Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 4 June 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Prattipati i bën thirrje Kosovës t’i bashkohet projektit amerikan për gazin

PRISHTINË, 4 qershor /ATSH/ E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, i ka bërë thirrje Kosovës të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara përmes projektit për gazin e lëngshëm natyror (LNG), duke thënë se kjo do t’i ndihmonte ta sigurojë të ardhmen e vet energjetike.

Në një opinion për mediat kosovare të enjten, Prattipati tha se “së bashku, ne mund të forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krah”.

Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon.

Në opinionin e saj, Prattipati tha se Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji dhe citoi të dhënat e Doganës së Kosovës, se vendi ka shpenzuar 735 milionë euro në importimin e energjisë elektrike nga vendet fqinje në katër vjetët e fundit.

Këto të dhëna tregojnë një rritje nga 142 milionë euro në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025.

“Në të ardhmen e parashikueshme, përderisa çmimi dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj”, shkroi ajo.

Prattipati gjithashtu e citoi të dërguarin e posaçëm të Departamentit amerikan të Energjisë, Joshua Volz, i cili tha për Radion Evropa e Lirë më 10 maj se “sistemi energjetik në Kosovë ka nevojë urgjente për modernizim dhe paraqet mundësi të shkëlqyeshme për industrinë dhe teknologjinë amerikane”, dhe se “Departamenti i Energjisë do të jetë i gatshëm të ndihmojë në lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet industrisë amerikane dhe partnerëve industrialë në Kosovë”.

“Për të adresuar këto sfida strukturore, Kosova do të duhej t’i bashkohej projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara nëpër Ballkan. Këto projekte mund të sigurojnë burime energjetike amerikane për Kosovën”, shkroi tutje Prattipati.

Në Samitin Trans-Atlantik për Sigurinë e Gazit, të mbajtur në shkurt në Uashington, ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tani në detyrë, shprehu gatishmërinë e Kosovës për t’u furnizuar me gaz natyror nga Shtetet e Bashkuara, duke e përshkruar bashkëpunimin si “vendimtar” për një sektor të sigurt energjetik.

Për një vend si Kosova, ku rreth 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet ende nga qymyri, dhe vetëm rreth 10 për qind vjen nga burime të ripërtëritshme si uji, era dhe dielli, gazi mund të shërbejë si alternativë për të thyer varësinë e thellë nga një burim i vetëm.

Por, gjatë javëve të fundit, kur SHBA-ja dhe kompani amerikane kanë nënshkruar marrëveshje miliardëshe me disa vende të Ballkanit Perëndimor – për të zgjeruar ndikimin energjetik në rajon – Kosova nuk ka qenë pjesë e kësaj vale investimesh.

Në iniciativa të rëndësishme kanë hyrë: Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina, përfshirë edhe në një projekt të madh për ndërtimin e një tubacioni gazi që synon ta shkëpusë Sarajevën nga furnizimet ruse.

Prattipati i bëri thirrje Kosovës të veprojë shpejt për të realizuar këtë partneritet sepse ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme do të kërkojë kohë.

Ajo paralajmëroi se “mundësia për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet”.

“Eksportet e LNG-së amerikane pritet të dyfishohen deri në vitin 2030 dhe do të rrjedhin përmes projekteve rajonale si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundruesi gazit natyror në Kroaci”, theksoi ajo.

Sipas saj, Kosova gjithashtu mund të lidhet me gazsjellësin që po ndërtohet për të lidhur terminalin e LNG-së në Aleksandrupolis në Greqi me Shkupin në Maqedoninë e Veriut.

“Vonesa e këtij vendimi rrezikon që furnizimet amerikane të LNG-së të zotohen diku tjetër dhe një gjë e tillë mund ta lërë Kosovën si vendin e vetëm në Ballkanin Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikan. Historia nuk mund të qëndrojë në rrugë të vendimeve që do t’i sjellin përfitime popullit të Kosovës sot dhe në të ardhmen”, shkroi Prattipati.

Njohësit e zhvillimeve që ndërlidhen me energjetikën në Kosovë vlerësojnë se SHBA-ja po bën përpjekje që t’i mos i lërë vendet e Ballkanit Perëndimor të cenueshme përballë ndikimit rus dhe ndikimeve tjera në sektorin e energjisë.

Ish-ministri i Energjetikës i Kosovës, Ethem Çeku, konsideron se gazi i lëngshëm amerikan është një nga alternativat që mund t’i sigurojë vendit sigurinë energjetike.

“Zgjidhjen më të mirë e kemi duke përdorur gazin amerikan, të cilin qeveria e presidentit Trump po e ofron për ta larguar Ballkanin nga ndikimi i Gazprom-it rus”, tha Çeku për Radion Evropa e Lirë të mërkurën.

Inkuadrimi në zinxhirin e furnizimit me gaz të lëngshëm nga SHBA-ja është vlerësuar të jetë me rëndësi për sigurinë kombëtare edhe nga drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

Në një intervistë për REL-in, ditë të parë, ai tha se “siguria energjetike sot është siguri kombëtare” dhe se “këtë Kosova po dështon që ta kuptojë”.

Kosova deri më tash ka mbetur jashtë sistemit të ndërlidhjes në rrjetin që sjellë gazin amerikan në rajon, por këtë mund ta bëjë duke u ndërlidhur me Shqipërinë ose Maqedoninë e Veriut, thotë Çeku. /REL/

The post Prattipati i bën thirrje Kosovës t’i bashkohet projektit amerikan për gazin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayAgjencia Telegrafike Shqiptare

Shqipëria U17 e nis me barazim raundin e dytë kualifikues të Europianit ndaj Letonisë

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare U-17 e nisi me një barazim 2-2 ndaj Letonisë aventurën në raundin e dytë të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-17, në ndeshjen e zhvilluar në “Arena Egnatia” në Rrogozhinë.

