Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Nis shembja e 11 shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit

PRISHTINË, 21 korrik/ATSH/ Autoritetet e Kosovës nisën të martën aksionin për shembjen e 11 shtëpive të ndërtuara në pronën e Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, në zonën e Liqenit të Ujmanit.

Kryeshefi ekzekutiv i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se objektet ndodheshin ilegalisht në pronë të ndërmarrjes.

Ai tha se pronarëve u ishte kërkuar t’i lironin ato më 3 korrik, por pas moszbatimit të kërkesës, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, nisën zbatimin e vendimit për rrënimin e tyre.

“Ne po e kthejmë pronën tonë. Po rrënohen 11 shtëpitë e ndërtuara ilegalisht në pronën e ndërmarrjes”, tha Mujka.

“Sipas informacioneve që kemi mbledhur, këto shtëpi, përveç njërës, janë ndërtuar gjatë viteve 2019/2020”, shtoi ai.

Policia e Kosovës bëri të ditur se aksioni për asistimin e institucioneve në rrënimin e 11 shtëpive të pushimit pranë Liqenit të Ujmanit është duke u zhvilluar pa probleme.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se policia po i ofron mbështetje “Ibër-Lepencit” dhe Ministrisë së Mjedisit në zbatimin e vendimit.

Sipas tij, aksioni ka nisur rreth orës 07:00 në zonën e njohur si “Plazhi i Shqiptarëve”, në komunën veriore të Zubin Potokut.

“Deri më tani nuk kemi hasur në ndonjë problem për t’u theksuar”, deklaroi Elshani për Radion Evropa e Lirë.

Ai konfirmoi se, bazuar në informacionet që posedon policia, është paraparë rrënimi i 11 pushimoreve në këtë lokacion.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, në një reagim të publikuar më 21 korrik, e përshkroi aksionin si një “akt të paligjshëm dhe terrori të [kryeministrit në detyrë të Kosovës] Albin Kurtit”, duke pretenduar se ai është duke u kryer “pa asnjë vendim gjyqësor” dhe “me qëllim hakmarrjen ndaj nesh, serbëve”.

Sipas saj, pronarët e shtëpive kishin mësuar për rrënimin e tyre vetëm përmes njoftimeve të vendosura në objekte.

Liqeni i Ujmanit konsiderohet infrastrukturë strategjike për Kosovën, pasi shërben për furnizim me ujë, prodhim të energjisë elektrike dhe ujitje. /rel/

The post Nis shembja e 11 shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjykata e Lartë shpall kandidatët zyrtarë për anëtarë të KLGJ-së

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Gjykata e Lartë shpalli sot zyrtarisht listën përfundimtare të kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore për t’u zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Shpallja vjen në vijim të procedurës së shpallur nga Gjykata e Lartë më 26 qershor për zgjedhjen e një gjyqtari nga radhët e gjyqtarëve të gjykatës së shkallës së parë,  një gjyqtari nga radhët e gjyqtarëve të apelit dhe një gjyqtari nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Pas përfundimit të procesit të verifikimit të plotësimit të kushteve ligjore, kandidatët janë:

▪ Arbena Ahmeti – Gjykata e Lartë
▪ Sandër Simoni – Gjykata e Lartë
▪ Igerta Hysi – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
▪ Fatri Islamaj – Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
▪ Matilda Llangozi – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
▪ Brunilda Kadi – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
▪ Manjola Xhaxho – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë

Njëkohësisht, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, shpalli datën e zhvillimit të Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor më 25 shtator të këtij viti.

 

The post Gjykata e Lartë shpall kandidatët zyrtarë për anëtarë të KLGJ-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Haxhiu dekreton lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë

PRISHTINË, 21 korrik/ATSH/ Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, pas vendimit të djeshëm të  Këshillit Prokurorial të Kosovës për refuzimin e kërkesës për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.

Haxhiu  theksoi se ky veprim është ndërmarrë në zbatim të vendimit të institucionit kompetent dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

 

“Pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, kam nënshkruar dekretet për lirimin e tyre nga detyra. Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Shteti ynë funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara. Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj”, shkroi ajo në Facebook.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) më 20 korrik ka refuzuar kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të shtatë  prokurorëve dhe 15 anëtarëve të stafit mbështetës të komunitetit serb për t’u rikthyer në sistemin prokurorial të Kosovës. KPK-ja i dërgoi te institucioni i Presidentit emrat e prokurorëve për lirim nga detyra. Po ashtu, në këtë takim, Këshilli shfuqizoi vendimin për pezullimin e pagave për prokurorët dhe stafin mbështetës serb.

Ish-prokurorët serbë kishin kërkuar që t’u mundësohej rikthimi në vendet e tyre të punës, pasi kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, kur përfaqësuesit serbë u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të vendit./KosovaPress/

 

The post Haxhiu dekreton lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Temperaturat vijojnë të larta, reshje lokale shiu

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e martë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me kthjellime kryesisht në jug dhe alternime vranësirash mesatare e lokalisht të dendura, të cilat do të shoqërohen me reshje lokale shiu me intensitet të ulët në veri e qendër, e lokalisht shtrëngata të izoluara afatshkurtra.

Era do të fryjë me drejtim kryesor  veriperëndim – juglindje me shpejtësi mesatare 7 m/s,ndërsa në bregdet në veriperëndim hera-herës pritet të fitojë shpejtësi deri 14m/s.

Valëzimi në dete i forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 23/37 Diell re shi
Kukës 20/36 Diell re shi
Lezhë 21/35 Diell re shi
Dibër 19/35 Diell re shi
Durrës 21/33 Diell re shi
Tiranë 25/39 Diell re shi
Elbasan 24/40 Diell re shi
Berat 20/40 Diell re
Vlorë 23/38 Diell re
Korçë 18/36 Diell re
Gjirokastër 17/40 Diell re
Sarandë 23/38 Diell re

 

The post Temperaturat vijojnë të larta, reshje lokale shiu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 20 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Organizatat evropiane: Liria e medias në Kosovë është përkeqësuar

PRISHTINË, 20 korrik/ATSH/ Liria e medias në Kosovë ka hyrë në një periudhë të qartë përkeqësimi, si pasojë e ndërhyrjeve politike, sulmeve verbale ndaj gazetarëve dhe dobësimit të pavarësisë së institucioneve mediale, thuhet në raportin e publikuar më 20 korrik nga organizatat partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurisë së Gazetarëve.

