Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 June 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Zvërneci zonë e kategorisë 5, Vjosa nuk do të preket

TIRANË, 9 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se zona ku do të investohet në Zvërnec ka qenë gjithmonë zonë e kategorisë pesë, ndërsa kujtoi se edhe në standardet europiane ka disa kategori të zonave të mbrojtura ku lejohet dhe ku nuk lejohet zhvillimi.

Në një konferencë për shtyp në selinë e kryeministrisë me gazetarë dhe përfaqësues të medieve nga vendet e Bashkimit Europian, Rama u shpreh se është i gabuar prezumimi që një vendi i duhet të zgjedhë midis natyrës dhe zhvillimit.

“Kjo është ideologji dhe nuk është ajo çfarë thonë praktikat më të mira në këtë botë. Vendit i duhet të gjejë në mënyrë mjaft inteligjente mënyra për t’u siguruar që natyra dhe zhvillimi të bashkëjetojnë dhe të mos i shkojnë përkundër njëra-tjetrës”, tha Rama.

Megjithatë, Rama pranoi se “gjëra mjaft të pakëndshme kanë ndodhur me natyrën në rrugëtimin e zhvillimit në këtë vend”.

“Vendi doli nga komunizmi si vendi më i varfër në Europë, krahasuar madje edhe me ish-vendet komuniste. Ne ishim të izoluar si nga Perëndimi, ashtu dhe nga Lindja. Për 50 vjet ishim të detyruar të ishim një vend ku nuk kishte asnjë pronë private në asnjë mënyrë apo formë”, shtoi Rama.

Ndërkohë Rama tha se Shqipëria është sot një nga vendet me sipërfaqen më të madhe të zonave të mbrojtura.

“Askush nuk mund të më japë leksione mua apo neve për mjedisin, sepse ne hartuam ligjin e parë, hartën e parë të zonave të mbrojtura të Shqipërisë në vitin 2017 dhe të parin regjistër e inventar. Ne e gjetëm Shqipërinë me më pak se 15% të zonave të mbrojtura, ndërsa sot kemi rreth 25% zona të mbrojtura”, shtoi ai.

Rama theksoi se PS erdhi në qeveri me një agjendë shumë të qartë për mjedisin.
“Pra, ne qenkemi rreziku dhe ne e paskemi ndryshuar ligjin hapësirë Jared Kushner që të shkaktërrojë bregdetin tone? Çfarë po thoni? Kjo është gënjeshtër. Në vitin 2024 ne bëmë ndryshime për të specifikuar çfarë lejohet e çfarë nuk lejohet në kategoritë e ndryshme të mbrojtjes. Sepse nuk ka vetëm një kategori mbrojtje edhe në Europë. Në standardet europiane ka disa kategori të zonave të mbrojtura. Është kategoria 1 që nuk preket, thjesht ruhet. Por janë edhe të tjerat. Zona për të cilën flasim ka qenë gjithmonë zonë e kategorisë pesë. Nuk ka aspak të bëjë me Vjosën. Ajo është e mbrojtur, është e paprekshme dhe nuk do të preket”, tha Rama.

Sipas tij, “numri më i madh i arkitektëve më të mirë të botës po punojnë së bashku për këtë projekt”.

“Këtë lloj përqendrimi nuk e gjeni dot në asnjë vend të Europës. Sepse ne duam të bukurën, duam cilësinë, duam që të ndodhin gjëra që e ndryshojnë këtë vend njëherë e mirë”, shtoi Rama.

/r.e/

The post Rama: Zvërneci zonë e kategorisë 5, Vjosa nuk do të preket appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hoxha: Shqipëria hap së shpejti ambasadë në Irlandë, rritje e bashkëpunimit mes dy vendeve

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u prit sot në një takim në Dublin nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Irlandës, Helen McEntee.

Hoxha informoi se në takim u riafirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe midis Shqipërisë dhe Irlandës.

“Zhvilluam një shkëmbim konstruktiv mendimesh mbi objektivin tonë të përbashkët për forcimin e mëtejshëm të dialogut politik dhe zgjerimin e bashkëpunimit praktik në një sërë sektorësh kryesorë. Ramë dakord mbi nevojën për të eksploruar mundësi konkrete për të forcuar partneritetin tonë ekonomik, me një fokus të veçantë në tregti, investime, turizëm, shërbime digjitale dhe inovacion”, theksoi ai.

Gjatë takimit, Hoxha theksoi kontributin e vlefshëm të diasporës shqiptare në Irlandë, e cila vazhdon të shërbejë si një urë e rëndësishme midis ekonomive dhe shoqërive tona.

Në këtë kontekst, ai informoi ministren McEntee mbi vendimin e qeverisë shqiptare për të hapur një ambasadë në Dublin në të ardhmen e afërt, një hap i rëndësishëm që do të thellojë më tej partneritetin tonë dypalësh dhe do të rrisë bashkëpunimin midis dy vendeve tona.

Hoxha shprehu vlerësimin e thellë për mbështetjen e palëkundur të Irlandës për zgjerimin e BE-së dhe për rrugën e anëtarësimit në BE të Shqipërisë, veçanërisht teksa mirëpresim Presidencën e ardhshme të Këshillit të BE nga Irlanda.

Gjithashtu, ai ndau një përditësim mbi progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, duke nënvizuar angazhimin tonë të fortë për të ruajtur ritmin e reformave, teksa përparojmë drejt fazës tjetër të negociatave, mbylljes së kapitujve.

“Lidhur me zhvillimet rajonale dhe globale, ne riafirmuam angazhimin tonë të përbashkët për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Evropës, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor si një pjesë integrale e së ardhmes së saj”, bëri të ditur ai.

1 nga 3

/m.m/r.e/

The post Hoxha: Shqipëria hap së shpejti ambasadë në Irlandë, rritje e bashkëpunimit mes dy vendeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Peleshi takon homologun grek: Greqia mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi po zhvillon një vizitë zyrtare në Athinë, ku u takua me presidentin e parlamentit të Greqisë, Nikitas Kaklamanis.

Vizita në Arhinë vjen në vijim të turit të diplomacisë parlamentare dhe kontakteve me partnerët strategjikë të Shqipërisë në rajon dhe Europë.

Gjatë takimit, dy kryetarët e parlamenteve vlerësuan marrëdhëniet e ngushta miqësore mes Shqipërisë dhe Greqisë, të mbështetura në interesat e përbashkëta strategjike, partneritetin në NATO për sigurinë dhe paqen, si dhe perspektivën e përbashkët europiane.

Ata nënvizuan rëndësinë e thellimit të dialogut politik dhe parlamentar në interes të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë ndaj procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe vlerësoi progresin e arritur në negociatat me Bashkimin Europian, duke ritheksuar objektivin për përfundimin e tyre brenda vitit 2027.

Nga ana e tij, presidenti i parlamentit të Greqisë, Nikitas Kaklamanis rikonfirmoi mbështetjen e vendit të tij për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe theksoi se zgjerimi i bashkëpunimit parlamentar krijon mundësi të reja për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Gjatë takimit u diskutua edhe për bashkëpunimin ekonomik, ku u vu në dukje rritja e shkëmbimeve tregtare, investimeve, projekteve infrastrukturore dhe flukseve turistike, si dëshmi e potencialit të madh që ekziston për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua komunitetit të emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe minoritetit grek në Shqipëri, të cilët përbëjnë ura të rëndësishme lidhëse mes dy vendeve dhe dy popujve.

“Dy urat më të rëndësishme që lidhin vendet tona janë minoriteti grek në Shqipëri dhe komuniteti shqiptar në Greqi. Mbi këto vlera duam të ndërtojmë më shumë prosperitet dhe bashkëpunim mes dy vendeve tona”, u shpreh Kryetari i Kuvendit.

