Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 4 June 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ibrahimaj: Marrëveshja për sigurimet shoqërore me Poloninë garanton njohjen e kontributeve dhe të drejtave sociale

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj prezantoi sot në Kuvend projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Polonisë, për sigurimet shoqërore”, teksa theksoi se “ratifikimi i kësaj marrëveshjeje përbën një tjetër hap të rëndësishëm në zgjerimin e rrjetit të mbrojtjes sociale dhe asaj që Shqipëria po ndërton për qytetarët e saj brenda dhe jashtë vendit”.

Në fjalën e saj në Kuvend, Ibrahimaj tha se me këtë marrëveshje, Shqipëria arrin në 21 marrëveshje dypalëshe në fushën e mbrojtjes shoqërore, 10 prej të cilave janë marrëveshje të nënshkruara me shtete anëtare të Bashkimit Europian.

“Këto marrëveshje përfaqësojnë një nga instrumentet më të rëndësishme të politikës sonë sociale dhe një garanci konkrete për qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit”, theksoi Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj vuri në dukje se përmes tyre, vitet e punës dhe kontributet e paguara gjatë gjithë jetës njihen, mbrohen dhe shndërrohen në të drejta sociale të garantuara.

Sipas saj, marrëveshja krijon bazën ligjore dhe institucionale për koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore ndërmjet dy vendeve, duke garantuar vazhdimësinë e të drejtave sociale për qytetarët që lëvizin ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë.

“Thellimi i bashkëpunimit me Poloninë ka vlerë ekonomike, sociale dhe strategjike, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe në afrimin e mëtejshëm mes dy shteteve tona”, shtoi ministrja.

Ministrja Ibrahimaj vuri në dukje se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve janë zgjeruar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

“Vetëm gjatë vitit 2025, importet nga Polonia arritën në 216 milionë euro, me një rritje prej 9.9%, ndërsa eksportet shqiptare drejt Polonisë u rritën me 6.3%, duke arritur vlerën 26 milionë euro. Në të njëjtën kohë, stoku i investimeve direkte polake në Shqipëri arriti në 101 milionë euro në tremujorin e tretë të vitit 2025. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, vetëm gjatë tre viteve të fundit kanë qenë të punësuar në Shqipëri 260 shtetas polakë, konkretisht 89 në vitin 2023, 84 në vitin 2024 dhe 87 në vitin 2025”, theksoi Ibrahimaj.

Nga ana tjetër, shtoi ministrja, sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar Tregtar, aktualisht në Shqipëri operojnë 137 kompani me kapital ose ortakë polakë.

“Prej tyre, 116 janë kompani me kapital tërësisht të huaj dhe 21 janë sipërmarrje të përbashkëta shqiptaro-polake. Këto kompani janë të shpërndara në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare: 20 kompani në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, 19 kompani në tregti, 18 kompani në shërbime administrative, 18 kompani në pasuri të paluajtshme, 14 kompani në aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike, 12 kompani në turizëm dhe shërbime akomoduese, si dhe 9 kompani në industrinë përpunuese”, theksoi Ibrahimaj.

Më tej ministrja u ndal tek fushat që mbulon kjo marrëveshje si: pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare, përfitimet për sëmundje dhe barrëlindje, përfitimet nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, pagesat e papunësisë dhe mbështetjen financiare për familjarët në rast humbjeje të jetës së personit të siguruar.

Kjo marrëveshje, tha Ibrahimaj, ka edhe një rëndësi strategjike për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

“Kjo marrëveshje mbështetet në rregulloret europiane që garantojnë lëvizjen e lirë të punonjësve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre sociale. Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është një investim në sigurinë sociale të qytetarëve tanë, në mbrojtjen e kontributit të tyre dhe në forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Polonisë. Ajo dëshmon se procesi i integrimit europian prek drejtpërdrejt jetën e njerëzve, duke sjellë më shumë të drejta, më shumë siguri dhe më shumë mundësi për qytetarët shqiptarë”.

Në përfundim të fjalës së saj, Ibrahimaj ftoi deputetët të mbështesin miratimin e këtij projektligji.

1 nga 2

/k.s/

The post Ibrahimaj: Marrëveshja për sigurimet shoqërore me Poloninë garanton njohjen e kontributeve dhe të drejtave sociale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Durrës -Rinas, bllokim dhe devijim i qarkullimit te rrethrrotullimi i Treshit

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Hekurudha Shqiptare njoftoi sot se në kuadër të punimeve për ndërtimin e linjës  Tiranë-Durrës -Rinas do të ketë bllokim dhe devijim të qarkullimit, për drejtuesit e mjeteve në vendin e njohur rrethrrotullimi i Treshit (ku ndërpritet rruga me shinat) pranë Kthesës së Kamzës.

Ky bllokim dhe devijim i qarkullimit do të zgjasë nga data 6-9 qershor.

Hekurudha Shqiptare sqaron se punimet dhe lëvizja do të  kryhet sipas një grafiku me tre faza.

Në fazën e parë do të ketë bllokim total të qarkullimit nga 6 qershori ora  24:00 deri më 7 qershor ora 05:00.

Mjetet që do të vijnë për në Tiranë do të kalojnë nga rruga “Petrit Radovicka”, ndërsa mjetet nga Tirana për tek rrethrrotullimi do të kthehen tek Kthesa e Kamzës, për të vijuar në rrugën dytësore industriale ose në autostradë në drejtim të Vorës.

Në fazën e dytë do të ketë devijimi në korsinë nga ana e Tiranës. Punimet do të kryhen gjatë 7 qershorit ora 05:00 deri në orën 15:00, ndërkohë qarkullimi hapet pjesërisht me dy drejtime lëvizjeje (1 korsi për çdo kah).

Në fazën e tretë devijimi do të jetë në korsinë nga ana e Durrësit.

Punimet do të kryhen nga 7 qershori ora 23:00 deri në 9 qershor  ora 10:00 ndërsa trafiku devijohet plotësisht në anën e Durrësit, duke funksionuar me dy kahe lëvizjeje (1 korsi për secilin kah).

Hekurudha Shqiptare kontraktori i punimeve dhe Policia Rrugore kanë marrë masa për menaxhimin e trafikut, ndërsa kërkohet mirëkuptimi i shoferëve dhe banorëve të zonës për të respektuar sinjalistikën dhe planifikimin e lëvizjeve paraprakisht.