Raporti u hartua pas një misioni ndërkombëtar faktmbledhës, i zhvilluar në Prishtinë më 24-26 mars të këtij viti nga përfaqësues të tetë organizatave ndërkombëtare për lirinë e medias, përfshirë: Reporterët pa Kufij (RSF), Institutin Ndërkombëtar të Shtypit (IPI), Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Mediave (ECPMF) dhe Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU), me mbështetjen e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Delegacioni zhvilloi takime me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, gazetarë, redaktorë, përfaqësues të RTK-së, Komisionit të Pavarur të Mediave, sistemit të drejtësisë, organizatave të shoqërisë civile dhe diplomatë ndërkombëtarë.

Në përfundim të misionit, organizatat vlerësojnë se, ndonëse Kosova vazhdon të ketë një peizazh mediatik pluralist, nivel relativisht të ulët të sulmeve fizike ndaj gazetarëve dhe një kornizë ligjore kryesisht të harmonizuar me standardet evropiane, këto zhvillime janë zbehur nga një klimë gjithnjë e më problematike për lirinë e medias.

Raporti identifikon disa arsye kryesore për këtë vlerësim: ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili më vonë u shpall antikushtetues, problemet me financimin dhe pavarësinë e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), si dhe shtimin e sulmeve verbale dhe diskreditimit të gazetarëve nga politikanët, veçanërisht nga përfaqësues të partisë në pushtet.

Sipas raportit, këto zhvillime kanë ndikuar edhe në renditjen ndërkombëtare të Kosovës.

Në Indeksin Botëror të Lirisë së Mediave të Reporterëve pa Kufij për vitin 2026, Kosova renditet e 84-ta nga 180 vende, duke rënë për 28 pozita, krahasuar me vitin 2023.

Organizatat paralajmërojnë se kjo ka dëmtuar reputacionin e Kosovës si një nga vendet më të avancuara në rajon për lirinë e medias dhe i bëjnë thirrje Qeverisë së ardhshme që ta rikthejë besimin në institucionet demokratike dhe në procesin e reformave.

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga Zyra e Kryeministrit lidhur me këto gjetje dhe është në pritje të përgjgjes.

Përndryshe, një pjesë e konsiderueshme e raportit i kushtohet edhe sigurisë së gazetarëve.

Sipas autorëve, megjithëse sulmet fizike kanë rënë krahasuar me vitin 2023, gazetarët përballen gjithnjë e më shumë me kërcënime verbale, fushata diskreditimi dhe ngacmime në internet, që shpesh burojnë nga figura të larta politike.

Vetëm gjatë vitit 2025, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës regjistroi 69 raste që përfshinin gazetarë dhe media, përfshirë raste denigrimi publik, diskreditimi dhe sulmesh online.

Raporti vëren se një pjesë e konsiderueshme e këtyre rasteve lidhen me deklarata ose veprime të zyrtarëve publikë dhe politikanëve.

Delegacioni shpreh shqetësim edhe për retorikën e përdorur ndaj gazetarëve, duke përmendur raste kur kryeministri Kurti ka kritikuar mediat ose gazetarët publikisht.

Sipas raportit, organizatat i kanë bërë thirrje kryeministrit dhe partisë së tij që të shmangin gjuhën denigruese ndaj gazetarëve dhe të japin shembull për një debat publik më të respektueshëm.

Raporti thekson se gjatë takimit me delegacionin, Kurti nuk e pranoi seriozitetin e shqetësimeve lidhur me sigurinë e gazetarëve, ndërsa më vonë Zyra e Kryeministrit, në përgjigje me shkrim, tha se ai nuk mbështet dhe nuk toleron sulmet verbale ndaj gazetarëve dhe se vetë nuk ka përdorur gjuhë fyese ndaj tyre.

Raporti, po ashtu, ngre shqetësime për gjendjen në transmetuesin publik RTK.

Sipas organizatave, financimi i pamjaftueshëm, paqartësitë ligjore dhe pretendimet për presion politik kanë krijuar një situatë që rrezikon pavarësinë editoriale të transmetuesit publik.

Delegacioni përmend dëshmitë e gazetarëve për largime nga emisionet, procedura disiplinore dhe ndërprerje emisionesh, ndonëse menaxhmenti i RTK-së i ka mohuar këto pretendime.

Raporti rikujton se ligji për KPM-në, i miratuar nga Kuvendi në vitin 2024, u rrëzua më pas nga Gjykata Kushtetuese, e cila konstatoi se cenonte pavarësinë e institucionit.

Organizatat shprehin shqetësim se edhe procesi i mëvonshëm i përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të KPM-së dhe bordit të RTK-së është zhvilluar me procedura të përshpejtuara dhe jotransparente, duke ngritur dyshime për ndërhyrje politike.

Raporti kritikon, gjithashtu, nivelin e transparencës së institucioneve publike.

Gazetarët i kanë thënë delegacionit se qasja në informata zyrtare mbetet e vështirë, se konferencat për media janë të rralla dhe se komunikimi me zyrtarët është i kufizuar.

Organizatat vënë në dukje edhe rritjen e vazhdueshme të numrit të ankesave për moslejimin e qasjes në dokumente publike gjatë viteve të fundit.

Megjithatë, raporti evidenton edhe disa zhvillime pozitive.

Organizatat vlerësojnë bashkëpunimin me sistemin gjyqësor, duke përmendur trajtimin më të shpejtë të rasteve që lidhen me gazetarët dhe miratimin e Strategjisë 2026-2028 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, e cila, mes tjerash, u jep përparësi rasteve që lidhen me sigurinë e gazetarëve dhe shpifjen. /rel/

The post Organizatat evropiane: Liria e medias në Kosovë është përkeqësuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mot i nxehtë me temperatura deri në 42 gradë Celsius

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e hënë ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Moti parashikohet i kthjellët e i nxehtë në të gjithë vendin. Vranësirat parashikohen mesatare deri të dendura në veri si dhe në juglindje në orët e mesditës.

Vranësirat parashikohen të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Era parashikohet të fryrë me drejtim veriperëndimit – verilindje me shpejtësi mesatare 6 m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

Shkodër 22/36
Kukës 25/39
Lezhë 23/38
Dibër 20/36
Durrës 24/39
Tiranë 27/41
Elbasan 26/42
Berat 20/42
Vlorë 24/39
Korçë 21/36
Gjirokastër 21/42
Sarandë 25/39

 

The post Mot i nxehtë me temperatura deri në 42 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayAgjencia Telegrafike Shqiptare

Ndërroi jetë gazetari Behlul Jashari, raportoi edhe për ATSH nga Kosova

PRISHTINË, 19 korrik/ATSH/ Është ndarë nga jeta gazetari Behlul Jashari. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shprehu pikëllimin e thellë për ndarjen nga jeta të gazetarit të shquar Behlul Jashari.