Në takim u theksua gjithashtu rëndësia e trajtimit me dialog dhe frymë konstruktive të të gjitha çështjeve me interes të ndërsjellë, në respekt të parimeve të fqinjësisë së mirë, së drejtës ndërkombëtare dhe interesave strategjike të përbashkëta.

Duke riafirmuar vullnetin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë, të dy kryetarët vlerësuan bashkëpunimin parlamentar si një instrument të rëndësishëm për nxitjen e bashkëpunimit të gjithanshëm dypalësh, forcimin e sigurisë, stabilitetit rajonal dhe promovimin e paqes.

Kryetari i Kuvendit shoqërohet në këtë vizitë zyrtare në Athinë nga deputetët Anila Denaj, Vasil Llajo, Pirro Dhima, Ivi Kaso, Vangjel Dule dhe Ilirjan Pendavinji, si dhe nga ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, Luela Hajdaraga.

/m.m/r.e/

The post Peleshi takon homologun grek: Greqia mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rizzo: Fuqizimi i burimeve njerëzore me rëndësi në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së

TIRANË, 9 qershor/ATSH-Maela Marini/ Përfaqësuesi i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Andre Rizzo theksoi sot rëndësinë e fuqizimit të burimeve njerëzore në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.

Gjatë punimeve të Konferencës së 3-të Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, Rizzo çmoi rrugën ka bërë Shqipëria për të fuqizuar arsimin dhe formimin profesional.

“Përparimi që ka bërë Shqipëria në arsim profesional është rezultati i përpjekjeve të përbashkëta në ekonomi. Në ditët e sotme rritja ekonomike nuk udhëhiqet më kryesisht vetëm nga burimet natyrore apo nga infrastruktura. Ajo udhëhiqet nga persona, nga njohuritë e tyre, nga aftësitë e tyre, nga krijueshmëria e tyre dhe nga aftësia për t’u përshtatur me ndryshimet”, theksoi Rizzo.

Ndaj, sipas tij, përmirësimi i kapaciteteve njerëzore qëndron në themel të agjendës së reformave të Shqipërisë.

“Nevojitet një qasje që kombinon zhvillimin e aftësive, krijimin e vendeve të punës dhe përfshirje sociale. Investime të tilla çojnë në rezultate afatgjata kur mbështeten nga politika publike efektive dhe nga partneriteti i fortë ndërmjet institucioneve”, tha Rizzo.

Rizzo theksoi se këto janë edhe përparësitë e Bashkimit Evropan, ndaj duhet të sigurohemi që sistemet e arsimimit t’i përgjigjen në mënyrë të shpejtë nevojave që ndryshojnë në tregun e punës.

“Arsimi dhe formimi profesional janë kthyer në një nga mjetet kryesore për të trajtuar mungesën e aftësive, për të mbështetur konkurrencën dhe për të krijuar mundësi për të rinjtë. Mesazhi nga BE-ja është shumë i qartë. Aftësitë kanë rëndësi”, shtoi ai.

Nga ana tjetër Rizzo vlerësoi përparimin e bërë në vitet e fundit për ta kthyer arsimin profesional më reagues ndaj nevojave të tregut.

“BE është krenar që mbështet përpjekjet e qeverisë shqiptare për të modernizuar sistemin e punësimit dhe të aftësive. BE ka qenë në partneritet me Shqipërinë për të çuar përpara reformat, për të rritur qasjen në punë të ndershme dhe për të përmirësuar arsimin profesional. BE vazhdon të jetë e angazhuar që të punojë krah për krah me të gjithë ju teksa Shqipëria vijon të fuqizojë sistemin e vet të aftësive, të modernizojë ekonominë dhe të ecë përpara në rrugën drejt BE-së”, tha Rizzo.

/r.e/

The post Rizzo: Fuqizimi i burimeve njerëzore me rëndësi në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: 63% e të rinjve që mbarojnë arsimin profesional punësohen

TIRANË, 9 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama informoi sot se 63% e atyre që mbarojnë arsimin profesional, punësohen, shifër kjo që po orienton të rinjtë gjithnjë e më shumë tek arsimi profesional.

Gjatë punimeve të Konferencës së 3-të Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, Rama theksoi se bilanci i kësaj reforme është shumë domethënës dhe inkurajues.

“Kjo është një ditë e rëndësishme për të folur për çfarë kemi bërë, por mbi të gjitha se çfarë duam të bëjmë në rrugëtimin strategjik për punësimin. Kur kemi nisur këtë rrugë kemi pasur një sistem arsimi tërësisht të degraduar dhe plotësisht të padobishëm për të rinjtë që shkonin në shkollat e arsimit profesional thjesht dhe vetëm për të mos mbetur pa asnjë mundësi tjetër. Por, nga ana tjetër, këta të rinj nuk gjenin aty asnjë kusht për të zhvilluar talentin dhe për të marrë zanatin e tyre”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se shkollat e arsimit profesional kishin kushte minimale infrastrukture, pasi nuk kishin laboratorë dhe asnjë lidhje mes arsimit profesional dhe tregut.
Ndërkohë, sot, tha Kryeministri, “situata është krejt ndryshe”.

“Nëse në fillim të këtij rrugëtimi nxënësit që shkonin në dyert e arsimit profesional ishin pak më shumë se 10%, sot janë thuajse 20%. Por kjo është një faze, ndërkohë që nuk është mbërritje sepse synimi ynë është që të kemi një në tre nxënës në arsimin profesional”, shtoi Rama.

Kryeministri vlerësoi se tashmë muri i lartë i paragjykimeve që ishin të lidhura me arsimin profesional është kapërcyer.

“Dikur arsimi profesional ishte si një rifuxho për nxënësit që kishin rezultate të cilat nuk u jepnin asnjë shans që të shkonin në universitet, megjithëse universitetet ishin me dyer të shqyera nga të katër anët. Sot jemi në kushtet kur është edhe një zgjedhje dhe pikërisht pse funksionon”, tha ai.

Rama theksoi se reforma në arsimin profesional ka marrë si model tre vende, që kanë realisht nivelet më të admirueshme të mënyrës se si e kanë ngritur arsimin profesional dhe e kanë kthyer në një sistem që garanton ekonominë dhe mirëqenien, që janë Zvicra, Gjermania dhe Austria.

“Ka një korrelacion shumë interesant midis fuqisë së këtyre vendeve, modelit që ato kanë krijuar në sytë e të gjithë botës, edhe idesë që lidhet me to si vende të pasura, me faktin që janë vende të cilat kanë një përkushtim të madh dhe historik për arsimin profesional”, theksoi Rama.

Në këto vende, sipas Kryeministrit, arsimi profesional është pjesë integrale e ekonomisë dhe shumëkush që mbaron arsimin profesional nuk mbetet thjesht një zanatçi, por kthehet në një sipërmarrës të vogël dhe bën sukses.

Rama vlerësoi bashkëpunimin me ekselencën e arsimit profesional zviceran, EHG (Ecole Hôtelière Genève), shkollën prestigjioze të turizmit, e cila tani ka hapur dyert në Shqipëri duke u binjakëzuar me shkollën e Hoteleri-Turizmit në Tiranë.

“100% e nxënësve të kësaj shkolle janë të punësuar. 100% e nxënësve të kësaj shkolle të cilët sot janë në bankat e shkollës janë të kontraktuar. Natyrisht që ka nevojë për shumë më tepër, sepse sistemi ynë i industrisë së turizmit është një sistem i ri, por është dhe një sistem i cili është ende larg një sistemi që ofron cilësi”, shtoi ai.

/r.e/

The post Rama: 63% e të rinjve që mbarojnë arsimin profesional punësohen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha në konferencën e PPE: Protestat nuk përfaqësojnë një forcë politike, lëvizje qytetare e pandalshme

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha shprehu sot mbështetjen për lëvizjen qytetare të organizuar prek disa ditësh tashmë kundër investimit në Zvërnec, ndërsa theksoi se kjo lëvizje nuk është organizuar nga PD.