Trajneri Armand Dama e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Lleshi (GK), Amataj, Gashi (C), Malko, Nushi, Zekaj, Vata, Allasufi, Muslika, Matjani dhe Uldedaj.

Takimi nisi jo mirë për kuqezinjtë, me Letoninë që kaloi në avantazh që në minutën e 2-të me Baltrušaitis. Reagimi i Shqipërisë ishte i menjëhershëm dhe skuadra e drejtuar nga trajneri Armand Dama riktheu ekuilibrat në minutën e 19-të, kur Armend Muslika u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.

Në pjesën e dytë, kuqezinjtë shtuan presionin dhe arritën të përmbysnin rezultatin në minutën e 81-të, sërish me protagonist Armend Muslikën, autor i golit të dytë personal në këtë sfidë. Kur dukej se Shqipëria po shkonte drejt fitores, Letonia barazoi në minutën e 88-të me Blūms, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2-2.

Shqipëria merr kështu pikën e parë në Grupin B6 të Ligës B dhe do të vijojë rrugëtimin në këtë raund kualifikues me ndeshjen e radhës ndaj Ukrainës, e cila do të luhet më 9 qershor në “Arena Egnatia”.

The post Shqipëria U17 e nis me barazim raundin e dytë kualifikues të Europianit ndaj Letonisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Miqësorja Shqipëri-Izrael, publikohen formacionet

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Kombëtarja kuqezi do të përballet sonte me Izraelin në një takim miqësor që do të nisë në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania”.

Për italianin Rolando Maran do të jetë debutim në stolin kuqezi. Trajneri italian pasoi Silvinjon, që e mbylli pas 3 vitesh e gjysmë bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Maran ka surprizuar me zgjedhjen e formacionit me të cilin do të nisë ndeshjen.

Sulmuesi Anis Mehmeti, që nuk është preferuar nga Silvinjo, e nis sonte si titullar. Po ashtu Juljan Shehu është ulur në stol, ndërsa rikthehet Ylber Ramadani si titullar. Uzuni mungon për arsye shëndetësore.

FORMACIONET ZYRTARE

SHQIPËRIA: Sherri; Mitaj, Ajeti, Gjimshiti, Hysaj, Ramadani, Asllani, Laçi, Mehmeti, Broja, Hoxha

Trajner: Rolando Maran

IZRAELI: Peretz; Revivo, Lemkin, Stoinov, Dasa, Gloukh, Kaniçovski, Peretz, Toriel, Turgmen, Solomon

Trajner: Gal Kohen

The post Miqësorja Shqipëri-Izrael, publikohen formacionet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti sot i qëndrueshëm, temperatura deri në 24 gradë Celsius

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se ditën e hënë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët, ndërsa vranësirat do të jenë të pakta deri mesatare kalimtare, kryesisht në pjesën e parë të ditës.

Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i perëndimit me shpejtësi mesatare 7 m/s.

Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon pritet të jetë i forcës 1-2 ballë.

Moti, 1 qershor 2026
1 nga 2

The post Moti sot i qëndrueshëm, temperatura deri në 24 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Final 4, luhet sot akti i fundit për titullin kampion

TIRANË, 31 maj /ATSH/ Sonte në mbrëmje, futbolli shqiptar do të përjetojë aktin final të sezonit 2025/26, aty ku do të vendoset edhe skuadra kampione e “Final 4”.

Egnatia, AF Elbasani dhe Vllaznia mbeten në garë për titullin, ndërsa dy sfidat e fundit premtojnë spektakël, rivalitet dhe emocione deri në sekondat e fundit.

Në ora 19:00 do të luhen njëkohësisht dy ndeshjet vendimtare të javës finale. Në stadiumin “Air Albania”, Vllaznia do të përballet me AF Elbasanin në një duel direkt mes dy skuadrave pretendente për trofeun, ndërsa në “Elbasan Arena”, Egnatia do të sfidojë Dinamo City-n, me rrogozhinasit që mbajnë fatin në duart e tyre.

Egnatia kryeson garën dhe kërkon të mbyllë sezonin me një tjetër sukses historik, por AF Elbasani dhe Vllaznia vijojnë të besojnë deri në fund te mundësia për të ngritur trofeun kampion. Përballjet direkte të këtij sezoni kanë treguar se diferencat mes skuadrave janë minimale, çka e bën edhe më të paparashikueshme mbrëmjen finale.

Sytë e tifozëve do të jenë të përqendruar te dy stadiumet, ku çdo gol, çdo rast dhe çdo moment mund të ndryshojë fatin e titullit kampion. Pas një sezoni të luftuar dhe plot emocione, gjithçka do të vendoset në 90 minutat e fundit të “Final 4”.

Një mbrëmje për t’u mos u humbur, aty ku futbolli shqiptar do të kurorëzojë kampionen e sezonit 2025/26. Biletat për dy ndeshjet e fundit të “Final Four” mund të blihen online në platformën ebileta.al , si edhe fizikisht pranë stadiumeve “Air Albania” dhe “Elbasan Arena”.

The post Final 4, luhet sot akti i fundit për titullin kampion appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MSHMS: Çdo formë e duhanit dëmton shëndetin

TIRANË, 31 maj /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, sot në Ditën Botërore pa Duhan, apelon qytetarët dhe sidomos të rinjtë për mospirjen e asnjë forme të duhanit, pasi janë të dëmshme për shëndetin e tyre.