 

/k.s/j.p/

The post Ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Durrës -Rinas, bllokim dhe devijim i qarkullimit te rrethrrotullimi i Treshit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbrojtja e të dhënave personale në epokën e IA-së, tryezë diskutimi me sektorin financiar

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi aktivitetin me temë “Mbrojtja e të Dhënave Personale dhe Inteligjenca Artificiale në Sektorin Financiar”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve bankare, jobankare, sektorit të sigurimeve, nëpunësve për mbrojtjen e të dhënave personale (DPO), ekspertëve të teknologjisë dhe profesionistëve të sigurisë së informacionit.

Aktiviteti kishte për qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe dialogut ndërmjet autoritetit mbikëqyrës dhe sektorit financiar mbi përdorimin e Inteligjencës Artificiale, në përputhje me kërkesat e ligjit nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe standardet evropiane.

Në fjalën e tij hapëse, Komisioneri Besnik Dervishi theksoi se Inteligjenca Artificiale po transformon mënyrën se si institucionet përpunojnë informacionin dhe ofrojnë shërbime, duke krijuar mundësi të reja për automatizimin e proceseve dhe rritjen e eficiensës, por njëkohësisht duke sjellë sfida të rëndësishme që lidhen me mbrojtjen e të dhënave personale, transparencën, sigurinë dhe të drejtat themelore të individëve.

Komisioneri Dervishi vuri në dukje se sektori financiar është ndër sektorët që po eksploron dhe implementon në mënyrë aktive zgjidhje të bazuara në Inteligjencën Artificiale, çka e bën edhe më të rëndësishëm garantimin e përputhshmërisë me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Ai theksoi se parimet e ligjshmërisë, transparencës, minimizimit të të dhënave, sigurisë së përpunimit dhe përgjegjshmërisë mbeten plotësisht të zbatueshme edhe kur përpunimi realizohet përmes sistemeve të Inteligjencës Artificiale.

“Zhvillimi i teknologjisë duhet të ecë paralelisht me respektimin e të drejtave themelore. Mbrojtja e të dhënave personale dhe inovacioni nuk janë koncepte që përjashtojnë njëra-tjetrën, por duhet të ndërtohen mbi të njëjtin themel: besimin e individëve”, u shpreh Komisioneri.

Gjatë aktivitetit, Prof. Alessandro Mantelero, Profesor i Universitetit të Torinos dhe ekspert ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe Inteligjencës Artificiale, trajtoi përdorimin e Inteligjencës Artificiale në sektorin financiar, përfitimet dhe rreziqet që lidhen me përpunimin e të dhënave personale, si dhe detyrimet që burojnë nga legjislacioni për minimizimin e këtyre rreziqeve.

Në fjalën e tij, Prof. Mantelero vlerësoi progresin e arritur nga Shqipëria në vitet e fundit në fushën e zhvillimit të sistemeve teknologjike dhe mbrojtjes së të dhënave personale, duke theksuar se vendi ka shënuar zhvillime të dukshme në përafrimin me standardet evropiane.

Mantelero theksoi gjithashtu se përdorimi i sistemeve të Inteligjencës Artificiale kërkon një vlerësim gjithëpërfshirës të rreziqeve, duke u bazuar në kritere të tilla si shkalla e ndikimit, shtrirja e tij, probabiliteti i ndodhjes dhe mundësia e rikthimit të situatës në gjendjen e mëparshme.

Sipas tij, organizatat duhet të shkojnë përtej vlerësimit të ndikimit në mbrojtjen e të dhënave personale (DPIA), duke marrë në konsideratë edhe vlerësimin e ndikimit në të drejtat dhe liritë themelore të individëve (FRIA), si një element thelbësor për garantimin e përdorimit të përgjegjshëm dhe të besueshëm të Inteligjencës Artificiale.

1 nga 3

/k.s/j.p/

The post Mbrojtja e të dhënave personale në epokën e IA-së, tryezë diskutimi me sektorin financiar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vrasja e efektivit të “Shqiponjave”, Koçiu: Drejtësia do të përgjigjet me të gjithë forcën e ligjit

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu e cilësoi një ngjarje të rëndë vrasjen në krye të detyrës të punonjësit të policisë, inspektorit 34-vjeçar Enea Mekolli në malin Boden në Maliq.

“Humbja e jetës së efektivit të Forcave Speciale “Shqiponja”, Enea Mekolli, në krye të detyrës gjatë operacionit policor në Maliq, është një ngjarje shumë e rëndë dhe një humbje e madhe për Policinë e Shtetit dhe institucionet e sigurisë në vend. Sulme të tilla ndaj punonjësve të policisë janë të papranueshme dhe përbëjnë një cenim të drejtpërdrejtë të rendit publik dhe sigurisë së qytetarëve, ndaj drejtësia do të përgjigjet me të gjithë forcën e ligjit”, tha Koçiu në një njoftim për shtyp.

Zv/kryeministrja Koçiu i shprehu ngushëllimet familjes së dëshmorit të atdheut, Enea Mekolli, kolegëve të tij dhe gjithë trupës së Policisë së Shtetit.

“I urojmë shërim të plotë dhe sa më të shpejtë efektivit Edison Adri, i cili po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor”, tha Koçiu.

/k.s/j.p/

 

The post Vrasja e efektivit të “Shqiponjave”, Koçiu: Drejtësia do të përgjigjet me të gjithë forcën e ligjit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festivali “Bukë e zemër”, Rama: Ruajtja e natyrës nuk nënkupton moszhvillim

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ruajtja e natyrës nuk duhet parë si pengesë për zhvillimin, por si një proces që mund dhe duhet të ecë në harmoni me mjedisin.

Në fjalën e mbajtur në edicionin e dytë të festivalit “Bukë e Zemër” në kryeqytet, Rama u ndal te roli i arkitekturës në ndërtimin e një raporti të ri mes njeriut dhe natyrës, duke theksuar se arkitektura është shumë më tepër sesa ndërtimi i godinave.

“Ju e dini besimin që kam unë tek arkitektura, tek bindja që arkitektët janë foshnjet e privilegjuara të Zotit dhe të vetmit mes njerëzimit që iu është dhënë nga Zoti mundësia të luajnë Perëndinë, sepse të gjithë të tjerët janë nevojë për arkitektët që të jetojnë jetët e tyre dhe të ndërtojnë botën e tyre”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha “nuk do të ishim dot këtu përreth kësaj hapësire në qoftë se pas kësaj nuk do të ishte një arkitekt dhe nuk do të jetonim në një qytet në qoftë se nuk do të kishte arkitekt pas tij. Për mua kjo është një arsye shumë e fortë për t’i besuar arkitekturës si diçka që shkon shumë përtej ndërtesave, materialeve, shumë përtej asaj çfarë shohim në fund si prani fizike”.

