Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kuvendi miraton pikat e rendit të ditës, Bardhi përjashtohet nga seanca

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Kuvendi miratoi kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, për kalimin në votim të pikave të rendit të ditës, pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit.

Edhe gjatë votimit, deputetët e opozitës qëndruan pranë foltores duke përplasur kartonat dhe krijuar kaos në sallë. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi hodhi ujë në drejtim të Kryeministrit Edi Rama veprim për të cilin u përjashtua nga seanca plenare nga kryetari i Kuvendit.

Kuvendi vijoi me votimin e pikave të parashikuara në rendin e ditës dhe miratoi disa projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura për vitin 2025.

Kuvendi miratoi me 84 vota pro, 1 abstenim dhe 2 kundër projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) për vitin 2025.

Me 83 vota pro, 1 abstenim dhe 2 kundër u miratua projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për vitin 2025.

Po ashtu, Kuvendi miratoi me 82 vota pro, 1 abstenim dhe 2 kundër projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për vitin 2025.

Me 83 vota pro, 1 abstenim dhe 3 kundër u miratua projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2025.

Projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për vitin 2025 u miratua me 83 vota pro, 1 abstenim dhe 1 kundër.

Gjithashtu, Kuvendi miratoi me 83 vota pro dhe 3 kundër projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2025.

Me 81 vota pro, 1 abstenim dhe 3 kundër u miratua projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për vitin 2025.

Në vijim, Kuvendi miratoi edhe disa akte normative dhe projektligje.

Akt normativ nr. 2, datë 30.06.2026, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026″”, u miratua me 82 vota pro, asnjë abstenim dhe 3 kundër.

Akt normativ nr. 3, datë 06.07.2026, “Për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare”, u miratua me 80 vota pro, asnjë abstenim dhe 6 kundër.

Po ashtu, Kuvendi miratoi me 82 vota pro dhe 2 kundër projektligjin “Për grupimet ekonomike me interes evropian”.

Projektligji “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)” u miratua me 82 vota pro dhe 3 kundër, ndërsa projektligji “Për statutin e shoqërive evropiane (SE)” u miratua me 82 vota pro dhe 3 kundër.

Projektligji “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim” mori 79 vota pro dhe 3 kundër.

Ndërsa projektligji “Për kërkesat e transparencës për emetuesit e titujve” u miratua me 83 vota pro dhe 3 kundër.

Balla kërkoi 5 minuta pushim për të saktësuar një amendament në pr/ligjin për ndryshime në ligjin “Për pagesat e vonuara dhe detyrimet kontraktore dhe tregtare”.

Kuvendi miraton rendin e ditës, foto: Andrin Hoxha
1 nga 21

/gj.m/

The post Kuvendi miraton pikat e rendit të ditës, Bardhi përjashtohet nga seanca appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Opozita bllokoi foltoren, Kuvendi kalon në votim të rendit të ditës

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Kuvendi miratoi kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, për kalimin në votim të pikave të rendit të ditës, pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit.

Bllokimi më i fundit erdhi pas mbylljes së diskutimeve për procedurë dhe kalimit në pikën e leximit të raporteve për Reformën Territoriale. Deputetët e opozitës bllokuan foltoren duke mos lejuar bashkëkryetarin e komisionit, Arbjan Mazniku të marrë fjalën.

Në seancën plenare ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

Pasi kreu i Kuvendit, Niko Peleshi kërkoi disa herë largimin e deputetëve të opozitës nga foltorja, Balla mori fjalën duke deklaruar se bllokimi i foltores është pjesë e një skenari të deputetëve të Partisë Demokratike për të penguar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit.

“Në seancën e kaluar bllokuat foltoren sepse nuk donit të fliste Avokati i Popullit. Sot nuk lejoni të flasë bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrative-Territoriale, Arbjan Mazniku. Për këtë arsye kërkojmë kalimin në votim të pikave të rendit të ditës”, deklaroi Balla.

Pas kërkesës së kreut të grupit parlamentar socialist, Kuvendi vendosi kalimin në votim të pikave të parashikuara në rendin e ditës.

/gj.m/j.p/

 

The post Opozita bllokoi foltoren, Kuvendi kalon në votim të rendit të ditës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Plagosja e protestuesit, Lamallari: Vënë kujën në Kuvend pasi kanë fshehur dorën e gurëve

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, publikoi sot pamje që tregojnë plagosjen e një protestuesi nga një gur i hedhur nga ana e vetë protestuesve gjatë tubimit të zhvilluar para Kuvendit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Lamallari akuzoi organizatorët e protestës se po përpiqen të krijojnë skenarë dhune dhe të manipulojnë ngjarjet.

“Qëllimet ogurzeza t’i harroni! Ata që dje sokëllinin për skenarë gjakatarë të thikave me helm dhe çadrave pistoletë, pasi vranë me pushkët e shtetit në ditën për diell qytetarë të pafajshëm, sot vënë kujën në Kuvend, pasi kanë fshehur dorën e gurëve që hidhen pas shpinës së vetë protestuesve”, shkroi ministri.

Lamallari kritikoi gjithashtu drejtuesit e opozitës, duke i akuzuar se, sipas tij, po përpiqen të mbajnë peng të ardhmen evropiane të vendit përmes akteve të dhunës.

“I njëjti soj politikanësh pa din e iman, që në dëshpërim të thellë nga braktisja masive që u kanë bërë shqiptarët, gënjejnë veten se mund të mbajnë peng me molotovarë dje e kapuçzinj sot, të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Nuk ka kthim pas!”, u shpreh Lamallari.