Sipas MSHMS çdo formë e duhanit dëmton shëndetin. Cigaret, duhani i ngrohur, cigaret elektronike dhe produktet e tjera të duhanit nuk janë të padëmshme. Zgjedhja më e mirë për shëndetin është të mos përdoret asnjë formë e duhanit.

Në videon e prezantuar nga MSHMS, profesionistja e Shëndetit Publik përcjell mesazhe ndërgjegjësuese për të rinjtë, duke promovuar një jetë më të shëndetshme dhe pa duhan.

The post MSHMS: Çdo formë e duhanit dëmton shëndetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestohet roja i sigurisë që dhunoi një qytetar gjatë tubimit në Zvërnec, hetim disiplinor policisë Vlorë

TIRANË, 31 maj /ATSH/ Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari bëri me dije sot se është arrestuar punonjësi i shoqërisë private të sigurisë së kantierit që goditi me grusht qytetarin në Vlorë, gjatë protestës në Zvërnec. Gjithashtu ministri theksoi se ka nisur hetimi disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të DVP Vlorë.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka njoftuar se është identifikuar, kapur dhe arrestuar punonjësi i shoqërisë private të sigurisë së kantierit, i cili shfaqet në pamjet filmike duke goditur me grusht shtetasin E. S gjatë tubimit një ditë më parë në Zvërnec.

Sipas Policisë së Shtetit, në vijim të veprimeve hetimore u bë identifikimi dhe shoqërimi i punonjësit të shoqërisë private të sigurisë, shtetasit G. B., 32 vjeç, banues në Durrës. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, ai u arrestua në flagrancë, i dyshuar për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Nga hetimet paraprake rezulton se ky shtetas ka goditur me grusht shtetasin E. S. dhe më pas, në bashkëpunim me shtetasit A. G. dhe G. V., të cilët janë proceduar penalisht, e kanë tërhequr me forcë drejt vendit të rezervuar për rojet, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.

Ndërkohë, paralelisht me veprimet hetimore, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor ndaj të gjithë zinxhirit komandues të DVP Vlorë, në lidhje me masat e marra dhe menaxhimin e tubimit të zhvilluar një ditë më parë.

The post Arrestohet roja i sigurisë që dhunoi një qytetar gjatë tubimit në Zvërnec, hetim disiplinor policisë Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkeli perimetrin e sigurisë në det, 500 mijë lekë gjobë drejtuesit të mjetit jet ski

TIRANË, 31 maj /ATSH/ Pas raportimit në Policinë e Shtetit nga pushuesit se një mjet jet ski kishte shkelur perimetrin e sigurisë, në Vlorë duke rrezikuar jetën e tyre, Policia Kufitare ndërhyn menjëherë, duke bllokuar mjetin lundrues dhe ndëshkuar drejtuesin me masë administrative 500.000 lekë.

Menjëherë pas raportimeve dhe videos së dërguar nga qytetarët në Policinë e Shtetit, ku shfaqej një mjet lundrues tip Jet Ski që kishte hyrë në afërsi të bregut në zonën e Karaburunit, duke shkelur perimetrin e sigurisë dhe duke rrezikuar jetën e pushuesve, shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Triport, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, bënë të mundur konstatimin dhe ndalimin e mjetit lundrues, ndërsa po afrohej pranë molit të peshkimit në territorin e SPK Triport.

Mjeti lundrues Jet Ski u bllokua në pikën e bllokimit të mjeteve lundruese afër SMIL-it, ndërsa drejtuesi i mjetit, shtetasi E. U., u ndëshkua me masë administrative në vlerën 500.000 lekë.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve lundruese që të respektojnë perimetrin e sigurisë dhe të zbatojnë rregullat e lundrimit, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve përgjatë vijës bregdetare.

The post Shkeli perimetrin e sigurisë në det, 500 mijë lekë gjobë drejtuesit të mjetit jet ski appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vdes Kreshnik Tartari, volejbollist e trajner legjendar i “Dinamos” dhe i Kombëtares

TIRANË, 31 maj /ATSH/ Volejbolli shqiptar është në zi pas ndarjes nga jeta në moshën 83-vjeçare të Kreshnik Tartarit.

I lindur më 21 korrik 1943 në Tiranë, me 55 vite në volejboll dhe mbi 2000 ndeshje zyrtare, ai mbetet një prej figurave më emblematike të këtij sporti, duke lënë gjurmë të pashlyeshme si lojtar, trajner dhe drejtues sportiv.

Tartari ishte një nga personalitetet që kontribuoi më së shumti në ngritjen e volejbollit shqiptar në nivelet më të larta. Si volejbollist, ai shkëlqeu me fanellën e “Dinamos” dhe të ekipit kombëtar, duke fituar tituj të shumtë kampionë dhe kupa gjatë viteve të arta të këtij sporti.

Megjithatë, suksesi më i madh i Kreshnik Tartarit erdhi në rolin e trajnerit.

Ai konsiderohet një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e volejbollit shqiptar, duke ndërtuar dhe drejtuar breza të tërë sportistesh që dominuan sportin në vend dhe u bënë të njohura edhe në arenën ndërkombëtare.

Tartari ishte trajneri i brezit më të mirë të volejbollisteve shqiptare si Ela Tase, Mimoza Ibrahimi, Donika Muka, Eva Kalaja, Mira Dreni, Silva Turdiu, Lulzime Duka, Mira Podgorica, Jorgjeta Qirici, Agi Babuli, e tjera.