Kryeministri tha se tema e këtij edicioni, e lidhur me natyrën, mjedisin dhe peizazhin, synon të sfidojë mënyrën tradicionale të të menduarit për zhvillimin dhe mbrojtjen e mjedisit.

“Donim të sfidonim veten dhe të gjithë ju duke zgjedhur një temë që për fat të keq përdoret gjithmonë për t’u përballur me arkitektët, për t’u përballur me zhvilluesit me energjitë e imagjinatës dhe të kurajës për të ndërtuar realitete të ndryshme. Përdoret për t’u përballur e për t’iu kundërvënë si të ishin njerëz që vinin nga ana negative e jetës dhe kjo është tema e natyrës, mjedisit dhe peizazhit”, nënvizoi Rama.

Kjo, vijoi Rama, na sfidon ne dhe ju për të ndihmuar dhe për kuptuar më mirë dhe kjo do të thotë të përpiqemi të kuptojmë kufijtë tanë, kufijtë tuaj dhe ndërkohë të dëgjojmë njëri tjetrin për mënyrat se si mund ti tejkalojmë këto kufij.

“Mund të hedhim hapa të mëtejshme për të provuar se ruajtja e natyrës nuk është në asnjë kohë e askund një qëndrim që nënkupton apo që është njësoj me moszhvillimin. Ruajtja e natyrës mund të ketë të bëjë dhe do të këtë të bëjë me zhvillimin në harmoni me natyrën. Jo për ta vendosur natyrën në shërbim të njerëzve, por edhe për ti vendosur njerëzit në shërbim të natyrës. Shumë e lehtë për t’u thënë se sa për t’u bërë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë kujtoi një ide të një sipërmarrësi francez, sipas së cilës koncepti i qëndrueshmërisë nuk është i mjaftueshëm për brezat e ardhshëm.

“Gjithmonë kujtoj diçka që më është thënë nga një njeri shumë i çmendur, i cili nuk është arkitekt, nuk është artist, që filloi si biznesmen i suksesshëm në Francë, pastaj u zhvendos në Amerikën Latine sepse ishte i fiksuar pas shërimit të komuniteteve. Një fjalë prej tij që nuk e harroj kurrë dhe që është shumë sfiduese ishte; E qëndrueshmja nuk është aspak korrekte në raport me brezat e ardhshme, çfarë është korrekte në raport me ta, është ajo çfarë është korrekte në raport me natyrën. Që është politika rigjeneruese, një qëndrim i ripërtërirë në raport me mjedisin, zhvillimie rigjeneruese përmes arkitekturës dhe planifikimit”, tha Rama.

Edicioni i dytë i këtij aktiviteti bashkon në Tiranë mbi 600 profesionistë, arkitektë ndër më të mirënjohurit ndërkombëtarisht nga Europa, Azia, Amerika Veriore e Jugore, me bashkëpunëtoret që punojnë në Shqipëri së bashku me partnerët lokalë dhe të ftuarit e tyre nga rrugë të ndryshme të jetës.

Ata do të ndajnë eksperiencat, do të diskutojnë mbi sfidat e zhvillimit urban e social të ditëve të sotme, si edhe kontribuojnë për formulimin e politikave dhe masave në funksion të transformimit të madh të Shqipërisë.

/k.s/j.p/

 

The post Festivali “Bukë e zemër”, Rama: Ruajtja e natyrës nuk nënkupton moszhvillim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vrasja e efektivit të “Shqiponjave” në Maliq, Rama: Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ndëshkim maksimal për autorin

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama shprehu sot ngushëllimet për vrasjen në krye të detyrës të efektivit të Forcave “Shqiponja” E. M., 34 vjeç në malin Boden, bashkia Maliq.

Në një postim në rrjetet sociale Rama theksoi se do të ketë ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit, që nuk do të ndalet asnjëherë në misionin e saj.

Kryeministri Rama tha se “gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari, që prej vitesh i fshihej ligjit në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte arritur t’u ikte rrethimeve të forcave të rendit, ka humbur jetën një efektiv policie e është plagosur një i dytë, ndërkohë që pasi ka hapur  zjarr ndaj tyre u plagos dhe u kap edhe krimineli”.

“Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër”, theksoi Rama.

Efektivi i Forcave “Shqiponja” mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos nga sulmi me armë zjarri nga një person i kërkuar i cili u neutralizua dhe u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit gjatë një operacioni për kapjen e tij.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor E. M., 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor E. A., 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë)”

/k.s/j.p/

The post Vrasja e efektivit të “Shqiponjave” në Maliq, Rama: Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ndëshkim maksimal për autorin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 3 June 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Zgjerimi i autostradës, Karakaçi: Pas sezonit veror nis prishja e mbikalimit të Rinasit

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi sot se punimet për zgjerimin e aksit Tiranë-Durrës po vijojnë me ritme të kënaqshme, ndërsa theksoi se pas sezonit veror nis prishja e mbikalimit të Rinasit.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, Karakaçi sqaroi se një mbikalim është duke u ndërtuar përballë një qendre tregtare, i cili do të krijojë mundësinë e kalimit të banorëve.

“Jemi krejtësisht të hapur që të ulemi dhe të shohim nëse ka nevojë shtesë për mbikalime, të ulemi me grupet e interesit dhe të shikojmë se cilat janë mundësitë. Ajo çfarë është e rëndësishme është që aty puna po ecën”, tha Karakaçi.

Ministri Karakaçi vuri në dukje se “kanë përfunduar 6 km e parë dhe çdo qytetar që kalon me automjet e konstaton që faza pasardhëse është në punime të avancuara”.

Më tej, Karakaçi bëri të ditur se plani është që duhet edhe të demolohet mbikalimi i Rinasit dhe të ndërtohet një mbikalim i ri me që të krijojë hapësirën e katër korsive.

“E kemi të pamundur të punojmë për demolimin e atij mbikalimi gjatë sezonit veror. Do fillojë shumë shpejt menjëherë pas sezonit veror pasi është pjesë e fazave të punimeve që janë duke u ndërtuar gjatë kësaj kohe”, vuri në dukje ai.

Ndërkohë, shtoi ministri, gjatë kësaj periudhe dhe periudhës të sezonit veror siç edhe mund ta shikojë çdo njeri është duke u punuar me ritme shumë të kënaqshme për të përfunduar segmentin që kalon edhe mbikalimin e Kasharit dhe shkon pothuajse deri te Casa Italia.