Në njoftimin e AGK-së, thuhet se Jashari i kushtoi mbi pesë dekada gazetarisë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në Rilindja, si kryeredaktori i parë i gazetës së rezistencës Bujku, si dhe përmes raportimeve të tij për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).

“Ai do të kujtohet për profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e tij në raportimin e ngjarjeve historike të Kosovës, përfshirë edhe periudhën e luftës. Kontributi i tij i jashtëzakonshëm në mbrojtjen e së drejtës për informim dhe në dokumentimin e historisë së Kosovës do të mbetet pjesë e trashëgimisë sonë gazetareske”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

AGK u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Jashari, kolegëve, miqve dhe gjithë komunitetit të gazetarëve. /KosovaPress/

The post Ndërroi jetë gazetari Behlul Jashari, raportoi edhe për ATSH nga Kosova appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Plazhi i Gjeneralit, det kristal mes shkëmbinjve në bregdetin e Kavajës

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Në rrugën kombëtare nga Durrësi në Kavajë ka një tabelë që lajmëron daljen për te Plazhi i Gjeneralit që shumëkush e ka parë por që shumëkush ende mund të mos jetë bërë mjaftueshëm kureshtar për ta vizituar.

E në këto ditë të nxehta vere eksplorimi i këtij plazhi është kënaqësi jo vetëm për freskinë e detit por edhe për panoramat e pazakonta për Adriatikun. Plazhi është si një version mini i bregut të jugut, ndërsa uji dhe ngjyra e pastër e kaltër kombinohen me gjelbërimin e shpateve të kodrave të Kavajës.

Deti blu, format shkëmbore si patkua dhe zhurma e dallgëve të mahnisin si mahnitën gjeneralin italian nga i cili ka marrë emrin edhe gjiri. Thonë se gjenerali italian e zbuloi plazhin ndërsa kryente ekspedita në zonën e Kavajës dhe u mahnit sa vendosi të kthehej sërish bashkë me familjen.

Banorët e zonës e ruajtën emrin edhe kur gjenerali nuk erdhi më dhe këtë emër ruan edhe sot.

Gjiri ka një formë perfekte patkoi, rreth 400 metra i gjerë. Ndodhet i fshehur midis dy kepave shkëmborë dhe kjo vendndodhje e mbron nga erërat e forta dhe dallgët e mëdha.

Erozioni nga stuhitë detare e kanë mbushur bregun me zaje të vegjël shumëngjyrësh, duke krijuar një kontrast unik me rërën e imët.

Ekosistemi i ruajtur në pishinat natyrore të bregut është i pasur me specie të ndryshme gjallesash, ku edhe breshkat detare lënë vezët. Shkëmbinjtë nënujorë krijojnë habitate të pasura për lloje të shumta peshqish, çka e bën një pikë mjaft të njohur për zhytje (snorkeling).

Tashmë plazhi është i mbushur me çadra, shezlongë dhe me ambiente shërbimesh, por ruan bukurinë natyrore dhe ujin e pastër si asnjë plazh tjetër në zonë.

Nëse deri në vitin 2012 plazhi vizitohej nga pushues ditorë apo vetëm nga banorë të fshatrave përreth, ndërtimi i vilave ekologjike tërhoqi pushues edhe me fjetje. Natyra e paprekur tërhoqi po ashtu turistë të huaj me kampera, kryesisht italianë dhe gjermanë.

Ndërsa kalon mes çadrave, shqipja përzihet edhe me gjuhë të tjera që do të thotë se plazhi është popullor edhe mes të huajve që vizitojnë vendin tonë.

Lokalet sipër plazhit ishin të mbushura plot me njerëz, ndërsa shtëpiza druri, vila të vogla e shtëpi ngrihen në shpatin e kodrinës, mes përmes së cilës kalon edhe rruga e asfaltuar.

Aksesi në plazh është i lehtë por ka edhe mënyra të tjera si ajo e kalimit nga Spilleja, përmes një bregdeti shkëmbor e ku dallohen qartë pishinat natyrore në formë patkoi të krijuara nga erozioni i shpateve. Nga qendra e Spillesë duhet të ecësh vetëm disa kilometra në vijë bregdetare ndërkohë që pjesa e fundit është pak sfiduese pasi duhet të përdorësh shteg mes shkëmbinjsh por që është tërësisht i kalueshëm.

Sapo kalon dy gjire të vogla, shfaqet plazhi i Gjeneralit. Ne e gjetëm tërësisht të mbushur me pushues, ndërsa vilat ekologjike prej druri të sistemuara në kodër dhe lokalet aty pranë po ashtu gëlonin nga njerëzit.

Plazhi ofron ujëra të kthjellët ndërsa pjesa e bregut është me gurë të vegjël ndërsa gjiri mbyllet bukur në pjesën e sipërme me kodra të buta të gjelbëruara ku ndërtimet ekoologjike qëndrojnë në formë amfiteatri.

Shumë qytetarë kishin zgjedhur të merrnin çadrat e tyre me vete për të pasur hije nga dielli, ndërsa shumë të tjerë kishin mundësi zgjedhje në stacionet e plazhit, apo edhe në një resort të vogël aty pranë.

Për të gjithë ata që nuk e kanë vizituar duket e habitshme sesi pas një plazhi ranor të madh si Spilleja, bregdeti thyhet në plazhe të vegjël shkëmborë, duke ndryshuar gati krejtësisht nga pjesa tjetër.

Rruga e asfaltuar që të sjell dhe të largon nga Plazhi i Gjeneralit është po ashtu piktoreske pasi të jep mundësinë e perspektivës në të gjithë bregun deri në Qerret, Golem e përtej në Durrës dhe Kepin e Rodonit.

Në momentin e mbërritjes ka një pikë befasie pasi plazhi nuk duket gjatë rrugës, por shfaqet befas në horizont sapo kalohen kodrat e Kryevidhit

Përgjatë rrugës duket qartë se zhvillimi i turizmit ka rritur pritshmëritë e banorëve pasi shumë shtëpi duken të përshtatura për të pritur mysafirë sikundër edhe hotele e restorante të reja ftojnë vizitorët.

Rruga është funksionale pasi lidh në mënyrë integrale fshatra të tërë të zonës dhe plazhet me disa dalje në rrugën kombëtare.