Nën drejtimin e tij, ekipi i femrave të Dinamos u shndërrua në një nga skuadrat më të suksesshme në historinë e sportit shqiptar. Gjithçka nisi në vitin 1974, kur formacioni i drejtuar prej tij nisi një dominim të jashtëzakonshëm, duke fituar 11 tituj kampionë radhazi dhe 20 në total. Kjo skuadër arriti gjithashtu rezultate historike në Evropë, duke siguruar pjesëmarrjen në Final Four.

Nga baza e kësaj skuadre të suksesshme, Tartari ndërtoi edhe ekipin kombëtar të vajzave, i cili në Lojërat Mesdhetare të vitit 1987 arriti një sukses të jashtëzakonshëm duke mposhtur Italinë, kampione të Evropës në atë kohë, dhe duke fituar titullin kampion të Lojërave Mesdhetare.

Në total Kreshnik Tartari regjistroi 27 kampionate të fituara me “Dinamon” si lojtar dhe trajner. 18 Kupa Republike dhe 17 pjesëmarrje në Kupat e Europës. Arritje e madhe dërgimi i Dinamos në vendin e tretë në Europë. “Mjeshtër i Madh i Sportit” për të cilin flet historia. Numëron mbi 50 trofe të fituar tek klubi “Dinamo” përfshirë edhe Spartakiada dhe turne të tjerë.

Për kontributin e tij të shquar në sport, Kreshnik Tartari u nderua me tituj dhe vlerësime të shumta, mes të cilave edhe “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”.

Sipas medieve, Kreshnik Tartari ka ndërruar jetë ditën e shtunë në San Marino.

Ndarja nga jeta e mjeshtrit Tartari është një humbje e madhe për sportin shqiptar. Ai do të kujtohet si një nga figurat që i dha lavdi volejbollit shqiptar dhe si një prej arkitektëve të sukseseve më të mëdha të këtij sporti në vend.

The post Vdes Kreshnik Tartari, volejbollist e trajner legjendar i “Dinamos” dhe i Kombëtares appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mot i qëndrueshëm, rritje e temperaturave

TIRANË, 27 maj /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se vendi ynë ditën e mërkurë ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët dhe vranësira të pakta deri mesatare, të cilat do të shoqërohen me reshje shiu të dobëta vetëm përgjatë maleve në lindje dhe jug.

Era do të fryjë me drejtim verilindje-veriperëndim me shpejtësi 7 m/s, ndërsa valëzimi në dete i forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 19/35 Diell re
Kukës 17/29 Diell re
Lezhë 20/35 Diell re
Dibër 14/30 Diell re shi
Durrës 17/35 Diell re
Tiranë 20/36 Diell re
Elbasan 19/36 Diell re shi
Berat 15/35 Diell re shi
Vlorë 19/34 Diell re
Korçë 15/29 Diell re shi
Gjirokastër 15/35 Diell re shi
Sarandë 20/33 Diell re shi

 

The post Mot i qëndrueshëm, rritje e temperaturave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Specialja për shtyrjen e gjykimit në Hagë: Vëllimi i provave dhe kompleksiteti i procedurave

PRISHTINË, 26 maj /ATSH/ Gjykata Speciale doli sot me njoftim lidhur me vendimin final që pritet të merret nga trupi gjykues në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në njoftim thuhet se paneli i gjyqtarëve ka kërkuar kohë shtesë prej 60 ditësh për shkak të volumit të madh të lëndës dhe për shkak të kompleksitetit të rastit.

“Më 5 maj, Trupi Gjykues lëshoi ​​një urdhër duke zgjatur afatin për vendimin gjyqësor në këtë çështje, për shkak të vëllimit të provave dhe kompleksitetit të procedurave. Urdhri zgjat afatin për shpalljen e vendimit gjyqësor me 60 ditë. Publiku do të informohet pasi Trupi Gjykues të ketë caktuar një datë specifike për shpalljen e vendimit”, thuhet në njoftimin e Hagës.

Megjithatë, nuk përjashtohet edhe mundësia që trupi gjykues me një vendim tjetër të zgjasë përsëri kohën e marrjes së vendimit final. /KosovaPress/

The post Specialja për shtyrjen e gjykimit në Hagë: Vëllimi i provave dhe kompleksiteti i procedurave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mot i qëndrueshëm, temperatura deri në 35 gradë Celsius

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Ditën e martë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme, njoftoi Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.

Moti parashikohet me kthjellime dhe alternime vranësirash mesatare kalimtare përgjatë relieve malore në lindje gjatë orëve të mesditës e pasdites.

Reshje shiu të karakterit lokal me intensitet kryesisht të ulët priten përgjatë relieveve malore në lindje e jug.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim-verilindje me shpejtësi mesatare 5 m/s, e cila përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore pritet të fitojë shpejtësi deri në 8 m/s.

Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon pritet të jetë i forcës 1-2 ballë.

Moti, e marte 26 maj
1 nga 2

The post Mot i qëndrueshëm, temperatura deri në 35 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Promovohet kolana e botimeve shkencore të akademikut Rexhep Meidani

TIRANË, 25 maj /ATSH/ Në mjediset e Akademisë së Shkencave u mbajt sot konferenca shkencore ndërkombëtare me temë, “Nga gigabota te grimcat elementare, gjithçka lëviz e vetorganizohet: kjo është fizika”, me rastin e promovimit të kolanës së veprës shkencore të akademikut Rexhep Meidani, kushtuar kategorive themelore të fizikës: hapësirës, kohës, materies dhe lëvizjes.

