

The post Nis restaurimi i godinës së Mitropolisë në Gjirokastër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