Dikur një aks i vështirë që gjarpëron përmes fshatrave, rruga mbante larg mbingarkesën masive, por penalizonte turistët ditorë.

Gjithmonë është interesante të dish për fshatrat, shtëpitë, pyjet, lumenjtë që të kalojnë përpara syve ndërsa udhëton. Nëse merr rrugën për te Plazhi i Gjeneralit do të shohësh peizazhe nga kodrat e fshatit Beden, zonë e njohur për pyllin e Bedenit, kodrat piktoreske të Kryevidhit kur shfaqet edhe deti, dhe më pas fshati i fundit, Bardhori. Është një fshat i vogël bregdetar, ku shtëpitë e banorëve vendas janë të shpërndara nëpër shpate kodrinore që bien direkt mbi det.

Ndërsa largohemi nga plazhi i Gjeneralit, zgjedhja e natyrshme është një vizitë në në Karpen, një tjetër plazh interesant i bregdetit të Kavajës që tashmë ka marrë zhvillim. Dikur plazh i vetmuar dhe pa pushues, Karpeni është një plazh modern ku ishulli me pasarelën ofron mundësi për foto të vërteta pushimesh, ndërsa vetë gjiri është i mbushur me hotele e vila, restorante e klube. Po ashtu, edhe plazhi në Qerret është shndërruar në qytezë moderne pushimesh ku radhët e çadrave shumëngjyrëshe në brezin e rërës, pedonalja dhe hotelet e pallatet e banimit shkrihen në atmosferë pushimesh verore.

Nga Vilë Bashtova në Golem, vija bregdetare Rrogozhinë-Kavajë ofron mundësi të shumta pushimi dhe surpriza që duhen zbuluar.

Plazhi i Gjeneralit në Kavajë, foto: ATSH
1 nga 22

The post Plazhi i Gjeneralit, det kristal mes shkëmbinjve në bregdetin e Kavajës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kisha e Shën Mëhillit, përshëndetja e parë e Beratit për vizitorët

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Mes 17 kishave që mund të vizitohen në Kalanë e Beratit, njëra prej tyre ndërtuar mbi një shkëmb të thepisur në shpatin e kalasë, bie në sy sapo hyn në qytet.

Bëhet fjalë për Kishën e Shën Mëhillit e shekullit XIV, në faqen e pjerrët të kodrës së kalasë e cila tërheq vëmendjen e vizitorëve me vendndodhjen e saj strategjike mbi luginën e Osumit.

Një kërkim i thjeshtë për Beratin në internet tregon se kisha është ndër objektet më të fotografuara nga të huajt në qytet.

Tashmë shtegu është hapur për vizitorët, i shtruar me kalldrëm deri tek portiku i kishës dhe mund të bëhet nga kushdo. Mund të arrihet edhe nga kalaja duke zbritur nëpër një shteg jo të shtruar.

Në fillim një monedhë tek kisha e Shën Mërisë që ndodhet në rrugë. Kisha në vetvete është e rrënuar, ka mbetur vetëm si vend i mirë për një lutje për këdo që kalon atypari.

Pjesa e parë e shtegut kalon në rrugicat karakteristike të lagjes Mangalem, tashmë të përshtatura për turistët që kanë mbushur qytetin prej vitesh. Shtëpitë karakteristike të ftojnë me portat e mëdha prej hekuri e druri, me lulet e mbjella në oborre, karriket dhe tavolinat e nxjerra për vizitorët.

Më pas nuk duhet shumë dhe ndërsa fiton lartësi, shfaqet rrugica e kishës. Pamja është spektakolare, Osumi me urat e tij poshtë, nga njëra anë Shpiragu me vraga dhe nga ana tjetër Tomori me majat e larta.

Gjatë shtegut përshëndetemi me turistë të shumtë që kanë marrë rrugën për të eksploruar kishën.

Te hyrja na pret kujdestari Luçi Meleqi. Ndërsa tregon brendinë e kishës shpreh keqardhjen që pothuajse gjithë afresket mesjetare bizantine që e mbulonin dikur tashmë kanë humbur.

Gjatë regjimit komunist, kisha arriti t’i mbijetonte valës së shkatërrimit të objekteve të kultit falë shpalljes Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1948.

Ky status vlerësoi arkitekturën unike pa mbështetje të brendshme (plan në formë kryqi) dhe pozicionin e saj të jashtëzakonshëm mbi shkëmb.

Tanimë brenda kishës ikonat dhe ikonostasi janë dhurata të qytetarëve të krishterë të Beratit. Kisha është restauruar dhe vizitohet jo vetëm për vlerat historike, por edhe për “Shtegun e Eremitëve”, i cili ofron një pamje si ballkon mbi lumin Osum dhe lagjen Goricë.

Shpellat e guvat e shumta natyrore që shihen edhe sot përgjatë shkëmbit ku ndodhet kisha gjatë periudhës mesjetare përdoreshin nga eremitët (murgj asketë). Ironike është që në kohët e trazirave këto guva u përdorën edhe nga persona me probleme me ligjin, kohë nga e cila ruhen mbishkrime në faqet e shkëmbit.

Luçin, kujdestarin e kishës e gjejmë me një libër, ndërsa nga biseda me të duket qartë kurioziteti dhe zelli për të mësuar sa më shumë rreth Beratit, kishave të tij, dhe për t’ua përcjellë atë turistëve.

Ai kujdeset që vizitorët të mos u afrohen shumë faqeve të shkëmbit të thiktë që qëndron në krah të kishës për shkak të gurëve që mund të bien nga lart, siç e tregon edhe një tabelë në anglisht.

Në përfundim të vizitës dhuron edhe degë rozmarine që i ka mbjellë vetë në oborrin e kishës.

Në anën tjetër të lumit, ka vende ku dallohen qartë qiparisët. “Kudo ku sheh të tillë, ke kisha”, thotë Luçi.

Ndërsa rihyn në rrugicat karakteristike të Mangalemit, lulet dhe portat e rënda me dru e hekur kontrastojnë duke krijuar një ndjesi që as nuk e përshkruan dot. Shtëpitë e gurta me dritare dhe ballkone të ngushtë ia lënë vendin njëra tjetrës ndërsa para shfaqet qyteti.

Berati tashmë është ndalesë e detyrueshme për të gjithë turistët që vizitojnë vendin, me arkitekturën e tij karakteristike osmane, Osumin mbi të cilin reflektohet qyteti, shtëpitë e kthyera në bujtina mikpritëse me baret e restorantet në rrugicat e tyre ku ofrohen pjata tradicionale.