Aktiviteti u organizua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës dhe Institutin Kombëtar të Fizikës, me synimin për të vlerësuar rëndësinë e veçantë të këtyre botimeve në fushën e fizikës dhe të mendimit shkencor bashkëkohor, ku reflektohet përvoja shumëvjeçare akademike, kërkimore dhe intelektuale e autorit.

Akad. Mimoza Hafizi, drejtuese e Institutit Kombëtar të Fizikës dhe moderatore e veprimtarisë, në fjalën e mirëseardhjes theksoi se katër botimet e akad. Meidanit ishin arsyeja kryesore e organizimit të kësaj konference kushtuar fizikës. Ajo nënvizoi se Meidani mbetet thellësisht i lidhur me këtë disiplinë, të cilës i ka kushtuar gjithë jetën akademike dhe që e ka transmetuar me përkushtim te studentët dhe bashkëpunëtorët ndër vite.

Sipas saj, konferenca synoi të ndërthurte promovimin e botimeve me reflektimin mbi zhvillimet dhe sfidat aktuale të kërkimit shkencor në fizikë.

Në hapje të konferencës, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, përshëndeti pjesëmarrësit dhe organizatorët, duke vlerësuar promovimin e figurës akademike të Rexhep Meidanit si pjesë përbërëse të misionit institucional të Akademisë. Ai theksoi se vlerësimi i jetës dhe veprimtarisë së personaliteteve të shquara të shkencës nuk shërben vetëm për të evidentuar kontributet e tyre, por përbën një detyrim institucional dhe moral.

Gjinushi shprehu bindjen se botimet e reja të akad. Meidanit do të shërbejnë për të nxitur interesin e të rinjve për shkencat e natyrës dhe për të frenuar largimin e trurit nga Shqipëria. Ai u ndal veçanërisht te sfidat me të cilat përballen sot shkencat e natyrës, duke evidentuar kontrastin midis zhvillimit të vrullshëm të teknologjive moderne, përfshirë inteligjencën artificiale dhe eksplorimin hapësinor, dhe rënies së interesit të të rinjve për t’iu përkushtuar shkencave fondamentale.

Sipas tij, mjedisi akademik shqiptar ka detyrimin të promovojë modele të spikatura edhe në fushat natyrore dhe inxhinierike, krahas traditës së konsoliduar në shkencat albanologjike.

Veprimtaria e akad. Meidanit pasqyrohet në një numër të gjerë botimesh shkencore, filozofike dhe publicistike, ndër të cilat një vend të veçantë zënë katër titujt e promovuar në këtë konferencë.

Seanca e parë vijoi me fjalën e akad. Floran Vila, i cili e vlerësoi akad. Meidanin si personalitet me dimensione të mëdha akademike dhe kontribute shtetërore. Më pas, akad. Rexhep Meidani prezantoi një përmbledhje të punimeve shkencore me temën “Universi, materia, hapësirë-koha dhe lëvizja fizike”, ku paraqiti një panoramë të zhvillimeve bashkëkohore në fizikën teorike. Ai vuri theksin te disa nga temat themelore të fizikës që trajtohen në kolanën e librave të tij, si përbërja dhe evolucioni i universit, kategoria e materies, si dhe konceptet e hapësirës, kohës dhe lëvizjes. Ai e paraqiti fizikën si një proces vetorganizues, ku fenomenet e universit lidhen në mënyrë të brendshme dhe të vazhdueshme, duke e vendosur kërkimin shqiptar në dialog me zhvillimet ndërkombëtare dhe duke nxjerrë në pah dimensionin konceptual të fizikës përtej aplikimeve teknike.

Seanca e dytë vijoi me referime nga studiuesit prof. Claude Charlot nga Ecole Polytechnique, Francë, prof. Kimet Jusufi nga Universiteti i Tetovës, prof. dr. Margarita Ifti nga Universiteti i Tiranës dhe akad. Mimoza Hafizi. Ata trajtuan çështje të rëndësishme të fizikës moderne, duke u ndalur në zhvillimet e kërkimit mbi bozonin Higgs, problematikat e singulariteteve dhe energjisë së errët, lidhjet mes lëvizjes termike dhe sistemeve komplekse, si dhe panoramën e kërkimit shkencor në Shqipëri nga gigabota te grimcat elementare.

Në kuadër të konferencës u prezantuan gjithashtu edhe referime nga studentë doktorature, të cilët ndanë rezultatet e punës së tyre kërkimore në fusha të ndryshme të fizikës.

Aktiviteti shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve, promovimin e kërkimit shkencor dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike shqiptare dhe atyre ndërkombëtare.

Promovimi i kolanes se botimeve te akad. Rexhep Meidanit
1 nga 12

The post Promovohet kolana e botimeve shkencore të akademikut Rexhep Meidani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mot me vranësira kalimtare, temperatura deri në 31 gradë Celsius

TIRANË, 24 maj /ATSH/ Moti sot parashikohet fillimisht i kthjellët dhe gradualisht pritet shtim vranësirash të pakta deri mesatare kalimtare në pjesën më të madhe të territorit. Duke filluar nga orët e mesditës deri ato të pasdites në relievet kodrinore-malore të territorit vranësirat hera-herës do të jenë të dendura.

Prej orëve të mesditës deri ato të pasdites vonë në relievet malore në lindje priten reshje shiu të herëpashershme dhe me intensitet të ulët.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave priten reshje të dobëta në të gjithë qarqet.

Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 17 / 30 °C

në vendet e ulëta: 16 / 31 °C

në vendet malore: 12 / 24 °C

Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa për momente të veçanta deri e fortë në bregdet dhe në vendet malore.

The post Mot me vranësira kalimtare, temperatura deri në 31 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Transportonin lëndë drusore pa dokumentacion, IKMT dhe Policia Shkodër bllokojnë tre automjete

TIRANË, 23 maj /ATSH/ Drejtoria Rajonale e IKMT Shkodër në bashkëpunim me Policinë e Shtetit bllokoi tre automjete të ngarkuara me lëndë drusore pranë zonës së Prekalit.

Nga grupi i punës së Drejtorisë së Inspektimit të Pyjeve, pranë IKMT dhe Policia e Shkodrës janë kryer verifikimet në terren, ku është konstatuar  në kushte flagrance se automjetet ishin pa dokumentacionin përkatës ligjor.

Mjeti tip Mercedes, ngjyrë portokalli, me targë AB706HI, i drejtuar nga shtetasi D.N., i ngarkuar me lëndë drusore të llojit Ah, në sasinë 19 mst.

Mjeti tip Ifa me kabinë jeshile, me targë AA592OT, i drejtuar nga shtetasi Z.N., i ngarkuar me lëndë drusore të llojit Ah në sasinë 13.5 mst.

Mjeti tip Mercedes, me targë AB967AD, i drejtuar nga shtetasi A.D., i ngarkuar me lëndë drusore të llojit Ah në sasinë 19 mst.

Gjatë kontrollit janë evidentuar shkelje të dispozitave ligjore në fuqi për transportin e lëndës drusore, ku për secilin rast janë kryer veprimet procedurale përkatëse, është bërë dokumentimi i shkeljeve të konstatuara dhe janë mbajtur masat administrative sipas legjislacionit në fuqi, ndaj personave përgjegjës.

IKMT Shkoder
1 nga 6

The post Transportonin lëndë drusore pa dokumentacion, IKMT dhe Policia Shkodër bllokojnë tre automjete appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Final 4, Egnatia fiton edhe ndaj Vllaznisë dhe vë njërën dorë te titulli

TIRANË, 23 maj /ATSH/ Egnatia ka fituar edhe ndeshjen e dytë të vlefshme për fazën Final 4, duke mposhtur Vllazninë me rezultatin 2-1.

Në ndeshjen e luajtur mbrëmjen e sotme në Air Albania, Egnatia arriti të mposhtë pretendentët kryesorë për titull kampion, me dy gola të shënuar nga Soton në minutën e 38-të, dhe Adjesën në të 88-ën. Vllaznia barazoi përkohësisht me Qaton në minutën e 77-të.

Një përballje e luftuar deri në fund, me ritëm të lartë, duele të forta dhe emocione që mbetën të hapura deri në minutat e fundit.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të rrogozhinasve, pas një 45-minutëshi intensiv ku të dyja skuadrat u shfaqën agresive, ndërsa arbitri u detyrua të nxirrte 5 kartonë të verdhë. Golin e avantazhit për Egnatian e realizoi Eljon Sota, i cili shfrytëzoi në maksimum një krosim të Kryeziut dhe me goditje me kokë dërgoi topin në rrjetë. Në minutat shtesë të pjesës së parë, Egnatia iu afrua edhe golit të dytë, por pa arritur të dyfishojë rezultatin.

Edhe pjesa e dytë nisi me raste për skuadrën e Egnatias, me Bakajokon që shpërdoroi një mundësi të artë përballë portës së Pohls. Kur dukej se rrogozhinasit po kontrollonin sfidën, Vllaznia reagoi në minutën e 77-të. Pas një shtylle të goditur fillimisht nga Murataj, ishte Qato ai që shfrytëzoi topin e kthyer për të barazuar rezultatin dhe për të rihapur plotësisht ndeshjen.

Megjithatë, fjala e fundit i takoi Egnatias. Në minutën e 88-të, Adjesa realizoi golin e fitores, duke vulosur suksesin 2-1 të skuadrës rrogozhinase, që merr kështu tri pikë shumë të rëndësishme dhe ngjitet në krye të renditjes me 34 pikë. Në vendin e dytë renditet Elbasani me 31 pikë (1 ndeshje më pak). Po kaq ka edhe Vllaznia e vendit të tretë, ndërsa Dinamo City ka 27 pikë (1 ndeshje më pak).

Kjo fitore e Egnatias nxjerr jashtë loje matematikisht nga gara për titull Dinamo City-n.

Ndërkohë, nesër në stadiumin “Air Albania” do të luhet edhe sfida tjetër e kësaj faze mes Elbasanit dhe Dinamo City-t, e programuar për në orën 19:00.

The post Final 4, Egnatia fiton edhe ndaj Vllaznisë dhe vë njërën dorë te titulli appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria mbyll rrugëtimin në Europianin e Socca-s

TIRANË, 23 maj /ATSH/ Kombëtarja shqiptare e Socca-s e mbylli sot rrugëtimin e saj në Kampionatin Europian që po zhvillohet në “Shtëpinë e Futbollit”, pas ndeshjes çerekfinale ndaj Serbisë, e cila përfundoi me rezultatin 3-0 për kundërshtarët.

Pas kualifikimit emocionues ndaj Francës në raundin e 1/8-ave, kuqezinjtë zbritën në fushë të mbështetur nga një atmosferë fantastike në tribunat e “Shtëpisë së Futbollit”, duke provuar deri në fund të rivalizonin në një sfidë me intensitet të lartë.