“ARRSH-ja është duke punuar edhe me grupet e interesit për hyrjet e daljet të subjekteve tregtare në të gjitha nyjet përkatëse siç është nyja e Rinasit apo nyjet e tjera sepse patjetër ajo rrugë i shërben qytetarëve. Por ne e dimë që aty ka dhe subjekte tregtare që janë në të dyja krahët e rrugës dhe jemi duke marrë me vëmendje dhe duke i parë me vëmendje të gjitha propozimet që na vijnë nga grupet e interesit”, tha Karakaçi.

/k.s/j.p/

 

The post Zgjerimi i autostradës, Karakaçi: Pas sezonit veror nis prishja e mbikalimit të Rinasit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

264 vepra penale të ndryshme gjatë majit në qarkun e Fierit, 69 autorë të arrestuar

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Fier gjatë muajit maj ka evidentuar 264 vepra penale të ndryshme, prej të cilave janë zbardhur 260 prej tyre ose 98.4 %.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Erion Ahmeti, në një konferencë për shtyp mbi rezultatet e punës së policisë për muajin maj tha se “në këto vepra penale janë identifikuar 268 autorë të dyshuar si të përfshirë, nga të cilët 69 janë (arrestuar/ndaluar), 190 janë proceduar në gjendje të lirë si dhe 9 të tjerë janë shpallur në kërkim”.

Sipas tij, krahasuar me muajin e kaluar, janë evidentuar 90 vepra penale më shumë.

“Gjatë kësaj periudhe janë finalizuar 10 operacione policore, si rezultat i të cilave janë arrestuar/ndaluar 14 persona. Janë trajtuar në total 161 konflikte, nga të cilat 122  konflikte për motive të dobëta dhe 39 konflikte për motive pronësie. Për këto raste janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme dhe janë proceduar autorët e dyshuar”, tha Ahmeti.

Sa i përket sigurisë rrugore, Ahmeti tha se me rritjen e fluksit të lëvizjes së mjeteve, është intensifikuar monitorimi inteligjent i akseve rrugore nëpërmjet mjeteve teknologjike.

“Si rezultat, strukturat e policisë rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë kanë vendosur 11.132 masa administrative ose 4.985 masa më shumë se një muaj më parë, ku pjesa më e madhe e tyre, është për ato shkelje që ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e sigurisë rrugore”, vuri në dukje ai.

Gjatë këtij muaji janë evidentuar 14 aksidente rrugore, si pasojë e të cilëve kanë humbur jetën 2 shtetas, është plagosur rëndë 1 shtetas si dhe janë plagosur lehtë 13 të tjerë.

Gjithashtu në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore nga strukturat e Policisë Rrugore janë proceduar penalisht 59 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në mënyrë të pa rregullt, nga të cilët. janë arrestuar/ndaluar 34 shtetas, ndërsa 25 janë hetuar në gjendje të lirë

Kreu i Policisë së Fierit shprehu angazhimin maksimal për të parandaluar dhe luftuar paligjshmërinë në çdo drejtim, duke ftuar qytetarët të adresojnë çdo problematikë që është në kompetencën e policisë, çdo sjellje të pahijshme të punonjësve të policisë, apo të neglizhencës së tyre, në përmbushje të detyrës.

/k.s/j.p/

The post 264 vepra penale të ndryshme gjatë majit në qarkun e Fierit, 69 autorë të arrestuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayAgjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Patronazhistët suksesi i PS-së, mos humbni kontaktin me qytetarët

TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se “arsyeja bazë e të gjitha sukseseve tona elektorale janë patronazhistët e Partisë Socialiste”

Në fjalën e tij, në takimin e organizuar në Tiranë me rastin e 35-vjetorit të krijimit të PS-së, Rama tha se “patronazhistët e Partisë Socialiste janë ata që e kanë bërë dhe e bëjnë atë që Gramozi bën me të gjithë familjen socialiste, por e bëjnë me atë numër të vogël njerëzish që kanë në kujdestarinë e tyre. E kam thënë përpara, e përsëris prapë sot, unë e çmoj punën e të gjithëve, por mbi të gjitha çmoj punën e patronazhistëve”.

E di shumë mirë, vijoi Kryeministri, çfarë do të thotë të jesh kryetar organizate.

“E di shumë mirë çfarë do të thotë të jesh anëtar organizate, por mund të jesh kryetar organizate dhe mund të mos kesh vlerën që ka një patronazhist. Mund të jesh anëtar organizate në letra, por s’e ke kurrë vlerën që ka një patronazhist. Patronazhistët janë anëtarët e kësaj familje që me punën e tyre, derë më derë, me kontaktet e tyre, me njerëzit që kanë në patronazh, garantojnë pikërisht atë që Gramozi kërkoi sot nga të gjithë: mos humbni lidhjet me njerëzit”, nënvizoi Rama.

E përtej kësaj, Rama bëri dhe disa reflektime lidhur me çfarë u tha aty dhe me çfarë është thënë gjatë këtyre takimeve dhe me çfarë thuhet apo nuk thuhet mjaftueshëm për Partinë Socialiste.

“Dua të them që një nga arsyet mbas patronazhistëve që janë kryearsyeja, të paktën të fitoreve që unë kam udhëhequr, një nga arsyet e fitores së Partisë Socialiste është aftësia për t’u hapur, dhe aftësia për t’u hapur buron në kohë. Është një nga ato shënimet në ADN e Partisë Socialiste qysh nga momenti i lindjes së saj. Nga momenti i lindjes së saj kur Partia Socialiste nuk ndërroi thjesht emrin, nuk kishte një ndërrim emri. Emri dhe ndërrimi i emrit ishte gjëja me e drejtpërdrejtë zyrtare dhe përfaqësuese në sytë e të tjerëve, por ishte me ndërrimin e emrit dhe ndërrimi i qasjes ndaj vetes, i qasjes ndaj shoqërisë, i qasjes ndaj të shkuarës, i qasjes ndaj historisë dhe ndaj të ardhmes”, tha Rama.

Kryeministri Rama vlerësoi edhe kontributin e Gramoz Ruçit, duke theksuar se ka bërë për Partinë Socialiste më shumë se gjithë të tjerët.

“Askush nga ne nuk ka në telefon të gjitha kontaktet që ka Gramozi, nga veriu në jug. Askush nga ne nuk e arrin dot atë që Gramozi ka bërë dhe vazhdon të bëjë edhe sot”, tha Rama.