Trashëgimia kulturore e historike e qytetit iu zbulohet vizitorëve përmes disa destinacioneve, ndër të cilat kisha e Shën Mëhillit dhe shtegu i Eremitëve me pamjet spektakolare ia vlejnë gjithmonë.

Kisha e Shën Mëhillit në Berat, foto: ATSH
1 nga 15

The post Kisha e Shën Mëhillit, përshëndetja e parë e Beratit për vizitorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Kosovës hedh poshtë akuzat e Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit për “presion ndaj serbëve”

PRISHTINË, 17 korrik/ATSH/ Policia e Kosovës hodhi poshtë pretendimet, siç tha, të pabazuara, të Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe (KOS) për “presion, diskriminim apo frikësim të serbëve dhe Kishës” serbe.

“Pretendime të tilla nuk mbështeten në fakte, nuk pasqyrojnë realitetin e veprimtarisë së Policisë së Kosovës dhe krijojnë një perceptim të rremë mbi mandatin, përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të institucionit”, tha Policia e Kosovës.

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit përmes një reagimi më 17 korrik denoncoi ato që i cilësoi si shkelje të bëra nga Policia e Kosovës ndaj serbëve dhe Kishës serbe, duke thënë se Policia është bërë “instrument i presionit që synon t’ua bëjë më të vështirë jetën njerëzve dhe Kishës sonë”.

“Me keqardhje të madhe, ne duhet të themi që raportet mes komunitetit serb dhe Kishës sonë në njërën anë, dhe institucioneve të Kosovës në anën tjetër, veçmas të Policisë së Kosovës, kurrë nuk kanë qenë në nivel më të ulët gjatë gjithë periudhës së pasluftës. Ky përfundim nuk bazohet në një rast të vetëm të izoluar, por në një varg të gjatë veprimesh që nuk mund të arsyetohen në asnjë mënyrë si dështime individuale dhe që, dita-ditës, po marrin gjithnjë e më shumë karakteristikat e diskriminimit sistematik”, tha Dioqeza, sipas të cilës, gjithnjë e më shumë serbë më nuk e shohin Policinë e Kosovës si një urë të besimit, por si “instrument të presionit, kontrolleve selektive dhe frikësimit sistematik”.

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit përmendi ndalimin e 37 personave gjatë shënimit të Vidovdanit më 28 qershor. Sipas saj, Policia i keqtrajtoi disa nga të ndaluarit, duke përmendur se për këto pretendime Avokati i Popullit i Kosovës ka nisur hetime.

Policia u kundërpërgjigj se për më shumë se një dekadë ka garantuar zhvillimin e sigurt të qindra ceremonive fetare, pelegrinazheve dhe aktiviteteve të Kishës Ortodokse Serbe në të gjithë territorin e Kosovës.

Duke përmendur rastin e Vidovdanit, që u shënua në Gazimestan afër Prishtinës, Policia tha se ceremonia është zhvilluar pa ndërhyrje e pa pengesa nga ana e saj.

“Veprimet policore të ndërmarra pas përfundimit të ceremonisë nuk kanë qenë të drejtuara ndaj besimtarëve, identitetit serb apo riteve fetare. Masat policore janë ndërmarrë vetëm ndaj personave për të cilët kanë ekzistuar dyshime të arsyeshme për sjellje që përbënin elemente të nxitjes së urrejtjes, provokimit ose cenimit të rendit publik”, u tha në reagimin e Policisë së Kosovës.

Pas ndalimit të 37 personave më 28 qershor, në opinion u shfaqën pretendime se personat e ndaluar janë ekspozuar ndaj keqtrajtimit fizik dhe psikologjik nga disa zyrtarë policorë, të cilët, sipas këtyre pretendimeve, i kanë goditur me shuplaka, i kanë rrahur, fyer dhe poshtëruar, si dhe i kanë detyruar të brohorasin “Kosova Republikë”.

Policia e Kosovës tha se akuzat e ngritura nga Dioqeza për diskriminim dhe frikësim të serbëve nuk qëndrojnë, duke përmendur se në përbërjen e saj ka pjesëtarë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

“Vetë përbërja shumetnike e Policisë së Kosovës, mekanizmat e mbikëqyrjes civile dhe institucionale, si dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë, përjashtojnë çdo pretendim se Policia e Kosovës vepron mbi baza etnike, fetare apo politike”, u tha në reagimin e Policisë.

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit u ankua se vitin e fundit ka pasur rritje të incidenteve dhe shkelje të zonave të mbrojtura përreth objekteve fetare.

Sipas këtij institucioni, ka pasur sulme, hyrje me forcë, grabitje dhe akte të përdhosjes ndaj kishave ortodokse serbe, dhe pothuajse “pa përjashtim ato nuk kanë marrë përgjigje efektive nga organet gjyqësore apo policore”.

“Vëmë në pah praktikën shqetësuese të Policisë së Kosovës, e cila është vërejtur edhe në raporte ndërkombëtare, që sulmet ndaj Kishës t’i trajtojë thjesht si dëmtim prone ose vandalizëm, duke fshehur kështu përmasat e dhunës ndërfetare dhe ndëretnike që vazhdon të jetë e pranishme dhe e toleruar në Kosovë”, tha Dioqeza.

Por, Policia u kundërpërgjigj se mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare përbën një “nga përgjegjësitë më të rëndësishme” të saj.

Sipas saj, pas transferimit të përgjegjësive nga KFOR-it, ajo ka përgjegjësinë për të ofruar siguri për objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare, duke shtuar se janë 24 objekte që ruhen 24/7 nga zyrtarët policorë.

Duke iu përgjigjur akuzave për sulmet dhe aktet e tjera në objektet fetare ortodokse, Policia tha se më 2024, kanë qenë 53 raste dhe vetëm 16 prej tyre apo 30 për qind janë evidentuar në objektet ortodokse. Ndërkaq, më 2025 janë evidentuar 10 raste në objekte ortodokse të trashëgimisë kulturore dhe fetare.

“Gjatë periudhës janar-qershor 2026, janë evidentuar 34 raste në: 27 raste ose 79 për qind kanë ndodhur ne objektet myslimane, 5 rast ose 15 për qind në ato ortodokse dhe 2 rast ose 6 për qind ne ato katolike”, tha Policia, duke shtuar se incidentet ndaj objekteve fetare dhe kulturore në pjesën dërrmuese kanë të bëjnë me vjedhje.