Shqipëria zhvilloi një ndeshje të luftuar, krijoi raste dhe tentoi të gjente golin, por Serbia arriti të zhbllokonte sfidën në pjesën e dytë dhe më pas realizoi edhe dy herë të tjera, duke siguruar kualifikimin për në gjysmëfinale.

Të tre golat e takimit u shënuan në pjesën e dytë, në një moment kur kuqezinjtë kërkonin të mbanin të hapur ndeshjen dhe të riktheheshin në lojë.

Pavarësisht eliminimit, Shqipëria zhvilloi një kampionat pozitiv në këtë Europian të Socca-s, duke kaluar fazën e grupeve dhe duke siguruar një fitore të rëndësishme ndaj Francës në 1/8-at, përpara se të ndalej në çerekfinale.

The post Shqipëria mbyll rrugëtimin në Europianin e Socca-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Braho në Palermo: Lufta kundër krimit të organizuar duhet të fokusohet tek individët dhe rrjetet kriminale

TIRANË, 23 maj /ATSH/ Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodjan Braho, mori pjesë më 22-23 maj, në takimin ndërkombëtar që u zhvillua në Palermo (Itali), “Bashkëpunimi ligjor ndërkombëtar dhe proceset e integrimit të organizatave kriminale transnacionale: analiza dhe perspektiva pune”.

Aktiviteti u mbajt në Pallatin e Drejtësisë, në përkujtim të Giovanni Falcones dhe Paolo Borsellinos. Aty morën pjesë drejtues dhe përfaqësues të prokurorive dhe institucioneve të drejtësisë nga vendet e Europës, Ballkanit Perëndimor dhe Amerikës Latine.

Në njoftimin për mediet ditën e sotme, SPAK informon se në fjalën e tij, Braho nënvizoi qasjen e Prokurorisë së Posaçme përballë sfidave që paraqet sot krimi i organizuar transnacional, i cili vepron gjithnjë e më shumë përmes rrjeteve ndërkufitare, të afta për t’u përshtatur me zhvillimet teknologjike, financiare dhe logjistike.

Ai theksoi rëndësinë e një qasjeje hetimore që synon të kuptojë të gjithë zinxhirin e veprimtarisë kriminale: nga burimi dhe organizimi i aktivitetit kriminal, te lidhjet ndërkombëtare, mekanizmat financiarë, pastrimi i produkteve të veprës penale dhe destinacionet përfundimtare të përfitimit të paligjshëm.

Vëmendje e veçantë iu kushtua mënyrës së trajtimit publik të fenomenit të krimit të organizuar, duke theksuar nevojën për shmangien e përgjithësimeve mbi bazë kombësie, gjuhe apo përkatësie shoqërore. U nënvizua se lufta kundër krimit të organizuar duhet të fokusohet te individët, strukturat dhe rrjetet konkrete kriminale, mbështetur mbi prova, analiza profesionale dhe tek bashkëpunimi mes autoriteteve ligjzbatuese.

SPAK vlerëson se përballja me krimin e organizuar transnacional kërkon hetime proaktive dhe financiare, shkëmbim të shpejtë informacioni dhe bashkëpunim të qëndrueshëm me autoritetet homologe ndërkombëtare.

Në këtë drejtim, Prokuroria e Posaçme mbetet një partner serioz, i besueshëm dhe aktiv për bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

The post Braho në Palermo: Lufta kundër krimit të organizuar duhet të fokusohet tek individët dhe rrjetet kriminale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fieri hap në plazhin e Darëzezës sezonin e ri turistik veror

TIRANË, 23 maj /ATSH/ Mes një atmosfere festive dhe pjesëmarrjes së qindra qytetarëve, Fieri çeli sot zyrtarisht sezonin turistik veror në plazhin e Darëzezës.

Festës së hapjes nuk i munguan garat e hipizmit, koncerti rok dhe ndeshjet e boksit. Pjesëmarrja masive e qytetarëve është cilësuar si një ogur i mirë për sezonin turistik, sipas kryebashkiakut Armando Subashi, i cili në një prononcim për medie tha se përtej festës, bashkia ka marrë masa konkrete për një sezon të mbarë.

“Ne presim që ky të jetë një sezon i suksesshëm edhe përvojën e kam të plotë edhe investimet që kemi kryer në infrastrukturën për bregdetin do ta mundësojnë këtë gjë. Besoj që kështu do të vazhdojmë deri në fund. Ne kemi bërë një shpërndarë më të mirë të hapësirës së plazhit duke ruajtur raportet të drejta e sipas përcaktimeve të plazheve private dhe publike. Për plazhet publike kemi marrë masa, kemi shtuar numrin e vrojtuesve”, tha Subashi.

Fieri ka dy plazhe të mëdha të frekuentuara masivisht, Semanin dhe Darëzezën. Por këtë sezon, surpriza pritet të jetë Pishë-Poro, për të cilin Subashi tha se është “perla” e bregdetit të Fierit.

Darëzeza po kthehet çdo vit në një destinacion gjithnjë e më të preferuar, duke premtuar një verë plot vizitorë dhe energji pozitive.

The post Fieri hap në plazhin e Darëzezës sezonin e ri turistik veror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA: Presim që plani i Qeverisë për Xhandarmërinë të jetë në përputhje me zotimet për ruajtjen e paqes

PRISHTINË, 23 maj /ATSH/ Shtetet e Bashkuara presin që plani i Qeverisë në detyrë të Kosovës për themelimin e Xhandarmërisë të jetë “në përputhje me zotimet e saj për ruajtjen e paqes dhe sigurisë”.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, i cili shtoi se po “monitorojmë njoftimet e fundit sa i përket propozimit për krijimin e një force xhandarmërie në Kosovë”.