Në fjalën e mbajtur në konferencën e Partisë Popullore Europiane (EPP) që po zhvillon punimet në Sarajevë, Berisha theksoi se kjo është një lëvizje qytetare, shumë e fuqishme dhe duhet të përfundojë në mënyrë paqësore, duke zgjidhur krizën e rëndë që ka përfshirë Shqipërinë sot.

Ai e përshkroi Shqipërinë si një vend që ndodhet “në sallën e urgjencës” dhe në një krizë të thellë politike, institucionale dhe shoqërore.

Sipas tij, problemi themelor i Shqipërisë mbetet mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të cilat ai i cilësoi si “farsë e dokumentuar nga institucionet ndërkombëtare”.

Në këtë kontekst, ai përsëriti kërkesën për një qeveri kujdestare që do të garantonte një proces zgjedhor të drejtë dhe të standardeve demokratike.

“Shqipëria ndodhet në sallën e urgjencës. Është në një dhomë urgjence. Po përballet me protesta që nuk janë parë më parë”, deklaroi kreu i PD-së Sali Berisha, duke akuzuar qeverinë për qasje cinike dhe injorim të krizës në rritje.

Kryetari i PD-së paralajmëroi se situata mund të degradojë në përplasje serioze nëse nuk gjendet një zgjidhje paqësore, duke theksuar se “lëvizja është e pandalshme” dhe se ajo nuk përfaqëson vetëm një forcë politike, por një reagim më të gjerë qytetar.

“Vendi im ka nevojë për një zgjidhje paqësore dhe civile, duke shmangur një përplasje të mundshme që mund ta kthejë vendin shumë vite pas ose në një regres të rëndë. Lëvizja është e pandalshme. Ju them këtë: nuk është vetëm një lëvizje e partisë sime, por është e pandalshme”, tha Berisha.

Sipas tij, “është me rëndësi themelore që kjo të merret seriozisht dhe të gjendet një zgjidhje paqësore, me një qeveri kujdestare që ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

“Por, më e rëndësishmja është zgjidhja e kësaj krize në mënyrë të qytetëruar dhe paqësore, duke shmangur çdo përplasje që mund të ndodhë nëse qeveria vazhdon të sillet në këtë mënyrë, duke i injoruar apo duke i trajtuar si të pavlefshëm, etj.”, shtoi ai.

Po ashtu, Berisha tha “është shumë e rëndësishme të mbahet gjallë shpresa e kombeve tona për një të ardhme evropiane si e ardhmja më e mirë”.

“Besoj se çështja më themelore për vendet tona, e cila në njëfarë mënyre i dëmton në rrugën drejt Bashkimit Evropian, është dobësia dhe mosrespektimi i shtetit të së drejtës. Nuk ka asgjë më themelore se sa forcimi i shtetit të së drejtës për t’i bërë qytetarët më të lirë. Kuptimi i këtij procesi është që qytetarët e vendeve tona të bëhen më të lirë, më të begatë dhe më të sigurt”, u shpreh ai.

“Sot vendi im është në një gjendje të rëndë, në një lëvizje të jashtëzakonshme qytetare dhe rinore. Edhe pse slogane të ndryshme ekzistojnë, thelbi është shkelja e shtetit të së drejtës kombëtar dhe ndërkombëtar. Në zonën e Zvërnecit, që është një lagunë, duhet respektuar ligji, ‘Natura 2000’ dhe direktivat e BE-së për habitatet dhe shpendët”, tha Berisha.

/m.m/r.e/

The post Berisha në konferencën e PPE: Protestat nuk përfaqësojnë një forcë politike, lëvizje qytetare e pandalshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hoxha: Urime Kosovës për pjekurinë demokratike gjatë zgjedhjeve, presim me interes formimin e institucioneve të reja

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha vlerësoi sot pjekurinë demokratike dhe përgjegjshmërinë e treguar gjatë zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

“Urime Republikës së Kosovës, qytetarëve të saj, institucioneve përgjegjëse për organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor, si dhe të gjitha subjekteve politike pjesëmarrëse, për pjekurinë demokratike dhe përgjegjshmërinë e treguar gjatë zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare”, u shpreh Hoxha në rrjetet sociale.

Në vijim, Hoxha theksoi se “presim me shumë interes formimin e institucioneve të reja që burojnë nga vullneti i zgjedhësve, për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë, forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona të gjithanshme në të mirë të interesave tona reciproke dhe të përbashkëta, si dhe për avancimin në rrugëtimin drejt së ardhmes sonë të përbashkët evropiane dhe euroatlantike”.

/m.m/r.e/

The post Hoxha: Urime Kosovës për pjekurinë demokratike gjatë zgjedhjeve, presim me interes formimin e institucioneve të reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama për “Al Jazeera”: Qeveria nuk po shet tokë publike, investimi në Zvërnec bekim për vendin

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se investimi në Zvërnec është një bekim për vendin pasi sjell një investim prej 4 miliardë dollarësh në ekonomi.

Në një intervistë për “Al Jazeera”, Rama foli për investimin në Zvërnec, ndërsa theksoi se “asnjëherë nuk ka qenë në diskutim nëse ky projekt do të realizohet apo jo”.

Rama nënvizoi se ky projekt është një mundësi e madhe investimi, ndërsa hedh poshtë pretendimet se qeveria po shet tokë publike.

“Ky është një bekim për vendin. Një investim prej 4 miliardë eurosh në një vend me një prodhim të brendshëm bruto prej rreth 27 miliardë eurosh flet vetë”, u shpreh Rama.

Kryeministri sqaroi se investimi do të realizohet në tokë private dhe jo në tokë publike dhe gjithçka është një shprehje interesi e bazuar në një marrëveshje private mes palëve private, në të cilën qeveria shqiptare nuk ka asnjë rol.

“Sa i përket projektit që ka shkaktuar gjithë këtë reagim dhe polemikë në mbarë botën, bëhet fjalë për pronë private. Nuk bëhet fjalë për tokë publike që qeveria shqiptare po e jep duke e shitur vendin. Është pronë private. Është një shprehje interesi e bazuar në një marrëveshje private mes palëve private, në të cilën qeveria shqiptare nuk ka asnjë rol”, u shpreh Rama për “Al Jazeera”.

https://www.aljazeera.com/video/newsfeed/2026/6/8/albanian-pm-rama-vows-to-push-on-with-kushner-linked-luxury-resort#flips-6397919131112:0

/m.m/r.e/ /a.g/

The post Rama për “Al Jazeera”: Qeveria nuk po shet tokë publike, investimi në Zvërnec bekim për vendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 8 June 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: 60 mijë vizitorë gjatë 5 ditëve të UNUM Festival në Shëngjin

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Mijëra të rinj i janë bashkuar Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Elektronike UNUM, i cili zhvillohet tek Rana e Hedhun, në Shëngjin.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se mbi 60 mijë vizitorë gjatë 5 ditëve të festivalit dhe deri në 25 mijë persona në një natë të vetme, janë shifra që flasin vetë për ndikimin ekonomik dhe turistik gjatë ditëve të UNUM në Shëngjin.

Kryeministri Rama e cilësoi këtë event si sukses për Shëngjinin, Lezhën, për bizneset lokale dhe për Shqipërinë turistike që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga e gjithë bota.

Zona bregdetare e Shëngjinit është kthyer në epiqendër festimesh me performanca live të DJ-ve më të mirë botërorë.

UNUM Festival është një nga festivalet më të njohura të muzikës elektronike në Ballkan. Ai zhvillohet çdo vit në zonën e Ranës së Hedhun, pranë Shëngjinit dhe kombinon muzikën house e techno me natyrën e bukur, pyllin e pishave dhe detin.