/gj.m/j.p/

The post Plagosja e protestuesit, Lamallari: Vënë kujën në Kuvend pasi kanë fshehur dorën e gurëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konferencë ndërkombëtare në Tiranë mbi përballjen me manipulimin e informacionit dhe ndërhyrjen e huaj

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të organizojë më 27 korrik në Tiranë konferencën ndërkombëtare “Përballja me Manipulimin dhe Ndërhyrjen e Huaj në Informacion (FIMI): Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit”, e fokusuar në sfidat që lidhen me sigurinë e informacionit, demokracinë dhe mbrojtjen e hapësirës publike nga ndërhyrjet e huaja.

Konferenca do të mbledhë në Tiranë përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ekspertë të fushës, akademikë, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe sektorit të teknologjisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania, Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia dhe Shqipëria.

Në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, theksoi rëndësinë e një qasjeje të përbashkët mes partnerëve për përballimin e manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjes së huaj.

Sipas tij, vendet e procesit të zgjerimit duhet të jenë pjesë aktive e këtij diskutimi, duke ndarë përvojat e tyre dhe duke kontribuar në forcimin e qëndrueshmërisë demokratike të Evropës.

Konferenca synon të krijojë një hapësirë për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe diskutimin e mekanizmave konkretë për rritjen e rezistencës ndaj fushatave të dezinformimit, forcimin e bashkëpunimit institucional dhe përfshirjen e aktorëve të ndryshëm, përfshirë median, akademinë, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.

Aktiviteti zhvillohet në një periudhë kur manipulimi i informacionit dhe ndërhyrjet e huaja konsiderohen ndër sfidat kryesore për demokracitë evropiane dhe proceset e integrimit të vendeve kandidate për në Bashkimin Evropian.

/gj.m/j.p/

The post Konferencë ndërkombëtare në Tiranë mbi përballjen me manipulimin e informacionit dhe ndërhyrjen e huaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: Nuk ka projekt përfundimtar për hartën e re territoriale, reforma mbi kritere teknike dhe ligjore

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se protestat para Kuvendit kanë kaluar në akte dhune, duke shprehur solidaritet me katër efektivët e Policisë së Shtetit të lënduar gjatë përplasjeve me protestuesit.

Në një prononcim për gazetarët jashtë sallës së Kuvendit, Balla tha se çdo sulm ndaj punonjësve të policisë përbën sulm ndaj shtetit dhe kërkoi që institucionet e drejtësisë të vlerësojnë masat ndaj autorëve të dhunës.

“Çdo person që godet Policinë e Shtetit, godet vetë shtetin. Gjaku i punonjësve të Policisë së Shtetit është gjaku i vetë shtetit”, deklaroi Balla, duke shtuar se në një vend anëtar të NATO-s nuk mund të tolerohen akte të tilla.

Ai hodhi poshtë pretendimet se bëhej fjalë vetëm për hedhje vezësh, duke deklaruar se pamjet tregojnë akte dhune ndaj efektivëve.

Balla u shpreh se drejtësia duhet të hetojë dhe të vendosë për përgjegjësit.

Kreu i grupit parlamentar socialist përsëriti gjithashtu pretendimet e tij se në nxitjen e dhunës mund të ketë persona me lidhje me regjimin iranian.

Ai përmendi emrin e Dritan Goxhajt dhe kërkoi që organet e drejtësisë të verifikojnë këto deklarime.

“Janë organet e drejtësisë ato që duhet t’i ndjekin këto shqetësime. Besoj shumë që në ditët në vijim do të ketë fakte konkrete dhe procedime konkrete lidhur me këtë”, tha Balla.

Lidhur me masat e sigurisë rreth Kuvendit dhe perimetrin e zgjeruar të policisë, ai deklaroi se institucionet kanë detyrimin të garantojnë zhvillimin normal të veprimtarisë parlamentare.

“Deputetët kanë mision ushtrimin e detyrës. Institucionet e sigurisë kanë për detyrë të garantojnë një perimetër sigurie ku deputetët dhe çdo pjesëtar i Kuvendit të Shqipërisë të ushtrojnë detyrën e tyre”, u shpreh ai.

Duke folur për Reformën Administrativo-Territoriale, Balla tha se aktualisht nuk ka një projekt përfundimtar për hartën e re territoriale dhe se vendimmarrja do të bazohet në kritere teknike, kushtetuese dhe ligjore.

“Pas raportit të gjetjeve fillon procesi i propozimeve dhe shumë shpejt do ta kemi”, tha Balla, duke shtuar se çdo ndryshim do të kalojë përmes konsultimit me pushtetin vendor.

I pyetur për mundësinë e bashkimit të Prrenjasit me Librazhdin, Balla tha se reforma nuk mund të bazohet në preferenca personale apo interesa lokale, por në kritere të përcaktuara.

“Reforma administrative nuk do të jetë: këtë e pranojmë sepse është zonë e dikujt dhe këtë jo. Ajo do të jetë e bazuar mbi disa parime dhe kritere”, deklaroi ai.

Balla tha se bashkitë dhe njësitë vendore do të kenë mundësinë të japin mendimin e tyre gjatë procesit dhe se çështjet e reformës territoriale zgjidhen përmes komunikimit dhe jo protestave.

Në lidhje me debatin për mandatin e deputetit Agron Shehaj, Balla deklaroi se përjashtimi i tij përfundon më 24 korrik, duke argumentuar se afatet janë pezulluar pas kërkesës së bërë për rishqyrtim.