/k.s/r.e/

The post Rama: Patronazhistët suksesi i PS-së, mos humbni kontaktin me qytetarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hoxha pritet nga Van Hoof: Nisma konkrete për forcimin e marrëdhënieve Shqipëri-Belgjikë

TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u prit në një takim nga kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Els Van Hoof, me të cilën bisedoi për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Belgjikës.

Gjatë takimit Hoxha përcolli vlerësimin e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës për zgjerimin e BE-së dhe në veçanti, për procesin e anëtarësimit në BE, si dhe për bashkëpunimin konstruktiv dypalësh që është thelluar vazhdimisht gjatë viteve.

Në një postim në rrjetet sociale Hoxha tha se “diskutuam mbi rëndësinë e ruajtjes së një dialogu të fortë dhe të rregullt politik, duke përfshirë edhe shkëmbimet e zgjeruara parlamentare, të ankoruara në angazhimin tonë të përbashkët për një Evropë më të fortë dhe të udhëhequr nga një qasje praktike dhe e orientuar drejt rezultateve”.

“Diplomacia parlamentare ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në nxitjen e mirëkuptimit të ndërsjellë, mbështetjen e proceseve të reformave dhe afrimin e institucioneve dhe shoqërive tona”, nënvizoi Hoxha.

Gjatë takimit Hoxha dhe Van Hoof, shkëmbyen pikëpamje mbi momentumin e ripërtërirë të zgjerimit të BE-së dhe rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës”.

Në këtë kontekst, Hoxha nënvizoi vendosmërinë e Shqipërisë për të vazhduar avancimin e agjendës së saj të reformave dhe për të ecur përpara me vendosmëri në negociatat e anëtarësimit.

Ministri Hoxha i shprehu mirënjohjen Van Hoof për hapjen, angazhimin dhe lidershipin e saj.

“Ne presim ta rrisim më tej këtë dialog konstruktiv dhe ta përkthejmë atë në nisma konkrete që do të forcojnë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Belgjikës”, tha Hoxha.

1 nga 4

/k.s/r.e/a.f/

The post Hoxha pritet nga Van Hoof: Nisma konkrete për forcimin e marrëdhënieve Shqipëri-Belgjikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita e tretë protestës në Tiranë, qytetarët kërkojnë anulimin e investimit në Zvërnec

TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Për të tretën ditë radhazi shoqëria civile po proteston në Tiranë lidhur me projektin për investim në Zvërnec të Vlorës.

Qytetarët u grumbulluan në sheshin “Skënderbej” dhe nga aty marshuan drejt Ministrisë së Brendshme dhe më pas drejt Kryeministrisë.

Me pankarta në duar qytetarët kërkojnë anulimin e projektit, duke shprehur shqetësimet e tyre për ndikimin që ai mund të ketë në mjedis dhe në pasuritë natyrore të zonës.

Duke iu përgjigjur ftesës së kryeministrit Edi Rama për të bashkëbiseduar me një grup prej tyre, qytetarët thërrasin “Nuk ka dialog”.

(vijon…)

Marshim për Zvërnecin - Foto: Florian Abazaj
1 nga 18
Marshim për Zvërnecin, Foto: Florian Abazaj

/k.s/r.e/a.f/

The post Dita e tretë protestës në Tiranë, qytetarët kërkojnë anulimin e investimit në Zvërnec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vokshi: Opozita po përjashtohet nga procesi i integrimit europian

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi reagoi sot pas mbledhjes së Komisionit për Çështjet Europiane, duke akuzuar mazhorancën për përjashtim të opozitës nga procesi i integrimit europian dhe mungesë transparence në zhvillimin e negociatave me Bashkimin Europian.

Në një postim në rrjetet sociale, Vokshi deklaroi se gjatë mbledhjes së komisionit është ndërprerë transmetimi live në momentin kur ajo kërkoi fjalën për procedurë, duke e cilësuar këtë veprim si pjesë të një qasjeje përjashtuese ndaj opozitës.

“Ky nuk është një incident teknik. Është një simptomë e një problemi shumë më të thellë: mungesës së vullnetit të mazhorancës për ta trajtuar opozitën si pjesë legjitime dhe të domosdoshme të procesit të integrimit europian”, tha Vokshi.

Sipas saj, po ndërtohet një proces i mbyllur, hermetik dhe pa transparencë, ku opozita përjashtohet nga informacioni, nga debati dhe nga ushtrimi i funksionit të saj kushtetues të kontrollit parlamentar.

“Synimi është i qartë: të mos bëhet publike ajo që Bashkimi Europian i kërkon realisht qeverisë shqiptare dhe të shmanget çdo llogaridhënie për dështimet dhe mangësitë e evidentuara në procesin e negociatave”, tha Vokshi.

Vokshi theksoi se “integrimi europian është projekti më i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë. Ai nuk është pronë e qeverisë dhe as monopol i shumicës parlamentare. Integrimi është një proces kombëtar, që kërkon transparencë, gjithëpërfshirje dhe kontroll demokratik. Pikërisht për këtë arsye, Kuvendi ka një rol të përcaktuar qartë në ligj dhe në standardet europiane. Ne jo vetëm kemi të drejtën, por kemi detyrimin kushtetues të ushtrojmë mbikëqyrjen parlamentare mbi procesin e anëtarësimit”.

Më tej, Vokshi tha se “në vend që të përballet me gjetjet e IBAR, rekomandimet dhe detyrimet që burojnë prej tij, qeveria zgjedh të fshihet pas procedurave formale dhe amendimeve pa përmbajtje. Po aq shqetësues është fakti se angazhimet e marra me Rezolutën për Procesin e Integrimit Europian, të miratuar me konsensus të plotë në Kuvend, vazhdojnë të mbeten vetëm në letër”.

Për këto zhvillime shqetësuese, tha Vokshi, do të informojnë Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, Komisionin Europian, si dhe ambasadat e vendeve anëtare të BE-së.

“Enkas për këtë shqetësim ka dhe një letër të kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, Mcallister, i cili e ka konsideruar të prapranueshme këtë sjellje përjashtuese të mazhorancës. Integrimi europian nuk mund të ndërtohet mbi përjashtimin e opozitës, mungesën e transparencës dhe dobësimin e demokracisë parlamentare”, tha Vokshi.