Kisha Ortodokse e Kosovës dhe pronat e saj kanë mbrojtje ligjore bazuar në Kosovë, bazuar në Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.

Ky ligj siguron mbrojtjen e manastireve, kishave dhe vendeve të tjera fetare ortodokse serbe në Kosovë, si dhe mbron vendet e tjera kulturore dhe historike që janë me rëndësi të veçantë për komunitetin serb.

Në reagimin e saj, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos zvogëlojë praninë diplomatike dhe të sigurisë në Kosovës, pasi tha se për komunitetin serb kjo prani është kyç.

Dioqeza po ashtu tha se çdo reduktim i trupave ndërkombëtare “do të inkurajonte qarqet ekstremiste që të vazhdojnë presionin ndaj popullit serb dhe Kishës”.

NATO ka paralajmëruar se për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë nga viti i ardhshëm do të reduktohet numri i pjesëtarëve të KFOR-it. /rel/

The post Policia e Kosovës hedh poshtë akuzat e Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit për “presion ndaj serbëve” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

​Aliti: Lojërat Mesdhetare 2030 duhet t’i lënë Prishtinës një stadium modern

PRISHTINË, 17 korrik/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga stadiumi “Iacovone” në Taranto, i cili është rindërtuar në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Taranto 2026.

Përmes një postimi në Facebook, Aliti theksoi se stadiumi përfaqëson një investim që nuk do t’u shërbejë vetëm Lojërave Mesdhetare, por edhe qytetit të Tarantos, i cili numëron rreth 185 mijë banorë. Ai vlerësoi se infrastruktura e tillë sportive krijon vlerë afatgjatë për komunitetin dhe zhvillimin e sportit.

Duke iu referuar organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, Aliti shprehu shpresën që edhe kryeqyteti i Kosovës të përfitojë një stadium modern të këtij niveli. Sipas tij, një investim i tillë do të ishte një trashëgimi e rëndësishme për sportin kosovar dhe për gjeneratat e ardhshme. /KosovaPress/

 

The post ​Aliti: Lojërat Mesdhetare 2030 duhet t’i lënë Prishtinës një stadium modern appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Krasniqi: Logon e Lojërave Mesdhetare e prezantojmë së shpejti

PRISHTINË, 17 korrik/ATSH/ Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, ka bërë të ditur se logoja zyrtare e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” është në fazën përfundimtare të miratimit, pasi janë adresuar vërejtjet e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).

Në emisionin SportCast, Krasniqi shpjegoi se çdo vendim i rëndësishëm që lidhet me organizimin e Lojërave duhet të marrë miratimin e ICMG-së, si pronare e këtij eventi.

“Logon ndoshta e keni dëgjuar që është aprovuar një logo, ka pasur disa ndryshime nga ICMG-ja, nga ekspertët e ICMG-së, sepse çdo vendim që merr komiteti organizativ i Kosovës për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, duhet të aprovohet në ICMG. Kjo është rregull. Nuk mundesh me marrë asnjë vendim, ti merr vendime, mirëpo aprovimi në fund vjen nga ICMG-ja, nga pronari i lojërave, se pronari i lojërave gjithmonë është ICMG-ja. Ne jemi vetëm organizatorë. Logon e kemi dërguar, ka pasur disa vërejtje të cilat janë përmirësuar me kohë dhe besoj që shumë shpejt do të dalim zyrtarisht me logon të cilën do ta kemi prezente për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030:, bëri të ditur Krasniqi.

Ai foli edhe për takimin e ardhshëm të ICMG-së që do të mbahet në Taranto gjatë zhvillimit të Lojërave Mesdhetare 2026, ku delegacioni i Kosovës do të raportojë për ecurinë e përgatitjeve për organizimin e edicionit të vitit 2030.

“Takim kemi tani në Taranto, do të jetë takimi i radhës dhe atje do të diskutojmë patjetër për Lojërat Mesdhetare. Edhe atje do të shpalosim edhe të arriturat deri në atë moment, deri në shtator kur do të jenë gusht – shtator faktikisht. Në 21 gusht fillojnë lojërat deri më 3 shtator. Në atë kohë jemi atje, do të marrim pjesë edhe në asamble edhe aty flitet normal edhe për të arriturat, ne e prezantojmë atë të cilat do të kryhen deri në atë moment. Tani e dini që ligji i ri për Lojërat Mesdhetare është aprovuar dhe është kryer në Qeverinë e Kosovës. Tani bordi është i ri, në krye me kryetarin e komitetit organizativ është kryeministri Albin Kurti. Jemi 13 anëtarë total në këtë bord dhe shpresoj shumë shpejt do të fillojë edhe mbledhja e parë e bordit dhe të fillojmë me punë. Nuk kemi çfarë presim më shumë, tash duhet vetëm të veprojmë”, vijoi tutje Krasniqi.

Krasniqi pranoi se, pavarësisht optimizmit, ndien përgjegjësi të madhe për realizimin e këtij projekti historik për Kosovën, duke mos e fshehur as shqetësimin se vendi mund ta humbasë të drejtën e organizimit nëse nuk përmbushen obligimet.

“Unë normal që kam frikë si president i Komitetit Olimpik të Kosovës sepse e di mundin dhe sakrificën që e kemi bërë si komitet olimpik për t’i sjellë lojërat në Kosovë. Shumë shtete ndoshta e kanë ëndërr dhe shumë shtete ndoshta katër herë, pesë herë kanë aplikuar s’kanë mundur t’i marrin këto lojëra. Ne i kemi marrë me të parën dhe pa pasur det hiq. Kjo pak më brengos, se është mund i madh, djersë e madhe dhe angazhim shumë i madh për të marrë diçka shumë të vlefshme dhe për ta humbur për asgjë”, theksoi Krasniqi.

Sipas tij, me miratimin e ligjit të veçantë, krijimin e Bordit Organizativ dhe fillimin e punës së tij, Kosova ka hyrë në fazën vendimtare të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, që konsiderohen ngjarja më e madhe shumë-sportëshe që do të organizohet ndonjëherë në vend. /KosovaPress/

 

 

The post Krasniqi: Logon e Lojërave Mesdhetare e prezantojmë së shpejti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Franca ndër aleatet kryesore të Kosovës në organizimin e Lojërave Mesdhetare

PRISHTINË, 17 korrik/ATSH/ Ministri në detyrë i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ka zhvilluar një takim bilateral me Ministren franceze, Marina Ferrari, në kuadër të International Meetings on Major Sporting Events (RIGES), ku fokusi kryesor ishte përgatitja e Kosovës për Lojërat Mesdhetare 2030.