Sipas tij, përjashtimi prej 30 ditësh ka nisur më 22 qershor, por kërkesa për rishikim ka pezulluar afatet dhe koha e mbetur do të llogaritet pas përfundimit të procedurës.

Për reformën territoriale, Balla tha se Komisioni i Posaçëm ka përfunduar mandatin dhe se tashmë propozimet mund të paraqiten nga grupet parlamentare dhe deputetët individualisht.

“Çdo gjë ka një afat. Nëntë muaj kanë mjaftuar për t’u bërë kjo detyrë”, tha ai.

/gj.m/j.p/

The post Balla: Nuk ka projekt përfundimtar për hartën e re territoriale, reforma mbi kritere teknike dhe ligjore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Reforma territoriale është kusht i BE-së, kërkojmë rikthimin e komunave

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kundërshtoi mënyrën e paraqitjes së raportit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale në Kuvend, duke pretenduar se dokumenti i mazhorancës nuk është shqyrtuar më parë në komision dhe se paraqitja e tij është në kundërshtim me procedurat.

Në një prononcim për mediet jashtë Kuvendit, Berisha deklaroi se raporti i paraqitur nga përfaqësuesit socialistë është një akt i njëanshëm dhe se procesi i punës së komisionit ishte ndërprerë nga mazhoranca.

“Sot në parlament, në një akt tërësisht të njëanshëm, kjo pseudomazhorancë do të lexojë raportin e komisionit të reformës territoriale të paparaqitur në komision. Ky raport që kanë sjellë socialistët është një raport që nuk është paraqitur në komision”, tha Berisha.

Sipas tij, procesi kishte vijuar mbi bazën e një axhende të dakordësuar për konsultime me qytetarët, por ndryshoi pasi, sipas tij, pati kundërshtime nga komunitetet në zona të ndryshme të vendit.

Berisha deklaroi se Partia Demokratike ka përgatitur një raport prej më shumë se 400 faqesh, por nuk e ka bërë publik ende, pasi sipas tij pritej përfshirja e ekspertëve ndërkombëtarë, veçanërisht të përfaqësuesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale.

“Ne kemi raportin tonë 400 e sa faqe, por kemi qenë seriozë në mënyrën tonë dhe nuk kemi bërë publike propozimet sepse donim që të ishte i pranishëm përfaqësuesi i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, të cilët do të ishin ndërmjetës në variantet që do të paraqiteshin”, u shpreh ai.

Kreu i PD-së theksoi se reforma territoriale është një nga kushtet për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

“Jo vetëm në dokumentet e fundit të BE-së, por edhe në raportin e Komisionit Evropian të tetorit që kaloi, dy janë kushtet: reforma territoriale dhe reforma zgjedhore”, tha Berisha.

Lidhur me propozimin e opozitës për ndarjen administrative të vendit, Berisha deklaroi se projekti i PD-së parashikon rritjen e numrit të bashkive dhe rikthimin e komunave mbi bazën e kritereve demografike.

“Ne kemi projektin tonë, i cili ka një numër bashkish që varion nga 90 në 110 bashki, por shton komunat. Ne nuk themi të shkojmë te modeli i mëparshëm, sepse ka ndryshime demografike, por kërkojmë rikthimin e komunave mbi bazën e kritereve demografike të mundshme”, tha ai.

Berisha deklaroi se puna e komisionit nuk mund të konsiderohet e përfunduar vetëm për shkak të mbarimit të afatit, duke bërë dallimin mes përfundimit të mandatit dhe përfundimit të procesit.

“Janë dy gjëra krejt të kundërta, puna dhe afati. Afatet e komisioneve bipartizane janë shtyrë, nuk ka komision bipartizan që të ketë përfunduar punën në afatin e përcaktuar”, tha ai.

I pyetur nëse zhvillimet në reformën territoriale mund të ndikojnë edhe te reforma zgjedhore, Berisha deklaroi se sipas tij kryeministri Edi Rama ka të njëjtin skenar për të dy proceset.

“Edi Rama nuk pranon asgjë përveç asaj që mendon vetë. Por ne, me përgjegjësi të plotë para qytetarëve shqiptarë, të cilët na kanë kërkuar masivisht që të marrim pjesë në këtë reformë, do të vijojmë qëndrimin tonë”, u shpreh Berisha.

/gj.m/

The post Berisha: Reforma territoriale është kusht i BE-së, kërkojmë rikthimin e komunave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tensione në Kuvend, opozita bllokon foltoren gjatë prezantimit të raporteve për Reformën Territoriale

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Tensione u shënuan sot në sallën e Kuvendit gjatë nisjes së prezantimit të raporteve të Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe penguan vijimin e raportimit nga pala e mazhorancës.

Pas përfundimit të diskutimeve për procedurë dhe njoftimit të nisjes së prezantimit të raporteve përkatëse të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për reformën territoriale, deputetët e opozitës u pozicionuan në foltoren e Kuvendit, duke mos lejuar vijimin e fjalës nga bashkëkryetari i komisionit, Arbjan Mazniku.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u kërkoi deputetëve të lejonin vijimin normal të seancës dhe u la kohë bashkëkryetarëve të komisionit, Arbjan Mazniku dhe Luçiano Boçi, për të paraqitur gjetjet e punës së komisionit.

Për shkak të bllokimit të foltores dhe pamundësisë për të vijuar raportimin, Peleshi njoftoi një pushim prej 5 minutash deri në lirimin e foltores.