Ky festival muzikor është pikëtakimi i përvitshëm për mijëra turistë e artdashës nga gjithë bota, që ndjekin nga afër artistët që performojnë, duke sjellë një atmosferë elektrizuese dhe përvojë unike.

/m.m/r.e/

The post Rama: 60 mijë vizitorë gjatë 5 ditëve të UNUM Festival në Shëngjin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: Po marrim ekspertizë zvicerane për ligjin për referendumet

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi sot një takim në Zvicër me kancelarin e kantonit të Bernës, Christoph Auer.

Balla informoi se në qendër të takimit ishte marrja e ekspertizës zvicerane për ligjin “Për referendumet”, i cili është propozuar disa javë më parë.

Balla theksoi se Zvicra është vendi model në botë për përdorimin e referendumeve për çështje kushtetuese, të përgjithshme dhe vendore.

“Referendumi është një instrument i demokracisë së drejtpërdrejtë i parashikuar nga Kushtetuta, por parashikimet kushtetuese duhen zgjeruar dhe qartësuar në ligjin për Referendumet, projektin e të cilit e kemi propozuar javë më parë”, shtoi ai.

Balla informoi se bashkë me deputetë, drejtues të KQZ-së dhe përfaqësues të OSBE-së po zhvillohen takime për të marrë eksperiencën ligjore zvicerane në këtë drejtim.

1 nga 2

/m.m/r.e/

The post Balla: Po marrim ekspertizë zvicerane për ligjin për referendumet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayAgjencia Telegrafike Shqiptare

Turistët e huaj shijojnë ritmin relaksues të Përmetit: Kudo na kanë pritur me buzëqeshje

TIRANË, 7 qershor/ATSH-Maela Marini/ Natyra e paprekur, mikpritja e ngrohtë dhe kulinaria e pasur e kanë shndërruar Përmetin në një destinacion në zhvillim të turizmit të qëndrueshëm në jug të Shqipërisë.

Turistët e huaj vlerësojnë veçanërisht përvojën autentike që ofron ky qytet i vogël, larg turizmit masiv. Dhe për të shijuar Përmetin duhet të përqafosh ritmin e ngadaltë të qytetit, mes natyrës, luleve dhe njerëzve mikpritës.

Kjo është pikërisht ajo që vlerësojnë turistët e huaj që vizitojnë “qytetin e trëndafilave”, të cilët kanë mundësinë po ashtu të shijojnë përvojën e veçantë në natyrën e luginës së Vjosës.

ATSH bisedoi me disa prej tyre, të cilët vlerësuan veçanërisht standardin e shërbimit, pastërtinë dhe atmosferën familjare.

Mes turistëve të huaj të tërheq vëmendjen një grup i madh nga Lituania, që i takuam pranë “Gurit të qytetit”.

Gintaras Bendzius, nga Lituania por që jeton në Britaninë e Madhe, tregon se e ka vizituar Shqipërinë për herë të parë 5 vite më parë.

Tërheqja ishte aq e madhe sa ai vendosi të kthehej në ambasador të turizmit shqiptar, duke bërë guidën e grupeve turistike nga Lituania apo Britania e Madhe.

Bashkë me një grup prej 14 turistësh lituanezë e takuam në një nga atraksionet e Përmetit, siç është shkëmbi masiv në hyrje të qytetit ku valëvitet një flamur i madh kuqezi.
Faqja e tij në Instagram gintaras_bendzius është kartëvizita më e bukur e Shqipërisë turistike, këtë herë e prezantuar nga një shtetas i huaj që erdhi fillimisht si turist dhe vendosi të rikthehej për t’i treguar Shqipërinë të tjerëve.

“Ne do të qëndrojmë 8 ditë në Shqipëri, një vend fantastik. Natyra shqiptare, malet, gjithçka kemi vizituar ka qenë mbresëlënëse”, u shprehën turistët nga Lituania.

Ndërsa Bendzius tregon se tashmë ndodhet në Shqipëri për ta ndarë eksperiencën me miqtë e tij.

Në qytet takuam edhe një familje polake, që ishin rikthyer për herë të dytë duke zgjedhur Përmetin si pjesë të udhëtimit të tyre për të eksploruar më tej vendin.

“Jemi nga Polonia, Varshava. Kjo është hera e dytë që unë vij në Shqipëri. U riktheva sepse më pëlqen shumë këtu do të jemi tri ditë në Përmet, më pas do të vizitojmë Ksamilin”, u shpreh ai.

Një grup turistësh francezë, që sapo kishin mbërritur në hotelin në qendër të qytetit shprehen entuziastë për udhëtimin e tyre në Shqipëri, ndërsa mezi presin të zbulojnë Përmetin.

“Shqipëria është një vend shumë i bukur nga ajo që kemi parë deri tani. Tirana na pëlqeu shumë, një qytet i bukur dhe i gjallë. Edhe në Sarandë, kemi ngrënë shumë mirë. Është e mrekullueshme, jemi shumë të lumtur që po shijojmë diellin. Nuk kemi folur ende shumë me njerëzit përreth, por kudo na kanë pritur me buzëqeshje. Me vazhdimin e udhëtimit do të zbulojmë edhe më shumë, por deri tani jemi shumë të lumtur”, tha një turiste franceze.

Kulinaria dhe gatimet tradicionale mbeten “pika e fortë” e turizmit në Përmet.

Një çift nga Holanda vlerësoi veçanërisht ushqimin, ndërsa ndanë eksperiencën e udhëtimit të tyre në Shqipëri.

“Ne vijmë nga Holanda dhe po vizitojmë Shqipërinë për herë të parë. Kemi ardhur këtu ditën e premte, dy ditë më parë, qëndruam në Tiranë dhe tani po shkojmë drejt jugut të Shqipërisë. Na pëlqen vërtetë shumë. Njerëzit janë shumë mikpritës, natyrë shumë e bukur dhe mot shumë i mirë. Ushqimi shumë i mirë po ashtu. Na pëlqen vërtetë shumë ushqimi”, thanë ata.

Te “Guri i qytetit”, Monumenti i Kulturës simbol i Përmetit, që gjendet rreth 250 metra mbi nivelin e detit, takuam edhe një të ri nga Polonia i cili në gjashtë muajt e fundit kishte vizituar rreth 20 shtete, ndërkohë që vlerëson Shqipërinë si një ndër vendet më të bukura.

“Vij nga Polonia. Kjo është hera ime e parë që vizitoj Shqipërinë. Do të jem këtu gjashtë ditë. Erdha nga Kosova, kam vizituar Tiranën, Durrësin dhe tani po shkoj drejt pjesës lindore të Shqipërisë për të vizituar zonat malore. Në gjashtë muajt e fundit kam vizituar rreth 20 shtete dhe për mua Shqipëria është një ndër vendet më të bukura. Dua të sjell këtu gjithashtu edhe familjen time këtë vit për t’i treguar gjithçka”, tha ai për ATSH-në.

Me bukuritë natyrore, kulturën mikpritëse dhe kulinarinë autentike, Përmeti nuk është thjesht një qytet për t’u vizituar, por për shumicën prej turistëve të huaj që takuam mbetet një përvojë për t’u jetuar.

/j.p/r.e/

The post Turistët e huaj shijojnë ritmin relaksues të Përmetit: Kudo na kanë pritur me buzëqeshje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama – medieve ndërkombëtare: Protesta për Zvërnecin s’i kaloi kurrë 8 mijë njerëz, si mund të shndërrohej në spektakël ndërkombëtar

TIRANË, 6 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se në një kohë kur për Zvërnecin nuk ka asnjë projekt, një protestë lokale me disa mijëra njerëz u shndërrua në një spektakël ndërkombëtar.

Në një reagim në rrjetet sociale drejtuar CNN International dhe medieve të tjera, Rama komentoi pjesëmarrjen në protestat e organizuara kundër investimit në Zvërnec.