Gjatë takimit u konfirmua, sipas Gashanit, thellësia e partneritetit Kosovë–Francë dhe mbështetja e Francës si një nga aleatët kryesorë në procesin e organizimit të kësaj ngjarjeje të madhe sportive. Ai theksoi se Lojërat Mesdhetare nuk janë vetëm një event sportiv, por një platformë e gjerë zhvillimi që përfshin ekonomi, infrastrukturë, forcim institucional dhe diplomaci sportive.

Po ashtu, në diskutime është veçuar rëndësia e rinisë dhe vullnetarizmit, si dhe mundësitë për bashkëpunim teknik me Francën në fusha si siguria, menaxhimi i eventeve të mëdha dhe ekspertiza operacionale. Gashani ka vlerësuar se Lojërat Mesdhetare 2030 po ndërtohen mbi partneritete të forta dhe një vizion afatgjatë zhvillimor për Kosovën. /KosovaPress/

The post Franca ndër aleatet kryesore të Kosovës në organizimin e Lojërave Mesdhetare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mot me diell dhe temperatura deri në 39 gradë Celsius

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e martë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët ndërsa vranësirat të pakta kalimtare në relievet malore në lindje nga orët e mesditës deri ato të pasdites. Reshjet priten të dobëta dhe të izoluara në formë pikash në verilindje e juglindje përgjatë maleve.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – verilindje me shpejtësi mesatare 7 m/s përgjatë vijës bregdetare e zonave luginore, era pritet të fitojë shpejtësi 7 m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

1 nga 2

 

The post Mot me diell dhe temperatura deri në 39 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Helmimi i kursantëve në Akademinë e Sigurisë, AKU: Treguesit brenda normave, subjekti të vijojë ushtrimin e aktivitetit

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi sot se treguesit mikrobiologjikë të mostrave të administruara në rastin e dyshimeve për helmim të disa kursantëve, pranë Akademisë së Sigurisë, Sauk kanë rezultuar brenda normave.

AKU sqaroi se mw 25 qershor kampionoi  14 mostra nga vakti i drekës dhe darkës,  në adresën Garnizoni “Skënderbej” Tiranë  14 mostra nga vakti i drekës dhe darkës, si dhe 5 mostra tamponë higjienë ambientale dhe të pajisjeve.

Nga laboratori i Referencës ISUV  u informuar se nga analizimi në total i 33 mostrave për treguesit mikrobiologjik kanë rezultuar brenda normave.

“Në vijim të ndjekjes se problematikes në subjektin ”Sori-Al” në adresen Akademia e Forcave te Armatosura Garnizoni “Skenderbej”, për të cilin ishte marrë masë me ndërprerje aktiviteti, subjekti Sori-al  ka bërë analiza autokontrolli tampone ambjental të ambjenteve, pajisjeve dhe punonjësve të cilat kane dalë konform kërkesave ligjore”, thuhet në njoftimin e AKU.

AKU më 10 korrik pas njoftimit të subjektit për rezultatet e analizave të vetëkontrollit , ka kryer inspektim në adresen Akademia e Forcave te Armatosura Garnizoni “Skenderbej”, gjatë së cilit ka marrë sërish 3 mostra tampon ambiental, të cilat u dërguan, për analizim pranë laboratorit të ISUV.

Me daljen e rezultatit të analizave konforme për kushtet e higjienës dhe të sigurisë ushqimore, për mostrat kontroll zyrtar të kampionuara me datë 25.06.2026 dhe të mostrave të marra me datë 10.07.2026 në subjektin ”Sori-Al” në adresen Akademia e Forcave te Armatosura Garnizoni “Skenderbej”, AKU ka kryer zhbllokimin e aktivitetit të subjektit ”Sori-Al”  dhe  OBU-së i lejohet të vijojë ushtrimin e aktivitetit të gatimit te ushqimeve në ambientet e kuzhinës që ndodhet brenda ambienteve të Garnizonit “Skenderbej”.

The post Helmimi i kursantëve në Akademinë e Sigurisë, AKU: Treguesit brenda normave, subjekti të vijojë ushtrimin e aktivitetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gërvalla dorëzoi kallëzim penal ndaj ministres serbe Snezhana Paunoviçit

PRISHTINË, 16 korrik/ATSH/ Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla dorëzoi kallëzim penal ndaj ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq.

Në profilin e saj zyrtar, Gërvalla bëri të ditur se ka kërkuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente.

Ajo tha se deklarata të tilla mbajnë pasoja të rënda historike të luftës së fundit në Kosovë.

“Sot kam deponuar kallëzimin penal ndaj Snezhana Paunoviq. Republika e Kosovës nuk hesht dhe asnjëherë nuk përkulet para gjuhës së urrejtjes, thirrjes e nxitjes për përçarje dhe mosdurimit. Nuk ka hapësirë për glorifikimin e spastrimit etnik, relativizimin e gjenocidit e krimeve monstruoze serbe dhe përhapjen e narrativave që synojnë cenimin e paqes, sigurisë dhe bashkëjetesës ndëretnike. Deklaratat publike që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli nuk mund të trajtohen si retorikë e zakonshme politike. Ato mbajnë pasoja të rënda historike, juridike e njerëzore. Për këtë arsye, në cilësinë e Ministres së Drejtësisë kërkova nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që, në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente. Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës në Kosovë”, shkroi Gërvalla.

Më 12 korrik 2026, gjatë një interviste të dhënë medias serbe “Kurir” në cilësinë e ministres në Qeverinë e Serbisë,  Snezhana Paunoviq ka deklaruar: “Po të isha unë Sllobodan Millosheviq do ta kisha bërë spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998.”

Paunoviqin, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas deklaratës së saj, ka shpallur të njëjtën person non grata, me ndalim të përhershëm të hyrjes në apo kalimit tranzit përmes Kosovës. /Kosovapress/

The post Gërvalla dorëzoi kallëzim penal ndaj ministres serbe Snezhana Paunoviçit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mot i nxehtë me temperatura deri në 39 gradë Celsius

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e enjte do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët përgjatë Eltësirës Perëndimore ndërsa përgjatë relieveve malore në veri – verilindje vranësira kalimtare mesatare dhe hera-herës deri të dendura nga orët e mesditës deri ato të pasdites. Pas orëve të pasdites mot i kthjellët në të gjithë territorin.