Debatet për Reformën Administrativo-Territoriale nisën që në fillim të seancës, pasi opozita kërkoi zgjatjen e mandatit të Komisionit të Posaçëm me tre muaj, kërkesë që u rrëzua nga mazhoranca.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se mandati i komisionit ka përfunduar dhe se ai nuk mund të zgjatet, duke argumentuar se në seancën e sotme do të paraqiten vetëm gjetjet e punës së bërë dhe jo miratimi i një reforme të re territoriale.

Ndërkohë, opozita pretendon se objektivat e komisionit nuk janë përmbushur dhe se raportet duhet të ishin shqyrtuar në një proces më të gjatë konsultimi.

Seanca plenare vijon mes tensioneve politike, ndërsa jashtë Kuvendit protestuesit dhe forcat e policisë janë përfshirë më herët në përplasje gjatë tubimit të qytetarëve.

Opozita bllokon foltoren e Kuvendit, foto: Andrin Hoxha
1 nga 8

/gj.m/

The post Tensione në Kuvend, opozita bllokon foltoren gjatë prezantimit të raporteve për Reformën Territoriale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Komiteti Ekzekutiv miraton rregullin për aktivizimin e detyrueshëm të lojtarëve të rinj në kampionatet kombëtare

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar rregullin për aktivizimin e detyrueshëm të lojtarëve të rinj në kampionatet kombëtare, i cili do të hyjë në fuqi duke nisur nga sezoni sportiv 2026–2027.

Ky vendim është pjesë e strategjisë së FSHF-së për zhvillimin e futbollit shqiptar, rritjen e mundësive për futbollistët e rinj dhe krijimin e një baze më të fortë për ekipet kombëtare

Gjithashtu, ky rregull përveçse synon rritjen e aktivizimit të futbollistëve të rinj shqiptarë në kampionatet kombëtare, rritjen e konkurrencës ndërmjet futbollistëve vendas, ka për qëllim krijimin e një modeli të qëndrueshëm zhvillimi për dekadën e ardhshme.

Sipas rregullores së miratuar, në kampionatin Abissnet Superiore dhe në Kupën e Shqipërisë, çdo skuadër do të ketë detyrimin të aktivizojë nga minuta e parë, për të paktën një pjesë loje, një futbollist të datëlindjes 2007 e në vijim, me pasaportë shqiptare.

Ndërkohë, në Kategorinë e Parë, Kategorinë e Dytë dhe Kategorinë e Tretë, klubet do të duhet të aktivizojnë nga fillimi i ndeshjes të paktën një lojtar të datëlindjes 2007 e në vijim, me pasaportë shqiptare, i cili duhet të luajë gjatë gjithë kohëzgjatjes së ndeshjes, përveç rasteve të parashikuara nga rregullorja.

Rregullorja përcakton gjithashtu se, në rast zëvendësimi të lojtarit që plotëson kriteret, ai duhet të zëvendësohet me një tjetër futbollist që përmbush të njëjtat kritere të moshës dhe shtetësisë. Nëse kjo nuk është e mundur, skuadra do të vazhdojë ndeshjen me një lojtar më pak për periudhën gjatë së cilës ekziston detyrimi i aktivizimit të futbollistit të ri.

Rregulli do të zbatohet për të gjitha ndeshjet e kampionateve përkatëse, si edhe për Kupën e Shqipërisë. Klubet janë përgjegjëse për regjistrimin e lojtarëve dhe respektimin e dispozitave të rregullores.

/gj.m/j.p/

The post Komiteti Ekzekutiv miraton rregullin për aktivizimin e detyrueshëm të lojtarëve të rinj në kampionatet kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Cilësim i papërgjegjshëm i protestuesve si terroristë

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas përplasjeve të shënuara gjatë protestës para Kuvendit, duke dënuar përdorimin e forcës nga policia dhe deklaratat e mazhorancës për protestuesit.

Në një prononcim jashtë Kuvendit, Berisha tha se dënon përdorimin e ujit me presion, gazit dhe mjeteve të tjera ndaj protestuesve.

“Dënoj dhunën e egër, përdorimin e lëndëve djegëse, gazeve helmuese, sprajit të ariut, topave të ujit ndaj protestuesve paqësorë, akte me të cilat dëshmohet fytyra e vërtetë diktatoriale e regjimit”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së kritikoi gjithashtu deklaratën e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili e cilësoi situatën gjatë protestës si terrorizëm.

“Dënoj me forcën më të madhe cilësimin si terroristë të protestuesve paqësorë në një akt të pashembullt nga kryetari i grupit parlamentar të partisë së krimit, Taulant Bego Yaris”, tha Berisha.

Sipas tij, qëndrime të tilla ndaj qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore janë të papërgjegjshme.

Berisha përsëriti kërkesën e tij për përfundimin e mandatit të Kuvendit, duke deklaruar se deputetët aktualë nuk përfaqësojnë qytetarët shqiptarë.

“Kërkoj edhe njëherë përfundimin e këtij parlamenti, pasi këta deputetë në mënyrë absolute nuk përfaqësojnë qytetarët shqiptarë”, u shpreh ai.

Ai akuzoi mazhorancën për marrjen e pushtetit përmes votave që, sipas tij, janë siguruar në mënyrë të paligjshme, duke përmendur pretendime për ndikim të bandave kriminale dhe patronazhistëve.

Protesta para Kuvendit u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

/gj.m/j.p/

The post Berisha: Cilësim i papërgjegjshëm i protestuesve si terroristë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nufi: Investimi në arsimin ushtarak, investim në të ardhmen euroatlantike

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ 67 oficerë të rinj, mes tyre 10 nga Republika e Kosovës përfunduan me sukses programin njëvjeçar të Kursit të Përgatitjes së Oficerëve në Akademinë e Forcave të Armatosura (AFA).