Kryeministri u shpreh se protesta e sotme ka mbledhur rreth 2 mijë pjesëmarrës dhe kjo është pjesëmarrja më e ulët deri tani. Por edhe në kulmin e saj, Rama tha se pjesëmarrja nuk ka kaluar kurrë 8 mijë njerëz.

“Si mund të bëhet një vend i vogël lajm global për arsye kaq të shkëputura nga realiteti në terren? Si mund të kthehen supozimet në fakte, narrativat në vendime përfundimtare dhe spekulimet në të vërteta të pranuara, përpara se të ishin përcaktuar madje edhe faktet bazë?”, iu drejtua Rama medieve ndërkombëtare.

Më poshtë reagimi i plotë i kryeministrit Rama:

Drejtuar CNN International dhe të gjitha mediave të panumërta, të mëdha e të vogla, si edhe të gjithë atyre që prodhojnë dhe shpërndajnë me qëllime të mira në Facebook, X, Instagram, TikTok dhe çdo platformë tjetër që sot formëson bisedën globale, do të doja shumë të përcillja këtë mesazh:

Ndërsa flasim, protesta e sotme ka mbledhur rreth 2,000 pjesëmarrës. Kjo është pjesëmarrja më e ulët deri tani, por edhe në kulmin e saj, pjesëmarrja nuk ka kaluar kurrë 8,000 njerëz.

Atëherë, si ka mundësi që ajo që një pjesë e madhe e botës ka parë gjatë ditëve të fundit është dukur kaq e madhe, kaq dramatike, kaq dërrmuese?

Në një moment, kur histeria digjitale e prodhuar gjatë këtyre ditëve të ketë kaluar dhe klima emocionale të jetë qetësuar, bota demokratike duhet të shohë më nga afër se si hendeku mes realitetit dhe mënyrës se si ai u paraqit u bë kaq i madh.

Jo thjesht si çështje e këtij rasti të veçantë, por si simptomë e diçkaje shumë më të madhe.

Si mund të bëhet një vend i vogël lajm global për arsye kaq të shkëputura nga realiteti në terren?

Si mund të shndërrohet një protestë lokale me disa mijëra njerëz në një spektakël ndërkombëtar?

Si mund të kthehen supozimet në fakte, narrativat në vendime përfundimtare dhe spekulimet në të vërteta të pranuara, përpara se të ishin përcaktuar madje edhe faktet bazë?

Dhe ndoshta më e rëndësishmja: çfarë tregon kjo për ekosistemin tonë të informacionit, kur perceptimi mund të udhëtojë nëpër botë më shpejt se vetë realiteti?

Sepse realiteti është se ende nuk ka asnjë projekt.

Nuk ka ende asnjë leje ndërtimi.

Nuk ka ende asnjë ndërtim.

Nuk ka madje as një projekt përfundimtar.

Ka vetëm një vizion dhe një plan: Ta transformojmë Shqipërinë në destinacionin më tërheqës të turizmit elitar në këtë pjesë të botës, duke krijuar një zhvillim mjedisor me bilanc pozitiv, i cili, sipas vizionit aktual, do të sillte përfundimisht rreth 25% më shumë pemë dhe hapësira të gjelbra se sa ekzistojnë sot, krahas përmirësimeve të matshme në disa tregues të biodiversitetit.

Ambicia nuk është thjesht të ndërtohet.

Ambicia është të tregohet se zhvillimi dhe përmirësimi mjedisor mund të ecin krah për krah.

Pikërisht për këtë arsye, disa nga ekspertët më të mirë në botë në ekologji, biodiversitet, arkitekturë peizazhi, inxhinieri mjedisore dhe turizëm të qëndrueshëm po punojnë mbi këto koncepte dhe parametra.

Nëse ata do të kenë sukses apo jo, kjo është çështje e vlerësimit të ardhshëm, e shkencës, e shqyrtimit publik dhe e debatit transparent.

Por ta paraqesësh si katastrofë mjedisore diçka që ende nuk ekziston, që ende nuk është projektuar, që ende nuk është lejuar dhe objektivi i deklaruar i së cilës është pikërisht prodhimi i rezultateve pozitive mjedisore, nuk është kontribut serioz në diskutimin publik.

Megjithatë, nga ky realitet i thjeshtë lindi një uragan histerie digjitale, tituj apokaliptikë, zemërim i fabrikuar dhe përfundime gjithëpërfshirëse të paraqitura si fakte të vërtetuara.

Gjatë kësaj rruge u shfaqën edhe video dhe imazhe të manipuluara me inteligjencë artificiale, pretendime të fabrikuara, amplifikim i koordinuar, rrjete anonime dhe sjellje online që mbartin shumë nga karakteristikat e luftës hibride të informacionit, e cila po ndikon gjithnjë e më shumë debatin publik në shoqëritë demokratike.

Edhe më e habitshme është se platformat sociale regjistruan një shpërthim aktiviteti rreth kësaj teme, me angazhimin në gjuhën shqipe që u rrit disa herë brenda vetëm pak ditësh. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj rritjeje të papritur duket se nuk është nxitur nga një zgjerim organik i pjesëmarrjes publike, por nga përhapja e shpejtë e profileve të krijuara rishtazi, llogarive anonime dhe faqeve me pak ose aspak histori të identifikueshme, duke ngritur pyetje legjitime mbi amplifikimin artificial dhe prodhimin e një vrulli digjital të fabrikuar.

Por ndoshta detaji më domethënës është edhe më i thjeshti.

Një numër i konsiderueshëm raportimesh nuk arrijnë as të dallojnë mes një ishulli dhe një prone private në territorin kontinental.

Vetë protesta lidhet me këtë të fundit.

Jo me të parën.

Në fakt, aktualisht nuk ekziston ndonjë debat i madh publik në Shqipëri lidhur me vetë ishullin.

Megjithatë, artikuj, postime dhe komente të panumërta i bashkojnë të dyja në një narrativë të vetme, duke krijuar konfuzion aty ku duhet të kishte saktësi dhe emocion aty ku duhet të mbizotëronin faktet.

Mospajtimi është legjitim.

Kritika është legjitime”.

/m.m/r.e/

The post Rama – medieve ndërkombëtare: Protesta për Zvërnecin s’i kaloi kurrë 8 mijë njerëz, si mund të shndërrohej në spektakël ndërkombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu në Pogradec: Restaurimi i banesave karakteristike nxit turizmin gjithëvjetor


TIRANË, 6 qershor/ATSH-Maela Marini/ Zëvendëskryeministrja Albania Koçiu pa sot nga afër projektin që po zbatohet në qendrën historike të Pogradecit, një investim prej mbi 380 milionë lekësh i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili i jep qytetit një dimension të ri turistik.

E shoqëruar nga kryebashkiaku i Pogradecit, Ilir Xhakolli, zv.kryeministrja Koçiu vlerësoi projektin, i cili sipas saj, synon të kthejë historinë, arkitekturën dhe kulturën në një motor të zhvillimit ekonomik.

“Përmes restaurimit të banesave karakteristike dhe rijetëzimit të hapësirave publike, ky projekt nxit turizmin gjithëvjetor, rrit vlerën e pronës, fuqizon biznesin lokal dhe e pozicionon Pogradecin si një nga destinacionet më premtuese të turizmit kulturor dhe natyror të Shqipërisë Europiane”, tha Koçiu.

Zv.kryeministrja theksoi se turizmi nuk zhvillohet vetëm në muajt e verës, por punojmë çdo ditë e më shumë për të zhvilluar atraksione turistike e kulturore në të dymbëdhjetë muajt e vitit.

“Këtu së bashku me Fondin Shqiptar të Zhvillimit kemi bërë një ndërhyrje tërësore jo vetëm në infrastrukturë, por dhe në konservimin e godinave që janë zemra e qytetit. Kemi edhe shtëpitë karakteristike të Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kuteli”, tha Koçiu.