/k.s/a.f/r.e/

The post Vokshi: Opozita po përjashtohet nga procesi i integrimit europian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Projekti i studios Herzog dhe de Meuron fitues për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve

TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Projekti i studios “Herzog dhe de Meuron Basel Ltd” dhe Julian Beqiri + “Marsela Demaj” + “Michel Desvigne (MDP)” + “Gentian Shkurti” + “SUEB INDUSTRIES sh.p.k.” + “The Space Factory Ltd” + “KLAR” sh.p.k u shpall fitues i konkursit ndërkombëtar për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve.

Kryetarja e jurisë, Mari Randsborg, e cila shpalli edhe çmimet, tha se “ky projekt do të kontribuojë për zhvillimin e vazhdueshëm të Tiranës dhe pa pikë diskutimi do të krijojë vlerë për shumë breza të ardhshëm”.

“Juria i bën thirrje ekipit që të marrë në konsideratë lartësinë e kullës, vendndodhjen e saj në lidhje me gjithçka rreth e rrotull si dhe hapësirën lart, e cila duket pak si informale dhe e vogël. Ne si juri shpresojmë që ju si ekip do të bashkoheni ngushtësisht me qytetin, në mënyrë që të eksploroni më tej si mund të zgjerohen dhe përmirësohen hapësirat publike”, theksoi Randsborg.

Randorg e cilësoi këtë konkurs një mundësi të rrallë për të ripërfytyruar një prej monumenteve kulturore më të rëndësishme shqiptare, duke krijuar një objekt në përdorim të kombinuar që kontribuon për të ardhmen e Tiranës.

“Së bashku me rijetësimin e Pallatit të Kongreseve dhe të një kampusi të ri shumë funksional kjo ofron mundësinë për të forcuar jetën ekonomike sociale dhe kulturore të qytetit përmes një arkitekture të një cilësie sipërore. Juria iu qas konkursit me ambicien e qartë për të identifikuar një propozim që do të ishte i aftë të nderonte Pallatin e Kongreseve si një monument me rëndësi kombëtare dhe ta shndërrojë atë në një qendër tërheqëse për jetën publike social-kulturore”, tha Randsborg.

Olga Bolshanina, partnere në studion “Herzog dhe de Meuron”, tha se “kjo ndërtesë, për kohën kur është ndërtuar, ka qenë novatore dhe mbart histori. Ne mendojmë që duhet të ketë katër ose pesë ndërhyrje shumë të thjeshta që do ta rigjallërojnë Pallatin e Kongreseve dhe do të përmirësojë cilësinë e vetë. Pra, së pari, ne e kemi krijuar atë në një hapësirë të gjelbër, që kjo hapësirë brenda të jetë si një dhomë pritjeje në shtëpi, ndërkohë që pjesa tjetër është kopshti që ne mund të kemi në shtëpi. Kemi sallën e madhe të konferencave, do të kemi edhe pjesën e sipërme, ku edhe aty do të kemi mundësi që të ketë edhe takime. Këto janë elementët kryesorë të kësaj godine”.

“Ne dëshirojmë që të përmirësojmë pjesën e hyrjes për në Pallatin e Kongreseve, por edhe të përmirësojmë pjesën që është kati i nëndheshëm. Në projekt parashikohet krijimi i një një sheshi në vetvete dhe pjesën e këmbësorëve do ta sjellim këtu duke e bërë atë të hapur në mënyrë që të gjitha këto hapësira të lidhen me njëra-tjetrën dhe të bëhet e mundur që të përjetohet çdo hapësirë”, tha Bolshanina.

Ajo u shpreh se “gjithashtu do të kemi dhe një pjesë, që ne e quajmë atriumi, që do të jetë dhe pjesa kryesore. Do të jetë një shesh i ri  që do të kalojë shkallë më shkallë poshtë. Do të jetë si një pyll, që do të përfaqësojë pyjet e Shqipërisë, por ndërkohë do të jetë dhe një hapësirë shumë e këndshme që të përdoret nga të gjithë”, tha ajo.

Bolshanina shtoi se duan të përmirësojnë akustikën dhe audion në sallën e madhe, si dhe hapësirat për t’u ulur.

“Është e rëndësishme që pjesa e sipërme, çatia është e vështirë tani për t’u përdorur edhe për t’u zëvendësuar, por ne besojmë se do ta bëjmë këtë me anën e një strukture të çeliktë duke na ofruar edhe më shumë dritë. Gjithashtu do të ketë edhe një amfiteatër që do të bëjë lidhjen me tarracën”, tha Bolshanina.

Sa i përket kullës që do të ndërtohet, Bolshanina tha se “për ne e rëndësishme ka qenë të vendoset në qendër në respekt të simetrisë së kësaj ndërtese. Duke qenë në qendër të saj e bën Pallatin e Kongreseve një strukturë që e përqafon këtë kullë”.

Projekti fitues për Pallatin e Kongreseve
1 nga 6

/k.s/r.e/a.f/

The post Projekti i studios Herzog dhe de Meuron fitues për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ndizen dritat në LungoRadhimë, shëmbëlltyrë e Rilindjes Urbane në Vlorën turistike

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Në Vlorë vijon puna për projektin Lungomare 3, Vlorë-Orikum, ndër më të rëndësishmit në qytetin bregdetar.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje nga Radhima, ku janë ndezur për herë të parë dritat në segmentin e ri të projektit bregdetar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi investimin si një tjetër dëshmi të transformimit urban që po vijon në zonën turistike të Vlorës.

“Sapo u ndezën dritat në projektin e ri të LungoRadhimës, një shëmbëlltyrë e re e Rilindjes Urbane që vazhdon në Vlorën e bukur turistike”, shkruan Rama.

Projekti synon përmirësimin e infrastrukturës bregdetare, krijimin e hapësirave publike moderne dhe rritjen e atraktivitetit turistik të vijës bregdetare në jug të vendit.

Bajpasi Orikum-Lungomare 3 shtrihet mbi kodrat e rrugës Vlorë-Orikum dhe do të mundësojë një frymëmarrje krejt të re për Vlorën.

Ky investim strategjik zgjeron hapësirën e turizmit cilësor të Vlorës dhe krijon kushtet optimale për vijimin me Lungomaren 4 në zonën e Orikumit, duke e bërë Vlorën qytetin bregdetar me shëtitoren më të gjatë në Mesdhe.

Lungomare 3 do t’i shërbejë jo vetëm banorëve të zonës, por gjithë turistëve vendas e të huaj që frekuentojnë bregdetin e Vlorës dhe Rivierën Shqiptare.