Në ceremoninë e diplomimit të tyre të organizuar mbrëmjen e djeshme në garnizonin “Skënderbej” morën pjesë, Kryeministri Edi Rama; ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi; ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji, përfaqësues të lartë të Forcave të Armatosura; ambasadorë, atashe ushtarakë, pedagogë, familjarë dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri i Mbrojtjes,  Ermal Nufi përgëzoi oficerët e rinj në përfundimin me sukses të kursit.

“Sot Shqipëria fiton një brez të mirë oficerësh, një brez të ri udhëheqësish të përgatitur mirë për t’i shërbyer Atdheut, qytetarëve dhe për të përfaqësuar me dinjitet flamurin shqiptar. 67 oficerë të rinj, 10 prej të cilëve nga Kosova, i uroj përzemërsisht në përfundimin me sukses të Kursit të Përgatitjes së Oficerëve. Sot, Akademia e Forcave të Armatosura (AFA) është më tepër se një institucion arsimor – është një vend ku formohen udhëheqësit me karakter, integritet dhe profesionalizëm të frymëzuar nga vlerat e Detyrës, Nderit dhe Atdheut. Ndaj bindjen se investimi në dije është i vetmi investim në sigurinë tonë të përbashkët në të ardhmen tonë euroatlantike”, u shpreh ai.

Ministri Nufi shprehu mirënjohjen e sinqertë për të gjithë pedagogët dhe instruktorët e AFA, të cilët kanë formësuar këtë brez të ri oficerësh, ashtu siç kanë bërë edhe me brezat para tyre.

“Një falënderim i veçantë shkon edhe për të gjithë familjarët e këtyre kadetëve, të cilët i kanë mbështetur ata përgjatë gjithë këtij rrugëtimi”, nënvizoi ai ndër të tjera.

Për ministrin Nufi, oficerët e rinj që u diplomuan nuk mbajnë vetëm një gradë ushtarake, por edhe besimin e një kombi, duke theksuar se ky besim merr një rëndësi të veçantë në një periudhë kur mjedisi i sigurisë po ndryshon me ritme të shpejta.

Në fund të fjalës së tij, ministri Nufi falënderoi në mënyrë të veçantë, Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, stafin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës për praninë e tyre në këtë ceremoni diplomimi.

“Besoj se prania e tyre sot është simbolike. Ajo dëshmon jo vetëm mbështetjen e shtetit dhe të Qeverisë së Shqipërisë, por edhe të Qeverisë së Kosovës për këtë akademi. Njëkohësisht, ajo është një shenjë për të kujtuar ditën kur u bë betimi, ditën kur u mor vendimi dhe ditën kur jeta iu kushtua shërbimit në Forcat e Armatosura të Republikës. Është një ditë e veçantë, një ditë që nuk harrohet lehtë. Për këtë arsye, të gjithë jemi shumë krenarë dhe u urojmë shumë suksese të gjithë këtyre kadetëve. Mbarësi në rrugëtimin tuaj dhe mbajeni me nder betimin që do të bëni sot. Nderoni Atdheun, nderoni flamurin!”, u shpreh ministri Nufi.

1 nga 5

/gj.m/j.p/

The post Nufi: Investimi në arsimin ushtarak, investim në të ardhmen euroatlantike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi, një minutë heshtje në nderim të akademikut Emin Riza

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Në nisje të seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, deputetët mbajtën një minutë heshtje në nderim të ish-deputetit dhe akademikut Emin Riza, i cili u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare.

Emin Riza ishte një nga studiuesit më të njohur shqiptarë në fushën e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës tradicionale, me një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë materiale shqiptare.

Ai lindi më 3 korrik 1937 në Shkodër dhe gjatë karrierës së tij të gjatë ka shërbyer si studiues, pedagog dhe specialist pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Ai la pas një krijimtari të gjerë shkencore, me 18 monografi dhe dhjetëra artikuj shkencorë, duke dhënë një kontribut të veçantë në studimin e arkitekturës popullore dhe monumenteve të kulturës.

Emin Riza ka qenë gjithashtu kryeredaktor i revistave “Studia Albanica” dhe “Monumentet”, ndërsa ishte një nga nismëtarët e hartimit të ligjit për trashëgiminë kulturore.

Një ndër kontributet e tij më të rëndësishme ishte drejtimi i grupit të punës për përgatitjen e dosjeve të qyteteve të Gjirokastrës dhe Beratit për UNESCO-n, proces që çoi në përfshirjen e tyre në Listën e Trashëgimisë Botërore.

Për veprimtarinë e tij të spikatur në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kombëtare, akademik Emin Riza është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës dhe i Beratit.

/gj.m/j.p/

The post Kuvendi, një minutë heshtje në nderim të akademikut Emin Riza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla publikon pamje të efektivit të plagosur: Kjo nuk është më protestë paqësore, është terrorizëm

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas përplasjeve të shënuara gjatë protestës para Kuvendit, duke publikuar pamje të një efektivi policie të lënduar gjatë konfrontimeve me protestuesit.

Në videon e publikuar prej tij, efektivi shfaqet me dëmtime dhe gjak në pjesën e kokës, ndërsa Balla e ka cilësuar situatën si tejkalim të një proteste paqësore.

“Kjo nuk është më protestë paqësore, është terrorizëm. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit”, shkroi Balla në reagimin e tij.