Koçiu theksoi se “një nga objektivat që i kemi vënë vetes është edhe rritja e ditëqëndrimeve të turistëve apo vizitorëve”.

“Duke shtuar atraksionet kulturore, shtëpitë muzeale apo edhe patjetër destinacionet turistike, bëjmë të mundur që të kemi më shumë ditëqëndrimi të turistëve dhe të vizitorëve, më shumë zhvillim të ekonomisë lokale dhe patjetër më pas edhe një Shqipëri më atraktive për të gjithë”, theksoi ajo.

Në bashkëbisedim me banorët, Koçiu i siguroi ata se me këtë investim vlera e pronës së tyre do të rritet.

Ndërsa kryetari i bashkisë Pogradec vlerësoi se ky është investimi më i mirë që është bërë në qytet.

“Me këtë projekt i japim një hov tjetër zhvillimit të turizmit në Pogradec. Sivjet ne do jemi kampionë në turizëm sepse të gjitha këto investime patjetër që do të përkthehen në zhvillim ekonomik”, shtoi ai.

Xhakolli theksoi se për të nxitur aktivitetin në zonë, bashkia ka marrë vendim që vitet e para do të jenë pa tarifa vendore.

Kreu i FShZh-së, Dritan Agolli theksoi se kjo është një zonë model që së bashku me pjesën e ofertës turistike të natyrës dhe të liqenit bëhet komplementare duke kontribuar me shtrirjen e sezonit turistik dhe përtej muajve të verës.

“Ne jemi në përfundim e sipër dhe një sërë dyqane e biznese kanë filluar të rinovojnë, të rikonceptojnë, të mendojnë ndryshe dhe nivelin e shërbimit dhe standardit që ofrojnë. Pra, çdo çliron investime të tjera private dhe ajo që është e rëndësishme është rritja e vlerës së pronës jo vetëm në zonën këtu, por dhe përreth”, tha ai.

/r.e/

The post Koçiu në Pogradec: Restaurimi i banesave karakteristike nxit turizmin gjithëvjetor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Klosi në Gjirokastër: PS ka kontratë me shqiptarët dhe do të vazhdojë të ecë përpara

TIRANË, 6 qershor/ATSH-Maela Marini/ Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi deklaroi sot se PS ka një kontratë me shqiptarët dhe do të vazhdojë të ecë përpara.

Në një aktivitet të organizuar në 35-vjetorin e Partisë Socialiste, në Gjirokastër, Klosi theksoi se në gurët e themelit të PS-së qëndron besnikëria, ideali, shqiptaria dhe kërkesa për të bërë më të mirën për këtë vend.

“Në 35 vite histori ne i kemi shërbyer Shqipërisë. Në 35-vjetorin tonë ne vijmë me shumë detyra të realizuara. Jemi kaq pranë integrimit në BE, realizimit të një ëndrre të madhe të themeluesve tanë”, tha ai.

Sipas Klosit, “nën drejtimin e Edi Ramës, PS është shndërruar në një mekanizëm të fortë politik fitues”.

“Vijmë si një organizatë e cila i ka sjellë plot 83 mandate në parlament. 53% e votës së shqiptarëve na kanë votuar ne, programin tonë. Kanë votuar Gjirokastrën europiane, kanë votuar këto investime që e bëjnë Gjirokastrën të mbushur plotë me turistë nga e gjithë bota”, shtoi ai.

Por, sipas tij, PS nuk ka marrë 100% të votave të shqiptarëve. “Ne kemi marrë 53% të gjithë elektoratit që na ka votuar. Kemi marrë 62% të votës së emigrantëve. S’i kemi marrë të gjithë votat. Pra kemi dhe njerëz që na kundërshtojnë dhe kjo është shumë gjë e mirë. Kemi dhe njerëz që kërkojnë që ne të përmirësohemi dhe kjo është shumë e mirë, por ama ne kemi një kontratë me shqiptarët dhe do të vazhdojmë të ecim përpara”, tha Klosi.

Klosi theksoi se se PS është e vendosur ta çojë Shqipërinë përpara, ta anëtarësojë në BE dhe të krijojë mirëqennie për qytetarët shqiptarë.

Ndërsa drejtuesja politike e PS-së në qarkun Gjirokastër, Mirela Kumbaro vlerësoi se banorët e qarkut të Gjirokastrës në të shtatë bashkitë me shumicë mbi 76% i besojnë PS-së.

“Kjo forcë politike ka ditur të bëjë debate publike dhe do të vazhdojë t’i bëjë dhe sot që flasim edhe me protestat, dhe me diskutimet dhe me kundërshtimet, sepse Shqipëria është një vend i lirë, është një vend demokratik dhe projektet e zhvillimit kalojnë pikërisht përmes debatit”, tha Kumbaro.

Sipas saj, “çdo iniciativë që është marrë në Gjirokastër praktikisht gjeneron ekonomi dhe i bën të rinjtë të kthehen”.

“Ne kemi shumë arsye të fitojmë edhe shumë arsye të festojmë, sepse premtimin që bëmë në fushatën një vit më parë të angazhimit tonë në integrimin europian, po e bëjmë realitet nga java në javë, nga muaji në muaj”, tha ajo.

/r.e/

The post Klosi në Gjirokastër: PS ka kontratë me shqiptarët dhe do të vazhdojë të ecë përpara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tiranë, qytetarët në ditën e shtatë të protestës kundër investimit në Zvërnec

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë po zhvillojnë sot, për të shtatën ditë me radhë, protestën kundër investimit në Zvërnec të Vlorës.

Fillimisht qytetarët u grumbulluan në sheshin “Skënderbej” për të vijuar më pas marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë.

Me flamuj në duar dhe pankarta të ndryshme, “Kur rinia çohet, qeveria rrëzohet”, “Rama në burg, Berisha në burg“, Është koha për dorëheqje”, “Shqipëria nuk është në shitje” etj, protestuesit kërkojnë anulimin e projekteve të dyshimta, mbrojtjen e pasurive kombëtare dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Në foltoren e vendosur para godinës së kryeministrisë qytetarët dhe aktivistë mbajtën fjalë duke shprehur revoltën e tyre kundër investimit, por edhe duke përcjell mesazhe të ndryshme.

“Jemi për Shqipërinë dhe jo për partitë politike”, u shpreh njëri prej protestuesve që mori fjalën.

Pjesëmarrësit kanë theksuar se nuk pranojnë parti politike në këtë protestë të cilën e cilësojnë si një revolucion.

“Ne duam që Shqipëria të zhvillohet, nuk jemi kundër investimeve. Por nuk duam që Shqipëria të shitet, duam transparencë”, tha një tjetër qytetare.

Protestuesve iu adresua edhe një qytetar i ardhur nga Prishtina, i cili u kërkoi të mos tërhiqen se do të fitojnë. “Kosova është me ju, Kosova është me nënën Shqipëri”, tha i riu.

Një tjetër protestuese u bëri thirrje intelektualëve që t’i bashkohet protestës së të rinjve dhe të mos i lënë vetëm si në vitin 2018. Ajo tha se të rinjtë i kanë dhënë shpresë Shqipërisë.

Protestuesve iu bashkua edhe një mësues historie i cili u shpreh se koha e ankesave nëpër salla mësuesish duhet të marrë fund dhe se sheshi është vendi ku shkruhet historia sot.

Gjatë protestës, u tentua ndezja e disa flakadanëve, por pati reagime të menjëhershme ku u bë thirrje që t’i fikin. “Fikini flakadanët, suksesi i protestës është familja. Ju lutëm fikni flakadanët”, u apelua nga aktivistët e protestës.