Më 19 maj, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se janë ndërmarrë hapat e parë drejt themelimit të Xhandarmërisë së Kosovës. Ai tha se është nënshkruar dokumenti për krijimin e një grupi punues që do të bëjë analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e xhandarmërisë.

Sipas Sveçlës, kjo forcë do të ketë mision të qartë për ruajtjen e kufijve, integritetit dhe sovranitetit territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave dhe mbrojen e infrastrukturës kritike.

Ndërkaq, nga NATO-ja, e cila që nga viti 1999 ka misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, i thanë Radios Evropa e Lirë se po vëzhgojnë nga afër deklarimet e institucioneve në Kosovë për këtë çështje.

“U përket atyre që të komentojnë në më shumë detaje” për këtë çështje, tha një zyrtar i NATO-s.

KFOR-i, i cili është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë – pas Policisë së Kosovës dhe misionit për Sundim të Ligjit të BE-së, EULEX – veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Zyrtari i NATO-s tha se aleanca vazhdon të bashkëpunojë me të gjitha organizatat e sigurisë në Kosovë dhe të japë kontribut për siguri të qëndrueshme për të gjithë.

Zyrtari i aleancës ushtarake perëndimore tha po ashtu se Ekipi Këshillues i NATO-s dhe Ndërlidhës (NALT) ka mbështetur zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës “në përputhje me mandatin e tij origjinal për mbrojtje civile, përmes ndërtimit të kapaciteteve, edukimit dhe trajnimit”.

“Ne presim që organizatat e sigurisë në Kosovë të vazhdojnë këtë qasje bashkëpunuese, duke u koordinuar me KFOR-in për të kontribuuar në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal, në të mirë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, tha zyrtari i NATO-s në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, nga Ambasada gjermane në Prishtinë thanë për Radion Evropa e Lirë se do të përmbahen nga komentimi për këtë çështje.

Lajmi për ndërmarrjen e hapave të parë për krijimin e Xhandarmërisë është kritikuar nga autoritetet në Beograd, të cilat kanë thënë se “KFOR është forca e vetme legjitime e armatosur në Kosovë, përgjegjëse për kontrollimin dhe patrullimin përgjatë vijës administrative”.

Ndonëse nuk dihen detaje se cili do të jetë misioni i saktë i Xhandarmërisë që Kosova mëton ta themelojë, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, i tha më herët Radios Evropa e Lirë se një forcë e tillë sigurie do të mund të merrte kompetenca për ruajtjen e kufirit me Serbinë, që aktualisht është në mandatin e KFOR-it.

Sipas tij, Kosova duhet të përgatitet për çdo ndryshim të rolit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, ndonëse tha se beson se ky mision do të qëndrojë për vite apo edhe një dekadë në vend.

Në këtë drejtim, ai kujtoi se shteti dhe KFOR-i kanë një marrëveshje që Forca e Sigurisë së Kosovës – që është në proces të transformimit në ushtri – të mos shkojë në veri pa pëlqimin e misionit paqeruajtës, duke thënë se Xhandarmëria do të mund të plotësonte këtë boshllëk.

“Përderisa është një marrëveshje xhentëlmene mes KFOR-it dhe FSK-së që të mos jetë shumë prezente në pjesën veriore, Xhandarmëria do ta krijonte një strukturë të re, e cila nuk është pjesë e kësaj marrëveshje xhentëlmene”, tha Vrajolli.

Sipas tij, kjo do të mundësonte që rolet e kontrollit kufitar dhe veprimeve të tjera që i bëjnë KFOR-i të jenë të përbashkëta me njësi që mund të jenë në kuadër të Policisë, apo në kuadër të MPB-së, “e që do të fillonte sa më parë procesin e krijimit të kapaciteteve vendore dhe njohurisë se si të ballafaqohemi me kërcënime bashkërisht me KFOR-in në veri dhe pjesë të tjera të Kosovës”.

Dërgimi i FSK-së – që është në proces të transformimit në ushtri – në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.

Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.

Vrajolli vlerësoi se Kosova nuk ka nevojë që të ketë një xhandarmëri që do të merrej me incidente të brendshme, pasi vlerëson se Policia e Kosovës është e aftë të ballafaqohet me to.

“Pikërisht fakti që vija kufitare mbrohet nga KFOR-i, KFOR ka përgjegjësi të zgjeruara në këtë fushë dhe nevojitet që ne të krijojmë institucionet tona që janë të gatshme ta zëvendësojnë KFOR-in kurdo që KFOR-i nuk është aty”, u shpreh ai.

Xhandarmëria është një forcë e sigurisë që ka karakter ushtarak dhe kryen detyra policore. Në disa shtete mund të jetë pjesë e Ministrisë së Brendshme, në të tjera pjesë e forcave të armatosura.

Shumë shtete kanë xhandarmërinë e tyre, përfshirë edhe fqinji verior i Kosovës, Serbia, xhandarmëria e së cilës funksionon në kuadër të policisë.

Xhandarë kanë edhe shtete të tjera, përfshirë të NATO-s, sikurse është rasti i Francës. Në këtë shtet, Xhandarmëria është pjesë e forcave të armatosura. /REL/

The post SHBA: Presim që plani i Qeverisë për Xhandarmërinë të jetë në përputhje me zotimet për ruajtjen e paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