/k.s/r.e/a.f/

The post Rama: Ndizen dritat në LungoRadhimë, shëmbëlltyrë e Rilindjes Urbane në Vlorën turistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aktivistë “Pro Familjes dhe jetës” protestojnë kundër trajtimit hormonal

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Aktivistë të koalicionit shqiptar “Pro Familjes dhe jetës” zhvilluan sot një protestë në sheshin “Skënderbej”, ku shprehën kundërshtimin e tyre ndaj trajtimeve hormonale për personat transgjinorë.

Gjatë tubimit, organizatorët dhe pjesëmarrësit mbajtën fjalime, duke paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me çështjen që motivoi protestën.

Aktivistja Linda Pano bëri thirrje për mbrojtjen e familjes dhe të drejtave të prindërve.

“Është përgjegjësia e prindit, detyra dhe e drejta e tij që të vendosë për fëmijën e vet. Çdo njeri tjetër që kërkon të ndërhyjë nuk ka të drejtë. Prandaj unë sot dua t’ju inkurajoj: qëndroni dhe luftoni! Sepse në qoftë se nuk luftoni ju për fëmijët tuaj, bota do të jetë e pamëshirshme për ta”, tha Pano.

Ndërsa kryetarja e Partisë Demokratike, Dega 9 në Tiranë, Eda Grimci u shpreh se “pa familje të fortë nuk ka komb, nuk ka atdhe. Është pikërisht kjo familje që na ka mbajtur të bashkuar, është pikërisht familja dhe rreziku që na kanoset që na bashkon sot në këtë shesh. Prandaj, kështu siç jemi të mos ndalemi, të mbrojmë familjet, të mbrojmë fëmijët, të mbrojmë kombin sepse familja shqiptare është në rrezik dhe nuk duhet ta lejojmë këtë gjë”.

Pas përfundimit të fjalimeve në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku vijuan të shprehin kërkesat dhe qëndrimet e tyre.

Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore dhe nën monitorimin e forcave të rendit.

/k.s/r.e/a.f/

The post Aktivistë “Pro Familjes dhe jetës” protestojnë kundër trajtimit hormonal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jaupaj prezanton drejtoreshën e re të Agjencisë Kombëtare të Pyjeve

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Rudina Hoxha është drejtoresha e re e Agjencisë Kombëtare të Pyjeve.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj prezantoi sot Hoxhën me stafin e Agjencisë, teksa theksoi se “ky emërim vjen bashkë me një ridimensionim të rëndësishëm të rolit të AKP-së: më shumë përgjegjësi, më shumë prani në territor dhe më shumë koordinim me bashkitë për mbrojtjen e pyjeve dhe ekosistemeve”.

“AKP nuk do të jetë një agjenci satelit, por një institucion që së bashku me Ministrinë, do të jetë në krye të proceseve për administrimin, mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve”, tha Jaupaj.

Ministri Jaupaj tha se “shtimi i 4 agjencive rajonale e afron më shumë punën me nevojat reale në terren, ndërsa gjithashtu Ndërmarrja Shtetërore e Pyjeve do të funksionojë nën orientimin e AKP-së”.

“Do të jemi më pranë komuniteteve, më afër natyrës dhe më të fortë në mbrojtjen e pasurisë sonë të gjelbër”, tha Jaupaj.

1 nga 4

/k.s/a.f/r.e/

The post Jaupaj prezanton drejtoreshën e re të Agjencisë Kombëtare të Pyjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis puna për Strategjinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar 2027–2031

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Ministria e Arsimit dhe UNICEF nisën punën për Strategjinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar 2027-2031, e cila e vendos nxënësin në qendër, me qëllimin për të konsoliduar një sistem arsimor gjithëpërfshirës.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, në fjalën e saj tha se kjo strategji është gjithashtu një përgjegjësi e përbashkët, prandaj bëri një ftesë edhe për prindërit të jenë pjesë aktive e konsultimeve për strategjinë e re.

“Ministria e Arsimit me mbështetjen e UNICEF si një prej partnerëve më të rëndësishëm që kemi, dhe partnerëve tanë, nis sot procesin e hartimit të Strategjisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar 2027–2031. Strategjia që po nisim sot do të vendosë nxënësin në qendër me qëllimin e qartë për të konsoliduar një sistem arsimor gjithëpërfshirës, cilësor, inovativ dhe të orientuar drejt së ardhmes. Një sistem ku çdo fëmijë, pavarësisht vendbanimit, statusit social apo kushteve familjare, të ketë mundësi të barabarta për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për të realizuar potencialin e tij”, nënvizoi Kumbaro.

Por, vijoi ministrja, kjo strategji nuk mund dhe nuk duhet të shkruhet vetëm nga Ministria.

“Arsimi është një përgjegjësi e përbashkët. Prandaj procesi që po nisim sot do të jetë një nga proceset më gjithëpërfshirëse të konsultimit që kemi ndërmarrë. Ne duam të dëgjojmë zërin e nxënësve. Duam të dëgjojmë mësuesit që çdo ditë përballen me realitetin e klasës. Duam të dëgjojmë drejtuesit e shkollave, ekspertët, universitetet, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët tanë. Por mbi të gjitha, duam të dëgjojmë prindërit. Sepse familja është partneri më i rëndësishëm i shkollës. Prindërit janë ata që njohin më mirë nevojat, aspiratat dhe sfidat e fëmijëve të tyre. Për këtë arsye, ata do të kenë një rol qendror në procesin e konsultimeve që do të zhvillohen në muajt në vijim në të gjithë vendin”, tha Kumbaro.

Më tej, ministrja shtoi se krahas nisjes së punës për strategjinë e re, vijon paralelisht të investohet në rritjen e cilësisë së sistemit arsimor me programin e zhvillimit profesional të mësuesve, gjatë të cilit janë trajnuar 30 mijë mësues ndërsa po vijojmë investimet në transformimin digjital të arsimit, përmirësimin e infrastrukturës shkollore, forcimin e mekanizmave të sigurimit të cilësisë dhe mbështetjen e mirëqenies së nxënësve.

Strategjia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar 2027-2031 e mbështetur nga UNICEF pasqyron vizionin e Shqipërisë për një sistem arsimor gjithëpërfshirës, inovativ, të barabartë dhe të orientuar drejt së ardhmes, në përputhje me standardet evropiane.