Përplasjet para Kuvendit nisën në orët e mëngjesit, ku protestuesit hoqën një pjesë të gardhit metalik të sigurisë dhe hodhën vezë, domate e sende të tjera në drejtim të forcave të policisë.

Më pas, policia ndërhyri duke përdorur ujë me presion dhe spraj me piper për shpërndarjen e turmës.

/gj.m/j.p/

The post Balla publikon pamje të efektivit të plagosur: Kjo nuk është më protestë paqësore, është terrorizëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Parlamenti të vetëshkrihet, të hapet rruga për zgjidhjen që kërkojnë rinia

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar shkrirjen e parlamentit, duke e cilësuar si të vetmin vendim të përgjegjshëm që mund të merret në situatën aktuale politike.

Përpara hyrjes në seancën plenare në Kuvend, Berisha deklaroi se Parlamenti po zhvillon punimet nën masa të forta sigurie dhe sipas tij duhet të marrë vendimin për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje të re politike.

“Parlamenti mblidhet në rrethim! I vetmi akt i përgjegjshëm i tij është të deklarojë fundin e tij, shkrirjen e tij dhe hapjen e rrugës për zgjedhjen që kërkojnë mbarë rinia dhe qytetarët shqiptarë”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së tha se çdo vendim tjetër i marrë nga Kuvendi do të ishte, i pavlerë, duke përsëritur kërkesën për shpërndarjen e këtij institucioni.

“Çdo akt tjetër është fund e krye i pavlerë. Ndaj dhe ne kërkojmë sot vetëshpalljen, shkrirjen e këtij parlamenti. Ky është, them edhe njëherë, i vetmi vendim i drejtë që parlamenti mund të marrë sot”, deklaroi Berisha.

Reagimi i tij vjen në një ditë kur jashtë godinës zhvillohet një protestë e shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

/gj.m/j.p/

The post Berisha: Parlamenti të vetëshkrihet, të hapet rruga për zgjidhjen që kërkojnë rinia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia Kufitare shpëton familjen me pesë anëtarë në Himarë, Lamallari: Reagim i shpejtë dhe profesional

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Policia Kufitare u ka ardhur në ndihmë pesë shtetasve, pjesëtarë të së njëjtës familje, të cilët rrezikuan të mbyteshin pasi mjeti i tyre lundrues pësoi defekt gjatë natës si pasojë e motit të keq.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku vlerësoi reagimin e menjëhershëm të efektivëve të Policisë Kufitare.

Sipas tij, pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare u angazhuan menjëherë në kërkimet në det me mjetin e tyre lundrues, duke bërë të mundur lokalizimin e mjetit ku ndodheshin një çift bashkëshortësh dhe tre fëmijët e tyre.

Pesë anëtarët e familjes u transportuan më pas me mjetin e Policisë Kufitare drejt Pikës së Kalimit Kufitar Himarë, ku mbërritën në gjendje të mirë shëndetësore.

Ministri Lamallari përgëzoi punonjësit e Policisë së Shtetit për reagimin e shpejtë dhe profesional në operacionin e shpëtimit, duke theksuar angazhimin e strukturave të rendit për garantimin e sigurisë së pushuesve dhe vizitorëve gjatë sezonit turistik.

Ai përsëriti gjithashtu apelin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për respektimin e rregullave të lundrimit, përdorimin e pajisjeve të sigurisë dhe shmangien e daljes në det në kushte të pafavorshme atmosferike, me qëllim parandalimin e incidenteve dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

/gj.m/j.p/

The post Policia Kufitare shpëton familjen me pesë anëtarë në Himarë, Lamallari: Reagim i shpejtë dhe profesional appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi në seancë plenare, shqyrtohen projektrezolutat e institucioneve të pavarura të drejtësisë

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot në ora 10:00 seancë plenare.

Në fillim të seancës do të miratohen procesverbalet e seancave plenare të datave 16 dhe 23 korrik 2026, si dhe do të zhvillohen njoftimet përkatëse.

Më pas deputetët do të shqyrtojnë projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Avokatit të Popullit dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2025.

Raportet do të paraqiten nga drejtuesit e institucioneve përkatëse, ndërsa më pas do të zhvillohen diskutime parlamentare sipas kohës së përcaktuar për grupet parlamentare.

Në vijim të seancës është parashikuar një interpelancë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, e kërkuar nga deputeti Blendi Himçi, si dhe dy seanca pyetje-përgjigje me të njëjtin ministër, të kërkuara nga deputetët Bujar Leskaj dhe Erald Kapri.

Kuvendi do të shqyrtojë gjithashtu dy akte normative të qeverisë. I pari lidhet me disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për buxhetin e vitit 2026”, ndërsa i dyti me financimin e pjesshëm të organizimit të koncertit të këngëtarit Kanye Ëest në Tiranë.

Në rend dite janë përfshirë edhe një sërë projektligjesh me fokus afrimin e legjislacionit shqiptar me standardet evropiane, përfshirë projektligjet për grupimet ekonomike me interes evropian, shoqëritë evropiane të bashkëpunimit, statutin e shoqërive evropiane, si dhe ndryshime në fusha si turizmi, Kodi Detar, pronësia industriale, kontabiliteti dhe pasqyrat financiare.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe ndryshime në ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe në ligjin “Për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Në fund të rendit të ditës janë parashikuar katër projektvendime për emërime në Komisionin e Prokurimit Publik, përfshirë emërimin e kryetarit dhe të anëtarëve të rinj të këtij institucioni.