Gjithashtu, gjatë protestës u shfaq edhe një mesazh përmes flamurit kuqezi “Çamëria është gjallë” shoqëruar edhe me këngë e valle nga protestuesit.

Ndërsa prindërit të cilët kishin fëmijë të vegjël me vete në protestë, u kanë krijuar një kënd përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të pikturuar.

Një nga aktivistët e protestës u shpreh se: “nuk jemi këtu për karrigen e askujt. Jemi për Shqipërinë. Jepini zë figurave dhe intelektualëve. Të tregojmë se ne jemi më me kulturë se ata që kanë 35 vite që shajnë në parlament dhe na tregojnë ne kulturën. Ju lutem, t’i tregojmë kulturën atyre njerëzve, të largojmë partiakët dhe aktivistët”.

Protesta janë mbajtur sot edhe në Shkodër, Elbasan, Fier, Korçë dhe në Zvërnec ku qytetarët u mblodhën për të kërkuar anulimin e projektit.

Kërkesat kryesore të protestës së zhvilluar në kryeqytet edhe në ditën e shtatë të saj ishin: dorëheqja e kryeministrit; shfuqizim i statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë; shfuqizimi i Paketës së Maleve; anulimi i ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura si dhe anulimi i ndryshimeve në ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

Pas fjalimeve dhe mesazheve të përcjella në podium nga të rinj dhe të reja kryesisht, nga ku dhe u paralajmërua se do të mblidhen sërish nesër në orën 18:00, protesta para godinës së Kryeministrisë përfundoi rreth orës 22:00 të mbrëmjes. Por disa pjesëmarrës vijuan marshimin nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit duke përsëritur të njëjtat kërkesa.

 

Dita e 7-të e protestës; Fotoreporterë: Florian Abazaj e Andrin Hoxha
1 nga 49

/m.m/r.e/ /a.g/

The post Tiranë, qytetarët në ditën e shtatë të protestës kundër investimit në Zvërnec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Të rinjtë, boshti kryesor i arritjes së objektivave të PD-së

TIRANË, 6 qershor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një takim me 71 të rinjtë dhe të rejat e zgjedhur në Këshillin Kombëtar të PD-së, në kuadër të nismës “Ri(ni)përtëritje”.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe Antonio López-Istúriz White, europarlamentar, anëtar i PPE-së dhe ish-sekretar i përgjithshëm i Partive Popullore Europiane.

Në fjalën e tij Lopez-Isturiz theksoi se “të gjithë janë pro Shqipërisë në BE, por ngrenë dyshimin, a mund të kemi Ramën në Këshillat Europiane”.

Nga ana e tij, Berisha vlerësoi se Antonio López-Istúriz ka mbështetur Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe ka ndjekur zhvillimin e kësaj partie dhe të këtij vendi në ditët më të vështira, duke qenë një mbrojtës i palëkundur i kauzave të demokratëve.

Duke iu referuar nismës “Ri(ni)përtëritje”, Berisha shprehu bindjen se të rinjtë janë ata që do të kontribuojnë në ripërtëritjen e PD-së.

“Ju do të jeni boshti kryesor i arritjes së objektivave tanë. Kjo është audienca e shpresës për partinë dhe për vendin. Kuvendi që zhvilluam ishte një Kuvend ripërtëritje. Vizioni juaj është vizioni më i mirë për partinë. Ne qëndruam për modernizimin e partisë dhe askush nuk mund të kontribuonte më shumë se ju në modernizimin e partisë”, tha Berisha.

Berisha theksoi se të rinjtë mund të bëhen boshti kryesor i arritjes së të gjitha objektivave të PD-së.

Nga ana tjetër kreu i PD-së u shpreh se duhet kuptuar se “sa të rrezikshëm janë kundërshtarët, sepse ata janë armiq të lirisë së shqiptarëve”.

“Dhe ne duhet të luftojmë. Dhe do të luftojmë, do të luftojmë dhe do të fitojmë.
Por ju keni një rol shumë të rëndësishëm për t’u bërë flamuri i suksesit dhe fitores së Partisë Demokratike. Jam plotësisht i bindur se ju do ta bëni këtë”, tha ai, duke iu drejtuar të rinjve.

1 nga 3

/m.m/r.e/

The post Berisha: Të rinjtë, boshti kryesor i arritjes së objektivave të PD-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

35-vjetori PS, Balla nga Kavaja: Bashkia duhet t’i rikthehet PS-së në zgjedhjet vendore të vitit 2027

TIRANË, 6 qershor/ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, mori pjesë në festën e 35-vjetorit të Partisë Socialiste në Kavajë, ku uroi anëtarët dhe mbështetësit e kësaj force politike për përvjetorin e themelimit.

Në fjalën e tij, Balla e cilësoi PS-në si familjen më të madhe politike në Shqipëri dhe në trojet shqiptare, ndërsa theksoi se objektivi i socialistëve duhet të jetë rikthimi i drejtimit të Bashkisë së Kavajës në zgjedhjet vendore të mandatit 2027-2031.

“Është e domosdoshme që Bashkinë e Kavajës, në mandatin 2027-2031 për pushtetin vendor, ta rikthejmë me Edi Ramën dhe me Partinë Socialiste”, u shpreh ai.

Gjatë fjalës së tij, Balla ngriti edhe kritika ndaj drejtimit aktual të bashkisë, duke deklaruar se, pavarësisht një buxheti prej 26 milionë eurosh dhe investimeve prej 11 milionë eurosh, disa projekte infrastrukturore vijojnë të mbeten të papërfunduara prej vitesh.

Ai akuzoi gjithashtu disa drejtues lokalë për situatën në qytet, duke përdorur tone të ashpra politike ndaj kundërshtarëve të tij.

“Është një treshe e famshme: Fisniku, Dëshira edhe një Halil, këta të tre po ia marrin frymën Kavajës”, tha Balla.

1 nga 2

/m.m/r.e/

The post 35-vjetori PS, Balla nga Kavaja: Bashkia duhet t’i rikthehet PS-së në zgjedhjet vendore të vitit 2027 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festivali “Dea Open Air” shpall fituesit e edicionit të 13-të

TIRANË, 6 qershor/ATSH/ Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Dea Open Air” shpalli fituesit e edicionit të 13-të, në një ceremoni gala të zhvilluar në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve.

Singular (Unik) – Alberto Gastesi (Spanjë / Finlandë, 2025) u vlerësua si Filmi më i Mirë, mes tre prodhimeve kinematografike të nominuara Gülizar – Turqi, 2025 dhe Jet Lag in Summer (Verë pa Orë) – Kinë / Hong Kong / SHBA, 2025.

Nën moton “Qiell i hapur. Mendje të hapura!”, festivali mblodhi këtë vit 40 filma nga 25 vende të botës dhe rreth 30 kineastë të ftuar nga 12 prej tyre, duke konfirmuar edhe një herë rolin e tij si një nga ngjarjet më të rëndësishme të kinemasë artistike në Shqipëri dhe rajon.

Ky event bëri bashkë trupin diplomatik të akredituar në vendin tonë, kineastë, artistë, gazetarë, studiues dhe studentë, të cilët jo vetëm besojnë në fuqinë e kinemasë, por mundësojnë dialog, reflektim dhe mirëkuptim.

“Dea me këmbëngulje nuk ndjek trende – por investohet te konsolidimi i profilit të vet, si festival i përmbajtjes’’, u shpreh gjatë prezantimit të festivalit drejtoresha artistike Mirela Oktrova, duke theksuar rëndësinë dhe çelësin e suksesit në ecurinë e 13 viteve rrugëtim.

’’Edhe këtë vit, të pranishëm fizikisht apo përmes veprave të tyre, kineastët pjesëmarrës ndanë me publikun histori, përvoja dhe këndvështrime, duke ridëshmuar se kinemaja mbetet një nga mjetet më të fuqishme për të eksploruar botën dhe për të kuptuar vetveten’’, u shpreh Oktrova.

