TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi sot një interpelancë me deputetin e Partisë Demokratike, Klevis Balliu, në lidhje me menaxhimin e flukseve migratore në vend.
Gjatë fjalës së tij, Lamallari tha se Shqipëria nuk po përballet me krizë migratore dhe po menaxhon me efikasitet flukset e migrantëve, duke forcuar kapacitetet kufitare dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
“Nuk e fsheh dot habinë e kërkesës për këtë interpelancë, a thua se Shqipëria ndodhet në ndonjë krizë migratore apo ka humbur kontrollin mbi kufijtë e saj. Përkundrazi, të gjitha të dhënat tregojnë se vendi ynë po menaxhon mjaft mirë flukset migratore, duke forcuar vit pas viti kapacitetet e kontrollit kufitar, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe goditjen e rrjeteve kriminale. Megjithatë në respekt të deputetëve të opozitës dhe në përmbushjen e detyrimit kushtetues që kam, jam këtu për t’ju përgjigjur shqetësimit që ju keni ngritur”, tha ai.
Lamallari theksoi se migracioni është një çështje që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare, kontrollin e territorit, luftën kundër krimit të organizuar dhe detyrimet që Shqipëria ka marrë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.
Sipas tij, në vitin 2025 janë evidentuar 1,926 migrantë të parregullt, një rritje prej 25% krahasuar me vitin 2024, por niveli mbetet shumë më i ulët se vitet me flukse të mëdha migratore, si 2022 dhe 2023. Ai vuri në dukje se shumica e migrantëve përdorin Shqipërinë si vend tranziti drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Ministri theksoi se fenomeni i hyrjes së paligjshme nga vende si Bangladeshi, Nepali dhe Sri Lanka po menaxhohet me procedura ripranimi dhe kthimi vullnetar, ndërsa numri i azilkërkuesve ka rënë nga 261 në vitin 2023 në 104 në vitin 2024.
“Fakt është se nuk kemi një krizë migratore dhe se vendi ynë po kontribuon aktivisht në sigurinë e kufijve të Evropës. Në vitin 2024 janë evidentuar 1,540 migrantë të parregullt, ndërsa në vitin 2025 janë evidentuar 1,926. Po, kemi një rritje prej rreth 25%, por kjo duhet parë në perspektivë. Në vitin 2022 u evidentuan mbi 8 mijë migrantë të parregullt, ndërsa në vitin 2023 mbi 6 mijë. Pra, niveli aktual mbetet shumë më i ulët se periudhat kur Ballkani Perëndimor përballej me presione të forta migratore.
“Rritja e evidentuar gjatë vitit 2025 nuk duhet lexuar jashtë kontekstit të zhvillimeve rajonale dhe të dhënave afatgjata. Në fakt, Shqipëria sot përballet me nivele dukshëm më të ulëta të migracionit të parregullt krahasuar me vitet e flukseve intensive. Një fenomen i ri i konstatuar nga fundi i vitit 2025 ka qenë hyrja e paligjshme e shtetasve nga Bangladeshi, Nepali dhe Sri Lanka përmes kufirit me Malin e Zi, pasi më herët ishin pajisur me viza ose leje qëndrimi në Serbi.
Autoritetet shqiptare kanë vepruar menjëherë për identifikimin dhe verifikimin e tyre, duke zbatuar procedurat e ripranimit ose kthimit vullnetar në vendet e origjinës. Po ashtu, të dhënat zyrtare tregojnë se numri i azilkërkuesve në Shqipëri ka rënë nga 261 në vitin 2023 në vetëm 104 gjatë vitit 2024, ndërsa shumica e tyre vijnë nga Afganistani, Siria dhe Pakistani. Këto tregues, së bashku me intervistat e zhvilluara me migrantët e ndaluar, konfirmojnë se Shqipëria nuk perceptohet si destinacion përfundimtar, por kryesisht si një vend tranziti drejt vendeve të Bashkimit Europian, si Gjermania, Austria, Suedia dhe Holanda. Kjo është arsyeja pse sfida jonë kryesore mbetet menaxhimi efektiv i flukseve dhe goditja e rrjeteve kriminale që përpiqen të shfrytëzojnë këto lëvizje migratore”, tha ministri.