/gj.m/j.p/

 

The post Kuvendi në seancë plenare, shqyrtohen projektrezolutat e institucioneve të pavarura të drejtësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj: Kuvendi i Sinjës dëshmoi rëndësinë e unitetit në prag të shpalljes së Pavarësisë

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Presidenti Bajram Begaj përkujtoi sot 114-vjetorin e Kuvendit të Sinjës, duke e cilësuar atë si një nga momentet më domethënëse të historisë kombëtare shqiptare.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Kreu i Shtetit vlerësoi Kuvendin e Sinjës të 23 korrikut 1912 si një ngjarje që dëshmoi rëndësinë e unitetit në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

“Kuvendi i Sinjës (23 korrik 1912) është një nga momentet më domethënëse të historisë sonë kombëtare, ku burrat e Shqipërisë së Jugut dëshmuan se uniteti është forca më e madhe e një kombi”, u shpreh Presidenti Begaj.

Ai theksoi se pjesëmarrësit në këtë kuvend lanë mënjanë ndasitë për t’u bashkuar rreth idealit të lirisë dhe ndërtimit të shtetit shqiptar.

“Sot, 114 vjet më pas, fryma e Kuvendit të Sinjës na kujton se vetëm të bashkuar, me përgjegjësi ndaj historisë dhe besim te e ardhmja, mund të ndërtojmë një Shqipëri më të fortë, më të zhvilluar dhe plotësisht të integruar në Evropë”, theksoi Presidenti Begaj.

Me këtë mesazh, Kreu i Shtetit nënvizoi rëndësinë e unitetit kombëtar dhe të frymës së bashkëpunimit si vlera që mbeten aktuale edhe në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian.

/gj.m/j.p/

The post Begaj: Kuvendi i Sinjës dëshmoi rëndësinë e unitetit në prag të shpalljes së Pavarësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tensione para Kuvendit, protestuesit përplasen me policinë dhe heqin gardhin metalik

TIRANË, 23 korrik /ATSH/Situata para Kuvendit të Shqipërisë u përshkallëzua teksa protestuesit dhe forcat e Policisë së Shtetit u përfshinë në përplasje të përsëritura pak para nisjes së seancës së fundit plenare të kësaj legjislature.

Pas hedhjes së vezëve, domateve dhe sendeve të tjera në drejtim të efektivëve, policia ndërhyri për shpërndarjen e turmës duke përdorur ujë me presion dhe spraj me piper.

Sipas medieve, një efektiv policie mbeti i lënduar gjatë përplasjeve. Më pas u raportua se edhe dy policë të tjerë pësuan lëndime. Po ashtu, një protestues është lënduar nga një gur në kokë dhe u dërgua drejt ambulancës.

Protestuesit, të cilët ishin mbledhur përpara godinës së Parlamentit, arritën të heqin një pjesë të gardhit metalik të vendosur nga policia për sigurimin e perimetrit.

Më pas ata hodhën vezë, domate dhe bidonë në drejtim të efektivëve të policisë, ndërsa nga ana e organizatorëve pati edhe thirrje për të mos sulmuar uniformat blu.

Gjatë protestës u dëgjuan thirrje si: “Deputetë frikacakë”, “Ju erdhi fundi”, “Parlament i krimit”, “Poshtë qeveria” dhe “Nuk na përfaqësoni”, ndërsa protestuesit kërkuan lirimin e Kryeministrit Edi Rama.

Protestuesit u përpoqën të bllokojnë rrugën te kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit duke mos lejuar kalimin e mjeteve.

Situatë kaotike u raportua te bulevardi “Zhan d’Ark” ku protestuesit përpiqen të ndalojnë makinat. Disa prej tyre tërhoqën në rrugë edhe koshat e mbeturinave duke bllokuar qarkullimin e automjeteve.

Policia e Shtetit kishte marrë masa të forta sigurie për zhvillimin e seancës plenare, duke rrethuar Kuvendin me gardhe metalike në një perimetër më të gjerë se në protestat e mëparshme, nga Rruga e Elbasanit deri pranë Ministrisë së Brendshme.

Në zonë u dislokuan forca të shumta policie, përfshirë repartet “Shqiponja”, ndërsa pranë Parlamentit u vendosën edhe autobotë me ujë në gatishmëri, në rast të përshkallëzimit të situatës.

Për shkak të masave të sigurisë, hyrja në zonën e rrethuar u kufizua jo vetëm për qytetarët dhe automjetet, por edhe për përfaqësuesit e mediave.

Protesta para Kuvendit, foto: Florian Abazaj
1 nga 23

vijon

/gj.m/j.p/

The post Tensione para Kuvendit, protestuesit përplasen me policinë dhe heqin gardhin metalik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 22 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Balla: Fund gardheve në plazhe dhe ndërtimeve gjatë sezonit turistik, ndryshimet në ligj nesër në Kuvend

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njoftoi përmes një videomesazhi se në seancën plenare të së enjtes Kuvendi i Shqipërisë do të shqyrtojë ndryshimet në ligjin “Për Turizmin”, të cilat synojnë të rrisin standardet në zonat turistike dhe të mbrojnë interesin e pushuesve.

Balla bëri të ditur se një nga ndryshimet kryesore parashikon ndalimin e proceseve të ndërtimit gjatë sezonit turistik në zonat turistike dhe pranë strukturave akomoduese.

Sipas tij, kjo masë vjen si përgjigje ndaj shqetësimeve të shumta të pushuesve për zhurmat dhe punimet e ndërtimit gjatë periudhës së pushimeve.