Nga orët e mesditës deri ato të pasdites në relievet malore në veri dhe verilindje reshje shiu me intensitet të ulët ndërsa në relievet e larta malore të këtyre zonave në periudha afatshkurtra reshjet në formën e shtrëngatave.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – verilindje me shpejtësi mesatare 4 m/s përgjatë vijës bregdetare e zonave luginore era fiton shpejtësi deri në 10 m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

1 nga 2

 

The post Mot i nxehtë me temperatura deri në 39 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Karakaçi me ministrin irlandez, diskutohen mundësitë e bashkëpunimit në sektorin e aviacionit

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Ministri i Infrastrukturë dhe Energjisë, Enea Karakaçi u takua me  ministrin për Klimën, Energjinë dhe Mjedisin të Irlandës, Darragh O’Brien, me të cilin diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Ministri Karakaçi u shpreh se në takim, palët u ndalën te potenciali i madh i energjisë së rinovueshme, veçanërisht te zhvillimi i baterive, ku Irlanda duke qëne një histori suksesi, do të ishte një partner me ekspertizë të vyer për Shqipërinë.

Gjithashtu, u shkëmbyen mendime për mundësitë e bashkëpunimit në sektorin e aviacionit, duke pasur parasysh përvojën irlandeze dhe rolin e Ryanair në tregun evropian dhe atë shqiptar.

Karakaçi informoi se gjatë bisedës, u bisedua edhe pvr rrugëtimin evropian të Shqipërisë, duke vlerësuar mbështetjen e Irlandës dhe rëndësinë e Presidencës së saj të Këshillit të Bashkimit Evropian në avancimin e prioriteteve të përbashkëta evropiane.
Ministri Karakaçi ndodhet në Nju Jork ku mori pjesë në Forumin Politik të Nivelit të Lartë për Zhvillimin e Qëndrueshëm (HLPF) në selinë e OKB-së.

The post Karakaçi me ministrin irlandez, diskutohen mundësitë e bashkëpunimit në sektorin e aviacionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rekomandimet prioritare në luftën kundër kriminalitetit, autorizohen negociatat me G37 Chambers për konsulencë

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Qeveria autorizoi sot ministrin e Drejtësisë të negociojë drejtpërdrejt me subjektin ndërkombëtar G37 Chambers për ofrimin e shërbimit të konsulencës për ndjekjen në vazhdimësi të zbatimit të rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit pvr vitin 2026.
Sipas vendimit, negociimi ka objekt në dis fusha:
a) Ndjekjen në vazhdimësi të zbatimit të rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit, sipas metodologjisë së hartuar, dhe paraqitjen e tyre për miratim pranë ministrit të Drejtësisë;
b) Vlerësimin/analizimin e formateve tip, të platformave apo të mjeteve/formave të tjera të miratuara për mënyrën e raportimit dhe mbledhjen e informacionit;
c) Bashkëpunimin e bashkërendimin efektiv ndërinstitucional, përfshirë përmirësimin e mekanizmave të raportimit dhe të shkëmbimit të informacionit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për zbatimin e rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

The post Rekomandimet prioritare në luftën kundër kriminalitetit, autorizohen negociatat me G37 Chambers për konsulencë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj në Kiev: Shqipëria, e palëkundur në mbështetjen për Ukrainën

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë në samitin Ukrainë–Evropa Juglindore në Kiev, si edhe në ceremonitë për Ditën e Shtetformimit të Ukrainës.

Kreu i shtetit riafirmoi mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin, integritetin territorial, rimëkëmbjen dhe integrimin evropian të Ukrainës.

“Shqipëria ka qenë e qartë dhe e palëkundur në mbështetjen e saj për Ukrainën. Ne qëndrojmë në mbështetje të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit tuaj territorial brenda kufijve tuaj të njohur ndërkombëtarisht. Gjithashtu, mbështesim arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme, që respekton Kartën e Kombeve të Bashkuara, të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat legjitime të popullit ukrainas”, – deklaroi Kreu i Shtetit.

Mesazhet që Presidenti i Republikës përcolli në samit u fokusuan në forcimin e bashkëpunimin për sigurinë dhe qëndrueshmërinë përballë kërcënimeve të përbashkëta; në mbështetjen për rimëkëmbjen dhe rindërtimin transparent e të qëndrueshëm të Ukrainës si edhe në avancimin e perspektivës evropiane të Ukrainës dhe të rajonit tonë, duke e parë zgjerimin si një investim strategjik për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e përbashkët evropiane.

Në prani të liderëve të Evropës Juglindore pjesëmarrës në Samitin e Kievit dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenti Begaj kërkoi që mbështetja ndaj Ukrainës të shoqërohet me hapa konkretë.

“Mbështetja jonë, theksoi Presidenti Begaj, duhet të shkojë përtej deklaratave. Ajo duhet të përkthehet në bashkëpunim praktik. Kjo është arsyeja pse Samiti i sotëm ka rëndësi. Ai na lejon të forcojmë koordinimin politik, të thellojmë solidaritetin rajonal dhe të identifikojmë fusha konkrete për veprim të përbashkët”.

Samiti u mbyll me një deklaratë të përbashkët ku liderët riafirmuan unitetin e vendeve të Evropës Juglindore me Ukrainën dhe vlerësuan sigurinë e saj si pjesë të sigurisë së gjithë Evropës.

Gjatë ceremonive për Ditën e Shtetformimit të Ukrainës, Presidenti Begaj nderoi qëndresën e popullit ukrainas.

“Në këtë ditë solemne, le të nderojmë gjithashtu guximin e popullit ukrainas – ushtarëve, civilëve, familjeve, mjekëve, mësuesve, ekipeve të shpëtimit dhe vullnetarëve, të cilët vazhdojnë të dëshmojnë një forcë të jashtëzakonshme përballë vuajtjeve. Qëndrueshmëria e tyre është frymëzim për të gjithë ata që besojnë te liria dhe drejtësia.”- u shpreh Presidenti i Republikës.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj gjatë qëndrimit të tij në Kiev zhvilloi edhe një takim kokë më kokë me Presidentin Volodymyr Zelensky.

Dy liderët diskutuan forcimin e bashkëpunimit dypalësh, mbështetjen për Ukrainën në rimëkëmbje,siguri dhe zhvillim ekonomik, si edhe mundësitë për marrëveshjeve të reja.

Presidenti Begaj rikonfirmoi solidaritetin e plotë të Shqipërisë me Ukrainën dhe angazhimin për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

The post Begaj në Kiev: Shqipëria, e palëkundur në mbështetjen për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