Për drejtorin dhe ideatorin e Festivalit “Dea Open Air”, Edmond Topi, kinemaja na kujton edhe një herë se të kuptosh tjetrin është hapi i parë drejt ndërtimit të një bote më humane.

’’Në një kohë kur shoqëritë tona përballen me polarizim, pasiguri dhe paragjykime, kinemaja na kujtoi edhe një herë se të kuptosh tjetrin është hapi i parë drejt ndërtimit të një bote më humane”, tha ai.

Në fjalën përshëndetëse të këtij eventi të rëndësishëm që ndodhi në kryeqytet nga 1-5 qershor, vlerësim për qëndrueshmërinë prej më shumë se një dekade festival dha edhe Jonid Jorgji, kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

“Përgëzoj organizatorët për organizimin, për qëndrueshmërinë prej 13 vitesh të këtij festivali, pavarësisht sfidave. Më vjen mirë, që në gjithë këto zhvillime që ka sot Tirana gjej një kinema të mbushur plot. Është e bukur që krahas morisë së këtyre eventeve organizohet një festival filmi dhe ndërmjetësohet kinema”, shtoi ai.

Konkurrimi kryesor i festivalit përfshiu 7 filma me metrazh të gjatë, përmes bashkëprodhimeve ndërkombëtare, që përfaqësuan Turqinë, Poloninë, Holandën, Kirgistanin, Italinë, Spanjën, Finlandën, Kinën, Hong Kongun dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Aktorja më e mirë që rrëmbeu trofeun e Festivalit DEA ishte Bekir Behrem – Gülizar (Turqi, 2025).

DEA për Aktoren më të Mirë shkoi për edhe për një tjetër emër, artisten italiane Elisabetta Pellini në Filmin me metrazh të gjatë La Terza Volta (Hera e Tretë) (Itali, 2025).

DEA për Kinematografinë më të Mirë shkoi për Mateusz Skalski – Debate (Debati) (Gjermani / Holandë / Poloni, 2025).

Fitues për Skenarin më të Mirë: Álex Merino & Alberto Gastesi – Singular (Unik) (Spanjë / Finlandë, 2025).

Fitues për Regjinë më të Mirë: Wojciech Nowak – House of the Chosen (Të Përzgjedhurit) (Poloni, 2024).

Në konkurrimin e Filmit Studentor morën pjesë 18 filma nga 17 vende të botës.

DEA për Filmin më të Mirë Studentor shkoi për filmin nga Irani “Pasta Alfredo” – Leila Noee (Iran, 2025)

Përmendje të veçanta të Jurisë
• Termokiss Has No Borders – Korab Jashari & Tea Krasniqi (Kosovë, 2025)
• Breast and Bombs (Gjoks dhe Bomba) – Ogerta Spahiu (Shqipëri, 2025)

Programi i Filmit të Shkurtër përfshiu 15 filma nga 10 vende të botës, ndërsa fitues u shpall When the Tiger Roars (Kur Ulërin Tigri) – LAM Can-zhao (Kinë, 2025).

Çmimi i Medias për Filmin e Shkurtër u dha për Felix & Fernand – Oscar Buenafuente & Thierry Buenafuente (Francë, 2025).

Juria e Medias vlerësoi me çmim filmin me Metrazh të Gjatë Kurak (Mozaik) – Erke Dzhumakmatova (Kirgistan, 2025).

Gjatë pesë ditëve të festivalit, publiku pati mundësinë të ndiqte filma që trajtonin tema si identiteti, kujtesa, drejtësia sociale, liria, dashuria, humbja dhe shpresa, duke sjellë në ekran histori nga kultura dhe realitete të ndryshme njerëzore.

Ndaj ÇMIMI I PUBLIKUT TË TIRANËS dorëzoi kupën DEA për Gülizar – Belkıs Bayrak (Turqi, 2025).

Një vend të rëndësishëm në program zuri edhe Akademia DEA, e cila përmes Takimit Rajonal të Shkollave të Filmit vazhdoi të nxisë bashkëpunimin mes institucioneve të edukimit filmik në rajon.

Në kuadër të saj u prezantua projekti krijues “Tirana – Dashuria Ime”, realizuar nga studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, si dhe filmi “Liqeni”, i xhiruar gjatë ditëve të festivalit në Tiranë.

Gjatë ceremonisë, Dea Open Air i akordoi Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës një Certifikatë Falënderimi për partneritetin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndër vite.

DEA e Mirënjohjes iu akordua regjisorit Esat Musliu, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e tij shumëvjeçar në kinematografinë shqiptare.

DEA Homazh iu kushtua operatorit të njohur të filmit Ilia Terpini, një prej autorëve të imazheve më të rëndësishme në historinë e kinemasë shqiptare.

Me përmbylljen e edicionit të trembëdhjetë, Dea Open Air rikonfirmoi misionin për të promovuar kinemanë cilësore, dialogun kulturor dhe shkëmbimin ndërkombëtar artistik, duke i dhënë takim publikut, kineastëve dhe partnerëve të tij në edicionin e vitit 2027.

/m.m/r.e/

The post Festivali “Dea Open Air” shpall fituesit e edicionit të 13-të appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vëzhgim/ Motoçikletat në korsitë e biçikletave, sfidë për sigurinë e çiklistëve në Tiranë

TIRANË, 6 qershor/ATSH/ Pavarësisht zgjerimit të rrjetit të korsive të biçikletave në Tiranë, përdoruesit e tyre vijojnë të përballen me një problem të përsëritur, qarkullimin e motoçikletave në hapësirat e dedikuara për çiklistët.

Kjo praktikë ul ndjeshëm nivelin e sigurisë dhe dekurajon përdorimin e biçikletës si mjet transporti në kryeqytet.

Në një vëzhgim sot të ATSH-së në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit vihet re se korsitë e biçikletave përdoren shpesh nga motoçikletat për të shmangur trafikun, duke rrezikuar përdoruesit e biçikletave.

Lëvizjet me shpejtësi të lartë dhe parakalimet në distanca të afërta konsiderohen ndër rreziqet kryesore për përdoruesit e biçikletave, veçanërisht në akset me trafik të ngarkuar.

Sipas Kodit Rrugor, korsitë e biçikletave janë të rezervuara për lëvizjen e biçikletave dhe mjeteve të ngjashme, ndërsa përdorimi i tyre nga motoçikletat përbën shkelje.

/m.m/r.e/

The post Vëzhgim/ Motoçikletat në korsitë e biçikletave, sfidë për sigurinë e çiklistëve në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: Përse duhet të jenë serbët në protestë për Zvërnecin?!

TIRANË, 6 qershor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot lidhur me protestën e organizuar në Zvërnec.

Balla publikoi pamje nga pjesëmarrësit në protestë, ndërsa tërheq vëmendjen për makina me targa serbe që i janë bashkuar protestës.

“Ja dhe ata qe e ‘duan’ më shumë sesa ne Shqipërinë, i sollën protestuesit në Zvërnec. Po këto makinat me targa serbe dhe serbët pse duhet të jenë në protestë për Zvërnecin?!”, pyet Balla.

Shoqëria civile, aktivistë dhe qytetarë u mblodhën sot në zonën e Porto Novos dhe plazhit të Dalanit në Vlorë për të protestuar kundër një projekti investimi në Zvërnec.

Me pankartat “Larg duart nga Narta” dhe flamuj kuqezi, qytetarët marshuan përgjatë bregut të detit duke kërkuar mbrojtjen e natyrës. Sipas tyre, kjo zonë ka rëndësi të veçantë si për komunitetin lokal, ashtu edhe për qytetin e Vlorës në tërësi.

/m.m/r.e/

The post Balla: Përse duhet të jenë serbët në protestë për Zvërnecin?! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