1 nga 3

/k.s/a.f/

The post Nis puna për Strategjinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar 2027–2031 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tomini: Udhëzimi për terapinë hormonale nuk ka kosto për buxhetin e shtetit dhe nuk përfshin fëmijët

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini deklaroi sot se udhëzimi për terapinë hormonale i referohet protokollit që ndiqet nga stafi shëndetësor dhe është pjesë e direktivave të BE-së për akses në shërbime shëndetësore të sigurta për çdo individ.

Në një intervistë televizive, Tomini theksoi gjithashtu se terapia hormonale nuk financohet nga buxheti i shtetit, si dhe nuk përfshin fëmijët.

“Udhëzimi jep vetëm rekomandim dhe një element tjetër i rëndësishëm është se nuk ka asnjë kosto të evidentuar deri në këto momente lidhur me trajtimin e terapisë hormonale që ndiqet edhe nga ekzaminimet e tjera sistemike të të gjithë organizmit”.

Sipas Tominit, ky udhëzues nuk ka asnjë kosto në buxhetin e shtetit.

“Një ndër direktivat për të kaluar në BE është edhe siguria e pacientit, çdo individ duhet të ketë mbështetje shëndetësore. Çdo individ ka të drejtën të marrë shërbimin e duhur në mënyrë të sigurt kundrejt çdo alternative të mundshme që i shfaqet përpara”, theksoi Tomini.

Zv/ministrja Tomini u shpreh se “hyrja në udhëzim reflekton kërkime shkencore ndërkombëtare. Nën 14 vjeç nuk ka baza shkencore ndërkombëtare. Legjislacioni shëndetësor, kodi dhe Kushtetuta në Republikën e Shqipërisë reflekton moshën mbi 18 vjeç. Sistemi shëndetësor ecën paralelisht me legjislacionin shqiptar nuk ecën me rekomandimet ndërkombëtare në varësi të moshës se kur është adult një individ në Francë, Angli apo kudo tjetër”, tha Tomini.

/k.s/a.f/

The post Tomini: Udhëzimi për terapinë hormonale nuk ka kosto për buxhetin e shtetit dhe nuk përfshin fëmijët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Doganat miratojnë udhëzimin për garancinë globale, lehtësi për bizneset

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Në vijim të procedurave lehtësuese për bizneset, drejtori i përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, ka miratuar manualin udhëzues “Mbi Procedurat Standarde të Operimit për Miratimin, Funksionimin dhe Administrimin e Garancisë Globale/Gjithëpërfshirëse, Garancisë së Reduktuar dhe Përjashtimit nga Garancia në Doganën Shqiptare”.

Ky manual ka për qëllim të përshkruajë procedurat standarde të operimit për miratimin, funksionimin dhe administrimin e Garancisë Globale/Gjithëpërfshirëse, Garancisë së Reduktuar dhe Përjashtimit nga Garancia në Doganën Shqiptare.

Ai ofron udhëzime për operatorët ekonomikë që dëshirojnë të përfitojnë nga këto mundësi dhe siguron që proceset të jenë të qarta dhe të përcaktuara.

Garancia Globale ofron mundësi për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e procedurave doganore në një garanci të vetme.

Ndërkohë që “Garancia e Reduktuar” dhe “Përjashtimi nga Garancia” janë mundësi që lejojnë uljen e kostove financiare për mbajtjen e garancive dhe thjeshtimin e proceseve për operatorët ekonomikë që përmbushin kushte të caktuara.

Fillimisht garancia globale, e reduktuar dhe përjashtimi nga garancia do t’iu ofrohet Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar(AEO), duke rritur në mënyrë të prekshme përfitimet financiare për këto operatorë që janë certifikuar nga procedurat vlerësuese të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Operatori ekonomik duhet të jetë i vendosur në Republikën e Shqipërisë dhe të ketë aktivitet të regjistruar aktiv në sistemin informatik të Doganës Shqiptare, të ketë histori të pastër në pagesat doganore dhe të jetë përdorues i rregullt i regjimeve doganore ku ata përfshihen ose operatorë të ambienteve të Magazinimit të Përkohshëm dhe të demonstrojë një nivel të mjaftueshëm të likuiditetit financiar dhe besueshmërie.

Sipas udhëzuesit, operatori ekonomik duhet të ketë aftësi paguese që do të kërkohen për të provuar nëse aplikuesi ka gjendje të mirë financiare, që i lejon atij të përmbushë angazhimet që rrjedhin e lidhen me karakteristikat e llojit të aktivitetit në fjalë, në përputhje me kriteret e përcaktuara në Kodin Doganor.

Procedurat e zbatimit të Garancisë Globale parashikon se mund të përdoret për dy ose më shumë operacione apo regjime doganore ndërkohë që “Garancia e reduktuar” lejon një mbulim më të vogël/të ulët për detyrimet doganore, duke ulur koston për operatorin ekonomik dhe “Përjashtimi nga garancia” lejon ndihmën për ata operatorë ekonomikë që kanë treguar besueshmëri të lartë në zbatimin e rregullave dhe procedurave doganore.

Manuali ka për qëllim të ofrojë një kuptim të plotë të procesit të administrimit të Garancisë Globale, Garancisë së Reduktuar dhe Përjashtimit nga Garancia në Doganën Shqiptare. Operatorët ekonomikë duhet të sigurohen që ndjekin çdo procedurë dhe të respektojnë rregullat për të përfituar nga këto mundësi si dhe për të shmangur komplikimet ligjore.

/k.s/r.e/a.f/

The post Doganat miratojnë udhëzimin për garancinë globale, lehtësi për bizneset appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qytetarët protestë në Tiranë: Të mos lejohen ndërtime që cenojnë zonat e mbrojtura

TIRANË, 31 maj/ATSH/ Shoqëria civile protestoi sot në Tiranë lidhur me ngjarjen në Zvërnec.

Protesta e qytetarëve nisi para Drejtorisë së Policisë dhe vijoi më pas tek Ministria e Brendshme dhe Kryeministria.

“Shqipëria e shqiptarëve”, “Shqipëria nuk shitet”, “Anuloni projektin” ishin disa nga thirrjet e qytetarëve në protestë.

Njëkohësisht ata bënë thirrje që të mos lejohen ndërtime që cenojnë zonat e mbrojtura të vendit.

Gjithashtu qytetarët kërkuan anulimin e ligjit të Zonave të Mbrojtura si dhe të “Paketës së Maleve”.

Qytetarët paralajmëruan se do të mblidhen sërish nesër në protestë.

/k.s/r.e/ /a.g/

The post Qytetarët protestë në Tiranë: Të mos lejohen ndërtime që cenojnë zonat e mbrojtura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