“Synimi është që të ndalen zhurmat e makinerive të betonit dhe çdo proces tjetër ndërtimi gjatë sezonit turistik. Aty ku bashkitë nuk arritën ta zgjidhnin këtë problem me vendimet e tyre, tani do ta zgjidhim me ligj”, u shpreh Balla.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me garantimin e aksesit të lirë në plazhe. Balla theksoi se, pas hyrjes në fuqi të ligjit, çdo subjekt që administron një stacion plazhi do të ketë detyrimin të garantojë kalimin e lirë dhe të pandërprerë të qytetarëve drejt bregut të detit, si edhe lëvizjen përgjatë vijës bregdetare dhe ndërmjet hapësirave publike të plazhit.

Sipas projektligjit, ndalohet vendosja e gardheve, mureve, barrierave apo çdo pengese tjetër fizike, të përhershme ose të përkohshme, që kufizon ose pengon aksesin e qytetarëve në plazh.

Balla u shpreh se me këto ndryshime synohet t’i jepet fund përfundimisht praktikës së bllokimit të hyrjeve në plazhe me gardhe apo barriera, duke garantuar të drejtën e çdo qytetari për akses të lirë në bregdet.

/gj.m/

The post Balla: Fund gardheve në plazhe dhe ndërtimeve gjatë sezonit turistik, ndryshimet në ligj nesër në Kuvend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ndërhymë për të mbrojtur zemrën e Thethit, zhvillimi duhet të bëhet me leje

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Thethit për Paketën e Maleve, foli për ndërhyrjet e qeverisë në këtë zonë dhe për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit malor.

Rama hodhi poshtë pretendimet se qeveria kishte nxitur ndërtime të reja pa leje në Theth, duke deklaruar se qëndrimi i tij ka qenë gjithmonë për legalizimin e ndërtimeve ekzistuese dhe jo për lejimin e ndërtimeve të reja pa kontroll.

“Është tërësisht e pavërtetë dhe ju jeni të gjithë dëshmitarë që unë kam ardhur këtu dhe kam thënë: ‘Vazhdoni ju, ndërtoni se ne do t’i legalizojmë’. Unë kam ardhur këtu dhe kam thënë që do të legalizojmë ekzistueset”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se në një zonë të mbrojtur natyrore si Thethi, edhe shumë banesa të trashëguara ndër vite nuk kishin dokumentacion të rregullt dhe se procesi i legalizimit lidhet me objektet ekzistuese.

Sipas Ramës, pas vizitës së tij në Theth ka pasur një rritje të ndërtimeve të paligjshme, të cilat, sipas tij, prekën një nga zonat më të identifikueshme të fshatit.

“Ajo që ndodhi, dhe ju e dini shumë mirë, ishte që pas vizitës sime shpërtheu ndërtimtaria e paligjshme këtu. U arrit të goditej zemra e Thethit”, tha ai.

Rama solli si shembull simbolin më të njohur të zonës, kishën e Thethit dhe lëndinën përreth saj.

“Po të shkruash ‘Theth’ në të gjitha gjuhët e botës në Google, pamja e parë që del është kisha me lëndinën e gjelbër. Lëndina e gjelbër u zaptua, u vunë me shpejtësi disa shtëpi druri, u rrethua, u shtrua me zhavorr dhe u kthye në një plagë mu në mes të Thethit”, deklaroi kryeministri.

Ai theksoi se synimi i qeverisë është që zhvillimi i zonave malore të vijojë me standarde më të larta, përmes projekteve cilësore dhe respektimit të rregullave urbanistike.

“Tani ne duhet ta çojmë në një nivel tjetër zhvillimin. Duhet të rrisim cilësinë me sistem dhe me leje, me projekte cilësore. Jo ‘hajde ndërto’”, theksoi Rama.

/gj.m/j.p/

The post Rama: Ndërhymë për të mbrojtur zemrën e Thethit, zhvillimi duhet të bëhet me leje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nufi: Rekrutimi në Forcat e Armatosura, mundësi për karrierë dhe shërbim ndaj vendit

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se Forcat e Armatosura shqiptare vijojnë përpjekjet për të afruar të rinjtë përmes procesit të rekrutimit, duke ofruar mundësi për zhvillim profesional dhe përfitime që lidhen me statusin e ushtarakut.

Në një deklaratë pas mbledhjes së qeverisë, i pyetur për rekrutimet në Forcat e Armatosura dhe interesin e të rinjve për t’iu bashkuar ushtrisë, Nufi u shpreh se Shqipëria ka një angazhim të rëndësishëm me trupa në misionet paqeruajtëse në botë.

Ai theksoi se Ministria e Mbrojtjes ka ndërmarrë një fushatë për rekrutimin e të rinjve në Forcat e Armatosura, duke synuar rritjen e kapaciteteve dhe afrimin e brezit të ri me strukturat ushtarake.

Sipas Nufit, të rinjtë shqiptarë që zgjedhin të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura përfitojnë jo vetëm mundësinë për një karrierë profesionale, por edhe një sërë avantazhesh që lidhen me statusin e ushtarakut, trajnimin, zhvillimin profesional dhe përfitimet që ofron shërbimi ushtarak.

Ai shtoi se rekrutimi i të rinjve është një proces i vazhdueshëm dhe se synimi është krijimi i një force të mirëtrajnuar, profesionale dhe të gatshme për të përballuar detyrimet kombëtare dhe ndërkombëtare.

/gj.m/j.p/

The post Nufi: Rekrutimi në Forcat e Armatosura, mundësi për karrierë dhe shërbim ndaj vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