Sa i përket trafikimit të qenieve njerëzore, Lamallari tha se rrjetet kriminale po goditen intensivisht. Sipas tij gjatë vitit 2025 u finalizuan 14 operacione policore kombëtare dhe një operacion ndërkombëtar me Europol, duke ndjekur 26 raste të trafikimit dhe proceduar dhjetëra autorë.
“Një nga pyetjet e ngritura në kërkesën tuaj, lidhet me trafikimin e qenieve njerëzore dhe rrjetet kriminale që operojnë në këtë fushë. Përgjigjja jonë është e qartë; këto rrjete ekzistojnë, por ato po goditen me një intensitet në rritje dhe këtu shifrat flasin qartë.
“Gjatë vitit 2025 janë finalizuar 14 operacione policore kombëtare kundër trafikimit të personave, si dhe një operacion i përbashkët ndërkombëtar në kuadër të Europol-it, me pjesëmarrjen e Policisë Shqiptare, Policisë Kolumbiane dhe Policisë Kroate, nën koordinimin e Eurojust. Janë ndjekur me metoda speciale hetimi 26 raste të trafikimit të personave dhe janë proceduar dhjetëra autorë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Këto nuk janë thjesht statistika. Janë tregues të kapaciteteve në rritje të shtetit për të identifikuar, hetuar dhe çmontuar rrjete kriminale që operojnë përtej kufijve kombëtarë.
“Po ashtu, gjatë vitit 2025 janë evidentuar 44 raste të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, ku është tentuar kontrabandimi i 121 personave. Kjo tregon se strukturat tona jo vetëm po monitorojnë fenomenin, por po e godasin atë në kohë reale”, tha ai.
Lamallari shtoi se Shqipëria ka investuar historikisht në Policinë Kufitare, duke rritur efektivët me mbi 31%, shtuar automjete, dronë, radarë detarë dhe sisteme monitorimi, me mbështetje të Bashkimit Europian dhe FRONTEX.
“Për shqetësimin tuaj që lidhet me forcimin e kufijve tokësorë dhe detarë, dua të them se Shqipëria ka bërë investimin më të madh në historinë e Policisë Kufitare. Që nga viti 2019, numri i efektivëve të Policisë Kufitare është rritur me mbi 31%, duke arritur në afro 2,300 punonjës. Janë shtuar automjetet e patrullimit, sistemet e vrojtimit, kamerat inteligjente, radarët detarë, dronët me kapacitete termike dhe mjetet lundruese për kontrollin e kufirit blu”, tha ai.
Lamallari theksoi se “vetëm përmes programeve të financuara nga Bashkimi Europian janë investuar miliona euro në teknologji, mjete lundruese, radarë dhe sisteme moderne monitorimi. Në janar të këtij viti është miratuar edhe Plani Kombëtar i Veprimit për Shengenin, ndërsa ligji i ri për kontrollin e kufirit shtetëror ka përafruar më tej Shqipërinë me standardet europiane. Por ndoshta dëshmia më e fortë e besimit europian ndaj institucioneve shqiptare është bashkëpunimi me FRONTEX. Shqipëria ishte vendi i parë jashtë Bashkimit Europian ku FRONTEX dislokoi oficerë operativë në terren”.
Sipas tij, sot rreth 90% e migrantëve të parregullt identifikohen në zonat operative të mbuluara nga këto struktura, krahasuar me më pak se gjysmën më parë.
“Sot operacionet e përbashkëta shtrihen në kufirin me Greqinë, Malin e Zi, në portet kryesore dhe në kufirin detar. Rezultatet janë konkrete. Rreth 90% e migrantëve të parregullt identifikohen sot në zonat operative të mbuluara nga FRONTEX dhe Policia e Shtetit, ndërkohë që para fillimit të këtyre operacioneve identifikoheshin më pak se gjysma e tyre. Bashkëpunimi me FRONTEX, Europol, Eurojust, autoritetet britanike, gjermane dhe partnerët e tjerë europianë ka mundësuar jo vetëm kontroll më të fortë kufitar, por edhe goditjen e rrjeteve kriminale që veprojnë në kontrabandimin e migrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore”, tha ai.
/m.q/j.p/
The post Lamallari: Vendi po menaxhon mjaft mirë flukset migratore, 90% e migrantëve identifikohen në kufi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.